Filmi “Luna Park” nga regjisori Florenc Papas është përzgjidhur të jetë pjesë e edicionit të 55-të të Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Indi, GOA, përcjell KultPlus.
Festivali do të mbahet nga data 20 deri më 28 nëntor të këtij viti.
“Luna Park” trajton peizazhin postkomunist të Shqipërisë, ku një nënë e vetmuar, Mira, dhe djali i saj adoleshent i trazuar, Toni, luftojnë me një shpërthim të dhunës civile që copëton kombin e tyre të Evropës Lindore.
Aktorët të cilët luajnë në film janë: Adriana Matoshi, Orion Jolldashi, Nik Xhelilaj, Flonja Kodheli, Amos Zaharia dhe Eno Milkani.
Pjesa tjetër e ekipës është si në vijim: skenari: Florenc Papas, Glykeria Patramani; Kinematografi: Simos Sarketzis, redaktori: Federica Forcesi; dizajni: Durim Neziri; Kostumografia: Stela Laknori; Muzika: Mater Merlic; producent: Dritan Huqi, Ioanna Bolomyi, Riccardo Neri, Fatmir Spahiu; Produksioni: On FILM, Atalante Productions S.A., Lupin Film, Studio Corvus, Buka Production./ KultPlus.com
Floran Kondi (28 shkurt 1979), i njohur zakonisht me emrin e tij artistik Dr. Flori, ishte një këngëtar, reper, kompozitor dhe tekstshkrues, gjithashtu një nga antarët themelues të grupit West Side Family, me të cilin korri shumë sukses me këngët si ‘Tirona’, ‘O çike çike’.
Dr Flori bashkë me Landin dhe Mirin në vitin 1996 krijuan grupin West Side Family të cilët lançuan këngën e parë ‘Tik-Tak’ dhe këngë të tjera, por në vitin 2002 ata lançuan këngën e tyre shumë të njohur e cila në ato vite u bë hit, Tirona. Kjo këngë u prit shumë mirë nga audienca shqiptare si në Shqiperi dhe Kosovë. Në vitin 2002, grupi mori pjesë në festivalin Kënga Magjike që udhëhiqej nga Ardit Gjebrea me këngën “Mesazh”. Vitin tjetër ata morën sërisht pjesë në Këngën Magjike me këngën “Oh Çike”, e cila më vonë do të bëhej një nga këngët më të mëdha hit. Në finale ata morën 87 pikë të cilat ishin të mjaftueshme të siguronin vendin e katërt, megjithatë, ata fituan çmimin a publikut.
Pas tre vitesh, më saktësisht në vitin 2006, Dr. Flori dhe grupi ti tij West Side Family ata morën pjesë përsëri në Këngën Magjike me një këngë shumë të pëlqyer e cila titullohej “Në krahët e tu dua të jem”, këngë e cila do t’u siguronte vendin e tretë në finale si dhe çmimin për tekstin më të mirë.
Pjesëmarrja e tyre e parë madhore ishte në Festivalin e 47 të Këngës në dhjetor 2008, ku fituesi do të zgjidhej si përfaqsuesi i Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës për vitin e ardhshëm. Grupi mori pjesë me këngën “Jehonë” e shkruar dhe e kompozuar nga Dr. Flori.
Pavarësisht se këngëtar solo, në vitin 2010, ai pati sukses duke bashkpunuar me Aurela Gaçen dhe Marselin me këngën “Origjinale”, e cila u bë hiti i verës. Ai vazhdoi suksesin e tij edhe në vitin tjetër, duke lançuar këngën “Ça na ke”, e cila shpejt u bë shumë popullore. Në vitin 2011, ai u bë gati për Këngën Magjike 2013 me këngën “S’ma ndjen” ku në finale u cilësua si kënga hit. Një muaj më vonë, ai u bë gati për Festivalin e Këngës Magjike me këngën “Personale”.
Në dhjetor 2012, Dr. Flori ndoqi Festivalin e Këngës 51 sëbashku me Fabin. Kënga që ata lançuan titullohej “Jam ti!”. Ata arritën deri në gjysmëfinale, ku performuan dhe shkuan në finalen ku mori 11 pikë (sëbashku me Rosela Gjylbegu).
Në vitin 2013, Dr. Florilançoi këngën e tij të re “Zemërthyer”, një version i ripunuar nga kënga e Festivalit së Këngës 2011 “Personale”. Kënga ishte një këngë lufte para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, në vitin 2013. Ai shkruajti këngë “Vetëm ti”, e cila do të përdoret nga Rezarta Smaja në Festivalin e 53-të të Këngës në dhjetor 2014.
Ai vdiq më 17 nëntor 2014 në Tiranë./ KultPlus.com
Zyra e kryeministrit Albin Kurti e ka bërë të ditur agjendën finale për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nesër në Prishtinë.
Në 10:30 – 10:45 pritet mbërritja e delegacioneve e më pas edhe ajo e kryeministrave.
Pas ceremonisë zyrtare dhe fotografisë së përbashkët, kryeministrat Albin Kurti dhe Hristjan Mickoski pritet ta zhvillojnë fillimisht një takim bilateral.
Këtë takim do ta pasojnë takimet bilaterale ndërmjet ministrave (homologëve) të qeverive, ndërsa më pas pritet të zhvillohet takimi ndërqeveritar.
Nënshkrimi i marrëveshjeve të parapara pritet të bëhet pas takimit.
Kurti dhe Mickoski do ta mbajnë më pas edhe një konferencë për media.
Agjenda mbyllet me një drekë zyrtare./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, ka vizituar Kombëtaren e Kosovës në prag të ndeshjes kundër Lituanisë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Vizita e shefit të qeverisë, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit Hajrulla Çeku dhe ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, vjen pasi futbollistët dhe Federata refuzuan të vazhdojnë përballjen kundër Rumanisë në Bukuresht, pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë.
Kurti mes tjerash vuri theksin te rëndësia e drejtësisë dhe unitetit përballë sfidave të tilla, ku edhe tha se “tani është mbushur kupa”, raporton Klankosova.tv.
“Nuk është hera e parë që po na ndodhë një situatë e tillë. Thirrje shoviniste kundër Kosovës dhe shqiptarëve, thirrje raciste kundër lojtarëve tanë dhe popullit tonë kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Vetëm se tash është mbushur kupa. Dhe nuk ka vend në kupë për më shumë sulme të tilla denigruese që janë të papranueshme në botën e civilizuar. Kur kjo ndodh në një shtet i cili ende nuk na ka njohur, gjithçka bëhet edhe më e rëndë”, u shpreh kryeministri.
Ai premtoi mbështetje institucionale dhe përfshirje në arenën ndërkombëtare për të luftuar sjelljet e tilla.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të bëjmë gjithçka që këtë betejë ta vazhdojmë edhe në arenën ndërkombëtare politike e diplomatike, por edhe në aspektin ligjor e juridik, në mënyrë që UEFA dhe FIFA t’i dënojnë ata që e meritojnë”, theksoi Kurti.
Në fund të fjalimit të tij, kryeministri citoi deklaratën e kapitenit Amir Rrahmani pas ndeshjes, ku aty kërkohet nga UEFA dhe FIFA që të mos lejojnë këso gjëra.
“Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, falënderoi Kurtin për vizitën dhe mbështetjen e tij, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes institucionale për Kombëtaren e Kosovës”, thuhet në kumtesë.
Si reja për së kthjellti Kris E n’pocerrkë t’kresë I mshon vetit Tevona Me ‘i shami të zezë futë Lidhë ballin E me za Ajkune Pjellën e vet nemë Vajton Dekën e saj Për së gjalli
Mynih, Mars 1997 Këtë poezi e kam shkrue në Mynih (Gjermani), në ditët e mnerës e të përflakjes së Shqypnisë, në motin e mbrapshtë 1997./ KultPlus.com
Pas paralajmërimeve të vazhdueshme për përshkallëzim të grevës Teatri Kombëtar i Kosovës nga sot ka kaluar në grevë të përgjithshme, shkruan KultPlus.
Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK, në krye me aktoren Sheqerie Buqaj ka njoftuar se si shenjë rezistence ndaj mospërfilljes së kërkesave të tyre për rritje të koeficientit të pagave ka anuluar çfarëdo lloj aktiviteti artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
“Duke parë se kërkesat tona sindikale nuk janë realizuar pavarësisht, premtimeve, duke mos parë asnjë rezultat të prekshëm nga takimet e mbajtura, ndërmarrjes së masave sindikale dhe paralajmërimit për këtë grevë, madje pas mospërfilljes së vullnetit tonë ku kemi dhënë edhe një afat dyjavor për realizimin e kërkesave tona nga ana e MKRS-së, pas shterjes së të gjitha afateve dhe mundësive, pas mos realizimit të kërkesës sonë edhe përmes ndërmjetësuesit, atëherë ne pa vullnetin tonë, konsiderojmë se mbajtja e një greve të përgjithshme është e vetmja formë që tërheq vëmendjen e punëdhënësit që ai të nisë t’i realizojë kërkesat tona”, ka thënë në një konferencë për media Sheqerie Buqaj.
Në konferencë u tha se vendimi është marrë në formë unanime nga të gjithë pjesëtarët e Shoqatës Sindikale dhe se nuk do të ketë tërheqje nga greva deri në plotësimin e kushteve të kërkuara.
“Jemi të vendosur që greva të mos përfundoj pa u realizuar saktë koeficientet të cilët i kemi dërguar në Ministrinë e Kulturës” është thënë në këtë konferencë për media, e cila në prapavijë ka moton: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”.
Ky vendim për grevë të përgjithshme është marrë me pajtueshmërinë e pjesëtarëve: Shpejtim Kastrati, Shëngyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Adrian Morina dhe Maylinda Kosumoviq. Arsyet e mbajtjes së grevës janë: Mos realizimi i kërkesës për përmirësim, ngritjen e koeficienteve, pas degradimit që i është bërë ansamblit rezident me ligjin e pagave.
Kryetarja e Sindikatës ka thënë se pavarësisht mospajtimeve me punëdhënësin, si sindikatë janë të hapur për dialog, qoftë drejtpërdrejtë apo përmes ndërmjetësuesit, dhe se mban shpresa se ky veprim do të çojë në përparim domethënës drejt zgjidhjes së çështjes.
“Si SHSATKK i sigurojmë të gjithë punëtorët e sindikatës sonë se do t’i informojmë për aktivitetin e grevës dhe ata do të pajisen me udhëzime të qarta për pjesëmarrjen e tyre. Këshilli Grevist do të koordinoj dhe adresoj çdo shqetësim që mund të lindë gjatë periudhës së grevës. Si KG do të demonstrojmë unitetin dhe vendosmërinë tonë në avokimin për trajtim të drejtë dhe përmirësim të kërkesave tona”.
Më tej, pjesëtari tjetër i sindikatës Adrian Morina ka thënë se pezullimi i tërësishëm i aktiviteteve në TKK fatkeqësisht ka qenë forma e fundit dhe e vetme për tu marrë parasysh të drejtat e ansamblit në përbërje prej 22 aktorëve.
“Kjo ka qenë forma jonë e vetme. Nuk do të kemi patur dëshirë asnjëherë që të jemi sot këtu ku jemi ulur. Ne nuk jemi mësuar asnjëherë, gati as në ulëset e publikut nuk kemi rast të qëndrojmë shpesh. Po uroj që kjo është hera e fundit edhe pse si skenarë po përsëriten vazhdimisht prej politikës. Uroj që kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejtë. Besoj që i kemi përfillur të gjitha hapat sindikal deri këtu, madje edhe më shumë se sa që duhet, me idenë që po punohet dhe të provojmë ta gjejmë zgjidhjen. Jemi të hapur të diskutojmë me secilin për sqarime të mëtutjeshme. Por, ashtu siç e kemi cekur në vendim jemi jashtëzakonisht të vendosur për realizimin e të drejtave tona, dhe të shpresojmë që gjithçka ka me u kry shpejtë edhe mirë” ka thënë Morina.
Kur është miratuar Ligji për Paga, TKK ka qenë i vetmi institucion që ka pësuar degradim, pasi të gjithë aktorët e teatrove të qyteteve të tjera kanë gëzuar të drejtën e tyre për punën të cilën e bëjnë. Këtu sipas sindikalistëve është përjashtuar TKK, për të cilën gjë fillimisht kanë besuar se nuk ka qenë e qëllimshme. Të paktë kështu edhe është konfirmuar nga MKRS, duke thënë se gjatë rrugës janë bërë edhe gabime, e të cilat do të adresohen shumë shpejtë. Gjë e cila faktikisht nuk ka ndodhur kurrë.
Më vonë Sindikata ka bërë një kërkesë në MKRS meqenëse ligji i pagave do të rishqyrtohej, me idenë që edhe kërkesa e tyre do të adresohej. MKRS e ka konfirmuar një takim, por në fakt as ky takim nuk ka ndodhur asnjëherë pavarësisht kërkesave të tyre të vazhdueshme.
Pas një periudhe 19 mujore, më datën 9 shtator Sindikata përmes një njoftimi i kishte bërë të qarta të gjitha veprimet të cilat do të ndërmerreshin.
“Madje janë më të stërzgjatura se sa i lejon ligji për sindikata. Disa herë na është thënë çka janë këto masa që po shtyni për 10 minuta provat, duken si jo serioze. Mirëpo ne kemi pasur dëshirë që t’i japim sa më shumë kohë MKRS, që t’i adresojë problemet tona. I kemi përfillur ato të gjitha. Nganjëherë ndoshta prej vullnetit të madh që t’i japim edhe kohë MKRS, i kemi bërë disa lëshime të vogla gjithmonë duke besuar që çështja jonë do të rregullohet shumë shpejtë nuk ka ndodhur ashtu”, ka thënë Adrian Morina.
Para hyrjes në grevë, për të tejkaluar këtë proces jo të dëshirueshëm Sindikata thotë se i ka dhënë kohë Ministrisë edhe dy javë të tjera duke angazhuar edhe ndërmjetës për të nënshkruar nëse MKRS do të pranonte negociata me sindikatën, dhe të jepte një datë të saktë se kur mund të ndodhte takimi.
“Më 1 Nëntor ne e kemi dhënë edhe një afat dy javor shtesë qoftë me bisedime te drejtpërdrejta qoftë me ndërmjetësues që të arrihet të nënshkruhet, sepse ndërmjetësi duhet ta njoftojë MKRS, përkatësisht Ministrin, për procedurat çka nënkupton kur pranon të nënshkruash një dokument. Në ditën e fundit të afatit kalimtar përmes ndërmjetësuesit kemi marrë një letër e cila na ka irrituar pa masë, për shkak se aty flitet për sukseset e jashtëzakonshme që janë bërë gjatë kësaj qeverisjeje nga ana e ministrit të kulturës, dhe duket gati-gati ofenduese. Ku gjendet hapësirë të flitet për gjithçka tjetër, vetëm jo për çështjen për të cilën adresohet”, është thënë në konferencë.
Lidhur me diskutimet se nëse kjo grevë ka të bëjë me ndalimin e Festivalit “Moisiu” apo me zgjedhjet e ardhshme, aktori Shkelzen Veseli ka thënë se kjo çështje ka të bëj vetëm me plotësimin e kërkesave të tyre dhe me asgjë tjetër.
“Jo nuk do të lidhet aspak me këtë. Diskutimet dhe kërkesat kanë filluar qysh para dy apo më shumë vitesh. Nuk ka asnjë ndërlidhje as me festivalin e as me premierën. Ne na vjen keq që kjo narrativë po përdoret sikur ne jemi kundër festivalit, ose kundër vetë produkteve tona. Nuk është e vërtetë. Nuk mundet askush tjetër me i dashtë festivalin edhe shfaqjet që i prodhon Teatri Kombëtar më shumë se ne aktorët. Sepse menaxhmenti vjen dhe shkon, kurse festivali ka për të mbetur i yni. Është paradoksale për ne me mendu që jemi kundër festivalit apo shfaqjeve në të cilat luajmë ne vetë”, është shprehur Veseli.
Këtë gjë e ka potencuar edhe aktorja Shëngyl Ismaili, duke thënë që kjo grevë ka të bëjë vetëm me plotësimin e kërkesave si ansambël i teatrit.
“S’ka të bëj me festival, nuk ka të bëj me asgjë. Ka të bëj me të drejtën tonë të cilën jemi duke e kërkuar shumë moti dhe e cila ende nuk është realizuar. Absolutisht është idiotike të mendohet se kjo është bërë kundër festivalit ose premierës në të cilën edhe unë kam pasur me qenë edhe jam pjesë e shfaqjes. Unë Sheqeria edhe Shpëtimi. Është idiotike me përdorë këtë si fakt të kryengritjes tonë sepse nuk ka të bëjë me festival, as me premierën tonë që kemi pasur ta prezantojmë, që sigurisht kur të realizohen kërkesat tona ajo premierë ka për tu mbajtur. Ka të bëj me të drejtat tona të cilat jemi duke i kërkuar ndër vite”, është shprehur Shëngyl Ismaili.
Ndërkaq, Sheqerie Buqaj ka shprehur pikëllim të thellë për pezullimin e punës në teatër, e cila pas pak ditësh do të paraqitej me një rol premierë në TKK.
“Besoj e shihni ne jemi të pikëlluar. Unë personalisht jam tmerrësisht e pikëlluar sepse e kemi ndalur një punë që edhe tri ditë, e kam ndalur një personazh brenda meje që është duke lindur. Shëngyli edhe Shpetimi janë po ashtu pjesë e shfaqjes. Është pikëllim, nuk është ndjenjë që gëzueshme. Ju e dini sakt se greva është mjeti i fundit që vjen, me gjithë hapat që i kemi ndërmarrë paralelisht. Unë po besoj dhe po shpresoj shumë si optimiste e krisur që jam që gjithmonë ka me u bë mirë dhe besoj që ata kanë për ta pasur vullnetin për tu bërë mirë, sepse nuk ka askush interes që kjo punë mos të realizohet. E drejta është në anën tonë 100%, ndoshta edhe përmbi ligjin sepse nuk ka barazi në art. Sepse barazia pa meritokraci krijon anarki”, ka thënë Sheqeria.
Më tej, nga Shkëlzen Veseli është thënë se Ministria ka kohë ende që të jap përgjigjen e tyre, për të mos anuluar shfaqjet e Festivalit Moisiu.
“Nuk është që nuk ka kohë për t’u shpëtuar festivali, nëse kjo është me shumë rëndësi për Ministrinë edhe për menaxhmentin nuk është që jemi larg kohës për ta zgjidhur. Shfaqja është gati me të cilën fillon festivali “Moisiu”, trupat tjera janë zgjedhë. Kështu që kemi kohë, dhe po shpresoj që edhe Ministria do të reagoj për ta shpëtuar festivalin”, ka thënë Veseli.
Përveq pezullmit të shfaqjes “Emira”, pjestarët e sindikatës kanë thënë së besojnë që edhe teatrot tjera do t’i bashkangjiten kauzës së tyre për drejtësi e cila vjen me moton “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”.
Sindikata ka bërë të ditur gjithashtu se komunikimi tash e tutje do të bëhet me Këshillin Grevist, ashtu siç e kërkon ligji. Aktorët kanë thënë se do të jenë çdo ditë në teatër për të punuar në këtë atë hapësirë e cila sipas tyre nuk ka pasur asnjëherë kushte reale për punë./ KultPlus.com
KultPlus jua sjell disa thënie me shumë vlerë nga njerëz të famshëm.
1. Depresioni është si një grua me të zeza. Nëse shfaqet, mos e dëbo. Ftoje brenda, ofroi një karrike, trajtoje si mysafire dhe dëgjo atë që dëshiron të thotë –Carl Jungu
2. Nëse mjeti juaji i vetëm është çekiçi, keni tendencën ta shihni çdo problem si një gozhdë –Abraham Mazlou
3. Është më e thjeshtë të luftosh për një parim, sesa të jetosh sipas tij –Alfred Adler
4. Unë nuk jam ajo që më ka ndodhur, unë jam ajo që kam zgjedhur të bëhem –Carl Jungu
5. Të jesh praktik në politikë, do të thotë të injorosh faktet – Henri Bruk Adams
6. Kush mendon shumë që të bëjë të mira, nuk gjen kohë të jetë i mirë për vete – RabindranathTagore
7. Barra më e rëndë për një fëmijë janë jetët e pajetuara të prindërve –Carl Gustav Jung
8. Nëse mendoni se edukimi është i shtrenjtë, prisni të shikoni sesa kushton injoranca – Barack Obama
9. Nëse doni të jetoni një jetë të lumtur, lidheni atë me një synim, dhe jo me njerëz apo objekte – Albert Ajnshtajn
10. Ju duhet të jeni vetë ndryshimi, që dëshironi të shihni në botë – Mahatma Gandi
11. Gjithçkaje ia dimë çmimin, asgjëje vlerën – Friedrich Nietzsche
12. Vetëm kur e braktisni dikë, bëheni plotësisht të hipnotizuar nga gjithçka që sillet rreth tij. Ky është paradoksi i dashurisë – Erich Maria Remarque
13. Duhet të njohësh shpirtin e njeriut, që të mund t`i admirosh fytyrën – Victor Hugo
14. Ata që nuk bëjnë asgjë, zakonisht janë të parët që kritikojnë për çdo gjë- Charles Spurgeon
15. Mos u mbaj fort pas dikujt që po ikën, përndryshe nuk do të takosh atë që po vjen –CarlGustav Jung
16. Ti dhe vetëm ti mund t’i ndryshosh situatat e tua. Mos fajëso asgjë dhe asnjë për to –Leonardo Dicaprio
17. Të çuditshëm jemi ne njerëzit, harrojmë sa të mëdhenj jemi kur dashurojmë e sa të vegjël kur urrejmë- Azem Shkreli
18. Po nuk foli i marri, nuk dallohet dot nga i urti –Sami Frashëri
19. Kam tri gjëra për t’ju mësuar: thjeshtësi, durim, dhembshuri. Këto janë tre thesaret më të mëdha – Lao Tzu
20. Gjithçka në lidhje me njerëzit e tjerë që nuk na kënaq, na ndihmon që të njohim dhe kuptojmë më mirë veten tonë –Carl Jungu. / KultPlus.com
Qyteti bregdetar i Sarandës vazhdon të mbetet një nga destinacionet e përzgjedhur nga kroçerat dhe anijet turistike, që sjellin turistë të huaj për të vizituar vendin tonë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në një postim në rrjetet sociale ndau pamje nga bregdeti i Sarandës, ku turistët e huaj shijojnë bukuritë dhe kulinarin e qytetit bregdetar, i cili është dhe një nga pikat më atraktive të turizmit detar në vendin tonë.
Në videon e publikuar nga Denaj, vërehet se dhjetra turistë shëtisin përgjatë lungomares, ndalen në dyqane dhe përmes cicëronit dëgjojnë historinë e qytetit bregdetar. Po ashtu, turistët ndalen edhe për të shkrepur foto të rastit, për të përjetësuar çastet e kaluara në Sarandë.
Gjatë këtij sezoni turistik numri i turistëve që vijnë me kroçera ka shënuar një fluks të lartë.
Në Sarandë, gjatë periudhës janar-shtator në portin e Sarandës kanë ardhur 50 tragete turistike, nga të cilat 25 kanë qenë kroçera, me turistë të kombësive të ndryshme. Pjesë e itinerarit të turistëve kanë qenë vizitat në pikat turistike të Sarandës si Butrinti, Kalaja e Lëkurësit, plazhet e shumta në qytetin bregdetar, si dhe qytetet e Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës etj. Gjatë këtij viti në port kanë ndaluar 400 jahte.
Plazhet e kristalta të detit Jon dhe trashëgimia e pasur kulturore tërheqin çdo vit e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.
Kryeveprat e dy kompozitorëve të mëdhenj botëror Robert Schumann & Rchard Strauss vijnë nëpërmjet sopranos së njohur Besa Llugiqi në koncertin “Side by side- Schumann & Strauss”, i cili do të mbahet në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.
Koncerti me kryeveprat e kompozitorëve të njohur do të jepet nën përcjelljen e pianistit Misbah Kaçamaku.
Mbrëmja artistike do të mbahet më 22.11.2024, në ora 19:00, në hollin koncertor të Teatrit të Operës dhe Baletit – Tiranë./ KultPlus.com
Bora e parë ka mbuluar fshatin Tugjec të Komunës së Kamenicës, duke dhuruar një peisazh të mrekullueshëm të stinës së dimrit.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka publikuar një fotografi në të cilën shihet se bora ka mbuluar fshatin Tugjec, duke i dhënë vendit një pamje fantastike.
“Një fotografi e mrekullueshme, që pasqyron bukurinë e borës së parë në fshatin Tugjec të Kamenicës. Pamja kap qetësinë dhe hijeshinë natyrore të këtij peizazhi dimëror, duke sjellë një ndjesi të veçantë të lidhjes mes natyrës dhe artit të fotografisë. Një imazh që të fton të shijosh bukurinë dhe freskinë e natyrës në heshtjen e saj më të pastër. Përveç pasurisë natyrore, Tugjeci është habitat i një numri të madh kafshësh të egra që mbrohen me ligj, duke e bërë atë një vend të veçantë për ruajtjen e biodiversitetit”, ka shkruar ai në facebook./ KultPlus.com
Victoria Kjær Theilvig e Danimarkës është kurorëzuar Miss Universe 2024, duke u bërë danezja e parë që ka fituar ndonjëherë këtë konkurs.
21-vjeçarja, një kërcimtare konkurruese, sipërmarrëse dhe avokate aspiruese, mundi më shumë se 120 konkurrente të tjera për të fituar konkursin vjetor të bukurisë në Mexico City të shtunën mbrëma, shkruan CNN.
Në finalen e këtij viti shfaqi një performancë edhe këngëtari Robin Thicke, ndërkaq spektakli u drejtua nga ylli i “Saved by the Bell” Mario Lopez dhe ish-Miss Universe Olivia Culpo.
Konkursi i shkëlqyeshëm filloi me konkurrentët që u ngushtuan në një listë të ngushtë prej 30, bazuar në rezultatet e ngjarjes paraprake të së enjtes, e cila përfshinte një konkurs madhështor të kostumeve kombëtare . Më pas gjysmëfinalistët parakaluan me rroba banje, përpara se 12 prej tyre të kalonin në një garë fustanesh mbrëmjeje.
Pesë konkurrentët e fundit më vonë u përballën me pyetje mbi një sërë temash, duke përfshirë udhëheqjen dhe qëndrueshmërinë. Kur e pyetën se si do të jetonte ndryshe nëse askush nuk do ta gjykonte, Theilvig u tha gjyqtarëve se nuk do të ndryshonte asgjë, duke thënë: “Unë jetoj çdo ditë”.
Kur u pyet më vonë se çfarë do t’u thoshte atyre që shikonin, Theilvig u kërkoi shikuesve që “të vazhdonin të luftonin … pa marrë parasysh se nga vini”.
“Unë qëndroj këtu sot sepse dua një ndryshim, dua të bëj histori dhe këtë po bëj sonte,” tha ajo.
Chidimma Adetshina e Nigerisë përfundoi si nënkampione e parë dhe Maria Fernanda Beltran e Meksikës u emërua nënkampione e dytë. Suchata Chuangsri nga Tajlanda dhe Ileana Marquez Pedroza nga Venezuela pasuan – me Pedroza, një nënë 28-vjeçare, që bëri histori në pesëshen e parë pasi konkursi hoqi disa kufizime në vitet e fundit./ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përkujtoi sot 80-vjetorin e Çlirimit të Tiranës përmes një postimi në rrjetet sociale, duke ndarë një vepër artistike ikonike nga koleksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve.
“17 Nëntori, 80 vjet nga çlirimi i Tiranës,” shkroi ministri, duke shoqëruar postimin me veprën “Çlirimi i Tiranës” të piktorit Bukurosh Sejdini, realizuar në vitin 1957.
Vepra, e cila është pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve, sjell në kujtesë emocionet dhe heroizmin e atyre ditëve historike që çuan në çlirimin e kryeqytetit, duke mbetur një simbol i sakrificës dhe lirisë për të gjithë shqiptarët./atsh/ KultPlus.com
Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur barazimin e parë në këtë edicion të UEFA Nations League, kundër Çekisë në “Air Albania”.
E trajneri Sylvinho tha se është shumë i kënaqur me lojëtarët, duke thënë se luajtën më mirë se në ndeshjen me Pragën, transmeton Klankosova.tv.
Me arritjen e këtij barazimi, trajneri shton se kjo pozitë i lë të hapur për vendin e parë.
“Barazimi është rezultat që lë çdo gjë hapur, ky është një grup i ekuilibruar. Çekia është e fortë, t’ja ulësh ritmin e vështirë. Nuk më kanë pëlqyer 20 minutat e para, por teknikisht jam i lumtur me lojtarët dhe çdo gjë është e hapur”, tha Sylvinho.
“Duke qenë se janë lojtarë të gjatë, është ekip i vështirë. Jo se lojtarët tonë nuk i janë përgjigjur skemave, kanë bërë shumë mirë. Ato fizikisht janë shumë mirë, duke ushtruar presion mund të nxjerrin lojtarë përpara dhe duke pasur kualitet skuadra mund të bëjnë shumë mirë”.
“Kemi bërë përshtatje, ndryshime nga ndeshja në Pragë, po të luanim si atje do kishim humbur. Lojtarët u përgjigjën. Ato kanë lojtarë që fizikisht më të mirë, nëse marrin top të gjatë kanë mundësi të jenë shumë të mirë në sulm. Kemi parë çfarë ndodhi në Pragë, jemi përshtatur, por shumë e vështirë me një ekip që ka fizik të tillë”.
“Mendoj se duke qenë që kemi marr barazim na lë hapësirë për vendin e parë. Kemi ndjekur dhe kampionatin çek që shumë i fortë. Ne kemi ndryshe stilin e lojës, më teknik, luajmë një futboll me fushë të ulët. Nga katër ndeshjet që kemi luajtur, ne kemi fituar 1, ato 1 dhe kemi dy barazime”, u shpreh Sylvinho për mediat.
“Expres Zagłębia” ka botuar, më 19 prill 1939, në faqen n°3, rrëfimin ekskluziv të Mbretit Zog ndaj një gazetari polak në Greqi mbi arsyen e vërtetë të largimit të tij nga Shqipëria, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Pse nuk qëndrova në Shqipëri?
Burimi : Expres Zagłębia, 19 prill 1939, faqe n°3
Intervista e korrespondentit të A.P. “Kabel” me Mbretin Ahmet Zogu
Korrespondenti i A.P. “Kabel” arriti të fliste me ish-mbretin e Shqipërisë, Ahmet Zogu, gjatë ditëve të para të dëbimit të tij. Ne e paraqesim këtë korrespondencë si një përsëritje të një bisede që u zhvillua me gjithë vështirësitë e shumta dhe kufizimin e pamëshirshëm të hyrjes në rrethin mbretëror nga autoritetet lokale greke.
— Zotëri, Madhëria e Tij nuk jep asnjë intervistë, por absolutisht asnjë, thotë sekretari flokëzi, duke theksuar çdo fjali me një gjest energjik.
— Të lutem, vetëm…
— E di, bëj një pyetje fare të vogël, asgjë më shumë.
Duhet të besoni se ndonjëherë kjo goditje proverbiale e lumturisë do të thotë më shumë se “çdo gjë tjetër”. Dikush ktheu dorezën e derës dhe pashë mbretin e dëbuar.
Ahmet Zogu më vështroi mua dhe sekretarin e tij me një vështrim të mprehtë dhe depërtues.
— Gazetar ?
— Po, Madhëri.
— Ne nuk japim asnjë intervistë. Nuk është koha për këtë.
— Lartmadhëria juaj, — e ndërpreva unë, pavarësisht të gjitha rregullave të mirësjelljes, — unë jam polak. Përfaqësues i një kombi që ka simpatizuar gjithmonë Shqipërinë, a mund të më shpjegoni Lartmadhëria juaj si ndodhi kjo ? Pse u largua Lartmadhëria juaj nga Shqipëria ?
Ahmet Zogu më shikoi me vëmendje. Madje me shumë kujdes.
— Kjo që do t’ju them nuk do të jetë një intervistë. Është thjesht një deklaratë e një patrioti për një komb të rekrutuar ekskluzivisht nga patriotët.Aneksimi i Çekosllovakisë na indinjoi të gjithëve në Shqipëri. Askush në atë kohë nuk mund ta merrte me mend se brenda pak ditësh do të ishim viktimat e radhës të dhunës së ushtruar nga shtetet e “Boshtit”.Ne u mbrojtëm, pa asnjë mundësi fitoreje. E dija se vazhdimi i aksionit ushtarak që kisha planifikuar do të rezultonte vetëm në shumë viktima tragjike për shkak të dhunës së njëqindfishtë. Më besoni, do të ishte më e lehtë për ta bërë këtë dhe për të fituar popullaritet në botë në kurriz të popullit tuaj sesa të hiqni dorë nga një luftë kaq e pabarabartë.Por moralisht, nuk do të dorëzohem kurrë.
Si sot 80 vite më parë Tirana u çlirua nga pushtuesit nazifashistë.
Ky moment historik konsiderohet si operacioni i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.
Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së i Sulmuese. Shtabi i Korparmatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.
Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).
Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.
Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH. Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij./ atsh/ KultPlus.com
Ekoturizmi në zonat e mbrojtura në qarkun e Vlorës vitet e fundit ka njohur një rritje të numrit të vizitorëve, të cilët gjithnjë e më shumë po zbulojnë vlerat turistike të këtyre zonave.
Në qarkun e Vlorës ndodhen këto zona të mbrojtura Parku Kombëtar Detar “Karaburun Sazan”, Parku Kombëtar i Butrintit, Parku Kombëtar “Llogora”, Parku Kombëtar “Butrint”, Peizazhi i Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, Parku Natyror Porto Palermo, Syri i Kaltër dhe Parku Natyror Karaburun.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë bën të ditur për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-tetor këto zona të mbrojtura u vizituan nga 761 080 vizitorë”.
“Ajo që bie në sy gjatë këtij viti është numri i madh i vizitorëve të huaj, ku në 10 muaj këto zona u vizituan nga 467 813 të huaj dhe 293 267 vendas”, tha AdZM Vlorë.
Ndër më të vizituarat në këto 10 muaj është Parku Natyror “Syri i kaltër”, i cilësuar si perla e turizmit veror.
“Në periudhën janar-tetor ky park u vizitua nga 258 774 vizitorë, nga të cilët 177 777 të huaj dhe 80 997 vendas”, bën të ditur AdZM Vlorë.
Infrastruktura e re për këmbësorë e çiklistë e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt këtij parku natyror, duke e bërë të aksesueshme më lehtë për turistët.
Një tjetër zonë e mbrojtur që ka shënuar numër të lartë vizitorësh është Parku Kombëtar i Butrintit.
“Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëravjeçare ngjall kuriozitetin e turistëve nga vende të ndryshme të botës. Në janar-tetor Parku Kombëtar Butrint u vizitua nga 195 216 vizitorë, nga të cilët 51 823 vendas dhe 143 393 të huaj”, tha AdZM Vlorë.
Vitet e fundit zonat e mbrojtura të qarkut Vlorë po promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit gjatë periudhës janar-tetor 4.9 milionë vizitorë janë shënuar në zonat e mbrojtura, që nga parqet kombëtare, parqet natyrore e deri te monumentet e natyrës në të gjithë vendin./atsh/ KultPlus.com
Më datë 19 nëntor, ora 20:00, në hollin e Operës dhe Baletit Nacional do të mbahet ngjarje ekskluzive gala me titull “Gratë e Puçinit” në kuadër të projektit “Muaji i Puçinit”.
Publiku do të ketë mundësi të rrallë për të shijuar interpretimet e disa prej arieve më të spikatura dhe më të njohura nga kompozitori i madh italian Xhakomo Puçini. Në gala manifestimin ekskluziv do të interpretojnë solistët tanë të operës Vesna Gjinovska Ilkova, Sandra Mitrovska, Pavlina Novakova Georgiev, Zllata Toshevska, Aleksandra Llazarevska Vasilevski, Katerina Stojanovska, Biljana Josifov dhe Ilina Mitrevska, me shoqërimin e pianos: Andrej Naunov, regjisor i ngjarjes është Dejan Proshev.
Në të njëjtën kohë, në holl është ngritur ekspozitë nga arkivi i pasur i Operës dhe Baletit Nacional, me titull “Puçini nëpërmjet historisë së OBN”.
Si institucion, ne kemi përgjegjësinë për të kultivuar artin dhe për t’ua përcjellë atë brezave të ardhshëm. Jemi të përkushtuar për të pasuruar skenën kulturore të vendit nëpërmjet repertorit dhe ngjarjeve të përshtatura për të gjitha moshat.
Kjo ngjarje përfaqëson kulmin e ofertës sonë kulturore vjetore dhe mundësi për t’u shoqëruar me artistët dhe ekipin kreativ të Operës Nacionale në atmosferë të jashtëzakonshme.
Në Shqipëri gjenden dy liqenet më të rëndësishëm në Kontinentin e Vjetër. Kështu shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në “Lonely Planet Italia”, në të cilin flitet për liqenet e Shkodrës dhe të Ohrit.
Për liqenin e Shkodrës thotë se është më i madhi në gadishullin Ballkanik, ndërsa ai i Ohrit më i vjetri në Evropë. Jo keq për një komb që ka përafërsisht madhësinë e Toskanës, thuhet në artikullin e “Lonely Planet Italia”.
Këto dy liqene dhe rrethinat e tyre nuk janë ende të prekura nga turizmi masiv, por turistët italianë tërhiqen nga plazhet si në kartolina përgjatë bregdetit dhe atmosfera e kryeqytetit Tiranë.
Nga viti 2022, organizatat italiane COSV dhe VIS kanë si objektiv të tyre vlerësimin e këtyre dy territoreve kufitare liqenore dhe promovimin e një modeli të ri turizmi që ka qëndrueshmërinë mjedisore dhe përfshirjen e komuniteteve lokale në qendër të tij. Një model turistik në kontrast të plotë me atë që ka karakterizuar rajone të tjera të vendit, veçanërisht ato bregdetare.
Ndër të tjera në këtë artikull fshati Lin në veri të Pogradecit konsiderohet një nga më magjepsësit në Ballkan. Aty ndodhet vendbanimi më i vjetër në Evropë, mbi 8 000-vjeçar. Këtë e vërtetuan rezultatet e gërmimeve të kryera prej mbi katër vitesh nga arkeologët shqiptarë dhe nga Universiteti i Bernës.
Një vend ku shenjtëria, historia dhe kultura, përfshirë gastronominë, janë të ndërthurura pazgjidhshmërisht. Mokra është një tjetër destinacion që rekomandohet të përfshihet patjetër në listën e udhëtimeve të turistëve.
Në këtë artikull vihet në dukje fakti që në muajt e ardhshëm, do të hapen katër shtigje të reja ecjeje midis Liqenit të Shkodrës dhe maleve, që do të jetë një mbështetje për zanatet e grave në fshatrat në periferi të Shkodrës dhe rritjen e promovimit turistik të plazheve në pjesën lindore të liqenit.
Këto janë të gjitha arsyet e mira për të planifikuar një udhëtim në Shqipëri vitin e ardhshëm./ KultPlus.com
Një portret i poetit francez Arthur Rimbaud i pikturuar nga poeti Paul Verlaine në formën e tij origjinale do të dalë në shtëpinë e ankandeve Drouot në Paris më 2 Dhjetor.
Piktura që përshkruan Rimbaud duke tymosur një llull është një nga imazhet më të njohura të poetit të shekullit të 17-të, i zgjedhur nga Verlaine për kopertinën e “Poezive të plota” të Rimbaud, por origjinali nuk ishte shfaqur kurrë në publik.
“Ky vizatim është veçanërisht i rëndësishëm sepse nuk është parë kurrë më parë. Kjo do të thotë se është hera e parë në 130 vjet që ne do të mund ta shikojmë atë personalisht. Megjithatë, ne tashmë e dimë për të sepse është riprodhuar vazhdimisht, sepse është një vizatim që Verlaine zgjodhi në 1895 për ta përdorur si kopertinë për Poezitë e Plota të Rimbaud -it.”
Shtëpia e ankandeve Tessier-Sarrou do të shesë të gjithë koleksionin Hugues Gall (hjugs gall) që zotëronte këtë vizatim. Vizatimi vlerësohet të shitet nga 100,000 deri në 200,000 Euro.
Dy poetët e njohur francezë, të cilët u takuan në vitin 1871, patën një marrëdhënie shumë të trazuar, me Verlaine që u përpoq të vriste Rimbaud./ KultPlus.com
Skena në stadiumin “Caja Magica” në Madrid të Spanjës, u shndërrua në një arenë magjike për talentet e rinj të Europës, dhe një nga yjet që u ngjit është edhe 12-vjeçarja shqiptare, Nikol Çabeli.
Në skenën e madhe në Madrid, ku performoi me këngën e saj “Vallëzoj”, Nikol përcolli mesazhin e fuqishëm të dashurisë ndaj natyrës dhe harmoninë e jetës.
Kryeministri Edi Rama ndau momente nga performanca e saj në “Eurovision Junior 2024”.
“Shkëlqen në skenën ndërkombëtare Shqipëria”, u shpreh Rama.
Nikol Çalebi performoi e treta, duke mbajtur kodin e votimit 03.
Këtë vit “Junior Eurovision 2024” po zhvillohet në stadiumin “Caja Magica” në Madrid të Spanjës, ku 17 të rinj të talentuar ndezin skenën me performancat dhe zërin e tyre./ KultPlus.com
Ndërsa presidenti i sapozgjedhur Donald Trump bëhet gati për të marrë detyrën, një proces i koordinuar me kujdes është duke u zhvilluar, për të transferuar pushtetin nga administrata që po largohet tek ajo e re. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Salem Solomon na sjell këndvështrimet e ekspertëve se si qeveria federale po përgatitet për këtë moment kyç në demokracinë amerikane.
Një transferim paqësor i pushtetit – një traditë e qëndrueshme, një premtim solemn dhe një komponent i rëndësishëm i demokracisë amerikane.
Pasi zgjidhet një president amerikan, ka një mori aktivitetesh përpara se ai të bëjë betimin.
Shtatëdhjetë e gjashtë ditë nga zgjedhjet deri në ditën e inaugurimit mund të tingëllojnë si kohë e mjaftueshme, por kalimi nga një administratë në tjetrën nuk është aspak i thjeshtë, thotë Michael Shurkin, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe tani është drejtor i programeve globale në firmën “14 North Strategies”.
“Duam të sigurohemi që presidenti të ketë sukses. Pra, nëse ata duan të rishikojnë politikat, ne do t’i ndihmojmë ta bëjnë këtë duke u thënë ato që dimë dhe duke u shpjeguar se çfarë po ndodh“, thotë ai.
Presidenti i zgjedhur e merr zyrtarisht detyrën më 20 janar, por planifikimi duhet të fillojë shumë më herët, thotë Valerie Smith Boyd me Qendrën për Tranzicionin Presidencial.
“Është një detyrë jashtëzakonisht e madhe dhe gjëja e parë që organizata jonë bën është të nxisë kandidatët presidencialë që ta fillojnë procesin e planifikimit që në pranverën e vitit zgjedhor. Sigurisht që ata kanë një fokus të madh tek fitorja e zgjedhjeve, por gjithashtu duhet të krijojnë një organizatë të veçantë që konsideron se si të shqyrtojë qindra mijëra biografi për të përzgjedhur saktësisht njerëzit e duhur, për t’i shndërruar premtimet e tyre politike në veprime”, thotë zonja Boyd.
Plotësimi i posteve qeveritare nuk është punë e vogël. Shumë nga pozicionet kërkojnë konfirmimin e Senatit, ndërsa të tjerat duhet të kalojnë në procesin e certifikatës së sigurisë, duke krijuar kështu një periudhë delikate, thotë ekspertja Boyd.
“E shohim periudhën e tranzicionit si një periudhë delikate për vendin, sepse të emëruarit politikë, udhëheqësit e lartë po largohen nga administrata. Mund të ketë vonesa në futjen e njerëzve të rinj, dhe sigurisht që mund të krijojë disa sfida në komunikim, ose në kuptimin e rregullave dhe përgjegjësive”, thotë zonja Boyd.
Shtetet e Bashkuara kanë një traditë të gjatë të transferimit paqësor të pushtetit që i ka fillesat në vitin 1797, kur George Washington ia dorëzoi presidencën John Adamsit. Në themelet e një transferimi të suksesshëm të pushtetit, thotë zonja Boyd, është komunikimi i qartë dhe efektiv.
“Një transferim paqësor i pushtetit në rastin më të mirë, bëhet me dy ekipe, një që vjen dhe një që largohet. Ata ndajnë informacion dhe bashkëpunojnë nga afër për të mbrojtur vendin dhe botën nga rreziqet shumë serioze”, thotë ajo.
Zoti Shurkin thekson se, në fund të fundit, ruajtja e një demokracie të qetë është më e rëndësishme se kush i fiton zgjedhjet.
“Që një demokraci të funksionojë, të gjithë duhet, në një nivel të caktuar, të kuptojnë se për sa kohë që sistemi funksionon, sistemi është disi më i rëndësishëm se ata. Integriteti i sistemit është më i rëndësishëm se nëse kandidati juaj i preferuar i fitoi apo i humbi zgjedhjet. Dhe unë mendoj se kjo ka qenë historikisht një arsye e rëndësishme përse demokracia amerikane ka qenë kaq e qëndrueshme dhe kaq relativisht e suksesshme”, thotë eksperti Shurkin.
Ndërsa vendi përgatitet për inaugurimin e ardhshëm presidencial, procesi i transferimit të pushtetit risjell në vëmendje njerëzit që punojnë larg syve të opinionit publik, të cilët mundësojnë që demokracia të funksionojë./VOA/ KultPlus.com
Në vitet ’90, një organizatë ndërkombëtare,një nga ato që operonin në Kosovë në atë periudhë të trazuar, solli kondomë në Gjimnazin “Sami Frashëri” si pjesë e një programi për edukimin seksual.
Në atë kohë, koncepti i edukatës seksuale ishte ende një temë tabu në shumë sfera të shoqërisë kosovare, e sidomos në mjediset konservatore.
Shpërndarja e kondomëve në shkollë shkaktoi reagime të ashpra, sidomos kur një vajzë nga një familje patriarkale u zbulua nga prindërit se kishte marrë një kondom. Situata u përkeqësua, dhe familja reagoi me zemërim ndaj shkollës, duke kërkuar shpjegime dhe duke e parë këtë veprim si një provokim të rëndë ndaj vlerave tradicionale.
Ky episod është një nga tregimet e asaj kohe që kujtohet ende nga ata që ishin nxënës të Gjimnazit “Sami Frashëri”.
Sot, situata ka ndryshuar, por debati mbetet i ndezur. Me përfshirjen e një doracaku të ri për edukatën seksuale në shkollat tona, reagimet janë të ashpra nga një pjesë e shoqërisë dhe veçanërisht nga disa politikanë të opozitës, të cilët e shohin këtë si një çështje morale dhe kulturore. Disa prej tyre kanë ngritur edhe kallëzim penal ndaj Ministres së Arsimit, duke e konsideruar këtë material si provokim ndaj normave shoqërore.
Në rrjetet sociale, të ashtuquajturit “rojtarë të moralit” shpërndajnë opinione të forta, dhe debate të ethshme përshkojnë platformat digjitale, duke e bërë çështjen më të dukshme dhe më të diskutuar se asnjëherë më parë.
Historikisht, edukata seksuale ka pasur një trajektore të ndryshme në vende të ndryshme të botës. Për herë të parë, lëndët e edukatës seksuale u futën në shkollat publike në Suedi, në vitin 1955, me qëllim që të ofronin një qasje të bazuar në shkencë për çështjet e seksualitetit dhe shëndetit riprodhues. Më vonë, shumë vende të tjera ndoqën këtë shembull, duke e përfshirë edukatën seksuale si pjesë të kurrikulave të shkollave.
Në shoqëritë tradicionale si ajo shqiptare, në Kosovë po edhe në Shqipëri, dija dhe përgatitja për martesë ishte kryesisht përgjegjësi e familjes, dhe nuk trajtohej hapur në shkollë. Djaloshi, po ashtu edhe vajza, përgatiteshin për natën e parë të martesës, një proces që ndodhte brenda mureve të familjes dhe në përputhje me zakonet e trashëguara.
Edhe sot e kësaj dite, në disa vende të botës, edukata seksuale është ende një temë tabu, dhe përfshirja e saj në sistemin arsimor vazhdon të hasë në rezistencë. Në mjediset moderne dhe digjitale të sotme, ku informacionet janë të qasshme lehtësisht përmes rrjeteve sociale dhe internetit, debati për edukatën seksuale në shkolla nuk është thjesht një çështje përmbajtjeje, por edhe një reflektim i përplasjes së vlerave tradicionale me botën moderne dhe qasjen ndaj të drejtave dhe shëndetit seksual të të rinjve./ KultPlus.com
Tifozët e Shqipërisë, kanë nisur marshimin e tyre drejt stadiumit “Air Albania”, aty ku do të luhet ndeshja ndaj Çekisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Me këngë, flamuj dhe flakadanë të shumtë, tifozët kanë ndezur atmosferën pak orë para ndeshjes.
Në numër të madh, tifozët po marshojnë të organizuar drejt stadiumit. Spektakli në tribuna është i garantuar, kjo edhe për shkak se janë shitur të gjitha biletat.
Ndeshja Shqipëri-Çeki, do të transmetohet në Tv Klan, duke nisur nga ora 20:45./ KultPlus.com