Rita Ora vlerësohet me çmim në Hong Kong

Këngëtarja me origjinë shqiptare ka udhëtuar drejt Hong Kong-ut ku edhe ka mbajtur koncertin e radhës.

Atje është ndjerë mjaft e vlerësuar teksa ka marrë çmimin “Best International Artist Award’ (Artistja më e mirë ndërkombëtare) të Billboard Radio China. Këtë moment e ka ndarë me ndjekësit e saj në Instastory.

Ajo ka treguar stilin e saj të veçantë edhe kur ka peformuar në Hong Kong për Billboard Radio Live.

Rita dukej sensacionale në një kostum dy pjesësh me ngjyrë të bardhë. Këtë kostum ajo e kombinoi me një palë çizme të bardha.

Në fillim të performancës ajo kishte edhe një xhaketë, të cilën e hoqi pak minuta më vonë. / KultPlus.com

Dizajnerja kosovare shkëlqen në javën e modës në Harbin të Kinës (VIDEO)

Koleksioni “Galaxy” nga Dejzi’s Dresses ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme gjatë prezantimit të 30 veshjeve solemne në njërën nga ngjarjet më të mëdha botërore të modës që mbahet çdo vit në Harbin të Kinës.

Organizatorët e kësaj jave të modës janë shprehur shumë të kënaqur me nivelin artistik dhe prezantimin e koleksionit.

Komenti i tyre i parë me përfundimin e sfilatës ka qenë që edhe per vitet e ardhshme kreatorja Diellza Krasniqi nga Kosova ka siguruar pjesëmarrjen në këtë eveniment.

Në anën tjetër, vetë disenjatorja Diellza Krasniqi për KultPlus thotë se organizimi ishte i nivelit tepër të lartë dhe se prezantimi i përgjithshëm i brendit Dejzi’s Dresses dhe shtetit të Kosovës ka qenë shumë profesional.
Java e Modës në Harbin është përcjellur nga mediat më të njohura botërore në fushën e modës, shumica e të cilave edhe janë interesuar rreth zhvillimit të kësaj fushe në Kosovë, gjatë konferencës për media të Diellza Krasniqit.

Kjo është hera e parë që një disejnatore kosovare merr pjesë në këtë eveniment në mesin e 46 shteteve, me më shumë se 130 disejnatorë nga e gjithë bota.

Dejzi’s Dresses është e njohur për kreacione solemne me një dozë rojaliteti, gjë që edhe më herët ka tërhequr vëmendjen e adhuruesve të modës nga gjithë bota. Fustanet e kësaj kreatoreje janë shitur pothuajse në çdo cep të botës, duke përfshirë Evropën, Arabinë Saudite dhe Australinë e largët.

Me këtë prezantim Dejzi’s Dresses ka hapur dyert për shumë bashkëpunime edhe në kontinentin aziatik.
Java e modës në Harbin është mbajtur nga 12 deri më 17 janar, ndërsa koleksioni “Galaxy” është prezantuar me 16 janar. / KultPlus.com

Ipeshkvijtë katolikë: Skënderbeu nuk i përket vetëm një feje

Me rastin e Vitit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes, ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë u kanë drejtuar shqiptarëve një mesazh. Mes të tjerash, ata shtrojnë një sërë pyetjesh për të sotmen: “A ndjehemi vërtetë të lirë, pas 27 vjetësh nga rënia e komunizmit? Çfarë na shtyp akoma? Cilat janë frikërat tona? Pse kaq vonesa për të hyrë në Bashkimin Europian, një ëndërr që na shoqëron gjithmonë?

Pse nuk e duam atdheun tonë si etërit tanë që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij? Kush janë armiqtë tanë sot kundër të cilëve duam të luftojmë e t’i mundim së bashku: varfëria, zhvillimi i pabarabartë i shoqërisë sonë, korrupsioni, analfabetizmi, etj.? Kemi nevojë për një hov të fortë “ndershmërie” dhe “meritokracie” nga ana e të gjithëve për të mirën e kombit tonë”.

Në të njëjtin mesazh, ipeshkvijtë thonë se kur, para pesëdhjetë viteve, shqiptarët të shpërndarë në shumë vende kremtonin pesëqind vjet nga vdekja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Papa Pali VI shkroi një letër në të cilën tha se Skënderbeu “… ishte biri i lavdishëm i një toke që pati fatbardhësinë të ishte pjesë e programit apostolik të Shën Palit, ku mbolli ndoshta rishtazi farën e Ungjillit”.

Në mesazh, shënohet se Papa shtonte: “Pararendësit tanë e mbuluan me elozhe më tepër se çdo hero të asaj epoke. Ai arriti të ruante për njëzet e pesë vjet prej pushtimit atdheun e tij, i cili ishte pika me e brishte e sistemit mbrojtës të krishterimit. Për këtë arsye, pararendësi ynë, Kaliksti III, duke pasur parasysh devocionin dhe atashimin ndaj Selisë apostolike të këtij kapedani, tha për të me të drejtë se ‘ai kishte merituar më shumë nga të gjithë princat katolikë lëvdata për nder të besimit dhe fesë katolike”. Citimi i Papës, në kuadër të debateve që mbahen për besimin fetar të Skënderbeut, duket interesant.

Por, teksa vihet në dukje se Skënderbeu, me shumë kurajë e forcë i bëri ballë njërës prej perandorive më të forta e gjakatare të kohës, nuk harroi rrënjët e tij shoqërore dhe shpirtërore, as u josh nga pushteti që i jepej. “Si i tillë Skënderbeu nuk i përket vetëm një grupi njerëzish, një krahine apo një feje, por të gjithë atyre që e ndjekin lirinë si një aspiratë të brendshme për të cilën ia vlen çdo sakrificë”.

MBI LIRINË
Në 550-vjetorin e vdekjes së tij, ipeshkvijtë gjejnë rastin të të ftojnë për një çast reflektimi për aspiratat e lirisë së popujve dhe të njeriut si individ. “Liria është ndër të drejtat më thelbësore të një populli, të grupeve shoqërore dhe të individëve. Thënia lapidare që i atribuohet Skënderbeut në momentin e mbërritjes së tij në trojet arbërore, se lirinë nuk e kishte sjellë, por e kishte gjetur aty, tregon se liria i rri natyrshëm çdo njeriu dhe çdo populli”, thuhet në mesazh.

“Çdokush që lufton për lirinë e një populli në fakt promovon atë çka i përket në thelb natyrës njerëzore dhe që e bën bashkëjetesën njerëzore më të mundshme dhe të bukur”, thuhet në mesazhin e Konferencës Ipeshkvore. Kjo e fundit, teksa falënderon kryeministrin për shpalljen e një viti jubilar për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, thotë se duhet t’i drejtojmë vetes këto pyetje: Sot a ndjehemi vërtetë të lirë, pas 27 vjetësh nga rënia e komunizmit? Çfarë na shtyp akoma?

Cilat janë frikërat tona? Pse kaq vonesa për të hyrë në Bashkimin Europian, një ëndërr që na shoqëron gjithmonë? Pse nuk e duam atdheun tonë si etërit tanë që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij? Kush janë armiqtë tanë sot, kundër të cilëve duam të luftojmë e t’i mundim së bashku: varfëria, zhvillimi i pabarabartë i shoqërisë tonë, korrupsioni, analfabetizmi, etj.? Kemi nevojë për një hov të fortë “ndershmërie” dhe “meritokracie” nga ana e të gjithëve për të mirën e kombit tonë.

Mesazhi mbyllet me njoftimin se dje u mbajt një meshë falënderimi në Kishën Katedrale të Lezhës në orën 9.00 paradite dhe pastaj u bë një ceremoni pranë memorialit të Skënderbeut. / Gazeta Shqiptare / KultPlus.com

Të hash poezi

Poezi nga Mark Strand / Përktheu Beti Njuma

Bojë më rrjedh cepave të buzëve
S’ka si lumturia ime.
Kam ngrënë poezi.

Biblioktekarja s’u beson syve.
Vështrimin e ka të trishtë
dhe ecën me duart mes palave të fustanit.

Poezitë kanë marrë arratinë.
Drita është e zbehtë.
Qentë ndodhen në shkallët e bodrumit dhe ngjiten.

Sytë u vërtiten,
putrat e verdha digjen si shkarpa.
Bibliotekarja e gjorë nis të përplasë këmbët dhe vajton.

Nuk kupton.
Kur gjunjëzohem dhe dorën ia lëpij, klith.

Jam një njeri fringo.
I skërmitem dhe leh.
Kremtoj me hare në errësirën librore.

Publikohet klipi promocional i qytetit të Mitrovicës (VIDEO)

“Mitrovica Guide” ka lansuar videon promocionale për qytetin dhe rrethinën e Mitrovicës.

Qëllimi i këtij projekti ishte përmirësimi i imazhit të qytetit të Mitrovicës, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe në rritjen e nivelit të promovimit të potencialeve dhe të arriturave pozitive në qytetin e Mitrovicës me rrethinë, gjithë kjo është bërë përmes platformës online mitrovicaguide.com si dhe në mediat sociale.

Në kuadër të projektit “Promovimi i turizmit dhe trashëgimisë kulturore në regjionin e Mitrovicës” janë realizuar edhe harta orientuese turistike si dhe katalogu me fotografitë më të bukura të realizuara gjatë vitit të kaluar.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport dhe ka gjetur mbështetje të madhe tek qytetarët si dhe bizneset hoteliere, të cilat e shohin të nevojshme promovimin e mëtejshëm të qytetit të Mitrovicës nga kjo perspektivë pozitive. / KultPlus.com

Erion Veliaj i jep ‘Çelësin e Qytetit’ komunitetit arbëresh

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka hapur derën komunitetit arbëresh duke e ndarë sot ‘Çelësin e Qytetit’ për këtë komunitet.

Arbëreshët, komunitet që për vite e ka mbajtur gjallë traditën shqiptare në Itali, një pjesë e tyre kanë vizituar sot Veliajn në zyrën e tij.

“Tirana është gjithmonë derë e hapur për vëllezërit tanë arbëreshë. I dhamë komunitetit arbëresh çelësin e shtëpisë, për t’ju kujtuar që të gjithë duhet të ecim në gjurmët e të parëve tanë e të ruajmë lidhjet me vendin mëmë” ka shkruar Veliaj në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

Delegacioni arbëresh ka ardhur në Shqipëri me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Shpresoj që ky mot i madh të jetë një simbolikë e fortë për të na kujtuar që kemi humbur shumë kohë të ndarë, por asnjëherë nuk është vonë për ta rikuperuar atë kohë” ka thënë mes tjerash Veliaj. / KultPlus.com

MoMA në New York, me ekspozitë rreth arkitekturës në Jugosllavi

MoMA – Muzeu i Artit Modern do të eksplorojë arkitekturën e Jugosllavisë së dikurshme në një ekspozitë enkas për këtë periudhë.

“Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980” (Drejt utopisë konkrete: Arkitektura në Jugosllavi, 1948-1980”) do të jetë kësisoj ekspozita e parë e madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila do të studiojë punët arkitekturore në 45 vitet e ekzistencës së Jugosllavisë.

Do të jenë rreth 400 vizatime, modele, fotografi dhe video të marra nga arkiva shtetërore, koleksione familjare dhe objekte nga muzetë nga regjioni i ish Jugosllavisë, duke sjellë kësisoj arkitektët kryesorë të Jugosllavisë para një audience më të gjerë në New York.

Ekspozita do të shpalosë punën e arkitektëve Bogdan Bogdanović, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radević, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe Milica Šterić.

Arkitektura e kësaj periudhe – që nga stili i rrokaqiejve e deri te pjesa e brutalizmit – është manifestim i një pluralizmi radikal dhe idealizmi që e karakterizoi vetë shtetin jugosllav, thuhet mes tjerash në konceptin e kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.

“Toward a Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia, 1948–1980” do të fokusohet në temën e urbanizmit, eksperimentimit teknologjik dhe aplikimit të tij në jetën e përditshme, krahas edhe konsumerizmit, monumenteve dhe memorializimit, duke mos harruar edhe arritjen globale të arkitekturës në ish Jugosllavi.

Xhamia e Bardhë e Bosnjës, ndërtimi i qytetit të Shkupit pas tërmetit të madh, Beogradi i Ri dhe ndërtesat e ‘çuditshme’ të kësaj pjese të Beogradit, janë në mesin e disa prej momenteve që i përfshin kjo ekspozitë.
Ekspozita do të hapet me 15 korrik të këtij viti dhe do të jetë e hapur deri me 13 janar të vitit 2019-të. / KultPlus.com

Dafina Zeqiri, pjesë e klipit të ri të French Montanas (VIDEO)

Këngëtarja kosovare Dafina Zeqiri është pjesë e videoklipit më të ri të reperit me famë botërore, French Montana.

“Famous” titullohet kënga të cilën e ka lansuar sot reperi.

“Faleminderit sërish që më le të jem pjesë e këtij projekti të bukur”, ka shkruar Dafina Zeqiri në një postim në Instagram.

Kjo s’është hera e parë që të dy këngëtarët bashkëpunojnë. Në këngën e shkuar të Dafina Zeqirit “Four Seasons”, në videoklip ishte pikërisht reperi me famë botërore. / KultPlus.com

Grupi W.N.C, hip hopi i paraluftës nga Peja (VIDEO)

Gjeneratat e mesme mund ta kujtojnë më shumë grupin e njohur nga Peja, W.N.C.

Grupi ka qenë shumë i njohur dikur në hip hopin shqiptar, me disa këngë të cilat kanë sjellë tema të ndryshme të trajtuara në pak minuta, me një freski që kanë ditur ta sjellin anëtarët e grupit.

Dardan Belegu dhe Arlind Gjikolli kanë qenë dy prej anëtarëve të grupit të njohur, këngët e të cilit po i sjellim sot për ta kujtuar grupin.

Grupi nuk e ka në plan të bashkohet, siç kanë thënë vetë anëtarët e grupit në disa paraqitje televizive, por kjo nuk na ndalon ti sjellim në mendje meloditë e tyre.

Grupi patën marrë pjesë edhe në Festivalin Kënga Magjike, por edhe patën lansuar album muzikor në një kohë kur albumet ishin në modë dhe nuk ishte kohë e internetit dhe teknologjisë. Albumi “Pse” është ndër më të suksesshmit dhe të paharrueshmit të grupit, ndoshta në kulmin e karrierës së tyre, me një hip hop që sot veç kujtohet me nostalgji e me naivitet.

W.N.C numërohet si një ndër grupet e para shqiptare të hip hopit dhe repit.

Hitet e tyre, mes tjerash, janë edhe “Qikat e mira”, apo “Çka kom pasë”. / KultPlus.com

Modestia e Mbretit Olav dhe bileta e tramvajit

Kjo foto bën xhiron e botës nga viti 1973. Personi në foto që shihet duke prerë biletën e tramvajit në Oslo është mbreti Olav, i cili mbretëroi me Norvegjinë nga 21 shtatori i vitit 1957, deri më 17 janar të vitit 1991 kur ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare.

Mbreti Olav, pasardhës i mbretit Hakon VII, bënte jetë modeste. Aktualisht Mbretëria norvegjeze e cila udhëhiqet nga djali i tij Harald V, është shteti më i fuqishëm në botë për kokë banori dhe qytetarët norvegjezë janë më të lumturit në planet!

Facebook: Bajram Mjeku

Fjalët e Ismail Kadaresë për librin e At Zef Pllumit

Vepra “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi ka marrë kritikat letrare të nevojshme, por edhe bekimin e plot njerëzve si libër që duhet lexuar për ta kuptuar jetën e priftit shqiptar në një kohë tjetër për shqiptarët.

Frati françeskan dhe një publicist e shkrimtar i palodhshëm, At Zef Pllumi na e la këtë libër si dëshmi që jetoi dhe dha kontribut në disa fusha.

Vëllimi i parë i librit është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. Redaktori i librit, sikundër edhe në dy vëllimet e para, është Aurel Plasari.

Në mesin e njerëzve që e vlerësuan librin dhe thanë fjalët më të mira për të, ishte edhe Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar.

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.
Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.”

Kujtimet e Pllumit, dhe të disa emrave të tjerë që i kanë kaluar ato rrathë ferri, janë beteja më e ashpër kundër dinakërisë së një pjese të shoqërisë që është përpjekur për të harruar të shkuarën – një e harruar që i krijon hapësirë vetëm atyre që kanë mbështetur atë përbindësh e që nuk duan për asnjë çast që t’i zbathet e shkuara. Duke sjellë përmes një rrëfimi shumëçka që ka ndodhur me të dhe shumë persona rreth tij, e sidomos në burgjet shqiptare, At Zef Pllumi ka ngritur pikëpyetjen e drejtpërdrejtë mbi atë çfarë duhet bërë me të shkuarën e prindërve dhe gjyshërve tanë. / KultPlus.com

Shqiptarja Xhenet Aliu, me libër për shqiptarët dhe ëndrrën amerikane

“Një ëndërr e pamundur është më e mirë sesa pa ëndërr”, shprehet Elsie Kuzavinas, një nga protagonistët e romanit debutues të Xhenet Aliut, “Brass.” Siç bëri në koleksionin e saj të parë të tregimeve, “Domesticated Wild Things” Aliu përqëndrohet tek ata që nuk përkasin, tek të shtypurit, emigrantët dhe, në këtë rast, një nënë e vetme dhe vajza e saj e kokëfortë. Aty të dyja jetojnë një jetë të varfër në Waterbury Conn. kryeqyteti i prodhimit të bakrit në botë që shumë kohë më parë humbi shkëlqimin e tij. “Brass” fillon me Elsie, vajzën e emigrantëve lituanezë, duke e rrëfyer historinë e saj të mrekullueshme, të mbushur me sekrete, duke filluar që kur ishte e re ku punonte në lokalet e Betsy Ross, të drejtuar nga një familje shqiptare, të cilët ikën nga vendi i tyre për ëndrrën amerikane.

Elsie shpejt takohet dhe bie në dashuri me Bashkim, një kuzhinier shqiptar, i cili mendon se investimet e që ai ka bërë në Shqipëri së shpejti do ta bëjnë atë të pasur. Por pastaj, ngjarjet shpërthejnë si fishekzjarre. Elsie mëson se Bashkimi është i martuar dhe gruaja e tij ende jeton në Shqipëri, dhe megjithëse këmbëngul se gruaja e tij nuk ka menduar të largohet kurrë dhe as ai vetë nuk do të kthehet, Elsie nuk mund të mos e pyesë veten: Çfarë ndodh nëse gruaja e tij ndryshon mendjen? Gjërat ndërlikohen edhe më shumë, Elsie e gjen veten shtatzënë. Për habinë e saj, Bashkim dëshiron që ajo ta mbajë fëmijën, që ata të jenë një familje dhe të jetojnë me paratë që ai është i sigurt se do të t’i fitojë. Elsie guxon të shpresojë një fund të lumtur për veten. Por diçka e errët fillon të ndodhë në vend të kësaj, dhe ngadalë, në kapitujt e librit, ajo zbulon të vërtetën, dhe çfarë do të thotë kjo e vërtetë për të dhe vajzën e saj.

Luljeta, bija e Elsie, gjithashtu ka një histori për të treguar. Ajo e di se është arsyeja e vetme e nënës së saj për t’u ngritur dhe për të punuar aq shumë, gjë që asaj nuk i pëlqen. Ajo dëshiron të njohë babanë e saj, por e vetmja gjë që Elsie do të zbulojë është se ai është një horr që u arratis në Shqipëri pas një të kartonit të gjelbër, ndërsa Luljeta ishte ende në barkun e Elsie. Elsie dëshiron që Luljeta të jetë e vetmja në familje që të ketë një jetë të mirë, jashtë ndihmës financiare të qeverisë, por plani i Luljetës është të hyjë në Universitetin e Nju Jorkut dhe të jetojë në Nju Jork, “i vetmi qytet që ka rëndësi”. Por Betsy Ross nuk është fushë me lule. Aty ajo gjen gjurmë për vendndodhjen e babait të saj në Houston, dhe Luljeta fillon të pyesë veten nëse babai i saj mund të jetë dikush me vlerë, dikush që mund ta ndihmojë atë të ketë sukses.

Shumë gjëra në libër janë përdorur me një qëllim të caktuar, sidomos kur fokusohet te klasa dhe kultura, dhe në atë që ato me të vërtetë nënkuptojnë. Nëna e Bashkim mund të jetë një emigrante, por ajo ende respekton zakonet e vjetra të vendit të saj, duke shikuar emigrantët e tjerë shqiptarë që hedhin të kaluarën e tyre sepse duan një të ardhme të shndritshme amerikane. Ëaterbury, Conn., mund të jetë çdo qytet i vogël që mezi mbahet, një vend i lagësht i fabrikave të braktisura prej bronzi. Punët që janë në dispozicion (linjat e montimit të fabrikës ose në lokalet vendase) nuk japin shumë për të ardhmen. “Çfarë është më i qëndrueshëm se bronzi?” Shpall me shpresë slogani i qytetit, por banorët e dinë se përgjigjet janë disa, duke përfshirë baltën toksike, faturat e pafundme, si dhe shpresën që vdes së bashku me qytetin.

Fundi i “Brass” mund të jetë disi i zymtë, por ende ka trillime të gjalla të shpresës. Pranverat sekrete ofrojnë mundësi të hapura, dhe megjithëse jeta nuk mund të ndryshojë në mënyrë dramatike, nëna dhe vajza fillojnë të kuptojnë njëra-tjetrën, duke zbuluar se ato janë më të ngjashme se sa të ndryshme. Historia, ashtu si e ardhmja dhe të gjitha planet e saj, mund të rishikohen. Po, mund të humbasim se kush dhe çfarë jemi me të vërtetë. Por, siç tregon ky roman i guximshëm, ne mundemi, dhe duhet të vazhdojmë të luftojmë për të bërë vendin tonë në botë./

San Francisco Chronicle, Përshtati Lapsi.al / KultPlus.com

Kënga e Ermal Metës në Sanremo, e inspiruar nga një sulm terrorist

Shqiptari Ermal Meta ka përvjelë mëngët për pjesëmarrjen e tij në Sanremo.

Pasi vitin e kaluar ai u rendit në treshen më të mirë, këtë vit Meta dëshiron që të synojë fitoren në festivalin me renome në Itali.

Bashkë me Fabrizio Moron, Ermal Meta ka krijuar një këngë e cila bartë pas saj një mesazh dhe kauzë.

“Kënga është një përgjigjje ndaj sulmeve terroriste që ndodhën në Manchester, në koncertin e Ariana Grande. Kur dikush ka të ftohtë, është i frikësuar, e përqafon tjetrin. Muzika e zgjon ndërgjegjen më shumë sesa diskursi politik. Muzika i bashkon njerëzit” i ka thënë Ermal Meta Corriere Della Serra.

Ermal Meta këtë vit në Sanremo merr pjesë bashkë me Moron me këngën “Non mi avete fatto niente” (Nuk më ke bërë asgjë).

Ermali gjithmonë përkujdeset që këngët e tij të kenë një mesazh pas tyre. Vitin e kaluar, kënga e tij përkrahte kampanjën kundër dhunës në familje. Fabrizio, këngëtari që do të performojë me të, para disa vitesh në Sanremo u paraqit me një këngë kundër grupeve mafioze në Itali, shkruan KultPlus.

SANREMO do të nisë me 6 shkurt, dhe do të jenë pesë net spektakël e muzikë deri në natën finale. Fituesi i Sanremos do të dihet me 10 shkurt.

Ermal Meta tanimë numëron disa pjesëmarrje në SANREMO. Vitin e kaluar ai fitoi edhe çmimin e kritikës.
Meta mbrëmë ka marrë çmimin për albumin më të mirë italian, në ndarjen e çmimeve ROCKOL AWARDS në Itali. / KultPlus.com

Filip Shiroka, shkodrani i dashuruar në dallëndyshe

Filip Shiroka lindi më 1859 në Shkodër dhe vdiq më 1935 në Bejrut, Liban.

Tema në veprën e poetit Filip Shiroka ishte ajo e atdhedashurisë, krenarisë kombëtare për të kaluarën dhe shpirtin liridashës të shqiptarëve.

Në poezitë “Burri”, “Gjergj Kastrioti”, “Shypnia”, Shiroka bëri thirrje hapur për çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në poezitë e tij më të mira, që i kushtohen mallit për atdhe, Shiroka mediton mbi fatin e tij dhe atë të atdheut. Poezitë më të njohura janë Shko dallëndyshe dhe Dallëndyshe eja.

DALLANDYSHE EJA!

Mirë se vjen, me krahë te letë,
Dallndryshë, tue fluturue!
Mirë se vjen! M’ket ânë te xetë
T’dheut t’Misirit me dimnue:
Eja, prá, ktu fluturim,
M’gzò me at zâ gjith âmbëlcim!

Kur jé nisë t’kam porositun
Atje larg t’shkojsh kah Shqypnija;
M’difto pra, kur ké shetitun
A t’kan ra n’mend fjalt e mija,
Me m’shkue n’Shkoder fluturim,
Me m’j’u falë gjytetit t’im?!

Atje malet n’i paç pá,
Jânë prej boret nalt zbardhue:
N’ato fushat ne paç rá,
Janë me lule lulëzue
Atje n’paç vojtë fluturim
Aty âsht gjyteti i im!

Barit t’njomë gjith atje veshen
Çuka e kodra, e atje ndinë
Tue këndue blegtoreshe
Qi kullotë rreth bagtinë;
Atje n’paç vojt fluturim,
Aty âsht gjyteti i im!

N’Shkodren t’ime të Shqypnisë
Burrat lejnë qi s’dijnë ç’âsht friga,
Çupat e bukra t’urtisë
Atje lejnë qi s’dinë ç’âsht flliga;
Atje n’pàç vojt fluturim
Aty âsht gjyteti i im!

Dishroj shum, por…nuk po dij
A kam pràp fàt t’mirë me shkue
Nji herë tjetër ne Shqypni,
N’Shkodren t’ime me kalue…
Atje dù t’shkoj fluturim,
T’vdes aty n’gjytetin t’im!

T’kam pas thânë… se n’Fushë t’Rmajit
Kam dy vorre t’dashtunisë,
Nânë e babë kàm n’at vênd vajit,
Qi m’kanë lânun t’vorfenisë;
Me zânë t’ând t’përmâllshëm shqim,
A m’ke bâ mbi’ tà vajtim?!

A u kè thânë se un t’kam çue
Prindët e dashtun me m’i qà?!

A u kè thânë sà kam lotue
Kur t’kam nisë vorrin m’e pâ?!
A e kè thânë, t’përmallshme shqim,
Kângen t’ânde gjithë vajtim?!
A u kè thânë se zêmra e ime
N’ dhenë t’hueja keq u shkri,
Se s’ka gzim, as s’ka ngushllime
Se po digjet për Shqypni?!
Me zânë t’ând t’përvajshëm shqim,
A e kè qamun fatin t’im?!

Prà dallndryshë, kah kè shetitun
Gjytetin t’im a e kè pà?!
N’ato vênde kû kè rritun,
N’mênd për mue a te kà rà,
Me m’shkue n’Shkodër fluturim,
Me m’j’u falë gjytetit t’im?

Dashuria e secilit për secilin, ndoshta është më mirë t’ia lëmë Jezusit këto

“Ndoshta hëngrëm mollën e gabuar në Kopshtin e Edenit? Ndoshta mes pemës së jetës dhe pemës së njohjes së të mirës nga e keqja, ka qenë ndonjë pemë tjetër që rritej atje në Kopshtin e Edenit, ndonjë pemë helmuese që nuk përmendet në shkrimet e shenjta, ‘pema e djallit’ dhe ndoshta kjo ishte ajo çka hëngrëm ne?

Ai gjarpri faqezi e mashtroi Evën, i premtoi se ajo ishte pa dyshim pema e njohjes, por, në të vërtetë, e çoi te pema e djallit. Ndoshta po të kishim ngecur te pema e jetës dhe tek ajo e njohjes së të mirës nga e keqja, nuk do të na kishin nxjerrë kurrë nga kopshti.’

Po çfarë është ferri? Ç’është parajsa? Patjetër që është brenda nesh. Në shtëpitë tona. Ferrin dhe Parajsën mund t’i gjesh në çdo dhomë. Pas çdo dere. Poshtë çdo batanije. Ja! Pak ligësi dhe njerëzit bëhen të gjithë ferr me njëri – tjetrin. Pak dhembshuri, pak zemërgjerësi dhe njerëzit gjejnë parajsën te njëri – tjetri.

Thashë pak zemërgjerësi dhe dhembshuri, nuk thashë dashuri: Unë nuk besoj shumë tek dashuria universale. Dashuria e secilit për secilin – ndoshta është më mirë t’ia lëmë Jezusit këto.

Dashuria është krejt tjetër gjë. Nuk është fare as si zemërgjerësia e as si dhembshuria. Përkundrazi. Dashuria është një përzierje interesante e të kundërtave, një përzierje e egoizmit ekstrem me përkushtimin total. Një paradoks! Dashuria, dashuria.

Të gjithë flasin rreth saj sikur dashuria të ishte diçka që njeriu mund ta zgjedhë, por dashuria nuk zgjidhet, ajo të kap si sëmundje dhe të zë si fatkeqësi. Atëherë, ç’është kjo që ne e zgjedhim? Çfarë duhet të zgjedhin qeniet njerëzore çdo minutë të ditës? Zemërgjerësinë dhe koprracinë. Çdo fëmijë e di këtë, e prapëseprapë ligësia nuk mbaron. Si shpjegohet kjo? Më duhet se e gjitha vjen nga ajo molla që hëngrëm atëherë: hëngrëm mollën e helmuar.”

– Amos Oz, “Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën”

Sali Musliu, fitues i çmimit ‘Peneli i Flakës së Janarit 2018’

Sali Musliu, piktor gjilanas që jeton e vepron në Gjermani, është fitues i çmimit blerës të “Peneli i Flakës së Janarit 2018”, ngjarje kulturore në të cilën është hapur edhe ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur deri në përfundim të Manifestimit “Flaka e Janarit 2018”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë edicion, sipas organizatorëve ka pasur prurje të shumta, mbi 60 sosh, por që në pamundësi që të ekspozohen të gjitha, një pjesë e tyre nuk kanë mundur të jenë pjesë e kësaj ekspozite.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar artistët pjesëmarrës e komisionin dhe ka shtuar se kjo është ndër shtyllat kryesore të “Flakës së Janarit”, që në Gjilan zhvillohet tash e 27 vite.

Ai ka rikujtuar kohët kur kjo ngjarje mbahej në galeri alternative e në restorante, që ishin shndërruar në hapësira për ekspozim. Ai ka uruar fituesit dhe i ka ftuar gjilanasit që ta vizitojnë ekspozitën, kurse ka paralajmëruar se prioritet i tiji në të ardhmen do të jetë bërja e Gjilanit me një galeri të mirëfilltë të arteve në një objekt krejt tjetër.

“Ka ardhur koha për të gjetur rrugën, objektin apo edhe që të ndërtohet një galeri e re. Ju siguroj se gjatë këtij viti do të punoj për këtë qëllim”, ka thënë Lutfi Haziri, duke shtuar se galeria do të jetë institucion publik, por do të udhëhiqet nga Shoqata e Artistëve Figurativ dhe do të jetë në menaxhim të tyre dhe për ta e ata do të bëjnë kalendarin e plotë të ekspozitave për 12 muajt e vitit.

Ndër fitues të sivjetmë, të përzgjedhur nga Juria Profesionale, Rasim Vllasaliu, Ragip Ramadani dhe Sabri Shaqiri janë Luan Shahiqi, Shefqet Abrazhda dhe Avni Behluli. / KultPlus.com

“Skënderbeu duhet të përkujtohet në një dimension më të civilizuar…”

Filozofi Blerim Latifi përderisa ka komentuar përkujtimin e figurës historike të shqiptarëve, Skënderbeut, ka vlerësuar që do të ishte më mirë që kjo figurë të përkujtohet në një dimension më të civilizuar se sa me ngjyra të nacional-romantizmit.

Figura e Skënderbeut, sipas Latifit, perceptohet në disa mënyra.

Përderisa mitin për Skënderbeun e ka krijuar Evropa, kur ndihej e rrezikuar nga Perandoria Osmane, si figurë të rezistencës, rilindasit shqiptarë e rizbulojnë duke u përpjekur të dalin nga sundimi osman.

“Skënderbeu si figurë historike që ka ekzistuar realisht, është objekt i studimit te historianëve”.

“Është edhe Skënderbeu simbolik, si simbol i përdorur nga perspektiva të ndryshme, nga regjime të ndryshme, në epoka të ndryshme. Këtu i shoh disa lloje të perceptimit për Skënderbeun” u shpreh Latifi në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.

Latifi pohoi që figura e Skënderbeut është një nga simbolet e rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar.

Ai vlerësoi që situata aktuale në Kosovë ndikon në përfytyrimin e figurave historike të së kaluarës se afërt, siç është lufta e UÇK-së, qe sipas tij ishte ndikuar nga figura e Skënderbeut.

“Konsideroj që lufta e UÇK-së është forma e fundit që është frymëzuar nga përfytyrimi i Skënderbeut, nga modeli i rezistencës së Skënderbeut” tha Blerim Latifi. / KultPlus.com

Placido Domingo: Do të doja të këndoja bashkë me tenorin Ramë Lahaj në Kosovë

Fjalët e mira dhe kritikat pozitive nuk kanë të ndalur, kur vijnë nga Placido Domingon për tenorin shqiptar Ramë Lahaj.

Tenori Ramë Lahaj ka shpërndarë në rrjetin social Facebook një video ku shihet legjenda Placido Domingo duke folur rreth karrierës së shqiptarit dhe cilësive që ai i posedon dhe që e veçojnë si një performues në skenë.

“Kur zëri ka kualitet, nuk është me rëndësi se prej nga vjen. Në Kosovë mund të mos jenë paraqitur shumë, i gjithë ai rajon është me talentë të jashtëzakonshëm” tregon mes tjerash Domingo në këtë video katër minutëshe.
Pamjet e tregojnë Ramë Lahajn duke performuar krahas Domingos. Placido Domingo ka kohë që është një mbështetësh i karrierës së Ramë Lahajt, dhe një përkrahje i tillë do të jetë i vazhdueshëm.

“Ai e ka temperamentin, zërin, dukjen, dhe tashmë ai vërtetë mund të jetë njëri nga tenorët e mëdhenj. Sigurisht se do të doja të shkoja në vendin e tij të lindjes, dhe mezi pres një ditë të shoh publikun e mrekullueshëm të Kosovës, duke kënduar së bashku me Ramën” pohon Domingo.

Placido e ka ftuar tenorin shqiptar në disa paraqitje të tija, ndërsa ka qenë po ai që ia ndau çmimin Operalia, tenorit Ramë Lahaj, shkruan KultPlus.

Ramë Lahaj po pushton skenat teatrale të botës. Ai ka mahnitur audiencën në Rusi në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa në Meksikë ishte po krahas Domingos ku u veçua për paraqitjen e tij të fuqishme klasike. Edhe një tragjedi në familje nuk e ndali Lahajn të korrte suksese vitin e kaluar, duke vazhduar fuqishëm edhe në fillimin e këtij viti. / KultPlus.com

Po vonohemi gjithnjë e më tepër

ANTONIO TABUCCHI / Përktheu Beti Njuma

Shkoi pranvera për ne,
miku im i shtrenjtë, dashuria ime
dhe trokiti vjeshta, me gjethet e saj të verdheme.
madje dimri tash ka hyrë.
Mblodha gjithçka tënden,
grimca, copëza, pluhur, gjurmë,
hamendësime, fjalë të mbetura nga zërat e tjetërkujt,
kokrriza rëre, një guaskë,
të kaluarën tënde sipas fantazisë sime,
përfytyrimin e të ardhmes sonë,
atë që prej teje do kisha dashur,
atë që më kishe premtuar
ëndrrat e mia fëmijënore….

Ekspozita e Ilir Xheladinit mbi Skënderbeun, pikënisje për muzeun e parë shqiptar në Zvicër (FOTO)

Gili Hoxhaj

Koleksionisti shqiptar Ilir Xheladini sonte solli ekspozitën e cila përmbante libra, gravura, pulla dhe bankënota për jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Të gjitha këto materiale përshkruanin një rrugëtim historik nga mesjeta e deri në vitet e 30-ta. Në murin e Muzeut Kombëtar ishte vendosur rrugëtimi i jetës së figurës heroike Gjergj Kastrioti Skënderbeu, gjersa përshkruante fatin dhe të bëmat e tij që nga lindja deri në betejat e fundit të tij.

Ilir Xheladini tregon për KultPlus se si kishte nisur krejt ky rrugëtim i koleksionimit të gjërave të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Duke studiuar letërsinë moderne në Universitetin e Neuchatel-it në Zvicër, profesori i historisë i kishte folur shpesh atij për grekët e Greqinë, Romën dhe romakët por asnjëherë për ilirët dhe Ilirinë dhe shpesh çdo pyetje e tij si student kishte mbetur pezull pa përgjigje nga profesori.

Kështu Xheladini gjatë vizitës në një librari të vjetër, gjen një hartë të Ilirisë përmes së cilës dhe fillon dialogun me profesorin. Harta e Ilirisë në këtë librari të vjetër njëzetë vite më parë mbetet si pikënisje e kësaj ekspozite që sonte erdhi në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Në mesin e librave për Skënderbeun, kjo ekspozitë sjellë edhe kopjen origjinale të autorit Jacques de Lavardin e cila është shkruar në frëngjishten e vjetër dhe është botuar në vitin 1621.
Kalaja e Shkodrës në këtë ekspozitë mbartë një moment të rëndësishëm për traditën shqiptare mbi kombin dhe religjionin. Një gravurë që Xheladini e solli në këtë ekspozitë tregon gratë shqiptare të cilat në ditën e Bajramit nga Kalaja hedhin lule për ta nderuar heroin. Kjo pamje kishte zënë hapësirë në revistën angleze “Ilustrated London News”.

“Kjo është tejet e veçantë për shkak se pavarësisht religjionit, heroi mbetet hero”, tha Xheladini për KultPlus.
Një gravurë tjetër përmban një mesazh edhe më të fuqishëm lidhur me tolerancën shqiptare që e ka karakterizuar këtë popull edhe pesë shekuj para. Kjo gravurë që daton nga dita e vdekjes së Skënderbeut tregon se si njerëz nga treva të ndryshme shqiptare, që u përkisnin religjioneve të ndryshme, kryejnë rite të ndryshme fetare pranë arkivolit të Skënderbeut.

Duke qenë se koleksionisti i kishte mbledhur këto materiale nga vende të ndryshme të botës, ai thotë se kjo ka qenë edhe një shtysë pasi që të huajt i zotërojnë gjërat që lidhen me historinë tonë, kurse ne nuk dimë as për ekzistencën e tyre.

Kjo ekspozitë është pjesë e një iniciative shumë të madhe të Xheladinit dhe Muzeut të Kosovës për të krijuar një muze shqiptar në Zvicër, e që do të quhet “Museum Illirycum”.
“Jemi një numër i madh i shqiptarëve që jetojmë në Zvicër, por edhe që zviceranët të na njohin më mirë për të kaluarën tonë sepse zviceranët kanë dëshirë t’i besojnë gjërat, vetëm kur i prekin faktet”, tregoi shkrimtari dhe koleksionisti Xheladini.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skender Boshtrakaj tha se ekspozita investon në grumbullimin e fakteve, artefakteve dhe dokumenteve të ndryshme të cilat përfaqësojnë të kaluarën tonë shqiptare. Ai tha se kjo ekspozitë flet edhe për relacionin dhe rëndësinë e diasporës në koleksionimin e materialeve të rëndësishme për historinë shqiptare.

“Ne shpesh flasim se si diaspora është një vlerë e madhe e jona në kuptimin financiar, unë mendoj që diaspora jonë ka qasje në informacion, në ngjarje dhe në biblioteka të shumta. Mendoj se duhet t’u japim më shumë hapësirë njerëzve që jetojnë jashtë, e ata janë aq të vullnetshëm për të promovuar vlerat tona”, tha Boshtrakaj për KultPlus.

Për të gjithë ata që duan të shohin këto materiale, dyert e ekspozitës do të qëndrojnë të hapura për një javë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë

Qeveria ka emëruar sot drejtorin e ri të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ai është Erzen Shkololli, i cili zëvendëson në këtë detyrë Artan Shabanin, i cili ka përfunduar mandatin në tetor 2017-të.

Shabani është emëruar në vitin 2013 në krye të Galerisë së Arteve, si zgjedhje e vetë kryeministrit Edi Rama, ashtu siç përzgjodhi edhe koreografin e njohur Ilir Kerni ne krye të Teatrit të Operës dhe Baletit, i cili më vonë dha dorëheqjen më vonë.

Vendimi:

EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Florist dhe Andi Bajgora, dy vëllezërit në ekranin e Berlinale 2018

Vëllezërit Andi e Florist Bajgora do të shihen nga publiku i Festivalit prestigjioz BERLINALE.

Dyshja janë pjesë e filmit “Kiem Holijanda” i cili do të shfaqet në kuadër të programit Generation 14plus në Berlinale – Festivalin e Filmit në Berlin.

Andi dhe Floristi jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë. Duke shitur qumësht ata mbajnë familjen.

Filmi në fjalë ka për regjisore Sarah Veltmeyer nga Holanda dhe është një nga 16-të filmat në këtë kategori, shkruan KultPlus.

Në film luajnë edhe Arbresha Grabovci Nixha dhe Shpetim Kastrati.

Filmi 14-të minutësh vazhdon me historinë e Floristit i cili aspiron të udhëtojë për në Holandë.
“Kiem Holijanda” ka qenë pjesë e Nederlands Film Festival, në shtator të vitit të kaluar.

Berlinale, në anën tjetër, mbahet nga 15 deri me 25 shkurt të këtij viti.

Andi dhe Floristi janë aktorë të dëshmuar tanimë në kinematografi. Andi Bajgora ka qenë një prej aktorëve kryesorë në filmin “Shok” i cili edhe u nominua për Oscars, ndërsa Floristi është aktor i teatrit dhe filmit, ndërsa disa prej roleve të tij janë në “T`padashtun”, “Egjeli”, “Lost Exile”, “The Remigrant”. / KultPlus.com

1300 jugosllavët në Shqipërinë e vitit 1948

Nga Kastriot Dervishi

A e dini sa jugosllavë qëndronin në Shqipëri në kohën kur vendi ynë po bëhej gati të bashkohej me Jugosllavinë? Ishin plot 1.300 persona. Kjo e dhënë del nga mbledhja e Byrosë Politike të Partisë Komuniste Shqiptare e datës 15.7.1948, sipas së cilës, ishin larguar deri atë çast 900 persona (faksimile e mbledhjes, bashkëlidhur, cilësia lë për të dëshiruar).

Gjatë këtyre viteve, jugosllavët e ardhur në Shqipëri u morën me organizimin e aparatit shtetëror e partiak. Ata ishin të pranishëm në formatimin e Këshillit të Ministrave, ministrive, komiteteve ekzekutive, Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, gjykatave, prokurorisë, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, forcave të armatosura, etj.

Organizuan e inspektuan “grupe armiqësore” në reformën agrare, tharjen e kënetës së Maliqit, hekurudha, etj. Një numër kaq i madh të huajsh për një kohë të shkurtër, nuk hasen në asnjë periudhë tjetër. Jugosllavët u larguan nga Shqipëria pas konfliktit të rastësishëm të Stalinit me Titon, duke mos përmbyllur dot bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavisë, të menduar në prill 1948.

Dy ambasadat shqiptare në Londër, lule tek busti i Skënderbeut

Sot, në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dy ambasadat, e Kosovës dhe Shqipërisë, së bashku edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar, kanë vënë lule tek busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Londër.

“Në këtë vit mbarëkombëtar të Skënderbeut, përkulemi para veprës së heroit tonë, i cili, jo vetëm që u doli zot tokave shqiptare, por u vu në mbrojtje edhe të vlerave më të larta të qytetërimit evropian. Busti i tij sot i jep nder dhe krenari qytetit të Londrës, falë kontributit të ish ambasadorit shqiptar Mal Berisha, komunitetit shqiptar në Londër dhe autoriteteve britanike” ka shkruar në rrjetin e tij social Lirim Greiçevci – Ambasador i Kosovës në Londër.

Aktivitete të ndryshme po organizohen në disa shtete evropiane për të nderuar figurën e trimit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në përvjetorin e vdekjes së tij.

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. / KultPlus.com