Kisha e Shën Kollit në Voskopojë është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, së cilës i shtohen vizitorët çdo vit e më shumë.
Një vizitor nga Franca ndan përjetimet e tij në kishën e Shën Kollit, si dhe ndikimin që ka lënë tek ai trashëgimia jonë kulturore të cilën e ka zbuluar rishtazi.
“Më pëlqejnë monumentet e Shqipërisë e në veçanti manastiret. Vizita këtu është jashtëzakonisht e bukur. Afresket janë të mrekullueshme. Vendi është shumë i qetë, i përshtatshëm për reflektim e meditim si dhe jashtëzakonisht çlodhës.
Kam patur fatin të takoj njerëz që më informuan me saktësi, për këto monumente dhe afresket”, thotë turisti francez.
Kisha e Shën-Kollit në Voskopojë është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj të tipit bazilikal postbizantin. Kisha është ndërtuar nga qershori i vitit 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa këmbanarja mendohet të jetë ndërtuar më vonë. “Shën Kolli” i Voskopojës është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948, për vetë vlerat e saj të mëdha arkitektonike dhe artistike. /atsh/ KultPlus.com
Etapa e parë e Giro d’Italia, edicioni i 108 i një prej tureve më të famshëm në mbarë botën në çiklizëm uli siparin këtë të premte me një fitues në Tiranë.
Shqipëria ka fatin të mirëpres në 3 etapat e para Giro d’italian, aty ku 184 çiklistë garojnë të ndarë në 23 skuadra.
Në përfundim të etapës së parë në vendin e parë doli çiklisti danez Mads Pedersen që e mbylli garën duke regjistruar kohën 3 orë e 36 minuta e 24 sekonda.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një intervistë të çiklistit Mads Pederson në fillim dhe në përfundim të garës.
I pyetur nëse do të ishte Shqipëria vendi i tij i preferuar, Pedersen tha “nëse fitoj sigurisht që do të jetë vendi im i preferuar”.
Po tani?! “Përfundimisht! Është i preferuari im tani”, tha ai pasi u shpall fitues.
Giro d’Italia do të vijojë sërish ditën e sotme me etapën e dytë e cila do të zhvillohet në Tiranë. Ajo është një kronometër individual me gjatësi 13.7 km duke përshkuar rrugët e kryeqytetit, përfshirë edhe një ngjitje prej 1.2 km me një pjerrësi 5.7%./atsh/ KultPlus.com
Nga Albulena Nuredini (Besnik Mustafaj ‘Porta e ngushtë e purgatorit’ Onufri 2024, Tiranë).
‘Porta e ngushtë e purgatorit’ është një vepër që përbëhet nga tri novela, të cilat mund të lexohen si romane të shkurtëra.
Në qendër të novelave kemi një personazh të paemër, i cili mund të konsiderohet si alter ego e autorit. Pse themi kështu? Sepse në dialog me Georgesin në novelën e dytë, bisedon me të duke i treguar se si Besniku kishte ikur papritur nga vendi i tij, duke tradhtuar bashkëvendasit e tij, ku në fakt ishte me mision si Ambasador i vendit.
Duke u bazuar në të dhënat për këtë autor se ishte me të vërtetë Ambasador në Francë më 1991, Ministër i punëve të jashtme 2005, mik i Sali Berishës, na del në pah, se edhe në libër luan rolin e personazhit si politikan, diplomat dhe shkrimtar.
Libri është i ndarë në episode ose faza që përfaqësojnë përballjet shpirtërore të protagonistit. Në pjesën e parë, Amerika nuk është kontinenti që zbulojnë shqiptarët, por simbolizon shansin e madh, mundësinë për rilindje.
Pas rënies së komunizmit, shqiptarët përjetuan një moment historik që mund të krahasohet me zbulimin e Amerikës, pra u çliruan nga një regjim i mbyllur dhe shkatërrues, duke pasur mundësi të ndërtojnë një shtet demokratik dhe të hapur ndaj botës.
Vepra mund të themi se është alegori e tejzgjatur e realitetit shqiptar, një shoqëri që gjeti mundësi të mëdha për ndryshim, por që u fundos shpesh në kaos, korrupsion dhe humbje shpresash.
‘Porta e ngushtë e purgatorit’ është simbol i Biblës që përfaqëson vështirësitë e rrugës drejt shpëtimit moral e shpirtëror, ndërsa Purgatori është hapësira që ka të bëj me spastrimin, ku personazhi nuk ndëshkohet nga jashtë, por nga ndërgjegjja e tij.
Ndërgjegjja është element që e shohim te personazhet si te Alush Bello të cilin e mundon vetëm pyetja e parë ‘ Ju jeni’ duke e shëndërruar në tjetër njeri me dyshim të tmerrëshëm, fyes, paralizues për të shkuar më tej, duke mos qenë në gjendje të nxjerrë asnjë fjalë prej goje.
Në pjesën e dytë e mbren ndërgjegjja të rri në vendin e tij sepse e kishin votuar, ose të shkonte si Ambasador në Francë, sepse ia kërkoi Berisha. Te pjesa e tretë kemi Agron Shalën i cili mendonte se dilte kundër Sigurimit ose Partisë, pra gjithmonë ndjenja e fajit e përgjimit i përshkon personazhet duke iu cenuar liria e tyre.
Në këtë vepër Mustafaj paraqet një reflektim të thellë mbi shpirtin njerëzor dhe ndërgjegjjen kolektive. Mund të shihet si kritikë e mprehtë ndaj historisë dhe shoqërisë shqiptare post-komuniste.
Vepra nuk ka ndarje klasike kapitujsh, ngjarjet jepen përmes një rrëfimi të ndërthurur ndërmjet retrospektivës dhe reflektimeve të brendshme, pra shfaqet më shumë si monolog sesa dialog mes personazheve.Duke u bazuar në këtë dialogët janë të kufizuar, duke mbizotëruar monologët e brendshëm, ku rrëfimi shpesh ndërprehet nga reflektime të gjata mbi jetën, mundësinë e shpëtimit, kështu duke e zhytur lexuesin në një atmosferë të thellë.
Në pjesën e parë protagonisti shihet si një nga shumë shqiptarë që dështojnë të ndërtojnë një botë të re, pra Alush Bello i cili ende në moshën 60 vjeçare synon të krijoj jetë më të mirë se që kishte në Vlorë, por që dështon.
Atmosfera më e qetë, por edhe më e thellë shihet në pjesën e dytë sepse këtu protagonisti është në përballje me fajet personale, atë e mundon se ishte tradhtar ndaj vendasëve të tij dhe se shpresa e tij për të pastruar ndjenjën e tradhtarit ishte të nxiste Georgesin për të dërguar në Tropojë, njërin nga veprimet e shoqatës, për të dërguar veshje fëmijësh për njerëzit në nevojë.
Në po këtë pjesë, Mustafaj bën të ditur se shqiptarët nuk këmbëngulin të ndryshojnë diçka, janë të pafuqishëm për të ndihmuar veten duke mos bërë asnjë përpjekje për të dal nga humnera. Kjo gje shihet në fjalët që përdor autori:
‘Nëse Georges-i do t’i kishte pyetur me zë të lartë se çfarë mund të bënte për ta që t’i ndihmonte të vinin në vete, ndoshta nuk do e kuptonin përse ishte fjala’.
Porta e ngushtë është një metaforë, për vështirësinë e rrugës drejt shpëtimit. Historinë shqiptare autori e sheh si histori e mundësive të humbura, kjo për shkak të dobësive të brendshme, ku faji nuk është vetëm rezultat i veprimeve individuale, por edhe pjesëmarrjes në një shoqëri që në vend të bashkëpunimit dhe ndërtimit, zgjedhë përçarjen dhe shkatërrimin.
Vepra vjen pra si një kritikë e heshtur, por e fuqishme ndaj realitetit shqiptar post-komunist, ku mundësitë për ndërtim shkatërrohen nga egoizmi, korrupsioni dhe mungesa e ndjeshmërisë morale. Ndjenja e frikës është element i rëndësishëm që paraqitet, duke ndjekur personazhet si Alush Bellon, frikë nga përgjimi, Besnikun, Agron Shalën nga Partia e me radhë.
Në mes të rreshtave shihet gjendja e shqiptarëve, ku ishin kufijtë e mbyllur me tela dhe gjemba nga brenda, të cilët ishin të hapur nga jashtë. Por kot! Nuk dilnin dot. Pasi që u rrëzua më në fund diktatura dhe e fundosën rrethimin e brendshëm, ishte përsëri kot, nuk dalin dot, sepse kufijtë ishin të mbyllur nga jashtë dhe kështu vazhdon fati i keq për ta.
Mustafaj ndërton tekst me finesë, me kujdes dhe me ndjeshmëri. Personazhi i tij është larguar nga Shqipëria, por jo nga vetja. Kjo distancë fizike nga atdheu është, por që nga shpirtërorja ka mbetur aty!
Tema qendrore si në gjithë krijimtarinë e këtij autori është se njeriu shqiptar ka qenë gjithmonë peng i historisë dhe sipas tij edhe kjo vepër ka këtë arsye, sepse shumë pak pjesëtarë të kombit tanë kërkojnë të spastrohen nga mentaliteti i tyre.
Si boshte tematike mbi të cilat ndërtohen novelat janë: faji personal dhe kolektiv, kujtesa e cila jepet si ndëshkim , pra kujtimet jo formë nostalgjie, por si dhimbje e të kaluarës dhe nuk harrohen, ku harresa shihet edhe si shpëtim dhe në fund shpëtimi i pamundur. Pra edhe pse kërkon pastrim porta është e ngushtë, e vështirë dhe gati si e mbyllur.
Brenda veprës nuk ka tensione dramatike ose kthesa të papritura, por një rrjedhje e vazhdueshme e vetëdijes, ku protagonisti mediton për jetën, fajin, fatin e një kombi dhe të çdo shpirti njerëzor që kërkon shpëtim.
Personazhet kryesore, Alush Bello dhe Agron Shala paraqesin botën brenda vendit nga vijnë, si ‘zbulues’ pra njëri i Amerikës dhe tjetri i Parisit, ndërsa personazhet e dyta si Georges Vignaut dhe Katrine Berger janë të ardhur nga jashtë e që përmes tyre dalin në pah mbetjet e popullit shqiptar, si në rastin e ndihmave, si në rastin e Agronit i cili lidhet më shumë me aspektin moral. Përmes personazheve të jashtëm tregohet edhe qasja ndaj shqiptarëve. Tek Alush Bello, kur i vie lajmi për punësim se duhej të kalonte një test dhe të gjitha njohuritë që kishte fituar dhe zotërimin e letërsisë amerikane, bien në ujë me një pyetje të thjeshtë. Pastaj përmes Georgesit, kur i drejtohet Besnikut se ishte marrë në pyetje se çfarë e lidh me një përfaqësues të lartë të një vendi ish-komunist në Francë, por edhe si mik i afërt i presidentit të vendit të tij etj.
Në raport me tërë krijimtarinë kjo vepër paraqet një lëvizje nga angazhimi politik e diplomatik, drejt reflektimit mbi mendimet e ndjenjat personale.
‘Porta e ngushtë e purgatorit’ është një vepër serioze e ndërtuar me mjeshtëri dhe me qëllim të qartë ku Mustafaj ka qenë dhe do mbetet një ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe duke dhënë zë, një përvoje njerëzore të thellë e shpesh të heshtur./ KultPlus.com
Primoz Rogliç apo Juan Ayuso? Wout Van Aert apo Tom Pidcock? Adam Yates apo Simon Yates? Edhe pse mungojnë Tadej Pogacar dhe Remco Evenepoel, ka shumë personazhe kryesorë për ta gjallëruar ”Giro d’Italia”-n, e cila filloi dje nga Shqipëria.
PRIMOZ ROGLIÇ APO EKSPERTI
Slloveni 35-vjeçar është favoriti kryesor me statusin e tij si fitues pesë herë i ”Grand Tour” (4 ”Vueltas”, 1 ”Giro” në 2023). Mjaft diskret këtë sezon, ai u ”ngroh” duke fituar Turin e Katalonjës përpara Juan Ayuso përpara se të kthehej në stërvitje. Ekipi i tij ”Red Bull-Bora” e shpall atë “në formë të shkëlqyer” dhe i siguron një roje pretoriane mjaft mbresëlënëse, veçanërisht australianin Jai Hindley, fitues të ”Giro”-s në vitin 2022, dhe kolumbianin Dani Martinez, i dyti pas Pogacar vitin e kaluar. Nëse fiton në Romë pas tre javësh, Rogliç do të bëhet fituesi më i moshuar i ”Giro”-s, përpara Fiorenzo Magnit, i cili fitoi në moshën 34 vjeç e 180 ditë në vitin 1955.
JUAN AYUSO APO AMBICIOZI Vetëm 22 vjeç, spanjolli ka një rekord të fortë në pistën e garave (13 fitore përfshirë Tirreno-Adriatico këtë vit) dhe është i vendosur të fitojë Turneun e tij të parë të madh, tre vjet pasi u bë adoleshenti i parë që arriti në podiumin e Vueltës (i 3-ti). Çiklisti nga Emiratet e Bashkuara Arabe është i ri në Giro si profesionist, por e ka fituar tashmë si U23 dhe është plot ambicie, gjë që mund të ketë shkaktuar tension gjatë Turit të fundit të Francës me Tadej Pogacar.
WOUT VAN AERT APO HAKMARRJA
I vendosur gjithmonë në renditje, por kurrë duke fituar në garat klasike, belgu shpreson të përsërisë përvojën e tij në ”Vuelta” në vitin 2024, ku fitoi tre etapa përpara se të dëmtonte përsëri rëndë gjurin.
I lumtur që më në fund bëri debutimin e tij në ”Giro”, piloti i ”Visma”-s është megjithatë keq nga gjendja e tij fizike, pasi pësoi një infeksion viral pas ”Amstel Gold Race” më 20 prill. Ai do të synojë kryesisht fazat jashtë rrugës dhe premton të ndihmojë sprinterin e tij Olav Kooij në fazat më të sheshta, pak a shumë siç bën Mathieu van der Poel me Jasper Philipsen në ”Tour de France”. Van Aert do të përballet me një tjetër protagonist të madh të pranverës, danezin Mads Pedersen, i cili gjithashtu do të ndjekë fitoret në etapa.
SIMON DHE ADAM YATES APO BINJAKËT
Ekipi i ”Visma”-s ka një avantazh të tretë në këtë ”Giro” me Simon Yates, i cili do të synojë klasifikimin e përgjithshëm. Dueli i tij me vëllain e tij binjak, Adamin, karta tjetër e fortë e ekipit të EBA-s, është veçanërisht intrigues, veçanërisht pasi të dy djemtë pritet të jenë zëvendësit kryesorë të Jonas Vingegaard dhe Tadej Pogacar në turin e ardhshëm të Francës. Në ”Giro”, ata do të ndeshen me liderë të tjerë 30 e ca vjeçarë, si ekuadoriani Richard Carapaz (”EF Education”) dhe spanjolli Mikel Landa (”Soudal Quick-Step”), si dhe ish-fituesi i ”Giro”-s, kolumbiani Egan Bernal (Ineos), i cili në moshën 28 vjeç ende po përpiqet të rifitojë formën e tij më të mirë pas aksidentit të rëndë në vitin 2022.
ROMAIN BARDET APO VALLËZIMI I FUNDIT
Në moshën 34-vjeçare, alpinisti nga Auvergne, i cili do të tërhiqet në qershor, po garon në ”Giro”-n e tij të katërt dhe të fundit, një garë me të cilën ka disa hesape për të larë.
Në vitin 2022, ai ishte në garë për podiumin ose edhe më lart kur iu desh të tërhiqej për shkak të sëmundjes.
Ai përfundoi i shtati në vitin 2021 dhe i nënti vitin e kaluar, por ”Giro” mbetet i vetmi turne i madh në të cilin ai ende nuk e ka ngritur dorën.
Ky do të jetë prioriteti i tij, edhe nëse ekipi i tij ”Picnic”, i cili tani kërcënohet me rënie nga kategoria në fund të sezonit, thotë se mbështetet tek ai për të arritur “renditjen më të mirë të mundshme të përgjithshme”.
Në total, 13 çiklistë francezë do të jenë në start, përfshirë David Gaudu dhe të riun Paul Magnier, i cili do të garojë në turneun e tij të parë të madh.
ANTONIO TIBERI APO SHPRESA E ITALISË
Në moshën 23-vjeçare, Tiberi i ri mbart shpresat e kombit të tij pasi përfundoi në një vend të shkëlqyer të pestë vitin e kaluar, përfshirë edhe fanellën e lojtarit më të mirë të ri. Lideri i ekipit të Bahreinit, ai po mbështetet te dy provat kohore për të shkëlqyer dhe pse jo të veshë fanellën rozë që asnjë italian nuk e ka veshur që nga Alessandro de Marchi në vitin 2021.
Tifozët po mbështeten gjithashtu te i riu Giulo Pellizzari (”Red Bull”) dhe i zjarrti Giulio Ciccone (”Lidl-Trek”) për t’i dhënë dritë garës.
Vincenzo Nibali mbetet italiani i fundit që fiton ”Giro”-n, në vitin 2016./
Premiera botërore “Simfonia-Albanoi”, do të jepet sonte në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, e cila në Ditën e Evropës, hap dyert për adhurues të artit muzikor.
Koncerti i bukur për piano dhe orkestër të D.Shostakovich, kumton një emocion ndryshe së bashku me repertorin e rrallë të vlerave kulminante të artit muzikor.
Nën dirigjimin e mjeshtrit Eno Koço, Orkestra e RTSH sjell: Dimitri Shostakovich – Koncerti Nr. 2 për piano dhe orkestër, Vasil Tole – “Simfonia – Albanoi”, soliste: Artemida Qarri (piano).
Një mbrëmje muzikore me artistë të rëndësishëm, në një koncert që ndërthur dramatikën, brilancën dhe identitetin tonë kulturor.
Koncerti mbahet, nga ora 19:00, tek Universiteti i Arteve në Tiranë.
Dua Lipa, Sir Elton John, Sir Ian McKellen dhe Florence Welch janë ndër yjet që i bëjnë thirrje kryeministrit Keir Starmer të përditësojë ligjet e të drejtave të autorit në një mënyrë që i mbron ata nga inteligjenca artificiale.
Një letër e nënshkruar nga më shumë se 400 muzikantë, shkrimtarë dhe artistë britanikë, drejtuar Sir Keir Starmer, thotë se mosdhënia e asaj mbrojtjeje do të thotë që ata do t’ua “dhurojnë” punën e tyre firmave të teknologjisë.
Gjithashtu në rrezik, shkruajnë ata, është “pozicioni i Mbretërisë së Bashkuar si një fuqi krijuese”.
Ata duan që Kryeministri të mbështesë një ndryshim në Projektligjin për të Dhënat (Përdorimin dhe Qasjen) që do t’u kërkonte zhvilluesve të jenë transparentë me mbajtësit e të drejtave të autorit në lidhje me përdorimin e materialit të tyre për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale.
Një zëdhënës i qeverisë tha: “Ne duam që industritë tona krijuese dhe kompanitë e inteligjencës artificiale të lulëzojnë, prandaj po konsultohemi për një paketë masash që shpresojmë se do të funksionojë për të dy sektorët.”
“Jemi të qartë se nuk do të merren në konsideratë ndryshime nëse nuk jemi plotësisht të kënaqur që ato funksionojnë për krijuesit”, shtuan ata.
Nënshkrues të tjerë përfshijnë autorin Kazuo Ishiguro, dramaturgun David Hare, këngëtarët Kate Bush dhe Robbie Williams, si dhe Coldplay, Tom Stoppard dhe Richard Curtis.
Sir Paul McCartney, i cili i tha BBC-së në janar se ishte i shqetësuar për mashtrimin e artistëve nga inteligjenca artificiale , e ka nënshkruar gjithashtu letrën.
“Ne jemi krijues të pasurisë, ne reflektojmë dhe promovojmë historitë kombëtare, ne jemi inovatorët e së ardhmes dhe inteligjenca artificiale ka nevojë për ne aq sa ka nevojë për energji dhe aftësi kompjuterike”, thuhet në të.
Ata thonë se shqetësimet e tyre mund të plotësohen nëse qeveria mbështet një amendament të propozuar nga Baronesha Beeban Kidron përpara një votimi kyç në Dhomën e Lordëve të hënën.
Amendamenti i Baroneshës Kidron, thuhet në të, do të “lejonte si zhvilluesit e inteligjencës artificiale ashtu edhe krijuesit të zhvillonin regjime licencimi që do të lejonin përmbajtje të krijuar nga njeriu në të ardhmen”.
Jo të gjithë pajtohen me qasjen e artistëve.
Julia Willemyns, bashkëthemeluese e Qendrës për Progresin Britanik, tha se propozime të tilla mund të pengojnë Mbretërinë e Bashkuar dhe përpjekjen e saj për rritje.
Masat “nuk do të bënin asgjë për të ndaluar firmat e huaja të përdorin përmbajtje nga industritë krijuese britanike”, i tha ajo BBC-së.
“Një regjim kufizues i të drejtave të autorit do të zhvleftësonte zhvillimin e inteligjencës artificiale, do të frenonte inovacionin vendas dhe do të dëmtonte drejtpërdrejt ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar”, tha ajo./ BBC/ KultPlus.com
Duket se Eurovision 2025 do të sjellë ndryshime në njoftimin e vendeve që kualifikohen nga gjysmëfinalet, duke rritur elementin e pezullimit. Sipas asaj që u zbulua në një dokumentar të SRF, skenari duket se parashikon prezantimin e tre vendeve në të njëjtën kohë, ku vetëm njëri prej tyre shpallet në fund si kalues - një qasje që të kujton shfaqjet e talenteve, siç është X Factor. Ndryshimi pritet të testohet në provën gjenerale të gjysmëfinales së parë më 12 maj.
Informacioni vjen nga dokumentari i SRF-së “Der Weg zum ESC 2025” (“Rruga drejt Eurovision 2025”), i cili dyshohet se zbulon formatin e ri për shpalljen e kualifikuesve gjysmëfinale. Siç është raportuar nga ESC Discord, skenari i paraqitur në dokumentar flet për paraqitjen e vendeve në grupe me nga tre, nga të cilat vetëm njëri kualifikohet, duke rritur kështu tensionin.
Mundësia e ndryshimeve në metodën e njoftimit ishte njoftuar tashmë nga producentët ekzekutivë të Eurovision 2025, Reto Peric dhe Moritz Stadler, të cilët, duke folur në The Euro Trip Podcast, deklaruan se qëllimi është t’i shtohet “më shumë emocion dhe pezullim” përvojës gjysmëfinale.
Eksperimente të ngjashme u kryen edhe në vitin 2023, në konkursin e Liverpulit, gjatë provave, kur të gjithë pjesëmarrësit dolën në skenë së bashku për njoftimin, në stilin X Factor.
Sot, shënohet 27 vjetori i Betejës së Llapushnikut, të zhvilluar më 7-9 maj të vitit 1998 mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë, shkruan KultPlus.
Kjo betejë zgjati tre ditë dhe konsiderohet ndër betejat më të ashpra, që është zhvilluar në kuadër të luftës së popullit shqiptar për liri.
Beteja e Grykës së Llapushnikut, ësht një ndër ngjarjet më me rëndësi që u zhvillua në atë kohë, e cila bëri një kthesë të madhe duke e shndërruar aktivitetin e UÇK-së nga një organizim gueril në një organizim më të lartë ushtarak./KultPlus.com
Tema e kësaj dite për vitin 2025 është “Hapësira të përbashkëta: Krijimi i qyteteve dhe komuniteteve miqësore me zogjtë”. Kjo do të jetë një fushatë globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin për zogjtë shtegtarë dhe çështjet që lidhen me mbrojtjen e tyre. Tema e këtij viti thekson rëndësinë e bërjes së qyteteve më miqësore me shpendët dhe nga kjo do të përfitojnë si natyra ashtu edhe njerëzit.
Organizatat botërore që mbrojnë shpendët, ftojnë që 10 maji të konsiderohet si nje festë globale e cila të shfrytëzohet si një ditë shëtitjesh dhe bisedash për natyrën, si dhe një arsye për familjet me fëmijë të dalin në natyrë për të shijuar shpendët.
Disa nga veprimet që mund të ndërmerren në të mirë të zogjve shtegtarë:
Mbillni bimë autoktone: Ato sigurojnë ushqimin dhe strehën e nevojshme për zogjtë dhe mbajne larg barerat e demshme.
Zbehni dritat gjatë natës: Shkëlqimi i qyteteve dhe shtëpive tona mund të ndërpresë ciklin e pushimit te zogjve, të ndryshojë migrimin e tyre dhe të ndikojë në riprodhim.
Bëjini dritaret të dukshme: zogjtë nuk e dallojne xhamin e sheshtë dhe mund ta godasin atë.
Mbroni insektet: 95% e zogjve varen nga insektet në një moment të ciklit të tyre jetësor. Shmangni përdorimin e pesticideve dhe kimikateve të tjera që kontribuojnë në uljen e numrit të fluturave, pilivesave dhe insekteve të tjera.
Mbani kafshët shtëpiake nën kontroll: Macet dhe qentë mund të shqetësojnë dhe madje të vrasin zogjtë.
Thuaj “jo” plastikës duke ripërdorur qeset e blerjeve, duke shmangur shishet dhe enët plastike njëpërdorimshe dhe duke blerë lodra dhe dekorime jo plastike.
Blini ushqime të qëndrueshme: Psh. kafja dhe çokollata e rritur në hije mbrojnë agropyjet tropikale që përfshijnë diversitetin e pemëve autoktone./ atsh/ KultPlus.com
“Arsyeja e ka arritur atë ç’ka mund të arrinte, për të gjetur një ligj të përshtatshëm e për ta popullarizuar atë, por i takon energjisë së vullnetit dhe zjarrit të ndjenjave të zbatojë këtë ligj.
Nëse e vërteta duhet të ruaj fitoren në konflikt me forcën, atëherë ajo fillimisht duhet të bëhet vetë forcë, dhe të kthejë njërin nga instinktet e njeriut në kampionin e saj, në perandorinë e fenomeneve; sepse instinktet janë të vetmet forca lëvizëse në botën materiale.
E nëse deri më sot e vërteta e ka treguar aq pak forcën e vet ngadhënjyese, ky nuk është faji i gjykimit, që nuk e ka zhvilluar atë, por i zemrës që ka qëndruar e mbyllur ndaj saj dhe instinktit që nuk ka mundur të veprojë bashkë me të.
Artisti është bir i kohës së vet, por është keq për të nëse ai njëkohësisht është dishepull apo i përkëdheluri i saj…”/ KultPlus.com
Provinca Guangdong në jug të Kinës ka lëshuar 30 aplikacione të inteligjencës artificiale (AI) me anë të të cilave synon të përshpejtojë inovacionin teknologjik dhe të përmirësojë shërbimet publike në të gjithë sektorët kryesorë.
Agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Hsinhua raportoi se skenarët e aplikacioneve të inteligjencës artificiale synojnë katër fusha kyçe, respektivisht prodhimin, edukimin, kujdesin shëndetësor dhe sigurinë publike, duke reflektuar strategjinë më të gjerë të Kinës për të udhëhequr zhvillimin global të inteligjencës artificiale.
Në sektorin e edukimit, Guangdong përshkroi pesë fusha kryesore të aplikacioneve të inteligjencës artificiale, përfshirë mësimin e personalizuar, mësimdhënien inteligjente, eksperimentimin digjital, ndarjen e burimeve dhe mjetet e vlerësimit, si dhe vendimmarrjen e drejtuar nga inteligjenca artificiale.
Sektori i kujdesit shëndetësor do të ketë 10 aplikacione të inteligjencës artificiale, të tilla si diagnostikimi vizual me ndihmën e inteligjencës artificiale, mbështetja e vendimeve klinike, planifikimi kirurgjikal, sistemet e përzgjedhjes ambulatore dhe konsultat mjekësore virtuale.
Zyrtarët nga Departamenti i Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të provincës Guangdong theksuan se rajoni ka aftësi të fuqishme në teknologjitë e përparuara mekanike, elektrike dhe digjitale.
Provinca kineze ka një bazë të fuqishme industriale që mbështet inteligjencën artificiale, robotikën si dhe planifikon të inkurajojë komercializimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe produkteve të zhvilluara nga ndërmarrjet në këto fusha.
Kjo iniciativë e provincës kineze përkon me konkurrencën në rritje midis kompanive kineze të teknologjisë, me kompanitë Alibaba dhe DeepSeek që po përparojnë në inteligjencën artificiale gjeneruese.
Sipas gazetës “South China Morning Post”, modelet e reja të inteligjencës artificiale Qwen3 të kompanisë Alibaba kohëve të fundit kanë tejkaluar modelet R1 të kompanisë DeepSeek në teste të shumta krahasuese, duke i pozicionuar ato si modelet kryesore të inteligjencës artificiale me burim të hapur në nivel global./KultPlus.com
Një tjetër thesar i trashëgimisë sonë kulturore është “ringjallur” në Parkun Arkeologjik të Amantias.
Godina antike në agoranë e këtij parku është restauruar dhe tashmë është gati për të pritur vizitorët e apasionuar pas antikitetit.
Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë realizuan me sukses restaurimin e godinës antike në zonën publike të qytetit të lashtë të Amantias.
Gjatë procesit të restaurimit, u identifikuan dhe u përdorën disa prej blloqeve origjinale për të rinovuar muraturën.
Godina rifitoi vertikalitetin dhe u ekspozua dyshemeja me pllaka guri, e cila është ruajtur në gjendje shumë të mirë.
Ky monument i saporestauruar i shtohet pasurisë së Parkut Arkeologjik të Amantias, duke e bërë atë një pikë të re referimi për të gjithë dashamirësit e historisë dhe kulturës sonë kombëtare./KultPlus.com
“Arsyeja e ka arritur atë çka mund të arrinte, për të gjetur një ligj të përshtatshëm e për ta popullarizuar atë, por i takon energjisë së vullnetit dhe zjarrit të ndjenjave të zbatojë këtë ligj. Nëse e vërteta duhet të ruaj fitoren në konflikt me forcën, atëherë ajo fillimisht duhet të bëhet vetë forcë, dhe të kthejë njërin nga instinktet e njeriut në kampionin e saj, në perandorinë e fenomeneve; sepse instinktet janë të vetmet forca lëvizëse në botën materiale. E nëse deri më sot e vërteta e ka treguar aq pak forcën e vet ngadhënjyese, kjo nuk është faji i gjykimit, që nuk e ka zhvilluar atë, por i zemrës që ka qëndruar e mbyllur ndaj saj dhe instinktit që nuk ka mundur të veprojë bashkë me të.
“Artisti është bir i kohës së vet, por është keq për të nëse ai njëkohësisht është dishepull apo i përkëdheluri i saj”. Ky “predikim” i përket atij, atij që do të ishte dhe do të mbetej një prej klasikëve më të shquar në historinë e mendimit dhe botkuptimit estetik gjerman.
Gjithçfarë e filozofisë, poezisë, dramaturgjisë, historisë dhe iluminizmit të një shekulli rreket të gjej tek ai ngulmin më të qenësishëm. Arti, krijimi, kumtimi i energjive dhe shpirtërores së këtij klasiku vijnë prej ngadhënjimesh të epërme sepse jeta dhe shkulmi i brendisë së tij beh prej trazimesh. Një jetë që nis që në vogëli me përplasje atërore rreth përzgjedhjes e karrierës, që vazhdon me një shkreptimë dashurie, flaka e të cilës do ta torturojë për gjithë jetën dhe si për ironi të fatit, është sëmundja, e cila rreketa ta shuajë dalëngadalë dritëzën e tij të qiririt. Gjithqysh ai 45 vitet e jetës do t’i mbushte përplot angazhim dhe , gjithnjë sfidues në botën që atij iu qas si një arenë gladiatorësh. Sa ndriti ky yll diti të ishte Promete dhe të mbushte me dritë rendjen prej Marathonomaku.
Friedrich von Schiller u lind më 10 nëntor 1759 në Marbach am Neckar dhe vdiq më 9 maj të vitit 1805 në Weimar. Njihet dhe pranohet nga Goethe si autori më i shquar i klasikes gjermane. Shumë pjesë teatrale të tijat i përkasin repertorit standard të teatrit të gjuhës gjermane. Baladat e tij radhiten tek më të dashurat e poemave gjermane. Në historinë e mendimit iluminist gjerman ai do të zërë një vend të rëndësishëm. Filozofi, poeti, dramaturgu, historiani mishërojnë te Friedrich von Schiller një emblemë.
Shumë pjesë teatrale të tija i përkasin galerisë gjermane të pasurive që trashëgohen si testament i vetëdijes dhe të vetvetishmes. Baladat e skalituar pre tij radhiten në visare e memories së poemave gjermane. I biri i një oficeri dhe vajzës së një bukëpjekësi do të kaplonte me veprën dhe ndikimin e tij, jo vetëm kureshtinë dhe ëndjen gjermane por krejt botëkuptimit klasik të kohës. Vepra dhe fama rendën në rrugëtimin që hoqi kjo figurë emblematike.
Kontributi më i çmuar që Schiller-i i ka dhënë kulturës dhe filozofisë gjermane, janë shkrimet e tij mbi estetikën. Ai arriti të argumentonte se edukimi estetik është i domosdoshëm jo vetëm në ekuilibrin vetjak të shpirtit të cilitdo prej individëve të njerëzimit, por edhe për zhvillimin e harmonishëm të gjithë shoqërisë në tërësi.
Në shkulmin e mendimit të tij estetik dhe filozofik, ai shpërtheu kësisoj: Arsyeja e ka arritur atë çka mund të arrinte, për të gjetur një ligj të përshtatshëm e për ta popullarizuar atë, por i takon energjisë së vullnetit dhe zjarrit të ndjenjave të zbatojë këtë ligj. Nëse e vërteta duhet të ruaj fitoren në konflikt me forcën, atëherë ajo fillimisht duhet të bëhet vetë forcë dhe të kthejë njërin nga instinktet e njeriut në kampionin e saj, në perandorinë e fenomeneve; sepse instinktet janë të vetmet forca lëvizëse në botën materiale. E nëse deri më sot e vërteta e ka treguar aq pak forcën e vet ngadhënjyese, kjo nuk është faji i gjykimit, që nuk e ka zhvilluar atë, por i zemrës që ka qëndruar e mbyllur ndaj saj dhe instinktit që nuk ka mundur të veprojë bashkë me të.
Duke vijuar në qëmtimin e brilanteve të tij kumtuese ndalemi edhe tek kjo sentencë: “Kur drejtësia e blerë me flori, mbyll sytë dhe i shërben me heshtjen e saj vesit, kur paudhësitë e të fuqishmëve të kësaj bote ngrihen si tallje mbi pafuqinë e saj dhe frika ia paralizon të djathtën pushtetit, teatri merr në duart e veta shpatën dhe peshoren dhe ia nënshtron vesit një gjyq të rreptë… Kur pikëllimi na gërryen zemrën, kur melankolia e zymtë helmon orët tona të vetmisë, kur bota na ka kthyer shpinën dhe punët ecin së prapthi, kur me mijëra halle na brengosin shpirtin dhe zgjuarsia jonë ka rrezik të shuhet nën peshën e punës, teatri del e na rrok në gjirin e tij.”
EPISODE NGA JETA
Ndodhia me komshinj jo muzikëdashës
* Në vitet e rinisë Shileri kompozonte pjesë muzike të ndryshme që i luante në harpë. Fqinji i tij, i cili nuk e donte muzikën, i tha për t’u tallur:
– Zoti Shiler, ju interpretoni si Davidi, por jo dhe aq mirë.
– Dhe ju flisni si Solemoni, – iu përgjigj Shileri, – po jo edhe aq me mençuri.
Dhurata e dukës
Kur duka Karl August i Vajmarit e bëri fisnik, Shileri nuk e çmoi aq shumë këtë nderim. Ai ishte më mirënjohës ndaj dukeshës, e cila i kishte dhuruar një servis kafeje prej argjendi.
– Ja,- i tha ai, -poeti nuk duhet të shpërblehet veçse me dhurata të tilla.
Në shtratin e vdekjes
Kur Shileri ishte rëndë në shtrat, erdhi ta takonte një mik. Ai e pyeti se si ishte:
– Gjithnjë e më i qetë, – u përgjigj Shileri, para se të vdiste. Tani po i kuptoj më së fundi shumë gjëra që më parë më dukeshin të errëta. / Albert Vataj / KultPlus.com
Specialistët e Muzeut Historik Kombëtar vazhdojnë vizitat e tyre nëpër shkollat 9-vjeçare të Tiranës, për të ndërgjegjësuar nxënësit mbi vlerat më unike të trashëgimisë shqiptare në përgjithësi e në veçanti për xhubletën, e cila tashmë është trashëgimi botërore.
Në kuadër të Programeve Edukative, specialistët e MHK-së kanë organizuar takime informuese me shkollat “Misto Mame” ” Jeronim De Rada” dhe ” Lidhja e Prizrenit”.
Nëpërmjet një broshure të përgatitur enkas për xhubletën nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij për Shqipërinë (Culture Heritage without Borders Albania) nxënësit mësojnë për historinë, simbolikën dhe artin e punimit të xhubletës.
Në vitin 2022, UNESCO e shpalli xhubletën Trashëgimi Kulturore Jomateriale në Nevojë për Mbrojtje të Menjëhershme.
Muzeu Historik Kombëtar thekson se ruajtja fillon me dijen, prandaj nxit interesin e fëmijëve mbi historinë dhe pasurinë tonë kulturore./KultPlus.com
“Mendoj se të biesh në dashuri me jetën është çelësi i rinisë së përjetshme” – Doug Hutchison
“Jeni në këtë botë vetëm për një vizitë të shkurtër. Mos u ngutni, mos u shqetësoni. Dhe sigurohuni që t’u merrni erë luleve rrugës” – Walter Hagen
“Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës”– Charles Darwin
“Nëse jeta do të ishte e parashikueshme, ajo do të pushonte së qeni jetë dhe do të ishte pa aromë” – Eleanor Roosevelt
“E gjithë jeta është një eksperiment. Sa më shumë eksperimente të bëni, aq më mirë” – Ralph Waldo Emerson
“E gjithë jeta është maja malesh dhe lugina. Mos lejoni që majat të jenë shumë të larta dhe luginat shumë të ulëta: – John Wooden
“Misioni im në jetë nuk është thjesht të mbijetoj, por të lulëzoj; dhe ta bëj këtë me pak pasion, pak dhembshuri, pak humor, dhe pak stil” – Maya Angelou
“Jeta është si të ngasësh një biçikletë. Për të mbajtur ekuilibrin, duhet të vazhdosh të lëvizësh” –Albert Ajnshtajn
“Gjëja më e rëndësishme është të kënaqeni me jetën tuaj – të jeni të lumtur – kjo është gjithçka që ka rëndësi – Audrey Hepburn
“Jeta është e shkurtër. E ke ti në dorë që ta bësh të ëmbël” – Sarah Louise Delany
“Gjithmonë më pëlqen të shikoj anën optimiste të jetës, por jam mjaftueshëm realist për të ditur se jeta është një çështje komplekse” – Walt Disney / KultPlus.com
Në mbrëmjen e hapjes së edicionit të 15-të të festivalit “Chopin Piano Fest”, skena u ndriçua nga drita e një palete muzikore të rrallë nga interpretimi i pianistes së njohur polake, Maria Ludwika Gabryś-Heyke. Ajo nuk interpretoi vetëm nota, por i rrëfeu ato, si një poete që flet për dashurinë e parë. Nën gishtat e saj, çelësat e pianos u shndërruan në petale emocionesh që shpërthenin në gjallëri e butësi, në një udhëtim që luhatej mes brishtësisë dhe furisë melodike. Veprat që solli përmbanin në vete një gjuhë të përjetshme — melodi që ngjasonin me pëshpëritje të shpirtit, të lëna në kohë nga mjeshtër të epokave të shkuara. Ajo nuk luajti, ajo ndjeu. Çdo tingull ishte një dritare e hapur drejt ndjesive të fshehura, çdo heshtje – një frymëmarrje e thellë e artit. Dinamika e saj ishte si një lum që gjarpëronte përmes natyrës së egër: herë i qetë, herë i vrullshëm, por gjithnjë magjepsës. E publiku – i heshtur, i kapluar – ndoqi çdo valë të shpërthimit muzikor që përfundoi në një kulm të ndjeshmërisë së pastër, aty ku emocioni nuk kishte më nevojë për fjalë, shkruan KultPlus.
Mbrëmja e hapjes së festivalit gjithashtu shënoi edhe Ditën e Evropës, 9 Majin. Amfiteatri i ri i Bibliotekës Universitare ishte i mbushur plotësisht. Nga ata në moshë të rinj e të moshuar, salla dukshëm pulsonte me rrahje zemrash. Karriget e mbushura plotë prisnin tashmë nisjen e festivalit i cili ndriçonte bukur. Prapavija në skenë e lulëzuar në nota tingujsh që rrinin këndshëm mbi ekranin e vendosur, perdet në ngjyrë të tokës, re fletorët në ngjyrë portokalli dhe ato të bardhat që ndihmonin për vështrimin më të pastër të gishtërinjve të pianistes, ishin elementet që binin në sy që në fillim. Ambienti i ngrohtë e rriste emancipimin e publikut për të përjetuar një recital pianistik të mrekullueshëm.
Festivali “Chopin Piano Fest“ do të zgjasë një muaj dhe do të sjellë 15 koncerte me pjesëmarrjen e 26 artistëve ndërkombëtarë dhe vendorë, përfshirë edhe dy koncerte të tjera dhe pesë masterklasë.
Hapjen e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula e cila fillimisht tregoi për bashkëpunimin e parë me Zyrën e Bashkimit Evropian.
“Miq të dashur të festivalit, sonte me kënaqësinë më të madhe së bashku po qëndrojmë në momentin më të rëndësishëm në 15 vjetorin e festivalit të përvitshëm Chopin Piano Fest Prishtina. Vlerë e shtuar e festivalit është edhe bashkëpunimi ynë tanimë tradicional me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë me rastin e Ditës së Evropës, 9 maji. Sivjet gjithashtu i bashkohemi edhe festimit të madh të 80 vjetorit të çlirimit nga fashizmi. Kanë kaluar 15 vite me përjetime muzikore të mrekullueshme dhe të paharruara artistike, andaj me këtë rast dëshirojmë të shprehim falënderimin tonë të përzemërt për të gjithë mysafirët tanë të cilët janë artistë të jashtëzakonshëm. Janë mbi dyzet shtete nga e gjithë bota që kanë qenë në skenën tonë gjatë këtyre viteve”, thotë ajo.
Sipas saj, falënderimi i takon edhe artistëve vendorë që i janë përgjigjur ftesës dhe kanë ardhur në Prishtinë duke kontribuar në cilësinë e lartë të programit muzikor.
“Gjithashtu, dëshiroj të shpreh mirënjohje të thellë për ekipin tonë të mrekullueshëm, për punën dhe angazhimin maksimal në realizimin e përsosur të festivalit. Falënderimi shkon edhe për partnerët dhe mediat që kanë qenë këtu me besnikëri për 15 vite. Mirënjohje e veçantë shkon për publikun tonë, dhe pa ta, i gjithë ky organizim nuk do kishte kuptim dhe këtë jehonë.”
Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha foli rreth kontributit që ky festival ka sjell përgjatë 15 viteve.
“Jam shumë e lumtur që së bashku kemi arritur në këtë edicion të 15-të, ne po ndjehemi shumë krenarë për arritjet në aspektin lokal dhe ndërkombëtarizimin e këtij festivali. Plot 15 vite ne jemi anëtarë të devotshëm të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave Chopin në botë, e cila është pjesë e UNESCO-s dhe përmes saj edhe Kosova e ka një vend të vogël në këtë institucion të rëndësishëm. Pa përkrahjen e institucioneve të cilave asnjëherë më shumë se viteve të fundit nuk i kanë kushtuar rëndësi kulturës, gjithë ky mision do të ishte i pamundur, andaj falënderojmë Ministrinë e Kulturës, Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, UP-në, Filharmoninë e Kosovës. Po ashtu, ne kemi arrirë një sukses të madh duke e inkuadruar edhe sektorin privat, kompanitë e ndryshme që po mbështesin artin dhe kulturën përmes ligjit të sponsorizimit.”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lartë rrugëtimin e festivalit “Chopin Piano Fest” dhe ka premtuar se të gjitha institucionet do të jenë përherë në përkrahje të artit dhe kulturës.
“Të nderuar të pranishëm, është nder për mua të jem sonte këtu me ju në hapjen e ngjarjeve më domethënëse kulturore në vendin tonë, Chopin Piano Fest, një festë e pianos por edhe e bashkimit shoqëror e edukimit artistik dhe diplomacisë kulturore. Emri i festivalit përmban figurën e Frederic Chopin, një prej emrave më unifikues në historinë e pianizmit botëror. Pianoja nuk është vetëm mjet muzikor por është mjet fisnikërie, disipline e krijimtarie. Përmes tingullit të saj, ka fuqinë të lidhë njerëzit e të ndërtojë ura midis kulturave dhe brezave. Figura e Frederic Chopin, mjeshtër i pianos dhe simbol i komunitetit kulturor evropian, ka ndikuar thellësisht në arsimimin në Kosovë ku muzika e tij është interpretuar, studiuar dhe përkujtuar përmes konkurseve dhe krijimeve të reja nga kompozitorët tanë. Chopin Piano Fest tashmë është traditë e konsoliduar, pasqyron hapin tonë ndaj botës, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Edhe këtë vit, programi i festivalit është i pasur dhe mbresëlënës me artistë nga Polonia, Franca, Italia, Hungaria, Ukraina, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Kuba Suedia dhe Kosova. Kjo është një dëshmi e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe faktit që Kosova po fiton në hartën kulturore globale. Ky festival është një ekosistem i gjallë kulturor që mbështetë talent të rinj, promovon trashëgiminë muzikore, dokumenton krijimtarinë dhe nxit diplomacinë përmes artit. Festivali lidh skenën tonë të pavarur muzikore me struktura të ngjashme në rajon dhe në botë.”
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se artistët kosovarë janë bërë pjesë e denjë e peizazhit kulturor evropian, duke arritur majat dhe duke kontribuar me talentin dhe pasionin e tyre.
“Nëse hedhim një vështrim prapa në të kaluarën, Bashkimi Evropian shfaqet si projekti më i suksesshëm në historinë moderne. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, ne e ëndërrojmë dhe e besojmë që ky projekt do të vazhdojë të jetojë përherë. Jam veçanërisht i lumtur që, në prag të Ditës së Evropës, kemi mundësinë të festojmë përmes gjuhës universale të muzikës — me veprat e jashtëzakonshme të Fryderyk Chopin-it. Bashkëpunimi ndërmjet Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe festivalit Chopin Piano Fest ka qenë shembullor dhe është kthyer tashmë në një partneritet të qëndrueshëm dhe tradicional. Ky bashkëpunim dëshmon fuqishëm për rëndësinë thelbësore që ka shkëmbimi kulturor ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Artistët kosovarë janë bërë pjesë e denjë e peizazhit kulturor evropian, duke arritur majat dhe duke kontribuar me talentin dhe pasionin e tyre. Bashkimi Evropian ka qenë një mbështetës i fortë i kulturës në Kosovë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen. Gjatë viteve, Chopin Piano Fest ka sjellë në Prishtinë muzikantë të mrekullueshëm nga mbarë bota, dhe sot, me kënaqësi të veçantë, presim të dëgjojmë interpretimet që do të na dhurojnë emocione të paharruara.”
Përfaqësuesja nga Ministria e Jashtme e Polonisë, Agnieszka Kowalska u ka uruar të pranishmëve që të zhyten thellë brenda pasurisë së muzikës polake.
“Është kënaqësi e veçantë për mua t’ju uroj mirëseardhje të ngrohtë të gjithëve ju që keni ardhur në këtë koncert të veçantë, në kuadër të festimeve për Ditën e Evropës, e cila këtë vit ka një rëndësi të veçantë për ne. Dëshiroj të theksoj se Polonia e njeh dhe e mbështet plotësisht aspiratën e Kosovës për integrimin evropian. Jemi krenarë që Shoqata Chopin në Kosovë ka vendosur ta hapë këtë edicion të festivalit me një performancë të jashtëzakonshme. Shpresoj që koncerti i sonte të jetë momenti kulmor i edicionit të 15-të të Chopin Piano Fest dhe ju ftoj që të zhytni veten në pasurinë e muzikës polake. Më lejoni t’ju uroj një përvojë të paharrueshme muzikore.”
Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për të sjellë në skenë pianisten polake Maria Ludwika Gabryś-Heyke me duartrokitje dhe brohoritje të shumta.
Mbrëmja nisi me një goditje të butë, por të sigurt – “Polonaise in cis – op. 26 nr. 1” u ngrit mbi tingujt si një hark triumfi, një marsh krenar që e shpalli ardhjen e një muzike që nuk njeh kohë. Gishtat e saj preknin pianon si ushtarë të disiplinuar që ndjekin një mision melodik – të hapin rrugën për emocionin. Katër Mazurkat e op. 30 erdhën si kujtime nga fshatrat e humbur të Polonisë – me ritme që luhateshin si hapa vallëzimi të një kujtese të gjallë. Në to, ajo nuk interpretonte thjesht tinguj, por rrëfente jetën e një populli të tërë, me dhimbjen dhe hijeshinë e tij të heshtur.
“Nocturne në cis – mol, op. 27 nr. 1” e mbështolli sallën në një natë të butë dhe të pambarimtë. Çdo notë u derdh si dritë hëne mbi një liqen të qetë, ndërsa publiku u tret në qetësinë që vetëm muzika e Chopin-it mund ta krijojë. Me “Nocturne në H-dur, op. 32 nr. 1”, ajo solli një dritë më të ngrohtë, më njerëzore. Ishte sikur të dëgjoje zemrën e dikujt që flet pa fjalë, që rrëfen pa pasur nevojë të kuptohet. Tingujt e saj pikturonin një butësi që mbetet në mendje si aroma e një mbrëmjeje pranverore. Dhe pastaj, si një shpërthim i papritur i ndjenjave të fshehura, “Fantaisie-Impromptu në cis – mol, op. 66” përmbylli gjithçka. Aty pianistja u bë një me instrumentin — një stuhi pasioni dhe teknikë që shpërtheu mbi piano.
Pjesa e dytë e programit hapi një dritare tjetër të shpirtit të Chopin-it — një botë ku aristokracia e formës përqafohej me melankolinë e një zemre që s’pushonte së kërkuari përjetësinë në tingull.
“Polonaise në c – mol, op. 40 nr. 2” u ngjit mbi vend me një solemnitet të thellë — si një elegji e heshtur, një rrëfim i brendshëm i krenarisë së plagosur. Ajo fliste me peshën e kujtesës, e cila nëpërmjet fuqisë së ritmit shndërrohej në qëndresë. Në duart e pianistes Maria Ludwika Gabryś-Heyke, kjo polonezë nuk ishte thjesht një formë — ishte thirrje, hije, shpresë e ngulitur në një tokë që frymon përmes muzikës.
Pastaj, “Valset në es – dur, op. 34 nr. 1” u shfaq si një dritë që ndizet në ballo, një rrotullim i hijshëm në mes të sallës, ku çdo notë kishte aromën e parfumeve të epokës romantike. Ajo fluturonte lehtë mbi piano, por pas lehtësisë fshihej një mall — një buzëqeshje që s’flet kurrë plotësisht. “Valset në a – mol, op. 34 nr. 2” ishte si një fije zëri që vjen nga një dritare e mbyllur — plot me kujtime, e brishtë dhe e ndalur në ajër. Ky ishte valsi i një shpirti që kërkon një emër nëpër hapësira bosh, një ritëm që ecën, por kurrë nuk gjen një strehë të qetë. Pianistja prekte këtë ndjesi me finesë të rrallë.
E me “Valset des – dur, op. 64 nr. 1” — të njohur ndryshe si “Minute Ëaltz” — ajo solli një lojë shpërthyese. Një xixëllimë e shpejtësisë, një dritë që vezullon në errësirën e mendimeve të thella. Ky vals nuk është për t’u matur në kohë, por për t’u përjetuar si shpërthim i pastër gëzimi — një ndjekje pas kohës që ikën, pa mundur ta kapësh kurrë. Në fund, vepra “Andante spianato dhe Grande Polonaise Brillante në es – dur, op. 22” ishte si një kurorë mbi gjithë natën. Fillimi – një ëndërr e qetë, një melodi që shtrihet mbi piano si një pëlhurë mëndafshi. Dhe më pas – një shpërthim i hijeshisë, i shkëlqimit teknik, i dashurisë për formën dhe fuqinë e lirisë. Në këtë vepër, pianistja u bë kalorëse e bardhë e romancës dhe rebelimit artistik; çdo notë ishte një hap mbi një skenë që tani nuk i mjaftonte më.
Madhështia e rrallë e interpretimit pianistik të Maria Ludwika Gabryś-Heyke, mjeshtëria e një gruaje që nuk e pushton skenën, por e shndërron atë në një zgjatim të shpirtit të saj, ndërlidhja e thellë mes emocioneve dhe tingujve, vallëzimi i butë i trupit me çdo notë, pasioni që shkruhej në shprehjet e fytyrës si në një letër të hapur – ishin këto elementet që e kthyen natën në një përjetim të pazëvendësueshëm. Ajo luante si të kish lindur me ato melodi në duar. Çdo prekje ishte një ofrim i shpirtit përballë një bote që dëgjonte në heshtje dhe merrte frymë përmes saj. Publiku tërhiqej vazhdimisht në brendësinë e lojës së saj — në skutat më intime të një muzike që lindte dhe jetonte vetëm aty, vetëm atë natë.
Ishin duartrokitjet ato që ndërhynin në heshtjet mes frazave — të ngrohta, të papritura, por të merituara. Heshtjet e krijuara nga ajo, me një saktësi kirurgjikale, u mbushën me falënderimet e buta të publikut, që shpërthenin në emocione të pakontrolluara. Në atë çast, ajo nuk ishte vetëm interprete. Ishte krijuese e një përvoje të përbashkët. Dhe publiku, në mënyrën më të natyrshme, u shndërrua në pjesën e fundit të enigmës — në nyjën që lidhte artin me përjetimin. Ashtu, nata u bë një e tërë, një kujtim që do të jetojë gjatë në mendjet e të gjithë atyre që patën fatin të jenë dëshmitarë të saj.
Pianistja polake Maria Ludwika Gabryś-Heyke e cila performoi për herë të parë në Kosovë, ka thënë se ndjehet tejet e lumtur që ka ndarë skenën me audiencën e Kosovës.
“Pata një nder shumë, shumë të madh të luaj për ju sonte. Desha ta nis koncertin me një pjesë shumë tradicionale polake, sepse në kohët e mëhershme, çdo festë në Poloni fillonte me një valle kombëtare polake. Dhe Chopin e shkroi këtë pjesë pak para se të largohej përgjithmonë nga Polonia. Më pas janë Mazurkat – ato ishin shumë pranë zemrës së Chopin-it, dhe ai i kompozoi ato gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë në to edhe vuajtjen, edhe gëzimin. Në pjesën e parë të koncertit, dëshirova të prezantoj vepra që janë plot dritë dhe hije – vepra shumë ekspresive. Kjo është hera e parë që performova këtu. Kam kaluar tashmë dy ditë në Kosovë dhe kam takuar njerëz shumë miqësorë, dhe më pëlqen shumë energjia që ka ky vend. Jam shumë e lumtur që isha së bashku me audiencën e Kosovës.”
‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 14 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 12 maj ku do të interpretojë Sihana Badivuku, Jelena Ocic dhe Artem Yasynskyy në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com
Aplikacioni i mesazheve WhatsApp i kompanisë Meta aktualisht ka mbi 3 miliardë përdorues, bëri të ditur shefi i kompanisë Mark Zuckerberg gjatë një video-konference mbi rezultatet e tremujorit të parë të kompanisë.
Pasi arriti 2 miliardë përdorues aktiv mujor në vitin 2020, aplikacioni tani është ndër të paktët e zgjedhur, përveç Facebook-ut, po ashtu e kompanisë Meta, që tejkalon 3 miliardë përdorues.
Për shkak të bazës së madhe të përdoruesve, WhatsApp është një biznes i madh i kompanisë Meta, veçanërisht tani që kompania ka vendosur një pjesë të madhe të aksioneve në qasjen e saj të inteligjencës artificiale.
Aplikacioni, sipas kompanisë, është një nga kanalet e saj më të mëdha të shpërndarjes për shërbimet e inteligjencës artificiale.
“Ne shohim njerëz që angazhohen me inteligjencën artificiale të Meta-s në të gjithë familjen tonë të aplikacioneve”, tha gjatë video-konferencës Susan Li, drejtoreshë financiare e kompanisë.
Zuckerberg tha se edhe pse WhatsApp i bën aftësitë e inteligjencës artificiale lehtësisht të arritshme, kompanisë së tij i është dashur të miratojë një strategji ndryshe për të inkurajuar përdorimin e produkteve të saj të inteligjencës artificiale në vende si SHBA-ja, ku shumica e përdoruesve ende preferojnë të dërgojnë mesazhe me njëri-tjetrin përmes aplikacioneve standarde të porosive në telefonat e tyre.
“Shpresojmë të bëhemi lider me kalimin e kohës (në tregun e mesazheve në SHBA), por atje jemi në një pozicion ndryshe nga ajo si jemi në pjesën më të madhe të botës në WhatsApp”, tha Zuckerberg.
Sipas kompanisë META, WhatsApp Business, platforma komerciale e aplikacionit të mesazheve, po zgjerohet dhe po kontribuon ndjeshëm në 510 milionë dollarë të ardhura të gjeneruara nga familja e aplikacioneve të saj./KultPlus.com
Filmi ‘Mua besoj më shpëtoi portreti’ nga Alban Muja vazhdon udhëtimin në dy festivalet ‘Vienna Shorts’ dhe ‘Kurzfilm Festival Hamburg’, përcjell KultPlus.
Në festivalin ‘Vienna Shorts’ do të shfaqet më 31 maj, ndërkaq në festivalin ‘Kurzfilm Festival Hamburg’ do të shfaqet më 6 qershor.
Në vijim gjeni postimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës:
Filmi ‘Mua besoj më shpëtoj portreti’ (I Believe the Portrait Saved Me) nga Alban Muja vazhdon udhëtimin e tij në dy festivale të mrekullueshme:
✨ Vienna Shorts (27 Maj – 1 Qershor 2025), ku do të jetë pjesë e programit tematik “Kur do të mësojnë ndonjëherë?”
✨ Kurzfilm Festival Hamburg (3 – 8 Qershor 2025), ku do të konkurrojë në Garën Ndërkombëtare./KultPlus.com
Libri i Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm nga Fitim Uka është pranuar zyrtarisht në Federatën Botërore të Psikoterapisë, përcjell KultPlus.
Federata Botërore e Psikoterapisë është organizata më e madhe dhe më e vjetër në botë në fushën e psikoterapisë, me mbi 30 mijë anëtarë nga të gjitha kontinentet.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e Fitim Ukës:
A jeni gati për superlajmin e dekadës?
Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm është pranuar zyrtarisht në Federatën Botërore të Psikoterapisë (WFP)!
WFP është organizata më e madhe dhe më e vjetër në botë në fushën e psikoterapisë, me mbi 30 mijë anëtarë nga të gjitha kontinentet. Ndërkaq, nga sot, Asociacioni i Psikoterapisë së Kohezionit të Brendshëm bëhet anëtar me të drejta të plota i kësaj federate ndërkombëtare.
A nuk është ky një lajm i jashtëzakonshëm?
Për ne, kjo përfaqëson kulmin e një suksesi të rrallë — të një psikoterapie që lindi vetëm tre vite më parë, që fillimisht foli shqip, por që sot njihet, pranohet dhe respektohet në mbarë botën.
Urime dhe mirënjohje të thellë për secilin prej jush që ka dhënë kontribut në konceptualizimin, zhvillimin dhe avancimin e kësaj qasjeje terapeutike që po prek e transformon jetët e njerëzve përtej kufijve.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët në 5-vjetorin e krijimit të saj, zhvilloi aktivitetin e promovimit të veprimtarisë dhe botimeve në mjediset e Bibliotekës së Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Në hapje të këtij aktiviteti fjalën e mbajtën organizatorja e kësaj veprimtarie dr. Aurela Basha, më tej vijoi dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, prof. as. dr. Ardian Lami, i cili falenderoi pjesëmarrësit në këtë aktivitet dhe ftoi qendrën në bashkëpunime të tjera në të ardhmen.
Drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastrati bëri prezantimin e punës 4-vjeçare të qendrës dhe tre hullive kryesore në të cilën zhvillohet puna që janë studimet, publikimet dhe aktivitetet kulturologjike.
Më pas u ndal në prezantimin e FEL-it, revistës Continuum, kolanës kushtuar prof. Ernest Koliqit dhe veprës “Jeronim De Rada- Vepra historike dhe filologjike”, e kuruar nga profesor Jup Kastrati”./KultPlus.com
Dhuna tiranike e quajtun “proletare”, e ushtrume ditë e natë gjithkund e papushim, pa dallue fshat, as qytet, e shoqnume me britmat e sloganet papagal dhe torturat çnjerëzore, me rrenat e kaçarrenat e njerëzve servilë o t’paguem: mbas gjithë atyre pushkatimeve të përgjakshme, burgimeve e shpërnguljeve të dhunshme masive, ia dulen me e përkulë popullin e lirë të Shqipnisë dhe kështu dhuna partizane iu duel me u ba Qeveri.
Më 9 Maj 1945 ra Gjermania. Erdhi urdhni për më u ra të gjithë kumbonëve. Për botën duhej t’ishe gëzim i madh. Por nuk kje për ne. Fitues kishte dalë Stalini. Atij i këndohej ndër të gjitha rrugat nga gupet e repareve partizane.
“Bijt e Stalinit jemi ne, që çlirojmë botën anë e m’anë, e do t’valojë përmbi dhe flamuri i kuq, flamuri parizant.”
Mbas darke , sic mblidheshim, tue folë për ngjarjet e ditës njani tha: ndigjoni fjalët e kangës; aman, sa shumë djelmët i paska pasë ky Stalini në këtë dhenë tonë! – Lene ma,- iu përgjigj nji plak,- se këtu baba Sulltani e kushdo që të na sundojë na e thrrasim babë o xhajë. – Pse po interesohesh ti? Sikur t’ishin këta të rijt hajde de, por ti… Para njizet vjetësh sigurisht që jo. – – Un, – tha, – mendoj që Çurçilli nuk se si e duron Stalinin që ka zabtue gjysën e Europës, prandaj së shpejti angalzët e rusët do të jenë në luitë. – Anglia ka paktin njëzetvjeçar të miqsisë me Bashkimin Sovjetik dhe ajo i mban paktet se e zen lepurin me qerre. – Nuk ashtu punë paktesh,- tha një tjetër, – por Çurçilli vetë për më shkatërrue Gjermaninë ja u ka shitë Europën me gjithë kolonitë biznesmenëve të Amerikës e gjysen tjetër rusve. Gjatë historisë shofim se shumë ngjarje të mëdha të politikës i cakton vetëm trilli personal i udhëheqsave. Me këtë rasë ky i gëzohet vetëm titullit të naltë: “Strategu politik e luftës së dytë botnore” pamvarësisht se gjysën e Europës e ka hjedhë në skllavni e gjysën tjetër copë e zhel në rrugë të madhe me lypë nji copë bukë prej jankive. – Ai qe ban, din shka ban,- tha plaku.- Un mendoj që ai bashkë me Ameriken nuk kanë me e lanë gjatë komunizmin në Europë. – Po ti, Pater Gjon,- pveti nji tjetër,- shka mendon. – Un ndryshoj,- tha At Gjon Shllaku.- Kjo luftë asht ba për më i sjellë botës nji ekpokë të re, atë të “Kombeve të Bashkueme”. Karta e Kasablankës na çontë nji bashkëpunim i të gjitha kombeve. – Ajo nuk asht gja tjetër, por nji version i ri i Lidhjes së Kombeve të presidentit Uilson: ajo ma shumë e nxit luftën se e kundërshton. – Kjo lufta e dytë, – tha At Gjoni, – u ba luftë ideologjike. Në njanen anë demokracitë kapitaliste bashkë me komunizmin dhe me tjetrën fashizmi e nazizmi që fliteshin për nji rend të ri. Kështu ky bashkëpunim ka më i përpunue njerëzit që hem kapitalistat të përqafojnë idetë e socializmit, edhe komunizmit ka me u ba demokratik e dikur e do të jetojnë bashkë. – Kurgja nuk po na thue Pater Gjon, – tha persëri plaku. Komunizmi e demokracia janë krejt dy shjetana të kundërt dhe nuk mund aviten kurr bashkë. Hori e pasaniku jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi asht si ai djali që kur rrin pa punë çohet e rrahë e mbyet fëmijën e vet. Mjerisht ne na ka përfshi ky e na do vuejmë deri të na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri të vijë një tjetër me e hjekë qafet…
Ndërkaq ndër të gjitha qytetet administrata erdh tue u forcue pak a shum filloi me i sistemue edhe forcat deri atëherë partizane. Disa i veshi me uniformë policie e disa tjerë me ngjyrë tjetër. Filluen me u dukë bile edhe oficera të veshun me uniforma të bukura, por që nuk dihej se të cfarë ushtrije mund të ishin. Edhe nëpër zyre filloi me marrë punën në dorë ndonji njeri që ishte me mjaft shkollë, megjithëse pak kush të kryente punë, por të dërgojshin herë te ai o te nji tjetër deri që të shumtën e herës të përcjellshin pa gja. – U shpallën ligjë financiare e monetare me udhnesa drakoniane: Vulosën karmonedhat dhe vunë tatime luftet, superfitimit e fitimit dhe e mblodhën gjithë florinin e ruejtun me shekujndër qypa. Ndër komisjonet e tatimit emnuen edhe shumë tregtarë, për me u dukë se janë të ndershëm, por ata të shkretët as nuk i pveste kush e ma vonë ranë edhe në burg, Së fundmi banë edhe shumë reforma e filluen diskutimet për ligjin elektoral, i cili vazhdoi gjatë. Në këtë kohë u zhvilluen edhe veprimtari të rëndësishme kulturore. Shumë njerëz edhe filluen të mendojnë se këta e kishin mbarë e përnjimend me vullnet të mirë se ishin djelm të mirë që dojshin me i dhanë nji zhvillim të vërtetë gjendjes sociale të popullit shqiptar aq të mbrapambetun. Por shumë prej njerëzve të ditun e kishin kuptue gjendjen. N’at kohë në Kishën Franceskane kishim nji kujdestar. Kishte që ishte shumë i ndershëm e besnik, por edhe jepte shejet e nji te mbete mendore dhe kushdo që e shifte tallej me të me dashuni. Ashtu vepronte edhe At Gjon Shllaku. Sa herë që e shiftë n’oborr të Kuvendit apo në kjoster e merrte mrapa tue qeshë e i thonte “O more Mark sa i lumtun je ti sot! Të gjithë duhet të kishin kokën tande se shka ndodh. Hajde t’i ndrojmë krenat bashkë”! Maarku ikte si fëmija se ndoshta mendonte se koka mund ndrrohen më të vërtetë.
Deri aty kish vojtë puna: më i pas lakmi nji të marri.
(Pjesë e shkëputur nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për më tregue”)/ KultPlus.com
Papa i ri i Kishës Katolike, Leo XIV, mbajti meshën e tij të parë këtë të premte në Kapelën Sistine, më pak se 24 orë pas zgjedhjes së tij si pontifi i 267-të dhe pasardhësi i Papa Françeskut.
Ish-kardinali Robert Prevost, amerikani i parë që ngjitet në fronin papnor, u shfaq i qetë gjatë meshës së kremtuar në mesin e kardinalëve që e zgjodhën atë.
I veshur me petka të thjeshta të bardha e të arta, Papa Leo, i lindur në Çikago dhe ish-misionar për dy dekada në Peru, foli fillimisht shkurtimisht në anglisht, për të vazhduar predikimin në italisht të rrjedhshëm.
Në homelinë e tij, Papa 69-vjeçar theksoi vizionin për një Kishë që shërben si “administratore besnike” për të gjithë besimtarët.
Ai paralajmëroi për pasojat e mungesës së besimit në botën moderne, duke përmendur “humbjen e kuptimit të jetës, shpërfilljen e mëshirës, shkeljet tronditëse të dinjitetit njerëzor dhe krizën e familjes”, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Zgjedhja e një amerikani si papë ishte e papritur, pasi shumë mendonin se një “superfuqi” si SHBA nuk do të mund të drejtonte Kishën botërore.
Megjithatë, Leo XIV mban edhe shtetësinë peruviane dhe ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në shërbim të të varfërve në Amerikën Latine, veçanërisht si ipeshkëv në qytetin Chiclayo nga viti 2015 deri në 2023.
Qytetarët e Chiclayo-s dolën në rrugë për të festuar zgjedhjen e “njërit prej tyre”, ndërsa kambanat e kishave kumbonin në shenjë gëzimi.
Zgjedhja e emrit “Leo” është e ngarkuar me simbolikë. Papa i fundit me këtë emër, Leo XIII (1878-1903), ishte i njohur për angazhimin e tij ndaj drejtësisë sociale dhe për përpjekjet për ta sjellë Kishën më pranë punëtorëve dhe të varfërve, një vizion që duket se Papa i ri synon ta vazhdojë.
Meshë inaugurale për Papa Leo XIV do të mbahet të dielën, më 18 maj, në Sheshin Shën Pjetër. Janë ftuar liderë botërorë dhe fetarë në këtë ngjarje madhështore, që shënon nisjen zyrtare të papatit të tij. Inaugurimi i Papa Françeskut në vitin 2013 tërhoqi mbi 200,000 besimtarë.
Papa i ri do t’i mbajë përkohësisht në detyrë zyrtarët aktualë të Vatikanit, përpara se të marrë vendime për ndryshime eventuale. Ai trashëgon një Kishë me sfida të shumta: nga mungesa në buxhet, ndarjet për çështjet LGBT dhe rolin e grave, e deri te përgatitjet për Vitin e Shenjtë, që do të sjellë miliona pelegrinë në Romë.
Pavarësisht profilit të tij të ulët publik, Leo XIV ka qenë një figurë kyçe në Vatikan, sidomos në zgjedhjen e ipeshkëve të rinj në mbarë botën. Kjo e bën atë një figurë me ndikim të madh, dhe të shumëpritur për t’u parë në veprim.