Historiani Buxhovi për Manastirin e Deçanit: Kurti po e zbaton Kushtetutën, problemi mbeti nga qeverisjet e kaluara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka urdhëruar Agjencionin Kadastral të Kosovës që t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Tha se kjo po bëhet për të arritur një qëllim shumë më madhor, duke aluduar për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kurti në të kaluarën ka qenë njëri ndër kundërshtarët më të zëshëm që këto prona t’i jepen Manastirit.

Këtë vendim të Kurtit e ka komentuar për Front Online historiani Jusuf Buxhovi.

Ai ka thënë se Kurti vetëm është duke e respektuar ligjin pasi që ky vendim siç thotë Buxhovi është i Gjykatës Kushtetuese dhe si i tillë është dashur të zbatohej prej kohësh.

“Kryeministri paska fol si burrë shtetas, i cili e respekton shtetin dhe ligjin. Ky vendim është i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe si i tillë është dashtë të zbatohet prej kohësh. Në këtë rast unë duhet të them tash se duhet t’i kthehemi shkakut dhe jo pasojave. Kjo që ka ndodhë sot është një pasojë. Shkaku është te Pakoja e Ahtisarit”, është shprehur Buxhovi për Front Online.

Buxhovi, thotë se vendimi që tokat e Deçanit t’i jepen Manastrit është anti-kombëtar dhe kundër identitetit shpirtëror dhe kulturor të Kosovës.

Sipas tij, për krejt këtë fajin e ka politika e papërgjegjshme e Kosovës që nga viti 2010.

“Ndërkohë që politika e papërgjegjshme e jona prej vitit 2010 e tutje ka vepruar çmos që objektet e kultit të cilat i kanë takuar trashëgimisë së Kosovës t’i jepen Serbisë. Në këtë aspekt unë mund të them se vendimi që tokat e Deçanit t’i jepen Manastirit është një vendim anti-kombëtar dhe kundër identitetit shpirtëror dhe kulturor të Kosovës. Kjo, ka ndodhë për shkak se politikanët e papërgjegjshëm janë pajtuar që përmes makinacioneve të ndryshme kjo tokë t’i mbetet Manastirit të Deçanit”, ka shtuar Buxhovi.

Historiani Buxhovi, ka treguar se edhe ku buron historia e këtij problemi.

“Veprimet e tyre kanë qenë të tilla që kanë penguar që mbrojtja juridike e Komunës së Deçanit dhe dy firmave të cilat kanë menaxhuar pronën atje të mbrohen në Gjykatën Kushtetuese dhe këtu është problemi. Gjykata ka vepruar ashtu siç duhet vepruar sepse nuk e ka pas mbrojtjen juridike as nga Komuna e Deçanit dhe as nga bartësit dhe nuk i ka mbetur tjetër pos që të gjykojë si të drejtë  ankesën e Kishës së Deçanit, prandaj këtu duhet shikuar çështjen”, ka deklaruar ai për Front Online.

Jusuf Buxhovi për Manastirin e Deçanit: Albin Kurti e trashëgoi problemin nga udhëheqja e kaluar

Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë për Front Online se çështja e tokave për Manastirin e Deçanit i ka mbetur si problem kryeministrit Albin Kurti nga udhëheqja e kaluar.

Por, se thotë se ky nuk është problemi i vetëm.

Buxhovi përmend edhe çështjen e Asociacionit.

“Ky problem i ka mbet Albin Kurtit nga udhëheqja e kaluar. Unë kujtoj se ky nuk është problemi i vetëm që ka mbet e që ai është dashtë ta zgjidh me kohë, siç i ka mbet edhe Asociacioni që është dashtë menjëherë si ka ardhë në pushtet ta zbatojë sepse është kategori kushtetuese dhe jo të politizohet me to”, është shprehur Buxhovi për Front Online.

Sipas Buxhovit, vendimin për Manastirin e Deçanit e kanë marrë politikanët tjerë dhe kryeministri Kurti vetëm po e zbaton një vendim të Kushtetutës.

“Unë e di që tash shumë çka do t’i përplaset për shpine Albin Kurtit që e ka zbatu këtë vendim, por këtë vendim e kanë marrë politikanët tjerë. Albin Kurti nuk ka të bëjë asgjë me këtë vendim, por i ka ra detyra si burrështetas ta ekzekutoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili prej kohësh po e ngarkon Kosovën në raportet ndërkombëtare si shtet që nuk po i zbaton ligjet”, ka shtuar ai.

Historiani Buxhovi tregon mundësinë se si mund të merren vesh Kosova dhe Manastiri i Deçanit për tokat

Historiani Jusuf Buxhovi, ka përmendur edhe mundësinë se si Kosova mund të veproj në mënyrë që tokat mos të uzurpohen nga Manastiri i Deçanit.

“Në këtë drejtim unë mendoj këtu që duhet të gjendet vetëm një mundësi që shteti i Kosovës  të bashkëbisedoj me Manastirin e Deçanit që ato prona në një farë mënyre të kthehen në shfrytëzim të përbashkët dhe jo të uzurpohen në bazë të kadastrave dhe kjo është ajo që mund të thuhet sot. Ne tash po i përjetojmë gabimet që kanë dalë me Pakon e Ahtisarit që do të ketë edhe shumë e shumë të ngjashme në të ardhmen”, ka thënë ndër të tjera Buxhovi pwr Front Online.

Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuar në vazhdimësi ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’i lejuar Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, me arsyetimin se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.

Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar.

Prokuroria Themelore e Pejës në Kosovë, në qershor të vitit 2022, ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese./Front Online/KultPlus.com

Ibrahim Rugova midis realitetit dhe ikonës

Nga Jusuf Buxhovi

Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm.

I tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vitin 1992. President i Kosovës do të zgjidhet edhe në vitin 1998. Edhe në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar, në vitin 2001 dhe 2004 Rugova zgjidhet president i Kosovës. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë  vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.

Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi.

Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vinë nga bindjet majtiste  të reinkarnuara edhe me amalgamin religjioz, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga mentalitet patriarkale, ku vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik, këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.

Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencies shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.

Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht ndërmorën fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpërlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër hegjemoniste e Beogradit, e cila deri në vitet e gjashtëdhjeta ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.

Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjeta e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankoviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët në federatën jugosllave, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.

Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi,  e ngritjes së Kosovës në Republikë në demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kuadër të  zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, po pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duhej hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të krijonin edhe ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.

Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë nga  Memorandumi i Akademisë Serbe i vitit 1986,  shtrohej domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.

Dhe marrja me politik duhej të kishte një koordinatë të dyfishtë: lirimin nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.

Sigurisht se këtij përcaktimi, që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethët e luftës së ftohtë.

Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.

Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralel nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.

Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi kanë qenë të përfshirë dhunshëm. Dhe, njëherësh, do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.

Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.

Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.

Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, po një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.

Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.

Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!

Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditë fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.

Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen ndaj filozofisë politike të tij nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e ngatërron me atë ideologjik…

Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në maj të vitit 1999, të  domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.

Si herën e parë, dhe  herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.

Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se retardimet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis lindjes dhe perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindor e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.

Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve të Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani. Zoti Hase, nga Ministria e Jashtme më njoftoi se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel. Tha se  për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës, i vendosur në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit, ishte  mysafir i qeverisë gjermane. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”.  Pas njoftimit zyrtar, Has më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte ministria e jashtme.

Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, me rastin e largimit në Gjermani dhe aty personalisht ia kisha shpjeguar arsyet e këtij veprimi, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, takova Rugovën e qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.

Darka kaloi në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante. Ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja” (ato ditë i ishte ndarë çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohta me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vleftë, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.

“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.

Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.

Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si ministri i jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga dy korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga ministri i jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa hesapeve nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.

Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos të shtoja se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.

“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.

Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe, pas asaj bisedë,  i fascinuar, kishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që lëviznin botën…

Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet qerja do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit. Kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:

“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në perëndim dhe jo në lindje”.

Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në maj të vitit 1999 në Bon,  filloi ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh nga rezidenca e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të Dejtonit.

Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në terasën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe e atyre që kishte me vete dhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam pas gjysmës së natës dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.

Ky takim, megjithatë, ishte tjetër  nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa javë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike. Mendja ma merrte se Rugova kishte këtë gur në zemër dhe barrën e tij, që mund ta ngarkonte përjetshëm. Andaj, prisja që nga ai paksa të zbrazej. Por, për habi, preokupim nuk e kishte kohën e Beogradit. Si edhe me rastin e takimit në Petersberg kur më kishte folur për dilemën e sferave të interesit dhe pengun e tyre me preokupimin jetik që të mbeteshim në atë të Perëndimit dhe jo në të Lindjes, këtë herë më foli për frikën nga reinkarnimi ideologjik i vetëdijes totalitare.

Kisha përshtypjen se nga ai po fliste një frikë e madhe, e brendshme dhe tejet e thellë, e cila nuk shfaqej vetëm si dyshim, por si ndjekje, që nganjëherë i përngjan paranojës.

“I druaj hakmarrjes komuniste”, do të më thotë një çast me aso shqetësimi, sa më shkoi mendja se mund të ndodhej para ndonjë thyerje të rëndë psikike dhe mendja më shkoi tek pasojat e Beogradit.

“Nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj…”

Çfarë t’i thosha kur e dija se kishte të drejtë, por nuk ma merrte mendja se ai tashmë ishte mbërthyer i tëri nga ajo druajtje.

Prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?

Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte fascinuar siç ka fascinuar gjithë botën.

“Ku ka më mirë se të vdiset në Paris”, fola pak si me shaka.

“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”

Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdisej edhe në Dublin. Pse jo?…

“Në Dublin është madhështi të vdiset, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin… Nuk e dua…”

“Kush do ta donte…?” – ia ktheva pasi më drejtohej që t’i thosha diç.

Pak më vonë, tha se Xhojsi ka pasur parandjenjën se mund ta vrasin në Dublin dhe kjo do të jetë vrasje shpirti, që nuk do të mund ta duronte, ngaqë ajo vrasje do ta ngarkonte me mallkim të përhershëm çdo irlandez dhe vetë Irlandën.

“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej… Kishte mallkimin e shpirtit…”

Kur po largohesha, më dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të hakmarrjes komuniste, nga ajo e sojit stalinist, m’u kishin vu pas dhe po më ndiqnin nga të gjitha anët..

(Shhkëputje nga libri “Kthesa historike” 1 Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDKs-ë, 2008).

…./KultPlus.com

Kur Jusuf Gërvalla i shkruante nënës: Të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg

Në shtator të vitit 1980, Jusuf Gërvalla ishte larg nënës së tij. Dashuria e pastër e saj megjithatë e ka shoqëruar Jufusin në udhëtimet, tragjeditë e të mirat e jetës së tij.

“ Nanë e dashtun!
Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!

Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!

Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.

Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë.
Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?

Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun” . / KultPlus.com

80 vite nga lindja e veprimtarit të shquar shqiptar, Jusuf Gërvallës

Sot janë bërë 80 vite nga lindja e veprimtarit të shquar shqiptar, Jusuf Gërvalla.

Jusuf Gërvalla ka lindur në Dubovik, më 1 tetor 1943. Ai ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar, si dhe themelues i grupit irredentist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Lindi në Burrëmadhi, në komunën e Deçanit. Shkollimi i lartë tij vijoi në Prishtinë e Ljubjanë, më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë. Një nacionalist i zëshëm, hyri në radarin e Policisë sekrete jugosllave, duke u shtytur të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të mbramin e kryesonte Gërvalla.

Më 18 janar 1982, Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllave në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe.

Disa prej veprave letrare të tij të cilat janë të botuara: Fluturojnë e bien (1975), Kanjushë e verdhë (1978), Shtëpia në kornizë, Skena nga jeta e fshatit, Shenjat e shenjta (1979), Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare, Prishtinë: Ora, 1992/KultPlus.com

Tash po nisemi

Poezi nga Jusuf Gërvalla

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej./KultPlus.com