Promovohet ‘Spanjës me Dashuri’ nga Elvi Sidheri, shpaloset thelbi i tre dashurive shqiptaro-spanjolle

Era Berisha

Romani ‘’Spanjës me Dashuri’’  (A España con Amor) i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, që në vete ngërthen ndaras tre pjesë përbërëse të shtjellimit të ngjarjeve dhe personazheve të tij ku tre dashuri, tre kohë, tre periudha historike dhe tre pikëtakime shqiptaro-spanjolle, të sendërtuara në jetët, dashuritë, ngjarjet mbresëlënëse dhe historitë e tre grave, mishërojnë thelbin e këtij libri dhe urat lidhëse midis kulturave shqiptare dhe spanjolle, me ç’rast promovimi i këtij libri mbrëmë u bë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Ky roman përbëhet nga tre periudha të ndryshme kohore, që rrëfehen përmes historive të tre grave, tre femrave të cilat simbolizojnë në mënyrë të përkryer këtë origjinë kaq unike, të shpërfaqur me rrugëtimin e tyre jetësor, me kryeneçësinë burimore shqiptaro-spanjolle, me pasionet e zjarrta, antikonformizmin e përhershëm dhe karakterin e paepur tipik të këtyre dy popujve dhe kulturave.

Ngjarjet e këtij romani zhvillohen duke nisur nga ndodhitë e vrullshme të fillimit të Luftës Civile Spanjolle, me takimin e parë shqiptaro-spanjoll mes flakëve të këtij konflikti që pati shënjuar thellësisht shekullin XX, dhe vijojnë me vazhdimësinë e këtyre lidhjeve shqiptaro-spanjolle, përmes një tjetër figure femërore, në Tiranën e viteve 1970, mes mugëtirës së regjimit monist, dhe kulturës tiranase që nuk iu përkul diktaturës, ndërsa pjesa e tretë e librit shënon kthimin në Spanjë të ngjarjeve, përmes personazhit të tretë femëror, në kërkim të rrënjëve të saj në Madridin e ditëve të sotme.

Të pranishmit mbrëmë patën rastin të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë në lidhje me përmbajtjen e këtij romani që autori e ka sjell para publikut shqiptar. Ndërsa, të pranishëm në këtë promovim ishin gazetarja e njohur Vera Pelaj dhe poeti, muzikanti dhe ish sportisti i njohur kosovar me banim në Madrid, Sylë Maxhera.

Fillimisht, mbrëmja nisi me fjalimin e gazetares Vera Pelaj e cila fillimisht kujtoi takimin e parë me autorin e tutje vazhdoi të fliste rreth romanit të tij.

“Para disa vitesh ishim në mbrëmje në një tavolinë krijuesish pas përurimit të krijimtarisë të një autori që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare. Në atë tavolinë kishte botues, shkrimtarë, studiues, profesorë universitar, unë gazetare dhe Elvi. Nuk e njihja por ma morri mendja që edhe Elvi do të duhej të ishte nga bota krijuese”, ka thënë Pelaj.

Sipas saj, Elvi është një erudit i jashtëzakonshëm, poliglot i cili me punën e tij ditë e natë gjen libra nëpër stepa që ti përkthej e t’ia ofroj lexuesit shqiptar.

“Në romanin ‘Spanjës me dashuri’, ai ngërthen tre periudha që ndërlidhen ngjarjet e ndryshme mes Spanjës dhe Shqipërisë me personazhe interesante. Përmes romanit ai sjell botën spanjolle dhe shqiptare përmes tri periudhave të ndryshme kohore me breza të ndryshëm. Në letërsinë moderne shqipe Elvi sjell ngjarje, imazhe, personazhe e dashuri, kulturë madrilene e tiranase përmes romanit. Elvi ka stil të veçantë të të shkruarit, narracionit e trajtimit të ngjarjeve e personazheve. Ka fjalor shumë të pasur që lexuesi përveç kënaqësisë për të lexuar këtë roman, do të mësoj shumëçka tjetër”, përfundon Pelaj.

Ndërsa, muzikanti Sylë Maxhera i cili mezi priste të këndonte këngë spanjolle romantike, fillimisht ndau një kujtim dhe foli rreth rëndësisë që një autor si Elvi ekziston.

“Nuk kam absolutisht asgjë të përgatitur se është lehtë të flas për dikë si Elvi, si mik e si poet. Ai është një yll. Djali im 13 vjeçar më pyeti se pse Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe unë iu përgjigja se ka ca çështje politike. Ai më thotë se ‘’Jo babi, por janë trullana’’ në gjuhën shqipe. Prandaj, kemi njerëz si Elvi që është gjëja më e mirë që po na ndodh”, ka thënë Maxhera.

Tutje, vetë autori i këtij romani, Elvi Sidheri foli rreth përmbajtjes së librit dhe mesazhit të tij.

“Titulli i romanit nuk është thjeshtë dashuria ime si autor për Spanjën por është një libër ku dashuria shqiptaro-spanjolle është thelbi i librit. Janë tre breza të ndryshëm të mishëruar nga tre gra në tre kohë të ndryshme. Janë tre periudha historike e tre dashuri shqiptaro-spanjolle. Ngjarjet nisin në fillimin e luftës civile spanjolle. Unë desha të ringjallja në pjesën e parë të romanit dashurinë shqiptare-spanjolle mes një shqiptari idealist që shkon në luftën e Spanjës dhe një spanjolle aristokrate”, thotë Sidheri.

Sipas tij, këta dy personazhe janë dy njerëz të ndryshëm me dy filozofi të kundërta jete e dy vende të ndryshme që takohen dhe që në atë pikë dashuria e tyre shndërrohet në luftën e tyre.

“Kjo dashuri shqiptaro-spanjolle pastaj vazhdon në vitet e 70-ta në Tiranë pasi vajza e këtyre të dashuruarve lind në Tiranë dhe është brezi i dytë i këtij libri. Jam përpjekur që ta vë theksin në jetën kulturore të Tiranës së viteve 70-të sepse ka një problem pasi që pas viteve 90-ta me përshkrimin letrat të diktaturës është parë gjithmonë bardh e zi”, thotë ai.

Për Sidherin, brezi i tretë në këtë libër është mbesa e tretë shqiptaro-spanjolle ku më pas në vitet 2000 ajo kthehet në Spanjë në rrënjët e saj dhe kështu është sjell romani në ditët e sotme. Pra, janë tre breza, tre gra, tre lidhje kulturore shpirtërore shqiptaro-spanjolle.

Po ashtu, nëna e autorit, Luiza Sidheri e cila njëkohësisht është edhe redaktorja e këtij romani, foli për rëndësinë e grave dhe vajzave që shtypen në një shoqëri të tillë patriarkale.

“Pavarësisht zhvillimeve industriale e artit që lëviz përpara e mirëqenies në disa shtresa, jetojmë në shoqëri thellësisht patriarkale. Jemi vende me mendësi patriarkale andaj roli i fuqishëm i grave nuk dihet ose thjesht margjinalizohen. Prandaj, Elvi tek romanet e veta promovon gratë e vajzat që kanë guxim e dinë të shohin përtej humbjes së tyre e dinë të kërkojnë me dinjitet të drejtat e tyre”, thotë ajo.

Ndërsa, ëmbëlsia e natës ishte performanca muzikore e këngëtares së vogël Anna Krasniqi, e cila interpretoi këngët si: ‘Snowman’ nga Sia dhe ‘Tumankuqe’ duke kapluar tërësisht atmosferën në KultPlus Caffe Gallery me talentin e saj të veçantë e zërin që nuk njihte kufij.

Kështu, krejt në fund duartrokitjet ishin ato që zëvendësuan fjalimet ku të pranishmit patën rastin të shtrojnë pyetje ndaj autorit. Pastaj, nata vazhdoi tutje me biseda mes miqsh dhe artdashës të cilët u shoqëruan me meloditë e këngëve spanjolle ku kënga ‘No Volvere’ nga Gipsy Kings pushtoi atmosferën në KultPlus Caffe Gallery.

Elvi Sidheri është shkrimtar, përkthyes letrar, folës i pesëmbëdhjetë gjuhëve të huaja, me një bagazh përkthimesh të përbërë nga dhjetëra libra të zhanreve më të ndryshme, të përkthyera nga një sërë gjuhësh. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në ceremoninë ‘Letër Presidentes’: Ky aktivitet do ta ketë rëndësinë përtej ditës së sotme

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery sot kishte marr një pamje krejtësisht ndryshe. Ishin fëmijët ata të cilët me laramanin e tyre e buzëqeshjet e sinqerta kishin mbërthyer fuqishëm këtë hapësirë e po e përçonin njëkohësisht tek të rriturit ku secila fytyrë që ishte prezente po rrezatonte dashuri e mirësi, njëkohësisht mirënjohje që fëmijët arrijnë të krijojnë atmosfera të tilla, shkruan KultPlus.

Konkursi “Letër Presidentes” i cili ishte hapur ditë më parë nga KultPlus ishte arsyeja që kishte mbledhur këta fëmijë në një vend.

Përmes këtij konkursi, fëmijët janë motivuar për të shkruar një letër për presidenten duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre më të sinqerta. Pas rreth 100 letrave që kishin arritur në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira të fëmijëve, të cilët sot do të prezantoheshin edhe para presidentes.

Ardhja e presidentes, Vjosa Osmani në ambientet e KultPlus Caffe Gallery veç sa shtoi edhe më shumë buzëqeshjet e fëmijëve, ndërsa fëmijët e studios “Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit, nisën këtë ngjarje me një performancë të jashtëzakonshme nën melodinë e këngës ‘Me lule t’bukura’ nga Eliza Hoxha, me ç’rast duart e tyre të vogla po mbanin lulediellin, lule këto të cilat përfaqësonin talentin e tyre në artin e performimit të një koreografie ku balerinat mahnitën të pranishmit me veshjet e tyre në ngjyrë pembe dhe seriozitetin që dëshmonte se këto vajza një ditë do të arrijnë edhe në majat më të larta.

Pas kësaj pike, kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti, doli në skenë për një fjalë rasti e ku fillimisht falënderoi presidenten që i është përgjigjur pozitivisht kësaj iniciative.

“Presidentja na ka nderuar me mbështetjen e iniciativës së KultPlus për thirrjen për letra të fëmijëve, ku këto letra përveç që zhvilluan krijimtarinë e fëmijëve, nxorën edhe disa kërkesa e dëshira duke dëshmuar se është një shenjë shumë e mirë që institucionin po e shohim shumë afër para kësaj iniciative që është mbështetur”, tha Pajaziti.

Sipas saj, këta fëmijë kanë parë një derë të hapur në KultPlus duke i drejtuar këto letra ndaj jurisë profesionale që ka zgjedhur edhe tre letrat më të mira.

“Përvojën që e kemi marrë me këtë thirrje, do të kisha pasur shumë dëshirë që të realizoja edhe viteve të tjera nëse natyrisht gjejmë mbështetje që këtë thirrje të muajit qershorit të kthejmë në një ngjarje tradicionale”, përfundoi Pajaziti.

Në ndërkohë, fjalën e morri edhe presidentja Osmani e cila fillimisht u shpreh falënderuese ndaj KultPlus-it dhe jurisë për punën e rëndësishme.

“Faleminderit për këtë aktivitet kaq të këndshëm që rëndësinë do ta ketë përtej ditës së sotme për shkak të temave që janë ngritur në letrat e fëmijëve. Nëse duam të jemi një vend i suksesshëm, duhet gjithnjë të jemi afër qytetarëve dhe të sigurohemi që të dëgjojmë zërin e tyre”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, ku ka më mirë sesa të jesh pranë fëmijëve të Kosovës, e të dëgjosh kërkesat dhe dëshirat që ata i kanë për vendin, familjen dhe rrethin e tyre sepse Kosova që ne e duam është vendi i ëndrrave më të bukura të fëmijëve.

“Kemi shumë punë për të bërë në mënyrë që secili fëmijë në Kosovë, të ketë fëmijëri të denjë, të duhur, të mirë e në kushte të dinjitetshme. Por, ne po punojmë fort në këtë drejtim dhe do të bëjmë çdo gjë brenda mundësive tona për të plotësuar kërkesat e tyre. Fëmijët janë motivi kryesor për ne për të bërë punë të mira në vendin tonë dhe ju siguroj që sa herë që e nënshkruaj një dokument ose vendim politik, e bëj gjithnjë duke menduar impaktin që do ta ketë ai vendim në gjeneratat e ardhshme”, tha Osmani.

“Çdo buzëqeshje e fëmijëve është gëzim i shumëfishtë për ne dhe na shton jetën, prandaj duam çdo herë që tua shohim fytyrat e buzëqeshura të tyre, duke shkëlqyer në shkollë, gara, aktivitete e duke arritur majat në çdo fushë në të cilën angazhohen”, theksoi Osmani.

Krejt për fund, Osmani u shprehur se do të lexojë çdo kërkesë dhe dëshirë me shumë kujdes e do t’i përgjigjet gjithsecilit, derisa bëri edhe thirrje që fëmijët të ndjehen të lirë ti drejtohen me kërkesa sa herë që ata e shohin të nevojshme që presidentja duhet të jetë në dijeni për çështje të caktuara.

Në mesin e letrave të fëmijëve janë dalluar mjaft kërkesa, dëshira e lutje nga më të ndryshmet, andaj moderatorja Vlora Merovci ftoi anëtarin e jurisë, shkrimtarin Ibrahim Kadriun për të arsyetuar përzgjedhjen e 10 letrave nga ana e jurisë.

“Në një manifestim të tillë nuk kam pasur rastin të jem pjesë asnjëherë. Në këto letra të fëmijëve është vërejtur vullneti i tyre, dhembshuria dhe dëshira që ata të marrin pjesë në ndërtimin e Kosovës, e që kjo është shumë me rëndësi”, ka thënë Kadriu.

Pas fjalës së jurisë, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë performancën muzikore të këngëtares së vogël Anna Krasniqi, e cila së bashku me këngëtarin Endrit Rexhepi, interpretuan këngën ‘Runnin’ nga Beyonce dhe njëkohësisht pushtuan atmosferën në KultPlus Caffe Gallery me talentin e tyre të veçantë e tejet inspirues për çdo kë.

Më në fund, pritjes së fëmijëve po i vinte fundi. Pasi nisi edhe shpërndarja e mirënjohjeve për letrat e përzgjedhura nga juria.

Henza Mahmuti, Hira Prapashtica, David Gojani, Daorsa Ahmeti, Don Duli, Gresa Haxhijaha, Lira Safedini dhe fëmiëjt nga Qendra Ditore: Amarildo Zeneli, Bajremshah Hyseni, Hamide Demiri, Isuf Kusha dhe Raul Serjani ishin fëmijët ndaj të cilëve u ndanë mirënjohje për të vazhduar tutje me tri shpërblimet e para.

Tutje presidentja Osmani u ftua që të ndajë tre çmimet e para fituese, të cilat edhe u shpërblyen.

Çmimi i tretë shkoi për letrat nga Qendra Ditore

Çmimi i dytë shkoi për: Leart Kyreziun;

Çmimi i parë shkoi për: Anesa Sadikun.

Pas ceremonisë, nxënësit fitues të tre vendeve të para, patën rastin që të lexojnë letrat e tyre para presidentes e që me fjalët e tyre emocionuan të pranishmit e madje nuk munguan as lotët.

Pas këtyre emocioneve, për tu shpërqendruar pak, fëmijët u ftuan që të bëjnë një fotografi me presidenten dhe jurinë profesionale. Po ashtu, të pranishmit vazhduan të këndonin e vallëzonin nën zërin e këngëtarit Endrit Rexhepi i cili vazhdoi të performonte në kitarë e të këndonte me zërin e tij që buçonte deri në qiell.

Në fund është bërë e ditur që letrat e fëmijëve do të publikohen edhe në gazetën KultPlus. / KultPlus.com

Sot mbahet ceremonia për konkursin ‘Letër Presidentes’, presidentja Osmani do të takohet me fëmijët

Fëmijëve të Kosovës ju dha mundësia që t’i drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, përmes një konkursi të hapur nga KultPlus.

Pas mbylljes së aplikimeve ku kanë arritur mbi 100 letra në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira drejtuar presidentes përmes sëcilave fëmijët e moshave prej 10 deri 15 vjet i drejtohen presidentes duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre.

Për të shënuar këtë organizim përmes një ceremonie, KultPlus ka organizuar eventin “Letër Presidentes” ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku me këtë rast dhjetë fëmijët e përzgjedhur nga kjo garë do të jenë të pranishëm e do t’i lexojnë letrat e tyre para presidentes.

Krejt në fund fëmijët do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Eventi mbahet sot, më datë 30 qershor, në ora 13:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Ceremonia për konkursin ‘Letër Presidentes’ mbahet nesër në KultPlus, presidentja Osmani do të takohet me fëmijët

Fëmijëve të Kosovës ju dha mundësia që t’i drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, përmes një konkursi të hapur nga KultPlus.

Pas mbylljes së aplikimeve ku kanë arritur mbi 100 letra në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira drejtuar presidentes përmes sëcilave fëmijët e moshave prej 10 deri 15 vjet i drejtohen presidentes duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre.

Për të shënuar këtë organizim përmes një ceremonie, KultPlus ka organizuar eventin “Letër Presidentes” ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku me këtë rast dhjetë fëmijët e përzgjedhur nga kjo garë do të jenë të pranishëm e do t’i lexojnë letrat e tyre para presidentes.

Krejt në fund fëmijët do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Eventi mbahet nesër, më datë 30 qershor, në ora 13:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Kjo është juria e konkursit “Letër Presidentes” organizuar nga KultPlus

Fëmijëve të Kosovës ju dha mundësia që t’i drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, përmes një konkursi të hapur nga KultPlus.

Pas mbylljes së aplikimeve ku kanë arritur mbi 100 letra në adresën e KultPlus, juria profesionale e përbërë nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, aktorja Adriana Matoshi dhe përfaqësuesja e KultPlus, redaktorja Jeta Zymberi, janë zgjedhur edhe dhjetë letrat më të mira drejtuar presidentes përmes sëcilave fëmijët e moshave prej 10 deri 15 vjet i drejtohen presidentes duke shprehur kërkesat dhe dëshirat e tyre.

Për të shënuar këtë organizim përmes një ceremonie, KultPlus ka organizuar eventin “Letër Presidentes” ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku me këtë rast fëmijët e përzgjedhur nga kjo garë do të jenë të pranishëm e do ti lexojnë letrat e tyre para presidentes.

Krejt në fund fëmijët do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Eventi mbahet ditën e mërkurë, më datë 30 qershor, në ora 13:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Vetëm edhe dy ditë për thirrjen e hapur për fëmijët: Letër për presidenten Vjosa Osmani

Fëmijët e Kosovës do të kenë mundësi që ti drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

KultPlus fton të gjithë fëmijët prej 10 deri 15 vjet që ti drejtohen me një letër presidentes së vendit, të cilët, nëpërmjet letrave, ata mund të shprehin kërkesat dhe dëshirat e tyre, të cilat edhe do ti nënshtrohen një jurie profesionale prej tre shkrimtarëve për fëmijë.

Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka njoftuar se kjo thirrje ka për qëllim që fëmijët ti ofrojë sa më afër institucioneve të Kosovës, por në të njëjtën kohë, edhe presidentja e vendit të kuptojë se çfarë dëshira dhe kërkesa kanë këta fëmijë të këtyre moshave.

Me qëllim që letrat të jenë sa më origjinale, fëmijët duhet të shkruajnë me dorë (jo me kompjuter), më së shumti një faqe të fletores, dhe të njëjtat të fotografohen në mënyrë të qartë, të shkruhet emri dhe mbiemri i fëmiut, kontakti dhe të dërgohen në [email protected] dhe [email protected], deri më datë 17 qershor.

Juria do të përzgjedhë dhjetë letrat më të mira të kësaj gare, të cilat edhe do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Për këtë thirrje për fëmijët, krejt në fund do të organizohet edhe një ceremoni, ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani./ KultPlus.com

KultPlus me thirrje të hapur për fëmijët: Letër për presidenten Vjosa Osmani

Fëmijët e Kosovës do të kenë mundësi që ti drejtohen me një letër presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

KultPlus fton të gjithë fëmijët prej 10 deri 15 vjet që ti drejtohen me një letër presidentes së vendit, të cilët, nëpërmjet letrave, ata mund të shprehin kërkesat dhe dëshirat e tyre, të cilat edhe do ti nënshtrohen një jurie profesionale prej tre shkrimtarëve për fëmijë.

Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka njoftuar se kjo thirrje ka për qëllim që fëmijët ti ofrojë sa më afër institucioneve të Kosovës, por në të njëjtën kohë, edhe presidentja e vendit të kuptojë se çfarë dëshira dhe kërkesa kanë këta fëmijë të këtyre moshave.

Me qëllim që letrat të jenë sa më origjinale, fëmijët duhet të shkruajnë me dorë (jo me kompjuter), më së shumti një faqe të fletores, dhe të njëjtat të fotografohen në mënyrë të qartë, të shkruhet emri dhe mbiemri i fëmiut, kontakti dhe të dërgohen në [email protected], deri më 15 qershor.

Juria do të përzgjedhë dhjetë letrat më të mira të kësaj gare, të cilat edhe do të certifikohen, kurse tri letrat më të mira edhe do të shpërblehen.

Për këtë thirrje për fëmijët, krejt në fund do të organizohet edhe një ceremoni, ku do të jetë e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani./ KultPlus.com

Xhaxhi Piktori në KultPlus Caffe Gallery: Përpara fëmijëve nuk ndalojmë asnjëherë

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery është shndërruar në një vend ku përveç që zënë vend organizimet nga më të ndryshme për të rinjtë që dashurojnë artin, kulturën dhe jo vetëm, tani hapësira u shfrytëzua edhe nga fëmijët të cilët përmes vizatimeve dhe pikturimit, me rastin e 1 qershorit, ata kaluan një pasdite mjaft të bukur me piktorin e njohur Kosta Zhonga, shkruan KultPlus.

Dje, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër të madh të fëmijëve dhe prindërve të tyre, ku të gjithë kishin ardhur për të kaluar një pasdite nën shoqërimin e melodive të këngëve të ndryshme për fëmijë dhe përmes ngjyrave të shumta të cilat ishin të shpërndara gjithandej, ata arritën të krijojnë një kryevepër krejt në fund, një mozaik i formuar nga copëzat e shumta që fëmijët kanë ngjyrosur, me ç’rast mozaiku zuri vend në dritaret e KultPlus Caffe Gallery.

Përmes një aktiviteti të tillë u dallua mjaft shumë edhe dëshira dhe nevoja e madhe për ngjarje të tilla që organizohen nga dhe rreth fëmijëve. Këto ngjarje jo vetëm që shpalosin talentin e tyre në një moshë të re por aty në fakt mund të nis edhe rrugëtimi i tyre për një të ardhme që ngërthen artin në formën më të mirë të mundshme.

Me fleta të bardha dhe ngjyra të shumta, fëmijët nisën të pikturonin figurën e vendosur para tyre. Lumturia që dallohej në sytë e piktorit ishte në të njëjtin nivel me atë të fëmijëve, të cilët kishin një energji të pa krahasueshme duke shfrytëzuar kështu në masë të madhe ndihmën e Zhongës për ti mësuar dy apo tre teknika të veçanta të pikturimit.

Teksa fëmijët pikturonin, prindërit ishin ata që po ndiqnin punën e tyre më buzëqeshje në fytyrat e tyre, e disa të tjerë iu vinin në ndihmë fëmijëve të tyre kur ata hasnin në ndonjë problem. Po ashtu, fotografitë dhe bisedat e ndryshme ishin bërë pjesë kyçe e këtij aktiviteti që shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Kështu krejt në fund, pas përfundimit të pikturimit të tyre, fëmijët së bashku me piktorin morën vizatimet e tyre afër vetes dhe me një buzëqeshje që nuk hiqej dot asnjë sekondë, ata vendosën ngadalë vizatimet e tyre në dritare duke formuar kështu mozaikun final, një mozaik ku fjala ‘1 qershor’ ishte ngjyrosur nga secili fëmijë i pranishëm ku u formua edhe rasti më i mirë për të bërë një fotografi unike me piktorin.

Gjithashtu, fletoret e vizatimit të botuara dhe të firmosura nga vetë piktori ishin një kujtim i bukur i ditës së djeshme që fëmijët do ta kenë gjithmonë me vete.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth këtyre momenteve, për KultPlus foli vetë piktori Kosta Zhonga.

“Kjo ditë është e mrekullueshme sepse po e shoh se sa të interesuar janë fëmijët dhe prindërit e tyre prandaj dua edhe ti uroj 1 qershorin. Ajo çka më pëlqeu ishte se të gjithë fëmijët shumë të talentuar me sa po e shikoj unë.  Janë të mrekullueshëm si vajzat edhe djemtë. Por edhe prindërit janë shumë ta pasionuar pas pikturës”, thotë Zhonga.

Sipas tij, të gjithë ata të pranishëm e donin pikturën sepse vazhdimisht kërkonin akoma më shumë letra e ngjyra, prandaj edhe ai mundohej t’ia shpjegonte fëmijëve lëvizjet dhe teknikat e dorës për të krijuar figura të ndryshme.

“Unë jam i gatshëm gjithmonë për aktivitete të tjera të njëjta sepse përpara fëmijëve nuk ndalojmë asnjëherë”, përfundon Zhonga për KultPlus.

KultPlus me mbështetje të Komunës së Prishtinës organizoi punëtorinë me Kosta Zhongën, i njohur për fëmijët si Xhaxhi Piktori. / KultPlus.com

Ministri Çeku në KultPlus: Nuk e kam guximin e ministrave të kaluar që mos t’i raportoj parregullsitë në ministri

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery është shndërruar në një vend ku gjithmonë zënë vend prezantimet nga më të ndryshme të artistëve, bashkëbisedimet për dhe rreth kulturës, shpalosjet e thella rreth çështjeve dhe kërkesave të rëndësishme të shtruara nga komuniteti artistik, si dhe shpalosjet e programeve për kulturë, si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga ajo e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

Mbrëmë, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër të madh artistësh e udhëheqës të institucioneve kulturore, ku të gjithë kishin ardhur për të dëgjuar nga afër programin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut, program ky që pritet ta zbatojë përgjatë mandatit katër vjeçar.

Përmes një diskutimi të përbashkët me komunitetin artistik, ministri fillimisht tregoi se fokusi i tij është në miratimin e programit për dy segmente ku përfshihet ndërtimi ndryshe i qasjes për nga mënyra se si funksionojnë institucionet kombëtare të kulturës dhe zhvillimi i një partneriteti strategjik me skemën kombëtare të pavarur. Këto dy drejtime janë pjesë kyçe të cilat do të përmbushin nevojën për reformën me një program më cilësor dhe më reprezentativ.

Skema e pavarur kulturore është menduar të bëhet aleat i shtetit për promovimin ndërkombëtar të artit, imazhit ndërkombëtar të shtetit dhe zhvillimit të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. Kurse, për institucionet kombëtare të kulturës tashmë ka filluar një diskutim me Ministrinë e Financave për të siguruar një lloj autonomie financiare dhe administrative të këtyre institucioneve.

Pasi të pranishmit kishin zënë vendet e tyre, nën shoqërimin e shiut që po binte furishëm, po njëlloj ishin edhe diskutimet rreth çështjeve të ndryshme që pasuan përgjatë diskutimit, të cilat herë nisnin në një frymë humori por përfundonin në rrjedhën e seriozitetit.

Debati nisi nën moderimin e aktores Vlora Merovci e ku fillimisht, Ministri u kujdes të falënderoj gazetën KultPlus për angazhimin e vazhdueshëm dinamik.

“Faleminderit KultPlus për një angazhim që disa vite nuk po ndalet e po e mban një lloj dinamike të diskutimit mbi çështjet që lidhen me artin dhe kulturën, prandaj për mua është kënaqësi të jemi së bashku këtu”, tha Çeku.

Sipas tij, ekziston një kaos që duhet të rimendohet për një funksion efikas ndaj reformave dhe parimeve të përgjithshme të cilat në krye kanë këshilla drejtues, drejtorë dhe mënyra të ndryshme të organizimit strukturor të programeve. Andaj, puna për të fuqizuar pozitat e udhëheqësve si: menaxherët e përgjithshëm, drejtori i përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik, do të duhej të ishte njëra ndër pikat kryesore që këto figura të jenë shumë të fuqishme.

“Qëllimi final është programi cilësor dhe zhvillimi i audiencës përmes krijimtarisë, prodhimtarisë dhe konsumit kulturor. Prandaj, ekziston diskutimi me një grup të organizatave ku modeli i financimit është më i mirë dhe më i gjallë, për arsye se Ministria e Kulturës që 20 vite është më shumë skemë sociale sesa një Ministri e zhvilluar’’, thotë Ceku.

Për Çekun, është një fatkeqësi që në kulturë të ekzistojë një logjikë e shpërndarjes së fondeve për të gjithë nga pak sepse kultura nuk duhet të funksionojë me këtë logjikë sepse siç po shihet nuk ka rezultate deri më tash. Ndërkohë, ekzistojnë edhe propozime nga organizatat për një model tjetër për fondin kulturor ku vendimmarrja për projektet të jetë e pavarur në mënyrë që kultura të financohet jo si skemë sociale por si fond zhvillimor.

Tutje, Çeku foli edhe rreth çështjes së vendimmarrjes finale sepse ai shpesh ishte sfiduar me pyetje që kërkojnë përgjigje përfundimtare e sipas tij nuk ka një përgjigje përfundimtare sepse ai beson se në art dhe kulturë nuk duhet të ekzistojnë të tilla, definitive por parime të përgjithshme dhe orientime të ndryshme ngase përgjigjet përfundimtare vijnë nga vetë komunitetet.

“Deri tash kemi humbur kohë me ndërtimin e strategjisë sektoriale prandaj duhet të gjejmë forma më kreative, më të shpejta dhe të lehta për t’i lëvizur disa gjëra që kanë mbetur të bllokuara për një kohë të gjatë. Andaj, rëndësi kanë për të marrë ato fusha ku kanë nevojë më së shumti, aty ku komuniteti më orienton mua, por kur bëhet fjalë për trashëgiminë, unë do ti dhuroj prioritet maksimal kohor dhe buxhetor, konsolidimit të rreth 200 monumenteve që janë në rrezik, në çdo moment”, tha Çeku.

Teksa ai u pyet edhe nga moderatorja Vlora Merovci rreth gjendjes të cilën ai e ka gjetur institucionin, ai është shprehur se në fakt është pjesa më e dhimbshme dhe pjesa të cilën ai më së paku ka dëshirë ta flas për arsye se nuk dëshiron të tingëllojë sikur një shfajësim apo vënie faji të dikujt tjetër ose edhe distancim nga përgjegjësia.

“Unë çdo ditë i kujtoj vetes shifrën e zgjedhjeve të fundit sepse kur dikush të voton me këtë nivel të besimit të paarritshëm në shumë vende të botës, është një përgjegjësi e madhe”, potencon ai.

Mënyra më e mirë për të racionalizuar legjislacionin, mendohet të jetë vendosja e vetëm një ligji të kulturës e për çka ai ka kërkuar ndihmën e artistëve. Gjithashtu ka bërë të ditur se shumë shpejt do të publikohen edhe parregullsitë e tjera që mediat nuk i dinë por që është një listë mjaft e madhe.

Teatri Kombëtar, Galeria e Arteve, Filharmonia e Kosovës, Muzeu i Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Shotës, janë vetëm disa institucione të cilat kanë nevojë për ndihmë emergjente dhe financiare, prandaj komuniteti artistik i pranishëm patën rastin të shtrojnë para Ministrit, jo vetëm problemet dhe shqetësimet e tyre por edhe kërkesat e shpresat, të cilat Çeku do të mundohet t’i realizoj.

Kërkesat dhe problemet e shtruara përfshinin: ndarjen e buxhetit, planet për vitet e ardhshme në kuptimin kapital, infrastruktura për të shfaqur punë dinjitoze, ndryshimi i administrimit politik të kulturës, mënyra e zgjedhjes së komisioneve, ndarja e subvencioneve, pajisja e institucioneve me kuadro të mirëfillta, mungesa e kritikave të mirëfillta në çdo fushë të artit, krijimi i vendeve të punës për gjeneratat e reja, drejtimi i kërkesave së klientëve në mënyrë të drejtë nga administratat, regjistrimi i projekteve në një vend ku shikohet progresi i tyre dhe vendi i saktë i tyre, planet për renovimin e Teatrit, takime me punëtorët e teatrit për çështje të ndryshme, ligji për të drejtat e autorit e shumë të tjera.

Pasi u deklarua se ai nuk e ka guximin e ministrave të kaluar që të mos raportoj parregullsitë që i detekton në ministri, Çeku, me një përgjegjësi të plotë u mundua t’i jap përgjigje secilës pyetje të artistëve.

Fillimisht tregoi se janë duke punuar fuqishëm për të themeluar institucionin e Operës për të pasur një program e aktivitet në një ambient të rregullt me premiera aktive.

Tutje u shpreh se do të punojë në minimizimin e Ministrisë së Kulturës për ta kthyer në rolin e saj që e ka realisht.

“Duhet të hiqet dominimi absurd që është vënë mbi sektorin sepse tash po e vërej që Ministri ka vendosur si të ndahen subvencionet e gjë që nuk duhet ndodhur. Do të tentoj të eliminoj logjikën për të marrë projekte me shuma të vogla sepse kjo qasje e vjetër është shfrytëzuar për të shprehur ndikim politik. Komisionet tashmë janë duke u monitoruar nga media dhe duhet të ndërrohen komplet”, tha Çeku duke treguar se tash e tutje do ta mbaj kabinetin e tij larg vendimmarrjes.

Gjatë këtij diskutimi u tregua se tashmë Ministria e Kulturës është duke i zhvilluar tre databaza për kulturë, trashëgimi dhe sport ku çështja e projekteve do të trajtohet në mënyrë online ku të mos ketë më burokraci.

Krejt për fund të këtij diskutimi u fol edhe për performancat e kulturës jashtë vendit dhe përpjekjet e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Ky diskutim rreth cilësisë artistike lidhet me prezantimin ndërkombëtar sepse kemi nevojë për të komunikuar përmes artit dhe artistëve ku fondi të ngritet në një nivel ndërkombëtar. Ndërsa në UNESCO duhet të aplikojmë vetëm atëherë kur e dimë se do të anëtarësohemi sepse dështimi i kaluar nuk do të duhej të shndërrohej në një ndëshkim afatgjatë për Kosovën”, tha Çeku.

Kështu, krejt në fund nuk munguan as edhe admirimet për KultPlus si një forum i rëndësishëm për të debatuar rreth kulturës në një strukturë të përgjithshme si dhe lumturia për atë se çka u dëgjua përgjatë natës së mbrëmshme. Kurse, pas debatit të pranishmit lanë anash shqetësimet e tyre për të shijuar nga një gotë verë e për tu kënaqur me muzikë shqiptare që po kulmonte në ambientin e KultPlus Caffe Gallery.

Eventi ishte i sponsorisuar nga Stone Castle dhe Fluidi. / KultPlus.com

Ministri Çeku sonte në KultPlus Caffe Gallery, takim me komunitetin artistik

KultPlus Caffe Gallery është vendi që bënë bashkë artistët jo vetëm për shpalosjen e punës së tyre por edhe për takime të ndryshme përmes të cilave synohet që të ju bëhet zgjidhje problemeve të këtij komuniteti.

Kësaj radhe, KultPlus ka ftuar ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun si personin adekuatë ku do të adresohen problemet e komunitetit artistik.

Sonte, Çeku do të jetë i pranishëm për të shpalosur programin e tij dhe njëkohësisht do të takohen nga afër me artistët për të dëgjuar kërkesat e tyre të cilave pritet të ju japë zgjidhje gjatë mandatit të tij.

Eventi mbahet sonte duke filluar nga ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Gjithashtu ju informojmë që eventi është i hapur dhe do të mbahet duke respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19, por për shkak të numrit të limituar, duhet njoftuar paraprakisht për pjesëmarrjen tuaj. / KultPlus.com

Themeluesi i kompanisë “Gjirafa”, Mërgim Cahani rrëfen për suksesin: Dorëzimi është një marrëzi

Rrëfimet inspiruese janë bërë pjesë e ngjarjeve që po zhvillohen në KultPlus Caffe Gallery me idenë që të rinjtë të frymëzohen për ndërtimin e një karriere të suksesshme dhe marrjen e forcës për përballimin e sfidave që i shfaq rruga, shkruan KultPlus.

Themeluesi i kompanisë së madhe “Gjirafa”, Mërgim Cahani, ishte figura e radhës që shpalosi rrëfimin e tij inspirues në KultPlus, për platfromën e tij e cila përmban video dhe studio të produksionit prandaj edhe njihet si kompani lidere e shitjes online në Kosovë.

Por për të arritur aty ku është sot, nuk ishte e lehtë. Mërgimi ka rrezikuar, sakrifikuar, ka përjetuar dështime e sfida që ndoshta edhe nuk i kishte pritur, por mbi të gjitha nuk i është ndarë qëllimit.

“Gjirafa Inc.”, është kompania me rritjen më të shpejtë në Ballkan që ofron shërbime të internetit dhe një nga start-ups me investimin më të madh VC nga investitorë me reputacion në Evropë. Po ashtu Gjirafa është cilësuar në pozitën e 11 në listën ‘Deloitte Technology Fast 50 ranking’ për Evropën Qendrore dhe në pozitën e parë në regjion, me rritje 1,500% në katër vitet e fundit.

Mërgim Cahani, përkundër sfidave dhe dështimeve në fillim, arriti të krijojë kompaninë më të suksesshme në vend, e ky rrugëtim nisi qysh në fëmijëri fillimisht me ato ëndrrat e secilit nga ne si fluturimi, frymëmarrja nën ujë e pastaj në vazhdimësi me dëshirën për lëndën e matematikës duke iu shmangur sa më shumë të shprehurit e të folurit pasi që vetë ai ishte një tip i mbyllur në vetvete.

I lindur dhe rritur në Gjakovë, ai për herë të parë pati mundësi të pronësojë një kompjuter i cili ishte nga modelet më të vjetra, nga ato modelet pa wifi, pa ‘maus’ dhe me ekranin bardh e zi. Kjo dhuratë që i erdhi nga babai, i dha atij hapin e parë të përshëndetjes me teknologjinë por që nuk pati shumë interes për arsye se ai u orientua në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, profesion të cilin e barte edhe e ëma. Periudha gjatë asaj kohe kishte qenë e mirë por pastaj për shkak të numrit të limituar të të pranuarve, siç është problem edhe sot, ai nuk u pranua në Fakultetin e Mjekësisë as në Prishtinë, por as në Tiranë e Sarajevë.

Pas dështimit në pranimin e këtyre universiteteve, ringjallja e tij gjeti shtëpinë e fushës së matematikës dhe pranimit të tij duke u listuar në vendin e dytë në listën e të pranuarve në universitet.

Rrugëtimi i formimi të platformës Gjirafa, nisi në fundin e vitit 2001 ku Mërgimi aplikoi në një universitet në ShBA në drejtimin e shkencave kompjuterike dhe u pranua me një bursë të pjesërishme dhe pastaj me 5 janar 2002 në New York, ku edhe jetoi për 12 vite, filloi fokusi i tij intensiv në disa kompani dhe profesioni si mësimdhënës në lëndën e shkencave kompjuterike në njërën nga universitetet në ShBA.

“Nëse nuk do të kisha qenë për 12 vite në New York, ndoshta nuk do e kisha pasur intesivitetin e motivit të njëjtë e ndoshta i gjithë ky plan do të kishte marrë kahje tjetër”, thotë Cahani.

Reflektimi i tij ndodhi në një moment duke u motivuar nga thënia e një filozofi, ‘Çdo njeri i ka dy jetë dhe e dyta fillon kur e kupton se e ke vetëm një’, ku ai e gjeti veten duke menduar se aspekti emocional është më i rëndësishëm se ai ekonomik.

“Më është dukur se arrita një stabilitet nga aspekti ekonomik të cilën e quaja ‘American Dream’, një punë e cila nis nga e hëna në të premten nga ora 9:00 në 17:00. Ke një veturë të mirë dhe mund të shëtitësh”, kujton Cahani.

Periudha e mësimdhënies është një proces që merr kohë pavarësisht se është një punë fleksibile dhe me të ardhura të mira financiare. Kjo sakrificë shihet se i ka hyrë në punë Cahanit i cili iu përkushtua kompanisë së tij më një fokus të pa krahasueshëm.

Teksa ai fliste për rrugëtimin të quajtur ‘jetë’, tregon edhe për një moment të veçantë ku ai përfundoi Masterin në New York, dhe ku punoi me profesorin dhe shkencëtarin kryesor të Yahoo.com. Së bashku me të, punuan në një makinë kërkimore për Zelandën e Re. Por njohuria teknike nuk mjaftonte për të qenë i përmbushur në aspektin profesional, prandaj ai filloi të mendonte disa hapa përpara dhe kështu gjatë vizitave të tij ai nisi të krahasonte tregun në Kosovë me atë në New York.

Në mesin e rrëfimit të tij ai shfaq edhe një shembull ku në kohën e tij mund të bënte porosinë për një picë në New York, por jo edhe në Kosovë, prandaj përdorimi i internetit dhe zbulimi i një diçkaje të re me një mundësi me vlerë të madhe ishte e domosdoshme sepse tregu në Kosovë ishte një dekadë më vonë se ai në New York.

“Tërhoqa pensionin në New York dhe brenda 2 jave likuidova të gjitha çka kisha në pronësi por jo librat, dhe u ktheva në Kosovë për të krijuar një kompani teknologjike e cila ofron shërbime të cilat nuk ekzistonin asokohe, prandaj edhe sot kur flas me investitorë të huaj e përmend se aspekti i teknologjisë është i lënë pas dore në këtë rajon të Evropës për shkak të kompleksitetit që sjell”, tregon Cahani.

Vizioni i tij për të ardhmen e kompanisë “Gjirafa” ishte në një nivel të lartë, por kapaciteti i arritur tani, është menduar që të arrihet edhe më herët, por kjo nuk ndodhi. Në vitin 2021 është menduar që kompania të jetë e radhitur në tregjet financiare publike siç është New York Stock Exchange por sipas Cahanit, ky synim mendohet të arrihet në vitin 2025.

Rrezikimi i kthimit nga New York në Kosovë, nuk mund të quhet edhe plotësisht një rrezik sepse puna e bërë me zemër i tejkalon kufijtë e çmimit që një njeri paguan. Prandaj edhe principi i tij momentalisht është që nëse punën e adhuron duhet të punosh ‘full time’, e cila edhe e ndihmoi atë në suksesin e tij.

Nën moderimin e gazetares Xhemile Hysenaj dhe pjesëmarrësve, u formua një atmosferë e ngrohtë dhe e afërt me vetë themeluesin e kompanisë, i cili kur tregoi sfidat nëpër të cilat ka hasur dhe vështirësitë, duke filluar nga aspekti praktik dhe ideologjik, ai specifikon atë ideologjike sepse dedikimi për një vizion ka nevojë për një siguri totale.

Pasioni dhe dashuria për punën janë kriteret kryesore të cilat i bëjnë ballë dështimeve të cilat edhe ndodhin herë pas here sepse asnjë sukses nuk arrin në maja pa prekur tokën disa herë.

Durimi dhe kohëzgjatja për të mbërritur në fundin e shkallëve, ndonëse shkallët asnjëherë nuk kanë fund, janë diçka e domosdoshme dhe këshilla e Cahanit për njerëzit që nuk i përkushtohen punës 100%, është se puna dhe jeta private duhet të integrohen së bashku në një dhe jo ndaras në vetvete. “Just start, vetëm fillo. Pick your hard, zgjedh vështirësinë tënde”, potencon ai.

Sipas Cahanit, dorëzimi pas një gabimi, është një marrëzi e cila është prekur nga të gjithë prandaj edhe ndërrimi i planit është i domosdoshëm ose vazhdimi me një gjallëri të re. Kompania “Gjirafa” ka ende një rrugëtim të gjatë përpara, edhe pse me 200 punëtorë, delikatesa e saj në biznes ekziston.

“6 muaj nga sot ose do të jemi tre herë më të lartë ose do të zhdukemi përherë”, sugjeron shembullin Cahani i cili “Gjirafën” e konsideron larg suksesit prandaj përpara se të arrihet në sukses, e rëndësishme mbetet procesi deri në atë pikë.

Kur flasim për suksesin e të gjitha copëzave të “Gjirafës”, përmendim edhe disa nga ato të cilat janë nën hije ose nuk janë të përmendura zakonisht por që secila në vetvete ngërthen një ide të hershme pas vetes. Disa nga to janë: Gjirafa.biz dhe Gjirafa.video.

Prodhimtaria e kategorisë ‘Gjirafa.biz’, sipas Cahanit, lindi nga një projekt i dështuar sepse nuk ka qenë problem i Google por sepse orari nuk ishte publikuar për arsye se nuk ekzistonte në atë kohë. Prandaj lindi edhe ideja e digjitalizimit të tregut në online duke përfshirë hartat e nevojshme të cilat në fillim nuk ishin stabile dhe saktësia nuk ishte e qëndrueshme.

Ndërsa prodhimtaria e kategorisë ‘Gjirafa Video’, ka filluar si një ide me aktoren Doresa Rexha dhe profesorin Shkumbin Istrefi, ku aktori kishte treguar se si është ndërprerë seriali ‘Kafeneja jonë’, dhe nga kureshtja e Mërgimit pasoi edhe plani i kompanisë për rikthimin e serialit pa kamera, pa regjisorë dhe pa platformë. Të dy aktorët punuan rreth 10 episode dhe para lansimit të tyre u krijua edhe platforma ‘Gjirafa Video’, ku u lansuan episodet.

“Fituam rreth 200 mijë shikime për 3 orë, dhe pas 10 minutave, rrjeti ra për shkak të shikueshmërisë së madhe. Premiera u konsiderua tejet e suksesshme në atë kohë edhe pse platforma nuk ishte stabile”, kujton Cahani.

Kurse sot ekziston një staf me orar të plotë të produksionit me regji nga Valter Lucaj dhe shumë pjesëmarrës të cilët punojnë pa ndalur për projekte të reja.

Njëra nga sukseset e veçanta të kompanisë dhe kryeshefit ekzekutiv ishin edhe investimet direkte të cilat vinin për herë të parë në Ballkan nga kompania “Gjirafa” e cila me karakteristiken e saj dhe aftësinë e adaptimit, mbijeton me format e saja gjitare dhe në fillim ka rrumbullakuar rreth 2 milionë, e pastaj në 7 milionë, kurse tani kompania po punon për arritjen e saj deri në 15 milionë. Kompania po ashtu momentalisht me motivin e dalluar nga shtetet e tjera ballkanike, po digjitalizon vendin tonë për arsye se kompania Amazon ende nuk synon që të hedh një sy tek Kosova.

Ndërsa qëllimet e Cahanit për të ardhmen është që të fillojë replikimin e proceseve të Kosovës edhe në Maqedoni pasi që tanimë ka filluar edhe në Shqipëri. Po ashtu kompania ka filluar një vijë të re të biznesit e cila quhet ‘Gjirafa.tek’, e cila merret vetëm me teknologji dhe krijon produkte teknologjike për media dhe tregun global.

Për fund, falënderimet nuk munguan nga Cahani për KultPlus duke e vlerësuar lartë për punën dhe seriozitetin si dhe për të gjithë pjesëmarrësit të cilët patën mundësi të bashkëbisedojnë me të rreth temave të ndryshme. Përveç rrëfimit, gjatë mbrëmjes së djeshme të pranishmit u shoqëruan edhe me nga një gotë verë e muzikë të lehtë. / KultPlus.com

Një rrugë përplot sfida deri në skenat ndërkombëtare, Elbenita Kajtazi: Kam qëndruar edhe pa bukë

Suada Qorraj

Fotografitë Valbon Tishukaj

Historitë e jashtëzakonshme të suksesit jo çdo herë fillojnë në rrugët e lehta nëpër të cilat përballë ecjes nuk ke pengesa. Ndonjëherë pikërisht rrugët më të vështira, ato të cilat të hedhin sa në një skaj në tjetrin, janë rrugë në të cilat ndërtohet e ardhmja. E pikërisht e tillë është edhe historia e sopranos, Elbenita Kajtazi, dikur vajzës së vogël që shiste qumësht në lagje, kurse sot gruas, zëri i së cilës ka pushtuar teatrot ndërkombëtare.

Sikurse në çdo vit tjetër, edhe këtë herë KultPlus, Ditën e Gruas e shënoi pikërisht me rrëfimin e jetës, fëmijërisë, sfidave, por edhe magjinë e majës së suksesit, të sopranos Elbenita Kajtazi, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e gazetares Xhemile Hysenaj, sopranoja Kajtazi me një modesti të jashtëzakonshme dhe një oratori për lakmi, nisi të shpaloste kujtimet e fëmijërisë, tregoi se si kur ishte fëmijë, ruante lopën, dashurinë ndaj së cilës nuk hezitonte ta shprehte. Madje ajo rrëfeu edhe kohën kur për të ndihmuar familjen, rrugët e lagjes ku banonte i kishte shfrytëzuar si vendin ku qumështin e lopës, të cilës i kishte vënë dhe emër, e shiste.

“Pas luftës, nga shtëpia e madhe ku jetonim së bashku me axhallarët, tashmë jetonim ndaras, dhe si në çdo familje tjetër ishte bërë edhe ndarja e gjërave. Ne gëzuam një nga dy lopët e familjes. Unë e kam dashur shumë atë lopë, aq sa s’mund ta përshkruaj me fjalë, Larukë i kam thënë. Me të kam shkuar në arat e fshatit. Qumështin të cilin nëna e merrte nga lopa unë e kam shitur në lagje dhe për këtë jam shumë krenare”, kujton kështu Kajtazi një pjesë nga fëmijëria e saj.

Sopranoja thekson rrugët që bënte së bashku me lopën e familjes, nga shtëpia tek arat, kalonin edhe përmes qytetit ku ajo shpesh herë takohej me nxënësit e tjerë të shkollës, të cilët pa hezituar e përqeshin faktin që ajo kujdesej për lopën. “Mua s’më ka interesuar edhe aq shumë kjo sepse unë e kam dashur lopën time aq shumë sa fjalët e tyre nuk më lëndonin”, vazhdoi rrëfimin e saj me përplot nostalgji e komplekset nuk kishin vend te kjo artiste e madhe.

Meqë ky event po mbahej pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kajtazi kishte vendosur që në rrëfimin e jetës së saj të ndalej tek tri gratë që ja ndryshuan përgjithmonë rrjedhën e jetës.

Nëna ishte udhërrëfyesi i parë në jetën e saj. Duke e drejtuar atë vetëm drejt shkollimit, dhe insistimi i saj që Elbenita t’i ndjek ëndrrat, kishin qenë forca e parë që asaj i dhanë guxim për të provuar çdo sfidë.

Andaj, Kajtazi nuk rresht së përmenduri përkrahjen e madhe që ka marrë qysh si fëmijë nga nëna e saj. Ajo thotë se ndihet krenare për faktin se nëna e ka shtyrë gjithmonë atë dhe gashtë motrat e saj drejt shkollimit, pavarësisht kushteve të vështira në të cilën gjendej familja. Dhe pikërisht nëpërmjet kësaj shtytjeje të vazhdueshme, Elbenita Kajtazi hodhi hapat e parë drejt një karriere të suksesshme në muzikë. Fillimisht ajo përfundoi shkollën e mesme të muzikës në qytetin ku kishte lindur. Për të udhëtuar më pas drejt Prishtinës dhe për të zënë vendin e saj në Fakultetin e Arteve në kryeqytet.

Por, edhe ardhja në kryeqytet nuk ishte e lehtë. Kajtazi tregon se si për të vazhduar studimet dhe për të ja lehtësuar sado pak familjes barrën, ajo kishte filluar punën në një dyqan të rrobave.

“Në muajin e parë kur kam ardhë në Prishtinë, babai më ka ndihmuar duke më dhënë paratë e nevojshme për pagesën e konviktit dhe mensës dhe kjo ishte shuma që unë kisha për tërë muajin. Ka pasur raste kur s’kam shkuar në mense për shkak të ligjëratave të vonshme dhe kështu kam qëndruar dhe pa bukë. Por, pas një muaji kisha gjetur një punë në një butik, ku punova diku rreth një muaj e gjysmë”, deklaroi Kajtazi.

Kajtazi kujton edhe një nga ditët në këtë punë ku edhe kishte takuar një nga profesorët e saj, të cilit disa herë i kishte munguar në orën e mësimit. Teksa flet për të, Elbenita tregon se si ai i kishte kërkuar që ta linte punën ngase ai do të bënte të pamundurën që Elbenitës t’i siguroi një vend në Filharmoninë e Kosovës, ngase ajo posedonte një zë e talent të jashtëzakonshëm.

Pranimi në Filharmoninë e Kosovës dhe përfundimi me sukses i studimeve shënon ëndrrën e çdo prindi për fëmijën e tyre, njëlloj sikurse edhe për prindërit e Elbenitës. Por, ëndrrat e sopranos nuk ndaleshin këtu, ajo synonte të arrinte më tepër, të ndërtonte karrierën e saj jashtë kufijve të vendit.

Elbenita tregon se si në atë kohë gjendej përballë një dëshpërimi ngase kishte marrë një refuzim nga një këngëtar i famshëm shqiptar, dhe madje kishte menduar që të ndryshonte profesionin dhe të bëhej avokate. Por, ishte pikërisht intervista e Ermonela Jahos në njërin nga televizionet shqiptare, që Elbenitës i dha guximin t’i shkruaj asaj dhe t’i kërkoj ndihmë.

“E kam marrë telefonin dhe po i shkruaj në Facebook me një mesazh shumë të gjatë, ja dërgova disa video, duke i shpjeguar se nuk po i kërkoj t’më nxjerrë nga Kosova, por thjeshtë të më tregoj se sa vlejë. Ermonela ma ka kthyer mesazhin brenda dy minutave dhe më ka thënë se ngase i pëlqen zëri im ajo dëshiron të më ndihmoj”, tregon kështu me përplot emocione sopranoja, e ku nuk i munguan as lotët.

Këtë bisedë që ajo e bëri me Ermonelën, e konsideron si një nga bisedat që i ka ndryshuar jetën më së shumti dhe për të mirë. Tutje ajo shpjegon dhe takimin e saj të parë me Ermonelën dhe këngën që ka kënduar për të.

“Ermonela Jaho më ka dhënë një qafore me zemër dhe ka thënë që zemra e saj do jetë gjithmonë me mua”, rrëfen tutje Kajtazi.

Ishte Ermonela ajo që e ndihmoj Elbenitën që të konkurroj në një garë në Itali. Teksa rrëfen peripecitë e këtij rrugëtimi, ajo thotë se kur kujton këtë kohë, e mendon veten mjaft të guximshme sepse duhet guxim të shkosh nga një vend ku nuk ka as sallë të operës, në një garë ku marrin pjesë artistë nga e gjithë bota.

“Kam shkuar tre herë në atë garë, deri sa kam zënë vendin e parë”, thotë Kajtazi duke na dëshmuar për këmbëngulësinë e saj drejt suksesit.

Por, ndryshimi më i madh në jetën e Elbenitës ende nuk kishte ndodhur, ngase ditët e kaluara në Amerikë, kur kishe shkuar të përfaqësonte Kosovën, i dhanë kahje tjetër jetës së saj. Kajtazi tregon se si kishte menduar të mos largohej nga Amerika, të qëndronte atje dhe të bënte një ndryshim në jetën e saj, duke lënë pas familjen, nënë babin, por edhe Ardianin, që tashmë është edhe bashkëshorti i saj.

“Në Amerikë takova regjisoren Vera Kalabria ku në njërën nga ditët teksa qëndronim bashkë në kamp i thashë se kam vendosur që të mos kthehem në atdhe por të qëndroj në Amerikë, në atë kohë kisha një ambicie të madhe por një pjekuri shumë të vogël. Ishte Vera ajo që më këshilloi që të kthehesha në Kosovë, duke premtuar se në momentin që unë do marr shengen vizën ajo do më ndihmonte”.

Duke qenë një vajzë luftarake, Kajtazit nuk ju deshën më shumë se një muaj që të siguronte vizën dhe t’i shkruante Verës, gruas së tretë në jetën e saj që i dha shtysën e fundit ndoshta për nisjen e një karriere të suksesshme. Ajo tregoi me përplot emocione teksa e shpjegonte edhe me duar reagimin befasues që kishte marrë nga Vera Kalabria.

Fillimisht Kajtazi kishte shkuar në Vjenë ngase aty kishte dhe familjarë të saj, ku dhe fitoi bursë studimi që në audicionin e parë, por për shkak të kushteve jo të mira ekonomike ajo duhej ta refuzonte atë.

Një gjë e tillë nuk ndali dot shpirtin luftarak dhe kërkues të Elbenitës, me ndihmën e Verës ajo udhëton për në München, ku do të mbante audicion në teatrin e këtij qyteti.

“Kur shkova në München drejt e në audicion me pantallona dhe atlete, teksa teatri ishte aq i madh dhe po aq i bukur”, rrëfen sopranoja.

Teatri i Münchenit kishte pranuar pa hezitim që Elbenitën ta bënte pjesë të ekipës së vet, mirëpo pikërisht itendanti i atij teatri, që e kishte përkrahur Kajtazin që në momentin kur kishte hyrë brenda e kishte udhëzuar që të mos pranonte një gjë të tillë sepse më pas do të kishte një karrierë të shkurtër operistike duke i siguruar asaj një tjetër audicion në Operën Gjermane të Berlinit. Madje ai i kishte ndihmuar edhe me pagesën e rrugës duke i lënë dhe një letër në të cilën i uronte fat.

Shkuarja në Berlin e takoi prapë Elbenitën me Verën ku këtë herë i kishte ndihmuar sopranos që në audicion të mos shkonte e veshur me pantallona siç kishte bërë deri atëherë. Dhe nga këtu fillon dhe karriera e saj e suksesshme në botën e operës ngase ajo tashmë ishte pranuar në Operën Gjermane të Berlinit.

Kajtazi madje tregon se si në provën e parë kishte shkuar dhjetë minuta me vonesë, e të cilën e konsideron si një nga mësimet më të mëdha të jetës sepse nga ajo ditë ajo kishte mësuar kulturën e të arriturit me kohë në prova.

Kajtazi rrëfen edhe për paraqitjen e saj të parë në skenën e operës, emocionet por dhe frikën që ka përjetuar, ngase për të ishte hera e parë që luante në një skenë aq të madhe e me një publik aq të madh. Ajo e konsideron shumë të rëndësishme faktin që pavarësisht hezitimeve të saja se nuk kishte arritur të luante si duhej në shfaqje, ishte pikërisht regjisorja ajo që e kishte frymëzuar dhe bërë më të fortë e duke e vënë në pah punën e mirë që kishte bërë.

Në mbrëmjen e organizuar nga KultPlus, Elbenita i kishte të pranishëm edhe familjarët, por një gjë të tillë nuk i has shpesh ta përjetojë edhe në skenat ndërkombëtare.

Shkaku i vizave, familjarët e saj rrallë kanë qenë të pranishëm, por që pjesërisht ata kanë arritur të shohin shfaqje të Elbenitës në skenat ndërkombëtare e ky për të mbetet një emocion i veçantë.

Kajtazi, përkundër suksesit, një bashkëpunim të mirë vazhdon ta mbajë me Filharmoninë e Kosovës dhe festivalet klasike në vendin tonë. Sopranoja tregoi se nuk përjashton mundësinë e mbajtjes së një koncerti në Kosovës së shpejti, mirëpo që sipas saj ende nuk ka ndonjë gjë definitive në këtë aspekt ngase akoma janë në bisedime e sipër.

Krejt në fund të këtij rrëfimi inspirues, ishte edhe publiku ai i cili me pyetjet e tyre u interesuan më tepër edhe për faktin nëse Elbenita ka mirësinë dhe vullnetin që tu ndihmonte studentëve, njëjtë si Ermonela që i kishte ndihmuar asaj dhe publiku vetëm sa e kuptoi që Elbenita tashmë e kishte bërë një gjë të tillë e do të vazhdonte ta bënte sa herë që të kishte mundësi.

Të pranishmit, të emocionuar pafund nga ky rrëfim, pas përfundimit të ngjarjes, e takuan nga afër Elbenitën duke e përgëzuar për guximin e ku nuk mungonin as fotografitë e shumta. / KultPlus.com

Blerta Basholli pas suksesit të filmit: Pavarësisht që jemi Kosovë, me punë mund të arrijmë sukses

Jeta Zymberi

Qysh nga nominimi i filmit “Zgjoi” në festivalin prestigjioz “Sundance Film Festival”, regjisorja Blerta Basholli dhe gjithë ekipi ishin në ethe për premierën dhe kritikën që do t’i jepej filmit, ndërsa çmimet nuk i mendonin fare. Por premiera e filmit në Sundance bëri një kthesë të natyrshme edhe në pritjen e regjisores dhe gjithë ekipit, shkruan KultPlus.mirziamov.ru

Kritikat e mira dhe pritja që publiku i bëri filmit, e kthyen vëmendjen e tyre edhe tek çmimet, por asnjëherë tek tri çmimet kryesore të cilat njëherit do të thyenin rekordin e këtij festivali.

Kjo ndodhi për herë të parë me “Zgjoi”-n e Blerta Bashollit duke sjellë dje në Kosovë një emocion e gëzim të papritur. Këtij lajmi ju gëzua i gjithë vendi por në veçanti ata që qëndrojnë më afër industrisë së filmit.

“Zgjoi” i Blerta Bashollit dje bëri histori!

“Filmi më i mirë”, “Regjisorja më e mirë”, dhe çmimi i vlefshëm i publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA u dedikuan për “Zgjoi”.

Momenti ku Blerta e mori lajmin ishte i ndarë në dy pjesë. Ajo fillimisht u telefonua për të marrë lajmin për çmimin “Regjisorja më e mirë” dhe ky ishte një moment feste në zyrat e Ikonë Studio aty ku Blerta po priste telefonatën. Por lajmin për dy çmimet tjera të cilin e mori tek ditën e nesërme, ajo nuk po e priste fare.

“Kemi qenë në Ikonë Studio sepse lajmin e parë e kemi marrë menjëherë pas premierës se filmit, të dielën ku gjatë gjithë ditën ishim në ethe duke pritur se si po reagon kritika dhe si po e pret publiku. Pasi kritikat ishin shumë të mira dhe kemi marrë një reagim tepër të mirë dhe shumë pyetje nga audienca e filmit, menjëherë pas premierës na kanë telefonuar dhe na kanë dhënë lajmin për çmimin e “Regjisores më të mirë”, atë natë jemi gëzuar e kemi festuar shumë. Ndërsa të nesërmen kemi marrë lajmin për dy çmimet e tjera dhe normal që këto nuk i kemi pritë por që jemi jashtëzakonisht të lumtur”, tregoi kështu Basholli për momentin e marrjes së lajmit të madh.

Lajmin fillimisht ajo e ka ndarë me producentin e filmit Yll Uka, pasi ai ishte i pranishëm gjatë telefonatës që ju bë regjisores.

“Pasi producenti më ka parë duke qajtë e ka kuptuar që po bëhet fjalë për çmim, dhe kështu ai ishte personi i parë me të cilin e kam ndarë lajmin. Ndërsa personi i dytë ka qenë Artan Korenica, bashkëshorti, sepse është njëri nga njerëzit që ka besuar në këtë projekt qysh nga fillimi dhe një prej njerëzve që më ka ndihmu shumë”, u shpreh Basholli.

Por ky lajm duhej me patjetër të ndahej shpejt edhe me zonjën Fahrije Hoti, mbi historinë e secilës është realizuar filmi. Regjisorja e takoi live Fahrijen për të ja komentuar lajmin pasi dëshironte të merrte emocionin drejtpërdrejtë.

“Në momentin kur e kemi marr lajmin zonja Fahrije nuk ka qenë prezente, ndërsa të nesërmen kemi ngrënë mëngjes bashkë dhe i treguar për çmimet, është gëzuar shumë dhe nga emocionet fjalët e parë që i ka thënë kanë qenë: Më paske qit punë me gazetarë””, tregon regjisorja.

“Zgjoi” pritet të ketë një rrugëtim të gjatë nëpër festival, ndërsa për momentin regjisorja ka treguar për KultPlus se janë në pritje të konfirmimit për premierën evropiane, teksa për premierën e filmit në Kosovë si mundësi e sheh fundin e vitit.

Krejt për fund Basholli ka një mesazh për të gjithë kineastët e rinjë.

“Kineastët e rijnë kanë shembuj shumë të mirë, jo në këtë rast vetëm për film timin por edhe shumë filma të tjerë që janë prodhuar në vitet e fundit, kështu që besoj që deri tani veç e kanë marr mesazhin që pavarësisht që jemi Kosovë e nuk ka fonde të mjaftueshme ende për filma në Kosovë, me punë edhe mund, munden me mbërri dhe këtë e kanë dëshmuar secili film që po udhëton nëpër botë  e festival të mëdha dhe po kthehen me çmime. Andaj mendoj që është një mesazh i mjaftueshëm që nëse veç e donë këtë punë, me besu  dhe me punu vazhdimisht sepse puna secilit i shpërblehet”, përfundon Basholli.

‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

Me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n, “Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK. / KultPlus.com

Ekspozita shitëse e Yllka Letit vazhdon të qëndrojë e hapur në KultPlus Caffe Gallery

Ekspozita shitëse e Yllka Letit, vajzës 14 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike e që përmes artit të saj ajo siguron terapinë mujore që i kushton hiq më pas se deri në 1700 euro në muaj, po vazhdon të qëndrojë e hapur në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Në hapje të kësaj ekspozite, më 28 janar, përkundër që ftesa ju dërguar të gjitha partive politike, të pranishëm ishin vetëm Albin Kurti, Uran Ismaili dhe Arben Vitia.

Gjatë kësaj mbrëmje ku u shpalosën punimet e Yllkës u bë me dije edhe rreth sfidave të ballafaqimit të 215 fëmijëve që janë të prekur nga kjo sëmundje.

Yllka ka kohë që është bërë zëri i shumë fëmijëve të tjerë që vuajnë nga e njëjta sëmundje.

Interesimi i artdashësve dhe zemrave humane po vazhdon të jetë i madh dhe pikturat e Yllkës po shiten e kështu po ja lehtësojnë ballafaqimin me këtë sëmundje.

Të gjithë ju që dëshironi t’i dilni në ndihmë Yllka Letit, jeni të mirëseardhur çdo ditë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, nga ora 08:00 deri në 21:00.

Një ndihmë sado e vogël nga ju është shpresë për ditë më të lehta për këtë vajzë 14 vjeçare. / KultPlus.com

Yllka Leti në hapjen e ekspozitës së saj: Tash e disa vite unë pikturoj që të jetoj

Jeta Zymberi
Fotografitë: Nok Selmani

Është e jashtëzakonshme kur zemrat humane bëhen bashkë për një kauzë të veçantë. I jashtëzakonshëm është edhe arti i Yllka Letit, vajzës 14 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike e që përmes artit të saj ajo siguron terapinë mujore që i kushton hiq më pas se deri në 1700 euro në muaj, shkruan KultPlus.

“Kjo ekspozitë nuk është e zakonshme, kjo ekspozitë është e jashtëzakonshme”, shpalosi mbi 10 punime të Yllka Letit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery duke bërë bashkë kështu shumë artdashës, politikanë e artistë.

Që situata e 215 fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje të përmirësohet, që zëri i tyre të dëgjohet e kërkesat të ju plotësohen, Yllka sonte u bë zëri i shumë fëmijëve të tjerë që vuajnë nga e njëjta sëmundje.

Në hapje të ekspozitës, moderatori Arbër Selmani u shpreh se ekspozita vjen si një nismë për të ju dal në ndihmë të gjithë fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje.

Tutje fjalën e mori nikoqirja e kësaj mbrëmje, Ardianë Pajaziti e cila tha se kjo ekspozitë duhet të shërbejë si nismë drejt një kauze më të madhe.

“Yllka Leti është një vajzë e re e cila detyrohet që përmes artit të saj të sigurojë barnat të cilat janë shumë të kushtueshme. Urojmë që institucionet e vendit t’i dalin në ndihmë Yllkës dhe gjithë fëmijëve të tjerë dhe Yllka pikturën ta ketë pasion e jo detyrë sepse kjo njëherit është edhe shkelje e të drejtave të fëmijëve”, theksoi Pajaziti.

Prezenca e Yllka Letit po i jepte kësaj mbrëmje hijeshi të shtuar. Por kur ajo mori fjalën, emocionoj të gjithë.

“I vetmi moment kur unë Yllka Leti ndjehem gjallë është kur unë jam duke pikturuar. Pra, tash e disa vite unë pikturoj që të jetoj”, ishin fjalët hyrëse të Yllkës për të vazhduar tutje të na njoftoj me atë që ajo ballafaqohet çdo ditë.

“Që kur kemi lindur vuajmë nga kjo sëmundje e rëndë, e ngarkuar me barna, trajtim të shtrenjtë, terapi të përditshme. Prindërit tanë vërtetë po luftojnë duke kërkuar barna në çdo vend të botës e nga njerëz të panjohur. Njerëzit tanë mbetën duke na premtuar. Vendi jonë nuk po përmirësohet, zëri jonë nuk po dëgjohet, kërkesat tona nuk po plotësohen”, u shpreh Yllka.

Yllka Leti

Krejt për fund ajo kishte një lutje për të gjithë e në veçanti për institucionet e vendit: “Ju lutem që të na ndihmoni, dua të ndjehem e gjallë edhe kur nuk pikturoj, Dua të pikturoj me dëshirë , me dashuri, e jo që të mbijetoj. Zgjedhje shumë e zgjidhje hiq!”, theksoi artistja e re.

Për të futë barnat e saj në listën e barnave esenciale ka pas disa herë negociata dhe premtime nga politikanët dhe udhëheqësit nëpër vite, por një gjë e tillë nuk është realizuar deri tani.

Në këtë ngjarje ishin ftuar edhe krerët e partive të Kosovës, që të jenë të pranishëm dhe të shohin për së afërmi ballafaqimin e kësaj vajze, e cila në vend se të krijonte për pasion, ajo detyrohet të krijojë e të shes pikturat për sigurimin e terapisë së saj.

Por të pranishëm ishin vetëm dy prej tyre. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili ishte i shoqëruar edhe nga ish ministri i Ministrisë së Shëndetësisë Arben Vitija, dhe ish ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili e që me prezencën e tyre sikur i dhanë një siguri më tepër Yllkës që dora e shtetit do të shtrihej mbi këta fëmijë.

Në një fjalë rasti, Albin Kurti u shpreh se ndihet me përgjegjësi të dyfishtë, që jo vetëm të nxjerr vendin nga pandemia, por njëkohësisht edhet këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti.

“Jam shumë i nderuar dhe i gëzuar që po marr pjesë në këtë ekspozitë në Galerinë Kult Plus ku po ekspozohen punimet e një artisteje të re, shumë produktive e cila këto punime i ka realizuar gjatë kohës së pandemisë Covid-19, që na ka pllakosur të gjithë neve, ndërkohë që kjo ka edhe një sëmundje shumë më të rëndë se kjo tjetra që e ndan me neve, ajo e Fibrozës Cistike. Ne jemi edhe të privilegjuar që e kemi Yllkën dhe po i shohim punimet e saj, por njëkohësisht edhe me përgjithësi të dyfishtë që jo vetëm ta nxjerrim vendin tonë nga kjo pandemi, por njëkohësisht edhe këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti”, ka thënë Kurti duke u zotuar që do të bëjnë një rikthim që barnat e nevojshme për Fibrozën Cistike të jenë në listën e barnave esenciale.

Ndërsa ish-Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i cili pati punuar që këto barna të hyjnë në listë, u shpreh se do të vazhdojë të punojë që të ketë një reagim sa më të shpejt nga institucionet përkatëse.

“Kjo ekspozitë është një ide e jashtëzakonshme sepse është një platformë që e rritë edhe nevojën te të gjithë fëmijët që janë me sëmundje të rralla. Nëpërmjet Yllkës ne e kuptojmë një realitet që gjendet në shumë familje dhe në këtë rast një gjë e tillë është mëse e mirëseardhur, por në anën tjetër nuk duhet të harrojmë edhe obligimin që shteti  ka ndaj tyre”, u shpreh Ismaili duke uruar që të ketë një reagim më të shpejtë nga gjithë institucionet përkatëse në këtë rast.

“Shpresoj që do të gjejmë një vullnet pak më të madh politik dhe të realizojmë, ne kemi bërë një punë dy vjeçare deri në përpilimin e asaj liste.”

Krejt për fund, të pranishmit përveç që i shijuan pikturat, shumica nga ta vendosën të marrin një copë “Yllkë” me vete. Një ndihmë e vogël ndoshta për Yllkën por një zemër e madhe që do të thotë shumë.

Kujtojmë që ekspozita shitëse e Yllka Letit do të qëndrojë e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery dhe të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur çdo ditë nga ora 8:00 – 21:00.
Kjo mbrëmje u organizuar edhe me mbështetjen e “Stone Castle” dhe “Fluidi”. / KultPlus.com

Blerta Basholli: Jam krenare që “Zgjoi” do t’i shpalos botës një rrëfim nga Kosova


Jeta Zymberi

Të bësh një karrierë si krijuese filmi kërkon vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vizion të përpiktë. Mund të jetë një rrugë e vështirë për të udhëtuar, por dashuria dhe përkushtimi për punën është ura lidhëse për të arritur sukses.

Regjisorja Blerta Basholli, duke ndjekur dëshirën për të bërë filma, ajo gjithashtu punoi punë të ndryshme duke përfshirë: asistente administrative, menaxhim të projekteve humanitare, marketing etj. Por ka një moment kur tek njeriu ndezët dashuri për një profesion të caktuar të cilit pastaj i vihet pas. Por kjo dashuri padyshim që kondensohet dalëngadalë, e një rol kyç në këtë pikë e ka edhe familja. Kështu ndodhi edhe me Blertën. Shikimi i shumë filmave bashkë me babin dhe pasioni i tij për fotografinë dhe pikturën, ka ndikuar te Blerta, ku syrin për kompozicion dhe dashurinë për fotografinë e ka marrë nga i ati. Përderisa të qenit një grua e fortë ka ardhur nga mbështetja e pakursyer e nënës.

Regjisorja Blerta Basholli

Një përgatitje e tillë qysh nga fëmijëria, sigurisht do ta sillte Blertën në një vajzë që i përkushtohet shkollës e punës.

Blerta Basholli ka studiuar në Fakultetin e Arteve, dega Regji Filmi, Universiteti i Prishtinës, kurse Studimet Master i ka përfunduar në Tisch School of the Arts, në New York University, drejtimi Film dhe Televizion si bursiste e “Dean’s Fellowship”. Momentalisht është kandidate për doktoraturë në Fakultetin e Arteve në Shkup, në universitetin “Ss. Cyril and Methodius”.

Pas disa filmave të shkurtër e dokumentarëve, Basholli vendosi të sfidojë veten me një film të gjatë.

“Zgjoi” është filmi debutues i regjisores që qysh në fillim dha dritën e gjelbër që kjo regjisore do t’i shkelë kufijtë.

Përzgjedhja e filmit në konkurrencë zyrtare në festivalin prestigjioz ‘Sundance Film Festival’, i fali asaj një ndjesi tejet të mirë.

“Kemi bërë një punë shumë të madhe, me shumë dashuri e përkushtim, andaj hyrja në “Sundance” është një shpërblim shumë i mirë për punën tonë”, thotë Basholli për KultPlus.

‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës së fundit në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.

Të kthyerit në film një histori si kjo e Fahrijes, Blertës i erdhi si ide pasi ka dëgjuar një storje televizive rreth kësaj gruaje.

“Ideja ka lindur pasi kam dëgjuar një storje televizive rreth një gruaje (Fahrije Hoti), e cila përkundër nevojës për mbijetese dhe mbështetjes qe iu ofron edhe grave te tjera te veja, të cilat ndodhen në të njëjtën situatë me Fahrijen, iniciativa e saj për të punuar nuk shihet me sy të mirë nga rrethi patriarkal ku ajo jeton”, tregon regjisorja rreth përmbajtjes së filmit.

“Zgjoi” do të jetë filmi që botës do t’i shpalosë një tregim nga Kosova, në mesin e shumë tregimeve të tjera që bota duhet t’i dëgjojë nga ky vend. Ky sukses padyshim që regjisoren e bën shumë krenare.

“Kemi shumë tregime interesante dhe shumë gjëra për të treguar. Fakti se një tregim nga Kosova do të shihet e dëgjohet nga një publik i gjerë më bën shumë krenare e aq më tepër për shkak të temës të cilën e trajton.”

Përkundër sfidave dhe vështirësive që ka Fahrija gjatë procesit, në thelb filmi përmban një tregim inkurajues dhe shpresëdhënës. Sipas regjisores, secila vajzë, grua, por edhe burrë që do ta shoh filmin mund të motivohet nga një sukses i tillë.

Të qenit vetë skenariste dhe regjisore e filmit, për Bashollin ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Por, ajo beson se falë këtij angazhimi është rritur e zhvilluar edhe si person, por edhe si profesioniste.

“Skenari është proces i rritjes dhe me ka ndihmuar shumë që të kuptoj edhe më thellësisht temën edhe karakterin. Sa ka qenë e vështirë aq mendoj se edhe më ka ndihmuar për të depërtuar pak më brenda karakterit.”

Pjesëmarrja në ‘Sunndance’ është shenja e parë që ky projekt filmik është shumë premtues, por regjisorja rrugëtimin e filmit shpreson ta pasuroj edhe me shumë çmime.

“Fillimi është shumë i mirë, tani të shohim. Kur futesh me një festival si “Sundance” rrugëtimi i mirë është i sigurtë. Shpresojmë që filmi të vlerësohet edhe me çmime sepse ashtu do të ketë vërtetë rrugëtimin e suksesshëm.”

Të nisësh një karrierë është me të vërtetë e vështirë, por vazhdimi duket sikur është një tjetër sfidë më vete. Regjisorja beson që me dashuri do t’i kaloj të gjitha. Ndërsa përkushtimin e sheh si çelës të suksesit në secilin profesion.

Përderisa gjatë jetës marrim mësime që në momente të caktuara kanë efekte pozitive, një mësim të tillë regjisorja e ka zbatuar gjatë krijimit të filmit. Këmbëngulësia dhe puna përzistente ishin cilësi që i ndihmuan gjatë procesit të punës. Sipas Bashollit duhet të insistojmë dhe të punojmë shumë deri sa të arrihet rezultati i kënaqshëm në çdo fazë të procesit.

Teksa biseduam për kriteret që e bëjnë një film të shkëlqyer, Basholli si vlerë kyçe e sheh ndjesinë që të ofron një film.

“Për mua ndjesia që të krijon ai film, nëse bota e krijuar aty brenda është e besueshme dhe të merr me vete pa bërë asnjë pyetje atëherë filmi është i mirë. Pastaj natyrisht skenari është kryesori, aktorët, kamera e shumë elemente.”

Gjatë jetës, Blerta është frymëzuar nga shumë filma dhe regjisorë, qoftë edhe shqiptarë, por ajo përmend një ndër filmat që ka pasur më së shumti ndikim te ajo.

“Ka shumë filma dhe shume regjisorë e regjisore edhe nga Kosova edhe nga Bota që më frymëzojnë. E kam shumë të vështirë t’i listoj me të vërtetë. Një prej filmave që ende e përmend është “Dancer in the Dark” nga Lars von Trier, por ka shumë shumë filma që më frymëzojnë. Tregimi, qasja e regjisorit e më së shumti aktrimi janë ato elemente që më tërheqin edhe te ky film, por edhe tek shumë filma të tjerë.”

Krejt për fund, Basholli e cila vitin 2020 e përmbylli me një sukses të jashtëzakonshëm, shpreson që viti i ardhshëm t’i shtrojë filmit “Zgjoi” një rrugë edhe më të gjatë e të suksesshme, përderisa premton që do të vazhdoj të punoj intenzivisht. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi: Ëndërroj që një ditë të ndaj skenën me Ermonela Jahon, ajo është krenari kombëtare

Jeta Zymberi

Fëmijërinë e kishte të thjeshtë, teatri e opera ishin dyer që nuk u hapën asnjëherë për të. Ajo nuk frekuentonte vende të tilla. Ishin dyert e shtëpive të lagjes që hapeshin për të marrë qumështin e familjes së Elbenitës, e që asaj i kishte rënë hise ta shpërndante çdo ditë. Kjo punë asaj i sillte kënaqësi sepse në atë kohë Kosova po përballej me forcat serbe dhe aktivitetet tjera për fëmijë ishin pothuajse të pamundura. Elbenita Kajtazi, atë kohë 8 vjeçare, e gjente vetën edhe në diçka tjetër. Strehim e qetësim në kohë lufte e kishte këngën. Frikën e mbizotëronte me zërin e saj poshtë tavolinës apo në ndonjë qosh të shtëpisë, aty ku zëri nuk i dëgjohej fort. Ndërsa sot, duket sikur ai zë që për shkumë kohë u akumulua në brendësi të saj, ka arritur të depërtojë në skenat më të mëdha të operës në botë. Ndonëse një rrugëtim i pamenduar më herët, Elbenita me rrëfimin e saj dëshmon që asgjë nuk është e pamundur.

Ndërsa popullariteti u përhap dhe potenciali i saj i vërtetë po shpaloset nëpër skena botërore, ajo është shndërrua në diçka shumë më tepër, në një vajzë inspiruese.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Elbenita na tregon për një rrugëtim prekës, frymëzues dhe emocionues. Ajo flet për frikën, pengesat, pasionet, përparimin e shumë më tepër për atë që e drejtoi dhe i shtroi këtë rrugë suksesi.

Elbenita Kajtazi

KultPlus: Keni potencuar që për herë të parë keni shikuar një shfaqje operistike në kanalin YouTube, ndërsa sot ju keni arritur të depërtoni suksesshëm në skenën ndërkombëtare dhe të shkelni skena të mëdha, si e përshkruan këtë rrugëtim?

Elbenita Kajtazi: Për të përshkruar rrugëtimin tim në fjalë të shkurtra do potencoja shumë punë e përkushtim, besim i madh në atë që kam dashur të arrijë, fat, dhe shumë dashuri për punën që unë bëj. Nuk ka qenë e lehtë, sepse kur shpjegohet me fjalë të shkurtra tingëllon si diçka e lehtë për tu arritur, po nuk ka qenë gjithashtu e paarritshme, ka pasur zhgënjime, ka pasur thyerje emocionale, ka pasur momente kur edhe kam dashur të heq dorë nga ajo që ëndërroja por kanë qenë çështje minutash, prap e kam marr forcën dhe guximin. Gjithashtu vlen të përmendet që kam pasur afër vetës njerëz të mrekullueshëm që nuk më kanë lenë të bie poshtë asnjëherë. 

KultPlus: Gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë ju ishit një fëmijë, keni deklaruar që kënga ju ka ndihmuar te tejkaloni atë periudhë të vështirë, na fol pak për ndikimin e muzikës në rrethana të tilla?

Elbenita Kajtazi: Muzika për mua atëherë si fëmijë 8 vjeçe e gjysmë ka qenë terapi, ikje nga një realitet i hidhur në një dimension që do doja të gjendesha si fëmijë, mes lodrave e jo në mes plumbave. Muzika edhe sot lirisht mund të themi që është terapi e shpirtit kur ajo muzikë është e mirëfilltë dhe të flenë në shpirt. Unë atëherë nuk e kam pasur aspak idenë se çfarë është muzika operistike, por kam kënduar këngë popullore, këngë për fëmijë, ninulla me të cilat nëna na ka rritur. Unë nuk kam pasur guximin të këndoj me zë, sepse kur futeshin serbët në shtëpi nuk është që ke guxuar të bësh zë, por në mendjen time jam gjendur diku tjetër, me tingujt e muzikës që më janë sjell nëpër kokë. Kur kemi dal si refugjatë në Shqipëri atëherë kam filluar të këndoj me zë të lartë, duke u munduar në çdo sekondë të harroj ato që kemi përjetuar ne si familje gjatë luftës, duke u munduar ta ndjej veten të lirë, sikur një zog kur këndon në degë pa menduar fare se çfarë do vijë më pas, duke shijuar lirinë në maksimum por gjithmonë duke shpresuar që një ditë do të kthehem në Mitrovicën time, në Drenicën time, vendin tim të lindjes, e lirë të vrapoj e të ëndërroj pa menduar frikën. 

KultPlus: Shkaku i pandemisë, ky vit u konsiderua i “fjetur” edhe sa i përket jetës kulturore. Por, ju morët një lajm të mrekullueshëm për karrierën tuaj. Ju besua roli i Violetës në shfaqjen operistike “La Traviata”, një rol i ëndërruar për shumë soprano, si e pritët këtë lajm?

Elbenita Kajtazi: Është e vërtetë, mua personalisht më janë anuluar shumë shfaqje dhe kontrata të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme, por që njëra prej tyre u realizua, e ajo është Violetta nga Opera “La Traviata” në Bordeaux të Francës në muajin Shtator. Për shkak të Covid-19 ka qenë pikëpyetje e madhe se a do realizohet apo jo, dhe fatmirësisht u realizua dhe kishte një suksese për të cilin jam shumë e lumtur dhe krenare, sepse u shpërblye puna ime e madhe që kam bërë me këtë rol dhe debutimi im në Francë la me të vërtetë përshtypje të mira atje. 

KultPlus: Ju ka ndodhur që gjatë interpretimit tuaj në ndonjë skenë botërore të keni në publik prindërit, nëse po na fol pak për emocionin që të fal prezenca e tyre?

Elbenita Kajtazi: Unë kam pasur fatin t’i kem prindërit e mi një herë në Gjermani dhe kanë pasur mundësi ta shikojnë shfaqjen “Die Zauberflote”, fatkeqësisht jo në të njëjtën kohë, babai e ka parë Paminen time në Berlin, kurse nëna ka qenë prezente kur kam kënduar po të njëjtin rol në Aalto Muziktheater në Essen, Gjermani. Ka qenë ndjenjë që nuk kam fjalë ta përshkruaj, periudhë të cilën nuk do e harrojë kurrë. Është shumë kënaqësi e madhe kur sheh prindërit e tu të krenohen e shijojnë çdo sekondë të asaj që ke arritur. 

KultPlus: Përkundër faktit që karriera juaj po zhvillohet jashtë Kosovës, ju asnjëherë nuk i harroni rrënjët, shpesh jeni pjesë e festivaleve të ndryshme, keni në plan mbajtjen e ndonjë koncerti solistik në Kosovë?

Elbenita Kajtazi: Unë jam shumë krenare me rrënjët e mia, nuk e mohoj asnjëherë prejardhjen time dhe me shumë mburrje tregoj gjithmonë se nga vij. Kohëve të fundit nuk kam mundur të jem shumë prezente në vendin tim për shkak të angazhimeve të shumta jashtë Kosovës, por nuk e mohoj dot që kam marr ftesa dhe marr ftesa vazhdimisht por që fatkeqësisht sezonet e mia janë të planifikuara qysh tash edhe për vitin 2023 dhe është shumë e vështirë të gjej kohë të lirë të jem me ndonjë koncert ose paraqitje në Kosovë, vij shumë shpesh për pak ditë dhe vizitoj familjen por jo më shumë se aq. Kurdo që kam kohen dhe gjërat planifikohen paraprakisht nuk do hezitoj të vij dhe të këndoj për publikun më të dashur që ma mbush zemrën me shumë dashuri.

KultPlus: Përkthimi i Operave botërore në gjuhën shqipe është i mangët, andaj ju keni marrë iniciativën e përkthimit në shqip të historive të operave të huaja, si lindi ideja dhe a ka nisur procesi i punës?

Elbenita Kajtazi: Unë kam studiuar vet në Kosovë dhe e di mirë se sa ka mungesë materialesh në drejtimin operistikë, prandaj meqenëse jam shumë aktive në këtë drejtim në botën e jashtme, më erdhi ideja që përvojat e mia ti ndaj edhe me të gjithë studentët që janë të interesuar të mësojnë dhe të ecin përpara në këtë drejtim. Kam parë shumë video që postohen dhe nuk kanë aspak karakter edukues dhe prandaj vendosa të marr këtë iniciativë që ata njerëz që janë të interesuar të mësojnë rreth botës operistike të dëgjojnë shpjegimet e tyre në mënyrë shumë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Procesi i punës ka nisur dhe deri tani kemi postuar dy shpjegime, atë të operës Manon nga opera Massenet dhe Cosi fan tutte nga Mozart. Iniciativës time ju kanë bashkangjitur edhe artistë të tjerë shqiptarë dhe mezi presim të vazhdojmë punën dhe të postojmë edhe shpjegime tjera. 

KultPlus: Ju shpesh e ngrisni zërin edhe për çështje të ndryshme sociale në Kosovë e sidomos në rastet e dhunës, sa ndikon në ju gjendja jo e mirë e popullit tënd? 

Elbenita Kajtazi: Unë mërzitem shumë nga fakti që dhuna e bërë ndaj grave nuk dënohet sa duhet, mërzitem dhe irritohem kur e shoh trajtimin e keq të grave, dhuna duhet të dënohen nuk ka rëndësi se nga kush vjen nga gratë apo burrat, dhuna duhet të dënohen ashtu siç e meriton. Mua personalisht më thehet zemra kur shoh raste që vritet gruaja dhe burri nuk dënohet aq sa duhet, thjesht se përballoj dot dhe prandaj reagoj dhe mendoj që unë nuk duhet të jem e vetmja, gjithë ata, zëri i të cilëve dëgjohet duhet të reagojnë. I ftoj edhe gratë që janë pjesë e parlamentit të bëjnë më shumë në këtë drejtim, të bashkohen më shumë se kurrë e ta luftojnë këtë dukuri që dëmton gruan, ul gruan poshtë dhe humb identitetin e gruas. 

KultPlus: Vajzat shqiptare pothuajse e kanë poshtuar botës në fusha të ndryshme, suksesi i tyre po i bën krenarë të gjithë, si e shihni ju rrugëtimin e vajzave shqiptare nëpër botë? 

Elbenita Kajtazi: Çdo arritje e çdo femre shqiptare më bënë krenare nga toka deri në qiell. Unë jam e sigurt që asnjëra nga ato gra nuk e kanë pasur të lehtë të arrijnë aty ku janë por janë përkushtuar kanë punuar shumë dhe sot na bëjnë krenarë në gjithë botën. Uroj që këto arritje të jenë inspirim për të gjitha femrat tjera, që të mos dorëzohen kurrë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre duke lënë anash paragjykimet dhe të thënat e kota që ndonjëherë jo rrallë dëgjohen në Kosovë si pre e mentalitetit të cilin ne e kemi. 

KultPlus: Secilin sukses në jetë zakonisht ja dedikojmë dikujt, po ju ku e adresoni suksesin tuaj?

Elbenita Kajtazi: Unë suksesin tim së pari ia dedikoj punës dhe përkushtimit tim, familjes time që më kanë qëndruar gjithmonë afër duke më përkrahur në të gjitha vendimet që unë kam marr, Ermonela Jahos person që nuk më ka lëshuar dorën asnjëherë duke më këshilluar gjithmonë me gjërat e duhura, Vera Calabria personit që bëri të mundshme audicionet e mia të para, profesoreshës time të këndimit Caroline Merz pa të cilën nuk do posedoja teknikën e këndimit që posedoj sot dhe patjetër bashkëshortit tim Ardianit me të cilin kemi thurur ëndrrat që po realizojmë sot që nga shkolla e mesme. 

KultPlus: Zëri juaj po rrugëton suksesshëm në vende të ndryshme, por në cilin teatër botëror ëndërroni të interpretoni një ditë?

Elbenita Kajtazi: Unë kam shumë ëndrra që uroj t’i realizoj në një afat jo shumë të gjatë, unë tashmë kam interpretuar në teatro të ndryshme nëpër botë, dhe kontratat me teatro të ndryshme veçse janë nënshkruar, por ëndrra ime më e madhe është që një ditë të këndoj në një teatër operistike në Kosovën time të dashur, uroj të mos mbaroj karrierën time pa shkelur këmba ime në një teatër në Prishtinë për të cilin do jem krenare dhe do lë zemrën time aty. 

KultPlus: Me cilin artistë botërorë do të doje ta ndaje skenën të paktën njëherë?

Elbenita Kajtazi: Unë tashmë kam ndarë skenën me emra botëror si Placido Domingo, Rolando Villazon, Anja Herteros e shumë shumë të tjerë, dirigjent si Zubin Mehta, Kent Nagano, Donald Runicals por ëndrra ime është që një ditë ta ndaj skenën me motrën time Ermonela Jaho, sepse është  dhe do mbetet krenari kombëtare. 

KultPlus: Çfarë është duke bërë Elbenita kohëve të fundit dhe ju është ofruar ndonjë rol që do ta ndaje ekskluzivisht me lexuesit tanë?

Elbenita Kajtazi: Unë për momentin jam shumë e zënë me studimin e operës Manon, konkretisht rolin Manon nga opera e Massenet, gjithashtu rolin Mimi nga opera La Bohen si dhe Dona Anna nga opera Don Giovanni , jam me prova aktive në Staatsoper Hamburg dhe kontrata të tjera do publikoj atëherë kur edhe teatrot do i publikojnë sepse nuk kam drejtë më herët. Ajo që më duhet të veçoj patjetër është pjesëmarrja ime në festivalin më të madh botërorë këtë verë Salzburger festspiele në Austri, dhe përgatitjet natyrisht nuk janë të lehta po mezi pres të ngjitem prapë në skenën ku edhe Mozart para qindra viteve ka interpretuar. 

KultPlus: Para pak ditësh ju keni ndarë me publikun një rrëfim personal tejet inspirues. Dikur ju shisnit qumësht në lagje, sot një soprano me famë ndërkombëtare, cili është mesazhi juaj për të rinjtë që sot janë në një pozitë të tillë që ndoshta suksesin e shohin larg e ndoshta të pamundshëm?

Elbenita Kajtazi: Unë ju them që më besoni asnjë sukses nuk është i pamundshëm nëse punoni fort e nuk zhgënjeheni por besoni shumë në vetvete, asgjë nuk është e lehtë në jetë por gjithashtu asgjë nuk është a paarritshme prandaj mos harroni që puna dhe vetëm puna e përkushtimi të drejtojnë drejtë një rrugëtimi të pastër dhe plot sukses. 

KultPlus: Si do ta përshkruaje vitin që po e lëmë pas?

Elbenita Kajtazi: Viti që po e lëmë pas nuk ka qenë aspak i lehtë për secilin. Vit i çuditshëm dhe me të vërtetë një sfidë e madhe për të gjithë njerëzimin. Vit që nuk do të harrohet asnjëherë por uroj që të kaloj sa më shpejtë. Pa marrë parasysh sfidës së madhe mendoj që kjo pandemi ka afruar njerëzit më shumë me njëri-tjetrin, ka bërë të kuptohet që në këtë jetë nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa shëndeti dhe dashuria e kujdesi në familje. Unë cilësoj familjen si gjënë më të shenjtë në botë dhe uroj ta kenë shëndetin e mos të përjetojmë dhimbje që shumë familje kanë përjetuar duke humbur më të dashurit e tyre. Për sa i përket karrierës unë e cilësoj si një vit përkundër rrethanave mjaft të suksesshëm dhe të paharrueshëm. / KultPlus.com

Arian Mavriqi, fotografi që bukuritë e botën së egër në Kosovë po ja shpalos edhe botës

Jeta Zymberi

Publiku çdo herë e më shumë kërkon imazhe nga natyra, andaj dokumentimi i formave të ndryshme të jetës së egër po bëhet gjithnjë e më tërheqës.

Në Kosovë dokumentimi i botës së egër është i vonshëm. Por me zhvillimin e teknologjisë dhe me vullnetin e disa fotografëve sot kemi fotografi mbresëlënëse e që nuk janë parë më herët. Këto pamje po vihen edhe para syve të botës duke e bërë kështu vendin tonë sa më tërheqës për turizëm.

Arian Mavriqi është një ndër fotografët e botës së egër në Kosovë që kujdeset të jetë gjithmonë në vendin dhe kohën e duhur e me punën e tij të arrijë të informojë publikun me shumë të panjohura nga kjo botë.

Si fëmijë ai kishte pasion të hulumtonte në natyrë, por ndoshta asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja që një ditë do të ketë mundësi që gjithë ato pamje eksploruese do t’i dokumentonte. Madje, do t’i dukej e pamundur t’i thoje që një ditë fotografia e tij do të komentohej nga gjigandi botërorë Microsoft e të cilin Mavriqi e vlerëson si një sukses kombëtar.

Në një intervistë të veçantë për KultPlus, Mavriqi na flet për pasionin e tij, vështirësitë e të fotografuarit gjallesat, sfidat e kënaqësitë gjatë procesit të punës që shpesh është tejet sfidues. Zbulon speciet që kanë arritur t’i fotografojnë e që nuk kanë ekzistuar as në të dhënat shtetërore. Ai ndër të tjera tregon se si ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve dhe sa kanë arritur të ngritin vetëdijen e popullit përmes fotografisë.

Arian Mavriqi

KultPlus: Fillimisht na trego sa kohë keni që i jeni përkushtuar artit të fotografisë më seriozisht, si erdhi inspirimi?

Arian Mavriqi: Që nga viti 2012 jam aktivë në fotografi, dhe inspirimi më erdhi pasi që si fëmijë kam pasur shumë dëshirë të hulumtoj në natyrë, por në atë kohë (para luftës) nuk kisha mundësi të fotografoja apo dokumentoja atë që na rrethonte me fotografi, ajo që bëja ishte vetëm ti shikoja pjesëtarët e faunës, shpezët dhe kafshët por edhe natyrën dhe të kënaqesha duke vrojtuar thuajse gjithë atë që na rrethonte.

KultPlus: Jeni ndër fotografët dhe eksploruesit më të njohur të natyrës dhe faunës në Kosovë, na fol pak për këtë pjesë, si është të jesh fotograf i kësaj fushe?

Arian Mavriqi: Është e veçantë të jesh fotograf i botës së egër, njëherë edhe satisfaksion, pasi që ky lloj i fotografisë është edhe më i vështiri për tu realizuar sepse ka të bëjë me krijesa që nuk e kuptojnë gjuhën e njeriut, mandej duhet të jemi në teren thuajse gjithë kohën që t’i gjejmë ato për t’i fotografuar, nganjëherë edhe në borë e shi, por që vullneti i tejkalon të gjitha vështirësitë.

KultPlus: Sa është e vështirë deri të sjellja e një fotografie të tillë (nga fauna), besoj ju ka ndodhur të prisni me orë apo ditë për një shkrepje të tillë?

Arian Mavriqi: Po, kemi pritur me orë, por edhe me ditë, këtu doja ta veçojë xhirimin e skyfterit Accipete gentilis (Gjeraqina e shkurtes) për të cilën kemi qëndruar deri në tri ditë në të njëjtin vend deri sa ja arritëm qëllimit për të marrë një xhirim që ishte i pari i tillë i realizuar në shqiptari.

KultPlus: A keni arritur të identifikoni ndonjë specie të re në Kosovë, për të cilën nuk keni qenë të informuar më herët?

Arian Mavriqi: Si rezultat i punës sonë, kemi arritur t’i fotografojmë disa specie të reja, ndër to Shqiponja peshkngrënëse (Pandion haliateus) dhe Kojlikun e zi të cilat as nuk gjenden në të dhënat shtetërore, por kemi fotografuar edhe shumë specie tjera që janë në të dhënat shtetërore por nuk kanë qenë asnjëherë të dokumentuara me fotografi.

KultPlus: Sa mendoni që keni arritur që përmes fotografive nga bota e egër të ngritni vetëdijen e qytetarëve për ruajtjen e tyre?

Arian Mavriqi: Jemi të kënaqur me ngritjen e vetëdijes nga ana e qytetarëve tanë, dhe se çdo ditë e më shumë ata po inspirohen edhe nga fotografitë e xhirimet tona, dhe thuajse tashmë ata janë pjesë e jona dhe na ndihmojnë shumë edhe në gjetjen e tyre dhe na japin informacione.

KultPlus: Nga gjitha shkrepjet që keni realizuar, cilën do ta veçoje?

Arian Mavriqi: Do ta veçoja Kaprollin me zogun Trishtili i madh në shpindet e tij që e kam realizuar në Blinajë. Mandej Shqiponjën Osprey si dhe një zog që është i përmendur edhe në Kuran e që quhet Pupëza apo Upupa epops.

KultPlus: Një moment i veçantë për karrierën tuaj besoj ishte edhe komentimi që gjigandi Microsoft i bëri fotografisë tuaj të realizuar në Kamenicë e cila ngjasonte shumë më atë të Ëindosës XP, si është të vlerësohesh nga Microsoft dhe na fol pak për emocionin që të fali suksesi i kësaj fotografie?

Arian Mavriqi: Komenti i gjigandit Microsoft ka qenë deri më tani kulmi në karrierën time pasi që është Kompania më e madhe në botë, dhe ajo nuk është se ishte sukses vetëm i imi, por edhe sukses kombëtar, pasi që ata interesohen më shumë për ne dhe lokacionin e shkrepjes gjithsesi, mandej emocionet kanë qenë nga më të mirat për mua deri më tani dhe sikur të kisha mundësi do ta përsëritja çdo ditë, është thjeshtë satisfaksion të vlerësohesh nga një gjigand si Microsoft.

KultPlus: A mendon që kjo fotografi të dha një vëmendje më të madhe te publiku dhe puna jote filloi të shpërndahet dukshëm më shumë?

Arian Mavriqi: Po, më ka ndihmuar shumë në karrierën time, vëmendja dhe shpërndarja e asaj foto më ka bërë të ndihem krenar me punën time, dhe më dha një vullnet shumë të fortë për të vazhduar akoma më fuqishëm në të ardhmen, sepse nëse punon gjithmonë edhe do shpërblehesh.

KultPlus: Duke qenë se ju vini nga Kamenica, gjithashtu një prej vendeve që ju eksploroni më së shumti, a mendoni që keni arritur tashmë të nxirrni në pah bukuritë natyrore të këtij vendi dhe faunën e pasur që ka, apo keni ende për të na treguar?

Arian Mavriqi: Po, unë jam nga Kamenica, dhe jetoj këtu, njëherit edhe fotot që kam sjellë e kanë bërë qytetin ku jetoj të njihet thuajse në gjithë shqiptarinë sepse njerëzit kishin shumë pak informacione për këtë vend, por akoma kam shumë për të bërë për Kamenicën dhe shqiptarinë në përgjithësi, janë shumë specie tjera që na presin ti fotografojmë dhe t’i dokumentojmë në të ardhmen.

KultPlus: Fëmijët janë ata që gjithashtu zënë shpesh vend në fokusin tënd, ju fal emocion e inspirim pafajësia e tyre?

Arian Mavriqi: Fëmijët janë aq të pafajshëm dhe natyraliteti i tyre na bënë që t’i fokusojmë sepse fotografitë me fëmijë janë emocion në vete dhe gjithmonë dërgojnë mesazhe pozitive në opinion dhe padyshim se vlerësohet shumë më lart edhe në publik, sidomos fotografitë që tregojnë traditat tona dhe fotografitë me kafshë.

KultPlus: Shumë nga bukuritë natyrore të Kosovës kanë dal në pah falë shkrepjeve tuaja, sa ndiheni i përmbushur si fotograf?

Arian Mavriqi: Kemi sjellur shumë fotografi të bukurive natyrore, por ne asnjëherë nuk kënaqemi me vetveten, por gjithmonë jemi në kërkim të ekskluziviteteve të reja dhe se fotografia është një burim shpirtëror i pashtershëm edhe njeriu gjatë gjithë jetës ka çka të ofrojnë në lëmin e fotografisë, sepse vijnë situata të reja, vende të paeksploruara, specie të pazbuluara, njerëz të rinjë pranë fokusit tonë, pra me një fjalë bota nuk ndalet dhe me të nuk ndalemi as ne.

KultPlus: Si e vlerësoni artin e fotografisë në Kosovë, çmohet sa duhet?

Arian Mavriqi: Arti i fotografisë për fat të keq nuk çmohet aq sa duhet, por jemi në rrugën e duhur që të ngrisim vetëdijen dhe të respektohet në nivelin më të mirë të mundshëm pasi që është një pjesë e artit dhe ka një vlerë të jashtëzakonshme.

KultPlus: Duke pas parasysh që e drejta e autorit te ne në Kosovë nuk respektohet sa duhet, hasni në probleme të tilla shpesh?

Arian Mavriqi: Sa i përket të drejtës autoriale kemi shumë shpesh raste të tilla kur merren fotot tona dhe nuk ceket emri i autorit dhe për fat të keq kemi një ligj që nuk zbatohet thuajse fare hiq, prandaj edhe ata që marrin foto të tilla pa e respektuar të drejtën autoriale do të vazhdojnë kështu deri sa të fillon të zbatohet ligji edhe të binden që një shkelje e tillë dënohet shumë rëndë.

KultPlus: Keni menduar hapjen e ndonjë ekspozite së shpejti?

Arian Mavriqi: Po, shumë shpejt do të hapë një ekspozitë personale me disa nga fotot e mia të faunës dhe natyrës të shkrepura në Kosovë e Shqipëri, por jam duke menduar të bëjë diçka të veçantë dhe besoj që kësaj radhe ekspozita do të mbahet diku në Prishtinë, dhe dua që të jetë një prezantim edhe në nivel kombëtar, pra të kemi të ftuar dhe mysafir nga gjitha trojet shqiptare.

KultPlus: A mendon që ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve në vendin tonë?

Arian Mavriqi: Fotot ndikojnë shumë në tërheqjen e turistëve të huaj sidomos në Kosovë, pasi që në vende të ndryshme ne akoma kemi një “hije të zezë”, dhe se ata kanë nevojë për më shumë informacione për vendin tonë, sidomos fotografi të bukurive të Kosovës, faunës, traditave tona, arkeologjisë që e kemi gjithandej e që zbulon shumë për historinë tonë, si dhe qyteteve tona që njihen për ruajtjen e pjesës arkeologjike dhe historike.

KultPlus: Si e komentoni shprehjen “Fotografia vlen sa një mijë fjalë”?

Arian Mavriqi: Shprehjen “Fotografia vlen sa 1000 fjalë” do ta komentoja me fotografinë time ku zogu qëndron i qetë në shpinën e kaprollit, mandej kur një qengj qëndron në krahët e një plaku i qetë dhe me shumë dashuri, apo me fotografinë time që ishte zgjedhur për tu pikturuar në Muralin e Kamenicës si dhe me qindra foto me kafshë që i kam realizuar djalin tim Amalit, pra nëse i shikon ato fotografi secila në vete i ka nga 1000 fjalë, prandaj edhe fotografia nuk komentohet shumë, ajo flet vetë. / KultPlus.com

Përfundon trajnimi i gazetarëve mbi të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Gazetare: Suada Qorraj

Fotografitë: Nok Selmani

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery gjatë ditës së sotme ka përfunduar trajnimi për gazetarët mbi të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Në ditën e fundit të këtij trajnimi pjesëmarrësve ju është caktuar nga një temë nëpërmjet së cilës synohet rritja e të drejtave dhe vetëdijesimi mbi këto komunitete, shkruan KultPlus.

Koordinatorja e këtij projekti Kendiza Lala tha se qëllimi i këtij projekti ka qenë që të rritet numri i raportimeve të sakta për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. Ajo ka shtuar se njëlloj si kanë ndikuar për të mirë artikujt e publikuar nga ana e këtij projekti, të kenë po të njëjtin ndikim edhe artikujt që do të publikohen si rezultat i këtij trajnimi dy ditor.

“Qëllimi i projektit ka qenë që të ngrisë numrin e raportimeve të sakta për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. Përveç artikujve që janë publikuar deri më sot dhe kanë pasur efektin ndihmues tek komunitet e njëjta gjë pritet edhe nga ana e gazetarëve pjesëmarrës. Kjo sepse, siç tham qëllimi i këtij projekti është të shmang stigmatizimin dhe të sjell modelet që qëndrojnë në komunitete”, tha ndër të tjera Lala.

Kurse për trajnerin kryesor të këtyre ditëve, Imer Mushkolaj përzgjedhja dhe ndarja e temave që është bërë në ditën e fundit do të sjellë një pasqyrë ndryshe prej asaj se çka kemi parë deri më sot në media kur raportohet për komunitete. Sipas tij pas publikimit t ë këtyre temave njerëzit do të kenë mundësinë që të vërtetojnë se kanë pasur paragjykime të gabuara.

“Me temat që janë propozuar në ditën e dytë të trajnimit besoj që gazetarët kanë materiale që me i trajtu këto tema. Jam shumë i lumtur që këto tema janë jashtë ose ndryshe prej asaj që jemi mësuar të dëgjojmë, të shohim apo lexojmë për një komunitet. Shpresoj që kur të publikohen si storie njerëzit kanë me pas  mundësi me lexu  diçka që ndoshta nuk e kanë menduar që ekziston si e tillë në kuptimin e rrëfimeve prej pjesëtareve të këtyre komuniteteve që nuk na japin vetëm anën e diskriminimit, anën e vështirë të jetës sociale dhe ekonomike, anën e pamundësisë për shkollim ose punësim, por na japin disa modele pozitive se si pjesëtaret e këtyre komuniteteve nuk  dallojnë aspak me mënyrën e funksionimit, në mënyrën e arritjeve që i kanë bo prej komuniteteve tjera respektivisht prej komunitetit shumicë në këtë rast”, theksoi ai.

Ndërkaq për pjesëmarrësen dhe njëkohësisht gazetaren Natyra Rushiti ky trajnim ka qenë një nismë për të larguar vëmendjen mediale nga konotacioni negativ për komunitetet. Sipas saj këto dy ditë kanë qenë mjaft të dobishme karshi kujdesit në raportimin për komunitetet.

“Trajnimi ka qenë një nismë e mirë për të larguar nga vëmendja mediale konotacionin negativ për komunitetet. Kësisoj trajnimi ishte i dobishëm në forcimin e bindjeve për ti kushtuar më shumë vëmendje raportimit për romët, ashkalitë e egjiptianët e për të shmangur “shprehitë” shabllone karshi tyre. Pra besoj se ka shkuar në vend edhe ideja e synimi i këtij trajnimi që të shfaqen më shumë shembuj të mirë (që janë shumë) për këto komunitete, të rritet hapësira në media që trajtojnë raste më këto komuniteteve e të largohet paragjykimi për ta (krijuar disa herë edhe nga vetë mediat). Pra që të kenë një trajtim të barabartë secili anëtar i komuniteteve. E ky mesazh që besoj do vërehet dukshëm në praktikë u përcoll gjatë këtyre ditëve”, ka thënë ajo.

Tutje Rushiti ka shtuar se komunitetet në Kosovë nuk kanë një përfaqësim të denjë në media, mirëpo sipas saj gishti nuk duhet drejtuar çdo herë tek gazetarët ngase edukimi për të larguar paragjykimet duhet të filloj që nga familja e të vazhdoj deri tek institucionet arsimore.

‘Komunitetet në Kosovë nuk kanë një përfaqësim të denjë nëpër media. Imazhi i romëve, ashkalive, egjiptianëve është i shfaqur pothuajse në një kornizë të njëjtë gjithmonë. Si jo rrallëherë anëtarët e tyre stigmatizohen e paraqiten si viktima ose si objekt tallje në sytë e lexuesit, shikuesit e dëgjuesit. Por jo gjithherë gishti për këtë duhet drejtuar nga gazetarët, një edukim për ta larguar paragjykimin duhet të nis nga familja për të vazhduar tek institucionet arsimore më pastaj. Megjithatë në këtë mes mediat luajnë rol shumë të rëndësishëm për të edukuar masën e për të raportuar pa ofenduar”, ka përfunduar ajo.

Kurse pjesëmarrësi tjetër, Sejdi Gashi tha se ky trajnim ka qenë mjaft i dobishëm edhe për gazetarët që kanë përvojë të gjatë pune, ngase janë mësuar shumë praktika të reja.

“Trajnimi që u organizua gjatë këtyre ditëve është shumë i dobishëm për ne pjesëmarrësit, ndonëse disa prej nesh jemi me punë disa vjeçare në media, parp u thanë shumë gjëra, praktika të mira të reja, për mua ishte shumë dobiprurëse me përfitim”, potencoi ai.

Ky trajnim është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ e që është implemetuar nga KultPlus dhe YIHR./ KultPlus.com

Thirrje për gazetarë

KultPlus fton gazetarët e medieve të ndryshme në Kosovë, që të aplikojnë në thirrjen për trajnimin e gazetarëve mbi të drejtat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, trajnim që ka për qëllim rritjen e të drejtave mbi këto komunitete.

Në këtë thirrje do të pranohen dhjetë gazetarë, të cilët pas trajnimit dy ditorë, do të realizojnë nga një artikull për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.

Gazetarët pjesëmarrës do të kenë mëditje për këtë trajnim, ndërkohë trajnimi do të realizohet nga një gazetar profesionist.

Aplikimi për këtë thirrje mund të bëhet në [email protected], afati është i hapur deri më 30 tetor.

Ky trajnim është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ./ KultPlus.com

Me një forcë të jashtëzakonshme, gratë rrëfyen për ballafaqimin me kancerin e gjirit

Suada Qorraj

“Vajza e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, tregonte Lindita Rugova me lot në sy e me zërin që i dridhej teksa rrëfente përvojën e saj me kancerin e gjirit. Tregimi i saj përloti gjithsecilin, madje edhe bashkëfolësen e saj, Nafie Latifin, që ndonëse kishte fituar të njëjtën betejë, emocionet si ndalte dot.

Ambienti ku përherë kishte mirëpritur figura e rrëfime që përçonin emocione, mbrëmë kishte marrë hijen e forcës e kurajos, ngase përballë publikut kishte dy gra, beteja e të cilave sot është sinonim i luftimit të kancerit të gjirit, shkruan KultPlus.

Edhe pse e shtyrë në moshë, Nafie Latifi kishte mbledhur forcat që të jetësonte edhe një herë rrugëtimin e betejën e saj me kancerin e gjirit. Ishte viti 2004 atëherë kur 24 orët e saj që i kushtoheshin dashurisë së madhe që kishte për profesioni, morën një kahje tjetër.

“Unë jam ataku me këtë sëmundje në vitin 2004, në kohën kur isha në kulmin e karrierës time. Editore e një reviste dhe me punë për rrogë te një revistë tjetër, realisht një punë 24 orëshe me shumë pasion. Nuk i kam kushtuar shume rëndësi shëndetit, s’ju kam vu veshin problemeve që i kam pasur dhe përnjëherë kam vërejtur një ndryshim në gjirin tim. Ka qenë një shok, ka qenë tmerr”, filloi kështu rrëfimin e saj Latifi.

Nafie Latifi tregoi se si për diagnozën e sëmundjen e saj lajmi u kumtohej të tjerëve, përpara se të arrinte tek ajo.

“Për diagnostifikim ka qenë aq vështirë sa është dashtë me shku prej një klinike në klinikën tjetër private dhe ende pa dalë nga aty, pa i marrë diagnozat e sakta, është marr vesh që Nafia ka kancer. Por, për mua nuk ishte me rëndësi sepse doja vetëm të gjeja një zgjidhje”, tha ajo.

Për Nafien trajtimi i sëmundjes vazhdoi rrugëtimin jashtë kufijve të Kosovës, e me një mbështetje të pakufizuar të familjes. Por, ishte pikërisht mbështetja, forca e kushtet që shtynë atë që të themelonte një shoqatë, qëllimi i së cilës ishte të ndihmonte gratë në luftimin por edhe marrjen e njohurive për kancerin e gjirit.

“Kur u ktheva në Kosovë pas trajtimit të sëmundjes mendova se çka bëjnë të tjerat që nuk e kanë përkrahjen e familjes dhe mjetet financiare të cilat unë i kisha dhe i pagova për jetën time. Prandaj konstatova se hapja e një shoqata është mënyra më e volitshme për të bërë diçka kundrejt kësaj çështje, dhe kështu në vitin 2008 pas përfundimit të proceseve administrative shoqata u hap”, vazhdoi tutje Latifi.

Ajo tregoi tutje se aktiviteti i parë i kësaj shoqate ishte bërë për ditën e gruas, më 8 Mars, festë të cilën ajo e ka menduar çdo herë si diskriminim total. Sipas saj aktiviteti i parë u shënua me shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe nënshkrimin e një peticioni që më pas ju dorëzua ministrit të shëndetësisë të asaj kohe.

Ndonëse ishte një rrugë mjaft e gjatë edhe e mundimshme, kërkesat që shoqata e Nafie Latifit kishte bërë, disa prej tyre tashmë janë realizuar, pasi që nga viti 2008 e deri më sot instituti onkologjik dhe autoambulanca mobile e mamografisë tashmë janë funksionalizuar.

Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, ishte vetëm 36 vjeçe kur u diagnostifikua me kancerin e gjirit. Ajo rrëfente se si mjeku përpiqej të gjente një lidhje gjenetike të kësaj sëmundje, ngase për të ishte e pakuptimit, një grua si Lindita Rugova, që deri atëherë kishte gëzuar një shëndet të plotë, të prekej nga kjo sëmundje.

Ishte dhjetori i vitit 2011 kur Lindita u ballafaqua me këtë sëmundje, dhe pikërisht koha kur ajo ishte e ngarkuar me punët dhe përgjegjësitë e saja në fakultet.

“Në dhjetor bëhen 9 vite, më 15 dhjetor u diagnostifikova kurse më 9 dhjetor preka gjëndrën me duart e mija. Isha në trajnim së bashku me kolege dhe rastësisht preka një gjëndrën në gjirin tim të majtë. Kështu që brenda një jave caktova termin te mjeku”, tregonte ajo.

Për Rugovën s’kishte kaluar një kohë e gjatë prej se kishte lindur vajzën e saj të vogël dhe ishte pikërisht ditëlindja e nënës së saj, koha kur ajo u operua.

“Unë isha vetëm 36 vjeçe dhe sapo kisha lindur vajzën prandaj dhe mendoja se isha shumë e re për kontrolle të tilla. Por, ja që ndodhi, brenda ditës më bënë mamografinë dhe aty u binda që unë isha e sëmurë sepse deri në atë kohë më mbante shpresa. Katër ditë më pas e caktuam operacionin dhe më 20 dhjetor, në ditëlindjen e nënës sime u operova dhe ma hoqën gjirin e majtë”, deklaroi Lindita Rugova.

Dekania e Fakultetit Filologjik tregoi se përgjatë kohës sa ishte e sëmurë nuk e kishte ndalur asnjëherë punën dhe përkushtimin që kishte ndaj saj.

Ndonëse rrëfimin e filloi me një forcë të jashtëzakonshme, lotët e përshkuan fytyrën e saj kur filloi të rrëfente për kohën kur ajo humbi flokët e saja, me të cilat çdo herë ishte krenuar shumë.

“Pasi fillova të merrja kimioterapinë unë i hoqa flokët sepse filluan të më binin. E vetmja gjë që më dhimbsen kanë qenë flokët sepse krenohesha me to shumë. Më pas kam përjetuar një periudhë dramatike sepse vajza ime e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, me zërin që i dridhej vazhdoi rrëfimin e saj Rugova.

Ajo tregon se nënës së saj i kishte treguar dy muaj pasi kishte mësuar për sëmundjen e saj. Por, për të kishte qenë e nevojshme që këtë ta ndante me vjehrrën dhe djalin e saj, asokohe njëmbëdhjetë vjeçar.

Lindita Rugova tha se nuk po qante nga mërzia, por sepse në raste të tilla është mirë të qahet, e të nxjerrësh jashtë atë që ke brenda.

“Nuk do të doja, nuk po qaj nga mërzia, po qaj për arsye se dua t’ju them edhe grave të tjera se në momente të tilla është mirë të qahet, është mirë ta nxirrni jashtë atë që e keni brenda, mos e mbani, mos e mërzisni veten sepse i bëni vetes keq më shumë”, tha ajo.

Për Rugovën dhjetori i 2011 nuk do ishte hera e parë që do hynte në një sallë operacioni. Dy vite pas, ajo gjendej prapë dyerve të spitalit, ngase rrezikonte një rikthim të mundshëm tumori. Por, pas kësaj periudhe jeta për Linditën filloi ti kthehej normalitetit të mëparshëm.

Rugova tregon edhe për kohën kur ajo duhej të shkonte në spital dhe të merrte kimioterapinë. Sipas saj tre orët që kalonte brenda atyre mureve i mjaftonin që të njoftohej me historitë e grave të tjera, të merrnin forcë nga njëra tjetra e ti ndihmonin njëra tjetrës.

E pikërisht për këto mure të spitalit, vendit ku mjekët trajtonin pacientët e sëmurë me kancerin e gjirit, Nafie Latifi thotë se puna ndonëse e thjeshtë dhe ndonjëherë edhe pa mjetet e duhura është bërë me zemër.

“Unë nuk e di se a janë të vetëdijshëm mjekët për rrezikun, fillimisht kur është hapur instituti ata nuk kanë pasur komora mbrojtëse për tretjen e ilaçit, ilaçe këto që sulmojnë edhe qelizat e thjeshta. Mjekët kanë punuar thjeshtë me maska e doreza, por kanë punuar me zemër”, pohoi Latifi.

Krejt në fund ajo shtoi se këtë vit nuk do të mbahet ecja në sheshin e Prishtinës, por këtë herë do të bëhet vendosja e shiritave rozë në 90 pemët që gjenden aty.

“Viteve tjera kemi pas ecjen, sivjet nuk do ta mbajmë për shkak të situatës, por do ta bëjmë një aktivitet tjetër simbolik. I kemi siguruar disa shalle dhe do t’i vendosim në të gjithë bulevardin e Prishtinës dhe t’i thërrasim njerëzit përgjegjës që ta zgjedhin drurin e tyre dhe ta lënë premtimin aty”, përfundoi kështu tregimin e saj Nafie Latifi. / KultPlus.com

KultPlus- Konkurs për gazetarë

Gazeta online për art dhe kulturë KultPlus, shpall konkurs për gazetarë.

Inkurajohen të aplikojnë të gjithë ata që kanë studiuar ose studiojnë gazetari, letërsi, dhe njohës të fushës së kulturës.

CV-të mund t’i dërgoni deri më 30 qershor në [email protected]

Vetëm kandidatët e përzgjedhur në rrethin e ngushtë do të kontaktohen për intervistë./KultPlus.com

Rrugët e erotizuara të Tafës

Recension nga Kreshnike Bruqi

Lulzim Tafa, në vëllimin e tij poetik “Flirt”, shpreh kredon e tij krijuese duke e shpalosur nëpër poezi erotizmin shpirtëror dhe duke e vënë në  pah  një pjesë të personalitetit të tij.

Poezitë e Tafës janë poezi të pasura me një konglomerat figuracionesh si dhe të ndërtuara përmes një “horizonti” imagjinativ. Gjuha me të cilën realizohen këto poezi  tregon lirinë e poetit që e ka në lirikë gjë e cila i mundëson lexuesit që poezisë së tij t’i jap interpretime të ndryshme pa e kufizuar. Një gjë të tillë e mundëson mungesa e pikësimit në fund të vargjeve. Poezitë e Tafës nuk janë të ndërtuara me një ritëm të njëtrajtshëm ato përbëhen nga forma e lirë, gjë që mundëson leximin e tyre vetëm me një frymë.

Semiosi është i vendosur që në titull, vetë titulli “Flirt” shpjegon atë erotizmin që do ta trajtoi poeti në vazhdimësi të veprës.

Sipas studiuesit Sali Bashota, “Poezia e Lulzim Tafës është një monolog i shkathtë që e ka rrjedhën dhe intensitetin e vet, i funksionalizuar me ngarkesë të veçantë ideoemocionale, madje monolog që, gjithashtu, e ka formën, bukurinë dhe qëllimin e vet, i cili e kërkon dialogun e tjetrit”.

Libri poetik “Flirt” ndërtohet nga pesë cikle, secili cikël përbrenda vetës mbanë veçantinë e vet dhe vë në pah shpirtin krijues të Tafës.

Në ciklin e parë “Dashuria”, me vargjet Kam rrëshqitë/ N’dashni si në akull “Akull e Dashni”, Më ke ndezë/ si zjarr/ dhe po ngrohesh me mua “Piromane”, Mos u dashuro kurrë/ N ‘hanë “Mos thuaj s’e kam ditë” Puthjet e thella me të vdekur “Dashni me Zjarrin”, paraqesin dashurinë si ndjenjën të fuqishme dhe të jashtëzakonshme që ka përbrenda vetës poeti. Vajza e barasvlfshme me hënën, vajza që ngrohë si zjarrë, vajza që helmon si gjarpër bëhen lajtmotiv i Tafës.

Cikli i dytë “Flirt” shpreh shpirtin e erotizuar të poetit, shpreh vullkanin shpirtëror të tij zjarri i të cilit gufon në vargjet: Si gjuhë gjarpri/ Gjuhë e saj/ Çau buzët e mia “Ashensori”, (Po vij, mos u laj) “Kushti”, Njerëzit kanë të drejtë për orgazmë/ Njerëzit kanë të drejtë për paqe “E drejta për orgazmë”.

Lulzim Tafa, pas trajtimit të dashurisë dhe erotizmit, në ciklin e tretë kalon në temë universale, në temën e luftës. Ky cikël ndërtohet përmes figurës së ironisë dhe përshkohet kryesisht nga vuajtje e lot, nga dhimbje e dhembje, nga vdekje e terror. Kjo mund të vërehet në vargjet e poezisë  “Letër Bujar Tafës”:

 …

“Një gruaje shtatzënë i rashë grusht n ‘bark

Ia poshtova fëmijën

Një të dyshuar për spiun sapo e mbyta dru

Djalin e mitur ia vrava plumb…

Cikli i katërt “Letra”, fillon me poezinë “Vetëm ora jote ecë” kushtuar Jeton Kelmendit. Në këtë cikël vihet në pah absurditeti i poetit, vetë mënyra e emërtimmit të poezive parqet imagjinatën të kaluar në absurditet, kjo mund të shfaqet dukshem në poezitë “Bisedë me gurë”, “Bisedë me diellin”, “Bisedë me detin”, “Bisedë me qiellin”, “Bisedë me drunj”, figurat si dielli, qielli, gurët, drunjët, deti paraqesin fuqinë e shprehjes së poetit, të ndërtuar përmes një mjeshtrie unike.

Në ciklin e pestë “Dhimbje”, ndërthuret vdekja e ftohtësia, dhimbja e religjioni të cilat paraqiten me një figuracion të pasur dhe me plot sensibilitet. E veçantë në këtë cikël është poezia “Në Varreza” në të cilën poeti duke ironizuar i bën bashkë dy religjionet atë të krishterë dhe atë islam: Selam alejkum/Qoftë livdue Jezu Krishti.

Lulzim Tafa, në poezitë e tij paraqet universin e tij krijues përmes figurave kozmogonike hëna e dielli, figurën e hënës e kemi hasur shumë shpesh te letërsia popullore ku hëna identifikohet me vajzën, e për Tafën vajza është ndriçim i shpirtit. Përveç figurave kozmogonike Tafa përdor edhe figurat si deti, qielli, oqeani të cilat mund t’i cilësojmë si figura të përhumbjes, në këtë rast Tafa duket që është i përhumbur brenda poezisë, i zhytur përbrenda vargut. Figurat e paradoksit zjarri e akulli të përdorura nga Tafa, herë e ndezin e herë e shuajnë poezinë e tij. Ai në poezinë “Piromane” thotë:

“Më ke ndezë

 si zjarr

dhe po ngrohesh me mua”

Ndërsa te poezia “Akull e Dashni” thotë:

“Kam rrëshqitë

N’dashni si në akull

Apo kam rrëshqitë

Në akull

Si n’dashni.”

Poezia për poetin Tafa zë një vend të rëndësishëm kjo vërehet dukshëm në poezinë “Akull e Dashni”, Tafa bën be në krye të vargut duke e cilësuar atë si diçka të shenjtë. Në vëllimin poetik të Tafës vërehet dukshëm se sensibiliteti i mbizotron mendjes, poezitë e tij më shumë udhëhiqen nga mendja emocionale sesa ajo racionale, poeti nuk mund t‘i vë fre emocioneve epshore duke i dhënë kështu frymë e jetë poezisë.

Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. /KultPlus.com

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Një tragjedi amerikane’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë romanin në dy vëllime “Një tragjedi amerikane”, me autor shkrimtarin amerikan Teodor Drajzer. Ky është romani më i njohur i tij.

Teodor Drajzer ka qenë shkrimtar dhe gazetar amerikan, i cili i përkiste shkollës natyraliste, shkollë kjo që i dha letërsisë amerikane fytyrë moderniste.

Drajzeri është renditur në mesin e 100 shkrimtarëve më të shquar të shekullit XX, i cili pati ndikim të madh me letërsinë e tij. Romani i tij “Një tragjedi amerikane” u përkthye kohë më parë, ndërsa duke parë interesimin e lexuesve, përkthyesit vendosën që ta përkthejnë në shqip një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij. I pari që e përktheu në shqip ishte Bujar Doko, në vitin 1957.

Por, ç’e bën të veçantë pendën e këtij shkrimtari?

Drajzeri arrin ta skanoi jetën dhe mentalitetin amerikan me përmasat e saj sociale dhe morale. Në vitin 1925, ai botoi vëllimin e parë të romanit “Një tragjedi amerikane”, që është i bazuar në një histori vrasjeje. Me këtë libër, ai arriti të ketë sukses të madh brenda dhe jashtë tokës amerikane.

“Një tragjedi amerikane” kritikon sistemin ligjor amerikan që ishte kthyer në model për reformat sociale në SHBA.

Kur ndodhi Depresioni i Madh në SHBA, Drajzeri përfundoi edhe vëllimin e dytë, te i cili shquhet forcimi i angazhimit të tij social për modelin që po prodhonte kapitalizmi në Amerikë.

Romani “Një tragjedi amerikane” rrëfen historinë e korrupsionit dhe të shkatërrimit të njeriut, krye personazhit Clyde Griffiths, i cili humb shpirtin dhe gjithçka tjetër derisa është në kërkim dëshpërues të suksesit. Ai dëshiron medoemos të jetë njeri i rëndësishëm dhe i suksesshëm. Për ta arritur këtë i hynë një rruge qorre që në fund e sjellë kapitullimin e tij.

Në nivel tjetër, më të thellë, romani paraqet portretin e vlerave të shoqërisë amerikane. Ambiciet e mëdha të Clyde-it janë ato që në fund e nënshkruajnë fatin e tij kur dënohet me vdekje në karrigen elektrike, pasi që kishte kryer vrasjen e Robertës, vajzës të cilën ky e kishte lënë shtatzënë por që tani e braktiste meqë donte të futej në shoqërinë e lartë, aty ku  e priste bukuroshja e pasur Sondra, të cilën e dashuronte. Por në vend të kësaj, ai zhytet thellë në një jetë plot frikë e ankth, pas krimit të kryer derisa në fund kapitullon i tëri.

Ky roman është i jashtëzakonshëm në zbulim dhe fuqi, i gjallë në kuptimin e zhbërjes së vlerave njerëzore, i pandalshëm në dhembshuri. Padyshim, “Një tragjedi amerikane” është arritja më e lartë e krijimtarisë së Drajzerit, i cili konsiderohet pionier i letërsisë moderne amerikane.

Romanet e tij kanë sukses në akumulimin e detajeve realiste dhe fuqinë e integritetit me të cilin përcaktojnë aspektet tragjike të jetës.

Ndaj, ju rekomandojmë që t’i futeni sa më parë leximit të kësaj kryevepra drajzeriane. /KultPlus.com