Edhe këtë vit flamuri kombëtar do të valvitet në Kalgari të Kanadasë

30 Tetor, 2020 - 9:09 pm

Pas kërkesës së shoqatës “Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Kalgari” (Albanian Canadian Association of Calgary) për ngritjen e flamurit pranë bashkisë së qytetit të Kalgarit në Kanada, përgjigja nga ana e autoriteteve përkatëse ka qenë pozitive.

Flamuri kombëtar kuq e zi do valëvitet krenar në anën veriore të sheshit të bashkisë më 28 Nëntor 2020, ora 12:00.

“Të dashur bashkëatdhetarë nga të gjitha trojet shqipfolëse, ju ftojmë të merrni pjesë në këtë ngjarje e cila do të lerë gjurmë të pashlyeshme te secili prej nesh. Kemi ardhur nga një kontinent tjetër, i largët dhe pavarësisht se ndodhemi në një vend të huaj, ndjejmë që mund të shfaqim vlerat, traditat e kulturën tonë edhe në këtë vend mikpritës. Merrni fëmijët, bashkëshortërt, motrat, vëllezërit, pse jo dhe miqtë tuaj dhe përjetoni momente të cilat do i ruani si të shenjta. Është momenti i duhur për t’i treguar fëmijëve tanë se sa e rëndësishme është për shqiptarët kjo datë, ku në Vlorë, në vitin 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Dhe në ditët e sotme moderne ky flamur mund të ngrihet plot me dinjitet në çdo vend ky jetojnë bashkëkombasit tanë” shkruhet në njoftimin e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Kalgari.

Kjo ngjarje e veçantë do zhvillohet duke respektuar protokollin e rregullave anti-covid. / KultPlus.com

Të ngjajshme