Shqiptarja triumfon me çmim në garën teknologjike të Evropës

27 Nëntor, 2020 - 8:02 pm

Shqiptarja Doruntina Berisha, ka fituar në garën “European Women of Legal Tech 2020 Award”.

Në këtë garë ku kanë marrë pjesë 179 femra, nga 27 vende të ndryshme të Evropës shqiptarja ia doli të shpallej fituese në kategorinë “Akademi & Edukim”. Votimi për garën ishte mbyllur më 18 nëntor ndërsa çmimet u ndanë mbrëmjen e djeshme në një organizim online që u mbajt në Vjenë.

“Gjatë pandemisë kam krijuar platformën për të gjithë profesorët e Vjenës që brenda 24 orëve të kenë qasje në mësim online. Kjo platformë “Survival Guide” nuk u shpërnda vetëm në Universitetin e Juridikut në Vjenë, por edhe në Universitet e tjera në Austri. Pas një jave më shumë se 250 profesora të Universitetit të Vjenës përdorën platformën gjatë pandemisë. Për krijimin e kësaj platforme “Survival Guide”, profesori im Dr. Nikolaus Forgó vendosi të më nominoj për këtë çmim”, është shprehur Doruntina Berisha në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”.

Doruntina Berisha ka lindur në Vjenë, por ruan lidhjet e saj me Shqipërinë dhe Kosovën. Pavarësisht se lindur dhe rritur në një shtet tjetër Doruntina flet shumë mirë gjuhën amtare. Doruntina Berisha është studente dhe asistente në Fakultetin Juridik në Universitetin e Vjenës. Gjithashtu ajo studion edhe në degën Fizik. Gjatë kohës së pandemisë shqiptarja Berisha spikati, sepse arriti të krijoi brenda 24 orëve platformën “Survival Guide“, e cila shërbeu për të zhvilluar mësimin online në Vjenë. /dp/ KultPlus.com

Të ngjajshme