Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se do të prezantojë koncertin e 17 shkurtit, i cili organizohet në kuadër të agjendës zyrtare të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Me këtë rast Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellin një program me vepra të kompozitorëve nga Kosova nën dirigjimin e Baki Jasharit.
“Koncerti do të nisë me veprën “Suita ilire” nga Mark Kaçinari (në 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit) dhe do të përfshijë tri vepra premierë: “Fantazi për piano” nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin (piano), poema simfonike “Mizer – Reçak” nga Librun Jupolli dhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri me soliste Flaka Goranci (mexosoprano)”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.
Gjithashtu, në këtë mbrëmje do të interpretohen “Dies Irae” (Messa da Requiem) nga Giuseppe Verdi dhe “Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi”.
Numri i ulëseve është i kufizuar, prandaj institucioni i Filharmonisë ka bërë ftesë që të rezervohen vendet.
Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Dyert hapen në orën 19:30, ndërsa koncerti do të fillojë në orën 20:00. Pas fillimit të koncertit, dyert do të mbyllen për shkak të transmetimit direkt në Radio Televizionin e Kosovës./ KultPlus.com
Çfarë të bëjmë me poetët? Jeta është e ashpër me ta, duken kaq mëshirues te veshur në të zeza lëkura e tyre e mavijosur nga stuhitë e brendshme.
Poezia është një sëmundje e keqe rendje e shoqëruar me kokëçarje, ulërimat e saj ndotin atmosferën si rrjedhjet nga stacionet e energjisë atomike të mendjes, është psikopatike.
Poezia është nje tirane, I mban njerëzit zgjuar natën dhe prish martesat I tërheq njerëzit drejt kasolleve të shkretuara në mesin e dimrit ku ata ulen të dëshpëruar duke i mbështjellë veshët me shall të trashë. Imagjinoni ç’ torturë!
Poezia është flamë Me e keqe se gonorréa , neveri e vërtetë Por kuptoji poetët, është e zorshme për ta, duroji poetët. Ata bëhen histerikë sikur po presin binjakë Ata skërmitin dhëmbët edhe kur flenë, hanë ushqime bajate dhe bar. Ata rrinë jashtë nën erën e acartë me orë të tëra duke u torturuar për të gjetur metafora tronditëse. Çdo ditë është e shenjtë për ta
Oh të lutem, ki mëshirë për poetët. Ata janë të shurdhër dhe të verbër. Ndihmoji kur i sheh të shtangur në trafik në ato pengesat e tyre të padukshme duke kujtuar çfarë u shkon ndër mend. Herë pas herë ndonjë prej tyre ndalon, të dëgjojë një sirenë të largët. Trego konsideratë për ta
Poetët janë si fëmijët e prapë të përzënë prej shtëpisë së tyre nga e tërë familja Lutu për ta, ata kanë lindur të palumtur. Nënat e tyre kanë qarë për ta kanë kërkuar ndihmën e mjekëve dhe avokatëve derisa hoqën dorë nga frika se po prishen mendsh edhe ato.
Oh, qaj për poetët. Askush s’mund t’i shpëtojë ata kërdisur me poezi si ata që fshehin lebrozën. Ata janë të burgosur në botën e tyre të fantazisë, një geto rrëqethëse plot me demonë dhe fantazma hakmarrëse.
Kur dielli shkëlqen fort në një ditë të kthjellët vere ju shihni një poet të mjerë duke dalë nga shtëpia me këmbët që i kalamenden, i zbehtë si i ngritur nga varri dhe i shfytyruar nga mejtimet. Vrapo dhe ndihmoje atë. Shtrëngoja lidhëset e këpucëve, çoje në park ndihmoje të ulet në një stol nën diell, këndo pak për të, bleji një akullore dhe tregoja një histori sepse ai ka shumë brenga Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se kanë nisur punimet për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Mamushë, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku ka thënë se projekti ka vlerë 1.7 milion euro, dhe se pas realizimit kjo qendër do të ofroj mundësi të reja dhe kushte të dinjitetshme për artistët dhe publikun artdashës.
“Projekti me vlerë prej 1.7 milion euro, është një tjetër hap i rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës kulturore në vend”, ka thënë Ministri Çeku në “Facebook”./ KultPlus.com
Këshilli i Ministrave vendosi sot që Komiteti për të Dhënat Statistikore në Turizëm të jetë organi koordinues pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Në vendim lexohet se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi që Komiteti për të Dhënat Statistikore në Turizëm, është organi koordinues pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, i cili mundëson bashkëpunimin ndërinstitucional për koordinimin dhe integrimin efektiv të të dhënave statistikore, të lidhura me turizmin në nivel qendror dhe vendor.
Sipas këtij vendimi, Komiteti kryesohet nga ministri përgjegjës për turizmin dhe ka në përbërje përfaqësues në nivel të lartë drejtues nga institucionet si: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Ministria e Brendshme; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; Banka e Shqipërisë; Instituti i Statistikave; Bashkitë Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan; Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit; Agjencia Kombëtare e Turizmit; Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore; Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Komiteti kryen një seri detyrash nga bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse, pjesë e komitetit, të cilat merren me procesin e mbledhjes dhe të përpunimit të të dhënave në fushën e turizmit në Republikën e Shqipërisë, me INSTAT, Bankën e Shqipërisë për prodhimin dhe përmirësimin e statistikave të turizmit, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, duke respektuar parimin e pavarësisë profesionale etj.
Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Komiteti për të Dhënat Statistikore në Turizëm./atsh/KultPlus.com
Me rastin e 17- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Tiranë do të mbahet “Koncert Festiv” me sopranon Adelina Paloja dhe Ansamblin Okteti Plus, nën përcjelljen e pianistes Merita Rexha Tershana.
Sopranoja Paloja interpretimin në “Koncertin Festiv” të 17-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e ka cilësuar si moment krenarie, në të cilin do të shpalosen kryevepra e repertorit kombëtar dhe botëror.
“Do të ndaj skenën me Merita Rexha Tershana pianiste e shkëlqyer dhe Profesoreshë e Universitetit të Arteve në Tiranë, një moment krenarie e me ngjyra muzikore nga repertoari botëror dhe kombëtar i pasuruar dhe me Ansambli Vokal Okteti Plus të mrekullueshëm të cilët shquhen për harmoninë kolegiale sikur edhe në interpretim.
Ky koncert po mbështetet dhe organizohet me dashuri dhe përkushim nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, në krye me Ambasadorin z. Skënder Durmishi, që gjithmonë kanë qenë një mbështetje plot dinjitet për kulturën dhe artin tonë”, ka shkruar sopranoja Paloja në rrjetin social “Facebook”.
“Koncerti Festiv” do të mbahet më 14 shkurt, në ora 19:00, në Sallën e Universitetit të Arteve-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” (Tiranë)./ KultPlus.com
UNUM Festival kthehet më 5 deri më 10 qershor 2025, për 5 ditë e 5 netë me muzikë të pandalshme në plazhin e Ranës së Hedhun, Shqipëri.
Për pesë ditë, UNUM do të jetë zemra e muzikës underground, duke na ofru një përvojë të papërsëritshme si çdo vit tjetër. Mes malit e detit e nën hijen e pishave me DJ më t’medhenjë botëror.
Emra shumë të njohur dhe talente të reja që do të i ndezin 3 skenat këtë vit përfshijnë:
ARAPU, CARLITA, DAMIAN LAZARUS, DAN GHENACIA, DIXON, FRANCO CINELLI,
RARESH VS RICARDO VILLALOBOS, RHADOO, SETH TROXLER, SONJA MOONEAR
Përveç artistëve të njohur, edicioni i 2025-ës do të sjellë emra të rinj që do të bëhen pjesë e
kësaj përvoje magjike.
Çfarë e bën UNUM të veçantë?
Asnjë festival në Evropë nuk përfaqëson thelbin e vërtetë underground si UNUM. Një parajsë për adhuruesit e house, techno dhe minimal, me 24 orë muzikë pa ndalesë mes detit, rërës së artë dhe maleve magjike të Shqipërisë.
Beach Stage – Ritme hipnotike nga lindja në perëndim.
Main Stage – Energji e papërmbajtshme nga perëndimi deri në agim.
Pine Stage – Legjendare, 24/7 mes pishave, e me super talentë që tash e shumë vite e kan bo PineStage shtëpinë e tyne.
UNUM nuk është thjesht një festival, por një udhëtim ku natyra, muzika dhe komuniteti krijojnë një realitet krejt tjetër.
Dhe kjo është vetëm fillimi! Emra të tjerë të mëdhenj do të zbulohen së shpejti, ndaj bohuni gati t’bëhuni pjesë e festivalit më të madh të kësaj vere në Evropë.
Një përvojë, një udhëtim që nuk do ta harrosh kurrë.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se Muzeu i Muzikës në Gjakovë tashmë është i gatshëm për tu funksionalizuar, shkruan KultPlus.
“Muzeu i Muzikës në Gjakovë, tashmë i restauruar dhe i gatshëm për tu funksionalizuar dhe prezantuar historinë e pasur muzikore të vendit për brezat e ardhshëm.
Punë, përditë. Për trashëgiminë tonë kulturore”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku në rrjetin social “Facebook”.
Muzeu i Muzikës në Gjakovë apo Objekti i Tabakhanes siç njihet nga banorët vendas ishte përfshirë nga zjarri në gusht të vitit 2023, dhe dyert e këtij institucioni kanë qenë të mbyllura që nga ajo kohë./ KultPlus.com
Në mes mjegullash të nxira hëna zhduket, hëna bredh. Mbi të trishtëmet rrafshira trishtëm dritën ajo derdh. Udhës shkretë dimërore rend kjo trojka gjithnjë. Zile e kalit monotone mezi ndihet nëpër të. Seç më kap një mall rinie karrocieri kur këndon, herë gas çapkënërie herë mall ai më zgjon. S’shoh as zjarr e as kasolle vetëm borë si pambuk. Dhe përtej shtyllat rrugore duken, zhduken tek e tuk. Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë, tek e shtrenjta do të vi. Pranë zjarrit kur të rrimë të të shoh me mall në sy. Dhe akrepi i sahatit do vij’ rrotull me qetësi E mërzitshmja mesnatë s’do na ndajë përsëri. Mërzi udhës dimërore karrocieri zu dremit Zile e kalit monotone hënë e mjegullt që ndrit.
Pranverë, o kohëz dashurie, ç’më mbush plot me pikëllim. Sa mall sërish ti po më bie në shpirtin tim, në gjakun tim. Për mua gazi është i huaj… çdo ngazëllim e çdo shkëlqim më sjell mërzi, më bën të vuaj.
Oh, nëmëni shqotën, suferinën dhe të pafundmen natë dimri.
Pse, moj jetë je dhuratë që të bie rasti kot? Pse të dha i fshehti fat një ndëshkim me tmerr në botë? Ç’është ai pushtet i nxirë, që prej hiçit më ka thirë, që në shpirt më dha mundime dhe dyshim në mendjen time? Pa një dritë e një qëllim, më rreh zemra në shkreti. Më mbush plot me pikëllim jeta gjith monotoni./ KultPlus.com
Ky vit shënon edicionin e 7-të të festivalit ndërkombëtar të poezisë ‘Republika’, me pjesëmarrjen e 17 poetëve me origjinë nga Ballkani dhe vende të ndryshme të globit, shkruan KultPlus.
Organizimi dhe koncepti i veçantë e kanë shëndrruar festivalin ‘Republika’ në një festival me rëndësi jo vetëm për vendin por edhe për rajonin e më gjerë. Në një atmosferë intime, përgjatë 3 ditëve do të ketë:
Premierë të dokumantrit: KUFIRI I KUQ – t’huej mes t’vetve, me skenar të Admirina Peçit dhe regji të Rrezart Shehut.
Promovimi i librit NATA E QEJVE të shkrimtarit, PrimoShllaku, me panelistë, stuediuesen, Esma Dodaj dhe stuediuesin e shkrimtarin Adil Olluri, nën moderimin e shkrimtarit, AzemDeliu.
Panel diskutimi mbi përkthimet dhe letërsinë me panelistë, Elmaz Fida, Ana Kove, Vlora Konushevci, Arjan Kallço dhe Gazmend Bërlajolli, nën moderimin e shkrimtarit, Azem Deliu.
Ekspozita HOMAZH me 17 portrete të figurave shqiptare që kanë dhanë kontribut në fushën e kulturës, nga artisti i fotografisë, Fahredin Spahija.
Performancë muzikore nga solistja Ardiana Bytyqi nën përcjelljen e Urim Maliqit.
Interpretim i poezive nga aktori, Xhevdet Doda
Shoqnimi i poezive me kitarë nga instrumentisti, Urim Maliqi
Vizitë Ulpianës – qytetit ilir të jetës pararomake
Në këtë edicion të festivalit të poezisë ‘Republika’ marrin pjesë shkrimtarët dhe artistët: Rafael Newman, Christos Armandos Gezos, Dalila Hiaoui, Ilire Zajmi, Enkeleda Ristani, Vlora Konushevci, Aziz Mustafa, Emin Emini, Xhevat Latifi, Bruna Gjoni Pervathi, Ndue Ukaj, Marsela Neni Haxhimusai, Gabriela Mujaj, Adriana Shala Prishtina, Ardita Jatru dhe Shqiptar Oseku.
Në një njoftim për media thuhet se festivali ka natyrë jokonkurruese, ku nxitet fryma e miqësisë dhe kremtimi i ekselencës letrare. Ky edicion i festivalit do të moderohet nga Arlinda Rexhaj dhe do të mbahet më 14, 15 dhe 16 shkurt, në Kino Armata. / KultPlus.com
Kreatorja e njohur shqiptare, Blerina Kllokoqi – Rugova, është përzgjedhur që të krijojë uniformat e reja të Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Kllokoqi – Rugova, si themeluesja e brendit shqiptar “BUKUR”, përmes një video është shprehur se për këtë brend është një nder shumë i madh dhe një arritje historike.
“Me krenari ju njoftojmë se brendi “Bukur” është përzgjedhur që ti dizajnojë uniformat e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, që për ne si brend është një nder shumë i madh dhe një arritje historike”, është shprehur ajo.
Tutje, ajo është shprehur se kjo është një ditë e veçantë pasi është edhe dyvjetori i këtij rrugëtimi të mbushur me pasion, kreativitet dhe përkushtim.
Gjatë këtyre dy viteve, kemi sfiduar veten për të sjellë dizajne që mishërojnë elegancën, identitetin dhe fuqinë e stilit shqiptar”, është shprehur kreatorja./KultPlus.com
Panairi më i madh i turizmit në botë, ITB Berlin pritet të sjellë interes të madh për Shqipërinë që shkon si vendi i nderit i panairit “ITB Berlin” 2025.
Kur kanë mbetur vetëm tri javë nga nisja e ITB Berlin, ky panair i bën jehonë numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit të kaluar dhe investimeve në këtë sektor në vendin tonë.
“Me mbi 11 milionë vizitorë në vitin 2024 dhe 3 miliardë euro investime, Shqipëria është ylli në rritje i turizmit në Evropë. Vendndodhja e tij kryesore dhe sektorët e lulëzuar si mikpritja dhe pasuritë e paluajtshme ofrojnë mundësi të pafundme. Mbështetur nga reformat e qeverisë dhe iniciativat e gjelbra, është një qendër për rritje të qëndrueshme dhe inovacion”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të organizatorëve të ITB Berlin 2025.
Edhe Agjencia Kombëtare e Turizmit ka shpërndarë të njëjtin postim të ITB Berlin duke ftuar të interesuarit që ta vizitojnë panairin, i cili mbahet në datat 4 – 6 mars 2025 në Berlin.
Eksplorimi i “Shqipërisë Rurale”, është një aspekt unik i turizmit shqiptar që do të zërë skenën qendrore në panairin ITB.
Në fokus do të jenë agroturizmet, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjellë si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë edhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/KultPlus.com
Shfaqja “KREJONA” me tekst dhe regji të Kaltrim Balaj do të jepet sonte në teatrin e qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje trajton lirinë e shprehjes dhe fuqinë e emrit si medium proteste, revolte dhe mënyrë e të shprehurit në shoqërinë shqiptare të Kosovës gjatë viteve ’80 dhe ’90. Në një periudhë të mbushur me tensione politike dhe shoqërore, emri bëhet një simbol identiteti, qëndrese dhe sfide ndaj shtypjes. Krejona sjell në skenë historitë, ndjenjat dhe betejat e një populli për të ruajtur të drejtën për të folur, për të protestuar dhe për të ekzistuar.
Në shfaqjë luajnë: Alban Krasniqi, Edona Sopaj, Alban Morina dhe Alban Çela. Ndërsa instrumentist në piano dhe kontrabas: Lulzim Lushtaku.
Shfaqja “Krejona” jepet më 12 dhe 13 shkurt 2025, në ora 20:00./ KultPlus.com
Në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë sonte shfaqet filmi “Sirin”, me regji të Senad Sahmanoviq dhe skenar të Claudia Bottino.
Në këtë film, komploti ndjek Natalin, e cila u largua nga ish-Jugosllavia menjëherë pas fillimit të luftërave të viteve 1990. Si shumë njerëz të tjerë nga kjo zonë, ajo emigroi jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë dhe një të ardhmeje më të sigurt. Pas disa vitesh të kaluara jashtë vendit, duke dashur të përshtatet plotësisht me jetën në një mjedis të ri, ajo dëshironte të ndryshonte identitetin e saj dhe të fshinte origjinën e saj. Një çështje e pazakontë ligjore në lidhje me trashëgiminë e një gruaje të moshuar të pasur që nuk kishte familje do ta kthejë atë në vendin e saj të origjinës, Malin e Zi.
Film “Sirin” jepet sonte në ora 20:00./ KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua tryeza shkencore me tematikë “Filologjia si dije e saktësimit të një teksti letrar dhe dokumentar”.
Akad. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe i Letërsisë, nënvizoi rëndësinë e gjurmimeve filologjike në lidhje me studimet albanologjike dhe në veçanti me historinë e letërsisë shqipe dhe të shkrimit shqip.
Tematikat që kanë shërbyer dhe si premisa për të organizuar këtë tryezë u shtjelluan gjithashtu nga prof. as. dr. Evalda Paci.
Në këtë tryezë u referua për probleme të historikut të veprave të rëndësishme të letërsisë së shkruar shqipe, për variantet tipike mbi të cilat janë kryer vëzhgime të natyrës filologjike e kritike, për dëshmi mbi përmbajtjen dhe qarkullimin e tyre në letërkëmbime më të hershme, që janë dhe elemente të një kujtese domethënëse për vetë tipologjinë e tyre.
Në tryezën shkencore kumtuan: prof. as. dr. Merita Bruci, e cila u ndal në përvojën e filologut përballë dorëshkrimit: rasti i romanit “Sofia e Kominiatëve”. Ajo e vuri theksin në çështje të njohjes e të receptimit të teksteve përkatëse; dr. Ardian Doka, i cili u ndal në temën me titull “Pseudo-Brokardi, çështje të riatribuimit”, duke e ilustruar dhe me shembuj nga puna e tij në përkthimin e teksteve nga latinishtja; dr. Edmond Çali, i cili referoi mbi “Filologjinë dhe variantistikën në ditët e sotme: rasti Ismail Kadare”, duke theksuar dhe aspekte të reflektimit të fakteve të caktuara në variantet kryesisht në prozën e Kadaresë; prof.as.dr. Evalda Paci, e cila referoi mbi “Të dhënat dokumentare dhe historikun e teksteve të vjetra shqipe”, duke u ndalur dhe në përditësimet më të fundit në lidhje me autorë të letërsisë së vjetër shqipe.
Çdonjëra nga kumtesat e mbajtura ishte e lidhur në mënyrë referenciale me tekste të përveçme dhe dukuri të cilat pikërisht nëpërmjet vëzhgimit të imtësishëm filologjik janë rishfaqur në tipologjinë që i karakterizon, por dhe në vendin që u përket në studimet tona, përfshirë historinë e letërsisë dhe shkrimin shqip. /atsh/ KultPlus.com
Me një ceremoni madhështore më 12 shkurt të vitit 1918, u bë varrimi i Ismail Qemalit.
E gjithë popullsia e Vlorës ishte mbledhur në Skelë. Në orën 10:00, paradite trupi pa jetë i Ismal Qemailit, nga ndërtesa e Komandës së “Base Novale” u vendos mbi shtratin e topit. Që aty kortezhi i madh u nis drejt qytetit.
Nga Peruxha, trupi i pajetë i Ismail Qemalit, i cili fill pas vdekjes u balsamos, i shoqëruar nga djemtë e tij, u nis drejt Brindizit.
Aty u vendos mbi luftanijen italiane “Alpino” dhe arriti në Vlorë në mbrëmjen e 10 shkurtit 1919. Atë natë arkivoli u vendos në komandën ushtarake italiane që ndodhej në skelë. Aty qëndroi dy ditë.
Ceremonia e varrimit u krye dy ditë më pas, ditën e mërkurë më 12 shkurt 1919. Përcjellja e trupit nga skela filloi në orën 10:00 paradite.
Aty qenë të grumbulluar gjithë popullsia e Vlorës, si edhe reparte ushtarake italiane me bandën e tyre muzikore.
Kortezhin e prinin 12 kurora lulesh të dërguara nga populli i Vlorës, organet e qarkut e të krahinës së Vlorës, shkollat fillore të qytetit, qyteti i Fierit, shoqëria “Djelmoshat e Vlorës”.
Një nga kurorat ishte e gazetës “Kuvendi”, në të cilën thuhej: “Ismail Qemal Vlorës! Diplomatit të vlerët”. Edhe në këtë formulim shihej censura italiane, e cila lejonte që Ismail Qemali të nderohej jo si patriot, as si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, por si “diplomat i vlerët”.
Kur kortezhi u nis nga skela për në qytet, në krye qëndronin anëtarët e shoqërisë “Djelmoshat e Vlorës”, që mbanin kurorat. Pas kurorave vinin anëtarë të tjerë të “Shoqërisë djaloshare”. Pas tyre vinte banda ushtarake, e cila ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.
Më tutje, një grup ushtarësh të regjimentit të 86, si dhe një repart italian mitraljerësh. Pas tyre vinte karroca që mbante arkivolin e mbështjellë me flamurin kombëtar. Karrocën e tërhiqnin gjashtë kuaj të murrmë. Anës karrocës ecnin dy rreshta ushtarësh. Më pas vinin hoxhallarët. Pas tyre tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj vinte gjenerali Settimio Piacentini, kundëradmirali Lubetti, autoritetet ushtarake e civile të krahinës, parësia e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave fillore të qytetit dhe një tufë ushtarësh kalorësie.
Duke ecur me hap të ngadalshëm, kortezhi i përmortshëm arriti në qytet. Atë ditë, thotë korrespondenti i gazetës “Kuvendi”, Vlora ishte në zi. Tregu ishte mbyllur. Në dyqane qenë ngjitur letra nekrologjie me rrip të zi anash, ku ishte shkruar: “Zi kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemalin.” Duket se flamurin kombëtar të ndaluar nga komanda e pushtimit, qytetarët vlonjatë e zëvendësuan me nderimin nëpërmjet shpalljeve nekrologjike për Ismail Qemalin, “patriotin e madh”.
Nëpër dyert dhe dritaret e shtëpive, shkruante korrespondenti, kishin dalë gra dhe vajza, për të nderuar “Plakun e Shqipërisë”, disa nga të cilat e kishin njohur në rini. Kur arriti në tregun e qytetit kortezhi u ndal. Aty u mbajtën dy fjalime të përmortshme. Mbi ceremoninë e varrimit kemi dy burime historike – një nga autoritetet ushtarake italiane të pushtimit, tjetrën nga kujtime qytetarësh vlonjatë të atyre kohëve.
Në lidhje me këtë ceremoni, gjenerali S. Piacentini i raportonte Ministrisë së Jashtme të Romës po atë mbrëmje: se anija luftarake “Alpino” arriti në skelë mbrëmjen e ditës së hënë më 10 shkurt 1919; se më 12 shkurt ora 10.00 paradite u krye ceremonia e varrimit; se arkivoli me trupin e Ismail Qemalit u nis nga skela në orën 10.00 paradite; se sipas programit të parashikuar, mori pjesë batalioni i këmbësorisë së ushtrisë italiane me muzikë e flamuj.
Ai nënvizonte se nuk pati “asnjë flamur shqiptar, përveç atij që mbulonte arkivolin. U mbajtën dy fjalime nga paria shqiptare, të cilat, theksonte gjenerali italian, më ishin bërë të njohura më parë (sigurisht për t‘i censuruar – F. B.). Pjesëmarrja ishte e madhe. Rregulli qe maksimal. Nuk pati asnjë incident.”
Autori R. Fallaschi, i cili ka botuar relacionin e S. Piacentini-t, shënon nga ana e vet se “mbushesh me hidhërim mbi varrimin e Ismail Qemalit, kur mendon se në qytetin e tij të lindjes, ku vetëm gjashtë vjet më parë patrioti i madh shpalli pavarësinë e Shqipërisë me entuziazmin e kombit dhe me pëlqimin e Italisë, tani ai nderohej jo nga ushtarë të vendit të tij, por nga trupat ushtarake italiane e që i vetmi flamur shqiptar i pranishëm ishte ai që mbulonte arkivolin e tij.” Pjesë nga ditari i komandës italiane në Vlorë.
Edhe pse mungonte aty ushtria shqiptare, në orën e varrimit tërë popullsia e qytetit dhe e rrethit qe rreshtuar anës rrugës nga skela në Kaninë nga do të kalonte arkivoli, ndërsa fshatarët mbushën dhe kodrat. Sipas dëshmitarëve nga mizëria e fshatarëve kodrat dukeshin si koshere bletësh./ KultPlus.com
Në Bibliotekën e Qytetit të Gjilanit, “Fan S. Noli”, do të përurohet kompleti i veprave të shkrimtarit Ali Huruglica, shkruan KultPlus.
Për botimin e veprës letrare të Ali Huruglicës, do të flas Sabit Rrustemi, editor i Shtëpisë botuese, “BEQIR MUSLIU”, kurse vlerësime rreth kësaj krijimtarie të njërit nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë për fëmijë, do t’i paraqesin studiuesit dhe kritikët e letërsisë, Anton Nikë Berisha, Nexhat Rexha , Albinë Idrizi e Prend Buzhala.
“Kompleti i veprës letrare të Ali Huruglicës, shkrimtarit tonë të shquar për fëmijë që tash 29 vite i takon amshimit, botuar kohë më parë në 5 vëllime nga ana e Shtëpisë botuese “BEQIR MUSLIU”, përurohet ditën e shtunë, më 15 shkurt, në Bibliotekën e Qytetit, “Fan S. Noli”, në Gjilan, pikërisht në vigjilje të 17 Shkurit – Ditës së shtetësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim për media.
Nën organizimin e Ars Clubit “Beqir Musliu” ( mbështetur dhe nga Biblioteka e Qytetit), përurimi i këtij kompleti veprash do të drejtohet nga poetja e studiuesja e letërsisë, Kaltrinë Berishës, do të lexohen dhe pjesë nga krijimtaria letrare e Ali Huruglicës .
Promovimi i kompletit të veprave të shkrimtarit Ali Huruglica do të bëhet të shtunën, më 15 Shkurt 2025, ora 12:00./ KulPlus.com
Me rastin e 115-vjetorit të lindjes, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çel një ekspozitë për historianin, studiuesin, kritikun e diplomatin, Injac Zamputi.
Në këtë ekspozitë, vizitorët do të kenë mundësinë të shohin nga afër kontributin e Injac Zamputit në fushën e historisë, kritikës dhe po ashtu, edhe krijimit letrar, me sprovat e tij në prozë e poezi.
Me kritikën e tij të hollë mbi artin dhe letërsinë, Zamputi arriti të renditej në krah të figurave më të spikatura të zenitit kulturor të shekullit të kaluar, dhe po ashtu, përmes intuitës së tij prej historiani, arriti të sjellë fakte dhe zbulesa të reja në fushën administrativo-historike për Shqipërinë nën pushtimin osman.
Injac Zamputi lindi në Shkodër, më 1910 dhe u nda nga jeta në Tivoli, më 1998. Gjyshi nga i ati ishte italian i vendosur fillimisht në Kavajë e më pas në Shkodër.
Vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Injac Zamputi u dërgua në Gjirokastër si mësues letërsie e më vonë, me hapjen e Institutit të Shkencave thirret në Tiranë ku i caktohet dega e Historisë së Mesjetës. Zamputi njihet në historiografinë shqiptare si themelues i disiplinës së diplomatikës.
Diplomatika është disiplina që ka për objekt studimin e dokumenteve, përfshi gjurmimin, qëmtimin, mbledhjen, analizën, studimin edhe më në fund botimin e tyre. /atsh/ KultPlus.com
Me pasion e përkushtim, trupa e valleve të Ansamblit Popullor, nën drejtimin e mjeshtrit të valleve Genc Kastrati, po punon për të sjellë në skenën e TKOBAP-së shpirtin fluturues të valltarit të shquar Rexhep Çeliku.
Për të sjellë në skenë një koncert dinjitoz, ashtu siç i ka hije figurës së Rexhep Çelikut, TKOB bëri me dije se, ishte e domosdoshme të bëhej bashkë ekselenca e valles shqipe, bashkëudhëtarët e tij, mjeshtrit që ndanë skenën me të për dekada me radhë.
Drejtori i Ansamblit Popullor, Sokol Marsi dhe përgjegjësi i valleve Genc Kastrati, së bashku me gjithë ekselencën e valles shqiptare, diskutuan se si mund të mishërohej sa më bukur në skenën e TKOBAP-së trashëgimia artistike e Rexhep Çelikut.
Koncerti është parashikuar të shfaqet më 19 shkurt, kur valltari i shquar do të kujtohet me këngë dhe valle popullore, artin që ai e deshi aq shumë.
Pjesëmarrëse në shfaqje do të jetë edhe bilbili i këngës popullore, Irini Qirjako e cila aktualisht po bën prova për koncertin “Kërcimtari Fluturues”./ KultPlus.com
Një oaz i gjelbër kushtuar librit, që vjen në harmoni të plotë me mjedisin dhe i shërben publikut si një ambient çlodhës, do të integrohet brenda këtij viti në “Sheshin Nënë Tereza”, në Tiranë.
E pranishme në takmin që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, për prezantimin e projektit të ri në kuadër të rijetëzimit të “Sheshit Nënë Tereza” me një oaz të gjelbër kushtuar librit, arkitektja Frida Pashako, tha se, “ky objekt vjen si një projekt i konceptuar në bashkëpunim me arkitektin austriak, pas një studimi të mirëfilltë që rri në harmoni të plotë me ansamblin arkitekturor në “Sheshin Nënë Tereza”, dhe i përgjigjet nevojës për një hapësirë dedikuar publikut”.
“Sheshet kryesor të Tiranës, “Nënë Tereza” dhe ai “Skënderbej” janë dy pole të rëndësishme të Tiranës të orientuara veri- jug, që karakterizojnë zhvillimin e të gjithë qytetit. Këto dy sheshe kanë një vlerë historike monumentale për arkitekturën që kanë, të ndërtuar nga arkitekt të njohur, ku godina me rëndësi shumë të veçantë paraqesin tiparet nacionaliste të vendit tonë”, u shpreh Pashako.
Ajo tha se, studiues të huaj lokal i kanë studiuar dhe kanë propozuar që ansambli i objekteve në kryeqytet të bëhet pjesë e UNESKO-s për vlerat arkitektonike
Ndaj në këto vite, theksoi ajo, është punuar për ruajtjen dhe restaurimin e tyre duke i kthyer në një simbolikë apo në një nga kartolinat e qytetit tonë.
“Sheshet monumentale kanë karakteristikat e tyre për sa i takon përdorimit nga qytetarët. Ndaj bashkë me arkitektin austriak kemi menduar që kjo hapësirë të bëhet një hapësirë publike apo një ishull urban dhe jo vetëm një vend kalimi për trafikun. Kjo është ajo që ka sjellë projekti nga studio austriake dhe kemi arritur të gjejmë një ekuilibër midis sfidave klimaterike që gjithmonë janë të rëndësishme dhe një hapësire fleksibël një hapësirë që mund ti dedikohet librit apo artit dhe një strehëz e re për qytetarët në mes të këtij sheshi”, tha Pashako.
Ajo sqaroi se ndërkohë po studiohet mënyra e qarkullimit të mjeteve rreth këtij ishulli të gjelbër.
“Projektin e kemi marrë donacion nga studio e arkitekturës austriake dhe objekti do të jetë një instalacion i lehtë i lëvizshëm dhe brenda 6 muajve kjo strukturë do të mbarojë për të qenë në përdorim nga qytetarët”, u shpreh Pashako. / KultPlus.com
Muzeu “Gjon Mili”, në qytetin e Korçës, paraqet më së miri rrugëtimin unik të këtij artisti korçar me famë botërore. Në këtë muze gjenden 240 fotografi të ekspozuara në dhomat e ish-shtëpisë rumune, një nga godinat simbol të qytetit, në zonën këmbësore të Korçës.
Falë dhomave interaktive, vizitorët do të mund të marrin si suvenir nga muzeu edhe një foto të shkrepur me të njëjtën teknikë me të cilën Mili realizoi fotot e tij ikonike. Veprat e Gjon Milit mund të vizitohen vetëm në tre vende, Museum of Modern Art New York, Picasso’s Museum Barcelona dhe Muzeu “Gjon Mili” Korçë
Mjeshtri shqiptar i dha dritë botës së artit dhe fotografisë, me vizionin e tij unik dhe përdorimin novator të dritës. Eksperimentet e tij me dritën dhe lëvizjen mbeten frymëzim për artistët edhe sot e kësaj dite.
Gjon Mili lindi më 28 nëntor 1904 në Korçë. Në moshën 5-vjeçare familja e tij emigroi në Rumani, atje Mili kreu shkollën e mesme dhe në moshën 19-vjeçare u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit inxhinier ndriçimi. Gjatë kësaj kohe u mor me artin fotografik.
Emri i tij është jo pak i njohur në Amerikë dhe Francë. Rëndësi në jetën e tij pati njohja e miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte krijimtarinë në fushën e artit. Për 15 vjet ka punuar fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”, në 1946 hapi në Paris ekspozitën vetjake, ndërsa në 1942 ai fotografoi predhën e një topi avioni kalibër 37 milimetra me një kohë ekspozimi për një të miliontën pjesë të sekondës. Kjo foto u quajt nga shtypi si shpikja e kohës.
Pikaso duke vizatuar në dritë dhe një ndeshje basketbolli janë dy nga fotografitë e tij të famshme, e para është renditur ndër 500 fotografitë më të mira të botës për 150 vjet, për albumin “Photo book”, Londër 2002. Gjon Mili njihet si fotografi që përdori për herë të parë flashin elektronik dhe fotografimin e lëvizjes. Ai vdiq më 14 shkurt 1984 në SHBA./ KultPlus.com
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se pret që pas zgjedhjeve në Kosovë, të ketë një Qeveri stabile dhe se NATO-ja do të punojë me këdo që do të udhëheqë me vendin. Ai e ka thënë këtë në një konferencë me gazetarët, ku ka folur për takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare, që zhvillohet të enjten në selinë e kësaj aleance në Bruksel.
“Ky ka qenë një proces demokratik. Ajo që ne kuptojmë është se i kemi rezultatet fillestare, por ende po vazhdon numërimi i votave dhe do t’i kemi edhe rezultatet finale. Dhe, bazuar në rezultatet deri tash duket se do të ketë një qeveri të koalicionit”, ka thënë Rutte.
“Natyrisht, ne sigurojmë që do të punojmë me këdo që do të udhëheqë me vendin. Dhe natyrisht u dëshirojmë të gjithë politikanëve gjithë të mirat në drejtimin e hapësirës politike dhe që të sigurojnë që të ketë një qeveri stabile sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Rutte.
Të dielën, më 9 shkurt, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare.
Nga rezultatet preliminare të publikuara deri më tash nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar 40.81 për qind të votive
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, i ka fituar 22.16 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës i ka siguruar 17.60 për qind të votave.
Koalicioni mes Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës dhe NISMA-s, fitoi 7.46 për qind të votave. Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.43 për qind të votave.
Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë.
Vëzhguesit thanë se zgjedhjet ishin të qeta, me disa parregullsi, por pa incidente të mëdha.
Dalja ishte 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë. Paraprakisht, për këto zgjedhje ka votuar edhe diaspora, nëpërmjet postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë. /REL/ KultPlus.com
Unë mendoja dikur se veprat më të mira të letërsisë shqiptare janë shkruar në të gjitha kohët jashtë Shqipërisë: Noli, Konica, Çajupi, Naimi, Asdreni, Lasgushi, si dhe gjithë kosovarët e shquar krijimet e tyre më të mira i kanë bërë larg Atdheut! Është e vërtetë se Fishta, Mjeda, Ali Asllani, Migjeni e të tjerë kanë krijuar këtu, po kishin qenë shumë herë jashtë Atdheut nëpër Europë, ose për studime, ose për të punuar… Kjo ishte një dukuri që shumë herë diskutohej nga Branko Merxhani me Odhise Paskalin, me Tajar Zavalanin e letrarë të tjerë. Shumica e veprave që janë themeli i kulturës sonë, janë shkruar jashtë Shqipërisë. Po të kishin lindur e jetuar këtu Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Bekim Fehmiu e të tjerë, talenti i tyre do të ishte vrarë, ashtu siç u vra talenti dhe jeta e shumë e shumë bijve të talentuar të kësaj Shqipërie, që mbijetoi në këto vite në dallgët e historisë… / KultPlus.com
Mediat franceze raportojnë se një person në Francë u gjobit me 200 euro për shkak se fliste në telefon me zë të lartë, përcjell albinfo.ch.
Davidi si qytetar i këtij shteti po fliste me motrën në telefon në një stacion treni në Nantes, Francë, dhe e kishte vendosur thirrjen në altoparlant.
Më pas, një zyrtar i stacionit të trenit i kërkoi ta ulte zërin ose ndryshe do të gjobitej, shkruan DailyMail.
Edhe pse u paralajmërua se do të gjobitej me 150 euro, Davidi mendoi se zyrtari po bënte shaka. Ai ka refuzuar të paguajë gjobën aty për aty dhe ajo është “rritur” në 200 euro. Ai punësoi avokatë të cilët tani po përpiqen të kundërshtojnë pagesën e saj.
Në Francë, nuk ka asnjë ligj që ndalon të folurit në telefon përmes altoparlantit në vende publike. Megjithatë, ka rregulla shumë të qarta për kontrollin e zhurmës.
Ligji francez i trafikut lejon gjoba për ata që përdorin pajisje dhe instrumente për të prishur qetësinë e të tjerëve me zhurmë në hapësirat e përdorura për transportin publik. Për shembull, mund të gjobiteni me 60 euro në hekurudhat franceze edhe nëse flisni me zë të lartë në celular pa përdorur altoparlant./ KultPlus.com