Opera “Lucia di Lammermoor” e kompozitorit Gaetano Donizetti rikthehet pas 16 vitesh në në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Opera “Lucia di Lammermoor” u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit më 1 nëntor 2008 me regji të Nicola Zorzi.
Asokohe roli i Lucias u interpretua nga sopranot Marjana Leka, Oriana Kurteshi dhe Francesca Micarelli, duke sjellë tre portretizime brilante të këtij personazhi kompleks.
Rolin e Enricos, vëllait të Lucias, e interpretuan baritonët e shquar Ylber Gjini dhe Marco Camastra, ndërsa roli i të dashurit të Lucias, Edgardo, u soll në skenë nga tenorët Gianluca Terranova dhe Cristiano Oliveri.
Roli i Arturos u interpretua nga Rudin Sata, Raimondo nga Armando Likaj, Alisa nga Vikena Kamenica dhe Normano nga Erlind Zeraliu.
Ky rikthim pas plot 16 vitesh premton shumë emocione, me dy kaste artistësh të jashtëzakonshëm.
Prej ditësh tashmë, regjisorja Ada Gurra po punon intensivisht me solistët dhe korin e TKOBAP-së për të sjellë një interpretim unik të kësaj opere të Donizetti-t, në datat 12, 13, 15 dhe 16 dhjetor në orën 19:00./ atsh/ KultPlus.com
Në romanin “Njëqind vjet vetmi” më tepër se kudo tjetër unë ligjëroj si shkrimtar-realist, sepse, sipas meje, në Amerikën Latine, gjithçka është e mundur, gjithçka është reale. Tashmë, kjo është një çështje teknike – në çfarë mase ia del shkrimtari t’i ndërfusë në libër ngjarjet reale që ngjasin në Amerikën Latine; mund të ngjasë që, kur ato bëhen episode libri, lexuesi nuk u zë besë. Puna është se ne, shkrimtarët latino-amerikanë, shpesh nuk e kuptojmë çfarë trilli madhështor fshihet në përrallat e gjyshes, kurse fëmijët i besojnë këtij trilli. Pikërisht fëmijëve ua rrëfejnë këto trillime dhe fëmijët, si të thuash, i ndihmojnë krijimit të këtyre dhe kjo është e mrekullueshme, si në “Njëmijë e një netët”. Ne na rrethojnë gjëra të jashtëzakonshme, fantastike, mirëpo shkrimtarët na rrëfejnë kokëngjeshur gjëra të parëndësishme, ngjarje përditshmërie. Unë mendoj se ne duhet të punojmë mbi gjuhën dhe mjetet e shprehjes, me qëllim që realiteti fantastik latinoamerikan të bëhet pjesë e librave tanë, në të cilin nga dita në ditë bëjnë vaki ngjarje nga më të pabesueshmet. Për shembull, ekzistojnë kolonelë, që nisin tridhjetë e dy luftëra dhe dalin të shpartalluar në të gjitha apo, të themi, në Salvador, një diktator, emri i të cilit nuk më kujtohet, shpik një lavjerrës, i cili tregon nëse ka apo nuk ka helm në gjellë dhe e vë atë në supë, në mish, në peshk. Nëse lavjerrësi do të anojë majtas, ai nuk e prek gjellën, nëse djathtas – ai nis të hajë pa frikë. Kështu, pra, ky diktator na ishte një mentar i madh; kur në vend ra epidemia e lisë dhe ministri i Shëndetësisë me ndihmësit e vet e pyetën si t’ia bëjmë, ai iu përgjigj: “Unë e di, se ç’duhet bërë, – mbështillni me letër të kuqe të gjitha llambat elektrike nëpër vendet publike në gjithë vendin”. Dhe ka qenë koha, kur nëpër gjithë Salvadorin të gjithë fenerët qenë mbështjellë me letër të kuqe. Gjëra të tilla në Amerikën Latinë ngjasin çdo ditë, kurse ne, shkrimtarët latin-oamerikanë, duke u ulur pranë tavolinës që t’i përshkruajmë ato, në vend që t’i pranojmë ato si reale, shkrehemi në polemika, duke arsyetuar përafërsisht: “Kjo nuk është e mundur, thjesht ai ka qenë një i lojtur nga fiqiri” e të këtilla si këto. Ne fillojmë të sjellim shpjegime të arsyeshme, të cilat e shtrembërojnë realitetin latino-amerikan. Jam i mendimit se këtë realitet ne duhet ta pranojmë hapur, sepse i tillë është ky realitet, i cili mund t’i japë diçka të re letërsisë botërore.
(Shkëputur nga Mario Vargas Llosa & Gabriel García Márquez: Dialog për romanin latino-amerikan, përktheu Agron Tufa) /Hejza/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka qenë i ftuar i nderit i Shoqatës shqiptare “Korabi” që siç tha ai, ka mbledhur 320 biznese e profesionistë shqiptarë e arbëreshë që veprojnë në Itali.
Ai është shprehur se mbështet dhe çdo nismë që forcon lidhjet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve të sotëm.
“I nderuar të isha i ftuari i nderit i Shoqatës shqiptare “Korabi” që, nën moton “Le të takohemi”, mblodhi 320 biznese e profesionistë shqiptarë e arbëreshë që veprojnë në Itali”.
“Si President i Republikës së Shqipërisë, mbështes çdo nismë që forcon lidhjet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve të sotëm, që ruan identitetin tonë dhe kontribuon për të ardhmen e përbashkët të Shqipërisë dhe Italisë”, ka shkruar Begaj në Facebook.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga kantieri i punës në rrugën Shirokë-Zogaj.
Përpos videos së postuar në rrjetin e tij social, Facebook, kryesocialisti shkruan se po punohet me ritme të shpejta, ndërsa vë në dukje se aktualisht është hapur traseja e rrugës nga pika kufitare deri në Zogaj.
“Në kantierin e punës në rrugën Shirokë – Zogaj, po punohet me ritme të shpejta, ku aktualisht është hapur traseja e rrugës nga pika kufitare deri në Zogaj.
Pjesa e fundit e rrugës Shirokë-Zogaj-pikë e re kufitare me Malin e Zi kalon mbi fshatin Zogaj, por hapet praktikisht si rrugë e re mbi një shteg ekzistues, ndërkohë që i gjithë segmenti nga Shiroka në vazhdim do të ketë edhe trotuar dhe korsi biçikletash”, shkruan Rama./ TopChanel/ KultPlus.com
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë njofton pjesëmarrjen e shkrimtarit kroat Miro Gavran në Festivalin e Letërsisë Evropiane, i cili do të mbahet në Tiranë.
Delegacioni i BE në Tiranë njofton se, Miro Gavran, një ndër shkrimtarët dhe dramaturgët më të njohur kroatë, me vepra të përkthyera në mbi 40 gjuhë dhe të shfaqura mbi 400 herë globalisht, do të jetë pjesë e Festivalit të Letërsisë Evropiane në Tiranë.
Takimi do të zhvillohet më 14 dhjetor, ora 16:00, në Qendrën e Artit “Agimi”. Ky aktivitet do të përfshijë një bisedë të moderuar nga Andi Begolli, si dhe lexime dhe performanca artistike nga Luiza Xhuvani dhe Iliarda Bejleri.
Delegacioni i BE-së fton qytetarët të marrin pjesë në këtë event të veçantë, që ndërthur letërsinë dhe artin bashkëkohor.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka ndarë pamje të reja nga punimet në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Çeku në një postim në Facebook, ka theksuar se stadiumi do të përmbushë të gjitha standardet dhe kriteret për zhvillimin e ndeshjeve sipas rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s, njofton Klankosova.tv.
“Ky stadium do të plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret për zhvillimin e lojërave në përputhshmëri me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s”, tha ministri.
Ai ka shtuar po ashtu se investimet janë pjesë e planit pesëvjeçar për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit.
“Po e zbatojmë planin pesë vjeçar të infrastrukturës së futbollit, 18 komuna, mbi 20 stadiume, 200 milionë euro investime”, u shpreh ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Ekspozita “Gratë udhëheqëse në fokus” e kuruar nga Eliza Hoxha, është hapur mbrëmë në “Qendrën Barabar”, shkruan KultPlus. Në kuadër të fushatës “16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” edicioni i dytë i ekspozitës ka prezantuar edhe 10 gra të suksesshme të Kosovës të cilat në mënyra dhe forma të ndryshme kanë qenë kontribut dhënëse në shoqëri.
Portretet e shpërndara rreth e përqark hapësirës ekspozuese me gra lidere nga etni të ndryshme paraqesin autoritetin e tyre, ku përmes shkrimeve anash fotografive vërehet që ka qenë jo lehtë i arritshëm. Megjithatë mesazhet në përgjithësi përmbanin fraza krenarie dhe motivuese nga figura si: Atifete Jahjaga, Feride Rushiti, Fahrie Hoti, Jeta Xharra, Majlinda Kelmendi, Xhyljeta Mushkolaj, Edita Tahiri, Shkurtije Markovic, Mirjeta Qehaja, Hiljminjeta Apuk, Teuta Sahatqija, Mimoza Gavrani, Gordana Doric, Ramye Salya, Igballe Rugova, Fortesa Orana dhe Urma Menekshe.
Fotografitë e ekspozitës janë realizuar nga Arben Llapashtica. Përderisa, pjesë e ngjarjes ishte edhe paneli diskutues në përbërje me diplomaten Edita Tahiri, juristen Xhyljeta Mushkolaj, dhe artisten Mirjeta Qehaja, që u udhëhoq nga gazetarja Aulonë Kadriu.
Në një fjalim mirëpritës, kuratorja Eliza Hoxha ka thënë se përmes kësaj ekspozite po u japin fokus disa figurave të cilat për arsye të ndryshme nuk kanë marrë “dritën” që meritojnë.
“Rrugëtimi i grave në Kosovë nuk ka qenë i lehtë asnjëherë. Shumë shpesh përkundër sukseseve që gratë në Kosovë i kanë pasur, kanë mbetur në hije për shkak të dinamikave të shumta politike, historike dhe profesionale. Por, unë gëzohem sot që u rikthehemi profileve të shumta që jo gjithmonë e kanë dritën e duhur. Dhe kjo jo rastësisht, sepse përderisa ato janë në mesin tonë ne duhet të jemi pranë tyre dhe të ndriçohemi nga puna, angazhimi dhe përvoja e tyre” ka thënë kuratorja Hoxha, duke potencuar që pikërisht këto gra vazhdojnë të mbeten inspirim edhe për vajzat e reja.
“Sot i festojmë 20 gra të profileve të ndryshme të cilat kanë dëshmuar që përtej sfidave të shumta që kanë pasur në rrugëtimin e tyre jetësor dhe profesional ato ia kanë dalë. Ato kanë ndriçuar për veten dhe për Kosovën. Ato sot ndriçojnë edhe për ne dhe do të vazhdojnë të mbeten pishtarë edhe të vajzave të reja”, ka thënë më tej kuratorja.
Ndërkaq, përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh ka thënë se ndihet e lumtur që gjendej e pranishme në ekspozitën e cila feston gruan dhe të arriturat e saj.
“Kjo kampanjë feston gruan dhe arritjet e tyre. Gruaja është ndërtuese e paqes dhe e së ardhmes. Shumë herë kampanjat rrisin ndërgjegjësimin për gruan duke trajtuar viktimat, dobësitë e gruas. Sot po i sjellim të gjitha ato të forta. Sot festojmë kalimin e tyre nga të qenët viktimë në festë. Gratë sot janë këtu dhe ne duhet ta transformojmë dhimbjen e tyre në forcë”, ka thënë Ziadeh.
Kurse, diplomoatja Edita Tahiri ka thënë se sfidat e diskriminimit gjinor janë ende evidente, dhe se diskriminimi më i madh bëhet te pushteti.
“Diskriminimi më i madh është te pushteti. Burrat nuk duan që t’ia japin edhe grave gjysmën e pushtetit. Në parlament burrat janë zemërgjerë, po në parlament deri në 40% na japin neve vende. Por në pushtet, në qeveri, në partitë politike të gjithë liderët janë burra. Gati s’ka fare gra lidere në partitë politike. Qeverinë, pushtetin duhet patjetër ta kenë burrat. Madje, më keq kur burrat janë liderë të partive ata po bëhen boss-at e grave”, ka thënë diplomatja Tahiri.
Ajo më tej ka thënë se gratë për të pasur një pozitë më të mirë në shoqëri, duhet që të fuqizohen edhe në politikë.
“Ne gratë duhet të fuqizohemi politikisht, duhet të gjejmë rrugët nëpër partitë politike. Dhe kur them ne gratë, fillimisht ne duhet t’ia nisim, se nëse presim prej burrave nuk vjen me sinqeritet përkrahja. Mos pritni të ftoheni, filloni vet. Ne tash nuk jemi në luftë. Unë e lidha fatin tim me fatin e popullit tim të robëruar por tash kemi sfida të tjera, kemi sfida që Kosova të ketë një ekonomi, demokraci më të mirë, institucione më mbështetëse për barazinë gjinore, të kemi mentalitet më demokratik”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, juristja Xhyljeta Mushkolaj ka thënë se sot depërtimi i grave në sfera të ndryshme është sfidues edhe për shkak të legjislacionit.
“Ne nuk e kemi vigjilencën e duhur që ta kuptojmë që secili ligj, qoftë edhe ai procedural, duhet të zbatohet si ligj në kuptimin e ligjit si legjislacion. Asnjë ligj nuk mund të zbatohet pa zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore. Sa për gratë në politikë, e kam një vërejtje shumë substanciale. Për të mirën e të gjitha grave, duhet të kujdesen që pos kuotave të kemi ligj për regjistrim dhe veprim të partive politike”, ka thënë juristja Mushkolaj, duke potencuar që depërtimi i gruas në pozitat udhëheqëse është ende labirint.
Kurse, artistja Mirjeta Qehjaja ka thënë se ende janë prezente paragjykimet në baza etnike në shoqëri, për më tepër edhe ato gjinore edhe mes artistësh.
“ Fatkeqësisht kur unë e kam përfunduar fakultetin dhe kur kam filluar të shoqërohem me grupe të ndryshme të artistëve, tash vonë e kam kuptuar që edhe në mes tyre ka dallime gjinore, gjë të cilën unë nuk e kam besuar më herët. Në grupe të ndryshme të artistëve ende flitet se cila prej grave pikturon më mirë e cila jo, përderisa ajo që burrat pikturojmë më mirë se gratë as që diskutohej. Kjo gjë më ka bërë përshtypje. Por, prap këto gjëra nuk ndikojnë shumë te unë. Unë patjetër se kam vazhduar që me artin tim, pikërisht pikturat dhe muralet e mia të ndërlidhen me shoqërinë civile”, ka thënë artistja Qehaja.
Edicioni i parë i ekspozitës “Gratë udhëheqëse në fokus” është mbajtur në prill, përderisa është paraparë që të vazhdojë edhe me edicione të tjera në vitet pasuese. Ky projekt është përkrahur nga UNMIK, Integra dhe Qendra Barabar./ KultPlus.com
Shqipëria ka shënuar një progres të dukshëm në vlerësimin ndërkombëtar TIMSS 2023, duke përmirësuar rezultatet në Matematikë dhe Shkencë dhe duke u renditur për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë.
Ky vlerësim, i cili përfshiu në vendin tonë 200 shkolla dhe 5143 nxënës të klasës së katërt, u zhvillua për herë të parë në format digjital (CBA).
Shqipëria për herë të parë shënoi një rezultat prej 512 pikësh në Matematikë, ose 9 pikë mbi mesataren ndërkombëtare që është 503 pikë.
Nxënësit tanë e renditën Shqipërinë në vendin e 33-të nga 58 shtete dhe 5 ekonomi pjesëmarrëse, duke lënë pas vende si Kanadaja, Spanja, Belgjika, Franca, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, etj.
8% e nxënësve shqiptarë arritën nivelin e avancuar të aftësive, duke tejkaluar mesataren ndërkombëtare (7%).
Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme me rezultatet e TIMSS 2019, 14 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 22 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve.
Shqipëria është në listën e 14 shteteve me rezultate në rritje në Matematikë. Në prezantimin ndërkombëtar të rezultateve, Shqipëria u cilësua si një ndër shtetet me rritjen më të lartë të pikëve në lëndën e Matematikës, me një rritje prej 18 pikësh.
Shqipëria arriti një rezultat prej 491 pikësh në Shkencë, me një rritje prej 2 pikësh krahasuar me 489 pikët e vitit 2019, vetëm 3 pikë nën mesataren ndërkombëtare prej 494 pikësh. Vlen të theksohet se Shqipëria është vendi i parë në renditje, pas mesatares ndërkombëtare të Shkencës.
Shqipëria u rendit në vendin e 34-të për Shkencën, duke lënë pas shtete si Belgjika, Franca, Qiproja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnjë-Hercegovina etj.
Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme, me rezultatet e TIMSS 2019, 15 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 21 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve. Shqipëria është në listën e 15 shteteve me rezultate në rritje në Shkencë.
TIMSS është një vlerësim ndërkombëtar që realizohet një herë në katër vite dhe organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore (IEA). Ky vlerësim ndërkombëtar është një instrument kyç për matjen e cilësisë së arsimit në Matematikë dhe Shkencë.
Shqipëria u bë pjesë e TIMSS për herë të parë në vitin 2019 dhe performanca e saj është përmirësuar dukshëm në këtë vlerësim të fundit. Këto rezultate pasqyrojnë progres të qëndrueshëm dhe një angazhim për të përmirësuar cilësinë e arsimit.
Performanca e nxënësve shqiptarë tregon një rrugë të qartë për arritjen e standardeve më të larta arsimore dhe një angazhim për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit në nivel ndërkombëtar./atsh/ KultPlus.com
(Radio Evropa e Lirë) – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 4 dhjetor se gjatë takimeve që ka zhvilluar në Bruksel me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian ka kërkuar bashkëpunim dhe që fokusi të jetë në parandalimin e “sulmeve të reja terroriste”, pas sulmit në Zubin Potok.
Më 29 nëntor, kanali i Ibër-Lepencit në Zubin Potok u sulmua me mjete shpërthyese. Kosova e ka cilësuar shpërthimin si sulm terrorist dhe e ka fajësuar Serbinë për të.
Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe e ka dënuar sulmin.
Edhe Bashkimi Evropian e ka cilësuar “akt terrorist” dhe “akt sabotues” sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Osmani foli për gazetarët pas takimeve që zhvilloi fillimisht me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe më pas me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Presidentja tha se në këto takime është biseduar për sulmin e fundit në Zubin Potok ndaj kanalit të ujit dhe për rreziqet e reja që mund t’i vijnë Kosovës nga sulme të tjera eventuale.
Ajo tha se në takimet në Bruksel ka rikonfirmuar gatishmërinë e plotë të Kosovës për të ftuar partnerët ndërkombëtarë që të marrin pjesë në hetime për shpërthimin e 29 nëntorit.
“Duhet të kërkohet përgjegjësi për sulmet e vazhdueshme të cilat Serbia, nëpërmjet strukturave të saj ilegale, po i kryen kundër Kosovës”, tha ajo.
E pyetur se sa janë bindëse dëshmitë që i ka paraqitur Kosova sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për këto sulme, pasi që disa zyrtarë evropianë kanë deklaruar se nuk duhet nxituar me paragjykime rreth fajësisë, Osmani tha se ka mjaft dëshmi që e bëjnë përgjegjëse Serbinë.
“Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk merren me paragjykime, por me prova konkrete. Personat e arrestuar janë anëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Anëtarët e kësaj organizate edhe emërohen nga Serbia, edhe paguhen nga Beogradi zyrtar. Edhe po të mos ekzistonte asnjë lidhje tjetër, vet fakti që këta persona janë zyrtarë të Beogradit, paguhen, mbështeten, trajnohen për sulme të tilla nga Beogradi, dëshmon mjaftueshëm për përfshirjen e Serbisë”, tha presidentja Osmani.
Osmani iu referua një nga dy organizatave, që Qeveria e Kosovës ka shpallur terroriste vitin e kaluar.
Presidentja e Kosovës po ashtu tha se sulmi i fundit në Varragë të Zubin Potokut, sipas ekspertëve, është kryer nga profesionistë të cilët është dashur që për një sulm të tillë të kenë trajnim ushtarak.
“Ne e kuptojmë se vendet e BE-së dhe NATO-s kanë procedurat e tyre për të konfirmuar përgjegjësinë e dikujt. Ato edhe mund të zgjasin shumë, megjithatë sa i përket Kosovës, këtu nuk kemi të bëjmë as me paragjykime, e as me deklarata politike, por me konstatime që bazohen në prova”, tha Osmani.
“Është taktikë për të larguar vëmendjen nga autorët e vërtetë të një sulmi të tillë. Taktika të tilla, Serbia ka bërë edhe në të kaluarën. Ka bërë gjatë luftës në Kroaci, duke shfrytëzuar struktura paramilitare, duke pretenduar se Serbia nuk ka të bëjë asgjë me ta. Pra, taktika ‘gjuaje gurin dhe fshehe dorën’. E njëjta taktikë është përdorur edhe në sulmin e shtatorit të vitit 2023, e edhe tani”, tha ajo, duke shtuar se Kosova bashkëpunon me partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar çfarëdo skenari për ndonjë sulm eventual në të ardhmen.
Më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë një polic. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi u vranë tre sulmues serbë.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiqi, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kosova ka kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, teksa ai besohet se gjendet në Serbi.
Osmani tha se në takimet që ka zhvilluar të mërkurën në Bruksel ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës dhe shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, që Prishtina e ka dorëzuar në Bruksel dy vjet më parë, por që nuk është vendosur fare në rend dite nga institucionet e bllokut evropian.
Ndërkaq, vitin e kaluar BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
Sa i përket masave ndëshkuese, që i cilësoi të padrejta, presidentja kosovare tha se ka kërkuar nga Costa dhe Metsola që të ndihmojnë për të siguruar mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së për heqjen e tyre.
Ndryshe, Osmani do të vazhdojë vizitën e saj në Bruksel edhe më 5 dhjetor dhe do të zhvillojë takime në selinë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s. /REL/ KultPlus.com
Me ndarjen e çmimeve për filmat më të mirë është mbyllur të martën edicioni i 5-të i festivalit “Art Without Limit International Film Festival”, kushtuar personave me aftësi të kufizuar.
Filmi “Cowad” nga Franca ka marrë Çmimin për “Filmin më të mirë për të drejta e personave me aftësi të kufizuar” (Best Story about rights of persons with disabilties).
Çmimi për “Best Fiction” e mori filmi “Proof of love” nga Franca.
Kurse çmimi për “Dokumentarin më të mirë” ( Best dokumentary) iu dha filmit “My name is Wiette” nga Gjermania.
Çmimin “Art pa kufi” (Art Without Limit Award) e mori filmi “By my side” nga Austria.
Kurse, çmimin për “Filmin më të mirë për fuqizimin e grave” (Best story in the film for women empowerment) e mori filmi “Ania from Piekielnik” nga Polonia.
Filmi “Bubble boy” nga Britania e Madhe e mori çmimin “Animacioni më i mirë” (Best Animation).
Çmimin “Art Without Limit – Kids Award” e mori filmi “Arti dhe equal” nga Shqipëria.
Ndërsa, çmimin “Special mention for inspiration presentation in the film” (Përmendje e veçantë për prezantimin frymëzues në film) e mori filmi “Room taken nga Irlanda dhe “Severe brain injury recovery shoting for the stars” nga Kanadaja.
Gjatë edicionit të sivjetmë të festivalit “ Art Without Limit International Film Festival” janë shfaqur 50 filma nga vende të ndryshme të botës. Përveç shfaqjes së filmave në kategorinë zyrtare në kuadër të këtij festivali, këtë vit janë mbajtur edhe aktivitete të tjera, si programe të veçanta dedikuar fëmijëve e fuqizimit të gruas, work-shope për filma e programe speciale.
Po ashtu siç njofton Festivali është mbajtur një masterclass me regjisorin holivudian, Peter MacDonald, e work-shopi për animacion me regjisorin Artan Maku nga Shqipëria.
Gjithashtu gjatë këtij edicioni të këtij festivali është shfaqur edhe një film një për një piktor të ri nga Prishtina, i cili është i prekur me disklesi dhe disgrafi.
Ndryshe edicioni i 5-të i këtij Festivali ka nisur më 01.12.2024 dhe është mbajtur në Kino Armata në Prishtinë./rtk/ KultPlus.com
Festivali i “Këngës Magjike”, rikthehet në shtëpinë e saj, në Pallatin e Koncerteve, duke nisur sonte rrugëtimin e netëve live, përpara një publiku të jashtëzakonshëm.
Nata e 4 Dhjetorit do të çelë siparin e festivalit historik, që ka bërë traditë në kulturën muzikore Shqiptare.
Mbrëmja e sotme do të jetë edhe nata e parë gjysmë finale, ku në skenë do të ngjiten 22 artistë të talentuar dhe emra të mirënjohur të muzikës shqiptare, 8 prej të cilëve në kategorinë “New Artist” dhe 14 në kategorinë “Big”.
Në hashtagun #musicistheanswer, muzika është përgjigja, edicioni i 24-tët i skenës magjike premton emocione, performanca të jashtëzakonshme dhe muzikë të mirë. Por gjatë tre netëve live nuk do të mungojnë ethet për artistët e rinj, që do të duhet të bindin jurinë prej 5 anëtarëve për të kaluar në natën finale dhe për artistët “Big”, që do të duhet të sjellin në skenë gjithë bagazhin emocional dhe artistik për çmimin e madh.
“Kënga Magjike 2024” është një nga edicionet me më shumë larmi rrymash muzikore: me baladat e dashurisë, me rryma elektronike, techno, drum and bass, pop rock, ku i këndohet dashurisë, forcës së gruas, rebelizmit dhe shpresës.
Mjeshtri i madh i skenës Gaetano Castelli shënon bashkëpunimin në 15 edicione të festivalit, duke i dhuruar me skenografitë e tij mahnitëse, magjinë që i takon “Kënga Magjike”.
Producenti dhe moderatori i Këngës Magjike, Ardit Gjebrea, ashtu siç është bërë traditë në këtë edicion, do të ketë në krah dy bashkëprezantuese, gazetaren Matilda Mcini, në natën e parë, balerinën Selin Bollati, në natën e dytë gjysmëfinale dhe të shtunën në finalen e madhe në skenë do të jenë të tre bashkë.
Ashtu siç ka ndodhur në çdo edicion, edhe sonte, nesër dhe të shtunën, “Kënga Magjike”, premton shumë surpriza, që publiku ka mundësinë t’i ndjekë live nga Pallati i Koncerteve dhe drejtpërsëdrejti në ekranin e Televizion Klan./ tvklan/ KultPlus.com
Në kuadër të Javës Kombëtare, Shkodra Elektronike solli një dimension të ri në skenën muzikore, duke transformuar këngët tradicionale shqiptare në një stil modern elektronik. Performanca unike krijoi një atmosferë të veçantë, ku tradita dhe ritmet bashkëkohore ndërthureshin në harmoni të plotë.
Publiku përjetoi një eksperiencë të jashtëzakonshme, duke vlerësuar kreativitetin dhe freskinë e sjellë në këtë event.
“Shkodra Elektronike në Javën Kombëtare. Një rikthim unik ku Shkodra Elektronike solli një frymë të re, duke transformuar këngët tradicionale shqiptare në një stil elektronik modern dhe dinamik. Atmosfera ishte elektrizuese dhe publiku e përjetoi si kurrë më parë! Ky event i veçantë ndërthuri trashëgiminë kulturore me tingujt bashkëkohorë, duke sjellë një harmoni të freskët dhe plot energji”, lexohet në një postim në rrjetet sociale të “Javëve Kulturore Ndërkombëtare”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind nga e para.
Ai ka shkruar kjo po bëhet me një projekt inovativ që sipas tij, synon të përmirësojë cilësinë e kësaj galerie.
“Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës po rilind nga e para, me një projekt inovativ që synon të përmirësojë cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike dhe funksionale në shërbim të të gjithë artistëve dhe artdashësve durrsakë që do të bëhen pjesë e eventeve që do të zhvillohen aty”, ka shkruar Rama.
Historiani, profesori, akademiku i shquar shqiptar Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920. Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar.
Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955. Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zevendeskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.
Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj. Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).
Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Akademiku Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016./atsh/KultPlus.com
Hobsi e përgjithësoi sistemin e vet në tri shkrime të titulluara: Për trupin, Për njeriun dhe Për qytetarin.
Ashtu si bota materiale lëviz sipas një mekanizmi të ndërlikuar ingranazhesh, si ajo e një ore të ndërlikuar, edhe njeriu është rrënjësisht ashtu si një makinë.
Mjeku Uiliam Harvei, mik i vjetër i Hobsit, e kishte treguar në mënyrë të shkëlqyer këtë nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Prandaj, sipas Hobsit, pulsionet psikologjike dhe gjendjet si kënaqësia dhe dhimbja, dashuria dhe urrejtja, dëshira dhe frika, mund të çojnë te pulsioni fizik i dorës së parë, që është ruajtja e vetes. Një pulsion i tillë i bindet domosdoshmërisë, megjithëse këtu nuk bëhet fjalë për një vullnet të lirë./ KultPlus.com
Ministri i Shtetit për Marrdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau sot pamje të “K’cimit të Tropojës” të kërcyer nga shqiptarët në Nju Jork.
“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.
Kjo ngjarje shënon moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.
Formulari i kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” u dorëzua në mars 2021.
“K’cimi i Tropojës” është një tjetër elementi unik shqiptar që prezantohet për këtë listë, i cili promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com
Festivali Teatror “Hapat” rikthehet për të tretin vit radhazi, duke shndërruar Tiranën në qendrën kryesore të teatrit të të rinjve.
Ky festival, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është një platformë unike që promovon skenën e pavarur artistike dhe fuqizon zërin e krijuesve dhe interpretuesve të rinj nga i gjithë vendi.
“Hapat” nisi mbrëmë (3 dhjetor) dhe shfaqjet do të vazhdojnë deri më 8 dhjetor 2024.
Këtë vit, në skenat e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (TKEKS), Teatrit Metropol, dhe sallës Black Box të Universitetit të Arteve, do të prezantohen 11 prodhimet më të mira të Fondit të Teatrit për të Rinj.
Festivali teatror “Hapat” është faza finale e Fondi të Teatrit për të Rinj që është një nga ato raste të shumta iniciativash të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në përputhje me misionin dhe politikat mbi nxitjen, promovimin dhe krijimin e hapësirave mbështetëse për skenën e pavarur artistike, e veçanërisht në fushën e teatrit, duke ofruar mundësinë që teatri si zë i së vërtetës po shkon në të gjithë hapësirën shqiptare.
Në kuadër të këtij fondi u realizuan 11 projekte teatrore, 66 shfaqje të shtrira në 7 qarqe të vendit, janë angazhuar rreth 80 krijues dhe interpretues të moshës 20-35 vjeç.
Krijuesit dhe interpretuesit e rinj kanë punuar dhe prezantuar krijimet e tyre jo vetëm në infrastrukturën e teatrit në Tiranë si në skenat e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatrit Metopol dhe Universitetit të Arteve , por edhe në qytete të tjera si Korça, Shkodra, Berati, Elbasani, Durrësi, Gjirokastra dhe Bulqiza, duke zgjeruar ndjeshëm ndikimin dhe rëndësinë e teatrit për publikun shqiptar.
Festivali “HAPAT” ka karakter garues dhe do të shpërndajë çmime në disa kategori kryesore, përfshirë: shfaqja dhe regjia më e mirë, aktori/aktorja më i/e mirë, koreografia më e mirë, skenografia më e mirë, kostumografia më e mirë, muzika më e mirë.
Një juri e përbërë nga pesë profesionistë të shquar të fushës do të vlerësojë produksionet dhe do të shpallë fituesit në mbrëmjen gala të 8 dhjetorit./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel, është pritur në takim nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa.
Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka uruar atë për detyrën e re, duke shpresuar në vazhdimin e bashkëpunimit në interes të përbashkët.
Presidentja Osmani diskutoi për zhvillimet në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës, sulm ky që kishte për qëllim që të linte një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës pa ujë, pa energji elektrike, pa ngrohje dhe me pengesa në sistemin e telekomunikimit. Ajo prezantoi para Presidentit Costa dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar, i cili ishte akt agresioni ndaj Kosovës. Ajo shtoi se kryeterroristi që kishte zbatuar urdhërat e Beogradit zyrtar për sulme ndaj Kosovës, pra Radojqiç, akoma është i lirë dhe kjo dëshmon mungesën e gatishmërisë së Serbisë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.
Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e plotë të Kosovës për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar për hetimin e aktit terrorist kundër infrastrukturës vitale në Kosovë, gjersa i ka falënderuar BE-në, SHBA-të si dhe shtetet e tjera të NATO-s, dhe përtej për solidaritetin e treguar dhe ndihmën e ofruar. Ajo potencoi se është shumë me rëndësi,
që përveç hetimit, puna jonë e përbashkët të fokusohet edhe në parandalimin e sulmeve të reja.
Presidentja theksoi se në mënyrë që të garantohet stabilitet në Ballkanin Perëndimor është më rëndësi që të jemi unik në luftimin e kërcënimeve që rrezikojnë paqen dhe sigurinë e Kosovës dhe gjithë rajonit.
Ajo shtoi se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e objektivave të saj të integrimit evropian, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE. Për më tepër, Presidentja nënvizoi se heqja e masave kufizuese do të ishte një mesazh i fuqishëm për Kosovën për të kontribuar në vlerat dhe vizionin e përbashkët të Bashkimit Evropian, duke argumentuar sërish se ato janë të padrejta dhe se e dëmtojnë më së shumti popullin e Kosovës, por edhe vet parimin e balancit dhe paanshmërisë në dialogun Kosovë-Serbi./KultPlus.com
Me propozimin e Isa Boletinit, më 4 dhjetor 1912, Mehmet pashë Dërralla u zgjodh ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, duke fituar 42 vota dhe duke u radhitur i treti pas Luigj Gurakuqit me 54 vota dhe Myfit Bej Gjirokastrës (Libohovës) me 52 vota.
Ministri i Luftës Mehmet pashë Dërralla duke bashkëpunuar me Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemalin krijoi lidhje të ngushta me patriotët e shquar si Barjam Curri, Idriz Seferi dhe Haxhi Zeka, duke u organizuar ushtrinë kombëtare shqiptare. Ndonëse ishte në moshën 69-vjeçare, Mehmet pashë Dërralla nisi detyrën e vështirë të organizimit të ushtrisë shqiptare. Me përvojën 40-vjeçare në drejtimin dhe komandimin e ushtrisë, ai organizoi Komandën e Përgjithshme dhe Shtabin Madhor me strukturat përkatëse.
Në sajë të aftësive të tij akademike kontribuoi në hartimin e “Rregullores për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës”, në hartimin e “Rregullores së përkohshme mbi formimin e strukturës së Milicisë Shqiptare” dhe mori masat e duhura për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Pothuajse të gjithë ushtarakët e asaj kohe vinin nga shkolla ushtarake dhe nga radhët e ushtrisë turke.
Mehmet pashë Dërralla ka hyrë në histori si ministri i parë i Luftës së Shtetit Shqiptar. Për nder të tij 4 dhjetori është caktuar Festa e Kombëtare e Forcave të Armatosura Shqiptare./atsh/KultPlus.com
Duke iu referuar gjendjes fillestare të natyrës, një të kaluare hipotetike përpara qytetërimit, filozofi Thomas Hobbes nuk shihte asnjë arsye për të qenë nostalgjikë.
Ndërkohë që Rousseau thoshte se “njeriu lind i lirë, dhe më pas është kudo në zinxhirë”, Hobbes besonte se e gjejmë veten duke jetuar një jetë të egër dhe të pamundur, pa edukim dhe mbrojtje nga shteti.
Natyra njerëzore është e keqe: ne i zëmë pusi dhe e shohim si pré njëri-tjetrin, në mënyrat më të këqia të mundshme.
Nuk është për t’u habitur pra, që shteti do të imponohet mbi lirinë tonë, në një mënyrë pothuaj të dhunshme.
E megjithatë Hobbes pretendonte se këta zinxhirë janë absolutisht të rëndësishëm për të na mbrojtur ne njerëzve nga njëri-tjetri. / KultPlus.com
Në vitin 1912, pikërisht më 4 dhjetor, Qeveria e parë shqiptare filloi punën nën kryesinë e Ismail Qemalit.
Qeveria do të qëndronte në Vlorë deri në janar të vitit 1914, megjithëse me autoritet praktikisht vetëm brenda qytetit.
Po më 4 dhjetor, Vlora u godit me artileri nga flota greke që kishte bllokuar portin.
Trupat greke gjithashtu pushtuan ishullin e Sazanit, duke kontrolluar hyrjen në portin e Vlorës dhe këputën kabllon e komunikimit Shqipëri-Itali, e vetmja lidhje e vendit me botën e jashtme.
Grekët gjithashtu tentuan të merrni Sarandën.
Anëtarët e Kabinetit Qeveritar
Ismail Qemali – Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm
Dom Nikoll Kaçorri – Zv.Kryeministër
Myfit bej Libohova – Ministër i Brendshëm
Gjeneral Mehmet Pashë Deralla – Ministër i Luftës
Abdi bej Toptani – Ministër i Financave
Dr. Petro Poga – Ministër i Drejtësisë dhe sistemit Gjyqësor
Dr. Luigj Gurakuqi – Ministër i Arsimit
Mit’hat Bej Frashëri – Ministër i Punëve Publike
Pandeli Cale – Ministër i Agrikulturës
Lef Nosi – Ministër i Post-Telegrafit. / KultPlus.com
Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i dha Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi, duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Duke e pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës, Demaçi tha se “liria e fjalës është hapi i parë, vendimtar drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur.’
Të theksojmë se këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se “duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar”.
Çmimi Saharov për lirinë e mendimit, i pagëzuar sipas disidentit dhe shkencëtarit nga Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov (Andrei Sakharov) është themeluar në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Çmimi Saharov ndahet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.
Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet serbe e akuzonin për luftënxitje.
Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Në shtator 1994 u kandidua sërish-tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se “ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar”.
Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos. Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë e të intelegjencisë paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtar për problemin e Kosovës.
Adem Demaçi u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.
Demaçi është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.
Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.
Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995.
Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.
Pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Demaçi ishte autor i disa librave: Fërkime, Gjarpijtë e gjakut, Libër për Vet Mohimin, Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashur, Dashuria Kuantike e Filanit, Alb Prometeu, Politika, Pushka dhe Tung vargu im.
Demaçi ka vdekur më 26 korrik 2018. / KultPlus.com