Tetë bursistë shqiptarë fitues të RH Scholarship në Kanada

12 Mars, 2021 - 10:10 am

Organizata RH Scholarship në Toronto të Kanadasë, themeluar 2013 nga Rej Haxhillari dhe Tea Haxhillari, përveç aktivitetit të saj të përvitshëm për promovimin e kulturës dhe artit shqiptar në Kanada, tashmë prej disa vitesh është angazhuar në evidentimin dhe promovimin e studentëve shqiptaro-kanadezë.

Presidentja e shoqatës Tea Haxhillari, filantrope e suksesshme në Kanada, në një deklaratë për gazetën “Diaspora Shqiptare” thekson rëndësinë morale që kanë bursat e shoqatës së saj për studentët shqiptarë në Kanada.

Bursat, kësaj radhe, u dhanë në një ngjarje online duke respektuar rregullat në fuqi të Ontarios shkaku i pandemisë COVID-19, dhe për ta respektuar distancën sociale. Ngjarja filloi javën e kaluar dhe mbaroi pikërisht me 7 mars- Ditën e Mësuesit.

“Ishim si përherë pranë njëri-tjetrit, megjithëse në distancë, në solidaritet dhe me optimizëm për të ardhmen! Ndjehem krenare për arritjet e tyre, dhe krenare për vendin e shqiponjave dhe shikoj si detyrim qe ta mbaj lartë emrin e vendlindjes së prindërve dhe t’i bëj ata dhe gjithë bashkëkombësit e tyre krenarë”, thotë presidentja Tea Haxhillari.

Ajo tutje tha se: “Çdo arritje e tyre personale, është edhe një arritje për Shqipërinë dhe ata janë krenarë të jenë ambasadorë të vlerave të vendit tonë. I përgëzoj të gjithë për dedikimin, punën e palodhur, karakterin e fortë, sinqeritetin, besën dhe dëshirën për të qenë të suksesshëm”.

Donacioni për studentët fitues u mundësua nga familja Haxhillari dhe u bë përmes video konferencës së udhëhequr nga Marissa Muccollari. Tetë fituesit e sivjetmë janë me sa vijon:

Fituesi i parë është Brian Todi, i cili është student i pranuar në Yale University për Shkenca Kopmpjuterike dhe Matemtaikë të Aplikuar. Ai ka krijuar edhe aplikacione gjatë shkollimit paraprak, duker krijuar edhe një klub për kode kompjuterike.

Fituesja e dytë është Lidia Haderaj, studente e Schulich Business School për Biznes. Ajo ka qenë vullnetare tek Grupi i Valleve “Shqiponjat e Vogla” në Toronto për gjashtë vite me radhë.

Fituesi i radhës është Kejzi Sarachi nga Universiteti i Torontos për Neuroshkencë. Kejzi ka shpenzuar disa muaj në pjesët më të varfëra të Perusë për të ndihmuar në ndërtime agrikulturore.

Fituesi i katërt është Grejdi Meta, student i Ekonomisë dhe Shkencës Menaxheriale. Ai gjithashtu, duke qenë student i suksesshëm, është zgjedhur nënkryetar i Shoqatës së Ekonomistëve të Ryersonit.

Fituesja e radhës është Uarda Këllezi, studente e The University of Waterloo për Arkitekturë. Pos studimeve, Uarda është e njohur për aktivitetin e saj në komunitetin shqiptar në Toronto, duke qenë anëtare e rregullt e Grupit të Valleve “Shqiponjat e Vogla”.

Fituesja e gjashtë është Zhaklina Cifligu, studente e Bioshkencave Mjekësore në York University në Toronto. Zhaklina përshkruhet si një studente ambicioze dhe e palodhur, e cila ka ekuilibruar punën me orar të plotë dhe shkollimin në të njëjtën kohë.

Fituesi i shtatë është Emi Lopari nga George Brown College në Toronto, e cila studion Kontabilitet. Sipas përshkrimit të prezantimit, Emi është ambicioze që nuk është dorëzuar asnjëherë duke fituar para çdo sfide jetësore të saj.

Fituesi i tetë, dhe i fundit për këtë edicion, është Vinni Tahiri nga Brock University në St. Catharines, që studion Shkencat Sociale. Vinni është i njohur në komunitet duke shërbyer si vullnetar i palodhur nëpër disa aktivitete sportive dhe shoqërore.

“Arritjet e çdo studenti na bëjnë krenar dhe frymëzojnë studentët tjerë të arrijnë rezultate më të larta” thotë ndër të tjera presidentja e RH Scholarship në Toronto, Tea Haxhillari, e cila është ndër aktivistet e njohura të komunitetit shqiptar në Kanada. Ajo gjen rastin t’i falënderojë “shkrimtarët shqiptarë në Kanada që u dhuruan të gjithë studentëve fitues nga një libër, si Era Nil (“Buzë nën lëkurë”), Shani Pnishi (“Këtu dhe Atje”), Përparim Kapllani (“The Thin Line”, “The Wild Boars”, dhe Arben Dedja (“Histori (e) skatologjike”). Ata ofrojnë kontribut të vyer për ruajtjen e gjuhës sonë të bukur si edhe kultivimin e kulturës kombëtare ndër brezin e ri këtu në Kanada. / Gazeta Diaspora / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme