Mbrëmë në Doku Kino – Prizren, është promovuar video spoti “Romani Sofra – Sofra Rome”, projekt i veprimtarit dhe gazetarit të RTK – Radio Kosovës, Denis Galushi, i cili mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përcjell KultPlus.
Romani ‘Sofra’ është një projekt historik, sepse një format i tillë mbahet për herë të parë në vendin tonë Kosovë, rajon dhe më gjerë, ku synimi kryesor është ruajtja, këndimi dhe promovimi i këngëve të vjetra qytetare rome-prizrenase, ku burimi vjen nga lagjja më e vjetër rome – Terzimahalla.
Nëpërmjet artit të të kënduarit, krijuesi Galushi synon të kultivojë gjuhën rome tek brezi i ri, duke i mbrojtur ata nga rreziku i asimilimit gjuhësor, si dhe duke i shërbyer kulturës së tyre të pasur, duke hedhur të gjitha keqkuptimet dhe paragjykimet e mundshme. Ideatori ka dashur që ky projekt të vuloset dhe të mbetet arkiv shtetëror, ndaj ka falënderuar MKRS-në, e cila e ka mbështetur këtë projekt në kategorinë e subvencioneve individuale.
Romët tradicionalisht kanë kontribuar në kulturat e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë dhe jashtë saj, duke pasuruar kulturat e bashkëqytetarëve të tyre përmes sofrave të të gjitha komuniteteve duke kënduar në gjuhën e tyre amtare, por ata kurrë nuk kanë organizuar një sofër të tillë në gjuhën e tyre amtare – rome.
Prandaj, krijuesi, Denis Galushi, përmes ”Sofra Rome” dëshiron të tregojë vlerat tradicionale gjuhësore dhe kulturore të romëve, duke ruajtur gjuhën rome përmes artit të të kënduarit, si dhe duke ruajtur gjuhën rome nga rreziku i asimilimit.
Ata që nuk kanë mundur të marrin pjesë në promovimin e këtij video spoti, kanë mundësinë ta shikojnë përmes platformës mediatike: youtube, duke shënuar: Romani Sofra – Sofra Rome. (https://youtu.be/kGuJI3G7XN8?si=pPrLUHuGfQ0Igr7y)
Gjatë vizitës së punës në Belgjikë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës është organizuar një ceremoni për dorëzimin e Urdhrit Presidencial për Kryetaren e ndjerë të Senatit Belg, Anne Marie Lizin.
Me këtë rast, Presidentja Osmani ia ka dorëzuar Urdhrin e Pavarësisë (post mortem) bashkëshortit të zonjës Lizin.
Në prani të familjarëve dhe miqve të ngushtë, Presidentja Osmani ka theksuar se kjo është vetëm një dëshmi e angazhimit të saj të palëkundur ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës. “Kontributet e jashtëzakonshme të Anne Marine Lizin kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në kombin tonë dhe përkushtimi i saj ndaj popullit tonë nuk do të harrohet kurrë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
“Ndonëse ajo nuk është më me ne, shpirti dhe puna e saj vazhdojnë të na frymëzojnë ndërsa ndërtojmë një Kosovë më të fortë”, potencoi Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Teatri i Kukullave është gati të presë të vegjlit, tashmë në një teatër të rikonstruktuar tërësisht, më komod, të sigurt e sipas standarteve ndërkombëtare.
Premiera që vjen nesër titullohet “Bashkë” dhe ashtu siç premton Teatri i Kukullave, do të jetë shfaqja më festive e parë ndonjëherë në këtë teatër.
Organizatorët thonë se shfaqja do të ketë plot mesazhe të bukura dhe bën bashkë aktorë, kukulla e fëmijë në skenë. Premiera e datës 20 dhjetor do të jetë në orën 18:00 dhe më pas do të rishfaqet në datat 21, 22, 28 dhe 29 dhjetor.
Me mbi 100 vite histori dhe pas një pune të jashtëzakonshme restaurimi, Teatri i Kukullave rikthehet i transformuar dhe gati për të frymëzuar brezat e rinj, falë programit të BE dhe UNOPS, EU4Culture./ KultPlus.com
Të enjten, në Kosovë do të qëndrojë Shefi i Forcave të Armatosura të Zvicrës, Komandanti Thomas Sussli.
Vizita e tij do të përqendrohet në trupat e vendit të tij që kontribuojnë në KFOR.
Me këtë rast, njoftohet se ai do të takohet edhe me Komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, raporton Klankosova.tv.
Gjatë vizitës, Shefi i Forcave të Armatosura zvicerane synon të bisedojë me ushtarët zviceranë të dislokuar në Kosovë dhe të mbledhë përshtypjet për shërbimet e ndryshme që i ofrohen KFOR-it.
“Me këtë rast është paraparë një takim bilateral me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani të Forcave të Armatosura të Italisë. Mandati i Forcave të Armatosura të Zvicrës për KFOR-in u rinovua në vitin 2023 dhe zgjat deri në fund të vitit 2026”, thuhet në një njoftim të Qeverisë Federale zvicerane.
Më pas, shefi i ushtrisë zvicerane do të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë një pasqyrë të situatës në rajon.
“Ndërtimi i paqes ushtarake në operacionet shumëkombëshe është një nga tre misionet e Forcave të Armatosura të Zvicrës. Aktualisht, rreth 300 gra dhe burra nga një gamë e gjerë gradash janë të përkushtuara për paqen në më shumë se 15 vende”, u tha në njoftimin qeveritar./ KultPlus.com
Festivali i Këngës në RTSH konsiderohet ngjarja muzikore më e rëndësishme në vend që për dhjetëvjeçarë ka bashkuar përballë ekranit të vogël, shqiptarët kudo ku ndodhen. Nata e parë e edicionit të 63-të premton plot emocione teksa përveç të ftuarve specialë, të mirënjohur ndërkombëtarisht, 15 prurje të reja do të vijnë për të kënduar live, përkrah Orkestrës Simfonike të RTSH-së.
Në këtë edicion të festivalit do të këndojnë 30 artistë të njohur e të rinj që do të konkurrojnë për të siguruar skenën e Eurovision-it.
Për t’i shtuar emocionet publikut, nata e tretë do të jetë e veçantë, duke u konceptuar si “Nata e nostalgjisë”, ku do të kujtohen këngë ndër vite, vlera të historisë së pasur të festivalit. Kjo natë do t’i dedikohet autorëve dhe poetëve të këngëve të Festivalit të Këngës ndër vite dhe në këtë mbrëmje të veçantë, publiku do të ketë mundësinë jo vetëm të dëgjojë këngë të paharrueshme që kanë lënë gjurmë në Festivalin e Këngës por dhe të shijojë dhe fjalën e bukur të shkruar nga pena e këtyre autorëve.
Në natën finale, më 22 dhjetor, do të shpallet fituesi, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025./ KultPlus.com
Duke nisur nga dhjetori i vitit 1918 deri në janar të 1920-ës u zhvilluan një sërë kongresesh e takimesh që kishin synim rimëkëmbjen e vendit nga pasojat e Luftës së Parë Botërore. I pari mes tyre, ishte Kongresi i Tiranës, më 19 dhjetor të vitit 1918.
Ky Kongres u zhvillua në vazhdën e veprimeve për organizimin e një kongresi mbarëkombëtar, për të arritur konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Të gjitha zhvillimet çuan në organizimin e Kongresit të Lushnjes, më 28-31 janar 1920.
Në organizimin e Kongresit të Tiranës, një rol të rëndësishëm luajti ish-nënprefekti Rauf Fico si dhe njëri prej firmëtarëve të Pavarësisë, Abdi Toptani.
Në mbledhjen e mbajtur në zyrën e Rauf Ficos, më 7 dhjetor 1918, ku mernin pjesë Sotir Peçi, Abdyl Ypi, Ismail Ndroqi, Mytesim Këlliçi, Sinan Hoxha, Myslim Beshiri dhe Rauf Fico, u vendos që të thirreshin qarqet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës, Mat, Dibër, për të biseduar për bashkimin e këtyre viseve./ KultPlus.com
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka prezantuar sot rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë.
Drejtori i ASK-së, Avni Kastrati në fjalimin e tij tha se gjatë procesit ka pasur përfshirje të politikanëve, e shumë figurave të njohura.
“Nga regjistrimi i vitit 2024 del se Kosova ka 1,586,659 banorë rezidentë. Besoj që regjistrimi ia ka arritur qëllimit, dhe ka kaluar ashtu siç kanë qenë pritjet”, u shpreh Kastrati.
Gjithashtu, ai u shpreh se stafi ka qenë i përgatitur dhe aktiv në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Gjatë prezantimit të këtyre të dhënave u paraqit edhe një video me disa momente gjatë punës së tyre disa muajsh./ KultPlus.com
Më 19 dhe 20 Dhjetor 2024, Teatri i Qytetit të Gjilanit do të presë një ngjarje të veçantë kulturore – Festivali i Teatrit të Shkollave të Mesme. Ky festival, që i bashkon pesë shkolla të mesme nga qyteti i Gjilanit dhe komunat e Kamenicës dhe Preshevës, do të shfaqë shfaqje teatrale të përgatitura nga nxënësit, të cilët kanë kaluar dy muaj trajnime intensive me trajnerë profesionistë të teatrit, përcjell KultPlus.
Ky edicion i festivalit është një mundësi e shkëlqyer për nxënësit që të zbulojnë dhe zhvillojnë talentet e tyre, dhe gjithashtu një mundësi për të krijuar një lidhje të ngushtë mes shkollave të rajonit përmes artit dhe kulturës.
Rëndësia e Teatrit në Shkolla: Një Eksperiencë e Pashlyer për Nxënësit dhe Publikun e Ardhshëm
Teatri është një mjet i fuqishëm edukativ dhe zhvillues për të rinjtë. Pjesëmarrja në një festival teatri si ky nuk është vetëm një mundësi për nxënësit që të shfaqin aftësitë e tyre artistike, por gjithashtu një mundësi për të mësuar dhe kuptuar thelbin e artit teatral, përfshirë proceset krijuese që ndodhin prapa skenës. Nxënësit që marrin pjesë në këtë festival kanë pasur mundësinë të mësojnë për aspekte të ndryshme të teatrit, si regjia, skenografia, kostumografia, muzika, koreografia, dizajni i dritave, rekuizitat dhe çdo detaj tjetër që kontribuon në krijimin e një shfaqjeje teatrore profesionale.
Trajnimet intensive, të udhëhoqura nga trajnerë dhe profesionistë të fushës, janë shoqëruar me vizita në teatër, ku nxënësit kanë pasur mundësinë të përjetojnë nga afër emocionet dhe procesin e krijimit të një shfaqjeje profesionale. Po ashtu, ata janë mundësuar të provojnë kostumet që do të përdoren në shfaqjet e festivalit, duke përjetuar ndjesinë e transformimit dhe ndikimin e kostumeve dhe grimit në karakteret e tyre, si dhe në atmosferën që krijohet në skenë.
Ky proces i thelluar i njohjes dhe mësimit mbi aspektet e teatrit, jo vetëm që i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësi të reja dhe të krijojnë një kuptim më të thellë të artit, por gjithashtu ndihmon në ndërtimin e një audience të re dhe të informuar për teatër. Nxënësit e përfshirë në këtë proces mund të shndërrohen në shikues të pasionuar të teatrit në të ardhmen, duke krijuar kështu një cikël të pandërprerë të mbështetjes për artin dhe kulturën teatrale në rajon.
Një Festival që Bashkon Komunitetet dhe Inkurajon Bashkëpunimin
Risia e këtij edicioni është përfshirja e shkollave nga komunat e Kamenicës dhe Preshevës, duke krijuar një mundësi për të nxitur bashkëpunimin dhe integrimin e rinisë nga këto tre komuna. Ky festival do të shërbejë si një urë lidhëse mes nxënësve dhe mësuesve, si dhe si një mundësi për të forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve edukative në këto zona. Nëpërmjet artit dhe kulturës, festivali promovon një mesazh të fuqishëm për përfshirje dhe unitet ndërmjet rinisë nga tri komuna të ndryshme.
Shkollat pjesëmarrëse në festival janë: Shkolla e Muzikës dhe Artit Pamor, Gjimnazi i Shkencave Shoqërore “Zenel Hajdini”, Shkolla e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, Gjimnazin “Skënderbeu” – Preshevë, Nxënës nga shkollat e mesme të Komunës së Kamenicës/Dardanës.
Organizator i festivalit është organizata Anamour, ndërsa mbështetje për realizimin e tij ofron Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit. Ky festival nuk është vetëm një ngjarje kulturore, por një mundësi e jashtëzakonshme për nxënësit dhe publikun për të reflektuar mbi rëndësinë e artit në jetën e tyre dhe të komunitetit, si dhe për të zhvilluar një dashuri dhe vlerësim më të madh për teatrin si një formë të shprehjes dhe kreativitetit./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Postimi i saj i plotë:
Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbetet një platformë e rëndësishme për rajonin tonë. Andaj, në biseda me liderë të institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së, theksova se:
* E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për ne mbetet një angazhim i çdoditshëm;
* Nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës të cilat janë të padrejta dhe joevropiane;
* Nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe;
* Pavarësisht sfidave, Kosova nuk heq dorë nga integrimi në institucione euro-atlantike, sepse mbi të gjitha ky është vullnet i popullit tonë./ KultPlus.com
Me sa duket, familja Brontë i detyrohet shumë Jorkshirit dhe Hauorthit. Veçanërisht tri motrat Brontë: Sharlotë (Charlotte), Emili (Emily) dhe Anë (Anne), emrat e të cilave lidhen menjëherë me peizazhin e lagësht e të vrazhdë të lëndinave angleze.
A ju thonë gjë malet dhe gëmushat e shqopishtave?
A nuk thërresin titujt e romaneve më të famshëm të epokës viktoriane?
Po, sigurisht që po, por edhe jeta e përditshme dhe mbresat e tri vajzave të reja, tri motrave të bashkuara nga pasioni i përbashkët. Në të vërtetë, fshati që i mikpriti që fëmijë, Hauorthi, me kalimin e viteve u shndërrua në vend pelegrinazhi, po kështu edhe shtëpia e familjes dhe kisha ku punonte i ati, një reverend. Se ç’ndikim ka pasur peizazhi që shoqëroi rrugëtimin e jetës së tyre të shkurtër dhe natyra e vendit në krijimtarinë e tyre, është një pyetje që mund të marrë lehtësisht përgjigje. Ndikimi ka qenë i madh dhe, pavarësisht disa udhëtimeve dhe periudhave jashtë vendit, ato i kanë qëndruar gjithmonë besnike. nga ana tjetër, një fakt edhe më magjepsës ka të bëjë me artin që i bashkon. Secila prej tyre shprehet vetëm me fjalë dhe njëkohësisht njëra me tjetrën. Në fakt, në 1847, ato kanë gati 3 romanet e tyre kryesore: “Xhejn Er”, “Maja të stuhishme” dhe “Anjezë Grej” – njëherazi. Botimi, në harmoni të përsosur, ishte një fakt që i kishte ndodhur tashmë treshes, vetëm dy vjet më parë. Kishin vendosur të botonin poezitë e tyre, të cilat i kishin shkruar në fshehtësi të plotë dhe tejet personale. Përballë heshtjes së Emilisë, Sharlotë pranon një kompromis. Koleksioni mund të shohë dritën, por vetëm me një pseudonim.
Shkrimi me pseudonim: e përbashkëta artistike e motrave Brontë
Zgjedhja e emrit, nuk është e rastësishme. Secila supozon një emër, që nuk lë të nënkuptojë aspak atë realen, përveç shkronjës së parë: Sharlotë zgjedh “Currer” , Emili dhe Anë, bëhen “Ellis” dhe “Acton”. Të gjitha me mbiemrin Bell – “këmbanë” në anglisht, për të na sjellë ndërmend një poetikë të caktuar. Me pseudonimi qëllimisht bishtnuese për sa i përket gjinisë, pasi nuk specifikojnë nëse janë autorë apo autore dhe pikërisht për këtë pasiguri funksionojnë aq mirë. Botimi bëhet në një vëllim të vetëm, edhe për shkak të temave të përbashkëta: marrëdhëniet e njeriut me natyrën ose me hyjninë, trazimet e dashurisë dhe lavdërimi i lirisë. Marrëveshja mes tre Brontëve është evidente në disa përshkrime të peizazhit dhe në mbresat më shpirtërore. Shpesh dashuria bëhet vuajtje, nuk u kthehet në këmbim ose tradhtohet. Sa herë kërkojnë ngushëllim, tashmë në shtëpi – si Anjeza te poezia “Ngushëllim” – në agimin e parë të ditës – si Sharlotë te “Mëngjesi”. Edhe Emili i bashkohet korit melankolik, duke gjetur strehë në livadhet e njohura.
“Do të shkoj atje ku do të më çojë natyra: / Nuk dua të zgjedh tjetër udhërrëfyes: / ku kopetë gri kullosin midis grigjave; / ku era fryn e tërbuar mbi mal”. (E. Brontë).
Natyra është e gjallë dhe manifestohet në praninë e tyre, por evokimi i hapësirave të shqopishtës dhe shkëlqimit të hënës, nuk ngjallin gjithmonë ndjenja mirëqenieje ose përkatësie. Ndonjëherë tek Emilia, vargjet e së cilës janë më komplekset, shpirti i njeriut është i stuhishëm dhe po ashtu edhe natyra, e cila lidhet me të në harmonizim. Pamjet e stuhisë dhe erës, që trondit lumenjtë dhe pyjet përsëriten shpeshherë. Përkundrazi, Zoti mund të shfaqet indiferent ndaj kërkesave, të cilat bëhen të kota dhe të pashprehshme.
Marrëdhënia midis motrave dhe natyra e Jorkshirit
Emili Brontë përqafon kontrastet: dashurinë dhe urrejtjen, jetën dhe vdekjen, realen dhe imagjinare, i deshifron dhe e pohon praninë e tyre në çdo formë jetike. Në vend të kësaj, poezia e Sharlotë dhe Anë Brontë, ka luhatje të dobëta. E lëshojnë veten në keqardhje dashurie dhe lutje melankolike, herë-herë shtrijnë dorën drejt lirisë dhe refuzojnë hallkat e burgosjes, të gjitha me një dozë më të vogël tensioni.
“Do të doja të bredhërija lirshëm,/ një dehje po ma pushton mendjen/ me mendimin për të shkuar larg/ në botët fantastike-gëzim i çuditshëm /që nuk duron dot të jetë i burgosur/erë më të lehtë perëndimore”. (Sh. Brontë) .
Karriera e tyre si poetesha është mjaft e shkurtër, ashtu si ekzistenca e tyre. Na lënë pak rreshta dhe preferojnë të shprehen me prozë. Megjithatë, në paraqitjet e përshtypjeve të tyre romantike, ato sjellin elemente dhe tema që do të kthehen edhe në romane, shumë më të famshme se poezitë. Si pasojë, njohja e këtij aspekti të letërsisë së motrave Brontë mund të jetë e dobishme si në fushën artistike, ashtu edhe në atë njerëzore, për një qasje në njohjen e gjendjes së tyre shpirtërore.
Virxhinia Ulf, në një shkrim publikuar në “The Guardian” më 1904, nuk e ka të vështirë t’i përcaktojë “sentimentale” udhëtimet në Jorkshir dhe shtëpinë-muze të tri shkrimtareve. Në rrëfim, ajo përmend vendet që ka vizituar dhe për secilin përjeton një emocion të ndryshëm, thuajse kaq të fortë. Edhe tek ajo, Hauorth provokon njëherazi ëmbëlsi dhe zymtësi, drithërimë dhe frikë. Edhe Ulf rijeton stuhitë e jetës së shkurtër, të motrave Brontë në Jorkshir./ KultPlus.com
Sot shënohen gjithsej 109 vite nga lindja e Edith Piaf, emri i vërtetë i së cilës ishte Édith Giovanna Gassion. Ajo pati një jetë shumë të vështirë, një vajzë e vogël me një talent të trashëguar nga e ëma, që u bë ikona e muzikës franceze, shkruan KultPlus.
Piaf gjithë jetën e saj ia dedikoi artit e muzikës. Muzika e saj kishte pothuajse gjithmonë elemente autobiografike, trajtonin temën e dashurisë, pikëllimit, nostalgjisë e humbjes. Ajo gjithmonë do të mbahet mend për zërin e saj të veçantë e të fuqishëm, një zë që tingëllonte ndryshe, të bënte të dashurosh e të vuash ndryshe, një ”ndryshe” që vetëm Edith Piaf e servonte para publikut, një ”ndryshe” që muzikës franceze e jo vetëm, i la gjurmë të pashyelshme.
Në një intervistë të saj, në vitet e fundit të jetës, Piaf përgjigjet për frikën ndaj vdekjes.
A keni frikë nga vdekja, zonja Piaf? -e kishte pyetur gazetarja
Më pak se nga vetmia, u përgjigjë ajo.
Vlen të ceket se Edith, mbiemrin Piaf e mori si mbiemër skene. Piaf ka kuptimin e kanarinës. ”PIAF” përshkruante pikërisht atë që ishte ajo.
Këngët e saj më të njohura janë: “La Vie en rose” (1946), “Non, je ne regrette rien” (1960), “L’hymne à l’amour” (1949), “Milord” (1959), “La Foule” (1957), “L’Accordéoniste” (1940) dhe “Padam, padam …” (1951).
Edith Piaf Vdiq më 11 tetor të vitit 1963, në moshën 48 vjeçare. / KultPlus.com
Nër ato male shtat-mëdhaja, Nër ata pyje me fshehtësi, N’ato mburima lozonjare, N’ata shkëmbenj plot llaftari; Ku fryn një erë pastërtije, E vetëtin një bukuri, E ritet malli posi deti, E ndizet zemëra në gji;
Ku nuku duket asnjeri, Ku vemi shpesh veç un’e ti Ku djeg si zjarr, moj dashuri! Ku ndrin si yll, moj perëndi /KultPlus.com
Personalitete të jetës kulturore dhe akademike, poetë, aktorë, miq e familjarë u mblodhën sonte, në këtë mbrëmje të bukur dhjetori, në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery për të shijuar ‘Mbrëmjen Letrare’ dedikuar poetit të njohur Lulzim Tafa, i cili ndër vite me krijimtarinë e tij ka pasuruar botën e adhuruesve të letërsisë dhe të poezisë.
Kjo mbrëmje e mbajtur sonte nën organizimin e KultPlus Caffe Gallery në shenjë të kremtimit të festave të fundvitit ka dhuruar emocione të shumta përmes vargjeve të poetit Tafa, që u interpretuan nga artistët, kolegët e tij poetë si dhe vetë ai, nën tingujt e bukur të kitarës së Riad Ramadanit.
Me poezi dhe vargje të përzgjedhura në këtë mbrëmje poetike u paraqitën aktorët Albana Gashi me poezitë “Si toka” & “Tue kërkue veten” si dhe Valmir Kraniqi me “Vasha e Dukagjinit” & “Të dielave mos më thirr më”.
Ndërsa me interpretimin e tyre kolegun poet e nderuan: Sali Bashota me poezinë “Këshillë për poetët e rinjë”, Naime Beqiraj me “Bisedë me hijet”, Rrahman Paçarrizi me “Paketimi i mërzisë”, Vlora Konushevci me “Nuk më luftohet, më flihet”, Arbër Selmani me “Pas pandemisë” dhe “Dritaren e ke të lejuar” dhe Jeton Kelmendi me një poezi kushtuar poetit Tafa. Më video poezi interpretuan vetë poeti Lulzim Tafa, Labinot Laçi dhe Vedat Haxhislami.
Drejtoresha e Mediumit KultPlus, njëherit edhe organizatore e mbrëmjes poetike, Ardianë Pajaziti ka thënë se është kënaqësi për të që mbrëmjen e fundit letrare për vitin 2024 ta përmbyllë me poetin Lulzim Tafa.
“Faleminderit që jeni pjesë e kësaj mbrëmje poetike të poetit dhe mikut tonë Lulzim Tafa. Kjo është mbrëmja e fundit që organizohet në KultPlus Caffe Gallery për këtë vit. Jo rastësisht po mbahet kjo mbrëmje me përzgjedhje të poezive me kaq përmbajtje dhe kaq të thella, të cilat prezantohen prej miqve të tij. Luli vazhdon me qenë mik i KultPlus-it. Kjo mbrëmje i dedikohet pikërisht për miqësinë poetike që e ka krijuar ndër vite me ne. Lulin e njohim të gjithë ai nuk rekomandon që t’i drejtohemi me tituj të tjerë, gjithmonë e thekson që titulli që i fle më së shumti është ai i poetit” ka thënë drejtoresha Pajaziti.
Ndërsa, poeti Sali Bashota i cili edhe e ka udhëhequr mbrëmjen artistike për poetin Tafa ka thënë se ai është vazhdues i ideve të Ali Podrimjes.
“Është një poet i veçantë që jeton me poezinë. Është një vazhdues i ideve të Ali Podrimjes. I njoh vetëm dy poetë që jetojnë vetëm me poezinë. Luli është i tillë, i thjeshtë, modest, një poet që po ngjitet majave të poezisë shqipe me veprat e tij poetike. Deri tani ai i ka botuar 300 poezi. 300 të tjera i janë djegur në luftë”, ka thënë poeti Bashota duke potencuar se Tafa është një poet që po ngjitet shkallëve të poezisë shqipe me talentin e tij të rrallë.
Bashota më tej ka thënë që poeti Tafa në dy vitet e fundit ka pasur shumë suksese edhe në prezantimin dhe promovimin e disa prej vlerave të tij intelektuale në akademi të ndryshme, duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
“Luli i prezantohet edhe publikut në Shqipëri si një poet me vlera të arrira letrare. Sonte të gjithë miqtë e tij do të jemi bashkë me poezinë e Lulzim Tafës, e cila në çdo mënyrë na mbledh që të jemi sa më afër njëri tjetrit, ta duam poezinë, t’i duam vlerat e letërsisë shqipe. Do të ishte kënaqësi që çdo javë të kemi nga një takim të tillë me poetë të Kosovës që promovojnë vlerat tona sepse askush më shumë se poezia nuk mund ta paraqes atë ndjenjë dhe përjetimin e botës sonë shpirtërore, dashurinë në radhë të parë. Luli është poet edhe i ëndrrave por edhe poet dashurisë”, ka thënë poeti Bashota.
Poeti Lulzim Tafa është shprehur tejet falënderues për këtë mbrëmje dedikuar poezisë së tij, e cila përkon edhe me ditën e poetit të tij të preferuar, “Rumit”.
“Të nderuar miq, faleminderit që jeni sonte këtu, në këtë përjetim poetik të cilin e shijova shumë. Kjo mbrëmje është organizuar për mua. Nata e mbrëmshme ka shënuar ditën e vdekjes së Rumit, një ndër poetët më të mëdhenj që kishte njerëzmi, që kishte linjda e perëndimi. Edhe pse ai vetë thoshte që nuk i takonte as lindjes, e as perëndimit sepse ai nuk kishte kufinj. Ai thoshte se unë i takoj dashurisë, ashtu siç është e pakufishme edhe dashuria. Ju e dini lidhjen time me Rumin, me mistikun e hatashëm. Mund ta merrni me mend që kjo koincidencë pas natës së Rumit të mbahet në Prishtinë, një mbrëmje poetike me mua, më mrekullon”, ka thënë Tafa duke potencuar që poezia është jeta e tij.
Kurse, shkrimtari dhe profesori universitar Rrahman Paçarrizi ka thënë që poezia e Tafës vazhdon ta mrekulloj çdo herë e më shumë.
“Mendoj që jam ndër ata të cilët i lexoj poezitë e tij ende pa u botuar. Në njëfarë mënyre jam një lloj konsulenti për Lulin, sepse pasi ai shkruan poezinë iu lexon disa miqve të tij. Në këtë kuptim, siç u tha sonte ai i ngjason poetit Ali Podrimja nga mënyra e funksionimit, mënyra e të shkruarit të poezisë, por edhe nga mënyra e të jetuarit me poezinë. Për mua ka qenë një moment i veçantë. Në asnjë rast dhe për asnjë tjetër nuk do të lexoja poezi të huaja, por poezitë e Lulit i ndiej goxha sikurse të mijat e sidomos poezinë që e lexova sonte”, ka thënë Paçarrizi.
Ndërkaq, poetja tjetër Vlora Konushevci ka thënë se Tafa me krijimtarinë e tij i ka kontribuar letërsisë shqipe, shpesh herë duke dalë edhe jashtë kornizave të brezit të tij.
“Poezinë e tij e kam lexuar qysh moti. Fillimsht më duhet ta them që Luli është njeri shumë i mirë, pasi kjo është shumë e rëndësishme për të qenë pastaj edhe poet i mirë, sepse nëse je njeri i mirë e ke edhe empatinë e zhvilluar, ku pastaj në shkrim del i jashtëzakonshëm, ashtu siç del edhe Luli. Mendoj që letërsisë i ka dhënë shumë në veçanti me lirikat e dashurisë, por ka edhe poezi që janë më urbane. Nuk është që ka mbetur në ciklin e brezit të vet. Ka dal edhe jashtë kornizave duke sjellë edhe risi dhe gjëra të bukura e interesante për letërsinë tonë”, ka thënë Konushevci, duke e komentuar edhe poezinë me të cilën u prezantua para miqve të mbrëmjes.
“Poezia që e lexova sonte, më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Ka qenë në një periudhë kur flitej për luftë gjatë gjithë kohës. Në kohën e luftës kam qenë mjaftueshëm e madhe dhe e di çka është lufta. Më ka pëlqyer që Luli nuk e ka romantizuar, nuk e ka mitizuar luftën por ka dalë me një poezi antiluftë siç kanë bërë edhe shumë poet të tjerë para tij. Ka pasur edhe lëvizje të tëra kundër luftës ku janë përfshirë edhe shkrimtarë të ndryshëm si në Amerikë e Evropë. E shoh sikurse copë të atij mozaiku që e ka plotësuar këtë pjesë të letërsisë edhe me rrëfimin e Kosovës, prandaj edhe e kam përkthyer edhe në gjuhën angleze”, ka përfunduar poetja Konushvci.
Mbrëmja mes adhuruesve të poezisë vazhdoi me shijimin e verës dhe tingujve të bukur të kitarës edhe për disa orë./ KultPlus.com
Kush të ka dërguar, hëna apo djelli? Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qjelli? Nëpër ato pate, madhëri e artë, Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?
Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur, Apo sjell melhemin zemrës së goditur? Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall, Që të ndez e derdhe e utrin’ mbi zall?
Në je ndonjë çupë, do të mbaj mbi sup, Do të ngjesh në zemër, do të pi me kup’! Në je ndonjë lule, e ku do keç mbirë, Si mundet e bënet lulja kaq e mirë?
Në se je sorkadhe, lumthi kush ka çapa, Lum ai q’i vete zotris’ sate prapa! Kush të paska rritur, kush të ka selitur? Trupi i yt i bukur si flori i situr!
Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur, Cilin ke vithisur, kujt i je kolisur? Ku është ai pyll, ku është ai mur ku ti vete fute dhe qëllon me gur?
II Kush të ka dërguar, Hëna apo Djelli? Pa më thuaj, të lutem, sa yje ka qjelli? Ka të tilla pyje nëpër ata yje? Ka të tilla xhinde nëpër ata pyje?
Qofshi të ërgjënda, ka të tilla xhinde? Rrofsh e qofsh, sa malet, zotrote ku linde? Desha që ta dija ku është ylli yt, Desha që ta dija ku ësht’ pylli yt!
Në je ndonjë dritëz, dritëz perëndie, Lum kush të ka afër, kurse nata bie; Në je ndonjë hije, hije hyjënore, Kthema zemrën time, zemrën që ma more!
Në je ndonjë erë, një veri në ver’, Nga se po të digjet trupi ylyver? Në je ndonjë ëndërr, shum’ të lutem shum’, Në të dasht’ qejfi të të shoh në gjum’!
Në je xhevahire, nga se ku je dukur? Nga se xhevahiri rri në kuti futur? Në je ndonjë flutur, kush të ka qëndisur? Kush është ajo dorë, që të ka stolisur?
Pa le ta dëgjojmë një herë e dy herë, fol, moj dallëndyshe, që këndon mbi derë! Fol moj dallëndyshe, se sa më vjen mirë, Mos je ndonjë vajzë nga një vend i lirë?
– Un’ jam një arbreshe, rroj këtu në rrëza, Një gjak e një gjuhë kemi me thëllza; Pullumb e sorkadhe jemi farë e fis, Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë!
Çdo të mira kemi, djelli si ar Derdhet përmbi neve nga çdo vënd më par’, Lul’ e vëndit tënë katër stinat çel Edhe erë e bukur na deh e na vel!
A e more vesh kush më ka qëndisur? Është dritë e djellit që më ka stolisur, Është drtië e djellit, është dritë e hënës, Më shum’ nga të gjithë është sisë e nënës!./ KultPlus.com
Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…
Jo, unë s’mundem me e ndryshue as t’shkuemen e as t’ardhmen tande por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji
S’mundem me i shmangë teposhtat e tua, veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt vërtet s’janë të miat po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra
S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande po me të mbështetë e ndjej detyrë, me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!
S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh, veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë që ti t’naltohesh
S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande, kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon, po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para
S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh, veç mundem me të dashtë njashtu siç je dhe me mbetë përjetë Miku yt…
Libri konsiderohet si një nga mjetet kryesore të transformimit të njohurive dhe ruajtjes së tyre. KultPlus ju sjell disa thënie me vlerë për librin nga disa autorë të njohur.
“Jetojmë në kohën ku ekzistojnë shumë dijetarë, por ata që flasin janë të paktë. E do të vijë koha kur do të ekzistojnë pak dijetarë, e ata që do të flasin do të jenë të shumtë”! – Abdullah ibën Mesudi
“Të larguarit nga leximi i librit dhe marrja e informatave drejtpërdrejtë nga interneti, që është medium i pa kontrolluar me informata të pa verifikuara as shkencërisht e as fetarisht, është shndërruar në një epidemi sociale në shoqërinë tonë, që ka kaluar në metastazë te të gjitha kategoritë e njerëzve në shoqërinë tonë, si te të paarsimuarit, të arsimuarit, mësuesit, profesorët, studentët, gazetarët hoxhallarët etj”. – Jusuf Zimeri
“Shumë libra nuk kërkojnë mendime nga ata që i lexojnë ato, dhe për një arsye të thjeshtë; ato nuk bënë një kërkesë të tillë nga ata që i shkruan”. Charles Caleb Colton
“Gjithçka që kam mësuar, e kam mësuar nga librat”. – Abraham Lincoln
“Të lexuarit, pas një moshe të caktuar, largon mendjen shumë nga kreativiteti. Secili njeri i cili lexon shumë dhe shfrytëzon trurin e tij shumë pak bie nën zakonin përtac të të menduarit”. – Albert Einstein
“Mos iu bashko djegësve të librave. Mos mendo se do të zhdukësh fajet duke zhdukur dëshmitë që ndonjëherë kanë ekzistuar. Mos ke frikë të shkosh në bibliotekën tënde dhe të lexosh çdo libër”. – Dëight D- Eisenhower
“Lexo, çdo ditë, diç që askush nuk është duke lexuar. Mendo, çdo ditë, diç që askush nuk është duke menduar. Bëj, çdo ditë, diç që askush nuk do të ishte tamam budalla për ta bërë. Është keq për mendje të jetë gjithnjë në njëzëshmëri”. – Christopher Morley
“Është mirë të dish si të lexosh, por është e rrezikshme të dish si të lexosh dhe të mos dish si të interpretosh atë që lexon”. – Mike Tyson
“Të mësosh të lexosh është të ndezësh zjarr; çdo rrokje që është shqiptuar është shkëndijë”. – Victor Hugo
“Çdo libër që e merr ka mësimin ose mësimet e veta, dhe shumë shpesh librat e këqij kanë më shumë për të të mësuar se sa të mirët”. – Stephen King. /KultPlus.com
Tradita e kahershme e filantropisë korçare ishte në fokus të një takimi të organizuar sot nga fondacioni komunitar “Korçarët ndihmojmë korçarët”, i krijuar me mbështetjen e filantropes Yvonne Naum, e cila jeton në SHBA.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, i cili vlerësoi nismën.
“Veprat e bamirësve të shumtë të trevës sonë edhe sot shkëlqejnë në Korçën tonë dhe janë shprehje e frymës evropiane që mbollën në këtë qytet shumë filantropë, nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 20-të. Familja Turtulli është nga shembujt më të spikatur, që i dhuroi Korçës shumë objekte të rëndësishme, spitalin, bibliotekën, kinemanë, liceun dhe jetimoren. Janë edhe shumë filantropë të tjerë si Anastas Avram-Lekçe, Iljaz Bej Mirahori, Selim Mborja etj., që me veprat e tyre lanë gjurmë të shkëlqyera”, u shpreh Jole.
Sipas Prefektit, “vijimi i traditës së kahershme të filantropisë korçare, është fryma që të gjithë së bashku duhet të përhapim si kulturë e bashkëjetesës sonë, në emër të dashurisë për njeriun, qytetin dhe vendin”./atsh/KultPlus.com
S’rreshta kurrë së menduari për ty, do doja aq shumë të ta them.
Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem, Se më mungon dhe të mendoj. Po s’të kërkoj. Madje s’të shkruaj as njatjeta. Nuk di si je. Dhe më mungon ta di.
Ke projekte? Buzëqeshe sot? Ç’ëndërrove? Do dalësh? Ku do t’shkosh? Ke ëndrra? A hëngre?.
Do t’më pëlqente të mund të kërkoja. Po s’kam forcë. Dhe as ti nuk e ke. Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.
“Dhe mendojmë. Dhe kujtomë. Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.
Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.
Ata qe s’kane buke, kur te kujtojne buken, ty dhe mua le te kujtojne. Ata qe s’kane zjarr, kur te kujtojne zjarrin, ty dhe mua le te kujtojne. Te pagjumet e botes, me syrin hapur si nata, ne mesnaten e tyre ty dhe mua le te kujtojne. Ata qe kane vdekur dhe dashurojne akoma, ty dhe mua le te kujtojne./ KultPlus.com
Një prej figurave më të spikatura të baletit, “Artisti i Merituar” Albert Janku ka vdekur para dy vitesh, në moshën 83-vjeçare.
Ai ishte një ndër solistët e parë të baletit shqiptar, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm nderi në jetën artistike dhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Janku e nisi karrierën në vitin 1955 si kërcimtar e si solist i baletit dhe për 40 vite me radhë i dhuroi skenës shqiptare me dhjetra role. Spikasin rolet në baletet kombëtare si atë të Jonuz Bruges në baletin “Bijtë e Peshkatarit”, të komisarit në baletin “Fatosi Partizan” të Benit në rapsodinë koreografike “Historia e një kënge”, atë te Bektash Agës në baletin “Halili dhe Hajria”, të Don Markut në baletin “Cuca e Maleve”.
Gjithashtu, Janku ka qenë interpretues i shumë roleve edhe në baletet e huaja të vëna në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit si në baletin “Francesca da Rimini”, baletin “Lola”, “Fadeda”, “Zhurale”, “Laurencia”, “Don Kishot: etj.
Albert Janku ka marrë pjesë edhe në një seri numrash koncertalë të dhëna në TKOB dhe jashtë kufijve të vendit me trupën e baletit dhe atë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku ka spikatur talenti i tij duke marrë vlerësime nga kritika e publiku.
Ai është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, edhe pse në moshë të thyer nuk u shkëput nga ky teatër, duke ndjekur me vëmendje çdo shfaqje që është vënë në skenë. Nuk ka munguar kontributi i tij edhe në fushën e pedagogjisë, si koorepetitor, konsulent në mjaft balete, autor i shumë artikujve mbi baletin, portrete artistësh e monografish./KultPlus.com
Këshilli i Ministrave vendosi sot deklarimin “Pasuri kulturore” të zonës arkeologjike nënujore të vendbanimit palafit të fshatit Lin në Pogradec.
Në mbledhjen e sotme u miratua po ashtu zonifikimi i zonës arkeologjike nënujore “A” të vendbanimit palafit të fshatit Lin në Pogradec, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), si dhe plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj zone.
Po ashtu në mbledhjen e sotme u miratua edhe deklarimi “Pasuri kulturore e paluajtshme” e dy zonave arkeologjike (“A” dhe “B”) të qytetit të Shkodrës.
Bashkë me zonifikimin e këtyre zonave arkeologjike sipas koordinatave dhe hartave të zonifikimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) u miratua edhe plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre.
“Pasuri kulturore e paluajtshme” u deklaruan po ashtu edhe dy zonave arkeologjike (“A” dhe “B”) në qytetin e Vlorës, për të cilat u miratua po ashtu edhe plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre./atsh/KultPlus.com
Ka nisur në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) një nga iniciativat më të reja artistike që bën së bashku urbanistikën, artin dhe dizajnin për të krijuar një qytet më të bukur gjatë festave.
Aktiviteti “Mirëmbrëma Tirana” i jep mundësinë studentëve të urbanistikës të kontribuojnë me vizatime të detajuara të zonave urbane të kryeqytetit, të cilat do të shndërrohen në shandane ndriçues. Kjo do të mundësojë jo vetëm një ndriçim artistik, por gjithashtu do të krijojë një atmosferë të veçantë duke ndërthurur artin dhe funksionalitetin dhe duke i dhënë Tiranës një identitet estetik dhe një përvojë unike për qytetarët dhe vizitorët.
Përmes këtij procesi, Tiranës i jepet mundësia të transformohet në një qytet tërheqës, ku dizajni dhe arkitektura bashkëpunojnë për të pasuruar hapësirat publike dhe për të krijuar një mjedis ku estetika dhe prakticiteti bashkohen në harmoni./atsh/KultPlus.com