Los Angeles, zjarri dhe zemërimi

Pa zjarrin, njerëzimi nuk do të ekzistonte. Qoftë duke e marrë atë nga perënditë përmes sakrificës së Prometeut, apo duke e ushqyer me kujdes dhe durim nga rrufetë, rëndësia e tij nuk ndryshon, sepse me zjarrin, qytetërimi njerëzor u zhvillua dhe u bë gjithnjë e më kompleks e i strukturuar.

Homo erectus e ka përdorur zjarrin që prej 400,000 vjetësh, edhe pse fillimet e përdorimit të tij duket se janë edhe më të hershme: rreth 1.8 milionë vjet më parë, gjinia Homo filloi ta kultivonte këtë element, qoftë në formën e “zjarrit primitiv” që bie nga qielli, qoftë në atë të “zjarrit bujqësor”, që përdorej për shkrirje dhe ushqim.

Teknika e zjarrit, siç kanë theksuar shumë studiues duke filluar nga paleontologia Catherine Perlès në “Parahistoria e zjarrit”, kërkon para së gjithash një ndryshim psikologjik për ta përvetësuar dhe përdorur për qëllimet tona. Prandaj, kur flasim për zjarrin, duhet gjithmonë të marrim parasysh këtë aspekt, siç na ka shpjeguar Gaston Bachelard në “Poetika e zjarrit” (1967), ku ai e lidh zjarrin me dëshirën, dashurinë dhe një formë të seksualitetit të sublimuar që aspiron një “vertikalitet psikik”. Nuk është rastësi që poetët flasin për pasionin si flakë që shpërthen dhe për dashurinë si një zjarr që djeg, metafora të marra nga zjarri i dëshirës.

Për më tepër, fetë, që janë themelore në historinë tonë, janë të lidhura me prushin, vatrën, pirën, altarin dhe sakrificën. Vetëm duke u ndalur në Perëndimin dhe Lindjen e Afërt, nga Greqia në Romë, nga paganizmi i lashtë tek tre fetë e Librit, zjarri ka një rëndësi të jashtëzakonshme.

Në librin “Mite mbi origjinën e zjarrit”, historiani i feve James G. Frazer, autori i veprës së famshme “Dega e artë”, pretendon se njerëzimi ndryshon nga kafshët e tjera pikërisht për shkak të këtij elementi. Megjithëse kjo deklaratë ka një antropocentrizëm të dukshëm, ajo nuk është larg së vërtetës. Problemi mbetet tek aspekti mendor, sepse diçka ka ndryshuar në historinë psikike të njerëzimit gjatë dy shekujve të fundit.

Zjarri, në një moment, u bë armik, jo vetëm i pyjeve dhe savanave, por edhe i vetë qyteteve që janë ngritur të pamëshirshme dhe krenare mbi sipërfaqen e planetit. Në fillim, materialet që digjeshin ishin të njëjtat si ato të pyjeve: druri, prej të cilit ndërtoheshin fshatrat dhe metropolet. Zjarret legjendare të Londrës dhe qyteteve amerikane, duke nisur nga zjarri i madh i Çikagos në vitin 1871, ishin pararendësit e atyre që sot shpërthejnë në Kaliforni, siç po ndodh në Los Angeles.

Por ka diçka të re. Kriza mjedisore që ka kapluar planetin është ndërthurur me potencialin shkatërrues të zjarrit. Këtë na e shpjegon John Vaillant, një shkrimtar dhe gazetar kanadez, në librin e tij të fundit “Epoka e zjarrit”, me nëntitullin “Një histori e vërtetë nga një botë gjithnjë e më e nxehtë”.

Libri nis me përshkrimin e një pasditeje të nxehtë pranverore në vitin 2016 në një vendbanim të industrisë së naftës në rajonin e Albertës, Fort McMurray. Aty një zjarr i vogël pyjor, jo shumë larg vendbanimit, shpërthen papritur. Përhapja e flakëve përkon me një temperaturë ditore mbi 30°C, përkundrejt një mesatareje sezonale prej 15°C. Përshkrimi i këtij apokalipsi të vogël, që përfshin 100,000 njerëz në arrati, është një shembull i diçkaje të paprecedentë, një ndërprerje e shkaktuar nga zjarri që gjeneron rryma ajri me shpejtësi uragani dhe rrufe që nxisin zjarre të tjera. Vaillant e quan këtë një pirocumulonimbus, një term që shënon transformimin ku zjarri, ky mik dhe armik, është ndërthurur me ndryshimin klimatik.

Alberta është një rajon ku nxirret naftë me teknika që kërkojnë shumë energji dhe kanë kosto të larta mjedisore, për të cilat Vaillant përshkruan historinë e ndërlikuar biogjenetike, si një shembull negativ i mendësisë sonë aktuale energjetike. Epoka e zjarrit në të cilën kemi hyrë duket e ndryshme nga ajo e stërgjyshërve tanë, të cilët mendonin ende në terma të konfliktit me zjarrin dhe njëkohësisht e përdornin atë për të prodhuar energji dhe mallra konsumi.

Ndryshimi klimatik na detyron të rishikojmë marrëdhënien tonë me këtë aleat të lashtë që kemi pasur, me dhuratën që Prometeu e pagoi me një çmim të lartë. Për t’u përballur me transformimin që na pret, i cili sot quhet me termin ambivalent Antropocen, është i domosdoshëm një ndryshim mendor. Hapi i parë, siç shpjegon Vaillant në epilogun e tij, është braktisja finale e Homo flagrans, që ende jemi. / Massimo Giannini/La Repubblica – Bota.al/ KultPlus.com

Screenshot

Edgar Allan Poe: Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës

I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

Poezi nga Naim Frashëri

Sa e dua giithë jetën,
Se atje gjej të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën.

Të mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, djellinë, dritën,
Mbrëmëm dh’atë errësirën.

Natën, kur ësht’ e qetuar,
Edhe gjësendi s’dëgjohet,
Qiellin kur ësht’ i edruar,
E hapësira ndritonet.

A kur hapen herë-herë,
Ret’ e zeza sten nd’erë,
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën.

Retë, shinë dhe lumenjte,
Gjëmim, mjergullë, përrenjtë,
Dëborën, breshërin’ e erën.

Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.

Oshëtimen, pyjet, drurët,
Shkëmbenjte, gërxhet’ e gurët.

Lulet, barërat që mbijnë,
E shpestë që fluturojnë,
Edhe këngera këndojnë,
E nëper dega levrojnë.
Dhe njerin’ e bagëtinë
Dhe giithe eshtë në jetë.

I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është Një e s’ka të dytë./KultPlus.com

Zjarret rrezikojnë olimpiadën

Zjarret e ditëve të fundit në Kaliforni po hedhin dyshime nëse Los Anxheles do të jetë i sigurtë për Lojërat Olimpike 2028. Disa nga qendrat mikpritëse ishin pranë vatrave. Zjarri ka shkaktuar viktima dhe mijëra ndërtesa të djegura me dëme qindra miliardë dollarë. Ekspertë dhe profesorë mendojnë se mund të ketë rrezik pikërisht gjatë zhvillimit të olimpiadës në qershor.

Profesori i Universitetit të Pensilvanisë, Mark Dyerson shkon deri aty sa thotë se këto lojëra të zhvillohen sërish në Paris. Por nuk mungojnë edhe optimistët si guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili thotë se përgatitjet jo vetëm për Lojërat Olimpike 2028 janë në rrugën e duhur.

Në Los Anxheles do të mbahen edhe ndeshje të Botërorit të Klubeve 2025, Kupës së Botës 2026, apo edhe NBA All-Star Game 2026, Superbowl 2027. Kryeqendra e kalifornisë ka pritur Lojërat Olimpike verore edhe në 1932 dhe 1984./Tv Klan/ KultPlus.com

Masakra e Reçakut, SHBA: Nderojmë viktimat, ripërtërijmë angazhimin për drejtësi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, është deklaruar me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut, duke shkruar se SHBA-të qëndrojnë me popullin e Kosovës në kujtimin e viktimave të kësaj masakre.

Në reagimin e ambasadës thuhet se, derisa nderohen viktimat, SHBA-të ripërtërijnë angazhimin për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin.

‘Sot, SHBA qëndron me popullin e Kosovës në kujtimin e viktimave të masakrës së Reçakut – një pikë kthese tragjike për njerëzimin që nxiti botën të veprojë. Ndërsa nderojmë viktimat, ne ripërtërijmë angazhimin tonë të përbashkët për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin. #KurrëHarro’’, ka shkruar ambasada./ KultPlus.com

Ernest Koliqi, një ndër intelektualët më vizionarë të çështjes shqiptare

Më 15 janar 1975 vdiq Ernest Koliqi, shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist e botues.

Ernest Koliqi lindi në qytetin e Shkodrës, ku ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më pas vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë. U kthye në Atdhe në vitin 1922, ku u integrua shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”.

Gjatë viteve 1933-1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovas. Në vitet e pushtimit italian u emërua ministër i arsimit. Në vitin 1943 largohet nga Shqipëria për të marrë drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”, Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës.

Ernest Koliqi është autor i mjaft veprave letrare si: “Kushtrimi i Skënderbeut”, “Hija e Maleve”, “Tregtar famujsh” etj. Ai nuk lëvroi vetëm poezinë, por edhe gjininë e romanit dhe dramës. U cilësua me të drejtë themelues i novelës shqiptare. Ernest Koliqi është një ndër intelektualët më vizionarë lidhur me probleme të kulturës kombëtare e çështjes shqiptare. / KultPlus.com

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë: 50 % më shumë vizitorë, interes i shqiptarëve përtej kufirit për muzeun e Arsimit

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë gjatë vitit 2024 pati një fluks të shtuar vizitorësh, nga brenda dhe jashtë vendit.

Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti, tha për ATSH-në se, për vitin 2024, vizitueshmëria u rrit me rreth 50% më shumë se një vit më parë. Shifra arriti në mbi 37 mijë vizitorë: 21 mijë prej tyre vizituan MKAM, 15 mijë ishin vizitorë të Muzeut të Arsimit dhe 1425 të Muzeut Arkeologjik të Korçës i cili përkohësisht është i mbyllur për restaurim.

Muzeu i Arsimit dhe Muzeu Arkeologjik administrohen nga MKAM.

Ndryshe nga muzetë e tjerë ku shumicën e vizitorëve e përbëjnë turistët e huaj, interesant është fakti se Muzeu i Arsimit u vizitua kryesisht prej vizitorëve vendas dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti, tha se për vitin 2025 janë në program një sërë aktivitetesh mes të cilave botimi i nr. 3 të Revistës “Mbi Artin Mesjetar “, botim i përvitshëm i muzeut, ku studiues të njohur e specialistë referojnë me artikuj të ndryshëm.

Duke qenë se ky vit përkon me 45-vjetorin e MKAM, si dhe në kuadër të Ditës së Muzeve, MKAM do të organizojë ekspozitë, sesion shkencor, si dhe aktivitete të tjera, lidhur me programin “Edukimi mbi kulturën”.

Prifti tha se, janë në program punëtori, zhvillime bisedash, ekspozita, si dhe koncerte me nxënës të grupmoshave të ndryshme.

Disa nga këto aktivitetet do të zhvillohen edhe online si ekspozita “Origjina dhe artizanati” dhe cikli “Mes trashëgimisë kulturore dhe artit”. Këto aktivitete do të zhvillohen si online ashtu dhe në muze, ku ekspozohen objekte muzeale të etnografisë dhe zhvillohen takime me artizanë të ndryshëm të cilët do të flasin mbi punët e tyre.

Në kalendarin e aktiviteteve të MKAM, drejtoresha Prifti tha se janë vendosur edhe aktivitete të cilat muzeu i organizon në bashkëpunim me partnerë të tjerë, si në rastin e Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë.

Kjo qendër muzeore është një nga më të rëndësishmet në vend. Ajo u përurua më 24 prill 1980 dhe brenda saj zhvillon aktivitetin edhe Qendra e Restaurimit dhe Studimit të Ikonave e cila vazhdon me një punë të përditshme projekte mbi restaurimin, konsolidimin studimin, etj./atsh/ KultPlus.com

Kryetari Rama: Reçaku është plaga dhe dhimbja jonë

Sot, 15 janar 2025, janë bërë 26 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Kryetari Përparim Rama me këtë rast ka thënë se përulet para martirëve të Reçakut duke shpreh mirënjohje të thellë për miqtë ndërkombëtarë.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Reçaku është plaga dhe dhimbja jonë!

15 janari i 1999-tës, mbetet në kujtesën tonë kombëtare, si një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë. Në atë mëngjes të acartë, 45 shqiptarë të pafajshëm u vranë barbarisht në fshatin Reçak, duke lënë pas skena që tronditën jo vetëm Kosovën, por mbarë botën.

Ishte një akt çnjerëzor që synonte të shuante rezistencën dhe idealin tonë, por që në vend të kësaj u bë thirrje e fuqishme për drejtësi dhe liri.

Ambasadori William Walker që vizitoi Reçakun, pa me sytë e tij mizorinë dhe guxoi të thotë të vërtetën para gjithë botës!

Deklarata e tij e fuqishme se ajo që ndodhi në Reçak është krim kundër njerëzimit bëri jehonë në arenën ndërkombëtare.

Ai u bë zëri ynë dhe mik i paharrueshëm i popullit të Kosovës!

Sot, përulemi para martirëve të Reçakut dhe shprehim mirënjohje të thellë për miqtë ndërkombëtarë. Lavdi viktimave të Reçakut dhe falënderim i përjetshëm për ata që na ndihmuan në rrugën drejtë lirisë!

Reçaku mbetet jo vetëm një plagë e dhimbshme, por edhe një shembull i unitetit dhe humanizmit që triumfon mbi barbarinë./ KultPlus.com

26 vjet nga masakra e Reçakut

Sot, 15 janar 2025, janë bërë 26 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.

Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.

Pasi e pa me sytë e tij këtë skenë, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak, pas të cilit forcat serbe u tërhoqën nga Kosova. / KultPlus.com

Molière: Jeta është një tragjedi për ata që ndjejnë dhe një komedi për ata që mendojnë

10 thënie nga Jean-Baptiste Poquelin – Molieri

“Pemët që rriten ngadalë japin frutat më të mira”.

“Sa më shumë që e duam dikë, aq më pak e lajkatojmë; dashuria e vërtetë shfaqet duke mos falur asgjë .

“Shkrimi është si prostitucioni. Në fillim e bën për dashurinë, pastaj për disa miq të ngushtë, dhe më pas për para”.

“Sa më e madhe të jetë pengesa, aq më shumë lavdi të sjell kapërcimi i saj”.

“Një budalla i shkolluar është më shumë një budalla se sa një budalla injorant.”

“Nuk është vetëm ajo që bëjmë, por edhe ajo që nuk bëjmë, që na mbush me përgjegjësi”.

“Jeta është një tragjedi për ata që ndjejnë dhe një komedi për ata që mendojnë.”

“Vdesim vetëm një herë, dhe ndodh për shumë kohë”.

“Bukuria pa inteligjencë është si një grep pa karrem”.

“Hipokrizia është një ves vanitoz dhe të gjitha veset e tilla kalojnë në virtyte.”/ KultPlus.com

Sot është dita e Martin Luther King Jr., udhëheqësi i të drejtave civile

Sot është dita e Martin Luther King Jr. ku kujtojmë punën e bërë nga aktivisti i të drejtave civile.

“Ne të gjithë duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër – ose të gjithë së bashku do të humbasim si budallenj.”

Në vitin 1964, Martin Luther King Jr. u nderua me Çmimin Nobel për Paqe për fushatën e tij jo të dhunshme kundër racizmit. Metodat e tij përfshinin bojkotime të organizuara të përhapura dhe mosbindje civile.

Në kohën e çmimit ai ishte personi më i ri që mori çmimin e paqes; sot ai është ende marrësi mashkull më i ri.

​Për të Drejtat Civile dhe Drejtësinë Sociale

Martin Luther King ëndërronte që të gjithë banorët e Shteteve të Bashkuara të gjykoheshin nga cilësitë e tyre personale dhe jo nga ngjyra e lëkurës së tyre. Në prill të vitit 1968 ai u vra nga një racist i bardhë. Katër vjet më parë, ai kishte marrë Çmimin e Paqes për fushatën e tij jo të dhunshme kundër racizmit.

King iu përmbajt filozofisë së Gandit për jo dhunën. Në vitin 1955 ai filloi luftën e tij për të bindur qeverinë amerikane që të shpallte të paligjshme politikën e diskriminimit racor në shtetet jugore. Racistët iu përgjigjën me dhunë iniciativave jo të dhunshme të zezakëve.

Në vitin 1963, 250,000 demonstrues marshuan drejt Memorialit të Lincoln në Uashington, ku King mbajti fjalimin e tij të famshëm “Unë kam një ëndërr”. Një vit më pas, presidenti Johnson miratoi një ligj që ndalonte çdo diskriminim racor.

Por Mbreti kishte kundërshtarë të fuqishëm. Kreu i FBI-së, John Edgar Hoover, e vuri nën vëzhgim si komunist dhe kur King kundërshtoi politikën e administratës në Vietnam, ai ra në disfavor të Presidentit. Ende nuk është konstatuar nëse vrasësi i King ka vepruar vetë apo ka qenë pjesë e një komploti. / KultPlus.com

92 vjet nga lindja e piktorit të njohur, Adem Kastrati

Piktori Adem Kastrati, u lind më 15 janar 1933 në fshatin Karaçevë të Dardanës së Kosovës, në një familje të madhe bujare, me veprimtari patriotike dhe arsimdashëse.

Ishte e njohur familja e tij nga babai në këtë anë, por edhe nga ana e nënës së tij të Dajkocit (daja i tij, ishte disidenti politik e atdhetari Metush Krasniqi). Piktori e pedagogu i artit figurativ, krijuesi letrar, mbledhësi, shënuesi dhe publikuesi i thesarit popullor, analisti i marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe euro-botërore. Ai i takon gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore. Kohërat e stuhishme në të cilat është rritur, pjekur dhe formuar si piktor, sigurisht që do të lënë një gjurmë të madhe te veprimtaria e tij.

Emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurative të cilët kanë jetuar dhe krijuar vepra në Jugosllavi. Kastrati është një prej doajenëve mes piktorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut , shteti ku ka jetuar dhe krijuar për më tepër se dyzet vjet.

Adem Kastrati (mbi)jetoi periudha të qeta, paqësore dhe progresive, por jo rrallë u ndesh edhe me situata te ndërlikuara e të turbullta kohore, të përcjella me ngjarje, trazira dhe okupime gjatë jetës së tij. Dhe në një moment gjendja kulmoi me luftën e përgjakshme që populli shqiptar në Kosovë e përjetoi në fundshekullin XX. Katër herë ndërroi shtetësinë, duke u bërë shtetasi i Mbretërisë së Jugosllavisë, Mbretërisë Shqiptare, Jugosllavisë komuniste dhe në fund fare i Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, biografia e tij jetësore, më mirë do të pasqyrohej nëpërmjet përshkrimit të sekuencave dhe rrëfimeve në lidhje me biografinë, prejardhjen dhe rrugëtimin e shkollimit të tij.

Edhe në bisedat konfidenciale dhe pikturat e tij kishte bindjen se familja është bërthamë e një shoqërie të rehatshme, ndaj edhe ndjeshëm e artistikisht i pikturonte pamjet kur nëna ishte e përkushtuar me mish e me shpirt për fëmijën, shtëpinë e familjen, sofër, familje e skena të tjera. Temat të cilat i përpunon në veprat e tij më së shumti lidhen me njeriun e zakonshëm. Një theks të veçantë i jep nënës, të cilën e paraqet si rojtare të shtëpisë. Nëna, gruaja, është ajo e cila i jep kuptim jetës, kërkon, por edhe jep ëmbëlsi, dashuri, mirësi. Meshkujt janë gjithmonë seriozë, kur punojnë, qëndrojnë ulur, lëvizin. Kjo është tradita e tyre. Folklori i pasur është padyshim prezent në krijimtarinë e tij, gjë me të cilën do të mbetet përgjithmonë i dalluar në veprat e tij dhe gjë të cilën ai e thekson akoma më tepër me anë të teknikës së tij specifike, të pazakontë dhe të vetme të dheut shumëngjyrësh. Preokupimet e tija pikturore ndjehen edhe gjatë përshkrimit të fshatit, tokës dhe banorëve të tij. Shohim si bujku e lëvron arën me që e paramendë, duke e dërguar të shesë në treg mallin e vjelur dhe me ato mjete financiare të blejë sende të domosdoshme për shtëpinë e familjen. Pikturon edhe pamje të drejtëpërdrejta nga tregu.

Kafshët shtëpiake e të buta i ka si motive në pikturat e tij, si ajo kur bariu me kopenë e dhenve mbart në krahëror edhe librin “Lahuta e Malcis”, kaprojt në pyll duke vrapuar. Kafshët ishin mjet pune e transporti dhe të luftërave sportive të barinjve e fshatarëve. Adem Kastrati spikatës si mbledhës, shënues dhe botues i folklorit e etnografisë si bashkëpunëtor i devotshëm i Instituti Albanologjik i Prishtinës, por edhe skicues e pikturues i imazheve nga loja e filxhanave ose kapuçave, këngëve e valleve të grave dhe të burrave të Anamoravës dhe Karadakut e arealit etnografik mbarë shqiptar. Dashamirët e kureshtarët e kësaj fushe i kënaqi edhe me pikturat për dasmat me krushq nëpër borë. Në pikturat e tij Adem Kastrati sajon njerëz-burra të ashpër e tejet të vëmendshëm në valle e punë dhe njerëz-gra tejet lirike në valle e këngë dhe shumë besnike e të sinqerta në punët e shtëpisë e të familjes. Krijimet artistike të Adem Kastratit shpesh u edhe kronikave socio-histoike, që përmes mjeshtërisë së ngjyrosjes dhe ekspresivitetit artistik, shquhen me objektivitet e impresione, si janë piktura që tregon pamje nga turma e mbledhur në stacionin hekurudhor të Shkupit dhe që presin të shpërngulen në Turqi nga sundimi i gjenocidal i Rankoviçit ndaj shqiptarëve. Treni është sinonim i ndarjes edhe i të dashuruarve, ajo që shpreh varfërinë e skajshme dhe lypsarinë e nënës me kalamajt e saj. Adem Kastrati nuk ishte vetëm piktor me famë botërore, por edhe analist i historik e diplomatik i marrëdhënieve shqiptaro-sllave e evrobotërore, autor i dhjetëra dramave e tregimeve, artikujve publicistikë, që shumicën e tyre i nënshkruante me R. Kosova e pseudonime të tjerë. Kjo figurë poliedrike e pikturës dhe letrave shqipe dy vjet para se të vdiste si amanet një miku e ish-nxënësi të tij ia la në besim tufën shkrimeve autobiografike e qasëse, me kusht që ato të botohen pas vdekjes së tij, dëshirë që iu realizua në vitin 2009.

Gjatë ekspozitave të tija individuale dhje kolektive nëpër galeritë botërore kritika artistike theksonte origjinalitetin e stilit dhe teknikës së tij, mjeshtërinë ekspresive, dinamizmin emocional dhe porosinë utilitare të krijimeve. Vlera e pikturave dhe e mendimit të tij shkencor është e pavdekshme dhe frymëzuese dhe sot e kësaj dite është e paarritshme në artin shqiptar të këtushëm, embleme kulturore e joheve e brezave krijues. Vdiq në Shkup, më 24 shtator të vitit 2000 nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme.

Talentin e tij, Adem Kastrati e ka manifestuar qysh si i vogël duke e shprehur atë nëpërmjet modelimit dhe vizatimit mbi pllakat prej baltës shumëngjyrëshe të vendlindjes së tij. Por, talentin e njëmendtë ai e ka shfaqur në bankat e shkollës fillore duke treguar interes ndaj lëndëve artistike: poezisë, muzikës, por kuptohet që më shumë ai është dalluar si vizatues i talentuar. Në lidhje me kontaktet e tij të para me artin figurativ, Kastrati flet për vizatimet e tij të para me laps, për çka mësuesi, Mehmet Turani, e ka lëvduar gjithmonë para nxënësve. Pastaj e përkujton edhe një moment tjetër që ndërlidhet me talentin e tij, kur ai si nxënës i shkollës fillore e kishte vizatuar me laps portretin e gjyshit të tij. Gjyshi i kënaqur me vizatimin e nipit të tij i kishte premtuar Adem Kastratit se “do ta bënte inxhinier”. Ashtu si gjithë moshatarët e tjerë të vendlindjes së tij, edhe Adem Kastrati fëmijërinë e ka kaluar me punët e shtëpisë, sidomos duke ruajtur bagëtinë. Kuptohet, para se gjithash ishte puna, por një fëmijë nuk privohej dot as edhe nga loja e tij. Përveç lojërave të ndryshme tradicionale që i luanin fëmijët, mjaft e preferuar për ata ka qenë, sidomos, loja me baltë që përroi i fshatit Karaçeva e kishte me bollëk. “Me baltën me ngjyra të llojllojshme bënim figura të njeriut, kafshëve, shtazëve dhe shpezëve të ndryshme, por më shpesh unë modeloja pëllumbin duke fluturuar. Nga ajo baltë bëja pllaka mbi të cilat skicoja figura të ndryshme”, përkujton Kastrati. Dhe kështu, dalëngadalë, piktorin e përvetësonte bota e vizatimit dhe modelimit me baltë, dhe dita ditës bëhej e qartë që ai kishte ardhmëri në fushën e artit. Por, si gjithmonë, Kastratit i dilte ndonjë pengesë që ia prishte sdopak ëndrrën e tij. Si rrjedhojë piktori kujton një përjetim jo edhe gjithaq të këndshëm nga koha e rinisë shkollore. Lëndën e vizatimit në Normalen e Gjakovës e ka dhënë mësuesja, Lirie Tanefi, e cila asnjëherë nuk i ka shënuar Kastratit notë më të lartë. Edhe pse vetë piktori pohon se asokohe nuk ka ditur as për perspektivën e as për dritë – hijen, por as edhe për fshehtësitë e tjera të mjeshtërisë së vizatimit e pikturimit, por atë notë e shënuar në lëndën e vizatimit nga mësuesja, Tanefi, ai gjithmonë e ka përjetuar si tendencioz dhe padrejtësi ndaj tij. “Ajo nuk besonte se unë i bëja vetë vizatimet. Mësuesja ime nuk ishte e kënaqur pasi që mendonte se gjoja e kisha kopjuar një punim të piktorit, Gjorgje Andrejeviq – Kun”, ka deklaruar piktori në shtypin e kohës.

Pikturat e Kastratit, e mbështetur në traditën e mimetizmit realist, paraqet sekuenca të drejtpërdrejta të figurës së njeriut dhe të botës animaliste, rëndom në përputhshmëri me ngjashmëritë dhe iluzionet pamore të tyre. Duke u nisur nga konteksti i misionit institucional të pikturës, Kastrati, mundësitë e kësaj gjinie figurative i përdor si një praktikë sociale të shkëmbimit dhe interpretimit të vlerave të imazhit, që vijnë si shfaqje reale ose si konstruksione vizuale. Pikturat e tij, si një sistem kompleks prezantues, nëpërmjet një diskursi të ndjeshëm-emergjent vë në lëvizje praktikat e prodhimit, paraqitjes, pranimit, konsumimit dhe interpretimit të sipërfaqeve dydimensionale në funksion të përfaqësimit vizual të botës reale apo imagjinare. Nëpërmjet tematikës së begatshme dhe motiveve të shumëllojshme vjen në shprehje edhe koloriti i pasur i përshtatur me idenë dhe konceptin estetik – figurativ, si dhe jetësohen karakteristikat e specifikave artistike e stilistike në krijimtarinë e tij. Koloriti në pikturat e shumta, me kalimin e kohës, përsoset dhe arrin pjekurinë e plotë, bëhet më i kërkuar, më i ngjeshur, pse jo edhe më intensiv dhe më me shkëlqim. Realizimet figurative nëpërmjet këtij koloriti arrijnë premisat metaforike, me transponime të sakta simbolike, të përshkruara kryesisht nga tërësitë (bi)kromatike dhe polikromatike. Shtresimet e koloritit, në kuptimin e sendërtimit të konceptit artistik, që shquhen edhe për kah rëndësia vizuale dhe ndjeshmëria estetike, piktori në mënyrë origjinale kryesisht i zbërthen nëpërmjet gërshetimit të figuracionit nëpër enterierë dhe eksterierë. Përdorimi i vijave të gërryera në pikturë shfaqet si një element i vazhdueshëm i cili e begaton teksturën të cilën piktori e shfrytëzon duke i vënë ato në një koherencë me elemente tjera figurative, të cilat bashkërisht e pasurojnë dhe e konsolidojnë gjuhën figurative, kurse pikturën e tij e bëjnë më kuptimplote. Janë antologjike pikturat e tij të punuara me këtë teknikë, si: “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Duke i dhënë gji fëmijës”, “Gratë duke u larë”, “Mikpritja”, “Darka”, “Dasmorët”, “Duke çuar drekën”, “Nga Historia”, temat e tij të fundit janë të ndërlidhur me tragjedinë e kombit shqiptar të ndodhur në luftën e Kosovës 1998-1999, ndërsa pikturat e tij të punuara me motive legjendash popullore janë: “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër”, “Krushqit e ngurosur”.

Nuk ekziston pothuajse motiv nga ikonografia tradicionale figurative që nuk haset në krijimtarinë e piktorit, Adem Kastrati. Ashtu siç ka shfrytëzuar një larmi temash të llojllojshme, ai ngjashëm veproi edhe me materializimin e atyre temave nëpërmjet motiveve të caktuara, të cilët pothuajse janë të pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Motivet paraqesin format pamore të përmbajtjeve tematike. Shumicën e motiveve e ka pikturuar sipas modeleve të ikonografisë tradicionale figurative, duke filluar që nga peizazhi, enterieri, portreti, autoportreti, akti, natyra e qetë, animalizmi, arkitektura, karikatura, etj, duke lënë kështu një opus të pasur veprash me vlera estetike, por edhe me domethënie pamore dokumentare. Në veprat e Adem Kastratit dominojnë motivet e familjes, të cilat me një ndjeshmëri të rrallë i inkorporon në paraqitjen e fshatit, tokës, kafshëve e sidomos te kujdesi i nënës ndaj fëmijëve. Përmes motiveve autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen ai shpaloi momente të mbushura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajton “fshataren”, këtë qënie sipas tij “të drejtpërdrejtë”, që i jep kuptim jetës e që për piktorin ishte gjithmonë e njëjtë: si kur lëviz, si kur punon, si kur këndon ninulla për fëmijën e saj në djep. Gratë në motivet e tij janë me tipare karakteristike me sy të mëdhenjë e me plot rrëfim e ëndrra brenda tyre, që për piktorin ishin pasqyra të shpirtit. Ndërkaq burrat duken të rëndë, sepse, sipas piktorit këtë e kanë traditë. Ata janë të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur vallëzojnë në dasma, që për piktorin ishin bukuria fizike e tyre.

Krijimtaria e Adem Kastratit, është shumë e pasur artistikisht, shumë e gjerë numerikisht dhe akoma më e shpërndarë gjeografikisht. Zhvillimin e saj e ka përcjellë një dinamikë tejet intensive, duke përjetuar ngritje të vazhdueshme artistike. Dhe ajo që duhet veçuar, ka të bëjë me faktin se, krijimtaria e tij në masë të madhe është shprehur nëpërmjet dy gjinive figurative: pikturës dhe vizatimit. Duke qenë një artist tejet aktiv dhe shumë produktiv, kërkues dhe novator, përmes veprave tij ai u bë projektues vizual i të kaluarës, por edhe dëshmitar i ngjarjeve të mëdha të historisë më të re kombëtare shqiptare. Krijimtaria e tij e ngriti atë në një protagonist i cili nuk mbeti pa u vërejtur nga publiku dhe sidomos nga syri i kritikës. Për të krijuar një pasqyrë më të qartë për zhvillimin e krijimtarisë së tij, do ta trajtojmë më hollësisht teknikën dhe teknologjinë e vizatimit dhe pikturës, efektet e koloritit, si dhe pasqyrimin e zhvillimit të krijimtarisë artistike të tij nëpër disa faza. Adem Kastrati punoi në mënyrë permanente dhe me një fanatizëm e vullnet të pashoq. Një jetë të tërë e shpenzoi në kërkim formash e teknikash të reja, synoi prore individualitetin e tij si krijues dhe arriti që si rrallë ndonjë tjetër të jetë i veçantë.

Duke u nisur nga rrethanat e krijuara ky numër asnjëherë nuk do të dihet saktësisht. Kuptohet, që një numër i konsiderueshëm i veprave padyshim që akoma ruhet në fondin e familjes së tij. Familja e Adem Kastratit për një numër prej tyre ka dijeni se ku ndodhën. Por, pjesa tjetër, pothuajse më shumë se gjysma e veprave të krijimtarisë së tij, nëpërmjet shitjes apo dhurimit, janë shpërndarë në të katër anët e botës. Ndonëse autori është përpjekur të mbajë një evidencë për veprat e tij, megjithatë, e ka pasur të pamundur që t’i evidentojë të gjitha. Piktori ka shkruar se qindra piktura të tij ndodhen në adresa të ndryshme nëpër botë. Shumë vepra sot janë pronë e galerive dhe institucioneve, e koleksionistëve dhe e personaliteteve të ndryshme, e miqve dhe e adhuruesve të artit të tij. “Ja një kështu është fati i piktorit. Njëherë rropatet me idenë, pastaj me punën rreth realizimit të pikturës, që më vonë ajo pikturë të merr udhën, kurse tek autori të mbeten vetëm adresat, por jo edhe paratë! Sepse ato para të gjitha treten, të gjitha shpenzohen për sigurimin e materialeve për të punuar, për të organizuar ndonjë ekspozite të re, rreth botimit të ndonjë katalogu. Është mjaft shtrenjtë, kurse unë gjithçka bëj vetë…” është shprehur, Adem Kastrati. Sipas një shënimi tjetër nga notesi i piktorit mësohet se numri më i madh i veprave të tij është shpërndarë nga Dubrovniku, nga ku shumë piktura kanë përfunduar nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas evidencës që ka lënë Adem Kastrati, mund të llogaritet se fondi i përgjithshëm i tij, numëron rreth 830 vepra artistike. Sa mund të merret e saktë kjo shifër është për t’u diskutuar, por është e vërtetë se ka rreth edhe 300 vepra të pa ekspozuara, ku bëjnë pjesë piktura dhe vizatime që ruhen në fondin familjar. Këtu duhet llogaritur edhe një numër të konsiderueshëm të pikturave të realizuara në teknikën e dheut dhe vajit në pëlhurë të pa vendosura në blind – kornizë, të cilat janë dëmtuar aty kah fillimi i viteve të 80 – ta nga plasja e një gypi të kanalizimit në podrumin e banesës së familjes Kastrati. Po aty, dhe sipas një evidence të tij, mësohet se: në Francë ndodhen mbi 50 piktura, mbi 30 vepra janë në SHBA, 27 në Gjermani, 20 në Itali, 8 në Belgjikë, 6 në Suedi, 4 në Shqipëri, 5 në Danimarkë, 2 në Skoci, 3 në Finlandë, 1 në Brazil dhe 1 në Australi. / KultPlus.com

Isa Boletini, atdhetar i shquar e strategu i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar

Më 15 janar 1864, lindi atdhetari Isa Boletini. Shqipëria e pavarur ishte kryefjala e jetës së tij. Udhëhoqi qendresën antiosmane, së bashku me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin etj. Pas përfundimit me sukses të kryengritjes, Porta e Lartë e Stambollit u detyrua të ulej në bisedime dhe të plotësonte kushtet e palës shqiptare, ku më kryesorja do të ishte shpallja e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor.

Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com

Promovohet libri ‘Në çdo pasqyrë na sheh mëkati’ i autorit Preç Zogaj

Shkrimtari dhe poeti Preç Zogaj promovon në vendlindjen e tij botimin më të fundit “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, një vepër që përmban krijimet e tij më të mira në poezi në 40 vite karrierë. Zogaj thotë se nga ky botim me përmbledhjen e poezive më të mira, risjell në vëmendje hijeshinë e atyre që ishin botuar shumë vite më parë.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vlerësoi poetin Zogaj për vlerat letrare që i ka dhënë Lezhës, Shqipërisë dhe përtej saj.

Mes 11 vëllimeve të shkruara në këto katër dekada, Preç Zogaj përzgjedh poezitë më domethënëse për gruan, miqtë, poetët e preferuar, për Lezhën, për vdekjen, për nënën e tema të tjera të pakohë, duke provokuar përmes fjalës një kolorit emocionesh, përfytyrimesh e mendimesh./ Tv Klan/ KultPlus.com

Dritaren lëre hapur

Poezi nga Basri Çapriqi

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të hyjë ajri nga rruga
flaka t’i dalë

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ta përpish frymën
të dalë erë e keqe e trupit

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të thyhet vizioni në sy ta spastrosh shpirtin
nga hapësirë e mbyllur

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ushton zë epik i poetëve nxitojnë fëmijët të ikin
nga terri nga tingujt e mprehur

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
zbresin bishat nga malet
shkelin mollët në gratë e vdekura

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
shi bie pak ujë sidomos pak ujë
në buzë të plasur vëre

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
çlirohu nga epshet nga faji
përfalu me të vdekurit tuaj sidomos

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
me qentë ta bësh gjumin me insektet
me shpirtrat e territ me zërat e largët

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
kufomat janë bashkudhëtarët tuaj të sinqertë shih
ata s’të vrasin s’të zënë kalimin frymën

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
para se të niseni në atë udhëtim të fundit
me nga një ombrellë të çeliktë shi i kuq pikë

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
thyeje pasqyrën katrore me fytyrën tënde në kënd të dhomës
e nisu

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
se ti je i vdekur në ushtrinë që marshon nga qielli
mbylle derën mbylle

mos të dalin bishat dhe njerëzit/ KultPlus.com

Lezhë, përkujtohet 322-vjetori i Kuvendit të Arbrit

Në Lezhë u përkujtua sot Kuvendi i Arbrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit, pas Besëlidhjes së Skënderbeut.

Në 322-vjetorin e Kuvendit, në kishën e restauruar të fshatit Mërqi, u organizua një veprimtari përkujtimore, ku morën pjesë historianë, autoritetet lokale, përfaqësues të klerit katolik dhe banorë të zonës.

“Pas rënies së Lezhës në duart e turqve osmanë, më 5 shtator 1478, rezidenca ipeshkvnore e Lezhës për pjesën më të madhe të pushtimit osman ka qëndruar pranë kësaj kishe,” u shpreh historiani Paulin Zefi.

“Pas 300 vitesh si pasuese e Kuvendit të Besëlidhjes, që dëshmon se në Lezhë, Shqipëria mund t’ia dalë dhe shpresoj që në të ardhmen, pse jo, të përsëritet një kuvend tjetër”, shtoi studiuesi Dom Nik Ukgjini.

Autoritetet lokale vlerësuan rëndësinë e Kuvendit të Arbrit, i cili mori një sërë vendimesh të rëndësishme për popullin shqiptar.

“Ishte një kohë e drojeve të mëdha, sidomos të bashkimit të Kishës, sepse Perandoria Osmane e kishte synim të vetin ta shkatërronte kishën katolike”, tha Fatjon Zefi, nënkryetar i bashkisë së Lezhës.

Kuvendi Kishtar i Arbrit ishte një mbledhje e klerit katolik shqiptar, mbajtur më 14–15 janar 1703 në Kishën e Shën Gjon Kryepremit në fshatin Mërqi të Lezhës, me përkrahjen e Papës Klementi XI, që kishte prejardhje shqiptare.

Ndër vendimet kryesore të Kuvendit ishin hapja e shkollave dhe botimet ne gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan përgjatë shekujve XVIII dhe XIX./ atsh/ KultPlus.com

Durova… sa nuk duron njeri, as Perëndi!

Poezi nga Mitrush Kuteli
Durimi

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vogëli.
Jam si më sheh
e si më njeh:
kësulëbardhë e kryelidhë,
kryelidhë me një shami,
me tri shami:
për trimëri!
Jam eshtërmadh
i vrazhdët jam
e bojalli-
dhe sytë e mi:
janë plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
si s’ka njeri
për Drejtësi
e për Liri
si gjithë asimët
e gjithë qerimët
e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që në vogëli.
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët.
Ma vranë,
se urdhër dha Vojvoda
e Krali- vetë:
Të vritet.
Se ish Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba
nga gjyshi
rrënjë pas rrënje
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet
ma muar.
Ah!
Ma muar Vatanin
që e desha
si xhanin!
Ma muar
me armë në duar
me gjak nëpër duar
Agrarët!
Xhandarët
Tuxharët!
Të gjithë tok
u bënë shok:
si sorrat!
për kërme.
Oborrin ma muar
deri në shtëpi
dhe ngrehe për vete shtëpi
në sytë e mi.
Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot:
mbeta pa dhe,
bujk pa dhe
bari pa kope
këtu,
në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
Po shpresa s’m’u vyshk!
Durova,
durova,
Sa nuk duron njeri,
as Perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i kombit tim.
Më dhanë armë të vras
vëllanë,
sipas kanunit
të gjakut…
Po s’desha!
Dhe në e bëra ma falni,
se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej.
Se vetëm andej
paska për ne
popull pa zot –
vend boll…
Po malli i tokës s’më la,
po malli i fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu,
i huaj,
si qen,
në vendin tim,
të babës tim…
Mbeta rajá,
e ndër rajá,
si për hatá;
në uri,
në qesëndi,
në skllavëri
të shqaut të zi.
Më thanë të ik në Allbani,
vatan i ri
i kombit tim,
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava
dhe mbeta të jem
ku jam
e ku do të jem.
Më thanë të shkoj në sheher
të shqahut të madh,
me sharrën në krah,
me kryet përdhé,
jaban
e beter;
portë më portë,
derë më derë,
i mjerë
e zemër sterrë,
për një kotherrë
bukë.
Po malli i vendit s’më la.
Ah, malli i gjakut s’më la
e mbeta këtu,
rajá.
ndënë raja
të ha një bukë – zehër
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres, po të pres!
Një tjatër mëngjes.
E dit për dit,
E net për net, e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjah:
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!
Po prita
Dhe prita
Të vijë dhe për mua
Drita!
Tani
Tani,
Liri!/ KultPlus.com

Vdes në moshën 65-vjeçare komediani Tony Slattery

Komediani britanik Tony Slattery ka vdekur në moshën 65-vjeçare pas një ataku kardiak.

Slattery u shfaq në programin komedi improvizues të Channel 4 “Whose Line Is It Anyway?” dhe në shfaqjet humoristike “Vetëm një minutë” dhe “A kam lajme për ty”.

“Me pikëllim të madh duhet të njoftojmë se aktori dhe komediani Tony Slattery ndërroi jetë sot në moshën 65-vjeçare”, deklaroi familia e tij.

I lindur më 9 nëntor 1959, Slattery ishte një bashkëkohës i Emma Thompson, Stephen Fry dhe Hugh Laurie në Universitetin e Kembrixhit.

Ai ishte ish-presidenti i grupit improvist të Kembrixhit “Footlights”, dhe së fundmi kishte lançuar një podcast, “Tony Slattery’s Rambling Club”./atsh/ KultPlus.com

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William  Walker, e ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment historik që ndryshoi fatin e Ballkanit.

Këtë deklarim, Walker e bëri para promovimit të librit në Prishtinë me titullin:  “Reçak: Historia e një krimi lufte”, i botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, transmeton Klankosova.tv

Ai e përshkroi këtë moment si një nga më të rëndësishmit në jetën e tij.

“E gjitha që mund të them është s kjo është ajo prej dy ose tri ditëve më të rëndësishme të jetës sime. Nuk ka mendim tjetër në mendjen time se ajo çka ka ndodhur në Reçak është që ka ndikuar në ndryshimin e diçkaje që është e madhe sa i tërë Ballkani… Jam këtu që të mundohem t’i bind njerëzit që ta lexojnë librin për disa gjëra që ndodhën gjatë viteve 1998-1999”, ka thënë Walker.

Libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” sjell rrëfimin personal dhe profesional të ambasadorit Walker, duke përshkruar rolin e tij në zbulimin dhe denoncimin e masakrës së Reçakut më 15 janar 1999, ku forcat serbe masakruan 45 civilë shqiptarë.

Kjo ngjarje ishte një pikë kthese për Kosovën, që më pas çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë.

Libri ndahet në dy pjesë.

Pjesa e parë përshkruan autobiografinë e autorit, duke filluar nga fëmijëria e deri te karriera e tij 40-vjeçare si diplomat në misione të ndryshme, ndërsa pjesa e dytë fokusohet në përvojat e tij në Ballkan, sidomos në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999

Cilësi e dobët, 100 sportistë kthejnë medaljet e fituara në Paris 2024

Një jetë për t`u përgatitur, disa sekonda apo centimetra diferencë për sukses dhe disa javë për të parë transformimin e plotë të medaljes së lakmuar.

Janë 100 sportistë fitues në Lojërat Olimpike të Parisit, të cilët kanë kthyer medaljet e tyre olimpike pesë muaj pas pjesëmarrjes.

Problemi është përkeqësimi serioz i medaljeve, shqetësim për cilësinë e dobët që i ka lënë vendin kritikave dhe polemikave të ashpra.

Ai që e trazoi situatën ishte amerikani Nyjah Huston, që fitoi medaljen e bronztë në Paris 2024, i cili në rrjetet sociale tregoi gjendjen e tmerrshme në të cilën ndodhet medalja e tij. Një lëvizje që vuri në lëvizje edhe sportistë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë, duke treguar medaljet e ndryshkura dhe thuajse të panjohura, sigurisht që nuk shkëlqejnë dhe të shfaqen me krenari ashtu siç duhet.

“Kur ato janë krejt të reja, këto medalje janë fantastike. Por gjithçka që duhet të bëni është t’i mbani ato pak, ndoshta me pak djersë, dhe me sa duket cilësia nuk është aq e lartë”, tha Huston.

Por çfarë ndodhi? Problemet u ngritën për shkak të ndalimit të përdorimit të një komponenti kimik dhe kohës së kufizuar në dispozicion për të testuar zgjidhjet e reja.

Drejtuesit e Monnaie de Paris u shkarkuan. Medaljet e bronzit janë një përzierje e bakrit, zinkut dhe kallajit dhe bronzi tenton të oksidohet nëse ekspozohet ndaj ajrit dhe lagështisë. Përdorimi i një metali më të lirë përshpejton kohën e përkeqësimit./rtsh/ KultPlus.com

Transfero studimet në Universum dhe merr diplomë të fuqizuar nga Universiteti më i madh Publik në SHBA!

Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan në UNI – Universum International College, fuqizuar nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe nr. #1 për Inovacion, për të nëntin vit me radhë.

TRANSFERONI studimet në Universum dhe merrni diplomë të fuqizuar nga Arizona State University🥇

Regjistrohu Online për informata: https://universum-ks.org/apliko/


Të gjithë studentët të cilët diplomojnë nga UNI – Universum International College, do të pajisen me diplomë “Fuqizuar nga Arizona State University”.

Përmes këtij partneriteti, mund të përfitojnë edhe studentët nga institucionet tjera të cilët i TRANSFEROJNË studimet në Universum dhe të marrin diplomë të fuqizuar nga Arizona State University.

Transfero të gjitha provimet nga universiteti paraprak përfito zbritje & shkëmbim semestral në njërin nga 221 Universitetet Partnere në 26 shtete të BE-së me BURSË të plotë.

A dëshironi edhe ju t’i transferoni studimet në Universum, t’i ndjekni ligjeratat me orar fleksibil pa shkëputje nga puna dhe pastaj t’i vazhdoni ato jashtë vendit me bursë të plotë? Shiko programet e akredituara për studime në UNI-Universum International College duke klikuar KËTU.

Në partneritet me Arizona State University, UNI – Universum International College ofron:

  • Mundësi për diplomë të dyfishtë nga Arizona State University
  • Qasje në kurrikulen e Arizona State University
  • Studime me standarde amerikane
  • Studime në 26 shtete të BE-së dhe Turqi me bursë të PLOTË

Për më shumë informata ndiqni faqen në facebook, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me Walkerin, e falënderon për të vërtetën e Reçakut

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim Ambasadorin William Walker.

E para e shtetit e falënderoi Walkerin për kontributin e tij për siç tha, të vërtetën për Masakrën e Reçakut.

“E vërteta e Reçakut është e pamohueshme”, tha Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Osmani tha se Masakra e vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë është kujtesë e përhershme për 45 burrat, gratë dhe të moshuarit që u masakruan brutalisht më 15 janar 1999.

Frojdi, Niçe, Marksi: Mjeshtrat e Dyshimit

Filozofi francez Paul Ricoeur hodhi dritë mbi mënyrën se si njeriu përpiqet të kuptojë botën e brendshme dhe realitetin e jashtëm. Ai identifikoi dy shtysa themelore në filozofi: “vullnetin për dyshim” dhe “vullnetin për dëgjim”, që janë bazat e Hermeneutikës, apo arti i interpretimit. Sipas Ricoeur, “vullneti për dyshim” përfaqëson nevojën për të tejkaluar mendimin klasik të Dekartit, i cili e bazonte filozofinë mbi idenë e një realiteti të qartë dhe të padyshimtë: Cogito, ergo sum (“Mendoj, pra jam”).

Por për filozofët e shekullit XIX, kjo qasje u duk e thjeshtëzuar. Ricoeur i referohet kësaj epoke si “Shkolla e Dyshimit”, një periudhë që hedh poshtë të vërtetat absolute të shoqërisë, shkencës dhe ekonomisë. Ai veçon tre figura qendrore që shpalosën fuqitë e fshehta që ndikojnë në veprimet njerëzore: Karl Marks, Friedrich Niçe dhe Sigmund Frojd. Këta mendimtarë shpërfaqën mënyrën se si nën sipërfaqen e vetëdijes njerëzore, fshihet një botë e errët dhe komplekse.

Karl Marks: Ekonomia si luftë për pushtet

Marksi ndryshoi përgjithmonë mënyrën si e kuptojmë shoqërinë dhe ekonominë. Ai analizoi botën kapitaliste në ngritje, duke vënë në dukje konfliktin midis dy klasave kryesore: borgjezisë (ata që zotërojnë mjetet e prodhimit) dhe proletariatit (ata që shesin fuqinë e tyre punëtore). Për Marksin, ky konflikt është zemra e çdo shoqërie kapitaliste dhe shpjegon ndryshimet sociale, politike dhe ekonomike.

Teoria e tij mbi luftën e klasave nuk ishte thjesht një analizë; ajo u kthye në një thirrje për revolucion, duke frymëzuar lëvizje që kanë formësuar historinë e shekullit XX. Nëpërmjet kësaj lenteje, Marksi tregonte se fuqitë ekonomike të fshehura i japin formë realitetit tonë, më shumë sesa mund ta kuptojmë.

Friedrich Niçe: Vullneti për pushtet

Niçe sfidoi themelet e moralit dhe filozofisë perëndimore duke propozuar një qasje krejtësisht ndryshe: “vullnetin për pushtet”. Ai besonte se kjo ishte forca më e thellë që shtyn njeriun drejt krijimit, transformimit dhe mbijetesës.

Përmes konceptit të tij të “shpirtit dionizian”, Niçe fton të pranojmë jetën me të gjitha kundërshtitë e saj, duke kaluar përtej kufizimeve të moralit tradicional dhe dogmave shoqërore. Megjithatë, ai gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e shkatërrimit të këtij vullneti nga normat e ngurta që e zbehin origjinalitetin njerëzor.

Sigmund Frojd: Misteret e pavetëdijes

Frojdi, babai i psikoanalizës, revolucionarizoi mënyrën se si e kuptojmë mendjen njerëzore. Ai zbuloi se sjelljet dhe mendimet tona shpesh drejtohen nga forca të pavetëdijshme – konflikte, komplekse dhe dëshira që nuk i pranojmë hapur.

Për Frojd-in, pavetëdija nuk është thjesht një hapësirë e errët, por një burim krijimtarie dhe tensioni. Ai demonstroi se kjo botë e fshehur ndikon në artin, letërsinë, dhe çdo formë të shprehjes njerëzore. Psikoanaliza e tij jo vetëm që transformoi psikologjinë, por u bë një instrument për të kuptuar më mirë shoqërinë moderne.

Triumfi i dyshimit

Marksi, Niçe dhe Frojdi na lanë një trashëgimi të përbashkët: ata shkatërruan iluzionin e një të vërtete absolute dhe universale. Ata mbollën dyshimin, pra atë vullnetin për të hetuar thellësisht arsyet e fshehura pas çdo bindjeje dhe veprimi.

Këta “mjeshtra të dyshimit” na mësuan se njeriu është më kompleks dhe më i mistershëm sesa duket. Nëpërmjet tyre, bota nuk është më një hapësirë e qartë dhe lineare, por një mozaik i pasur interpretimesh dhe sfidash, ku e vërteta është gjithmonë në diskutim. / bota.al/ KultPlus.com

Screenshot

Lansohet platforma online për promovimin e Muzeve të Kosovës

EC Ma Ndryshe ka lansuar platformën online për Muzetë e Kosovës, duke ofruar një burim të pasur informacioni për muzetë në qytetet si Prishtina, Prizreni, Mitrovica dhe Gjakova. Platforma përmban të dhëna të detajuara mbi llojet e muzeve, artefaktet e ekspozuara, lokacionet, oraret e punës dhe informacionet e kontaktit, duke synuar qasjen më të lehtë për qytetarët dhe turistët.

Ky projekt synon të promovojë muzetë e Kosovës, të rrisë interesin e vizitorëve dhe të lehtësojë orientimin e turistëve, ndërsa njëkohësisht mbështet digjitalizimin e trashëgimisë kulturore.

Platforma do të vazhdojë të përditësohet me informacione të reja për të përfshirë sa më shumë muze dhe të dhëna relevante. Ky zhvillim është pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni,” i mbështetur nga Ministria e Kulturës.