Atmosfera festive në Tiranë “rrëmben” vëmendjen e medias prestigjioze “Reuters”

Atmosfera festive e krijuar në kryeqytet në sheshin “Skënderbej” ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të huajve.

Media prestigjioze “Reuters” i ka bërë jehonë pamjes magjepsëse që ofron qyteti gjatë orëve të mbrëmjes, ku pemët e Krishtlindjes dhe ndriçimi i vendit të jep një ngrohtësi të ëmbël.

“Një pamje me dron të tregut të Krishtlindjeve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë 18 dhjetor, 2024”, shkruhej poshtë postimit të bërë nga media prestigjioze./ KultPlus.com

Sot seanca e përbashkët plenare mes Kosovës dhe Shqipërisë

Sot mbahet seanca e përbashkët plenare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë mbledhje e cila është paraparë që të nis nga ora 10:00, do të marrin pjesë të gjithë drejtuesit grupeve parlamentare pozitë-opozitë të të dyja vendeve.

Pikat e seancës: 

Arritja në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Kosovës

Hapja e aktivitetit me ekzekutimin e Himneve Kombëtar

Fillon Seanca e përbashkët plenare në Kuvendin e Kosovës

Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës (10 min)

Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (10 min)
Mesila Doda, Kryetare e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim, Kuvendi i Shqipërisë (3 min)

Besnik Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kuvendi i Kosovës (3 min)

Fatmir Mediu Anetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Kuvendi i Shqipërisë (3 min)

Enis Kervan, Kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik, Kuvendi i Kosovës
(3 min)

Arben Gashi, Kryetar i i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës (3 min)

Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë (5 min)

Abelard Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës
(5 min)

Niko Peleshi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,
Kuvendi i Shqipërisë (5 min)

Mimoza Kusari-Lila, Kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës (5 min)

Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë (10 min)

Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës (10 min)

Mbyllja e Punimeve./ KultPlus.com

Sot është Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor promovon ndjenjën e humanizmit të përbashkët dhe inkurajon individët, komunitetet dhe kombet që të bashkohen për trajtimin e çështjeve urgjente globale.

Ajo thekson besimin se veprimet tona kolektive mund të kenë një ndikim pozitiv në botë.

Kjo ditë festohet çdo vit më 20 dhjetor, për të reflektuar mbi rëndësinë e solidaritetit dhe për të ndërmarrë veprime konkrete për të mbështetur personat në nevojë dhe për të kontribuar për një botë më të barabartë.

Festimi i kësaj dite përfshin angazhimin në aktivitete që promovojnë unitetin, ndjeshmërinë dhe bashkëpunimin.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, për të promovuar konceptin e solidaritetit si një vlerë themelore për përparimin e njerëzimit./ KultPlus.com

‘Si ta mbaj këtë shpirtin tim, që të mos preket në tëndin’

Poezi nga Rainer Maria Rilke

Këngë dashurie

Si ta mbaj këtë shpirtin tim, që
të mos preket në tëndin? Si t’a
ngre tej teje në diçka më të mirë?
Ah sa dëshiroj t’a vë
diku të humbur n’errësirë,
në një vënd të qetë, të huaj nga
s’ndihen dridhje, kur dridhet e jotja thellësirë.

Dhe gjithçka na prek, afër e larg,
na merr së bashku si një hark,
që nga dy tela një tingull të vetëm nxjerr.
Në ç’instrument jemi tendosur vallë?
E ç’violinist na ka në dorë te gjallë?
O këngë e ndjerë./KultPlus.com

Atmosfera festive në Tiranë “rrëmben” vëmendjen e medias prestigjoze “Reuters”

Atmosfera festive e krijuar në kryeqytet në sheshin “Skënderbej” ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të huajve.

Media prestigjioze “Reuters” i ka bërë jehonë pamjes magjepsëse që ofron qyteti gjatë orëve të mbrëmjes, ku pemët e Krishtlindjes dhe ndriçimi i vendit të jep një ngrohtësi të ëmbël.

“Një pamje me dron të tregut të Krishtlindjeve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë 18 dhjetor, 2024”, shkruhej poshtë postimit të bërë nga media prestigjioze./atsh/KultPlus.com

Poezia e Asdrenit kushtuar Kosovës dhe Çamërisë, botuar në gazetën, ‘Tomori’ në vitin 1941

Poezia e Asdrenit, poetit të madh kombëtar, kushtuar Kosovës dhe Çamërisë është botuar në gazetën “Tomori” më 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në gazetën “Tomori” poezia është titulluar: “Shqipëria e Madhe”

Mir’ se erdhe midis nesh, o e bukura Kosovë!

Mir’ se erdhe motër, po të them dhe përsëri,

Mbas vuajtjeve  dëshmove gjatas që dhe provë

Të hysh hirplotë në gjinjt e Mëmës Shqipëri.

Me vrer në buzë prisje të gjeje pak ndihmë e dritë

Ta ngrehësh vehten prej njëj territ të pafund,

Me flijime pa numër  dhënë ditë për ditë,

Të ngopej bisha, sot përdhe, pa shpirt që u mund…

Me vargje trupin lidhur, kombi më gjakpirës

Pak frymë për të marrë vehten nuk të linte,

Të çorri faqe e sy me thonjt e tij grirës,

Me drapër gjith po korrte pleq dhe të rinj.

Dhe zëri t’ ishte shuar, lotët e syve tharë

Në fshamë e mbytur dhe në vojtje pambarim,

Ndër aq vjet s’pe një ditë pak të mbarë:

E zhveshur edhe e zbathur pa pikë përdëllim!

Një copë truall nuk të linte për jetesë

As bukë për fëmijët s’kishe për ushqim,

Dëshirë e tija: farë e jotja të mos të mbesë:

Në dhe të huaj larg të shporte me qëllim!

Mundime tmerri që s’tregohen dot me fjalë

Grabitje me pahir te gjësë pa pushim,

Në trollin tënd ai të kishte si një halë,

Çdo çast për ty s’mendonte veçse për shkatërim!

Sa burra nuk e derdhën gjakun kot së koti,

Për një të drejtë shpirt që dhanë me një plumb,

Mëshirë s’gjenin as kur binin pika loti,

Shtëpin’ e plengun zjarri kur ua bënte hi e shkrumb!

Kish heshtur kënga pleqërishte dhe dasmore

Lahutë-e fyell derthnin tingull vajtimtar,

Me drojë dilte bjeshkës vajza malësore,

Kurrkujt si qeshte buza, në aq tym e zjarr!…

Dhe ti e shetrenjta Çamëri si trime e rallë

Dikur që të ngjallej  greku pate falur gjak,

Si mirënjohje flijimi  prite plumb në ballë;

Pa faj dhe miq dëshmorë  ranë keq në lak!

Mirë se erdhe pranë Mëmës, vajzë-e dëshiruar

Plot mall o bijë e shumëvojtur Çamëri,

Në gjinjt’ e saj të ngrohtë drejt në kraharuar

Gjith po të priste pa durim me dhempshuri.

Dy bija të përmallshme, Gurë të paçmuar

Si dy florinj të ndritshëm derdhur bukuri,

Mi ball të Shqipërisë, Mëmës së-adhuruar,

Si hyj po ndritni, ju, Kosovë e  Çamëri!

Dy zotër të pashpirt me të egër se dy bisha

Mbë nj’anë serbi, fis i poshtër gjakatar

Ndaj tjetrës greku dhelpër, vrasës gënjeshtar;

Dy faqezes pa Perëndi, me kryqe-e kisha!

Me shufra dhe shuplaka, grykës dhe tërkuza,

Për ‘ta ju s’ishit veç një farë bagëti,

Ata me tallje, juve ju përcilte buza:

Po kthenje fjalë, ca më keq, si mjerë ti!

Por Ora-e fundit, Ora e tmerrit e shpërblesës

Çdo faj me të përdhunë bërë që s`e fal

Pluhur dhe hi u-bënë shkelësit e Besës

Rrufe mërije Zoti rrymën që s’ia ndal!…

Dikur Dodona plakë parathoshte Fatin

Që çdo shpirtlik e çojnë Hyjit drejt në Ferr

Dhe sot po gjith ata mizorët më të ngratin

E marrin shpagën prej njëj gjyqit që të therr!

Kur më të dobtin don e shkel me të përdhunë

Ndeh dorë lakmimtare me padrejtësi

Më shpejt a von të pret po gjith ajo furtunë

Që s’le pa mos përmbysur çdo paudhësi!

Ju me vullnet të fortin tuaj s’u-përkulët

Çdo sulm të bishës e përballtë me guxim,

Se vetëm kombet jetë-skllavë dhe shpirt-ulët

Durojnë zgjedhën qafës, pa një murmurim.

Mbërdhe përfare ranë hekurat e rënda

Përjetë-u shduk tirania që s’durohej dot

Sot flamuri kuq-zi ndeh flatrat siç i kënda

Mbi viset ku Shqiponjat motit qenë zot!

Sot Djell i ri ju ngrohn me rreze çlirimtare

Sot zgjedha e rëndë-e robërisë mori fund

Mëngjezi-i ndritshëm njaj prandvere shkëlqimtare

Mbi tokën t’uaj po përhapet me sa mund;

Sot ndër qytetet dhe katundet gazi ndjehet

Vëllazërimi-i tërë Kombit  plot hare

Me këngë dhe kremtime populli dëfrehet

Fatlum  për atë se lindi Jetë krejt e re!

Çdo Vatër e Kosovës  dhe e Çamërisë

Le të tërhidhet me vallzime të pafre

Se Terri perëndoj, arthi Drita e Lirisë

Mbi malet tona po shëndris një qiell pa re.

Që tash, o burra djem, ju mbetet juve barra

T’i bëni ballë çdo rrezikut që ju del,

Të shohë vendi i ynë ditë më të mbara

Me vrrull t’a mbroni, këmbë-armiku kur e shkel!

Me krenari vazhdoni trimërinë e motshme

Qysh nga të Parët tanë mbetur trashëgim

Hovplot forcoheni me diturit’ e sotshme

Mos merrni Fenë parasysh për një Bashkim.

Si burra plot vullnet kësaj fatlume radhe

Të bëhemi me ndihmën e të Madhit – Zot,

Një Komb i fortë në një Shqipëri të Madhe

Që mundi i aq Dëshmorëve të mos vejë kot.

Fatosavet dhe Prijsavet u-qofshim falë

Me ne, dy kombe miq, që derdhën gjak bujar

Nër luftra ngadhnjimtare zot që kanë dalë

Kurorë Nderi plot shkëlqim për çdo luftar!

 Ushtrive të lavdishme Mike dhe Mbrojtare

Me krahun e pathyershim vetëtimtar

Q ëu-shëmb  armiku më mos ngrehë krye fare:

Nderime-e Mirënjohjen t’onën, shqiptar!

Asdreni

(“Tomori” 28 nëntor 1941). /KultPlus.com

Gjykimi

Esad Mekuli

Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët
e fëmijëve tanë
dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë
për ne-
(Breznitë veprat i gjykojn .. -ka thanë nji njeri i
madh!)-
dhe nuk do t’na dënojn, e dij, për belbëzimet
tona, shtërzimet’
për gabimet-t’vogla e t’mëdha-për të
mbërrimet tona…
Pse-kush ka faj që prindet s’na lanë gadi kurrgja
-pos vorreve dhe padijes;
kush ka faj që aq kohë-errësija dhe vetmija-
si mrazet e pranverës kanë mbyt filizat mu në farë?!
Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve
tanë-breznitë,
dhe ata do të dijnë për ne, se ne jemi pjella e Ditës
së Re-dhe plot diell e dashni;
do të dijnë për ne, e dij, dhe do t’ua kallxojnë me
binduni fëmive të vetë
si kemi ngallnjye, nga hini dhe vjetërsia,qytete t’reja,
fabrika dhe katunde…
si kemi shkrue kangë, si kemi thurë tregime-
tue belbzue ebecenë dhe gjuhën vetë…
(Dhe, ani, që të gjithë jemi marrë me çd! o gja, si me
qenë mjeshtra çollakë,
me pak dije po me shumë e shum vullnet…) /KultPlus.com

Hapja e ekspozitës “Eveningside. Gregory Crewdson” në muzeun Marubi

Muzeu Marubi dhe Gallerie d’Italia Muzeu i Intesa Sanpaolo-s do të bëjnë hapjen e ekspozitës “Eveningside. Gregory Crewdson” kuruar nga Jean-Charles Vergne. Ekspozita hapet më 20 dhjetor nga ora 18:00.

Gregory Crewdson (*1962, Brooklyn, SHBA) është një fotograf i njohur ndërkombëtarisht. Gjatë tre dekadave të fundit, Crewdson ka mishëruar një portret të Amerikës së Mesme, atë Amerikë të periferisë me gardhe të drunjta që sodit me sy të stërhapur shkëlqimet e një ëndrre të venitur, e cila prej kohësh është e zbehur dhe e fishkur.

Kjo ekspozitë prezanton vepra nga tre seritë e krijuara midis viteve 2012 dhe 2022. Të parashikuara si një trilogji, ato paraqesin një pasqyrë unike në një dekadë krijimtarie dhe zbulojnë dy boshtet qendrore – intime dhe politike – të universit që e ka paraqitur Gregory Crewdson si një nga figurat kryesore të fotografisë.

Pas ekspozitave të paraqitura në Gallerie d’Italia/Intesa Sanpaolo (Torino, Itali, 2022), në Rencontres Photographiques d’Arles (Arles, Francë, 2023) dhe në Qendrën e Fotografisë VB (Kuopio, Finlandë, 2024), Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” paraqet punën e njërit prej fotografëve amerikanë më në zë.

Projekti i ekspozitës është realizuar në bashkëpunim me Gallerie d’Italia – Muzeu i Intesa Sanpaolo falë mbështetjes së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./express/KultPlus.com

Kafka: Zoti t’i jep arrat, mirëpo ai nuk i thyen ato për ty

Thëniet më të mira të Kafkës

Franz Kafka lindi në 1883 dhe jetoi vetëm 40 vjet. Gjatë jetës së tij të shkurtër, i mbushur me frikë dhe shpresa të parealizuara, ai shkroi vepra që meritojnë të qëndrojnë në të njëjtin nivel me krijimet më të mëdha të letërsisë botërore.

Ne kemi studiuar biografinë e këtij personi të jashtëzakonshëm dhe kemi bëri një listë të disa fakteve interesante dhe thënieve më të bukura të tij, që do t’ju ndihmojnë ta kuptoni më mirë atë:

Kafka filloi punë si një agjent sigurimesh në moshën 24 e ka bërë atë për 11 vjet. Babai i shkrimtarit e quajti atë “punë buke”, paga nga e cila mjafton vetëm për të paguar faturat. Marrëdhënia e tyre ishte përgjithësisht shumë e vështirë. Kafka e përshkroi babanë e tij si një tiran despotik dhe kërkues, i cili ndikoi fort tek ai.

Romani “Procesi”, të cilin ai nuk donte t’ia tregonte botës, u shit në formë dorëshkrimi për gati 2 milion dollarë në 1988.

Tregimet e shkurtra, romanet që kurrë nuk i përfundoi; 90 për qind të krijimtarisë së vet e dogji; pjesën tjetër e la me testament që të digjej.

Ndoshta Kafka shpiku kaskën. Sipas profesorit Peter Drucker, kjo ndodhi kur Franz ishte në biznesin e sigurimit të punëtorëve nga aksidentet.

Rreth moshës 28 vjeçare, Franz u bë një vegjetarian, edhe pse gjyshi i tij ishte një kasap.

Kafka ishte një fletçerist – një mbështetës i teorisë se ushqimi duhet të përtypet për një kohë të gjatë dhe tërësisht (mjekët nuk e aprovojnë atë). Gjatë vakteve të përbashkëta, babai i shkrimtarit e mbulonte fytyrën me një gazetë në mënyrë që të mos shihte se si Franz përpiqej me ushqimin e tij.

Kafka tërhoqi vëmendje pas vdekjes më shumë sesa kur ishte gjallë.

Është cilësuar si një nga autorët më me ndikim apo Dante i shekullit të njëzetë. Gabriel Garcia Marquez thoshte se me romanin Metamorfoza, Kafka tregoi se ishte e mundur të shkruhej ndryshe, dhe ne kemi sjellë për kënaqësinë e lexuesve tanë thëniet më të bukura të tij.

Disa nga thëniet më të mira të Kafkës:

Nuk i lexoj reklamat, sepse po t’i lexoja do të shpenzoja gjithë kohën time duke dëshiruar të zotëroj gjëra.

Një libër do të duhej të ishte një sëpatë që e thyen detin e ngrirë brenda nesh.

Në luftën midis vetes dhe botës, përkrahe botën.

Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

Duke besuar në mënyrë pasionante në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Ajo që ende nuk ekziston është thjesht diçka që nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm”.

Zoti t’i jep arrat, mirëpo ai nuk i thyen ato për ty.

Kam frikë nga nata. Kam frikë nga jo-nata.

Je i lirë, prandaj dhe je i humbur.

Librat që na duhen janë ato që na vijnë si fatkeqësi, që na bëjnë të vuajmë si vdekja e një personi që e duam më shumë se veten, që na bëjnë të ndihemi sikur jemi në prag të vetëvrasjes, ose të humbur në një pyll ku nuk frymon asnjë njeri.

Mos e ndrysho, mos e ujit, mos u mundo ta bësh logjik. Mos e ndrysho shpirtin tënd sipas kërkesave të të tjerëve. Përkundrazi, ndiqi fiksimet e tua më të forta, në mënyrë të pamëshirshme.

Ka një pafundësi shpresash në këtë univers… por ato nuk janë për ne.

Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

E ligë është çdo gjë dëfryese.

Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

Në njëfarë kuptimi e Mira është e parehatshme.

Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

Nuk është e nevojshme të largohesh nga shtëpia jote. Rri në tryezë dhe dëgjo. Madje mos dëgjo, vetëm prit. Madje as mos prit, vetëm rri qetësisht dhe vetmitar. Bota do të paraqitet tek ti pa masë, nuk ka rrugë tjetër, vetëm do të bjerë në gjunjë para teje.

Parimi im kryesor është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë. / KultPlus.com

Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmimet Oscar

DokuFest njofton se tetë nga nëntë prej filmave janë shfaqur këtë vit në edicionin e 23-të, ndërsa Queendom ishte pjesë e festivalit vitin e kaluar.

Filmat në fjalë janë përzgjedhur për listën e gjatë të Çmimeve Oscar 97-të, duke shënuar një tjetër moment historik të jashtëzakonshëm për festivalin.

Filmat e përzgjedhur janë:

Kategoria Dokumentar i Gjatë: “Hollywoodgate”, “No Other Land”, “Queendom”, “Soundtrack to a Coup D’Etat”, “Sugarcane” dhe “Union”.

Kategoria Dokumentar i Shkurtër: “Incident” dhe “Until He’s Back”.

Kategoria e Filmit të Shkurtër Narrativ: “The Masterpiece”.

Ky vlerësim i jashtëzakonshëm është një dëshmi e programimit unik dhe të kujdesshëm të DokuFest, i cili vazhdon të mbështesë tregime inovative dhe t’u japë hapësirë zërave të ndryshëm në botën e filmit dokumentar dhe të shkurtër. Çdo vit, festivali paraqet një përzgjedhje të jashtëzakonshme filmash, shumë prej të cilëve vazhdojnë të marrin njohje ndërkombëtare dhe çmime prestigjioze, përfshirë edhe nominimet për Oscar.

DokuFest mbetet i përkushtuar për të mbështetur talentet e reja përmes programeve të dizajnuara me kujdes, duke u ofruar regjisorëve mundësi për të lidhur filma të tyre me audienca ndërkombëtare dhe liderë të industrisë. Përkushtimi i festivalit për të promovuar zëra të rinj dhe narrativa të fuqishme garanton se ai vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për filma që rezonojnë globalisht./express/KultPlus.com

Bujtina e rilindur në Kalanë e Beratit, Rama: Destinacion unik për të gjithë turistët

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga një bujtinë në Kalanë e Beratit. Sipas Ramës, kjo bujtinë është shembull i rijetësimit të një ndërtese të amortizuar, duke ruajtur arkitekturën dhe traditën e qytetit.

“Bujtina “KRIS Guesthouse” në zemër të Kalasë së Beratit, është një ndër shembujt e rijetësimit mbështetur nga ne, për ta rilindur duke ruajtur në të njëjtën kohë edhe arkitekturën karakteristike të qytetit”, shkruan Rama.

Sipas tij, “KRIS Guesthouse”, tani një destinacion unik për të gjithë turistët, në çdo orë të ditës./atsh/KultPlus.com

Lutja e dëshpërueme

Poezi nga Ernest Koliqi

Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murrâna
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna,
nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni
e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli,
a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,

ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnín jetike e patët si mësuese,
ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,

sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim:
ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi;
ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku,
porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi.

N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit,
prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën
tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.

Jo váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.

O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet,
jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat,
pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat,
pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum,
sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.

Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin
Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín
e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín
na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?/ KultPlus.com

65 vite nga shembja e Pazarit të Vjetër të Tiranës

Më 19 dhjetor të vitit 1959 u shemb Pazari i Vjetër i Tiranës, shkatërrimi i të cilit i la vendin ndërtimit të Pallatit të Kulturës. Dyqanet që prej tri shekujsh ushtronin aktivitetet në atë pazar, nuk u spostuan dhe për ato nuk pati asnjë plan se ku do të zhvendoseshin, shumë pak prej tyre arritën të gjejnë hapësira alternative. Shkatërrimi i tij për komunitetin tiranas ishte një ngjarje e dhimbshme.

Pazari, duke jetuar si qytezë brenda qytetit, funksiononte si hapësira më e madhe publike, si pikëtakim dhe pikë referimi për banorët.

Karakteri tregtar i Pazarit të Vjetër, ku shiteshin nga zejet e bakrit e deri tek të linjat e qëndisura me ar, nuk gjeti vend në Pazarin e Ri, i cili që në gjenezë u konceptua si zgjatim i pazarit, pa pasur si qëllim zëvendësimin e tij. Pazari i Ri, ruajti karakterin e tij fillestar, atë të fruta perimeve dhe markatës së peshkut e mishit.

Pazari i Vjetër i Tiranës i dha qytetit karakterin tregtar përgjatë shekujve. Për gati 300 vjet, pazari u zhvillua si qendra ekonomike e qytetit. Pikëtakimi i ndodhur në kryqëzimet e rrugës së Dibrës, me të Durrësit, të Shkodrës me të Elbasanit, ishte pozicioni më i favorshëm për të zhvilluar tregtinë ndërqytetëse.

Aktiviteti tregtar njohu lavdinë e tij në fund të viteve 1800, kur kapaciteti arriti në 727 dyqane. Çdo rrugë kishte profesionistët e vet, kështu qytetari e dinte ku do të shkonte dhe çfarë do të gjente në secilën prej tyre. Ishte Esat Toptani, që në vitin 1907, ndryshoi “fytyrën” e pazarit, duke i kërkuar tregtarëve të përshtateshin me kohën, duke shtruar fillimisht me kalldrëm rrugicat e pazarit e më pas deri tek vendosja e qepenave modernë në dyer dhe dritare.

Ndërkohë Pazari i Ri, u rijetësua me një investim të Fondit Amerikano-Shqiptar të zhvillimit, duke u inauguruar më 14 mars 2017./KultPlus.com

Kumbaro: Projektet për zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin nga Ulëza në Korçë dhe Vjosë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro foli sot në Kuvend në interpelancën e kërkuar nga opozita edhe për projektet për ruajtjen dhe promovimin e zonave të mbrojtura dhe biodiversitetit për vitin 2025.

Në fjalën e saj, Kumbaro tha se “investimet në zonat e mbrojtura do të vazhdojnë të jenë në fokus edhe në vitin 2025, ku vetëm falë buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të kryejmë Investimin infrastrukturor për EKO-Park-Ulzën, duke nxjerrë në dritë një tjetër perlë të natyrës dhe të zonave të mbrojtura të Shqipërisë në veri. Por duke shfrytëzuar edhe gjithë pjesën historike duke e kryer edhe muzealizimin e hidrocentralit të Ulëzës për të gjithë kureshtarët”.

“Ky është vizioni që i shndërron këto zona të vizitueshme, të pëlqyeshme dhe i nxjerr nga errësira. Fillon po brenda vitit 2025 ndërtimi i një Qendre Multifunksionale dhe edukimi natyror së bashku me muzeun edukativ të natyrës në Korçë, sikurse dhe një tjetër të tillë në Drilon, që ju nxis ta vizitoni se Parku Natyror i Drilon-Tushemishtit ka dalë në dritë. Unë e di që shkoni, po këtë keni ju, bukuritë që ne ndërtojmë i shijoni e i gëzoni, por kur vini këtu mbani ‘koburen e sharjeve në brez’ njësoj siç bëtë me Parkun e Liqenit”, tha Kumbaro.

Por, vijoi ajo, gjithashtu do të ecim përpara me ndërtimin e Qendrës Multifuksionale në Vjosë, projekt që erdhi pas një konkursi ndërkombëtar dhe i projektuar me një stacion kryesor në Tepelenë dhe dy stacione plotësuese në Përmet dhe në Vlorë, ku pikërisht për shkak të gjatësisë dhe sipërfaqes mbi 12 mijë hektarë të Parkut Kombëtar, synojmë të krijojmë një tjetër atraksion ekoturistik duke promovuar vlerat e biodiversitetit të lumit të fundit të egër në Europë, i cili gjatë dy viteve të fundit është kthyer në pasaportë të promovimit ndërkombëtar për vendin.

“Dhe jo më larg se një javë më parë, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të krijuar Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Vjosës, duke qenë se është një park që kalon në katër qarqe të ndryshme, nuk mund ta linim pa një mirëadministrim të dedikuar”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit foli edhe për vizionin e turizmit të qëndrueshëm ku zonat e mbrojtura janë vizituar nga 5,3 milionë vizitorë gjatë periudhës janar-nëntor 2024, rreth 1 milionë më shumë se një vit më parë.

“5,3 milionë vizitorë kishim në parqet tona kombëtare dhe natyrore gjatë periudhës janar – nëntor 2024, ose 1 milionë më shumë se i gjithë viti i kaluar. Dhe nuk është çështja vetëm tek shifrat, por tek ekonomia që zhvillohet për banorët e këtyre zonave, që nuk po ndërtojnë hidrocentrale, – madje krejt e kundërta, ne po anulojmë edhe ato kontratat hec-esh që nënshkruat ju – por bujtina, agroturizme, restorante të vogla që më pas zënë faqet e para të mediave, të cilat i bëjnë jehonë mikpritjes shqiptare dhe buzëqeshjes së ëmbël të amvisave tona”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “synimi ynë është turizmi i qëndrueshëm, turizmi elitar, që mbron mjedisin, kujdeset për natyrën dhe i lë brezave një Shqipëri të begatë, krejt e kundërta e batërdisë që ju propozoni dhe që fatkeqësisht e keni provuar që e arrini rregullisht. Zonat e mbrojtura mbartin brenda tyre histori njerëzore dhe trashegimi natyrore, ky është fakt, është pasuri, dhe ne duhet ta mbrojmë jo duke dëbuar njerëzit nga fshatrat e duke i shtyrë të gjithë drejt Tiranës, qytetit apo punësimit të huaj. Por duke i orientuar drejt turizmit dhe agroturizmit, drejt vizionit të Shqipërisë 2030. Për këtë jemi votuar, e për këtë do të votohemi sërish edhe në 11 maj, e mbi të gjitha pikërisht në ato zona që po begatohen nga shpirti njerëzor, përkundër shkretëtirës që ju propozoni”./atsh/KultPlus.com

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

Poezi nga Naim Frashëri

Sa e dua giithë jetën,
Se atje gjej të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën.

Të mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, djellinë, dritën,
Mbrëmëm dh’atë errësirën.

Natën, kur ësht’ e qetuar,
Edhe gjësendi s’dëgjohet,
Qiellin kur ësht’ i edruar,
E hapësira ndritonet.

A kur hapen herë-herë,
Ret’ e zeza sten nd’erë,
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën.

Retë, shinë dhe lumenjte,
Gjëmim, mjergullë, përrenjtë,
Dëborën, breshërin’ e erën.

Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.

Oshëtimen, pyjet, drurët,
Shkëmbenjte, gërxhet’ e gurët.

Lulet, barërat që mbijnë,
E shpestë që fluturojnë,
Edhe këngera këndojnë,
E nëper dega levrojnë.
Dhe njerin’ e bagëtinë
Dhe giithe eshtë në jetë.

I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është Një e s’ka të dytë./KultPlus.com

172 vite nga lindja e fizikantit amerikan Albert Abraham Michelson

Sot janë bërë 172 vite nga lindja e fizikantit të njohur amerikan Albert Abraham Michelson.

Albert Abraham Michelson u lind më 19 dhjetor 1852 dhe vdiq më 9 maj 1931. Ai ishte një fizikant Amerikan i njohur për punën e tij në matjen e shpejtësisë së dritës, sidomos për eksperimentin Michelson-Morley.

Ai fitoi Çmimin Nobel në Fizike në vitin 1907, përderisa ishte amerikani i parë që fitonte një çmim Nobel./KultPlus.com

Miratohet themelimi i Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se ditën e djeshme, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar propozim vendimi që i hapë rrugë themelimit të Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri.

“Vendi ynë do të ketë një muze të dinjitetshëm ku do të dokumentohen dhe prezantohen krimet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Muzeu fillimisht themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, dhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Muzetë, si institucion i pavarur muzeal i nivelit kombëtar”, kanë njoftuar nga ministria.

Tutje, në njoftim thuhet se do të ndërmerren të gjithë hapat përkatës për hartimin e konceptit muzeor dhe kuratorial, si dhe për projektin arkitektonik dhe hapësinor të ndërtesës së Muzeut.

“Muzeu do të vendoset në ndërtesën ku aktualisht është Ministria e Kulturës ndërsa paralelisht do të zhvillohen procedurat për zhvendosjen e administratës në një ndërtesë tjetër ose një të re”, thuhet tutje në njoftim./KultPlus.com

Biznesmeni Ilirjani zbulon surprizën, Parashqevi Simaku do t’i rikthehet këngës

Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, do t’i rikthehet këngës së shpejti. Këtë detaj e zbuloi biznesmeni Elton Ilirjani i cili po qëndron afër Simakut, i cili u shpreh se këngëtarja do të rikthehet me këngë me datë 24 dhjetor.

“Ajo që dua të them është që të mos dorëzohen të na mbështesin… gjithashtu kemi një surprizë, që me datën 24 ju si televizion e bëni, Parashqevi Simaku do të vijë me këngë. Kënga e fundvitit, kënga e Krishtlindjes…”, ka zbuluar Ilirjani në një intervistë për Top Channel.

Këngëtarja shqiptare Parashqevi Simaku u rikthye në vëmendjen publike pak ditë më parë, pas publikimit të videove të jetesës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./KultPlus.com

‘Njeriu e shfaq fytyrën e vet në tre raste: Kur është i pasur, kur është i tërbuar dhe kur është i dehur’

Thënie të bukura për jetën

Dëshirë pas dëshire sjell mërzi të madhe, kënaqja sjell lumturinë më të madhe.

Diçka e pambrojtur është e sigurtë po e ruajti fati, por po qe fati kundër, do të humbasë, sado që të ruhet.

Difekti i varfërisë shkatërron një grumbull vlerash.

Dijetarët përhapin dritë, edhe pse të hidhëruar, nuk duhen nëpërkëmbur.

Ditë për ditë vdekja afrohet, sikur viktima të shkonte hap pas hapi drejt sakrificës.

Dituria është thesari më i çmuar, sepse as nuk blihet, as nuk dhurohet, as nuk vidhet, as nuk harxhohet.

Duke parë tymin e një shtëpie tymin e një shtëpie, kujdes mos kujtosh se është flaka e një shtëpie tjetër.

E djeshmja është një ëndërr, kurse e nesërmja një vizion. Por e sotmja, kur jetohet mirë, e bën çdo të djeshme një ëndërr të lumturisë dhe çdo të nesërme një vizion të shpresës.

E njohin Ton budallain më shumë se Ton budalla njeh.

Është më mirë të grindesh me një njeri që flet bukur se të bisedosh me një njeri me të folur të panjerëzishëm.

Fati ndihmon guximtarin. Të dobëtit ia lënë fajin fatit.

Fëmijë, plak apo i ri qoftë, ai që vjen në shtëpinë tënde duhet pritur me respekt, sepse mes gjithë të tjerëve miku yt është më i larti.

Ikën nga frika e akrepit e bie në grykën e gjarprit.

I mençuri bën të të duket e vërtetë edhe gënjeshtra, ashtu si piktori i aftë krijon kodrat e gropat në një sipërfaqe të thjeshtë.

Kur “këndojnë” bretkosat, është përvetësuar qetësia.

Më mirë të shëtisësh shpateve të malit me kafshë, se të jetosh në pallat Zotash me një çmendur.

Mosbërja keq është besimi më mirë.

Mosveprimi nga frika se gabon, shquan frikacakun. E kush heq dorë nga ushqimi prej frikës mund t’i bëjë keq?

Nëse zemra e njeriut nuk është e pastër, të gjitha gjërat i duken armiqsore.

Një i sëmurë nuk do të shërohet kurrë vetëm me dhënien e një ilaçi.

Pak vlen të mbyllet tapa, pasi është derdhur uji.

Pasuria ndalet në shtëpi, miqtë e të afërmit te varri, veprat ndjekin të vdekurin.

Pema e krasitur rritet sërish, hëna e perënduar rishfaqet.

Po ia preve bisht e veshë, qeni mbetet qen, s’bëhet as kalë, as gomar.

Rrugët e drejtësisë janë të mistershme.

S’e ka fajin shtylla, pse nuk i sheh i verbëri.

S’mund të prekë veten maja e gishtit.

Të urtit duhen respektuar, dhe kur këshilla e tyre nuk bie për shtat.

Ai që duke lutur përkulet, tjetrit ia lehtëson refuzimin.

Ai që ka frikë edhe kur ka të drejtë, nuk fiton.

Ari është i pastër edhe kur gjendet në qesen e ndyrë.

Ashtu sikur mendimtari, që është shkalla më e lartë e njeriut, ashtu edhe nëna është shkalla më e lartë e gruas.

Bëj mirë – mos u pendo; bëj keq – shpreso.

Cila në pasqyrë shpesh shikohet, shtëpia në të ankohet.

Çanta është më e rëndë kur është e zbrazët.

Çdo gjë e keqe ka recetën e vet, puna është të gjendet ajo e sakta.

Çfarë flasin në vatër, fëmijët e nxjerrin jashtë shtëpie.

Dashuria nuk e njeh turpin.

Dikujt edhe plumbi i noton e dikujt edhe kashta i fundoset.

Edhe pse janë në të njëjtin jastëk, burri dhe gruaja shohin ëndrra të ndryshme.

Fati na shet atë që ne kujtojmë se na e ka dhuruar.

Fëmija shumë i përkëledhur, kurr i mirë edukuar.

Fjalët duhen matur e jo numëruar.

Gomari nuk e mëson notin po nuk i mbërriti uji te veshët.

Gratë e bukura vallen prijnë, të shëmtuarat mbajnë shtëpinë.

Gjithçka mund të studiohet, përveç mendimeve të njeriut.

Kali i mirë njihet edhe nën batanije të keqe.

Kur babai e mban të birin, nuk di askush, kur i biri e mban babanë, i tërë katundi e merr vesh.

Kureshtari kërkon dobësinë e të tjerëve për t’i lehtësuar të vetat.

Kur një miku i jep para hua, do t’i humbësh paratë dhe mikun.

Kurse tri monedha floriri se e katërta do të të bjerë vetë në dorë.

Kush lyp luftë në shtëpi e përjetoftë.

Kush i vete pas gjithkujt, bën gabim; kush nuk ndjek askënd, bën edhe më shumë gabim.

Më mirë të na e kenë lakmi, se t’u dhimbsemi.

Mos gjyko në bazë të vragës, nëse nuk e ke parë se çfarë ka qenë plaga.

Ndihma është nganjëherë si ai ilaçi që sa më i hidhur, aq më i mirë është.

Në dashuri syri është i pari.

Nëse armiku yt është sa maja e gishtit, ruhu siç i ruhesh luanit.

Nëse jemi grindur, dhëmbët s’i keni shkulur.

Njeriu kurioz ka 100 sy dhe asnjë shpirt.

Samari prej argjendi nuk e bën kalin e mirë.

Sa më shumë shtohen ligjet, aq më shumë pakësohet drejtësia.

Sikur të isha lindur njëqind herë, kisha për t’u bërë mësues.

Shteti mbështetet në të drejtën dhe gjyqet, adheu mbështetet në nënën dhe gruan.

Shtetin ruaje nga armiku e gruan nga miku.

Shtetit borxh mos i rri, me polic mos u shoqëro, ndërsa gruas të fshehtat mos i trego.

Të kujt janë delet, i tij është edhe livadhi.

Të kuptosh të bukurën do të thotë ta zotërosh atë. / KultPlus.com

28 vjet pa ikonën italiane, Marcello Mastroianni

Ikona e kinemasë italiane, Marcello Mastroianni vdiq 28 vjet më parë, më 19 dhjetor 1996.

Nuk ishte vetëm një yll i kinematografisë italiane, por edhe asaj botërore.

Ai kontribuoi ne partneritete krijuese me Federico Fellini, regjisori dhe skenaristi italian dhe filmat në krah të Sophia Loren.

Aktori i famshëm, Marcello Mastroianni, i lindur në Fontana Liri, në vitin 1924, pati fatin të ishte pjesë e kinemasë që në moshë të vogël.

Si fëmijë, ai u shfaq në disa nga filmat e të madhit De Sica, mjeshtër i njohur në vitet 1930.

Më vonë, pas mbarimit të shkollës së mesme, ai u regjistrua në Fakultetin e Ekonomisë dhe Tregtisë, pa e ndërprerë marrëdhënien e tij me teatrin.

Pasi iu bashkua grupeve të Qendrës Teatrore Universitare, ai u pikas nga Luchino Visconti, i cili e ftoi të luante role të rëndësishme në disa vepra teatrale.

Filmi që zbuloi talentin e tij ishte “Le ragazze di Piazza di Spagna”, ku ai luan rolin e të riut të këndshëm dhe ekstrovert – me regjisor Luciano Emmer në 1952, i cili kishte bashkëpunuar me  Mastroianni dy vjet më parë në “Domenica d’August”.

Mastroianni zbuloi se ishte i përshtatshëm për introspeksionin delikat të një kinemaje që ishte në gjysmë të rrugës mes neorealizmit dhe komedisë italiane.

Kjo predispozitë e tij u konfirmua në “Giorni d’amore” nga De Santis, ku aktori mundi të rijetonte origjinën e tij në një mënyrë paksa komike.

Talenti i aktorit, Mastroianni u shfaq ndërsa ai luante me Sophia Loren, në filmat “Peccato che sia una canaglia” dhe  “La fortuna di essere donna”, në mesin e viteve 1950.

Por pikë kthesa në karrierën e tij erdhi me “La dolce vita” (1960), një film i periudhës epokale në të cilin Mastroianni është një antihero modern – dhe që shënoi gjithashtu fillimin e një partneriteti të gjatë dhe të suksesshëm artistik me Federico Fellini.

Me Fellini dha rezultate të paharrueshme në “Otto e mezzo” (1963), duke luajtur rolin e një lloj alter egoje të regjisorit nga Rimini.

Më pas, në fillim të viteve 1960, ai arriti një triumf personal në filmat “Divorzio all’italiana” dhe “I compagni”.

Një protagonist me shkathtësi dhe aftësi të padiskutueshme – thuhet se në disa filma ai dukej se mund të punonte vetëm me shprehjen e shikimit të tij – ai përcolli imazhin e një njeriu të kulturuar dhe të ndjeshëm –  i cili e shikonte me bezdi publicitetin e jetës së tij private nga shtypi tabloid.

Ai ka përfaqësuar me shumë bujari kinematografinë italiane në nivel ndërkombëtar, por fatkeqësisht nuk ka marrë kurrë një “Oscar” të merituar.

Mastroianni vdiq më 19 dhjetor 1996 në shtëpinë e tij në Paris. Regjisori Dino Risi, i cili gjithashtu e njihte mirë pasi e kishte drejtuar, tha për të: “Ai ishte shpirti më i bukur i kinemasë sonë”./ KultPlus.com

Sopranoja Arta Jashari sonte do të prezantohet me koncert recital

Sopranoja Arta Jashari do të prezantohet sonte me një koncert recital, koncert që do të mbahet prej orës 19:30.

Koncerti do të mbahet në Katedralen “Nëna Tereza” në Prishtinë ku edhe do të prezantohen vepra të njohura ndërkombëtare.

Në këtë koncert me piano do të prezantohet Andi Duraku, kurse në trumbetë Avni Krasniqi. / KultPlus.com

Christopher Nolan dhe Emma Thomas nderohen nga Mbreti Charles me titujt “Kalorës” dhe “Damë”

Regjisori britaniko-amerikan, Christopher Nolan dhe bashkëshortja e tij, producentja Emma Thomas thane së Mbreti Charles u kishte thënë se i pëlqente “Oppenheimer”, pasi ata u nderuan me tituj në Pallatin Buckingham, sipas “The Standard”.

Regjisori i “Inception” mori zyrtarisht titullin “Kalorës” dhe bashkëshortja e tij –  e cila ka prodhuar të gjithë filmat e tij – mori titullin “Damë”.

Partneriteti i tyre ka rezultuar në filma të mëdhenj të suksesshëm, duke përfshirë trilogjinë “The Dark Knight” dhe veprën e tyre më të fundit, filmin epik biografik “Oppenheimer”, i cili kryesoi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve 2024.

Nolan tha se ishte me të vërtetë e mrekullueshme të takohej me Mbretin Charles, duke shtuar se marrja e nderimeve ishte shumë e veçantë.

Thomas tha se nuk e kishte ëndërruar asnjëherë që diçka e tillë të ndodhte, duke shtuar se ishte edhe më kuptimplotë të nderohej përkrah bashkëshortit të saj.

“Më erdhi mirë që ai e njihte punën tonë dhe ishte i vetëdijshëm për të, dhe ai shpresonte që unë ta merrja këtë si inkurajim për të punuar më shumë”, tha Nolan, 54 vjeç duke folur per bisedën e tyre me Mbretin Charles.

“Ai e kishte parë “Oppenheimer” dhe i kishte pëlqyer, kështu që ishte shumë kënaqësi ta dëgjoja”, tha Thomas, 53 vjeç.

Biografia e fizikanit teorik amerikan J Robert Oppenheimer, drejtor i Laboratorit të Los Alamos – që prodhoi bombën atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore – shënoi herën e parë që çifti fitoi “Oscar” për filmin më të mirë dhe “Bafta” për filmin më të mirë.

“Ajo që më emocionoi vërtetë është fakti që kam dëgjuar në mënyrë anekdotike për shumë të rinj që kanë përvojën e tyre të parë të kësaj historie në ekranin e madh, dhe më pas janë thelluar dhe duke bërë më shumë nga kërkimet e tyre në ngjarjet që ne portretizuam”, tha Thomas.

Çifti, i cili ka katër fëmijë, u njohën ndërsa studionin në “University College London” (UCL) – Kolegji Universitar i Londrës, me Nolanin që prezantoi Thomas në shoqërinë e filmit të universitetit, ku ai ishte president dhe prodhoi filma të shkurtër.

I pyetur se cila ishte këshilla e tij për kineastët e rinj, Nolan u përgjigj: “Gjeni një partner të mirë”.

“Ne u takuam në ditën e parë të universitetit në UCL dhe që atëherë kemi bërë filma”, tha ai.

“E vetmja këshillë tjetër e dobishme për të cilën kam menduar vërtet është t’i përmbaheni armëve tuaja. Nëse keni diçka unike për të thënë, thjesht përpiquni të gjeni një rrugëdalje për këtë”, shtoi ai.

Që nga martesa e tyre në vitin 1997, çifti ka bashkëthemeluar dhe drejtuar një kompani prodhimi “Syncopy”, e cila ka prodhuar shumë prej filmave të tyre të suksesshëm.

Nolan tha se partneriteti i tij me Thomas kishte qenë tepër i rëndësishëm, duke shtuar se ata kishin qenë në gjendje të arrinin shumë më tepër së bashku sesa do të kishin mundur individualisht.

“Ishte e rëndësishme të kishim një partneritet që është i njëjtë, me të njëjtat synime dhe kreativitet”, tha regjisori i “Interstellar”, dhe  “Memento”.

“Gjetja e një partneriteti si ky nuk është mënyra e vetme për ta bërë këtë, por sigurisht që mes nesh funksionoi “shkëlqyeshëm”. “Ndërsa bota përreth jush bëhet më e madhe, ky partneritet thelbësor bëhet edhe më i rëndësishëm”, tha Thomas

I pyetur në lidhje me raportet se ai nuk përdor një smartphone, Nolan tha: “Unë do të nxisja njerëzit e tjerë që të heqin telefonat smart. Do të keni më shumë kohë për t’u menduar”.

“Është shumë emocionuese të shikoje një brez të ri shikuesish që zbulojnë ekranin e madh dhe fuqinë e përjetimit të një historie me një audiencë. Kjo është ajo që e bën kinemanë unike”, tha ai.

“Është një formë unike e artit modern”, shtoi ai.

“Ne jemi shumë mirënjohës që kemi qenë në gjendje t’i nxjerrim filmat tanë për audiencë të madhe gjatë viteve dhe shpresojmë edhe në vitet në vijim”, tha ai. / KultPlus.com

Beogradi ia refuzon hyrjen në Preshevë ministrit Hajrullah Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku nuk është lejuar sot që të realizojë një vizitë zyrtare në Preshevë.

Kjo për shkak se shteti serb e refuzoi këtë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Refuzimi i minutës së fundit – Akt tjetër izolimi ndaj shqiptarëve të Preshevës
Sot, në orën 12:30, ishte planifikuar vizita e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, z. Hajrulla Çeku, në Komunën e Preshevës.
Qeveria e Serbisë refuzoi këtë vizitë vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit.
Ky veprim është një tjetër dëshmi e tentativave për të izoluar shqiptarët e Preshevës, duke penguar bashkëpunimin dhe komunikimin institucional.
Shqiptarët e Preshevës meritojnë trajtim të barabartë dhe respekt për të drejtat e tyre, ashtu si të gjithë qytetarët tjerë në rajon./ KultPlus.com

Filmi ‘Rrugës’ përzgjedhet në Festivalin e Filmit “Clermont-Ferrand” në Francë

Filmi Rrugës (On the Way) është përzgjedhur për Garën Ndërkombëtare në Festivalin e 47-të të Filmit të Shkurtër Clermont-Ferrand, i cili do të mbahet nga 31 Janar deri më 8 Shkurt 2025 në Francë.

Clermont-Ferrand është festivali më i rëndësishëm në botë dedikuar filmave të shkurtër, duke e bërë këtë përzgjedhje një arritje të rradhës për kinematografinë tonë.

Këtë vit, nga mbi 8,500 aplikime, filmi Rrugës është një nga vetëm 62 të përzgjedhur për këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.

Gjithashtu, ky është filmi i tretë nga regjisori Samir Karahoda që përzgjidhet për Festivalin Clermont-Ferrand, një dëshmi e vazhdueshmërisë së tij në rrëfimin dhe cilësinë kinematografike./ KultPlus.com