44 vjet pa ikonën e fuqishme të muzikës, John Lennon

”I just shot John Lennon” (”Sapo kam qëlluar John Lennon”), ishin fjalët të shqiptuara me ton të ftohtë dhe cinik, më 8 dhjetor 1980, nga Mark David Chapman, i cili i dha fund jetës së ish-Beatles.

Lennon kishte mbushur 40 vjeç vetëm dy muaj më parë, më 9 tetor.

Dhe 44 vjet më parë vdekja e tij tronditi botën dhe veçanërisht një brez, e cili ishte rritur duke u ushqyer me idealet e paqes, që gjithashtu frymëzoi albumin e tij më të suksesshëm ”’Imagine”’ (1971), kënga me të njëjtin titull i të cilit u shndërrua në një himn ndërkombëtar të pacifizmit.

Natën e 8 dhjetorit 1980, Lennon ishte në shoqëria e bashkëshortes, Yoko Ono, pasi të dy po ktheheshin në banesën e tyre, brenda ndërtesës ”Dakota”, përballë njërës prej hyrjeve në Parkun Qendror, në rrugën 72.

Atë mëngjes fotografja e famshme e portreteve, Annie Leibovitz kishte qenë në shtëpinë e çiftit për të bërë një set fotografik për kopertinën e revistës ”Rolling Stone” dhe kishte realizuar foton e famshme në të cilën Lennon krejtësisht i zhveshur përqafon dhe puth Onon, e veshur plotësisht në të zeza.

Rreth orës 22:50, Chapman u afrua në hyrje të ndërtesës ”Dakota”.

Pas hyrjes së Lennon me Ono, ai nxori një pistoletë të kalibrit 0,38 milimetra dhe gjuajti me pesë fishekë.

Katër prej tyre kapën Lennon në shpinë, ndërsa një shpoi aortën. Ish-Beatle mezi shqiptoi fjalën ”Më qëlluan…”, para se të ndërronte jetë.

Ai u dërgua menjëherë nga një patrullë policie në spitalin ”Roosevelt”, ku u shpall i vdekur në orën 23:15.

Në 1969 Lennon kishte thënë se ”nuk kam frikë të vdes”.

Sidoqoftë, 40 vjet më vonë, miti i John Lennon vazhdon të frymëzojë brezat.

Ai mbetet një nga ikonat më të fuqishme ndonjëherë prodhuar nga kultura popullore, një njeri që falë muzikës dhe angazhimit për paqen ndryshoi botën. / KultPlus.com

Antropologia, Janet Reineck mysafire e radhës në Insitutin Albanologjik

Antropologia dhe albanologia e njohur amerikane, Janet Reineck, do të jetë mysafire e radhës e programit të ligjëratave dhe takimeve shkencore “Leksione albanologjike”

Instituti Albanologjik i Prishtinës, Dega e Etnologjisë, vazhdon organizimin e ligjëratave dhe takimeve shkencore “Leksione albanologjike”.

Tema e ligjëratës së saj do të jetë: “Antropology and Activism: My Kosova Journey 1980s, 1990s, and Now”.

Ligjërata do të mbahet më 9 dhjetor nga ora 11:00 në Sallen e konferencave të Insitutit Albanologjik./ KultPlus.com

Pa ata, rock-u nuk ka trashëgimtarë

“Kur të mbush 33 vjeç, do të dal në pension. Nuk mund të jesh një yll rocku gjatë gjithë jetës tënde”, thoshte Mick Jagger, në mënyrë sfiduese, në fillim të viteve shtatëdhjetë. Një auto-profeci që duhej të ishte realizuar në vitin 1976, por gjërat shkuan ndryshe, ashtu si për Who e Roger Daltrey dhe Pete Townshend, të cilët në himnin e tyre rebel të vitit 1965, My Generation, thërrisnin: “Shpresoj të vdes para se të plakem.

“Është më mirë të digjesh se sa të venitesh ngadalë” këndonte më vonë Neil Young në këngën e famshme Hey Hey, My My (Into the black), por më pas, megjithëse me disa pauza për shkak të problemeve shëndetësore, në moshën 80-vjeçare, ai ende vazhdon e udhëton në shoqërinë e kitarës elektrike.

Ata shkruajnë këngë të reja, bëjnë disqe, hipin në aeroplan dhe shkojnë në turne, ndërsa ende argëtohen, duke sfiduar kohën, abuzimet e së kaluarës dhe ligjet e fizikës (sprintet dhe kërcimet e Mick Jaggerit në skenë në moshën 81-vjeçare nuk kanë të ngjashme). Ata janë të guximshmit e rock and roll-it, një klub ekskluziv i shtatëdhjetëvjeçarëve dhe tetëdhjetëvjeçarëve që ende mbushin arena, stadiume dhe teatro.

Dhe jo vetëm për para, sepse sigurisht që ato nuk u mungojnë. Në ato fytyra të shenjuara pashmangshmërisht nga rrudhat është historia e rock-ut, një zhanër që këtë vit mbush të shtatëdhjetat dhe mbi të ardhmen e të cilit hidhen shumë hije.

Pas AC/DC që mbledh njëqind mijë spektatorë për koncert, pas David Gilmour që mbushi plot gjashtë herë Circus Maximus në Romë dhe katër herë Madison Square Garden në Nju Jork, pas Bob Dylan (83 vjeç) që mban vazhdimisht koncerte në çdo cep të globit ose Guns N’ Roses që mblodhën turma të mëdha me hitet e tyre të publikuara në vitet Tetëdhjetë dhe Nëntëdhjetë, ekziston një nga levat më të fuqishme të tregut: nostalgjia.

Gjë që përkthehet në dëshirën për të dëgjuar Paul McCartney-n të këndojë edhe një herë Hey Jude, për të shijuar një copëz të Led Zeppelin në shfaqjet e jashtëzakonshme solo të Robert Plant ose për të ringjallur plotësisht emocionet e The Wall nëpërmjet Roger Waters. Skena e sotme e rock-ut paraqet një panteon përbindëshash të shenjtë, dëshmitarë të epokës së artë të një mënyre për të bërë art: ata janë muzikë klasike e destinuar të mbetet përgjithmonë.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për gjeneratat e reja, grupe që kanë një ndjekje jo vetëm të zbehtë, por që nuk ka forcën dhe kreativitetin e atyre që ishin para tyre. Nuk ka Rolling Stones të ri, por as Metallica, Deep Purple, U2, apo ndonjë të afërt me David Bowie dhe Lou Reed.

Për shumë arsye. E para është se ka mungesë nxitjeje nga publiku më i ri, i cili sot tërhiqet kryesisht nga tingujt e muzikës pop, kërcimi dhe sharmi i metrikës së repit dhe hip hopit. Zhanret, këto të fundit, që jetojnë më shumë me rima dhe fjalë sesa me muzikë, ndaj djali që i bie kitarës është “më pak i lezetshëm” se ai që bën diss.

Pastaj është faktori kohë: ndërtimi i karrierës së një grupi ose një artisti rock kërkon muaj, vite, javë provash dhe studio regjistrimi. Këto kosto janë pothuajse të papajtueshme me modelin e sotëm të biznesit. Sot duhet një single që funksionon menjëherë, që ka ndikim në mediat sociale. Pas të gjithë emrave klasikë që përmendëm, ekziston një alternim i dështimeve dhe sukseseve globale, i përpjekjeve të dështuara dhe intuitave të shpejta.

Kur Rolling Stones u përpoqën të imitonin Beatles, duke regjistruar një album jashtëzakonisht eksperimental të bazuar në psikideli, beats, mellotron dhe ide të çuditshme etnike, ata u përplasën me një nga lëvizjet më fatkeqe të karrierës së tyre. Ishte viti 1967, dhe pavarësisht Their Satanic Majesties Request, ata janë ende në qarkullim. Nëse do t’i ndodhte një grupi sot, do të ishte fundi i gjithçkaje.

Krahasuar me të tashmen ekziston përjashtimi i Måneskin: nga koncertet në rrugët e Romës, te X Factor, te Sanremo, te shitjet në mbarë botën. Por është një përjashtim. Siç janë Muse, Linkin Park ose Arctic Monkeys. Në të kundërt, Radiohead, i lindur si një grup mjaft tradicional rock, por i aftë rekord pas rekordi për të shpikur një gjuhë të re muzikore, duke e projektuar veten përpara si askush tjetër. Një paraqitje e shkurtër e realitetit mbi të ardhmen e rrokut ofrohet nga nominimet shumë të fundit në kategorinë “Albumi më i mirë Rock” për çmimet Grammy 2025 Midis shtatë të nominuarve janë… Rolling Stones, Green Day (me 32 vjet karrierë), Pearl Jam (albumi i parë u publikua në 1991), Black Crowes (grupi u formua në Atlanta në 1984), kitaristi-kompozitor Jack White (49 vjeç) dhe, më në fund, Fontaines D.C. (rreth vitit 2014) dhe Idles (2009). Gjithçka e qartë.

Teknologjia ka ndryshuar muzikën, por edhe mënyrën se si ne e shijojmë atë. Artistët e “shkollës së vjetër” shtyheshin, promovoheshin, futeshin nëpër shtëpi e në veshët e publikut me punë të përpiktë, gati artizanale. Sot, muzika, me përjashtim të emrave të konsoliduar, tenton të jetë zhurma e dhjetëra mijëra këngëve të reja që pushtojnë platformat e transmetimit çdo javë: është shumë e ndërlikuar që një grup rock të shfaqet, të zgjidhet, të bëhet një pikë referrimi. Dhe jo vetëm sepse prapa janë hijet e gjigantëve të zhanrit.

“Dëshira për të qenë të famshëm ka zënë vendin e bukurisë, të madhështisë. Regjistrohen këngë për të shkuar në Tik Tok”, thotë Jimmy Iovine, një nga producentët më të rëndësishëm të muzikës të të gjitha kohërave (John Lennon, Bruce Springsteen, Patti Smith, Dire Straits, U2)

Prandaj, asgjë nuk është përgjithmonë, madje as rock and roll, i lindur shtatëdhjetë vjet më parë dhe i sjellë me forcë në krye të top-listave amerikane dhe angleze në vitin 1954 nga Rock Around the Clock, i regjistruar me nxitim nga Bill Haley & The Comets në Phythian Temple Studios në Nju Jork. Fillimisht ishte pjesa B e një kënge tjetër që u konsiderua shumë, shumë më e fortë, por që askush nuk e mori: Trembëdhjetë Gra (dhe vetëm një burrë në qytet). Pas disa muajsh, ajo anë B e kasetës u përfshi në titullin e hapjes së filmit “blackboard Jungle”. Dhe asgjë nuk ishte më si më parë./bota.al/ KultPlus.com

‘Kur ishim të vegjël i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre’

Frederik Rreshpja

***
Kur ishim të vegjël
i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre.
Tani avionët janë prej duralumini,
po të tërë janë bosh.

Je ftohur nga drurët, metalet dhe retë,
lartësive të mëdha.

Këto shpikje na ndanë;
Ishim aq mirë kur qemë të vegjël,
nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë.

Bëje një letër, po jo prej duralumini:
Kam nevojë për ty, jo për metalet./ KultPlus.com

Charles Bukowski: Ajo ishte totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht

Charles Bukowski ka shkruar romane, tregime dhe poezi për një total prej mbi 60 veprash. Përmbajtja e veprave të tij i përket më tepër jetës personale, varësisë me alkoolin dhe marrëdhënieve me personat e tjerë, të shprehura këto në mënyrë tepër realiste dhe pa shumë eufemizma.

Krijimi i mëposhtëm i tij është ndër më të bukurit që mund të jenë shkruar. Bëhet fjalë për përshkrimin e një femre nga një mashkull që e dashuronte atë. Është përshkrimi thuajse i çdo femre të pavendosur, por edhe tepër të fortë në të njëjtën kohë. Është përshkrimi i çdo femre që ekziston, në gjithë dimensionet e saj, ndaj jemi të sigurtë se të gjitha femrat duhet ta lexojnë një krijim të tillë.

“E ke dashur, apo jo?”, – psherëtiu ajo

“Si mund të të përgjigjem? Ajo ishte e çmendur”, – tha ai duke kaluar dorën në flokë, – “Edhe pse ishte e çmendur, çdo ditë ishte një femër ndryshe. Një herë plot guxim, një herë e stepur. Një herë e nxituar dhe herë tjetër e ndrojtur. E pasigurtë dhe e vendosur. E ëmbël dhe arrogante. Ajo ishte mijëra femra të bashkuara në një të vetme, por parfumi i saj ishte përherë i njëjti. Ai nuk mund të ngatërrohej. Parfumi i saj ishte siguria ime e vetme. Më buzëqeshte duke ditur si të luante me mua përmes buzëqeshjes së saj. Kur ajo qeshte, unë nuk kuptoja më asgjë. Nuk dija më si të flisja, apo të mendoja. Asgjë, zero. Në atë moment ishte vetëm ajo. Ishte e çmendur, e gjitha e çmendur. Disa herë qante. Thuhet se në ato çaste femrat duan vetëm një përqafim, ndërsa ajo jo. Ajo nevrikosej, nëse e përqafoje. Nuk e di ku ndodhet tashmë, por vë bast se është në kërkim të ëndrrave.

Ajo ishte e çmendur, totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht”. / KultPlus.com

Sonte nata finale e “Këngës Magjike”

Pas dy netëve gjysmëfinale, sonte në Pallatin e Kongreseve do të mbahet finalja e “Këngës Magjike”.

Pas një votimi nga Juria, artistët pjesëmarrës dhe publiku, sonte në skenën e madhe të Kënges Magjike do të ngjiten 23 finaliste, që do të interpretojnë sërish live, kësaj here në garë për trofeun kryesor.

Do të ketë tre çmime të para dhe do të shpallet Top 10 më e mirë e edicionit “Kënga Magjike 2024”.

Ashtu si dy netët e kaluara edhe sonte nuk do të mungojnë surprizat./klanhd/ KultPlus.com

NASA shtyn misionin kyç “Artemis”

NASA ka shtyrë misionin kyç në programin e saj “Artemis”, i cili synon të kthejë astronautët në Hënë.

Misioni “Artemis II” me ekuipazh, i planifikuar fillimisht për në shtator 2025, tani është caktuar të zhvillohet pas prillit 2026.

Në mënyrë të ngjashme, misioni “Artemis III”, i cili përfshin një ulje të planifikuar hënore, është shtyrë deri në vitin 2027.

Administratori i NASA-s, Bill Nelson shpjegoi se vonesat rrjedhin nga problemet me mburojën e nxehtësisë së kapsulës Orion, të identifikuara gjatë fluturimit testues “Artemis I” në 2022.

Nelson theksoi se nevojitet më shumë kohë për të siguruar që anija kozmike mund të mbajë në mënyrë të sigurt astronautët në misionet e thella në hapësirë.

NASA po kryen gjithashtu teste të gjera për të adresuar çdo rrezik me të cilin mund të përballen astronautët, veçanërisht në lidhje me anijen kozmike dhe pajisjet e astronautëve.

Programi “Artemis” është i fokusuar në dërgimin e astronautëve në polin jugor të Hënës, ku besohet se është i pranishëm akull uji, duke ofruar burime të mundshme për misionet e ardhshme.

Faza e parë e programit Artemis, “Artemis I”, përfundoi me sukses në dhjetor 2022, duke shënuar një moment historik të madh me një fluturim testues pa ekuipazh./ KultPlus.com

Gjykata në SHBA mban në fuqi ligjin për shitjen e TikTok-ut

Platforma e rrjeteve sociale në pronësi kineze, TikTok, ka pësuar një humbje në betejën e saj kundër një ligji në Shtetet e Bashkuara që kërkon shitjen apo ndalimin e këtij aplikacioni popullor.

Gjykata e Apelit në Uashington tha se legjislacioni për shitjen e TikTok-ut është i ligjshëm.

Tani, i vetmi opsion për TikTok-un është që t’i drejtohet Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara.

Platforma në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance, argumentoi në padi se ligji shkelë lirinë e fjalës së garantuar në Kushtetutën amerikane. Megjithatë, gjykata theksoi se ligji është në përputhje me praktikat dhe rregulloret që janë në fuqi për një kohë të gjatë dhe që Kongresi amerikan nuk ka pasur për qëllim të shtypë liri të caktuara.

Sipas ligjit, që hyri në fuqi në prill, ByteDance ka rreth një vit kohë për të shitur aksionet e tij që ka në TikTok para se aplikacionit të ndalohet në të gjitha dyqanet e aplikacioneve në SHBA. Ligji thirret në rrezikun që Kina mund të ketë qasje në të dhënat amerikane dhe përmes tyre të ushtrojë ndikim politik.

Në padinë e TikTok-ut, mes tjerash u tha se ndarja nga ByteDance, siç propozohet në ligjin amerikan nëse ky aplikacion dëshiron të ketë qasje në SHBA, “thjesht nuk është i mundur: as në aspektin komercial, as në atë teknologjik e as në aspektin ligjor”.

Fillimisht, ligji i kishte dhënë ByteDance 270 ditë kohë që të shesë aksionet që ka në TikTok. Presidenti amerikan, Joe Biden, mund të zgjasë afatin për tre muaj të tjerë nëse ka përparim në bisedimet për shitjen e aksioneve. Megjithatë, TikTok ka deklaruar se nga perspektiva e kompanisë, kjo gjë nuk do të ndodhë.

“Nuk ka dyshim, ky ligj do të detyrojë mbylljen e TikTok-ut deri më 19 janar 2025, duke heshtur 170 milionë amerikanë që përdorin platformën për të komunikuar në mënyra që nuk mund ta bëjnë me aplikacione të tjera”, u tha në padinë e kompanisë.

Më 20 janar, republikani Donald Trump do të marrë detyrën e presidentit të SHBA-së. Gjatë mandatit të tij presidencial, administrata e tij kishte dështuar që përmes gjykatave të detyronte shitjen e TikTok-ut.

Gjatë fushatës zgjedhore për presidencialet e këtij viti, ai është shprehur kundër ndalimit të platformës. Megjithatë, ai nuk mund ta tërheqë ligjin.

ByteDance konsiderohet kompani kineze nga të dyja partitë kryesore në SHBA.

TikTok-u argumenton se afër 60 për qind e aksioneve në ByteDance janë të investitorëve perëndimorë. Selia e kompanisë është në Ishujt Kajman në Karaibe.

Por, politikanët amerikanë kanë argumentuar se themeluesit kinezë kanë kontroll, për shkak të drejtës së tyre të votës në bord pasi kanë 20 për qind të aksioneve, duke shtuar se selia kryesore e ByteDance është në Pekin, ku kompania nuk mund t’i ikë ndikimit të autoritete. /REL/ KultPlus.com

Shqipëria mikpret Konferencën Vjetore të IAIS në 2025-ën

Shqipëria do të mikpresë në vitin 2025 për herë të parë Konferencën Vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), eventin më të rëndësishëm global në fushën e sigurimeve, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues nga mbi 150 autoritete mbikëqyrëse dhe rregullatore, si dhe përfaqësues të industrisë së sigurimeve.

Në mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të IAIS-it, zhvilluar këtë javë në Cape Town, drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e autoritetit, Mimoza Kaçi, prezantoi platformën dhe vizionin e autoritetit për organizimin e këtij eventi vitin e ardhshëm në Shqipëri.

Në fjalën e mbajtur, Kaçi theksoi marrëdhënien e shkëlqyer me IAIS, dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Autoritetit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe harmonizim të praktikave mbikëqyrëse me standardet ndërkombëtare në sigurime.

Gjatë vitit 2024, bazuar në rekomandimet e “Raportit të vlerësimit të përputhshmërisë” të IAIS, janë hartuar dhe propozuar ndryshimet përkatëse, si në ligjin e sigurimeve dhe risigurimeve, ashtu edhe në ligjin “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, me qëllim forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator.

“Qëndroj sot përpara jush si dëshmitare e transformimit të jashtëzakonshëm të vendit tim, Shqipërisë, të cilën do ta quaja thesari i vogël në zemër të Europës. Trashëgimia jonë kulturore është po aq e pasur, sa dhe unike. Ne jemi vendlindja e Nënë Terezës, shpirti i së cilës vazhdon të na frymëzojë dhe udhëheqë. Dëshiroj të jemi të gjithë bashkë vitin e ardhshëm për të përjetuar magjinë e vendit, që do të lërë gjurmë dhe do të mbetet gjatë në mendjen tuaj”, tha Kaçi në fjalën e saj.

Konferenca Vjetore IAIS 2025, do të mbledhë në Tiranë mbi 500 drejtues të nivelit të lartë nga autoritetet mbikëqyrëse dhe tregu i sigurimeve nga mbarë bota, për të diskutuar mbi zhvillimet dhe sfidat në fushën e sigurimeve. Njëkohësisht, ky event do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë, si një destinacion të ri në fushën e turizmit. Pjesëmarrësit në aktivitet, shprehën interes të lartë, ndërsa vizituan stendën promovuese të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com

Lojërat e Tik-Tokut dhe lëndimet nëpër shkolla, MASHT-i del me reagim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se ka zhvilluar disa materialedidaktike për edukatorë/mësimdhënës dhe këshilla e udhëzime për nxënës e prindër, prandaj kërkojmë që rreziqet online dhe edukimi për përdorimin e sigurt e të dobishëm të internetit, të trajtohet me efikasitet në shkolla dhe shtëpi.

MASHTI tha se janë të shqetësuar si pasojë e rasteve të lëndimeve të nxënësve.

“Sa u përket materialeve didaktike, ka kohë që MASHTI ka hartuar pakon e udhëzuesve ”Udhëtimi nëpër internet” (2 udhëzuesit për nxënës, 1 për mësimdhënës dhe 1 për prindër), me të cilën ofrohen alternativat e përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme, duke trajtuar këtë tematikë me qasje ndërkurrikulare, ekstrakurrikulare dhe me mësim zgjedhor”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

‘Mediterraneo’ e Ilir Paços, gazetari hap ekspozitën me punimet në pikturë në qytetin e Pogradecit

Ekspozita “Mediterraneo” e gazetarit dhe folësit të lajmeve në Top Channel, Ilir Paço është çelur në qytetin e Pogradecit. 

35 grafika të realizuara mbi fletët e lajmeve përgjatë kohës kur ai përcjell informacionin për publikun vijnë si një ditar vizatimesh me tematika të ndryshme.

Mes  tyre qëndrojnë të vendosura disa ekrane ku shfaqen në mënyrë të përsëritur momente kur Ilir Paço është në transmetimin e lajmeve të Top Channel.

Tematika e grafikëve është e shumëllojshme por në qendër vendos dashurinë e tij për Ballkanin

Në ditën e parë të çeljes, pjesëmarrësit tregojnë se ekspozita që vjen si një arratisje shpirtërore e gazetarit nga presioni i zhvillimeve të lajmeve është shumë interesante

Ekspozita do të qëndrojë e hapur  gjatë gjithë  muajit të festave kur edhe qyteti i Pogradecit ashtu si në gjithë vendin ka ndezur dekorin festiv dhe mirëpret vizitorët./Topchanel/ KultPlus.com

KOMF: ‘Superman challenge mund të shkaktojë pasoja për shëndetin e nxënësve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 35 organizata jo qeveritare, shpreh shqetësim për përhapjen e lojës së rrezikshme që po qarkullon në TikTok “Superman challenge”, ku deri më tani janë raportuar disa raste të nxënësve që kanë pësuar lëndime fizike nga përfshirja në këtë lojë.

KOMF iu është drejtuar të gjithë nxënësve, se kjo nuk është një “lojë” dhe nuk është as “sfidë”.

“Luajtja e kësaj loje, ju dëmton fizikisht dhe mund të keni pasoja për shëndetin tuaj”, thuhet në njoftimin e KOMF-it.

KOMF u ka bërë thirrje të gjithë nxënësve që të raportojnë tek prindi apo mësimdhënësi, nëse kanë informacion se shokët apo shoqet janë të përfshirë në këtë lojë, dhe që të përfshihen në lojëra që i ndihmojnë të rriten të fortë e të shëndetshëm, duke ju bërë thirrje dhe një herq që të qëndrojnë larg këtyre mashtrimeve.

KOMF i bën thirrje prindërve:

-Monitoroni fëmijët gjatë qëndrimit të tyre në internet dhe flisni me fëmijët për “lojrat” apo “sfidat” e papërshtatshme, rreziqet dhe dëmet që sjellin ato.

KOMF i bën thirrje mësimdhënësve:

-Mbani sesione informuese dhe vetëdijësuese me nxënësit mbi pasojat që mund të kenë nga lojrat e papërshtatshme dhe se si të zëvendësohen ato me lojëra argëtuese e të shëndetshme;

-Siguroni mbikëqyrje të nxënësve në klasë, gjatë pushimeve dhe në ambiente të tjera të shkollës për të parandaluar rreziqet e tilla;

-Keni vëmendje dhe kujdes të shtuar për të parandaluar raste të reja të fëmijëve që mund të manipulohen nga kjo lojë;

-Siguroni koordinim intensiv dhe të vazhdueshëm me nxënësit dhe prindërit për këtë çështje.

Hapet ekspozita ‘Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinjë kosovar’, përmes 24 grafistëve shpërfaqen dimensionet socio-kulturore

“Heshtja”, “Gjurmë”, “Mbështetja”, “Karroca”, “Labirinthi”, ishin emrat e disa prej punimeve grafike të ekspozitës që u hap mbrëmë në hapësirat e KultPlus Cafe Gallery. Kjo ekspozitë shënon edicionin e dytë, me kurator Basri Mekolli.

Ekspozita “Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinjë kosovar” u hap nga drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, bashkë me kuratorin Mekolli. Ajo u shpreh se kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për dy javë, për të gjithë ata që duan ta shijojnë.

Rezultatet e praktikave të këtij hulumtimi ishin të shumëfishta duke i përfshirë, por jo i ku- fizuar vetëm me vështrimet “brenda” proceseve artistike, por edhe duke hulumtuar dimensionet socio-kulturore, produktet e reja artistike, identitetet, narrativat, transformimet, hapësirat, kohët dhe relacionet ndërmjet tyre.

Kuratori Mekolli u shpreh se në këtë edicion të ekspozitës janë përfshirë 24 grafist me punime të ndryshme, të cilat janë të punuara me mjeshtëri dhe me përkushtim. Ai tha se ky projekt i ka marrë rreth 3 muaj kohë.

“Me këtë projekt jam marrë që nga shtatori, me hulumtimin e grafistëve, përzgjedhjen e punimeve dhe prezantimin e tyre. I kam përzgjedh dhe seleksionu grafikat më të suksesshme”, tha ai për KultPlus.

Tutje, Mekolli shtoi se ka pasur artistë që është dashur me qenë të pranishëm me punimet e tyre në këtë ekspozitë, por që për arsye të caktuara kanë ndërruar mendje dhe i kanë tërhequr punimet që t’i prezantojnë në ekspozitat personale jashtë shtetit.

Sa i përket vazhdimësisë së edicioneve edhe më tutje, ai u shpreh se është shumë e vështirë sepse është zvogëluar numri i artistëve dhe se ka edhe vështirësi financiare.

“Është vështirë me zgjat edicione sepse duhet gjithmonë të ketë artistë të rinjë, tani është zvogëluar numri i artistëve grafist dhe ata që studiojnë në Fakultetin e Arteve po i lënë studimet dhe po ikin jashtë shtetit. Sfidë në vete është edhe aspekti ekonomik, sepse është profesion shumë i shtrenjtë dhe materialet janë që gjenden vetëm jashtë shtetit. Kjo po ndikon në punën e grafistëve”, shtoi Makolli.

“Botën jo lëndore të këtij abstraksioni më së miri e paraqesin grafikat “Në Mes” të autorit Adhurim Maliqi; Ardiana Vishi me grafikën “Dëshprimi”, dhe autorja e grafikës “Kompozicion”, Miradije Morina. Besime Haxha me grafikën “Figurat në Hapësirë”, Berat Bajrami me grafikën “Malet e Kujtesës” dhe shumë grafistë tjerë gjithashtu prezantohen me mënyrën abstraksioniste të të shprehurit, por që në vete bartin pamjet me primesa asociative. Në mesin e grafistëve të rinjë, gjithashtu dallohet autorja e grafikave, Arbenita Kuliqi me fletëgrafikat “Labirinthi” dhe “Rilindje e Egër” e cila shpërfaq botën psikologjike të mveshur me petkun e revoltës personale ndaj dukurive të rrethit shoqëror, brenda së cilës ndodhet edhe vet ajo”, është shprehur Mekolli në hyrje të katalogut që është realizuar për këtë ekspozitë.

Teknikat e përdorura në këtë edicion janë kryesisht teknikat e shtypit të thellë: xhilpërës së thatë, monoshtypit, bakërshkrimit, akuatintës dhe shtypit të depërtueshëm.

Ndërsa, njëri nga 24 pjesëmarrësit e ekspozitës, Festim Matoshi, tregoi se ka marrë pjesë me dy punime të tij, të cilat janë punuar gjatë vitit 2016. Ai tha se punimet e tij quhen “Heshtja” dhe “Gjurmë”, për të cilat është frymëzuar nga dashuria e tij për natyrën.

“Jam pjesëmarrës në edicionin e dytë, marr pjesë me dy punime të ndryshme të teknikave të ndryshme. Unë kam përzgjedh formën e shtypit të depërtueshëm që është formë e grafikës dhe është vështirë e realizueshme dhe në pubil quhet seriografi. Njëra quhet “Heshtja” dhe tjetra “Gjurmë”, janë punuar në vitin 2016 me ngjyra të ndryshme. Punimet paraqesin kompozicion të veçantë, zakonisht natyren e kam për qejfi por brenda asaj e zhvilloj edhe një temë tjetër të heshtur, të fshehtë”, u shpreh Matoshi për KultPlus.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë./KultPlus.com

 Rilindja e shndritshme e Notre-Dame de Paris

E shkatërruar nga një zjarr në vitin 2019, Notre-Dame de Paris, një kryevepër e artit gotik, rihap dyert sot.

Një ngjarje e shumëpritur globale, pas më shumë se pesë viteve të një projekti kolosal restaurimi, i financuar nga një fluks i paprecedentë donacionesh.

Presidenti i sapo zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky apo princi William në emër të Mbretërisë së Bashkuar do të jenë në këto festime, ku priten rreth 40 krerë shtetesh dhe qeverish.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, në vështirësi pas mocionit të mosbesimit të qeverisë së tij, e ka marrë shumë seriozisht këtë ngjarje, e ngritur në gradën e krenarisë franceze, njësoj si Olimpiada e Parisit këtë verë.

Ceremonitë do të nisin në orën 19:00, me hapjen e dyerve të katedrales nga kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich.

Ato do të vazhdojnë në ambiente të mbyllura, dhe jo jashtë, siç ishte planifikuar fillimisht, për shkak të motit me erë.

Në veçanti, është planifikuar një fjalim i Macron, i cili kishte vendosur sfidën e çmendur të një restaurimi në pesë vjet pas zjarrit, një shërbim fetar në prani të 1 500 të ftuarve dhe leximin e një mesazhi nga papa Françesku.

Natën e 15 prillit 2019, pamjet e çatisë së Notre-Dame të përpirë nga flakët dhe shembja e majës së saj tronditën të gjithë botën.

E rindërtuar në mënyrë identike me atë të projektuar nga arkitekti i shekullit XIX, Eugène Viollet-Le-Duc, katedralja rrezaton nga brenda një shkëlqim të panjohur në kujtesën e gjallë.

E verdha e gurëve të saj të pastruar, ngjyrat verbuese të dritareve pjesërisht të restauruara dhe ato të dekorimeve të pikturuara të kapelave rriten nga një ndriçim i ri i përmbajtur dhe i rregullueshëm.

Piktura nga mjeshtra të shekullit XVII, skulptura mjeshtërore laike dhe objekte arti janë riinstaluar.

Aksi qendror i rafinuar, ku qëndrojnë mobilIet e reja liturgjike minimaliste në bronz, i japin masën e plotë ndërtesës, e ndërtuar në shekujt XII dhe XIII, me gjatësi gati 150 metra dhe gjerësi rreth 50 metra.

Një mijë e pesëqind karrige të reja lisi të lehta janë gjithashtu të destinuara për të akomoduar 14 deri në 15 milionë vizitorët që priten çdo vit.

Në programin e festimeve të rihapjes është përfshirë edhe transmetimi i një filmi që tregon rindërtimin e katedrales më shumë se 860-vjeçare dhe parakalimin e 160 zjarrfikësve dhe ndërtuesve zejtarë.

Vëllezërit Renaud dhe Gautier Capuçon, violinist dhe violonçelist, do të performojnë “La passacaille” nga Handel, të aranzhuar nga Johan Halvorsen.

Në përfundim të ceremonive republikane dhe liturgjike, rreth orës 20:40, do të ofrohet një darkë në Elysee nga Emmanuel dhe Brigitte Macron për krerët e shteteve, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare.

Moti i paparashikueshëm ka ndërprerë edhe programin muzikor të mbrëmjes dhe koncerti i planifikuar më pas do të transmetohet me vonesë.

Ai do të nxjerrë në pah muzikën klasike me Maîtrise Notre-Dame de Paris dhe Orkestrën Filarmonike të radiostacionit publik francez Radio France, të drejtuar nga maestroja venezuelian Gustavo Dudamel.

Aty do të jenë edhe pianisti virtuoz kinez Lang Lang, sopranoja afrikano-jugore Pretty Yende dhe tenori franko-zviceran Benjamin Bernheim.

Krahas tyre, për një prekje me muzikë pop, do të jenë francezja Clara Luciani dhe Vianney, kanadezja Garou dhe franko-beninezja Angélique Kidjo.

Emrat e Paul McCartney dhe Pharrell Williams gjithashtu janë përmendur, por nuk janë konfirmuar.

Të dielën janë planifikuar dy mesha, në orën 10:30 dhe 18:30.

E para, në prani të Emmanuel Macron, krerëve të shteteve dhe qeverive, si dhe figurave fetare, do të shenjtërojë altarin.

E dyta është e hapur për publikun.

Një sistem i jashtëzakonshëm sigurie, i frymëzuar nga ai i Lojërave Olimpike, është planifikuar në një kontekst të “nivelit shumë të lartë të kërcënimit terrorist”, sipas selisë së policisë, me 6 000 policë dhe xhandarë të mobilizuar.

Projekti i rindërtimit dhe restaurimit mobilizoi 250 kompani si dhe 2 000 zejtarë.

Dhe kushtoi afro 700 milionë euro, financuar nga 846 milionë donacione nga e gjithë bota./atsh/ KultPlus.com

Festivali i 63-të i Këngës: Publikohen në youtube, 30 këngët konkurruese

Festivali i Këngës në RTSH, një nga ngjarjet më prestigjioze muzikore në Shqipëri, ka hapur sot një tjetër kapitull. Të 30 këngët që do të garojnë në edicionin e 63-të të festivalit u publikuan sot me një koncept vizual shumë modern, tejet të kuruar nga regjisori i festivalit Redi Treni, në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube, duke i dhënë publikut një mundësi për t’i dëgjuar plotësisht para netëve të Festivalit.

Lajmi u konfirmua së pari gjatë ditës së sotme nga drejtuesja artistike e këtij edicioni, këngëtarja e njohur Elhaida Dani. duke theksuar se këngët do të publikoheshin në formatin e tyre të plotë, me qëllim krijimin e një lidhje më të fortë mes këngëtarëve, kompozitorëve dhe publikut.

Në këtë edicion marrin pjesë 30 artistë, të cilët përfaqësojnë një gamë të gjerë stilesh muzikore, nga baladat te ritmet moderne. Publikimi i këngëve në YouTube jo vetëm që i jep publikut mundësinë për t’i dëgjuar paraprakisht, por edhe për t’u familjarizuar me krijimtarinë muzikore që ata do të vlerësojnë gjatë netëve të festivalit.

Festivali i Këngës në RTSH, i cili këtë vit organizohet nga 19-22 dhjetor, është një pikënisje e rëndësishme për artistët shqiptarë, jo vetëm për të garuar për çmimin e madh, por edhe për të fituar mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025.
Me këngët në platformën online, pritet që fansat të fillojnë diskutimet për favoritët e tyre. RTSH ka krijuar këtë hapësirë për të ofruar transparencë dhe për të nxitur një lidhje të re mes artistëve dhe publikut.

Të gjithë adhuruesit e muzikës janë të ftuar të ndjekin kanalin e RTSH-së në YouTube për të dëgjuar këngët dhe për të filluar një udhëtim të ri muzikor drejt natës së madhe të finales së Festivalit të 63-të. Atmosfera është ndezur dhe emocionet vetëm sa kanë filluar!

Këngët e Festivalit të 63-të në RTSH:

Këngët e Festivalit të 63-të në RTSH
Algert Sala – Bosh
Kompozimi: Algert Sala
Teksti: Algert Sala
Orkestrimi: Kejdi Musta

Alis – Mjegull
Kompozimi: Alban Kondi & Alis
Teksti: Alban Kondi & Alis
Orkestrimi: Eugen Herri

Ardit Çuni – Amane
Kompozimi: Ardit Çuni
Teksti: Ardit Çuni & Stiv Ushe
Orkestrimi: Marsel Gunga

Devis Xherahu – Ka momente
Kompozimi: Devis Xherahu
Teksti: Devis Xherahu & Ertemiona Mejdani & Marly & Santi
Orkestrimi: Shkëlqim Dule

Djemtë e Detit – Larg
Kompozimi: Valentin Markvukaj
Teksti: Timo Flloko
Orkestrimi: Valentin Markvukaj

Elvana Gjata – Karnaval
Kompozimi: Elvana Gjata, Luca Luisa Ionela (Minelli), Victor Bourosu
Teksti: Elvana Gjata, Lira Blakaj, Luca Luisa Ionela (Minelli)
Orkestrimi: Viky Red, LOUD

Endrik Beba – Ishe Ti
Kompozimi: Endrik Beba
Teksti: Endrik Beba
Orkestrimi: Xhulio Milloshi

Epos – Kurajo dhe zjarr
Kompozimi: Algert Kashari
Teksti: Algert Kashari
Orkestrimi: Algert Kashari & Armand Broshka

Erma Mici – Mbaje
Kompozimi: Kledi Bahiti & Erma Mici
Teksti: Rozana Radi
Orkestrimi: Kledi Bahiti

Frensi Revania – Rreziko
Kompozimi: Alban Male
Teksti: Frensi Revania & Alban Male
Orkestrimi: Alban Male

Gjergj Kaçinari – Larg jetës pa ty
Kompozimi: Gjergj Kaçinari
Teksti: Gjergj Kaçinari
Orkestrimi: Gjergj Kaçinari

Gresa Gjocera – E vërteta
Kompozimi: Endrit Shani
Teksti: Gresa Gjocera
Orkestrimi: Endrit Shani

Jet – Gjallë
Kompozimi: Inis Neziri
Teksti: Elios Shuli
Orkestrimi: Kejdi Musta

Kejsi Jazxhi – Kur bota hesht
Kompozimi: Briz Musaraj
Teksti: Sardi Strugaj
Orkestrimi: Briz Musaraj

Klea Dina – Dashuri ndiej
Kompozimi: Klea Dina & Agron Dina
Teksti: Drenusha Zajmi
Orkestrimi: Duo Bass Records

Kleansa Susaj – Ta dija
Kompozimi: Kledi Bahiti & Kleansa Susaj
Teksti: Pejana Elezi
Orkestrimi: Kledi Bahiti

Laorjan Ejlli & Adelina Correj – A thu!
Kompozimi: Jetmir Mehmedaj
Teksti: Melita Vjerdha
Orkestrimi: Jetmir Mehmedaj

Lorenc Hasrama – Frymë
Kompozimi: Petro Xhori
Teksti: Petro Xhori
Orkestrimi: Irkenc Hyka

Luna Çausholli – Qiell apo Ferr
Kompozimi: Luna Çausholli
Teksti: Ermira Çausholli
Orkestrimi: Endrit Shani

Mal – Antihero
Kompozimi: Mal
Teksti: Mal
Orkestrimi: Mal

Martina Serreqi – Nëse qaj
Kompozimi: Sardi Struga
Teksti: Sardi Struga
Orkestrimi: Arnon

Mihallaq Andrea – Porositë e babait
Kompozimi: Mihallaq Andrea
Teksti: Ardjana Dragoj
Orkestrimi: Gent Myftaraj

Nita Latifi – Zemrës
Kompozimi: Nita Latifi & Lorenc Hasrama
Teksti: Nita Latifi & Lorenc Hasrama
Orkestrimi: Art Lokaj

Orgesa Zaimi – I parë
Kompozimi: Enis Mullaj & Eriona Rushiti
Teksti: Enis Mullaj & Eriona Rushiti
Orkestrimi: Enis Mullaj

Rea Nuhu – Sot
Kompozimi: Rea Nuhu
Teksti: Rea Nuhu
Orkestrimi: Klajv Kajno, Grace Kozeli

Ronaldo Mesuli – N’zemër
Kompozimi: Ronaldo Mesuli
Teksti: Ronaldo Mesuli
Orkestrimi: Enis Mullaj

Santino de Bartolo – Kur nata vjen si bora
Kompozimi: Santino de Bartolo
Teksti: Santino de Bartolo
Orkestrimi: Santino de Bartolo

Shkodra Elektronike – Zjerm
Kompozimi: Shkodra Elektronike
Teksti: Shkodra Elektronike
Orkestrimi: Shkodra Elektronike

Stine – E kishim nis
Kompozimi: Stine
Teksti: Stine
Orkestrimi: Stine

Vesa Smolica – Lutem
Kompozimi: Eriona Rushiti
Teksti: Eriona Rushiti
Orkestrimi: Enis Mullaj/ balkanweb/ KultPlus.com

Thesaret e fshehura dhe potencialet turistike të Libohovës prezantohen në Greqi

Atraksionet turistike të qarkut të Gjirokastrës u prezantuan ditët e fundit në Janinë, Greqi, me qëllim promovimin dhe zhvillimin e turizmit dhe hartimin e një pakete të përbashkët.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Prefekturës së Janinës dhe hotelerisë, ndërsa nga pala shqiptare,  përfaqësues të institucioneve nga Qarku Gjirokastër, Dhomës së Tregtisë, bizneseve dhe operatorëve turistikë.

Në këtë aktivitet bashkia Libohovë prezantoi gjithë potencialin turistik të saj, në katër stinët e vitit.

Aktivitete dhe eksperienca  ku mund të përfshihen vizitorët, sitet arkeologjike, monumentet e natyrës, historinë, objektet e kultit,  trashëgiminë kulturore, gastronominë, mikpritjen libohovite me bujtinat e fermat të çelura rishtazi.

Në prezantim nuk mungoi as lugina e bukur e Zagorisë, që shtrihet mes malesh, me 10 fshatrat piktoreskë të saj, të vendosur në zemrën e natyrës së egër, me shtëpitë e gurta, urat mesjetare, manastiret e kishat me një bukuri të pashoqe.

Një vend të veçantë pati në prezantim edhe Parku Natyror i Zagories i pasur në florë dhe në faunë,  e si për të plotësuar gjithë ngjyrat e kësaj tabloje natyrore të pikturuar nga dora e Zotit.

Nuk mund të mungonte edhe ujëvara e Doshnicës, lumi që gjarpëron luginën për t’ju bashkuar ansamblit gurgullues të Vjosës.

Në përfundim të takimit Dhoma e Tregtisë Gjirokastër dhe Shoqata e Hotelerisë të Janinës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi.

Qarku i Gjirokastrës është një nga zonat më të pasura turistike të Shqipërisë, si në atraksione, në kulturë, histori, kulinari, natyrë dhe mikpritje./atsh/ KultPlus.com

Intelektualët shqiptarë me letër ndaj Kushtetuteses në Maqedoni të Veriut për gjuhën shqipe

Mbi 250 intelektualë shqiptar, profesorë universitarë hodhën nënshkrimet në një letër të hapur drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku kërkohet që Gjykata të mos ndalojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Në mesin e personave që nënshkruajtën letrën janë rektorët e tre universiteteve në gjuhën shqipe: Prof. Dr. Abdulmenaf Bexheti – UEJL, Prof. Dr. Jusuf Zejneli – UT, Prof. Dr. Izet Zeqiri – UNT. Poashtu, në mesin e të nënshkruarve dallohen profesorë të njohur e dekanë aktualë të shumë fakulteteve, në mesin e tyre po veçojmë gjuhëtarin e njohur Prof.dr Agim Vinca, pastaj profesorët: Agni Dika, Nuri Bexheti, Abdulla Aliu, Asllan Bilalli, Safet Emruli, Qebir Avziu, Jeton Shasivari, Fatmire Lumani, Mersim Maksuti, Arta Bilalli, Fadil Zendeli, Bashkim Ziberi, Muamet Shehabi, Kenan Ferati, Etem Iseni, Ruzhdi Matoshi, Fati Iseini.

Në vazhdim po ua përcjellim të plotë letrën e hapur të intelektualve shqiptar drejtuar Gjykatës Kushtetuese me nënshkrimet e tyre:

Ne, anëtarët e komunitetit akademik shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, po ndjekim me vëmendje punën dhe aktivitetet tuaja (siç janë deklaratat televizive, intervistat etj.) në lidhje me kërkesën e parashtruar pranë kësaj Gjykate për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të miratuar në Kuvendin Republikan dhe të shpallur në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nr. 7/2019.

Na lejoni të theksojmë fillimisht ndjeshmërinë tonë, si njerëzore ashtu edhe kombëtare, ndaj statusit të gjuhës sonë amtare – gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut si një çështje me rëndësi kapitale për ne dhe, besojmë, për të gjithë ata që ia duan të mirën këtij shteti.

Është krejtësisht e natyrshme që ne të angazhohemi për barazinë e plotë të gjuhës shqipe si gjuhë komunikimi jo vetëm në nivel lokal, por edhe në atë shtetëror. Akti juridik i vitit 2019 e sanksionon një status të tillë të gjuhës shqipe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ky trajtim është garancë për barazinë, lojalitetin dhe respektin e ndërsjellë të qytetarëve ndaj RMV-së si shtet.

Nga sa kemi pasur rastin të dëgjojmë nga ju, të nderuar gjyqtarë, si dhe nga disa përfaqësues të lartë politikë (si, për shembull, deklaratat e Kryeministrit Mickovski, i cili pohon se do të abrogohen vetëm dy-tre nene të ligjit në fjalë), kemi arsye të dyshojmë se mund të bëheni pjesë e realizimit të një skenari me motive politike, që ka për qëllim pikërisht atë që po deklarohet haptas në nivelin më të lartë shtetëror.

Duke pasur parasysh pozitën dhe rolin kushtetues që keni Ju si përfaqësues të institucionit më të lartë juridik, i cili sipas Kushtetutës është i pavarur dhe pa ndikime politike, vazhdojmë të shpresojmë se nuk do të lejoni realizimin e skenarëve të tillë, të cilët cenojnë ndjenjat e çdo qytetari shqiptar. Një veprim i tillë do të fundoste besimin e qytetarëve, veçanërisht të atyre shqiptarë, në funksionimin e institucionit që ju përfaqësoni dhe që pritet të marrë vendime në mënyrë të pavarur, sipas bindjeve tuaja, bazuar në Kushtetutë dhe ligj, e jo sipas ndikimeve politike ngado që të vijnë ato.

Përkujtojmë opinionin e gjerë publik dhe Ju, të nderuar gjyqtarë, se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar tensione e pakënaqësi, kurdo që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara në rrugë institucionale.

Mjafton të kujtojmë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 1997, të cilat çuan në ndërhyrje të dhunshme shtetërore në komunat e udhëhequra nga kryetarë shqiptarë të zgjedhur në mënyrë legjitime. Kjo solli ngjarjet tragjike të Gostivarit, ku pati edhe viktima në njerëz.

Ndërgjegjja dhe profesionalizmi Juaj nuk duhet të lejojnë që vendimet tuaja të jenë nxitëse të pakënaqësisë apo të përsëritjes së pasojave dhe të aktgjykimeve me motive politike, si ato që përmendëm më lart. Nuk duhet harruar as aktgjykimi i vitit 2007, i cili çoi në dorëheqjen e Kryetarit dhe të njërit nga anëtarët shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese.

Me këtë rast, shprehim edhe mospajtimin dhe indinjatën tonë lidhur me vendimin për eliminimin e deklarimit të përkatësisë etnike, me çka ne praktikisht kthehemi në kohën para nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, sepse eliminon mundësinë për të përcjellë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që është kategori kushtetuese dhe që mundësoi përfshirjen e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në insititucione. Çdo tendencë me të cilën synohet, qoftë edhe në mënyrë të sofistikuar, të ndryshohet karakteri i shtetit dhe ta shndërrojë përfaqësimin e drejtë vetëm në fjalë në letër, nuk i ndihmon kohezionit ndëretnik dhe besimit të ndërsjellë në shtetin tonë multietnik.

Është bindje e përgjithshme se rastet e sipërpërmendura kanë lënë plagë të thella në kujtesën e shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ju, si anëtarë të një institucioni që ka për detyrë mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të vlerave që promovon Kushtetuta, veçanërisht në aspektin e respektimit të ndërsjellë të të drejtave etnike në një shoqëri multietnike siç është Republika e Maqedonisë së Veriut, keni obligim ligjor t’i ruani këto vlera.

Ne duam të besojmë dhe shpresojmë se ndërgjegjja Juaj morale dhe profesionale nuk do lejojë cenimin e vlerave kushtetuese dhe do të dëshmojë ndjeshmëri të mjaftueshme ndaj statusit tashmë të fituar të gjuhës së bashkësisë së dytë etnike në vend, gjuhës shqipe. /tvklan.mk/ KultPlus.com

Aromë festash! Qytetet e Shqipërisë ‘pushtohen’ nga dritat shumëngjyrëshe në prag të Krishtlindjeve

Atmosfera festive e fundvitit sapo ka filluar në qytetet e vendit.

Ndezja e dritave është kthyer tashmë në një tradite në qytetet shqiptare. Ditën e sotme u ndezën dritat e pemës së Krishtlindjeve në Durrës, Fier dhe Bulqizë ku qindra qytetarë ishin të pranishëm.

Sakaq në Fier u organizua edhe një koncert i veçantë nga fëmijët e Qendrës Kulturore. Kryetari i bashkisë, Armando Subashi në një atmosferë të ngrohtë festive ndezi dritat e pemës së Krishtlindjeve me një urim për një vit sa më të mbarë.

Ndërkohë ndryshe nga vitet e tjera, ndezja e dritave te festave të fund vitit tashmë është kthyer në traditë edhe në Bulqizë. Qindra qytetarë e qytetare janë mbledhur në pedonalen e Bulqizës duke ndjekur koncertin festiv të përgatitur nga Qendra Kulturore. Në këtë atmosferë festive  ishin të pranishëm këngëtaret Vera Laçi dhe Jete Mazari. Në ndezjen e dritave të pemës kryetarja e Bashkisë Festime Mjeshtri dha një mesazh urimi për të gjithë banorët e Bulqizës.

Fjalimi i nobelistit Jose Saramago: Gjyshërit e mi

Njeriu më i mençur që kam njohur në këtë botë, nuk dinte as të lexonte edhe as të shkruante. Në orën 4 të mëngjesit, kur sapo niste të zbardhte dita, ai zgjohej dhe shkonte në arë për të ushqyer disa derra, pjelloria e të cilëve ushqente atë dhe gruan e tij. Prindërit e nënës sime jetuan në këtë varfëri, në fermën e vogël të derrave, të cilët pasi rriteshin u shiteshin fqinjëve në fshatin tonë Azinhaga në provincën Ribatejo. Gjyshërit e mi ishin Jerónimo Meirinho dhe Josefa Caixinha dhe të dy ishin analfabetë. Gjatë dimrit, kur i ftohti i natës arrinte të ngrinte edhe ujin në depozitat brenda shtëpisë, ata shkonin në stallë, merrnin në krahë derrat më të vegjël dhe i shtrinin në shtratin e tyre bashkëshortor. Ngrohtësia njerëzore i shpëtonte kafshët e vogla nga ngrirja, dhe shmangte ngordhjen e tyre të sigurt. Edhe pse ishin që të dy njerëz të sjellshëm, nuk ishte shpirti i dhimbsur ai që i shtynte të vepronin ashtu. Pa sentimentalizëm apo retorikë, ajo që u interesonte ishte mbrojtja e bukës së tyre të përditshme. Siç është e natyrshme për njerëzit, që për të mbijetuar nuk mendojnë për asgjë tjetër përveç asaj që është e domosdoshme. Dhe ndonjëherë gjatë netëve të nxehta të verës, gjyshi më thoshte pas darke: “José, sonte le të flemë të dy nën pemën e fikut”. Në fermë ishin edhe dy pemë fiku, por ai që ishte më i madhi sepse ishte më i vjetri, kishte qenë gjithmonë fiku për të gjithë anëtarët e familjes. Kur gjumi vononte të më zinte, mbrëmja ime mbushej me histori dhe ngjarje që më tregonte gjyshi:legjenda, ngjarje të tmerrshme, episode të veçanta, vdekje të lashta, luftime me shkopinj dhe gurë, fjalë të urta të paraardhësve tanë, një mori e madhe kujtimesh që më mbanin zgjuar dhe në të njëjtën kohë më ndihmonin më flija. Unë nuk mund ta dija nëse ai ndalonte së foluri kur e kuptonte se më kishte zënë gjumi, apo nëse ai vazhdonte të më tregonte gjëra në mënyrë që të mos linte në mes përgjigjen që unë nxisja pa pushim në pauzat më të gjata që ai krijonte qëllimisht gjatë rrëfimit të historive:“Po pastaj”? Ndoshta ai i përsëriti historitë për veten e tij, si një mënyrë për të mos i harruar ato, apo edhe për t’i pasuruar me detaje të reja. Në atë moshë, siç të gjithë kemi bërë, ndoshta nuk është nevoja të them por e imagjinoja gjyshin tim Jeronimo si padronin e të gjitha njohurive të botës. Kur në agimin e parë të dritës së ditës së re, më zgjonte kënga e zogjve…Gjyshja ime, të cilën e kishte zgjuar gjyshi im por që ishte ngritur para tij, më vendoste një tas të madh me kafe me disa copa bukë dhe më pyeste nëse kisha fjetur mirë. Nëse i tregoja asaj ndonjë ëndërr të keqe që vinte nga tregimet e gjyshit, ajo me qetësonte gjithmonë: “Mos i kushto aspak vëmendje, në ëndrra nuk ka asgjë të qëndrueshme”. Vetëm shumë vite më vonë, kur gjyshi im u largua nga kjo botë, dhe unë isha tashmë një burrë, e kuptova më në fund se tek e fundit edhe gjyshja ime besonte tek ëndrrat. Nuk kishte sesi të ishte ndryshe, pasi isha ulur një mbrëmje para derës së shtëpisë së saj të varfër, ku ajo jetonte tashmë vetëm, duke treguar me dorë yjet e mëdhenj dhe të vegjël mbi kokën e saj, më tha këto fjalë: “Bota është kaq e bukur dhe është mëkat që ne duhet të vdesim”! Ajo nuk tha se kishte frikë nga vdekja, por tha se ishte për të ardhur keq që ekzistonte vdekja, a thua se jeta e saj e vështirë përmes punës së vazhdueshme, pikërisht në momentet afër fundit, po merrte hirin e një lamtumire supreme, ngushëllimin e një bukurie të ri-zbuluar. Ajo ishte ulur para derës së një shtëpie që nuk mund ta imagjinojë askush tjetër në botë, sepse në të jetonin njerëz që mund të flinin me derrat si të ishin fëmijët e tyre, njerëz të cilëve u vinte shumë keq të largoheshin nga jeta pikërisht sepse bota është e bukur. Dhe ky ishte Jeronimo, gjyshi im, bari derrash dhe tregimtar historish, që duke ndjerë vdekjen që vinte, shkoi për t’i thënë lamtumirë pemëve në oborr një nga një, duke i përqafuar dhe duke qarë sepse e dinte që nuk do t’i shihte më kurrë. Shumë vite më vonë, duke shkruar për herë të parë për gjyshin tim Jeronimo dhe gjyshen time Josefa, më në fund isha i ndërgjegjshëm se po i transformoja njerëzit e zakonshëm ashtu siç ata ishin në personazhe letrarë, dhe se kjo ishte ndoshta një mënyrë për të mos i harruar ata, duke vizatuar dhe ri-vizatuar fytyrat e tyre me lapsin që e ndryshon gjithmonë kujtesën, duke ngjyrosur dhe ndriçuar monotoninë e një rutine të përditshme pa horizont, gati si për të krijuar në hartën e paqëndrueshme të kujtesës, një realitet të mbinatyrshëm të vendit në të cilin ata vendosën të jetonin. Tani mund t’i shoh qartë ata që ishin mësuesit e mi të jetës, ata që më mësuan më intensivisht punën e vështirë të të jetuarit …

(Stokholm, 10 dhjetor 1998)/Hejza/ KultPlus.com

Një letër e Mozartit shitet për 440 000 euro, e Lennonit nuk gjen blerës

Një letër e shkruar me dorë nga kompozitori Wolfgang Amadeus Mozart në vitiN 1783 është shitur në ankand për një ofertues privat evropian për 440 000 euro (464 200 dollarë).

”Çmimi i shitjes tejkaloi shumë çmimin fillestar prej 100 000 erosh”, tha shtëpia e ankandeve ”International Autograph Auctions Europe”, me qendër në Malaga, në Spanjën jugore.

Sipas shtëpisë së ankandeve, ka pasur një interes të madh për shitjen edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Azia.

”Letra e kompozitorit austriak drejtuar botuesit francez me origjinë gjermane Jean-Georges Sieber, e shkruar në gjermanisht, në fakt mendohej se kishte humbur”, tha shtëpia e ankandit.

Më vonë u gjet në një arkiv familjar.

Disa studiues besojnë se letra përmban treguesit e parë të kuarteteve të famshme të Mozartit “Haydn”.

Ai gjithashtu i ofron kompozime Sieber për shitje.

Gjithashtu në shitje ishte një letër me tetë faqe e shkruar me dorë nga John Lennon drejtuar shokut të tij muzikant Eric Clapton nga viti 1971, në të cilën ai sugjeronte formimin e një “super grupi” të ri. Megjithatë, letra nuk arriti të gjente një blerës.

”Ka pasur interes, por në fund nuk mjaftoi për një ofertë”, tha një zëdhënës i shtëpisë së ankandeve.

Çmimi fillestar për letrën ishte vendosur në 80 000-100 000 euro./atsh/ KultPlus.com

Tomori i mbuluar me dëborë, destinacion i turizmit dimëror

Reshjet e dëborës kanë mbuluar malin e Tomorit duke ofruar një pamje piktoreske.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në rrjetet sociale foto nga Tomori nën petkun e dëborës, i cili me bukurinë e tij fton të apasionuarit pas alpinizmit të kalojnë një ditë ndryshe në peizazhin e bardhë të kësaj lartësie.

Në malin e Tomorit në lartësinë 2417 m mbi nivelin e detit ndodhet edhe Tyrbja e Abaz Aliut, e cila është një destinacion turistik për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh.

Kujdesi i treguar nga Administrata e këtij parku në menaxhimin e mjediseve turistike dhe të shoqërimit të vizitorëve me guida turistike që njohin shtigjet dhe vendet e kalueshme për në hapësirat turistike të Tomorit, kanë bërë që ky park të vizitohet në çdo stinë të vitit.

Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurierë të raftingut në kanionet e Osumit.

Nën këmbët e Tomorit, rrjedh Lumi Osum që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij tepër të vizituara, sidomos gjatë stinës së verës.

Por, jo vetëm kanionet, në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës./atsh/ KultPlus.com

‘Ta Zbardhi Ftyrën’ sonte sjell një mbrëmje magjike me balerinin e njohur Eno Peçi

Balerini dhe koreografi i njohur shqiptar Eno Peçi është figura e edicionit të shtatë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, mbrëmje kjo që organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”, e që do të mbahet sonte në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 20:00.

Biletat mund t’i gjeni në linkun më poshtë:

https://ticketing.festtix.co.uk/events/ta-zbardhi-ftyren-edicion-i-shtate-eno-peci

“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.

“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.

Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.

Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Telvizioni Publik i Kosovës dhe Ujë Rugove./ KultPlus.com

Presidentja Osmani sot merr pjesë në rihapjen e Katedrales Notre Dame me ftesë të Macron

Presidentja Vjosa Osmani sot do t’iu bashkohet liderëve nga e gjithë bota për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame.

Osmani dhe zotëria i parë, Prindon Sadriu janë ftuar për këtë ceremoni nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Përveç ceremonisë në katedrale, ata janë ftuar edhe në Pallatin Élysée , në një darkë të organizuar nga presidenti Macron për krerët e shteteve që do të marrin pjesë në ceremoni.

Presidentja do të jetë në Paris krahas presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump dhe liderëve të tjerë nga vende të ndryshme të botës.

Katedralja e Notre Dame, monument 850 vjeçar i trashëgimisë kulturore, është restauruar pas zjarrit shkatërrues të pesë viteve më parë.