Është një plumb që nga lufta në luftë bredh qorraz dhe ku jam e ku s’jam më kërkon Del nga Tv ekranet si një shënjestër të zezë më gjuan Zemrën t’ma shpon a synin t’ma vërbon
Një ditë ai plumb ra në filxhanin e kafesë së mëngjesit cakun tuj e huqun Dhe stërpikat e kafesë m’ranë fytyrës Seç e ndjeva në qerpikë në lëkurë shijen e lirisë të shesheve ku jehon zani no pasaran
E mora filxhanin e thyer si suvenir të absurdit dhe thash me za
Zbresim shkallët teposhtë në heshtje nga kati i shtatë Me bisht syni i shikojmë supet e njani tjetrit dhe siluetën e portreteve të ngrysuna nën dritën e paktë
Një kat më poshtë bajmë
një ngatërrim të hapave
dhe gati përfundojmë në përqafim të trembun E sforcojmë ecjen vertikale
dhe shikimin e rreptë
derisa shkelim të pestin
dhe të katërtin kat si dy armiq të rastësishëm
E shtrëngon çantën tuj m’pa si një rrëmbyes Kurse unë me qëllim nuk e shpejtoj hapin Arrimë tek i dyti tashmë të militarizuem
në mospërfillje
Zhurma e takeve t’ua e tradhëtojnë heshtjen e zemrave dhe shpeshtojnë frymëmarrjen Për herë të parë e shoh ngjyrën e syve të kaltër
Në përdhese gjithçka fashitet tokëzohen ndjenjat e trazueme dhe kujtimet se dikur të kisha njohur mirë Por tash maska e moshës na kishte tjetërsue
Ti vazhdon ma tutje e bindur se shpëtove nga një vardisës i mundshëm i bezdisshëm
Kurse unë vazhdova për në bodrum tek fletoret e moçme të kërkoj përshkrimin tim për portretin tand në rini
–Poezi e shkruar nga Afrim Demiri, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com
-Atë që dikur, nëpër faza të ndryshme kohore e kanë bërë Tafë Kusuri, Mixha Ramë, Qeshë e ngjesh , Jemi etj., nëpërmjet tipeve të ndryshme të komikës, për të përballuar sa më lehtë realitetin tonë sa të rëndë po aq të vrazhdë politik, gjatë pandemisë e ka bërë Agon Myftari me video- clipet e tija kararakteristike të tipizuara nëpërmjet shumë karaktereve.
Qershor 2020- Pandemia COVID-19, solli një mbyllje të rëndë në rrethana e izolim të detyrueshëm. E gjithë ajo, që deri dje ishte përditëshmëri normale u tretë dhe u kthye në mungesë të padurueshme. Komunikimi njërëzor u cenua deri në përmasat e një vetmie globale dhe distanca sociale u kthye në një normë befasisht ‘normale”. Krijuesit, dita- ditës të gjetur në një kurthë të tillë filluan të ndjejnë si obligim të sjellin artin e tyre për publikun si një terapi e veçantë për të kapërcyer stresin, i cili filloi të godas psikologjinë e të menduarit të njerëzve. Dikush me poezi, dikush me këngë, ndonjë tjetër me karikaturë shprehnin jo vetëm solidaritetin njerëzor, por jepnin shembullin e kurajës qytetare se do të ngadhnjejmë mbi këtë zezonë. Teatri Kombëtar, në bashkëpunim me teatrot e qyteteve filluan të jepnin shfaqjet në rrjetet sociale. Teatri klasik mori dimensionin e teatrit elektronik. Përditshmëria nga rruga, u bartë tek rrjetet sociale. Gjithëçka I nënshtrohej një ridemensionimi! Atëherë kur rëndohej komunikimi kulturor, kurse rrjedhat politike rënduan mbi pandeminë, filluan edhe vido-clipe familjare si dhe mesazhe të njerëzve publik apo të zakonshëm të bëjnë thirrje dhe të përcjellin mesazhe solidariteti. Mirëpo si qershia mbi tortë në këtë shkretëtirë kulturore u shfaq arti multimedial i Agon Myftarit, nëpërmjet video-clipeve specifike të disa karaktereve tipike që të nxjerr athëtinë e kohës, nëpërmjet një zhanri komik të fjalës. Në një formë krejt të re dhe të panjohur për artin tonë multimedial, regjisori Myftaraj , vendosi personalitetin e tij në rolin e disa karaktereve të “huazuara” nga rajonet tona, për të përfolur me një gjuhë artistike mentalitetin e njerëzve tanë të situatave aktuale si dhe ato të historisë së afërt.
Atë që dikur, nëpër faza të ndryshme kohore e kanë bërë Tafë Kusuri, Mixha Ramë, Qeshë e ngjesh , Jemi etj., nëpërmjet zhanreve të ndryshme komikës, për të përballuar sa më lehtë realitetin tonë sa të rëndë po aq të vrazhdë politik, gjatë pandemisë e bëri Agon Myftari me video- clipet e tija kararakteristike të tipizuara nëpërmjet këtyre karaktereve të retushuara nëpërmjet filterëve të snapchat-it. Protagonistët e Agonit, krijojnë komikën sa nga gjestikulacioni i fytyrës së përpunuar në “pasqyrat konkave dhe konvekse” sa nga fjalët që identifikojnë njeriun tonë margjinal, të frustruar, stresant , nostalgjik apo të harruar. Nëprëmjet rrëfimeve plot imagjinatë që luhatet nga arkaizmi, infantiliteti apo edhe nga snobizmi , personazhet “alla” Agon, shpërthejnë shtresat monotone të pandemisë dhe reflektojnë një art të ndjenjës së çliruar nga rrethanat, ku ka ra individi. Siç është shpreh Simon Critchley, “humori është një formë e antropologjisë kritike shoqërore, që e bën të njohurën të panjohur, e bën demitizimin ekzotik dhe ia kthen botën, mendjes se shëndoshë”. Andaj Përparimi- Perpi, nostalgjiku mitrovicas, e kthen situatën kur gjërat janë dukur normale nga këndvështrimi i një të riu apo atëherë kur miti për Trepçën ka thurrë krenarinë tonë. Kurse Astriti- emri tipik gjakovar, ruan stereotipin për gjakovarin e “mençur”, vizionar. Duke ditur se komedia e kakrakterit thekson mbistresin , shpërqëndrimin e personit, ndërsa komedia e situatës shpreh mbistresin, shpërqëndrimin e rrethanave, atëherë komedia e fjalëve përfshinë komedinë që shprehet me gjuhë dhe që krijohet nga gjuha. Tek videot-clipet e Agonit këto tipe të komedisë sikur bashkëdyzohen dhe i kemi në një vend, atë të karakterit dhe të fjalës të ndërlidhura më atë të situatës.
Personazhi i Besit nga Vranjevci, sa i traumatizuar dhe i margjinalizuar shpërfaqë arsenalin e fjalëve gjithashtu të harruara të një të folme arkaike si Qpllau, trumhaz, zding zding, fiiiing,. dumka dumka, shkoklu, ngërzhatë,zhagitje etj. Kurse Sinani ferizajas, sikur nxirret nga nëntoka për të projektuar strategjitë konspirative. Motoja e tij “ Be m;boni njani, rren nuk kie” dhe shpalimi i dyshimeve të formës “, shtate kat nëntokë në Bondsteell bojnë eksperimente te uraniumit”, tipizon naivitetin e njeriut tonë dhe viktimizimin e tij injorues nga përfoljet së koti, mbi të cilat shpesh krijohet një diksurs konspirativ i cili prekë edhe analistët e studiove. Në këtë konteskt është i çmueshëm mendimi i Henri Bergsonit, kur ai flet për humorin që realizohet në gjuhën që krijohet komedia. “Në rast se gjuha është ajo që është komike, atëherë struktura dhe format e gjuhës që krijon komikën janë baza për realizimin e komedisë. Gjuha që krijon komiken është krijuar brenda kulturës së vet dhe shpesh është shumë e vështirë të tingëllon si qesharake jashtë saj, për apo në kulturat tjera”. Vërtetë nuk e di se si këto video-chlipe të Agonit do të tingëllonin në gjuhë të tjera, apo duhet të tërheqim paralelet se as komedia e zezë angleze shpesh nuk ngjallë të qeshurat tek ne. Dmth duhet kuptuar dhe pranuar se ekziston një humor etnik, i cili shtrihet në kuadër të hapësirë të caktuar kulturore.
Kështu që personazhi I Avdylit, sjell proverbat e Nastradinit, nëpërmjet simbolikave, të caktuara të ndërlidhuar me realitetin aktual politik, apo Blerimi pejan paradokset e sjelljes së politikaneve, interesat e ulta i sjell si një humor të mbështetur në përfoljet urbane. Noli i Prishtinë mund të kundrohet si një snobist i rritur në Prishtinë, apo i dalur nga një TV studio, ku analistët krijojnë kakofoninë “ A u bo mirë që ra Qeveria. Jo nuk u bo mirë hiç, nashta edhe u bo”?!, Pastaj t’kallxon ç’ka osht Metropoli,politika e përditshme, mini-Shengeni etj.
Sipas Agon Myftarit këto video-klipe, kanë lindur rastësisht, si një art i mungesës, falë ndihmës së filterave në snapchat, dhe në fillim ka qenë synimi të jetë arti i një grupi të caktuar të miqëve të tij , por më vonë ka zgjeruar idenë. Agoni artin e tij e ka pa si art të terapisë, për kapërciminin e karantinës ku janë shpreh problemet ekonomike, sociale e politike. “Janë si filter i politikës, si batuta, barcoleta spontane, jeta e personazheve si frymezim krijimi”, është shpreh, për media, regjisori, skenaristi dhe aktori Agon Myftaraj. Është me peshë mendimi Critchley, kur thotë se “humori është, pra, ajo që na rikthen në vendin tonë, në një etos unik që kryesisht identifikohet me njerëz të caktuar me zakone dhe karakteristika të zakonshme. Sipas tij ” Kjo është arsyeja pse humori merret si një nga mënyrat e identifikimit me njerëzit tanë, por dhe me mënyrat e të dalluarit”.
Gjithsesi humori nuk është vetëm për të qeshur, ai kapërcen situatat e argëtimit dhe krijon reflektim më të thellë. Gjuha brenda humorit shpreh fuqinë e saj të të rrëfyerit. Personazhet e Agonit, prej etosit deri tek etnosi, na kanë sjelllë liri të veçantë gjatë kohës së pandemisë, por edhe preokupim kush jemi ne dhe si sillemi ne. Është e njohur që në kohë pandemie William Shakespeare prodhoi disa nga veprat e tij më të mira, po ashtu Njutoni zbuloi gravitetin si dhe shkrimtari Giovanni Boccaccio shkroi dhe Decameron etj. Për fatin tonë Agon Myftari, në këtë kohë pandemie solli ciklin e krijimeve të video-clipeve me disa karaktere duke sjellë vlera në humorin tonë shpesh të kontestuar për nga cilësia. /KultPlus.com
Në studimet tona nuk na bie shpesh të kemi vepra krahasuese, të cilat na shpien në një lexim paralel, apo më më mirë të thuhet, në një lexim integrues, ku njëri paragraf i njërit libër të dërgon në një libër tjetër dhe anasjelltas. Për më shumë këta paragraf nuk të dërgojnë vetëm në një adresë, por në të vërtetë në një hapësirë krejt tjetër të dy botërave, në shikim të parë të kundërta, por që në esencë ato lidhen me një fije të padukshme.
Pikërisht kjo fije e padukshme në mes hapësirës krijuese dramatike të vepres “Shakespeare dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit”, është kapur , është tjerrë dhe është zbërthyer nga autori Bekim Lumi. Duke qenë një pasionant me një shije filigraneske, duke poseduar një kulturë të gjërë në shumë fusha si në letërsi, dramaturgji dhe në regji, pastaj duke qenë një njohës shumë i mirë i trashëgimisë kulturore shqiptare, autori Lumi ka arritë që mes metodave sa analizuese po aq sintetike, të krijojë një paralele sa dinamike dhe aq integruese në mes të jo vetëm këtyre dy autorëve, por në esencë në mes të dy kulturave; asaj të shkruar të letërsisë angleze si dhe asaj të folmes tek shqiptarët, të formësuar nëpërmjet Kodit zakonor.
Andaj ky studim krahasues na merr me vete dhe na fut në Kodin etik, i cili qoftë tek dramat e Shakespeare-it apo tek Kanuni flet me të njejtën fuqi dhe me të njejtin rend njerëzor, duke nxjerr në pah një vlerë njerëzore në dy rrafshe të ndryshme.
Një projektim të tillë të fuqishëm të kësaj ndërlidhjeje, regjisori Lumi, e pat shfaqur nëpërmjet inskenimit të dramës “Këmisha e gjakut”. Por gjatë përpunimit të saj, si duket Lumit iu kanë shfaqë ide dhe refeleksione të reja, për të gjetur dhe analizuar edhe shumë pikëtakime në mes këtyre dy Kodeve; Kodit dramatik të veprave të Shakespeare si dhe Kodit jetësor të shqiptarëve. Edhe pse në shikim të parë këto dy Kode zhvillohen në rrafshe të ndryshme; njeri në atë letrar, kurse tjetri në rrafshin jetësor, autori Lumi e gjenë emruesin e përbashkët të tyre tek drama njerëzore, duke u nisur nga fakti i fuqishëm se dramat e Shakespeare-it kanë pasqyruar Kodin moral të kohës, ku ai i vendosë personazhet e tija.
Nëpërmjet këtij studimi autori Bekim Lumi kultin e Mikëpritjes, të Besës, të Mikut si cilësime etnopsikologjike të botës shqiptare i nxjerr nga cfarëdo arkaizmi paragjykues, duke i vendosur si vlera që korrespondojnë me vlerat më të larta etike të qytetrimit evropian, të përfaqësuara aq me mjeshtëri artistike në veprat e Shakespeare-it.
Duke ndërlidhur fatet, situatat dhe dilemat në dramat “Makbethi”, “Rikadi III” e “Hamleti”, me shpjegimet, vlersimet dhe gjykimet tek “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, e posacerisht duke u përqendruar në krahasimet në mes të tragjedisë “Makbethi” dhe kryeveprës së etnokulturës zakonore shqiptare “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, autori Lumi sa e veshë veprën e Shakespear-it me petkun Kanunor shqiptar, po aq Kanunin e Lekë Dukagjinit e veshë me petkun artistik të kryeveprës letrare të mbarë njerëzimit.
Gjatë gjithë kohës së leximit në mënyrë po ashtu paralele, stili i të shkruarit të Lumit i lejon lexuesit me lehtësi të kalon nga një teatër jetësor i hapësirës shqiptare, në një teatër Shakespeare-ian. Loja tragjike është po ajo, e njejta, fati i njejtë tragjik i njeriut; qoftë ai personazh i letërsisë angleze, i nxjerrur nga jeta e Mbretërive apo një njeri që ecë me pushkën në krah maleve shqiptare. Kjo qasje e Lumit krijon frymë interdisciplinare aq e nevojshme për të thyer klishetë tona të studimeve dhe për të krijuar një diskurs të qasjes evropiane të trashëgimisë kulturore shqiptare.
(Ky shkrim u lexua ne EtnoFest, gjatë promovimit të librit të Bekim Lumit, “Shakespeare-i dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit”) /KultPlus.com
– Portreti i Kosovës, në këtë libër, del përtej slloganit politik të një diversiteti multietnik, por del si një portret plot jetë diverzive nga aspekti soc-kulturor. Kjo lloj-llojshmëri nuk zhvillohet dhe kultivohet në serat e mentaliteteve arkaike, por merr jetë në margjinat e jetës së një Kosove sa tragjike po aq ringjallëse.
Afrim Demiri
Është ndjenjë e veçantë kur
lexon diçka me vonesë, krahasuar me kohën kur është botuar. Pse?!
Sepse nuk është thënë rastësisht, se kurrë nuk dihet se sa jetëra i
ka shkrimi i botuar (apo i pa botuar). Është në natyrën
e shkrimit ta gjen lexuesin e vet edhe atëherë kur mendohet se ai është tretë
bashkë me kohën. Kjo vlen më shumë kur
kemi të bëjmë me shkrimin e reportazhit gazetaresk,
i cili po mbetet si zhanri më integrues dhe më shprehës i gazetarisë në
përgjithësi. Në natyrën e këtij zhanri
është që ta ruan dhe kultivon fuqinë e shprehjes, të ndërlidhur me realitetet
aktuale dhe historike të shikuara sa nga ballina e ngjarjeve, e sa nga sfondi i
tyre. Këtë gjë pak a shumë e
përjetojmë duke lexuar 23 reportazhe të autores Nerimane Kamberi-
Haziri, të botuara ndër vite në “Le
Currier des Balkans”, kurse tash të rikthyera
tek ne, nëpërmjet një botimi të veçantë
dygjuhësh, shqip dhe frëngjisht, “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera”. Para se gjithash duke e ditur formimin e saj kulturor, të gërshetuar në mes botës
frankofane dhe asaj shqiptare, prej reportazhi në reportazh kalova duke u ndjerë si një turist në vendin tim, sepse
penda e saj vrojtuese kishte sjellë aq shumë aspekte margjinale të jetës në
Kosovë , sa shpesh të imponohej bindja se a kam jetuar gjatë këtyre ngjarjeve
në Kosovë si dhe a po jetojë ende.
Të gjitha reportazhet e një kronike
Që nga reportazhi i parë “Në autostradën e pushimeve”, e deri tek ai i
fundit “Vera e diasporës”, të krijohej përshtypje se je duke e lexuar një
kronikë të plotë për Kosovën, të futur në një periskop vrojtues përtej të dukshmes,
reales dhe të dyshimtës. Fati i njeriut të Kosovës shikohet duke i thyer
stereotipet e ndarjeve etnike dhe religjioze, po ashtu duke e
kapërcyer historinë bardh e zi, andaj përnjëherë
portreti i Kosovës del përtej slloganit politik të një diversiteti multietnik, por del si një portret plot jetë
diverzive nga aspekti soc-kultruor. Kjo lloj-llojshmëri nuk zhvillohet dhe
kultivohet në serat e mentaliteteve arkaike, por merr jetë në margjinat e jetës
së një Kosovë sa tragjike po aq ringjallëse. Në këto reportazhe ndjehet
pulsi vrastar i dehumanizmit nga njëra
anë por jehon edhe fjala humane, në anën
tjetër.
Edhe pse reportazhet janë
paketuar nëpër kapituj si Kujtesa , Besimi, Bashkësitë, Lufta e paqja, Art dhe
kulturë, Sport dhe identitet, si dhe Diaspora, kjo gjë nuk hetohet gjatë leximit, dhe prej
reportazhi në reportazh kalohet si nga
një shfaqje në tjetrën, të cilat
jepen gjatë një festivali. Madje kjo renditje e reportazheve ka bërë që të ngatërrohen
vitet e ngjarjeve dhe shpesh kjo gjë ka shërbyer si një remineshencë e cila na
kthen në kohët jo shumë të largëta.
Si një hark përmbyllës, i cili
në esencë është edhe harku jetësor prej mërgimtareje e vet autores, përshkon gjithë librin, fati i njeriut tonë të
mërguar. Atmosfera e shkuarje ardhjeve është dhënë në mënyrë shumë spontane me
anë të batutave të hareshme, po që shpesh tregojnë athëtinë e një kohe. Fati i
diasporas sonë është përshkruar nëpërmjet tranzicionit, i cili ka sjellë edhe
shumë ndryshime në perceptimin e dyanshëm, në mes atyre atje dhe neve këtu në
Kosovë . Por ajo që nuk ka ndryshuar është se “secili prej tyre ka ndërtuar
kullën e vet të Babellit” dhe se “Kosova mbetet vendi i kthimit”. Dualizmi i
ndjek personazhet reale te reportazheve,
si fat i dyfishtë i jetës kudo, jo vetëm si realitet por shpesh edhe si
përcaktim qoftë kulturor, identitar, ekonomik apo religjioz. Andaj brenda tyre
e hasim edhe të robëruarin e djeshëm e të liruarin e sotëm , brenda një qenie e
takojmë shqiptarin dhe kosovarin, katolikun dhe myslimanin, të jetuarit e varfër dhe pasanikun e papërmbajtur,
si dhe brenda një shkolle e hasim dy botëra të ndara atë shqiptare dhe
serbe. Këto fakte nuk jepen ngurtas, por
me një stil të përballjes së detajeve me fatet globale, andaj kemi një gërshetim të faktit informativ me atë që
quhet mizaskenë teatrore. Kjo ta fuqizon mendimin që reportazhi është
ama e shkrimit gazetaresk, i cili i ndërlidhë
të gjitha me vijën e hollë të asaj që quhet njerëzore duke kapërcyer qasjen që të shihen si të ndara historia , ekonomia, politika apo patologjitë
e tjera shoqërore.
Muzeu I dhembjes
Duke lexuar një nga një
reportazhet e heton se autorja sa të dërgon në zgafella të minatorëve të Trepçës
sa ne stadiumin e qytetit ku nuk luhen
ndeshje futbolli, por mijëra fustane nusesh valëviten në kujtim të grave të
dhunuara. Një surealizëm që pikon dhembje plotëson imazhet e Kosovës së lënduar.
Tamam si një cicerone që fillon të flas posa ke shkelë derën e një muzeu, ashtu
të duket se po dëgjon fjalët e autores, e cila me delikatesë hap derën e Muzeut
të dhembjes së nënës Ferdonije Çerkezit,
të cilës ia kanë vrarë forcat serbe burrin dhe katër djemtë e saj. Prej fjalës
në fjalë vijëzohet portreti i kësaj nëne plot dhembje, kthimi i shtëpisë në
Muze, jepet me përshkrime deri në detaje. Ky
Muze është akuzë e përhershme për vrasësit. Aty janë fustanet i nuseve
dhe kostumet e djemve të saj të përjetësuara,
në pritje të përhershme. Aty është djepi i cili është dashtë t’i përkundër foshnjat
që nuk i priti Ferdonija, që ta bëjnë
gjyshe.
Nga një muze i dhembjes në
Gjakovë, autorja sjell pamje të Kosovës si një muze i hapur i një të kaluar të
përgjakshme, por edhe një tashme plot tensione ku shpesh dhuna i ka parapri
dhunës. Mirëpo në reportazhet e Nerimanes ato dalin në shesh si të dyzuara kur
pikërisht në reportazhin për 8 marsin duhet flitet për gratë e dhunuara gjatë
luftës si dhe për të zhdukurit. Viktimizimi si vazhdim i mentalitetit
patriarkal del në pah edhe kur flitet për gratë e dhunuara mbi të cilat përveç
fatkeqësisë ka ra edhe heshtja dhe
shpesh anatemimi. Në reportazhin “8 Marsi me një shije të hidhur”, viti
2012, flet pikërisht një nga të dhunuarat, nga forcat serbe në luftë.
Në ikje nga dhuna shpesh
krijohen disa realitete në skaje të shoqërisë, aty ku në fillim nuk dëgjohen e
më pas marrin jehonë. Janë elemente të një subculture që sikur u bjen defave të
shkyer, por që më vonë e shohim se jehona e tyre dëgjohet larg. Nga ky rrafsh
kanë filluar të organizohen festivalet si ai “DokuFest”, apo “Anibar, por
pastaj janë shndërruar në manifestime
ndërkombëtare. Në reportazhet e Nerimanës cilido lexues qoftë i huaj apo
vendas, indirekt bëhet pjesëmarrës i këtyre festivaleve .
“Një mbrëmje e ftohtë në
brigjet e lumit Ibër”,viti 2013, është një reportazh, tjetër, brenda së cilit
gjendet një mini-Ballkan. Aty flasin
krijuesit shqiptarë Bekim Lumi, Xhevdet Bajraj, Luljeta Leshanaku, kroatja Mima
Simiq, serbët Vladimir Arsenijeviq dhe
Miki Manjolloviq, apo boshnjaku Bekim Serjanoviq,etj., të gjithë në kuadër të Festivalit Polip, të
organizuar nga Jeton Neziri, pa i pyetur liderët politikë.
Dhe autorja na e sjell citatin
e Manjolloviqit se “politika fillon aty ku mbaron loja e skenës”, sikur një
parantezë të analizës se çfarë ka ngjarë në Ballkanin tonë.
Kafeteritë e Prishtinës, përballë Hotel Grandit
Një sharmë tjetër i librit vjen
nëpërmjet të atmosferës së kafeterive në Prishtinë, qoftë kur përshkruhen ditët e rëndomta prishtinase apo edhe Dita e
Pavarësisë së shtetit të ri me monumentin e NWBORN-it. Edhe pse librin e ka emërtuar
“Hotel Grandi…”, autorja këtij hoteli të nostalgjisë komuniste ia venë përballë
kafeteritë e reja, të cilat disa (Papillon dhe Hani I 2 Robertëve, Te Martini) kanë
fillue punën para luftës dhe bartin një histori në vete, si dhe ato të rejat që
shënojnë elemente të një subkulture si “Dit’ e nat’”, etj.. Kjo përballje nuk është
e rastësishme dhe vetëm figurative. Ajo shënon përballjen e kohëve. Në Grand
Hotel parakalojnë emrat si Tito, Rugova apo Arkan , kurse në kafeteritë
prishtinase është zhvilluar kultura joformale dhe ka krijuar emrat e rinj qoftë
të artit të pop muzikës etj. Prej “Kafeve të vogla” e deri të “Soma” ipet ritmi
dhe dinamika e jetës së re në Kosovën e re. Prej parakalimeve të protestave e
demostratave e deri tek organizimet e party-ve të natës, formohet mozaiku i
lirisë urbane. Rrëfimet plot ankth nga Grand Hoteli mbesin vetëm si artefakte të
padëshirueshme.
Ruajtja e trashëgimisë
paraqitet si një sfidë e tranzicionit të egër. Ndryshimet në Prishtinë janë paraqitë
më gjithë ankthet tjera shoqërore që nga eksodi i të rinjve, izolimi
paperspektiva etj. Nerimane Kamberi-Haziri
ka sjellë një letërnjoftim të diversitetit në Kosovë, shpesh duke e
shikuar nga një kënd i zhvillimit të subkulturës, mbase pa e ditur se po e
krijon një guidë të rrallë të panjohur deri më tash.
Shpesh gjatë leximit kam menduar, se si iu është dukur lexuesit francez, kur i ka lexuar një nga një gjatë botimeve këto reportazhe me aq shumë elemente dhe dinamikë dhe si do të duket tash kur ato janë paluar në një libër. Mua po më vjen mirë që ata kanë qenë lexues para meje të këtyre reportazheve. / KultPlus.com
Poeti Afrim Demiri, u shpërblye me çmimin e parë në Manifestimin Poetiko-Letrar “Malli poetik i Kosovës”, edicioni i shtatë, që u mbajt në Fushë Kosovë, shkruan KultPlus.
Poeti këtë shpërblim e cilëson si ngushëllim poetik për humbjen e hershme të mikut të tij Bekim Lumi, që sipas Demirit ishte lexuesi i parë i kësaj poezie.
Këtë njoftim e ka bërë poeti nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku po sjellim të plotë shkrimin e tij bashkë me poezinë:
Ky shpërblim vije si një ngushëllim poetik, për humbjen e hershme të mikut Bekim Lumi, i cili ishte lexuesi i parë i saj dhe e cila kaloi nëpër laboratorin e tij redaksional dhe kritik. Bekim ty, si një Skenderbegas I devotshëm që ishe, ta përkushtoj këtë shpërblim si falënderimin më të madh shpirtëror, për frymëzimin dhe nxitjen artistike dhe estetike që ma dhuroje, në çdo moment pranie me Ty. Të lutem, dëgjoje marshin Skenderbegas si vije deri tek ti!
Një lutje e moçme 550 vjeçe
Mos i tremb
sorrat me shpatë
Moti janë mallkue
të krokasin sipër parzmores
Sate
Fali siç I falje
pabesitë
Dil nga lëkura e bronztë
Udhës së Kombit kthehu
Mos e hiq përkrenaren bricjapi
ta dish bajlozët nuk dalin ma
veç prej detit
Saherë që hataja
troket në pragjet tona
Kreshpëro me jelat e gjogut tand
si bisht komete
Zbrit nga qielli Arbëror
hidhe shikimin matanë
pashë Diell e Hanë
Shtegto me hirin tand
Princor
Gjamën e kambanave
për ty
ndigjoje
Dhe lutjen tonë
besoje