Rama: Parku Kombëtar i Vjosës dhuron eksperienca të paharrueshme dhe peizazhe mbresëlënëse

Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga lumi Vjosa, ku adhurues të sporteve ujore gjejnë oaz freskie dhe mundësi për rafting.

“Nga Vjosa, i vetmi Park Kombëtar i një lumi të egër në Europë, që dhuron eksperienca të paharrueshme dhe peizazhe mbresëlënëse, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Vjosa fillon në Greqi si Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër malet e Ballkanit dhe në fund të arrijë në detin Adriatik.

Gjatë rrugës, ajo kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rërë dhe kthesa të mrekullueshme.

Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra Blu e Evropës”.

Në 13 mars lumi i Vjosës, i fundit i egër në Europë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”./ KultPlus.com

Festivali “Vjosa ime” në Tepelenë, promovim i kulturës dhe turizmit

Nis “Vjosa ime”, një event dy ditor në Tepelenë, i cili do të përfshijë zhanre të ndryshme; art, turizëm, muzikë, letërsi, teatër, pikturë, muzikë, panair, trashëgimi, eksplorim etj.

Gjatë 48 orëve të titulluara “Vjosa Ime” do të zhvillohen aktivitete, ku do të ndërthuren koncert me muzikë klasike, mbrëmje poetike, ekspozitë me libra, shfaqje teatri, panair me veshje të ndryshme popullore të krahinës, veshje të punuara me dorë, punime druri, metali, e më tej prodhime kulinarie tradicionale, bimësi medicinale etj.

Gjatë këtyre aktiviteteve do të organizohen edhe ture me një guidë profesionale në pika kryesore që përfshijnë site të trashëgimisë kulturore si Ujëvara e Peshturës, Uji ftohtë, në grykëderdhje të Drinos, ku lidhet me Vjosën, etj.

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e Bashkisë Tepelenë, do të realizohet edhe një koncert i pianistit e multiinstrumentistit Robert Bisha, i cili do të shoqërohet nga një bandë frymore. Koncerti “Home Neverland” do të mbahet në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, mbrëmjen e së dielës.

Ndërsa në pedonalen buzë Vjosës do të zhvillohet “Këndi i librit”, një kënd i veçantë kushtuar poetëve dhe autorëve tepelenas si Petrit Ruka, Ilirjan Zhupa, Lirim Deda, Maliq Lila, Agim Shehu, Izet Cculli, Xhezo Canaj, Islam Kalemi etj, veprat e të cilëve do të ekzpozohen në kuadër të projektit “Vjosa ime”.

Shumë nga poezitë e njohura të tyre dhe poezi të tjera do të interpretohen nga aktorët e mirënjohur Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Kristian Koroveshi në një mbrëmje peotike të organizuar me këtë rast. /atsh / KultPlus.com

Di Caprio për Vjosën Park Kombëtar: Moment historik nga bashkëpunimi mes qeverisë dhe shoqërisë civile

Aktori i njohur amerikan Leonardo Di Caprio, një nga aktivistët më të njohur për mbrojtjen e lumit Vjosë ka reaguar pas shpalljes së lumit Vjosa, Park Kombëtar.

Në një postim në rrjetet sociale, Di Caprio e ka cilësuar historike këtë moment ndërsa ka përshëndetur vendimin e marrë nga qeveria shqiptare.

Ai thekson se bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe bizneseve ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë.

Di Caprio nënvizon se “lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Tani është një vizion i ri për ruajtjen globale të lumit. Urime për të gjithë ata që e bënë realitet këtë përpjekje të mahnitshme”. / atsh / KultPlus.com

Kumbaro: Lumi Vjosa shpallet Park Kombëtar

Lumi i Vjosës u shpall sot nga qeveria shqiptare si lumi i fundit i egër në Europë, “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë thjesht, “park natyror”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot pas mbledhjes së qeverisë se, “kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje deri në 12 727 ha që është gjithë sipërfaqe ujore, bregore, bashkë me disa sipërfaqe të tjera tokësore, të cilat së bashku me të 3 degët e Vjosës, lumi Drino, Bënçë e Shushicë bëjnë atë që sot është parku i parë në Europë, i një lumi të egër siç është lumi i Vjosës”.

“Është punë e gjatë që kurorëzohet me këtë akt ligjor, është faza e parë kësaj pune që ka filluar që në fund të 2021. Pas fazës së parë të studimit, që kishte të bënte me parkun natyror është punuar ngushtësisht me shoqatat mjedisore, Unionin Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës, të cilët edhe na certifikuan në samitin e Montrealit të CO15, të biodiversitetit për standardet ndërkombëtare të arritura për të gjithë procesin e studimit, dhe përgatitjes së këtij parku kombëtar”, nënvizoi Kumbaro.

Kumbaro theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë me një kompani të njohur botërore në SHBA “Patagonia”,e  cila nënvizoi ministrja, “ka qenë bashkudhëtare në këtë udhëtim, për të avancuar pas kësaj jave, me një fazë të dytë me hartimin e planit të menaxhimit, shumë të domosdoshëm dhe masterplanit të zonës”.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Për shkak se, lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare./ atsh / KultPlus.com

“The New York Times” rendit Vjosën ndër destinacionet për t’u vizituar në 2023-shin

Rikthimi i udhëtimeve ka zbuluar thellësinë e përpjekjes sonë për të eksploruar botën. Pse udhëtojmë? Për ushqimin, kulturën, aventurën, bukurinë natyrore? Lista e këtij viti i ka të gjitha këto elemente dhe më shumë, shkruan në një artikull Alex Crevar, sipas “The New York Times”.

Në listën e 52 vendeve për të udhëtuar në 2023 është renditur edhe Lumi i Vjosës.

Lumi i Vjosës

Duke ecur me biçikletë nëpër kanionet dhe luginat e një prej rrugëve ujore të fundit natyrore të Evropës.

Mbrojtja e Vjosës, si një nga lumenjtë e fundit të pambrojtur të Evropës, nuk ka qenë e lehtë.

Pas një dekade projektesh të propozuara që kërcënonin të ndryshonin rrjedhën e egër të rrugës ujore, ekosistemet e saj të panumërta dhe luginat e saj të mbushura me komunitete të lashta, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje qershorin e kaluar për të krijuar Parkun Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës.

Realizimi i këtij zotimi, i planifikuar të bëhet realitet në vitin 2023, do të krijojë një model global mbrojtjeje duke ruajtur shtrirjen e vendit të mbuluar me kanione, një shtrirje prej 120 miljesh të një rrugë ujore 169 milje, e cila shkon nga malet Pindus në Greqi deri në detin Adriatik, si dhe duke përfshirë degë rreth 60 milje.

Për udhëtarët, në shtigje, si rruga e re e çiklizmit të UNESCO-s, në Shqipëri (hapja në janar 2023), e cila kalon përgjatë lumit dhe viziton vendet e Trashëgimisë Botërore si qyteti i Gjirokastrës, mbrojtja e Vjosës dhe sistemit të saj lumor, me mbi 1100 lloje kafshësh, nxit zbulimin e përgjegjshëm të vendbanimeve alpine, ku vendasit mirëpresin aventurierët për kafe, raki (raki frutash vendase) dhe një shans për të ngrënë ushqimin ballkanik shpesh, të anashkaluar.

Kryeministri Edi Rama duke sjellë në vëmendje artikullin në fjalë, e cilëson Vjosën si mbretëreshën e lumenjve të Europës. Sipas tij, gazeta më e madhe amerikane The New York Times, e sugjeron Vjosën ndër të parat në listën e destinacioneve për t’u vizituar me patjetër këtë vit, duke e cilësuar si bukuri e rrallë, ekosistem unik, që këtë pranverë pagëzohet edhe si Parku i parë Kombëtar i një lumi të egër në Europë, çka e bën vitin 2023, vitin e Vjosës./ atsh / KultPlus.com

Rikthimi i udhëtimeve ka zbuluar thellësinë e përpjekjes sonë për të eksploruar botën. Pse udhëtojmë? Për ushqimin, kulturën, aventurën, bukurinë natyrore? Lista e këtij viti i ka të gjitha këto elemente dhe më shumë, shkruan në një artikull Alex Crevar, sipas “The New York Times”.

“Actus for Vjosa”, bën bashkë 11 balerinë ndërkombëtarë e shqiptarë si homazh për natyrën (VIDEO)

Lumi Vjosa është një pasuri natyrore me bukuri të veçantë që ka Shqipëria, andaj si homazh për natyrën, do të mbahet një koreografi moderne nga Gentian Doda ku do të performojnë 11 balerinë ndërkombëtarë e shqiptarë, përcjellë KultPlus.

Në shenjë promovimi, si dhe me mesazhe për mbrojtje të lumit Vjosa, ju do të keni mundësinë të shohim performancën e balerinëve që do të vihen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Lajmin e ka bërë të ditur, Mirela Kumbaro Furxhi, e cila e ka cilësuar këtë iniciativë si dhuratë për të gjithë ne.

“Nuk ka më bukur se e diela që nis me pamjet “Actus for Vjosa”, kushtuar Vjosës, si homazh për natyrën e si dhuratë për të gjithë ne”, shkruan ndër të tjera Mirela.

Kjo iniciativë është mbështetur nga Was bleibt kollektiv – Gentian Doda, me mbështetje të Heinrich-Böll-Stiftung, EuroNatur

Koreografia do të shfaqet në datat 24 dhe 25 tetor. / KultPlus.com

Leonardo DiCaprio reagon sërish për lumin Vjosa pas deklaratës së Edi Ramës

Leonardo di Caprio ka reaguar pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama për ta shpallur zonën përgjatë lumit Vjosa si park natyror.

Aktori hollivudian ka postuar një video në rrjetet sociale, ku njofton se “qeveria Shqiptare është vetëm një hap larg shpalljes së Vjosës, Park Kombëtar”.

“Qeveria e Shqipërisë është një hap pranë shpalljes së Parkut të parë Kombëtar të lumit të egër në Europë, pasi së fundmi ka partneritet me Patagonia për të mbrojtur lumin Vjosa – një përpjekje që përfshin fushatën #SavetheBlueHeartofEurope. Lumi Vjosa i Shqipërisë është lumi më i madh i egër në Europë.

Lumi dhe degët e tij rrjedhin të pazbutur nga burimi në det, duke krijuar një ekosistem të biodiversitetit që mbulon mbi 300 km. Ajo është shtëpia e 1,100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 kafshë të kërcënuara globalisht dhe dy specie bimore”, shkruan Leonardo di Caprio. / KultPlus.com

Lumi Vjosa del nga shtrati, përmbyten shtëpitë në fshatin Fitore

Reshjet e dendura të shiut kanë tejfryrë lumin Vjosa, duke shkaktuar daljen e tij nga shtrati.

Raportohet se rreth orës 03:00 të mëngjesit, lumi ka çarë argjinaturën, duke përmbytur shtëpitë në fshatin Fitore.

Prurjet e mëdha kanë krijuar një situatë të pazakontë në Vlorë. Në terren ndodhet shtabi i emergjencave dhe kryetari i bashkisë, ndërsa banorët janë njoftuar të marrin masa për evakuuim.

Deri më tani janë larguar 11 familje, ndërkohë që vijon të ketë rritje të prurjeve në lum.

Situatë problematike për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej disa ditësh paraqitet dhe në Himarë. Lumi Shushica ka shkatërruar tërësisht urën e fshatit Kallarat. / KultPlus.com

Di Caprio zë i fuqishëm në mbrojtjen e Lumit Vjosa, kërkon mbështetje përmes peticionit

Aktori me famë botërore, Leonardo Di Caprio, po vazhdon të jetë zëri i fuqishëm për mbrojtjen e lumit Vjosa, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Instagram”, ai ndau një video me ndjekësit e tij, më shumë se 50 milionë të tillë, ku edhe shkroi se aktivistët kanë punuar pothuajse për një dekadë që të mbrojnë këtë lum.

“Aktivistët me @blueheartrivers kanë punuar për të mbrojtur Vjosën për një dekadë dhe përpjekjet e tyre kanë fituar mbështetje globale. Nëse Vjosa do të bëhej park kombëtar, ajo do ta mbronte përgjithmonë nga kërkimet e naftës dhe digat aty pranë, ndër të tjera”.

Tutje ai shpjegoi se një Park Kombëtar i Vjosës do të tërhiqte rreth 1.5 milionë vizitorë çdo vit, do të gjeneronte rreth 20 milionë euro të ardhura çdo vit dhe do të krijonte shumë vende të reja punës.

Përmes një linku të vendosur aty, shihet edhe peticioni i krijuar për të mos lejuar kompanitë e naftës të bëjnë kërkime aty.

Ky peticion veçse ka marrë vëmendje të madhe, ku madje është nënshkruar nga më shumë se 32 mijë njerëz. /KultPlus.com

Mbështetja ndërkombëtare për parkun kombëtar ‘Vjosa’ arrin edhe në Itali

Kërkesa që lumi “Vjosa” të shndërrohet në park kombëtar ka tash e sa kohë që i bëhet Qeverisë së Shqipërisë, duke përfshirë kështu mbështetjen e yjeve me famë botërore, me ç’rast së fundmi edhe një tjetër slogan është shpalosur në sheshin Duomo në Milano, Itali, përcjellë KultPlus.

Marka e veshjes ‘’Patagonia Milano’’ së bashku me aktivistë të tjerë kanë mbështetur sloganin #VjosaNationalParkNow.

@Paolo Aralla

Vjosa është kurora e #BlueHeartofEurope dhe njerëzit në të gjithë Shqipërinë duan ta mbrojnë atë përgjithmonë. Andaj, kërkesa vazhdon ndaj Qeverisë së Shqipërisë për të krijuar #VjosaNationalParkNow, i cili do të ishte parku i parë i lumit ‘të egër’ në Evropë.

@Paolo Aralla

Lumi Vjosa në Shqipëri është lumi i fundit i egër në Evropë jashtë Rusisë. Lumi dhe degët e tij rrjedhin lirshëm nga malet në Greqi deri në bregdetin Adriatik në Shqipëri. Kjo zonë e shkretëtirës përbëhet nga një mozaik i madh i llojeve të ndryshme të habitateve nga grykat e ngushta në pjesën e sipërme deri në pjesët e gjera të lumenjve të endur në pjesën e mesme deri në deltën gati-natyrore në Detin Adriatik. Vetëm shtrirja e mesme përbëhet nga të paktën 8 lloje habitatesh që kanë rëndësinë më të lartë të ruajtjes në nivelin e BE-së.

Njohuritë shkencore rreth biodiversitetit dhe proceseve fizike të Vjosës janë të kufizuara. Është një nga lumenjtë më pak të eksploruar në Evropë. Por disa studime ekzistuese nënvizojnë rëndësinë e luginës së lumit si pika e nxehtë e biodiversitetit në Shqipëri që ofron habitate ujore ideale për specie të shumta. Lumi është mikpritës i mbi 1,100 specieve, përfshirë 13 kafshë të kërcënuara globalisht dhe 2 specie bimore, dhe të paktën 50 kafshë dhe 24 specie bimore janë të përfshira në Listat e Kuqe të Shqipërisë.

@Paolo Aralla

Pellgu ujëmbledhës përreth u siguron fshatrave tokë pjellore për aktivitete bujqësore të tilla si prodhimi i bimëve dhe blegtoria. Bollëku dhe shumëllojshmëria e peshqve është jetike për mirëqenien e peshkatarëve vendas kryesisht në pjesën e poshtme të Vjosës. Ekoturizmi në Vjosa dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht në vitet e fundit në të cilat entuziastët kanë filluar të shijojnë aktivitete të tilla si rafting, Janji, kayaking, not, etj. / KultPlus.com

@Paolo Aralla

Gazeta e njohur italiane ‘Corriere della Sera’ përzgjedh lumin Vjosa për rafting

Ndër pushimet aktive në Evropë, janë 15 të përzgjedhura për të bërë rafting dhe një nga to është edhe lumi Vjosa, shkruan Francesca Masotti për rubrikën ”Viaggi” (”Udhëtime”) të gazetës më të njohur italiane ”Corriere della Sera”.

Gjithnjë e më shumë njerëz, të të gjitha moshave, tërhiqen nga ky aktivitet i mbushur me adrenalinë që ju lejon të argëtoheni dhe të kaloni orë të tëra në kontakt të ngushtë me natyrën.

Një nga më të preferuarit është edhe lumi Vjosa në Shqipëri.

Lundrimi në ujërat e lumit të fundit të egër në Evropë është i mundur.

Ku ndodhet?

Ai gjendet në Shqipëri.

Vjosa, një lumë që kalon në brendësi të jugut të Tokës së Shqiponjave derisa të derdhet në detin Adriatik, është mbretëria e natyrës shqiptare.

Ekzistojnë dy itinerare për rafting: rruga e gjatë, 18 kilometra që zgjat katër orë e gjysmë, fillon nga fshati Strembec dhe përfundon në Përmet, ndërsa ajo e shkurtër prej 10 kilometrash, që zgjat rreth tre orë, nis në fshatin Kaluth dhe përfundon në atë të Qilarishtit.

Dy shtigje përgjatë të cilave hasni peizazhe të pastra dhe të pandotura të karakterizuara nga ishuj, kanione, kalime të ngushta midis shkëmbinjve dhe harqeve prej guri.

Banjat termale të Banjës, pranë qytetit të Përmetit, duhet të shënohen gjithashtu në rendin e ditës, burimet natyrore ku rrjedh ujë shërues, ideale për t’u çlodhur pas kaq shumë aventurash”, përfundon gazeta e njohur. / atsh / KultPlus.com

Di Caprio i drejtohet Qeverisë së Shqipërisë: Lumi ‘Vjosa’ është park kombëtar

Aktori i njohur amerikan, Leonardo Di Caprio, i cili përpos se një aktor i suksesshëm njihet edhe për luftën që e bën në lidhje me ruajtjen e ambientit, madje shpesh, ndër postimet e tij të shumëta, aktori ka shprehur edhe shqetësimin e tij në lidhje me lumin ”Vjosa”, shkruan KultPlus.

Së fundi, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Di Caprio ka shpërndarë një fotografi të Tiranës, në qendër të së cilës është shkruar ”Vjosa, park kombëtar tani”.

Kërkesa që lumi “Vjosa” të shndërrohen në park kombëtar ka tash e sa kohë që i bëhet Qeverisë së Shqipërisë, duke përfshirë kështu mbështetjen e yjeve me famë botërore.

“Dhënia e statusit të lumit ‘Vjosa’ si një park kombëtar do të mbrojë zonën nga digat dhe një kërcënim të ri nga shpimet e naftës dhe gazit”, ka shkruar DiCaprio. / KultPlus.com

163 kilometra me biçikletë për të ndërgjegjësuar për nismën “Vjosa Park Kombëtar”

Fundjavë që shkoi një i ri nga Tirana pedaloi me biçikletë 163 kilometra përgjatë rrjedhës së lumit Vjosa për të ndërgjegjësuar qytetarët që të kërkojnë shpalljen e pellgut ujëmbledhës të këtij lumi Park Kombëtar.

Erind Gjoni, 33 vjeç, baba i dy fëmijëve, i cili çiklizmin e ka pasion që e ushtron vitet e fundit, pedaloi të shtunën me biçikletë nga “Tre Urat” në Përmet deri në grykëderdhjen e lumit Vjosa në Adriatik. Një itenerar prej 7 orë e 46 minutash pedalim mes peizazheve përrallore që ofron mjedisi i veçantë i rrjedhës së Vjosës.

Duke përshkruar nismën e tij të shpallur në rrjetet sociale ai tha për Euronews Albania se ideja për të përshkruar 163 kilometra me biçikletë i erdhi rreth një vit më parë kur u njoh me angazhimet e shoqatave mjedisore për të mbrojtur lumin e Vjosës nga projektet për hidrocentrale.

Në përditshmëri, Erindi merret me marketing si profesion dhe thotë se për të “çiklizmi dhe natyra janë ekuilibër mes jetës profesionale dhe asaj familjare”.

“Pasioni im është çiklizmi, bëra 163 kilometra brenda ditës për të thënë fjalën time për Vjosën, të tjerë mund të ngjisin një nga malet përreth nga ku gjarpëron ky lum, të tjerë mund të bëjnë kanotazh, apo ide të tjera, por e rëndësishme është që të gjejmë një mënyrë për të tërhequr vëmendjen për këtë çështje. Vetëm kështu do frymëzojmë të tjerë dhe mundësojmë që Vjosa të bëhet Park Kombëtar,” –thotë Gjoni.

Dy dhjetëvjeçarët e fundit, lumi i Vjosës, i cili rrjedh nga malet e Pindit në Greqi, është vënë në rrezik nga projektet e dhjetëra hidrocentraleve të planifikuara në përrenjtë apo dhe vetë shtratin e tij – ndër më kërcënuesit sipas shoqatës mjedisore EcoAlbania janë hidrocentrali i Poçemit dhe ai i Kalivaçit.

Në rrjedhën e lumit Vjosa, i konsideruar i fundit lum me rrjedhë të lirë në Evropë, jetojnë rreth 1,100 specie, të cilat mund të zhduken nëse në lum ndërtohen diga. Për këtë një grup ekspertësh vendas dhe të huaj kanë rekomanduar që zona të shpallet Park Kombëtar.

“Mendimi im është që të gjithë ne duhet të pozicionohemi qartë për idetë tona dhe të ngremë zërin për çështjet që mendojmë se janë të padrejta. Në këtë vend kanë ngelur pak gjëra për të cilat ia vlen të luftohet dhe ia vlen të mos largohesh dhe Vjosa për mua është një prej tyre,” – shprehet më tej Erind Gjoni, duke shtuar se shpreson që të tjerë si ai të bëjnë diçka më tepër për të ndërgjegjësuar për çështjen.

Nga qeveria është thënë se në lumin Vjosa nuk do të lejohen ndërtime hidrocentralesh dhe se zonës do t’i jepet statusi “Zonë e Mbrojtur” si “Peizazh natyror”. Mirëpo mjedisorët thonë se ky status nuk e mbron tërësisht ekosistemin e zonës dhe lë të hapur që në të ardhmen projekte të tjera të mund të gjejnë zbatim.

Mjedisorët kanë përshkallëzuar fushatën gjatë muajit të fundit duke u kërkuar palëve politike që në programet e tyre ta qartësojnë qëndrimin që kanë për kërkesën e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar./ KultPlus.com

Pas Leonardo Di Caprio edhe Norton bën thirrje për mbrojtjen e lumit Vjosë

Pas thirrjeve të të aktorit të njohur, Leonardo Di Caprio për mbrojtjen e lumit Vjosë, nga ndërtimi i HEC-eve, listës i është bashkuar edhe aktori Edward Norton.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Norton, ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve për të mos lejuar dëmtimin e lumit.

“Lumi Vjosa rrjedh i paprekur nga burimi në det dhe grupet e komunitetit lokal në Shqipëri po bëjnë thirrje që ai të mbrohet përmes krijimit të një parku të ri kombëtar. Tregoni mbështetjen tuaj, ndani filmin e Patagonia me #VjosaNationalParkNow”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Ujit, Albin Kurti bën thirrje që lumi Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Sot në Ditën Botërore të Ujit, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i bënë thirrje Republikës së Shqipërisë që lumi Vjosa të shpallet Park Kombëtar dhe që qeveria të heqë dorë nga të gjitha planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.

Kurti tutje potencon se Vjosa, lumi që lidh Shqipërinë me Evropën, është pasuri e trashëgimi jo vetëm kombëtare por edhe evropiane.

Ai vazhdon të thotë se duhet të mbrojmë ato pasuri natyrore që kanë mbetur pa u prekur e dëmtuar e të restaurohen e rikthehen përsëri ato që tanimë janë degraduar.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Kurtit:

“Sot në Ditën Botërore të Ujit i bashkohem thirrjes së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, aktivistëve lokal dhe ndërkombëtar, kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 25 prillit dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që Qeveria e Shqipërisë të shpall lumin Vjosa Park Kombëtar dhe të heq dorë nga të gjitha planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.

Vjosa, lumi që lidh Shqipërinë me Evropën, është pasuri e trashëgimi jo vetëm kombëtare por edhe evropiane. Kanione të mrekullueshme, rrjedha të vrullshme e të papengueshme, ekosistem unik dhe 1,100 speciet që strehohen në të e bëjnë Vjosën lumin më të veçantë në Evropë.

Pavarësisht kërkesave të banorëve, angazhimit të aktivistëve dhe rezolutës së Parlamentit Evropian për të shpallur Vjosën park kombëtar akoma nuk është bërë asgjë.

Vjosa mbetet lumi i fundit i “egër” në kontinentin e Evropës i cili është i paprekur nga dora e njeriut dhe duhet të mbetet i tillë.

Njëjtë sikurse në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë qeveritë, pavarësisht kundërshtimeve publike e protestave të banorëve, kanë bërë presion të vazhdueshëm për ndërtim të hidrocentraleve. Në shpërputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, qeveritë në Kosovë kanë mundësuar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla duke prishur burimin e lumenjve ekzistues. Investime të tilla afatshkurtra për përfitime të shpejta materiale individuale, pa llogaritur fare dëmet afatgjate ekologjike dhe ndikimet negative në mirëqenien e komuniteteve, nuk do të bëhen më.

Tani është momenti që bashkë në Kosovë e në Shqipëri të mbrojmë ato pasuri natyrore që kanë mbetur pa u prekur e dëmtuar e t’i restaurojmë e rikthejmë ato që tashmë na i kanë degraduar.” / KultPlus.com

Leonardo Di Caprio në mbrojtje të lumit Vjosa

Aktori i famshëm hollivudian, Leonardo Di Caprio, i është bashkuar apelit dhe fushatës për mbrojtjen e lumit Vjosa në Shqipëri.

Në faqen personale në “Facebook”, Di Caprio, Di Caprio ka postuar filmin e lumit Vjosa ku i ka ftuar qytetarët që të firmosin peticionin për mbrojtjen e lumit, nga ndërhyrjet e qeverisë, si dhe ndërtimi i hidrocentraleve.

Postimi i plotë i DiCaprio-s:

Lumi Vjosa i Shqipërisë është lumi më i madh dhe ‘më i egër’ në Evropë. Nga malet e Greqisë deri në Detin Adriatik në Shqipëri, ai shtrihet në 300 kilometra, plotësisht i lirë nga barrierat artificiale, si dhe digat e hidrocentraleve. Lumenjtë dhe përrenjtë që janë degë të Vjosës janë shtëpia e më shumë se 1,100 specieve të botës së egër, shumë prej të cilave janë të kërcënuara.

Vjosa është kurora e #BlueHeartofEurope dhe njerëzit në të gjithë Shqipërinë duan ta mbrojnë atë përgjithmonë. Ata po i kërkojnë qeverisë së Shqipërisë për të krijuar #VjosaNationalParkNoë, i cili do të ishte parku i parë i lumit ‘të egër’ në Evropë.

Qëndroni me ta. Shikoni dhe ndani filmin e ri Vjosa Forever dhe nënshkruani peticionin. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/LeonardoDiCaprio/posts/286840762799369

Leonardo Di Caprio në mbrojtje të lumit Vjosa

Leonardo Di Caprio, aktori i njohur amerikan, ka publikuar fotografi të lumit Vjosa. Di Caprio sërish i është bashkuar fushatës për mbrojtjen e lumit nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Në llogarinë e tij në Instagram, aktori publikoi një fotografi të lumit me mesazhin “Vjosa, jo diga”. Ai duket se i është gëzuar lajmit të Edi Ramës, që projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar.

Tutje ai ka shkruar se “Parku Kombëtar i lumit Vjosa do të bëhet vendi më i madh i Evropës për ruajtjen e lumenjve që mbulon disa qindra kilometra lumenj dhe përrenj dhe mbron qindra apo edhe mijëra specie, si ngjala e Evropës në rrezik global dhe flutura e Vjosës e zbuluar së fundmi. Kjo do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Evropës dhe parku mund të bëhet një model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër”.

Ndryshe, Leonardo Di Caprio, iu bashkua nismës për mbrojtjen e lumit Vjosa, kundër ndërtimit të hidrocentaleve, rreth një viti më parë. / KultPlus.com

View this post on Instagram

A post shared by Leonardo DiCaprio (@leonardodicaprio)



Lumi i Vjosës në hartën e rafting në Shqipëri

Tashmë në lumin Vjosë mund të zhvillohet sporti i rafting, duke e shndërruar Tepelenën në një zonë me potencial turistik për të apasionuarit ndaj sporteve të aventurës.

Vizitorët vendas, por edhe turistët e huaj përveç ngjitjeve në mal, për të shijuar ujëvarat, kanionet, monumentet e natyrës, kalatë, objektet e kultit, ushqimin cilësor, mund të bëjnë edhe rafting.

Vjosa është një nga lumenjtë më të bukur, jo vetëm në Shqipëri, sa i përket pastërtisë, peizazhit përreth dhe gjallesave.

“Eksplorer Tepelena” është agjencia e parë turistike e sporteve ujore, që bëri të mundur prezantimin e saj në Javën e Ali Pashës.

“Një udhëtim mbi Vjosë, mund të jetë një eksperiencat më të bukura që keni provuar dhe kjo duhet patjetër në axhendën tuaj, kur vizitoni Tepelenën”, bën të ditur bashkia e Tepelenës.

Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Europë.

Tepelena që lehtësisht identifikohet me emrin e Ali Pashës dhe dhjetëra veprave të shkëlqyera inxhinierike që u ndërtuan nën dominimin e tij ofron këtë vit disa bujtina, kanionet e Nivicës, mundësinë për aktivitete të aventurës, kala, rrënoja antike dhe eksplorimin e një hapësire të gjerë me tradita blegtorale. /atsh / KultPlus.com

Paralajmërohet koncerti në mbrojtje të Lumit Vjosa (VIDEO)

Artistët kthehen sërish pas një viti nga koncertet protestë “Mos ma prek Valbonën“, dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri“, në Sheshin e Kryeqytetit, pranë Muzeut Kombëtar, në mbrojtje të Lumit Vjosa.

Në këtë koncert sensibilizues do të marrin pjesë artistët si: Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo Grupi Ppolifonik Lunxhëria, Grupi i Bençës dhe Dj. ODA.

Artistët po shprehen entuziastë për këtë koncert, madje Eda Zari ka postuar edhe një video ku shihet përkrahë artistit Vlashent Sata teksa shfaqin edhe bukuritë e këtij Lumi dhe paralajmërojnë për koncertin nesër i cili thuhet që do të sjellë edhe disa befasi.

Koncerti mbahet nesër duke filluar nga ora 19:00 në Tiranë – Sheshi përballë Muzeut Kombëtar. / KultPlus.com

Artistët forcojnë zërin në mbrojtje të xhevahirit të egër të Evropës

Artistët kthehen sërish pas një viti nga koncertet protestë “Mos ma prek Valbonën“, dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri“, në Sheshin e Kryeqytetit, pranë Muzeut Kombëtar, në mbrojtje të Lumit Vjosa.

Në këtë concert sensibilizues do të marrin pjesë artistët si: Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo Grupi Ppolifonik Lunxhëria, Grupi i Bençës dhe Dj. ODA.

Në Shqipëri planifikohet ndërtimi i më shumë se 500 hidrocentraleve, fakt i cili kërcënon të gjithë lumenjtë e Shqipërisë. Eksperiencat e kaluara na tregojnë se formatet e solidarizimit, thirrjet për bashkim në kauzë, ndërgjegjësimet kolektive, shumica (fatkeqësisht) nuk i kuptojnë, me dashje ose pa. Politikë-bërësit nuk duan t´ja dinë. Por as artistët nuk duan t´ja dine. Solidarizim, duhet të tregojnë të gjithë ata që kanë një fije atdhetarizmi, ndjejnë akoma se kanë ende lidhje me mëmë-dheun, se kjo kauzë ju përket edhe brezave të ardhshëm dhe kush është indiferent i bën dëm të pakthyeshëm të ardhmes së vet dhe pasardhësve. Fakti që politikë-bërësit nuk përfillin fare edhe kur bëjmë tubime /protestë /koncert etj., kjo na forcon më fort zërin. Janë shkelur konventa dhe ligje kaq hapur, ndaj dhe çështja ndodhen në gjykatë, dhe kështu ajo do të shkojë qoftë dhe në atë ndërkombëtare. Nuk mund të lihet diçka kaq madhore në ndërgjegjen e njerëzve skepto-apatikë që i ua kanë gozhduar trutë me propagandë-konsumizmi, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më datë 18 tetor, nga ora 19:00 në Tiranë – Sheshi përballë Muzeut Kombëtar. / KultPlus.com