Për herë të parë flet pas kryqëzimit mediatik, Matoshi: Nuk e kam pritë këtë reagim, synuan të më shkatërrojnë pse e dua një njeri

Suada Qorraj

Ndonëse sukseset e saja janë panumërta, madje pikërisht në natën e tridhjet e një tetorit ajo kishte fituar çmimin e aktores më të mirë në festivalin e filmit “Mostra de Valencia” në Spanjë, Adriana Matoshi u bë cak i sulmeve e fryrjeve në rrjetet sociale, por edhe nga ana e mediave. E ky sulm shpërfaqi edhe një herë një nga anët e errëta të shoqërisë, racizmin e ndërtuar mbi baza etnie e ngjyre. Ishte pikërisht ky racizëm dhe kryqëzimi drejtuar aktores në rrjetet sociale që u diskutua natën e mbrëmshme në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KutlPlus.

Aktorja Adriana Matoshi gjatë këtij diskutimi pohoi se e dinte se lidhja e saj do të zgjonte kureshtje, mirëpo nuk ja kishte marrë mendja që do të bënte një bujë kaq të madhe. Ajo madje përmendi edhe kohën kur lojtarët Anglez nuk u mirëpritën mirë në Ballkan, e pikërisht në atë kohë secili ndihej krenar për faktin që kosovarët nuk janë një popull racist, por nuk e mendonte që do vinte ku si pasojë e racizmit do të gjykohej për zgjedhjen e saj personale.

“Pak a shumë ma ka marr mendja që ka me zgju kureshtje, sidomos tek portalet, por nuk ma ka marr mendja që një dalje e imja publike për lidhjen time personale ka me marrë bujë kaq të madhe dhe ka me u përfolë kaq shumë tek njerëzit. Më herët kur ka luajtur Anglia me Kosovën futboll në Prishtinë e di që është bërë një hallakam e madhe sa i përket racizmit dhe se nuk janë pritur mirë në ballkan, dhe janë ndje aq mirë që ne si popull nuk jemi racista. Por, kur dola unë për një sen personal veç u ngulfata, nuk ma ka marrë mendja qaq shumë që ka me shku deri diku ku se kam pritë”, theksoi Matoshi.

Aktorja ndër të tjera theksoi edhe fjalët e mira që ka marrë gjatë kësaj kohe. Sipas saj përderisa kishte të bënte me ndjenjat e saja, miratimin e prindërve dhe fëmijëve të saj, si dhe përderisa tashmë kishte lindur një dashuri mes dy personash, atëherë nuk i bënte keq askujt.

“Kam pasur përkrahje edhe prej njerëzve të ndryshëm, prej njerëzve edhe të mëdhenjë. Mesazhet që vini gjatë kësaj kohe ishin si me ma zanë frymën, se unë nuk disha a është mirë, a është keq. Por, duke u nis prej ndjenjës tem, prej shpirtit tem dhe kur i kam analizu dhe jam ulë me mendu mirë se çka kam bërë. Unë kamë rënë dakord me familjen time, me prindërit e mij, me fëmijët e mij, me veten time, edhe kam thënë kërkujna keq nuk i kam bërë. Unë jam duke e dashtë një njeri edhe ai është duke më dasht mu dhe përderisa dy vetë duhen nuk ka asnjë të keqe”, tha Adriana Matoshi.

Përgjatë këtij debati Matoshi shpjegoj se për të nuk ka qenë e lehtë të përballet me diçka që nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë se do ti ndodhte. Ajo foli edhe për faktin se si për një moment nëna, aktorja por edhe personi i thjeshtë në rrugë ishte shuar e shndërruar brenda një dite në një objekt bullizmi.

“Nuk ish aspak e lehtë me u përballë me diçka që nuk e kisha imagjinu, nuk është lehtë kur ti nuk i ke bo kërkujt keq, nuk e ke mendu për asnjë njeri keq diçka ose nuk e le lëndu, as nuk ju ke përzi kërkujt në familje, as nuk ke shkatërru dikë. Dhe për një moment prej të gjithë atyre lëvdatave që i kam pas si aktore, si nënë, si person i thjeshtë në rrugë, për një moment krejt qajo Adriana e mirë që jam kon për ton jetën për një ditë u shu komplet. Nuk o shu te unë absolutisht se unë e kam cekë një lidhje mu nuk më ka bo as ma te mirë as ma të keqe mu më ka bo veç ma të lumtur edhe nuk kam mendu qe ka me i pengu dikujt lumturia jeme deri në atë pikë”, vazhdoi tutja aktorja.

Ndërkaq për panelistin , si dhe psikologun Fitim Uka ishte e rëndësishme realizimi i një debati të tillë, për një ngjarje të tillë që vë në pah atë se çka ne jemi si shoqëri. Sipas tij ajo se çka ka përjetuar aktorja është reflektimi i sjelljes tonë në mjediset familjare dhe edukimin racist që ju bëjmë brezave të rijnë.

“Është mirë që është realizu një debat i tillë sepse jemi lodhë prej debateve politike që na nxjerrin të mirë para ekraneve, por mandej bie një ngjarje e tillë dhe e kuptojmë se kush jemi në realitet. Me thanë të drejtën unë kisha dasht me i kërku falje Adrianës, për shkak që mendoj se jemi bashkëfajtor për atë që ka ndodhë sepse në një mënyrë apo tjetrën në mjediset tona familjare, në mënyrën se si ne sillemi dhe i përbrendësojmë disa norma e parime të caktume ne i kemi eduku brezat e rijnë që me qenë kaq racist, aq racist sa që ndërhyjnë edhe në jetën personale të dikujt deri në masën që do të jenë kriteret tona ato që duhet të përcaktojnë se kush duhet ta takojë dikë, apo kush duhet të lidhet emocionalisht me dikë tjetër.” tha Uka.

Sipas psikologut ne si shoqëri kemi tendencën që të paragjykojmë personat e gjërat që i cilësojmë të huaja, madje edhe ti portretizojmë si inferiore. E sipas tij pikërisht ky inferioritet përbën edhe thelbin e racizmit tonë.

“Përderisa jam i bindur që ne edhe në mjediset tona familjare shpesh herë edhe në shkollë por të motivum edhe prej mediave i promovojmë disa prej roleve, modeleve të cilat janë raciste edhe ksenofobe për shkak se e kemi këtë tendencën se ajo që është e huaj, ajo që është e ndryshme prej nesh gjykohet aq vrazhdë sa të tingëllojë dhe të portretizohet si inferiore ky është thelbi i racizmi, pra ne e kemi tendencën që çfarëdo individi grupi të caktuar në momentin kur ata nuk ngjasojnë me një ‘unë nuk jam krejt identik’ ti quajnë më inferiorë”, shtoi panelisti.

Tutje Fitim Uka ka thënë se janë pikërisht personat që i kanë ofruar Adriana Matoshit mbështetje ata që duhet të promovohen në media. Sipas tij ne si shoqëri kemi tendencën që të qeshim me shakatë raciste e t’ju japi edhe hapësire në televizion duke mos menduar pasojat.

“Dua të besoj që të gjithë ata njerëz që i kanë ofru ndihmë dhe mbështetje Adrianës janë ata që duhet të promovohen në media, janë ata që duhet të promovohen në kuadër të shoqërisë sepse ndonjëherë ne kemi tendencën që të qeshim me këto shakatë që janë raciste, si dhe kemi tendencën që t’ju japim hapësirë në televizion duke i promovuar në kuadër të shoqërisë dhe nuk e kuptojmë se si shpërndahen këto paragjykime kështu që është mirë me ju thonë mjaft qysh tash në mënyrë që mos me e pagu ma shrejntë në të ardhmen”, pohoi Uka.

Udhëheqësja e këtij debati aktorja Aurita Agushi përgjatë këtij diskutimi përmendi edhe faktin që pikërisht në natën kur Adrana Matoshi ishte bërë cak i sulmeve dhe i fyerjeve në rrjetet sociale, por edhe kryeqendra e artikujve të mediave, ajo kishte fituar edhe çmimin aktores më të mirë në festivalin e filmit “Mostra de Valencia” në Spanjë.

E për Matoshin marrja e këtij çmimi, ndryshe prej çmimeve tjera nuk i kishte bërë aq shumë përshtypje pikërisht për faktin që ndonëse puna e saj profesionale po ecte si mos më mirë, ishin pikërisht njerëzit që dikur i thurnin lavde, tashmë i ishin kthyer kundër dhe përqonin mesazhe negative për aktoren. Sipas saj është fatmirësi prezenca e njerëzve të mirë, të cilët kanë parë e kanë jetuar mjaftueshëm që të mos bëjnë paragjykime të tilla.

Përgjatë këtij debati u zhvillua edhe një diskutim me të pranishmit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku dhe u morën perspektiva të ndryshme rreth kësaj çështjeje. Debati “Racizmi dhe rrjetet sociale” është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com

Ndryshon ora e debatit “Racizmi dhe rrjetet sociale”

Për shkak të zhvillimeve të fundit si pasojë e pandemisë dhe masave që priten të merren nga Qeveria e Kosovës, ndryshon ora e debatit “Racizmi dhe rrjetet sociale”, shkruan KultPlus.

Në KultPlus Caffe Gallery organizohet një debat mbi racizmin dhe kryqëzimin e figurave publike në rrjete sociale. Ky debat fillon nesër në orën 15:00.


Në këtë debat, panelistë do të jetë aktorja e njohur kosovare Adriana Matoshi dhe psikologu i njohur Fitim Uka.


Kjo mbrëmje do të moderohet nga aktorja e njohur Aurita Agushi.
Debati nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.


Për shkak të Pandemisë, ata që do të vijnë të parët do të kenë mundësi të ndjekin nga afër këtë debat./ KultPlus.com

Dikush nuk mund të përmbajë lotët nga dëshpërimi dhe humbja e shpresës që sjell depresioni

Nga Fitim Uka

Mund të jetë afër apo edhe larg jush, mund ta njihni apo mund të mos e keni parë kurrë…

Por, dikush, edhe sot nuk mund të përmbajë lotët nga dëshpërimi dhe humbja e shpresës që sjell Depresioni. Larg atje, një person nuk e duron terrin, nuk e duron ndarjen, përplitet me fobitë e tij sepcifike, që janë produkt i Ankthit të përditshëm. Mbase, secilit prej nesh, një tingull a zhurmë, na rikujton luftën dhe tmerrin që kemi përjetuar dhe na bën të strukemi e ta njohim Çrregullimin e Stresit Postraumatik. Afër jush, mund të fle dikush që përjeton tmerre të natës, sa për t’iu njohur me Çrregullimet e Gjumit, që kanë trajta e forma të ndryshme. Dikush tjetër, nuk e di kush është, harron dhe humbet në identitet të tjera, që e bëjnë të përjetojë format e Çrregullimit Disociativ.

Një tjetër, vazhdon të mos i besojë askujt dhe është në pritje të një ngjarje negative që i kanë orkestruar të tjerët, për të portretizuar kështu Çrregullimin Paranoid, një nga të shumtat çrregullime të personalitetit.

Një tjetër, e ka të pamundshme që të jetoi realitetin tonë, humbet në botën e tij imagjinare, mes halucinacioneve e deluzioneve të madhështisë, që e bëjnë skizofreninë e tij të mundimshme për trupin, po, po pikërisht trupin, që mund të jetë “mallkim” për imagjinatën e tyre që fluturon gjithandej.

Unë i takoj shpesh, e përpiqem t’i ndihmoj. Ata meritojnë më shumë vëmendje sot, meqë është Dita Botërore e Shëndetit Mendor, por meritojnë çdo ditë mbështetje e përkrahje. / KultPlus.com

“Të hollat, le t’i marrin ata që iu duhen edhe pak për të bërë milionat, sepse mua edhe ashtu nuk po më hiqet kredia”

Nga Fitim Uka

Dromca realiteti kosovar (pak më gjatë për t’u mbajtur në mend)

1. Tre prezantime kërkojnë autorin 
Tre prezantime (si autor dhe bashkautor) më ishin pranuar në konferencën më të madhe në botë të Shoqërisë për Hulumtime në Zhvillimin e Fëmijës në Baltimore, Maryland të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesëmarrja në një konferencë të tillë kushton rreth 4000 mijë euro (me të gjitha shpenzimet). Të jetosh në Kosovë, ke dy zgjedhje për të marrë pjesë në këtë konferencë. Zgjedhja është të hysh kredi apo të kërkosh mbështetjen që të takon në institucionet tona, drejtuesit e të cilave e kanë gojën plot kërkim shkencorë, e xhepat bosh kur duhet të intervenojnë. Kështu që, e pashë konferencën nëpërmjet fotografive dhe punimet e mija u prezantuan nga të tjerat. I lumtur sa më nuk bëhet.

2. Milionerët VS të burgosurit e kredive 
Për një semestër të plotë, kisha udhëtuar në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit. Kisha nënshkruar kontratën për disa të holla që mezi mbulonin shpenzimet e mija të udhëtimit deri atje, por isha më i motivuar se kurrë. Mbajta disa herë edhe provimet dhe dorëzova rezultatet. Pas gjithë angazhimit, diku pesë muaj më pas, me kërkesën time për sqarime, më njoftuan që nuk mund të më paguajnë për shkak të një problemi, që kurrë se kuptova se cili ishte. Çuditërisht, zv/dekanit e rektorit thanë se iu del paga me rregull, por për mua dhe për ndonjë të dobët si puna ime, kishte probleme. Mbetem me ngushëllimin e vetëm që kam takuar dhe punuar me një grup të shkëlqyeshëm studentësh. E sa për të hollat, le t’i marrin ata që iu duhen edhe pak për të bërë milionat, sepse mua edhe ashtu nuk po më hiqet kredia e po më shtohet mëkati.

3. Kur të vrasin shpresën dhe krenohen me krimin
Për një vit e gjysmë, bashkë me ekipin e jashtëzakonshëm të Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, kemi organizuar dhjetëra aktivitete vullnetare. Për mua dhe tre shokët e mi, Besnikun, Ramizin e Liridonin, ky është një ushqim për shpirtin. Në këtë rrugëtim kemi njohur dhjetëra vullnetarë që kanë reflektuar vlera të tilla. Më dhemb të shoh, gjithë këtë potencial intelektual të të rinjëve, kryesisht studentë, entuziastë të hulumtimit, debatit shkencorë, intervenimeve në komunitet, që nëpërkëmbet nga një klasë politike, që njeh vetëm ngjyrat partiake. Më vjen keq për të tashmen e tyre dhe për faktin që askush nuk ua kupton gjuhën. Duket mision i pamundshëm të motivojë për të ardhmen, një grup të rinjsh që iu është vrarë shpresa.

4. Të lumturit në depresion 
Dhe, ne jemi populli më i lumtur në botë. Çfarë çrregullimi kolektiv është ky vallë? Apo ndoshta, unë jetoj në një realitet tjetër? Ndoshta, kreditë, mungesa e perspektivës, korrupsioni, nepotizmi, haraçi, kazinot, krimet, tallavaja, antivlerat e ushqejnë këtë ndjenjë lumturie? Ndoshta, më duhet që të ndërrojë vend. Kjo, sepse një i “palumtur i pandreqshëm”, nuk mund të jetoj në një vend përplot me të lumtur që duken në depresion. / KultPlus.com