Hap dyert Galeria e Artit në Lezhë, restaurohen veprat e artit

Galeria e Artit Lezhë ka rihapur dyert pas një rinovimi total ndërsa është kryer edhe restaurimi i veprave të artit.

Ndërhyrjet bëjnë që në Galerinë e Lezhës, artit pamor t’i jepet dinjiteti, respekti dhe rëndësia që ky zhanër artistik meriton.

Hapat e radhës do jenë mirëmbajtja konstante dhe restaurimi i mëtejshëm i veprave, si dhe tërheqja në ekspozita e larmishmërisë së pikturave në stile dhe teknika duke pasuruar fondin e Galerisë.

Në kuadër të restaurimit janë ndërruar telajot e dëmtuara me telajo të reja, si dhe janë ndërruar të gjitha kornizat ekzistuese me korniza të reja cilësore me dizajn harmonik.

Po ashtu janë riparuar të gjitha veprat e artit të realizuara në fibër, të cilave u ishte krijuar kurbaturë ndër vite si shkak i amortizimit.

Ndër të tjera janë realizuar dhe montuar emërtimet identifikuese për çdo pikturë e skulpturë, si dhe është bërë ndërhyrje në podet e skulpturave të cilat kanë pësuar një restaurim total.

Nga ana logjistike është montuar dhe aplikuar ndriçim i personalizuar dhe bashkëkohor për veprat e ekspozuara./atsh/ KultPlus.com

Piktura ‘Kënga e Fundit’ e autorit Eshref Qahilit rrëmbeu çmimin Blerës – ‘Peneli i Flakës 2025’

Rrjedha e Manifestimit Tradicional “Flaka e Janarit 2025”, e cila ka filluar më 11 janar, e që është përcjellur me homazhe e vizita të ndryshme institucionale tek familjet e dëshmorëve, si dhe tribuna e konferenca, ka vazhduar me shtyllën e arteve pamore, me ç’rast është bërë ndarje e çmimeve për krijimet konkurruese.

Në hapje të edicionit të 34-të, në shtyllën “Peneli i Flakës 2025”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në prani të artistëve të shumtë pjesëmarrës nga trojet të ndryshme etnike si dhe në shenjë mirëkuptimi, respekti e falënderimi për mbi 50 kandidatët konkurrues me punime, vuri në dukje rëndësinë e vlerave kombëtare dhe historike që përfaqëson manifestimi si i tillë, sikurse vet ekspozita “Peneli i Flakës”.

“Po vazhdojmë me ekspozitën e 34-të të Manifestimit Tradiconal “Flaka e Janarit”, e cila është e përgatitur mirë dhe si i tillë përfaqëson vlerat tona kombëtare e historike, si dhe zhvillimin e artit bashkëkohor, krahas ecjes së shoqërisë sonë konform zhvillimeve që ka pasur ndër vite. Ajo që e bënë akoma më të veçcantë e më të rëndësishëm këtë edicion të “Penelit … ”, është pjesëmarrja me një punim e një artisti, një luftëtari e një atëdhetari, Rexhep Selimi. Ai fatkeqësisht gjendet në një proces të padrejtë që po zhvillohet ndaj tij dhe krerëve tjerë të UÇK-së, por që sonte, në mesin tonë e kemi prezentë me një vepër arti përmes së cilës ne kemi prezentë edhe një pjesë të shpirtit të tij krijues… ”, tha Hyseni.

Ai më tej i bëri edhe një përshkrim sakrificës së bashkëshortes së Rexhep Selimit, Shqipes, për të cilën vuri në dukje se, dikur, si 14-vjeçare, së bashku me babain e saj kishin lënë Gjermaninë për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së!

Më pas, në emër të kuratorit të ekspozitës i cili nuk ishte prezent, foli Avni Behluli, i cili theksoi se veprat konkurruese janë nga mediume të ndryshme pamore. Behluli vlerësoi lart angazhimin permanent institucional që kjo ngjarje kulturore dhe kjo shtyllë e manifestimit të jetë sërish në nivelin e kënaçshëm organizues.

Në emër të jurisë, Arta Ramadani tha se ka pasur prurje e punimeve konkurruese tejet cilësore, ndërsa vuri theksin se juria ishte e vendosur në vlerësim, ndaj u përcaktua për tri çmime, si në vijim:

Çmimi kryesorë, ai blerës i galerisë, “Peneli i Flakës 2025”, i është ndarë artistit Eshref Qahili për veprën në pikturë, “Kënga e Fundit”.

Juria ka ndarë edhe cmimet për punimet më të mira në dy kategori, pikturë e grafikë:

Çmimin e parë në pikturë e fitoi Blerim Tmava me veprën “Gjyshja”, akril në pikturë, ndërsa

çmimin e parë në grafikë e fitoi Lirigzon Dërmaku me punimin e tij me titull omonim “Grafikë”.

Edhe këtë edicion u dëshmua, sikundër që edhe u theksua paraprakisht nga ana e kritikës, se “Peneli i Flakës” vazhdon të jetë njëra nga ngjarjet e rëndësisë veçanta kulturore e artistike, e cila grumbullon krijues arti të shumtë nga mbarë hapësira kombëtare, ndërsa si e tillë i jep dimension unik, kulturor e emocional tërësisë strukturore të vet manifestimit “Flaka e Janarit”.

Edicioni i 34 i “Flakës … 2025”, vijon deri më 31 Janar, me një aktivitete të nduarndurshme e të ngjeshura kulturore, nëpër shtyllat përkatëse: Arte Skenike “Talia e Flakës”; Arte Letarare “Pena e Flakës” e Arte Muzikore “Fest Flaka”, në kujtim e nderim të heronjve dhe dëshmorëve të të gjithë brezave që ranë për liri./ KultPlus.com

A e di pse njerëzit nuk ta dinë për nder kur ti bën shumë për ta?

Mario Venuti

Sepse herën e parë që bën diçka për dikë, ti krijon mirënjohje tek ai. Herën e dytë që i bën ose i jep dikujt ti krijon një pritje. Personi pret të marrë përsëri. Herën e tretë ti ke krijuar tashmë një pritshmëri. Personi pret të marrë përsëri atë që i ke dhënë. Herën e katërt gjeneron një meritë.

Personi mendon se e meriton atë që po i jep dhe dëshiron të vazhdojë që ta marrë. Herën e pestë tashmë ke krijuar një varësi. Ai person ndjen se nuk mund të jetojë dot më rehat pa atë që po i jep. Ai tashmë është i llastuar. Herën e gjashtë ti kupton se nuk ka reciprocitet, nuk merr asgjë në këmbim dhe kështu ndalon së dhëni.

Dhe atëherë personi i llastuar që krijove është inatosur me ty sepse po ia mohon atë për të cilën ka aq shumë nevojë dhe më pas ai përfundon duke të të urryer, sepse ti nuk po ia jep më atë gjë për të cilën e ke bërë të besojë se e meritonte. Për këtë arsye, duhet të dimë se cili është kufiri në dhënie. Sepse ai tjetri nuk njeh kufi në marrje./ KultPlus.com

Enigmatët shqiptarë sfidohen ‘online’ në Garat e Enigmatëve në Manifestimin ‘Flaka e Janarit 2025’

Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” dhe Redaksia e Revistës për Enigmatikë, “Horizonti”, në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtar të Kulturës, “Flaka e Janarit – 2025”, kanë paraparë të organizohen garat “online” në përpilimin e fjalëkryqit dhe anagramit.

Ky eveniment pritet të realizohet si vazhdimësi tashmë e rrjedhës së manifestimit tradicional në kuadër të “Flakës…”, duke shënuar një hap të rëndësishëm në promovimin dhe zhvillimin e këtij sporti mendor dhe shumë të popullarizuar tek shqiptarët.

Entusiazmi i të rinjve për këtë formë të garës “online” të enigmatëve, është shumë i madh, prandaj, organizatorët kanë ftuar adhuruesit dhe enigmatët nga mbarë trojet shqiptare, të marrin pjesë në këtë aktivitet garues që organizon Sh. E. “Ndre “Mjeda”, në Gjilan.

Në garat për të përpiluar Fjalëkryqin, dimensionet janë paraparë të jenë:

10/12, katrorë dhe një fjalë obligative në brendinë e fjalëkryqit, si: Ndre Mjeda. Ndërkaq, anagramin duhet përpiluar nga fjalët: ENIGMATIKA PËR FLAKËN E JANARIT.

Garuesit-përpiluesit e gjëzave të lartpërmendura, duhet t’i përmbahen rregullave gjuhësore dhe gramatikore. Garuesit, punimet e tyre duhet t’i sjellin deri me date 15 janar 2025.

Punimet dërgohen nëpërmjet E-mail adresës: [email protected]

Ndërkaq, me datë 25 janar 2025, do të organizohet tryeza e rrumbullakët, ku do të debatohet për të arriturat në fushën e enigmatikës dhe jo vetëm. Po në kuadër të tryezës do të shpallen fituesit e garës në përpilimin e fjalëkryqit dhe të anagramit, ku zyrtarisht, me emër dhe mbiemër do të dihen në përmbylljen e manifestimit të “Flakës së Janarit”, në mbrëmjen Gala, ku edhe do të jepet kupa per fituesit për këtë garë.

Aktiviteti do të mbahet në Objektin e Bibliotekës së Qytetit në Gjilan, duke filluar prej orës 12:00.

Synim i shoqatës është që me aplikimin e projekteve përkatëse dhe mbështetjen e MKRS-ës dhe DKRS-së komunale, të bëjë të mundur aktivitetin profesional të Shoqatës së Enigmatëve, “N. Mjeda”, me tendencë për t’u zgjeruar edhe me tej aktivitetet – Takimet e Enigmatëve në të gjitha qytetet e Republikë së Kosovës./ KultPlus.com

Adelina Paloja & Besiana Mehmedi mbajnë koncert solistik në Lezhë me rastin e 557- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

Me rastin e 557-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sopranoja Adelina Paloja dhe mezzosopranoja Besiana Mehmedi në qytetin e Lezhës janë prezantuar para publikut me një koncert solistik, nën përcjelljen e pianisteve Alba Muçolli Dehirit dhe Rudina Cikos, shkruan KultPlus.

Qyteti i Lezhës, vendprehja e përjetshme e Heroit Kombëtar sipas sopranos Paloja dje është shëndrruar në vatër kujtese dhe krenarie, në të cilin nderim ka kontribuar edhe ajo vet përmes një repertori klasik të mirëkonceptuar.

“Patëm nderin e privilegjin të prezentohemi me Koncert solistik së bashku me mezzosopranon tonë të shquar prof. Besiana Mehmedi me të cilën kisha kënaqësi të veçantë të bashkonim zërat në frymën e nderimit përmes një repertoarit klasik të mirëkonceptuar i cili erdhi si thirrje për të mbajtur të gjallë frymën e unitetit dhe të rezistencës, nën një organizim të mrekullueshem nga Bashkia në Pallatin e Kulturës…

Këtë moment të bukur reflektimi artistik e ndamë të shoqëruara mrekullueshem në piano nga prof.Alba Muçolli Dehiri si dhe me pjesëmarrjen e çmuar të pianistes fantastike prof. Rudina Ciko”, ka shkruar sopranoja Adelina Paloja në rrjetin social “Facebook”.

Dje, më 17 janar ka qenë 557-vjetori i ndarjes nga jeta i Kryeheroit Kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu./ KultPlus.com

Marie Luise Kaschnitz: Intervista

Marie Luise Kaschnitz (1901 – 1974), ka qenë prozatore, poete dhe eseiste gjermane. Autore e dhjetëra përmbledhjeve me tregime dhe poezi, ajo është shpërblyer me disa prej çmimeve më të njohura, si çmimi Georg Büchner (1955), çmimi Johann Peter Hebel (1970) dhe çmimi Roswitha (1973). Ndërsa më 1984 është themeluar çmimi letrar në emrin e saj, “Marie-Luise-Kaschnitz-Preis”.

INTERVISTA

Nga Marie Luise Kaschnitz

Kur të vijë vizitori,

Duke të të lutur, duke të të pyetur,

Rrëfeji se nuk koleksionon pulla,

Nuk bën fotografi me ngjyra,

Nuk rrit kaktuse.

Se nuk zotëron ndonjë shtëpi,

As televizor,

As pemë fiku të dhomës

Se ti nuk e di

Pse ulesh të shkruash,

Pa dashje, meqë s’të jep kurrfarë kënaqësie.

Se ende s’e ke gjetur kuptimin

E jetës tënde, megjithëse po plakesh.

Se ke dashur, por jo mjaftueshëm,

Se ua ke kthyer, por me druatje.

Se ke jetuar në shumë vende,

Por asnjërin nuk mund ta quash shtëpia jote.

Se dëshiron të vdesësh dhe je e frikësuar.

Se nuk mund të japësh asnjë shembull përveç këtij:

Ende e hapur.

Shënim:

Ndoshta gjëja e parë që do të mund të thuhej, pasi të lexohet poezia në tërësinë e saj, do të mund të ishte se na i imponon menjëherë, me përkorësinë e vetë tipike, dy pyetje që janë njëkohësisht edhe në kundërshtim edhe në përputhje me njëra-tjetrën. E para: a është kjo gjendje e përshkruar gjendja e këshilluar dhe aspiruar? E dyta: mos, përkundrazi, kjo është thjesht gjendja në të cilën zakonisht përfundojmë – e cila, megjithatë, s’duhet aspak të nxitë pakënaqësi?

Në të vërtetë, mbase me bukur siguri mund të themi se i referuari i kësaj poezie del të jetë një person i përkorë, idealisht i përkorë, në pothuajse fundin e rrugëtimit të tij ekzistencial. Ai që ka bërë, pësuar, parë, dëgjuar, mbi të gjitha: ka shkruar; e megjithatë prapëseprapë nuk ndihet në gjendjen që të japë një përkufizim, një shpjegim mbi të qenët e tij në këtë botë. Ka qenë i hapur dhe tolerant, duke shmangur të panevojshmen për të. Duke mbërritur te fundi, do të donte t’i jepte fund, megjithëse është i frikësuar. I frikësuar çfarë e pret pas? Sigurisht, është fare njerëzore. Sidoqoftë, është ende i hapur. Por, i hapur për çka? Për të vazhduar ashtu siç ka vazhduar deri më sot, apo megjithatë për t’i dhënë fund, pavarësisht asaj frike?

/Marrë nga Marie Luise Kaschnitz, “Selected Poems”, (me përkthim të Lisel Mueller), Priceton University Press, 2014/Gazeta Express‘/ KultPlus.com

Dështon fluturimi testues i SpaceX, shkatërrohet anija kozmike Starship 7

Testi i fundit i raketës Starship 7 të kompanisë SpaceX u shpërbë disa minuta pas nisjes nga Teksasi, ndërsa mbetjet ranë përsëri në Tokë mbi ishujt Turks dhe Kaikos në Oqeanin Atlantik.

Kompania SpaceX bëri të ditur se humbi komunikimin 8 minuta e gjysmë nga fillimi i fluturimit pa ekuipazh.

“Ne humbëm të gjitha komunikimet me anijen kozmike, kjo në thelb na tregon se kishim një anomali me shkallën e sipërme”, tha zëdhënësi i SpaceX, Dan Huot, i cili konfirmoi disa minuta më vonë se anija ishte e humbur.

“Suksesi është i pasigurt, por argëtimi është i garantuar!” u shpreh në Shefi Ekzekutiv i SpaceX, Elon Musk.

Huot më vonë tha se shpërthimi dukej se rezultoi nga një “rrjedhje oksigjeni/karburanti”, duke shtuar se kompania do të ndërmerrte hapa korrigjues. Kompania raportoi se motorët e anijes kozmike dukej se po mbylleshin një nga një.

“Starship përjetoi një çmontim të shpejtë të paplanifikuar gjatë djegies së tij në ngjitje. Ekipet do të vazhdojnë të shqyrtojnë të dhënat nga testi i sotëm i fluturimit për të kuptuar më mirë shkakun rrënjësor”, tha kompania në X, duke shtuar:

“Me një test si ky, suksesi vjen nga ajo që mësojmë dhe fluturimi i sotëm do të na ndihmojë të përmirësojmë besueshmërinë e Starship”.

– Sukses për konkurrentin Blue Origin

Anija kozmike kishte për qëllim të fluturonte mbi Gjirin e Meksikës nga Teksasi, duke bërë pothuajse një rrotullim të plotë global, të ngjashëm me fluturimet e mëparshme provë. Anija kozmike mbante 10 satelitë-mostra për të stimuluar dërgimin e tyre, duke shënuar fluturimin e parë të anijes së modelit të ri.

Pavarësisht dështimit të anijes kozmike, Super Heavy Booster, pjesa e parë dhe e ripërdorshme e raketës Starship, e ndërtuar për të siguruar shtytje të fuqishme, u kthye me sukses në pikën e saj të nisjes siç ishte planifikuar, duke bërë që ekipet e kontrollit tokësor të brohorasin me eksitim.

Administrata Federale Amerikane e Aviacionit raportoi se fluturimet në aeroportet në Miami dhe Fort Lauderdale-Hollywood të Floridas u vonuan deri në një orë për shkak të një “anomalie të lëshimit të raketës”.

Para nisjes së SpaceX, raketa masive New Glenn e kompanisë Blue Origin bëri fluturimin e saj të parë orbital, një moment historik i rëndësishëm në garën komerciale të hapësirës dhe një fitore për shefin ekzekutiv të Amazon-it, Jeff Bezos, i cili është pronar i Blue Origin.

Teksa SpaceX ka dominuar prej kohësh lëshimet orbitale me raketën e saj Falcon 9, duke siguruar kontrata nga agjencia hapësinore amerikane NASA, Pentagoni dhe kompanitë private, Blue Origin më parë ishte kufizuar në fluturimet suborbitale me raketën e saj më të vogël New Shepard.

Musk e uroi Bezos-in për debutimin e suksesshëm orbital./ atsh/ KultPlus.com

Shqipëria në panairin e turizmit ‘Fitur’ në Madrid nga 22-26 janar, mes 152 shteteve

Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike në Panairin Ndërkombëtar “Fitur” në Madrid,  i cili mbahet nga 22 deri në 26 janar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “edhe këtë janar, Shqipëria turistike e nis vitin me pjesëmarrjen në panairin gjigant të turizmit “Fitur” në Madrid me pjesëmarrjen e 152 shteteve dhe më shumë se 9000 ekspozuesve”.

“Vendi ynë qëndron krenarisht si një prej destinacioneve më atraktive në Europë , ku gjatë vitit të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme jo vetëm të vizitorëve nga Spanja, por edhe të atyre nga vendet e Amerikës së Jugut”, tha Kumbaro.

Nën sloganin “Albania, all senses”, Shqipëria synon të tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacone të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.

Shqipëria mori pjesë edhe vitin e kaluar në panairin “Fitur” në Madrid, ku tërhoqi në stendën e saj mijëra vizitorë, të cilët treguan interes për të vizituar vendin tonë.

Vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga 11.7 milionë vizitorë të huaj. Rimëkëmbja e Shqipërisë në turizëm është vlerësuar dhe promovuar fort edhe nga Organizata Botërore e Turizmit duke e përzgjedhur vendin tonë disa herë si qendër të ngjarjeve dhe vëmendjes së industrisë globale të udhëtimeve dhe duke e bërë Shqipërinë kryesuese të Barometrit të Turizmit./atsh/ KultPlus.com

106 vjet nga Konferenca e Paqes në Paris

Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar sot Konferencën e Paqes në Paris, e cila hapi zyrtarisht ka hapur punimet më 18 janar 1919.

Konferenca e Paqes në Paris u organizua nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore. Për të përfaqësuar kombin shqiptar, krahas delegacionit zyrtar të Qeverisë së Durrësit morën pjesë edhe delegacione të tjera nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut, si nga Federata Panshqiptare “Vatra” në Boston të SHBA, Partia Politike Shqiptare në SHBA, kolonitë shqiptare në Turqi, Rumani, Zvicër e vende të tjera.

Megjithëse, Shqipëria mbajti qëndrim asnjanës gjatë Luftës së Parë Botërore, Konferenca e Paqes nuk mori në konsideratë kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar për të ruajtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar si dhe për të rikthyer në favor të tij territoret shqiptare që ishin shkëputur më 1878 dhe në vitin 1913.

Shtetet fqinje kërkuan që të merreshin parasysh pretendimet e tyre territoriale mbështetur në Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit të vitit 1915. Në këtë konferencë nuk u mor parasysh parimi i kombësisë dhe as ai i vetëvendosjes.

Për të ardhmen e Shqipërisë u paraqitën disa projekte që fillonin që nga ngushtimi territorial e deri në zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta politike e Ballkanit. Në janar të vitit 1920 u hartua një një projekt për zgjidhjen e Çështjes së Adriatikut, i cili parashikonte aneksimin nga Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene e disa viseve veriore të Shqipërisë, por ky projekt ndeshi në kundërshtimin e presidentit amerikan U. Uillson./ KultPlus.com

‘Njerëzit më të çuditshëm që takova në Ballkan ishin virgjëreshat shqiptare…’ — Rrëfimi i eksplorueses britanike Rosita Forbes

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Janar 2025

“The Kyogle Examiner” ka botuar, të martën e 19 nëntorit 1929, në faqen n°3, rrëfimin ekskluziv të eksplorueses së famshme britanike Rosita Forbes për virgjëreshat shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zakonet shqiptare

Gratë që jetojnë si burra.

Burimi : The Kyogle Examiner, e martë, 19 nëntor 1929, faqe n°3
Burimi : The Kyogle Examiner, e martë, 19 nëntor 1929, faqe n°3

E sapoardhur nga malet e egra të kodrave primitive fisnore të Shqipërisë, zonjusha Rosita Forbes, eksploruesja e famshme, kohët e fundit e gjeti veten në kontrastin mbresëlënës të Londrës, e prirur për të bërë pushime mes çdo luksi të qytetërimit modern.

Më duket e çuditshme të shoqërohem me njerëzit e veshur mirë dhe konvencionalë të Londrës pas shoqërisë së çuditshme që sapo u largova”, tha Zonjusha Forbes në një intervistë. “Njerëzit më të çuditshëm që takova në Ballkan ishin virgjëreshat shqiptare. Këto janë gra që, sipas zakonit të fiseve malsore, janë fejuar para lindjes. Kur arrijnë moshën e martesës – 13 ose 14 vjeç – ato refuzojnë të fejuarin e tyre të zgjedhur dhe ndëshkohen duke u dënuar me beqari të përjetshme.

E para nga këto gra që takova më dha një nga surprizat më të mëdha të jetës sime”, tha zonjusha Forbes. “Ndërsa iu afrova një banese malsore, pashë duke qëndruar në mënyrë të pasigurt mbi një shkëmb atë që e konsideroja si burrë. Ai ishte i veshur me veshjen e zakonshme mashkullore të kodrave. Në kokë kishte një plis të bardhë. Ai kishte veshur një këmishë të bardhë pambuku dhe pantallona të bardha pambuku të lirshme me një brez të kuq në bel. Në këmbë mbante sandale të thjeshta, gjithashtu mbante një gjerdan fishekësh dhe një pushkë.

Papritur ai hodhi kokën pas, hapi gojën dhe lëshoi një bërtitje kaq të frikshme sa që venat dhe muskujt e qafës i dilnin si shufra hekuri. Ishte sinjali që po vinin të ftuarit dhe një sinjal gjithashtu shumë i nevojshëm. Sepse, në këtë vend të gjakmarrjes së përhershme, të shtënat janë të zakonshme, por është kodi i kodrave që një e shtënë nuk duhet të ndodhë kurrë në prani të një gruaje ose të një mysafiri. Kur vura re për vrazhdësinë e britmave që duhet të ketë zgjatur një milje ose më shumë, u habita kur mikpritësi im më tha se ai që ulërinte nuk ishte fare burrë, por një grua – një nga virgjëreshat shqiptare. Mësova,” tha zonjusha Forbes, “se kur këto vajza të fejuara refuzojnë të fejuarin e tyre, ato urdhërohen menjëherë të vishen dhe të jetojnë si burra. Ato hanë si burra, pinë si burra, flenë si burra. Ato gjithashtu duhet të mësojnë të qëllojnë dhe të luftojnë si burra, dhe pritet të marrin pjesë në gjakmarrje dhe kur është e nevojshme të vrasin si burra. E vetmja gjë që u ndalohet është të bëjnë dashuri.

Ndjenja e nderit personal midis fiseve malsore,” shpjegoi zonjusha Forbes, “është jashtëzakonisht e lartë dhe megjithëse nuk do të martohet, një virgjëreshë shqiptare konsiderohet ende si e fejuara e ligjshme e burrit me të cilin është fejuar. Në njëfarë kuptimi, virgjëreshat kanë shumë gjëra për të cilat duhet të jenë mirënjohëse. Duke jetuar si burra, gëzojnë shumë avantazhe dhe privilegje. Janë gratë ato që bëjnë pjesën më të madhe të punës, madje edhe duke u munduar nëpër fusha. Shqiptarët janë mikpritës idealë. Sipas një prej përshëndetjeve të tyre piktoreske, “një mysafir zotëron bukën, kripën dhe zemrën e tij.” Mikpritësi im në kodra flinte i armatosur me thikë dhe armë në prag të dhomës sime. Në rast se një mysafir vritet, shtoi zonjusha Forbes, mikpritësi duhet të hakmerret për nderin e tij duke marrë pesë jetë – atë të vrasësit dhe katër pjesëtarëve të fisit të tij. Shqiptarët janë njerëzit më të dashur dhe më të sjellshëm. Ata kanë respekt të jashtëzakonshëm për anglezët. Askush nuk mund të bëjë më shumë për mua. Takova mbretin Zog të Shqipërisë. Ai është një burrë simpatik rreth të tridhjetave që po bën një punë të mrekullueshme duke qytetëruar dhe modernizuar vendin e tij.”/ KultPlus.com

Rosita Forbes, eksploruese dhe shkrimtare britanike (1890 – 1967)

Shkodra në mëngjese

Poezi nga Ernest Koliqi

Këndojnë’ s’bashku n’mëngjes pes’ kumbanore
Këndojnë’ n’ajri mbi Shkodër ende fjetë:
Mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh n’liqe synin e qetë.

Përhap lajmin e zgjimit rrezja e parë
T’parat përshëndetje dridhen n’heshti letë,
E shpejt n’at lavdi, që e vesh’ fare,
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell pranvere i ri shprazet n’shtëpija,
Udha e lulishta, tue ngjall’ ngjyra e shkëndija,
Tue mbshtjell’ gjithçka si nji tis ari, i hollë,

skaj n’skaj si lum gzimi tue rrëshqitë
n’sytë e vashave qeshë, e mbush’ me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojn’ n’shkollë./KultPlus.com

Fjalimi i rrallë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu

Ai lindi në vitin 1405 dhe ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).

Kur lindi Gjergji, i ati Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Për ditën e vdekjes së Gjerg Kastriotit ka shumë legjenda dhe pak burime historike serioze.

Gjithsesi studiuesi i kësaj periudhe veçanërisht i jetës së Skënderbeut, Aurenc Bebja që jeton dhe punon prej vitesh në Francë ka mundur të zbulojë vitin e shkuar, një tekst të botuar 238 vite më parë në Gjermani ku përshkruhen fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes.

Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt.

Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve.

Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti:

“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj.

Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.

Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj.

Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…

Krijoni vendshkrime të pacensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë.

Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.

Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje.

Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj.

Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin.

Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…

Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të
Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…

Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë.

Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë

Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht.

Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…

Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashëgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtat politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës.
Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka.

Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer.
Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi.

Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij…

Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur.

Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit./ KultPlus.com

‘O moj bukuroshe, synin kur ta pashë’ (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha është emri i këngëtares së njohur shqiptare e që ndryshe njihej si Bilbili i Kosovës.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Ajo u nda nga jeta një vit më parë duke e lënë pas vetës një grumbull këngësh që janë dëgjuar e vazhdojnë të dëgjohen me ëndje edhe në ditët e sotme.

Sot KultPlus ua sjell videon dhe tekstin e këngës ‘O moj bukuroshe’ në interpretim të Nexhmije Pagarushës.

O moj bukuroshe,
Synin kur ta pashë,
At ditë kur kalojshe
Dy, tri fjalë t’i thashë.

Ref.:
Hajde shpirt-o ti,
Hajde shpirti im!
Se pa ty jeta
Asht e zbrazët gjithnjë.

Dy, tri fjalë të ambla
Për dashninë e parë.
S’bashkut me të tana
Zemrën ty ta dhashë.
Ref.::

Hajde shpirt-o ti,
Hajde shpirti im!
Se pa ty jeta
Asht e zbrazët gjithnjë./ KultPlus.com

Niçe: Duhet të kesh kaos përbrenda për t’i dhënë jetë një ylli vallëzues

“Nuk jam i hidhëruar me ju sepse më keni gënjyer, jam i mërzitur sepse nga tani e tutje nuk mund të ju besojë më.”

“Ata shiheshin duke vallëzuar, mendoheshin si të çmendur prej atyre që s’mund ta dëgjonin muzikën.”

“Ti ke rrugën tënde, unë rrugën time. Sa për rrugën e drejt, rrugën e duhur, ajo nuk ekziston.”

“Duhet të kesh kaos përbrenda për t’i dhën jetë një ylli vallëzues.”

“Ndonjëherë njerëzit nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën sepse nuk duan që iluzionet e tyre të shkatërrohen.”

“Njeriu i dijes jo vetëm që duhet të jetë në gjendje t’i dojë armiqt e vetë, por gjithashtu edhe ti urrejë miqt e vetë.”

“Nuk mund të besoj në një Zot i cili përgjatë gjithë kohës dëshiron të jetë i lavdëruar.”

“Kur jemi të lodhur, ne sulmohemi nga idetë të cilat i kemi pushtuar shumë kohë më parë.”

“Gjarpëri që nuk mund ta flak tutje lëkurën e tij, vdes. Njësoj është edhe me mendjet të cilat pushojnë së ndryshuari mendimet e tyre; ato pushojnë së qenuri mendje.”

“Tek individët, marrëzia është e rrallë; mirëpo tek grupet, partitë, kombet dhe epokat, ajo është rregull.”

“Përparësia e një kujtese të dobët është se njeriu, i shijon disa herë gjërat e njejta sikur për herë të parë.”

“Njeriu është kafsha më mizore.”

“Besimi: të mos duash ta dish cila është e vërteta.”

“Një shëtitje e zakonshme nëpër çmendinë tregon se besimi nuk vërteton asgjë.”

“Keni kujdes kur i luftoni bishat, që edhe ju vetë të mos bëheni bishë pastaj…. Sepse kur e vështron me ngulm për kohë të gjatë humnerë, edhe humnera ju vështron juve.”

“Nuk ekzistojnë sipërfaqe të bukura pa thellësitë e tmerrshme.”

“Në botë ekzistojnë dy lloje njerëzish: ata që duan të dijn dhe ata që duan të besojnë.”

“Ajo që është bërë nga dashuria, është gjithmonë përtej së mirës dhe së keqe.”

“Heshtja është më e keqja; të gjitha të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese.”

“Fijet e padukshme janë lidhëset më të forta.”

“I vetmuari i’a zgjat dorën shumë shpejt kujtdo që e ndesh.”

“Ndoshta unë e di se përse vetëm njeriu qesh; vetëm ai vuan aq thellë sa që i është dashur ta shpik qeshjen.”

“Në fund të fundit është dëshira, dhe jo e dëshiruara ajo që e dashurojmë.”

“Edhe sot si gjithmonë, njerëzit ndahen në dy grupe: skllevërit dhe të lirët. Kushdo që nuk i ka 2/3 e ditës për veten e vetë, është skllav, pavarësisht nëse është burrështetas, biznesmen, zyrtarë ose profesor.”

“Ata e turbullojnë ujin për t’u dukur më i thellë.”

“Ekziston më shumë mençuri në trupin tuaj se sa në filozofinë tuaj më të thellë.”

“Në të vërtetë, shpresa është më e keqja sepse ajo i zgjat vuajtjet e njeriut.”

– Friedrich Nietzsche

Çka ndodhi nëpër botë më 17 janar

1917 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia paguajnë Danimarkës 25 milionë dollarë për ishujt e Virgjëra.

1945 – Forcat sovjetike marrin qytetin pothuajse tërësisht të shkatërruar të Varshavës.

1945 – Nazistët fillojnë evakuimin e kampit të përqendrimit Auschwitz me afrimin e forcave sovjetike.

1946 – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mban seancën e parë.

1966 – Një aeroplan bombardues “B-52” përplaset me një “KC-135 Stratotanker” gjatë fluturimit mbi Spanjë, duke hedhur kështu tri bomba bërthamore 70-kilotonëshe në afërsi të qytetit Palomares dhe një tjetër në det.

1989 – Policia arreston shkrimtarin, Vaclav Havel, në Pragë.

1991 – Operacioni “Stuhia e shkretëtirës” fillon në orët e hershme të mëngjesit. Iraku hedhë tetë raketa “Scud” në Izrael në një përpjekje të pasuksesshme për të provokuar kundërpërgjigjen izraelite.

1991 – Harald V shpallet Mbret i Norvegjisë me rastin e vdekjes së babait të tij, Olav.

1996 – Republika Çeke aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

1998 – Paula Jones akuzon presidentin amerikan, Bill Clinton, për abuzim seksual.

2002 – Mali Nyirangongo shpërthen në Republikën Demokratike të Kongos, duke nxitur evakuimin e 400.000 personave.

2005 – George W. Bush inaugurohet për mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës./ KultPlus.com

Gjykata Supreme në ShBA miraton ligjin që e ndalon TikTok-un

Gjykata e Lartë e SHBA-së hodhi poshtë një apel të minutës së fundit nga TikTok që kërkon të bllokojë një ligj që do të ndalonte aplikacionin në Shtetet e Bashkuara, nëse nuk shitet nga kompania e saj mëmë kineze.

Gjyqtarët hodhën poshtë argumentin e TikTok se ligji aplikacioni shkel mbrojtjen e fjalës së lirë në Kushtetutë.

Kjo ishte në përputhje me vendimin e një gjykate më të ulët se ligji përputhet me praktikat e vendosura rregullatore dhe se Kongresi i SHBA nuk kishte ndërmend të shtypte tema specifike të diskutimit.

Platforma popullore me 170 milionë përdorues në Shtetet e Bashkuara mund të hiqet nga app-et e aplikacioneve të vendit të dielën, një ditë para se Donald Trump të kthehet në presidencë, megjithëse hapat e ardhshëm mbeten të paqartë.

Presidenti Joe Biden nënshkroi ligjin e ndalimit ose shitjes prillin e kaluar pasi u miratua nga Kongresi për arsye të sigurisë kombëtare.

Ligjvënësit kanë frikë se qeveria kineze mund të fitojë akses në sasi të mëdha të të dhënave personale dhe të përdorë platformën për të ushtruar ndikim politik./KultPlus.com

Sula propozon katër shtylla bashkëpunimi të AIDSSH me “Vila 31 x Art Explora”

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) kërkon të bashkëpunojë me Shoqatën që administron Vilën 31, e njohur sot si “Vila 31 x Art Explora”.

Në një reagim për mediet, kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, thekson se bashkëpunimi merr një rëndësi të veçantë për shkak të rolit historik të kësaj vile. Ajo ka shërbyer fillimisht si banesë e pronarëve të përndjekur dhe më pas si rezidencë e Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës, dy prej figurave kryesore të regjimit diktatorial në Shqipëri.

“Sot, si Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kam një propozim të hapur për bashkëpunim me Shoqatën që administron Vilën 31, e njohur si ‘Vila 31 Art Explora’. Kjo vilë ka një histori të pasur, duke qenë fillimisht banesa e pronarëve të përndjekur dhe më pas rezidenca e Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës. Koçi Xoxe dhe Enver Hoxha ishin dy nga figurat kryesore të regjimit komunist në Shqipëri, ku rolet e tyre në shtypjen dhe persekutimin e kundërshtarëve politikë janë të dokumentuara gjerësisht,” shkruhet në reagim.

Gentiana Sula argumenton më tej se, “Koçi Xoxe, si Ministër i Brendshëm, drejtonte Sigurimin e Shtetit, një organ që u bë sinonim i represionit dhe terrorit gjatë viteve të para të komunizmit. Nën drejtimin e tij, Sigurimi i Shtetit zhvilloi fushatat e para të mëdha kundër ‘armiqve të klasës’, duke përdorur metoda si arrestime pa gjyq, tortura dhe ekzekutime. Xoxe ishte i njohur për zellin në zbatimin e politikave të Hoxhës, duke i dhënë një fytyrë të errët regjimit të ri në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Enver Hoxha ishte udhëheqësi suprem i Shqipërisë komuniste dhe arkitekti kryesor i politikave që përcaktuan fatin e vendit për dekada. Ai personalisht nënshkruante vendimet dhe platformat që çonin në shtypjen e opozitës, kolektivizimin e dhunshëm dhe izolimin e Shqipërisë nga bota. Dokumentet historike tregojnë se Hoxha shpesh miratonte me dorën e tij arrestime, dënime të rënda, tortura dhe madje ekzekutime, duke treguar përgjegjësinë e tij direkte për krimet e regjimit komunist”.

Në vijim të reagimit, Sula propozon disa hapa për të pasuruar përvojën e vizitorëve në këtë vend historik.

Ajo propozon “organizimin e një ekspozite të përkohshme që eksploron jetën private të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes në kontekstin e rolit të tyre drejtues dhe urdhërues në survejimin, kontrollin, përndjekjen dhe terrorin e ushtruar nga Sigurimi i Shtetit; Mbajtja e workshop-eve dhe seminareve mbi ndikimin e diktaturës në kulturën dhe artin shqiptar, duke theksuar propagandën dhe censurën; Krijimi i materialeve informuese për të dhënë një pasqyrë më të plotë të periudhës së komunizmit në Shqipëri; Shtimi i tureve të specializuara, me histori dhe dëshmi të bazuara në dosjet e Sigurimit, për një edukim historik më të thelluar.

“Vila 31 x Art Explora”, u çel një ditë më parë për publikun. Në ceremoninë e organizuar për hapjen e rezidencës artistike “Vila 31 x Art Explora”, kryeministri Edi Rama vlerësoi projektin e realizuar nga arkitektët francezë, të cilët e kanë transformuar këtë hapësirë me fantazi, në një hapësirë që ka një program diametralisht të ndryshëm nga ai që ishte më parë.

Rama tha se, “kjo vilë është një mundësi e jashtëzakonshme që krijohet për artistët e rinj shqiptarë, të rajonit dhe nga gjithë bota për t’u takuar së bashku në një hapësirë ku secili ka zonën e pavarësisë së vetë të plotë dhe të gjithë bashkë kanë edhe hapësirën e përbashkët”.

Ambasadorja e Francës në Tiranë, Catherine Suard, e pranishme në ceremoninë e hapjes së vilës deklaroi se, “rezidenca artistike “Vila 31 x Art Explora” është më shumë se sa një hapësirë e thjeshtë pune për artistët”.

“Vila 31 x Art Explora” e  fut Tiranën në rrjetin e platformave të mëdha të artit bashkëkohor. “Vila 31” është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Francës dhe Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Poezia e Ismail Kadaresë për Skëndërbeun

Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë./KultPlus.com

‘Fletë testamenti’ nga Jusuf Gërvalla

Jusuf Gërvalla

Në zgjimin tim të heshtur të më ngurosin
në flijimin tim të begatshëm të verës
në nisjen time në fillimin tim të ri
në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë
le të më puthë rrezja e qartë ngazëllyese
e druvarit të fjetur në rudinë
myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë
emër të mos ketë e shkronja le të flasë
në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë
guaca e kërminj le të vijnë për dasmë
mbi rrasën time
le të shtrihen edhe ata si dy yje
ftohtë le të bëjë dimrit e verës verë
e me një pikë ujë verdhësisë së barit tim
le t’i mëshirohen
vërmeni atje tek do të tregojë guri për udhën
deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë
le të thyhet çdo pasqyrë që ka ballsamosur
ballin tim e mërrolën e çastit plot mllef
se ja tek po zgjohet er’ e re e dashurisë
së tokës
se jam i parrezikshëm kaq i pafuqishëm
mumje përfytyrim që krahasohet me rrahun
tek do të më vini përsëri ju pas
le të më lënë të fle qetë si pranë stufe dimrit
të madh të dashurisë sime
nuk do të përpëlitem s’do të rrotullohem
s’do të shplohem natën nuk do të kollitem
me fjalët e mia le të më mallkojnë
në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë
në duart që i kam prekur le të më lëshojnë
rrjedhës të qetë të fatit që pret
shigjet e mërisë le të bjerë mbi dhe
në shkretëtirën e moskuptimit le të fiket
kurrë të mos vijnë kur unë nuk i pres
ata që tërë jetën i prita, të dashurit
ç’po flas kështu pash’ zotin?/ KultPlus.com

Si do të jenë smartfonët e 2025-s

Viti 2025 premton të jetë një vit i risive të mëdha në botën e teknologjisë: telefonat celularë që do të përdorim mund të jenë shumë të ndryshëm nga ata që kemi njohur deri më tani.

Apple, Samsung, Google, Xiaomi, Huawei, Honor dhe Oppo janë gati të nisin shumë revolucione të vogla që do të ndryshojnë mënyrën se si ne ndërveprojmë me pajisjet celulare.

Për çfarë bëhet fjalë? Këtu janë disa risi interesante.

Bateri silikoni

Ata që e përdorin telefonin e tyre për një kohë të gjatë si një mjet pune ose studimi, vështirë se do të jenë në gjendje ta përballojnë atë gjatë ditës pa pasur nevojë për një nxitje të vogël duke e futur pajisjen në karikim.

Ky skenar mund të ndryshojë së shpejti falë teknologjisë së silikonit, me të cilën kompani si Oppo dhe Honor po zhvillojnë bateri të afta për të përmirësuar performancën e modeleve aktuale deri në 34%.

Ekrane të palosshme dhe të tredimensionale

Ekranet e palosshme janë tashmë një realitet, por në vitin 2025 mund të shohim një evolucion edhe më të guximshëm, falë mbërritjes në treg të ekraneve “të trefishta” dhe të rrotullueshme.

Në praktikë, një smartphone kompakt do të shndërrohet në një tabletë 10 inç në pak sekonda: Huawei ka lançuar tashmë Mate XT, një model i trefishtë që ka ngjallur interesin e tregut, ndërsa Samsung dhe prodhues të tjerë po zhvillojnë zgjidhje të reja për të mos të lihen mbrapa.

Sfida për të përcaktuar “formatin ideal” sapo ka filluar.

Por sfida e vërtetë për prodhuesit e smartfonëve do të jetë të propozojnë asistentë dixhitalë gjithnjë e më efikasë, të aftë për të komunikuar me përdoruesin dhe për të zgjidhur problemet reale, pak si në filmin kult ”Her” nga Spike Jonze.

Epoka e re ”ultra”

Kategoria “ultra” është bërë sinonim i telefonave inteligjentë premium, por modelet ultra aktualisht shquhen me vetëm disa veçori, të tilla si një dizajn ekskluziv.

Megjithatë, në vitin e ri, prodhuesit mund ta ripërcaktojnë këtë standard me novacione të tilla si ekrane të rrotullueshme, bateri më të mëdha dhe përvoja të reja fotografike.

Një shembull konkret është Xiaomi 13 Ultra, i cili integron një kamerë kryesore me hapje të ndryshueshme për shkrepje më profesionale dhe një bateri të optimizuar për përdorim më intensiv.

Më shumë butona dhe funksione

Dhe së fundi, një kthim në të kaluarën: një përdorim më i madh dhe më i përhapur i butonave fizikë, një nga tendencat më të papritura për vitin e ri.

Apple prezantoi një buton të dedikuar të kamerës me iPhone 16 dhe Oppo ndoqi shembullin me Find X8. Këta butona jo vetëm që e bëjnë më të lehtë aksesin në kamerë, por mund të programohen edhe për të kryer funksione të ndryshme.

Ripopullarizimi i kësaj praktike të thjeshtë por efektive të personalizimit të kontrolleve mund të ndryshojë mënyrën se si i përdorim telefonat inteligjentë, duke na ofruar një përvojë gjithnjë e më intuitive./KultPlus.com

VanHorn në Durrës: Mbrojmë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë për brezat e ardhshëm

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn zhvilloi sot një vizitë në Durrës.

Në njoftimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë thuhet se gjatë kësaj vizite, VanHorn vizitoi kullën C të Kalasë së Durrësit, ku pas tërmetit të vitit 2019, Ambasada e SHBA-së bashkëpunoi me “Trashëgiminë Kulturore pa Kufij” për të restauruar sitin përmes Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore.

“Gjatë vizitës së saj, VanHorn foli me partnerët e Ambasadës së SHBA-së, ndërsa në fokus mbetet vazhdimi i punës së rëndësishme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në rrjetet sociale.

Nga vizita e Të Ngarkuarës së SHBA-ve,Nancy VanHorn në Durrës./KultPlus.com

Screenshot

Legjenda e aktrimit, Joan Plowright vdes në moshën 95-vjeçare

Dama Joan Plowright, një nga yjet më të njohura të skenës dhe ekranit britanik ka vdekur në moshën 95-vjeçare, sipas BBC.

Karriera e saj zgjati 60 vjet dhe përfshin një nominim për cmim Oscar për filmin e vitit 1991 “Enchanted April”.

Ajo u martua me akrorin dhe regjisorin e njohur britanik, Laurence Olivier në vitin 1961 – pasi u njohën dhe luajtën së bashku në “The Entertainer” – dhe u bë një anëtare drejtuese e Teatrit Kombëtar, të cilin ai e themeloi.

E lindur në Scunthorpe, Plowright u shfaq për herë të parë përballë Olivier në “The Entertainer” me regji të John Osborne në 1957.

Në atë kohë, ai ishte ende i martuar me yllin e “Gone With The Wind”, Vivien Leigh, dhe Plowright ishte e martuar me bashkëshortin e saj të parë, Roger Gage.

Plowright dhe Olivier ranë në dashuri, dhe partneriteti i tyre në aktrim çoi në nominimin e të dyve për çmim Bafta për versionin filmik të “The Entertainer”, i cili doli në vitin 1960.

Atë vit, Plowright gjithashtu u bë e njohur në SHBA në “A Taste of Honey në Broadway”, duke fituar një çmim Tony për performancën e saj.

Dramat e tjera të saj të shquara përfshijnë “Saint Joan” me regji të George Bernard Shaw; “Joan of Arc”, në 1963, për të cilën ajo u nominua si aktorja më e mirë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Evening Standard Theatre Awards”.

Ajo fitoi një çmim “Society of West End Theatre Award” – që në 1984 – u  quajtën çmimet “Olivier” – për nder të aktorit dhe regjisorit anglez Laurence Olivier.

Po atë vit, ajo u nominua për një tjeter çmim Bafta për performancën e saj në versionin filmik të “Equus” së bashku me Richard Burton.

Në “Enchanted April” – roli i saj si zonja Fisher, elegante por e mërzitshme, i dha asaj çmimin “Globi i Artë”, si dhe një nominim për çmim Oscar si aktorja më e mirë në rol dytësor në 1993./KultPlus.con

Presidentja Osmani bën homazhe në Dubovik për nder të Jusuf e Bardhosh Gërvallës si dhe në Prishtinë tek busti i Kadri Zekës

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, sot në mëngjes bëri homazhe në Dubovik për nder të Jusuf e Bardhosh Gërvallës si dhe në Prishtinë tek busti i Kadri Zekës.

Me këtë rast Presidentja deklaroi:

“Sot, sikurse çdo vit, në Dubovik për t’i nderuar patriotët Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, të cilët 43 vjet më parë, së bashku me Kadri Zekën, u vranë pabesisht në një atentat në Gjermani. Vrasja e tyre ishte një përpjekje për t`i shuar këta zëra të fuqishëm të kauzës dhe rezistencës sonë kombëtare. Por, historia e ka dëshmuar se e vërteta dhe idealet nuk mund të vriten asnjëherë.

Lavdi jetës dhe veprës së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës!”/KultPlus.com

Zbulohet luksi spektakolar i të pasurve në Pompei ku përfshihen spa private

Në qytetin e lashtë romak të Pompeit, në Itali – arkeologët kanë zbuluar një banjë private luksoze – potencialisht më e madhja e gjetur ndonjëherë atje – e kompletuar me dhoma të nxehta, të ngrohta dhe të ftohta – vepra arti të shkëlqyera dhe një pishinë të madhe, sipas BBC.

Kompleksi i ngjashëm me banjën ndodhet në zemër të një rezidence madhështore të zbuluar gjatë dy viteve të fundit gjatë një gërmimi të madh.

“Këto hapësira janë me të vërtetë pjesë e ‘efektit të Pompeit’ – është pothuajse sikur njerëzit të ishin larguar vetëm një minutë më parë”, tha Dr. Gabriel Zuchtriegel, drejtor i Parkut Arkeologjik të Pompeit.

Analiza e dy skeleteve të zbuluara në shtëpi tregon, gjithashtu tmerrin me të cilin u përballën banorët e Pompeit kur Mali Vezuv shpërtheu në vitin 79 pas lindjes së Krishtit.

Trupat i përkisnin një gruaje, të moshës 35-50 vjeç, e cila mbante stoli dhe monedha, dhe një burri më të ri në adoleshencë ose në fillim të të 20-tave.

Ata e kishin barrikaduar veten në një dhomë të vogël, por u vranë për shkak të një tsunami të shkaktuar nga gazi vullkanik i mbinxehur dhe hiri – i njohur si një rrjedhë piroklastike – që shpërtheu nëpër qytet.

“Ky është një vend dramatik, dhe gjithçka që gjeni këtu ju tregon për dramën”, tha Dr. Ludovica Alesse, përgjegjëse për mirëmbajtjen e Pompeit.

Një e treta e qytetit antik ende qëndron e fshehur nën mbeturinat vullkanike nga katastrofa, por gërmimi i ri – më i madhi në një brez – ofron njohuri të reja në jetën e lashtë romake.

Një bllok i tërë i Pompeit tani është zbuluar, ku shfaqet një lavanderi dhe furrë buke, si dhe një shtëpi të madhe private.

Mendohet se të gjitha këto ishin në pronësi të një individi të pasur, ndoshta Aulus Rustius Verus, një politikani me ndikim në Pompei.

“Zbulimi i banjës është konfirmim i mëtejshëm i statusit të tij elitar”, tha Dr. Zuchtriegel.

“Ka vetëm disa shtëpi që kanë një kompleks banjosh private, kështu që ishte diçka me të vërtetë për më të pasurit e të pasurve”, tha ai.

“Dhe kjo është kaq e madhe – ndoshta është kompleksi më i madh i banjës në një shtëpi private të Pompeit”, shtoi ai.

Ata që kishin fatin të përdornin suitën e dhomave të banjës duhet të ishin zhveshur në një dhomë zhveshjeje me mure të kuqe të ndezura dhe një dysheme mozaiku të mbushur me modele gjeometrike të zbukuruara me mermer nga e gjithë Perandoria Romake.

Më pas, ata do të hynin në dhomën e nxehtë, duke u zhytur në një banjë dhe duke shijuar ngrohtësinë si sauna, e siguruar nga një dysheme e varur që lejonte ajrin e nxehtë të rrjedhte poshtë dhe muret me një zgavër ku nxehtësia mund të qarkullonte.

Ata do të lëviznin në dhomën e ngrohtë të lyer me ngjyra të ndezura, ku vaji do të fërkohej në lëkurë, përpara se të fërkoheshin me një instrument të lakuar të quajtur “strigil”.

Në fund, ata do të hynin në dhomën më të madhe dhe më spektakolare nga të gjitha – “frigidarium”, ose dhomën e ftohtë.

E rrethuar nga kolona të kuqe dhe afreske, një vizitor mund të freskohej në pishinën e zhytjes, në të cilën mund të qëndronin 20-30 njerëz.

“Në verërat e nxehta, ata mund të fusnin këmbët në ujë, duke biseduar me miqtë – ndoshta duke shijuar një filxhan verë”, tha Dr. Zuchtriegel.

Banja është gjetja e fundit që është zbuluar nga kjo shtëpi e jashtëzakonshme.

Vitin e kaluar, u gjet një dhomë e madhe banketi me mure të zeza dhe vepra arti mahnitëse të skenave klasike.

Një dhomë më e vogël, më intime – e lyer me ngjyrë blu të zbehtë – ku banorët e shtëpisë shkonin dhe u luteshin perëndive u zbulua, gjithashtu.

Rezidenca ishte në mes të rinovimit – mjetet dhe materialet e ndërtimit janë gjetur kudo. Në dhomën blu, u gjendën një grumbull guaskash deti në dysheme, gati për t’u bluar dhe aplikuar në mure për t’u dhënë atyre një shkëlqim të ylbertë.

Pranë kësaj hapësire të bukur, në një dhomë të ngushtë me pothuajse asnjë dekorim, u bë një zbulim i zymtë – eshtrat e dy Pompeianëve që nuk kishin arritur të shpëtonin nga shpërthimi.

Skeleti i një gruaje u gjet i shtrirë në majë të një shtrati, i përkulur në një pozicion fetusi. Trupi i një burri ishte në cep të kësaj dhome të vogël.

“Rrjedha piroklastike nga Vezuvi shkaktoi shembjen e një muri, dhe kjo në thelb i kishte shtypur ata për vdekje”, tha Dr. Sophie Hay, një arkeologe në Pompei.

“Gruaja ishte ende gjallë ndërsa ai po vdiste – imagjinoni traumën – dhe më pas kjo dhomë u mbush me pjesën tjetër të rrjedhës piroklastike, dhe kështu ajo vdiq’, shtoi ajo.

Analiza e skeletit mashkullor tregoi se pavarësisht moshës së tij të re, kockat e tij kishin shenja konsumimi, gjë që sugjeronte se ai ishte i një statusi më të ulët, ndoshta edhe një skllav.

Gruaja ishte më e vjetër, por kockat dhe dhëmbët e saj ishin në gjendje të mirë.

“Ajo ishte ndoshta më e lartë në shoqëri”, tha Dr. Hay.

“Ajo mund të ketë qenë gruaja e pronarit të shtëpisë – ose ndoshta një asistente që kujdesej për gruan, ne nuk e dimë”, shtoi ajo.

Një shumëllojshmëri artikujsh u gjetën në një tavolinë prej mermeri në dhomë – enë qelqi, enë bronzi dhe qeramikë – ndoshta të sjella në dhomën ku dyshja ishin strehuar duke shpresuar të prisnin shpërthimin.

Por, janë sendet e kapura nga viktimat që janë me interes të veçantë. I riu mbante disa çelësa, ndërsa gruas së moshuar iu gjetën monedha ari dhe argjendi dhe bizhuteri.

Këto mbahen në kasafortën e Pompeit, së bashku me gjetjet e tjera të çmuara të qytetit.

Dr. Sophie Hay e përshkruan kompleksin e banjës private si një zbulim që ndodh – një herë në një shekull – i cili gjithashtu hedh më shumë dritë mbi një anë më të errët të jetës romake.

Pas dhomës së nxehtë ndodhet një dhomë kazan. Një tub sillte ujë nga rruga – me një sasi të vogël që derdhej në pishinën e ftohtë – dhe pjesa tjetër ngrohej në një kazan plumbi të destinuar për dhomën e nxehtë.

Valvulat që rregullonin rrjedhën duken aq moderne sa mund t’i ndizni dhe fikni edhe sot.

Me një furrë të ulur poshtë, temperaturat në këtë dhomë do të kishin qenë të nxehta dhe të padurueshme për skllevërit që duhej të mbanin të gjithë sistemin në këmbë.

“Gjëja më e jashtëzakonshme nga këto gërmime është kontrasti i thellë midis jetëve të skllevërve dhe të pasurve”, tha Dr. Sophie Hay.

“Dallimi mes jetës luksoze të banjës, krahasuar me dhomën e furrës, ku skllevërit ushqenin zjarrin duke munduar gjithë ditën. Një mur është gjithçka që mund t’ju ndajë midis dy botëve të ndryshme”, tha ajo./KultPlus.com