Deti

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

I vogël, me pantallona të shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaije, që e qepte vetë gjyshja…

Ashtu, darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohte me rridhte rëra.

Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjera të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.

Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhe – aradhe

Turfullonin

Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.

Mbi ta fluturonin të tjerë,
jelet e hakërryera dallgë-dallgë fushën e diellit fshinin.

Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.

Gjokset e mëdhenj e të bardhë kreshpëronin përpjetë
këmbët e para rrihnin në erë…

Sytë u flakëronin.
Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më copëtonin.
Kur ja, me potere
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia.

Nga flegrat gjigante
miliarda grimcëza të kristalta shfrynin për të fundit herë

Të tjerë hingëllinin nëpër fushat e gjera të natës

Me gëzim e frikë, orë të tëra unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.

Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njëri mbi tjetrin…

Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…/

Fatos Kongoli kremton 80-vjetorin e lindjes mes miqsh në Akademinë e Shkencave (FOTO)

Shkrimtari i njohur i letrave shqipe dhe anëtari i Akademisë së Shkencave, Fatos Kongoli ka festuar 80-vjetorin e lindjes mes miqve, te afërmve dhe lexuesve në Akademinë e Shkencave.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi i rezervoi një pritje të veçantë, në prani të akademikëve Vasil Tole, Neritan Ceka, Shaban Sinani, Floresha Dado, Mimoza Hafizi, Dhimitër Haxhimihali, Gëzim Hoxha, botuesve të Toena-s Irena dhe Fatmir Toci.

Gjatë këtij aktiviteti përshëndetën prof. Shaban Sinani, botuesja Irena Toçi, drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli si dhe nga shkrimtarët Namik Dokle, Xhevahir Spahiu, Besnik Mustafaj e Behar Gjoka.

Kongoli është cilësuar nga kritika si shkrimtar i tranzicionit, pasi gjithë veprën ia dedikon Shqipërisë në mbi 3 dekada demokraci.

Politika dhe opozita e kanë zhgënjyer jo pak, por dëshira e tij edhe në këtë jubilee, mbetet hapja e dosjeve.

Në vitin 2022 Kryesia e Akademisë së Shkencave i shkroi Akademisë Suedeze të Shkencave letrën ku i propozoi për ta nominuar akad.Fatos Kongolin, shkrimtar me njohje kombëtare e ndërkombëtare, si kandidat për çmimin “Nobel”, bashkë me kandidatin tradicional prej më shumë se 30 vjetësh Ismail Kadarenë, dhe me herët për këtë çmim ka qenë nominuar edhe i ndjeri, Luan Starova./atsh/ KultPlus.com

‘Atdheu është dhimbje, është dhimbje’

Poezi nga Fatos Arapi

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
një prill i pikëlluar në shpirt.
atdheu është kryqi, është kryqi
e mban dhe të mban ty në shpirt.

atdheu është toka e premtuar.
ti shkel si një zot dhe se ka nden këmbë.
atdheu ska fjale , ka sy te trishtuar.
vdes dashuria në dashuri që të çmend.

atdheu është buka e uritur.
të ikën nga duart e dot nuk të ngopë
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

atdheu është varr i hapur, është varr.
një jetë drejt tij shkon me besë që lind.
në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
në një pikë loti lirinë e lind.

atdheu yt i vogli , i vogli
ai hyjnori i pavdekshmi si loti./ KultPlus.com

S’kam fuqi më as të trishtohem

Poezi nga Fatos Arapi

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë./KultPlus.com

Po trokas në zemrën tënde

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Motiv arbëresh
Po trokas në zemrën tënde
hapma derën,zonja ime!
Kaloj pragun e hyj brenda…
Dua që të kem mbi krye
hapësirën erë yjesh;
të shikoj rrëketë qiellore
se si lozin gjithë dritëza
burimit të syrit tënd.
Dhe si luftëtar i varfër
që të mbështet kryet mbi gurë,
gjer të nisë lufta prapë,-
dua kokën ta mbështes
mu në gjoksin tënd prej dielli…

dhe të marr, moj, një sy gjumë./KultPlus.com