Në mes mjegullash të nxira hëna zhduket, hëna bredh. Mbi të trishtëmet rrafshira trishtëm dritën ajo derdh. Udhës shkretë dimërore rend kjo trojka gjithnjë. Zile e kalit monotone mezi ndihet nëpër të. Seç më kap një mall rinie karrocieri kur këndon, herë gas çapkënërie herë mall ai më zgjon. S’shoh as zjarr e as kasolle vetëm borë si pambuk. Dhe përtej shtyllat rrugore duken, zhduken tek e tuk. Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë, tek e shtrenjta do të vi. Pranë zjarrit kur të rrimë të të shoh me mall në sy. Dhe akrepi i sahatit do vij’ rrotull me qetësi E mërzitshmja mesnatë s’do na ndajë përsëri. Mërzi udhës dimërore karrocieri zu dremit Zile e kalit monotone hënë e mjegullt që ndrit.
Pranverë, o kohëz dashurie, ç’më mbush plot me pikëllim. Sa mall sërish ti po më bie në shpirtin tim, në gjakun tim. Për mua gazi është i huaj… çdo ngazëllim e çdo shkëlqim më sjell mërzi, më bën të vuaj.
Oh, nëmëni shqotën, suferinën dhe të pafundmen natë dimri. Pse, moj jetë je dhuratë që të bie rasti kot? Pse të dha i fshehti fat një ndëshkim me tmerr në botë? Ç’është ai pushtet i nxirë, që prej hiçit më ka thirë, që në shpirt më dha mundime dhe dyshim në mendjen time? Pa një dritë e një qëllim, më rreh zemra në shkreti. Më mbush plot me pikëllim jeta gjith monotoni./ KultPlus.com
Këngëtari e kompozitori shqiptaro-amerikan, Albert Stanaj, i njohur në botën e muzikës vetëm si Stanaj, ka publikuar projektin më të ri muzikor.
“Queens” titullohet kënga e re e tij, të cilën e ka shoqëruar me videoklip tejet të bukur. Në videoklip të përfshirë si pjesëmarrës janë aktorët shqiptarë, Fatlume Bunjaku dhe Bujar Ahmeti.
Kënga “Queens” e Stanajt është një himn pop dhe emocionues që nderon forcën, qëndrueshmërinë dhe bukurinë e grave të cilat shpesh ndjenjë edhe vetmi.
Kënga kombinon ndjeshmëritë moderne të pop-it me një avantazh shpirtëror, duke shfaqur një ritëm të qëndrueshëm me akorde pianoje. Zëri i pasur dhe emocionues i Stanajt zë qendër të vëmendjes teksa këndon tekstin e përzemërt me një ndjenjë sinqeriteti dhe admirimi.
“Queens” shfaq talentin vokal dhe aftësinë e Stanajt për të krijuar këngë që rezonojnë emocionalisht, duke dhënë një mesazh të fuqishëm respekti.
Kujtojmë që Alberti deri më tani ka sjell një sërë projektesh që u mirëpritën nga publiku si “The way I love her”, “Romantic”, “Ain’t love strange”, “Love me”, “Dirty Mind” e të tjera./ KultPlus.com
Më shumë se 160 bujtina janë hapur në Korçë e që janë plot e përplot çdo fundjavë më vizitorë dhe klientë.
Kryeministri Edi Rama solli këtë fakt nga qyteti juglindor ndërsa ndau në rrjetet sociale edhe disa të dhëna që flasin për turizmin në zonë.
“Mbi gjysmë milionë vizitorë kalojnë të paktën një natë në Parisin e vogël gjatë vitit. Një dekadë më parë, mezi i kalonin 50 mijë në vit dhe nuk kishte këmbë të huaji, ndërkohë që bujtinat numëroheshin me gishta dhe mezi mbanin veten”, u shpreh Rama.
“I ka ardhur radha qendrës së parë të skive në Shqipëri, një projekt që do ta fusë Korçën në hartën evropiane të turizmit të skive dhe do të ndezë një motor të ri me shumë kuaj fuqi në ekonominë e të gjithjë këtij qarku ku lidhjet rrugore me Kolonjën dhe Përmetin kanë sjellë një vlerë të shtuar në paketën e bukur turistike të kësaj zone”, theksoi Kryeministri Rama.
Kryeministri e mbyll videon e tij, me mesazhin se më mira është e gjitha përpara, jo vetëm për Korçën, por për të gjithë Shqipërinë./ KultPlus.com
Helen Maria Turner e nisi pikturën në moshën 22-vjeçare dhe rrugëtoi në eterin e artit deri në vitin 1949, derikur katarakti do t’i dobësonte të parit deri në verbim.
Udhëtoi në art, modestish dhe ngulmueshëm, duke krijuar një emër dhe një identitet krijues unik.
Pavarësisht se modelet e saj ishin gratë dhe vajzat e familjes dhe tematika nuk e tejkaloi realitetit e përditshmërisë, realizimet punë mjeshtërore.
Bëri gjeniun pa ditur se çfarë saktësisht ishte ajo që po bënte.
Kujtojmë se ajo u gjet në art si një përjashtim, ndoshta nga një ëndërr, nga një goditje fati, apo diçka që shpesh kritikët nuk i gjejnë shpjegim, por nuk e përjashtojnë. Teknika e aplikuar dhe realizimi janë mbresëlënëse, janë mëtime të atyshme arti që marrin jetë në një dimension mistik. U tha dhe u provua se tablotë e Turner janë impresioniste dhe jo më impresionuese është e vetë artistja, te gruaja dhe mësuesja.
Çfarë bënë më shumë se Helen Maria Turner, etrit e impresionizmit, Claude Monet, Pierre-Auguste Renoir, Alfred Sisley, and Frédéric Bazille, apo Camille Pissarro, Paul Cézanne dhe Armand Guillaumin. Ndryshe nga Turner, ata e dini se ç’po bënin, gjithashtu ata e shitën poetikën e ngjyrës dhe befasinë e depërtimit të dritës, lojën e furçës dhe zhdërvjelltësinë e pastelit, dinamikën e panoramës dhe pulsin e portretit, me çmimin e lavdisë. E gjithë kjo gamë lexueshmërie e mjeshtërisë së pikturimit, në përgjithësi dhe impresionizmit në veçanti, ndodhen të shkrira në tablotë e amerikanes Helen Maria Turner.
Gratë në tablonë e Helen Turner kanë një statikë që përshkohet nga një dritë që reflekton çdo penelatë si në çdo pore, duke i bërë ata inkandeshente dhe të njëtrajtshme me sfondin. Ngjyra është shkrirë me dritën dhe hera-herës, ajo ndizet duke krijuar një lojë manipulimit të efektit mbi shkasin, të subjektit me sfodnin, të tipareve me njësimin e elementeve që interferojnë në tablo.
Punët e Helen Maria Turner dallojnë për natyrshmërinë e lojës endëse të ngjyrshmërisë që sendërgjon imazhin, për theksimin e butë dhe përshkues të dritës dhe efektet e perceptueshëm, të kësaj akrobacie në kohje dhe këndshikim. Njerëzorja merr shkas në tablotë e piktores me një atyshmëri dhe puls të gjallë, sikur mijëra penelat dalin nga spektri i shpërthimit të dritës, që godet duke e ngrirë çastin.
Cila është Helen Maria Turner?
Ndryshe nga artistë të tjerë të penelit, Helen Maria Turner e gjen veten në pikturë në një moshë kur zakonisht të tjerët kulmojnë. Megjithatë mosha 22-vjeçare kur ajo trokiti në portat e mëdha është një kapërcyell i hovshëm impulsesh dhe vetëdijësimesh. Pas ka mbetur rinia, kanë mbetur përvojat e netëve të gjata e ditëve zjarrvënëse të pasionit. Pas ka mbetur gjithçka dhe përpara ajo ka artistin, ka sfidën të bëhet një piktore që do të ketë emrin e famën e Helen Maria Turner. Mësuesja amerikane në pikturë, u bë e njohur për punët e saj në borja vaji, pastel, me të cilat ajo krijoi miniatura, peizazhe, dhe portrete, shpesh në stilin impresionist .
Jeta dhe karriera
Turner lindi më 13 nëntor 1858 në Louisville, Kentucky ndërsa prindërit e saj, Mortimer Turner dhe Helen Maria Davidson, ishin në një vizitë familjare në qytet. Ajo ishte stërmbesa e John Pintard nga Nju Jorku, mbesa e një mjeku të njohur të New Orleans dhe vajza e një biznesmeni të pasur nga Luiziana.
Turner kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj të hershme, midis Aleksandrisë, Luiziana dhe Neë Orleans, dhe shumë shpejt u bë refugjate nga situata e provokuar e Luftës Civile Amerikane, e cila shkatërroi pasurinë e babait të saj dhe çoi në humbjen e biznesit të saj.
Nëna e saj vdiq në 1865 pas një sëmundjeje të gjatë. Ishte vetëm 13 vjeç kur humbi edhe babain, duke mbetur nën kujdesin e një xhaxhai beqar nga New Orleans, i cili jetonte në “varfëri fisnike”.
Si aspirante për piktore filloi të merrte mësime falas të ofruara nga Universiteti Tulane, duke vazhduar nën drejtimin e Andres Molinary dhe Bror Anders Wikstrom, Gjithashtu ajo studjoi në Shoqatën e Artistëve në New Orleans .
Vdekja e xhaxhait më 1890 i hodhi mbi supe gjithë barrën e jetës. Kosokohe ajo zuri një pozicion si mësuese arti në St. Mary’s Institute, një shkollë vajzash në Dallas, Texas, duke filluar nga viti 1893. U transferua në New York City më 1895 për studime të mëtejshme dhe ndoqi Lidhjen e Studentëve të Artit ku u pranua pavarësisht se ishte mbi kufirin e moshës, Cooper Union dhe Universiteti Columbia; mësuesit e tij përfshinin Arthur Wesley Dow, Kenyon Cox, William Merritt Chase dhe Douglas Volk.
Motra e saj Laurette, një artiste tekstili, erdhi më të në Nju Jork. Turner udhëtoi me Chase dhe klasën e tij në Itali më 1904, 1905 dhe 1911, një udhëtim që nuk la gjë tek ajo.
Turner dha mësim në YWCA për shtatëmbëdhjetë vjet, duke filluar me një kurs të ri në hartimin e kostumeve. Nga viti 1906 ajo qëndroi në Koloninë e Artistëve në Cragsmoor, Nju Jork, ku u prezantua nga Charles Courtney Curran, duke vazhdaur atje me pak ndërprerje, deri në vitin 1941.
Në vitet e hershme mori me qira një hapësirë atje, por më 1910 arriti të ndërtonte një shtëpi dhe studio të quajtur Takusan. Motra e saj Lettie vdiq në vitin 1920. Më 1926 ajo u kthye në New Orleans dhe u vendos atje, duke udhëtuar në veri vetëm për sezonin e verës. Në New Orleans ai vazhdoi të jepte mësim në Klubin e Arteve dhe Artizanatit.
Ajo u zgjodh anëtare e Akademisë Kombëtare të Dizajnit më 1913, duke marrë 61 nga 64 vota, dhe u zgjodh gjithashtu anëtare me të drejta të plota më 1921, duke qenë kështu gruaja e tretë me këtë status dhe një nga akademiket e para në Shtetet e Bashkuara jugore.
Për më tepër, mund të shtojmë se më 1916 William T. Evans e quajti atë Anëtare e Artistëve të Jetës në Klubin Kombëtar të Arteve, duke patur privilegjin të ishte gruaja e parë që ju dha ky nder.
Ajo vijoj të pikturonte deri në vitin 1930. Problemet me shikimin të cilat erdhën gjithnjë duke u agravuar e vranë përdhunshëm tek ajo të drejtën për të hedhur art në tablo. Vdes më 31 janar 1958. /Albert Vataj/ KultPlus.com
Melania Trump, modelja e suksesshme sllovene që rikthehet si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, u vendos në qendër të vëmendjes që në vitin 2016, kur bashkëshorti i saj, Donald Trump, u zgjodh president për herë të parë. Me rikthimin e saj në Shtëpinë e Bardhë, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias i hedh një vështrim jetës së saj dhe disa pritshmërive lidhur me të.
Prindërit e quajtën Melanija Knavs. Bota e njohu atë në rolin e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.
Ajo ka lindur më 26 prill 1970 në Novo Mesto, Slloveni, pjesë e ish-Jugosllavisë. Gjatë fëmijërisë së saj në qytetin e Sevnicës, babai i saj shiste makina, ndërsa nëna e saj punonte në industrinë e tekstilit.
Melania Knavs ishte megjithatë e interesuar për modën, kujton ish-shoqja e saj e shkollës, Mirjana Jelancic.
“Asaj i pëlqente gjithashtu të krijonte veshje të reja nga ato të vjetra”, thotë zonja Jelancic.
Ajo ndërpreu studimet universitare dhe me emrin e ri Melania Knauss, ndoqi karrierën e modeles në Evropë. Në vitet 1990, suksesi i saj e solli atë në Shtetet e Bashkuara.
“Si një modele mode dhe dikush që ftohej shpesh në festat luksoze në Nju Jork, me sa kuptoj kështu u takua me Donald Trump-in”, thotë profesorja e historisë Katherine Jellison, nga Universiteti i Ohajos.
Melania Knauss u bë Melania Trump më 22 janar 2005 dhe lindi djalin e saj të parë dhe të vetëm, Barron, një vit më vonë. Në të njëjtin vit, ajo u bë edhe shtetase amerikane.
Jeta e Melania Trump-it mori një kthesë tjetër kur burri i saj kandidoi për president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2016 me Partinë Republikane dhe ajo iu bashkua atij në fushatën elektorale.
“Është e mrekullueshme të jem këtu sot me ju dhe me bashkëshortin tim. Jam shumë krenare për të”, tha ajo në atë kohë.
Donald Trump-i bëri betimin si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 2017.
Si zonja e parë, Melania Trump bëri udhëtime në mbarë botën
dhe ndërmori projekte si fushata “Bëhu më i miri” që fokusohet në mirëqenien e fëmijëve, sigurinë në internet dhe abuzimin me opioidet.
Ajo mbajti një profil më të ulët se shumë zonja të para, por u përball megjithatë me një vëmendje intensive nga mediat, vëren profesorja Jellison.
“U kritikua nga disa qarqe për zgjedhjet e saj të modës, për vendimin e saj për të mos u zhvendosur menjëherë në Shtëpinë e Bardhë, për fushatën e saj ‘Bëhu më i miri’, që nuk ishte një nga projektet më të suksesshme të shërbimit publik nga një zonjë e parë”, thotë profesorja Jellison.
Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Melania Trump praktikisht u largua nga sytë e publikut.
Ajo u rishfaq herë pas here për të mbështetur kandidaturën e bashkëshortit të saj për rizgjedhje. Dhe për të reklamuar librin e saj me kujtime.
“Shkrimi i këtyre kujtimeve ka qenë një udhëtim thellësisht personal dhe reflektues për mua”, tha zonja Trump.
Votuesi nga shteti Wisconsin, Austin Smith ka votuar për kandidatin republikan Donald Trump që në vitin 2016. Ai ka aspiratat e tij për rolin që do të luante Melania Trump pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të doja që ajo të merrej ndoshta me disa projekte për kafshët shtëpiake. Një gjë për të cilën jam shumë i apasionuar është p.sh. çështja e ushqimit në shkolla”, thotë votuesi Austin Smith.
Votuesja demokrate Jasleen Kaur do të donte që Melania Trump të ishte një “zonjë e parë me ndikim”.
“Dalja dhe bisedimi me komunitetet urbane, dalja në të gjithë vendin duke e bërë veten të njohur, jo vetëm si një figurë që qëndron pas presidentit, por si një grua me një lloj pushteti”, thotë votuesja Kaur.
Analistja Jellison, megjithatë, mendon se si një zonjë e parë në mandatin e dytë, Melania Trump ndoshta do të vazhdojë, në pjesën më të madhe, t’i shmanget vëmendjes. /VOA/ KultPlus.com
Ese mbi filozofinë dhe mendimet e Jean-Jacques Rousseau
“Le të flasin njerëzit për vetën e tyre” nga Christopher Bertram*
Përmendjuni Jean-Jacques Rousseauin disa liberalve e libertarianve, universi mendor i së cilëve është i pajisur me tregje të lira, të drejta individuale dhe shkencë evolucionare, dhe shpesh do t’iu thuhet se ai qe një mashtrues, një hipokrit dhe i çmendur, zbrazëtia e mendimit të së cilit tejkalohet vetëm nga shthurja e karakterit të tij. Gjatë Luftës së Ftohtë, ky reagim me shumë gjasë do të shoqërohej nga një akuzë tjetër: se Rousseaui ishte stërgjyshi intelektual i totalitarizmit, se krimet e së Majtës, që nga Terrori i Madh e te Gulagu, rezultojnë nga idetë e tij. Intelektualisht, urryesit e Rousseauit shpesh e shohin atë si paraardhës të armiqësisë iracionale ndaj shkencës dhe “progresit”, sikur të ishte disi fajtor si për postmodernizmin ashtu edhe për kundërshtinë e mpiksur ndaj energjisë bërthamore dhe të korrave të GMsë. Kështu, Rousseau na bëhet personifikim jokoherent i të gjithë kundërshtarëve të shoqërisë shekullare liberale dhe komerciale.
Në anën tjetër, ka prej tyre të cilët e duan Rousseauin, që e shohin si një mendimtar me aftësinë e depërtimit në premtimet e rreme të modernitetit dhe si udhërrëfyes dhe shoqërues në lidhje me atë se si të jetohet mirë, apo të paktën si të mbijetohet, në një shoqëri të pllakosur nga koprracia, gara dhe statusi. Kjo, përkundër asaj që ai ishte një burrë jashtëzakonisht i vërshtirë për t’u marrë me të, një shok i paarsyeshëm dhe kopriçoz, dhe një mizogjin i cili tjetërsonte pothuajse çdokë që e donte dhe që kujdesej për të. Këto ekstreme duken edhe më të çuditshme kur kujtojmë se Rousseaui nuk mbajti ndonjë post politik, se ai veçse shkruante libra, letra dhe muzikë. Ai ishte totalisht i panjohur deri në moshë të mesme dhe, pas një periudhë të shkurtër të famës së madhe, ai vdiq në rrethana të errëta dhe i varfër. Gabimet e tij, çmenduria e tij dhe ndonjëherë veprimet e tij të rënda të mërisë dhe mosfalenderimit, të përmendura shpesh nga armiqë e tij, dhe në të shumtën e rasteve, të pranuara prej vet atij, nuk e veçojnë atë si një prej monstrave të historisë.
Kalimi i kohës e bën këtë poashtu të veçantë. Rousseau u lind para 300 vjetësh (më 28 qershor). Publiku vështirë se mban mend dikë për një kohë aq të gjatë, prapë se prapë Rousseaui vazhdon të inspirojë, të gjenerojë konferenca të pafundme akademike, biografi, dhe studime kritike në shumë disciplina. Ai ka inspiruar romane siç është Rrëfimet e Reja [The New Confessions] të William Boyd.
Falë shkrimeve të tij autobiografike, faktet e jetës së Rousseauit janë të njohura mirë. Pas vdekjes së të ëmës gjatë lindjes së tij në Zhenevë, Jean-Jacques u edukua nga i ati, qytetar si dhe një patriot zhenevas dhe rastësisht mësoi për historianët romakë.
Por kur ishte vetëm dhjetë vjeç, i ati u largua për t’iu shmangur një procesi gjyqësor, dhe në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur po kalonte një jetë të mjerueshme si shegert i një gdhendësi, ai hoqi dorë nga qyteti, për t’u kthyer vetëm për vizita të rralla.
Deri më 1749, ekzili, pas një jete të larmishme si dashnor i një aristokrate, si shërbëtor, muzikant shëtitës, tutor i fëmijëve të aristokracisë dhe, disi pakënaqshëm, si sekretar i ambasadorit francez në Venedik, ai qe një vizitor i padalluar në salonet e Iluminizmit që frekunetoheshin prej Denis Diderotsë dhe qarkut të tij. Atë vit, rrugës për të vizituar të burgosurin e përkohshëm Diderot, Rousseaui thotë të ketë pasur një lloj epifanie. Me të lexuar rreth një gare letrare të organizuar nga Akademia e Dizhonit, Rousseaui u ballafaqua me pyetjen se a kuntribuonin artet dhe shkencat moralit a jo? Ishte atëherë, thotë ai, që atij i erdh teza disi e errët qendrore e filozofisë së tij: se njeriu është i mirë për nga natyra, por i koruptuar nga shoqëria. Duke arnuar këtë mendim së bashku me disa pasazhe gjysëm të kopjuara nga Montesquieu, Rousseaui përmblodhi Diskursin mbi Shkencat dhe Artet [Discourse on the Sciences and the Arts], që i fitoi çmimin dhe i siguroi famën.
U nis një karierë që do ta shihte Rousseauin të zhvillonte ndjeshmërinë e tij të natyrshme muzikore, tekstet klasike që i kishte lexuar me të atin, shkencat e reja humane që i konsumoi si tutor, dhe krenarinë e tij republikane Zhenevase në një konceptim të dalluar të njerëzimit, shoqërisë, jetës së mirë dhe vetes. Së bashku me shkrimet e tij mbi politikën, ai do të jepte kontribut të çmuar në letërsi, në opera dhe muzikë, në edukim, fe dhe në studimin e gjuhës, antropologjisë dhe autobiografisë, dhe madje edhe në botanikë. (Natyra ndërdisciplinare e arritjeve të Rousseauit shpërfaqet shumë mirë në librin Rousseau dhe Liria [Rousseau and Freedom] të Christie McDonaldit dhe Stanley Hoffmannit, ku çështjet standard të politikës dhe filozofisë lidhen me interesat e Rousseauit për teatron, muzikën dhe historinë.)
Damari më i dalluar që e përshkon veprën e tij, është pyetja, se si të kënaqen nevojat tona më bazikë për liri dhe njohje në një botë të ndërvarësisë. Rousseaui qe i fiksuar pas idesë se përderisa nevojat tona shumëzohen përtej pikës ku ne do të mund t’i plotësonim ato duke përdorur forcat tona të natyrshme, ne jemi bërë të varur nga bashkëpunimi me të tjerët për të marrë atë që duam, një temë që eksplorohet në mënyrën më të spikatur te Diskursi mbi Pabarazinë [Discourse on Inequality].Varësia te të tjerët ndjell një deformim në vete përderisa njerëzit shndërrohen në personazhe të cilët ata besojnë se të tjerët do t’i shohin si joshës apo të dobishëm. Por ne të gjithë po e luajmë këtë lojë së bashku, dhe ndjenja se dashuria dhe respekti që na japin të tjerët mund të jetë e shtirur për arsye instrumentale, një ndjenjë që merr mbështetje nga ajo çfarë bëjmë vet ne për t’i nënshtruar të tjerët ndaj vullnetit tonë, shkakton një sens të thellë ankthi dhe ndjenja të krenarisë, kotësisë, tërbimit, përbuzjes, vetë-urrjetjes dhe xhelozisë. Ne përfshihemi me të tjerët jo ashtu siç “jemi në të vërtetë” por përmes një loje pambarimisht rekursive të besimeve rreth asaj se çfarë besojnë të tjerët, një lojë që përforcon hierarkitë e shtypjes dhe dominimit. Këto forca të fuqishme na socializojnë dhe izolojnë njëkohësisht, duke na shtyrë që të ndrydhim ndjeshmërinë tonë të natyrshme ndaj vuajtjes së të tjerëve dhe që të zhvillojmë racionalizime të elaboruara për të arsyetuar pushtetin dhe pozitën që marrin formën e ideologjive politike dhe kodeve morale.
Pa dyshim se pikëpamja e Rousseauit për modernitetin është tepër distopiane. Kritikët kanë qenë shumë të shpejtë të gjejnë burimin e fiksimit të tij me opinionin dhe varësinë ndaj sëmundjes së tij mendore. Megjithatë, Rousseaui gjithsesi ka të drejtë të ketë identifikuar këtë tension mes aspiratës për autonomi dhe varësisë ndaj zgjedhjeve dhe opinioneve të të tjerëve si njërin prej problemeve kyçe të jetës modern: manifestimi i tij i fundit është varësia e jetës së shumë njerëzve ndaj opinioneve të paqëndrueshme të tregtarëve të bonove dhe përpjekve të dëshpëruara të politikanëve për të inspiruar “besim” në ekonomitë e tyre. Në të këto çështje, Rousseaui është paraardhës edhe i Marksit edhe i ekzistencializmit.
Përgjigjja e Rousseauit ndaj këtyre çështjeve është shpesh dorëheqja dhe pesimizmi. Në një disponim më konstruktiv, ai u përpoq të mendonte për mënyrat e përballimit. Te Kontrata Shoqërore [The Social Contract] ai u mor me idenë se a mundet që liria dhe ndërvarësia të arrihen përmes politikës. Te Emile: ose, Mbi Edukimin, ai shikonte se si mund të edukohej një fëmijë për të rezistuar deformimet e modernitetit. Aty, ai shtyn përpara një ideal të cilin sot do ta quanim edukim të përqendruar te fëmija [child-centred education], në të cilin nxënësi inkurajohet që të mesojë përmes një program të strukturuar me kujdes të zbulimeve në dukje spontane, të cilat e lënë atë të sigurtë në kuptimin e fuqive dhe aftësive të tij dhe rjedhimisht mospërfillës ndaj korupsionit të opinionit. Komanda, mësimi i rutinës, e madje edhe librat janë të huaj për këtë metodë pedagogjike. Mësuesi e lë fëmijën të zbulojë gjërat për veten e tij: por është gjithmonë i vëmendshëm që të shtrojë rrugën e duhur përmes sugjerimeve të arsyeshme. Natyrisht se ka shumë më tepër se kaq te Emile; ai poashtu përmban reflektimet më të sofistikuara të Rousseauit mbi psikologjinë dhe emocionet, shpërfaq mizogjininë e tij më ekstreme dhe shndërrohet në një lloj romani. Për fat të vetë karierës së Rousseauit, libri përmban aq profanime fetare sa ta bëjnë të dënohet në Paris dhe Zhenevë dhe të ndiqet për në ekzil në Stafordshajër.
Por ky është një manual edukimi që ka ndjellë interesim më së shumti, dhe rezistencë. Brenda një viti pas botimit, Emile u ndesh me gjykime të rrepta nga kritikët – shumë prej tyre të përshpirtnuar nga mendimi se fëmijët të cilët mësojnë që të mendojnë për veten e tyre mund të gjenerojnë pikëpamje skeptike ndaj ortodoksisë fetare dhe politike. Më i rëndësishmi nga ta ishte H.S. Gerdil, Anti-Emile i së cilit u shfaq vitin që pasoi.
Edhe pse ka shumëçka te Emile për të ngazëllyer urryesit e Rousseauit, është vërtet politika, siç deklarohet te Kontrata Shoqërore, që shpjegon pjesën tjetër të armiqësisë – veçanërisht kur ndërlidhet me ndikimin që Rousseau perceptohet të ketë pasur mbi Revolucionin Francez dhe ngritjen në pushtet të njerëzve të cilët deklaruan se qenë ndikuar drejptërdrejt prej Rousseauit. Kur, në vitin 1794, revolucionarët ri-internuar Rousseauin në Pantheon së bashku me armikun e tij të përbetuar Voltaire, si inspirues të përbashkët të republikës së virtytit, ata betonuan një asociacion mes tyre dhe zhenevasit, që i rezistoi kohës. Revolucioni dhe luftërat që pasuan sollën ankth te klasat sunduese në Evropë, ku shumë prej francezëve kishin pësuar shpronësim, zhvendosje dhe prerje kokash. Reagimi intelektual që pasoi qe i detyruar që të kërkonte zanafillat idelogjike të katastrofës dhe Rousseaui, i cili pat argumentuar për sovranitetin e patjetërsueshëm të popullit, qe një figurë e qartë për t’u fajësuar. Për më tepër, shumë prej formulimeve më të gjalla të Kontratës Shoqërore, siç është argument se qytetarët që sforcohen që t’i binden “vullnetit të përgjithshëm” janë prandaj “të detyruar që të jenë të lirë”, ofrojnë një lidhje sipërfaqësore mes lapsit të Jean-Jacquesut dhe aktualiteteve ekstatike të Jakobinizmit.
Vetë politika e Rousseauit, posaçërisht ndaj vendlindjes së tij, qe disi e moderuar dhe pajtuese të paktën deri atëherë kur edhe aty u dënua Kontrata Shoqërore. Zheneva, edhe pse e përqafonte vetëm nominalisht idealin e sovranitetit popullor, qe në fakt një oligarki fisnikësh, edhe pse qytetarët e saj provuan që të merrnin të drejtët të cilat mendonin se ishin të tyre përgjatë episodëve të ndryshëm në shekullin e 18-të. Baba Rousseaui kishte futur në mendjen e të birit një lidhje sentimentale me idealin e një Zheneve të bashkuar dhe ai mund të ketë mashtruar veten disi për sa i përket realitetit oligarkik. Kur do ta kujtonte më vonë një vizitë qytetit në vitet 1730, frymëzimi i supozuar për dhunën e mëvonshme revolucionare e bëri të qartë tmerrin e tij ndaj prospektit të gjakderdhjes për qëllime politike. Edhe kur doktrinat republikane të Kontratës Shoqëore e ktheu Rousseauin në një armik dhe viktimë të sunduesve të Zhenevës, ai vazhdoi të mbronte disa prej kompromiseve kushtetuese që ngjeshnin pushtetin e tyre, dhe ndërsa ai e simpatizonte disi partinë popullore në konfliktet e brendshme të qytetit, ai kurr nuk mbështeti dhënien e së drejtës së votimit për shumicën, a madje as për popullatën mashkullore të Zhenevës.
Në filozofinë politike, Rousseaui është dëshmuar si i pa-asimilueshëm për çfarëdo shkolle konvencionale. Ai është edhe pararendës i Kantit dhe një mendimtar me rrënjë të forta natyraliste, që shqyrton lidhjet mes natyrave tona morale dhe kafshërore. Totalitari Rousseau, i dënuar nga shkollarët liberalë e konzervativë të Luftës së Ftohtë, ko-ekziston me liberalin Rousseau, paraardhësin e largët të teorisë së drejtësisë të John Rawls-it, një Rousseau, qytetarët e së cilit komunikojnë me njëri tjetrin përmes identitetit të tyre të përbashkët politik në terma të cilat abstrahojnë prej dallimeve të tyre rrëfyese. Është edhe Rousseaui, kritiku i tjetërsimit, eksploatimit dhe pronës private, por gjithashtu teoricieni dialektik i historisë, i cili parashikon temat e tilla te Marksi. Është edhe Rousseaui habermasian i cili kërkon ringjalljen e frymës tonë demokratike. Komunitarët mund të frymëzohen nga vlerat e përbashkëta që ndërtojnë identetin e qytetarëve dhe të cilat ata i riafirmojnë në lojëra dhe festival. Dhe rigjallërimi i interesimit për republikanizmin klasik, i nisur nga Quentin Skinner dhe Philip Pettit, mund të gjejë jehonë në ngulmimin e Rousseauit se rendi politik duhet të çlirojë individët nga varësia ndaj vullneteve arbitrare të bashkëqytetarëve të tyre.
Ndryshe nga pikëpamja e përhapur që e sheh atë si primitivist, Rousseaui e dinte se s’ishte e mundur që thjesht të ktheheshe te natyra. Ndërvarësia njerëzore është një fakt dhe ne duhet të gjejmë mënyra për ta bërë këtë fakt të përputhshëm me nevojat tona bazike njerëzore. Te Kontrata Shoqërore, i ballafaquar me këtë, ai na thotë: se o duhet të ndryshojmë mënyrën e të qenit, o do të tretemi. Por zgjidhja që ofron vet Rousseaui, një qytet-shtet i vogël e i pavarur, dukej jopraktik edhe atëbotë. Kjo edhe më shumë kur problemet që tash kërcënojnë ekzistencën e njerëzimit janë në shkallë globale dhe kështu kërkojnë një lloj të qeverisjes globale. Që të adresohen këto probleme në mënyra që përputhen me lirinë dhe barazinë e qenieve njerëzore, mund të jetë një problem i pazgjidhshëm, por gjetja e mënyrës për të mbledhur së bashku në mënyrë të cilat respektojnë, në vend se të minojnë, natyrën tonë si qenie të lira dhe të barabarta, është një sfidë me të cilën përballemi. Prandaj edhe interesim për Rousseauin vazhdon edhe pas 300 vjetësh.
*Christopher Bertram është profesor i filozofisë sociale dhe politike në Universitetin e Bristolit. Përvec Rousseau-it, ai hulumton në temat si teoritë modern të kontratave sociale, teori të drejtësisë, dhe justifikimet publike. Libri i tij Rousseau-i dhe Kontrata Sociale u botuat më 2003 nga Routledge Philosophy Guidebooks.
Gjithsej tri vepra fenomenale janë gërshetuar në programin e përzgjedhur për koncertin e mbajtur nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Koncerti ka dëshmuar për një virtuozitet të përpiktë që ka dalë përtej limiteve. Pjesëmarrja e violinistes shqiptare, Abigelia Voshtina dhe drejtimi mjeshtëror i dirigjentit italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli, të cilët interpretojnë për herë të parë në Prishtinë në kuadër të Filharmonisë, ka sjellë diçka unike që rrallëherë e dëgjojmë brenda mureve koncertale. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës e ka nisur vitin me koncertin e mbajtur të premten mbrëma, duke lënë kështu gjithë shpirtin para audiencës në një unitet me harmoninë e tingujve, shkruan KultPlus.
Fillimisht, ishin të pranishmit që u ulën ngadalë dhe mbushën Atelienë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Salla qe mbushur nga cepi në cep dhe kjo dëshmoi për mungesën që është ndjerë nga audienca për të qenë pjesë e koncerteve të tilla. Në prapavijë shiheshin perdet në ngjyrë të zezë që i shtuan një elegancë hapësirës, teksa reflektorët në ngjyrë të kaltër gjallëruan akoma më shumë vendin. Teksa ora po shënonte 19:30, të pranishmit fikën celularet e tyre ashtu edhe siç iu ishte udhëzuar. Duartrokitjet mirëpritën instrumentistët në skenë, e bashkë me ta edhe dirigjentin italian Sipari di Pescasseroli, i cili iu drejtua brohoritjeve me një buzëqeshje.
Vepra e parë që u prezantua ishte uvertua “Finlandia, Op. 26” nga kompozitori finlandez Jean Sibelius. Vepra është një poemë simfonike e kompozuar në 1899. Është një nga veprat më të njohura të Sibelius-it dhe një simbol i nacionalizmit finlandez. Gjithçka nisi me një emocion të lehtë e të qetë por të errët. Telat e tunxhit po krijonin një atmosferë të këndshme. Kjo hapje sugjeron shtypjen me të cilën përballej populli finlandez nën sundimin rus në atë kohë. Muzika ndërtohet në intensitet, me pasazhe të turbullta që ngjallin një ndjenjë rezistence dhe vendosmërie. Më pas, ndodhin ndryshme të tjera të cilat vijnë si melodi të qeta, porsi një himn i përbashkët i telave, duke simbolizuar shpresë. Vepra përfundon në një pikë që portretizon një deklaratë të fuqishme lirie e cila shoqërohet nga telat e tunxhit që dëgjohen dukshëm.
Vepra e dytë qe “Koncerti për Violinë Nr. 1, Op.26” nga kompozitori gjerman Max Bruch që erdhi me një ndjeshmëri të paparë. Solistja e shquar shqiptare Abigeila Voshtina ka shpalosur një talent që i dukej i shkruar në fytyrë dhe gdhendur në gishtërinjtë e saj. Vepra e kompozitorit Bruch është një kryevepër e repertorit romantik dhe një nga veprat më të dashura për violinë të kompozuara ndonjëherë. Solistja Voshtina ka treguar për një përsosmëri të shkëlqimit teknik dhe një thellësi emocionale që buronte nga e gjithë prezenca e saj. Karakteri romantik i veprës krijonte një atmosferë që çmendej nga nota në notë. Vepra është një nga më të paharrueshmet dhe audienca mbrëmë do e mbaj mend gjatë atë. Momente pasioni, butësie dhe gëzimi buronin qetësisht e herë edhe rreptë nga violina e solistes Voshtina, andaj edhe duartrokitjet e shumta që nuk kishin ndalim, e rikthyen solisten për disa çaste të mëtutjeshme. Kjo vepër ishte padyshim pjesa më e bukur e mbrëmjes.
Pas pesëmbëdhjetë minutave pauzë, vepra e fundit interpretuese ishte premiera kosovare “Ishulli i të Vdekurve, Op.2″ nga kompozitori rus Sergei Rachmaninoff. Vepra është një poemë simfonike e frymëzuar nga një pikturë me të njëjtin emër nga artisti zviceran Arnold Böcklin. E kompozuar në vitin 1908, kjo vepër kap ndjenjën e thellë të misterit, melankolisë dhe kalimit në të panjohurën. Efekti hipnotik që kishte kjo vepër u dallua qysh në fillim. Motive të ndryshme përshkojnë brenda veprës e cila është një kompozim delikat dhe dramatik. Orkestrimi i vrullshëm shponte ajrin, teksa timbri i errët thumbonte hapësirën. Emocionet herë binin e herë ngriheshin, varësisht nga dominimi i instrumenteve diversive. Çastet e pastra të lirizmit shkëlqenin çdoherë, duke reflektuar një romantizëm të paparë. Udhëtimi i melodive përfundoi aty, kur muzika gradualisht ulej dhe qetësisht gjeti fundin. Aftësia e Rachmaninoff-it për të evokuar imazhe dhe emocione kaq të gjalla e bën këtë pjesë një përvojë të thellë. Karakteri i tij meditues por dramatik e lë dëgjuesin të mendojë të panjohurën e madhe, njëlloj si piktura që e frymëzoi atë.
Instrumentistët nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ishin në formën më të mirë të mundshme. Prishtina lulëzon nga meloditë që dhurojnë ata dhe asisoj vazhdojnë qytetarët të frymojnë në kryeqytet. Muzika e tyre që epet aq lehtë nga ta është diçka tejet e nevojshme për kulturën tonë. Në anën tjetër, dirigjenti italian Sipari di Pescasseroli, herë me tabletë para tij e herë me repertor fizik të letrave, ka qarë ajrin me krahët e duart e tij që lëviznin në të gjitha këndet e mundshme. Ai drejtoi jo vetëm tri veprat pa ndalë, mirëpo u bë pjesë e tyre dhe u shndërrua në muzën e të gjithave, përfshirë këtu edhe audiencën e Prishtinës.
Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe pjesëmarrjen e tij për herë të parë në Filharmoninë e Kosovës, për KultPlus foli vetë dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli.
“Ne menduam që ky është programi i duhur për të krijuar emocione të shumta para publikut. Zgjodhëm tri muzika krejt të ndryshme pasi që ka një emocion shumë të fortë në secilën prej tyre. Më pëlqeu shumë puna edhe me violinisten Voshtina sepse ajo është një violiniste e jashtëzakonshme dhe ka qenë shumë e lehtë puna me të. Ajo e ndjen muzikën në mënyrë të bukur dhe është kënaqësi të punosh me të, sidomos në këtë koncert të mbushur me ndjesi. Të gjitha veprat janë frymëzuese sepse ka mesazhe mbi atë se çka është e rëndësishme në jetë. Vepra e parë është një himn kombëtar që tregon për bukurinë e shtetit të kompozitorit dhe është një uverturë shumë e vështirë. Vepra e dytë është lirike dhe violina bëhet një soprano që tregon shumë emocione. Ka gjithçka nga pak. Vepra e fundit është një nga veprat më të mira dhe tregon meloditë e valëve të detit që dridh shpirtrat. Ka një shpresë për jetë pas vdekjes në atë vepër dhe kjo e bën të jashtëzakonshme. Instrumentistët e Orkestrës janë të jashtëzakonshëm dhe e ndjejnë muzikën mirë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, violinistja Abigelia Voshtina për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth koncertit dhe veprës në të cilën performoi si soliste.
“Vepra është një vepër e cila duket si vëllai më i vogël i veprave të mëdha, por në brendësinë e saj brenda njëzetepesë minutave, ka gjithçka, duke filluar nga bukuria e tingullit e deri tek teknika solide që kërkon precizitet. Koncerti është shumë sfidues dhe nuk është fare i thjeshtë. Nëse një violinist e luan dy herë në ditë këtë koncert, u siguroj që do të ketë probleme me shpatullat dhe duart, pasi që kërkon shumë forcë. Orkestra ka një dëshirë shumë të madhe për të qenë pasaportë e kulturës. Përmes artit, nuk ka asnjë barrierë dhe nuk ka urë. Kultura është lokomotiva e një treni që mund të hap shumë dyer. Kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë me pjesëmarrësit. Dua të them që ju duhet të jeni shumë krenarë për Orkestrën që keni dhe doja të ju lutesha që të keni një sallë më të mirë”, thotë ajo.
Po ashtu, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, për KultPlus ka treguar që programi është menduar qysh herët që të shpaloset në kuadër të Filharmonisë së Kosovës.
“Këtë vit e kemi planifikuar prej kohësh që ta nisim me një program të tillë. Bashkëpunimi me solistët ka ardhur nga shumë diskutime që kemi pasur në të kaluarën me ta në programe të ndryshme kulturore. Më vjen mirë që e kemi realizuar këtë koncert më një program që jo shumë shpesh programohet në sezone të koncerteve. Vepra “Ishulli i të vdekurve” ka qenë një prej veprave që prej kohësh e kam menduar ta sjellë në kuadër të programit të Filharmonisë. Është një nga veprat që shfaq madhështinë që ka kompozitori që e ka kompozuar, i cili nga një motiv arrin të zhvillojë një vepër madhështore, bazuar në një pikturë që ka të njëjtin titull. Më erdhi keq që nuk e projektuam pikturën për të sjellë më fuqishëm veprën. Sidoqoftë, më vjen mirë që Orkestra arriti ta sjellë atë”, ka thënë ai.
Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 24 janar 2025, në orën 19:30, në Autostrada Hangar në Prizren, ku do të prezantohet Kori i Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Hajrullah Sylës.
Më 19 janar 1900, lindi Skënder Luarasi, “Nder i Kombit” dhe ndër personalitetet më përfaqësues të inteligjencës shqiptare të shekullin XX.
Skënder Luarasi, ishte arsimtar, përkthyes, dramaturg, publicist, studiues, vullnetar në Luftën e Spanjës, komunist idealist e hartues fjalorësh.
Ishte i pari shqiptar që u nis në dhjetor të 1936 nëpërmjet kufirit grek nga Follorina për të shkuar në Athinë, më pas në Francë e në fund në Spanjë. Në dhjetor të 1936 Luarasi takoi në Parsi Llazar Fundon dhe Ali Kelmendin.
Në vitet 1939-44 vuajti në kampet e pëqendrimit në Francë, pastaj në vitin 1945 u kthye përsëri në atdhe.
Mbas çlirimit të vendit, ishte nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet.
Ishte deputet në vitet 1946-50. Më 1950 nis punë në ndërmarrjen e botimeve të Institutit të Shkencave.
Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike-antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996).
Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi i viteve 30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar.
Ka qenë editor-përgjegjës në revistat: “Studenti” ShBA më 1920, “Djalëria” Austri më 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë” Spanjë më 1937. Ky i fundit organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.
Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore./ KultPlus.com
Më 19 janar të vitit 1943 lindi njëra nga këngëtaret më të njohura në botë. Bëhet fjalë për Janis Joplin, këngëtarja rebele që pati një karrierë të shkurtë në skenën e muzikës Rock, por që rezultoi në famë të përjetshme, shkruan KultPlus.
Janis Joplin ishte një këngëtare dhe tekstshkruese Amerikane nga Port Arthur, Texas. Si e re Joplin është përqeshur nga kolegët e saj për shkak të pamjes së saj jo të zakonshme dhe besimeve personale. Ajo më vonë këndoi për eksperiencën e saj në shkollë përmes këngës së saj “Ego Rock”. Joplin si e re, ka kultivuar një rebelizëm dhe një lifestyle jo të zakonshëm. Ajo filloi karrierën e saj te këndimit si një këngëtare folk dhe bluz në San Francisko, duke performuar në klube dhe bare me kitarën e saj.
Joplin filloi të ngritet në skenë në vitet e ’60 si këngëtare kryesore e psychedelic-acid rok grupi i quajtur Big Brother and the Holding Company, dhe me vone si solo artiste me grupet mbështetëse si The Kozmic Blues Band dhe The Full Tilt Boogie Band.
Përgjatë karrierës se saj te shkurtër 4 vjeçare, Janis Joplin ka bere shume kënge hite, dhe ndër këngët me te famshme te saj ishin “Down On Me”, “bye, bye baby”, “Coo Coo”, “Summertime”, “Piece of my heart”, “Turtle Blues”, “Ball’n’Chain”, “Try”, “Maybe”, “To love somebody”, “Cry Baby”, “a woman left lonely”, “Mercedes Benz” etj.
Joplin ishte e njohur për performancën e sa te jashtëzakonshme, fansat e saj i referoheshin prezencës se saj në skene si ‘Elektrike’. Në kulmet e saj te karrierës ajo ishte e njohur si “Mbretëresha e Rock and Rollit” si dhe “Mbretëresha e Psychedelic Soul” dhe u be e njohur si një Përl në mes te shokëve. Ajo përveç këndimit kishte talent edhe në vizatim, vallëzim dhe aranzhim te muzikës.
Janis Joplin i ka inçizuar katër albume në karrierën e saj. Dy albumet e saj të para ishin të inçizuar me grupin e saj ‘Big Brother and the Holding Company’ dhe dy albumet e tjera ishin solo albume. Disa këngë të mëparshme të palansuara i’u shtuan këtyre albumeve dhe u lëshuan si mbledhje në Fareëell Song në vitin 1982. Performaca e hershme e Joplinit kur ajo ishte folk-bluz këngëtare u bashkua në një album të ri të quajtur ‘Blow All My Blues Away’. Në vitin 2012 The Pearl Sessions ishte lansuar për ta sqaruar brendësinë e procesit të saj kreativ. / KultPlus.com
Sot janë bërë 15 vite që kur legjenda e futbollit shqiptar, Panajot Pano vdiq. Ai konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë shqiptar që ka luajtur ndonjëherë, shkruan KultPlus.
Ikonë e futbollit shqiptar dhe në veçanti Partizanit, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij të shkëlqyer, Pano mbetet si një ndër futbollistët më të dashur për publikun shqiptar, etalon i spektaklit dhe “Mbret i Golave”.
Panajot Pano ka realizuar plot 136 gola në 210 ndeshje me fanellën e Partizanit, duke fituar gjithçka që mund të fitohej në futbollin shqiptar në ato vite , 4 kampionate dhe 5 Kupa, ndërsa me Kombëtaren kuqezi ka shënuar 4 gola në 24 prezenca.
Të panumërta nderimet për “Mbretin Shqiptar” të golit nga institucionet shqiptare dhe të huaja.
Panajot Pano është “Mjeshtër i Madh i Sportit”. FSHF në vitin 2008 e njohu me çmimin “Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave”, ndërsa UEFA dhe FIFA i kanë akorduar çmimin “Lojtari Shqiptar i Shekullit”.
Të tjera nderime ndërkohë janë dhe titulli “Nderi i Kombit”, si dhe “Simboli i Qytetit të Tiranës”.
Panajot Pano mbetet simbol i futbollit mjeshtëror dhe lojtarit të dashur nga të gjithë në vend, si një virtuoz i madh i futbollit që dhuroi emocione të paharrueshme ndër vite për tifozët shqiptarë. /KultPlus.com
Në Korçë së shpejti do nisë ndërtimi i qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri.
Këtë e bëri të ditur në një video mesazh të tij, kryeministri shqiptar, Edi Rama, transmeton klankosova.tv.
”Tani i ka ardhur radha qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri, një projekt që do ta fusë Korçën në hartën europiane të turizmit të skive dhe do të ndezë një motor të ri me shumë kuaj fuqi në ekonomikë të këtij qarku ku lidhjet e rilidhura rrugore me Kolonjën dhe Përmetin kanë sjellë një vlerë të shtuar në paketën e bukur turistike të kësaj zone”.
”Mirë e më mirë dhe më e mira është e gjitha përpara për Korçën dhe gjithë Shqipërinë.Korça bre Korça”.
”Këtë dimër si asnjë dimër, 160 e kusur bujtina, njëra më e bukur se tjetra, plot e përplot çdo fundjavë. Rreth mbi gjysmë milionë e turistë që kalojnë një natë në Parisin e vogël gjatë vitit”.
”Një dekadë më parë mezi kalonin 50 mijë në vit dhe nuk kishte këmbë të huaji, ndërkohë që bujtinat numëroheshin me gishta dhe mezi mbanin veten”.
“Letërsia ka një fuqi magjike; ajo mund të flasë për gjëra pa folur drejtpërdrejt për to. Nëpërmjet tregimeve, mund të përshkruajmë ndjenja, situata, vështirësi ose probleme që nuk mund të përshkruhen lehtësisht me fjalë, por thjesht mund të ndihen. Letërsia ka kuptuar të gjithë spektrin e ekzistencës njerëzore”, thotë Christos Armando Gezos, një shkrimtar grek që vizitoi Shqipërinë për të marrë pjesë në Festivalin e Letërsisë Evropiane në Tiranë në dhjetor.
Me synimin për të kremtuar letërsinë evropiane, festivali mblodhi autorë nga vende të ndryshme për takime letrare ku u paraqitën tema, stile, realitete dhe histori të ndryshme. Këto aktivitete nxorën në pah zërat e letërsisë bashkëkohore, të cilat shpesh ndeshen me shqetësime shoqërore.
“Temat të cilat më shqetësojnë janë ato të përjetshmet – vdekja, kuptimi i jetës, lufta e qenieve njerëzore për të formuar të ardhmen në mënyrat që ata dëshirojnë, si dhe liria, liria shpirtërore. Fuqia e vullnetit të njeriut dhe qëndrimi ndaj jetës. Ajo që dua të përcjell, kur shkruaj, është se jeta është e bukur dhe e dhimbshme dhe kjo nuk është kontradiktë. Është e bukur sepse është e dhimbshme, dhe për shkak se është e dhimbshme mund të vlerësosh çastet e vogla të bukurisë. Në këtë kuptim, do të thosha se jam një shkrimtar optimist, temat që shkruaj janë paksa të errëta në shikim të parë, por në të vërtetë janë një kremtim i jetës”, shpjegon Gezos. Takimi i tij pasoi me diskutime të gjalla dhe pyetje gjatë ditës së hapjes së festivalit, i cili u organizua nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Italiane në Shqipëri.
Nga “Eposi i Gilgameshit”, tek “Iliada” dhe “Odisea”, veprat letrare kanë treguar jetën dhe mendimet e njerëzve nga e gjithë bota, në epoka, kultura dhe kombe të ndryshme. E trilluar apo e frymëzuar nga ngjarje të vërteta, letërsia – me kompleksitetin, dilemat dhe nënkuptimet e saj– ngre pyetje, jep përgjigje dhe nxit mendimin kritik. Ajo i udhëheq lexuesit në udhëtime psikologjike dhe historike, duke hedhur dritë mbi gjendjen njerëzore.
Të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballen shoqëritë sot, disa autorë kanë mesazhe më të drejtpërdrejta ndaj përgjigjes se pse shkruajnë. Shkrimtarja irlandeze Katherine Prasifka shpjegon këtu motivimin: “Letërsia është shumë personale dhe të lejon ta vendosësh veten në vendin e një personi tjetër dhe të jetosh një përvojë që nuk e ke jetuar. Puna ime ka të bëjë me mediet sociale dhe mënyrën se si interneti e ka ndryshuar tërësisht mënyrën se si ndërveprojmë me veten dhe realitetin. Do të doja t’ua shpjegoja këtë njerëzve që nuk e kuptojnë”.
Letërsia është më shumë se estetikë dhe strukturë që tregon një histori. Ndonjëherë, historia nënkupton një qëndrim publik, një besim, një vlerë ose paralajmërime. Mbrojtja e të drejtave themelore është një temë kryesore për shkrimtarin italian Paolo Giordano.
“Sa herë që ka një festival të letërsisë evropiane, apo edhe “diçka” evropiane, unë përpiqem të jem i pranishëm, sepse nëse ka një gjë që na duhet sot, është të ndërtojmë një lidhje dhe ndjesi më të fortë për atë çfarë është dhe çfarë do të thotë Evropë. Unë mendoj se mund ta vlerësoni vërtet atë çka do të thotë Evropë dhe privilegjin që ende është të jesh pjesë e saj, nëse e shikon nga kufijtë. Por nëse e shikon nga brenda, ndonjëherë humbet ndjesia e rëndësisë që ka ende kjo ide e Evropës dhe ideve evropiane”, thekson Giordano, librat e të cilit kanë të bëjnë me mjedisin, të drejtat e njeriut, çështjet gjinore, etj.
Duke parë periudhën komuniste shqiptare, shkrimtarja polake Margo Rejmer, hasi si mesazh kryesor një përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes: si mund t’u mbijetojmë kushteve më të këqija të mundshme, cili është thelbi i natyrës njerëzore, çfarë na bën të dobët dhe çfarë na bën të fortë?
“Balta më e ëmbël se mjalta” është një libër për komunizmin shqiptar, por është edhe një libër për natyrën njerëzore, qëndrueshmërinë dhe hapësirat e lirisë brenda nesh. Si mundohemi të manovrojmë dhe të veprojmë me dashamirësi apo pa dashamirësi në rrethana shumë specifike, pasi kur e shikon nga larg, fakti që njerëzit ishin aq të izoluar në Shqipërinë komuniste dhe kishin qasje në informacione shumë të kufizuara është një lloj eksperimenti sociologjik”, analizon Rejmer, duke këshilluar se të gjithë ne duhet të mësojmë sërish dhe të rikrijojmë lidhjet tona me librat, pasi ata na lidhin me njerëz dhe perspektiva dhe na mësojnë ndjeshmërinë.
Për autorin kroat Miro Gavran, mesazhi kryesor i letërsisë është të jetë e vërtetë, thelbësore dhe të përpiqet të përmirësojë afërsinë mes njerëzve. “Mesazhi im është se nuk ka asgjë më të bukur se marrëdhëniet njerëzore. Mendoni për një njeri që jeton në një ishull. Ai është krejt i vetëm. Ai nuk mund të jetë as i mirë as i keq. Ne kemi nevojë për një qenie tjetër njerëzore për t’u bërë të plotë. Romanet, dramat dhe komeditë na japin mundësinë të shprehemi dhe të bëhemi qenie njerëzore të plota. Jeta është një aventurë vitale, duke shkruar një libër, ne arrijmë ta mësojmë një njeri si të bëhet vetvetja”, shpjegon Gavran.
Letërsia mund të jetë edhe një vend i sigurt ku shkojmë duke kërkuar strehë, si për të rivizituar kujtimet tona të ëmbla. Duke folur për procesin e saj krijues, shkrimtarja franceze Dominique Barbéris, shpjegon se ajo beson se disa tema imponohen gjatë këtij procesi në vend që të zgjidhen. “Unë nuk përpiqem të përcjell asgjë. Librat e mi sillen rreth problemeve të grave, dashurisë dhe ndonjëherë fëmijërisë, që për mua është si matrica e gjërave dhe gjithashtu një vend, një moment në kohë që është një vend i qetë ku kthehem vazhdimisht”. Nga ana tjetër, ajo përmend shqetësimin për një rënie alarmante të interesit për letërsinë. “Kam mundur ta vëzhgoj këtë në Francë. Po zëvendësohet me gjëra të tjera. Nuk e di cili filozof thotë se ne i festojmë shumë gjërat kur nisin të zhduken, shpresoj që kjo të mos jetë shenjë e kësaj. Por kjo nuk është arsye për të qenë pesimistë, ka gjithmonë njerëz për të cilët letërsia është qendrore, sepse është ndoshta vendi ku kthehen legjendat”, thotë ajo./atsh/ KultPlus.com
Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, ka njoftuar se Kori i Filharmonisë vitin artistik 2025 do të nisë me një koncert në Prizren, shkruan KultPlus.
Me një program të pasur me vepra bashkëkohore, Kori do të paraqitet para publikut nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, me pjesëmarrjen e Ansamblit Harkor dhe Perkusioneve të Filharmonisë së Kosovës.
Në këtë mbrëmje do të interpretohen vepra nga Kushtrim Gashi, Vasil S. Tole, Hajrullah Syla, Rafet Rudi, si dhe nga dy kompozitorë amerikanë: Jake Runestad, fitues i çmimit Emmy, dhe Eric Whitacre, fitues i çmimit Grammy.
Koncerti do të mbahet në Autostrada Hangar, në Prizren, më 24 janar 2025, duke filluar nga ora 19:30.
Për të ndjekur koncertin, mjafton të rezervoni falas në këtë link: https://bit.ly/4aeiqFU/ KultPlus.com
I ftohti dhe ngrica mund të nxisin shëndetin e trupit dhe të përmirësojnë performancën e rezistencës, të ashtuquajturat qëndrueshmëri, shkruan salute.eu.
Nga ekzaminimet e studiuesve doli se në të ftohtë ka një përmirësim në funksionalitetin e mitokondrive, domethënë një nga përshtatjet kryesore që janë në themel të fitnesit aerobik.
“Dëshmitë e fundit sugjerojnë rritjen e metabolizmit të lipideve në mjedise më të ftohta gjatë stërvitjes,” shkruajnë autorët e studimit, të udhëhequr nga fiziologu Dominique Gagnon i Fakultetit të Shkencave të Sportit dhe Shëndetit./atsh/ KultPlus.com
Ann Beattie (1947), romanciere dhe tregimtare amerikane, e shpërblyer për të arriturat e saj nga American Academy and Institute of Arts and Letters dhe ka fituar po ashtu PEN/Malamud Award për të arriturat në tregim të shkurtër
GRAVITETI
Nga Anne Beattie
Xhaketa ime më e pëlqyer ishte blerë në L.L Bean. Nga Maine kishte përfunduar në Atlanta, ku një ish i dashuri im e kishte gjetur në një dyqan bamirësie dhe e kishte blerë për ditëlindjen time. Ishte një çikëz e ngushtë për të, por gjithsesi e mbante veshur kur më takoi. Ai më tha se sikur të mos i kisha bërë komplimente për xhaketën, thjesht do ta kishte mbajtur për vete. Në xhep gjeta një amil nitrati dhe një Hershey’s Kiss. Sheqerka ishte vendosur aty qëllimisht.
Gjatë këtyre tetë vjetëve që e mbaj, i kam humbur të gjitha kopsat, përveç asaj më të lartës – asaj që kurrë s’e mbërthej, ngase askush s’e mbërthen kopsën nën jakë. Katër kopsa kanë humbur, mirëpo mund ta kthej në kujtesë se si më ka humbur vetëm atë të parafundit: e pashë të lëkundej, por mendoja se do të mbante. Më vonë, kruspullosur në dysheme, thashë me vete: “Arsyeja më thotë se derisa nuk kam lëvizur nga kjo karrige banaku, atëherë duhet të jetë pikërisht këtu në dysheme”, duke shikuar e dehur drejt në dysheme përposh karrigës sime në Café Central.
Nikut, njeriu me të cilin jam duke ecur tash, me gjasë s’do t’i binte tamam xhaketa. Do të donte të mos më binte as mua, po ashtu. I urren xhaketat. Kur i thashë se po mendoja të blija një shall dimri, ai më sugjeroi se bishtalecat mund të shkonin për bukuri me xhaketën. Ndalej nëpër dritaret e dyqaneve, duke më ofruar të ma blinte ndonjë triko, ndonjë pallto. Asgjë fare.
“Po luaj mendsh”, më tha Niku, “dhe ti je e dëshpëruar, ngase ke humbur kopsat”. Vazhdojmë të ecim. Më nxjerr anash. “Kopsat fare lehtë mund të jenë zare”, tha ai.
“Ke luajtur ndonjëherë me zare?”.
“Të luaj me zare?”, pyeti ai. “A nuk është se thjesht i shikon?”.
“Nuk ma ha mendja. Mendoj se ekzsiton një lojë që mund të luhet me to”.
“Kisha kuti cigaresh plot me zare kur isha fëmijë. A s’është e mrekullueshme. Kisha zare, pulla, monedha dhe copa të prera të Playboyt”.
“Të gjitha njëherit?”.
“Si po mendon?”.
“A nuk janë pullat më të hershme se fotografitë e Playboyt”.
“Të së njëjtës kohë. Unë përdorja xhamin zmadhues për fotografitë në vend të pullave”.
Ana e majtë e xhaketës sime e mbulon anën e djathtë, krahët e mi janë të kryqëzuar puthitshëm përpara dhe kështu e mbaj atë të mbyllur. Niku e vëren këtë dhe thotë: “Nuk është edhe aq ftohtë”, duke e vënë njërin krah rreth supeve të mia.
Ka të drejtë. Të premten e fundit pasdite, doktori më tha se do të më duhej të shkoja të mërkurën në spital, pasnesër, që të bëja një test për të marrë vesh nëse ndonjë bllokadë në kanalin fallopian ma kishte shkaktuar dhimbjen në anën time të majtë dhe unë jam frikacake. Kurrë s’kam besuar asgjë nga The Bell Jar përveç idesë paranoike të Esther Greenwoodit se kur je e pavetëdijshme ndien dhimbjen dhe më vonë harron se e ke ndier atë.
Ai e tërhoqi krahun. Unë vazhdoj që me njërën dorë të mbahem ngjeshur në xhaketën time, ndërsa me dorën tjetër ia përthekoj kyçin e dorës, në këtë mënyrë ai do ta nxjerrë dorën nga xhepi.
“Ma jep dorën”, i them. Vazhdojmë të ecim kështu.
Kopsat e tjera ranë pa u dukur fare se ishin çliruar. Ranë dimrit të kaluar. Kjo bëri vaki atëherë kur rashë në dashuri me Nikun e gjërat e tjera dukeshin fare të parëndësishme. Atëherë shkova me mendjen se gjatë dimrit do të shikoja për kopsa të reja. Tash jemi në tetor, është ftohtë. Po ecim nëpër Fifth Avenue, veç pak blloqe tutje spitalit ku do të bëj testin. Kur ai ta kuptojë këtë, do të marrë një rrugë anësore.
“S’do të vdesësh”, thotë ai.
“E di”, them, “dhe do të ishte budallallëk të merakosesha për çkado që është më pak se vdekja, apo jo?”.
“Mos u kap me mua”, thotë ai dhe më kthen drejt Ninety-sixth Street.
Nuk ka yje kësaj mbrëmjeje, kësodore Niku po flet për yjet. Më pyet në i kam marrë ndonjëherë me mend mendimet e astronautit të parë duke e kthyer teleskopin e fuqishëm kah Saturni dhe duke parë jo vetëm planetin por edhe unazat – rrathët e tymtë. U ndal të ndizte një cigare.
Krizantemat e mbjella mes Park Avenue janë thjesht një turbullirë në terr. Mendja me vete te lulet e de Heemit: lëviz ngjitur njërës prej atyre pikturave dhe e sheh një kërmill të bërë lëmsh në dru dhe insekte të imëta që shtresëzojnë gjethet. Ndodh nganjëherë, kur sjell lule brenda nga kopshti – një kërmill që duket dhe ndihet si qelb, duke u kacavarur nëpër kërcell.
Të premtën e fundit Niku tha, “S’do të vdesësh”. Doli nga shtrati dhe më largoi nga vazoja e luleve. Ishte dita kur kisha shkuar te doktori, pastaj shkuam të vizitonim Xhastinin për vikend. (Dhjetë vjet më parë, kur Niku nisi të jetonte me Barbarën, Xhastini ishte fqinji i parë në West Sixteenth Street.) Gjithçka ishte e lezetshme, ashtu siç është gjithmonë në shtëpinë e Xhastinit në fshat. Kishte një vazo floksesh dhe luleshqerrash në dhomën e gjumit dhe kur shkova t’u merrja erë luleve pashë kërmillin dhe thashë se dukej si qelb. Bile as që ndieja neveri – veç keqardhje kishte, aq kureshtje sa ta prekja me gisht.
“Xhastini nuk do ta dijë pse je duke u qaravitur. Xhastini nuk e meriton këtë”, pëshpëriste Niku.
Kur e prek, kërmilli nuk mblidhet. As kur është duke ecur.
Fakt: emri i saj është Barbara. Ajo është nga Boulder Dam. Është imëcake, e bukur dhe ka një ndikim mbi të sado që nuk janë martuar kurrë, ngase ajo kishte qenë aty e para. Ajo është nga Boulder Dam.
Vitin e kaluar i kaluam Krishtlindjet te Xhastini. Justini donte të mendonte për ne si një familje – Niku dhe Xhastini dhe unë. Familja e tij e vërtetë është një hallë, në Zelandën e Re. Kur ai ishte fëmijë, ajo i gatuante biskota të trasha që kurrë s’mund t’i përbinte. Idetë e Justinit janë më romantike se të miat. Ai mendon se Niku duhet ta harrojë Barbarën dhe duhet të vendoset bashkë me mua në banesën ngjitur me të tijën që është në shtitje. Xhastini, me pantofla termale dhe çorape me vija të ngritura deri mbi gjunj nën pizhamat e tij të bardha, duke përgatitur çajin e gjumit, më thotë: “Përmende një gjë më patetike se sa një bythec i ftohur”.
Barbara thirri dhe ne bëmë tonën që ta injorojmë. Unë dhe Xhastini po hamë portokaj të ftohtë pas darkës së Krishtlindjeve. Xhastini na i mbushi gotat me shampanjë. Niku foli me Barbarën në telefon. Xhastini i fiku qirinjtë dhe ne dy po rrinim në terr, Niku në telefon. Shikonim të hutuar mbi supet e tij në qoshkun tashmë të errët.
Duke ndenjur në kuzhinë atë natë vonë, Niku kishe thënë, ”Xhastin, thuaja të vërtetën. Tregoji se gjatë Krishtlindejve ti bie në dëshpërim dhe kjo është arsyeja pse dehesh. Tregoji se nuk është për shkak të një telefonate të shkurtër nga një grua që kurrë s’e ke dashur”.
Xhastini po ziente çaj prapë, për t’u bërë esëll. Dora e tij ishte mbi vlues, duke u ulur një inç më poshtë, gjysmë inçi më poshtë…
“Luaj bole pak me të”, më pëshpëriti. “Mos ji ajo që digjet”.
Një grua po ecën pas nesh, mban një kapele të kaltër me pupla që duken sikur të ishin shigjeta të ngulura në strehën e saj nga indianë të çmendur. Ajo buzëqeshi ëmbëlsisht. “Gjarpërinjtë po vijnë zvarr nga Ferri”, tha ajo.
Në një bar, në Lexington, Niku tha, “Ma thuaj pse më do kaq shumë”. Pa marrë frymë fare, ai tha, “Mos bëj analogji”.
Kur e lëshon veten – kur është i përhumbur – është i përhumbur pjesërisht në të. Është sikur se të ishte duke ecur thellë e më thellë një pylli dhe unë të kisha rrezikuar ta ndaloja t’u merrte erë ca luleve magjepsëse, ose ai të kishte gjetur ndonjë pellg dhe të kishte rënë në të si Narcisi. Nga ajo sa më kishte thënë në lidhje me Barbarën, e di se ajo është e mendjemprehtë dhe e këndshme.
Shtrirë mbi letrën e ftohtë të bardhë në tavolinën e ekzaminimit të doktorit, u mundova të përqendrohem jo në atë që po bënte ai, por te njëra vidhë që mbante njërën prej katër qosheve të dritës së rrafshët të bardhë të tavanit.
Si fëmijë njëherë pata humbur në mal. Kisha një lule radhiqe me vete dhe e përdorja, pa shpresë, si një llambë dore, qendra e verdhë rrezja ime imagjinare. Prindërit e mi, të cilët do të kishin mundur të më shpëtonin, ishin të dehur në një ndejë në oborrin e pasëm teksa unë po merrja rrugën e gabuar, larg prej shtëpive që mund të shihja. Pata ecur ngadalë-ngadalë, e frikësuar.
Niku më bie në qafë për këtë. Ai mendon se unë jam e përhumbur në jetën time. “Në rregull”, them unë derisa ai më shtyn të eci më shpejt. “Gjithçka është simbolike”.
“Si mund të më hedhësh poshtë kur bën krahasime për gjithçka?”. “Nuk bëj”, them. “Mënyra se si flet më bën të lëshoj pe qëllimisht që të më mposhtësh. Je kritikuese si mësuese”. Ecja mori fund. Ka bërë atë që kam dashur: kemi kaluar bllokun e tridhjetë deri te apartamenti i saj, në vend se të marrim një taksi dhe nëse ajo është në ankth dhe është duke shikuar nga dritarja, ai do të ecë deri te dera e hyrjes me mua dhe ajo do të shohë të gjitha – madje edhe puthjen.
Ai habitet se si mua më ndodhin në të njëjtën kohë variacionet e asaj që i ndodh Barbarës. Ajo i kishte prerë flokët po atë ditë që i kisha rregulluar të miat. Kur shkova te dentisti dhe ai më tha se mishi i dhëmbëve po më tërhiqej ngadalë, shpresova se ajo do të ma kapërcente me dhëmbët e saj çatallë. Në vend të kësaj, kur ija ime nisi të më dhimbtte, ajo pati dhimbje më të mëdha. Tash po bëhet më mirë, është kthyer në apartament pas një operacioni në unazat kurrizore dhe ai po rri me të përsëri.
Vjeshtë, 1979. Gjatë ecjes pamë një çift duke u puthur, tre njerëz duke i shëtitur qentë, një çift duke u grindur dhe një taksist të parkuar para hyrjes së një dyqani, duke e ndërruar një farmerkë me një lëkurë të zezë. Vuri një kapelë lëkure, rrasi xhaketën në ulësen e prapme dhe ia shkeli, duke bërë një rrotullim në formë patkoi në Park Avenue, për në qendrën e qytetit. Një burrë më shikoi thua se më kishte gjetur në këmbë mbrapa një tezge të një kabine për puthje dhe një grua ia hodhi Nikut një asi shikimi që e bëri të qeshte para se ajo të largohej aq sa të mos dëgjonte.
“S’e honeps dot”, tha Niku.
Nuk e kishte fjalën për marrëzitë e New Yorkut.
E hap derën e jashtme me çelësin e tij, pas puthjes, dhe për një minutë qëndrojmë ngjitur për njëri-tjetrit në hapësirën mes dyerve të mbyllura. E kam quajur burg. Kofin. Dy astronautë, të lidhur në rrugën e tyre drejt hënës. Kam qëndruar aty dhe kam ndier, më shumë se njëherë, lehtësinë e një personi që nuk mbahet në vend nga graviteti, por jorëndesa ime ishte prej trishtimi dhe frike.
Barbara është lart, duke pritur, dhe Niku nuk e di çfarë të thotë. As unë. Më në fund, për të thyer heshtjen, më tërheq pas vetes. Më thotë se kur ia kërkova dorën më herët, e quajta atë “dora”.
Dora e tij e djathtë është e nderë, thonjtë në kockëm mes gjinjve të mi. Shikoj poshtë për një sekondë, mënyra se si një kirurg mund të ketë një moment dyshimi, o mbase një moment vetëbesimi, duke shikuar dorezën e tejdukshme të gomës, të ngjitur për lëkurës: dora e tij dhe jo dora e tij, gati të bëjë diçka të rëndësishme ose fare të parëndësishme.
“Çdokush tjetër do të kish me thënë ‘dorën tënde’”, thotë Niku. “Kur ti e the në atë mënyrë, e bëri të tingëllonte thua se dora ime ishte e shtrupëzuar”. E përkëdhel xhaketën time. “Ke gjetur mbulojën tënde të sigurt. Lërmë t’i mbaj të gjitha palët së bashku. Jashtë, të paktën”.
Shtrupëzuar, ajo dorë do të ishte një simbol nga Magritte: një kështjellë mbi shkëmb, duke lundruar mbi oqean; një mollë e gjelbër pa trung.
Vetëm, do ta kisha njohur kudo.
/Marrë nga Ann Beattie, ‘The Burning House’, Vintage, 1982 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Shfaqja e filmave shqip, produksion i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka hapur të shtunën “Film Flaka 2025”, që do të pasohet me prezantimin e filmave tjerë të dielën dhe të hënën, më 19 e 20 janar 2025, në kuadër të kalendarit të paraparë nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e Komunës së Gjilanit, në vargun e aktiviteteve të gjithëmbarshme të manifestimit “Flaka e Janarit”.
Në filmin “Zana” me “vulë” regjisoriale të Antoneta Kastratit, paraqitet një kastë e shquar aktorësh, emra të dëshmuar të skenës sonë, si asaj kinematografike ashtu edhe teatrale/skenike.
Ngjarja në film pasqyron dramën tronditëse emocionale që e përcjell fatin e një gruaje në një skaj të Kosovës, e cila përpëlitet për të gjetur satisfaksion nga pesha e rënduar që i kanë shkaktuar plagët e thella të vargojve të jetës së pamëshirshme, ndërsa, njëkohësisht, ironikisht ndodhet edhe para një sprove tjetër të rezervuar nga fati i i saj i pamëshirshëm, sprovë që determinohet tradicionalisht nga normat konvencionale të jetës së gruas rurale.
Përballja me vështirësi të dyfishtë, e vë në sprovë të thellë krypersonazhin, Zanën, të cilën me delikatesë e ka trajtuar dhe zhvilluar aktorja Adriana Matoshi e mbështetur nga kasta përcjellëse profesionale e aktorëve të skenës kosovare.
Sipas përshkrimit, filmi “‘Zana” me producent Casey Cooper Jonson, ka shënuar suksese të ndryshme në rrugëtimin e tij, duke shëtitur nëpër festivale të ndryshme pas premierës në festivalin e madh të Torontos së Kanadasë, në shtator të vitit 2019.
Filmi është bashkëprodhim në mes Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-ve, i financuar nga Qendra Kinematografike Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri./ KultPlus.com
Sa herë matem me kohën që rend, në çdo rast ndihem i humbur. S’i kam jetuar, i kam shpenzuar më kot, mijëra ditë e net të ikura, nga shkujdesja, në të shkuarën…
Shpesh më bëhet në ëndërr se pres, në një stacion të shkretë një tren imagjinar, për kthim në të shkuarën.
Sado që rend të mos humb një sekondë, përherë mbërrij vonë, tepër vonë, në stacion. Por s’e humb shpresën, pres. Një tren tjetër do të vijë, treni i fundit me ndalesë, që mbledh të vonuarit. … S’dua ta humb atë tren, i vetëm të mbes, si Mohikani i fundit, në mes të askundit…
Ndoshta, më mirë të harrohesh, shkujdesur, në pakohë, nëpër vagonë vitesh, pa e ditur se në ç’stacion të largët ndal treni që ke pritur…/ KultPlus.com
“Të Ndjesh Pamjen” titullohet ekspozita personale e Besim Tulës që është hapur në galerinë FAB. “Vdekja e Nënës”, një pikturë e artistit në vitin 1990 është ajo që çeli ekspozitën me rastin e 75-vjetorit të lindjes së artistit.
Ekspozita e kuruar nga e bija e artistit Era Tula, sjell një përzgjedhje të veprave të Besim Tulës.
“Ekspozitën e kam menduar të hapet me ‘Vdekjen e nënës’, që sipas kritikut Gëzim Qendro ishte një nga veprat e fundit të viteve ’80-të, që shënjoi kufirin ndarës midis epokës së realizimit socialist dhe periudhës paskomuniste, një vepër ku dallohej më shumë koha që po vinte se ajo që po lihej pas”. Ekspozita do të mbyllet më pas me veprën “Vrasësit me pagesë” (2020), e cila është dhe puna e fundit që babi ekspozoi”,- thotë Era Tula.
Ajo që është veçanërisht e fuqishme në këtë vepër, është vendimi i artistit për të vendosur veten në pozicionin e viktimës, për të krijuar kështu një lidhje të identifikueshme midis saj dhe publikut.
“Ka qenë një autor që kam pasur gjithmonë kuriozitetin për ta parë në retrospektivë. Jam i lumtur që jemi mbledhur të gjithë bashkë, për ta kujtuar Besimin, por edhe për ta parë në shkëlqimin e tij maksimal. Është një autor që në këto 30 vite ka lënë gjurmë artistike dhe është një artist që identifikohet shumë lehtë nëpërmjet dy elementësh: shumë ngjyra dhe e dyta, gjurma bashkëkohore, që i vendoset çdo ngjarje të së përditshmes”,-tha studiuesi Ermir Hoxha.
Ekspozita paraqet 30 vitet e fundit të rrugëtimit artistik të Besim Tulës, duke i lejuar vizitorët të dëshmojnë evolucionin e artistit.
Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 janar, për të reflektuar mbi kompleksitetin e natyrës njerëzore./euronews/ KultPlus.com
Në platformën e-Albania, tashmë është bërë një tjetër hap i rëndësishëm drejt inovacionit, që pritet të lehtësojë ndërveprimin e qytetarëve në kërkesat në këtë platformë elektronike.
Zbatimi i inteligjencës artificiale në e-Albania do të sjellë në shërbim të qytetarëve, asistenten virtuale me emrin Diella, një risi që do të jetë gati për përdorim brenda pak muajsh. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama duke sjellë edhe pamjet e para nga asistentja Diellë.
Kryeministri Rama shprehet se së shpejti, qytetarët do të kenë në dispozicion brenda pak muajsh, asistenten virtuale që quhet Diella, “një ndihmëse zadrimore që sapo ka dalë nga inkubatori i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t”.
“Për disa muaj do të jetë gati jo vetëm t’ju asistojë gjatë ndërveprimit tuaj me platformën e-Albania po edhe t’i kryejë shërbimet për ju me një lutje të vetme”, u shpreh Kryeministri Rama.
Përdoruesit e platformës e-Albania do të kenë mundësi që t’i drejtojnë pyetje asistentes virtuale, e cila përmes zërit dhe inteligjencës artificiale do të mbledhë informacionet e nevojshme që do t’i vendosen në dispozicion çdo përdoruesi, sipas kërkesave të tyre. /atsh/ KultPlus.com
Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë, nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë! Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças, Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka! Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe, gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe! Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit, ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit! Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri, dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!
Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet; hani, pini e rrembeni, ësht’ bot e maskarenjve; Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole, ekselenca dhe shkelqesa, tuti quanti come vuole!
Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion, ju shkëlqen në kraharuar decorata “Grand Cordon”! Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’ gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkelqes’ dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’, në ka zot dhe do duroj’, poshtëë ky zot, ky palo zot!
Grand Cordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur, ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të vremosur; dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’, ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar! Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh, kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!
E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde, mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde. Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh, të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!
Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet! Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë! Mirpo ju që s’keni patur as nevoj’ as gjë të keqe, më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!” Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët, sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët! As ju hahet, as ju pihet, vetëm titilli ju kihet… Teksa fshat’ i varfer digjet… kryekurva nis e krihet!
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira, ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira! ا’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri: te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri! Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar, dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’ Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!
Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe, dylli bënet si të duash, kukuvajk’ dhe dallandyshe… kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar, nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!
Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera… Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve, koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!
Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut, fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut! Që ta kesh armikun mik e pandehni mënçuri, mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bëj” i ri, dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura, kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!
Vëndi qënka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë, bëni sikur veni vetull’, shoku shokut krreni sytë… Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë. Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!
Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë, ky i sotmi zër’ i errët, benet vetëtimë dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj, nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!
A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’ nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror, ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur, Ju do thoni si të doni… po e drejta dermon hekur!/ KultPlus.com
Edgar Allan Poe, një nga figurat letrare më të famshme dhe misterioze të Amerikës, vazhdon të magjepsë lexuesit dhe të frymëzojë shkrimtarët më shumë se një shekull pas vdekjes së tij, shkruan KultPlus.
I lindur në 1809 në Boston, Poe pati një fëmijëri të trazuar të shënuar nga vdekjet e hershme të prindërve të tij dhe duke kaluar nëpër një sërë shtëpish kujdestare.
Me gjithë këto vështirësi, pasioni për letërsinë i zhvilloi në moshë të re dhe filloi të shkruante poezi dhe prozë që në adoleshencë.
Karriera e shkrimit Poe filloi në vitet 1820 me botimin e një libri me poezi, por vetëm në vitet 1830 ai filloi të fitonte njohje për tregimet dhe poezitë e tij të shkurtra. Veprat e tij, si “The Raven”, “The Tell-Tale Heart” dhe “The Fall of the House of Usher”, u karakterizuan nga temat e tyre të errëta, thellësia psikologjike dhe përdorimi i shkathët i gjuhës.
Shkrimi i Poe ishte gjithashtu i ndikuar shumë nga magjepsja e tij me makabren dhe të mbinatyrshmen, të cilat ai i përdorte shpesh për të eksploruar psikikën njerëzore dhe natyrën e realitetit.
Pavarësisht famës së tij në rritje si shkrimtar, Poe luftoi financiarisht gjatë gjithë jetës së tij. Ai punoi si redaktor reviste, kritik letrar dhe pedagog, por kurrë nuk fitoi të ardhura të qëndrueshme.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, ai vazhdoi të shkruante dhe të botonte, dhe veprat e tij u lexuan dhe u admiruan gjerësisht nga shkrimtarë dhe kritikë të tjerë letrarë.
Jeta dhe vepra e Poe ishin të mbuluara me mister dhe shumë teori janë paraqitur për të shpjeguar sjelljen e tij të çuditshme dhe temat e çuditshme të shkrimit të tij.
Disa kanë sugjeruar se ai vuante nga sëmundje mendore, ndërsa të tjerë kanë sugjeruar se puna e tij ishte ndikuar shumë nga përvojat e tij personale dhe ndjenja e tij e izolimit dhe tjetërsimit.
Poe vdiq në rrethana misterioze në vitin 1849, në moshën 40-vjeçare. Shkaku i vdekjes së tij mbetet një mister dhe teoritë variojnë nga alkoolizmi, tuberkulozi dhe vetëvrasja. /KultPlus.com
Ura e Tamarës dhe hani pranë saj janë objekte të trashëgimisë sonë kulturore të cilat dëshmojnë për bukuritë dhe traditat shqiptare.
Ura e Tamarës e ndërtuar mbi lumin Cem të Vuklit, një kryevepër e shekullit XVIII, është ndërtuar nga vezirët Bushatllinj dhe mbetet një simbol i trashëgimisë sonë kulturore. Gurët e saj tregojnë histori shekujsh, duke lidhur komunitete e kultura.
Pranë saj ndodhet Hani i Tamarës, dikur një strehë për udhëtarët dhe tregtarët, sot një kujtesë e mikpritjes dhe historisë shqiptare.
Këto vepra janë shpallur, në vitin 1984, Monumente Kulture të Kategorisë I dhe tregojnë pasurinë tonë historike dhe arkitekturore.
Ura e Tamarës në Kelmend, lidh Shkodrën me viset e malësisë. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër publikoi në rrjetet sociale pamjet e luginës, ku gjendet ura dhe hani, luginë e cila ka origjinë akullnajore dhe është në lartësinë 1100 metra mbi nivelin e detit.
Në të dy anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Kjo zonë shquhet për panoramën si dhe për reshjet e shumta të dëborës./atsh/ KultPlus.com
Për herë të parë që prej 40 vjetësh inaugurimi i një presidenti amerikan do të bëhet brenda Kapitolit. Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta bëjë betimin të hënën në ambjentin e mbyllur për shkak të temperaturave tepër të ulëta. Çdo ceremoni inaugurimi presidencial në Uashington ka të veçantat e veta, por këtë vit siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti ai do të jetë vërtet ndryshe.
Orkestra e Marinsave ka interpretuar në çdo inaugurim që nga viti 1801. Por këtë herë, anëtarëve të saj nuk do t’u duhet të shqetësohen se mos instrumentat e tyre ngrijnë, sepse inaugurimi do të mbahet brenda Kapitolit të Shteteve të Bashkuara për shkak të temperaturave të acarta.
Janë tingujt e tyre që do të shoqërojnë këngën “America the Beautiful” dhe menjëherë pasi Donald Trump të bëjë betimin si president këngën “Hail to the Chief”, interpretuar të dyja nga Carrie Underwood.
“Edhe pse është hera ime e shtatë, çdo herë është e veçantë. Është pak surreale që jam pjesë e një cope historie dhe që ne jemi të pranishëm në këtë ngjarje madhore jo vetëm për Amerikën, por për gjithë botën. Pra, mund të duken të gjitha njësoj, por nuk janë kurrë të njëjta”, thotë rreshtesi Leslye Barrett i Orkestrës së Marinsave.
Dhe këtë herë do të jetë vërtet ndryshe. Hera e fundit që temperaturat e ftohta zhvendosën ceremoninë në ambiente të mbyllura ishte viti 1985, kur Ronald Reagan bëri betimin për mandatin e tij të dytë.
Përgatitjet për pjesëmarrjen e vizitorëve me bileta filluan më shumë se një muaj më parë, përfshirë ndërtimin e një platforme në Kapitol, ndërtimin e stendave të paradës dhe 48 kilometra barriera përgjatë trotuarëve, më shumë se në çdo inaugurim të mëparshëm.
Mijëra vetë mund të vijnë gjithsesi në Uashington për të ndjekur ceremoninë, mes tyre Zander Goss dhe Olivia Connelly.
“Nuk kam qenë kurrë më parë. Jam e re në Uashington dhe është moment i mirë”, thotë Olivia.
“Nëna ime ishte nëntë muajshe shtatzënë me mua në inaugurimin e Xhorxh Bushit, katër ditë para se unë të lindja, kështu që teknikisht është ndoshta inaugurimi im i dytë”, thotë Zander.
E hëna nderon traditën demokratike, pavarësisht polarizimit të zgjedhjeve.
“Është një shembull për amerikanët dhe për botën që kemi një tranzicion dhe një qeveri të re”, thotë Anita McBride, e cila ka punuar për katër administrata në Shtëpinë e Bardhë.
Pas betimit, presidenti zakonisht kalon me limuzinën e tij në një paradë dhe më pas del prej saj për të ecur në këmbë deri në Shtëpinë e Bardhë.
Por në këtë inaugurim, zoti Trump që sapo do të ketë bërë betimin do të shfaqet më pak se tre kilometra larg Kapitolit në një pallat sporti dhe koncertesh me kapacitet 20,000 persona.
Historia do ta kujtojë këtë inaugurim të dytë të zotit Trump, me një pamje të ndryshme nga ai i pari. /VoA/ KultPlus.com