Daullet hegjemoniste serbe në Bavari

o Malte Olshevski “Der Serbische Mythos – Die verspätete Nation” (Miti serb – kombi i vonuar), botoi Herberg – Munih.

Jusuf Buxhovi

Të kesh simpati për një popull dhe ta duash atë, nuk do të thotë që meçdokusht ta mbrosh atë nga ato që nuk mund të mbrohet. Publicisiti i njohur austriak Malte Olshevski, megjithatë, tregoi të kundërtën dhe fare në mënyrë të paskrupullt përpiqet që serbët dhe klasën e tyre të tanishme politike t´i arsyetojë për veprimet hegjemoniste,të cilat me përjashtim të ndonjë nacionalisti fanatik në Bellorusi dhe Rusi, gjykohen nga gjithë bota,madje edhe nga aleatët më të mëdhenjë të Serbisë dhe vendet me ndikim,të cilat e kanë themeluar si shtet dhe janë munduar ta mbajnë në nivelin e faktorit rajonal. Olshevski, i cili ishte redaktor shumëvjeçar i televizionit të Austrisë,në Bavari botoi librin voluminoz prej 478 faqesh „Miti serb – kombi i vonuar“. Librin ,që shoqërohet edhe me 30 piktura dhe vizatime me ngjyra e boti „Herbig Verlagsbuchandlung“ i Munihut, si botim reprezentativ, zgjoi vemendjen e opinionit gjerman pa u promovuar mirë ngaqë,sipas gazetës „Frankfurter allgemeine“, është hera e parë që një botues gjerman merr përgjegjësinë morale,pas gjithë atyre që ndodhen dhe po ndodhin në hapësirat e ish Jugosllavisë, të nxjerr një libër në të cilin jo vetëm që propagohet hegjemonizmi serbomadh dhe veprimet e tij gjenociadiale ndaj boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve, por në të shfaqen edhe vlerësime raciste dhe fyerje ndaj viktimave të këtij hegjemonizmi siç janë boshnjakët,kroatët dhe veçmas shqiptarët, që krahasohen me „barbarë dhe rrenues të civilizimit perëndimor“!

Brankoviqët dhe judejt e rinjë?…

Libri i Malte Olshevskit „Miti serb“, në të vertetë nuk merret me mitin, por me genjeshtrën në funkcion të arsysetimit të krimeve serbe,të zhvilluara jo vetëm tani,por që nga koha e Kongresit të Berlinit e tutje,që ai i konsideron „të drejta“, meqë ato sipas autorit „kanë qenë të orjentuara kah stabilizimi i etnisë serbe dhe krijimi i kushteve për të jetuar në një shtet nacional“, i cili do të shtrihej „mbi hapësirën shpirtërore dhe etnike serbe, e cila gjatë shekujve njësoj është rrezikuar nga lindja (prej turqv dhe shqiptarëve) dhe nga perëndimi (prej kroatëve dhe boshnjakëve), dhe se, përpjekjet për ta „rikomponuar hapësirën serbe paraqesin korrigjimin e një padrejtësie historike që u është bërë serbëve nga të gjitha anët…“ Megjithatë, për Olshevskin,serbët „si mbrojtës të qytetërimit evropian dhe të krishtërimit të njëmendët“, kanë pasë edhe tradhëtarët e vetë,të cilët i kanë ndihmuar „kësaj së keqe“. Ndër ta ai përmend Vuk Brankoviqin,që siç thotë, po të mos ishte ai serbët nuk do ta humbnin Kosovën aqë shpejt,por përmend edhe komunistët – „sherbëtorët e Titos“,që sipas tij „me pranimin e kushtetutës së vitit 1974,ku shqiptarëve iu dha e drejta të bëhen subjekt i federatës dhe të shfaqen me elementet e shtetësisë, praktikisht filloi rrënimi i qenies serbe nga brënda“… Komunistët që lejuan „këtë tradhëti“, Olshevski i quan „judejt e rinjë serbë“,të cilët kryen dy krime njëherësh: një kundër serbizmit dhe idesë së shenjtë serbe,por edhe tjetrin kundër qytetërimit evropian,ngaqë u lejua që shqipatrët,si endacak dhe pushtues të tokave serbe, të shfaqen si përfaqësues dhe berthamë e re e fundamentalizmit islamik në Evropë!… Olshevski me këtë rast shqiptarët i fyen rëndë si popull, ngaqë ata i krahason me „barinjtë endacakë“,që nuk dinë tjetër „pos të rrenojnë“, dhe se këto prirje ai i „dëshmon“ me dhunimin që ata ia bënë nga 1974 e tutje qenies serbe në Kosovë dhe shejtnive të tyre,për të cilat ai thotë se „u kthyen në shtalla lopësh dhe u dhunuan në mënyrën më të tmerrshme“!… Është e habitshme që fyerjet dhe gënjeshtrat me bollëk ndaj shqiptarëve demantohen nga vetë prezentimi i fotografive të kishave në Kosovë,ku Graçanica,Kisha e Deçanit,ajo e Pejës dhe të tjera shihen të ruajtura dhe të kultivuara në formën më të mirë,por kjo thuajse nuk i bën fare përshtypje autorit austriak, i cili ia ka vu vetit për qëllim që në një panflet të tillë të paparë në Gjermani të flasë me gjuhën që tashmë edhe në Beograd,jashtë qareve shoveniste dhe hegjemonsite, nuk flitet më.

Kosova – Jerusalemi serb!…

Pos fyerjeve që ua bën shqiparëve, të cilat mund të krahasohen me ato të Vladan Gjorgjeviqit të botuara dhe të shfaqura po në Bavari në vitin 1913,e që kishin për qëllim që të ndikonin në Konferencën e Ambasadorëve në Londër që të përligjte pushtimet serbe ndaj Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, Olshevski me të njëjtën urrejtje flet edhe për kroatët,si „gjakpirës“ dhe për boshnjakët- si „eksponentë të fundamentalizmit islamik“,të cilët stimulohen që të „rrënojnë qenien serbe“ dhe „të pengojnë që serbët ,si popull i vetëm në Evropë,të mbesin pa u bashkuar në kuadër të hapësirës së etnisë së tyre nacionale,e cila është „pushtuar njësoj nga shqiparët, boshnjkët dhe kroatët“… Autori i librit Bosnjën e Dejtonit e sheh si një krijesë artificiale, që është bërë me diktatin e „forcave antiserbe“,për ta hendikepuar edhe mëtutje serbizmin,por që sipas mendimit të tij, ajo nuk do t´i bëjë ballë sfidave të kohës, ngaqë këtë do ta pengojë „shejtnia serbe dhe e dretja e tyre për të pasë shtetin nacional si të tjerët“… Me këtë rast Olshevski „lëvizjen serbe“ për shtet të përbashkët e quan „si lëvizje nacionale e prirë nga nacionlizmi i drejtë,që gjithsesi duhet të kurorëzohet me krijimin e shtetit nacional serb në Ballkan“, shtet ky,që sipas tij, „u kontestohet me pa të drejtë vetëm serbëve“… Publicisti Klaus Buhenau në recensionin e shkruar në „Frankfurter allgemeine“, pikërisht hendikepet më të mëdha të këtij libri,pos konceptit pamfletist të tij, i sheh në shikimin e njëanshëm të nacionalizmit si formulë magjike,që kundrohet e shkëputur nga nacionalizmat tjerë. Buhenau,me këtë rast konstaton se në Ballkan ekzistojnë edhe shumë çështje të tjera nacionale të hapura, dhe se, orjentimi që njëra prej tyre të gjeneralizohet,siç ndodh me serbët, dhe të tjerat të minimizohen apo të injorohen,siç ndodh me atë shqiptare,doemos se sjell te konkludimet e gabuara,por edhe te thellimi i krizës,që mund të ketë pasoja. Buhenau, librin e vlerëson si një deshtim intelektual dhe politik, i cili, jo vetëm që nuk i nidihmon qartësimit të vertetës „për tragjedinë e Ballkanit“ dhe „viktimës së saj më të madhe – serbëve“,siç pandeh Olshevski,por ky libër me porositë që sjell dhe intonimet që implementon, ve në dyshim edhe kredibilitetin moral të botuesit,ngaqë kështu dhe në këtë mënyrë, ai kthehet në një daullexhi të hegjemonizmit serbomadh, i cili tashmë, në masë të madhe gjykohet edhe nga vetë populli serb.
Sidoqoftë,edhe përkundër habisë së Buhenaut, prezentimi i librit të Olshevskit në Munih, nuk duhet shikaur si rastësi, ngaqë në këtë qytet ekziston një lobi i fuqishëm serb,por aty është e instaluar edhe kisha ortodokse serbe për Evropën Qendrore,e cila gjatë viteve të luftës ka distribuuar pareshtur pamflete dhe letra të tjera ku „Kosova është prezentur si djep i serbizmit“ dhe „tokë e shenjtë“. Vitin e kaluar po e njëjta kishë ka botuar edhe „Librin e bardhë për Kosovën“, me shumë „deshmi“ të prezencës shpirtërore serbe në Kosovë,ku ajo quhet „Jerusalemi serb…“ Andaj, libri i Olshevskit ,edhe pse me autorësi dhe pretendime „publicistike“,nuk mund të shikohet i ndarë nga ky opus propagandistik që vepron në mënyrë permanente,me të cilin justifikohet „mbrojtja e Jerusalemit serb meçdokusht…“! / KultPlus.com

‘Ndoshta të dua, ndoshta të dua shumë’

Milan Kundera

Dashuri qesharake

Ndoshta të dua.
Ndoshta të dua shumë.
Por pikërisht për këtë arsye
ndoshta do të jetë më mirë
që të mbetemi ashtu siç jemi.
Ndoshta një burrë dhe një grua
janë më pranë njëri-tjetrit
kur nuk jetojnë bashkë
dhe e dinë se vetëm ekzistojnë,
kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit
vetëm sepse ekzistojnë
dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston.
Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.

Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com

Një jetë në skenë, aktori ikonë Robert Ndrenika sot feston 83 vjetorin e lindjes

Robert Ndrenika feston sot ditëlindjen e 83-të. Vitet kalojnë, por aktori i madh vetëm sa fiton gjithnjë e më tepër dashurinë e publikut shqiptar. Pa të, arti do të ishte më i paplotë, shpirtrat më të varfër.

Aktori tejet i dashur për të gjithë brezat, sjell gjithnjë mesazhe me peshë dhe aktuale me rolet e tij. Të gjithë e duan dhe e admirojnë thjeshtësinë e tij. Të gjithë e vlerësojnë për sjelljen në jetën reale, por edhe për personazhet që tashmë i përkasin. Askush s’i harron batutat e tij në teatër apo filma, dy botë që Ndrenika s’i ndau kurrë.

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në vitin 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin në Shtëpinë e Pionerit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nis studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.

Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.

Për shumë vite punoi si aktor i lirë (pas pensionit). Midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.

Në vitin 1979, Ndrenikës iu akordua titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”.

Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe në Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.

Për disa vite, punoi si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë te Arteve.

Robert Ndrenika ka dy vajza. Ai kishte një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Ai e adhuronte bashkëshorten e tij. Por edhe ajo e adhuronte të shoqin, dhe e shoqëronte gjithmonë në prova. Por pasi Polikseni u sëmur dhe vdiq, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin nga jeta të bashkëshortes së tij. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër.

Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe iu rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.

Ai nderohet nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi me titullin “Nder i Kombit” ( ne 2012).

Ne 2014 ai futet në botën e një personazhi kapriçoz përmes premieres “Djemtë gazmore”, pjesë e shkruar nga shkrimtari amerikan Neil Simon.

Në 2015, u shpall Aktori i Vitit dhe gjatë marrjes së çmimit, publiku u ngrit në këmbë dhe duartrokiti gjatë në nder dhe respekt të tij.

Robert Ndrenika, “Artist i Popullit” meritoi çmimin vjetor nga Akademia e Artit dhe Kulturës “Kult”.

Robert Ndrenika përfaqëson jo vetëm nderin e dhe krenarinë e kombit por historinë e jashtëzakonshme të një njeriu të madh, që ka bërë histori përmes thjeshtësisë së madhështisë së tij.

Filmat:

Kronikë provinciale (2009)
Tifozët – (2004) komedi
Njerëz dhe fate – (2002-2
Tirana, viti zero
Parullat – (2001), Lleshi
Bolero – (1997)
Nata e dymbëdhjetë
Edhe kështu edhe ashtu
Botë e padukshme -azi
Përrallë nga e kaluara – (1987), Vangjeli
Vrasje në gjueti
Dhe vjen një ditë – (1986) si vëllai i Llano Bletës
Gurët e shtëpisë sime – (1985)
Tre njerëz me guna – (1985)
Shi në plazh – (1984) teater-komedi
Shirat e vjeshtës – (1984) , Sotiri
Nxënësit e klasës sime – (1984), Kristofori
Kohë e largët – (1983), Anastas Grigori
Besa e kuqe – (1982), Gjoni
Era e ngrohtë e thellësive – (1982) (TV)
Nëntori i dytë – (1982), karrrocieri i Ismail Qemalit
Prefekti, komedi, Qazim Mulleti


/Vëllezër dhe shokë – (1982), Sokrati
Një shoqe nga fshati – (1980) Agushi
Ditët që sollën pranverën – (1979) (TV)
Mësonjëtorja – (1979), kocka
Në shtëpinë tonë – (1979), Stefi
Koncert në vitin 1936 (1978), Fotaqi (n/prefekti)
Shembja e idhujve – (1977), kapteri
Emblema e dikurëshme – (1976) (TV)
Duke kërkuar 5-orëshin – (1974) Zeqo
Rrugë të bardha – (1974), Ganiu
Shtigje të luftës – (1974), Shabani
Kryengritje në pallat – (1972)
Odiseja e tifozave – (1972)
Kapedani – (1972), i biri i xha Sulos
I teti në bronx – (1970), Xhemali
Horizonte të hapura – (1968), Azemi
Oshëtimë në bregdet – (1966), Gjergjiekti komedi , Qazim Mulleti / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë Dialogun Strategjik

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Lajm i shkëlqyeshëm për Republikën e Kosovës!

Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës./ KultPlus.com

Rritet numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën

Numri i turistëve të huaj të cilët po vizitojnë Kosovën është rritur dukshëm. Vetëm gjatë muajin nëntor të vitit 2024, krahasuar me muajin nëntor 2023, numri i vizitorëve ka pasur rritje për 19.9 për qind. Ndërsa net qëndrimet e tyre kanë pasur rritje për 7.5 për qind.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në nëntor të vitit  2023 numri i vizitorëve të huaj  ishte 23 mijë 982. Ndëkaq në nëntor të vitit 2024 numri i vizitorëve të huaj që vizituan Kosovën, ka qenë 32 mijë e 232.

E numri më i madh i vizitorëve të huaj nga Shqipëria, Zvicra, Gjermania, Turqia dhe vende të tjera.

“Në Republikën e Kosovës, në muajin Nëntor 2024, krahasuar me muajin Nëntor 2023, numri i vizitorëve ka pasur rritje për 19.9% ndërsa net qëndrimet e tyre kanë pasur rritje për 7.5%.Në Nëntor 2024 numri më i madh i vizitorëve të huaj është nga Shqipëria, Zvicra, Gjermania, Turqia etj”, thuhet në raportin e ASK-së./ KultPlus.com

Shkencëtarët e konfirmojnë: Viti 2024 më i nxehti në histori

Ekspertët thonë se bota tani po kalon kufirin vendimtar të ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius.

Bëhet e ditur se 2024 ishte viti më i ngrohtë i regjistruar dhe viti i parë kalendarik ku temperatura globale kaloi 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Copernicus (C3S).

Shkencëtarët kishin dyshuar se viti 2024 do të arrinte rekordin dhe tani është konfirmuar.

Secili nga 10 vitet e fundit – nga 2015 deri në 2024 – ishte një nga 10 vitet më të ngrohta të regjistruara, sipas shërbimit të monitorimit të klimës në BE.

Raporti i tij Pikat kryesore të Klimës Globale për vitin 2024 përshkruan kushtet e jashtëzakonshme që bota përjetoi vitin e kaluar.

“Tani jemi në prag të kalimit të nivelit të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit dhe mesatarja e dy viteve të fundit është tashmë mbi këtë nivel”, tha Samantha Burgess, drejtuese strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për parashikimet e motit.

“Këto temperatura të larta globale, së bashku me nivelet rekord globale të avujve atmosferikë të ujit në vitin 2024, nënkuptuan valë të paprecedentë të të nxehtit dhe shi të dendur”, shtoi Burgess.

Evropa pa mot ekstrem që përfshiu kontinentin gjatë gjithë vitit, me qindra jetë të humbura në fatkeqësi si përmbytjet e Valencias, stuhia Boris dhe valët e nxehta të verës në Mesdhe.

Çfarë do të thotë kjo për kufirin 1.5 gradë Celsius të Marrëveshjes së Parisit?

Viti i kaluar ishte viti i parë që kaloi mbi nivelin paraindustrial dhe mesatarja dyvjeçare nga 2023 në 2024 gjithashtu e kalon këtë prag.

Kufiri i vendosur nga Marrëveshja e Parisit i referohet anomalive të temperaturës mesatare gjatë të paktën 20 viteve, kështu që kjo ende nuk është thyer.

Të dhënat, megjithatë, nënvizojnë se temperaturat globale tani po rriten përtej asaj që njerëzit kanë përjetuar ndonjëherë më parë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Shpresojmë që kjo të jetë me të vërtetë një thirrje zgjimi për njerëzimin”, tha nënkryetarja e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), Diana Urge-Vorsatz.

Aktualisht, IPCC beson se ne do ta tejkalojmë kufirin e Marrëveshjes së Parisit rreth fillimit të viteve 2030.

“Ka një debat shumë intensiv midis komunitetit të shkencëtarëve të klimës, nëse ngrohja globale po përshpejtohet apo jo për shkak të këtyre temperaturave vërtet ekstreme në dy vitet e fundit”, vëren Urge-Vorsatz.

Raportohet se një reduktim i ndotjes së ajrit, i cili mund të ketë qenë duke reflektuar rrezatimin diellor dhe duke maskuar shtrirjen e vërtetë të ngrohjes globale, mund të jetë përgjegjës.

Vetë ngrohja globale mund të reduktojë mbulimin e reve të nivelit të ulët dhe të rrisë temperaturat.

Një mori faktorësh të tjerë mund të fajësohen për atë që duket të jetë një përshpejtim i ngrohjes.

“Nuk ka ende konsensus për këtë”, thekson Urge-Vorsatz.

Në anën tjetër të debatit, shkencëtarët e shohin këtë “rrëshqitje” si pjesë e parashikimeve për ngrohjen globale.

A e nxiti temperatura rekord motin vdekjeprurës të 2024?

Viti i kaluar solli shumë ngjarje ekstreme vdekjeprurëse të motit në mbarë botën, nga stuhitë e forta deri te përmbytjet, thatësira, valët e të nxehtit dhe zjarret.

Ndërsa këto ngjarje bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive, jeta e njerëzve anembanë globit kërcënohet.

Në vitin 2024, sasia totale e avullit të ujit në atmosferë arriti një rekord të lartë – rreth 5% më e lartë se mesatarja nga viti 1991 deri në vitin 2020 dhe dukshëm më e lartë se në vitin 2023.

“Shumica e nxehtësisë së tepërt që ne kemi kapur si rezultat i efektit të serrës dhe aktiviteteve njerëzore janë zhytur nga oqeanet dhe përmbajtja e nxehtësisë së oqeanit është rritur në mënyrë shumë alarmante”, tha Urge-Vorsatz.

“Sipërfaqet më të nxehta të detit janë në gjendje të avullojnë më shumë. Pra, kjo do të thotë se si rezultat, ne po shohim nivele më të larta lagështie dhe avuj më të lartë uji”, vazhdoi ajo.

Atmosfera jashtëzakonisht e lagësht përforcoi potencialin për reshje ekstreme dhe, e kombinuar me temperaturën e lartë të sipërfaqes së detit, kontribuoi në zhvillimin e stuhive të mëdha duke përfshirë ciklonet tropikale.

Kjo nuk do të thotë më shumë reshje kudo, por do të thotë shi më intensiv aty ku bie dhe madje edhe thatësirë ​​në pjesë të tjera të botës pasi cikli i ujit bëhet më intensiv në të dy skajet e shkallës.

Periudhat e zgjatura të thatësisë në disa pjesë të botës krijuan gjithashtu kushte të favorshme për zjarret.

Në Amerikë, flakët e mëdha dhe të vazhdueshme u regjistruan vitin e kaluar.

Bolivia dhe Venezuela shënuan nivelet e tyre më të larta në rekord, ndërsa Kanadaja pa nivelet e saj të dyta më të larta, bazuar në të dhënat nga Shërbimi i Monitorimit të Atmosferës Copernicus (CAMS).

Temperaturat e larta mund të kenë pasoja vdekjeprurëse

Ndryshe, temperaturat e larta janë në vetvete një rrezik.

Krahas faktorëve të tjerë mjedisorë si lagështia, ato mund të stresojnë trupin nga mbinxehja.

Ajri më i lagësht do të thotë që ne luftojmë për të hequr qafe nxehtësinë e tepërt përmes djersës.

Ky kombinim i nxehtësisë vdekjeprurëse dhe lagështisë mund të ndikojë në 3.5 miliardë njerëz në planet deri në vitin 2070, sipas disa hulumtimeve.

Vitin e kaluar, pjesa më e madhe e globit përjetoi më shumë ditë se mesatarja me të paktën “stres të fortë të nxehtësisë”.

Disa rajone gjithashtu panë më shumë ditë se mesatarja me ‘stres ekstrem të nxehtësisë’, në të cilin nivel është e domosdoshme të merren masa për të shmangur goditjen nga nxehtësia.

“Çdo fraksion i një shkalle ka rëndësi, sepse edhe me këtë rritje të lehtë, ne tashmë shohim se ajo gamë e botës po ekspozohet më shumë ndaj stresit të nxehtësisë”, tha Urge-Vorsatz.

A po bëjmë mjaftueshëm për të frenuar ngrohjen globale?

“Ne po bëjmë shumë tashmë, por duhet të bëjmë më shumë dhe të jemi më ambicioz në më shumë fusha”, sipas Urge-Vorsatz.

Evropa, për shembull, ka qenë shumë e suksesshme në rritjen e energjisë së rinovueshme si era dhe dielli në vetëm një dekadë apo më shumë.

Që nga Marrëveshja e Parisit, bota tashmë ka shmangur skenarët më të keq të ngrohjes.

“Ne nuk presim më që bota të mund të ngrohet 5 deri në 6 gradë deri në fund të shekullit, që është një punë vërtet e madhe, sepse pikërisht kur ramë dakord për Marrëveshjen e Parisit, të gjitha këto ishin skenarë potencialisht të mundshëm ose thjesht të besueshëm”, shton ajo.

Por ne ende nuk po bëjmë mjaftueshëm.

“Të gjitha grupet e të dhënave të temperaturës globale të prodhuara ndërkombëtarisht tregojnë se viti 2024 ishte viti më i nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve në 1850”, zbuloi Carlo Buontempo, drejtor i C3S.

“Njerëzimi është në krye të fatit të tij, por mënyra se si ne i përgjigjemi sfidës klimatike duhet të bazohet në prova. E ardhmja është në duart tona – veprimi i shpejtë dhe vendimtar mund të ndryshojë ende trajektoren e klimës sonë të ardhshme”, shtoi Buontempo.

Në Evropë, disa nga ngjarjet e vitit të kaluar kanë qenë një thirrje zgjimi për gatishmëri për ngjarje si përmbytjet ekstreme ose thatësira dhe valët e të nxehtit./ KultPlus.com

Pse zjarret në Kaliforni u përhapën me shpejtësi?

Një dramë e jetës reale po shpaloset pak jashtë Hollivudit. Zjarre të egra kanë shpërthyer me një “shpejtësi alarmante”, në vetëm disa orë. Pse?

Çfarë i shkaktoi zjarret në çfarë Kaliforni?

Aktualisht ka tre zjarre që kanë djegur Kaliforninë jugore. Shkaqet e të treve janë ende duke u hetuar. Bëhet e ditur se shumica (85%) e të gjitha zjarreve në pyje në të gjithë SHBA-në janë shkaktuar nga njerëzit, ose qëllimisht ose aksidentalisht, sipas Shërbimit Pyjor të SHBA-së.

Por ka një ndryshim midis asaj që ndez një zjarr dhe asaj që e lejon atë të përhapet, shkruan skynews

Megjithatë këto zjarre u ndezën, faktorë të tjerë i kanë nxitur ato, duke i bërë të përhapen shpejt dhe duke u lënë njerëzve më pak kohë për t’u përgatitur ose për t’u arratisur.

Fajtori kryesor deri tani janë erërat e Santa Ana.

Çfarë janë erërat e Santa Ana? Të ashtuquajturat erëra Santa Ana janë erëra ekstreme dhe të thata që janë të zakonshme në LA në muajt më të ftohtë të dimrit.

Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni paralajmëroi se erërat e forta të Santa Ana dhe lagështia e ulët po rrisin “rreziqet ekstreme të zjarrit”.

Erërat tashmë kanë arritur shpejtësinë 96 km/h dhe mund të arrijnë shpejtësinë 160 km/h në male dhe ultësira – përfshirë në zonat që kanë pasur pak reshje shiu muajt e fundit.

Raportohet se era po i pengon edhe përpjekjet e zjarrfikësve për të shuar flakët.

Çfarë roli ka luajtur ndryshimi i klimës?

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom tha se zjarre ka pasur “gjatë gjithë vitit në shtetin e Kalifornisë” pavarësisht se shteti nuk sheh “tradicionalisht” zjarre në këtë kohë të vitit – me sa duket duke aluduar në ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Por, shkencëtarët do të kenë nevojë për kohë për të vlerësuar rolin e ndryshimit të klimës. Dhe gjerësisht dihet se ndryshimi i klimës po rrit motin e nxehtë dhe të thatë në SHBA.

Por aktivitetet njerëzore, të tilla si menaxhimi i pyjeve dhe burimet e ndezjes, janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm që diktojnë se si përhapet një zjarr. Kalifornia Jugore ka përjetuar një verë veçanërisht të nxehtë, e ndjekur nga pothuajse aspak shi gjatë asaj që duhet të jetë sezoni i lagësht./ KultPlus.com

112 vjet nga lindja e Mehmet Shehut

Mehmet Shehu ishte njëri ndër personalitetet më të njohur të Shqipërisë socialiste.

Në mesin e shumë personaliteteve komuniste shqiptare, që nga Ali Kelmendi e deri te rënia e regjimit komunist të Shqipërisë në vitin 1991, figura e Mehmet Shehut në vazhdimësi ka qenë në vendin e dytë, ashtu sikur ishte Enveri në vendin e parë, qysh prej formimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1941.

Mehmet Shehu lindi më 10 janar të vitit 1913 në fshatin Çorrush të Mallakastrës, vdiq (në vetvrasje) më 18 dhjetor të vitit 1981 në Tiranë. Ishte politikan shqiptar, Kryeministër i Shqipërisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Më pas vazhdon Shkollën Teknike, të cilën e mbaron më 1932.

Shkon në Napoli, Itali për të studiuar në Kolegjin Ushtarak. Përjashtohet për ide revolucionare nga Kolegji. Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu, punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve. Titullohet në vitin 1937.

Në dhjetor 1937 shkon në Spanjë ku merr pjesë në brigadën e XII ndërkombëtare e quajtur “Garibaldi” në nder të heroit të bashkimit të Italisë. Brigada   ishte i përbëre nga vullnetarë të shumë vendeve të botës. Mehmet Sheu komandonte batalionin e IV të saj.

Më 1939 pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqendrimi. Kthehet në Shqipëri në gusht]] 1942. Lidhet me PKSH dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës. / KultPlus.com

Të jesh me ty

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send,
të shohësh thellë në ata sy,
ku dashuria hepohet si anije
e të mos duash të jesh përherë me ty?
Të ecësh me krahun mbi supet e tua
e të harrosh oshtimën e kaltër,
limonat mbi krye,
peshkarexhat si zjarre të natës?
Të jesh me ty,
tok me ty të qeshësh
e mos kuptosh se si perpiqet deti
të dalë jashtë guaskës së vetvetes?
Të jesh me ty?
Të jesh me ty!/ KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Unë jam e kuqja’ nga Orhan Pamuk

Fragment nga romani ‘Unë jam e kuqja’ të nobelistit, Orhan Pamuk:

Unë jam i vdekur

Tani unë jam një i vdekur, një kufomë që dergjet në fundin e një pusi. Ka kaluar shumë kohë që nga dita kur dhashë shpirt dhe zemra më ndali së rrahuri, por askush, përveç vrasësit tim të poshtër, nuk i di ato që kam hequr. Ndërsa Ai, maskarai i pafytyrë, për t’u siguruar nëse kisha vdekur ose jo më përgjoi frymëmarrjen, më mati pulsin dhe pasi më goditi me shqelm në fyt, më barti gjer te gryka e pusit e më lëshoi në fundin e tij. Kafka e kokës, e bërë shoshë nga goditjet me gurë, mu coptua edhe më keq kur u përplas pas blloqeve të gurta: fytyra, faqet, balli, u shtypëne shpërfytyruan, kockat m’u shkërmoqën dhe nga goja më shpërthyen currila gjaku.

U bënë katër ditë që jam larguar nga shtëpia: Gruaja dhe fëmijët po më kërkojnë. Vajza, e cila po tretet së vajtuari, nuk i ndan sytë as edhe për një çast të vetëm nga porta e avllisë. Të gjithë e kanë gozhduar vështrimin te rruga, te pragu i derës.

A thua janë duke më pritur akoma te porta, nuk jam shumë i sigurt për këtë. Ndoshta, tashmë, janëmësuar me mungesën time, sa keq! Njeriut, kur është këtu ku n dodhem unë tani, i duket sikur jeta që la pas rrjedh njëlloj si ditët që shkuan. Para se të lindja unë ekzistonte diku një kohë që nuk kishte as fillim as fund. Edhe tani pas vdekjes më ndjek e njëjta kohë e pacakë! Kur isha në jetë as që më shkonte mendja për gjëra të tilla, jetojai lumtur dhe pa e vrarë mendjen nën aureolën e dritës së tkurrej midis dy kohëve të errëta.

Isha i lumtur, paskësha qenë i lumtur, këtë e kuptoj vetëm tani: isha dekoratori më i mirë në atelienë e padishahut dhe s’kishte një të dytë që të mund të m ë konkurronte. Me punimet që bëja jashtë ateliesë fitoja rreth njëqind akçe në muaj. Sigurisht që të gjitha këto e bënë vdekjen time akoma më të pashmangshme. /KultPlus.com

‘Mos qaj, mos qaj, mos qaj për vdekjen o njeri’ (VIDEO)

Një prej grupeve më të mira shqiptare ishte ‘Djemtë e Detit’.

I krijuar në Lezhë, muzika e grupit kishte ndikime ndoshta nga hard-rroku dhe metali, që ishte shumë aktual në mesin e viteve ‘80 në të gjithë botën.

Prezent në skenën e muzikës, tani për më shumë prej 20 vjet, hiti i tyre më i madh mund të konsiderohet kënga “Mos qaj”, por pa përjashtuar hite të tjera si LamtumireJo TaniKohë pa tyBaladë Për Jakup Ferrin etj.

‘Djemtë e Detit’ kanë marrë pjesë në shumë koncerte dhe festivale dhe ku janë kurorëzuar dhe me shumë, kanë dalë në krye në festivale rroku, si dhe janë vlerësuar nga vetë publiku, shkruan KultPlus.

Sot pjesëtarët e grupit janë Valentin Markvukaj (kompozitor) që jeton në Australi dhe Gent Demaliaj (këngëtar/tekst shkrues) që jetonte në Tiranë, por që më 27 janar 2015 ndërroi jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë. / KultPlus.com

Letra e trishtë e ‘Kleopatrës’

Një nga femrat më të bukura dhe më të famshme kë kinematografisë, Lizi, shpesh identifikohet si Kleopatra. Në aspektin personal, Elizabeth Taylor është përfolur shpesh për historitë e saj të martesave dhe divorceve, një nga të cilat edhe ajo me Richard Burton.

Burton dhe Taylor u martuan dhe ndanë dy herë, duke krijuar kështu idenë se, dashuria e vërtetë e saj ishte pikërisht, Richard Burton.

Më poshtë, dy prej letrave të shkurtra, por plot ngarkesë emocionale që dyshja, këmbente në momente kritike:

Elizabeth Taylor për Burton:

“I dashur (ende) burri im,

Sa do doja të të tregoja dashurinë që ndiej për ty, frikën, dëshirën e brishtë e kafshërore – (me ty) – xhelozinë time, krenarinë, inatin tim ndaj teje ndonjëherë. Të gjithë dashurinë time për ty, dhe dashurinë që ti shpalos për mua – do doja të shkruaja për të gjithë këtë, por nuk mundem. Gjithë çfarë mund të bëj, është të ziej përbrenda, e të shpresoj që ta kuptosh si ndihem në të vërtetë.

(Ende) Gruaja jote.

P.S. Oh, dashuri… mos na lër më kurrë, ta marrim njëri-tjetrin për të mirëqenë!

P.P.S. 10 vjet, nuk janë pak!

Ndërkohë, Richard Burton shkruan për Lizin:

“E dashur (ende) gruaja ime,

Sytë e mi të verbër janë duke pritur dëshpërimthi për shikimin tënd. Ti, sigurisht, nuk e kupton sesa e bukur ke qenë dhe sesa vend special ke siguruar në shpirtin tim”.

Duket qartë dhimbja që ndiejnë për njëri-tjetrin edhe pse, duke u divorcuar së dyti.

Pasioni i tyre ngjan me dashuri, në dukje platonike, ku palët edhe pse duhen, nuk qëndrojnë bashkë për arsye të tjera të jashtme. Ama nuk qe e tillë, pasi ishin të dy ata që vendosnin, si për martesat e divorcet edhe pse e dukshme se… ndjenin për njëri-tjetrin, sido që rrodhi jeta e tyre./ KultPlus.com

Rod Stewart, 80-vjeçari me 60 vjet karrierë brilante

Në moshën 80 vjeç je ende i ri. Në moshën 90-vjeçare, nëse paraardhësit tuaj ju ftojnë për në parajsë, kërkojuni të presin derisa të arrini të 100-at.

Kjo është fjalia që mund të lexohet në hyrje të fshatit Ogimi, qyteti i vogël në ishullin Okinawa, Japoni, ku jeton përqendrimi më i lartë i 100-vjeçarëve në botë.

Sipas shkencëtarëve, arsyeja e kësaj jetëgjatësie qëndron në klimën shumë të butë dhe stilin e jetës së shëndetshme dhe veçanërisht të relaksuar.

Por, çfarë shpjegimi mund t’i jepet jetëgjatësisë dhe aftësisë së lakmueshme për të qëndruar në formë të atij brezi të frikshëm rockerësh anglezë, të lindur në fillim të viteve 40, të cilat sigurisht nuk ishin një model i jetës së shëndetshme apo të relaksuar?

Sir Roderick David Stewart, i njohur nga të gjithë si Rod, mbush 80 vjeç dhe ai gjithashtu po arrin moshën e tij të nderuar në një formë sensacionale: Paul McCartney, i cili është 83 vjeç, sapo ka përfunduar një turne botëror, Mick Jagger është 82 vjeç dhe ”ende kërcen si një flutur dhe thumbon si një bletë”.

Dhe lista është e gjatë: tani nëse do të bashkonit litrat e alkoolit të konsumuar gjatë gjithë jetës vetëm nga Rod Stewart, fshati Ogimi do të përmbytej brenda pak ditësh.

Me sa duket, ata që zgjodhën të përjetonin rock’n’roll në Anglinë e pasluftës pritej të kishin një bonus jetë të gjatë duke përjashtuar aksidentet gjatë rrugës, nëse mund t’i quash pasojat ekstreme të abuzimeve të caktuara.

Sir Rod, i cili pavarësisht se ka lindur në Londër është një tifoz i ”Celtic Glasgow”, në homazh ndaj origjinës skoceze të babait të tij (i cili gjithashtu mbështeti ”Hibernian Edinburgh”) dhe si djalë vendosi të bëhej këngëtar në vend të një futbollisti, ”sepse të luash futboll dhe të deheshe ishte shumë më e vështirë”, thotë ai në autobiografinë e tij.

Rod Stewart depërtoi në Amerikë dhe prej andej filloi karrierën e tij solo, ku shiti 120 milionë disqe.

Falë Faces, miku i tij i përjetshëm Ronnie Wood iu bashkua ”Rolling Stones”.

Tani ai ka një karrierë 60-vjeçare pas tij, me disa seri mbresëlënëse suksesesh, tetë fëmijë nga pesë nëna të ndryshme dhe disa divorce shumë të shtrenjta: por ajo që ka më shumë rëndësi është se ai ka një agjendë plot./KultPlus.com

Nata

Poezi nga Ali Podrimja

E lehtë dhe e butë
si hapi im
është nata në ty.

E dashur dhe e vrullshme
si kraharori i gruas
është nata në ty.

E qetë dhe e frikshme
si shikimi i vajzës së dashuruar
është nata në ty. / KultPlus.com

Këngët më të transmetuara në historinë e Spotify

Aplikacioni muzikor Spotify ka ndarë një listë të 10 këngëve më të transmetuara në historinë e tij.

Me kalimin e viteve, Spotify është bërë një platformë për miliona njerëz që kërkojnë këngët e tyre të preferuara dhe disa prej tyre kanë qëndruar në krye të listës për shumë vite.

“Blinding Lights” i The Weeknd zuri vendin e parë me 4,640,150,204 transmetime. Kjo këngë fitoi popullaritetin më të madh në mars 2020, kur shërbeu si kolonë zanore për sfidën e Tiktok dhe që nga ai vit ka zënë pozicionin e këngës më të mirë të vitit. Ajo konsiderohet gjithashtu kënga më e mirë e të gjitha kohërave në tabelën e Billboard.

Vendin e dytë e zuri kënga e Ed Sheeran “The Shape of You”, e cila i solli këtij artisti çmimin Grammy për performancën më të mirë muzikore solo pop.

Në vendin e radhës është kënga e Lewis Capaldi “Someone You Loved”, e cila është edhe hiti i parë në albumin e tij të parë.

“As It Was” i Harry Styles zuri vendin e katërt, i ndjekur nga “Starboy” nga The Weeknd, “Sunflower” nga Post Malone, “One Dance” nga Drake, “Sweater Weather” nga “The Neighbourhood”, “Stay” nga The Kid Laroy dhe “Believer” nga “Imagine Dragons”./KultPlus.com

‘Për ju pra, o prind’t e mi, mend e zemra më lakmon’

“Dashunija ndaj prindëve” është një poezi e shkruar nga poeti i njohur shqiptar Ndre Mjeda. Poezia, sikurse e shpreh edhe titulli, tregon dashurinë që prindërit kanë derdhur mbi autorin në veçanti, por në plan më të gjerë, shpreh dashurinë e çdo prindi për fëmijën e vet.

Poezia përfshin tre stadet e jetës së një individi. Nis në strofën e parë me fëmijërinë, ku prindërit e rrisin fëmijën që në djep. Vazhdon në strofën e dytë me rritjen ku prindërit bëjnë maksimumin që ta rrisin në mënyrën e duhur fëmijën dhe përfundon në strofën e tretë, me momentin kur fëmija është i rritur dhe e kupton realisht çdo sakrificë që kanë bërë prindërit (Ju ma ndez’t nji flakë në zemër për punë t’nalta e për lumni.).

“Dashunija ndaj prindëve”

Me sy çilun afër djepit,
Me kujdes e me dashtni,
Për vaj tem tue hjekun zi,
Tue shëndue kur m’shifshi n’shend.

Babë e nanë sa keni derdhë
Mbi shteg tem e hire e dritë;
Ah, sa mirë m’keni gatitë
Për çdo kohë e për çdo vend.

Ju ma ndez’t nji flakë në zemër
Për punë t’nalta e për lumni
Për ju pra, o prind’t e mi,
Mend e zemra më lakmon. / KultPlus.com

Zjarri shkatërrues në Los Angeles shtyn ceremoninë e nominimeve për Oscar

Shpallja e nominimeve të këtij viti për Oscar është shtyrë për dy ditë për shkak të zjarreve vdekjeprurëse që kanë shpërthyer në Los Anxhelos, shkruan BBC.

Ceremonia e shpalljes së kandidatëve të këtij viti për çmimin prestigjioz të filmit ishte planifikuar për të premten, më 17 janar, por nominimet për Oscar do të zbulohen më 19 janar. Votimi për afro 10,000 anëtarët e Akademisë, i cili u hap më 8 janar, është shtyrë gjithashtu me dy ditë, deri të martën më 14 janar.

Në një letër dërguar anëtarëve të mërkurën, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë Bill Kramer tha: “Duam të shprehim ngushëllimet tona më të thella për ata që janë prekur nga zjarret shkatërruese në të gjithë Kaliforninë Jugore. Shumë nga anëtarët tanë dhe kolegët tanë të industrisë jetojnë dhe punojnë në zonën e Los Anxhelosit dhe ne po mendojmë për ju.”

Zjarri i fundit shpërtheu në Hollywood Hills, pranë bulevardit Hollywood dhe Hollywood Walk of Fame, të mërkurën vonë pasdite. Zjarret shkaktuan kërdi mbi banorët e Los Anxhelosit, si dhe industrinë e filmit dhe televizionit të zonës.

Gjithashtu, nominimet e Skuadrës së Shkrimtarëve të Amerikës (WGA) nuk do të zhvillohen siç ishte planifikuar të enjten, më 9 janar.

Zjarri ndaloi prodhimin televiziv, pasi FilmLA, e cila lëshon lejet e xhirimit në Los Anxhelos, lëshoi ​​një paralajmërim se “burimet e personelit që zakonisht disponohen për të mbështetur prodhimin e filmit mund të mos jenë të disponueshme gjatë një emergjence lokale”./KultPlus.com

Vendi i Mihal Gramenos në letërsinë dhe gazetarinë shqiptare

Shek. XIX, shekulli i lëvizjeve kombëtare, e gjeti popullin shqiptar, pasardhësin e fiseve ilire, të dëmtuar rëndë prej zgjedhave të gjata romake, bizantine, sllave dhe së fundi prej asaj osmane. Gjatë kësaj zgjedhës së fundit, për të lehtësuar disa taksa dhe peshën e rëndë të sundimit turk, gati shtatëdhjetë përqind e shqiptarëve ishin konvertuar në myslimanë, pjesa tjetër kishin ruajtur besimin e krishter katolik në veri dhe ortodoks në jug.

Gjatë shekujve XVIII-XIX dhe deri në nëntor të vitit 1912, kur u fitua pavarësia e Shqipërisë, sunduesi turk përpiqej me çdo kusht ta mbante popullin shqiptar në errësirë, për ta përdorur si mish për top në luftërat e veta, që t’ia zgjaste jetën Perandorisë së vet. Për këtë arsye ishte ndaluar me ligj hapja e shkollave në gjuhën shqipe si dhe përdorimi i kësaj gjuhe si gjuhë liturgjike në kishë e xhami. Propagandohej me forcë prej sunduesve se shqiptarët myslimanë ishin osmanë (turq), bij të sulltanit, kurse shqiptarët e krishterë ortodoksë ishin grekë ose sllavë, dhe shqiptarët e krishterë katolikë ishin latinë, italianë. Edhe politikanët e shteteve të reja ballkanike që fituan pavarësinë gjatë shek. XIX filluan të ndiqnin të njëjtën propagandë kundër popullit shqiptar. Formula mesjetare bizantine cuius religio, eius nacio (lat. i cilit besim je, atij kombi i përket), këmbëngulej që për shqiptarët të respektohej edhe në shekullin XIX e XX, kur ishte pranuar se popujt e Europës ndaheshin në kombe sipas gjakut, gjuhës, zakoneve, psikologjisë dhe territorit.

Në një situatë të tillë tepër mbytëse për popullin shqiptar, lindi dhe u ngjiz Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ideologët e kësaj lëvizjeje vlerësuan tiparet e përbashkëta të kulturës shpirtërore e materiale të popullit shqiptar, luftuan ta shkruanin, ta pastronin e ta pasuronin gjuhën shqipe, faktorin më të rëndësishëm bashkues të kombit, të vinin në dukje zakonet e mira, besën, trimërinë, mikpritjen, respektin ndaj të huajit, mëshirën ndaj të pafuqishmit, etj. Ata nuk i mbivlerësuan dhe as i nënvlerësuan ndikimet e shumta që kishte pësuar prej zgjedhave të huaja të gjata mendësia e popullit shqiptar, gjuha dhe besimi i tij fetar, por vlerësuan si duhej faktin e madh, mrekullinë e mbijetesës së popullit shqiptar si një popull i veçantë midis popujve ballkanikë, i cili meritonte dhe duhej të jetonte i lirë në ato hapësira ballkanike, ku përbënte shumicën.

Rilindësit tanë qenë iluministë, njerëz me inteligjencë të lartë. Ata luftuan që populli shqiptar të zgjohej nga letargjia ku e kishte futur sundimi i gjatë dhe i egër turk. Luftuan ta nxirrnin popullin e tyre nga kjo gjendje foshnjore dhe ta aftësonin për të përdorur mendjen, logjikën e vet, për të njohur e vlerësuar tiparet e tij përbërëse.

Rilindësit tanë luftuan për përhapjen e shkrimit të gjuhës, për ringjalljen e krenarisë kombëtare, duke evokuar në letërsi të kaluarën heroike dhe duke himnizuar udhëheqësit e mëdhenj si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirrua i Epirit, etj. Krahas lëvrimit të letërsisë origjinale, ata i dhanë rëndësi dhe mbledhjes dhe botimit të letërsisë gojore të popullit. Këtë punë ata e bënë, sepse letërsia gojore ndër shqiptarët e kishte plotësuar dhe mbushur boshllëkun që kishte krijuar gjatë shekujve mungesa e letërsisë së shkruar. Letërsia gojore u kuptua drejt prej tyre si një thesar i vlefshëm kulturor, një identitet kombëtar që duhej rizbuluar dhe shpënë më tej. Për këtë punuan Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine , etj

Një ndër veprimtarët dhe krijuesit më aktivë të çerekut të parë të shek. XX është dhe Mihal Gramenua, një nga bijtë më të shquar të Korçës e të mbarë Shqipërisë, që u dallua si shkrimtar, publicist dhe luftëtar për liri e demokraci. Ai është shembulli i shkrimtarit shqiptar, i ngjashëm me poetët dhe shkrimtarët luftëtarë të popujve ballkanas, që shkruan dhe luftuan me armë kundër zgjedhës osmane, si rumunët Mihal Eminesku (Mihail Eminescu 1850-1889) e Tudor Argjezi (Tudor Arghezu, 1880-1967), dhe bullgari Kristo Botevi (Hristo Botev, 1848-1876), etj. Veprimtarinë e tij atdhetare dhe krijimtarinë letrare e publicistike, Gramenua e kreu në Shqipëri, Rumani e SHBA. Ai u bë i njohur në popull, jo vetëm përmes krijimeve letrare e publicistike, himneve e këngëve dashurore, të cilat u kënduan në kohën e tij dhe këndohen edhe sot, por dhe përmes njohjes së drejtpërdrejtë si luftëtar i lirisë, kur me pushkën krahut i ra kryq e tërthor Shqipërisë së Jugut. Ai u shqua për aktivizimin e tij të vijueshëm në lëvizjen kombëtare e demokratike, sipas motos së tij: më e vlefshme është të punonjë njeriu brenda në Shqipëri, se sa në kolonitë, moto që u bë parim i jetës së tij.

Rilindësit tanë ishin heronj. Ata u hodhën në një luftë të pabarabartë, por të mbushur me shpresë se populli shqiptar do ta ndiqte shembullin e tyre deri në fitoren e lirisë e të demokracisë dhe ia arritën synimit të tyre, ndonëse jo plotësisht për shkak të rrethanave dhe të politikës jo dashamirëse të Rusisë Cariste. Ata luftuan për ta çliruar letërsinë shqiptare prej ndikimeve të panevojshme të letërsive të huaja dhe arritën ta bënin atë një letërsi të pavarur me tiparet e veta origjinale kombëtare. Duke ecur, kush krah për krah e kush pas poetëve kombëtarë Naim Frashëri (1846-1900) e Atë Gjergj Fishta (1871-1940), shkrimtarët tanë të Rilindjes e afruan letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bënë atë shprehëse të ndërgjegjes së tyre morale dhe estetike, që ishin në përputhje me vërtetësinë historike. Ata luftuan me shumë sakrifica për dinjitetin e tyre dhe të mbarë popullit shqiptar, pra dhe për dinjitetin tonë, prandaj neve nuk na lejohet t’i harrojmë e t’i lemë pa i studiuar dhe pa i vlerësuar si duhet. Studimi dhe zbulimi i vlerave të jetës dhe veprës së tyre na ndihmon për të pajisur veten tonë me norma morale dinjitoze dhe të qëndrueshme.

* * *

Mihal Gramenua u lund në qytetin e Korçës më 13 janar 1871. Deri në moshën 15-vjeçare ai jetoi në qytetin e lindjes, ku u shkollua në shkollën fillore dhe gjysëm gjimnazin në gjuhën greke. Në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj shqiptarë, emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku ndoqi gjatë mbrëmjeve mësimet në një shkollë të mesme, që ishte hapur me ndihmën e qeverisë rumune prej Nikolla Naços. Në vitet 1907-1908 ai u kthye në atdhe, ku doli maleve me pushkë krahut për liri. Mbas korrikut 1908, kur u shpall Kushtetuta Xhonturke, ai qëndroi në qytetin e vet, në Korçë, ku punoi në ilegalitet për organizimin e lëvizjes së armatosur kundër pushtuesit turk dhe botoi gazetat e veta Lidhja Orthodokse (1909-1910) dhe pas saj Koha (1911-1912). Në faqet e këtyre gazetave ai botoi shumë artikuj, portrete, fejtone dhe skica letrare për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të popullit, për të forcuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për të diskredituar propagandat antishqiptare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë, sidomos qarqeve shoviniste greke.

Pas fitores së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, ai mbërriti disa ditë me vonesë në Vlorë, kryeqyteti i parë i shtetit të pavarur shqiptar, për të ndihmuar qeverinë dhe kryeministrin Ismail Qemali (1844-1919) për një varg punësh në atë kohë të vështirë. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur Korça u pushtua prej ushtrisë greke dhe gjithë Shqipëria prej ushtërive të shteteve ndërluftuese, Mihal Gramenua u detyrua të emigronte në SHBA bashkë me tre prej vëllezërve të tij. Në SHBA ai u vendos në qytetin Jamestown N.Y., ku vijoi botimin e gazetës Koha (1915-1919). Më 1920 u rikthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku filloi ribotimin e gazetës së tij.

Me artikujt, kryeartikujt, fejtonet, portretet, pamfletet dhe skicat letrare që botoi në vitet 1920-1924, ai ndihmoi për forcimin e mendimit demokratik dhe për fitoren e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924, kur erdhi në pushtet intelektuali i shquar Fan Noli, njeri i formuar në SHBA. Pas dështimit të këtij revolucioni dhe ardhjes në pushtet të feudalit Ahmet Zogu (1895-1961), Mihal Gramenua, duke qenë i sëmurë dhe në kushte të vështira ekonomike, u detyrua të pajtohej me situatën dhe të mënjanohej nga lufta politike. Në vitin 1926 e mbylli gazetën Koha dhe jetoi i tërhequr deri sa vdiq në shkurt të vitit 1931.

Në luftën për çlirimin kombëtar dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, si dhe në përpjekjet e para serioze për një demokraci borgjeze, ndihmesa e mendjes, e shpirtit dhe e talentit të Mihal Gramenos, është shumë e dukshme dhe e paharrueshme. Si rilindësit më të mirë shqiptarë, ai e zgjodhi luftën për liri e demokraci, sepse kuptoi se jeta në liri e demokraci e bën të mundur bashkëjetesën njerëzore në formën dinjitoze. Përmes leximeve në greqisht e rumanisht, Gramenua kishte përvetësuar mësimin e madh të Demokritit: Unë parapëlqej jetën e varfër në një demokraci, sesa pasurinë në një tirani, …. sepse liria është më e mirë se skllavëria. Kjo bindje e ndihmoi atë që të pranonte vuajtjet si shkrimtar dhe gazetar shqiptar në shërbim të lirisë për popullin e vet, se sa të pranonte propozimet që i bënë në Korçë sundimtari turk më 1909 dhe dhespoti grek më 1910, si dhe ministri italian San Juliano në Itali më 1914, për të marrë rroga të majme, po të punonte si gazetar në shërbim të politikës së tyre.

E marrë në tërësinë e vet, prej fillimeve të saj e gjer në dhjetor të vitit 1924, krijimtaria e tij përshkohet nga fryma luftarake, nga optimizmi historik, nga patosi atdhetar dhe idetë demokratike. Pas dhjetorit 1924, me riardhjen në pushtet të Ahmet Zogut pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit 1924, lëvizja demokratike ra në fashë dhe Gramenua përjetoi krizën e idealeve të kësaj lëvizjeje.

  1. Gramenua bën pjesë në radhën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes, të cilët pas vitit 1902, viti i botimit të veprës madhore Baba Tomorri të Andon Zako Çajupit (1866-1930), shënuan një periudhë të re letrare, ku bashkë me tematikën, disponimet, vizionet, format e shprehjes romantike, ata sollën edhe tema, disponime, vizione dhe forma të shprehjes realiste. Çajupit, Fishta, Gramenua, Asdreni (1872-1947) e çliruan letërsinë artistike nga fryma dhe morali fetar. Ata nuk e panë popullin shqiptar vetëm si komb, si e shihnin para tyre romantikët, por edhe si shoqëri të përbërë nga klasa të ndryshme, të cilat kishin problemet e veta. Pavarësisht se si i shtruan dhe si menduan t’i zgjidhin këto probleme, fakti që ata i panë dhe i shtruan ato, përbën një hap para për letërsinë shqiptare të asaj kohe.

Me novelat Oxhaku, E puthura dhe Varri i pagëzimitqë botoi në vitet 1904-1909, Gramenua hyri në letërsinë tonë si lëvruesi i parë i prozës së gjatë në gjuhën shqipe, ku mungonte tradita. Për t’ia dalë me sukses kësaj pune, në drejtim të ligjërimit ai iu drejtua prozës popullore, e cila i shërbeu si përvojë e gjallë artistike. Me përmbajtjen e këtyre veprave, duke shprehur pakënaqësitë ndaj normave morale të shtresave të larta e duke poetizuar vlerat shpirtërore të njerëzve të vegjëlisë, ky krijues i binte kambanës për zgjimin e ndërgjegjes shoqërore të shtresave të ulëta, ndikonte për të forcuar dinjitetin dhe respektin e këtyre shtresave ndaj vetvetes. E pikërisht me të tilla ide që shprehte ai në novelat e veta, jepte një kontribut në thellimin e frymës demokratike jo vetëm të prozës së gjatë në hapat e saj të parë, por të mbarë letërsisë sonë, çka do të bëhej në të ardhmen një nga tiparet më të qenësishme të kësaj letërsie. Me veprat e tij novelistike përmes patosit sentimental, ky autor vuri në dukje vetitë njerëzore të fshatarëve e të qytetarëve të varfër shqiptarë, shprehu simpatinë e tij për këtë pjesë të shtypur të popullit dhe u përpoq ta shpëtonte atë nga gjendja e rëndë, ndonëse në këtë çështje nuk predikoi rrugën e lëvizjeve shoqërore, por vetëm atë të mëshirës e të harmonisë utopike. Por nuk duhet harruar se të drejtoje vëmendjen tek njerëzit e varfër, tek interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë, ishte dalje kundër propagandës zyrtare. Me novelat e veta sentimentale, ku nuk mungojnë dhe elemente të realizmit, Gramenoja u hapi rrugë të mbarë prozatorëve tanë të mëvonshëm si Foqion Postolit, Nikolla Lakos, Andon Frashërit, Veli Panaritit, Sterio Spasses, Sotir Andoni, etj.

Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe është një komedi politike. Në qendër të saj autori ka vendosur luftën kundër klerit grek e veglave të tij (shqiptarët grekomanë), të cilët punonin nën rrobën e fesë për të përçarë popullin shqiptar dhe për t’i greqizuar besimtarët ortodoksë shqiptarë. Autori, si intelektual dhe atdhetar i ndershëm, kishte kuptuar se feja ortodokse ishte kthyer prej klerit grek e atij vendës grekoman, në një instrument të shovinizmit grekomadh. Prandaj, përmes humorit e satirës ai i demaskoi këto forca antishqiptare.

Në këtë komedi të Gramenos ndjehet ndikimi pozitiv i komediografit të madh francez Zhan Batist Molier (Jean Batiste Moliere, 1622-1673) në krijimin e karaktereve letrare të shërbëtorit Thanë dhe të dhespotit hipokrit grek Sofroni. Përmes dialogjeve dhe veprimeve të këtyre përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare dhe të personazheve të tjerë, realizohet satira e veprës. Krijimi i figurës së shërbëtorit Thanë, si përfaqësues tipik i popullit të thjeshtë shqiptar, dhe i dhespotit grek, si përfaqësues tipik i shovinizmit grekomadh, janë realizime të shënueshme të Gramenos. Në komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe autori arriti që urrejtjen kunër forcave kundërshtare ta shprehte jo duke e deklamuar me fjalë, si në disa poezi, por duke e ngritur atë në art, përmes motivimit të mendimeve dhe veprimeve të pesonazheve. Lidhjet midis personazheve dhe ambientit që ata i rrethon, këtu janë kapur sipas një realizmi spontan, intuitiv, pa u ndriçuar nga historizmi, nga kuptimi i karaktereve letrare si produkt i rrethanave. Veçse në këtë vepër, ky lloj realizmi është më i shëndetshëm se në novelat E puthura dhe Oxhaku.

Karakteri spontan i realizmit të Gramenos ka të bëjë me faktin se personazhet kryesorë në këto vepra mendojnë, ndjejnë e veprojnë jo gjithnjë në përputhje me logjikën e brendshme të karaktereve shoqërore që ata mishërojnë. Ata mendojnë e veprojnë shpesh herë në përputhje me idenë fillestare që ka paracaktuar autori.

Komedia politike atdhetare me tre akte Mallkim i gjuhës shqipe, e shkruar më 1902 dhe e botuar më 1905, ka qenë njohur prej A. Z. Cajupit dhe mund t’i ketë shërbyer si nxitje për hartimin e komedisë së tij politike me një akt Pas vdekjes më 1908, lënë dorëshkrim dhe botuar pas vdekjes së tij më 1937.

Tragjedia Vdekja e Pirros ka në qendër temën historike, jetën e mbretit Pirro të Epirit. Në këtë tragjedi ndjehet ndikimi i poetikës së tragjedive të Klasicizmit francez dhe të tragjedive të lashta greke. Kjo tragjedi është e para e llojit, si e tillë ajo hapi rrugën për hartimin e tragjedive klasiciste prej autorëve të tjerë si Çajupi, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi, etj. Me vëniet e shumta në skenë gjatë Rilindjes e pas saj prej grupeve amatore në kolonitë shqiptare të Rumanisë, SHBA-së dhe brenda vendit në Vlorë, Korçë e Tiranë, kjo vepër dramaturgjike luajti një rol të ndjeshëm edhe përsa i përket gjallërimit të lëvizjes teatrale, duke shënuar fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Komedia politike atdhetare Mallkimi i gjuhës shqipe dhe tragjedia Vdekja e Pirros, të cilat autori i shkroi në vitet 1902-1903 e i botoi më 1905-1906, janë ndër veprat e para të llojit. Ato, bashkë me vepra të tjera të këtij lloji, shënuan fillimet e dramaturgjisë shqiptare si gjini letrare. Pavarësisht nga karakteri spontan i realizmit të komedisë Mallkimi i gjuhës shqipe dhe i novelave E puthura dhe Varr’ i pagëzimit të Gramenos, duhet pranuar se ato ishin një prurje e mirë në kahjen e realizmit. Ato ndihmuan procesin e lindjes së realizmit, proces që filloi të merrte rrugë me Baba Tomorrin (1902) e Andon Zako Çajupit, me vepra të Pader Gjergj Fishtës, Asdrenit, Faik Konicës, Dom Ndre Mjedës dhe të konsolidohet më tej në vitet 30-të të shek. XX me veprat e Migjenit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Nonda Bulkës, etj.

Gramenua nuk është vetëm prozator e dramaturg, por edhe poet, poet i vrulleve atdhetare. Këngët Për mëmëdhenë,Lamtumirë, Uratë për liriArdhi dita, të cilat u bënë shumë popullore gjatë Rilindjes, ndikuan për krijimin e një mori këngësh e marshesh në vitet 1908-1912. Ato janë ndër krijimet më të mira të lirikës atdhetare që trashëgojmë nga Rilindja. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Teksti i tyre i pangarkuar me figura të vështira e të kërkuara dhe melodia e thjeshtë dhe e kapshme nga të gjithë, bënë që këto këngë atdhetare të përvetësoheshin shpejt e të përhapeshin si himne të luftëtarëve të lirisë. Meritë e poetit Grameno është edhe fakti se ai i muzikoi vetë këto këngë, mbi bazën e muzikës së këngëve revolucionare që ishin përhapur në atë kohë në mbarë Ballkanin. Këngët e tij atdhetare u kënduan jo vetëm gjatë viteve 1908-1912 nga luftëtarët e lirisë kundër zgjedhës turke dhe prej Bandës “Liria”, por edhe në vitet e Mbretërisë prej “Korit Lira” të Korcës, si dhe në vitet 1940-1944 prej popullit e luftëtarëve antifashistë kundër pushtimit italo-gjerman. Kënga “Për mëmëdhenë” dhe “Muaji i majit” këndohen edhe sot prej “Korit Lira” dhe këngëtarëve amatorëve të këngëve atdhetare e lirike.

Poezia Për Mëmëdhenë e Gramenos bashkë me poezitë Moj Shypni e mjera Shqypni e Pashko Vasës, Gjuha Shqipe e Naim Frashërit, Shqipëtar! e Çajupit, Gjuha shype e Atë Gjergj Fishtës, Kënga e Bylbylit e Dom Ndre Mjedës, Shko dallandyshe / Eja dallendyshe të F. Shirokës, Hymni i Flamurit i Asdrenit, Flamuri i At Fan Nolit, Vlora, Vlora e Ali Asllanit, Poradeci i Lasgush Poradecit e të tjera hyjnë në çdo tekst antologjik për shkollat 8-vjeçare e të mesme të Shqipërisë e Kosovës, si poezi të goditura që ndihmuan, ndihmojnë e do të ndihmojnë drejtpërdrejt në formimin atdhetar të nxënësve.

Gramenua u shqua edhe më tepër si publicist i talentuar. Ai botoi shkrime të shumta publicistike me nivel të lartë artistik si rrallëkush, për gati një çerek shekulli. Ai drejtoi vetë gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) e Koha (1911-1926), të cilat me punën e talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë.

Publicistika është, në fakt, fusha ku shkëlqeu talenti i tij krijues. Ai iu kushtua kësaj fushe me pasion e frymëzim të veçantë dhe arriti të botojë një mori shkrimesh prej mbi 3000 faqe të daktilografuara. Shumë prej këtyre faqeve kanë vlera të mëdha njohëse për jetën shqiptare të çerekut të parë të shekullit XX, periudhë që është e mbushur me ngjarje të një rëndësie të veçantë. Në këtë fushë të krijimtarisë ky publicist është ndër të parët dhe kryesorët propagandistë të rrymës atdhetare, sipas së cilës çlirimi i vendit nuk duhej pritur nga qeveritë e shteteve të huaja, si qeveria austro-hungareze, që propagandonte Faik Konica; ajo italiane, që propagandonin disa arbëreshë dhe ndonjë klerik katolikë; ose ajo turke, që propagandonte më 1908-1910 Mit’hat Frashëri. Çlirimi i vendit nga zgjedha turke, sipas Gramenos, do të sigurohej vetëm nga lufta e armatosur e popullit shqiptar.

Në plan shoqëror ky gazetar ishte gjithnjë një mbrojtës i vendosur i interesave të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe armik i bejlerëve çifligarë, i këtyre uzurpatorëve të pushtetit shtetëror pas fitores së pavarësisë.

Krijimtaria publicistike e Gramenos shquhet për trajtimin e problemeve të mprehtë atdhetarë dhe socialë. Vend qendror në të zuri ajo që ishte kryesore në jetën shqiptare të kohës: lufta për liri kombëtare dhe progres shoqëror. Heronjtë që zenë kryet e vendit në këtë krijimtari janë luftëtarët e çetave kombëtare, atdhetarët demokratë, bijtë e shtresave të ulëta, të cilët ia kishin kushtuar jetën luftës për liri e demokraci. Po ashtu, shpesh herë në qendër të krijimtarisë publicistike të Gramenos u vendosën dhe përfaqësuesit e aristokracisë shqiptare. Një pjesë e vogël e kësaj aristokracie u lidh sinqerisht me lëvizjen kombëtare për liri. Këta veprimtarë Gramenoja diti t’i vlerësonte me shkrime të ndryshme politike dhe letrare. Përmendim këtu shkrimet e tij plot frymëzim për Ismail bej Qemalin, Isa beg Boletinin, Orhan bej Pojanin, Alo bej Dishnicën, etj. Por pjesa më e madhe e kësaj aristokracie, duke parë interesat e veta të ngushta, mori një qëndrim jo atdhetar ndaj lëvizjes kombëtare dhe u përpoq të përfitonte poste e nëpunësi të pamerituara. Të tillë elementë u pasqyruan gjithmonë në plan sarkastik prej penës së këtij gazetari. Shkrimet që vunë në qendër personalitete historike si Esad Pashë Toptani, Turhan Pasha, Myfit bej Libohova, etj, i përshkon patosi satirik, përmes të cilit Gramenua demaskonte thelbin reaksionar të këtyre forcave shoqërore, mentalitetin e tyre antipopullor.

Duke qenë se Gramenua iu kushtua gazetarisë në një kohë kur demokratizmi i tij vinte duke u pjekur, sidomos pas jetës në çetën e Çerçizit, kur ai e njohu më nga afër karakterin e popullit shqiptar dhe nevojat e aspiratat e tij, në publicistikën e tij interpretimi i ngjarjeve nga këndvështrimi i shtresave të ulëta erdhi duke u forcuar vazhdimisht. Kështu, në vitet 1909-1912 ai krahas thirrjes opinga është shtylla e kombit shkroi edhe portretet letraro-publicistike, ku vuri në qendër luftëtarët kombëtarë të dalë nga radhët e bujqve dhe barinjve të varfër, për të treguar se në cilat shtresa duhej të mbështetej lëvizja e armatosur për liri. Kurse në vitet që pasuan pas shpalljes së pavarësisë, Gramenua eci dhe më tej në forcimin e ideve të tij demokratike.

Në vitet 1915-1918 ai shkroi një varg pamfletesh e fejtonesh, në qendër të të cilave vuri ish-ministrat bejlerë të Qeverisë së Vlorës (1912-1913) e sidomos të asaj të Durrësit (1914), shkrime ku ai demaskoi karakterin reaksionar të bejlerëve çifligarë si klasë. Ai tregoi se kësaj klase i kishte kaluar koha, i ishin shterur energjitë e brendshme dhe se ishte kthyer në një pengesë serioze për progresin shoqëror. Edhe pse teorikisht nuk kishte njohuri mbi ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, Gramenoja, në sajë të njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, zgjeroi e forcoi më tej botëkuptimin e vet demokratik dhe arriti në mendimin se eleminimi i mbeturinave të theksuara të feudalizmit në Shqipëri ishte një nevojë, një domosdoshmëri për të ecur përpara. Zotërimi i të tilla mendimeve bëri që, në fillim të viteve ‘20 të shek. XX, ky gazetar të orientohej drejt e të zinte vend menjëherë në radhën e veprimtarëve politikë e shoqërorë që nxitën atë lëvizje demokratike, e cila çoi në triumfin e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924.

Me shkrimet më të mira gazetareske të botuara që nga viti 1915 deri më 1924, për një dekadë të tërë, mund të themi se Gramenua qëndroi në radhën e publicistëve më të shquar të gazetarisë shqiptare. Ai shkroi e botoi qindra shkrime publicistike me nivel të spikatur artistik dhe me përmbajtje të thellë ideore. Më 1919 dhe 1921 ai ngriti ndër të parët nevojën e një reforme agrare në Shqipëri. Gjatë muajve që qëndroi në pushtet Qeveria e F. Nolit, Gramenoja në faqet e gazetës Koha kërkoi me këmbëngulje zbatimin e reformave të shpallura, në mënyrë që demokracia e shpallur të mos kthehej në demagogji. Por, për arsye që tashmë njihen, kjo qeveri u përmbys në fund të dhjetorit 1924. Kriza botëkuptimore që kaluan Mihal Gramenua, Asdreni, Hil Mosi, Milo Duçi, Risto Siliqi e shkrimtarë e publicistë të tjerë pas dhjetorit 1924, shpjegohet me karakterin spontan të demokratizmit të tyre dhe situatën mbytëse që krijoi Ahmet Zogu.        Pavarësisht nga disa dobësi ideore dhe artistike që vihen re në një pjesë të publicistikës së Gramenos, theksojmë se me pjesën më të mirë të krijimtarisë publicistike ai u shfaq në gazetarinë shqiptare si një publicist novator e i fuqishëm, me një larmi të madhe tematike e mbi të gjitha me një prodhimtari shumë të pasur me nivel të lakmueshem artistik. Ai ka meritën se lëvroi ndër të parët dhe me sukses portretin, skicën, fejtonin, pamfletin dhe letërsinë memuaristike. Për më se 20 vjet, deri në dhjetor 1924, ai qëndroi në rreshtat e parë të publicistëve tanë si një penë origjinale dhe veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Njeri me karakter të pastër, me kulturë mbimesatare për kohën, me vullnet të madh krijues, me formim atdhetar e demokratik, njohës i rumanishtes, greqishtes dhe italishtes, Gramenoja është rasti i shkrimtarit e gazetarit shqiptar autodidakt që u rrit përmes vullnetit dhe ambicjeve të veta, përmes përpjekjeve të veta të pandalshme. Ai shkruante për shtresat popullore, me një gjuhë gjithnjë të kuptueshme dhe u ndoq prej shumë shkrimtarësh e gazetarësh të kohës dhe më vonë. Gramenua, duke qenë një gazetar që vinte nga radhët e shkrimtarëve, i dha rëndësi në shkrimet e tij publicistike letrare përgjithësimit artistik, i cili u bë një tipar tjetër dallues i individualitetit të tij publicistik. Përgjithësimi artistik është një dukuri që ka ardhur në ngritje nga dhjetëvjetshi i parë tek i dyti në krijimtarinë publicistike të këtij gazetari. Përpjekja për të dhënë në mënyrë të përgjithësuar tipat e jetës bashkëkohore shqiptare e shpuri Gramenon në një dukuri të re. Ai, krahas shkrimeve të mirëfillta publicistike letrare si portreti, fejtoni, pamfleti, filloi të hartonte dhe shkrime ku hoqi dorë nga përdorimi i emrave konkretë të njerëzve dhe të vendeve ku ndodhnin ngjarjet, të cilët i zëvendësoi me emra përgjithësues të sajuar prej fantazisë së tij. Në këto lloj shkrimesh ai hoqi dorë edhe nga ngjarjet konkrete historike, të cilat i zëvendësoi me ngjarje të krijuara nga fantazia e vet. Kështu ai kaloi tek skica letrare. Që në vitin 1908 ai hartoi skicën Gazetari shqiptar, ku skaliti më mirë se kushdo tjetër figurën e gazetarit shqiptar të Rilindjes e të pas Rilindjes, të cilët punonin me ndërgjegje të kthjellët për zgjimin e popullit, pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat e tyre kudo ku jetonin e punonin, në Shqipëri, ose në kolonitë shqiptare. Në vitet 1915-1918 Gramenoja i kushtoi edhe më shumë vëmendje hartimit të skicave letrare satirike si Honxho-Bonxhot,Mëmëdheu i vjetër, Kafe oxhakët etj, përmes të cilave përgjithësoi tipin e qeveritarëve anadollakë që i morën frymën qeverisë së I. Qemalit dhe sidomos asaj të princ V. Vidit. Kurse me skicat e viteve 1921-1923 si Shëmëndëferi (Hekurudha), DuvaxhinjtëI gjori IbrikXinxifkë pashaXhongo-rokët etj, ai e pasuroi procesin e kritikës ndaj qevweritarëve të padenjë me krijimin e tipit të deputetëve dhe nëpunësve indiferentë e pseudopatriotë, të cilët prapa fjalëve dhe veshjeve të bukura fshihnin boshllëkun e tyre shpirtëror e mendor dhe mungesën e atdhetarizmit. Me të tilla skica humoristike e sarkastike, si dhe me fejtonet e pamfletet e shumta, duke e treguar botën shqiptare pa maskë, publicisti Grameno i hapi rrugën publicistëve dhe shkrimtarëve si Gjergj Bubani (1899-1954) dhe Nonda Bulka(1906-1972), të cilët në vitet 1921-1924 ishin në moshën e formimit të tyre dhe pak më vonë do ta shpinin në një stad të ri skicën humoristike (Gj. Bubani në vargje) dhe tregimin e shkurtër humoristik N. Bulka.

Vepra letrare e ajo publicistike e Gramenos është një nga urat e fuqishme që lidhin letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Rilindjes me atë të periudhës së Pavarësisë. Kjo vepër është pjesë e shëndoshë e asaj prurjeje letrare që ndihmoi në procesin e kapërcimit të letërsisë shqiptare nga letërsia romantike në letërsinë realiste. Për të theksuar është dhe fakti se bota shqiptare e kohës është pasqyruar në krijimtarinë letrare e publicistike të Gramenos në shumë aspekte të saj. Secila klasë mbart me vete psikologjinë dhe tiparet e saj dalluese gjithmonë shqiptare, gjë që ka çuar në thellimin e karakterit kombëtar shqiptar të kësaj krijimtarie. Ai afirmoi ato klasa e shtresa shoqërore që ndihmonin përparimin shoqëror dhe mohoi ato klasa e shtresa të cilat e pengonin këtë përparim.

Mihal Gramenua është shembulli i shkrimtarit atdhetar të përkushtuar, i cili për hir të atdheut rëmbeu herë penën dhe herë pushkën, sipas nevojave të kohës, të cilat ai kishte aftësinë t’i ndjente më shpejt e më mirë se shumë të tjerë. Në vitet 1902-1907, kur atdheu kërkonte ende vepra letrare më shumë se veprimtari atdhetare, ai ushtroi talentin e vet në dramaturgji, prozë dhe poezi, duke pasuruar letërsinë tonë me aspekte të reja si komedia, tragjedia, novela, kënga atdhetare dhe ajo lirike, etj. Kurse në vitet 1907-1912 dhe më vonë, kur atdheu kërkonte më shumë veprimtari politike dhe luftarake se letërsi, ai doli komit maleve dhe u angazhua në gazetari dhe punë politike e shoqërore. Në këto vite ai e pasuroi letërsinë shqiptare me shumë fejtone, portrete, pamflete, skica, si dhe me një vepër memuaristike. Bashkë me Asdrenin ai ndoqi mësimin e urtë: një njësi talent dhe nëntë njësi punë. Duke punuar vijimisht me vullnet e përkushtim, ai dha ndihmesën e vet me sukses në lëvrimin e disa llojeve letrare dhe për këtë ndihmesë mund të quhet, ashtu si Asdreni, shkrimtar i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të Rilindjes. Ai mund të quhet shkrimtar i rëndësishëm i Rilindjes sonë edhe pse asnjëra prej veprave të tij nuk mund të krahasohet për nga vlerat ideo-artistike me veprat madhore të Rilindjes sonë si Këngët e Milosaos të Jeronim De Radës, Histori’ e Skënderbeut e Naim Frashërit, Lahuta e Malsis e Atë Gjergj Fishtës, Baba Tomori i Andon Zako Çajupit, Kënkat e luftës e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro), Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës (Gabrielle Dara), Juvenilja e Dom Ndre Mjedës, e ndonjë tjetër. Mirëpo ndryshe nga këta krijues që shkëlqyen kryesisht me vepra letrare, Gramenua ka një avantazh që nuk e kanë ata, ai krijoi një publicistikë letrare dhe një jetë luftarake, që ua kaloi të gjithë shkrimtarëve të Rilindjes e atyre të viteve që erdhën më pas deri më 1924. Dhe kjo krijimtari publicistike letrare me portrete, skica, fejtone e pamflete duke qenë pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij letrare e ngre atë pikërisht në grupin e shkrimtarëve të rëndësishëm të letërsisë sonë të Rilindjes. Duke i parë veprat dhe bëmat e këtij shkrimtari, publicisti dhe veprimtari në mënyrë të shkoqitur, nuk mund t’i kuptojmë rëndësinë dhe vlerat e tij tërësore. Rëndësinë dhe vlerat e veprës tërësore të tij mund t’i kuptojmë po të mendojmë për një moment sikur ato t’i mungonin letërsisë dhe jetës shqiptare të çerekut të parë të shek. XX.

Po të kishin munguar veprat e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra.

Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, që u vu në skenë disa herë, do t’i mungonte një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E puthura, himnet kryengritëse Për mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumitë, kënga dashurore Muaji i majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat u bë autopsia e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare.

Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet dhe klasat në vitet 1908-1924.

Letësisë memuaristike shqiptare do t’i mungonte vepra Kryengritja shqiptare, pra pasqyrimi i bëmave të çetës së Çerçiz Topullit, ku Mihali ishte jo vetëm luftëtar, por dhe shkronjës i saj.

Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’i mungonin luftëtari i maleve, propagandisti popullor, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat.

Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shembulli i njeriut të ndershëm dhe të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk fyu e nuk shau askënd pa argumente, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me logjikë të ftohtë.

Për një shkrimtar, gazetar, luftëtar, veprimtar politik e shoqëror të përkushtuar si ai, ka pasur dhe ka shumë nevojë shoqëria shqiptare. Njeriu i urtë, i pabujë, shpesh herë mund të lihet mënjanë dhe mund të mos vlerësohet si e meriton për një kohë të gjatë e ndoshta dhe deri në vdekje, por jo përgjithmonë.

Një vlerësim shkencor të saktë për vlerat e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit Mihal Grameno deri sot e ka penguar mungesa e një botimi shkencor sa më të plotë të krijimterisë më të mirë të tij. Unë, pasi punova disa vjet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave për ta njohur e vlerësuar veprën tërësore të tij dhe në plan krahasimtar me pararendësit dhe bashkëkohësit, arrita në përfundimin se ky shkrimtar duhet vendosur në një vend më të mirë në klasifikimin që u është bërë deri sot autorëve shqiptarë të Rilindjes, ose më saktë autorëve shqiptarë të çerekut të parë të shek. XX. Në këtë klasifikim studiuesit shqiptarë kanë veçuar prej kohe tre poetë si poetë të mëdhenj: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe Atë Gjergj Fishtën (Qosja, Rexhep. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Prishtinë 2006, f. 202, 233). Tani së fundi studiuesi Jorgo Bulo e rivlerësoi dhe Andon Z. Çajupin si një nga poetët e mëdhenj të Rilindjes sonë, për faktin se ai kreu kalimin nga patosi afirmativ romantik, tipik për kulturën e Rilindjes, në patosin satirik, se solli në kulturën shqiptare mendësinë kritike duke hapur udhën e realizmit. (Çajupi, A. Z. Vepra, Toena, Tiranë 2008, përgatitur nga Akademik Jorgo Bulo, vëll.. I, Hyrje). Idenë se Çajupi, mbas botimit të veprës Baba Tomorri, duke u bërë shkrimtar shumë popullor, u bë i dyti mbas Naimit, e ka shprehur dhe studiuesi kanadez Robert Elsi (Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, DUKAGJINI, Tiranë-Pejë, 1997, f. 259).

Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes dhe të dhjetëvjetshit të parë pas saj mund të përmenden pa i renditur njëri pas tjetrit si konkuruesit e një gare, por duke i grupuar sipas individualitetit dhe ndihmesës së tyre letrare artistike në dy grupe, në shkrimtarë të rëndësishëm dhe në shkrimtarë më pak të rëndësishëm. E në këtë ndarje Mihal Gramenua mund të konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm, për faktin se me veprat dramatike i hapi rrugë komedisë e tragjedisë, me veprat novelistike i hapi rrugën prozës së gjatë, me poezitë atdhetare e dashurore i hapi rrugë këngës atdhetare dhe lirike, me skicat letrare konsolidoi realizmin si metodë letrare të qëndrueshme, kurse si publicist me shumë artikuj, portrete, fejtone dhe pamflete, ai është një gazetar i niveleve të lakmueshme, që mund të renditet menjëherë mbas Faik Konicës dhe Fan Nolit. Të tilla vlera nuk i kanë shkrimtarë si Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vincens Prenushi, etj të cilët bëjnë pjesë midis shkrimtarëve më pak të tëndësishëm të Rilindjes e fill pas saj.

Në qoftë se veprat e shkrimtarëve shqiptarë të Rilindjes e fill pas saj do t’i konsiderojmë si një polifoni, Gramenoja është një zë harmonik që nuk stonon në harmoninë e përgjithshme; po t’i krahasonim me një mozik shumëngjyrësh, do të thoshim se ngjyrat e Gramenos kanë ndritur në kohën e vet dhe nuk janë zbehur as sot.

Studimet e derisotme për jetën dhe veprën e shkrimtarit, gazetarit dhe veprimtarit Mihal Grameno nuk kanë mundur të japin në mënyrë përfundimtare e shteruese dhe gjithpërfshirëse vlerat e shumanshme të tij. Një vlerësim të tillë nuk pretendoj se e kam arritur as unë me studimin Mihal Grameno jeta e vepra 1871-1931, DDS Durrës 2012, 500 f.,  edhe pse u përpoqa dhe besoj se arrita të argumentoj një vendosje të re të vlerave të tij letrare e publicistike midis krijuesve shqiptarë të viteve 1900-1925. Jeta dhe vepra e këtij personaliteti të letërsisë, të gazetarisë dhe historisë shqiptare është studiuar, po studiohet e do të studjohet, sepse ajo është e mbushur me vlera letrare artistike dhe mesazhe të vlefshme që i vlejnë çdo epoke historike, për dinjitetin e individëve dhe të mbarë popullit shqiptar. Vepra e tërësore e Gramenos bën pjesë në shpirtin e shqiptarizmit, në vlerat më të mira dhe më rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Për këto arësye them se qyteti i lindjes, Korça, ia ka borxh një monument të plotë e jo vetëm një bust të thjeshtë si e ka sot Heroit të Popullit Mihal Grameno, ashtu si ia ka borxh edhe Gjirokastra Andon Zako Çajupit.

(Shënim: Po e shkëput këtë përmbledhje prej studimit tim monografik Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931 që botova më 2012, dhe po e botoj më vete mbasi kam vënë re se në qytetin e Korçës është gjallëruar propaganda grekomane e cila shpif kundër këtij luftëtari të kulluar të lirisë dhe shkrimtari e publiciti të talentuar atdhetar.

Lufta e qarqeve shoviniste greke kundër atdhetarëve shqiptarë është e vjetër, që kur ata helmuan e vranë njëri pas tjetrit Naum Veqilhaxhin, Pandeli Sotirin, Papa Kristo e Papa Vasil Negovanin, Petro Nini Luarasin, etj. Edhe lufta e këtyre qarqeve filloi dhe kundër Mihalit që kur ai ishte nxënës në vitin e fundit të gjysëmgjimnazit grek, sepse organizoi një protestë në provimin përfundimtar kundër mohimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Por Mihali nuk u tremb nga mallkimi dhe nuk u tërhoq nga lufta kunër propagandës shoviniste greke, ai shkroi e botoi shumë artikuj kundër kësaj propagande, shkroi e botoi dhe komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe, ku demaskoi klerin grek dhe atë shqiptar grekoman; shkroi e botoi tragjedinë Vdekja e Piros, ku ngriti lart bëmat e mbretit iliro-shqiptar Piro të Epirit, të cilin propaganda shoviniste greke e ka quajtur dhe e quan mbret grek, dhe Epirin shtet grek. Por kush nuk e di se disa autorë të vjetër grekë kanë shkruar se Epiri ishte i banuar prej ilirëve barbarë dhe Pirua ishte mbret barbar ashtu si Lisimaku i Maqedonisë. Në vitin 1909 Mihali e ngriti në nivel të ri luftën kundër propagandës shoviniste grekomadhe duke krijuar me shokët e tij atdhetarë Shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe botoi për një vit gazetën e kësaj shoqërie me po këtë emër, ku mbrojti shqiptarësinë e ortodoksisë së popullit të Korçës

Mirëpo këtë luftë kundër Mihal Gramenos, që e humbën gjatë Rilindjes e më pas, qarqet shoviniste greke e paskan rifilluar sërisht pas vitit 1992. Populli shqiptar doli i raskapitur dhe i varfër nga diktatura komuniste dhe mori rrugët e mërgimit pas ndërrimit të regjimit. Populli grek ua hapi portat, i punësoi dhe i ndihmoi emigrantët shqiptarë që shkuan në Greqi. Po ashtu shumë pasanikë grekë, të nxitur prej Hirësisë së Tij Anastas Janullatos, dhanë ndihma financiare të shumta për ndërtimin dhe riparimin e kishave orthodokse në Shqipëri. Mirëpo qarqet shoviniste greke rifilluan të shkojnë kundër interesave të miqësisë midis dy popujve tanë. Këto qarqe kanë punuar kundër miqësisë midis dy popujve tanë që në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. E kush nuk i kujton masakrat e andartëve grekë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore më 1914 dhe 1916 në Shqipërinë e Jugut ku dogjën mijëra shtëpi në zonën e Korçës. Kolonjës, Përmetit, e Gjirokastrës, apo masakrat kundët popullit shqiptar të Çamërisë në vitet 1944-1945?!

Janë njerëz të këtyre qarqeve që vijojnë si dikur të shpifin kundër atdhetarëve shqiptarë dhe pikërsisht kundër më të mirëve si Mihal Gramenua, sepse ata duan të deheroizojnë këtë figurë popullore, luftëtar trim dhe shkrimtar e gazetar të talentuar që ka qenë dhe është etalon i luftëtarit kundër propagandës shoviniste grekomadhe. Këto qarqe guxojnë të shpifin kundër Mihal Gramenos se ai ishte një pianik i keq, po si mund të krijonte një pianik gjithë atë korpus veprash me vlera artistike e ideore?! Guxojnë të shpifin se Zoti e dënoi kur shtiu kundër Fotit, dhespotit grek, dhe ia paralizoi gishtin e madh të dorës së djathtë. Këtë shpifje e dëgjova nga dy korçarësh dhe para disa javësh, si e kisha dëgjuar edhe prej një ish-pedagogu të Universitetit Fan Noli më 2012 në Korçë, pasi u promovua studimi im në atë universitet. Dhe nuk deshçn ta pranonin zotërinjtë të vërtetën kur u thashë se Mihali kishte dalë komit një vit më vonë pasi e vrau dhespot Fotin Çerçiz Topulli më 1906 kur kishte dalë së pari komit me çetën e Bajo Topullit. Pikërisht Mihali shkroi më 1907 një artikull te gazeta Kombi se çeta e re nuk do të merrej me vrasje individësh, por do të propagandonte çështjen kombëtare për të përgatiur popullin për luftën çlirimtare.

Grekomanët e sotëm ndoshta paguhen me pensione se gjoja janë minoritarë grekë prandaj punojnë që ta shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. Ata shpifin sepse duan që të harrohet e vërteta se dhespot Fotin e vrau Çerçizi si hakmarrje ndaj masakrës që kryen andartët grekë në Negova më 1905 ndaj dy priftërinjve vëllezër: Papa Kristo dhe Papa Vasil Negovanit. Kjo luftë kundër Gramenos është pjesë përbërëse e luftës që kanë bërë e bëjnë qarqet shovoniste greke për ta harruar e për ta mbuluar me harresë të vërtetën e madhe se bijtë e popullit shqiptar të Çamërisë me Marko Boçarin në krye dhe arbërorët ishin luftëtarët më të lavdishëm të luftës për lirinë e Greqisë nga zgjedha turke.

Duke shpresuar se do të ndikoj në ndaljen e kësaj propagande, që prish miqësinë e popullit shqiptar me atë grek, e ribotoj këtu këtë përmbledhje të studimit tim sepse s’kam mundësi financiare ta ribotoj gjithë studimin. Kurse Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës nuk planifikojnë ta ribotojnë dhe shpërndajnë këtë studim për ta lexuar sa më shumë shqiptarë dhe sidomos nxënësit e gjimnazeve, studentët dhe pedagogët e universiteteve) / KultPlus.com

112 vjet nga lindja e presidentit Richard Nixon

9 janari shënon 112 vjetorin e lindjes s së njërit nga burrështetasit e Amerikës, Riqard Nixon, shkruan KultPlus.com.

Ai lindi në vitin 1913 në Yorba Linda të Kaliforni-së. Ishte politikan amerikan dhe President i SHBA-së i 37-të në periudhën 1969-1974. Nixon është i vetmi Kryetar i ShBA-ve që ka dhënë dorëheqje gjatë mandatit presidencial pa e përfunduar mandatin e dytë, për shkak të përzierjes së tij në një skandal korrupsioni të njohur si Skandali Watergate.

Nixon lindi në një familje të varfër në një qytet të vogël në Kaliforninë Jugore. Ai u diplomua në Shkollën Juridike Duke në 1937, ushtroi profesionin e avokatit në Kaliforni, më pas u transferua me gruan e tij, Pat, në Uashington në 1942 për të punuar për qeverinë federale.

Pas detyrës aktive në Rezervën Detare gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 1946. Puna e tij në çështjen e Alger Hiss krijoi reputacionin e tij si një antikomunist kryesor, gjë që e ngriti atë në rëndësi kombëtare, dhe në vitin 1950 , ai u zgjodh në Senat.

Nixon ishte kandidati i Dwight D. Eisenhower, kandidati presidencial i Partisë Republikane në zgjedhjet e vitit 1952 dhe shërbeu për tetë vjet si zëvendëspresident. Ai kandidoi për president në vitin 1960, humbi ngushtë nga John F. Kennedy, pastaj dështoi përsëri në një garë të vitit 1962 për guvernator të Kalifornisë, pas së cilës u besua gjerësisht se karriera e tij politike kishte mbaruar. Megjithatë, në vitin 1968, ai bëri një tjetër kandidim për presidencën dhe u zgjodh, duke mposhtur Hubert Humphrey me më pak se një pikë përqindje në votën popullore, si dhe duke mundur kandidatin e partisë së tretë George Ëallace.

Nixon i dha fund përfshirjes amerikane në luftimet e Vietnamit në 1973 dhe draftin ushtarak në të njëjtin vit. Vizita e tij në Kinë në vitin 1972 përfundimisht çoi në marrëdhënie diplomatike midis dy kombeve dhe ai gjithashtu përfundoi Traktatin e Raketave Anti-Balistike me Bashkimin Sovjetik. Në hap me besimet e tij konservatore, administrata e tij transferoi në mënyrë graduale pushtetin nga qeveria federale te shtetet.

Politika e brendshme e Nixon-it e pa atë të impononte kontrolle të pagave dhe çmimeve për 90 ditë, të zbatonte desegregimin e shkollave jugore, të themelonte Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe të fillonte Luftën kundër Kancerit. Për më tepër, administrata e tij nxiti për Aktin e Substancave të Kontrolluara dhe filloi luftën kundër drogës. Ai gjithashtu kryesoi uljen e Apollo 11 në Hënë, e cila sinjalizoi fundin e Garës Hapësinore. Ai u rizgjodh me një rrëshqitje historike elektorale në vitin 1972 kur mundi George McGovern.

Në mandatin e tij të dytë, Nixon urdhëroi një transport ajror për të rifurnizuar humbjet izraelite në Luftën e Yom Kipur, një konflikt që çoi në krizën e naftës në vend. Nga fundi i vitit 1973, përfshirja e administratës së Nixon në Ëatergate gërryen mbështetjen e tij në Kongres dhe në vend. Më 9 gusht 1974, duke u përballur me shkarkimin dhe largimin pothuajse të sigurt nga detyra, Nixon dha dorëheqjen nga presidenca.

Më pas, atij iu dha një falje nga pasardhësi i tij, Gerald Ford. Gjatë gati 20 viteve të daljes në pension, Nixon shkroi kujtimet e tij dhe nëntë libra të tjerë. Ai ndërmori shumë udhëtime jashtë vendit, duke e kthyer imazhin e tij në atë të një burrë shteti të moshuar dhe eksperti kryesor i çështjeve të jashtme.

Ai pësoi një goditje në tru më 18 prill 1994 dhe vdiq katër ditë më vonë në moshën 81 vjeçare. Sondazhet e historianëve dhe shkencëtarëve politikë e kanë renditur Nixon si një president nën mesataren.[2][3][4] Megjithatë, vlerësimet e tij kanë rezultuar komplekse, me sukseset e presidencës së tij në kontrast me rrethanat e largimit të tij nga detyra./KultPlus.com

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor vjen me interpretim edhe në Prishtinë, me koncertin e Post ReMusica-s shënon 225 vjetorin e lindjes së Bethovenit

Vjollca Duraku

Mbrëmë në kuadër koncertit Post ReMusica, është interpretuar program artistik nga Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, nën dirigjimin e Desar Sulejmani, në nderim të 225 vjetorit të lindjes së L.V.Bethoven dhe 215 vjetorit të lindjes së F. Mendelsson- Bartholdy, shkruan KultPlus.

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor në përbërje nga muzicientë të rinj të gjashtë vendeve të Ballkanit (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) interpretimin në Atelienë e Pallatit të Rinisë e filloi me veprën “Ouverture Athalia” të kompozitorit Felix Mendelsson- Barthold, që përmes tingujve të mrekullueshëm herë pas here qetësisht të ftonin në përjetim.

Pika e dytë interpretuese “Clarinet Concerto” e Aaron Copland u dha nga Orkestra Rinore Ballkanike dhe klarinetisti Mario Ruska si një interpretim që rrënqethte mrekullisht nga profesionalizmi. Përjetimi i tingujve të emetuar nga vetë klarinetisti binte në sy po aq sa lëvizja e tij ndërmjet muzicientëve për të krijuar harmoni energjie dhe tingujsh.

Ndërkaq, pjesa e tretë e koncertit “ Symphony Nr. 5” nga Ludwig van Bethoven me tinguj kryesisht të lartë i jepnin mbrëmjes madhështi. Në këtë pikë interpretuese dominonte loja e dirigjentit Sulejmani, i cili përmes një interpretimi brilant dukej sikur vërtetë krijonte magji përmes lëvizjes së shkopit të tij dhe notave muzikore të veprës së kompozitorit të shquar.

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor  është një iniciativë e OJQ-së Artium Eudora, e cila synon që të rris bashkëpunimin mes muzicientëve të shteteve të ballkanit perëndimor të cilat nuk janë pjesë e BE-së, Veprimatria e kësaj orkestre shtrihet përtej dallimeve kombëtare, etnike e fetare, duke koontribuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërkufitar dhe ndëretnik.

Pas koncertit, dirigjenti Sulejmani ka thënë se përveç të krijuarit art, kjo orkestër zhvillon edhe një mision politik.

“Gjithçka është sfiduese kur mundohesh të gjesh gjuhën e përbashkët me kombësi të ndryshme siç ne i kemi pasur tani (13-të kombësi). Muzika, tingujt e muzikës të punuar mbi veprat e këtij programi e bën gjithmonë më të lehtë, ndërlidhjen, bashkëpunimin, komunikimin mes vete por edhe me kombësi të tjera. Mendoj që muzika është instrumenti më i mirë i mundshëm që ne kemi në dorë si muzikantë, për të lidhur kultura të ndryshme, kombësi të ndryshme, edukime të ndryshme shkollore, për të njësuar gjuhën e përbashkët të një niveli të lartë artistik”.

Ai më tej ka bërë të ditur se ky projekt pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, pasi posedon mbështetje nga programi kulturor Creative Europe nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi pothuajse në fund të turneut të këtij dimri, kemi filluar në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, sonte në Prishtinë dhe nesër do të kemi koncertin e fundit në Shkup. Me këtë koncert përmbyllet faza e dimrit ndërkohë që jemi duke punuar për fazën e projektit të verës, ku do të jemi edhe një orkestër më e madhe me 65 muzikantë të rinj, nga 17 vende evropiane. Koncertet ne do t’i mbajmë në të gjithë Ballkanin Perëndimor sikurse edhe në komunitetin evropian duke përfshirië këtu Gjermaninë, Francën. Mendoj që do të kemi koncerte edhe në Turqi”.

Ndërkaq, pianistja Eleonida Elezi ka thënë se interpetimi në Prishtinë pas një turi në shtetet tjera të Ballkanit për të papraqiste një ndjesi dhe emocion krejt të veçantë.

“Prej fillimit të turit është hera e parë që perfomoj në Prishtinë, fillimisht kemi performuar në Beograd, Novi Sad Sarajevë dhe në Mostar, por koncerti me emocionet më të veçanta ishte i sotmi në Prishtinë, sigurisht pasiqë është shteti ku kam lind. Ishte një emocion i veçantë të performosh para publikut tonë. Është një vepër karakteristike pasiqë është kontemporane dhe ka disa tipare të cilat duhet me u fokusu për t’i nxjerrë ato qoftë edhe me anë dinamike qoftë edhe me anë ritmike. Ka qenë një bashkëpunim shumë i ndërsjellë mes të gjithë muzikantëve për të sjellë një larmishme”, ka thënë pianistja Elezi duke e potencuar bashkëpunimin me kolegët e etnive të tjera.

“Ka qenë një ndjenjë e mrekullueshme për të pasur një bashkëpunim të ndërsjellë me mosha, bagazhe dhe etni të ndryshme. Sigurisht është një emocion i veçantë të kesh këtë bashkëpunim në mes të muzikantëve, bashkëpunim ky i cili gjithmonë sjellë frytshmëri në muzikë”, ka thënë pianistja.

Koncerti i mbrëmshëm i cili u mirëprit nga audienca ishte një besfasi e vërtetë edhe për klarinetistin Mario Ruska.

“Me të vërtetë ishte një mbrëmje shumë e mirë. Në fakt, nuk e prisja këtë gjë kaq të mirë, pasi dje kemi mbërritur vonë dhe nuk kemi fjetur aq shumë. Të gjithë ishin shumë të lodhur dhe nuk prisnim një mbrëmje me kaq shumë adhurues”, ka thënë ai.

WBYO është mbështetur nga Programi i Bashkimit Evropian “Creative Europe” me projektin  WBYOACCELERANDO, si një projekt me vlerë dhe rëndësi në promovimin e kulturës dhe artit në Ballkanin Perëndimor si dhe në Evropë./ KultPlus.com

Momente të paharrueshme në dëborë, Alpet “magnet” për turistët edhe në dimër

Turizmi malor çdo vit e më shumë po tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Në ditët e para të janarit Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, po vizitohet nga të apasionuarit pas ngjitjeve në mal.

Por edhe gjatë vitit që lamë pas, ky park ishte një ndër më të vizituarit nga turistë vendas e të huaj në 12 muajt e vitit 2024.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, Agim Dardha bëri të ditur për ATSH-në se “në këto ditë të para të janarit vihet re një fluks vizitorësh vendas e të huaj, për shkak edhe të reshjeve të dëborës që kanë rënë në Alpe. Të apasionuar pas alpinizmit dhe sporteve dimërore vizitorët po frekuentojnë këto zona për të kaluar momente të paharrueshme në bardhësinë e dëborës si dhe për të shijuar gatimet tradicionale në hotele dhe bujtina”.

Dardha u shpreh se “Thethi, Vermoshi dhe Boga u vizituan nga 457 965 vizitorë, nga të cilët 256 290 vendas dhe 201 675 të huaj”.

Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës dhe shenjimi i shtigjeve nga stafi i AdZM-ve kanë sjellë një shtim të numrit të turistëve.

Dardha i bën apel të gjithë vizitorëve vendas e të huaj që të shoqërohen nga guidat vendase kur eksplorojnë shtigjet e ndodhura në Alpe, në mënyrë që shmangen incidentet për shkak të dëborës.

Drejtori i ADZM Kukës, Lefter Gjana tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-dhjetor lumi i Gashit, Lugina e Valbonës dhe Lugina e Tropojës janë vizituar nga 177 447 turistë,  nga të cilët 102 548 vendas dhe 74 597 të huaj”.

Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë.

Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin. Bukuria mahnitëse e tyre pasqyrohet në ujërat kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj., si dhe në liqenet akullnajore të tilla si ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj., ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline, e cila ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.

Male të tilla si Radohima, Maja Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkëlzenit ofrojnë një panoramë të ndryshme, e cila tundon shpirtin aventuror të çdo vizitori për të parë bukuritë natyrore përreth tyre./atsh/KultPlus.com

‘Forever Young’ kënga më e njohur në Tiktok

Kënga “Forever Young” e grupit gjerman Alphaville e vitit 1984 u bë kënga më e njohur globalisht në rrjetin social Tiktok vitin që sapo lame pas.

Në postimet britanike në atë rrjet është vënë re një rritje e ndjeshme e përdorimit të këngëve të vjetra, shkruan “The Guardian”.

Nga 50 këngët më të mira në Tiktok, 20 prej tyre janë të dekadave të mëparshme, të cilat e bënë muzikën më të vjetër, si këngët e grupit Bronski Beat dhe këngëtaren Shada, shumë të njohura, dhe hiti më i madh britanik në Tiktok është kënga “Blood Portokalli” nga Devonte Hynes, e cila u përdor në 1.1 milion postime.

Tiktok luan një rol kyç në industrinë e muzikës dhe se ka kontribuar, ndër të tjera, në popullaritetin e këngës “Brother” të interpretuar nga Charli XCX, e cila dikur u përdor në fushatë nga kandidatja për presidente amerikane Kamala Harris.

Disa nga këngët e njohura në Tiktok gjatë 2024-ës ishin ‘Champagne Coaste’ nga Blood Orange, ‘Forever Young’ nga grupi gjerman Alphaville, ‘Another Love’ nga Tom Odell dhe ‘Kiss of Life’ nga këngëtarja Shada./KultPlus.com

Restaurohet kisha e Shën Nikollës në lagjen ‘Kala’ të Beratit

Ka përfunduar ndërhyrja restauruese në kishën e Shën Nikollës, Monument Kulture, Kategoria I, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit.

Kisha e Shën Nikollës ndodhet në krahun perëndimor të kalasë së Beratit, pranë kishës bizantine të Shën Mëri Vllahernës. Periudha e ndërtimit sipas mbishkrimit që gjendet në murin e brendshëm i përket fundit të shekullit të 16-të.

Në përbërje të saj ka tri hapësira kryesore: në qendër ndodhet ambienti kryesor i qarkuar me mure dhe i mbuluar më çati 3-ujëshe ndërsa në të dy anët zhvillohen dy ambiente të tjera edhe këto të pajisura me absida në anën lindore të tyre. Pjesa e brendshme e mureve është e veshur me afresk i cili ruhet në gjendje të mirë konservimi.

Problematikat e shfaqura përpara ndërhyrjes restauruese ishin: degradimi i elementëve të mbulesës së çatisë, dëmtimi i tjegullave mbi murin rrethues të kishës, dëmtimi i materialit drusor të derës anësore të kishës.

Projekti i mirëmbajtjes hartuar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, miratuar nga IKTK, synoi ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të kishës. Gjatë ndërhyrjes u realizua: qeramosja e çatisë me tjegulla vendi; vendosja e një ulluku për shkarkimin e ujërave të shiut dhe shmangien e lagështisë; u mbulua me mur guri me tjegulla vendi në pjesët e dëmtuara; u restaurua pjesërisht dera, me material drusor./KultPlus.com

Ëndrra e zemrës sime

Poezi nga Paul Verlaine

Sa herë ëndërrova, një ëndërr për çudi,
Një grua të panjohur që më do dhe e dua
E që prorë më duket jo krejt si ajo grua
Po jo dhe krejt si tjetër, e më do pa kufi.

Sepse më kupton e më njeh e më di,
Misteri i zemrës sime veç prej saj u zbulua
Veç ajo, duke derdhur çurkë lotësh mbi mua
Ma freskon zjarr’ e ballit e më deh me magji.

S’e di është ezmere apo leshraartë
Emri i saj? Më kujtohet, i ëmbël, tingull i qartë,
Si i njerëzve tanë dikur të ikur në mërgim.

Sytë: vështrimin e ngulur të statujave i kanë
Dhe zëri i vjen i largët, i qetë e gjithë trishtim
Si një këngë prej zërash të dashur që më s’janë./ KultPlus.com