Pikturat e tij më 1947 ishin dorëzuar për Ekspozitën Verore dhe në fakt ato ishin pëlqyer nga komiteti përzgjedhës. Presidenti i Akademisë, Alfred Munnings, pas vendimit të tyre ka thënë: “Mirë keni bërë që i ekspozoni, se janë të Churchillit”. Pasi u shfaqën, Churchill e ekspozoi veten si piktor dhe veprat i nënshkruante me emrin e tij.
Ndonëse nuk kishte shkollim të duhur, ai megjithatë ka mësuar nga më të mirët, siç ishin miqtë e tij John Lavery, W R Sickert dhe William Nicholson – të gjithë këta emra të njohur në botën e artit.
Madje, që më 1921 pikturat e tij shfaqen në Paris, me pseudonimin Charles Morin. Ndërsa, ishte komplimentuar nga esteti dhe historiani më i madh i artit, Ernst Gombrich.
“Dikush fillon të shohë, për shembull, që pikturimi është si luftimi i një beteje; dhe përpjekja për të pikturuar, mendoj se është si përpjeka për të luftuar… Nuk ka gjë më emocionuese se të luftosh me sukses. Parimi është i njëjtë. Është problemi i njëjtë si shpalosja e një argumenti të gjatë dhe të ndërlidhur. Është një propozim i cili, qoftë i pjesëve të pakta ose të panumërta, urdhërohet nga një unitet i vetëm i konceptimit”., ka thënë Churchill. Ndërsa, Cooms për të thotë: “Ky unitet është diçka që Winston Churchill e ka kuptuar dhe zotëruar.” / KultPlus.com
Kantautori legjendar Sting ka shtyrë dy koncerte dhe ka anuluar një paraqitje të ardhshme në një ceremoni çmimesh për shkak të problemeve shëndetësore.
Këngëtari 73-vjeçar nuk do të marrë pjesë në ndarjen e çmimeve të revistës Bass të enjten, më 23 janar, ku do të merrte një çmim për arritje të jetës.
Muzikanti britanik shtyu gjithashtu koncertet e tij në SHBA në Phoenix, Arizona dhe Wheatland, Kaliforni, të cilat ishin planifikuar për në fund të muajit.
Mes gazetarëve të burgosur në shkallë botërore janë edhe korrespondentët e Zërit të Amerikës dhe mediave simotra të saj. Ata mbahen në burgjet e Mianmarit, Bjellorusisë, Rusisë, Vietnamit dhe Azerbajxhanit, të cilat renditen mes 10 vendeve kryesore që burgosin gazetarët.
Një zëdhënës i Sting konfirmoi në një postim në rrjetet sociale se fansat duhet të mbajnë biletat e tyre origjinale në rast se datat ricaktohen.
Këngëtari u kërkoi falje atyre që do të ndiqnin koncertet dhe i falënderoi për mirëkuptimin./KultPlus.con
Tre vite përpara shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali është pritur me nderime nga Kolonia e Horës së Arbëreshëve, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Shqiptare për Pavarësi. Me rastin e festës së “28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë”, shkrimtari arbëresh Zef Schirò Di Maggio, risjell disa fakte historike rreth asaj dite që lidhen me mbështetjen dhe reagimet e komunitetit arbëresh më këtë ngjarje të madhe të historisë së popullit shqiptar. Duke iu referuar botimit të Akteve të të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, (Tirane 1978), citon një telegram të nëntorit 1912, me titull “Protestë kundër synimeve pushtuese të shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë”.
Aty thuhet: “Kolonia e Horës së Arbereshëvet, në rrethin e Palermos, pas afro pesë shekuj jetese në tokën mikpritëse italiane, megjithëse ka ndjekur fatin e atdheut të madh italian në ditë të mira dhe në ditë të këqia, nuk e ka harruar atdheun e saj të prejardhjes, “fatkeqen Shqipëri”…. Në çastet më te vështira te jetës shqiptare, kjo ka ndjekur me zemër te dridhur dhe me vemendje të madhe fatet e kombit fatkeq. Sot që guximi i shteteve ballkanike, të cilët i kanë lënë mënjanë luftrat e tyre për liri e pavarësi, kërkon ta fusë në katastrofën osmane edhe popullin e Skënderbeut, qytetarët e Horës së Arbëreshëvet janë ngritur dhe protestojnë para gjithë botës kundër këtyre lakmive të pabesa. Dhe bota nuk mund të mos marrë parasysh jetën dhe qenien e një populli. Prandaj po bëjmë protestën që vijon: Qytetarët e Horës së Arbëreshëvet, në orën tragjike që po kalon mëmëdheu, nuk mund të qëndrojnë pa e ndjerë thellë klithmën e pikëllimit që vjen nga vëllezerit të Tejadriatikut….”. Në shkrimin e tij Di Maggio kujton se lidhjet mes arbëreshëve dhe shqiptarëe nuk janë shkëputur asnjëherë dhe patriotët e mëdhenj arbëreshë, “dy për të gjithë, De Rada e Zef Skiroi Senior, i kushtuan jetën e veprën letrare Rilindjes së Shqipërisë.
Një tjetër fakt historik që tregon patriotizmin e pashuar të arbëreshëve, është pritja që i përgatitën kryetarit të lëvizjes shqiptare Imail Qemalit, gjatë vizitës së tij këtu në Horë, tri vjetë para që të shpallej Pavarësia. Pjetro Skaljone në librin e tij “Historia e Shqipëtarëvet t’Italisë” të botuar në New York më 1921, e ka dokumentuar vizitën që Ismail Qemal bey Vlora e Xhjafer Effendi Mbreshtani bënë këtu në Horë në maj te vitit 1909. Di Maggio e citon si më poshtë këtë dëshmi: «Populli i katundit Piana dei Greçi kishte dalë jashtë katundit, me flamure Shqipë edhe Italianë, me bandën muzikore Katundare për me pritur ardhjen e të çkëlqyervet Shqipetarë te një vent i përthënë Shën Meria e Boshit. Bashkë me popullin ishën tërë Shoqëritë të katundit me flamuret e tyre… Banda loste Kënga Kombetare. Kur për së largu u-panë Karrocat, populli me zë te fortë, thiri rroftë Shqipëria.
Kur Karrocat u afruan muzika lojti ymnin Shqipetarë, e pas ymnin Italian.
Populli si karrocat u afruan e njohi të dy Atdhetarët (Ismail Qemalin e Xhjafer Effendin) të cilët ishën në e para karrocë, thriti “Rroftë Shqipëria, Rrofshin vëllezërit Shqipetarë”.
Zoterinjtë e tyre, Ismail Qemali, e Xhjafer Effendi falenderonin popullin dyke nxjerë shapkat (Kapelat) e dyke derdhur lotë nga gëzimi. Muzika udhetonte përpara, e populli u për-nda me dy krahtë të udhës, e karrocat në mestrë popullit, ishtë tue me kënduar kënga popullore e u nisën për në katundë. Kur karrocat hijtin brënda në katundi, dy Atdhetarët i priti një çuditje, përse shkuan gjera të paharrueshme, gjith balkonat e dritsoret ishën të stolisur me bukuri të madhe, e mbretërojën bojlat kombëtare; balkonet e dritsoret ishën të mbushur me zonja, të cilat ishën tue me shtur lule mbi karrocat e me thirë “Rroftë Shqiperia, Rrofshin vëllezërit tanë të Shqipërisë”. Ismail Qemali me lotë në sy e me zëmërin prej gëzimit falejë popullit, kur karrocat arrinë në shtëpia të Zotit Kalorës Gjergji Zalapi ishën mbushur me lule». Për këtë vizitë ka shkruar edhe vetë Ismail Qemali në librin e tij “Memorie”./KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot mjediset e Muzeut Arkeologjik, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në kryeqytet, aty ku është i ruajtur një fond prej 100 mijë eksponantësh.
Kryeministri Rama e cilësoi këtë fond, një dëshmi të patjetërsueshme të rrugëtimit mijëravjeçar të historisë së Shqipërisë.
“Nga thesari i monedhave antike, te fondi kombëtar etnografik, kartotekat gjuhësore të gjuhës shqipe, arkivi i historisë kombëtare i shkruar dhe elektronik, të gjitha dëshmi e gjallë se cilët kemi qenë shekuj më parë”, u shpreh Kryeministri Rama.
Kryeministrin e shoqëruan gjatë vizitës drejtues të Muzeut Arkeologjik të cilët shpjeguan renditjen e të gjithë fondit arkeologjik nga njëri pavijon në tjetrin.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ndaluan edhe në laboratorin i Restaurimit pranë këtij muzeu, ku u njohën me disa nga gjetjet e fundit.
“Një gjetje e fundit është në Babunjë të Lushnjës dhe kjo gjetje pritet të ekspozohet së shpejti. Një kalorës me kalë, që daton në vitin 520, pra 400 vjet para Krishtit, shumë i rëndësishëm në llojin e vet. Kemi edhe një kalorës tjetër që është në muzeun e Olimpias, që tregon një sportist nga Epidamni që ka fituar Lojërat e 66-ta Olimpike, në vitin 566 para Krishtit. Dhe sot, ka një memorial në Olimpia, kushtuar sportistit nga Durrësi”, u shpreh restauratori./atsh/KultPlus.com
Të mërkurën, me datë 29 janar, do të mbahet premiera e parë për këtë vit e shfaqjes së baletit “Transformim”.
Kështu ka njoftuar koreografi i kësaj shfaqjeje, Driton Saqipi, dukw bërë të ditur se në këtë shfaqje do të performojnë nxënësit e shkollës “Prenk Jakova” në Prishtinë, drejtimi i baletit.
Shfaqja do të mbahet në Teatrin Oda në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00./KultPlus.com
Winston Leonard Spencer-Churchill (1874-1965) ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, në momentet më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte oficer, por njihet si historian dhe një nga oratorët më të njohur në histori. Më 1953 fiton Nobelin për Letërsi, “për mjeshtërinë e tij të përshkrimeve historike dhe biografike, si dhe për oratorinë brilante në mbrojtje të vlerave njerëzore”. Më poshtë mund të lexoni 30 thënie të tij.
• Shakaja është një gjë shumë serioze!
• Gënjeshtra ka shkuar deri në gjysmë të botës, përpara se e vërteta të ketë mbathur pantallonat!
• Njeriu bën çfarë duhet bërë – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe kjo është baza e gjithë moralit njerëzor.
• Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi; një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.
• Politikani ka aftësinë të parathotë se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe, e ka aftësinë pastaj të shpjegojë pse të parathënat nuk ndodhën!
• I burgosuri i luftës është një njeri që përpiqet të të vrasë ty dhe pastaj të kërkon ty të mos e vrasësh atë!
• Edhe pse unë jam krejt i kënaqur me eksplozivet ekzistuese, e ndjej se nuk duhet të ecim në drejtim të përmirësimit të tyre.
• Ndonëse isha i përgatitur për martirizim, parapëlqeva ta lë për më vonë!
• Paqebërësi është ai që përpiqet ta ushqejë krokodilin, duke shpresuar se ai do ta hajë atë të fundit!
• Sjellja është një gjë e vogël që përbën një ndryshim të madh!
• Betejat janë fituar me masakra dhe manovra. Gjenerali i madh, sa më shumë që i jep përparësi manovrës, aq më pak lë vend për masakrën!
• Trimëria me të drejtë është vlerësuar si cilësia e parë njerëzore… sepse ajo është cilësia që i garanton të tjerat!
• Kritika mund të mos jetë e pranueshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin funksion që ka dhimbja në trupin njerëzor. Ajo tërheq vëmendjen ndaj gjendjes jo të shëndoshë të gjërave!
• Vështirësitë e mposhtura janë mundësi të fituara!
• Mos lë hapësira të mëdha për një botë të re, kënaqi energjitë tua së shpëtuari çfarë ka mbetur nga e vjetra!
• Ngrënia e fjalëve nuk m’i ka bërë asnjëherë keq tretjes!
• Çdokush e ka ditën e tij dhe disa ditë zgjatin më shumë se të tjerat!
• Sa për mua, mendoj se do të ishte shumë më mirë për të gjitha palët t’ia lëmë të shkuarën historisë, sidomos përderisa kam qëllim ta shkruaj historinë vet!
• I madh dhe i mirë janë rrallë i njëjti njeri!
• Ai i ka të gjitha virtytet që nuk më pëlqejnë dhe nuk e ka asnjë nga veset që unë i admiroj!
• Qytetarët e shëndoshë janë pasuria më e madhe që mund të ketë çdo vend!
• Historinë e shkruajnë fitimtarët!
• Sado e bukur të jetë strategjia, unë herë pas here vështroj rezultatet!
• Unë gjithmonë shmang dhënien paraprake të profecive, sepse është shumë më mirë të profetizosh pasi një zhvillim ka ndodhur tashmë!
• Jam gjithnjë gati të mësoj sado që asnjëherë nuk më pëlqen të më japin mësim!
• Sigurisht që nuk jam një nga ata që kanë nevojë të më nxitin. Në fakt, nëse diçka jam, atëherë jam vetë nxitja!
• Unë kënaqem lehtë me të bukurën!
• Më pëlqejnë derrat. Qentë na shikojnë ne nga lart. Macet na shikojnë nga poshtë. Derrat na trajtojnë si të barabartë!
• Perandoritë e së ardhmes janë perandori të mendjes!
• Nuk kam ndërmend të kem të bëj më me politikën ose politikanët. Kur kjo luftë të mbarojë, unë do të merrem vetëm me shkrime dhe pikturë!/KultPlus.com
Një foto e rrallë e Ismail Qemalit e bërë më 1871 me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të kohës, diplomatë nga më të shquarit.
Ismail Qemali, më i riu midis tyre, në atë kohë vetëm 27-vjeçar, është President i Komisionit Evropian të Danubit, ndër më të rëndësishmit për kohën, Komision që akoma edhe sot është në funksion.
Fotoja është marrë nga libri “Anglo-Romanian relations after 1821”, botuar nga “Academia de Stiinte Sociale si Politice a Republichi Socialiste Romania”, 1983, f.98.
Fotografia është gjetur nga stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora./ KultPlus.com
LUI$A (lindur Luisa Boshnjaku në Queens) artistja alternative-pop e rritur në Prishtinë, me bazë në Nju Jork, sapo ka nënshkruar një marrëveshje globale me Broke Records e cila është aktualisht një nga shtëpitë muzikore të pavarura që po zgjerohet më së shpejti në botë.
Përmes kompanisë së menaxhimit të artistëve “Three60 Music”, LUI$A, që është vajza e producentit të njohur Florent Boshnjaku, ka arritur të nënshkruaj një kontratë për publikimin e dy EP-ve, secila me nga pesë këngë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e saj.
Muzika e saj është një miks mes eksperimentalizmit elektronik dhe popit komercial, me frymëzim nga ikona të ndryshme si FKA Twigs, Madonna dhe A$AP Rocky, si dhe kultura e gjallë e jetës së natës që ka formësuar rrugëtimin e saj krijues. Udhëtimi i saj muzikor filloi në SoundCloud në moshën 12 vjeçare, ku ajo ndau për herë të parë “beat-et” e saj trip-hop si një producente e re. Me kalimin e kohës, ajo kaloi në shkrimin e këngëve, duke filluar ti ndaj këngët e saj origjinale me botën. Performancën e parë e pati gjatë pandemisë në VFILES PTA Remote Sessions në 2020, ku eventualisht nga skenat virtuale filloi me shfaqje të drejtpërdrejta në vende ikonike si Madame Siam dhe The Peppermint Club në Los Angeles.
Në vitin 2022, LUI$A u diplomua në LAAMP (Akademia e Los Anxhelosit për Artistët dhe Prodhimin e Muzikës), e themeluar nga dyshja fitues të çmimeve Grammy, producentët Stargate, të njohur për hitet e tyre me Beyoncé, Rihanna dhe Charli XCX. Gjatë kohës së saj në LAAMP, ajo morri çmimin “Artistja e Vitit” ku pati mundësinë të mentorohet nga profesionistë të industrisë si Benny Blanco, Jozzy dhe Jimmy Napes, përvoja që i ndihmuan në përsosmërinë e aftësitëve të saj dhe thelluan të kuptuarit e saj për prodhimin muzikor dhe shkrimin e këngëve. Arti i LUI$A është thellësisht i inspiruar nga skena e muzikës dhe artit të Kosovës, ku ajo ka bashkëpunuar me shumë dizajnerë, artistë vizualë dhe muzikantë vendas. Me njohuri të madhe të kulturës kreative të Kosovës, ajo frymëzohet shumë nga rikthimi i kulturës së rave dhe muzikës elektronike. Ky kontakt me jetën e natës në Evropën Lindore dhe energjinë e saj të veçantë është shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të rrëfimit të saj artistik, duke u reflektuar qartë në temat që trajton muzika e saj.
Që nga viti 2023 LUI$A është duke ndjekur mësimet në një prej shkollave më prestigjioze të muzikës në botë, “Roc Nation School of Music, Sports & Entertainment”, e themeluar nga artisti dhe biznismeni i njohur Jay-Z. Ajo ka arritur të sigurojë një bursë të plotë, duke u bërë pjesë e një ambienti frymëzues të mbushur plot mundësi për artistët të rinj të talentuar. Kjo shkollë jo vetëm që njihet për standardet e saj të larta akademike dhe artistike, por edhe për përkushtimin ndaj formimit të artistëve si liderë të ardhshëm në industrinë e muzikës dhe argëtimit.
Për më shumë, LUI$A ka disa projekte shumë interesante, të cilat priten të lansohen gjatë këtij viti dhe të kenë një ndikim të rëndësishëm në karrierën e saj artistike. Projektet përfshijnë bashkëpunime të reja dhe krijime origjinale gjithmonë duke pasqyruar stilin e saj unik. Informata më të detajuara rreth këtyre projekteve dhe surprizave që LUI$A ka përgatitur do të bëhen publike së shpejti dhe ju ftojmë të na ndiqni në rrjetet tona sociale, si edhe në profilet zyrtare të LUI$ËS, për t’u informuar mbi publikimet dhe njoftimet më të reja./KultPlus.com
Studio e arkitekturës FERIZI ARCHITECTS nga Prishtina ka projektuar Shtëpinë e Kosovës, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Ky projekt përfaqëson një moment historik për Kosovën dhe diasporën e saj.
Me një përkushtim të thellë ndaj detajit dhe një vizion të qartë për të pasqyruar identitetin kulturor të Kosovës, ata kanë dizajnuar një hapësirë që shquhet për bukurinë dhe funksionalitetin e saj. Dizajni i FERIZI ARCHITECTS reflekton një kombinim të harmonishëm të traditës dhe modernitetit, duke krijuar një ambient që është njëkohësisht inspirues dhe mikpritës për vizitorët nga e gjithë bota.
Për herë të parë, Shtëpia e Kosovës, me një sipërfaqe prej 500 m², i ofron botës një perspektivë të veçantë dhe të pasur mbi diversitetin dhe kulturën e Kosovës. Kjo hapësirë shërben si një ambasador i fuqishëm dhe një përfaqësues dinamik i vendit tonë në skenën ndërkombëtare, duke krijuar mundësi të reja për lidhje dhe bashkëpunim global. Shtëpia e Kosovës nuk është vetëm një hapësirë ekspozuese, por një simbol i fuqisë dhe përkushtimit të Kosovës për të ruajtur dhe promovuar vlerat, kulturën, identitetin e Kosovës, trashëgiminë e saj kulturore, duke theksuar bukurinë dhe potencialin e kombit tonë në arenën ndërkombëtare.
Projekti i realizuar nga zyra e arkitekturës FERIZI ARCHITECTS është gjithashtu një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së fuqishme te bizneseve që kanë ardhur si nga diaspora ashtu edhe nga vetë Kosova, sidomos pas procesit të dizajnimit. Ky bashkëpunim i palodhur me bizneset tona ka luajtur një rol kyç në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Këta partnerë të përkushtuar kanë qenë thelbësorë në realizimin e kësaj ideje, duke demonstruar se me përpjekje të përbashkëta mund të arrihen suksese të mëdha për Kosovën.
Nga ky moment e tutje, shqiptarët e Kosovës kanë një vend të veçantë në qytetin pitoresk të Davosit. HOUSE OF KOSOVA, e dizajnuar nga arkitekti Ernest Ferizi dhe zyra e tij dhe e mundësuar me bujarinë e veçantë dukagjinase nga LIKA Group, shërben si një strehë mikpritëse dhe një simbol i fuqishëm i unitetit dhe kulturës sonë kombëtare . Ajo reflekton përkushtimin dhe vlerat tona të përbashkëta në skenën globale, duke krijuar një platformë ku traditat dhe kultura jonë mund të shkëlqejnë përballë gjithë botës./KultPlus.com
Kjo që dikur na ishte një murgatë, Po ngjeshet rreth oborrit me mundim, Sikur kërkon të mbyllë ndonjë plagë… Të tjerë njerëz vijnë për strehim. Të qetë rrojnë, larg zhurmës botë. Nëpër këto udhë enden me ngadalë. Takohen, ndahen, risht ndodhen përballë, Sikur parajsës bredhin, ku s´bën ftohtë. Për lulet përkujdesen nëpër lehe, Të varfër e të gjunjëzuar. Dhe kur s´i sheh ndonjë, kanë një shprehje Të përmalluar, të hutuar, Për këtë njomështi e këtë bar, Një ledhatim të ndrojtur e të ngrohtë. E kuqja e trëndafilit kërcellhollë, Sikur thërret me zë kërcënimtar, Sikur kudo të shtrijë do sundimin, Dhe mbi këta që ngrihen që pa gdhirë, Po nuk arrin të shfaqë si për mendimin: Sa i mirë bari i njomë që ka mbirë!/ KultPlus.com
“Turi i Kullave’’, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të vendit tonë, do të prezantohet si pjesë e ofertës turistike në panairin “ITB Berlin 2025”.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
“”Gurët që flasin” – Turi i Kullave është një udhëtim nëpër damarët që të çojnë në zemër të një trashëgimie të pasur kulturore, historike e arkitektonike të Shqipërisë së Veriut e kombinuar me përvoja agroturistike, kulinarie dhe të bërit pjesë të traditave të komuniteteve lokale”, theksoi Kumbaro.
“Ky tur i hapur gjatë gjithë vitit, ju fton të bëheni pjesë e një itinerari dhe përvojave unike, një vlerë që me krenari do ta prezantojmë si pjesë të ofertës sonë turistike edhe në “ITB Berlin 2025””, tha Kumbaro.
“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë.
Ky tur është një udhëtim në zemrën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të Shqipërisë së Veriut. Ky itinerar përfshin eksplorimin e pasurive historike të kullave shqiptare, duke kombinuar përvoja autentike kulturore, historike dhe agroturistike.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takohen me banorët e këtyre kullave, të njihen me historinë dhe traditat, të shijojnë gatimet tradicionale dhe të njohin përpjekjet për ruajtjen e kësaj trashëgimie të veçantë.
“Gurët që Flasin” përçon mesazhin e jetës dhe historive të skalitura në muret e tyre shekullore, duke dëshmuar kulturën dhe traditat që këto kulla kanë ruajtur ndër vite./ KultPlus.com
Në tregun e këmbimit valutor vendas, të premten dollari amerikan u zhvlerësua në raport me lekun, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa euroja fitoi terren.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e gjelbër amerikane zbriti me 0,59 pikë dhe këmbehet me 93,80 lekë, ndërsa euroja u forcua me 0,11 pikë dhe këmbehet me 98,39 lekë.
Paundi britanik, krahasuar me një ditë më parë, u forcua me 0,22 lekë, duke u kuotuar në vlerën 116,55 lekë.
Ndërkohë, franga zvicerane këmbehet me 103,59 lekë, ose 0,56 lekë më pak se ditën e enjte.
“Iluzionet bashkëshortore” ishte shfaqja që solli mbrëmë Teatri Kombëtar, në ArTurbina.
Vepra e dramaturgut francez Eric Assous, erdhi me regjinë e Artan Imamit dhe interpretim të Indrit Çobanit, Andia Xhungës dhe Donald Shehut.
Komploti sillet rreth dinamikës komplekse të një çifti të martuar, të cilët përballen me sfidat dhe dyshimet që lidhen me jetën e tyre martesore. Përmes një loje të sinqertë dhe argëtuese rrëfimi, të dy bashkëshortët zbulojnë lidhjet e tyre jashtëmartesore. Xhelozia e burrit ndaj lidhjes së fundit të bashkëshortes çon në situata të sikletshme dhe komike. Elementi kryesor që nxit historinë është dyshimi ndaj një miku të familjes që është i ftuar në shtëpinë e çiftit pa e ditur situatën.
Kështu miku i çiftit e gjen veten të pavetëdijshëm në qendër të vëmendjes dhe prania e tij krijon tensione të mëtejshme dhe keqkuptime zbavitëse që e bëjnë komedinë të gjallë dhe tërheqëse.
Komedia, e përkthyer nga Anxhela Çikopano, do të vijojë të shfaqet sonte dhe gjatë mbrëmjeve të fundjavës./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit kujtoi sot, në 90-vjetorin e lindjes, tenorin Gaqo Çako (24 janar 1935 – 1 gusht 2018), mbajtës i titullit të lartë “Nder i Kombit”.
Gaqo Çako dha një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe në artin shqiptar në tërësi.
TKOB kujton se, mjeshtri Çako interpretoi rolet kryesore të repertorit të pasur operistik, duke shënuar tri dekada të arta në skenën e madhe të operës shqiptare. Performancat e tij e ngritën artin operistik shqiptar në nivele të larta artistike dhe teknike.
Repertori i tij përfshinte vepra të famshme botërore si: La Traviata, La Bohème, Rigoletto, Norma, Cavalleria Rusticana, “Peshkatarët e Perlave”, Madame Butterfly, si dhe operat shqiptare: “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, “Pranvera”, “Heroina”, “Skënderbeu”, “Komisari”, “Zgjimi”, “Toka jonë” dhe “Goca e Kaçanikut”.
Gaqo Çako interpretoi një repertor të gjerë që përfshinte arie, romanca, këngë popullore të përpunuara dhe muzikë të lehtë, të performuara në qindra koncerte brenda dhe jashtë vendit, në Evropë, Azi, Afrikë, Amerikë e Kubë. Ai ishte një ambasador i kulturës vokale shqiptare, duke sjellë në interpretim këngët tradicionale popullore shqiptare dhe këngët e festivaleve të Radios.
Si pedagog i shquar i kantos në Akademinë e Arteve, Çako ka lënë pas një trashëgimi të vyer, me shumë nga studentët e tij që sot luajnë role të rëndësishme në jetën muzikore shqiptare dhe ndërkombëtare. Ai kontribuoi gjithashtu si regjisor, duke vënë në skenë vepra të rëndësishme operistike.
Gaqo Çako mbetet një ikonë e artit dhe muzikës shqiptare, një shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe një figurë që do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe krenari./ KultPlus.com
Në edicionin e 50-të të çmimeve Cesar do të jetë edhe një film shqiptar. Filmi “A short trip” i regjisorit Erenik Beqiri është kualifikuar për të qenë kandidat për çmimet Cesar që janë ekuivalenti francez i çmimeve Oscar.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka uruar regjisorin Beqiri dhe producentin e filmit, Olivier Berlemont për përfshirjen e “A short trip” në listën zyrtare për çmimin Cesar 2025. QKK e ka vlerësuar punën e tyre si “të shkëlqyer” dhe u uroi suksese në të ardhmen.
Ceremonia e Cesar 2025 pritet të mbahet në fund të muajit shkurt. Në listën e filmave më të mirë të metrazhit të shkurtër bashkë me filmin “A short trip” renditen edhe 23 filma të tjerë të cilët u përzgjodhën nga Komitetet e Filmit me metrazh të shkurtër. Të 24 filmat prezantohen në platformën e shikimit të krijuar enkas për anëtarët e Akademisë Cesar. Filmi i regjisorit shqiptar Erenik Beqiri, rrëfen historinë e Klodit and Mirës, një çift shqiptar që vendosin së bashku që Mira të martohet me një shtetas francez për vetëm pesë vjet, në mënyrë që të përfitojë edhe ajo shtetësinë franceze.
Personazheve u duhet të përzgjedhin bashkëshortin e duhur, por edhe të gjejnë forcën për t’u shkëputur nga njëri-tjetri.
“A short trip” (Një udhëtim i shkurtër), u vlerësua edhe në Festivalin e Filmit në Venecia, si filmi më i mirë i shkurtër, në kategorinë Orizonti.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Cesar pritet që këtë vit të jetë mbresëlënëse duke qenë se është përvjetori i 50-të. Me këtë rast do të jetë e pranishme në ceremoni edhe Catherine Deneuve, aktorja ikonë e kinematografisë franceze e cila falë talentit të jashtëzakonshëm, një karriere unike dhe hijeshisë, mishëron vetë thelbin e artit të shtatë.
Çdo vit, Akademia Cesar identifikon më shumë se 3000 kineastë dhe më shumë se 600 filma, pas një kontrolli në bashkëpunim me kompanitë e prodhimit.
Ceremonia e Cezar-it është ngjarja kinematografike franceze e vitit me tri orë shfaqje “live”, gjatë së cilës shpallen fituesit, para më shumë se 1700 të ftuarve, në një sallë emblematike të Parisit.
Suksesi i filmave sipas kritereve të kësaj akademie vjen mbi bazën e tri mënyrave: përmes kënaqësisë publike (spektatorët në salla, blerjet e videove, audienca televizive), përmes pëlqimit nga ana e kritikës (media dhe festivale) dhe përmes njohjes së profesionistëve nga industria e filmit (Akademitë Kombëtare të Filmit).
Akademia Cesar përbëhet nga 4951 anëtarë me të drejtë vote, të shpërndarë në 19 degë, të cilët çdo vit, me votat e tyre, dallojnë artistët, kineastët dhe filmat që u duken më me vlera.
Në edicionin e 50-të të çmimeve Cesar do të jetë edhe një film shqiptar. Filmi “A short trip” i regjisorit Erenik Beqiri është kualifikuar për të qenë kandidat për çmimet Cesar që janë ekuivalenti francez i çmimeve Oscar.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka uruar regjisorin Beqiri dhe producentin e filmit, Olivier Berlemont për përfshirjen e “A short trip” në listën zyrtare për çmimin Cesar 2025. QKK e ka vlerësuar punën e tyre si “të shkëlqyer” dhe u uroi suksese në të ardhmen.
Ceremonia e Cesar 2025 pritet të mbahet në fund të muajit shkurt. Në listën e filmave më të mirë të metrazhit të shkurtër bashkë me filmin “A short trip” renditen edhe 23 filma të tjerë të cilët u përzgjodhën nga Komitetet e Filmit me metrazh të shkurtër. Të 24 filmat prezantohen në platformën e shikimit të krijuar enkas për anëtarët e Akademisë Cesar. Filmi i regjisorit shqiptar Erenik Beqiri, rrëfen historinë e Klodit and Mirës, një çift shqiptar që vendosin së bashku që Mira të martohet me një shtetas francez për vetëm pesë vjet, në mënyrë që të përfitojë edhe ajo shtetësinë franceze.
Personazheve u duhet të përzgjedhin bashkëshortin e duhur, por edhe të gjejnë forcën për t’u shkëputur nga njëri-tjetri.
“A short trip” (Një udhëtim i shkurtër), u vlerësua edhe në Festivalin e Filmit në Venecia, si filmi më i mirë i shkurtër, në kategorinë Orizonti.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Cesar pritet që këtë vit të jetë mbresëlënëse duke qenë se është përvjetori i 50-të. Me këtë rast do të jetë e pranishme në ceremoni edhe Catherine Deneuve, aktorja ikonë e kinematografisë franceze e cila falë talentit të jashtëzakonshëm, një karriere unike dhe hijeshisë, mishëron vetë thelbin e artit të shtatë.
Çdo vit, Akademia Cesar identifikon më shumë se 3000 kineastë dhe më shumë se 600 filma, pas një kontrolli në bashkëpunim me kompanitë e prodhimit.
Ceremonia e Cezar-it është ngjarja kinematografike franceze e vitit me tri orë shfaqje “live”, gjatë së cilës shpallen fituesit, para më shumë se 1700 të ftuarve, në një sallë emblematike të Parisit.
Suksesi i filmave sipas kritereve të kësaj akademie vjen mbi bazën e tri mënyrave: përmes kënaqësisë publike (spektatorët në salla, blerjet e videove, audienca televizive), përmes pëlqimit nga ana e kritikës (media dhe festivale) dhe përmes njohjes së profesionistëve nga industria e filmit (Akademitë Kombëtare të Filmit).
Akademia Cesar përbëhet nga 4951 anëtarë me të drejtë vote, të shpërndarë në 19 degë, të cilët çdo vit, me votat e tyre, dallojnë artistët, kineastët dhe filmat që u duken më me vlera./ KultPlus.com
Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar përkushtimin e vazhdueshëm për avancimin e sektorit të arsimit në Kosovë. Një gjë të tillë, BE e ka bërë të ditur përmes një komunikate të zyrës së saj në Kosovë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit.
“Që nga viti 2007, BE-ja ka investuar mbi 85 milionë euro në iniciativa që synojnë rritjen e cilësisë, aksesit dhe gjithëpërfshirjes së sistemit arsimor për të gjitha komunitetet në Kosovë. Këto përpjekje synojnë t’u ofrojnë studentëve dhe akademisë në Kosovë mundësi të krahasueshme me ato në BE, duke kontribuar gjithashtu në zhvillimin ekonomik të bazuar në njohuri dhe krijimin e vendeve të punës”, thuhet në komunikatë.
Tutje theksohet se mbështetja gjithëpërfshirëse e BE-së përfshin të gjitha nivelet e arsimit, nga arsimi i fëmijërisë së hershme deri te trajnimi profesional (AFP) dhe arsimi i lartë.
“Ky investim jo vetëm që ka përmirësuar infrastrukturën arsimore, por gjithashtu ka forcuar kornizën e politikave që qeveris arsimin në Kosovë, ka përmirësuar cilësinë e materialeve mësimore dhe teksteve shkollore, ka promovuar mësimin digjital dhe ka mbështetur përfshirjen e grupeve të cenueshme”, thuhet tutje në komunikatë.
Si pjesë e programit më të gjerë të BE-së për Punësim dhe Arsim, BE-ja ka mbështetur ndërtimin e objekteve të reja të fakultetit për Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore me vlerë 8.9 milionë euro.
“Deri më sot, BE ka financuar ndërtimin e shkollave të reja dhe rinovimin e mbi 20 objekteve arsimore, duke përmirësuar ndjeshëm mjediset e të mësuarit. Për më tepër, përmirësimet e efikasitetit të energjisë në më shumë se 60 shkolla anembanë Kosovës kanë reduktuar konsumin e energjisë deri në 30%, duke nënvizuar përkushtimin e BE-së për qëndrueshmëri”, theksohet tutje në komunikatën e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Një nga iniciativat kryesore në përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës është projekti Mbështetja e Arsimit Bazë dhe të Mesëm të Lartë (KosEd), i cili fokusohet në zhvillimin e mësimdhënësve, rekrutimin dhe cilësinë e teksteve shkollore. Me mbi 1000 mësues të angazhuar, KosEd do të ndikojë drejtpërdrejt në 21% të shkollave të Kosovës deri në qershor 2025, thuhet mes tjerash në komunikatë, e ku janë përmendur edhe projekte tjera të mbështetura nga BE./ KultPlus.com
Është përmbyllur me sukses procesi i digjitalizimit të arkivit të Radio Prishtinës.
Rreth 11 mijë ekzemplarë të arkivit tashmë janë kthyer në jetë dhe janë të gatshëm për transmetim. Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka theksuar se ky ka qenë prioritet, mision dhe detyrë e transmetuesit publik, teksa digjitalizimin e këtij arkivi ai e ka quajtur si ‘thesar të trashëgimisë kulturore’.
Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovē” në RTK Halili bëri me dije se shiritat kanë qenë të vendosur në fonotekën e Radio Kosovës. Ai tregoi se pas një ekspertize që e kanë bërë përfaqësuesit e EBU-së në vitin 2015, kanë treguar që këto materiale kanë qenë të ruajtura mirë, për shkak se e kanë pasur kopertinën prej kartoni, e cila i ka mbrojtur prej kohës.
Ai tregoi se ka pasur sfida dhe hezitime të ndryshme, por edhe shumë takime përgatitore, në mēnyrë që kur t’i hyjnë këtij procesi të mos hasnin telashe të tjera.
“Kemi pasur takime të rregullta me stafin e produksionit, me ekspertët që kanë qenë të ‘Radio Prishtinës’, që tashmë veç janë pensionuar. Ata na kanë ndihmuar me ekspertizë, se si t’i qasemi këtij procesi. Ka pasur dilema të ndryshme për t’i ndjekur standardet e ndryshme ndërkombëtare që janë për arkivimin e materialeve. Pasi i kemi zgjedhur këto dilema, kemi kërkuar ndihmë prej ‘Radio Shkupit’, për shkak se është dashur të kemi një shirit testues, i cili do ta bëjë kalibrimin e kētyre pajisjeve që ne i kemi pasur në dispozicion, dhe pas një përgatitje dymujore, e kemi filluar këtë proces”, tha ai.
Ai tha se tashmë procesi është finalizuar në tërësi.
“Materialet janë tërësisht të digjitalizuara. Më herët ka pasur tentativa për digjitalizim të pjesërishëm, por e kam parë të domosdoshme të digjitalizohen komplet, prej shiritit të parë deri në të fundit”, shtoi Halili.
Ndër të tjera, ai tha se gjatë këtij procesi janë gjetur materiale të vjetra të vitit 1954.
“Ka këngë të asaj periudhe popullore, argëtuese, po ashtu kemi një opus të gjerë të krijimtarisë artistike të radiodramave që janë krijuar nga plejada më e madhe e artistëve. Ka emisione foljore, ka fjalime politike të kohës, ka materiale edhe të muzikës serioze që është krijuar në atë kohë nga kompozitorë vendorë, materiale të Ilojeve të ndryshme, shumica në gjuhën shqipe. Ka materiale edhe në gjuhë te komuniteteve, në gjuhën serbe dhe turke. Të gjitha janë digjitalizuar, pa përjashtim”, tregoi Halili.
Janë gjithsej rreth 11 mijë ekzemplarë që janë digjitalizuar pēr një periudhë prej 19 muajsh.
“E kemi nisur punën në maj të vitit 2023 dhe e kemi përfunduar në fund të vitit 2024. Janë digjitalizuar 10 723 shirita në kohëzgjatje prej 3 718 orë e 48 minuta”, tha Halili. /rtklive/ KultPlus.com
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) ka publikuar të dhënat e përpunuara nga raportet e Doganës së Kosovës për periudhat 2023 dhe 2024, duke theksuar rritjen e dukshme në shkëmbimet tregtare.
Sipas të dhënave të grumbulluara gjatë vitit kalendarik 2024, nga Kosova drejt Gjermanisë vlera e eksportit mbërrin shifrën prej 92.7 milionë euro, rritje prej 7.9% krahasuar me vlerat e nxjerra nga viti 2023.
Ndërkaq, vlera e importit nga Gjermania në Kosovë rrumbullakson 897 milionë euro duke shënuar rritje prej 19.4% në krahasim me vitin 2023.
Ndër kategoritë që shënuan vlerat më të larta në eksport në vitin 2024 përfshijnë:
Plastika dhe artikujt prej tyre, mobileritë dhe kategori të tyre, atikuj prej gizës dhe çelikut.
Ndër kategoritë që shënuan vlerat më të larta në import në vitin 2024 përfshijn.
“Mjetet e transportit të ndryshëm nga vagonët e hekurudhës ose tramvajit, pjesët dhe plotësuesit e ryre, raktorët nuklearë, boilerat, makineri dhe pajisjet mekanike si dhe pjesët e tyre, plastika dhe artikujt prej tyre”, njofton OEGJK.
Sipas OEGJK-së, këto të dhëna theksojnë rritjen e dukshme në shkëmbimet tregtare Kosovë-Gjermani duke dëshmuar forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe bilaterale mes Kosovës dhe Gjermanisë./ KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti. Përcaktimi i saj si ditë ndërkombëtare është bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive.
Qëllimi i tjetër i caktimit të ditës kushtuar arsimit në nivelin ndërkombëtar është që të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve për rolin dhe rëndësinë që luan arsimi si njëri ndër mjetet më të përshtatshme për të shpëtuar nga varfëria.
Pa një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë si dhe mundësi për arsimim gjatë gjithë jetës për të gjithë, shtetet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që është duke lënë miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur në prapambeturi.
Duke shpallur Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara njohën rëndësinë e punës arsimore për të siguruar një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë në të gjitha nivelet – në mënyrë që të gjithë njerëzit të kenë qasje në mësimin gjatë gjithë jetës dhe përvetësimin e njohurive dhe aftësive të nevojshme për pjesëmarrje të plotë në shoqëri si dhe të kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm./KultPlus.com
John Belushi (24 janar 1949- 5 mars 1982), ishte aktor dhe këngëtar nga ShBA me prejardhjen shqiptare.
Belushi lindi në Chicago, Illinois. Ishte djali i Agnes Belushi dhe Adam Belushi. Mbiemri i familjes gjatë emigracionit ishte Bellios, ose Belliors.
Belushi i vogël u rrit në kishën Orthodokse Shqiptare e më pas jashtë Çikagos në Uiton (Wheaton), ku bëhet pjesë e skuadrës së futbollit. Aty ndjek dhe Universitetin e Winscosin-Whitewater dhe Coolege of DuPage afër Çikagos.
Vëllai më i vogël, James Belushi, është edhe ai aktor dhe humorist. John takon gruan e tij të ardhshme, Judy Jacklin, gjatë vitit të dytë të gjimnazit. Ata do të qëndrojnë bashkë deri në vdekjen e tij.
Belushi fiton famë kombëtare nga roli i tij tek Saturday Night Live. Mes dy sezoneve të spektaklit, realizon një nga filmat e tij më të famshëm, “Animal House”.
Më 1970 ai luan së bashku me Dan Aykroyd në bendin “The Blues Brothers”.
Nga përdorimi i gjatë i drogës ai vdes më 1982 në moshën 33 vjeçare./ KultPlus.com
Pikturat e piktorit kosovar, Mentor Berisha janë ekspozuar mbrëmë, në Van Gogh Art Gallery, në Madrid të Spanjës, krahas shumë veprave të 30 artistëve ndërkombëtar, nga shumë vende të botës.
Siç sqaroi Berisha, prezantimi i tij në Spanjë është mjaft domethënës, dhe ka një rëndësi të veçantë, për faktin që një pjesë e trashëgimisë sonë historike, shpaloset në një shtet, që ende se njeh Republikën e Kosovës.
„Solidariteti si Rezistencë“ është cikli i punimeve të Berishës, të realizuara gjatë viteve të fundit në pikturë, dhe ka për fokus temën e sensibilizimit të grupeve të ndryshme sociale-kulturore, përgjatë viteve 90-ta në Kosovë.
Ky cikël përmban motive nga „Falja e Gjaqeve“ dhe „Greva e Minatorëve të Minierës së Trepçës“.
Arti i tij është i njohur për përmbajtjen dhe kompozicionin shprehës me nuanca të ekspresionizmit modern në pikturë, për forcën e thekshme në përzgjedhjen e ngjyrave dhe vendosjen specifike të dritës në copëza subimazhesh.
Berisha së fundi ka ekspozuar edhe në Finlandë, Estoni dhe Austri./ KultPlus.com
60 vite nga vdekja e ish-kryeministrit britanik, Winston Churchill, i cili konsiderohet ende sot një nga liderët më karizmatikë dhe më të diskutuar të shekullit XX, shkruan focus.it.
Me energjinë dhe popullaritetin e paepur që pushtoi masat, ai personifikoi vullnetin e Britanisë së Madhe dhe popujve aleatë për t’i rezistuar kërcënimit nazist, kur bota ishte në buzë të humnerës përgjatë viteve 1940-41.
Cila ishte forca e Wilson Curchill-it?
Ai e kuptoi shumë shpejt, falë një udhëtimi në Gjermani në vitin 1934, rrezikun e jashtëzakonshëm që përfaqësonte Hitleri, i cili synonte dominimin kontinental. Churchill ishte i vetmi, edhe në qeverinë e tij, që i shpalli një luftë totale, absolute dhe dramatike. Duke përsëritur gjithmonë, edhe kur gjithçka dukej e humbur, se nazistët nuk mund të mbështeteshin kurrë në një paqe të fshehtë apo të veçantë.
Prandaj, forca e tij ishte një guxim moral dhe fizik shumë i madh, i palëkundshëm (ai lëvizi në fronte, shkoi mes popullatave të bombarduara), i kombinuar me një vizion politik afatgjatë që e lejonte të kuptonte se nëse Hitleri do të pushtonte Anglinë, atëherë ajo do të mbetej e izoluar dhe në atë pikë sa mund të humbiste gjithë perandorinë e saj.
Britania e Madhe doli fitimtare nga Lufta e Dytë Botërore, por e rraskapitur.
Çfarë ka mbetur nga trashëgimia e Churchill?
Në imagjinatën kolektive angleze, Churchill është ende një mit, një baba i vendit. Sidomos mes atyre mbi 40 vjeç ai është një personazh i klasit të parë. Sigurisht, së fundmi dikush i ka njollosur disa statuja duke e quajtur racist. Por, Churchill nuk mund të kufizohet me kaq, pasi përbën një nënvlerësim.
Sot historiografia, pas momentit të mitit, kërkon hije, bën pyetje, sheh disfata dhe jo vetëm fitore te ky personazh. Por, ajo nuk vë në dyshim madhështinë e tij. Churchill në fakt ka treguar se në orën më të errët mund të luftosh dhe të humbasësh, por gjëja e rëndësishme është të kesh guximin të vazhdosh dhe të mos dorëzohesh.
Me cilin lider mund të krahasohet Churchill?
Vetëm me presidentin e SHBA, Franklin Delano Roosevelt, i cili në fakt lëvizi si ai në një strategji planetare të konfliktit dhe kishte skrupolozitet në aleancat ndërkombëtare. / KultPlus.com
Sot, më 24 janar 2025, bëhen 203 vjet që nga vdekja e sunduesit dhe feudalit më të fuqishëm të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, Ali Pashë Tepelena. I njohur si “Luani i Janinës”, Ali Pashë Tepelena, në historiografinë shqiptare njihet më së mirë si themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, si dhe si kryengritës kundër pushtetit të Portës Osmane në Shqipëri.
“Luani i Janinës”, lindi rreth viteve 1740-1750 në Tepelenën e Labërisë, dhe vdiq më 24 Janar 1822 duke mbrojtur trojet shqiptare të Epirit nga forcat osmane.
Familja e Ali Pashës ishte një nga familjet me të forta në trojet shqiptare. Stërgjyshi i tij Muçojaka qenë Be nga Gjirokastra dhe besohet të ketë qenë nënguvernator i nahijes së Tepelenës, qytet që ishte pjesë e Sanxhakut të Vlorës. Gjyshi i tij, Muhtar Pasha ishte luftëtar,i famshëm për trimërinë e tij. Vdiq në rrethimin e Korfuzit (pasi shkatërroi një pjesëtë mureve veneciane) duke komanduar forcat osmane në 1716. Muhtar Pasha kishte 3 fëmijë: Salek, Mehmet dhe Veli.
Ali Pashë Tepelena si i ri u dallua shumë shpejt për aftësitë e tij dhe për energjinë me të cilën ndoqi planet e veta ambicioze për t’u bërë sundimtar i vetëm i ve ndit duke përdorur gjithë mjetet, dhunën, dinakërinë, po aq sa edhe lidhjet familjare me feudalët e tjerë vendas. Moktar, gjyshi i tij vdiq, me shpatën në dorë, gjatë ekspeditës së osmanëve kundër Korfuzit në 1716. Vdekja e babait të tij, Veli, ka shkatërruar shumë familje. Aliu do të bashkonte një grup grabitësish në rininë e tij. Ai ishte përgjegjës për bastisje të ndryshme, deri në arrestimin e tij nga Pashai i Beratit. Ai arriti megjithatë të shpëtojë dënimit nga hyrja në shërbim të tij. Ai pastaj kaloi në shërbim të një armiku të Pashës së Beratit, Pashait i Delvinës. Aliu u martua me një vajzë të këtij të fundit. Ajo i dha dy djem që u quajtën : Moktar dhe Veli. Nuk ishte e gjatë për të intriga kundër vjehrrit të tij. Ai shpreson, pas ekzekutimit të tij, të trashëgonte pashallëkun tij.
Më 1784 fitoi gradën e Pashait si komandant u shtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Po këtë vit siguroi me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës.
Në vitet 1786-88 u bë derbendpashë dhe qeveritar i Sanxhakut të Tërhallës (Thesali) dhe shtiu në dorë, sidomos me përkrahjen e borgjezisë zejtare-tregtare të vendit, qeverisjen e sanxhakut të rëndësishëm të Janinës, duke shtrirë kështu pushtetin e vet mbi Epirin dhe një pjesë të trojeve jugore shqiptare.
Rreth 1787, i thirrur në Kostandinopojë Tepelenë Dervenci Ali-Pasha (Marshall,- titull ushtarak) për gjithë e Thesalisë. Ai ishte i lejuar për të mbajtur nën vehte katër mijë burra për të luftuar kundër kaçakëve e të krishterëve. Ish-kaçak vetë, ai dinte të gjitha turket. Ata ai nuk e mbyti, por i mori në shërbim të tij. Sulltani shpërblen atë në mënyrë të suksesshme dhe me emrin Ali Pasha (Pasha në turqisht) në Trikala, Thesalisë.
Si pronar i madh tokash, sipërmarrës i taksave shtetërore, si pjesëmarrës aktiv në veprimtari tregtare dhe duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj po dhe të borgjezisë tregtare, të cilën e bëri për vete me një politikë tolerance të gjere fetare, Ali Pashë Tepelena mënjanoi përkrahësit e pushtetit qendror osman dhe “tiranët e vegjël” si shkaktarë të anarkisë feudale në vend. Ai i shndërroi kështu trevat e përfshira nën sundimin e tij në një formacion shtetëror në fakt autonom, që dallonte nga viset e tjera të perandorisë për nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor. Janina u bë një qytet nga më të rëndësishmit dhe më të begatë në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër e tregut ndërkrahinor të Rumelisë Jugore, qe përfshinte edhe një varg krahinash të Shqipërisë, një vatër arsimore dhe kulturore ku filloi të përdorej përveç greqishtes si gjuhë shkrimi dhe shqipja.
Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës, etj. dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin. Pashallëku i Janinës u bë një faktor me rëndësi ndërkombëtare në kushtet kur forcat franceze e ruse që ishin vendosur në Ishujt Jonianë si dhe Anglia, drejtuan vëmendjen e tyre ndaj sundimtarit të fuqishëm shqiptar dhe krijuan lidhje direkte diplomatike me të, duke kapërcyer Portën. Ali Pashë Tepelena ishte bërë kështu një sundimtar faktikisht i pavarur, por gjithmonë i kujdesshëm, për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror, duke pritur një moment të volitshëm për t’u shkëputur prej këtij./ KultPlus.com