Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve

Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet, datë e cila u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983.

Që nga kjo periudhë, 18 Prill ka shënuar ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj.

Çdo vit, ICOMOS propozon një temë të caktuar për kremtimet dhe aktivitetet që do të organizohen në këtë datë nga komitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të ICOMOS dhe organizata të tjera që dëshirojnë të bëhen pjesë e kremtimeve.

Dita Ndërkombëtare e Monumente dhe Siteve e këtij viti ofron mundësinë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e peizazheve rurale, sfidat që përfshijnë ruajtjen e tyre, përfitimet që ofrojnë këto përpjekje dhe se si peizazhet rurale janë të lidhur ngushtë me zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo gjithashtu ofron një mundësi për të nxitur komunikimin dhe për të ndërtuar lidhje me komunitetet, duke pranuar përfshirjen e tyre në krijimin, ekzistencën, evolucionin dhe pasurinë e këtyre peizazheve rurale dhe pa dyshim edhe në ruajtjen e tyre. /KultPlus.com

Zvarritja e restaurimit privon vizitorët e disa monumenteve kulturore

Xhamia e Gurit, Hamami i qytetit, biblioteka “Hivzi Sulejmani” e muzeu etnologjik “Emin Gjiku” janë disa prej monumenteve që tash e një kohë janë në rinovim. Rrjedhimisht, turistët që vijnë në Prishtinë e kanë të pamundur t`i vizitojnë ato, shkaku i punimeve që po zgjasin prej kohësh.

Kompleksi i banimit “Emin Gjiku”, që ndodhet në pjesën e vjetër të qytetit, është ndër objektet më të vizituara nga të huajt në Prishtinë.

I ndërtuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë, ai ofron për vizitorë dy oborre të mëdha, shtëpinë e familjes dhe atë të mysafirëve, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo e fundit ka dy vjet që ka nisur të restaurohet, por përveç vendosjes së rrethojave për punë, asnjë punëtor nuk shihet duke punuar në restaurim të objektit.

Në Ministrinë e Kulturës thonë se punimet nisën pa projekt dhe se fillimisht nga objekti janë larguar orenditë e rënda, në mënyrë që të evitohej shembja.

Vjollca Aliu nga Ministria e Kulturës ka thënë se ndërtesa kryesore ka nisur të restaurohet 2 vjet më parë.

Ansambli “Emin Gjiku” është ndërtuar në fillim të shek. XIX dhe ishte pronë e familjes së njohur Gjinolli. Nofka e Emin Gjinollit ishte “burrë i vogël”, ose në turqisht Eminçik, që më vonë u shndërrua në Emin Gjik, prej nga edhe e merr emrin kompleksi.

Kompleksi përbëhet nga dy oborre të mëdha: oborri në hyrje me stallë dhe me një ndërtesë guri dhe oborri i brendshëm në të cilin gjendet shtëpia e familjes dhe shtëpia e mysafirëve, që aktualisht i shërbejnë Muzeut Etnologjik.

Ndërtesa e gurit, e rivendosur aty në vitin 1960, është e vetmja ndërtesë e mbetur nga Çarshia e Vjetër. Është ndërtesë njëkatëshe e mbuluar me kulm guri, dikur dyqan farkëtari, aktualisht qendër e artit kontemporan e quajtur “Stacion”.

Gjatë periudhave të ndryshme kohore (gati dy shekullore), kompleksi ka pësuar ndryshime të shumta si pasojë e ndërrimit të funksionit. Por si tërësi, Kompleksi “Emin Gjiku” mbetet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të fillimit të shek. XIX. Ky Kompleks është pronë e Muzeut të Kosovës./KultPlus.com