Nicole Kidman zbulon filmin e saj të preferuar të të gjitha kohërave

Në intervistën e këtij viti për platformën Letterboxd, Nicole Kidman zbuloi se filmi i saj i preferuar i të gjitha kohërave është komedia kult romantike “When Harry Met Sally” nga viti 1989.

Gjatë promovimit të A Family Affair të Netflix, i cili doli në qershor dhe u bë një hit i madh, gazetarët e Letterboxd i kërkuan fitueses së Oskarit dhe yjeve të saj të emërtonin katër filmat e tyre të preferuar të të gjitha kohërave.

Aktorja australiane tha se pyetja ishte shumë e vështirë, por kur një gazetar e pyeti nëse kishte një film që e donte aq shumë, ajo e pa atë një milion herë, Kidman tha pa u menduar: “When Harry Met Sally”./KultPlus.com

“Tirana Festive”, qindra qytetarë shijojnë magjinë e muzikës dhe dritave në sheshin “Skënderbej”

“Tirana Festive” ishte aktiviteti që u organizua mbrëmë në sheshin “Skënderbej”, ku qindra qytetarë sfiduan temperaturat e ulëta, për të shijuar këngët e artistëve të preferuar, që u ngjitën në skenën e koncertit për t’i dhënë më shumë magji, natës së Krishtlindjeve.

Aktiviteti i organizuar nga Bashkia Tiranë, ka ngjitur në skenë disa nga këngëtarët e njohur, si Enxhi Nasufi, Semi Jaupaj, Sardi Strugaj, Ronela Hajati etj, ndërsa mbrëmja është përshëndetur edhe nga një performancë artistike e korit “Harlem Gasper”.

Koncertet në sheshin “Skënderbej” do të vazhdojnë deri në datë 29 dhjetor, ku pritet të ngjiten në skenë edhe një sërë emrash të njohur të skenës muzikore në vend, si Arjola Toska, Eli Fara, Sinan Hoxha e plot performanca të tjera nga grupet artistike të fëmijëve e plot këngëtarë të tjerë./atsh/KultPlus.com

Paola Napolitano zgjidhet në krye të Departamentit për Ruajtjen e Kulturës Arbëreshe

 Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshet bëri me dije se, në krye të Departamentit për Ruajtjen e Kulturës Arbëreshe, të fondacionit kulturor “Paola di Tarso”, u emërua dr. Paola Napolitano.

Dr. Napolitano do të jetë në krye të koordinimit dhe drejtimit të këtij departamenti me rëndësi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe, raportet mes komuniteteve lokale arbëreshe dhe mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë, si dhe në nder të gjithë atyre që sakrifikuan jetën e tyre në emër të paqes dhe ruajtjes së trashëgimisë arbëreshe.

“Ne mendojmë se ruajtja e Kujtesës së Popujve që bashkëjetojnë në paqe prej shekujsh në territorin italian duke bashkëndarë vlerat dhe duke i rritur nëpërmjet shkëmbimit reciprok të traditave, duhet të jetë një objektiv i rëndësishëm për të gjithë ata që kanë për zemër paqen”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i Fondacionit Kulturor “Paola di Tarso”, Fabio Gallo./KultPlus.com

‘Një poezi nga ato, të lindura prej skutave t’errta të mureve’

Poezi nga Eunice Arruda

Rrisk

Një poezi të lirë
nga gramatika
nga tingulli i fjalëve
të çliruar nga shkrimi.

Një poezi simotër
nga të gjitha poezitë
që pijnë burimin
e ndritin, gurët në diell.

Një poezi pa shijen
nga e imja
pa atë gjurmën që lënë
dhëmbët, kafshuar shtyllën
kurrizore.

Një poezi nga ato,
të lindura
prej skutave t’errta
të mureve,
me fjalë të varfra
me fjalë të dekompozuara,
por të lira për të vendosur vetë ato,
nëse duhet të shkruhen,
ose jo.

Përktheu: Herman Çuka / KultPlus.com

Himara shndërrohet në epiqendrën e festimeve të fundvitit

Himara është shndërruar në epiqendrën e festimeve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri me larmishmëri aktivitetesh artistike dhe kulturore për të gjitha moshat.

Mesnata e 24 dhjetorit u gjallërua nga shpërthimi i fishekzjarreve shumëngjyrëshe të cilat përndezën qiellin e qytetit bregdetar.

Ndërsa mëngjesi kishte të tjera surpriza për qytetarët himariotë, e veçanërisht për fëmijët të cilët u surprizuan nga një shfaqje e veçantë, ardhja e babagjyshit me një varkë nga deti dhe të mbushur me dhurata për ta.

Mbërritja e Babagjyshit nga deti, si asnjëherë më parë solli lumturi tek fëmijët dhe turistët që kishin zgjedhur bregdetin himariot për të kaluar orë festive, një organizim i jashtëzakonshëm ndryshe nga çdo vit tjetër nga Bashkia e Himarës, duke sjell për qytetarët atmosferë magjike Krishtlindjeje dhe në vigjilje të festës së fundvitit.

Vigjiljen e festës qytetarët mbushën sheshin ku ishte organizuar një koncert festiv me ndërthurje të muzikës tradicionale folk si dhe të ritmeve moderne.

Artdashësit ndoqën këngëtarë të mirënjohur si Angela Peristeri, Mateus Frroku, Gentian Selfo etj. si dhe pjesë nga Ansamblet e Himarës, Dropullit, Pilurit dhe Ansamblin “Plakat e Selosë”.

Përgjatë shëtitores së Himarës është ngritur edhe tregu i Krishtlindjes ku mbahet Panairi i artizanatit, poçerisë si dhe kulinarisë.

Panairi “Oda Himarjote” me këndin e mjeshtërisë, prodhimet artizanale si dhe workshop-et për artizanët më të mirë nga e gjithë Shqipëria, u frekuentua nga një numër i madh qytetarësh.

I pranishëm gjatë aktiviteteve ishte dhe kryebashkiaku Vangjel Tavo si dhe deputeti dhe drejtuesi politik i PS për Qarkun Vlorë, Bledi Çuçi.

Ndërsa fëmijët u angazhuan në aktivitete të tjera si piktura mbi letra artizanale, punimet me baltë apo dekorimi i biskotave “babagjysh”, aktivitet të cilin e realizuan së bashku me prindërit.

Shtëpizat e vogla prej druri ofruan prodhime dhe aktivitete nga më të ndryshmet./atsh/KultPlus.com

“Paleta e vjetër”, ekspozita e Roland Karanxhës ditën e Krishtlindjes

U çel dje, në ditën e Krishtlindjes, ekspozita e mjeshtrit të njohur të artit figurativ, Roland Karanxha.

Ekspozita vetjake e Karanxhës titullohet “Paleta e vjetër” dhe do të jetë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” në Korçë.

Të pranishëm në ceremoninë hapëse ishin artdashës, kolegë të piktorit, personalitete të artit në Korçë e më gjerë. Mes tyre edhe kryebashkiaku Sotiraq Filo dhe prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole.

“Ekspozita përbën një pasqyrë të veçantë të krijimtarisë artistike të Roland Karanxhës, punimet e të cilit janë të njohura për detajet e mprehta dhe pasionin që ai shpreh në çdo vepër”, u shpreh Filo. Edhe prefekti Jole vlerësoi dhe uroi piktorin Roland Karanxha, bashkëqytetarin artist, të njohur në gjithë vendin, që solli nëpërmjet ngjyrave të tij karakteristike një ekspozitë shumë të veçantë.

“Paleta e vjetër” ofron një mundësi të shkëlqyer për adhuruesit e artit dhe të kulturës të cilët përjetojnë një shkrirje mes realitetit dhe imagjinatës, ku mjeshtri Karanxha ka arritur të kapë dhe shprehë shpirtin e një populli dhe një qyteti që ka shumë për të treguar.

Jole tha se ekspozita ishte vërtet një udhëtim i bukur përmes ngjyrave dhe penelit të piktorit korçar dhe një rast për të qenë mes bashkëqytetarësh, miqsh dhe adhuruesve të arteve pamore.

Bukowski: Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë

Thënie nga Charles Bukowski

• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?

• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.

• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.

• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.

• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.

• Pa letërsi, jeta është një ferr

• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.

• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë

• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.

• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë.

• Të pirit është një gjë emocionale. Të nxjerr nga rutina e jetës së përditshme, nga të qenit çdo ditë njësoj. Të vendos me shpatulla pas murit. Kam ndjesinë se të pirit është një formë vetëvrasjeje ku të lejohet të kthehesh në jetë dhe ta fillosh jetën nga fillimi. Është si të vrasësh veten e më pas të ringjallesh. Besoj se deri tani kam jetuar 10-15mijë jetë

• Mbahu për birra. Birra është një gjak i përhershëm; një dashnore e përjetshme…

• Mendoj që kemi nevojë për një pije. Pothuajse të gjithë kanë nevojë, thjesht nuk e dinë.

• Më pëlqen t’i ndryshoj shpesh dyqanet e pijeve sepse nëpunësit fillojnë t’i dinë zakonet e tua nëse ke shkuar çdo natë dhe ke blerë sasi të mëdha alkooli. E ndjej tek mendojnë se si ka mundësi që nuk kam vdekur akoma dhe kjo më bën të mos ndjehem rehat. Mbase ata nuk e mendojnë diçka të tillë, por kjo më është kthyer në paranojë

• Të deheshe ishte diçka e mirë. Vendosa se gjithnjë do më pëlqente të bëhesha tapë.

• Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë… por, tek të gjithat shkruhej: pas buke!

• Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.

• Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.

• Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.

• Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.

• Jam i sigurt që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.

• Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.

• Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.

• Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!

• Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.

• Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.

• Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.

• Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng./ KultPlus.com

Këngë arbëreshe për Krishtlindjet

Ç’mrekulli është vallë kjo?

 ‘Ç’mrekulli kjo, që na gëzoi
Erdh pranvera, dimri shkoi.
Ljeu Krishti në një skutë,
Ljeu i varfër e i butë.
Ljeu aty, e s’ljeu në Horë,
Në një shpellë e nën dëborë,
Ljeu, e qielli u bë  dritë
Nata u shndërrua në ditë.
Jeta u mbush plot me gëzim,
pemët, me fletëza në bulim.
Na pru Zoti në këtë dhe
Gaz të madh, paqe e hare!

Ninulla në arbërishte:

Çë thavmasmë isht kjo?
Çë edhe nata ditë u bë.
të ghzon zemërën
dimri shkoi e s’ ishtë më
gjithë jeta bën hare
ljulje e peme për në dhe
Ljeu jashtë e jo në Horë
në një shpellë, në një gërromim
ljeu në tsin, ljeu në sborë
ljidhur klje te një skutin
mbet në kashtë e në sanùa
si i vapkëth për mua
E si ljeu n’ ata malje
n’ ata malje ashtu tutsè me ghzim
Parraisi u psaljë gazin
m’ i madh njeriut i qièlli
paqe, gaz, haré
yn’ Zot pru në ktë dhe

Kjo ninullë është shkëputur nga përmbledhjet “siculo-arbëreshe” të Lionardo Vigo (1805-1888). Ai ishte një poet, filolog e politikan Italian që në vitin 1857 botoi “La Raccolta di canti popolari siciliani”, në të cilën përfshiu dhe këngë popullore të arbëreshëve të Sicilisë. Vigo ishte një dishepull i Romantizmit, dhe besonte se këngët popullore dhe motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit” që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor. /KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen Noel Malcolm, vepra e të cilit ndërgjegjësoi diplomacinë botërore për Kosovën

Shkrimtari, historiani, poligloti dhe gazetari britanik, Noel Malcolm sot feston 68 vjetorin e lindjes.

Ai ka lindur në vitin më 26 dhjetor 1956. Ka studiuar në Kembrixh, dhe është një nga analistët më të mirë britanikë në çështjet e Ballkanit. Ka qenë drejtor i revistës politike “The Spectator” dhe komentar i gazetës “Daily Telegraph”. Ka punuar gjatë për “British Helsinki Human Rights Group”, i njohur edhe në Shqipëri.

Është autor i librave: “Bosnja, një histori e shkurtër” (1994), “Origins of English Nonsense” (1997), “Kosova, një histori e shkurtër” Koha- Prishtinë& Shtëpia e Librit -Tiranë (2001), “Aspects of Hobbes” (2002), “The Mental World of an Early Modern Mathematician” (2005).

Është editor i Korrespodencës së Thomas Hobbes (1994) dhe ka shkruar librin “George Enescu, jeta e tij dhe muzika” (1990) (Toccata Press).

Librat e tij mbi Kosovën (“Kosovo: A Short History” (1998) dhe Bosnjën, gjithashtu një histori e shkurtër, kanë pasur sukses të madh në perëndim dhe janë të referueshme për të gjithë studiuesit e çështjeve ballkanike. Sidomos libri për Kosovën ka pasur sukses më të madh, edhe pse është sulmuar ashpër nga qeveria dhe studiuesit pro-qeveritarë serbë.

Ai është dekoruar edhe nga Presidenti Ibrahim Rugova, me medaljen e artë të “Lidhjes së Prizrenit”. Dekoruar gjithashtu me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.

Këtë vit, në muajin tetor, Malcolm ishte për vizitë në Kosovë, më saktësisht pjesëmarrës në ceremoninë solemne të shfaqjes së premierës së filmit dokumentar për Sir Noel Malcolm dhe veprën e tij për Kosovën dhe shqiptarët.

Ky film dokumentar, skenarin dhe regjinë e të cilit e ka bërë Mal Berisha, ndërsa producent ekzekutiv është Dr. Ahmet Ulaj, zbulon ndikimin që ka pasur vepra e autorit për një të vërtetë të munguar për historinë e Kosovës dhe shqiptarët, si dhe për ndërgjegjësimin e diplomacisë botërore për Kosovën. / KultPlus.com

Më 26 dhjetor 1968 Kosova fitoi kushtetutën krahinore

Më 26 dhjetor 1968 në kuvendin federativ të RSFJ u aprovuan amendamentet në kushtetutë, me të cilat u zgjerua autonomia e krahinave të Kosovës dhe Vojvodinës duke u dhënë statusin e ngjajshëm me atë të republikave. Krahinat fituan kushtetutën krahinore. Krahina e Kosovës dhe Metohisë e mori emrin Kosovë.

Përkundër kontributit në luftën kundër fashizmit, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli për shqiptarët rezultatet e pritura dhe realizim të vullnetit të njohur për vetëvendosje dhe për një shtet të përbashkët. Përkundrazi, tokat shqiptare u copëtuan, synimet kolonialiste të Serbisë nuk u ndërprenë, ndërsa dhuna ndaj shqiptarëve vazhdoi.

Padrejtësitë ndaj shqiptarëve bënë që një pjesë e madhe e tokave të tyre të mbeten të aneksuara nga shteti jugosllav, si vazhdimësi e aneksimit të Serbisë hegjemoniste e kolonialiste. Të gjetur në një situatë të tillë dhe përballë masave shtypëse ushtarako – policore të regjimit jugosllav, të cilat vazhdonin të rëndoheshin, populli shqiptar detyrohej të rezistonte në mbrojtje të ekzistencës e të identitetit të tij, por edhe për të përmbushur vullnetin legjitim të tij politik e kombëtar.

Të privuar nga çfarëdo e drejte kombëtare nga politikat shtypëse e kolonizuese të Serbisë në kuadër të Jugosllavisë, pesëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 1968 shqiptarët nisën demonstratat për të drejtat e tyre politike e kombëtare, ku për herë të parë u kërkua publikisht që Kosova të bëhet Republikë, që popullit shqiptar t’i njihet e drejta për vetëvendosje, përdorim të lirë të flamurit kombëtar, universitet shqip, ndalje të kolonializmit serbë dhe të drejta të barabarta me kombet tjera.

Demonstratat e vitit 1968 bënë një kthesë të madhe të gjendjes së shqiptarëve dhe afirmuan çështjen e Kosovës si çështje të pazgjidhur, shpërfaqen dhunën dhe politiken shtypëse serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve, por edhe afirmuan vendosmërinë e popullit shqiptar në rrugën e pandalshme të avancimit të të drejtave të tyre për Republikë e bashkim kombëtar.

Për rrjedhojë, demonstratat nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, të rinisë, studentëve, punëtorëve e gjithë popullit pa dallim, vulosën të drejtën dhe vullnetin e shqiptarëve për krijimin e Republikës së Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje. Viti 1968, ishte vit i protestave e demonstratave kudo në Evropë e botë, por për shqiptarët ngërthen një ngjarje të patejkalueshme, themeltare për përpjekjet e rezistencën që do të vinte më pas, luftën çlirimtare e shpalljen e pavarësisë.

Pesëdhjetë vjet nga atëherë, si një ngjaje tanimë monumentale, na kujton se ecja drejt lirisë e pavarësisë ishte ecje nga ngjarja në ngjarje, secila e frymëzuar nga pararendësja e që frymëzonte e mundësonte pasueset. Përpjekjet për ta ndërprerë dialektiken e prosperitetit të shqiptarëve janë tentim për zvetënim. Tabani i rezistencës me demonstratat e 68-së, 81-së, 90-së e 97-së për të kulmuar me luftën çlirimtare ka përcaktuar jo vetëm të tashmen tonë por do të përcaktojë edhe të ardhmen e shqiptarëve. Demonstratat e nëntorit të vitit 1968, ashtu si edhe demonstratat pasuese e lufta e UÇK-së shënojnë hallkat e vazhdimësisë së lëvizjeve për çlirim kombëtar, të filluara që me Lidhjen e Prizrenit.

Në demonstratat e vitit 1968, u manifestua vetëdije e lartë kombëtare e politike dhe u dërgua mesazh i qartë, që shërbeu si frymëzim për shqiptarët edhe më pas, sikurse do të vazhdojë të na orientojë edhe në të ardhmen. Jehona e brohoritjeve të atëhershme “Vetëvendosje”, “Kosova Republikë” etj, kumbon edhe sot, kur pretendimet e Serbisë për Kosovën mbesin po ato. Politikat hegjemoniste të Serbisë, përkundër krimeve e gjenocidit, nuk kanë ndryshuar në raport me trajtimin e shqiptarëve dhe aspiratat për tokat tona as pesëdhjetë vite më pas. Me kanosjen e vazhdueshme nga këto politika, mobilizimi gjithpopullor në mbrojtje të Republikës dhe tokave tona mbetet angazhimi më sublim të cilën brezat e demonstratave të 68-s na e lanë si shëmbëlltyrë dhe rrugë, për ta përdorur atëherë kur politikat udhëheqëse të konjunkturës bëhen hisedarë a symbyllur në një rrezik të tillë. /KultPlus.com

Azia përkujton cunamin e vitit 2004 shkaktoi mbi 226 mijë viktima

Njëzet vjet pas cunamit më vdekjeprurës në histori, të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave po përgatiten të përkujtojnë nesër, më 26 dhjetor, në të njëjtën ditë të vitit 2004 në të cilën dallgët gjigante goditën brigjet e vendeve që kufizojnë Oqeanin Indian, duke vrarë mbi 220 mijë njerëz.

Një tërmet me magnitudë 9.1 në brigjet perëndimore të ishullit indonezian të Sumatrës dërgoi valë të mëdha që u përplasën në të gjithë Indonezinë, Sri Lanka, Indi, Tajlandë dhe nëntë vende të tjera në Oqeanin Indian, duke shkaktuar viktima deri në Somali.

Me shpejtësinë maksimale, valët arritën 800 kilometra në orë dhe një lartësi maksimale prej 30 metrash, e barabartë me një ndërtesë 10-katëshe, duke lëshuar një energji të barabartë me 23,000 herë fuqinë e bombës atomike të Hiroshimës.

Në total, cunami vrau 226,408 njerëz, sipas Em-Dat, një bazë të dhënash globale të akredituar për fatkeqësitë.

Ceremonitë përkujtimore do të mbahen në të gjithë rajonin në plazhe, ku kanë humbur jetën edhe shumë turistë perëndimorë të ardhur për të festuar Krishtlindjet nën diell. Më shumë se 5,000 njerëz kanë vdekur në Tajlandë, gjysma e tyre turistë të huaj dhe 3,000 të tjerë janë ende të zhdukur.

Një ekspozitë mbi cunamin është ngritur në një hotel në provincën Phang Nga dhe do të shfaqet një dokumentar, ndërsa zyrtarët e qeverisë dhe të OKB-së do të flasin për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive. 26 dhjetori 2004 shënoi edhe një pikë kthese në këtë aspekt, duke qenë se, sipas ekspertëve, mungesa e një sistemi paralajmërues të koordinuar siç duhet, rëndonte jashtëzakonisht shumë pasojat e fatkeqësisë.

Që atëherë, rreth 1,400 stacione monitorimi në mbarë botën kanë reduktuar kohën e paralajmërimit pas formimit të një cunami në vetëm disa minuta./ KultPlus.com

“It’s a Wonderful Life”, filmi më emocionues i Krishtlindjes në historinë e kinematografisë

Nuk janë të shumtë filmat e mëdhenj për Krishtlindjen. Klima e festimeve të Krishtlindjes të jep më shumë ndjesinë e vetmisë të personazheve në fund tek filmi “The umbrellas of Cherbourg” dhe dritëzat dekorative e bëjnë akoma më të çuditshme aventurën erotike të protagonistit tek “Eyes Wide Shut” . Kur filmi i Krishtlindjes kërkon të jetë një ndryshim emotiv ose fetar është e zakonshme që të kthehet në tmerrësisht sentimental. Megjithatë ka një përjashtim nga ky rregull dhe është filmi i Krishtlindjes par excellence, me titull “sa bukur është të jetosh” (It’s a Wonderful Life) dhe u drejtua nga Frank Capra në 1946.

Historia e këtij filmi me metrazh të gjatë filloi me një tregim të shkurtër të titulluar “dhurata më e madhe”, e shkruar nga Philip Van Doren Stern. Meqë nuk është ndonjë kushedi çfarë tregimi, argumenti kryesor (një njeri i quajtur George Bailey në një moment kur kërkon të kryejë vetëvrasje i vjen për vizitë një ëngjëll që i tregon se si do të ishte bota, nëse ai nuk do të kishte lindur), ishte mëse i mjaftueshëm që producentja RKO donte ta blinte për ta bërë një film të protagonizuar nga Cary Grant, i cili nuk e pranoi për arsye të axhendës dhe RKO e hoqi nga lista për ta bërë film. Në këtë mënyrë regjisori dhe producenti Frank Capra e bleu nga producentja të drejtat për ta shfaqur me protagonist James Stewart.

Meqë Capra ishte një nga regjisorët më të njohur të momentit dhe Stewart një yll i madh, bëri që të realizonte një film shumë të kushtueshëm dhe madhështor. U xhirua një një studio gjigande e ngritur mbi një fshat të tërë, e vendosi filmin në një dimër me dëborë, ndërkohë që xhironte në mes të verës (aktorët xhironin me rroba dimërore, i nxehti ishte i padurueshëm) dhe realizoi kështu një nga filmat më të bukur amerikanë për periudhën e Krishtlindjes dhe që është një traditë e domosdoshmërisë së të parit të tij gjatë kësaj feste. Respektoi përshtatjen e skenaristit, por i shtoi një kontekst më të sofistikuar. Si fillim i shtoi historisë origjinale se pse Bailey donte të vetëvritej dhe e vendosi ngjarjen në rrethinat amerikane. Në fakt, ky film ndoshta më së miri reflekton jetën e lagjeve amerikane me ambicie modeste dhe punë, por edhe me idenë e një filmi që të refektonte atë që quhej epika e njeriut të zakonshëm. Për të qënë më të qartë, Capra trajton një nga temat më të përsëritura në kinematografi: idenë e një klase të mesme me probleme si borxhe, një krizë dashurie ose familjare që në fund lufton një luftë heroike si një aventurier në toka të huaja. Në fakt kjo ka qenë ideja kryesore e “It’s a Wonderful Life.”

Këtu Bailey ëndërron një jetë epike, në të cilën udhëton dhe kthehet milioner dhe bën një jetë konvencionale, një baba i një familjeje që ka një biznes familjar. Zbulimi i tij përmes mënyrës se si do të ishte bota, nëse ai nuk do të kishte lindur, kjo jetë e thjeshtë që ai e beson të dështuar, kishte një heroizëm diskret, i cili mundësoi që shumë jetë të prosperonin dhe të shpëtoheshin. Kjo është arsyeja se pse gjatë shfaqjes së tij të parë në 1946 mori kritika negative që e cilësonin filmin si të thjeshtë dhe tepër sentimental.

Filmi do të hakmerrej disa dekada më vonë sepse filluan ta konsideronin si tepër të sofistikuar nga ajo që dukej në pamje të parë. Në këtë situatë del që “It’s a Wonderful Life” është një kostante në jetën e Bailey-it, prirja e tij për të braktisur projektet e jetës madhështore për dashuri ose për një ndjenjë detyre. Kështu që pak nga pak humb gjërat për çdo vendim altruist ose dashuror. Në një pikë del se një nga temat kryesore të këtij filmi është kostoja e lartë e të qënit i mirë.

Nuk njohim shumë filma që trajtojnë këtë temë dhe është një nga gjërat më shqetësuese. “It’s a Wonderful life” pas perdes së emotivitetit nuk duket se është shumë optimist. Të jesh i mirë për Bailey-in nuk duket se i sjell shumë rikompesim, në mos i jep veç vështirësi.  Fati nuk duket së është me George-in që në një moment mund të burgoset për një gabim të një nënpunësi. Emocioni për ta parë Bailey-n në fund të filmit mirë lind sepse në fillim regjisori na zhyti në pusin e dëshpërimit. Ka një logjikë religjoziteti në dëshpërim. Capra, regjisor katolik, u shpreh se e realizoi këtë film sepse perceptonte një valë ateizmi në Amerikën e kohës. Ajo që na thotë Capra është që më mirë t’i besojmë Zotit për të na shpërblyer mirësinë sepse njerëzimi nuk duket se ndihmon.

Kjo errësirë u pa në vitet 60 dhe nuk janë të paktë kritikët ose kineastët që ndihen të shqetësuar nga një film që supozohej të ishte një himn për jetën e Krishtlindjes. David Cronenberg, regjisor, e ka akuzuar si sadist filmin. Një herë Milan Kundera tha se veprat e mëdhaja komike nuk janë ato që bëjnë për të qeshur, por ato që gjejnë forma të reja komike. Në këtë mënyrë “It’s a Wonderful life” jo vetëm që është një film që emocionon, por edhe që krijon një formë të re emocioni, një të çuditshëm dhe intensiv, e bërë nga mrekulli, pemë Krishtlindjeje dhe me deux ex machina kaq të mëdhaja ashtu si edhe kinemaja nga e cila është realizuar ky film gjenial. /bota.al/ KultPlus.com

Screenshot

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me anëtarë të rinj, vetëm Zake Prelvukaj grua

Kuvendi zgjedhor i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) ka zgjedhur më 23 dhjetor anëtarët e rinj të rregullt dhe korrespondentë të Akademisë.

Sipas njoftimit të ASHAK, anëtarë të rregullt (akademikë) janë zgjedhur: Bardh Rugova e Shkumbin Munishi nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë; Arsim Bajrami, Besnik Krasniqi e Frashër Demaj nga Seksioni i Shkencave Shoqërore;  Arsim Morina e Salih Gashi nga Seksioni i Shkencave të Natyrës dhe Xhevdet Xhafa nga Seksioni i Arteve.

Kurse, anëtarë korrespondentë janë zgjedhur: Muhamet Mala nga Seksioni i Shkencave Shoqërore; Enver Hamiti nga Seksioni i Shkencave të Natyrës dhe Ismet Jonuzi e Zake Prelvukaj nga Seksioni i Arteve.

Foto në ballinë:Fadil Berisha/ KultPlus.com

Gonxhja uron Krishtlindjen: Trashëgimia arbëreshe, një krenari që sfidon kohën

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka ndarë sot në rrjetet sociale një mesazh që vlerësimi për trashëgiminë kulturore arbëreshe me rastin e Krishtlindjes.

“Një trashëgimi arbëreshe që sfidon kohën!”, nënvizon ministri Gonxhja.

Në postimin e tij, ministri vlerëson veprën e pedagogut arbëresh Francesco Scorza nga komuniteti i Shën Sofisë (Santa Sofia d’Epiro), i cili ka rikrijuar atmosferën tradicionale arbëreshe përmes këngës së famshme “Lindja e Krishtit”.

“Me rastin e Krishtlindjes, pedagogu arbëresh Francesco Scorza nga komuniteti i Shën Sofisë (Santa Sofia d’Epiro) ka rikrijuar mjeshtërisht atmosferën e traditës arbëreshe përmes këngës së famshme “Lindja e Krishtit”, një poezi e shkruar nga poeti i madh Jul Variboba (1725-1788).

Kjo këngë, pjesë e veprës epike “Gjella e Shën Mëris s’Virgjër” (1762), është kënduar në komunat arbëreshe që prej gjysmës së shekullit të XVIII-të dhe vazhdon të mbetet e gjallë pas më shumë se tre shekujsh!”, thekson ministri Gonxhja.

Ministri Gonxhja nënvizon se viti i ardhshëm, 2025, shënon 300-vjetorin e lindjes së poetit të madh Jul Variboba, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kulturës, gjuhës dhe traditës arbëreshe si një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë.

“Nderojmë kulturën, gjuhën dhe traditën arbëreshe, që mbetet një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne!”, përfundon postimin e tij, ministri Gonxhja.

Besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar në kalendarin e festave fetare, ditën e lindjes së Jezu Krishtit, ndërsa katolikët mbajnë meshën mesnatën e sotme ndërsa besimtarët ortodoksë mblidhen në kishë ditën e nesërme, për t’ia lënë vendin më pas festimeve familjare./ KultPlus.com

Krishtlindjet: origjina, historia dhe botëkuptimi i festës

Krishtlindjet janë një nga festat më të vjetra dhe më të dashura në botë. E festuar më 25 dhjetor, Krishtlindja jo vetëm që përkujton lindjen e Jezu Krishtit, por ka përfshirë rituale dhe simbole nga epokat e mëparshme me kalimin e kohës, siç janë festat pagane të lidhura me solsticin e dimrit ose Saturnalia, festimet e lashta romake, deri në kristianizimin e saj, shkruan studenti.it.

Le të shohim në detaje historinë dhe origjinën e Krishtlindjes.

Krishtlindja është festa më e rëndësishme e vitit për kulturën perëndimore. Sezoni i Krishtlindjeve është koha më e mirë për të shijuar shoqërinë e familjes dhe miqve.

Por përveç simboleve që njohim mirë, si dhuratat apo pema, Krishtlindjet kanë edhe një kuptim fetar: në ditën e Krishtlindjes festojmë lindjen e Jezu Krishtit, atij që më vonë do të identifikohej nga një pjesë e madhe e atyre që i përkasin feja hebraike si Mesia e profetizuar nga Shkrimet e Shenjta.

Lindja e Jezu Krishtit daton rreth viteve 0-4 dhe lindja e tij në Tokë festohet më 25 dhjetor. Megjithatë, për kishat ortodokse lindore kjo festë bie më 6 janar, ditën në të cilën Kisha e Krishterë Perëndimore kremton Epifaninë, manifestimin e Jezusit përpara Tre Mbretërve.

Origjina hebraike e Krishtlindjeve

Të krishterët filluan të festojnë Krishtlindjet vetëm rreth shekullit IV pas Krishtit, duke u rilidhur me traditat dhe festat tashmë ekzistuese dhe duke i ngarkuar ato me një mesazh krejtësisht të ri.

Midis tyre, sigurisht duhet përmendur festivali hebre i Hannukkah, në të cilin kujtohet shenjtërimi i Tempullit të Dytë në Jerusalem, i urdhëruar nga Juda Maccabeus pas pushtimit të tmerrshëm helen të shekullit II para Krishtit të cilët donin të udhëhiqnin popullin hebre që të adoptonte disa praktika në kundërshtim me fenë e tyre.

Festimi i Hannukkah zgjat 8 ditë duke filluar nga dita e njëzet e pestë e muajit Kislev që zakonisht përkon me muajin Dhjetor: gjatë këtyre ditëve festive judenjtë zakonisht ndezin në mënyrë progresive tetë qirinjtë e Chanukiah, për të mbajtur besimin me legjendën.

Krishtlindjet si festë pagane

Krahas atyre fetare, Krishtlindjet kanë edhe origjinë pagane dhe laike. Më të rëndësishmet janë ato që lidhen me solsticin e dimrit, dita më e shkurtër e vitit që Keltët e festuan – gabimisht – më 25 dhjetor.

Është një festë shumë e rëndësishme në të gjitha ato kulte në të cilat adhurimi i Diellit, i quajtur heliolatria, zinte një pozitë të epërsisë absolute, dhe me të cilat krishterimi ka qenë sigurisht i lidhur, pasi dielli mund të shihet si emblema e figura e Krishtit.

Romakët, megjithatë, në ditët pak para Krishtlindjes, festonin Saturnalinë, kushtuar vendbanimit në tempullin e Saturnit, perëndisë së bujqësisë: për të uruar një periudhë paqeje dhe prosperiteti, ishte zakon të shkëmbeheshin dhurata.

Kuptimi i Krishtlindjes

Krishtlindja, pra, është një festë që ndërthur elemente fetare, kulturore dhe personale, duke ofruar një kuptim universal të shpresës, dashurisë dhe ndarjes.

Është një kohë kur bota duket se po ngadalësohet që i lejon njerëzit të lidhen me vlerat e tyre më të thella dhe me të tjerët. Është një festë që fton bujarinë, faljen dhe bashkimin, forcimin e lidhjeve familjare dhe komunitetit.

Mund të themi gjithashtu se Krishtlindjet shoqërohen shpesh me një fillim të ri, i cili përkon edhe me solsticin e dimrit (ngjarje astronomike e cila në përgjithësi ndodh midis 20 dhe 23 dhjetorit), një moment simbolik për të festuar kthimin e dritës pas ditëve më të errëta./ KultPlus.com

interior christmas. magic glowing tree, fireplace and gifts

Cilat ishin mesazhet e disa liderve botërorë për festat e Krishtlindjeve?

Pavarësisht se bota po përjeton disa konflikte të cilat po përshkallëzohen në shumë vende, liderët botërorë kanë dedikuar urimet e tyre me rastin e Krishtlindjeve.

Ja urimet e disa prej tyre në rrjetet sociale:

Joe Biden: Jill dhe unë mbajmë një vend të veçantë në zemrat tona për burrat dhe gratë e guximshme me uniformë që mbrojnë kombin tonë, shumë prej të cilëve janë larg familjeve të tyre këtë sezon festash.

Ju uroj ju dhe të dashurve tuaj një natë të sigurt Krishtlindjesh!.

Giorgia Meloni: Juve dhe familjeve tuaja, urimet e mia më të mira për një ditë plot qetësi dhe gëzim.
Gëzuar Krishtlindjet!

Olaf Scholz: Krishtlindja është një moment që prek zemrat tona, ku ndajmë gëzimet dhe hidhërimet. Kohët janë shumë të vështira. Të gjithë po e ndjejmë tani. Por ne jemi një komunitet me një të ardhme të përbashkët dhe të fortë. I uroj të gjithëve një festë të qetë.

Emmanuel Macron: Gjatë festave le të mblidhemi familjarisht dhe të ndajmë momente ribashkimi, gëzimi dhe shprese.

Mendimi ynë vëllazëror shkon për bashkëqytetarët tanë në vështirësi, sëmundje apo vetmi dhe për ata që po përballen me këtë ciklon të tmerrshëm, duke ndihmuar njëri-tjetrin, duke u përgatitur për të rindërtuar së bashku.

Benjamin Netanyahu: Të dashur miq të krishterë, ndërsa mblidheni me familjet dhe miqtë tuaj këtë Krishtlindje, i uroj komunitetit të krishterë në Izrael dhe në mbarë botën bekimet e Krishtlindjeve të lumtura nga Toka e Shenjtë./ KultPlus.com

Dy filmat që mund t’i shikoni në Netflix gjatë Krishtlindjeve

Krishtlindja është periudha më e bukur e vitit dhe ne duhet ta shijojmë në maksimum dhe të arrijmë që të zgjasë sa më gjatë. Nëse nuk keni hyrë ende në humor, keni nevojë për një maratonë filmash për Krishtlindje që do ta bëjnë punën vetë.

Dekoroni shtëpinë, ftoni disa miq, fikni dritat dhe aktivizoni Netflix.

Këtu janë filmat që duhet të shihni:

“Falling for Christmas”

Kur një trashëgimtare hoteli e sapofejuar dhe shumë e llastuar pëson amnezi për shkak të një aksidenti me ski në Krishtlindje, ajo merret nën kujdesin e një pronari bujtinash të pashëm, punëtor dhe të ve të pafat dhe vajzës së tij brilante në ditët para Krishtlindjes.

Një komedi romantike që do t’ju bëjë të buzëqeshni, të qeshni dhe të udhëtoni drejt imazheve të bukura të Krishtlindjeve.

“Holidate”

Dy të panjohur, që urrejnë Krishtlindjet, takohen me njëri-tjetrin dhe zotohen se do të jenë me njëri-tjetrit për të gjitha festat e vitit të ardhshëm.

Për sa kohë ata ndajnë urrejtjen e tyre për këto ditë dhe deklarojnë se janë miq, ata përfundojnë duke qenë çifti perfekt. Por derisa të vijë realizimi do të qeshni shumë, do të prekeni dhe ndoshta edhe juve do t’i doni pak më shumë pushimet./ KultPlus.com

Koleksion arti që kujton “Urinë e Madhe” që pllakosi Ukrainën nën Stalinin

Biznesmeni i ndjerë amerikan, Morgan Williams, ishte tejet i përfshirë në nxitjen e biznesit ukrainas ndërsa drejtonte Këshillin e Biznesit SHBA-Ukrainë. Gjatë kohës që jetoi në Ukrainë, zoti Williams mblodhi vepra arti që lidhen me një nga periudhat më të errëta që kaloi populli ukrainas, “Urinë e Madhe”. Si njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Hanna Tverdokhlib, në fillim të viteve 1930 diktatori sovjetik Josif Stalin shkaktoi një zi buke nga e cila vdiqën miliona njerëz.

Daren Williams dhe Denise Ondrof janë dy nga katër fëmijët e biznesmenit amerikan Morgan Williams. Zoti Willimas ndërroi jetë në muajin qershor pas shumë vitesh në krye të Këshillit të Biznesit SHBA-Ukrainë. Vetëm pas vdekjes së babait të tyre, fëmijët mësuan rëndësinë që kishte patur ai tek shumë ukrainas.

“Pasi rënies së perdes së hekurt, në fund të viteve 1980, babai im filloi të punonte për zhvillimin ndërkombëtar të bujqësisë në ish-republikat sovjetike. Kur e vizitoi Ukrainën ai ra në dashuri me atë vend”, tregon për Zërin e Amerikës Daren Williams, djali i zotit Morgan Williams.

Për vite me radhë, zoti Willimas nxiti biznesin mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Ai mësoi për atë që njihet si Holodomor, një zi buke e shkaktuar qëllimisht nga diktatori sovjetik, Josif Stalin në vitin 1932, që shkaktoi vdekjen e miliona sovjetikëve nga uria. Ai filloi të mblidhte vepra arti që lidheshin me urinë, duke krijuar një koleksion prej më shumë se 500 artikujsh.

“Ai u dashurua me njerëzit dhe mësoi për Holodomorin ndaj donte ta tregonte atë ngjarje. Ai filloi të mblidhte vepra arti në mesin e viteve 1990. Ai takohej me artistët dhe i inkurajonte ata që të shkruanin dhe që Holodomori të ishte pjesë e artit të tyre për t’i treguar botës këtë ngjarje”, tregon Daren Williams, djali i zotit Morgan.

Koleksioni përbëhet nga rreth 300 piktura, qindra gravura, pamflete, pulla poste dhe dokumente të tjera. Pasardhësit e tij thonë se zoti Williams e kuptonte se njerëzi mund të hezitojnë të blejnë vepra arti që kujtojnë vuajtjet nga uria.

Fëmijët e zotit Willimas, në bashkëpunim me Këshillin e Biznesit SHBA-Ukrainë ia dhuruan koleksionin muzeut kombëtar të Ukrainës për gjenocidin Holodomor në Kiev. Drejtoresha e muzeut planifikon që ta ekspozojë koleksionin për publikun pas përfundimit të luftës.

“Muzeu i ka hequr të gjitha sendet nga vitrinat dhe ka fshehur ato që kanë vlera më të larta. Nuk ka kuptim ekspozimi i sendeve të paçmuara ndërsa Rusia bombardon Ukrainën çdo ditë. Çdo vend mund të goditet në çdo moment”, thotë Lesia Hasydzhak, me Muzeun Kombëtar të Gjenocidit Holodomor.

Ajo thotë se ruajtja e këtij arti historik është bërë edhe më e rëndësishme pasi trupat ruse në disa zona të pushtuara i kanë shkatërruar monumentet që kujtojnë Holodomor-in.

“Ata kanë shkatërruar monumente të tilla në Mariupol, Luhansk, Melitopol dhe Berdyansk…”

Vajza e tij, Denise Ondrof, thotë se një pikturë i është ngulitur në mendje përgjithmonë.

“Një pikturë zë vend të veçantë për të gjithë familjen tonë, sepse artisti ia dedikoi babait. Piktura pasqyron pemën e jetës, por në të vërtetë është pema e vdekjes, me njerëz në trungun e pemës që zgjasin duart, si gjethet e pemës që në fakt ka formën e Ukrainës. Për ne kjo tregon pasionin e babait tonë për Ukrainën dhe veçanërisht absurditetin për të kaluarën e vendit, por edhe emocionet që provokon tek të gjithë të prekurit, çka e bën atë kaq të fuqishme”.

Në kryeqytetin amerikan u zhvillua një ceremoni përkujtimore për zotin Morgan Williams, për të nderuar punën e tij në mbështetje të Ukrainës dhe ruajtjen e historisë së atij vendi. /VOA/ KultPlus.com

40 vjet nga realizimi i “Last Christmas” nga George Michael, vazhdon të mbetet hit i kërshëndellave (VIDEO)

Kjo këngë është realizuar në vitin 1984, nga grupi i atëhershëm Wham, pjesë e së cilës ishte edhe këngëtari tashmë i ndjerë, George Michael, shkruan KultPlus.

Kjo këngë e dashurisë që i dedikohet dashurisë së humbur, më vonë është kënduar edhe nga Whigfield, sikursë së fundi edhe nga Taylor Swift.

Kujtojmë George Michael edhe në këtë fundvit me këtë hit botëror dhe të pa harruar për shumë fansa të këtij këngëtari të madh./KultPlus.com

Magjia e dritave në qytetin e një mbi një dritareve

Kryeministri Edi Rama, ka ndarë sot në rrjetet sociale, pamjet e “Mangalem’s Shades”, një festival muzikor dritash dhe ngjyrash që tashmë po kthehet në një traditë të përvitshme kulturore në qytetin e Beratit.

“Mangalem’s Shades” synon të bashkojë njerëzit për të shijuar një shfaqje të teknologjisë së lartë dhe për të përjetuar diçka ndryshe nga rutina e tyre e përditshme, ndërsa fantazojnë për një jetë plot ngjyra.

Në këtë aktivitet do të ngrihet një skenë ku DJ do të performojnë elektromuzikë. Shfaqjet do të përfshijnë ndriçim dekorativ dhe shfaqje lazer. Projeksioni mund të shihet nga çdo kënd dhe nga çdo anë ku mund të shihet “Mangalemi”.

I rrethuar nga peizazhe magjepsëse, gjelbërim i harlisur, aventura dhe me qendrën e tij të fortifikuar, Berati strehon shumë thesare shqiptare me rëndësi historike dhe kulturore. Me arkitekturën unike të vendit, tolerancën fetare dhe ndërtesat e epokës otomane, ky qytet është një perlë e vërtetë e trashëgimisë sonë kulturore, vlerësuar e mbrojtur nga UNESCO./ KultPlus.com

Besimtarët e katolikë dhe ortodoksë kremtojnë festën e Krishtlindjes

Besimtarët katolikë e ortodoksë në Shqipëri festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në të gjithë botën.

Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura.

Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës.

Në katedralen e “Shën Palit” u mbajt në mesnatë mesha e shenjtë për Krishtlindjen, ndërsa në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” Tiranë mesha u mbajt mëngjesin e sotëm.

Festa e Krishtlindjes u kremtua edhe në Kishën e Shna Ndout në Laç, vendi i cili mbledh mijëra qytetarë nga të gjitha besimet./ KultPlus.com

Papa Françesku bën thirrje t’i jepet fund luftës në Ukrainë

Papa Françesku bëri thirrje sot për bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës që nisi me sulmin në shkallë të gjerë të Moskës, më shumë se dy vite më parë, e që ka shkaktuar me dhjetëra mijëra të vrarë.

Në fjalimin e tij në ditën e Krishtlindjes, duke iu referuar konfliktit në Ukrainë Papa bëri thirrje për “të gjetur guximin e nevojshëm për t’u hapur derën negociatave”.

Duke folur nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, para mijëra njerëzve të mbledhur në shesh, Papa tha se uronte që “zhurma e armëve në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, të ndalej”.

Ai bëri thirrje gjithashtu për gatishmëri për “dialog e për t’u takuar”, në mënyrë siç tha ai “të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Papa Françesku, i cili ka qenë Papë që nga viti 2013, u kritikua nga zyrtarët ukrainas këtë vit kur tha se vendi duhet të ketë guximin për të negociuar me qëllim dhënien fund të luftës me Rusinë.

Më parë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e kishte përjashtuar më mundësinë e bisedimeve për paqe pa rivendosjen e kufijve të Ukrainës së paraluftës.

Por zoti Zelenskiy ka treguar gatishmëri në rritje që nga momenti i rizgjedhjes së Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara, për të hyrë në negociata.

Më herët gjatë muajit dhjetor, zoti Zelenskiy hodhi idenë e një zgjidhjeje diplomatike që do të përfshinte “ngrirjen” siç tha ai të linjave aktuale të betejës dhe vendosjen e trupave të huaja në Ukrainë. Rusia ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’iu bashkuar aleancën ushtarake të NATO-s.

Po sot Papa Françesku, bëri thirrje për t’i dhënë fund konflikteve, politike, sociale apo ushtarake, në vende si Libani, Mali, Mozambiku, Haiti, Venezuela dhe Nikaragua. /VOA/ KultPlus.com

Spiropali uron Krishtlindjet: Nga toleranca fetare duhet të mësojmë të gjithë, sidomos ne politikanët

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në Festën e Krishtlindjeve, mori pjesë në kremtimet në Katedralen Katolike të Shën Palit dhe Katedralen Orthodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.

Sot, në Festën e Krishtlindjeve, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në kremtimet në Katedralen Katolike të Shën Palit dhe Katedralen Orthodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.

Në Katedralen Katolike të Shën Palit, Spiropali u prit nga Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, me të cilin, krahas urimeve, diskutuan mbi rëndësinë dhe rrezatimin e festave dhe vlerave të krishtera në jetën shoqërore e publike, në kultivimin e ndjenjave të dashurisë, miqësisë e solidaritetit njerëzor, mbështetjen e familjeve e të njerëzve në nevojë etj.

Në prononcimin e saj para mediave, pas vizitës në Katedralen Katolike të Shën Palit, Spiropali nënvizoi se “Krishtlindjet janë një ditë e shënuar, e bukur për të gjithë besimtarët e krishtere, por që tradicionalisht festohen nga të gjithë shqiptarët.
Toleranca dhe harmonia fetare janë një pasuri e madhe e shqiptarëve, e njohur botërisht dhe me të cilat kemi të drejtë të mburremi.

Nga kjo tolerancë duhet të mësojmë të gjithë, por sidomos ne politikanët. Të udhëhiqemi nga dashuria, respekti e mirëkuptimi, të braktisim gjuhën e urrejtjes, të përçarjes dhe konfliktit.

Dashuria është vlera më e lartë njerëzore dhe ajo duhet të pershkojë jetët tona. Të gjitha gjërat e kësaj jete e kane një kufi. Vetëm dashuria nuk shterron kurrë. Kam sot një mesazh solidariteti me besimtarët, qytetarët, gratë dhe fëmijët që Krishtlindjet i gjejnë në luftë. Urojmë që luftrave tu jepet fund dhe paqja ta gjejë rrugën sa më shpejt. Gëzuar të gjithëve!”/topchanel/ KultPlus.com

Biografi e Lëvizjes së Shtetndërtimit të Kosovës

-Jusuf Buxhovi “Vitet e Gjermanisë”, boti “Faik Konica”, Prishtinë 2024.

Fadil Kajtazi


Në vitin 1984, Jusuf Buxhovin e njoha përmes romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, roman ky, përpos që më përmbushi shpirtërisht, siç ndodh zakonisht me veprat letrare, përmes rrëfimit letrar, më përmbushi edhe në aspektin e njohurive historike, por ajo që është më e rëndësishme, ma rrënoi mitin e të fortit, ku përmes fabulës së shkëlqyer të tregimit, autori jep porosinë se jo çdoherë mbi të keqën fitohet me forcë dhe se, kur proceset i merr në dorë inteligjenca, fitorja mbi të keqën shoqërore mund të arrihet edhe vetëm me një të grithur. Ja pra, fuqia magjike e fjalës së shkruar letrare, që artisti e përçon te lexuesi e që nuk të le të dorëzohesh, të motivon të qëndrosh deri në fund për ta mundur të keqën.
Fizikisht Jusuf Buxhovin e kam takuar së pari tash e tridhjetepesë vjet, pikërisht në këtë vend, kur së bashku me një shokun tim, kishim ardhur për të marrë fletëregjistrimet për të regjistruar popullsinë e Gjilanit, e cila në mënyrë masive po aderonte në LDK. Këtu pra, në sallën e madhe, ai duke qëndruar në këmbë i diktonte diçka dikujt që shkruante me dorë në një letër formati. Pa e ditur se zotit Buxhovi, me vite të tëra, me kazmën e tij të vogël ishte akter në procesin e gërryerjes së themeleve të brishta të kështjellës së madhe jugosllave (gjë e cila e kristalizuar dokumentohet gjatë leximit të librit që promovohet sot), efektet që kishte shkaktuar romani dhe qetësia me të cilën ai i dikonte shokut të vet, përpara më shfaqën Nikollë Kazazin. Atmosfera që mbretëronte në objektin e Shoqatës së Shkrimtarëve, në shtëpinë ku u ngjiz pavarësia dhe me zotin Buxhovi në qendër, më krijuan një qetësi shpirtërore, nga e cila si me të prekur të butonit, mu hoq nga barra pesha e shumë dilemave që më ishin krijuar nga përditshmëria e rënd e pushtimit të egër, e që i bluante në kokë mendja e ime rinore:
Nuk ka më dilemë – duhet qëndruar!
Dhe si dikur që Nikollë Kazazi me Lamin e kishte mundur murtajën, edhe tani do të ngadhënjehej mbi të keqën, e cila në këtë kohë, e tërbuar e kishte kapluar Kosovën. Isha i bindur se ky njeri, së bashku me ata që ishin aty rrotull tij, kishin vullnetin, dijen, përkushtimin dhe vizionin për ta gjetur ilaçin, për t’i dalë të keqes shekullore përpara dhe për ta mundur atë, pra, për ta fituar lirinë.
Dhe ja ku jemi sot pas 35 vjetëve! Përpara kemi zotin Buxhovi dhe veprën e tij, e cila e argumenton se si ai, së bashku me elitën intelektuale të kohës, me përkushtim intelektual, me mund dhe sakrificë, e gjetën këtë ilaç, e mundën të keqen!
Se si ishte zhvilluar procesi kompleks për çlirimin e Kosovës, do të mësoni në librin “Vitet e Gjermanisë”, ku Jusuf Buxhovi është akter i rëndësishëm dhe do të ju shfaqet si: gazetar, shkrimtar, historian, publicist, diplomat dhe mbi të gjitha si intelektual parekselancë, i cili pa problem e me dashamirësi, komunikonte me nivele më të larta të shtetit gjerman, me ata të cilët e bënin jetën politike e publike të Gjermanisë Perëndimore gjatë Luftës së Ftohët si dhe pas saj:

  • Me ata të cilët e bënë historinë e këtij shteti dhe të Evropës në kohën e konfrontimit bllokist;
  • Me ata të cilët kishin hise në vendosjen e konturave gjeopolitike të botës së pas Luftës së Ftohtë;
  • Me ata të cilët ndikuan që ne sot të lirë, në këtë vend, të promovojmë këtë libër me vlera të veçanta historike, politike, diplomatike e gazetareske;. (Vili Brand, Helmut Shmit, Helmut Kol, Gerhard Sherder, Hanc Ditrih Gensher, Angele Merkel).

Në kulmin e kësaj lufte, për një gazetar nga një vend komunist, nuk ka qenë e thjeshtë që të ftohet në audienca private nga përfaqësues të shtetit gjerman, nga shkrimtar elitar, nga gazetar, nga ata që bënin jetën publike të gjigantit ekonomik evropian, me ndikim të fuqishëm politik, siç ishte Gjermania e atyre viteve.
Gjatë këtij rrugëtimi, në funksion të çështjes shqiptare, Buxhovi kishte sensin për të heshtur kur duhej heshtur dhe të fliste aq sa duhej të flitej në rrethana dhe ambiente ku ndodhej dhe mbi të gjitha, të thoshte atë që ishte e nevojshme të thuhej në mënyrën më të përshtatshme.
Këto virtyte, Buxhovin e bënë personin e besuar para personaliteteve të shquara politike, diplomatike, të kulturës e të gazetarisë, në radhë të par të shtetit gjerman, si dhe të gjithë botës perëndimore që gravitonte në këtë kohë në Gjermani, në shtetin me ndikim në BE dhe në NATO. Ata para tij e hapën zemrën, për t’i përcjellë mesazhin e vizionit për shqiptarët, që në vitet e shtatëdhjeta, kur në horizont ende nuk dukej as gjë. Sot duket e thjeshtë, por në ato vite ka qenë shumë e komplikuar që një zyrtar i lart shtetëror gjerman, një shqiptari nga një vend komunist, t’i shpaloste strategjinë e veprimit dhe qëllimin e Perëndimit për shqiptarët: “Shqipëria e ka vendin në Evropë dhe perëndim… Nga të harruar dhe të anashkaluarit, shqiptarët një ditë do të kthehen në qendër ë vëmendjes së saj…” (Franc Juzef Shtraus).
Me delikatesën e intelektuali të kompletuar, në takimet e shumta, Buxhovi ja doli mrekullisht që para elitave politike, intelektuale e te mediave prestigjioze gjermane, britanike, franceze e amerikane, ta demaskoi propagandën shekullore serbe (jugosllave), në dëm të shqiptarëve, zanafilla e të cilës është që në fillim të shekullit XIX dhe të argumentoi se serbët nuk kanë hequr dorë nga qëllimi për t’i shfarosur shqiptarët.
Buxhovi gjatë audiencave private e zyrtare, në media të shkruara e vizive, në forume ndërkombëtare, do të argumentojë bindshëm se shqiptarët e Kosovës janë në të drejtën e tyre mbi parimet universale që i kishte pranuar bota demokratike. Këtë e kishte filluar qysh herët, në mes të viteve të shtatëdhjeta, kur shkreptimat e dekompozimit të federatës jugosllave ishin ndjerë. Gjatë gjithë kësaj kohe e deri në vitin 1999, Buxhovi me finesë dhe delikatesë kishte konceptuar doktrinën strategjike të veprimit politik për avancim të pozitës së shqiptarëve në rrethanat e pas shkërmoqjes së Jugosllavisë komuniste: “Liria , barazia, demokracia dhe përkatësia perëndimore” do ishin thelbi i kësaj doktrine, e cila në dukje e thjeshtë (vetëm një grithë), por që arriti t’i fus në lëvizje ingranazhet e të gjitha sistemeve të brendshme e ndërkombëtare që e favorizonin zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti.
Vitet e pas Gjermanisë, kur Buxhovi kthehet në Kosovë, janë vitet e ngjarjeve të mëdha, në të cilat ai është ndikuesi herë i drejtpërdrejtë e herë anësorë i vendosjes së konturave të veprimit politik, të cilat ju dhanë kahe të duhur zhvillimeve për çlirim dhe pavarësi të Kosovës. Pa kulturën familjare, pa ngritjen intelektuale dhe pa përvojën e viteve gjermane të Buxhovit, do të thosha edhe atyre franceze të Rugovës, rezistenca e jonë do të kishte lënguar gjatë për t’u liruar nga kthetrat të ideologjisë marksiste – leniniste, e cila për shkak të regjimit në Shqipëri, kishte ndikim të madh edhe te ne. Sigurisht se nga kjo perspektivë, është e vështirë që të kuptohet në retrospektivë ky ndikimi, por, kur kihet parasysh platforma e veprimit politik të pjesës me ë madhe të grupimeve ilegale që kishin qenë pjesë e Pranverës së 81, domosdo se do të vlerësohet pesha e këtij ndikimi. Ndonëse që nga fillimi i librit e deri në fund, këtë faktor (të transformuar në një formë tjetër të veprimit pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri), Buxhovi e prekë përciptazi, me gjithë atë, i ka frikën. Sido që të jetë, në libër dokumentohet qartë se si Rugova, Buxhovi dhe ai që dikush e quan “Çarku i intelektualëve të Prishtinës”, arritën ta shmangin këtë faktorë dhe lëvizjes për çlirim, t’i japin frymën iluministe.
Pikat e kthesës historike për Kosovën, të cilat Buxhovi i pasqyron të argumentuara në këtë libër, e në të cilat ai ka hise të drejtpërdrejtë, pos të tjerave, do t’i veçoja: demolomin e të drejtës historike serbe mbi Kosovën, të cilën përhapte Dobrica Çosiqit, në një tribunë ndërkombëtare e në Budva me 1987; përballjen dhe çmontimi i shkrimtarëve serb në Beograd në pill 1988, ku Çosiq do të deklaronte “i respektoj kundërshtarët e fortë. Këtë herë ishit të tillë”; rolin kyç në Formimin e LDK-së, e të tjera, e të tjera…
Nëse do të kishte një akademi në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për t’i shkolluar politikanët dhe diplomatët, me pak modifikime, ky libër do të ishte një material metodik i fushës së diplomacisë, politikës, dhe gazetarisë. Për ndryshe, libri ka edhe vlera të çmuara historike, të cilat janë të domosdoshme për t’u eksploruar në mënyrë që historia e hidhur mos të na përsëritet.

(Fjalë rasti e mbajtur në promovimin e librit “Vitet e Gjermanisë”, më 23 dhjetor 2024 në Prishtinë).
…/ KultPlus.com