Sot bëhen 557 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Skënderbeu gjithmonë e nënshkroi veten si Zot i Arbërisë, dhe nuk pretendoi tituj të tjerë përveç tij në dokumentet zyrtare.
Një anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme.
Ai u ngrit sipas gradave, duke kulminuar në emërimin si sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçit. Në vitin 1444, ai u emërua prijës i Lidhjes së Lezhës, që konsolidoi fisnikërinë në atë që sot është Shqipëri.
Përkundër vlerës së tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10,000 anëtarëshe e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara. Gjë për të cilën u admirua. / KultPlus.com
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve.
Edhe pse kanë kaluar 43 vite, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht me ta.
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.
Atentati ka ndodhur derisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë pre tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit. Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur.
Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.
Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.
Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë:”Ka qenë UDB-ja”.
Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.
Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”, shkruan KP. Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite.
Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme./ KultPlus.com
Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” në Gjilan e cila organizohet prej shumë vitesh, do të mbahet një ekspozitë grupore e artit pamor, “Peneli i Flakës” me kurator Burim Myftiu.
Ekspozita do të mbahet sot, më 17 janar, duke filluar nga ora 19:00, në Galerinë e Arteve në Gjilan.
Ndër pjesëmarrësit e ekspozitës do të jenë Ahmet Gashi, Arianit Lakna, Audorela Elezi, Besim Gashi, Daut Hamolar, Agron Mulliqi, Zejnullah Zejnullahu e shumë të tjerë./KultPlus.com
Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka njoftuar se ajo dhe organizata e saj janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025.
“Jam thellësisht e lumtur dhe e nderuar se unë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) jemi nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ky vendim për nominim, i propozuar nga deputeti i Parlamentit Suedez, z.Magnus Jakobsson më mbush me emocione të papërshkrueshme dhe mirënjohje të thellë”, bënë të ditur drejtoresha e QKRMT-së Rushiti.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka falënderuar deputetin suedez, Jacobsson, për besimin e tij në misionin e saj.
“Ky moment është një arritje e madhe për mua, ekipin e jashtëzakonshëm të QKRMT-së, dhe mbi të gjitha, për të mbijetuarit që kemi privilegjin t’u shërbejmë tash e 25 vjet. Ky moment i veçantë, na frymëzon të vazhdojmë përpjekjet tona kolektive, duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit”, shkruan turje Rushiti.
Ajo falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij çerekshekulli të punës e tyre.
“Ky moment na takon të gjithë neve që besojmë në një botë më të drejtë dhe paqësore”, shkruan Rushiti.
Haki Stërmilli (17 maj 1895 -17 janar 1953) ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar me dekret të Ahmet bej Zogollit në atë kohë, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.
U lind në Dibrës ku mori mësimet e para, shkollimin e mesëm e nisi në Manastir por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, Hakiu u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit, e gjithashtu mësues personal i motrave Zogolli.
Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922. Ai u dekretua më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Ndërsa si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Hakiu qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogollit dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.
Pas Lëvizjes së qershorit, Hakiu merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Ll. Fundo kryetar. Me rikthimin e Zogollit dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik ku u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n. Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg.
Më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalur nga kongresi komunist të Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Më 28 maj 1950 u zgjodh deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. Vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngate të gjatë, duke qenë edhe deputet i Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor.
Në shtyp dhe botime mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve të ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, republikanizmit dhe të drejtave të femrave.
Ishte autor i tre romaneve, mbi 30 tregimeve të shkurtëra, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe disa dyzina artikuj publicistikë. Vepra e tij më e njohur është Sikur t’isha djalë (1936).
Romani Sikur të isha djalë është ndoshta i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. 21, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës./KultPlus.com
E ka parë kush Aurorën, motërzën time, vallë? Ajo është nusja ime, ndaj atë dua ta kem prapë. Ne po kërcenin bashkë. Pastaj erdhi murlani Dhe ma mori të ngratit. E pra unë e di se ç’pati: Ajo është e bukur tejet, Dhe gjithë prej ajri! Shtatin kaq latuar e flatrat kaq praruar Dhe në skaje flatrat sipër Plot me lajlelulexhingëlamingël! “”
Seç ia behu Aurora mu tek unë flakërimë, Qull e lagur, krahët thyer, e pafrymë. “Oh Zot!” thirri ngjethshëm, me ankth e drojë, “Ç’kohë janë, vallë, këto që ne jetojmë! Vetëm hidhërim dhe pikëllim miliona herë, Dhe frikë, dhe zemërim dhe vuajtje paprerë! Papritur në çast: Rashë në lum sakaq. Dhe po të mos ishte mrekullia vetë Pra, më s’do kishe dëgjuar për mua në kët jetë; Dhe unë nuk do të isha ulur më atje. – Çfarë mendoni se ka ndodhur, de?
Dy njerëzushë shumë të bukur pak të bardhë, sa unë kurrë nuk kam parë të tillë kaq të bardhë, U ngjitën deri në lum me mamanë e tyre krah për krahu bashkë.
Unë nuk e di si quheshin dhe kush ishin vallë. Në kokë në vend të flokëve ata kishin ar, Dhe gojë të vogël! – Gojë të vogël! Të thashë ty! Për gjiri! Dhe në sytë e tyre ata manushaqe kishin. – Papritmas, gruaja e bukur mua m’u vërvit zëçjerrë: “Ah, pa shihni atje në ujë,” bërtiti ajo, “kafsha e mjerë! Si përpëlitet dhe përplaset nëpër shtjellë Dhe me brirëthit lutet e kërkon ndihmesë! ”
Dhe djemtë e mirë kishin një fletë në duar E me të katra për tek unë u çapëluan Gati me një frymë. Ata mua më shtynë Dhe në breg me butësi edhe kujdes më nxorrën mua.”
“Dhe të ndriçoi ideja T’i falënderosh nga zemra?”
“Oh, nuk arrita dot ta shqiptoj falenderimin, do pranuar hapur: Në frikë dhe përshtjellim e pashë veten të kapur! ”
” E pra, kjo shihet qartë me sy! – Uluni për pak çaste Tek këto manushaqe Dhe thani kockat mirëfilli Nën këto rreze dielli. Më pas fluturojmë për në shtëpinë e njerëzve Dhe iu trokasim shpëtimtarëve të jetës tënde. Ty të pëlqen në gojët e tyre të vogla të shuash etjen. Por kryesorja, ata sytë e saj të manushaqtë I puth unë tashmë vetë, njëzet e katër herë pa ndarë. Ajo e ka merituar atë. Mos jini ziliqarë! “./KultPlus.com
Këngëtari kanadez The Weeknd ka shtyrë publikimin e albumit të tij të ri “Hurry Up Tomorrow” nga 24 janari në 31 janar për shkak të zjarreve që kanë shpërthyer në Los Anxhelos.
Gjithashtu, paraqitja e tij e vetme e planifikuar në Rose Bowl në Qytetin e Engjëjve më 25 janar u anulua.
“Ky qytet ka qenë gjithmonë një burim i thellë frymëzimi për mua”.
Në një postim në Instagram, këngëtari thotë se ky vendim është marrë “në respekt të banorëve të Los Angeles County”.
Dhe ai shton: “Ky qytet ka qenë gjithmonë një burim i thellë frymëzimi për mua dhe mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë prekur gjatë kësaj kohe të vështirë. Fokusi im mbetet në mbështetjen e rimëkëmbjes së këtyre komuniteteve dhe të ndihmoj njerëzit e tyre të jashtëzakonshëm të rindërtohen.”
Vihet re se “Hurry Up Tomorrow” është albumi i gjashtë i muzikantit që firmos si Tesfaye dhe pjesa e tretë dhe e fundit e trilogjisë që nisi me “After Hours” në vitin 2020 dhe vazhdoi me “Dawn FM” dy vite më vonë./KultPlus.com
Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.
Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.
Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.
Sot, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Zani i tij prej së largu më thërret”:
Ndalu njëherë dhe vetëm një çast, Zani i tij prej së largu më thërret, Kam frikë mos është andërr thirrja e tij. Që këtë natë spo më lë m’u qetësu,
Dashnia që po m’thërret kaherë ka perëndu, Veç n’andërr më mundon nganjëherë, pa mëshirë.
Me mijëra dallëndyshe, kur fluturojnë, Kritht e tij dashnia pushoi. Kam ftu një prej zogjve me më shoqnu Zemrëm time të njomë me ndryshu
Dashnia që po m’thërret kaherë ka perëndu, Veç n’andërr më mundon nganjëherë, pa mëshirë.
Ndalu njëherë dhe vetëm një çast, Zani i tij prej së largu më thërret, Kam frikë mos është andërr thirrja e tij. Që këtë natë spo më lë m’u qetësu,
Dashnia që po m’thërret kaherë ka perëndu, Veç n’andërr më mundon nganjëherë, pa mëshirë./KultPlus.com
Në 557-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Lezhë do të mbahet koncert kushtuar tij, përcjell KultPlus.
Në koncertin e organizuar nga Bashkia e Lezhës, do të performojnë mezosopranoja Besiana Mehmedi, soprano Adelina Paloja, Rudina Ciko, pianiste dhe Alba Muçolli pianiste.
Koncerti do të mbahet më 17 janar, në pallatin e Kulturës ‘Ndue Lazri’, nga ora 11:00./KultPlus.com
Një kafkë e madhe dinozauri, jashtëzakonisht e ruajtur mirë, është zbuluar në Kinë, i përket një specie që nuk është parë kurrë më parë, thonë studiuesit.
Lloji, i quajtur Lishulong Wangi, i përket grupit të njohur si sauropodomorfë.
Fosili u zbulua në vitin 2007 në Gjeoparkun Kombëtar të Dinozaurëve Lufeng në provincën Yunnan, në Kinën jugore. Sedimentet në të cilat u gjet datojnë në periudhën e hershme Jurasike (201.3 milion deri në 199.3 milion vjet më parë), sipas studimit të botuar së fundmi në revistën shkencore PeerJ.
Sedimentet me grimca të imta të zonës ndihmuan në ruajtjen e skeletit të kafshëve, tha për LiveScience autori kryesor i studimit Qian-Nan Zhang, një paleontolog në Institutin e Paleontologjisë dhe Paleoantropologjisë së Vertebrorëve në Akademinë Kineze të Shkencave./KultPlus.com
Me rastin e përvjetorit të lindjes së Ismail Qemalit, e risjellim sot të plotë fjalimin e tij të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.
KultPlus ju sjell fjalimin origjinal nga Ismail Qemali
Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.
Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.
Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.
Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.
Fliste. Flitshin. I ndëgjonte, Isa me sy plot mall Maste largësitë e Dheut.
Me gishta të trashë Shkruante hartën e re Në dheun e kuq të udhës, Isa me sy të përmalluar Maste largësitë e At-Dheut.
Tymi le të dalë në Llap Kur nën lisa bie dushku Të çohet flakë përnjëherë Në Kaçanik, në Carralevë. Isa me sy të përmallshëm Shihte udhët që ngjiteshin.
Flaka nis zihet e rritet Kur dushku bie ndër Lisa Zjarri e djeg mustakun Në sy ziente lotin Isa E vargu i shtruar me plisa E zdrit udhën në një.
Isa me sy të përmallshëm Maste gjerësitë e Dheut Këmbët ngulte në Gur Kur shkelte në Flamë-Urë I drejtë si një Flamur E tirrte mallin Isa Në flakë digjej shtëpia Kur dushku bie nën Lisa E rruga shtrohet me plisa Me gisht krijonte hartën Po gishti pikonte gjak.
Nuk herret mali me shpatë Nuk shkelet deti me kalë Nuk shuhet malli me valë Në udhën e shkretë në natë. Kur shkeli në Flamë-Urë I drejtë si një Flamur.
Një dorë në zemër një në flakë E shkundi malin fryu fushat. Masha ia mati shtatin! Kur tha se vdiq keq tjerr fatin, Me lot me rrenat e Dheut Mat gjerësinë e At-Dheut./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ish-Shtëpia e Pritjes në Gjirokastër do të kthehet në një shtëpi të dedikuar për shkrimtarët.
“Ne jemi duke punuar një tjetër projekt që do jetë një projekt për shkrimtarët, pra një shtëpi shkrimtarësh. Në Gjirokastër, në ish-Shtëpinë e Pritjes, ku shkonte edhe i zoti i atëhershëm i kësaj shtëpie, do bëjmë një shtëpi që do të jetë e dedikuar për shkrimtarët”, tha Rama, në ceremoninë e hapjes së rezidencës artistike europiane “Vila 31 X Art Explora”, në Tiranë.
Duke qenë se është edhe qyteti i Ismail Kadaresë, duke qenë se edhe Ismail Kadareja nuk është më, por është një nga brandet më të rëndësishme të Shqipërisë, Rama tha se do të jetë “Shtëpia Kadare” që do të presë shkrimtarë.
“Jemi duke punuar me projektin, bashkë me një projekt tjetër të rrugëve të personazheve të Ismail Kadaresë në Gjirokastër. Është projekt, nuk e kemi akoma përfundimisht, si të thuash, aprovuar, se si do të jetë, po do ta çojmë deri në fund si projekt dhe pastaj nëse do të bindemi plotësisht se është gjëja e duhur, do ta bëjmë”, informoi ai./atsh/KultPlus.com
Një herë lumturinë e pata fare pranë, mend e preka me dorë. E gjitha kjo ndodhi gjatë një shëtitjeje, një natë të nxehtë vere. Ne, një shoqëri e madhe të rinjsh, u mblodhëm në lëndinat përtej Vollgës, tek gjuetarët e blinit.
Hëngrëm supë që na e përgatitën peshkatarët, pimë vodkë e birrë përreth zjarrit, diskutuam si ta ndërtonim sa më shpejt e më mirë këtë botë, pastaj, si u lodhëm paq, u shpërndamë nëpër lëndinën e korrur, secili në qejf të vet. U largova nga zjarri me një vazjë, e cila më dukej vërtet e mençur dhe e ndjeshme. Kishte sy të qeshur e paksa të zinj, në çdo fjalë që thoshte tregohej çiltërsia. Kjo vajzë të gjithë njerëzit i shihte me përkëdheli.
Ecnim të heshtur, krah njëri-tjetrit. Nën këmbë thyheshin duke kërcitur kërcejt e barit të prerë me kosë. Nga kupa e kristaltë e qiellit, e përmbysur mbi tokë, derdhej vlaga dehëse e dritës së hënës. Duke psherëtirë thellë, vajza filloi: – Sa bukur! Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët, si piramida. Dhe vapë… Pastaj më ftoi të uleshim rrëzë një mullari që lëshonte një hije të rrumbullakët e të plotë, sikur të ishte ditë. Këndonin gjinkallat, që larg dikush pyeste trishtueshëm:
Eh, përse më tradhtove?
Plot gëzim zura t’i rrëfej vajzës për gjithçka dija e nuk dija në këtë jetë, kur – papritur ajo bërtiti me një zë të shuar e ra me shpinë në tokë. Ishte, me sa duket, e para herë që shihja një njeri t’i binin të fikët dhe për një çast u hutova. Doja të bërtisja, të thërrisja për ndihmë, por shpejt më erdhi ndër mend se ç’bënin në këto raste heronjtë e edukuar të romaneve që kisha lexuar, ia zbërtheva rripin e fundit, bluzën, shiritat e korsës. Kur pashë gjinjtë e saj, si dy kupa të vogla argjendi të lara me dritën e plotë të hënës, e të rrëzuara në anën e zemrës, më pushtoi një dëshirë e zjarrtë ta puthja.
Por, si e ndrydha këtë ndjenjë u sula me vrap drejt lumit që të merrja ujë, sepse – siç shkruhej në libra – heronjtë në të tilla raste kurdoherë vraponin për ujë, po të mos kishte ndonjë përrua në vendin e katastrofës, të përgatitur që më parë me hamendjen e autorit. Por, kur u ktheva, gjithnjë duke vrapuar si një kalë i harbuar, me kapelen e mbushur plot me ujë, e gjej të sëmurën mbështetur te mulliri. -S’është nevoja, – tha e lodhur fare qetësisht, duke shtyrë me dorë kapelën e bërë qull… Dhe u largua prej meje drejt zjarrit, ku dy studentë përsërisnin po atë këngë të mërzitshme:
Ah, përse më tradhtove?
– Unë, s’të bëra ndonjë të keqe? – doja të sigurohesha, i turbulluar, siç isha nga kjo heshtje e vajzës. Ajo u përgjigj shkurt: – Jo. Ju nuk jeni shumë i shkathët. Megjithatë, kuptohet, ju falenderoj. Por m’u duk se nuk më falenderoi sinqerisht.
Ne nuk takoheshim shpesh, por, pas këtij rasti, takimet tona u bënë më të rralla. S’vonoi shumë dhe ajo humbi fare nga qyteti. Vetëm pas nja katër vjetësh u pamë në një anije. Qe nisur nga një fshat i Vollgës, ku banonte në një vilë, e po shkonte në qytet tek i shoqi. Ishte shtatzënë, e megjithatë, rrobat i rrinin për bukuri kurse në qafë i varej zinxhiri i gjatë prej floriri i orës dhe një lule e madhe si medalje. Ishte bërë shumë e mirë, vërtet. -Ja, – tha ajo kur po kujtonim miqësisht të kaluarën – ja ku jam, e martuar dhe gjithçka… Ishte mbrëmje. Në lumë digjej perëndimi i diellit. Gjurma shkumore që linte anija nga pas, në largësinë e kaltër të veriut, dukej si një shirit i gjerë dantelle të kuqe.
– Kam dy fëmijë, pres të tretin, – foli krenare, si një mjeshtër që e pëlqen zanatin e vet. Në prehër mbante një qese letre me portokalle. – A t’ua them? – pyeti pastaj duke qeshur ëmbël me ata sytë paksa të zinj. – Në qoftë se atëhere tek mullari – e mbani mend – ju do të kishit qenë më i guximshëm… do t’më kishit puthur… tani do të isha gruaja juaj… Se unë ju pëlqeja, apo jo? Kurse ju, drejt e tek uji… Eh, ju! I shpjegova se kisha vepruar ashtu siç tregohej në librat që ishin aq të shenjtë për mua në atë kohë; dhe vetëm atëhere mund ta puthje, kur ajo, si të hapte sytë, të thërriste e habitur- Oh, po ku jam kështu? Ajo qeshi një grimë, pastaj foli mendueshëm: -Ja, këtu është e keqja jonë, se ne duam të jetojmë si nëpër libra… Por jeta është më e gjerë… më e mençur se librat, zoti im… Jeta s’është aspak si në libra… Po… Nxori nga qesja një portokall, e vështroi me kujdes e, duke e mvrejtur, tha: – I poshtri, e ka futur të kalbur…
Pa delikatesë e flaku në lumë; unë e ndoqa me sy kur ai, duke u rrotulluar, humbi në shkumën e kuqe. – Hë, po tani? Akoma jetoni si nëpër libra? Ë? Unë heshtja duke shikuar rërën e bregut, të ringjyrosur nga flaka e perëndimit dhe më tej, hapësirat e lëndinave që kishin marrë një nuancë të florinjtë. Varkat e përmbysura dergjeshin mbi rërë si peshq të mëdhenj, të vrarë. Shelgjet lëshonin një hije të trishtueshme. Në hapësirat e largëta të lëndinave, dukeshin mullarët e barit e, mua m’u kujtua krahasimi i saj: “Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët si piramida…” Duke qëruar portokallin tjetër, gruaja më përsëriti me tonin e një të madhi e sikur t’më ndëshkonte: – Po, do të isha gruaja juaj… -Ju falenderoj, – i thashë, – ju falenderoj.
Baleti Kombëtar i Kosovës ka filluar përgatitjet për projektin e parë për vitin 2025.
Përmes kësaj shfaqjeje, Baleti Kombëtar i Kosovës i bashkohet fushatës për ndërgjegjësimin dhe luftën ndaj stigmatizimit që ndërlidhet me sëmundjet duke adresuar edhe çështje të rëndësishme të shëndetit publik.
Projekti i parë i BKK-së, nën koreografinë e balerinit dhe koreografit Sead Vuniqi, do të prezantohet më 4 shkurt, në Ditën Botërore Kundër Kancerit, në bashkëpunim me organizatën Action for Health.
Kryeministri Edi Rama sqaroi sot vendimin për ta kthyer rezidencën e ish-diktatorit Enver Hoxha, e njohur si “Vila 31”, në një hapësirë në funksion të artistëve shqiptarë e të huaj.
Duke iu përgjigjur interesimit të medies të pranishme në hapjen e rezidencës artistike, “Vila 31 x Art Explora”, Rama shprehu bindjen se ripërdorimi i këtyre hapësirave duke përqeshur historinë e tyre, por pa e fshirë atë është gjëja më e pjekur dhe më shëruese në raport me të kaluarën.
Rama shprehu bindjen se kjo ishte gjëja më e duhur që duhej bërë në këtë hapësirë.
“Kjo hapësirë të përdoret për të bërë gjërat që Enver Hoxha do t’i kishte më shumë tmerr se çdo gjë tjetër. Kjo ka qenë motoja shtytëse në mendjen tonë, që çfarëdo qoftë që do të bëjmë aty do të bëjmë një gjë, që Enver Hoxha të rrotullohej në varr nga sikleti deri në një pendesë ekstreme se pse jetoi aty”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se nëse kishte diçka që e bënte tërësisht mizore diktaturën ishte çdo shprehje e asaj që ata e quanin degjenerim modernist.
Në këtë aspekt, Rama u shpreh se “kjo do jetë një shtëpi e degjenerimit modernist”.
“Nuk ka më bukur sesa këtë hapësirë ta përdorin artistët e rinj dhe të jetë një vend dialogu e ndërveprimi. Për krimet dhe përgjegjësitë për to, në kuptimin e muzealizimit të së shkuarës, kemi Muzeun e Gjethes në qendër, keni Bunk’Art, jemi duke punuar projektin e Muzeut të Përndjekjes në Shkodër”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe kontestimet që kanë pasur këto projekte.
“Çfarëdo uji t’i japësh gomarit, i ke dhënë ujin me temperaturën e gabuar. Kur bëmë Bunk’Artin shpërtheu histeria që po kthehet e shkuara. Për Bunk’Art 2 u bë një protestë e vazhdueshme derisa vajtën me kazma e dy gishta që të shembnin bunkerin. Edhe kur u vu statuja e Stalinit dhe Leninit si një gjest vetironie me të shkuarën. Ne kemi bërë këtë zgjedhje dhe jam i bindur se kemi bërë zgjedhjen më të mirë. Ka ardhur si rezultat i një kohe shumë të gjatë reflektimi. E njëjta gjë edhe për vilën tjetër që është bërë tani shtëpi mikpritëse për vizitorë e takime zyrtare”, tha Rama./atsh/ KultPlus.com
Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndërit të Donald Trumpit, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit, që aktualisht është bazë ushtarake.
Komiteti për Investime Strategjike, që udhëhiqet nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, më 30 dhjetor ka pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC, për projektin prej 45 hektarësh në ishullin e Sazanit. Projekti parasheh një investim prej 1.4 miliard eurosh.
Në vendimin e shkruar, që u bë publik më 15 janar, Komiteti tha se projekti ishte në përputhje me ligjet për investime strategjike dhe përmbushi numrin e të vendeve të punës, që kërkohet me ligj, duke thënë se në të vlerësohet se do të punësohen 1.000 persona.
Sipas ligjit, dhënia e statusit të investitorit strategjik lejon kompaninë që të zbatojë projektin që vlerësohet strategjik në një sektor të ekonomisë, siç është turizmi.
Po ashtu, ky status do të bëjë që projekti “të përfitojë nga procedurat e përshpejtuara dhe përfitime të tjera”.
“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet përmes krijimit të një entiteti të përbashkët ligjor”, tha Komiteti, duke shtuar se në projekt do të përfshihet Korporata shtetërore e Investimeve Shqiptare.
Plani i Kushnerit për Sazanin
Në mars të vitit 2024, Kushner kishte publikuar në rrjetet sociale dizajnet potenciale të investimeve të firmës së tij në Shqipëri.
Kushner kishte deklaruara se synon ta shndërrojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, që gjendet në Detin Mesme, në një destinacion luksoz për turistët.
Sazani është kryesisht i braktisur dhe aktualisht është bazë ushtarake dhe gjysmë i hapur për publikun.
Dhëndëri i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë.
Në të kaluarën, sa i përket Zvërnecit, Qeveria shqiptare kishte thënë se zyrtarisht nuk ka pranuar ndonjë shprehje interesi lidhur me këtë investim.
Planet e Kushnerit ishin përballur me kundërshtime në Shqipëri, sidomos nga ambientalistët që kishin thënë se mund të shkaktohen dëme në zonat e mbrojtura bregdetare.
Në mars të vitit të kaluar, ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi ishullin e Sazanit.
Ky ishull për dekada të tëra ishte i mistershëm. Në të dihej se ishte një bazë e rëndësishme ushtarake, para dhe gjatë kohës së Shqipërisë komuniste.
Tani, herë pas here, ky ishull në Vlorë përdoret nga ushtria e Shqipërisë dhe NATO-ja.
Ishulli i Sazanit ka sipërfaqe rreth 6 kilometra katrorë dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 kilometrash katrorë. Aty ende nuk ka energji elektrike, e as ujë të pijshëm. Megjithatë, aty ka shumë bunkerë, numri i saktë i të cilëve nuk dihet.
Përveç në Shqipëri, Kushner synon të investojë edhe në Serbi. /REL/ KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka marrë pjesë pasditen e sotme në përurimin e “Vila 31 x Art Explora” si rezidencë artistike. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka dhënë lajmin se në muajin Prill të këtij viti do të kemi në Portin e Durrësit muzeun e parë lundrues që do të qëndrojë në vend për 10 ditë.
Edi Rama:Në Prill do të kemi fatin që të kemi këtu muzeun e parë lundrues që do të qëndrojë për 10 ditë në Portin e Durrësit duke bërë të gjithë Unazën e Mesdheut dhe pastaj, vitet e tjera do të sjellim të tjera të reja. Këtu në këtë shtëpi për shumë vite ka jetuar një njeri që funksiononte vetëm me urdhra, unë kam një urdhër për një duartrokitje për arkitektët për të gjithë punën e jashtëzakonshme që kanë bërë.
Për këtë muze ka folur dhe ambasadorja e Francës, Catherine Suard, cila është shprehur se kjo anije muze e fondacionit “Art Explora” në Portin e Durrësit do të përbëjë një moment të mirë të sezonit turistik.
Ambasadorja franceze, Chatherine Suard:Dinamikën do ta përforcojmë drejt 2025 duke pasur në sfond emërimin e Tiranës si Qyteti Mesdhetar i Kulturës. Do të mbërrijë së shpejti një anije muze e fondacionit “Art Explora” në Portin e Durrësit në muajin Prill e përzgjedhur në 20 qytete si etapë e pellgut të Mesdheut dhe kjo do të përbëjë një moment shumë të fortë të sezonit turistik. Kjo anije lundruese mëshiron një vizion novator dhe bujar të ndarjes së artit, vizion që Franca pëlqen ta kultivojë dhe ta ndajë./tvklan/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot risinë që sjell rezidenca artistike, “Vila 31 x Art Explora”, e cila është shndërruar në një ambient të hapur e kulturor për të pritur artistët shqiptarë e të huaj për organizimin e ngjarjeve kulturore.
Në ceremoninë e organizuar për hapjen e rezidencës artistike “Vila 31 x Art Explora”, Rama vlerësoi projektin e realizuar nga arkitektët francezë, të cilët sipas tij e kanë transformuar këtë hapësirë me fantazi, në një hapësirë që ka një program diametrialisht të ndryshëm nga ai që ishte më parë.
“Sot mbaron një rrugë shumë e gjatë e persiatjeve për çfarë duhet të ndodhi me këtë godinë, e dilemave se çfarë programi mund të kishte kjo godinë, e tundimeve për ta shembur e për ta kthyer në diçka tjetër. Dhe mbaron në mënyrën, sipas meje, më të mirë, dhe në radhë të parë, besoj, falë dy arkitektëve që janë këtu, që kanë një meritë të jashtëzakonshme për mënyrën se si e kanë transformuar këtë hapësirë, këtë shtëpi, me fantazi, në një hapësirë që ka një program diametrialisht të ndryshëm nga ai që ishte programi i kësaj shtëpie”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi veçanërisht faktin se është ruajtur përmbajtja nga pikëpamja e dekorit.
Kjo sipas tij, “e bën këtë qendër më të jetueshme dhe më tërheqëse dhe frymëzuese në shumë aspekte”.
Rama vlerësoi faktin se ky partneritet u përmbush në një kohë rekord, ndërsa rikujtoi se në vizitën e presidentit Macron në Shqipëri kishte premtuar realizimin e këtij projekti në më pak se dy vite.
“Për burokracinë franceze do të ishte e paimagjinueshme, do të duhet të kalonin kushedi se sa presidentë të Francës që të arrinim në ditën që të hapnim qendrën. Ne ishim këtu bashkë me Presidentin kur ai bëri vizitën e parë të një presidenti francez në vendin tonë. Kur i thashë që do të hapej në jo më pak se dy vjet, mendoi se dëgjoi një gënjeshtër ballkanike, dhe ja ku është e vërteta”, tha Rama.
Kryeministri e vlerësoi punën e bërë si “të jashtëzakonshme”. “Unë e kam parë godinën edhe më parë në gjendjen që ishte dhe rezultati është spektakolar në të gjitha hapësirat, detajet, objektet dhe elementët që janë futur ekstra.”
Kryeministri u ndal te mundësia e jashtëzakonshme që krijohet për artistët e rinj shqiptarë, të rajonit dhe nga gjithë bota për t’u takuar së bashku në një hapësirë ku secili ka zonën e pavarësisë së vetë të plotë dhe të gjithë bashkë kanë edhe hapësirën e përbashkët.
“Jemi të bindur se në këtë hapësirë do të krijohen energji të reja. Për mënyrën se si është ndërtuar projekti ka ndërveprim të vazhdueshëm me botën e jashtme”, tha Rama, ndërsa nënvizoi konkurrencën e jashtëzakonshme mes artistëve për t’u bërë pjesë e kësaj qendre.
Duke folur mbi projektet e tjera kulturore, Rama bëri të ditur se në muajin prill në portin e Durrësit do të ndalet muzeu i parë lundrues, që do të qëndrojë për 10 ditë, duke bërë gjithë unazën e Mesdheut./atsh/ KultPlus.com
Sa më shpesh që ta lexosh këtë letër, aq më dendur të vërtitet një ndjesi ankthi dhe përshjellimi. Një lojë e trishtë ndjesish dhe shije e athët të godet kaq fort sa të përmend. Të duket sikur gjithçka rreth teje ka lëvizuar në ritmin e vet, dhe vetëm ti ke mbetur i murosur në guskën e ndrydhjeve, frikës, mëdyshjes dhe një lloj stepje që e ka stampur veteveten tënde në murin e rrjepur të kohës.
Fjalë pas fjale dhe rrjeshta pas rrjeshti do të mund të kuptosh dhe të ndjesh aq shumë sa vjen një moment dhe të duket sikur këtë letër e ke shkruar ti, ose e ka shkruar vetë Franc Kafka në vendin tënd. Të duket se kjo është një letër që ti ke dëshiruar aq shumë ta shkaush, por pas hezitimit dhe pamjaftueshmërisë ajo ka ngelur diku në skutat e mendimeve tuaja, që zgjohen ndërsa e përcjell këto radhë, këtë letër, të cilat vetë autori nuk arriti t’ia dërgonte babait. Edhe përgjigjja e babait Hermann, ishte aq e vonuar sa nuk arriti të mbushte atë zbrazëti që kjo marrëdhënie kishte krijuar. Por gjithsesi ky lëtërkëmbim është trajtëzuar duke plotësuar në tërësinë e vet kuadrin e kësaj stuhie epistolare.
Ndoshta jo të gjithë kanë ndërmend të shkruajnë një letër të këtillë për babain e tyre, por gjithsesi marrëdhëniet at-bir në shumësinë e herëve domosdoshmërisht kanë kaluar përmes shtjellas të këtilla përpirëse.
Letra e Kafkës për babain, Hermannn
I dashur baba! Kohet e fundit rasti e solli te me pyesesh se perse kam frike prej teje. Si zakonisht, s’kam ditur te pergjigjem, dhe kjo, pasi nga njera ane, me kall friken, dhe nga ana tjeter, sepse, per ta gjetur arsyen e kesaj ndjesie do te me duhej te hyja ne te thella, shume me teper se do te ma lejonte nje leterkembim i thjeshte. Duhet ta dish se, kur po te shkruaj, ndjehem i kapluar nga frika qe me ke kallur dhe nga pasojat e saj! Nga ana tjeter, diapazoni i gjere i temes qendron shume me lart se kujtesa dhe inteligjenca ime…
Duke permbledhur gjykimin tend per mua, del qe ti me akuzon per sjellje te keqija apo per veprime te padenja (ndoshta, me perjashtim te planit tim te fundit per t’u martuar), me akuzon per ftohtesi, indiference, mosmirenjohje dhe m’i perplas ne fytyre, sikur vetem une qenkam fajtori, sikur me nje shkop magjik do te mundja te ndreqja gjithcka, ndersa ti nuk paske kurrfare faji, pervecse je sjelle me mua me mire se c’duhej…
Padyshim, nuk them se u bera i tille vetem per shkakun tend, do te ishte teprim i tejskajshem. Ka shume gjasa qe edhe po te isha rritur plotesisht i cliruar nga ndikimi yt, per ty une kurre nuk do te isha ne lartesine e duhur. Jam pothuajse i sigurt se, sidoqofte serish do te isha shendetlig, i lekundur, i trazuar e plot ankthe… Do te isha i lumtur te te kisha shok, shef, xhaxha apo gjysh madje (megjithese dyshoj per kete) edhe vjeherr. Ndersa si baba ke qene teper i ashper me mua…
U rrita femije frikacak, por edhe kokeforte sic jane femijet. Padyshim, mamaja m’i plotesonte tekat, por nuk besoj se kam qene i bezdisur, s’mund ta besoj qe nje fjale e ngrohte, nje veshtrim i perdellyer, duke me marre qetesisht per dore, te mos e platitnin qenien time, dhe te arrije cka deshiroje. Se ti, ne thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjem që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë. Ti di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe, në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë.
Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh me Feliksin. Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqendruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone.
Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti. Një natë qarravitesha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës. S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lanë mbi mua.
Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokëulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit. Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kufarrë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero me xhufkë.
Kundervenia jote godiste si mendimet ashtu edhe personat. Mjaft qe une te shprehja nje fare interesi per dike, qe nuk ndodhte shpesh, fale karakterit tim, dhe ti shpejtoje t’ia beje gropen me fyerje, shpifje, sharje, pa treguar piken e respektit per ndjenjat e mia dhe pa marre parasysh gjykimin tim.
Pamundesia per te komunikuar qetesisht me ty coi ne nje rrjedhoje logjike:u c’mesova te flas. Ti shume here ma ke ngecur fjalen ne gryke. Kanosja e perhershme:”Nuk dua kundershtime!” dhe dora e ngritur lart, urdheruese nuk me jane shqitur nga mendja edhe sot e kesaj dite… dhe meqe ti ke qene edukatori im i vetem, pasojat jane pasqyruar ne te gjitha fushat e jetes sime. Eshte nje keqkuptim i cuditshem fakti qe, siaps teje, une s’ditkam te jem i bindur. “Kundershtimi i perhershem” kurre nuk ka qene parimi i ekzistences sime, edhe pse ty te eshte ngulitur kjo ide dhe vazhdimisht me qorton. Perkundrazi, nese do te tregohesha me rebel, sigurisht, do te kishe mbetur me i kenaqur prej meje. . .
Franci
Letër babait – Franc Kafka
Kam një kafshë të çuditshme; gjysmë mace, gjysmë qingj. E kam trashëguar nga im atë, po ajo është zhvilluar që kur e mora unë; më parë ishte më shumë qingj se sa mace. Tani është gjysmë ashtu gjysmë kështu. Nga macja ka kokën dhe kthetrat; nga qingji ka trupin dhe formën, nga të dyja ka sytë, që janë të përqendruar dhe të egër, qimen të butë e të shkurtër, lëvizjet që janë edhe kërcime edhe zvarritje. Kur ka diell ajo rri në parvaz të dritares, gërrhet dhe mblidhet kutullaç; në livadh rend si e çmendur sa mezi mund ta zësh. Kur ndodhet para maces ia mbath, kur është përpara një qingji sulmon. Kur ndrit hëna bredh nëpër ullukë se ajo është rruga që i pëlqen më shumë. Nuk di të mjaullijë dhe ndjen neveri për minjtë. Mund të qëndrojë me orë e shtrirë para pularisë, po kurrë s’ka përfituar nga rasti që të mbysë ndonjë shpend.
E ushqej me qumësht e sheqer, se ai i bën mirë. Ajo e thith me hurpa të mëdha, duke e kaluar në mes të dhëmbëve si të një shtaze të egër. Kjo gjë i tërheq shumë fëmijët. Të dielën në mëngjes kam vizita. Unë mbaj në mes të gjunjëve kafshën e vogël, kurse përqark zënë vend fëmijët.
Ata bëjnë pyetjet më të çuditshme, të cilave askush nuk mund t’u përgjigjet. Pse ka vetëm një kafshë të tillë? Pse ajo është pikërisht në dorën time? A ka pasur para saj ndonjë kafshë të këtij lloji? A ndjehet ajo e vetmuar? Si e ka emrin?
Unë nuk e vras mendjen t’i përgjigjem, po vetëm u tregoj atë që kam. Nganjëherë fëmijët sjellin mace, një herë sollën dy qingja. Ndryshe nga ç’prisnin ata, takimet nuk treguan ndonjë shenjë njohjeje. Kafshët vështruan njëra-tjetrën me qetësinë më të madhe; ata e quajtën ezksitencën e tyre si një dhuratë e Krijuesit.
Kur është në prehrin tim kafsha e vogël nuk njeh as frikë, nuk është agresive. E ndjen veten shumë mirë kur ndodhet pranë meje, e ngjeshur tek unë. Është e lidhur me familjen që e ka rritur. S’është ndonjë besnikëri e jashtëzakonshme, po më shumë instikti i një kafshe që, megjithatë ka shumë farefis, nuk ka asnjë shok në tërë botën dhe e quan të shenjtë mbrojtjen që ka gjetur tek ne.
Më zë gazi kur e shikoj që nuhat, më rrëshqet në mes të këmbëve, po nuk mundet ta kryeje atë veprim. Mbase është e pakënaqur që është mace edhe qingj dhe kërkon të jetë edhe qen! Një ditë kur unë s’po iu jepja dot rrugë halleve të mia tregtare dhe pasojave që vijnë prej tyre- dhe pasi desha t’i heq qafe, u mbylla në shtëpi dhe u shtriva në kolltuk, me kafshën e vogël ndër gjunjë; kur ula kokën vura re se lotët rridhin mbi mustaqet e saj të bardha. Ishin lotët e mi apo të sajat? Ajo mace me shpirt qingji kishte dëshira njerëzore? Unë nuk kam trashëguar shumë, por duhet të them se kjo kam diçka vlen.
E them serizosht.
Kafsha ka shqetësimet e të dyve, të maces dhe të qigjit, sado të ndryshëm qofshin, prandaj e ndjente veten ngushtë brenda lëkurës ku ndodhej. Nganjëherë kërcen nga një karrige që më ven këmbët në sup dhe përplas turirin në veshin tim. Duket sikur më thotë diçka dhe vërtetë pastaj largohet dhe, më sheh në fytyrë për të parë përshtypjen që më ka bërë ajo që më tha. Që t’ia bëj qejfin tund kokën dhe bëj sikur e kam kuptuar. Atëherë ajo hidhet në dysheme dhe vallëzon rreth meje.
Mbase thika e kasapit mund të jetë shpëtimi për të, po pasi e kam trashëgim, nuk jam i atij mendimi. Ajo duhet të presë ditën, kur t’i mungojë fryma, megjithëse nganjëherë më vështron me sy aq njerëzor, sikur më fton të kryej një veprim të arsyeshëm. / Albert Vataj/KultPlus.com
Galeria Kombëtare e Kosovës, ka njoftuar se të enjten, më 23 janar do të hapet ekspozita ndërkombëtare e Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës Gjon Mili, edicioni i 17-të, duke filluar nga ora 19:00 deri në 21:00.
“Kuruar nga Valentine Umansky, Ajo që ia thotë këngës…përfshin veprat e 23 artistëve, pjesa më e madhe e tyre nga Ballkani”, thuhet në njoftim.
Tutje, është bërë e ditur se koncepti i ekspozitës është frymëzuar nga tepsia, praktikë muzikore tradicionale me rrënjë në Kosovë, e performuar kryesisht nga gratë.
“Kjo formë unike kombinon meloditë vokale me rrotullimin ritmik të tepsisë. Këtu, tepsia bëhet metaforë e gjesteve të trashëguara – që janë përcjellur prej nënës tek e bija – që lidhin gjeneratat me brezat e kaluar. Për më shumë mund të lexoni komunikatën e bashkangjitur më poshtë”, thuhet tutje në njoftimin e Galerisë.
Para-premiera për media mbahet prej orës 18:00 deri në 19:00.
“Pjesa hapëse e ekspozitës shpalos vepra të Huda Takritit, Kristina Benjocki, Joanna Piotrowska, Lebohang Kganye dhe Angela Blažanović, secila prej tyre në përfytje me kujtimet e fragmentuara dhe (pa)mundësinë e rigjurmimit të prejardhjeve familjare. Ashtu si rrotullimi i një tepsie, gjestet e tyre të ngadalta dhe të qëllimshme ringjallin tregimet stërgjyshore që janë në rrezik për t’u humbur. Pastaj ngrihet era. Shtohen ulërima dhe gumëzhima. Teksa skulpturat e qelqit të Ivana Bašićit që u ngjasojnë mushkërive flasin për frymën që i formoi ato, amuletat e Saodat Ismailovës, si hajmali, pëshpëritin një këngë që udhëton përtej kohës. Instalacioni i Clarissa Tossinit ringjall instrumentet frymore të Majave para-kolumbiane përmes kopjeve të printuara në 3D të atyre që mbahen në koleksionet e muzeut, duke rigjallëruar sistemet e njohurive indigjene, duke lejuar që tingulli të tingëllojë edhe një herë. Lala Raščić, puna e së cilës frymëzoi titullin e ekspozitës, së bashku me Semâ Bekirović dhe Astrit Ismailin, luftojnë me tepsinë si një objekt, duke kërkuar mënyra për të “shpërthyer” traditat shtrënguese dhe strukturat shoqërore shtypëse”, thuhet tutje në njoftim.
Artistët që do të marrin pjesë janë Ivana Basić, Kristina Benjocki, Semâ Bekirović, Angela Blažanović, Željka Blakšić, Vera Hadzhiyska, Majlinda Hoxha, Astrit Ismaili, Saodat Ismailova, Šejla Kamerić, Lebohang Kganye, Ana Likar, Glorija Lizde, Maria Mavropoulou, Klodiana Millona & Endi Tupja, Joanna Piotrowska, Stanislava Pinchuk, Iva Radivojević, Lala Raščić, Simon Shiroka, Huda Takriti, dhe Clarissa Tossin./KultPlus.com
Në qytetin e Vlorës vijon puna për rikonstruksionin tërësor të Galerisë së Arteve.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha inspektoi punimet që po kryhen në galeri.
“Galeria e Arteve do t’i dhurojë artistëve të qytetit dhe miqve që ekspozojnë punët e tyre gjithmonë në Vlorë, hapësirën e denjë për të komunikuar me artdashësit, përmes gjuhës së tyre të ngjyrave e ideve. Tashmë me dy kate, galeria do të ketë sistemin e posaçëm të ndriçimit dhe gjithë tjetër ç’i duhet ekspozimit të vlerave të pikturës”, tha Dredha në një postim në rrjetet sociale.
Galeria e Arteve në Vlorë është pjesë përbërëse e Pallatit të Kulturës “Labëria”, e ndërtuar gjatë viteve të regjimit të diktaturës. Projekti paraqet elementet tipike të arkitekturës racionale të asaj periudhe. Gjatë viteve ndërtesa ka pësuar ndryshime të vogla, por pa prekur funksionalitetin e saj.
Qëllimi i projektit të rehabilitimit është të krijohen kushte te favorshme për vendosjen e pajisjeve dhe hapësirave ndihmëse për ushtrimin e funksioneve të një galerie bashkëkohore dhe në shërbim të komunitetit.
Objektivat specifike të projektit janë: krijimi i kapaciteteve, hapësirave optimale për menaxhimin, ruajtjen dhe ekspozimin e veprave të artit pamor dhe jo vetëm; përmirësimi i aksesit për vizitorë të grupmoshave te ndryshme si dhe promovimin e ideve inovatore interaktive dhe fuqizimin e muzeve nëpërmjet teknologjisë të cilat rrisin atraksionin dhe qasjen më të gjerë nga publiku./atsh/KultPlus.com
“Excelsior” ka botuar të shtunën e 26 prillit 1913, në faqen gjashtë, intervistën e Ismail Qemalit, zhvilluar në Champs-Elysées (Paris), pak kohë para se të nisej për në Konferencën e Londrës me qëllim mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Intervistën mund ta lexoni si më poshtë:
Në dekorin modern dhe luksoz të një pallati të Champs-Elysées, Ismail Qemal Beu ngjason me një nga mjekët tanë të zonave rurale, me një fytyrë energjike, e rrethuar nga një mjekër e bardhë.
Kreu i qeverisë së përkohshme shqiptare, i cili u ndal disa ditë në Paris, para se të shkojë në Konferencën e Londrës, ende është nën ndikimin e emocioneve të shkaktuara nga lajmi i rënies së Shkodrës:
“Vërej me hidhërim, na thotë ai, se admirimi evropian shkon për malazezët, të cilët morën kryeqytetin tonë.
Dhe akoma më shumë, na fajësojnë për kërkesat tona! Unë e di se, në çdo kohë, mendimi i masave ka qenë në favor të fituesve, por ndjenja e së drejtës sonë duhet të mbizotërojë në mesin e diplomatëve.
Duhet të keni parasysh se na janë dashur vite për të shkundur zgjedhën turke, të cilës ne i kemi shkaktuar dhe shpejtuar humbjen e saj, për tu gjetur sot përballë çlirimtarëve më të zellshëm (etur) sesa shtypësit tanë të vjetër!
Në emër të lirisë së racave, malazezët hynë në luftë; A duan ata të na grabisin sot kryeqytetin tonë në emër të të njëjtit parim?
Megjithatë, Evropa qëndron e pandjeshme ndaj shkeljes së drejtave tona: ajo duket se na konsideron si disa fise sudaneze, të paaftë për tu qeverisur.
Gjithsesi, ne kemi dhënë prova të shkëlqyera për energjinë e racës sonë. Për shekuj me radhë, turqit kanë rekrutuar midis nesh zyrtarët më të mirë dhe ushtarët e tyre më të guximshëm.
Sot, të vetëm, të rrethuar nga ushtritë aleate, ne kemi ruajtur rendin, mbledhur taksat, formuar një milici, shkurtimisht, kemi siguruar jetën tonë të brendshme me burimet tona.
Ajo që na duhet tani është pavarësia e të gjithë territorit dhe kryeqytetit tonë, në mënyrë që, pa ardhur për të lypur në Evropë, të bëjmë Shqipërinë një shtet modern.
Natyrisht, ne do t’u kërkojmë vendeve fqinje këshilltarë dhe specialistë; ne do të jemi mirënjohës ndaj tyre për të na udhëzuar në fillimet tona, por ne duam të jemi vetëvetja, dhe nuk do të lejojmë që të ruhemi nga ndonjë fuqi.
Më akuzojnë se bëj lojën e njërës prej këtyre fuqive, por nuk është e ndaluar, mendoj, të tregoj ndonjë simpati për ata që na ndihmojnë, edhe nëse është për hir të interesit.” /darsiani/KultPlus.com