Zv/Sekretari amerikan mbërrin në Shqipëri

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, ka mbërritur në Shqipëri këtë të mërkurë.

 “Sapo mbërrita në Shqipërinë e bukur! I lumtur që të nis vizitën time dhe të punoj me partnerët tanë në forcimin e demokracisë, sigurisë dhe mbështetjen e atyre që janë në nevojë”, tha Verma./ KultPlus.com

Si tingëllonte Shekspiri?

Sigurisht, meqenëse nuk kishte asnjë teknologji regjistrimi në kohën e Shekspirit, ne kurrë nuk mund ta dimë me të vërtetë se si tingëllonin bardi dhe bashkëkohësit e tij, transmeton KultPlus.

Por duke përdorur parimet gjuhësore, ne mund të mendojmë. Shekspiri pothuajse me siguri nuk tingëllonte si John Gielgud, Laurence Olivier, apo ndonjë nga interpretuesit e tjerë të mëdhenj të veprës së tij. Në vend të kësaj, ai me shumë gjasë tingëllonte disi më shumë si një folës i anglishtes amerikane të Atlantikut të Mesëm, veçanërisht në zonat ku vendbanimi Irlandez ishte i shquar, sesa ai që fliste një anglisht i lidhur tani me luginën e tij të lindjes në lumin ”Thames” të Anglisë jugore.

Atëherë, si mund të hyjnojmë se si mund të kenë tingëlluar lojtarët e Shekspirit në skenën e Teatrit Globe? Një e dhënë janë fjalët që ai rimoi, si në këto rreshta nga njëra prej soneteve të tij:

If this be error and upon me proved
I never writ, nor no man ever loved.

Qartë “të provuar” dhe “të dashur” kanë për qëllim të rimohen. Sidoqoftë, mënyra se si të veprohet kështu, mbetet një burim debati. Përveç rimave të drejtpërdrejta, mund të ekstrapolohet nga evolucioni i dialekteve të sotme britanike, duke parë tekste origjinale bashkëkohore siç janë ”Jeta e Shkurtër ” e John Aubrey si dhe dramat e vetë Shekspirit.

Ne e dimë gjithashtu se Shekspiri jetoi në kohën kur ajo që gjuhëtarët e quajnë ”Ndryshimi i Madh i Zanoreve”, një aspekt i kalimit nga anglishtja e mesme në anglishten moderne, ishte ende në proces, kështu që gjatësia e zanoreve në fjalët e tij ishte ndryshe nga tonat. Besohet gjithashtu se anglishtja e kohës ishte ”Rhotike” – domethënë se tingulli “r” ishte i shquar.

Nga të gjitha ato drita, siç sugjerojnë këto fragmente nga ”Bordi i Bibliotekës Britanike”, anglishtja e Shekspirit mund të ketë tingëlluar diçka si një kryqëzim midis anglishtes së Thomas Hardy dhe asaj të James Joyce – jo shumë amerikan, domethënë, por i njohur ndryshe nga dialekti standard të Londrës sot. Hulumtimi i kryer nga Paul Meier, një specialist i dialektit dhe teatrit në Universitetin e Kansas, e lëviz zërin një hije më afër brigjeve amerikane, por shtresa që ne shoqërojmë me Irlandën është shumë e pranishme edhe në rindërtimin e tij.

Kështu që ne mund të jemi të sigurt – në mënyrë të arsyeshme, por jo plotësisht të sigurt – që Hamleti tingëllonte diçka si kjo:

To bay, oar naught to bay. / KultPlus.com

Çela takim me ambasadorin Gonzato: Projekt për promovimin e turizmit shqiptar në Evropë

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato zhvilluan sot një takim mbi shkëmbimin e ideve dhe perspektivave për zhvillimin dhe promovimin e turizmit.

Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së e prezantoi ambasadorin Gonzato me një panoramë të arritjeve të vitit 2024 në promovimin e Shqipërisë turistike.

“Unë e vlerësoj thellësisht angazhimin e përbashkët për të nxitur rritjen e qëndrueshme në këtë sektor jetik dhe shpresoj për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen”, u shpreh  Çela.

Ambasadori i BE-së Gonzato mirëpriti një projekt bashkëpunimi të paraqitur nga drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Çela, në kuadër të promovimit të turizmit shqiptar në mbarë Evropën.

Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Turizmit, ambasadori Gonzato shfaqi interes lidhur me ndryshimet që do të ketë Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe konkretisht mbi procedurat e saj të funksionimit që parashikohen në strategji.

Biseda u përqendrua edhe tek pritshmëritë dhe paraqitja e Shqipërisë në Panairin e Turizmit më të madh në botë – ITB Berlin 2025, ku Shqipëria për herë të parë mban rolin e rëndësishëm si “vend i nderit”./ KultPlus.com

Botohet libri “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, i gazetarit, publicistit dhe profesorit të UBT-së, Musa Sabedini


Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin e tij të tretë universitar të titulluar: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues dhe redaktorëve të profesionalizuar.

Autori në parathënien e librit ka thënë se libri i radhës, “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, po vjen në një kohë kur media kosovare në përgjithësi është e mbuluar dhe e përcjellë me shumë gabime e të meta, që shkojnë në dëm të etikës gazetareske.

“Libri, gjithashtu, erdhi si rezultat i punës sime të palodhshme disavjeçare, gjatë së cilës jam përpjekur ta avancoj etikën, në të gjitha dimensionet. Përvoja ime mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe atë hulumtuese, përvoja tjetër mbi 13-vjeçare si themelues i një portali me ndikim dhe po kaq vite si pjesë e Bordit të KMSHK-së, më mundësuan të mësoj shumë për gabimet e përditshme që bëjnë portalet dhe të metat e shumta, që shfaqen gjatë të bërit gazetari online”.

Profesori dhe publicisti Musa Sabedini ka thënë se në libër ka shtjelluar e trajtuar rolin e etikës në gazetari, në media, rolin e etikës në jetën e përditshme, në shkrime e tekstet tona, që i plasojmë çdo çast.

“Etika është thelbi i gazetarisë profesionale, sepse nëse gazetari nuk ka etikë personale, ai do ta ketë të vështirë ta zbatojë etikën kolektive ose të respektuarit të etikës në jetën publike.

Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe media, është ilaç për një shoqëri të emancipuar. Kuptohet etikën nuk duhet ta ruajnë apo ta avancojnë vetëm mediat e gazetarët, sepse ajo duhet të respektohet edhe nga lexuesit, dhe ata që i kemi sy e vesh, për punën tonë të përditshme” ka shkruar profesori Sabedini.

Ai është shprehur se gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur që etikën ta kem në plan të parë, pa anashkaluar shkrimin e fuqishëm ose hulumtues.

“Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Kam marrë referenca nga qindra studiues amerikanë, kanadezë, japonezë, turq, gjermanë, austriakë, indianë, kroatë, shqiptarë, studiues e ekspertë të fushave të ndryshme që ndërlidhen me etikën.
Pra, në libër kam trajtuar edhe shumë raste e shembuj të shkeljes së etikës dhe kam ofruar edhe raste se si duhet të ruhet etika.
Synim imi gjithmonë është alternativa e kompletuar, duke mos e lënë në qiell atë zotësinë, dijen e përvojën time të gjatë në gazetari. Kam folur me shumë kompetencë, mbi shumë dukuri devijante në gazetarinë online në Kosovë dhe në rajon dhe kam ofruar analiza, rezultate e pasqyra të dobishme për studentët, studiuesit, redaktorët e pronarët e portaleve.

Libri është ndërtuar nga arkiva ime shumëvjeçare, me katër çmime të fituara në fushën e gazetarisë hulumtuese dhe është kurorëzuar me vitet e fundit të jetës sime aktive në Kolegjin UBT, si ligjërues i katër lëndëve të gazetarisë, ku sigurisht që e kam avancuar edhe më shumë gazetarinë e nivelit akademik e studimor, duke marrë pjesë edhe në 12 konferenca me karakter ndërkombëtar” ka nënvizuar Sabedini.

Por cila është porosia e gazetarit shumëvjeçar dhe pedagogut, që përcolli shumë gjenerata në UBT.

“Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë. Unë kam bërë diçka, që deri më tani ka munguar në Kosovë, sepse libër për Etikë të gazetarisë, me përjashtim të përkthimeve, autorë shqiptarë, sa unë kam njohuri, nuk ka, por kjo nuk do të thotë që të mos ecet tutje. Të tjerëve u takon që të shkruajnë e të debatojnë për etikën në televizione, në radio, për etikën në komunikim” ka shkruar tutje Sabedini.

Ndryshe libri ka tre kapituj dhe secili prej tyre ngërthen tema, që kryekëput ndërlidhen me Etikën.

Në kapitullin e parë kam trajtuar e ballafaquar teorinë mbi etikën, sferën e etikës, kodet dhe parimet e saj, përkufizimet e etikës, rëndësinë që ka ajo në gazetari, thelbi i etikës, rëndësia e saj, sfidat që bartë me vete, kam shkruar gjerë e gjatë mbi gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, privatësinë, shpifjen, lajmet e rreme, për vlerat etike të lajmit, për parimet etike, për raportimin jo etik në mediet e Kosovës, për dëmet ligjore që shkakton etika, për shkeljet etike, për sfidat e gazetarisë etike.

Kurse, në kapitullin e dytë jam marrë me kredibilitetin e gazetarit, për etikën në gazetari e media, për plagjiaturën dhe copy-paste lajmet, kam ofruar shumë shembuj praktikë të portaleve që kanë bërë shkelje të kodeve të etikës, kam ofruar udhëzime e qëndrime të KMSHK-së, KPM-së, si dy mekanizma që merren me vetërregullimin e mediave online dhe atyre televizive, për etikën në foto, video dhe videografi, për sharjet e dhunën banale në televizionet tona, për vdekjet e personaliteteve nga bota, tek të cilët është shkelur etika dhe raste studimore të vdekjeve, edhe të njerëzve të famshëm në Kosovë, që ishin atakuar me shkelje të etikës nga mediat, për ndershmërinë e gazetarit dhe problemet që medie digjitale ka në zbatim të etikës, për avantazhet dhe disavantazhet e kodeve të etikës.

Edhe kapitulli i tretë përbëhet nga materiale interesante, ku kam trajtuar dilemat e etikës, për dëmet që sjell TikTok, për rrjetet sociale e mediat sociale, që përshkruhen me shkelje ekstreme të etikës, për etikën në Bllog dhe bllogerët, për abuzimin gjatë aksidenteve, vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës në familje, për vetërregullimin dhe standardet e medies online, për parimet më të pranuara etike, për konfliktin e interesit dhe kualitetin e portaleve në fushën e etikës etj.

Kurse recensenti i librit dr. Safet Zejnullahu ka thënë se libri: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, një libër i ri i, tashmë, i veteranit të gazetarisë në shqip në Kosovë, Musa Sabedini, i shtohet radhës së studimeve e hulumtimeve të bollshme e kualitative të dekadës së fundit mbi gazetarinë në gjuhën shqipe në vend.

“Por, tema që trajton e bën atë të veçantë dhe të ndryshëm. Sepse trajton një temë e cila, si kudo në botë, i ndihmon gazetarët të mos gabojnë ose të gabojnë minimalisht, pasi edhe gabimet njerëzore janë, i ndihmon mediat të bëhen më të mira dhe më profesionale, sepse këtë e kanë obligim parësor, pa çka se nganjëherë e harrojnë, me ose pa qëllim” ka nënvizuar profesor Zejnullahu.

Sipas tij libri vjen si sublimim i një përvoje të gjatë mbi tridhjetëvjeçare të autorit në të bërit gazetari aktive të terrenit, të të qenit pjesë e trupave rregulluese të gazetarisë në Kosovë, si dhe i profesorit të gazetarisë, që e bën atë të trajtojë temat e shtruara për diskutim nga të trija rrafshet, të veçanta secila: duke praktikuar gazetarinë profesionale e pa shkelje, duke monitoruar shkeljet e të tjerëve, si dhe duke parë në praktikë cilat cilësi e parime u duhen sot më së shumti gazetarëve të rinj.

“Vetë dedikimi i librit “gazetarëve profesionistë dhe atyre që kanë etikë në të shkruar, që e përjetojnë etikën me mish e shpirt dhe punojnë gjithmonë në shërbim të gazetarisë objektive, të paanshme dhe balancuese” na tregon qasjen që ndjek autori nga fillimi deri në fund. Duke bërë një hulumtim të gjatë dhe shterues në praktikat ndërkombëtare, autori ka sjellë qasjen që ka bota e përparuar në rregullimin ose në vetërregullimin e medias, duke e bërë atë të mbrojtur e të pandikuar nga pushtetet, por duke e bërë atë të përgjegjshme ndaj publikut e profesionale. Ndërsa, duke sjellë shembuj të shumtë dhe konkretë, autori ia ka dalë të japë një pasqyrë të plotë të gjendjes së medias në Kosovë, në kohën e internetit, kur gazetaria, sikur edhe shumë fusha të tjera të jetës, janë rrezikuar fuqishëm nga qasja “shpejtësia para profesionalizmit” dhe nga qasja e gabueshme “të gjithë ata që publikojnë diçka janë gazetarë” ka shtuar Zejnullahu.

Profesor Zejnullahu ka thënë se Teknologjia dhe rrjetet sociale e mundësojnë këtë, por gazetarët profesionistë dhe trupat rregulluese e vetërregulluese janë ato që duhet të ndihmojnë në këtë periudhë transitore shumë të rëndësishme të medias në Kosovë, duke minimizuar “gazetarinë amatore” dhe duke qëndruar fuqishëm në parimin e gazetarisë profesioniste, të cilën e krijojnë, e zhvillojnë dhe e mbrojnë vetëm profesionistët.

“Duke u nisur nga përmbajtja, literatura e bollshme dhe referente e shtjelluar nga autori, shembujt meritorë dhe porosia se vetëm profesionalizmi e mbron gazetarinë, besoj se libri “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” do të jetë një mjet i fortë në duart e atyre që bëjnë gazetari, për të bërë gazetari të mirë e profesionale dhe për të eliminuar lëshimet që, edhe i bëjnë keq gazetarisë, edhe e ngufatin mendimin e lirë në një vend në tranzicion e në zhvillim, siç është Kosova.Gazetaria e Kosovës është shumë e mirë, krahasuar me rrethanat në të cilat zhvillohet. Hulumtimet dhe librat si ky i kolegut Musa Sabedini ndihmojnë shumë që ajo të bëhet edhe më e mirë, edhe më profesionale” ka përfunduar Zejnullahu.

Ndryshe libri ka 520 faqe ndërsa botues është UBT./ KultPlus.com

Pamje të rralla të ikonës së muzikës, Elvis Presley (FOTO)

Mbreti i i muzikës ‘Rock & Roll’, Elvis Presley ishte ylli përfundimtar i viteve ‘50, ‘60 dhe ‘70, ai ka disa këngë legjendare në karrierën e tij, ndërsa fansat e tij ishin pak si shumë të fiksuar pas zërit dhe pamjes së tij, transmeton KultPlus.

Më poshtë do të gjeni disa fotografi të rralla dhe shumë të bukura të yllit të muzikës, Elvis Presley. / KultPlus.com

Të dua pa e ditur si

Poezi nga Pablo Neruda 


Nuk të dua si kristal kripe rozë, as si gur të çmuar
E as si shigjetë karafilash që përhap zjarrin :
Të dua siç duam ca gjëra të errëta,
Fshehtas, ndërmjet hijes dhe shpirtit.
Të dua si bima që nuk lulëzon
Dhe e mbart në vete, të fshehur, dritën e këtyre luleve,
E falë dashurisë tënde në trupin tim jeton aroma
E errët dhe e fortë që ngjitet nga toka.
Të dua pa e ditur si, kur dhe nga ku,
Të dua troç, thjesht e pa mburrje :
Të dua kështu se unë s’di të dua ndryshe,
Në mos në këtë mënyrë pa qenë unë e pa qenë ti,
Aq pranë sa dora jote mbi gjoksin tim është e imja,
E aq pranë sa sytë e tu mbyllen mbi timen ëndërr./KultPlus.com

Dashuri e vështirë

Poezi nga Luis Garcia Montero

Kush e di në më ka parë ajo ndonjëherë kështu,
kush e di në më ka parë ndonjëherë njeri, kaq përtokë,
kaq të ftohtë në këtë kënd. Por era
kujtoi se unë isha gur
dhe trupin tim donte të shpërbënte.

Po të mundja të të takoja,
kushedi në do mund të takohemi ndonjëherë, unë do të di
të sqarohem me ty.

Por klubet e hapur dhe të mbyllur,
rrugët netëve dhe ditëve,
stacionet pa njerëz,
lagjet e tëra me banorët e tyre, dritat,
telefonat, hapat dhe ky kënd,
nuk dinë gjë, se ku je ti.

Dhe kur era kërkon të shkatërrojë
më kërkon te porta e shtëpisë tënde.

Unë ia përsëris edhe erës,
po qe se do mundem të të takoj,
po qe se ti më shfaqesh, unë do të di
të sqarohem me ty. /KultPlus.com

Mali i Thatë, destinacion i përkryer për adhuruesit e natyrës

Mali i Thatë gjithnjë e më shumë pret të apasionuarit e ngjitjeve malore, të cilët megjithë lodhjen dhe vështirësitë që sjell dëbora, e kanë frekuentuar këtë mal edhe këtë fillimviti.

Niko Peleshi, drejtuesi politik i PS për qarkun e Korçës, ndau në rrjetet sociale një material filmik mbresëlënës, të një grupi të rinjsh që kanë ngjitur malin e Thatë pranë Pogradecit, tërësisht i mbuluar nga reshjet e dëborës.

“Mali i Thatë këtë janar, destinacioni i përkryer për të gjithë ata që duan natyrën, qetësinë dhe peizazhet dimërore”, shkroi Peleshi në rrjetet sociale.

Vitet e fundit është vënë re një shtim i entuziastëve të alpinizmit, të cilët duke ndarë imazhet në rrjet, sjellin pamje mahnitëse nga bukuritë e natyrës shqiptare.

Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit. Maja e tij nuk është e mprehtë, përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike. Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit, e cila është 2287 m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jug dhe është i gjerë rreth 8 km në pjesën qendrore të tij./atsh/KultPlus.com

Ëndrra ime e zakontë

Poezi nga Paul Verlaine

Shpesh natën më çudit një ëndërr, më sëmbon,
Një grua që s’e njoh, q’e dua dhe më do,
Që s’është kurdoher’ as fare gjithajo
As fare tjatër, dhe më do, më kupëton.

Më kupëton, dhe zemrën si kristal të kjartë
Ma di vetëm ajo, edhe ma zgjidh problemn’ e saj
Vetëm ajo; ballin e zbet’ e dirsur valë
Vetëm ajo ma alladit me lot’ e saj.

A ësht’ e zeshk’ a blonde ruse? Nukë e di!
Ç’i thonë? Emr’ i saj i ëmbël tingëllin
I dashur dhe syrgjyn prej jetës plot me zi.

Ka sy si të statujës, edhe zën’ e ka
Të larkmë dhe të qetë, plot me rëndësi
Dhe me lezet, si zë që s’bën më shamata./KultPlus.com

‘Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun’

Anton Pashku: Poema simfonike, 1958

Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun
ne shkretinën e paanë të vetmis.
Rrin dhe rrënkon e flet me gjuhën e heshtjes…
Nji barkë u nis prej limanit, atëherë kur deti ishte
plot valë.
Stuhi! Stuhi…

N’at barkë lundronte nji zemër, zemër …
Stuhi…Barka hepohet, barka anohet…
Barka dhe vala…
Ej, oj…Zemra mbi barkë…
Stuhi…

Vala mbi barkë e zemër…
Oj…Zemra u fundos…
Ej, mbi det nji deshirë…
Ah…Valet e muerën… / KultPlus.com

Rama: Vjosa, mbretëresha e lumenjve të egër dhe të apasionuarve pas rafting

Kryeministri Edi Rama ka vënë sot në fokus lumin Vjosa, duke e cilësuar atë si një destinacion të veçantë për rafting dhe sportet ujore.

“Me adrenalinën në Vjosë, mbretëreshën e lumenjve të egër dhe të të apasionuarve pas përvojave në rafting dhe sporte ujore”, shkruan Rama në rrjetet sociale, duke e promovuar këtë zonë si një pikë të rëndësishme për turizmin e aventurës.

Lumi Vjosa është një dëshmi e bukurisë së jashtëzakonshme dhe biodiversitetit që mund të ruhet kur natyra mbetet e paprekur.

I vendosur midis maleve të thyera dhe fushave bregdetare, lumi Vjosa është përcaktuar si një zonë e mbrojtur, duke mbrojtur ekosistemet e tij të pacenuara dhe duke siguruar vendin e tij si një thesar natyror.

Zonat e mbrojtura luajnë një rol vendimtar në ruajtjen e ekuilibrit delikat të ekosistemeve të planetit tonë dhe përcaktimi i lumit Vjosa si i tillë nënvizon rëndësinë e tij.

I shtrirë nga mali i Gramozit, deri në detin Jon, lumi krijon një habitat të rëndësishëm për një llojshmëri të larmishme flore dhe faune. Ujërat e tij të pastra kristal dhe të freskët ofrojnë një strehë për lloje të ndryshme peshqish, bimësh ujore dhe një mori specie zogjsh që varen nga rrjedha e tij e patrazuar.

Ajo që e veçon lumin Vjosa është gjendja e tij e paprekur dhe e pandryshuar.

Lumi Vjosa nuk është vetëm një strehë për biodiversitetin, por edhe një burim vlerash kulturore dhe rekreative. Komunitetet lokale që jetojnë përgjatë brigjeve të tij kanë një lidhje të thellë me lumin, duke u mbështetur në burimet e tij për jetesën e tyre.

Për më tepër, lumi tërheq turistë të shumtë, entuziastët e natyrës dhe kërkuesit e aventurave, të cilët tërhiqen nga peizazhet e tij të pacenuara, duke ofruar një përvojë unike./atsh/KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Oh’ i Anton Pashkut

Në 88-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Anton Pashku, KultPlus ua sjell një fragment nga romani i tij ‘Oh’:

Ajo vuri buzën në gaz. Ai, prap, vazhdoi të kërkonte me shikim nëpër mal. Edhe njëherë tha:

“A thue, ku do të jetë ?”

“A mos të ka humbë gja?”

“Gjithmonë po më humb nga nji.”

“E ç’asht ajo që po të humb?”

“Paj, kurrë nuk i po i kam bashkë të gjitha delet. Gjithmonë po me humb nga nji. Qe, edhe tash më ka humbë nji. S’e din, s’ka llugë ku nuk kam lypë. A thue, kah do të ketë vojtë e bekuemja?”

“Ndoshta në ndonji zguer lisi! ” – ndërhyna papritmas.

“Mos u mahnit!” – tha ajo dhe, sigurisht tue dashtë mos me e lanë plakun ma me kthye, shtoi me nguti: “ke, plak, shumë dele?”

“Unë e di se i kam njiqind, por sa herë më dalin nandëdhetenandë. Giithmonë mungon nji dele. Qe, tash mungon larëza. Sa herë që humb kjo larëza, mue më bien kambët tue e kërkue nëpër mal. Aty e sheh, aty s’e sheh! Aty asht bashkë me të tjerat, aty humb si shurra e pulës!”

“Por, ty po të humbkan të tjerat, tue lypë larëzën!”

“Humbin, ç’me ba!”

“Po ç’ban kur e gjen larëzën e të tjerat të humbin nëpër mal?”

“I lypi.”

“A i gjen?”

“Paj… hëm… i gjej.”

“Të njiqindtat?”

“Eh, – tha plaku-jo.”

“Po?”

“Të nandëdhetenandtat.”

“Eu, po ty prap po t’u dashka t’i qepesh malit për me gjetë të njiqindtën!”

“Ani.”

“Dhe ti i qepesh malit?”

“I qepem, pra.”

“Vazhdimisht?”

“Gati për ditë.”

“Tashë, gjithmonë më mungon nji.”

“Po ti gjithmonë i paske, në të vërtetë, vetëm nandëdhetenandë!”

“Ani.”

“Ti kurrë nuk i paske njiqind!” – tha ajo. “Nuk e di pse po u lodhke aq shumë tue kërkue nëpër skutat e malit?”

“Pse gjithmonë më mungon nji dhe unë due ta gjej.”

“E kur e gjen, prap mbetesh pa nji!”

“Mbetem. Por, ani. Përsëri dal me e gjetë… Tekembramja , mue më pëlqen të kërkoj; mali asht aq i egër dhe i butë, aq i vrazhdë dhe i bukur.”

“Mal ma!” -thash unë tue u gojisë.

Plaku tash heshtte; më shitonte me sytë e tij të vegjël, buza e poshtme i dridhej, më dukej se edhe mustaku i luente dhe mue, për çudi, tash më vinte keq pse i thashë: “Mal ma!” Po, megjithëkëtë, nuk tha gjë. Vetëm se rrotulloi sytë kah mali, mandej u kollit dhe shikimin e paloi në pyramidën e saj, që ishte në ndërtim e sipër. Më erdhi mirë thuese prej zemrës më ra diçka e pashpjegueshme që më randonte në ato çaste, kur ajo i dha fund heshtjes:

“E, ç’ban ti kur kërkon nëpër mal?”

“Eci.”

“Dhe?”

“Eci dhe futem nëpër lluga.”

“Futesh dhe … ?”

“Futem nëpër zguer; kërkoj. Dal. Eci, hajt bir, nëpër mal.”

“Hajt bir, dhe … ?

“Ndigjoj malin. Ndigjoj turrecin.”

“E ndigjon, dhe … ?”

“Kurrë, – tha plaku, – turreci nuk më ka mundë, kurrë.”

“Kurrë, dhe … ?”

“Dhe eci.”

“Ecën?”

“Nganjiherë za thue, por gohem dhe eci, hajt bir. Mali, ky

mali im, asht i bukur.”

“I bukur, dhe … ?’

“Do të ishte edhe ma i shpeshtë, edhe ma i bukur, sikur të mos jipte bishta për sakica.-

“Hëm, për sakica dhe …?”

“Dhe? Grithem, përgjakem aty-këtu, tue përshkue nëpër mal, ku dëgjohet aulina e ndonji qeni dhe ulurima e ndonji ujku. Mirëpo unë eci, hajt bir, prej lluge në llugë, prej zgueri në zguer, prej lisi në lis.

“Pre lisi në lis, dhe … ?”

“Ndalern dikur.”

“Dikur, dhe….. ?”

“Sodis.”

“Malin, dhe…?”

“Kërkoj të njiqindën me shkrim”

“A e sheh?”

“Pai, nganjiherë e shoh, por më humb para sysh, kur kujtoj se e kam krejt afër. Nuk më lëshon zemra: vazhdoj t’a kërkoj. Dhe prapë, grrithem, përgjakem tue u përshkue nëpër mal.”

“Dhe?”

“Eci”

“Dhe?”

“Ndalem, dikur,”

“Ndalesh dhe…”

“Ulem kur lodhem.”

“E?”

“Rri dhe njehi pikat e vesës në fijet e barit. Pikat e vesës janë.të bukura. Mbesin të bukura edhe mbasi avullohen. Mbasi të avullohen, ndoshta na duken se qenë ma të bukura se ishin. A s’asht kështu?”

“Ndoshta -tha ajo,- po kur s’ka vesë?

“Kur s’ka vesë rri dhe kujtohem.”

“Dhe?”

“Mendoj për barkën.”

“Për çfarë barke?”

“S’kam shumë barka. Çdokush e ka nga nji. Edhe unë e kam nji.”

“Nji barkë!”

“Po, nji barkë që rri mes ujit. Ajo nuk mbytet, as nuk mbytet kurrë”

“Kurrë?”

“Kurrë.”

“As kur çohen valët e mëdha?”

“As kur çohen valët e mëdha sa bjeshka.”

“As kur bie shi?”

“As kur bie shi katërdhetë ditë në katërdhetë net.”

“As kur fryn?”

“As kur fryn duhia që shkul lisat e prapton latitë.”

” A fryn në këto anë?”

“Shpesh janë shkulitë lisat e praptue çatitë. Jo rrallë janë shkulë pemët posa kanë lidhë.”

“E barka ka shpëtue?”

“Barka ka qëndrue mbi valë. Kur asht thye ndonji bri i saj, ai bri asht zavendësue me nji prej lisave të shkulun.”

“Kjo qenka nji barkë e fortë.”

“Rrin dhe kurrë s’praptohet në ujë.”

“A e din sa asht e vjetër?”

“Askush nuk e mba mend kur asht punue. Mue ma ka lanë gjyshi.”

“Askush?”

“Ndoshta gjyshi i gjyshit… nuk e di.”

Ajo për nji çast heshti; shikoi piramidën e saj në ndërtim e sipër, piramidën prej rane, e ledhatoi me dorën e majtë dhe pyeti:

“A të duket e bukur kjo barkë?”

“Kur asht plot, duket fort e bukur. Duket, si me të thanë, duket nga bregu i ujit duket, si me thanë, duket si çiftelia. Luen mbi valë. Përkundet si zonjë… Luen mbi valët që sulen kah ajo, por ajo s’jau ven veshin. Luen. Dhe valët trenohen kur e shohin tue luejtë. Sulen kah ajo, por s’i bajnë gja. Ajo vazhdon me luejtë, barka -çifteli vazhdon me luejtë dhe prej saj përhapen tingujt, të cilët përpiqet me i gëlltitë zhumhuri i valëve. Shumë tinguj mbyten në zhumhurin e valëve, aty pranë barkë-çifteli. Disa të tjerë kërcejnë prej valës në valë dhe mbërrijnë deri në breg të ujit. Aty prap nisin të shumohen. Bahen aq shumë, sa nuk mund t’i njehë askush. Shkrihen në njani-tjetrin. Dalin prej njani-tjetrit. Kangë. Po, tash e dëgjoj nji kangë, që çan mjegullën para syve të mi. Çahet mjegulla. Shoh nji rriskë qiell dhe nji vetull mali. Qielli asht i murrmë, ajo vetull mali asht gjithashtu e murrmë. Dridhet ajo vetull mali, ulet ajo vetull mali. Tash e shoh tue u rrokulllsë qerrja e diellit. Qerrja e diellit rrokulliset me zhurmë e poterë. Zhurma e potera e qerres së diellit, që në rrokullisje e sipër thyhet e bahet copë-copë, mbyt çdo za: nuk ndihet shushurima e malit, zogjtë gurëzohen, hutini shikon lakuriqët e natës që fluturojnë në pikë të ditës, shikon dhe copat e qerres së diellit. Mugë. Në mugë shoh dy hije. Ecin ngadalë, drejt njani-tjetrit. Afrohen. Nuk flasin; kuptohen në heshtje. Shikojnë qerren e diellit, copat e saj para kambëve të tyne. Afrohet edhe nji hije. Edhe ky shikon copat e qerres së diellit. Që të tre marrin nga nji copë të qerres së diellit dhe e puthin. Mandej kthejnë kryet kah hutini që shikojnë lakuriqët e natës, të cilët fluturojnë në pikë të ditës. Kurse skaj tyne, filloj të shoh hije të tjera, që nuk ndalen, por vazhdojnë përpara; kalojnë pranë copave të qerres së diellit të rrokullisun, kur e ul ajo vetull mali dhe shkojnë në heshtje, njani pas tjetrit. Hijet. Shkojnë. Kryeulun. Të thuesh, nuk e çojnë kryet as kur pijnë ujë nga brojcat. Asgja nuk pipëtin. Ndëgjohet vetëm zhabllima e hapave të hijeve, që shkojnë kryeulun. Kurse hija e parë thotë: “Po shkojnë, ore breuk.”, ndërsa hija tjetër ia pret: “Po, ore desidat, po.”Hija e tretë vetëm dëgjon e nuk thotë gja; edhe ma tutje shikon vargun e hijeve që kalojnë skaj tij e copave të qeres së diellit. Shikon edhe hutinin që shikon lakuriqët e natës, të cilët dalin e fluturojnë në pikë të ditës. Mandej kthehen, hija e parë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet dhe këqyr hijen e tretë, mandej kthehen, hija e tretë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet, hija e dytë kthehet dhe këqye hijen e parë; në sytë e të tretëve ecin hijet, ecën vargu i hijeve që kalojnë skaj tyne. Ecin, hijet ecin. Dhe vetëm copat e qerres së diellit, para kambëve të tyne, nuk ecin. Kanë mbetë aty; nuk lëvizin. E këta shikojnë ato copa: qerrja e diellit nuk mund të ecë. Tash, nuk ecin as sytë e tyne.

——————————————————————

Ky fragment sjell dialogun ndërmjet Asaj (vashës) dhe Bariut, përmes të cilit arrihet shkallëzimi i rrëfimit drejt thellësive ilire. Biseda zhvillohet rreth numrit të deleve: bariu ankohet se i mungon gjithmonë një dele. Ndërsa ai gjithmonë nuk pushon së kërkuari pyllit të dendur, si në një udhëtim të pandërprerë. Gjithçka, edhe biseda, edhe rrëfimi për ngjarjen zhvillohen në një terren simbolik.: Humbja është e përhershme; kërkimi është i përhershëm. Toni ironikotragjik e bën më të prekshme, më të afërt në kohë dhe më intriguese idenë kryesore. Eu, po ty prap t’u dashka t’i qepesh malit për me gjetë të njiqindën! Ani. Dhe ti i qepesh malit? I qepem pra. Vazhdimisht? Personazhi i bariut i afrohet figurës së Sizifit të dënuar përjetësisht, që me një shkëmb në krah t’i ngjitet malit dhe të rrokulliset poshtë për t’u ngjitur përsëri. Gjithashtu ky personazh përafron me personazhet absurdë të letërsisë bashkëkohore veçse i vendosur në një terren vendas. E njëjta ide shfaqet më pas me barkën që luhatet përjetësisht mes ujit dhe me kullën prej rëre. / KultPlus.com

Anita Bitri dhe kënga fituese e vitit 1990 në RTSH, ‘Askush s’do ta besojë’ (VIDEO)

Në Festivalin e 29-të të Këngës në RTSH, në dhjetor të vitit 1990, Anita Bitri vlerësohet me çmimin e parë, me këngën ”Askush s’do ta besoj”, kompozim i Flamur Shehut dhe me tekst të Jorgo Papingji.

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…

Ku shkuan fjalët që mi thoshe me aq zjarr,
Ku shkuan lulet që m’i sillje plot me vesë
Ku fluturoi dashuria jonë e parë,
Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes?
Një këngë e vetme jo nuk është rinia
Por veç një dhimbje kam e do ta them,
Se një prej këngëve është dhe dashuria
Dhe këngë e saj ushton si një refren.

Jo nuk e besoj nuk është e lehte që ta mohoj
Kur dashurinë e parë, jo nuk e harroj
Mos me thuaj s’ më ndihmon,
Asnjëri s’do ta besojë.
Kur t’vijë nata do të vije vet’ të takoj.
Të takoj,të takoj..

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…/ KultPlus.com

Anton Pashku dhe kitara

Nga Anton Pashku

Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t´ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur aty në mur, mundet.

Edhe pse tash vrik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t´i kuptojë, ose nuk do t´i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.

Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m´u lut t´ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitaren në duar. U ula pranë dritares, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkreu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e Pabesës.
-Pse t´u mbush mendja ta këndosh këtë këngë?-pyeti ajo dhe sytë ia mbytën bulzat e lotëve që i gufonin pajada.
Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç´t´i them. Dita, por diçka më lidhi në fyt.

-Po pse, pse po loton?-dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime.
-Si…pse?!-tha ajo duke u munduar për t´i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe.
-Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor…
-Mizor?!
-Po, po!-tha ajo—Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta?
-Shtylla e artë e Hënës?
-S´është e Hënës.
-Po e kujt është?
-Fol sa të duash, por ti s´je duke prekur telin e solit?
-Unë?
-Ti, pra. Të Pabesës…-thashë dhe u ndala. Mendimin, që desha t´ia them asaj, e përtypa në heshtje.
Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s´bëhet.
-Mirë, mirë!-thashë.
Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s´kishin lidhje me njëri tjetrin.

-A di çka,-tha ajo,-ta lëmë Hënën.
-Ta lëmë, nëse na lë.
-Mos u tall!
-Nuk po tallem.
-Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës!
-Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe?
-Po, ke të drejtë.
-S´dua!
-Pse?
-S´dua t´ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme.
-Ani që është e dhimbshme, ani.
-Por ti s´e merr vesh!
-Si nuk e marr vesh!-tha ajo.-Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet ta gënjejë nënën…
-Eh…-thashë unë.
Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therrëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye.

Shikova nëpër dritare: m´u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. Çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet.
-Ha, ha,ha!-dëgjohej e qeshura e saj.
Mora kitaren. Drodha një tel. I thashë:
-Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore!
Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë tela e i thashë:
-Për ty, për ty që m´je tingull i pazëshëm!
-Paska tinguj të pazëshëm?
-Ja, paska!
Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje.
-Shiko veten, o i mjerë!-tha ajo.
-O gjuetar i ëndrrave, a s´po sheh se je krejt lakuriq!
-Unë?

-Ti, ti…A s´po sheh se ke mbetur lakuriq?…A s´po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?…Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës…
Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë.
Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…

Shkurt, 1957 / KultPlus.com

56 vite nga lindja e artistes Anita Bitri

Anita Bitri (8 janar 1968 – 19 tetor 2004) është këngëtare shqiptare dhe fituese e Festivalit i 29-të i Këngës në RTSH.

Anita Bitri u lind në Sarandë, më 8 janar 1968 në një familje intelektuale. Që në moshë shumë të vogël recitonte poezi të njohura dhe imitonte këngë të festivaleve. Me pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës, ku paraqitet si valltare në rolin e “bletës punëtore”, tërhoqi vëmendjen e pjesëtarëve të jurisë, të cilët e vlerësuan si kërcimtaren dhe këngëtaren më të mirë të këtij Festivali.

Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionierëve të rrethit të Vlorës, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi.

Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”.

Gjatë një koncerti ku ajo merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtaret u sëmur dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zëvendësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar të këndonte, propozuan atë dhe efekti ishte i mahnitshëm. Prezantimi i parë u prit me duartrokitje pa fund nga publiku i sallës i elektrizuar nga zëri i mahnitshëm i saj. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesshme artistike, që ka vetëm një protagoniste: Të madhen dhe të paharruarën ANITA BITRI.

Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito” kompozuar nga Aleksandër Vezuli.

Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në dashuri”, “Abrakadabra” etj. Në këto vite triumfi Bitri pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë. Më pas ajo korr një sukses të jashtëzakonshëm në shkallë kombëtare me koncertet e saj recitale të titulluara “Anita”.

Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar”, ne SHBA. Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë në rritje. Ajo po ashtu e dha kontributin e saj edhe në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë.

Në 2004, pati një vdekje aksidentale, në moshën 38 vjeçare, për shkak të një bllokimi të ventilimit të kaldajës, në shtëpinë ku banonte./ KultPlus.com

Gavril Dara i Riu, eksponent i rëndësishëm i kulturës arbëreshe

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot, në 199-vjetorin e lindjes, një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe penës arbëreshe, poetin Gavril Dara (i Riu).

Lindi në Palac Adriani të Sicilisë, më 8 janar 1826, në një familje të shquar abëreshe. Mësimet e para i mori në Seminarin arbëresh të Palermos. Vite më vonë mbrojti doktoraturën në drejtësi.

Më 1858 botoi fletoren letrare “Përtëritja e jetës” (Palingenesi) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”, e cila botohej në Romë. Më 1864 shkroi një poemë prej 1300 vargjesh, e cila titullohej “Ana Maria“.

Pasioni i tij ishte poezia dhe folklori. Gavril Dara i Riu ka lënë në dorëshkrim një ndër kryeveprat e letërsisë sonë “Kënga e sprapsme e Balës”, e cila u botua në vitin 1906. Gavril Dara i Riu është marrë me gjuhësi, filozofi dhe arkeologji./atsh/KultPlus.com

90 vite nga lindja e Elvis Presley, ‘Mbreti i Rock and Roll-it’

Sot 90 vite më parë ka lindur këngëtari dhe aktori amerikan me famë botërore Elvis Presly, shkruan KultPlus.

I lindur më 8 janar 1935. Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti I Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”.

Presley kishte lindur në Tupelo, Mississippi, si një binjak-pa binjak, dhe kur ishte 13 vjeçar, ai dhe familja e tij u vendosën në Memphis, Tennessee. Karriera e tij muzikore filloi dikur më 1954, kur regjistroi një këngë me producentin Sam Philips nga Sun Records. Në bashkëpunim me kitaristin Scotty Moore dhe basistin Bill Black, Presley ishte ndër themeluesit e rokut, me uptempo, back beat me elemente të muzikës country dhe R&B. Ai u menaxhua nga Kolonel Tom Parker për më se dy dekada, me kontratën e nënshkruar nga RCA. Kënga RCA e parë e Elvisit , “Heartbeat Hotel”, u lansua në janar 1956 dhe u bë hiti numër 1 në SHBA. Ai fitoi titullin “Mbreti i Rock and Roll-it” pas një serie të suksesshme të paraqitjeve të tij në televizion dhe rekordeve të tij prijëse në top listat. Interpretimet e tij energjike të këngëve dhe stili i tij provokativ, i kombinuar me talentin e madh e bëri atë shumë të famshëm dhe të diskutueshëm.

Në nëntor 1956, ai nxori filmin e tij Love Me Tender. Më 1958, u rekrutua nga shërbimi ushtarak. Ai vazhdoi karrierën e tij muzikore pas dy viteve, duke krijuar disa nga punimet e tij më të suksesshme komerciale para se të përkushtohej më shumë me filmat hollivudian si dhe albumet e tyre shoqëruese (vitet 1960), të cilat u përqeshën dhe u kritikuan. Më 1968, pas një ndërprerjeje shtatë vjeçare nga performancat e drejtpërdrejta, ai u rikthye në skenën me brohoritje të shumta për replikën e veçantë Elvis, e cila e dërgoi në një turne koncertesh të zgjatura në Las Vegase dhe një varg turnesh shumë fitimprurëse.

Më 1973, Presley mori pjesë në koncertin e parë të transmetuar globalisht përmes satelitit, Aloha from Hawaii (Përshëndetje nga Hawaii).

Disa vite abuzimi me drogë në formë barnash ndikuan në dobësimin e shëndetit të tij, dhe më 1977 ai vdes në moshën 42 vjeçare. / KultPlus.com

Presley është një ndër muzikantët më të njohur dhe më me ndikim të shekullit 20. Komercialisht i suksesshëm në shumë zhanre, duke përfshirë atë pop, blues dhe gospel, ai është solo – artisti më i shitur në historinë e muzikës me shitjet e regjistruara të vlersuara prej rreth 600 milion kopjeve në gjithë botën. Ai fitoi 3 çmime Grammy, dhe poashtu “Çmimin Grammy Të Arritjeve Të Jetës” (Grammy Lifetime Achievement Award), në moshën 36 vjeçare, dhe ka hyrë në sallat e shumta muzikore të famës./KultPlus.com

U kthye në model për njerëzit, gjeniu Stephen Hawking dhe historia e gruas që e mbajti atë gjallë

Sot janë shënuar 82 vjet nga lindja e fizikantit të njohur, Stephen Hawking.

Fizikanti, kozmologu dhe autori i teorisë angleze konsiderohet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj dhe puna e tij ka ndikuar në mësimet e relativitetit të përgjithshëm dhe mekanikës kuantike.

Që nga viti 1963, Hawking ka vuajtur nga një sëmundje e njohur si ‘skleroza laterale amyotrophic’, ose ALS. Në atë kohë mjekët i dhanë vetëm dy vjet kohë jetë. Në fakt kjo sëmundje i merr jetën njerëzve brenda 5 viteve, por ai është njeriu që sfidoi doktorët dhe veten tij. Që pas deklaratës së mjekëve ai ka jetuar 50 vjet më shumë.

Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës. Ndërkohë që në një dokumentar të vitit 2013, ai tha: Mjekët menduan se kisha shkuar aq larg me mendje sa nuk mund të kthehesha më në tokë, në realitet dhe kështu i kërkuan Jane-it t’i fiknin makinën.

Por Jane nuk pranoi dhe këmbënguli që ai të kthehej në Kembrixh. Hawking tregon se terapia intensive ishte periudha më e keqe e jetës së tij. Sëmundja e ka lënë të paaftë të flasë dhe ka nevojë për kujdes të përhershëm, por kjo nuk e ka penguar që të vazhdojë punën në lidhje me shkencën.

Në vitin 1988 botoi ​​librin “Një histori e shkurtër e kohës”, e cila që atëherë u kthye në best seller, me 10 milion kopje të shitura në mbarë botën. Gjithashtu, Hawkings u kthye në një model frymëzuar për njerëzit me aftësi të kufizuara anembanë globit, ku në një fjalim me rastin e hapjes së Lojërave Paraolimpike në Londër, në vitin 2012, i bëri njerëzit të qajnë e të kuptojnë sa e rëndësishme është jeta./ KultPlus.com

88 vjet nga lindja e shkrimtarit Anton Pashku

Më 8 janar të vitit 1937, lindi shkrimtari Anton Pashku, shkruan KultPlus.

Sot është 88 vjetori i lindjes së këtij shkrimtari me emrin e të cili lidhet letërsia bashkëkohore shqiptare.

Bënte pjesë në brezin që hodhi themelet e prozës shqiptare në letërsinë shqipe në Kosovë, së bashku me Adem Demaçin dhe Ramadan Rexhepin.

Anton Pashku është autor pa paramodel në letërsinë shqipe, por njëkohësisht është vetë model specifik, thyes e konsolidues i traditës letrare shqipe. Anton Pashku, specifikisht, është ndër të parët shkrimtarë të letrave bashkëkohore shqipe, i cili veçohet për trajtimin e temave të vogla, rrëfimin prej perspektivave të ndryshme, observimet psikonarrative, shpërfilljen e normave të zakonshme të shkrimit letrar.

Anton Pashku vdiq më 31 tetor të vitit 1995, ndërsa la pas vetës shumë tregime, drama e romane të cilat i mbetën lexuesit shqiptarë më shumë se një kujtim nga shkrimtari i madh./KultPlus.com

Ekspozohen në “Shtëpia Kadare”, dorëshkrime të panjohura të shkrimtarit të madh

Në Shtëpinë Studio Kadare u çel mbrëmë ekspozita e titulluar “Kadare – Dorëshkrime dhe letërkëmbime të panjohura”.

Ishin të pranishëm personalitete të jetës kulturore në vend si dhe miq e adhurues të shkrimtarit të madh.

Vizitorët e kësaj ekspozite do të mund të shohin dorëshkrime të veprave themelore të shkrimtarit. Gjithashtu letra me peshë për historinë e kulturës shqiptare.

Mes dorëshkrimeve të shumta, kjo ekspozitë përmban edhe një letër që nobelisti Günter Grass i drejtonte Ismail Kadaresë që në vitin 1987, duke i shkruar në emër të Akademie der Künste (Akademia e Arteve në Berlin, themeluar në vitin 1696). Në atë letër Grass i kërkonte Kadaresë të merrte pjesë në Takimin e Artistëve Evropianë, në Amsterdam.

Ekspozita zbulon të tjera kuriozitete nga jeta e kolosit të letrave shqipe. Ajo do të jetë e hapur përgjatë muajit janarit dhe shkurtit./atsh/KultPlus.com

Kalatë e Shkodrës dhe Lezhës me numër rekord vizitorësh përgjatë vitit 2024

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër raportoi për një rritje mbresëlënëse të numrit të vizitorëve në sitet arkeologjike të Shkodrës dhe Lezhës.

Gjatë vitit 2024 Kalaja e Rozafës, një prej atraksioneve kryesore turistike të qytetit, u vizitua nga 157 827 vizitorë. Kjo shifër është 25,5% më e lartë, krahasuar me vizitueshmërinë gjatë vitit 2023.

Ndërsa Kalaja e Lezhës priti 7771 vizitorë gjatë vitit 2024, shifër kjo që sipas statistikave rezulton të jetë 70% më e lartë se një vit më parë.

Të dhënat e ofruara nga DRTK Shkodër tregojnë një interes të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj për trashëgiminë kulturore të këtyre trevave. Kalaja e Rozafës dhe Kalaja e Lezhës po bëhen gjithnjë e më të njohura si destinacione turistike të rëndësishme.

Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Ajo ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar një territor të gjerë përreth dhe përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë shkallësh, duke u ngritur njëri pas tjetrit e që ndahen me porta mes tyre.

Ndërsa Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu ende mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane./atsh/KultPlus.com

Media irlandeze “The Irish News”: Shqipëria ndër destinacionet më të mira për pushime në 2025

Shpenzoni më pak duke planifikuar pushime në destinacione të përballueshme, shkruan Sarah Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen irlandeze “The Irish News”.

Fillimi i një viti të ri premton fillime të reja – por përfshin gjithashtu një rritje të pashmangshme të çmimeve.

Por, ndërsa inflacioni vazhdon të rrisë çmimet në disa vende të botës, ekzistojne ende destinacione ku kostoja e jetesës është e ulët.

Për fat të mirë, ka mjaft opsione për të zgjedhur nëse doni të kurseni para pa kompromentuar rrezet e diellit ose cilësinë e përvojave.

Ne ju sugjerojmë gjashtë vendet më të mira dhe më të përballueshme për të pushuar në vitin 2025:

1-Shqipëria
2-El Gouna, Egjipt
3-Galicia, Spanjë
4-Voss, Norvegji
5-Bosnjë-Hercegovinë

Destinacioni më i mirë për aventura: Shqipëria

Qoftë për të shëtitur nëpër rrugët me kalldrëm, duke vështruar majat e maleve apo duke notuar në ujërat e kaltra, është e lehtë ta ngatërroni Shqipërinë me fqinjin e saj përtej detit Adriatik.

Por, krahasuar me Italinë, plazhet janë më të qeta, pikat e fshehura janë më të shumta dhe çmimet janë dukshëm më të lira.

“The Irish News” ju rekomandon një udhëtim në të gjithë vendin ballkanik.

Mësoni për të kaluarën e Shqipërisë përmes arkitekturës otomane, fashiste dhe sovjetike të kryeqytetit të Tiranës.

Eksploroni shtigjet në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe pushoni në plazhet e arta të Rivierës Shqiptare.

Një udhëtim tetëditor kushton nga 911 paund për person, duke përjashtuar fluturimet./atsh/KultPlus.com

Pse Thomas Edison dhe Nikola Tesla u përplasën gjatë betejës së rrymave?

Qasjet e ndryshme të shpikësve për krijimin e një sistemi elektrik të standardizuar përfundimisht i larguan ata.

Thomas Edison njihet gjerësisht si një nga shpikësit më të rëndësishëm të historisë, një trashëgimi e lindur nga gjenialiteti i tij i padiskutueshëm në laborator dhe pamëshirshmëria e theksuar si biznesmen. Thënia e vjetër është se historia shkruhet nga fitimtarët, dhe në rastin e Edisonit, ai e rrotulloi narrativën e tij në kohë reale. Ndonjëherë, si në rastin e shpikjeve të zhvilluara nga bashkëkohësit si Nikola Tesla, kjo nënkuptonte paksa përkuljen e së vërtetës.

I lindur në vitin 1847, në fund të revolucionit industrial, Edison ishte pjesë e një valë të re shkencëtarësh dhe shpikësish që ndriçuan rrugën drejt epokës moderne. Laboratori i tij i famshëm kërkimor në Menlo Park, Nju Xhersi priti zhvillimin e inovacioneve që ende nënshtrojnë pjesën më të madhe të infrastrukturës sonë industriale dhe konsumatore, duke përfshirë gramafonin (i cili regjistronte dhe luante tinguj), filmat dhe llambën e dritës. Puna e tij atje ishte aq e rëndësishme sa qyteti në të cilin ndodhej Menlo Park tani mban emrin e tij.

I fiksuar pas punës së tij dhe i njohur si një shef kërkues, Edison kishte një ego po aq inkandeshente sa llambat e tij, një ndjenjë të madhështisë së tij që ishte padyshim e justifikuar. Ai ishte gjithashtu tepër konkurrues, i gatshëm të bënte gjithçka që kërkohej për të siguruar që ideja e tij të fitonte.

Edison shpiku ndriçimin DC, një zgjidhje më e sigurt për llambat harkore shpesh të rrezikshme

I lindur në Serbi, Tesla ishte një gjeni tjetër. Ndërsa Edison ishte një eksperimentues dhe kallajxhi i përjetshëm, Tesla ishte një llogaritës njerëzor dhe aftësia e tij për të përpunuar ekuacione komplekse të matematikës dhe fizikës në mendjen e tij e ndihmoi atë të arrinte suksesin e hershëm të karrierës në Evropë.

Pas një adoleshence nomade që kaloi duke udhëtuar dhe duke ndjekur mësime në të gjithë Evropën Lindore, Tesla u mbyll në Hungari në moshën 25-vjeçare, i punësuar për të punuar si inxhinier elektrik në Bursën Telefonike të Budapestit. Ai shkëlqeu atje, duke kanalizuar prirjet e punës që ai kishte shfaqur si student i mirë në Kroaci përpara se të linte shkollën. Brenda një viti ai shkoi në Paris për të punuar për kompaninë Continental Edison, një degë e biznesit të suksesshëm amerikan të shpikësit.

Në atë moment, energjia elektrike kishte filluar të ndriçonte rrugët e qyteteve në mbarë botën. Në fillim, shumica e qyteteve përdornin llamba me hark të tensionit të lartë për të ndriçuar qiellin e natës, por ndërsa ato shkëlqenin dhe mahnitën një qytetërim që gjatë gjithë historisë ishte qeverisur nga lindja dhe rënia e diellit, teknologjia e hershme e ndriçimit gjithashtu paraqiti një problem. : ishte shumë e rrezikshme . Ndriçimi me hark ushqehej nga stacionet e energjisë që pomponin më shumë se 3,000 volt energji elektrike në të njëjtën kohë, gjë që shpesh çonte në shkëndija, mbinxehje dhe shpërthime të plota në vende publike, duke rënë shira të energjisë elektrike mbi këmbësorët dhe duke ndezur zjarre me rregullsi.

Energjia elektrike e gjeneruar nga rryma direkte (DC) ishte një alternativë shumë më e sigurt, dhe sapo Edison zhvilloi një llambë inkandeshente të qëndrueshme dhe afatgjatë , ai u nis për të siguruar ndriçim për shtëpitë dhe ndërtesat në mbarë botën. Në vitin 1882, kompania e tij Edison Illuminating hapi stacionin e parë qendror të energjisë në botë në Pearl Street në Manhattan. Kompania përdori rrymë direkte për të dhënë 110 volt energji elektrike në ndërtesat e afërta – ajo filloi me 59 klientë – dhe siguroi një reduktim të ndjeshëm të rrezikut të një fatkeqësie aksidentale.

Tesla shpiku një sistem energjie me rrymë alternative

Për dy vitet e ardhshme, prodhimi elektrik DC i Edison-it përhapi dritën inkandeshente në një numër në rritje qytetesh në të gjithë vendin. Por për shtrirjen e saj në rritje, ajo kishte një dobësi të konsiderueshme: energjia elektrike e dhënë nga rryma direkte mund të udhëtonte vetëm kaq larg, veçanërisht në ato ditë të hershme. Si rezultat, shpikësit e tjerë vazhduan të zhvillonin atë që quhej rrymë alternative (AC), e cila mund të modulonte lehtësisht tensionin, duke përdorur transformatorë.

Tesla ishte një nga ata besimtarë të AC. Në vitin 1882, ndërsa punonte për postin e Edisonit në Paris dhe dilte në një shëtitje me një mik, Tesla u godit befas me zgjidhjen e një sfide inxhinierike që e kishte shqetësuar për disa kohë. Aftësia e tij për të vizualizuar të gjitha ekuacionet komplekse matematikore dhe bëmat inxhinierike erdhi në ndihmë, pasi Tesla ëndërroi mekanikën e një motori që gjeneron AC.

Zhvillimi dhe përmirësimi i gjeneratorit të rrymës alternative u bë diçka si një obsesion për të dhe në 1884, kur shefi i tij amerikan në Paris u thirr përsëri në Shtetet e Bashkuara, ai sugjeroi që Tesla të emigronte në perëndim. Dhe kështu në shtator të atij viti, Tesla mbërriti në Manhattan pas një udhëtimi të mundimshëm, në të cilin shumica e pasurisë së tij u vodhën gjatë një rebelimi në anije.

Tesla më në fund punoi për Edison, por të dy kishin ideologji kundërshtuese

Megjithatë, paratë nuk do të ishin një shqetësim për kaq gjatë. Tesla u përplas me vetë Edison, i cili e ftoi shpikësin emigrant të punonte për të në Edison Machine Works në Lower East Side të Manhatanit. Një letër rekomandimi nga shefi i tij i vjetër nuk e dëmtoi kauzën e tij.

Në atë kohë, Tesla kujtoi në një intervistë vite më vonë, se ai ishte i mahnitur nga shefi i tij i ri. “Ky njeri i mrekullueshëm, i cili nuk kishte marrë asnjë trajnim shkencor, por kishte arritur aq shumë, më mbushi me habi.”

Tesla u vu në punë në një sërë projektesh, duke përfshirë riparimin e sistemit të qarkut në Oregon, varkën e parë që u ndez nga energjia elektrike, rimontimin e gjeneratorëve DC dhe detyra të tjera. Vite më vonë, në një intervistë të kryer në 1921, Tesla kujtoi se i kishte bërë përshtypje Edisonit me rregullimin e tij të shpejtë të sistemit të ndriçimit të Oregonit, deri në atë pikë sa Edison e shpalli atë një “njeri të mallkuar të mirë”.

Shpikësi serb u ngarkua gjithashtu me krijimin e një sistemi ndriçimi me hark, por përdorimi i tij i energjisë AC nuk ishte me interes për Edison, i cili kishte një pasuri të investuar në energjinë DC dhe nuk donte të humbiste besnikërinë e tij. Më vonë, Tesla me sa duket do të thoshte se vetë Edison premtoi një shumë të madhe për të përmirësuar sistemin DC, më pas e tërhoqi ofertën kur Tesla i paraqiti punën e tij, duke pretenduar se ai “nuk e kuptonte humorin amerikan”, duke e zemëruar Teslën deri në atë pikë sa ai doli me furtunë dhe u nis vetë, i vendosur të kundërshtonte shpikësin e vjetër.

Më pas Tesla i licencoi patentat rivalit të Edisonit

Tesla punoi për Edison vetëm për rreth gjashtë muaj, dhe pas një kohe të kaluar duke gërmuar varre, ai mori para të mjaftueshme nga investitorët për të krijuar kompaninë e tij në Rahway, New Jersey, afër Menlo Park. Ata investitorë e hoqën kompaninë nga pushteti i tij, dhe vetëm në vitin 1887, me një fabrikë të re në Manhattan, Tesla ishte në gjendje të ndiqte me të vërtetë motorin AC.

Nuk do të kalonte shumë kohë përpara se të zotëronte makinën, pasi iu dhanë shtatë patenta të veçanta për mekanikën e saj të ndryshme në pranverën e vitit 1888. Menjëherë pas kësaj, ai i licencoi ato patenta te George Westinghouse, rivali kryesor i Edisonit në garën për furnizim e qytetet. Gara midis AC dhe DC do të përshkallëzohej prej andej, me Edison që tërhiqte pothuajse të gjitha ndalesat për të provuar se AC ishte i rrezikshëm, (edhe pse vdekja e famshme nga goditja elektrike e elefantit Topsy nuk ishte bërë e tij) për të diskredituar atë që përfundimisht do të dëshmonte një largësi.

Tesla vdiq pothuajse pa para, megjithëse kjo nuk kishte të bënte me Edison. Ai bëri një pasuri nga kontratat e tij me Westinghouse, por i humbi të gjitha përmes marrëveshjeve të dobëta të biznesit, investimeve të këqija dhe shpenzimeve në eksperimente madhështore që rezultuan një dështim. Rivaliteti i tij i supozuar me Edison ishte pothuajse nga shoqërimi dhe ndryshimi i mendimeve për çështjet shkencore, i theksuar vetëm në pamje të pasme si karriera e pabesueshme e Teslës, e cila shtrihej shumë më tepër se risitë e energjisë AC.

Biography/ Jordan Zakarin

Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë dokumenton të dhëna mbi tre lloje shpendësh në liqenin e Prespës së Vogël

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura Korçë bën të ditur se përgjatë vitit 2024 Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë dokumentoi të dhëna mbi tre lloje shpendësh, në liqenin e Prespës së Vogël.

Sipas AKZM-së, llojet e shpendëve në Parkun Kombëtar “Liqeni i Prespës së Vogël”, janë  karabullaku i vogël me 56 individë, bajza me 33 individë dhe çafka e madhe e bardhë me 13 individë.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë është një aktivitet shumë i rëndësishëm, që u zhvillua edhe në Shqipëri vitin e kaluar.

Rreth 143 shtete nga e gjithë bota realizojnë një studim kaq të rëndësishëm. Ku popullata të ndryshme të shpendëve të ujit kërkojnë skema të ndryshme monitorimi.

Regjistrimi Ndërkombëtar i shpendëve të ujit përfshinë të gjitha llojet e ligatinave natyrore dhe ato të krijuara nga njeriu, si edhe të gjithë llojet e shpendëve që hasen në këto habitate.

Për realizimin e tij kontribuan Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ekspertë dhe vullnetarë të organizatave mjedisore të cilët marrin pjesë rregullisht në këtë moment të rëndësishëm për faunën në Shqipëri.