Po të kishte jetuar moshën e tij në botë, sot do ishte në listën e njerëzve më të shquar të botës

Nga Erion Kristo

Këtë mëngjes e kalova duke dëgjuar zërin mbretëror të Gaqo Çakos. Isha në mëdyshje, a të shkruaja diçka për të? Unë nuk e kam njohur. Po a ka nevojë artisti për ta njohur? Dhe ky artist është tejet i rrallë, më i rrallë se uraniumi. Çfarë ngjyre zëri, gurgullime burimi. E dëgjoja dhe nuk ngopesha.

Sytë i kisha me lot. Jo nga dhembja e humbjes, se një njeri i tillë nuk humbet, por nga emocionet që të shkakton arti kur të prek telat e zemrës. Dëgjoja “Nessun dorma” dhe mendoja se ai nuk bie asnjë miligram poshtë talenteve më të mëdha të botës.

Dëgjoja “As aman o trëndafili çelës”, dhe shumë këngë të tjera fantastike që ne kemi. Dhe mbetesha pa gojë nga fuqia e një njeriu për të gdhendur ajrin përmes zërit, për t’i dhënë formë diçkaje eterike si muzika. Dëgjoja poezinë e mrekullueshme të Xhevahir Spahiut dhe muzikën sublime të Limos Dizdarit se si përjetësohen nga disiplina artistike e Gaqos te Gjethja e dafinës. Dhe mbi të gjitha spikat himni i tij mbi atdheun, “Rrugët e atdheut më thërrasin”.

Kësaj familjeje artistike i detyrohemi shumë, qoftë Luizës, qoftë Pirros. Mbi të gjitha për fisnikërinë e tyre. Shikojeni sa fisnik ka qenë ky njeri, si kollos duket, me mollëzat e kuqe, i drejtë si plep, që ka zënë kaq pak vend në vendin tonë. Megjithëse Artist i Popullit dhe Nder i Kombit, ai kurrë nuk ka bërë reklamë për vete.

Shikojeni pak minuta emisionin e shkëlqyer që “Wake Up” ka bërë për të para 3 vjetësh: thjeshtësia vetë, emocioni vetë, dashuria vetë flasin përmes tij. Sa pak vend ka zënë ky njeri. Po të kishte jetuar moshën e tij në botë, sot do ishte në listën e njerëzve më të shquar të botës. Gjithsesi, është në listën e të paharruarve tanë dhe bronzi është pak për të.

Në vend të ngushëllimeve, në sot mund të postojmë këngët e tij, sidomos ato populloret. Të vjen keq kur shikon aq pak shikime për një zë që s’ka për të ardhur me tek ne. Postoni sot këtë gjigand të pakrahasueshëm e të vërtetë./KultPlus.com

I jepet lamtumira tenorit Gaqo Çako, shkrime prekëse nga ata që e njohën

Dje është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, Gaqo Çako. Pas lajmit për vdekjen e tij kanë qenë të shumta reagimet nga miqtë e tij dhe të gjithë ata që e kanë njohur, shkruan KultPlus.

Gaqo Çako vdiq në shtëpinë e tij në Tiranë, ku jetonte së bashku me bashkëshorten, artisten Luiza Çako. Ai është babai i kantautorit të njohur Pirro Çako.

Më poshtë ju sjellim disa nga reagimet dhe mesazhet prekëse:

./KultPlus.com

Vdes këngëtari Gaqo Çako

Është ndarë nga jeta këngëtari i njohur Gaqo Çako.

Mësohet se Çako ka ndërruar jetë mbrëmjen e 1 gushtit në moshën 83-vjeçare!

Gaqo Çako lindi më 24 janar 1935, është këngëtar shqiptar. Mban titullin Artist i Popullit.

Tenori legjendar, Gaqo Çako, Artist i Popullit, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj.

Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë. Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer.

Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh.

Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios./KultPlus.com