Sot gjashtë vjet nga vdekja e poetit Ali Podrimja

Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.

Ali Podrimja u denoncua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të që prej datës 18 korrik. Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik.

Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.

Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes.

Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.

Ali Podrimja u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, Kosovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë.

Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005.

Ali Podrimja në detaje e përshkroi vdekjen buzë lumit

Ali Podrimja

E nata ka mbuluar gjurmët dhe klithjet

Je shtrirë buzë lumit i sëmurë
lumit i ke folur në veshin guaskë
ai të ka bartur
dikah të ka bartur
kah vedi
e ti i ke folur me zemër
e dhimbje e të rëna ke ndjerë
në shpirt
në trup

e ti i ke folur lumit të thellë
ai ka ikur kah brigjet e humbura
prej sëmundjes sate ka ikur

e ti je shtrirë buzë lumit të gufuar

lumi ka përgjuar jetën tënde tërë kohën
të ka pushtuar si magjia të ka mashtruar pastaj
lumi të ka vënë në gjumë pas nëntëdhjetenëntë
vjet pagjumësie
dhe ka ikur kah brigjet e humbura

ti ashtu me shpirt në hava i shtrirë
ke soditur sytë e zgurdulluar të heshtjes

e nata i ka mbuluar gjurmët dhe klithjet.

Lum si ti Ali Podrimja

LUM SI TI ALI PODRIMJA

(Në përvjetor)

Rrahman Paçarizi

Nëse kisha me e përkufizu fatin, e kisha konsideru veten me fat që kam jetu në një periudhë thyerjesh dhe kam arritë me njoftë shumë njerëz, ndër ta Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Besim Bokshin… Të gjallëve s’ua kam besën. Deka është faqe e bardhë.

Ka qenë dimër i vitit 2011. Duhej të mbanim një punëtori të RTK-së me Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së. Si zakonisht, në të njëjtën veturë udhëtuam me Ali Podrimjen, e Naim Beqirajn. Pra, unë dhe dy poetë të mirë të Kosovës. Unë s’e konsideroj veten poet edhe pse shkruaj, por poezia më ka ndihmu me i njoftë njerëzit që i përmenda, pra edhe bashkudhëtarët e mi. Ata që e kanë njoftë Ali Podrimjen e dinë se ai s’ka qenë njeriu i workshopeve.

Ali Podrimja, që veten e quante “mixha”, s’kishte durim me ndejtë në mbledhje, e sidomos jo në mbledhjet e gjata të Bordit të RTK-së, natyrisht as në punëtoritë e organizuara për sistematizimin e vendeve të punës. “Brucosh, ma gjej një veturë se du me shku deri në Tiranë. Dritëroi s’është mirë me shëndet!” Ia siguruam veturën dhe vazhduam mbledhjen. Nuk kaluan dy-tri orë dhe sa dolëm për një pauzë, “mixha” ishte ulë vetëm në oborrin e hotelit. Cigare nuk mbante me vete, por e ndizte nganjëherë. “A nuk shkove?”, e pyeta. “Shkova e u ktheva. M’kanë ba nervoz.” Mjaftonte. Ali Podrimja ishte poet dhe kishte botën e tij. Kishte diçka që nuk shkon në karakterin e tij. Nuk kishte durim, ta ndërpriste fjalën kur i tekej, madje as veten s’mund ta duronte – edhe vetes ia priste llafin. Kaq i pasistemuar ishte, por njëkohësisht tepër i mbyllur. E njihja që nga viti 1995, kur kisha nisë me punu në “Bota Sot”. Një herë erdhi për ta marrë për kafe Milazim Krasniqin, por meqë ai ishte i zënë pata dalë unë me Aliun për kafe. E thërrisja zoti Ali dhe ai më shikonte si të mos kuptonte pse po i drejtohesha ashtu. Për mu kish qenë andërr me e taku Ali Podrimjen – mbaja mend çdo varg të tij. E kam rrëfyer njëherë se sa i dëshpëruar qeshë kthyer në zyrë pas takimit të parë me Ali Podrimjen, se më ishte dukë sikur më kishte injoru. Ali Podrimja, pra, s’kishte durim me e dëgju as veten, e lëre më një fëmijë të verdhë që i ishte ngjitë si rrodhe për kafe. Milazimi ma shpjegoi se nuk më kishte injoru, por i tillë ishte Ali Podrimja. Pra, ali Podrimja ishte poet. Nuk ishte i zakonshëm, i rëndomtë, nuk ishte si njerëzit e tjerë. Dukej sikur asnjë fjalë s’e çonte deri në fund dhe shpesh e këpuste ndonjë sharje ashtu në ajër. Aq i pasistemuar në dukje, Ali Podrimja kurrë nuk ka folë për veten dhe as për miqtë e tij. As barcoleta madje. Ndërsa, të gjithë miqtë e tij tregonin barcoleta për të, ai kurrë s’e hapte gojën. Vdekjen e Azem Shkrelit e pati përjetu rëndë. Kishin kalu një jetë bashkë. Ishin krejt të ndryshëm. Gjithë çfarë kishte Aliu nuk kishte Azem dhe gjithë çka kishte Azemi, nuk kishte Aliu. Mirëpo, të dy ishin për t’u dashur deri në adhurim, të tillë çfarë ishin.

E, atë dhjetor deri sa po ktheheshim nga Tirana, dhe i mërzitur siç ishte për fjalosjen e rëndë me Dritëro Agollin, Ali Podrimja u bë tepër intim me mua e Naime Beqirajn. Edhe Naimja që e njihte shumë më gjatë se unë çuditej se si Ali Podrimja ishte hapur aq shumë. Ajo udhë e bërë bashkë ishte konfesioni i fundit e ndoshta i vetmi i Ali Podrimjes. Ali Podrimja na tregoi gjithçka për pothuajse të gjithë njerëzit e kulturës e letërsisë në Kosovë, do me thënë për raportet e tij për vështirësitë e mbështetjet. Në esencë, ajo që pamë ishte se Ali Podrimja e donte secilin në mënyrën e tij, ndonëse kishte arritur të prishte raportet me secilin së paku për një orë, i kishte sha, po prapë i kishte dashur. Natyrisht me Basri Çapriqin asnjëherë nuk ishte fjalosë, sepse Basriu, që tash rron me Aliun, ishte tepër i gjerë, ulqinak tipik, mesdhetar.
Ajo udhë, ai autokonfesion i Ali Podrimjes ishte i fundit, e ndoshta i vetmi, por me siguri ishte hera e parë dhe e fundit kur Ali Podrimja kishte arritë me e dëgju veten aq gjatë, pa ia pre fjalën vetes.
Dhe, në përvjetorë të tillë, kur Naime Beqiraj poston fotografinë nga Durrësi me Ali Podrimjen, mu më kujtohet veç udha e fundit e tij me mua e Naimen. Pak muaj më pas ai shkoi te Lumi i tij. Dha shpirt te nje lumë. Ali Podrimja ishte poet, jetonte si i tillë, e poetët nuk janë të përsosur, por janë të veçantë. Papërsosmëria e tyre është përsosmëri.
Atë udhë me Aliun e Naimen nuk e zhbëj. Nëse kisha me e përkufizu fatin, e kisha konsideru veten me fat që kam jetu në një periudhë thyerjesh dhe kam arritë me njoftë shumë njerëz, ndër ta Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Besim Bokshin… Të gjallëve s’ua kam besën. Deka është faqe e bardhë.
Lum si ti Ali Podrimja që ke vdekë më vakt dhe ke marrë me vete plot rrëfime të patreguara. Prandaj, je poet, Ali Podrimja. Kemi me e gjetë një vend për shtatore për ty. Ndoshta te Pallati i shtypit, që tash është ndërtesë qeveritare. S’besoj që dikush ka me guxu me kërku shesh ma të gjerë për ty.

Amerikanët e blejnë filmin mbi bombardimet e NATO-së në Serbi

Një vozitës duhet ta bëjë rrugën nga Kosova për në Beograd në një kohë të tmerrshme lufte.

Është viti 1999, Serbinë po e bombardon NATO-ja. Vozitësi ka diçka në kamionin e tij, ndërsa kalon nëpër peisazhin me luftë.

Tregimi në filmin “The Load” me regjisor Ognjen Glavonic ishte pjesë e Festivalit të Kanës. Grasshopper Film, kompani amerikane e filmit i ka blerë të drejtat e shpërndarjes së filmit në Amerikë.
Filmi së shpejti do të shfaqet edhe në Amerikë.

Filmi është 90 minuta dhe në gjuhën serbe, i xhiruar në shkurtin e vitit 2017-të, dhe i bazuar në një ngjarje krejt të vërtetë.

Filmi është bashkëproduksion mes Serbisë, Katarit, Francës, Kroacisë dhe Iranit. / KultPlus.com

‘Ishin kan vllaznue dielli e hana’

Ishin kan vllaznue dielli e hana. Shkon hana ni dite per qef tu dielli edhe ja con ni pare tesha bakshish. Dielli gzohet edhe e pret mire. Mbas disa dite vjen dielli m’e pa hanen. S’i bjen kurgja. Hana i thot:
Qysh u ba puna kshtu? Une erdha e t’i pruna ni pare tesha bakshish, e ti s’um prune kurgja!
Dielli i tha:
Po ti kurre njejte s’po rrin: here hic, her n’ngjys, here e plote e nuk dita qysh me t’i pre teshat, per qata s’t’i pruna.

Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963.

Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.
Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe. Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës. Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. / KultPlus.com

‘Jepi me gojë’ nga Haveit, të hënën në Prizren

Këtë të hënë, në Prizren vjen një performancë e radhës nga HAVEIT.

Në kuadër të Balkan Society for Theory and Practice Workshop, HAVEIT – kolektivi artistik i përbërë nga Hana, Vesa, Lola dhe Alketa do të performojnë “Jepi me gojë”.

Me fillim prej orës 19:30 te Kino Lumbardhi, vjen performanca që erdhi si produkt i rezidencës artistike në Tiranë në vitin 2013-të, shkruan KultPlus.

Performanca asokohe pati vendin tek Sheshi Skënderbej në Tiranë, ndërsa më pas është performuar në Stokholm në Ljublanë dhe u ekspozua si video në Budapest në Ludvig Museum në vitin 2016-të.
HAVEIT janë kolektiv artistik edhe feminist dhe janë pjesë e disa ekspozitave nëpër Evropë.
Balkan Society for Theory and Practice Workshop po mbahet në Prizren këto ditë vere me punëtori dhe me ligjërata nga më të ndryshmet.

Sonte do të mbahet një ligjeratë nga Dr. Marina Gržinić dhe Dr. Tjaša Kancler. Ligjërata “What Does it Mean to Speak of Decoloniality in Eastern Europe?”, do të mbahet në Kino Lumbardhi në Prizren nga ora 19:00 – 21:00. Ligjerata dhe diskutimi do të jenë në gjuhën angleze. / KultPlus.com

Një person që thuhet se është këngëtar masakron qenin në Shqipëri

Një video mjaft tronditëse ka mbërritur në redaksinë e JOQ.al mbrëmjen e sotme, ku shihet se si një qen masakrohet në mes të ditës.

Ngjarja është regjistruar në qytetin e Durrësit dhe sipas denoncuesit, personi që kryen aktin makabër është një emër mjaft i njohur për të gjithë.

Denoncuesi shkruan:

“Po ju dërgoj një video të regjistruar sot në Durrës. Është këngëtari Hajredin Gjeta që pasi ka masakruar qenin me lopatë, vazhdon i gjuan akoma me tulla në mes të ditës”

Kjo nuk është hera e parë që ndodh, pasi edhe më parë video të tilla janë bërë virale dhe mjaft personazhet të njohura kanë shfaqur solidarizimin me kafshët, duke dënuar veprime të tilla.

Padyshim që duhen marrë masa të rrepta nga instancat përkatëse dhe akte të tilla barbare duhet të dënohen.

Aktorja të cilën e vranë 358 herë

Ajo nuk është e njohur në kujtesën kolektive aq sa Brad Pitt, por megjithatë ka luajtur role të mëdha dhe një pjesë e mirë e tyre janë epike.

Paula Maxa, emri i vërtetë i së cilës ishte Marie Therese Beau, është vrarë 358 herë gjatë karrierës së saj artistike.

Aktorja franceze e cila ka vdekur në vitin 1970 është angazhuar zakonisht për role të cilat kanë kërkuar agresivitet, zë të fuqishëm, bërtima, terror, lëvizje ekspresive të trupit dhe histeri duke u vrarë.

Në teatër, aty ku u zhvilluar karriera e saj, ajo vdiq rreth 30 mijë herë. Në fund të jetës së saj vlen të përmendet se ajo nuk merrej me role të tilla por iu kthye komedisë. / KultPlus.com

Rënkimi

Ali Podrimja

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar ta kanë tytat
e vatrat shkimbur deri në një;
zogun në qiell vrarë ta kanë – me duar të mia të çara,
me rrashta tona t’shpuara mbuluar t’kanë.
Qaj,
rrafshi im i dashur, qaj!
Në flakën e oxhakut, t’oxhaqeve tona therë e pjekur kanë deshtë me këmborë, pragje thyer e konaqe mbyllur.
gjakun pijë na kanë në sofrën tonë
e na – vdekur kemi për mbretër, sulltanë…
Qaj,
rrafshi im i dashur, qaj!
Gjak e rrashta në ty kam shkelur konak e më konak duke të të rënë; dasmën me dy tre krushqi e kam bërë e dekën jashtë pragut si sytë e ballit nxjerrë e kam kur na kanë gjuajtur,
kur na kanë vrarë.
O, qaj tokë e dashur, qaj!
Plepi im qiellin do të shpojë, plepi im i kallur –
qiellin e humbur maje një shpate.

‘Tafë kusuri’, rrëfimi mbi artistin Agim Qena

2013 / Arbër Selmani

Gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk do t’i donte mysafirët. Ishte nervoz dhe madje kjo ishte arsyeja që shumë prej njerëzve i kishte larguar nga vetja. Për asgjë në botë ai nuk do ta hapte telefonin apo t’i kushtonte vëmendje i pari cokatjeve në derë.

Kafenetë e rakisë i preferonte e madje nuk mund ta konceptonte një njeri normal e mbi këtë tokë që nuk pi alkool. Me pesë fëmijë, atij nuk do t’i pengonte të kthehej vonë në shtëpi.

Madje ishin po këto momente kur Agim Qena ishte më humani i njerëzve, duke treguar historitë, përlarjet e tij jashtë shtëpisë, gotat e rakisë dhe fytyrat e shëmtuara që kishte parë nëpër qytet. Momentet kur ai ishte i dehur, prodhonin edhe situata komike dhe të kujtuara në harmoninë familjare.

Krijuesi i stripit komik të famshëm“Tafë kusuri” kishte qindra arsye të nxirrte vrer mbi këtë personazh komik e karikaturist, dhe po këtij projekti madhor duket se ia kushtoi tërë jetën. Hana Qena, njëra nga pesë fëmijët e tij, në tetëvjetorin e vdekjes së babait tregon se ndihet e distancuar në raport me të. “Kemi pasur raport më të distancuar, më të përmbajtur. Ai gjithmonë është ankuar shumë, për gjithçka.

Shumë gjëra m’i ka mësuar qysh e re, ndryshe prej fëmijëve të tjerë, dhe mendoj se si personalitet i krijuar sot shumë gjëra më rrjedhin nga mësimet e tij”, tregon Qena.


Rron Qena pikturoi babain e tij, Agimin

Hana, regjisore, 17-vjeçare kur i vdiq babai, thotë se ishte ëndërr e babait të saj që ajo të merrej me “Metamorfozën” e Kafkës apo “Idiotin” e Dostojevskit. Qena gjithçka kishte nisur në moshën 18-vjeçare, ndërsa deri në mesin e të 50-ve kur edhe vdiq është mishëruar me lajme të tmerrshme që më pas i nxori në “Tafë kusuri”.

Karrierën e karikaturistit e filloi në Mitrovicë, atje ku kishte njohur gruan e tij. “Kjo ishte femra më e bukur në Mitrovicë, përshkruar sipas tij”, tregon Qena, vajza e Agimit. Karikaturisti nuk kishte si të lejonte gabimet drejtshkrimore, përplasjen e pirunëve edhe pa dashje në sofrën e bukës apo ngrënien e tepërt të bukës.

“Ai nuk e ka konsideruar asnjëherë veten si fytyrë publike, e ke parë edhe në kafenetë e zakonshme. Ka qenë i drejtpërdrejtë, shumë selektiv dhe kritikues e i sinqertë dhe ndoshta kjo edhe e ka larguar prej njerëzve. Edhe me fëmijët e tij ka pasur raport të fortë. Arti i asaj kohe në Kosovë nuk ka çuar peshë për sytë e tij, krejt për çka ai ka folur ka qenë “Tafë kusuri”. Kur gjyshja e kritikonte, ai thoshte “Unë mantia s’di me bo”. Ambientin ku ka punuar në shtëpi e ka dashur ashtu, të rrëmujshëm”, tregon Hana Qena.

“Por edhe për shumë gjëra nuk i ka interesuar. Më kujtohet, njëherë krejt banorët e banesës kemi dalë jashtë për shkak të një tërmeti, ka qenë i vetmi që nuk ka lëvizur”, tregon Qena.

Të shtunën, në tetëvjetorin e vdekjes së Agim Qenës, krejt çka kujtohet është çmimi “Boemi i Mitrovicës”, i vetmi në tetë vite mungesë të krijuesit të “Tafë kusurit”. E shtuna në Prishtinë duket më sportive se e diela, dhe si jo për të parin personazh asnjë koleg e institucion nuk ka vendosur ta kujtojë figurën e “Tafë kusurit”.

“Në momentin kur ka vdekur, kanë ardhur shumë njerëz të na shohin. Shumica na kanë treguar se çfarë babai kemi pasur e sa krenarë duhet të jemi me të, por një pjesë e mirë e tyre as nuk i kemi njohur. Ata s’e kanë njohur as talentin e Agimit, por besoj kjo ndodh tek ne tani dhe nuk është më e çuditshme”, tregon Qena.

Ajo dhe motra e tre vëllezërit e saj autorin e kanë thirrur në emër. “Agimi nuk është kujtuar nga të tjerët në momentet e këqija të jetës së tij, prandaj nuk po kujtohet as sot. Ka shumë kohë që ne si familje dëshirojmë t’ia botojmë një libër”, tregon Qena.


Fakete Rexha, Remzi Limani, Agim Qena, Faruk Begolli

“As Meli Qenës nuk i është ndarë çmim nga Ministria e Kulturës, në këtë rast as Agimit.Ne si familje ndoshta jemi të fundit që duhet t’ua përkujtojmë të tjerëve figurën e Agim Qenës”, vazhdon Qena.

Një pjesë e arkivit të Qenës gjendet në shtëpi, e të tjera i ka arkivi i qytetit, “Rilindja” e Radio Televizioni i Kosovës, ku Agim Qena kishte punuar pas përfundimit të luftës.

“Agimi nuk më ka rrahur kurrë, më duket se më ka konsideruar shumë të mençur. Ai ka pirë shumë duhan, katër pako cigare në ditë, kur i kanë mbetur edhe 20 cigare ai ka bërë panik. E ka dëgjuar aq shumë ‘Deutsche Wellen’ saqë edhe sot mendoj se diku në shtëpi dëgjoj zërin e radios”, tregon Qena.

Qena ka qenë fëmija i nëntë në familje, me kumbarë Josip Broz Titon. Asokohe, shtimi i familjes ishte i bereqetshëm. Agimi për pak ka mundur të quhet Ndërtim, ndërsa shoqëri të madhe ka pasur me Muharrem Qenën, në të njëjtën mëhallë.

Hana po ashtu është menduar të quhej Rukie, njësoj si nëna e Agimit. Ka qenë Agimi ai që nuk ka lejuar një gjë të tillë. Ameriko Vespuqi ishte vajza e vogël, Vesa, ndërsa Bizmarku ishte Hana, për Agimin.

“Rrallë e kemi dërguar në mbledhjet e prindërve. Është përlarë shumë me profesorët dhe ka gjetur gjithmonë gabime në libra, më pas është ankuar pse ne mësojmë prej këtyre librave. Ka qenë pak romantik megjithatë, nuk e kujtoj që i ka blerë nënës ndonjë unazë. Atij i është gjest i çuditshëm blerja e dhuratave”, vazhdon Qena.

Ajo kujton lojën “Kapti Qkllapti”, kur ai i kapte vajzat e nuk i lëshonte, i detyronte që ato të sforcoheshin për t’u ndarë nga gishti i tij. Ai në ndërkohë, vazhdonte me lajmet e cigaren, shoqëri kjo e pandarë për figurën që solli revolucionin komik.

“Në kohën kur doli interneti, atij i është dukur absurde se unë mund t’ia dërgoj “Tafë kusurin” me imell. Kur ia kam dërguar diku, ai ma ka dhënë edhe personalisht që ta dërgoj fizikisht, sepse kurrë nuk ka besuar në sigurinë e internetit”, thotë Qena.

Banesa e Qenajve, asokohe, ka qenë e mbushur plot “Tafë kusuri” në muret e saj. “Në ditët e fundit të jetës së tij, u sëmur shumë dhe nuk pranonte të shkonte në spital.

Madje kishte kërkuar as të mos përkujtohej në gazetë. E kujtoj ditën kur ka vdekur, është zgjuar në mëngjes dhe i ka thënë nënës “Shpëtova edhe këtë herë”. Njëfarë ndriçimi i ka përshkuar fytyrën dhe në dy minutat e ardhshme ai ka vdekur”, tregon Hana Qena, vajza e madhe e Agimit.

2013 / Arbër Selmani

Thethi pa skandale mirëpret turistët me gatim dhe art në ‘Za Fest’

Turistët dhe vizitorët vendas kjo fundjavë i pret ndryshe në Theth.

Përveçse bukurive të mahnitshme të natyrës së egër në majat e thepisura të Bjeshkëve të Nemuna dhe buzë lumit Shalë ata dhe do të argëtohen.

Zanat e malit dhe legjendat në Theth do të zgjohen nga festivali i parë modern i dedikuar trashëgimisë të Alpeve Shqiptare ”Za Fest”, njofton ATSH.

”Za Fest” vjen me edicionin e tij të dytë, për dy net radhazi, më 20 dhe 21 korrik, duke risjell në Theth muzikën më të mirë shqipe, por këtë radhë duke zgjeruar akoma më shumë laramanin kulturore.

Turistët do të shijojnë ritmet e artistëve Hasa-Mazzota, Andrra, Oborri dhe Linda Rukaj, të cilët do të performojnë drejtpërdrejt nga Kisha e Thethit. Një repertor i pafundmë ritmesh, notash dhe vokalesh që mund të përthyejnë çfarëdolloj barriere kulturore.

Nën shoqërinë e njëri-tjetrit vizitorët do të mund të shijojnë sfondin e duhur me panoramën mahnitëse të Thethit.

Këtë vit ky festival është gjithëpërfshirës, i cili kombinon muzikën më të mirë me artet figurative, shijet tradicionale dhe aktivitetet sportive në natyrën e bukur të Thethit. / KultPlus.com

13-të vite pa Agim Qenën

Sot shënohen 13-të vite nga vdekja e Agim Qenës.

I njohur si Tafë Kusuri, karikaturisti e artisti i njohur ndërroi jetë në vitin 2005.

Qena e nisi karrierën në Mitrovicë ndërsa vazhdoi në gazetën Rilindja. Më pas do të punonte në Koha Ditore që nga viti 1997. Stripi komik “Tafë Kusuri” më vonë do të vinte prej dorës së djalit të tij, Rron Qenës.

“Tafë Kusuri” do të përmbante situata të ndryshme nga jeta e përditshme e shqiptarëve.

Vajzat e Agimit, Vesa dhe Hana Qena, sot janë të dyja artiste, njëjtë sikur Rroni.

Qena ka qenë fëmija i nëntë në familje, me kumbarë Josip Broz Titon. Asokohe, shtimi i familjes ishte i bereqetshëm. / KultPlus.com

Era i thotë Thaçit: A mundem me të përqafë (VIDEO)

Këngëtarja kosovare tashmë me famë botërore, Era Istrefi ka marr sot dekoratë presidenciale nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, mirëpo ajo kishte një moment të sikletshëm kur presidenti zgjati medaljen.

Era pas marrjes së dekoratës bëhet gati ta përqafojë presidentin e vendit mirëpo ai largohet duke marrë edhe shkresën e dekoratës dhe largohet derisa Era zgjatet për ta përqafuar dhe i thotë “a mundem me të përqaf”.

Era Istrefi është nderuar me Medalje Presidenciale Jubilare e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. / KultPlus.com

Pasardhësja e Skënderbeut prezanton produktin e ri nga Stone Castle (VIDEO)

Për nderë të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Stone Castle ka lansuar një produkt të ri në treg.

Vreshtaria dhe verëtaria ka sjellë GJERGJ KASTRIOTI – Vranac i lashtë, kushtuar heroit kombëtar.

Sophie Castriota, pasardhëse e familjes së Skënderbeut ka një mesazh brenda videoklipit që e prezanton produktin e ri, për njeriun të cilit iu tremb një perandori e tërë.

Ajo disa herë ka potencuar për dashurinë për prejardhjen e saj dhe për shqiptarët, ndërsa ka treguar se ndihet e emocionuar kur sheh sa shumë shqiptarët kanë admirim për figurën e Skënderbeut.

Vreshtaria dhe Verëtaria ‘Stonecastle Vineyards’ në Rahovec është prodhuesi më i madh i verës në Kosovë dhe ndër më të mëdhenjtë në Ballkan. / KultPlus.com

Policia e Kosovës thotë të mos postoni foto nga dasmat për shkak të hajnave

Policia e Kosovës në një komunikatë dërguar sot mediave ka përsëritur se është e përkushtuar për ruajtje të rendit dhe ligjit si dhe për mbrojtjen e pronës së qytetarëve.

Në njoftim, policia rajonale e Gjilanit u ka bërë thirrje mos të publikojnë fotografi që tregojnë vendndodhjen e tyre, pasi kjo po ua mundëson hajnave të shkojnë në shtëpi të zbrazura.

“Policia e Kosovës në Gjilan në vazhdimësi e përsërit Apelin për të gjithë qytetarët që me rastin e largimit të tyre nga shtëpitë qoftë kur shkojnë në pushime jashtë vendit apo dasma dhe ahengje të ndryshme familjare, të sigurojnë pronën dhe pasurinë e tyre , por edhe t’ mos bëjnë postime në rrjetet sociale për vendndodhjen e tyre, sepse nga praktikat e deri tanishme është vërejtur se kryerësit e veprave penale të vjedhjeve duke besuar se në shtëpi nuk ndodhet as kush, dhe këto shtëpi dhe pasuri letë mundë të jenë cak i vjedhjeve, gjithnjë kanë vepruar duke u informuar apo bazuar në këto foto apo postime të cilët familjarët i kanë bërë”, ka bërë të ditur policia.

Dritëro Agolli dhe dentisti i Partisë Demokratike

Në një intervistë të vitit 1996, pyetjes së gazetarit: “Ju lutem një barcoletë, por një barcoletë që disi i bashkon shqiptarët?”, shkrimtari Dritëro Agolli i përgjigjet me shumë humor:

“Barcoletat janë si poezia. Ato nuk tregohen, kur kërkohen. Të thuash trego një barcoletë është njëlloj si të thuash: bëj një poezi. Madje unë deri tash barcoleta kam treguar, megjithëse jam pa dhëmbë. Kur shkova para nja dy vjetësh tek dentisti të hiqja një dhëmb , e pyeta:” në cilën parti je?” Ai më vështroi dhe më tha se pse e pyesja .

“Pyes , i thashë, se ju mjekët aq jeni politizuar , sa mund të politizoni edhe këtë dhëmbin, më shkulni bashkë me dhëmbin edhe nofullën për të më rinovuar”. Ai qeshi dhe u kënaq se ishte i Partisë Demokratike. Ishte burrë i mirë dhe nuk më mori asnjë lek . Kur ika , i thashë:” Dhëmbët janë proletarët e gojës. Këta proletarë u lodhën dhe unë nuk kam fuqi t’i udhëheq më tutje”.
Dentisti qeshi përsëri dhe ne u bëmë miq.”

Gjuha shqipe dhe gjuhët e huaja u shpalosën në trupa njerëzish në Muzeun e Kosovës

Arbër Selmani
Fotografitë: Arben Llapashtica

Luke Baio herë lëvizë buzët në gjuhën shqipe, herë disa fjalime në gjuhën franceze. Më pas vazhdon në gjuhën spanjolle, bëhet qull i djersitur pasi përcjellë edhe trupin e tij derisa ai i jep shenjë të lëvizë në hap me ritmin e muzikës. Ai është vetëm një prej gjashtë performuesve tjerë që duhet të përcjellin secilin mes vete, trupin e tyre, muzikën në sfond, emocionet e ndryshme që vijnë prej audiencës, në sinkron me gjuhët e ndryshme trupore dhe gjuhët e ndryshme kombëtare.

Performanca e tillë erdhi mbrëmë në kuadër të HAPU – Festivalit të Artit në Hapësirë Publike. Nëpër shkallët jashtë Muzeut të Kosovës performuesit vinin në frekuenca të ndryshme, herë në disponim qesharak dhe herë duke u përsëritur si një kasetë e prishur që kërkon ndihmë për të vazhduar punën.

Gjashtë janë gjithsej performuesit në kuadër të performancës “Gjuhët e Huaja”. Performanca mbrëmë erdhi me plot gjuhë, mes tyre edhe shqipen, me zërin e Dardan Islamit që flet diçka herë artikulueshëm e herë me ndërprerje, zëri i një nëne sa shumë e do fëmijën e saj – me fjalë përkëdhelëse.

Për 55 minuta, trupat e aktorëve u shndërruan në barkë që lëvizë, pa ujë.
“Audienca në fillim nuk përfshihet shumë, por më pas në aktin e tretë e kuptojnë se kemi përfshirë edhe gjuhën shqipe dhe aty relaksohet. Ne si performues duhet të reagojmë shpejt ndaj çdo situate që krijohet. Në fillim ne nuk e dinim as se ku do të ulej audienca, por më pas e kuptuam kah janë shpërndarë ata” tregon mes tjerash Luke.
Kjo sepse performanca nisë me të gjithë të mbuluar me rroba, deri në një shikim të pastër më pas, drejtuar audiencës.

Grupi vjen nga Austria ndërsa brenda tij përmban njerëz të etniteteve të ndryshme. Ata janë mësuar të veprojnë në unison me njëri-tjetrin.
“Kemi ushtruar shumë për një performancë të tillë. E mira e saj është se kudo që shkojmë, ne shtojmë elemente të reja të vendit ku performojmë, qoftë muzikë ose ndonjë element tjetër që ne e shohim si interesant” vazhdon Luke për KultPlus.

Grupi është themeluar në vitin 2005 nga koreografi Chris Haring. Chris madje edhe mbrëmë në këtë performancë nuk qëndronte i tëri i relaksuar, duke kontrolluar muzikën por edhe duke parë se si puna e tij po vinte në jetë në kryeqendrën e Kosovës.

“Ka tre vite që po ushtrojmë dhe po e përmirësojmë “Gjuhët e Huaja” si koncept. Po krijohet kësisoj një simfoni ndërkombëtare. Ne e marrim një gjuhë ndërsa valltarët duhet të improvizojnë me atë gjuhë. Shembull: njerëzit u drejtohen bebeve, kafshëve, popullit, ndërsa valltarët duhet menjëherë të trillojnë lëvizjet e tyre, dhe mimikën e tyre” tregon koreografi Haring, duke potencuar gjithmonë dashurinë për hapësirën publike si vend ku performanca merr gjithmonë jetë në një formë tjetër dhe ku edhe publiku reagon gjithmonë me diçka të re, herë duke qeshur e herë duke u habitur sa afër valltarët vijnë drejt tyre.

Festivali i Artit në Hapësirë Publike HAPU po vazhdon edicionin e katërt deri me 21 korrik në kryeqytet. / KultPlus.com

Ushqimi jo i sigurtë – turistët në Shqipëri e marrin bukën me vete

Në plazhet buzë Adriatikut, pushuesit i janë kthyer “bukës me vete”. Kjo është një zgjedhje jo thjesht për të ulur kostot, por mbi të gjitha për të rritur sigurinë e tyre ushqimore.

Ata ndihen të pasigurtë gjatë stinës së nxehtë nga tregtimi i pakontrolluar i mjaft produkteve ushqimore nga shitësit ambulantë, por edhe “fast food”-et e lokalet e shumta në bregdet.

“Siguria ushqimore nuk është fare. Këta shitësit ambulantë njëherë… Duhet të jenë të kontrolluara edhe marketet, është verë. Gatuajmë vetë, nuk blejmë në plazh. E marrim ushqimin nga shtëpia. Nuk hamë në restorante sepse nuk dihet siguria”, thonë pushuesit.

Në qendrat shëndetësore verore të plazheve, numri i pushuesve që kërkojnë ndihmë nga mjekët është në rritje, veçanërisht gjatë fundjavave, ndaj mjekët këshillojnë një kujdes të shtuar për një higjienë sa më të lartë, veçanërisht te fëmijët.

Dorela Luku, mjeke te qendra shëndetësore e Shkëmbit të Kavajës, shprehet: “Më tepër janë fëmijë. Preken më shumë sepse nuk respektojnë rregullat e higjienës dhe parapëlqejnë ushqimet e gatshme të paketuara. Nuk është e sigurtë shitja buzë rrugës”.

Mjekët rekomandojnë që pushuesit të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse konstatojnë dhimbje të forta barku dhe të vjella. / KultPlus.com

Protestë kundër trajtimit të lopëve nga artisti Sislej Xhafa

Plot diskutim ka nisur së fundmi rreth ekspozitës së Sislej Xhafës në kryeqytet.

Artisti i cili gëzon famë gjithandej nëpër Evropë, ka ‘acaruar’ aktivistët për të drejtat e kafshëve të cilët nuk po pajtohen me faktin se disa lopë janë brenda një hapësire ku po trajtohen keq.

“Kafshët nuk duhet të konsiderohen si objekte keqtrajtimi. Ato nuk mund të burgosen për hir të të ashtuquajturit “art”. Për kafshët, kjo që po u ndodhë, nuk është art! Ne i themi artistit dhe Galerisë Kombëtare të Artit, që kafshët nuk janë argëtim! Ato me dhunë dëtyrohen të qëndrojnë në hapësira të mbyllura, të errëta, të nëveritshme dhe të mundimshme. Arti duhet të jetë dicka qe prekë shpirtin dhe mendjen e njeriut pa mënyra tortoruese dhe abuzive mprapa. Lopët që janë duke u mbajtur në një shtallë të improvizuar tek Galeria e Arteve është thjesht neglizhencë e njeshmërisë njerëzore dhe mos përgjegjësi etike. Na takon neve si qytetarë, qe t’ia kalojme “artistit: Sislej Xhafës” një mesazh me një vetëdije të thjeshtë (common sense), që në ditët e sotme, mund të vetshpallet çfarëdo vepre si “art” – por ne, nuk do ta tolerojmë aktin e keqtrajtimit të kafshëve, në mënyrë që ju ta shprehni “artin” e juaj, që jep vuajtje. I bëjmë thirrje të gjithëve, që të bashkohen, që ta ngrisim zërin dhe të protestojmë kundër këtij keqtrajtimi. Vuajtja nuk është art! Speaking up for you, by loving you”.

Kësisoj është paralajmëruar një protestë me datën 24 korrik, para Galerisë Kombëtare të Arteve, atje ku edhe u hap ekspozita e artistit Sislej Xhafa ku mes tjerash vepra “Eight Kosovo Cows” ka zgjuar debat dhe polemika.

Protesta po organizohet nga aktivistët për të drejtat e kafshëve – United for Animals – UFA, ndërsa do të nisë në ora 16:30. / KultPlus.com

Filmi i Gentian Koçit në Cinelink Co-production Market

‘A Cup of Coffee and Neë Shoes On’ është projekti i Gentian Koçit i cili është përzgjedhur në raundin e dytë të Cinelink Co-production Market, që këtë vit do të mbahet në kuadër të Festivalit të Filmit në Saerajevë, shkruan KultPlus.

Filmi bashkëproduksion mes Shqipërisë e Greqisë e rikthen regjisorin shqiptar në Festivalin e Filmit në Sarajevë, që do të nisë me 10 gusht.
Vitin e kaluar, aktorja Ornela Kapetani morri çmimin për aktoren më të mirë në Festivalin e Filmit në Sarajevë pikërisht me film të Koçit.

CineLink Co-production Market është kategoria ku filmi shqiptar do të shfaqet, në festival, dedikuar projekteve filmike në zhvillim. Kjo platform e zhvillimit të fillmit konsiderohet të jetë më e rëndësishmja në Evropë, ku projektet filmike që përzgjidhen në këtë plaformë, janë filma potencial për festivalet më prestigjioze në Evropë e më gjerë.
Filma të tjerë nga Serbia, Mali i Zi, Hungaria, Franca, Azerbajxhani, Sllovenia e Belgjika do të jenë pjesë e të njëjtit program që është pjesë e festivalit prestigjioz që fillon me 10 deri me 17 gusht. /

Motër Prema: Misionaret e Dashurisë nuk merren me shitje fëmijësh

Zhdukja e një fëmije “të shitur” nuk ka të bëjë “aspak me Kongregatën e Misionareve të Dashurisë”. Për murgeshat shtohen “mitet, informacionet e shtrembëruara dhe lajmet e rreme… së bashku me aludime pa bazë”. Tregimi dhe mbrojtja e motër Premës, pasardhëses së dytë të shën Nënë Terezës, në krye të Kongregatës.

“Shitja” e një fëmije të sapolindur nga ana e një punonjëseje të motrave të Nënë Terezës në Ranchi të Indisë, shkaktoi, ditë më parë, arrestimin e një murgeshe dhe hapjen e hetimeve për të gjitha shtëpitë, ku Misionaret e Dashurisë kujdesen për fëmijët. Sipas personaliteteve të ndryshme në vend, rasti po instrumentalizohet politikisht. Në deklaratën e saj të parë zyrtare, eprorja aktuale e motrave të Nënë Terezës, motër Mary Prema, krahas me besimin në ligjin e gjykatat, ngre zërin kundër “miteve të përhapura, informacioneve të shtrembëruara dhe lajmeve të rreme… si edhe kundër aludimeve pa bazë”, objekt i të cilave janë motrat e shenjtores shqiptare të bamirësisë. Motër Prema vë në dukje zellin e çuditshëm denigrues të disa zyrave qeveritare, që deri pak javë më parë e ngrinin në qiell punën e murgeshave e përfundon, duke u lutur për të gjithë të prekurit nga ngjarjet. Deklarata e eprores së Misionareve të Dashurisë u bë e njohur dje nga Shtëpia Nënë në Kalkutë dhe u botua nga Agjencia katolike AsiaNews. Ja deklarata e plotë:

Deklarata e motër Premës
Jemi thellësisht të trishtuara e të mërzitura për zhvillimet e fundit në shtëpinë e Misionareve të Dashurisë Nirmal Hriday në East Jail Road të Ranchi-t. Ndërsa shprehim besimin tonë të plotë në procesin gjyqësor në vijim, dëshirojmë të shprehim edhe keqardhjen për sa ka ndodhur, si edhe dënimin tonë pa mëdyshje për veprime individuale, që s’kanë të bëjnë aspak me kongregatën e Misionareve të Dashurisë. Po bashkëpunojmë plotësisht me hetuesit e jemi të gatshme për të pranuar çdo hetim të lirë, të ekuilibruar e të drejtë. Në këtë kuadër, sidomos duke pasur parasysh mitet e shumta, informacionet e shtrembëruara dhe lajmet e rreme, që përhapen së bashku me aludime pa bazë për motrat e Nënë Terezës, është e rëndësishme t’i tregojmë ngjarjet, ashtu siç kanë ndodhur me të vërtetë.

Motër Concelia është emëruar përgjegjëse e seksionit të “nënave të pamartuara” në Nirmal Hriday, East Jail Road, Ranchi, më 6 qershor 2017. Kishte përgjegjësi për pranimin, mjekimin spitalor, këshillimin, regjistrimin, shoqërimin e nënave dhe të të sapolindurve, si edhe për daljen e tyre nga qendra, në kuadrin e Komitetit për Kujdesin ndaj Fëmijëve (Cwc).

Zonja Anima Indwar (punonjësja e arrestuar) filloi të punonte në Nirmal Hriday në janar 2012. Fillimisht si ndihmëse seksioni e pastaj, si anëtare e grupit që kujdesej për nënat pa bashkëshort. E mësoi shumë mirë punën dhe e ndihmoi me aftësi motër Concelian. Në këtë mënyrë, zonja Anima Indwar fitoi besimin e motrave të Nirmal Hriday. Kështu, kur motër Concelia kishte punë urgjente, zonja Anima Indwar i shoqëronte vetë nënat “single”, fëmijët dhe kujdestarët e tyre në Sadar Hospital, në Institutin Rajendra për Shkencat Mjekësore apo në zyrën e Komitetit, sipas rastit.

Më 29 qershor 2018, rreth orës 12.30, një përfaqësuese e Zyrës për Mbrojtjen e Fëmijëve, zonja Seema dhe anëtarë të tjerë të Ndihmës Sociale, rreth pesë vetë, erdhën në Nirmal Hriday. Kërkuan regjistrat e pranimit dhe të rezidencës, që përmbajnë informacione për të gjithë banorët e shtëpisë. Sekuestruan regjistrat e Nirmal Hriday pa dhënë asnjë çertifikatë për këtë. Ndër regjistrimet për “nënat pa bashkëshort”, këta përfaqësues zgjodhën në veçanti atë për zonjën Karishma Toppo e fëmijën e saj. Zonja Karishma Toppo u pranua në Nirmal Hriday më 19 mars 2018 dhe e lindi fëmijën e saj më 1 maj 2018. Pas lindjes, zonja Karishma Toppo deklaroi se do t’ia dorëzonte foshnjen Komitetit. Kështu, zonja Anima Indwar, zonja Karishma Toppo dhe kujdestari i saj e morën fëmijën nga Nirmal Hriday për ta dorëzuar. As Nirmal Hriday, as murgeshat nuk mundën të siguroheshin në asnjë mënyrë për dorëzimin efektiv të fëmijës në Komitetin Cwc. Kjo, sepse edhe vetë Komiteti nuk e ka zakon t’i japë ndonjë çertifikatë Shtëpisë, pasi e ka marrë në dorëzim fëmijën, bir i nënës së pamartuar.

Më 3 korrik 2018, e pyetur nga Komiteti për Kujdesin ndaj Fëmijëve, zonja Anima Indwar pranoi se fëmija i zonjës Karishma Toppo nuk i është dorëzuar Cwc. Pas këtij pranimi, Komiteti e çoi në polici. Edhe fëmija i zonjës Karishma Toppo iu dorëzua Cwc-së nga zonjat Anima Indwar dhe Karishma Toppo, po atë ditë.

Më 4 korrik 2018, motër Concelia dhe motër Marie Deanne, eprore e Nirmal Hriday, u morën në pyetje nga policia. Motër Concelia u arrestua, ndërsa motër Marie Deanne, pasi u mbajt deri në orën 7 të mbrëmjes së ditës së mëpasme, u la e lirë.

Mbrëmjen e 4 korrikut 2018, pas asnjë paralajmërim, Cwc dhe përfaqësuesja e Zyrës për Mbrojtjen e Fëmijëve, zonja Seema, morën me vete 11 nëna të pamartuara, një nënë me fëmijën e vet dhe një nga kujdestarët e shtëpisë. Ato gra janë poshtëruar thellësisht e turpëruar publikisht, pasi u tërhoqën jashtë shtëpisë para shumë mediave. Për arsye të panjohura, më 6 korrik 2018, shtëpia jonë e Shishu Bhawan-it në Hinoo u bastis nga policia dhe nga Cwc-ja. 22 fëmijët, që banonin në shtëpi, u morën me vete nga Cwc-ja, përfshirë edhe një fëmijë njëmuajsh. Gjatë qëndrimit në Cwc, njëri nga fëmijët u sëmur rëndë dhe u shtrua në terapi intensive në Rani Hospital. Edhe regjistrimet dhe regjistrat e kësaj shtëpie u morën nga përfaqësuesit zyrtarë, pa asnjë lloj çertifikimi. Është e dhimbshme që Cwc-ja t’i rezervojë një trajtim të tillë një shtëpie, që vetëm dy javë më parë, vetë përfaqësuesit e tij e quajtën “ambient të shkëlqyer për kujdesin e fëmijëve”.

Duke ndjekur gjurmët e themelueses, shën Nënë Terezës, Misionaret e Dashurisë kujdesen për të varfërit, për të braktisurit e për të mjerët që nga viti 1950. Sot kanë 5167 murgesha, aktive e kundruese, me 760 shtëpi në 139 vende. Në Indi, Misionaret e Dashurisë kanë 244 shtëpi, përfshirë ato në Jharkhand. Me punën tonë, u japim një shtëpi të sëmurëve nga gërbula, tuberkulozi, Sida, fëmijëve dhe të rriturve me probleme fizike e mendore, sigurojmë fjetore, dispensa për kurimet e para mjekësore, shtëpi për gratë në vështirësi, për vajzat në rrezik, për gra shtatzënë të braktisura, për gra, që varfëria dhe uria i kanë nxjerrë në rrugë.

Kongregata e Misionareve të Dashurisë impenjohet ta vazhdojë shërbimin e vet për më të varfërit e të varfërve, me zemër e falas, për t’u ardhur në ndihmë nevojtarëve dhe të brishtëve, pavarësisht nga kritikat e pabazuara e të paprecedent, që duhet të përballojmë sot. Kemi besim të plotë në ligjin e në Gjykatat, në hetimet e autoriteteve e, jemi të bindura se do të mbizotërojë drejtësia.

Lutemi për të gjithë ata, që janë prekur nga zhvillimet e fundit dhe i kërkojmë Zotit t’i bekojë të gjithë ata, që na qëndrojnë pranë në këto çaste të vështira e të dhimbshme, duke ia besuar Hyut gjithë njerëzit vullnetmirë. Nëna jonë, Shën Tereza e Kalkutës, ndërmjetësoftë për ne pranë Atit të Gjithpushtetshëm. Motër Mary Prema.

Studentët e ‘Opera studios’ në PISU përmbyllin kursin me koncert përcjellë në piano nga Simon Despalj

Gili Hoxhaj

Më shumë se dhjetë studentë për dy javë kanë ndjekur kursin e “Opera Studios”, ku për dy javë së bashku me profesoreshën e njohur Merita Juniku e profesorin Simon Despalj kanë përgatitur programin me vepra të Bizet, Mozartit e kompozitorëve të tjerë.

Ky kurs përveç studentëve të muzikës, ka mbledhur edhe studentë të cilët nuk janë pjesë e kësaj dege por që në kuadër të këtij kursi, kanë përjetuar një eksperiencë tërësisht ndryshe. Ditët e para të kursit kanë qenë njoftim me veprat, duke kaluar çdo ditë në kompletim të programit që profesoresha Merita Juniku përgatiti për studentët.

Sot për ta finalizuar gjithë këtë punë, pas çdo ditë provash për dy javë rresht, ata sonte u rreshtuan krah njëri-tjetrit për të nisur programin artistik me veprën “Una favurita laorima” me solist Etrit Nuren e përcjellë me piano nga pianisti kroat e kompozitori i njohur Simon Despalj. Kjo nuk është hera e parë që në agjendën e tij, ai i ka të ndara ditët për të ushtruar së bashku me studentët shqiptarë, disa prej të cilëve për herë të parë ndjeknin një kurs që kishte të bënte me muzikën klasike.

Ai tregoi për KultPlus se ka ardhur shpesh në Kosovë por kjo është hera e tretë që vjen në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës. Thotë se ndihet mirë këtu dhe këto ditë të qëndrimit këtu në kuadër të këtij kursi, i kanë dhuruar një eksperiencë të veçantë.

“Jam i lumtur që kam ardhur këtu, shoh shumë njerëz të cilët i kam takuar dhe më parë. Dua ta falënderoj Merita Junikun sepse ajo i ka përgatitur studentët para se unë të vij në Kosovë pasi që është një periudhë e shkurtër për të sjellë një koncert të mirë, kështu që është shumë mirë që ata përgatiten më herët. E shijova lojën time në piano, dua të cek që kam udhëtuar këtu e kam parë gjëra të reja”, tregoi Despalj.

Despalj i cili edhe më parë ka qenë pjesë e këtij kursi, thotë se nuk është hera e parë që punon me studentë të cilët i përkasin fushave të tjera, jashtë fushës së muzikës.
“Ata reagojnë shumë mirë ndaj muzikës dhe janë shumë të lumtur që patën mundësi ta kenë një koncert, kështu që këtu ishin disa që i përkisnin fushës së muzikës dhe natyrisht se pjesët më të rëndësishme u takonin atyre. Ishte një kombinim i bukur. Mendoj që ky program është një ide shumë e mirë”, tregoi kompozitori e dirigjenti Despalj.
Besart Halilaj, Diona Kurti e Dea Xhemajli ishin në qendër të këndimit, derisa përcilleshin nga ansambli vokal i përbërë nga Arianita Saramanti, Dafinë Millaku, Erjona Mulaj, Fjolla Hajrizaj, Gresa Kabashi, Halime Gagica, Xhevahire Saramati, Mentor Hoxha, Sadik Kuqi e Vigan Dalipi.

Kryevepra “Carmen” ishte ajo që e mbylli programin.

Tri pjesë të kësaj vepre deri në “L’amour est oiseau” nga zëri i solistes Dea Xhemajli, përcjellë kohë pas kohë nga ansambli vokal sollën meloditë e fundit në përmbyllje të programit. Në mesin e autorëve të njohur, nuk mungoi as vepra e njohur shqiptare “Hej ju male” e kompozitorit Çesk Zadeja, e që erdhi në interpretimin e Besart Halilajt. Derisa vepra e njohur “Carmen”, vinte përmes solistes Xhemajli, dy nga anëtarët e ansamblit vokal, Vigan Dalipi e Halime Gagica, e përcillnin edhe me lëvizje të trupit, derisa vallëzonin në vals.

Solistja Dea Xhemajli tregon se as për të nuk është hera e parë që merr pjesë në këtë program. Ajo tregoi për KultPlus se është kënaqësi veçmas kur punon me profesionistë si profesoresha Juniku e profesori Despalj.

“Është kënaqësi kur punon me profesionistë si profesorët e këtij kursi, ishte një eksperiencë e veçantë puna me studentët e rinj të cilët kanë shijuar për herë të parë një eksperiencë të tillë muzikore. Sonte ishte një ndjenjë shumë e mirë që së bashku ta prezantojmë këtë punë para publikut”, tregoi Xhemajli.
Fjolla Hajzeraj është studente e gazetarisë, e cila pas eksperiencës me këtë kurs vitin e kaluar, ka vendosur që të jetë pjesë e tij edhe këtë vit. Ajo thotë se përveçse ka shijuar aktivitetet e tjera që PISU i sjellë, po ashtu ka arritur të mësojë më shumë për muzikën klasike.

“Falë profesoreshës Merita Juniku dhe profesorit Simon Despalj këto ditë mësova që bashkë me korin të interpretoj disa nga veprat më të njohura botërore. Të kalosh dy javë në shoqërinë e tingujve të përsosur të muzikës klasike, duke u begatuar me mësime të vyera nga profesorët dhe duke qenë në mesin e miqve të mrekullueshëm, ka qenë ideale për të krijuar një mozaik kujtimesh të bukura”, tregoi Hajzeraj për KultPlus.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” për disa ditë radhazi ka qenë nikoqire e 300 studentëve nga vendi, rajoni dhe bota, të cilët kanë marrë pjesë në gjithsej 15 kurse në kuadër të edicionit të 18-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar në Prishtinë. / KultPlus.com

Turisti nga Kosova thotë se e larguan me dhunë nga apartamenti në Durrës

Një turist kosovar nga Prizreni po pretendon se është larguar me dhunë nga apartamenti i tij privat që kishte rezervuar për t’i kaluar pushimet verore. Thotë se nga njëri apartament në Durrës është larguar me dhunë dhe nën kërcënime, raporton Insajderi.

Turisti nga Kosova që nuk ka dashur t’i përmendet emri por vetëm inicialet B.K ka thënë për Insajderin se është larguar me dhunë nga apartamenti së bashku me të dashurën e tij.

Sipas pretendimeve të tij, ai kishte rezervuar dhe kishte paguar për të qëndruar disa net në atë apartament, por që sipas tij dy ditë para se t’i skadonte rezervimi ai ishte larguar me dhunë.

B.K, pretendon se pronari me djemtë e tij dhe punëtorët i trokitën në gjashtë të mëngjesit në derë për ta urdhëruar largimin nga aty. Ndërsa thotë se nuk iu kthyen as paratë dhe as nuk qëndroi për netët e paguara.

“Së bashku me të fejuarën time isha në Durrës dhe kisha zgjedhur një apartament privat për ta kaluar pushimin. Por dy ditë para se të largohem, para se të skadonte marrëveshja, pronari me djem dhe me punëtorë në ora 6 të mëngjesit ka ardhur në dhomë dhe më ka nxjerrë jashtë”, ka deklaruar ai.

Ai pretendon se ishte kërcënuar nga pronari se nëse nuk e liron dhomën do të ballafaqohej me probleme.

“Unë i tregova se kam edhe dy ditë me qëndruar, por nuk dëgjonte thoshte se marrëveshja ka qenë kështu. Më tha për gjysmë ore e liron banesën ose i kemi punët keq. Mu dashtë me dal nga aty s’kisha llogari mu mbyt për dy ditë”, ka deklaruar ai.

Më tej ai sqaron se më pas nuk kishte gjetur fare apartament për ta kaluar edhe një natë, por thotë se u detyrua të kthej në Kosovë më herët.

“Shikova mos po gjej për 1 natë ndonjë apartament tjetër aty afër, ama nuk gjeta dhe u ktheva krejt në shpi, çka me bë. Po mua vizitat në Durrës kanë marrë fund sepse nuk shkojë më”, ka pretenduar B.K.

Insajderi gjatë sezonit verorë kur kosovarët ia mësyjnë bregdeteve shqiptare do të jetë i fokusuar në raportimin për brengat e turistëve kosovarë në Shqipëri. Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për këso probleme të kosovarëve ashtu siç inkurajon të gjithë ta bëjnë një gjë të tillë në rast të keqtrajtimeve apo pa rregullsive. / KultPlus.com