Artistët ndërrojnë fotot e profilit në Facebook, vendosin ministrin e kulturës Kujtim Gashin

Disa aktorë e artistë kanë gjetur një mënyrë të veçantë për të uruar Ministrin e Kulturës, Kujtim Gashin.

Sot, pasi janë nënshkruar kontratat me 50 përqind rritje për krijuesit, performuesit dhe punonjësit e tashëgimisë kulturore, aktorët kanë vendosur fotografinë e Ministrit në profilet e tyre në rrjetin social Facebook.
Lena Kryeziu Bokshi – aktore, Shkelzen Veseli – edhe ky aktor, kanë vendosur fotografinë me mbishkrimin MINISTRI QË E MBAJTI FJALËN dhe fotografinë e Kujtim Gashit – Ministër.

Besnik Grajqevci nga Ansambli Shota poashtu ka vendosur këtë fotografi dhe ka shkruar se fjala e mbajtur është dinjitet.

Shengyl Ismaili dhe Semira Latifi poashtu i janë bashkuar kësaj nisme.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka mirëpritur sot në kabinetin e tij disa krijues, performues dhe punonjës profesional të trashëgimisë kulture për të ndarë së bashku lajmin për nënshkrimin e këtyre kontratave të reja.

Sipas ministrit Gashi, mbështetja dhe përforcimi i kapaciteteve njerëzore është i një rëndësie të veçantë pasi që vetëm me një trajtim dinjitoz dhe meritor të punonjësve të fushës së kulturës dhe të trashëgimisë kulturore mund të arrihen rezultate të mira në punë. / KultPlus.com

Kudra, Qeni, unë…

Kudra, Qeni, unë…
E megjithatë e desha,

Atë qen bir qeni
Atë kudër bijë kurve…

Nuk pati rëndësi a u puthëm
Në zgafellet e Vjenës
Apo në sokaqet e Stambollit…
Në rrugicat çetnike të Beogradit,
E kam dashur atë qen bir qeni
Ashtu sikur ajo kudër se ka dashur kurrë..

E kur jemi te kudra
E kam rrahur e dashuruar në të njëjtë kohë

Paralelisht….

Kur po bëja dashuri me të
E dija se po e kënaqja
Njëjtë sikur po bënte i dashuri im..

I kam dashur të dytë
Ashtu siç sot normalisht nuk duhet…

Megjithatë, i kam dashur
I kam zhveshur aty ku mbulesa është mbrojtja më e mirë.

Atë e kam pasur të dashur
E këtë e kam trajtuar si hyjni…
Me njërin kam bërë mëkate
E me tjetrën jam puthur e kam bërë blasfemi.

Kudra ishte kanibal
Më hante e më përpinte
Ashtu siç bënte me qenin, atë trupgjatë
Që jo pak po e haja edhe unë…
Qeni, ishte ndoshta me i buti ndër shokë
Me një fytyrë, normal, prej qeni
Më kafshonte as shumë
Sa e harroja kudrën brenda sekonde…

Isha në qiellin e shtatë me kudrën
E shtatë të tjera i kërkoja edhe me qenin…
Atë qen bir qeni që nuk më meritoi.

Edhe kudra ma futi,
Iku me flladin e parë dhe premtimet qesharake

Ndërsa unë e doja shumë.

Kudrën e doja se ishte kudër
Qenin, se ishte qen ama.

Nuk ka rëndësi nëse ishin gjini,
Ngjyrë apo pjellë e ndryshme
I kam dashur të dytë,
Në të gjitha kuptimet e pakuptuara letrare.
I kam dashur aq shumë sa i tradhtova
Por nuk i bëra kurrë bashkë..

Arbër Selmani, 5 nëntor 2012

As fëmijë as gra, martesat e hershme problem në Shqipëri

Martesat e hershme konsiderohen nga të gjitha konventat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, dhunë me bazë gjinore dhe shkelje e të drejtave të tyre. Por kjo nuk i ka penguar aspak disa vende të ndryshme, përfshirë dhe Shqipërinë, ta lejojnë atë me vendim gjykate, nën moshën 18 vjeç.

Përfaqësues të sistemit gjyqësor rekomandojnë forcim të kritereve për lejimin e martasave të hershme dhe monitorim të tyre nga strukturat vendore. Organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, në ndryshim nga zyrtarët e qeverisë, mendojnë se shifrat e martesave të hershme janë shqetësuese. Ndërsa Parlamenti Europian në rezolutën e miratuar në korrik të këtij viti, rekomandon prerë ndalimin e këtyre martesave.

Martesat nën moshën 18 vjeç, konsiderohen nga të gjitha konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, shkelje e të drejtave të tyre dhe dhunë me bazë gjinore. Të dhënat e Instat për vitin 2017 vënë në dukje se në 16.9% të martesave , bashkëshortja ishte nën 18 vjeç, dhe në vetëm 0.5% ka qenë bashkëshorti nën këtë moshë.

Elma Tërshana e “Observatorit për të drejtat e fëmijëve”, thotë se momentalisht kjo organizatë gjykon mbi bazë rastesh.

“Nga vëzhgimet tona, 80-90% në shkollat e mesme të një qyteti janë të fejuara tashmë. Këto janë realitete të copëzuara sjellin një panoramë tronditëse”, sqaron Tërshana.

Martesat e hershme në 31% të rasteve, sipas statisikave të organizatave joqeveritare, ndodhin brenda komuniteteve egjiptiane dhe rome.

Orkide Driza, pjesëtare e komunitetit egjiptian, duke rrëfyer historinë e saj për Zërin e Amerikës, tregon se si mamaja e martoi 13 vjeç e 7 muaj për të shëruar motrën, pasi prindërit e bashkëshortit të saj të ardhshëm kishin njohje me disa mjekë në Durrës. Motra vuante nga një sëmundje në veshka dhe ajo sot thotë se e pranoi këtë martesë, për ta shëruar atë.

Pas 15 viteve martesë, Orkideja, nënë e 4 fëmijëve, i jep fund martesës, merr vetëm vajzën e vogël dhe largohet nga Kavaja për në Tiranë. Kur vajza Bleona mbushi 11 vjeç, ajo merr një vendim, për të cilin sot është penduar.

Orkide Driza: “Me vajti vajza 11 vjeç, s’kisha ekonomi të mirë dhe e fejova Bleonën. Kur shkoi 13 vjeç e gjysmë u martua. Jam penduar që e kam martuar të vogël, por isha e detyruar nga rrethanat”.

Ndërsa vajza, Bleona, shprehet për Zërin e Amerikës, se në momentin që e ëma i ka thënë se do ta martojë, nuk e ka kuptuar se çfarë do të ndodhë me të. “Isha e re, e vogël s’dija gjë. Por ja që u martova”, thotë ajo.

Ajo mendon se nuk do të lejojë që e njëjta gjë të ndodhë me vajzën e saj.

Bleona Bukri: “E bëra unë atë gabim, të mos përsëritet me fëmijën tim”- shprehet ajo.

Sot Belona është 18 vjeç, ka dy fëmijë dhe pret një të tretë.

Legjislacioni shqiptar parashikon martesa nën moshën 18 vjeç për raste të veçanta, me vendim gjykate, duke ja lënë gjykatësit të çmojë se cili është rast i veçantë.

Emona Muçi, Kryetare e Gjykatës se Pogradecit: “Shumica e rasteve që janë prezantuar, kanë qenë për shkak të shtatzënisë, apo për shkak se ka ardhur në jetë një fëmijë. Patjetër për shkaqe emigracioni, por edhe për arsye ekonomike. Prindi i saj ka menduar se vajza mund të jetojë më mirë diku tjetër, në familjen e bashkëshortit, që mund t’i sigurojë asaj një jetë më të mirë”, thotë ajo.

Elsona Agolli, specialiste në UNFPA: “Gjyqtarët edhe në këtë paqartësi ligjore kanë mundësi t’i ndalojnë martesat e hershme, duke marrë parasysh përkufizimin e tyre në konventat ndërkombëtare”, thotë ajo.

Emira Shkurti, specialiste për të miturit në UNICEF: “Studimet kanë treguar, se gjyqtarët në pjesën më të madhe të rasteve, pa bërë një ekzaminim të interesit më të lartë të fëmijës, e japin lehtësisht këtë lloj autorizimi për t’u martuar”.

Ligji përcakton vetëm një raport të psikologut në prosesin e marrjes së vendimit për lejimin e martesave të hershme, ndërsa përfaqësues të sistemit gjyqësor, propozojnë edhe raport nga mjeku, që verteton pjekurinë seksuale, si dhe nëse është abuzuar me fëmijën, apo dhe përcaktimin e moshës minimale për martesë. Kodi penal parashikon dënime për kryerjen e marrëdhineve seksuale, qoftë dhe me dëshirë, nën moshën 14 vjeç.

Emona Muçi Kryetare e Gjykatës së Pogradecit: “Duke mbajtur në vëmendje këtë fakt, legjislatori duhet të parashikojë në Kodin e Familjes moshën minimale të lejimit të martesës, që për mendimin tim duhet të jetë 15 vjeç”, shprehet Muçi.

Etleva Sheshi, përgjegjëse për barazinë gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe çështjeve sociale, duke marrë në konsideratë propozimet që vijnë nga sistemi gjyqësor, thotë se këto do të kërkojnë ndryshime të Kodit Penal dhe të Kodit të Familjes.

“Ne jemi në ndjekje, dhe nuk kemi të dhëna shqetësuese për martesat e hershme”, sqaron Sheshi.

Përfaqësues të komunitetit të gjyqtarëve sugjerojnë gjithashtu monitorim të martesës së hershme, pas vendimit të gjykatës.

Gjyqtarja Emona Muçi propozon që Bashkitë ku lejohet të ndodhë martesa e hershme, të marrin masa për monitorimin, punësimin dhe arsimimin e vajzave të martuara nën moshën 18 vjeç.

Etleva Sheshi, përgjegjëse për barazinë gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë, sqaron se nuk ka struktura të veçanta për këtë qëllim dhe shton se po punohet në këtë drejtim. Fëmijët, sqaron ajo, duhet të ndihmohen nga shërbimet sociale dhe zyra për mbrojtjen e fëmijëve.

Ky monitorim merr një rëndësi të posaçme pas këtij konstatimi të hidhur.

Elma Tërshana, “Observatori për të drejtat e fëmijëve”: “Ne hymë dhe pamë vendimet e 9 gjykatave. Rreth 60% e këtyre vajzave që kanë hyrë në martesë të hershme, brenda 5 viteve janë divorcuar”, pohon ajo.

Protagonistë të shoqërisë civile dhe autoritetet zyrtare rendisin shkaqet e divorceve dhe problemet që lidhen me arsimimin, punësimin dhe të ardhmen e vajzave që martohen nën 18 vjeç. Ata mendojnë se në zbutjen e fenomenit të martesave nën moshë, do të ndikojë arsimimi i tyre.

Fenomeni i martesave të hershme ka vënë në lëvizje së fundi edhe parlamentin europian.

Rezoluta e Paramentit Europian e korrikut të këtij viti, kërkon nga Shtetet Anëtare të BE-së, si edhe për vendet me të cilat bashkëpunojnë, të ndalojnë me ligj martesat e fëmijëve, martesat e hershme dhe ato të detyruara.

Rezoluta nënvizon se konsiderohen mangësi ligjore në ato raste, kur martesa e fëmijëve lejohet, kur përdhunuesve, abuzuesve të fëmijëve, atyre që i rrëmbejnë, i trafikojnë, apo i skllavërojnë, u krijohet mundësia që t’i shpëtojnë dënimit, në qoftë se martohen me viktimën e tyre.

Thirrja e hapur nga Parlamenti Europian për të ndaluar martesat e hershme, pritet të shmangë dramën e përsëritur, kur një fëmijë nuk është as grua, dhe as fëmijë.

‘edhe të mëdhenjtë shpesh nuk kanë ndonjë qëllim të qartë në jetë’

Johan Wolfgang von Goethe, “Vuajtjet e djaloshit Verter”

Që jeta e njeriut s’është veçse një ëndërr, e di që e kanë thënë para meje edhe të tjerë, por prapë, çuditem sesa fort më ka pushtuar mua tani ky mendim. Kur shoh caqet e ngushta, brenda të cilave burgosen aftësitë e njeriut, veprimtaria dhe inteligjenca e tij, kur shoh sesi ne i harrojmë tërë forcat tona për përmbushjen e ca nevojave të cilat nuk kanë ndonjë qëllim tjetër përveç zgjatjes së ekzistencës sonë dhe më tej, sesi siguria jonë e qetë mbi shumë e shumë çështje të dijes s’është veçse një resinjatë e pafuqishme dhe e parëndësishme, njëlloj si ajo e ca të burgosurve që i mbulojnë muret e birucës së tyre me piktura të larmishme dhe gazmore – atëherë e kuptoj, o Vilhelm se s’mund veçse të hesht!

Dhe mbyllem përsëri në veten time dhe zbuloj atje një botë krejt tjetër, por të ngjizur tepër me parandjenjën dhe me dëshira të vagullta e të muzgëta. Dhe ja, tek lëkundet atëherë përpara meje gjithçka dhe unë buzëqesh dhe vazhdoj, gjithnjë duke ëndërruar udhën time në këtë botë.
Që fëmijët nuk dine çfarë duan, për këtë gjithë pedagogët më të ditur e më të shquar janë të një mendjeje; por që edhe të mëdhenjtë, ashtu si fëmijët, vijnë rrotull të pasigurt mbi tokë, pa ditur, po ashtu si ata, as nga vijnë dhe as nga shkojnë, e duke mos pasur ndonjë qëllim të qartë në jetë, drejtohen e mbahen në fre, njëlloj si fëmijët, me biskota, me shqereka e me dru, këtë askush nuk ka qejf ta pranojë, ndonëse për mendimin tim nuk ka ndonjë të vërtetë tjetër kaq të sigurtë e kaq të prekshme.

E di ç’do të thuash dhe jam gati të të jap të drejtë; më të lumtur nga të gjithë janë pikërisht ca njerëz të tillë që ashtu si fëmijët, rrojnë të shkujdesur të sotmen pa u merakosur për të nesërmen, heqin rrotull kukullat e tyre, i veshin dhe i zhveshin ato dhe, i vërtiten me shumë respekt dollapit ku mami ka mbyllur me çelës ëmbëlsirën dhe kur më në fund, e marrin atë pas së cilës ata kaq shumë janë limaksur, zënë e përtypen me të dy bulçitë dhe thërrasin “Akoma!”

Qenie të lumtura! Si lum gjithashtu edhe ata që janë të zotë e dine t’u vënë një titull të bujshëm ca punëve të kota, në mos po edhe ca pasioneve të tyre të vakëta e qesharake dhe mburren me to, si të paskëshin qenë ca bema të lavdishme për shpëtim e mbrothësi të njerëzimit! Si lum ata!

Por kush veç e sheh e kupton i përulur për ku priren të gjitha, e vë re se me sa zell çdo qytetari i kamur përpiqet dhe ia arrin të shndërrojë kopshtin e vet të vockël në një parajsë dhe, sesi edhe njeriu më i mjerë e fatzi, hiqet zvarrë përpara duke çulçuar i kërrusur nën barrë, i yshtur si ky dhe ai e të gjithë nga dëshira për ta pare dirën e diellit edhe një minute më shumë… Kush i sheh dhe i kupton të gjitha këto, hesht dhe përpiqet ta ndërtojë Botën brenda vetes së tij dhe ndihet i lumtur ngaqë, në mos tjetër, është njeri. Si edhe sepse, ndonëse i di mire kufinjtë e fuqisë së tij, ia ngroh prapë zemrën ndjenja e ngrohtë e lire dhe vetëdija se mund të dale kur t’i pëlqejë nga ky burg!”

‘Kush e sheh veten nga distanca e largët, shërohet nga çdo sëmundje’

Poeti i madh nga Polonia, Czesław Miłosz, ka fjalët më të mira për dashurinë.

Fituesi i Çmimit Nobel, të cilin e dashurojnë plot lexues të botës, na tregon shumë për dashurinë. Diplomati, autori disident, eseisti dhe poeti tregon kësisoj:

Dashuria

Dashuri do të thotë ta shohësh veten
njashtu si shihen gjërat në distancë
sepse ashtu je ti, një gjë në mesin e shumë gjërave.
Dhe kushdo që e sheh veten ashtu, shërohet
pa e ditur, prej shumë sëmundjeve.

Një zog dhe një dru i thonë njeriut: shok
dhe ai e përdorë veten dhe gjësendet tjera
që ato të qëndrojnë në shkëlqimin e pjekurisë
Nuk ka rëndësi nëse njeriu nuk e di se çka shërben:
Kush shërben dashuri jo gjithmonë kupton.

Poezia tek fundi i saj flet për kuptimin e dashurisë, një kuptim i shtrirë që na kërkon të largohemi nga jeta jonë e përditshme dhe rutinore dhe ta shikojmë veten dhe objektin e dashurisë tonë nga një distancë e largët, shkruan KultPlus.

Miłosz ka lindur në Lituani ndërsa vdiq në Poloni. Ai fliste gjuhën polake, gjuhën e Lituanisë, rusishten, frëngjishten dhe anglishten. Në vitin 1980 fitoi Nobelin për Letërsi. / KultPlus.com

Gabim tjetër në Fjalorin Enciklopedik, gabohet viti i lindjes së Ibrahim Rugovës

Një tjetër gabim ka dalë të jetë trashanik brenda Fjalorit Enciklopedik të botuar para pak javësh në Kosovë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës duket se ka gabuar edhe me vitin e lindjes së presidentit historik Ibrahim Rugova.

Në Fjalor shkruan se Rugova ka lindur në vitin 1941, ndërsa Ibrahim Rugova ka lindur në fakt në vitin 1944, me 2 dhjetor, dhe ka vdekur në vitin 2006.

Qytetari Pal Shtufi në rrjetin social Facebook e ka shpërndarë lajmin e gabimit, një tjetër gabim në vazhdën e gabimeve që po dalin nga ky Fjalor, shkruan KultPlus.

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mehmet Kraja, në anën tjetër, është kritikuar se ka përfshirë familjarët e tij në Enciklopedi dhe se ka qenë ai përgjegjësi kryesor për lëshimet e tilla brenda Fjalorit. Kraja disa herë ka reaguar. / KultPlus.com

Agron Mulliqi dëshmoi identitetin e tij krijues në rreth 50 piktura (FOTO)

Gili Hoxhaj

Fakti që Agron Mulliqi shpenzon goxha kohë në galerinë e tij dhe aty shpalosë produktin final të inspirimit artistik u dëshmua sonte edhe në punimet që kishin mbushur gjithë hapësirën e Hanit të 2 Robertëve.
Ndriçimi mbi 45 pikturat e tij, e nxjerrtë në pah teknikën e veçantë që e bën lehtë të dallueshme punën e Mulliqit. Aty janë të paraqitura disa cikle të cilat nuk i largohen shumë bazës dhe asaj se çfarë e karakterizon krijimtarinë e Mulliqit.

Punimet me pak dallim nga njëra tjetra, kanë detaje të cilat të bëjnë të zhytesh në çdo vijë që ndodhet brenda kornizës. Portrete të grave stoike në qëndrim dominojnë një pjesë të punimeve të tij. Krahas tyre disa portrete paraqiten në lëvizje duke krijuar një teatër portretesh dhe duke e futur publikun në një mozaik ngjyrash. Të palodhshëm e të veçantë e cilësojnë piktorin miqtë e ata që sonte shijuan ekspozitën e tij, punën e tij tejet origjinale e unike.

Kuratori i ekspozitës, Carl Hammerdorfer, fillimisht tregoi për njoftimin e tij me punën e Agron Mulliqit tek i cili kishte gjetur atë që po kërkonte nga një artist kosovar. Mulliqin e kishte takuar para dhjetë vitesh gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ku kishte ardhur për t’i intervistuar studentët e KAEF-it ndërkohë që kishte shprehur interesimin se po kërkonte punime me më shumë ngjyrë dhe më abstrakte. Që kur këtë e kishte gjetur në punimet e piktorit Mulliqi, ai i kishte blerë disa piktura të cilat edhe sot qëndrojnë në muret e shtëpisë së tij në Amerikë.

Ai tha se Mulliqin e sheh si një përfaqësues të denjë të kulturës ballkanase dhe evropiane, ndërsa e thekson praninë që kanë gratë në punimet e tij, e që paraqiten dukshëm edhe në ekspozitë.
“Është nder që t’i them disa fjalë për shokun tim Agron Mulliqin të cilin e kam takuar dhjetë vite më parë. Tash shumë shpesh kaloj kohë me Agronin në atelienë e tij sepse është një koleksion i mrekullueshëm i eksperiencave të tij. Sonte këtu janë tri cikle dhe Agroni fillon ta pikturojë një cikël dhe pastaj ndalon së pikturuari atë cikël dhe fillon me diçka krejt ndryshe, në kërkim të inspirimit dhe kjo gjë ndonjëherë i merr më shumë se dy muaj. E shoh Agronin si një përfaqësues të denjë të kulturës ballkanase dhe evropiane. Figurat, format e ndryshme, format e portreteve gërshetohen mes vete në formën më të mirë. Më pëlqen përfaqësimi që kanë gratë në punimet e Agronit”, u shpreh Hammerdorfer në fjalën e tij.

Mulliqi tha se me kënaqësi i ishte përgjigjur kërkesës së “Hanit të 2 Robertëve” që të hapet lokacioni i ri me punimet e tij.

Ai tha se këto punime përfaqësojnë punën e tij në pesë vitet e fundit dhe vjen me ekspozitë pas gati një viti qëkur punimet e tij ishin prezantuar në Muzeun e Kosovës. Ai tregoi për KultPlus se në punimet e tij ka paraqitur një teatër të portreteve në skenë.

Artisti Burim Myftiu tha se Mulliqin e cilëson si një krijues të palodhshëm, shumë origjinal e unik. Ai tha për KultPlus se nuk ka parë që dikush të jetë kaq unik dhe folklorik e vendas në të njëjtën kohë ndërsa shtoi se arti i tij është një gjuhë universale mirëpo me fjalë shqipe.

“Agroni është një prej krijuesve shumë origjinal dhe unik me mënyrën se si shprehet në veprat e tij. Unë e njoh Agronin shumë mirë sepse e kam mik që prej 20 vitesh, punimet e tij dekorojnë shtëpinë time, kam mjaft punime të tij në koleksionin tim. Agroni është një krijues i palodhshëm, kur them i palodhshëm e them se është aq produktiv sa që unë nuk di se cili piktor është më aktiv se Agroni. Ai është një krijues që në surealizmin e tij ka një identitet dhe karakter, mund ta shikosh një vepër dhe mund ta dallosh që është e Agronit”, u shpreh Myftiu për KultPlus.

Piktorja Bardha Buza tha se Agron Mulliqi është një nga piktorët më të veçantë në mesin e artistëve të tjerë e këtë veçanti e shpreh si në ngjyra, ashtu dhe në teknika të tjera.
“Agroni është i veçantë me punën dhe teknikën e tij sepse përfshin edhe etnologjinë dhe ke simbole shqiptare e autoktone prandaj në stil është shumë i veçantë në mesin e artistëve të tjerë. E ka veçantinë e tij si në punimet me ngjyrë dhe në të tjerat. Agroni është një artist shumë i mirë që punon pa pushuar”, u shpreh Buza për KultPlus.

Piktori Agron Mulliqi numëron një numër të madh paraqitjesh të ekspozitave personale e kolektive. Punimet e tij janë paraqitur në Kosovë dhe jashtë saj.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një muaj në “Hanin e 2 Robertëve”./ KultPlus.com

Atifete Jahjaga, pjesëmarrëse në BarCamp #50 Golden Edition në Prishtinë

Atifete Jahjaga do të jetë njëra nga folëset e Barcamp Prishtina, me datë 7 nëntor në kryeqytet.

Atifete Jahjaga shërbeu si Presidente e parë grua në Republikën e Kosovës dhe e katërta në përgjithësi.

Jahjaga është kandidatja e parë jo-partiake e Kosovës, gruaja e parë në krye të një shteti në Ballkanin modern dhe gruaja më e re lidere në botë, e caktuar në zyrën më të lartë. Jahjaga merr pjesë vazhdimisht në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare dhe iniciativa më qëllim për fuqizimin e gruas dhe mbështetjës së të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës. Ajo vazhdon të jetë e vendosur në luftën e saj kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe është një promovuese e fortë e paqës dhe stabilitetit në Balkan dhe më gjerë.

Gjatë periudhës së saj si Presidente, Jahjaga punoi zellshëm për të sjellur gratë në ballë të politikës, ekonomisë, dhe jetës sociale në Kosovë, si mjet për të siguruar një demokraci afatgjate. Në këtë kontekst, në vitin 2012, ajo drejtoi Samitin ndërkombetar të Grave “Partneriteti për Ndryshim – Fuqizimi i Gruas”(“Partnership for Change—Empowering Women”), e cila ishte ndjekur nga më shumë se 200 liderë nga Kosova, Europa e gjerë, Amerika Veriore, Afrika dhe Lindja e Mesme. Samiti ofroi një vend për gratë nga regjioni për të kryqëzuar barrierat etnike dhe për t’u bashkuar në lansimin dhe promovimin e platformës për fuqizimin e tyre si gra ne Ballkan. Diskutimet drejtuan në krijimin e “Pristina Principles”, e cila pohon të drejtat e grave në pjesëmarrjen politike, resurse ekonomike, qasje në siguri dhe drejtësi, si dhe thirrje për veprim për t’i bërë këto principe realitet.

Jahjaga është anëtare e Keshillit të Grave Lidere në Botë(Council of Women World Leaders) që nga viti 2012 dhe është pranuese nderimeve të numërta dhe çmimeve duke përfshire Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Durham(2013), the Çmimin e Udhëheqësisë në Sherbime Publike nga iniciativa Clinton Global(2014), dhe diplomen e nderit të Doktoraturës në Juridik nga Universiteti i Lejster(Leicester, 2015).

Në Mars të vitit 2018, Presidente Jahjaga themeloi Fondacionin Jahjaga – një iniciativë që ka për fokus fuqizimin e të rinjëve dhe grave drejt arritjes së ndryshimit shoqëror në Kosovë.

Për të dëgjuar rrugëtimin e saj inspirues, ejani me 7 Nëntor në BarCamp #50 Golden Edition.

Konferenca jo-formale BarCamp, e mundëson prezantimin e ideve, inovacioneve dhe diskutimet e hapura rreth çështjeve me tema të ndryshme duke sjellë tema te reja për çdo edicion. Ky edicion jubilar i BarCamp Prishtina do të mbahet më 7 nëntor duke filluar nga ora 17:30 në Teatrin ODA në Prishtinë, ndërsa regjistrimet fillojnë nga ora 17:00.

Arkitekti Përparim Rama, pjesë e Forumit Ndërkombëtar për Arkitekturë dhe Inxhinieri

Arkitekti Përparim Rama do të jetë pjesë e Forumit Ndërkombëtar për Arkitekturë dhe Inxhinieri.

Rama do të jetë një prej folësve në Share Athens 2018, në Muzeun Benaki në Athinë të Greqisë.

Ngjarja e cila mbahet me 27 nëntor do të mbledhë folës nga nëntë shtete për të tregu përvojat e tyre arkitekturore dhe projektet e tyre më të sukesshme.

Rama është një arkitekt fitues i disa çmimeve ndërkombëtare ndërsa është prezantuar nga London Building Design Magazine, BBC, CNN, RAI e në media tjera. Projektet e tij sot janë të ekspozuara në rreth 20 shtete në botë.
Të tjerët folës vijnë nga Holanda, Franca, Italia, Anglia e shtete tjera.

Rama, themelues i 4M Group, në vitin 2012-të ishte konsulent në Lojërat Olimpike në Londër, ndërsa në Bienalen e Venedikut morri pjesë po atë vit. Ai ka punuar me kreativitetin e tij edhe në Hamam Jazz Bar në Prishtinë. / KultPlus.com

Prezantohen të rejat e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar

Sot në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, u prezantua përmes një konference për shtyp nisja e edicionit të 57-të të Festivalit të Këngës në RTSH! Stafi realizues i këtij edicioni përbëhet nga: Drejtor i Festivalit, Martin Leka, Drejtor Artistik Inva Mula, Producent Muzikor Sokol Marsi, Skenarist Pandi Laço dhe Regjisor Bledar Laço.

Në fjalën e tij përshëndetëse Leka pohoi se lajmi sot është: “Prezenca e Inva Mulës si drejtore e këtij Festivali, që do të sjellë një eksperiencë ndryshe dhe inovatore në këtë edicion, ndërsa dyshja Laço rikonfirmon bashkëpunimet e suksesshme që kemi pasur deri më tani”.

Ishte drejtorja artistike Inva Mula, e cila prezantoi platformën e këtij edicioni, që pretendon të jetë më i hapur se kurrë, duke afruar sa më shumë rininë. “Objektiv për mendimin tim është që ta rikthejmë freskinë, entuziazmin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion drejt një publiku, i cili ndoshta për arsye të shumta është shkëputur, ne duam që ai ta kthejë vështrimin dhe të ketë dëshirën si dikur ta ndjekë Festivalin dhe ndoshta të mërmërisi këngët më të bukura të tij. Për këtë arsye në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të krijohet një grup me nxënësit më të mirë të 15 shkollave të mesme të Tiranës, të cilët do të ndjekin nga afër dhe do jenë një juri ektra, që do të vlerësojë këngën më të mirë”, tregoji Mula para gazetarëve!

Sigurisht që Festivali nuk do të ndryshojë mënyrën e votimit, juria profesioniste do të jetë ajo që do të votojë Këngën fituese, që do të çojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës.

Këngët do të prezantohen në 2 net, nata e parë në 20 dhjetor, ku 22 këngëtarët do të këndojnë ‘live’ me orkestrën Simofonike të Radio Televizionit Shqiptar, nata e dytë do të jetë Nata e Performancave, apo ndryshe Nata Eurosong, ku të 22 këngët do të vijnë të interpretuara ‘live’ por pa orkestër, ato do të shoqërohen nga elementë spektakli duke dhënë në një mënyrë të njëjtën paraqitje që çdo konkurrent do të kishte në Festivalin Europian. Dhe në natën e tretë këngët do të konkurrojnë për vendin e parë.

Këtë vit këngët do të prezantohen parapakisht në një formë ndryshe, duke nxjerrë pakëz prej melodisë, refrenin apo bulëza kënge, por jo të gjithë materialin konkurrues, pasi ai është në garë dhe ethet e garës duhet t’i testojë ‘live’. Prazantimi i 22 artistëve do të bëhet përmes historive të krijuara posçërisht për secilin prej tyre, të cilat do të shfaqin momente pune apo edhe private dhe do të prezantohen në javën e parë të Dhjetorit, përmes rrjeteve sociale Instagram dhe Facebook, apo edhe përmes hapësirës televizive që do t’i kushtohet çdo mbrëmjeje në TVSH, këtij edicioni.

Cilësi identifikuese e jona është INATI!

Dr. Sami Rexhepi

Gjithçka që bëjmë e bëjmë për INATI,
Mësojmë, punojmë, mburremi, shëtisim, – për INATI.
Vishemi bukur, blejmë auto te shtrenjta, ngremë shtëpi
pesëkatëshe, – për INATI.
Edhe njerëzit më të dashur i humbim për inate të kota!
Edhe momentet më të rëndësishme s’i jetojmë – për INATI!
Madje edhe kur e motivojmë dike i themi: “puno, angazhohu, a s’vjen inati?!”

Kështu pra jemi ne cilësi të përbashkët e kemi INATIN!

Me 5 nëntor, Leze Qena tregon rrëfimin e saj në ‘KultWoman me…’

KultPlus po vazhdon me ngjarjet e ndryshme kulturore.

Pas festimit të pesëvjetorit, KultPlus me datë 5 nëntor, duke filluar nga ora 14:00, do të organizojë një bisedë artistike me Leze Qenën – një aktore e njohur shqiptare.

Aktorja Leze Qena do të ndajë me audiencën tregimin e saj në kuadër të “KultWoman me Leze Qenën”.
Leze Qena, aktore e lindur në Prizren, është ndër gratë më të suksesshme shqiptare. Më shumë se pesë dekada e kanë gjetur Lezen të pashterrur në teatrin dhe në skenën kulturore shqiptare.

Leze Qena në këtë ngjarje do të na rrëfejë me anë të fjalëve e fotografive udhëtimin i cili nuk ka qenë i lehtë. Me një burrë në krah, një Xhevat Qena të pashoq, Leze Qena i ka bërë ballë peripecive.

E nisim me Lezën, dhe do ta vazhdojmë edhe me pesë gra të tjera që gjetën hovin për të punuar edhe në kushtet më të vështira.

“KultWoman me…..” organizohet nga KultPlus dhe financohet nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut. / KultPlus.com

Erenestina Gjergji Halili merr çmimin ‘Gjergj Fishta’

Poetja dhe studiuesja Erenestina Gjergji Halili ka marrë një çmim në ‘Ditët e Letërsisë Shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës’.

Poetes i është atribuuar çmimi ‘Gjergj Fishta’ në poezi, në kuadër të këtij manifestimi, për ciklin poetik më përmbajtësor, paraqitur në Konkursin e Ditëve të Letërsisë për vitin 2018.

Poetesha Erenestina Gjergji Halili ka kryer studimet e larta universitare në Universitetin e Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë, si dhe kursin akademik të Gazetarisë.

Ajo është shquar si gazetare e televizionit dhe e mediave të shkruara, kryeredaktore e TVSH, udhëheqëse e producente e politikës. Sot mban gradën Doktor i Shkencave Filologjike dhe ligjëron në Universitetin nga ku nisi rrugëtimin akademik. / KultPlus.com

Gjuhës shqype

Hilë Mosi

Gjuh’ e ambël, gjuh’ amtare,
Je ambla gjuh’ shqyptare!
Gjuh’ e nalt’ për Perëndi,
T’cilt ndër koh’t që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh’ e ambël, plot dashtni!

Gjuh’ e shejt’ e kaq e moçme.
Gjuh’ sakole der n’dit t’soçme,
Shoqen tande kund s’e gjenë!
Zoti ty këtu t’ka çuemun:
T’rrebt’ e t’bukur e t’kulluemun;
Kshtu gjithmon’ ti ke me qenë.

Gjuh’ që t’foli Skendërbegu,
Dhe ndër t’par’ qe Naim Begu,
Që me shkrim t’pat lartësue.
Ty t’kan’ fol’ shum’ kapidana,
Burra t’rrebt si t’ishin zana;
Gjuh’ e rrebt, ti qofsh nderue!

Gjuh’ e bukur si pranvera,
Ti s’do t’quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t’rritë.
Bashk’ me t’tjerat shoqe tueja,
Se ma s’dona zhele t’hueja
Veç duem ty me t’pa në dritë.

‘Në shkollën e trishtimit jam nxënësja më e mirë’

Anjeza Shahinin shumë moti nuk e kemi parë në skenat shqiptare.

Këngëtarja e cila e para përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion dhe arriti një rezultat të mahnitshëm, ka kohë që nuk ka dalë me një projekt muzikor.

Shahini në repertorin e saj muzikor ka plot këngë të cilat ne i dëgjojmë.

Sonte po e sjellim një bashkëpunim mes Anjezës, Aida Barakut dhe Armend Rexhepagiqit, këngën “Nxënësja më e mirë”. Kënga u këndua para më shumë se dhjetë vitesh në festivalin Kënga Magjike.

Tekstin e këngës e realizoi Baraku, melodinë Armend Rexhepagiqi dhe Anjeza e performoi këngën për të marrë më pas Çmimin e Kritikës. / KultPlus.com

Sonte në Tiranë, oxhaku i Sead Kazanxhiut vjen në Galerinë Zeta

Një ekspozitë që ia vlen të vizitohet vjen sonte në Tiranë.

Në Galerinë Zeta në Tiranë sonte vjen artisti Sead Kazanxhiu. Ekspozita hapet në ora 19:00.
Ekspozita ‘Në Oxhakun Tim’ sonte e sjellë artistin në disa mediume artistike, duke nisur me fotografitë, videon, instalacionin dhe vizatimet në letër.

Ekspozita e Kazanxhiut, siç shkruan kuratori Marko Stamenkovic, fokusohet në atë se si duhet ballafaquar me paragjykimet racore në anën e errët të demokracisë evropiane, në një periferi të kapitalizmit neo-liberal.

Rreth po këtij oxhaku vijnë kujtimet e së kaluarës, kujtimet familjare, të humbura por të kalitura përgjithmonë në kujtesë dhe tani vijnë të ekspozuara para publikut shqiptar.

Një tregim vizuel për nderimin e shpirtrave të stërgjyshërve dhe ekzistencën e tyre të vazhdueshme në një shtëpi e cila më nuk ekziston. Një oxhak që u desh të shkatërrohej para disa vitesh, bashkë me shtëpinë e vjetër 55 vjeç e cila u shkatërrua që të ndërohej një tjetër më e re.

Ekspozita hapet sonte, për ata që duan ta zbulojnë më nga afër ekspozitën e Kazanxhiut, shkruan KultPlus.
Është po ky oxhak që me anë të Kazanxhiut sfidohet, sfidohet edhe ideja e të jetuarit bashkë, e një dhome kryesore, ideja e largimit njerëzor, e shpërnguljes njerëzore.

Ekspozita ‘Next to my chimney’ do të qëndrojë e hapur deri me 12 nëntor në Zeta Gallery.
Sead Kazanxhiu ka lindur në Fier në vitin 1987 ndërsa ka realizuar tetë ekspozita, përfshirë këtu ekspozimet në Tiranë, Bruksel e Berlin. Ai vjen nga një familje rome shqiptare, një histori e së cilës do të jetë edhe pjesë e rëndësishme e ekspozitës në fjalë. / KultPlus.com

Skandali i librave për klasën e parë, ‘Dy dele…’ dhe mashallah

Librat shkollorë në Kosovë janë skandali i radhës, i vazhdueshëm në këtë shoqëri.

Në vazhdën e skandaleve, njerëzit po vazhdojnë të postojnë pasazhe nga librat e ndryshëm të cilët edukojnë gabimisht gjeneratat e ndryshme në Kosovë.

Një libër për fëmijët e klasës së parë, Edukata Muzikore për shkollat fillore, e ka këtë poezi, apo këngë, shkruan KultPlus.

Versioni është më i ndryshëm nga kënga e njohur “Dy dele, treqind pare” këngë e njohur shqipe e kënduar në versione të ndryshme nga këngëtarë të ndryshëm.

Megjithatë është skandaloze formimi dhe përkthimi i këngës për moshat e reja të cilat vijojnë klasën e parë të fillores në Kosovë. / KultPlus.com

‘zoti jem s’pret brenda nji kishe’

zoti jem
s’pret brenda nji kishe
e s’ulet përmbi figurat e tempullit
zoti jem
asht fryma e refugjatit kur ai vrapon
asht duke jetu në barkun e fëmijës së vdekur urie
asht tiktaku i zemrës së protestës
zoti jem
nuk pushon mes faqesh
t’shkrueme prej njerëzve t’shenjtë
zoti jem
jeton mes kofshëve t’djersituna
të trupave t’grave t’shitun për pare
së fundi u pa duke larë kambet e njeriut t’pastrehë
zoti jem
s’asht aq i paarritshëm sa
ata thonë
zoti jem tundet brenda nesh pafundësisht

Rupi Kaur, “The Sun and Her Flowers”.
Përkthyese: Fatbardha Statovci

Sabina Kodra: Kërkohen shqiptarë për Shqipërinë

Sabina Kodra: Kërkohen shqiptarë për Shqipërinë

Isha në Romë datë 20 tetor kur mbërriti lajmi se Bujar Alimani kishte fituar çmimin e madh në Varshavë me filmin “Delegacioni”. Mend m’u mbushën sytë me lot nga gëzimi. Jo se jam shumë altruiste e madhe (zot na ruaj ditët e sotme kjo do të ishte herezi e vërtetë) por sepse fitorja e Bujarit vinte në një moment kaq kompleks e të ngarkuar emocionalisht për të gjithë ne. Sepse Artan Minarolli edhe i vdekur fitoi çmimin që e kishte ëndërruar gjithë jetën. Zot çfarë ironie! Në kufijtë e mrekullisë. Nejse përtej të gjitha notave melodramatike a patetike doja të ndaloja e të numëroja disa fakte se pse desh u qurravita në hollin e hotel “Bernini” aty ku zhvillohej merkato e MIA në orën 18:30 të datës 20 tetor (besoj nuk do ta harroj sa të jem gjallë këtë moment, vetëm nëse më zë alzaimeri apo demenca):

1. Fitorja e Bujarit është fitorja e të gjithëve, imja, jotja e të gjithëve. Ndoshta pak kush e di se çfarë konkurrence dhe vështirësie është te prodhosh sot një film, tani mendoni te shkosh në një festival të kategorisë A (janë vetëm 9 në të gjithë Evropën, ku pranohen vetëm 11-13 filma për kompeticion, ndërkohë që prodhohen mijëra filma në botë atë vit prodhimi që t’i konkurron). Imagjino të fitosh çmimin e madh. Është sikur Shqipëria të kishte fituar kampionatin europian të futbollit.

2. Bukur se ky krahasimi i fundit më pëlqeu shumë, imagjino sikur Shqipëria të kishte fituar kampionatin europian të futbollit do të ishte ngritur i madh e i vogël e do të kishte shkuar në Rinas të priste kombëtaren. Nuk po merrem fare me atë se si u prit Bujari në Shqipëri. Artistët janë natyra të duruara, e dinë se kryqi që mbajnë mbi supe është i rëndë e gëzimi i suksesit është vetëm një shkallë drejt një mali akoma më të vështirë. ARTI dhe KULTURA do të na shpëtojnë! Ndoshta duket si slogan komunisto- bolshevik, ndoshta, por jam e bindur se nuk është larg dita që energjia krijuese në këtë vend do të arrijë të ndryshojë faqen.
3. Sepse flamuri shqiptar u ngrit triumfues në Varshavë, e ne shqiptarët nuk ishim lajmi i kronikës së zezë, por faqebardhës kulture. FALEMINDERIT, Bujar Alimani për këtë fitore madhështore!

Rapsodët e Hasit marrin çmim në Festivalin Folklorik të Rapsodëve dhe Instrumentistëve

Edicioni i X-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë, Lezhë 2018 mbylli mbrëmë konkurrimin.

Juria e përbërë nga Prof. Roland Çene, Kryetar i jurisë dhe anëtatë Gjok Cari dhe Shemsi Sulaj Vendosën:

Çmimi Special i Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut i jepet
Grupit Folklorik Lezhë

Çmimi “Ndue Shyti” i jepet
Grupit Folklorik Gostivar

Çmimi “Dervish Shaqja” i jepet
Rapsodëve të Hasit

Çmimi “Gjok Nonaj” i jepet
Orkestrinës së Matit

Çmimi i Karrierës i jepet

Grupit “Gjergj Araniti” Mallakastër

Çmimi Inkurajues i jepet
Gabriel Rraposhit- Bashkia Mallakaster
Dhe
Grupit të Kurbinit

Çmimi Instrumentisti më i Mirë
Ervin Gega në Çifteli dhe
Orkestrina Mirditë

Libri i kriminelit serb promovohet në Panairin e Librit në Beograd

Një libër i një krimineli në serbi është botuar nga Ministria e Drejtësisë në Serbi.

Libri ‘The Third Battalion in ‘Merciful Angel’s Embrace for 78 Days’ i gjeneralit Nebojsha Pavkovic është botuar në Serbi, derisa vetë gjenerali i akuzuar për krime lufte në Kosovë po vuan dënimin prej 22 vitesh në burg, në Finlandë.

Pavkovic ishte komandant i Batalionit të Tretë të Ushtrisë Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë.
Libri, për më tepër, u promovuar në Panairin e Librit në Beograd.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet serbe ndihmojnë që kriminelët e luftës të angazhohen në jëtën politike dhe publike të vendit, shkruan BIRN.

Libri në fjalë flet edhe për ndërhyrjen e NATO-s në Serbi.

Në anën tjetër, Panairi i Librit në Beograd mbështetet nga vetë shteti. Madje, një stendë i takon edhe librave të kriminelit Vojislav Sheshel, ku edhe raportohet se janë parë të rinj të shkollave fillore e të mesme nga Serbia duke blerë libra dhe duke vizituar shtandin me anë të vizitave shkollore. / KultPlus.com

Një video kundër Shqipërisë me korrupsion, trafikim me njerëz dhe grupe mafioze

Videot e përgatitura nga Nas Daily për Shqipërinë nuk kanë të ndalur.

Një mënyrë e mirë e promovimit për Shqipërinë, Nas Daily duket se një video tjetër e sjellë për stereotipet, për vendin ku mendohet se ka luftë, trafikim me qenie njerëzore dhe mafia.

Videoja thotë se Shqipëria është si Zvicra, për 10 përqind më pak të çmimit.
“Në momentin që arrin në Shqipëri, nuk ke nevojër për kuletë, sepse askush nuk të lejon ta përdorësh. Stereotipi se shqiptarët janë një ndër popujt më zemërgjerë në botë, është i vërtetë” thuhet në këtë video të radhës.

Në video përmenden bunkerët e njohur të komunizmit të cilët sot janë kthyer në punë artistike, në hapësira ku zë vend arti.

Shqipëria është gati ti bashkohet Bashkimit Evropian, gati për të pritur më shumë turistë. / KultPlus.com

‘Turku e dinte se për me zotnue Shqipninë duhej përçamja’

At Zef PLLUMI

Thuhet se n’ujë të turbullt gjuhet shumë peshk. Kur shqiptari fitoi lirinë, i hueji lëshoi grepin e përçamjes për me zanë shqiptarin.
Ku ishte shqiptari? Ndër katër vilajete. Turku e dinte mirë se për me zotnue Shqipninë e vetmja rrugë ishte përçamja. Ai e vuni re këte që në ditën e parë që e ndeshi fati i historisë me këte popull ku u shquen dy burra: Gjergj Kastrioti Skanderbeg, nji rebel që kërkonte ndihmë në Perëndim, dhe strategu i madh Ballaban Pasha që ra shahit nën muret e Krujës. Trupin e tij e çuen në Petrelë të Tiranës. Aty i ndërtuen nji tyrbe të madhe ku filluen me u falë shqiptarët e me i ndezë qirat.
Ndërkaq ndër gërxhe të maleve lahuta filloi me i këndue Gjergj Elezit.
– Gjergj Aleksit, ushtarit që vrau Ballabanin. Turku dhelpnak e pa se shqiptari, edhe i ndamë dysh, ishte nji rrezik, prandej e ndau katërsh.
Në katër vilajete të turkut njisia e shqiptarit. E kështu gjatë shekujve u vranë mes vedit kush për Bushatllinjtë e Shkodrës o për Begollajt e Pejës; kush për Ali Pashën e Janinës o për Manastirllitë, ndërsa turku bante sehir me spahijtë e vet.