A ishin Istref Begolli dhe Melihate Ajeti çifti më i bukur i teatrit tonë?

“Melihati, ulur në këndin e saj të preferuar në dhomën që e quan “parajsë vetmie”, e grimuar, me turban në kokë (pamje thuaja e përhershme), me glamur zonjeje, rimerr fuqinë për të rrëfyer edhe për anën tjetër të jetës, për njerëzoren, për miqtë, për shokët e paktë, por të përzgjedhur, për emocionet…Rikthen motet e shkuara.

“Kolegu im i respektuar, Istref Begolli, pas shfaqjes “Ëndrra e qenit” të Mehmet Krajës, duke ma uruar rolin e shitëses së luleve, në foajeun e teatrit, me emocione të larta dhe me lot në sy, më përqafon e më thotë “Meli, a e di c`rol të madh ke bërë prej një roli të vogël! Je e shkëlqyeshme. Veç ti, me aktrim të lartë, po më jep të kuptoj se ende ekziston shpresa për nivelin e teatrit”! – ishin çaste ngazëllimi, por edhe dëshpërimi që po I përjetonte aktori. Meli, prandaj, me respekt kujton kolegun e saj shumëvjecar, Istrefin, dhe po me kaq mall dëshirën e tij të madhe që pati për ta luajtur Mbretin Lir, për të cilin rol po i fliste kur po rrinin thuaja përditë në lokalet e teatrit të pasluftës.

“E kam pasur shok të mirë, vdiq me zhig të rolit të Mbretit Lir. Shkoi..” – hetohet një notë sentimenti në zërin e aktores. Kritiku Vehap Shita me rastin e shuarjes së Istrefit, kujton:
“Dueti artistik, Istref Begolli – Melihate Ajeti ishte, ndoshta, çifti më i bukur që parakaloi deri më sot në skenën e teatrit tonë, çifti pa të cilin nuk mund të mendohej një shfaqje e bukur e kësaj skene!”.

Marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” i Sanije Gashit. / KultPlus.com

Muzeu i Luvrit do të restaurohet, zhvendoset Mona Liza

Presidenti i Francës, Emmanuel Macro ka vendosur që muzeu i famshëm i Luvrit në Paris t`i nënshtrohet një restaurimi rrënjësor, për lagështira po rrezikon veprat e tepër të vyera të artit që ai mban, ndërsa hyrja është e vogël për masën e madhe të vizitorëve nga cdo cep i botës.

Macron deklaroi se edhe kryevepra e Leonardo da Vinçit “Mona Lisa” do të zhvendoset në një sallë të re të vecantë,  duke u ekspozuar në një mënyrë që të shijohet edhe më mirë nga kureshtarët.

Muzeu më i frekuentuar në botë pas restaurimit kapital do të ketë tashmë edhe një hyrje të re.

Hyrja aktuale nën piramidën prej xhami do të rikonceptohet tërësisht duke iu ndryshuar funksioni në salla të reja. Përurimi i hyrjes së re parashikohet në vitin 2031.

Për projektimin e saj në fasadën lindore në fund të vitit 2025 do të shpallet një konkurs ndërkombëtar i arkitekturës, tha Macron.

Për herë të fundit Louvre është rinovuar në vitet 1980, kur arkitekti Leoh Ming Pei konceptoi piramidën ikonike të xhamit për hyrjen e muzeut, e cila u përurua më 1989 në kohën e presidentit Francois Mitterand.

Por kjo hyrje asokohe ishte planifikuar për një masë turistësh deri në katër milionë në vit, ndërsa sot, Louvre vizitohet nga nëntë milionë turistë në vit.

Ndërkohë për shkak të këtyre punimeve, duket se edhe cmimet e biletave për vizitorët jashtë vendeve të BE-së do të rriten./ KultPlus.com

Poeti Afrim Demiri me poezinë “Zogu i ujit”, fitues i Çmimit “Pena e Flakës 2025”

Poeti Afrim Demiri me poezinë “Zogu i ujit”, është fitues i Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2025”, që është mbajtur në Gjilan.

Ndërsa në kategorinë “Juvenis Pena” (për krijuesit e rinj deri në 25 vjeç), që është risia e “Penës…”, së këtij viti, poetja Erdë Mehmeti me poezinë “Lutem”, është fituese e çmimit.

Juria vlerësuese e Orës së Madhe Letrare, në përbërje: Halil Matoshi, Albina Idrizi dhe Fatos Rushiti, përzgjodhën poezitë fituese të poetëve përkatës.

Në hapje të Orës Letrare, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, i ka falënderuar pjesëmarrësit për begatim të kësaj ngjarje kulturore.

“Flaka e Janarit, që çdo vit na bashkon për të nderuar vlerat e popullit tonë, është më shumë se një shenjë e thjeshtë e dimrit. Ajo është një frymëzim që ndizet në muajin e parë të vitit dhe që na kujton përkushtimin dhe sakrificat që janë bërë për liri, për atdheun dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Që nga fillimet e saj, Flaka e Janarit ka simbolizuar një forcë të pashtershme, një flakë të gjallë që ka ndriçuar udhën tonë përballë sfidave të mëdha”, ka thënë nënkryetarja e komunës.

Ajo tha tutje se, në këtë 34-vjetor, kujtohet gjithashtu një tjetër simbol i këtij manifestimi: Pena e Flakës së Janarit. Kjo penë është një mjet i fuqishëm, një shprehje e ideve dhe angazhimeve tona për një të ardhme më të ndritur. Ajo është një thirrje për të shkruar, për të dëshmuar dhe për të lënë pas një pasuri kulturore dhe historike që do të shërbejë për brezat që do të vijnë.

“Në këto 34 vite, Flaka e Janarit ka kaluar përmes shumë sfidash, por asnjëherë nuk ka humbur dritën e saj. Ashtu si flaka që ndriçon natën e errët, ashtu edhe pena e çdo krijuesi është një dritë që i ndihmon brezat të shohin më qartë, të kuptojnë më thellë dhe të ndërtojnë një botë më të bukur. Për këtë arsye, ne sot e vlerësojmë me nder dhe respekt Penën e Flakës së Janarit, si një simbol të fuqisë krijuese të çdo individi dhe si një thirrje për të mos harruar kurrë se cila është rruga jonë, çfarë kemi kaluar dhe për çfarë mund të arrijmë, bashkë, përmes përkushtimit dhe angazhimit”, ka thënë nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku.

Për fund, nënkryetarja kërkoi nga të gjithë ta mbajmë gjithmonë ndezur “Flakën e Janarit” dhe ta përdorin “Penën e Flakës”, për të shkruar një të ardhme që do të jetë një shembull për pasardhësit tanë.

Përndryshe, Ora e Madhe Letrare u mbajt në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, nisi me deklamimin e një poezie të Ali Huruglicës, derisa 16 poetë të përzgjedhur paraprakisht në bazë të thirrjes publike, i lexuan poezitë e tyre në garë për çmimin “Pena e Flakës”, (për krijuesit e dëshmuar) dhe 5 poetë në kategorinë “Juvenis Pena” (për krijuesit e rinj deri ne 25 vjeç).

Ja lista e poetëve që lexuan në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”, në të dyja kategoritë:

“Pena e Flakës”: Adem Xheladini, Sonila Strakosha, Zana Pira, Afrim Demiri, Ajne Iberhysaj, Selvete Abdullahu, Ramë Oraca, Klejda Plangarica, Arsim Halili, , Hava Muçollari, Arlind Farizi, , Selajdin Shabani, Shqipe Hasani, Minivere Muja Maka, Nurie Maliqi Baduni dhe Nazmije Hasani,

“Juvenis Pena”: Doruntinë Elezi, Dion Dragaj, Erdë Mehmeti, Mifeta Buhiqi dhe Blinera Hajdari.

Të gjitha poezitë e lexuara u përcollën nën tingujt magjik të violonçelit, luajtur nga profesoresha Arzije Jusufi.

Përndryshe, pjesë e aktivitetit të sotëm ishte edhe bërja publike e rezultateve të konkursit anonim letrar të “Flakës së Janarit 2025”.

Juria e konkursit anonim letrar në përbërje, Ilire Zajmi, Liridonë Mehmeti dhe Majlinda Bregasi, kanë vlerësuar:

Në poezi:

Shpërblimi i parë: Kthimi në Eden, shifra: 2001 Poezi

Shpërblimi i dytë: Kalendar me baltë, shifra: Prilli 1999

Shpërblimi i tretë: Unëdheunë, shifra: Rumi

Për botim janë përzgjedhur edhe shtatë poezi.

Në prozë:

Shpërblimi i parë i jepet tregimit: Konserva, shifra: Prilli

Shpërblimi i dytë: Gjahu i balsamosur, shifra: Gjahu

Shpërblimi i tretë: Dritë-hijet e harresës, shifra Dritë-hija.

Për botim janë përzgjedhur edhe shtatë tregime./ KultPlus.com

Kritikët anglezë të filmave Oscar e krahasojnë Gresa Pallaskën me Monica Belluccin

Filmi i metrazhit të gjatë “Pikë uji” ka qenë në nominim për garën e Oscar, garë në të cilën ka marr pjesë Shqipëria, shkruan KultPlus.

Filmi me skenar dhe regji të Robert Budinës e me prouducente Sabina Kodra sjell një histori të Aidës (Gresa Pallaska), e cila është një grua në karrierë, por që jeta e përplasë me një problem familjar, problem pastaj që shpërfaqë fuqinë e politikës, drejtësisë.

Së fundi, në një podkast filmi që zhvillohet nga dy kritikë anglezë të njohur, Theo Neumann dhe Woodiwiss, është përmendur në veçanti roli i aktores Gresa Pallaska.

Zakonisht, dy kritikët flasin rreth filmave të huaj që kanë marr pjesë në Oscars. Njëri prej tyre e shpall filmin “Pikë uji” filmin e muajit dhe Gresa Pallaskën e konsideron si një Monica Bellucci shqiptare.

“Arsyeja pse unë e dua këtë film kaq shumë është prezenca e aktores Gresa Pallaska, aktorja kryesore që luan rolin e Aidës. Ajo është pikërisht se çfarë kërkoj unë në një film. Mund të them se është një Monica Bellucci shqiptare. Ajo është e mrekullueshme dhe gjatë tërë kohës është vazhdimisht duke pirë cigare, duke gënjyer, duke kërcënuar njerëz, duke mësuar se çfarë fëmije të keq ka krijuar. Isha gjithmonë në emocione duke e shikuar. Duhet të thellohesh shumë për të kuptuar filmin. Është një pjesë ku ajo shkon për të parë një hapësirë dhe është duke ecur, shikon diçka jashtë e i bën fotografi. Pra, ka shumë detaje dhe duhet të jesh i vëmendshëm duke parë këtë film. E dua stilin në këtë film. Duke e shikuar këtë film kupton jetën e një gruaje të tmerrshme që ka një jetë të tmerrshme por mundohet të bëjë më mirë. Ka shumë skena të tjera të mira, sidomos takimi mes një gruaje që nuk ka aspak shpirt dhe gruas tjetër që është e gjallëruar komplet. Dua të falënderoj Shqipërinë për këtë film dhe sidomos për skenën ku Gresa është duke e pirë një cigare shumë të hollë dhe silueta e saj vihet në pah derisa ajo mbështetet tek dikush duke i treguar për një sekret të sajin. U dashurova pas çdo sekonde të këtij filmi. Ky film ka nëntëdhjetë minuta dhe unë isha aty për të gjitha”, ka thënë ai.

Në këtë film, përpos Gresa Pallaskës me role të tyre janë përfshirë edhe aktorët: Arben Bajraktaraj, Adem Karaga, Gerhard Koloneci, Kodjana Keco, Paolo Iancu,  Henri Topi./ KultPlus.com

Rusia bllokoi plot 417 mijë faqe të internetit në vitin 2024

Rusia bllokoi një rekord prej 417,000 faqesh interneti në vitin 2024, sipas grupit të pavarur mbikëqyrës Roskomsvoboda, raportoi Moscow Times më 28 janar.

Në total, 523,000 burime online u bllokuan gjatë vitit, nga të cilat 106,000 u zhbllokuan përfundimisht. Kremlini ka forcuar censurën e internetit si pjesë e politikës së tij të “sovranitetit të internetit”, e cila synon të ushtrojë kontroll më të madh mbi hapësirën e informacionit të Rusisë pasi autoritetet e injoruan kryesisht atë gjatë tre dekadave të fundit.

Vitin e kaluar, numri i faqeve të internetit të bllokuara përgjithmonë u dyfishua në krahasim me vitin e kaluar dhe ishte pesë herë më i lartë se në vitin 2022. Numri i faqeve të zhbllokuara gjithashtu ra ndjeshëm: 183,000 uebsajte u rivendosën në 2022, 374,000 në 2023, por vitin e kaluar vetëm 106,000, raporton Moscow Times.

Legjislacioni i ri rus i miratuar në vitin 2016 (i ashtuquajturi “Ligji Yarovaya” ose “Ligji i Big Brother”) kërkon që aplikacionet e mesazheve dhe “organizatorët e tjerë të shpërndarjes së informacionit” të shtojnë kodim shtesë në mesazhet elektronike të transmetuara në mënyrë që Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB ) mund t’i deshifrojë ato.

Represioni i fjalës së lirë nga Kremlini u rrit ndjeshëm në vitin 2021 pas kthimit në Rusi dhe arrestimit të figurës së ndjerë të opozitës dhe aktivistit kundër korrupsionit Alexei Navalny, i cili vdiq në rrethana të dyshimta në një burg rus në shkurt 2024. Sipas Mark Galeotti, kolumnist dhe analist i sigurisë në bne IntelliNews, Kremlini kishte ndjekur një politikë “shtypjeje të lehtë” deri në këtë pikë. Pasi Navalny sfidoi Kremlinin dhe u kthye në shtëpi pas një sulmi helmues, dorezat u hoqën dhe Kremlini filloi hapur të godasë shoqërinë civile dhe opozitën liberale.

Siç raporton bne IntelliNews, shumë gazetarë rusë vazhdojnë të përpiqen të bëjnë punën e tyre, por janë gjithnjë e më të kufizuar nga ligjet e rrepta që censurojnë raportimet e tyre mbi luftën në Ukrainë dhe politikat e Kremlinit dhe përballen me dënime të gjata me burgim nëse bien në konflikt me ata që janë në pushtet.

Shërbimi Federal i Taksave është duke udhëhequr goditjen aktuale të internetit dhe ka vendosur kufizime në 142,000 faqe interneti. Autoriteti i censurës Roskomnadzor ndoqi nga afër, duke bllokuar më shumë se 132,000 burime në internet. Një “agjensi qeveritare e paidentifikuar” ishte përgjegjëse për më shumë se 62,000 kufizime, ndërsa gjykatat ruse – kryesisht Gjykata e Qytetit të Moskës – urdhëruan bllokimin e më shumë se 60,000 faqeve të internetit, me rreth 50,000 që i atribuohen vetëm gjykatës së qytetit, raporton Moscow Times.

Veçanërisht, më shumë se 85% e kufizimeve në vitin 2024 u vendosën pa urdhër gjykate, duke ngritur shqetësime për mungesën e mbikëqyrjes ligjore në zbatimin e censurës dixhitale. Ekspertët besojnë se kategoria e “agjencisë qeveritare të paspecifikuar”, e cila u shtua në regjistrin e Roskomnadzor në fund të vitit 2022, mund të shërbejë si një zëvendësim për referencat në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm Rus.

Gjatë dy dekadave të fundit që Putini ka qenë në detyrë, Kremlini ka forcuar gradualisht kontrollin e tij mbi lirinë e shtypit. Një nga veprimet e para të Putinit kur mori detyrën në vitin 2000 ishte burgosja e manjatit të medias Vladimir Gusinsky, i cili themeloi dhe kontrolloi kanalin shumë të suksesshëm NTV, “versioni rus i CNN”. Në atë kohë, Gusinsky tha se Kremlini në mënyrë metaforike “i kishte vënë një armë në kokë” dhe e kishte detyruar atë të hiqte dorë nga kontrolli i kanalit, i cili tani kontrollohet nga Gazprom Media shtetërore. Në të njëjtën kohë, oligarku i ndjerë Boris Berezovsky u dëbua në mërgim dhe shteti rifitoi kontrollin e kanalit kryesor televiziv shtetëror ORT, i njohur tani si Rossiya 1. Që atëherë, të gjitha kanalet kryesore televizive kanë qenë nën kontroll të rreptë shtetëror, por interneti rus, i njohur si RuNet, mbeti kryesisht i lirë dhe i pakontrolluar deri vonë.

Por që nga viti 2021, Kremlini ka nisur një fushatë për të vënë internetin nën kontrollin e shtetit. Përveç një numri në rritje të uebsajteve të bllokuara, VPN-të e përdorura gjerësisht për të anashkaluar kufizimet e normave të interesit po ndalohen gjithashtu gjithnjë e më shumë. Dhe faqet e internetit të njohura ndërkombëtare si YouTube e kanë parë gjerësinë e brezit të kufizuar pasi Roskomnadzor besohet se po teston mjete të reja teknologjike për të kufizuar më tej aksesin e rusëve në faqet e internetit ndërkombëtare. Këto teste kanë çuar në disa ndërprerje të internetit gjatë dy viteve të fundit pasi gabimet teknike në kontrolle janë eliminuar. Në korrik 2021, Rusia ndërpreu lidhjen e saj me World Wide Web në testin e parë të teknologjisë së saj sovrane të internetit, pasi Kremlini parashikon një përpjekje perëndimore për ta shkëputur Rusinë nga World Wide Web.

Ministria e Zhvillimit Dixhital, Komunikimit dhe Masmedias, së bashku me Roskomnadzor, raportohet se po konsiderojnë gjithashtu kufizime në aplikacionet e mesazheve, të cilat janë përdorur me sukses të madh nga protestuesit gjatë protestave në ish-Bashkimin Sovjetik (FSU) vitet e fundit.

Në veçanti, gjatë demonstratave masive në Minsk në verën e vitit 2020, të cilat u drejtuan kundër falsifikimit masiv të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale nga presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, kanali Nexta Telegram luajti një rol qendror në koordinimin e protestave disamujore.

Të dy shërbimet e njohura të mesazheve Telegram dhe WhatsApp janë ndërprerë gjatë vitit të kaluar pasi Roskomnadzor thuhet se teston teknologjinë e tij të re të kontrollit.

Në një lëvizje qesharake në vitin 2018, FSB u përpoq të detyronte Pavel Durov, pronarin e një shërbimi të njohur të mesazheve që përfiton nga enkriptimi i pathyeshëm, të dorëzonte çelësat e tij të sigurisë në mënyrë që autoritetet të mund të lexonin të gjitha mesazhet. Ai refuzoi. FSB-ja më pas u përpoq të mbyllte shërbimin. Ajo që pasoi ishte një lojë mace dhe miu, me Roskomnadzor që u përpoq të mbyllte serverët e Telegram, vetëm për t’u mposhtur pa shpresë nga teknikët rusë, të cilët hidheshin nga serveri në server, duke qëndruar gjithmonë një hap përpara. Në një moment, Roskomnadzor arriti vetëm të mbyllte faqen e vet të internetit, ndërsa Telegram vazhdoi të funksiononte në mënyrë perfekte.

Pas dy vjetësh, Kremlini u detyrua të hiqte dorë dhe paraqiti një projektligj për t’i dhënë fund përpjekjeve për bllokimin e Telegramit. Një arsye për këtë ishte se kaq shumë deputetë të Dumës përdorin shërbimin dhe vlerësojnë privatësinë e tij dhe paaftësinë e FSB-së për të lexuar mesazhet e tyre.

Që atëherë, Roskomnadzor ka investuar shumë në pajisje të reja për të kontrolluar më mirë internetin, disa prej të cilave thuhet se janë prodhuar nga kompani amerikane dhe izraelite.

Roskomnadzor tashmë ka bllokuar aplikacionin e njohur të mesazheve Viber për shkak të shkeljeve ligjore. Përdoruesit rusë të aplikacionit të koduar Signal u prekën gjithashtu nga ndërprerjet, duke kufizuar më tej aksesin në platformat e sigurta të komunikimit. Ndërkohë, Apple hoqi 60 aplikacione të rrjetit virtual privat (VPN) nga App Store rus midis korrikut dhe shtatorit 2024, duke e çuar numrin total të shërbimeve VPN të padisponueshme në 98, raporton Moscow Times.

/www.intellinews.com / KultPlus.com

Bethoven, Da Vinçi dhe Kyri’ në kartëmonedhat e reja euro

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka bërë një përzgjedhje paraprake të modeleve të destinuara për kartëmonedhat e reja të planifikuara të euros, duke përfshirë zogj, lumenj, ndërtesa ose figura të famshme si Ludvig van Bethoven, Mari Kyri dhe Leonardo da Vinçi.

”Kartëmonedhat e reja do të simbolizojnë identitetin tonë të përbashkët evropian dhe diversitetin që na bën të fortë”, tha presidentja e BQE-së, Christine Lagarde.

”Kultura evropiane feston hapësirat e përbashkëta kulturore që kanë formësuar identitetin evropian gjatë shekujve dhe “personalitetet ikonike evropiane”, njoftoi BQE nga selia e saj në qendrën financiare gjermane të Frankfurtit.

Dizajni përfshin laureaten polako-franceze të çmimit Nobel, Mari Kyri’, kompozitorin gjerman Ludvig van Beethoven dhe piktorin dhe artistin italian Leonardo da Vinçi.

Ana e pasme mund të shfaqë artistë rruge, një bibliotekë ose një universitet.

Grupi i dytë i dizajnit “Lumenjtë dhe zogjtë” thekson qëndrueshmërinë dhe diversitetin e ekosistemeve natyrore të Evropës.

Në anën e pasme të kartëmonedhave për këtë temë, mund të shfaqen institucionet evropiane si Parlamenti Evropian ose Komisioni Evropian.

“Ne jemi të emocionuar të prezantojmë këto motive të jetës reale që pasqyrojnë angazhimin tonë ndaj Evropës dhe festojnë trashëgiminë e saj kulturore dhe mjedisin natyror”, tha Lagarde./ KultPlus.com

Bukowski: Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë

Thënie nga Charles Bukowski

• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?

• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.

• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.

• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.

• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.

• Pa letërsi, jeta është një ferr

• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.

• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë

• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.

• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë.

• Të pirit është një gjë emocionale. Të nxjerr nga rutina e jetës së përditshme, nga të qenit çdo ditë njësoj. Të vendos me shpatulla pas murit. Kam ndjesinë se të pirit është një formë vetëvrasjeje ku të lejohet të kthehesh në jetë dhe ta fillosh jetën nga fillimi. Është si të vrasësh veten e më pas të ringjallesh. Besoj se deri tani kam jetuar 10-15mijë jetë

• Mbahu për birra. Birra është një gjak i përhershëm; një dashnore e përjetshme…

• Mendoj që kemi nevojë për një pije. Pothuajse të gjithë kanë nevojë, thjesht nuk e dinë.

• Më pëlqen t’i ndryshoj shpesh dyqanet e pijeve sepse nëpunësit fillojnë t’i dinë zakonet e tua nëse ke shkuar çdo natë dhe ke blerë sasi të mëdha alkooli. E ndjej tek mendojnë se si ka mundësi që nuk kam vdekur akoma dhe kjo më bën të mos ndjehem rehat. Mbase ata nuk e mendojnë diçka të tillë, por kjo më është kthyer në paranojë

• Të deheshe ishte diçka e mirë. Vendosa se gjithnjë do më pëlqente të bëhesha tapë.

• Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë… por, tek të gjithat shkruhej: pas buke!

• Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.

• Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.

• Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.

• Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.

• Jam i sigurt që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.

• Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.

• Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.

• Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!

• Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.

• Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.

• Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.

• Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng./ KultPlus.com

Nga 1 shkurti nis implementimi i ligjit për çmimet e barnave

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga data 1 shkurt do të nis implementimi i ligjit për çmimet e barnave.

MSH në komunikatë kanë thënë se janë të vetëdijshëm se do të ketë probleme në fillim të implementimit.

“Jemi të vetëdijshëm se fillimi nuk do të jetë i lehtë, do të ketë sfida, por jemi të përkushtuar që ky ndryshim të sjellë përfitime afatgjata për të gjithë, me theks të veçantë për qytetarët tanë.Për të siguruar respektimin e ligjit, si dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, por edhe palëve tjera të përfshira, Inspektorati Farmaceutik do të jetë plotësisht i angazhuar, për të monitoruar dhe zbatuar këtë reformë legjislative”, thuhet në komunikatë.

“Nga java tjetër do fillojnë afatet për deklarim të çmimeve të produkteve medicinale, përfshirë edhe produktet medicinale që janë regjistruar për herë të parë.Andaj, ftojmë të gjitha palët e interesuara të bashkëpunojnë në këtë proces, për një treg farmaceutik më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë. Ministria e Shëndetësisë, do të jetë e angazhuar maksimalisht që zbatimi i këtij ndryshimi legjislativ të jetë më i lehtë dhe të tejkalohen sfidat eventuale që mund t’i hasim gjatë zbatimit”, përfundon njoftimi./ KultPlus.com

Filmi me regji nga Besim Ugzmajli është përzgjedhur në festivalin më prestigjioz të filmit në botë, “Tampere”

Filmi “Pesë stinët e fëmijërisë sime” është selektuar në njërin ndër festivalet më prestigjioze të filmit në botë, “Tampere film festival”, përcjell KultPlus.

Premiera botërore e filmit dokumentar me metrazh të shkurtër nga Besim Ugzmajli, është një përzgjedhje zyrtare në Festivalin e 55-të të Filmit Tampere, Finlandë.

Pesë stinët e fëmijërisë sime, një bashkëprodhim mes Kosovës dhe Spanjës, është bashkëpunimi i pestë i Besim Ugzmajlit me Mailuki Films.

Përmbledhje:

Një udhëtim nëpër kujtimet e fëmijërisë sjell nostalgji plot dhimbje dhe dashuri. Asgjë nuk është si në fëmijëri; vetëm kujtimet bredhin lirshëm dhe ndriçojnë në retrospektivë.

Mjedisi dhe gjithçka e asaj kohe është rrënuar dhe ndryshuar dhunshëm nga dikush.

Stinët janë vendosur në rrënojat e kujtimeve të trazuara./ KultPlus.com

Jorge Luis Borges i përgjigjet pyetjes “Përse shkruaj?”

Përgatiti: Albert Vataj

Unë nuk do rrija dot pa shkruar. Përherë kam qenë i bindur se fati im ishte një fat letrar lexuesi si dhe, çuditërisht, shkrimtari. Unë shkruaj për t’iu përgjigjur një domosdoshmërie, një kërkese të brendshme. Sikur të kisha qenë një Robinson Kruzo në ishullin e vet apo një Edmond Dantes i Kontit të Monte Kristos, nuk do të kisha shkruar. Deri në moshën 30-vjeçare besoja gjithçka shkruhej për mua. Më vonë nuk ua vura më veshin. Miqtë e mi e dinë se kur botoj ndonjë libër, nuk duhet të më flasin për të. Prandaj dhe ndodh që kur botoj një libër, nuk di asgjë si e ka pritur kritika, në se e ka pritur mirë apo keq, në se kritika ka qenë e drejtë apo e padrejtë. As si ka shkuar shitja nuk di gjë. Ajo mund t’u interesojë librarëve apo botuesve, s’ka pse t’i interesojë shkrimtarit.

Më kujtohen vargjet e famshme të Kiplingut Duhet të dish të përballosh dështimin dhe suksesin dhe këto dy mashtrime duhet t’i trajtosh njëlloj. Sepse asgjë nuk është aq e dështuar dhe aq e suksesshme sa kujtohet.

Unë nuk i lexoj kurrë ato që kam shkruar. Më ndodh që njerëzit më pyesin: Çfarë do të thotë kjo frazë në këtë rrëfim? Unë u përgjigjem: Unë e kam shkruar këtë rrëfim në kohën e vet dhe që atëherë nuk e kam lexuar më. Një rrëfim shkruhet në një çast të caktuar. pastaj vinë njerëz që kanë kohë për të lexuar. në fund të fundit rrëfimi më shumë u përket lexuesve se sa autorit. Unë mendoj se nuk është fare e mirë të mendosh për të shkuarën, unë mendoj se nuk është mirë të mendosh me rast përvjetorësh. Unë përpiqem të jetoj drejt të ardhmes. Mendoj për atë që do të shkruaj dhe jo për atë që kam shkruar. Në këtë shtëpi është e kotë të kërkoni një libër timin, nuk keni për të gjetur asgjë, me përjashtim vetëm të njërit, një libri të parrezikshëm mbi budizmin që e kemi bërë. Alisia Jurado dhe unë dhe që është përkthyer në gjuhën japoneze. Unë përpiqem të ruaj bibliotekën time.

E kush jam unë që të krahasohem me Volterin apo me Montenjin?

Nëqoftëse, papritur, më duket se diçka dojë ndodhë, zhytem brenda kësaj rrethane, braktıs pasivitetin dhe pres.


Atëherë më shfaqet diçka, një farë zbulimi i turbullt, kjo fjalë është pak pretencioze, prandaj më mirë do ishte të thosha, atëherë më duket sikur shoh diçka që mund të jetë një poemë, një rrëfim, një faqe prozë, që do më zbulohet më pas. Unë përpiqem të ndërhyj sa më pak në atë që shkruaj. Dhe meqenëse nuk kam një mendim të ngrirë, për shembull, etik apo politik, përpiqem t’i përmbaj mendimet e mia të ndërhyjnë në atë që shkruaj. Kiplingu thoshte se një shkrimtari mund t’i ndodhë të shkruajë një fabul pa e ditur ashtu si duhet moralin e saj. Kjo do të thotë se shkrimtari është mbartësi i një trillimi, leximi i së cilës më vonë do të jetë i ndryshëm. Kështu një vepër e tërë mund të përftojë një vlerë që është përtej asaj që ka dashur të shprehë shkrimtari. Një vlerë që për të është e huaj. Ja kjo përputhet me konceptin antik të Muzës, të Shpirtit të shenjtë ose me subkoshenca./ KultPlus.com

‘Në varrin e aktorit’, kushtuar Istref Begollit

Nga Musa Tullari

Në varrin e aktorit
(I.Begollit)

Ngadal pikë shiu i së dielës
Si me lotë nga sytë e qiellit
Njërin të dashur vajton, në heshtje:
Pllaka e mermert me emrin e tij
Dritëson nga pikat e sermta
Të cilat herë herë pikojnë nga gjethet
E mështeknes , përkulur motërsisht
Mbi vetmitarin e madh.
Pelegrin nga larg, përshëndes
Hijen e tij, ajo më falet
Nga shiu, nga gjethi, nga vjeshtë lulet,
Nga perdja e zezë e dheut.

Një të diele , të hirt me shi… / KultPlus.com

“Mësymja e së tashmes ndaj kohës së ngelur”, retrospektiva e parë e veprës së Alexander Kluges në Kosovë

“Mësymja e së tashmes ndaj kohës së ngelur” është retrospektiva e parë e veprës së Alexander Kluges në Kosovë. Kjo retrospektivë fton publikun tonë të njihet me krijimtarinë kryesore të kineastit, filozofit, producentit televiziv, autorit dhe intelektualit më me ndikim sot në Gjermani. Gjatë retrospektivës do të shtjellohen tema, si ajo e kujtesës, identitetit kolektiv dhe narrativat mbi ballafaqimin me të kaluarën dhe do të realizohet në bashkëpunim me Goethe-Zentrum në Prishtinë dhe Kino Armata.

Ithtari i Shkollës së Frankfurtit, Kluge prej kohësh cilësohet figurë qendrore në kinemanë, letërsinë dhe teorinë e medias gjermane. Si pionier i valës Filmi i Ri Gjerman, filmat e tij sfidojnë strukturat tradicionale narrative, duke ndërthurur trilerin, dokumentarin dhe filmin eksperimental. Trajtimet inovative të Kluges lëvrojnë tema mbi historinë, sferën publike dhe kontra-publike, duke shtjelluar e vendosur paralele përvojash kolektive dhe personale.

Veprat e tij karakterizohen nga një mendësi interdisiplinore, që mjegullojnë kufijtë mes zhanreve dhe formave e mjeteve te tjera të shprehshmërisë kulturore. Kluge përdor elemente filmike për të ndriçuar marrëdhëniet komplekse në shoqëri dhe të përvojave individuale. Ai shkon përtej përfaqësimeve të thjeshta dhe sfidon shikuesin të reflektojë në mënyrë kritike mbi realitetin.

“Në qendër të retrospektives është edhe koncepti i autorit mbi “kontra-publikat”, që i shtjellon kryesisht në filma, por edhe në platformën televizive, të ashtuquajturën DCTP (Development Company for Television Program), platformë kjo e pavarur mbi perspektivat alternative televizive dhe karakterin kritik. DCTP u angazhua si kundër-përgjigje ndaj monopolit të diskursit publik, duke i ofruar hapësirë zërave të rinj krijues, si dhe formave narrative të margjinalizuara në përgjithësi. Një peizazh i tillë mediatik ka evoluar edhe në pasluftën e Kosovës. Prandaj njohja e Kluges mbi kontra-publikat ofron njohuri të rëndësishme për nxitjen e formave pluraliste dhe alternative në komunikim”, thuhet në njoftim.

Retrospektiva paraqet një përzgjedhje të kujdesshme të filmave. Aty përfshihen: Lamtumirë ngjarjeve të djeshme (“Abschied von gestern”, 1966), një vepër e rëndësishme, që kritikon normat shoqërore dhe merr për bazë temën e tjetërsimit në Gjermaninë e pasluftës. Filmin Artistët nën çatinë e cirkut: të përhumbur (“Die Artisten in der Zirkuskuppel: Ratlos”, 1968), që u shpërblye me Luanin e Artë në Festivalin e Filmit të Venedikut për qasjen e thellë dhe rolin e artit në shoqëri.

Krahas projektimit të filmave, retrospektiva përfshin edhe ligjërata, workshope dhe panele dikutimi. Studiues, artistë dhe krijues nga fusha të ndryshme të kulturës, do të shpalosin pikëpamjet dhe përvojat e tyre lidhur me krijimtarinë e Kluges në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për të formësuar ligjërimin publik dhe narrativën e vet kulturore. Nata e hapjes do të përmbajë ligjëratën qendrore të Prof. Dr. Rainer Stollmann, me temën “Sferat publike dhe kontra-publike pas krizave”. Në kuadër të teorisë së Kluges, ai do inkorporojë disa aspekte që ndërlidhen me ngjarje të caktuara edhe çështjet e Kosovës. Në diskutim përmes platformës zoom/online do të përfshihet edhe artisti Alexander Kluge.

Meqë Kosova shënon 25 vjetorin e përfundimit të luftës, kjo retrospektivë shërben si urë lidhëse në mes të kaluarës dhe së tashmes së saj, duke ftuar audiencën të rimendojë mundësitë mbi diskursin publik, kreativitetin kulturor dhe këmbimin e njohjes së ndërsjelltë. Përmes trashëgimisë vizionare të Klugës, audienca vendore do të përfshihet në një komunikim mbi artit, kulturën e medias, dhe ballafaqimit me sfidat e historisë.

Retrospektiva realizoht si bashkëpunim i organizatës Stralli, Goethe Zentrum – Prishtina, Kino Armata dhe DAAD-Kosovo./KultPlus.com

Atëherë

Poezi e shkruar nga Jacques Brel

Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës
E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg
Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy
E kengë që ti lehte mund t’i kendosh
atëhere …

Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen
Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh
Për të gjetur shpresën që të kap për dore
Për të gjetur dorën që ti ke braktisur
Atëhere …

Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh
Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot
Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë
E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri
Atëhere …

Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë
A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim
E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë
E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim
Atëhere…

Atëhere ti s’ke kuptuar asgjë …/KultPlus.com

“Qiell-Tokë”, ekspozita e Klement Zoraqit në Galerinë e Artit në Tiranë

Galeria e Artit Tiranë hapi mbrëmë ekspozitën restrospektive të piktorit Klement Zoraqi, të cilën e cilësoi si një udhëtim artistik.

Janë 50 vite të përmbledhura në 50 punime, kryesisht peizazhe, që nga mosha 14-vjeçare e artistit, deri në vitet e fundit. Ekspozita e titulluar “Qiell-Tokë”, do të qëndrojë e hapur për publikun, në GAT, deri më 18 shkurt.

Artisti ka dhuntinë për të “përkthyer” vizionin për botën, në gjuhën e artit figurativ. Rrjedhimisht, duke pikturuar, Zoraqi vendos një raport intim me natyrën, nëpërmjet një harmonie ndjenjë-mendim, emocion-arsye, qiell-tokë.

Galeria e Artit Tiranë ftoi artdashësit të zbulojnë këtë retrospektivë unike që feston artin dhe natyrën.

Zoraqi, i lindur më 9 mars 1960, në një mjedis familjar kushtuar artit, kulturës dhe arsimit, që në fëmijërinë e hershme ai shfaqi talentin e tij artistik në shumë fusha, duke u fokusuar rreth moshës 14-vjeçare në fushën e pikturës, si pasion i vetëm.

Mësimet e para artistike i mori në studion e peizazhistit të njohur Aristotel Papa. Studimet akademike i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1980-1984), ku u specializua në fushën e pikturës monumentale në studion e prof. Niko Progrit dhe prof. Vilson Kilicës.

Gjatë karrierës së tij 50-vjeçare, Klement Zoraqi ka marrë pjesë në ekspozita kolektive në shumë prej kryeqyteteve evropiane si dhe New York, ndërkohë që zhvillonte dhe aktivitetin e profesorit të pikturës në Liceun Artistik “Jordan Misja”./atsh/KultPlus.com

MEKI, grante për forcimin dhe zhvillimin e artizanatit në vend

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapi thirrjen për grante “Fondi i artizanëve”.

Fondet do të ofrojnë mundësinë e mbështetjes financiare për artizanët dhe shoqatat e artizanëve që kontribuojnë në forcimin dhe zhvillimin e artizanatit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri. MEKI bëri me dije se, kjo mbështetje synon të nxisë ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e traditave dhe dijebërjes, duke kontribuar në pasurimin e kulturës dhe ekonomisë lokale.

Kategoritë që mbështeten janë:

1. Mbështetje financiare për prodhimet artizanale. Kjo kategori mbështet artizanët që krijojnë produkte të artizanatit dhe dëshirojnë të zhvillojnë veprimtaritë e tyre. Fondi i parashikuar për këtë kategori do të jetë 500,000 lekë – 1,500,000 lekë.

2. Mbështetje financiare për transmetimin e dijebërjes ndër breza. Kjo kategori do të ofrojë mbështetje për trajnime dhe aktivitete që promovojnë kalimin e njohurive tradicionale dhe artizanale tek brezat e rinj. Fondi: 1,000,000 lekë – 2,000,000 lekë.

3. Mbështetje financiare për pjesëmarrjen në panaire dhe evente të trashëgimisë kulturore. Kjo kategori mbështet artizanët dhe shoqatat që prezantojnë punën e tyre në panaire dhe ngjarje kulturore. Fondi: 300,000 lekë – 1,000,000 lekë

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njoftoi në rrjetet sociale se, afati i dorëzimit të aplikimeve përfundon më 28 shkurt 2025./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani bën homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit: Sot kujtojmë heronjtë që hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës

Në 28 vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.

Përmes rrjeteve sociale, Osmani ka shkruar se kujtojnë heronjtë të cilët hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës.

“Me respekt dhe krenari e kujtojmë heroin Zahir Pajaziti, vizionarin e luftës çlirimtare, i cili bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, me guxim dhe vendosmëri, krahas edhe shumë bashkëluftëtarëve të UÇK-së, hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës, duke u bërë simbole të sakrificës dhe përkushtimit për atdheun”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo u shpreh se e kemi për detyrë që të mos e harrojmë idealin e tyre. Ajo ka shtuar se liria për të cilën ata dhanë jetën, duhet të mbrohet jo vetëm me kujtimin për ta dhe heronjtë e tjerë të UÇK-së, por me punën, angazhimin dhe përkushtimin ndaj Kosovës, të cilën e ëndërruan dhe për të cilën ranë ata.

“Lavdi e përjetshme heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë!”, ka shkruar në fund Osmani./KultPlus.com

Kongresi i Lushnjës, mbrojtësi i integritetit territorial të Shqipërisë

Më 31 janar 1920 përfunduan punimet e Kongresit të Lushnjës, i konsideruar si nga më të rëndësishmit në historinë e kombit shqiptar.

Teksa Shqipëria kanosej nga copëtimi territorial pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, dhjetëra përfaqësues nga mbarë trojet, u mblodhën më 21 janar të vitit 1920 në Lushnjë, për të mbajtur një kongres kombëtar.

Në kushtet e një tkurrje të mundshme territoriale, Kongresi i Lushnjës tentoi të siguronte dinjitetin dhe rimëkëmbjen e shtetit shqiptar. Me detyrën e kryetarit të kongresit ishte caktuar Aqif Biçakçiu, Sotir Peci ishte nënkryetar, ndërsa Kostaq Kota e Ferid Vokopola mbanin funksionin e sekretarëve.

Krahas krijimit të qeverisë së re, në kongres u diskutua për një notë proteste ndaj qëndrimit të Konferencës së Paqes në Paris, mbi kufijtë e Shqipërisë. Në mbyllje të punimeve Kongresi i Lushnjës miratoi një akt kushtetues në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar.

Në ditën e fundit të punimeve, Kongresi emëroi kabinetin e qeverisë, me kryeministër Sulejman Delvinën, si dhe zgjodhi anëtarët e Senatit.

Në kongres ishin pjesëmarrës figura të shquara si Aqif Pashë Elbasani, Shefqet Daiu, Ahmet Zogolli dhe Mytezim Këlliçi.

Kongresi zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Teatri Kombëtar sjell dramën e gruas moderne me shfaqjen “Linda”

Teatri Kombëtar shfaqi mbrëmë dramën “Linda” nga Penelope Skinner, me regji të Violeta Trebickës.

Aktorja protagoniste që mban peshën e dramës është Luiza Xhuvani. Bashkë me të interpretojnë Vasian Lami, Alfred Trebicka, Enisa Hysa, Julinda Emiri, Igli Fusha, Trista Lulo, Artemisa Kusi.

“Linda” është një reflektim shterues mbi presionet e ndryshme me të cilat përballen gratë moderne dhe sesi pasojat e këtyre presioneve ndikojnë në brezat e ardhshëm.

Linda është një grua biznesi e vlerësuar me çmime. E martuar, ka dy vajza të bukura dhe ende mund të veshë të njëjtën masë fustani, si 15 vjet më parë.

Linda Wilde i ka kushtuar jetën e saj ndryshimit të botës. Tani, në moshën 55-vjeçare, ajo duket se i ka të gjitha. Megjithatë, nën sipërfaqe, të çarat kanë filluar të shfaqen…

“Linda” nga dramaturgia britanike, Penelope Skinner u shfaq premierë në Teatrin Royal Court, Londër, në nëntor 2015 dhe u vlerësua nga kritika.

Drama do të vijojë të shfaqet në ArTurbina edhe sonte, 31 janar si dhe në datat 1 dhe 2 shkurt 2025./atsh/KultPlus.com

Promovohet libri “Lugina e lumit Issa” i autorit Czesław Miłosz

Në hapësirat e librarisë “Dukagjini”, u promovua libri “Lugina e lumit Issa” i autorit Czesław Miłosz, me përkthim nga Romeo Çollaku, botuar në kuadër të kolanës “Effugium” – projekt i mbështetur nga Evropa Kreative.

Panelistët Blerim Latifi, profesor i filozofisë dhe i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe Durim Abdullahu, historian dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, vlerësuan lart librin, por dhe rolin e autorit Miłosz në letërsi.

Profesori i filozofisë dhe i sociologjisë, Blerim Latifi, theksoi se është tejet e rëndësishme të pasurohemi kulturalisht me një vepër të mbushur me refleksion filozofik nga një autor që ka fituar çmimin Nobel për letërsi. Ai, po ashtu, theksoi se fryma e këtij romani është ndjenjë malli – trishtim për humbjen e atdheut.

I po këtij mendimi qe edhe historiani Durim Abdullahu, i cili e vlerësoi autorin Czesław Miłosz – një profil prej intelektuali, të shumëangazhuar, por jo vetëm në letërsi.

Panelistët, po ashtu, çmuan lart kontributin e shtëpisë botuese “Dukagjini” për përkthimin dhe promovimin e kulturës evropiane në gjuhën shqipe./KultPlus.com

Shteti i Illinois në ShBA shpall 28 janarin si Ditën e Lirisë për nder të poetit dhe shkrimtarit shqiptar, Visar Zhitit

Data 28 janar në shtetin e Illinois në ShBA, do të kremtohet si Dita e Lirisë. Kjo ditë u caktua si e tillë nga guvernatori i këtij shteti, JB Pritzker, në nderim të poetit dhe shkrimtarit shqiptar, Visar Zhiti.

Në Proklamatën e vulosur nga guvernatori Pritzker theksohet rëndësia e kësaj dite si simbol i rezistencës së poetit ndaj regjimit dhe shtypjes. Gjithashtu thuhet se kjo ditë do të celebrohet si e tillë në përkujtim të datës 28 e cila përkon me ditën e lirimit të Zhitit nga burgu.

“Duke patur parasysh që është e duhura të përkujtojmë 28 Janarin si një ditë për të nderuar Visar Zhitin dhe jetën e tij të jashtëzakonshme, duke siguruar që historia e tij të rezonojë me brezat e ardhshëm dhe që liria është një poemë e shkruar në zemrat e të gjithë njerëzve. Prandaj unë, Guvernatori i Shtetit të Illinois-it me anë të kësaj shpall 28 Janarin 2025 si Dita e Visar Zhitit, një ditë për të celebruar vlerat e lirisë artistike, të të drejtave të njeriut dhe qendresën e shpirtit njerëzor. Në dëshmi të kësaj, unë kam vënë dorën time këtu dhe kam urdhëruar që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois-it”, thuhet në deklaratën e guvernatorit.

Proklamata iu dorëzua Visar Zhitit nga Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri dhe Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras në një ceremoni të mbajtur në Chicago-s, në 727 West Madison St. ku morën pjesë personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA.

“Unë dola nga portat e hekurta të burgut në atdhe dhe arrita në dritat marramendëse të Chicagos në SHBA, nuk jam vetëm, para meje kanë ardhur plot e plot të tjerë. Këtu liria është më e vërtetë dhe më e fortë, dhe që na bën ta duam shumë këtë vend si një atdhe i ri dhe na bën ta duam edhe më shumë atdheun që lamë dhe e di që rruga më e rëndësishme e lirisë është ajo që të çon tek vetja ashtu si tek tjetri, te e mira dhe te ardhmëria. Liria jeni ju” u shpreh Visar Zhiti gjatë fjalës së mbajtur.

Në ceremoni mori pjesë dhe aktori shqiptar me famë botërore Jim Belushi, i cili lexoi dhe disa poezi të Visar Zhitit./gazetasi/KultPlus.com

22 vite pa ikonën e artit skenik, Istref Begolli

Sot shënohet 22 vjetori i vdekjes së ikonës së artit skenik, Istref Begolli, shkruan KultPlus.

I lindur më 1 maj të vitit 1933 në Pejë, Begolli shkollën fillore e kreu në vendlindje.

Me artin filloi të ‘takohet’ që nga mosha 16 vjeçare, atëherë kur në vitin 1949 filloi punën si aktor i rregullt në Teatrin Popullor Krahinor. 

Kontributin e tij artistik Istref Begolli prej vitit 1961 deri në vitin 1963 e jep në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd si bashkëpunëtor i jashtëm ku ushtron studentën në lëndën e Diksionit. 

Pas tri viteve punë kthehet përsëri në Teatrin Popullor Krahinor ku punon deri në vitin 1968. Për disa vite rresht deri më 1971, Begolli vepron si aktor i lirë.

Më 1971 fillon të punojë përsëri në “TPK” gjerë me 1990, ku edhe pensionohet si aktor i këtij Teatri. 

Ajo çka mbetet pas si kujtim për të janë rolet e shumta që i ka dhënë jetë. Istref Begolli arriti të jetësoj rreth 150 role në teatër, film e televizion, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit dhe kulturës shqiptare. 

Disa nga rolet kryesore në shfaqjet janë: Mihali në shfaqjen “Zhelanat” e Matej Borit, në regji të Abdurrahman Shalës, Dhëndrri dhe Meriku në “Dasma” dhe “Hani në rrugën kryesore” të Çehovit, me regjisor Muharrem Qenën, Karl Fon Mori në “Cubat” e Shilerit, me regji të A. Shalës, Plaku i Parë në “Erveheja” e Ahmet Qirezit, me regji të Muharrem Qenës, Dyl Mehmeti në “Fosilet” e Azem Shkrelit, Paratovi në “Vajza pa Pajë” e Ostrovskit, Prifti në “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, në regji të Piromanit, Murtaja në “Shtetrrethimin” e Kamysë, në regji të T. Durbeshiqit, Iago në “Othello” të Shekspirit, me regji të A. Shalës, Magbethi në “Magbethi” të Shekspirit, si dhe shumë të tjera..

Ndër rolet më eminente të luajtur në më se 20 filma artistik janë roli i Pavie Shatev në filmin “Atentatorët e Selanikut” i Zhika Mitroviqit, Deliu në “Era dhe Lisi” i Besim Sahatqiut, Prifti në “Proka” nga Isa Qosja, Fatmir Gashi ne “Përroi Vërshues” i Besim Sahatqiut, Polici në “Si të vdiset” i M. Stamenkoviqit, Otos në “Sulmi i kuq” i Predrag Golluboviq, Trobërku në “Mali i Leiejit” i Zdravko Velimiroviqit, etj. 

Nga rolet në filmat televiziv duhet veçuar: Plaku në “Të ngujuarit” me skenar dhe regji të Ekrem Kryeziut, Kostë Kasapi në “Kulla”, sipas Anton Pashkut e në regji të Agim Sopit, Inspektori në “Dhembja krenare”të Ismail Ymerit, Kabili në “Vallja e Çmendur” me skenar dhe regji nga Isa Qosja, Ati në “Vjeshtën e Trëndafilave”, me skenar të Veli Karahodës e në regji të Agim Sopit, etj. 

Në anën tjetër, Istref Begolli është edhe fitues i shumë shpërblimeve si çmimi i parë për rolin e Dyl Mehmetit në shfaqjen “Fosilet”, shpërblimin e dhjetorit për veprimtari të frytshme në lëmin e Teatrit dhe Filmit, në Takimet Teatrore “Joakim Vujiq” të mbajtura në Kragujevc merr vendin e parë për rolin e Priftit në shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Ismail Kadaresë dhe plotë të tjera, që janë dëshmi e vlerve të mirëfilta artistike të tij. 

Istref Begolli ndërroi jetë tragjikisht ne një ditë acari më 31 janar të vitit 2003 në spitalin e Krapinske Toplices në Republikën e Kroacisë. Ai i takon plejadës të aktorëve që vunë themelet e Artit Skenik në Kosovë. 

Sot Teatri i Pejës në nderim të veprimtarisë së tij të bujshme, mban emrin e tij. / KultPlus.com

Dy shtigje panoramike ecjeje në zonat e Petrelës dhe Kërrabës

Një produkt i ri i Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP) është tani i hapur për publikun.

Dy shtigje panoramike ecjeje në zonat e Petrelës dhe Kërrabës janë pastruar, shënjuar dhe bërë të aksesueshme, duke ofruar përvoja të reja në natyrë pranë kryeqytetit, njoftoi sot ambasada gjermane në Tiranë.

Bëhet fjalë për Shtegun e Mareve në Petrelë dhe  Shtegun e Ciklopit në Kërrabë.

Këto shtigje ekzistuese janë zgjeruar dhe bërë rrethore tashmë, për të lidhur pika kyçe kulturore dhe natyrore, duke përfshirë rrënojat antike të Persqopit, Kalanë e Petrelës, Kalanë e Dorëzit, Qafën panoramike të Durishtit dhe ikonën natyrore Syri i Ciklopit me itineraret e reja të kacavarjes në Kërrabë duke ofruar kështu një kombinim unik të historisë, aventurës dhe natyrës.

Për një navigim më të lehtë, shtigjet janë të disponueshme  edhe si skedarë digjitalë GPX./atsh/KultPlus.com

Një grua e pjekur

Poezi nga Reancer Humano

Përktheu Klodeta Dibra

Nuk shtyp, prek lehtazi.
Nuk ngallmon, është ngasëse.
Nuk është e zgjuar, është e mençur.
Nuk miklon, dëften mprehtësisht udhën.
Nuk ka ngut, pret dekikën e duhur.
Nuk vepron, rrëshqet ngadalë.
Nuk fluturon, lëviz dallgë-dallgë.
Nuk merakoset për sasinë, pëlqen cilësinë.
Nuk shikon, vrojton.
Nuk çapitet, shkon e vjen.
Nuk mëton, thjesht pëlqen të shijojë.
Nuk gjykon, zbërthen.
Nuk ngushëllon, ndez zemrën.
Nuk kërkon, zgjon ndjesi.
Nuk robëron, jep lirì.
Nuk josh, magjeps.
Nuk është ngulmuese, është përzgjedhëse.
Nuk lëshon dritë, është e dritësuar.
Nuk pëlqen ta shohin, pëlqen të dëgjohet.
Nuk parashikon, rrok me mendje.
Nuk flet për seksin, ajo është një mjeshtre në artin e dashurisë.
Nuk është e butë, është e epshme.
Nuk urdhëron, udhërrëfen.
Nuk rilind, është në lulzim të pandërprerë.
E s’fundmi një Grua e pjekur është një e tërë e të gjitha bukurive të gjasshme
sepse është një Grua./KultPlus.com

100 vite nga shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë

Më 31 Janar 1925, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë, pasi Asambleja Kushtetuese votoi nenin 6 të kushtetutës: “Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë.”

Që nga kjo datë kushtetutat janë ndërruar shumë herë, por ky nen ka mbetur i pa ndryshuar.

Delegatët e parlamentit të cilët më 21 janar 1925 e shpallën republikën e parë shqiptare, morën vendimin e radhës edhe për Tiranën.

Pra, 10 ditë më vonë shpallën Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë. /KultPlus.com

*Në foto: Anëtarët e Asamblesë Kushtetuese që votuan më 31 janar 1925, Tiranën kryeqytet dhe Ahmet Zogun president