Poezia “Pengu i lirisë” e Alketë Spahiut shpallet fituese e çmimit ‘Pena e Flakës 2022’

Poezia e Alketë Spahiut, me titull “Pengu i lirisë” është shpallur fituese e çmimit kryesor në “Ora e madhe letrare” të shtyllës “Pena e Flakës” në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2022”.

Pasi janë lexuar e deklamuar poezitë pjesëmarrëse në “Ora e madhe letrare”, janë publikuar edhe rezultatet e konkursit anonim letrar në prozë e poezi.

Juria e përbërë nga Ramadan Mehmeti, Sabile Keçmezi – Basha dhe Sinan Sadiku, ka qenë unanime në vlerësimin final për shpalljen e fituesit të poezisë më të mirë të lexuar në “Ora e madhe letrare”.

Në emër të jurisë, Dr. Sabile Keçmezi – Basha, ka prezantuar vendimin, duke potencuar se disa nga poezitë konkurruese pjesëmarrëse kanë qenë të botuara paraprakisht, ndaj si të tilla janë eliminuar me automatizëm nga konkurrenca, ndërsa poezia më e mirë e lexuar në “Ora e madhe letrare” është shpallur “Pengu i lirisë” i autores Alketë Spahiu.

Në emër të jurisë vlerësuese, Sabile Keçmezi – Basha vuri në dukje se cilësia e prurjeve të këtij edicioni ka qenë në nivel të kënaqshëm, sikurse edhe konkurrenca, për të cilën tha se ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe në numër të madh.

“Duke i analizuar poezitë, në të gjitha vërejtëm tonin medidativ ku me të madhe gjejmë shqetësime krijuese që gërshetohen në filozofinë poetike të këtyre poetëve, të cilët sjellin një imazh që në vete bart realitetin e kohës dhe me një simbolikë metaforike gjuhësore përjetohet si refleks komunikimi duke bartur natyrshëm një mesazh të qartë tek lexuesit”, nënvizoi ajo, ndërsa pjesëmarrjen masive të poetëve e cilësoi “festë në vete” për poezinë shqipe.

Në kuadër të pjesës letrare të manifestimit, Juria e konkursit anonim letrar, në përbërje Prend Buzhala, Emin Azemi e Albina Idrizi, ka ndarë çmimet në prozë e poezi për krijimet më të mira, me sa vijon:

Çmimin e parë e fitoi poezia “Legjendë tingujsh” me shifër “Itaka”, vendin e dytë e fitoi poezia “Fjalët për një këpucë të humbur” me shifër “këpuca e gjetur”, kurse vendi i tretë i ka takuar poezisë me shifrën “Flokë të arta” e me titull “N’ikje”.

Ndërsa në prozë, tregimi “Dritëhije e Prishtinës” me shifrën “Janari” zuri vendin e parë. Vendi i dytë i takoi tregimit me titull “Tundimet e Shën Arturit” me shifrën “Dora d’ Istria”, ndërsa ai me shifrën “Intuita” e me titull “Makthi cullak” zuri vendin e tretë.

Siç është bërë e ditur edhe ky edicion i “Pena e Flakës” do të përgatitet dhe botohet në një botim të veçantë në revistën letrare “Agmia”, në të cilën, përveç krijimeve fituese nga konkursi anonim dhe nga “Ora e madhe letrare” do të botohen edhe një numër syresh, të cilat janë vlerësuar nga komisioni si punime të denja e me nivel të kënaqshëm letrar/artistik: “Më thuaj shpesh”, shifra “Perla”; poezia me titull “Për një ditë marsi” me shifrën “Janari”; pastaj poezia “Nata” me shifrën “24 pjesët e natës”; poezia “Mjekrës së thinjur të kohës” me shifrën “15012017”; poezia “Blegërima e harresës” me shifër “Harrestar në Horoskop”; poezia e radhës me titull “Jetëshkrim manekinësh” me shifrën “Manekini”, si dhe poezia “Kurrë lumë” me shifrën “1980”. / KultPlus.com

Ora e madhe letrare “Pena e Flakës” mbahet nesër

Aktiviteti letrar, “Pena e Flakës” e cila organizohet në kuadër të manifestimit kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2022”, do të mbahet nesër në Gjilan, shkruan KultPlus.

Tridhjetë poetë, nga midise të ndryshme shqiptare ( Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e gjetiu ), të cilët janë përzgjedhur përmes një konkurimi të hapur, më 31 janar 2022, ora 16:00, begatojnë “Flakën e Janarit”, këtë manifestim kombëtar të kulturës, me krijimet e veta dhe kështu nderojnë përmes vlerave të reja krijuese martirët, dëshmorët dhe figurat e ndritura të kombit, po edhe garojnë njëkohësisht për Çmimin më të rëndësishëm të pjesës letrare të këtij Manifestimi, “Pena e Flakës”.

Një juri letrare, e cila do të bëhet publike gjatë ditës së nesërme, do të bëjë zgjedhjen e fituesit.

Pena nisi rrugëtimin bashkë me “Flakën e Janarit”, që nga 18 janari i vitit 1992 e këndej. /KultPlus.com

Magbule Xhemaili, fituese e Çmimit Blerës të Galerisë ‘Peneli i Flakës 2022’

Në Galerinë e Arteve në Gjilan është hapur Ekspozita Kolektive e Artit Pamor “Peneli i Flakës”, si njëra ndër shtyllat themelore të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”, ku janë ekspozuar punime të krijuesve të ndryshëm, në pikturë, skulpturë, vizatim, grafikë, instalacion, ndërsa është ndarë edhe Çmimi Blerës i Galerisë, i cili i ka takuar piktores Magbule Xhemaili.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni në hapjen e kësaj ekspozite tha se ndihet i nderuar që ndodhet në mesin e artistëve dhe artdashësve për ta bërë bashkërisht hapjen e “Penelit të Flakës”, me ç`rast edhe po ekspozohet një pjesë e madhe e artit dhe kulturës së Gjilanit, nëpërmjet artit pamor.

“Ne sapo përfunduam me Akademinë Tematike të “Flakës…” dhe po vazhdojmë me ”Penelin…”, ndërsa janari do të jetë muaji me plotë aktivitete të ndryshme kulturore, e do të vazhdojë kështu edhe në të ardhmen duke mbajtur gjallë traditën, por edhe duke kujtuar të gjithë ata, për të cilët edhe jemi mbledhur sot e po i përkujtojmë”, tha kryetari Hyseni.

I pranishëm në këtë Ekspozitë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se ndihet mirë që pas Akademive në Prishtinë dhe në Gjilan, kushtuar të rënëve, bashkë me kryetarin e Gjilanit janë edhe në këtë Galeri, sepse të gjithë veprimtarët që po u kushtohet ky aktivitet, kanë qenë edhe krijues.

Kryeministri tha se ata kanë krijuar në aspektin artistik, përveç se në atë shoqëror dhe përveç shkrimeve, fjalimeve, teksteve që ata i kanë prodhuar, përveç këngëve që i kanë kompozuar e kënduar, është e domosdoshme ta kemi edhe pikturën, vizatimet, të gjitha këto punime që janë shprehje e shpirtit krijues të brezit aktual, në mënyrë që përvojat tona jetësore, mendimet, ndjenjat, ndjesitë… edhe në këtë formë t’i paraqesim dhe t’ia komunikojmë njëri tjetrit.

Duke iu referuar punimeve të ekspozuara në këtë ekspozitë, kryeministri Kurti tha se ka parë talente e entuziazëm që duhet të mbështetet edhe nga institucionet lokale edhe nga ato qendrore, për shkak se njerëzit që krijojnë, prodhojnë, ndërtojnë, janë ata të cilët e bëjnë vendin tonë edhe më të jetueshëm, edhe më të dashur.

Njëri nga përgjegjësit për artin pamor, në kuadër të “Flakës…”, skulptori Avni Behluli, ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për mbështetjen e këtij organizimi dhe ka bërë me dije se kësaj here “Peneli i Flakës”, ka tubuar elitën e artistëve shqiptar, por edhe të kombeve tjera. Interesimi për të qenë pjesë e Penelit të sivjetmë ka qenë i madh dhe kishte mbi 100 të interesuar, prej të cilëve, janë kualifikuar 61 artistë, e janë prezantuar degët dhe mediumet shprehëse vizuele si: piktura, skulptura, grafika, vizatimi dhe instalacioni.

Përndryshe, juria profesionale në përbërje: Ragip Ramadani, skulptor, Valdrin Bajrami, piktor dhe Arta Llapashtica, grafiste, kanë ndarë edhe tri çmime për: Gëzim Brestovci – pikturë, Fatmir Krypa – grafikë dhe Malë Myrtaj – skulpturë.

Përndryshe, manifestimi kulturor mbarëkombëtar ‘Flaka e Janarit 2022’, me të cilën nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, të rënë përgjatë janarëve të historisë, vazhdon tutje më 19 janar, me Ekspozitë memoaresh e kujtimesh “Dhoma e Kadriut, Jusufit, Bardhoshit, Rexhepit e Nuhiut”. /KultPlus.com