Veprimtari shkencore e Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi një takim dedikuar analizës vjetore të Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës (QKBGJ).

Viti 2024 ishte viti i transformimit të QKBGJ-së nga një njësi e përkohshme në një qendër kërkimore të përhershme në kuadër të reformës së ASHSH-së.

Një nga projektet më të rëndësishme të kësaj qendre është krijimi i bankës së ADN-së të popullatës shqiptare, që është e domosdoshme për studimin e detajuar të lidhjeve gjenetike midis popullatës shqiptare dhe popullatave të tjera europiane. Një tjetër projekt i rëndësishëm është studimi i markuesve imunologjikë dhe gjenetikë në sëmundjet autoimune, patologji për të cilat diagnoza e hershme e tyre është kyçe për përmirësimin e jetës së pacientëve të prekur.

Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës gjatë këtij viti ka realizuar një aktivitet të dendur kërkimor në 18 projekte dhe ky aktivitet është pasqyruar në 26 konferenca apo simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, ai është konkretizuar në botimin e 8 artikujve shkencorë, nga të cilët 6 janë në revista ndërkombëtare të indeksuara dhe 2 në revista shkencore kombëtare./atsh/KultPlus.com

83 vite nga vdekja e autorit Xhejms Xhois

James Augustine Aloysius Joyce (2 shkurt 1882 – 13 janar 1941) është një autor irlandez i cili konsiderohet si një nga autorët më me influencë në fillimet e shekullit XX-të. Ai është i njohur për romanin e tij “Uliksi” (1922), me veprën e shumë diskutuar “Fineganë zgjohuni” (1939, përmbledhjen me tregime të shkurtra “Dublinasit” (1914), si dhe romanin gjysmë autobiografik “Portreti i artistit në rini” (1916).

Megjithëse pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi jashtë Irlandës, universi psikologjik dhe krijues i Xhojsit ishtë thelbësisht i lidhur me Dublinin e tij të lindjes, qytet i cili krijon sfondin dhe frymëzimin për të gjitha veprat e tij. Në veçanti, marrëdhënia e tij e hershme dhe e rrëmbyer me Kishën Romane Katolike të Irlandës është pasqyruar nëpërmjet një konflikti të brendshëm të ngjashëm në alter-egon e tij Stiven Dedalus-it.

Augustine Aloysius Joyce u lind më 2 shkurt 1882 nga John Stanislaus Joyce dhe Mary Jane Murray në periferi të Dublinit, në Rathgar. Familja e babait të tij, origjina e të cilëve ishte nga Fernoy Cork kishte dikur në zotërim një kripore të vogël dhe një punishte gëlqereje.

Ai quhet ndryshe edhe “Shkrimtar i Brezit te Humbur” ky emër i është dhënë pasi ai jetoi mes luftës së parë dhe të dytë botërore. Xhojsi ka lindur në Dublin, në një familje katolike irlandeze. I edukuar me ndjenja fetare e nacionaliste,në moshën gjashtë vjeqare prindërit e dërgojnë në kolegjin jezuit, ku qëndron tri vite larg familjes. Meqë ishte nxënës i talentuar kishte mundësi të shkollohej falas.

Vdiq më 13 janar 1941 në Zyrih, Zvicër./KultPlus.com

Shani Pallaska, një ndër figurat e shquara të kinematografisë shqiptare

Sot janë bërë 26 vite pa aktorin e njohur kosovar, Shani Pallaska, shkruan KultPlus.

Ai ishte aktor i teatrit, filmit televiziv, dhe ekranit të madh. Ai u lind në Gjakovë më 1928, por artin e tij e përkreu në Teatrin Krahinor të Prishtinës (TKP) dhe në studion filmike Kosovafilmi.

Bashkë me aktorët Abdurrahman Shala, Istref Begolli dhe Muharrem Qena, Shaniu ishte pionier i aktrimit kosovar. Pas suksesit në Kosovë, Shaniu morri pjesë edhe në projekte filmike në pjesë tjera të ish-Jugosllavisë. Vdiq në Prishtinë më 13 janar 1999.

Filmografia:

Era e mollës (1995)

Tre vetë kapërcejn malin (1981) (TV)

Gjurmët e bardha (1980)

I ikuri (1980) (TV)

“Kur pranvera vonohet” (1980) (Mini seri televizive)

“Era e Lisi” (1979) (Mini seri televizive)

Epoka para gjyqit (1978) (Dramë televizive)

Poseta u noci (Vizite në Natë) (1978)

Duke pritur Godon (1977)

E kafshoja terrin (1977) (TV)

Crveni udar (Sulmi i Kuq) (1974)

Hleb (Bukë) (1973) (TV)

Si të vdiset (1972)

Të ngujuarit (1971) (TV)

Uka i Bjeshkëve të Nemura (1968)

Kapedan Lleshi (1960)

Atje ku nuk lind dielli (1996). /KultPlus.com

140 vite nga lindja e shkrimtarit Mihal Grameno

Mihal Grameno lindi më 13 janar të vitit 1871 në Korçë. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Në moshë të re emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku u lidh me shoqërinë patriotike shqiptare “Drita”.

Në vitet 1907-1908 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe së bashku me luftëtarët e çetës kombëtare luftuan në Shqipërinë e Jugut për çlirimin kombëtar. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Manastirit.

Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, punoi për lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Më pas vazhdoi veprimtarinë si publicist duke mbrojtur idealet demokratike.

Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Kështu përmendim novelat e tij “Oxhaku” (1909), “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”.

Ai shkroi dy veprat: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906), të cilat trajtojnë tema patriotike. Gjithashtu, Mihal Grameno drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926). Vdiq në Korçë më 1931. / KultPlus.com

27 vite nga vdekja e piktorit, Muslim Mulliqi

Muslim Mulliqi (1934 – 13 janar 1998) ishte piktor impresionist dhe ekspresionist i Kosovës, shkruan KultPlus. 

Mulliqi lindi më 1934 në Gjakovë. Akademinë e Arteve Figurative e kreu në Beograd te profesori Zora Petroviq.

Studimet pasuniversitare i kreu te i njëjti profesor, në vitin 1961. Ka qenë anëtar i SHAFK që nga themelimi. Është njëri ndër themeluesit dhe dekan i parë i Akademisë së Arteve në Prishtinë, ndërsa anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte prej vitit 1980.

Mulliqi ekspozoi në Kosovë, në hapësirat e Jugosllavisë, në Romë e Tiranë.

Një kohë punon në Sekretariatin për Arsim e Kulturë dhe shumë shpejt merr bursën njëmujore për Paris, ku njihet me lëvizjet e atëhershme në qarqet e artistëve të më­dhenj, në qytetin që asokohe çmohej si qendër botërore e arteve pamore. Në vitin 1963 fillon punë në Shkollën e Lartë Pedagogjike ku tashmë ishte hapur Dega e Pikturës, të cilën ai menjëherë e merr në drejtim. 

13 janar 1963, premiera historike e baletit ‘Halili dhe Hajria’

Data 13 janar e vitit 1963 ishte historike.

Po këtë ditë u dha premiera e Baletit të njohur “Halili dhe Hajria, baleti i parë shqiptar që hapi siparin e baleteve tjera kombëtare që do të pasonin më vonë.

Baleti u vu në skenë nga kompozitori Tish Daija dhe baletmaestër Panajot Kanaçi. Dirigjent: Mustafa Krantja. Solistët e baletit ishin: Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu, Miltiadh Papa, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Estref Shaqiri, Albert Janku dhe Engjell Tershana.

Halili dhe Hajria është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar.

Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj.

Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.

Drama “Halili dhe Hajria” është shkruar në vitin 1949 nga Kolë Jakova. Ajo pasqyron trimërinë e luftëtarëve të Malësisë së Madhe në ndeshje me pushtuesit turq, në shekullin XVIII. / KultPlus.com

Sherwood Anderson: Libri i Groteskës

Përmbledhja me tregime ‘Winesburg, Ohio’, e Andersonit është e strukturuar rreth jetës së protagonistit Geroge Willard, mga koha kur ishte fëmijë deri te pavarësia e tij si i rritur dhe braktisja e Winseburgut. Tregimet janë shkruar kryesisht mes viteve 1915-1916. ‘Libri i groteskës’ shërben si një lloj hyrjeje e përmbledhjes.

LIBRI I GROTESKES

Nga Sherwood Andreson

Shkrimtari, një burrë në moshë me mustaqe të bardha, kishte ca vështirësi të futej në shtrat. Dritaret e shtëpisë në të cilën jetonte ishin të larta dhe ai donte të shikonte pemët kur të zgjohej në mëngjes. Një zdrukthëtar erdhi të ndreqte shtratin ashtu që të ishte në nivel me dritaren.

Goxha njëfarë hallakame ishte bërë në lidhje me këtë. Zdrukthëtari, i cili kishte qenë ushtar në Luftën Civile, erdhi në dhomën e shkrimtarit dhe u ul të bisedonte rreth ndërtimit të një platforme me qëllim që të ngrihej lart shtrati. Shkrimtari mbante puro dhe zdukthëtari tymosi ca.

Për një copë kohë dy burrat folën për ngritjen e shtratit, pastaj bën muhabet për gjëra të tjera. Ushtari e kapi muhabetin e luftës. Zdukthëtari njëherë kishte qenë i burgosur në burgun e Andersonvillet dhe e kishte humbur njërin vëlla. Vëllai kishte vdekur nga uria dhe zdukthëtari qante saherë që e kapte këtë muhabet. Ai, si edhe shkrimtari në moshë, kishte mustaqe të bardha dhe kur qante i rrudhte buzët dhe musaqet lëvrinin poshtë e lart. Vaji i burrit në moshë me puron në gojë ishte qesharak. Plani që shkrimtari kishte për ngritjen e shtratit u harrua; më vonë zdrukthëtari e bëri atë sipas mendjes së vet dhe shkrimtarit, i cili i kishte kaluar të gjashtëdhjetat, i duhej të përdorte karrigen kur donte të ngjitej në shtrat natën.

Shkrimtari u kthye në anën e tij në shtrat dhe nuk lëvizi më fare. Me vite kishte qenë i trandur nga mendimet që kishin të bënin me zemrën e tij. Ishte duhanxhi i rryer dhe zemra e tij ishte e dobët. Në mendjen e tij ishte ngulitur ideja se një ditë mund të vdiste papritur dhe çdoherë kur futej në shtrat e çonte mendjen aty. Nuk e alarmonte. Në të vërtetë efekti ishte një gjë bukur e veçantë dhe nuk mund të shpjegohej lehtë. E bënte atë më të gjallë, aty në shtrat, pastaj në çdo kohë tjetër. Rrinte shtrirë plotësisht i qetë,  trupi i tij i moshuar nuk ishte edhe aq i përdorshëm tashmë, por diçka brenda tij ishte tërësisht e re. Ai ishte si një grua shtatzënë, veçse ajo gjëja brenda tij nuk ishte bebe, por rini. Jo, nuk ishte rini, ishte grua, e re, me një parzmore si kalorës. Është absurde, siç po shihet, të përpiqemi të themi çfarë kishte brenda shkrimtarit në moshë teksa rrinte shtrirë në shtratin e tij të lartë dhe e dëgjonte zemrën e tij të rrahte dobët. Gjëja që duhet të kuptohet është se çfarë shkrimtari, ose gjëja e re brenda shkrimtarit, po mendonte rreth kësaj.

Shkrimtari i moshuar, si të gjithë njerëzit në këtë botë, kishte pasur, gjithë jetës së tij të gjatë, disa ide të mëdha në kokën e tij. Dikur kishte qenë goxha i pashëm dhe një numër i mirë grash kishin lënë kokën pas tij. Pastaj, natyrisht, kishte njohur njerëz, shumë njerëz, i kishte njohur në një mënyrë veçanërisht intime që ishte ndryshe nga mënyra si i njohim njerëzit unë dhe ju. Në fund kjo ishte ajo për çka po mendonte shkrimtari dhe ky mendim e ngrohu. Pse të zihesh me një burrë të moshuar rreth mendimeve të tij?

Në shtrat shkrimtari pa një ëndërr që nuk ishte ëndërr. Derisa po zhytej disi në gjumë, por ishte ende i kthjellët, disa figura nisën të shfaqeshin para syve të tij. Përfytyroi se gjëja e re e papërshkrueshme brenda vetes së tij ishte duke drejtuar një procesion figurash para syve të tij.

Siç po e shihni interesi i gjithë kësaj është te figurat që i dilnin para syve shkrimtarit. Ato ishin të gjitha groteske. Të gjithë burrat dhe gratë që shkrimtari i kishte njohur kurdoherë ishin bërë groteske.

Groteskat nuk ishin të gjitha të llahtarshme. Disa ishin mahnitëse, disa të tjera pothuajse të bukura dhe njëra, një grua e përvijuar krejt jashtë kallëpit, i ra fort kokës burrit të moshuar me groteskllëkun e saj. Kur ajo kaloi, ai bëri një zhurmë si një qen i vogël kur kuis. Po të kishit hyrë në dhomë do të kishit mundur të supozonit se burri i moshuar kishte pasur ëndrra të pakëndshme ose mbase probleme me tretjen.

Për një orë ai procesion i groteskave kaloi para syve të burrit të moshuar, pastaj, megjithëse ishte gjë e dhimbshme ta bënte, ai kërceu nga shtrati dhe nisi të shkruante. Njëra prej groteskave i kishte bërë përshtypje të fortë në mendjen e tij dhe donte ta përshkruante.

Shkrimtari punoi në tavolinën e tij për një orë. Në fund shkroi një libër të quajtur ‘Libri i groteskës’. Kurrë nuk u botua, por unë e kam parë njëherë dhe më ka lënë një përshtypje të pashlyeshme në mendjen time. Libri kishte një mendim qendror që është bukur i çuditshëm dhe ka mbetur prore me mua. Duke e rikuajtuar atë kam qenë në gjendje të kuptoj shumë njerëz dhe gjëra që kurrë më parë s’kisha qenë në gjendje t’i kuptoja.

Mendimi ishte i ndërlikuar, por një përshkrim i thjeshtë i tij do të mund të ishte diçka e këtij lloji.

Se në fillim kur bota ishte e re kishte pasur shumë mendime të mëdha, por jo një gjë si e vërteta. Njeriu i sajoi të vërtetat vetë dhe secila e vërtetë ishte një kompozitë e shumë mendimeve të mëdha të vagullta. Kudo përreth botës kishte të vërteta dhe ato ishin të gjitha të bukura.

Burri i moshuar kishte evidentuar qindra nga ato të vërteta në librin e tij.

Nuk do të marr mundin t’jua tregoj të gjitha ato. Ishte e vërteta e virgjinitetit dhe e vërteta e pasionit, e vërteta e kamjes dhe e skamjes, e kursimit dhe plangprishjes, e moskujdesit dhe lëshimit. Me qindra e qindra ishin të vërtetat dhe që të gjitha ishin të bukura.

Atëherë ia behën njerëzit. Çdonjëri ashtu siç shfaqej kapte një të vërtetë dhe disa që ishin goxha më të fuqishëm kapnin një mori sosh.

Ishin të vërtetat ato që i bënë njerëzit groteskë. Burri i moshuar pati një teori bukur të përpunuar që kishte të bënte me këtë çështje. Ishte mendimi i tij se momenti kur njëri prej njerëzve e mori për vete njërën prej të vërtetave, e quajti atë e vërteta e tij si dhe u përpoq të jetonte jetën e tij me të, ai u bë grotesk dhe e vërteta që e kishte përqafuar u bë gënjeshtër.

Mund të shihni vetë se si burri i moshuar, i cili e kishte kaluar gjithë jetën e tij duke shkruar dhe ishte dëng me fjalë, mund të shkruante qindra faqe në lidhje me këtë çështje. Tema mund të bëhej aq e madhe në mendjen e tij sa ai vetë mund të ishte në rrezik të bëhej grotesk. Nuk u bë, ma ha mendja, për të njëjtën arsye se nuk e botoi librin kurrë. Ishte gjëja e re brenda tij ajo që e shpëtoi burrin e moshuar.

Në lidhje me zdrukthëtarin e moçëm që e kishte ndrequr shtratin e shkrimtarit, unë e përmenda atë vetëm ngase ai, si shumica e atyre që quhen njerëz të zakonshëm, u bë gjëja më e afërt e asaj që është e kupueshme dhe e lezetshme në mesin e të gjitha groteskave në librin e shkrimtarit.

/Marrë nga Sherwood Anderson: ‘Winesburg, Ohio’ /Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com

Si nesër…

Poezi nga Mitrush Kuteli

Do të pëshpëritë era ndaj mbrëmje si nj’herë,
prej valësh do ngrohet hëna si sot,
me iskra prej bryme do mbuloj’ mermere
dhe bota do jetë si ish dhe qemot
Si nesër do shtrihet lëndina për mbi varr
Valë-dheu do zënë t’palosen ngadalë,
do ende parevera e lule e bar,
dhe zile do rrëshqasin që prej male.
Do qeshë dielli në qoshen e një reje,
do thajë lotët mbi lulet e qershisë, larg,
mbytur do ndjehet gjëmimi i një rrufeje,
permbi mal do hapet brez’i Perëndisë.
Do shtrojë dhe dimri qilim të argjendtë
mbi pllocën e tretur, mbi kryqn’e anuar,
do rritet harrimi me dhërin e rëndë
dhe unë do fle, ty duke t’ëndërruar…. (dhe të t’harruar)./KultPlus.com

Përmet – 25% rritje të numrit të turistëve, në muajin janar

Përmeti, një qytet i njohur për atraksionet e tij të shumta, vijon të jetë një destinacion turistik mjaft i frekuentuar, nga vizitorët vendas dhe të huaj edhe gjatë sezonit të dimrit.

Specialistët e Turizmit pranë bashkisë Përmet bëjnë me dije se në janar të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka një rritje me rreth 25%, të numri të turistëve që kanë vizituar Përmetin.

Turistët janë kryesisht nga Spanja, Austria, Çekia e të tjerë, ndërkohë numër të lartë shënojnë edhe vizitorët vendas, fluksi i të cilëve rritet ndjeshëm gjatë fundjavave.

Edjon Maliqi, Specialist turizmi pranë bashkisë thekson se, numri i turistëve të shënoi rritje edhe gjatë muajve shkurt dhe mars, ndërsa kanë nisur edhe rezervimet e para për sezonin veror 2025.

Sipas tij, interes të lartë kanë vizitat në pikat kryesore turistike të Përmetit por edhe lugina e Vjosës, që është një atraksion i çmuar dhe ka rritur vlerën për ekonominë e zonës.

Përmeti ofron alternative të turizmit rural, atij ujorë , gastronomikë ç’ka po i tërheq vendasit dhe të huajt gjithnjë e më tepër./Rtsh/ KultPlus.com

‘Tejdukshmëri ekzistenciale’, hapet ekspozita personale e piktorit Krist Dimo

“Tejdukshmëri ekzistenciale” titullohet ekspozita vetjake e piktorit Krist Dimo që u çel në Qendrën për Hapje dhe Dialog.

Ndikimi i shoqërisë moderne dhe postmoderne shqyrtohen në pikturat e Dimos, duke ofruar një përvojë mendore dhe emocionale për shikuesin.

Në ekspozitën e kuruar nga Jetona Koçibelli, puna e Krist Dimos paraqitet si një kërkim për të kuptuar natyrën e ekzistencës njerëzore, që shpesh është e mbushur me tensione dhe kontradikta, konflikte të brendshme dhe të jashtme, por gjithashtu është një hapësirë e pafund mundësish.

“Për pikturën time unë bazohem më shumë në intuitën, instiktin. E lë vetën më tepër të shkojë drejt subkoshiencës, dhe kur fillon arsyeja, kuptoj që kam hyrë në realitet dhe po hyre në realitet kjo lloj pikture nuk funksionon”, tha piktori Krist Dimo.

Fytyrat e njeriut të mbytur, si kafka, me sy bulbozë, hundë të lyer dhe dhëmbë të dukshëm, si dhe skicat anatomike, përshkruajnë devizën e artit të tij. Kanavacat e mëdha të Dimos vibrojnë me ngjyra, shenja, forma dhe tekste.

Veprat e Dimos janë më shumë se thjesht imazhe, ato janë një thirrje për reflektim dhe një mundësi për të menduar për botën që na rrethon dhe rolin tonë brenda saj.

I pranishëm në ekspozitë ishte dhe kryeministri Edi Rama.

“Jam një admirues i pikturës së Kristit. Për hir të vërtetës kjo është një pikturë që të krijon idenë se kjo është një pikturë e një njeriu që nuk ka bërë shkollën, por është shumë e lirë, ekspresive, personale dhe autentike”, tha kryeministri Edi Rama.

Në shumë prej veprave të tij, Krist Dimoja eksploron ndikimin e shoqërisë moderne e postmoderne tek individi, duke shqyrtuar aspektet e identitetit, të lirisë dhe të shprehjes personale.

Ekspozita që përmban 31 vepra artistike dhe do të qëndrojë e hapur për publikun nga 11 janari, deri më 14 shkurt 2025./ euronews/ KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Milanoviqin për rizgjedhjen president i Kroacisë: Do të forcojmë partneritetin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Zoran Milanoviqin për rizgjedhjen si president i Kroacisë.

Përmes një postimi në X, presidentja Osmani tha se së bashkë do të forcojnë edhe më tej partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, përcjell Klankosova.tv.

“Urime, i nderuari President Milanoviq, për rizgjedhjen tuaj si President i Republikës së Kroacisë. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë. Së bashku, ne do të forcojmë edhe më tej partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë”, ka shkruar ndër të tjera Osmani.

‘Mos i jepni të keqes asgjë që ajo t’i kundërvihet, dhe do të zhduket vetë’

Thënie nga Lao Tzu:

“Ata që dijnë nuk flasin. Ata që flasin nuk dijnë”

“E vërteta nuk është gjithmonë e bukur, dhe as e bukura nuk e shpreh dot të vërtetën”

“Luftëtari më i mirë nuk është kurrë i zemëruar”

“Një burrë me kurajë të jashtme guxon të vdesë; një burrë me kurajë të brendshme guxon të jetojë”

“Vrite mendjen për atë që mendojnë të tjerët, dhe do të jesh gjithmonë i burgosuri i tyre”

“Kujdes me çfarë i ujit ëndrrat. Ujiti me shqetësim dhe frikë, dhe do të prodhosh barëra të këqia që mbysin jetën në ëndrrën tënde. Ujiti me optimizëm dhe zgjidhje, dhe do të kultivosh suksesin”

“Natyra nuk e ka me nxitim, e prapëseprapë gjithçka arrihet”

“A ke guxim të presësh deri sa balta të bjerë poshtë dhe uji të pastrohet”?

“Mirësia në fjalë krijon besim. Mirësia në mendim krijon thellësi. Mirësia në të dhënë krijon dashuri”

“Flaka që shkëlqen dy herë më shumë, zgjat dy herë më pak”

“Muzika në shpirt mund të dëgjohet nga Universi”

“Njeri i mençur është ai që e di atë që nuk di”

“Përballë një mendjeje që është e palëkundur, i gjithë universi dorëzohet”

“Për të kuptuar limitet e gjërave, dëshirojini ato”

“Mos i jepni të keqes asgjë që ajo t’i kundërvihet, dhe do të zhduket vetë”

“Kam vetëm tre gjëra për t’ju mësuar: thjeshtësi, durim, dhembshuri. Këto të treja janë thesari juaj më i madh”

“Atë që krimbi e quan fundin e tij, pjesa tjetër e botës e quan një flutur”

“Nuk ka rrezik më të madh, se sa të nënvlerësosh kundërshtarin tënd”

“Sapo ke krijuar një mendim, qesh me të” / Përgatiti: Bota.al/ KultPlus.com

Poradeci

Poezi nga Lasgush Poradeci

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…/ KultPlus.com

Udhëtimi antropologjik i shkencëtarit Carleton Stevens Coon dhe gruas së tij në malet e Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  12 Janar 2025

“Appleton Post Crescent” ka botuar, të enjten e 5 qershorit 1930, në faqen n°5, një shkrim rreth udhëtimit antropoligjik të shkencëtarit amerikan Carleton Stevens Coon dhe gruas së tij asokohe në malet e Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çfarë po mësojnë shkencëtarët

Shkencëtari dhe gruaja e tij “për gjueti kokash” në fiset shqiptare

Çifti gjen shumë sensacione mes malësorëve që luftojnë

Burimi : Appleton Post Crescent, e enjte, 5 qershor 1930, faqe n°5
Burimi : Appleton Post Crescent, e enjte, 5 qershor 1930, faqe n°5

Nga Howard W. Blakeslee

(Redaktori Shkencës i Associated Press)

Kembrixh, Mass. — (AP) — Studiuesit që kërkojnë aventura e gjejnë atë në një fushë befasuese, antropologjinë, studimin e mbetjeve historike, dikur të thara nga pluhuri.

Antropologjia nuk është më e zbutur.

Ajo i dërgon të rinjtë në shkretëtirat e xhunglave, fushat e akullit polare, në linjat midis luftëtarëve të fiseve dhe mes malësorëve që grinden. Ajo studion njerëzit e gjallë, dhe zakonisht llojet më luftarake.

Një udhëtim i tillë antropologjik sapo ka përfunduar në malet e Shqipërisë nga Dr. C. S Coon i muzeut Peabody, universiteti i Harvardit, gruaja e tij dhe Frederick Farnsworth.

Një nga mikpritësit e tyre shqiptarë, kryetar i fisit të Dibrës, duke mësuar se antropologu dinte të gjuante, e futi në një lojë me armë. Ai bërtiste :

“Rroftë Amerika”.

Coon më pas qëlloi një karikatore municioni përmes dritares. Duke bërë kështu, studiuesi amerikan do të bërtiste :

“Rroftë Shqipëria.”

Dhe bajraktari po zbraste një karikatore përmes dritares.

Kreu e ftoi ekspeditën të qëndronte gjashtë muaj dhe herët në mëngjes i solli kuajt e tyre të shaluar për t’u nisur. Ai kishte marrë fjalë brenda natës për një sulm të afërt. Më shumë se 15 burra u vranë në një grindje përpara se roja e Mbretit të vinte dhe të rivendoste qetësinë.

Zonja Coon i gjeti mikpritësit shqiptarë të kënaqur duke dredhur cigare dhe duke i hedhur ato tek ajo, duke grumbulluar deri në 15 ose 20 cigare përpara saj, të cilat pritej t’i pinte.

Një natë kur dy amerikanët ishin mysafirë të Princit të Mirditës, fisit më pak të aksesueshëm, e gjithë familja prej rreth 25 vetash këmbënguli që t’i shtronin asaj për të fjetur. Pastaj të gjithë, duke përfshirë edhe shërbëtorët, i dhanë dorën asaj duke i uruar një natë të mirë.

Në mesin e malësorëve katolikë, ekspedita u argëtua nëpër shtëpi, por tek myslimanët ata flinin në bujtina me një tezgjah (dhoma).

Këtu rreth 50 burra do të flinin në dysheme rreth tyre. Një natë, zonja Coon u zgjua nga një burrë që po priste dru zjarri pranë kokës së burrit të saj.

Çifti Coons mblodhi statistika rreth karakteristikave racore shqiptare, të cilat do të studiohen me qetësi në Harvard.

Ndihmë dhanë edhe xhandarët e caktuar nga qeveria shqiptare.

Nëse Dr. Coon donte të masë 20 burra të një lokaliteti të caktuar, xhandarët sillnin menjëherë 20, edhe pse disa prej tyre kishin dy ditë ecje për të arritur atje. Xhandarët janë burra të zgjedhur, vendas, oficerë anglezë. Që nga prezenca e tyre, banditët janë të rrallë.

Tashmë studimet tregojnë për një lidhje të pazakontë mes dorës së djathtë dhe të majtë dhe formave të kokës shqiptare./

Burimi : Appleton Post Crescent, e enjte, 5 qershor 1930, faqe n°5

Fotografi : Kthimi nga ekspedita — Fjetja me gruan, nënën dhe tre fëmijët e një princi malsor shqiptar (poshtë djathtas) ishte vetëm një nga përvojat e zonjës C. S. Coon (majtas) kur ajo shkoi në një ekspeditë me burrin e saj shkencëtar (djathtas lart)./ KultPlus.com

Fatos Kongoli: Gruaja as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti

Me një krijimtari intensive, pas Kadaresë, Fatos Kongoli është shkrimtari më i përkthyer në gjuhë të huaja.

I konsideruar shkrimtari i tranzicionit, veprat e tij mbajnë dhimbjen dhe trazimet shpirtërore në Shqipërinë e pas viteve ’90; jo pak herë librat e tij janë bërë fokus i debateve për pësimin e individit në një shoqëri si e jona, të egër e të ashpër, ndërsa flet se si kanë lindur personazhet e tij, në një proces krijues unik ku kanë ndikuar Balzak, Kamy, Çehov…

Kohë më parë, në një bisedë me Violeta Muratin, Kongoli kishte treguar se në çdo libër që ka shkruar gruaja është personazhi qendror dhe asnjë nga personazhet e tij nuk mund të realizohej pa një grua.

Çdo libër që keni shkruar ka një histori dashurie. Cila grua ka ekzistuar në librat tuaj apo, ajo, është brenda burrave rebelë të letërsisë që shkruani?

Është e drejtë, në çdo libër që kam shkruar, gruaja është personazh qendror. Asnjë nga personazhet e mi nuk mund të realizohej pa një grua. Për mua, letërsia është një grua e bukur mbas së cilës kam shkuar gjithë jetën pa e zotëruar dot kurrë. Ajo as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti. / KultPlus.com

10 kuriozitete që nuk i dini për Groenlandën

Groenlanda, ishulli më i madh në botë, kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare pasi Donald Trump shprehu dëshirën për të fituar “kontrollin e tij për arsye të sigurisë kombëtare”.

Përtej ngjarjeve politike, ky ishull Arktik fsheh kuriozitete të shumta magjepsëse. Revista italiane Focus.it ka përzgjedhur dhjetë fakte befasuese për Groenlandën që mund të mos i keni ditur.

1- Është ishulli më i madh në botë

Me një sipërfaqe prej përafërsisht 2.16 milionë kilometra katrorë, Groenlanda është ishulli më i madh në planet, ndër ata që nuk janë kontinent. Pothuajse 80% e territorit të saj është e mbuluar nga një kapak akulli.

2- Emri “Greenland” ka një… kuptim mashtrues!

Pavarësisht nga peizazhi i saj kryesisht i ngrirë, emri “Greenland” do të thotë “tokë e gjelbër” . Emri u zgjodh nga Eriku i Kuq, një eksplorues islandez që kishte mërguar në ishull, me shpresën për të tërhequr kolonët.

3- Është në kontinentin e Amerikës së Veriut, por është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës

Pavarësisht se është gjeografikisht pjesë e kontinentit të Amerikës së Veriut, Groenlanda ka qenë e lidhur politikisht dhe ekonomikisht me Europën, veçanërisht Danimarkën, për rreth një mijëvjeçar. Në vitin 1979 fitoi autonomi të brendshme, e cila u zgjerua më tej në vitin 2009.

4- Groenlanda ka dendësinë më të ulët të popullsisë në botë

Me një popullsi prej rreth 56,000, Groenlanda ka një nga dendësitë më të ulëta të popullsisë në botë. Shumica e banorëve jetojnë përgjatë bregdetit jugperëndimor, ku klima është relativisht më e butë.

5- Është shtëpia e parkut kombëtar më të madh në botë

Groenlanda është shtëpia e Parkut Kombëtar të Groenlandës Verilindore, më i madhi dhe më verilindor në botë, që mbulon gati 45% të sipërfaqes së ishullit.

6- Ishulli krenohet me tre vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

Ilulissat Icefjord (trashëgimi e UNESCO-s që nga viti 2004): është një fjord 61 km i gjatë, i furnizuar nga akullnaja më e shpejtë në botë. Është një vend spektakolar me ajsbergë magjepsës të pranishëm gjatë gjithë vitit.

Aasivissuit – Nipisat (që nga viti 2018): Një terren i lashtë gjuetie Inuit, që shtrihet nga shtresa e akullit në det, i përdorur për mbi 4200 vjet, duke përfaqësuar një trashëgimi kulturore unike.

Kujataa (që nga viti 2017): Në Groenlandën jugore, feston 1000 vjet të ndikimeve bujqësore norvegjeze dhe inuit, të cilat kanë formësuar tokën dhe kulturën lokale.

7- Nuk ka pyje në Groenlandë…

Ndryshe nga sa mund të mendoni, Groenlanda nuk ka pyje të gjera. Në qytetin e Nanortalik ka një pyll të vogël, por në pjesën tjetër të territorit mungon mbulesa e konsiderueshme pyjore.

8- …por mund të gjenden shumë burime natyrore

Pavarësisht kushteve ekstreme klimatike, Groenlanda posedon burime natyrore si zink, plumb, xeheror hekuri, qymyr, molibden, ar, platin, rubin, diamante dhe uranium.

Peshkimi, veçanërisht për fokat dhe balenat, është jetik për ekonominë lokale.

9- Kultura mijëravjeçare Inuit

Popullsia vendase rrjedh kryesisht nga kultura Thule, një grup inuit që migroi në ishull rreth shekullit të 9-të pas Krishtit. Kjo trashëgimi kulturore është ende e dukshme në traditat dhe mënyrën e jetesës së banorëve.

10- Efektet e ngrohjes globale në Groenlandë

Shtresa e akullit të Groenlandës po pëson një shkrirje të konsiderueshme për shkak të ngrohjes globale, duke kontribuar në ngritjen e nivelit të detit dhe duke tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve në mbarë botën./ oranews/ KultPlus.com

Media britanike ‘Time Out’: Tirana mes qyteteve më të mira për t’u vizituar në Evropë në 2025

Udhëtimet po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta në Evropë dhe shumë nga destinacionet e njohura në Greqi, Spanjë dhe Itali janë prekur nga turizmi masiv dhe çmimet kanë vazhduar të rriten, shkruan Sophie Dickinsonnë një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Time Out”.

Nëse buxheti juaj është shtrënguar këtë vit, ekzistojnë ende shumë vende që ofrojnë pushime me kosto të përballueshme.

Këto destinacione më pak të njohura nuk janë të mbipopulluara me turistë dhe fluturimet atje ofrohen me çmime shumë më të lira.

Në listën tonë të destinacioneve, ne kemi renditur 14 qytetet më të lira dhe më të mira për t’u vizituar në Evropë këtë vit.

Tirana, Shqipëri

Vija e bukur bregdetare e Shqipërisë është shndërruar në destinacionin më të kërkuar gjatë dy viteve të fundit – si një alternativë buxhetore ndaj Greqisë, Spanjës dhe Italisë.

Gjatë vizitës tuaj në Shqipëri nuk duhet të humbisni  kryeqytetin e tij – veçanërisht nëse po kërkoni një pushim buxhetor në qytet.

Tirana është e zhytur në historinë e epokës komuniste: Bunk’art 1, një bunker i Luftës së Ftohtë i kthyer në muze, dhe një nga atraksionet më të njohura të qytetit kushton vetëm 4 paund për ta vizituar.

Ndërsa shumë ndërtesa tradicionale që atëherë u janë nënshtruar ndryshimeve të gjalla në formën e artit të rrugës.

Gjithashtu, Tirana ofron restorante të shkëlqyera si “Mystic 2” dhe bare si “Radio Bar”, të cilat shërbejnë pjata dhe kokteje të shkëlqyera me çmime të përshtatshme.

Qytetet më të lira dhe më të mira për t’u vizituar në Evropë këtë vit:

1.Tiranë, Shqipëri
2. Kaunas, Lituani
3. Porto, Portugali
4. Zagreb, Kroaci
5. Riga, Letoni
6. Cesky Krumlov, Republika Çeke
7. Bukuresht, Rumani
8. Hull, BM
9. Sofje, Bullgari
10. Argos, Greqi
11. Krakov, Poloni
12. Beograd, Serbi
13. Marsalforn, Maltë
14. Graz, Austri    /atsh/ KultPlus.com

Bideni nderon Papa Françeskun me Medaljen Presidenciale të Lirisë

Presidenti i Amerikës, Joe Biden nderoi të shtunën Papa Françeskun me Medaljen Presidenciale të Lirisë, çmimi më i lartë civil i dhënë nga presidenti, duke thënë se Papa është “një dritë besimi, shprese dhe dashurie që shkëlqen në të gjithë botën”.

Bideni kishte planifikuar t’ia jepte medaljen Papës personalisht të shtunën në Romë në atë që do të ishte udhëtimi i fundit jashtë shtetit i presidencës së tij, por ai anuloi planet e udhëtimit në mënyrë që të mund të monitoronte zjarret në Kaliforni.

Shtëpia e Bardhë tha se Bideni nderoi Papën përmes një telefonate në të cilën ata diskutuan lidhur me përpjekjet për të promovuar paqen dhe për të lehtësuar vuajtjet në mbarë botën.

Bideni po përgatitet të largohet nga detyra më 20 janar dhe ka bërë nderime për individë të shquar, duke përfshirë mbështetësit dhe aleatët, javët e fundit.

Pse na pëlqen aroma e librit?

Shkenca ka arritur të gjejë se pse aroma e librave ndonjëherë është aq e parezistueshme. 

Disa studiues nga Kolegji Universitar për Trashëgimi të Qëndrueshme në Londër, e kanë kryer një eksperiment duke i pyetur pjesëmarrësit se si ndjeheshin rreth disa aromave të ndryshme.

Mes tyre, natyrisht, ishte edhe aroma e librit të vjetër. Zbulimet e tyre pastaj u publikuan në Shkencën e Trashëgimisë.

Pa e ditur se çfarë po nuhasnin, pjesëmarrësit në këtë eksperiment në shumicën e rasteve, aromën e librin e përshkruanin si aromë çokollate.

Ndërsa e dyta që më së shumti është cekuar ka qenë aroma e kafes. Sipas shkencëtarëve, letra e vjetruar i ka disa nga komponentët e njëjta kimikale me kafen dhe çokollatën.

Në këtë kuptim, nuk është shumë befasuese se pse këta pjesëmarrës të këtij eksperimenti ishin në gjendje ta identifikonin këtë aromë familjare, meqenëse shumica e atyre që e pëlqejnë leximin, e pëlqejnë edhe çokollatën gjithashtu. /KultPlus.com

Vendi në flakë prej ditësh, rreth 35,000 shtëpi e biznese mbesin pa energji elektrike në Los Angeles

34,646 shtëpi dhe biznese në Los Angeles janë tani pa energji elektrike, sipas Poweroutage.us, një monitorues i ndërprerjeve që gjurmon ndërprerjet në të gjithë SHBA-në, raporton The Guardian.

Rreth 18,400 klientë të Edison të Kalifornisë Jugore mbeten pa energji elektrike, si dhe rreth 16,100 klientë të Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Angeles dhe rreth 100 me Pasadena Water and Power, sipas të dhënave më të fundit.

Në një përditësim të postuar në X disa orë më parë, Departamenti i Ujit dhe Energjisë në LA tha se që nga fillimi i zjarreve të martën ata kanë rikthyer furnizimin me energji elektrike për mbi 355,000 klientë./ KultPlus.com

Pse liberalët stërmundohen për t’u përballur me ndryshimin epokal

Nga Ivan Krastev

Teksa vëzhgoja dëshpërimin e liberalëve në të gjithë botën pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, pata një ndjesi të ngjashme me diçka që kam përjetuar më parë. Ky moment më ktheu pas në vitin 1989, kur ra Muri i Berlinit, duke shënuar fillimin e fundit të komunizmit sovjetik dhe heqjen e Perdes së Hekurt, e cila kishte ndarë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore. Dallimi ishte se bota që u shemb në vitin 1989 ishte e tyre, pra e komunistëve. Tani është e jona, e liberalëve.

Në vitin 1989, jetoja në një shtet të Paktit të Varshavës, dhe kur bota u përmbys isha në vitin e fundit të studimeve të filozofisë në Universitetin e Sofjes në Bullgari. E gjithë ajo eksperiencë ndihej si një kurs i zgjatur universitar në ekzistencializmin francez. Të shihje fundin e papritur të diçkaje që na kishin thënë se do të zgjaste përgjithmonë ishte një ndjenjë tronditëse – çliruese dhe shqetësuese njëkohësisht. Ne, studentët, ishim të pushtuar nga ndjenja e re e lirisë, por ishim gjithashtu të vetëdijshëm për brishtësinë e çdo gjëje që kish lidhje me politikën. Ajo ndarje radikale mes dy kohëve rezultoi të ishte një përvojë përcaktuese për brezin tim.

Por ajo këputje ishte edhe më e gjerë – në një shkallë globale më të madhe – se sa e kuptonim në atë kohë. Viti 1989 ishte me të vërtetë një annus mirabilis, por shumë ndryshe nga mënyra se si liberalët perëndimorë e kanë përshkruar në tre dekadat e fundit. Vendosmëria që Partia Komuniste e Kinës tregoi në shtypjen e lëvizjes pro-demokracisë në Sheshin Tiananmenit rezultoi të kishte ndikim më të fortë, sesa rrëzimi i Murit të Berlinit.

Për rusët, aspekti më i rëndësishëm i vitit 1989 nuk ishte fundi i komunizmit, por fundi i perandorisë sovjetike, me tërheqjen e trupave të saj nga Afganistani. Ishte pra, viti kur Osama bin Laden shpalli fitoren e xhihadistëve ndaj BRSS-së ateiste. Dhe 1989 ishte gjithashtu viti kur nacionalizmi filloi të rimerrte epërsi politike në ish-Jugosllavi.

Rikthimi i Donald Trump-it në pushtet në SHBA mund të jetë një tjetër rast që shënon një ndarje të tillë politike me përmasa të mëdha. Nëse liberalët duan t’i përgjigjen sfidës së një administrate të re të Trump-it, ata duhet të reflektojnë me kujdes për atë që ndodhi në vitin 1989 dhe të hedhin poshtë narrativën që i kanë thënë vetes deri sot. Mënyra më e mirë për të kapërcyer dëshpërimin është të kuptosh më mirë atë që ka ndodhur.

Nga një këndvështrim liberal, krahasimi i revolucioneve anti-sovjetike të vitit 1989 me revolucionet illiberale të ditëve të sotme mund të duket skandaloz. Në frazën e famshme të Francis Fukuyama-s, 1989 ishte “fundi i historisë,” ndërsa fitorja e Trump-it, sipas shumë liberalëve, mund të paralajmërojë fundin e demokracisë.

Viti kur ra Muri i Berlinit shihej si triumfi i Perëndimit; tani dominon diskursi për rënien e Perëndimit.

Shembja e komunizmit shënohej nga një vizion për një të ardhme demokratike dhe kapitaliste; ajo e ardhme tani është plot pasiguri.

Në vitin 1989, atmosfera ishte ndërkombëtare dhe optimiste; sot ajo është kthyer në nacionalizëm dhe herë pas here, edhe nihilizëm.

Por këmbëngulja mbi këto ndryshime midis asaj kohe dhe tani bën që të humbasësh thelbin e ngjashmërive të tyre. Të jetosh në momente të tilla të historisë të mëson shumë gjëra, por më e rëndësishmja ndër to, është shpejtësia e ndryshimit: njerëzit mund të ndryshojnë totalisht pikëpamjet dhe identitetin e tyre politik brenda natës; ajo që vetëm dje konsiderohej e pamendueshme, duket sot e vetëkuptueshme. Ndryshimi është aq i thellë saqë njerëzit i shohin shpejt si krejt të pakonceptueshme, ato që ishin dikur supozimet dhe zgjedhjet e tyre.

Trump-i rroku imagjinatën e publikut jo sepse kishte një plan më të mirë për të fituar luftën në Ukrainë, apo për të menaxhuar globalizimin, por sepse kuptoi që bota e djeshme nuk mund të ekzistonte më. Identiteti politik i pasluftës i Shteteve të Bashkuara, ka humbur në greminën e kutisë së votimit. Kjo administratë e Trump-it mund të ketë sukses ose mund të dështojë sipas rrethanave, por bota e vjetër nuk do të kthehet më. Madje shumica e liberalëve as nuk e duan më. Pak amerikanë ndihen sot mirë me idenë e “veçantisë amerikane.”

Pas fitores së Trump-it, disa komentatorë politikë i kthyen sytë drejt viteve 1930, kur fashizmi kërcënonte botën. Problemi është se vitet 1930 janë përtej kujtesës së gjallë, ndërsa vitet 1990 janë ende të freskëta për shumë prej nesh. Ajo që kam mësuar nga ajo dekadë është se një këputje politike radikale, u jep fituesve një “çek të bardhë”. Të kuptuarit e arsyes pse njerëzit votuan për Trump-in nuk ndihmon shumë, për të kuptuar atë që ai do të bëjë në zyrë.

Thyerje të tilla politike arrihen nga koalicione të paimagjinueshme më parë, të bashkuara më shumë nga intensiteti, sesa një program i përbashkët. Politikanët që i përkasin këtyre koalicioneve zakonisht kanë një aftësi të ngjashme me kameleonin për t’iu përshtatur momentit – jo më shumë, në kohën tonë, sesa Trumpi.

Liberalët amerikanë, të cilët janë hutuar, se si ka mundësi që njerëzit mund ta trajtojnë një playboymiliarder si udhëheqës të një lëvizjeje anti-establishment, mund të kujtojnë se Boris Jelsini, heroi i revolucionit antikomunist të viteve 1990 në Rusi, vetëm pak vite më herët kishte qenë një nga udhëheqësit e Partisë Komuniste.

Ashtu si fundi i epokës sovjetike, rizgjedhja e Trumpit do të ketë dimensione globale. Ajo shënon fundin e Shteteve të Bashkuara si një perandori liberale. Amerika mbetet fuqia kryesore e botës, po, dhe do të mbetet një lloj perandorie, por nuk do të jetë një perandori liberale. Siç ka dëshmuar historia e njollosur e Biden-it për mobilizimin e mbështetjes për mbrojtjen e “rendit ndërkombëtar liberal” përballë pushtimit rus të Ukrainës, vetë ideja e një rendi të tillë, sipas shumë kritikëve kish qenë gjithmonë një trillim perëndimor. Ajo ekzistonte për sa kohë që SHBA-të kishin fuqinë dhe vullnetin politik për ta imponuar.

Trumpi nuk do ta bëjë këtë. Në politikën e jashtme, Trumpi nuk është as realist, as izolacionist; ai është revizionist. Trumpi është i bindur se SHBA është humbësja më e madhe, në botën që ka krijuar po vetë. Sipas pikëpamjes së tij, në tre dekadat e fundit Amerika është bërë një peng, dhe jo një hegjemon i rendit ndërkombëtar liberal. Në botën e pasluftës, SHBA integroi me sukses kundërshtarët e vet të mundur, Gjermaninë dhe Japoninë, në qeverisjen demokratike, tregtinë ndërkombëtare dhe begatinë ekonomike. Kjo nuk u zbatua për Kinën: sipas këndvështrimit të Trumpit, Pekini ka qenë fituesi i vërtetë i ndryshimeve të pas 1989-ës.

Ardhja e dytë e Trumpit do të jetë padyshim e ndryshme nga e para. Në 2016, takimi i Trumpit me pushtetin amerikan ishte si një nga ato takimet e një çifti, që nuk janë njohur kurrë më parë. Ai nuk dinte me saktësi se çfarë donte, dhe pushteti amerikan nuk dinte me saktësi se kush ishte Trumpi. Jo më.

Amerika mund të mbetet demokraci, por do të bëhet më e egër. Nën udhëheqjen e re, institucionet e saj me siguri do t’i largohen sigurisë së politikës konsensuale dhe do të marrin kot. Në kohë ndryshimesh të shpejta, udhëheqësit politikë nuk përpiqen ta administrojnë shtetin, por ta mundin atë. Ata i shohin shtetin dhe “shtetin e thellë”, si sinonime. Udhëheqësit joliberalë i zgjedhin anëtarët e kabinetit ashtu sikurse perandorët zgjidhnin dikur guvernatorët e provincave rebele: Ajo që ka më shumë rëndësi është besnikëria e të emëruarit, dhe aftësia e tij për t’i rezistuar kooptimit apo korruptimit prej të tjerëve.

Në administratën e parë të Trumpit, mbretëroi kaosi; administrata e tij e dytë do të mbretërojë duke përdorur kaosin si armë. Kjo Shtëpi e Bardhë do të mposhtë kundërshtarët duke “përmbytur terrenin” me urdhra ekzekutivë dhe deklarata. Ai do të lërë shumë kundërshtarë të hamendësojnë se përse po merr vendimet që merr dhe do t’i çorientojë të tjerët me shpejtësinë dhe sasinë e tyre.

Në vitin 2020, Bideni mundi Trumpin duke premtuar normalitet. Normaliteti nuk do t’i ndihmojë më demokratët. Në shembullin më të fundit të një fitoreje antipopuliste, Donald Tusk triumfoi në zgjedhjet parlamentare të Polonisë në vitin 2023 dhe u kthye si kryeministër, jo sepse premtoi normalitet, por sepse partia e tij, Platforma Qytetare, ishte në gjendje të krijonte një identitet të ri bindës politik. Partia e Tusk miratoi qëndrime më progresive për çështje të tilla të diskutueshme si të drejtat e abortit dhe mbrojtja e punëtorëve, por gjithashtu u mbështoll me flamur dhe përqafoi patriotizmin. Tusk u ofroi polakëve një narrativë të re dhe pompoze, jo thjesht një strategji të ndryshme zgjedhore. Suksesi i Platformës Qytetare varej ende nga formimi i një koalicioni me partitë e tjera, një bazë potencialisht e brishtë për qeverisje, por ajo ofron, të paktën, një model se si qendra liberale mund të ribëhet dhe të frenojë përparimin e populizmit joliberal.

Rreziku për Shtetet e Bashkuara është i lartë: vitet e ardhshme, politika amerikane mund të bjerë kollaj në një hakmarrje mizore çikërrimash, ose më keq. Por nuk do të ishte e mençur që liberalët t’i përgjigjen këtij momenti duke vepruar si mbrojtës të një status quo-je që po zhduket. Kjo do të nënkuptonte thjesht reagimin ndaj çdo gjëje që bën Trumpi. Mendësia e rezistencës mund të jetë mënyra më e mirë për të kuptuar tiraninë, por nuk është mënyra më e mirë për të trajtuar një moment këputjeje radikale politike, në të cilin tirania është e mundur, por jo e pashmangshme.

Në 1989, politologu Ken Jowitt, autor i një studimi shumë të mirë të kryengritjeve komuniste në atë periudhë, “Kaosi i Ri Botëror”, vërente se një këputje e tillë i detyron udhëheqësit politikë të hartojnë një fjalor të ri politik. Në momente të tilla, fjalë që më parë kanë qenë magjike nuk funksionojnë më. Slogani “Demokracia në rrezik” nuk u solli dobi demokratëve gjatë zgjedhjeve, sepse shumë votues nuk e shihnin vetë Trumpin si rrezik.

Siç vërente shkrimtari George Orwell, “është një përpjekje konstante që të shikosh atë që ke mu përpara hundës”. Sfida e të kuptuarit të të resë, edhe atëherë kur fakti i mbërritjes së saj është i pamohueshëm, do të thotë se ndjeshmëritë e liberalëve do të pësojnë tronditje kur të shohin se sa pak lotë do të derdhen për fundin e rendit të vjetër. Ndryshe nga sa dukej korrekte në vitin 2016, detyra e kundërshtarëve të Trumpit sot nuk është që t’i rezistojnë ndryshimit politik që ai ka sjellë, por ta përqafojnë atë – dhe ta përdorin këtë moment për modelimin e një koalicioni të ri, për një shoqëri të re. / The Atlantic / KultPlus.com

Dhjetë fakte befasuese mbi Agatha Christie

Shkrimtarja Agatha Christie rezulton se nuk ka qenë edhe aq e panjohur për dramat dhe emocionet në jetën e saj, pasqyruar edhe te veprat që la pas.

E lindur më 15 shtator 1890, Agatha Christie kishte 14 vjet që kishte nisur karrierën e saj të suksesshme si shkrimtare librash me detektivë kur botoi “Vrasje në Orient Express”.

Libri, i botuar më herët në Amerikë, në të famshmen “Saturday Evening Post”, u kthye në romanin më të shitur të të gjitha kohërave.

E përditshmja britanike “BBC”, ka renditur 10 fakte befasuese mbi Agatha Christie:

Pionere e sërfit

Agatha Christie mësoi të bënte sërf që në 1920-n

Së bashku me bashkëshortin, Archibald Christie, do të mbahen mend si evropianët e parë që mësuan artin e sërfit në këmbë.

Pas martesës, çifti do të udhëtonte shumë nëpër botë.

Nga kërkimet e fundit rezulton se Agatha e ushtroi këtë sport edhe në Afrikën e Jugut, Australi, Zelandën e Re dhe Hawaii.

Ajo dhe Archie mësuan të bënin sërf, pavarësisht dallgëve të fuqishme.

Mjeshtre e helmeve

Në fillim të Luftës së Parë Botërore, zbulohet se Christie kishte punuar me VAD (Detashmentin e Ndihmës Vullnetare).

Më vonë, ajo do të punonte në ambulatorin e spitalit vendas. Aty, asaj ju ngjall një interes dhe njohuri mbi helmet.

Viti 1926 u regjistrua si më i dhimbshmi në jetën e autores.

Pasi fitoi famë me publikimin e “Vrasjes së Roger Akroyd”, ajo nuk do të përballonte një sërë humbjesh. Fillimisht do të humbte të ëmën.

Më pas, Archie do t’i rrëfente për tradhtinë e tij dhe se nuk e dashuronte më. Ai u lidh me partneren e tij të golfit, Nancy Neele.

E zhgënjyer, por edhe nga fakti se vuante prej amnezisë, Agatha u zhduk për 11 ditë.

Ajo ishte regjistruar në hotelin “Hydropathic Harrogate”, si Teresa Neele.

Të gjitha dyshimet ranë mbi Archie Christie.

Pasi një punonjës i hotelit e njohu atë, koloneli Christie u çlirua nga akuzat dhe në vitin 1928 Agatha u divorcua nga Archie Christie.

Filmi nga Michael Apted në vitin 1979 “Agatha”, me protagonistë Vanessa Redgrave dhe Dustin Hoffman, është një tregim imagjinar i atyre 11 ditëve të kaluara nga shkrimtarja.

Shkrimtarja femër më e suksesshme

Librat e Agatha Christie janë më të shiturit e të gjitha kohërave. Jo vetëm në periudhën kur nuk kishte asnjë roman kriminal tjetër – me mbi 100 milionë kopje të shitura në të gjithë botën.

Ato janë të botuara edhe në gjuhën shqipe, nga Shtëpia Botuese Dituria.

Shitjet në të gjithë botën, të të gjithë librave të saj arrijnë diku midis dy-katër miliardë, Christie është një nga autoret më të shitura ndonjëherë – e mundur vetëm nga William Shakespeare.

Christie i donte qentë, zakonisht racën terrier.

Qeni i saj i parë quhej George Washington, por i preferuari i saj ishte një terrier me flokë të shkurtër i quajtur Peter, i cili luajti në Dumb Witness me emrin Bob.

Në dedikimin e librit thuhet: “I dashur Peter, më besnik i miqve dhe më i dashur ndër shokët, një qen në një mijë”.

Thesar i pazbuluar

Christie u martua me arkeologun Max Mallowan në shtator të 1930.

Ajo u kthye në fotografen e tij personale të artefakteve në ekspeditat e tij, në Siri dhe Irak. Ajo kurrë nuk i mori atributet që i takonin.

Eksplorimi i atyre ekspeditave do të ndikonin shumë në shkrimin e saj të “Vdekje në Nil”, “Vrasje në Mesopotami” dhe “Vrasje në Orient Express”.

Sfidat e saj

Ajo kishte filluar të shkruante histori detektive pas një basti mes saj dhe së motrës Madge se “ajo nuk ishte e aftë ta bënte atë”.

Agatha luftoi për të gjetur karakterin protagonist.

Mes një grupi refugjatësh belgë, në Torquay, lindi dhe personazhi Hercule Poirot.

Bashkëshorti i dytë i Agatha-s, arkeologu Max Mallowan

Ajo e “vrau” Poirot, duke e futur në një kasafortë…

Nga fundi i viteve ‘30, Christie i dukej Poirot “mjaft i padurueshëm”.

Në vitin 1940 e vrau atë në tregimin “Perde”.

E bindur nga familjarët e saj, miqtë dhe botuesi i saj, e vendosi dorëshkrimin në një kasafortë dhe vazhdoi të shkruante personazhin deri në vitin 1975, kur tregimi u botua përfundimisht.

Sipas familjarëve të saj, Christie ishte një damë e vërtetë.

Ajo pranoi të martohej me Max, vetëm pasi ai u shpall kalorës për shërbimet e tij në arkeologji.

Agatha dashuronte të rrinte në bibliotekë

Megjithëse vëllai dhe motra e saj u dërguan në shkollë, Agatha nuk u dërgua në shkollë.

Që në moshën 5-vjeçare, Christie mësoi të lexonte dhe u shkollua nga biblioteka e babait të saj.

Një fillim i mrekullueshëm për një karrierë kaq të suksesshme./KultPlus.com

(AP)
CHRISTIE-LS-032916-AP

Fatos Kongoli sot feston ditëlindjen e 81-të, ndër përfaqësuesit më të mirë të letërsisë shqipe

Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 në Elbasan dhe sot feston ditëlindjen e 81-të. Ai konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.

Kongoli ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.

Librat e Kongolit janë botuar në disa vende të botës. Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika”. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004).

Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për vitin 2006, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani. Në vitin 2016 është shpallur “Shkrimtari më i mirë i vitit”, nga Fondacioni Kulturor “Harpa” në Fier.

Disa nga veprat kryesore të tij janë: “Ne të tre” (1985)”Karuseli” (1990), “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003), “Te porta e shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh”, roman, 2007. / KultPlus.com

Anton Xanoni, një figurë e shquar që dha kontribut në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe

At Anton Xanoni, figurë e shquar e arsimit katolik, vdiq në Shkodër më 15 shkurt 1915. Ai është një ndër figurat e shquara të arsimit katolik gjatë periudhës së Rilindjes. Ishte Anton Xanoni, i cili dha kontributin e tij në fushën e gjuhës, letërsisë dhe botimeve të teksteve shkollore duke ushtruar një ndikim të dukshëm për të zhvilluar gegënishten në gjuhën shqipe.

At Anton Xanoni lindi në Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin e etërve jezuitë. Si kreu shkollën e mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan të kryente studimet e larta në Kuvendin Kartuzian Porta Coeli në veri të Valencies, në Spanjë (1883), në Kraljevicë (1884), në Kremonë të Italisë (1886) dhe në Kolegjin Gregorian në Krakovi të Polonisë (1890-1892).

Më 1892 u shugurua meshtar në Krakovi dhe dy vjet më pas në u kthye Shkodër për të kryer misionin meshtarak e për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë, trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kier, në juglindje të Torinos në Itali.

At Xanoni, së bashku me poetin e gjuhëtarin e shquar, dom Ndre Mjedjën (1866-1937) si dhe me të vëllain e tij, imzot Lazër Mjedën, ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare Agimi, themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën shqipe, duke përdorur edhe alfabetin e ri.

Ishte Atë Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes, në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës, Shkodër 1911-1912.

Ai mbante qëndrim purist në shkrimin e shqipes, ishte ithtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi.

Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit Elçija e Zemers t’Jezu Krisctit me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin shumë.

Mbeti në histori edhe për veprat Gramatika shqyp, Shkodër 1909, Shkurtorja e historis së moçme, 1910, e në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë Shqypnia, kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite. At Xanoni vdiq në Shkodër më 15 shkurt 1915. Kujtohet si themelues i shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës shqiptare./VN/ KultPlus.com