Një natë pa gjumë

Poezi nga Migjeni

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.
Pak dritë! 0 burrë! 0 hero’ ngado që të jesh. ….
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.
Porpishë nuk karn e vetëmjanë burrat, shokët…
Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë…
Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot…
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt.
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
– Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala ejote?
Kur ti këndon thonë se asht afer drita…
Por un s’besoj sonte në Çalët e ksaj bote.
Hiqmuni qafe, mendimet
Ojastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andm’min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin./ KultPlus.com

Botimi i studimit të historianëve, Rama: Interes për të zbardhur historinë e shqiptarëve

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në kryeministri, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Shqiptare dhe UET Press promovuan mbrëmjen e së enjtes librin “Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”.

Ky botim erdhi për lexuesin në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të atdheut nga forcat nazifashiste, nën kujdesin e prof. Nevila Nika, drejtuese e Akademisë së Studimeve Shqiptare dhe historianëve Florian Çullhaj, Marenglen Kasmi, Çelo Hoxha dhe Hasan Bello.

Ai hedh dritë mbi fakte të qëmtuara deri në thellësi, për t’u lënë gjeneratave të ardhshme një dokument që flet mbi luftën e popullit shqiptar ndaj pushtuesve.

Në aktivitetin e organizuar në COD, mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili përshëndeti aktivitetin, duke kujtuar se fakte të tilla dhe kërkimet historike i japin historisë një përmasë përtej atyre fakteve që kemi trashëguar nga një tjetër regjim.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama gjatë promovimit të librit “Të gjithë të rënët e Luftës II Botërore”, studim i Akademisë së Studimeve Shqiptare

Më vjen shumë mirë që sot është mundësia të diskutohet mbi një çështje të hapur. Është çështje e hapur sepse pas Luftës së Dytë Botërore u vendos një regjim diktatorial, i cili e shkroi historinë duke i mëshuar me të gjithë brutalitetin e vet shprehjes “historinë e shkruajnë fitimtarët”.

Pas rënies së regjimit diktatorial, pavarësisht se fitimtarët e radhës nuk e kishin brutalitetin e atij regjimi, por ishin vijimësi e atij regjimi në aspektin e mendësisë, përsëri kjo çështje mbeti një çëshjte që më shumë sesa historianëve iu la të gjithë atyre që me mënyra dhe rrugë të ndryshme mund të bëjnë vetëm dëm, kur ndërhyjnë në fushën e shkrimit të historisë.

Kanë kaluar shumë vite, por përsëri besoj se nuk janë mjaftueshëm për distancën dhe qetësinë e nevojshme për ta shkruar historinë e Luftës së Dytë Botërore, edhe pse kanë kaluar vite dhe të gjitha dokumentet e burimet janë të mjaftueshme për të arritur në konkluzione relativisht objektive. Them relativisht, pasi unë besoj se në të gjitha rastet, edhe për historianët vetë, objektiviteti absolut është i pamundur. Historia, edhe kur shkruhet mbetet me lirinë e plotë, nga çdo lloj zgjedhje e jashtme, një produkt relativ.

Më vjen mirë që ende ka forca dhe individë që janë të interesuar që të kontribuuojnë për një shkrim relativisht objektiv të Luftës së Dytë Botërore. Edhe Akademia e Shkencave është e interesuar në shkrimin e historisë së shqiptarëve, por ende mesa unë jam informuar, nuk ka hyrë në këtë fazë të historisë që është faza ku fillon vështirësia e distancimit të emocioneve dhe prirjeve individuale.

Gjithashtu, kam një farë besimi, se çfarëdo që të prodhohet sot e në vijim, do të jetë shumë më pak e ngarkuar sesa pavionët e Muzeut Kombëtar, të bëra me konsulencën e historianëve para dhe pas rënies së diktaturës, të cilat për hir të së vërtetës e tregonin si në një pasqyrë se sa e ngjashme ishte para dhe pas diktaturës qasja e historisë, duke e tërhequr maksimalisht nga vetja litarin, pra nga interesat e pushtetit politik të radhës.

Sa më takon mua dhe qeverisë shqiptare, sot e një dekadë nuk ka asnjë interes për të ndërhyrë në punët e historianëve dhe asnjëlloj kompleksi për të ndërhyrë në të gjitha të vërtetat e historisë. Duke falenderuar dhe duke shprehur respekt e mirënjohje për të gjithë  juve dhe të gjithë ata që përpiqen në këtë lëmë, më lejoni që të kërkoj ndihmë nga Zoti që historianët e rinj, të kenë sadopak nga ndërgjegjia dhe pasioni juaj, ashtu sikundër duke ua qarë hallin atyre të kenë sadopak fakte historike të qarta kur të vijë radha për të shkruar historinë e këtyre kohëve, kur qeveritë dhe shtetet komunikojnë më shumë me SMS sesa me shkresa.

Kjo do të jetë një sfidë e madhe për historianët, sepse të gjitha letrat e dërguara, të gjitha korrespondencat e prodhuara nga shkëmbimet e letrave kanë qenë një nga ingredientët më të rëndësishëm të kuzhinës së historisë. Këto nuk janë më në atë kuzhinë, ose janë në sasira që mund të  krijojnë më shumë keqkuptime sesa të japin informacionin e plotë, pasi pjesa më e madhe e korrespondencave janë në platformë telefonash.

Ngushëllimi i madh është që kur të vijë koha për të shkruar historinë asnjëri nga ne nuk do të jetë gjallë./KultPlus.com

Dëshira të thjeshta

Gioconda Belli 

Sot i kisha dashtë gishtat e tu me më shkrue histori në lkurë
e kisha dashtë puthje në shpindë
me më marrë para duersh,
me më thanë të vërtetat ma të mëdha
o ma të mëdhatë gënjeshtra. 
Me më thanë për shembull 
që jam gruja ma e bukur e botës
që më do shumë,
gjana si këto, 
aq të thjeshta, 
aq të përsëritshme.
Që me më rrethue ftyrën
e me më ndejtë tue më pa sytë,
sikur jeta jote të varej prej buzëqeshjes së të mive
tue ngatërrue të gjitha pulëbardhat në shkumë. 
Due gjana, si me ecë në trupin tim
udhë e pyllëzume dhe kundërmuese
me qenë ti shiu i parë i dimnit 
me të lanë me ra kadalë,
e ma pas në breshën.
Gjana due, si nji vorbull të madhe ambëlsie 
tue u zhdukë
nji zhurmë e nji kërmilli, 
nji akuarium me peshq në gojë. 
Diçka të tillë, 
të njomë e lakuriqe
si nji lule në prag të dhanies së dritës parë
të agimit
ose thjesht nji farë, nji pemë
pak barë
nji përkdhelje që të më bâjë me harrue 
kalimin e kohës
luftën
rreziqet e vdekjes. /KultPlus.com

“S’kam sharë kurrë asnjë grua”


Krijimtaria e letrare e poetit të shquar Dritëro Agolli është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.

Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’ 60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.

Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike.

Larmia e vargjeve të tij është e pafundme, por kemi përzgjedhur sot 5 poezi të Dritëro Agollit, që i kushtohen gruas.

1. GRATË PËR MUA
Kam dashur çdo grua pa masë,

Në rrugë, në dhomë e kuzhinë,

Madje dhe lart në tarracë,

Ku ndejnë rroba e fshijnë.

Në zënka s’kam sharë asnjë grua,

S’kam shkruar keq në asnjë fletë.

Do vdes.

Do flasin gratë për mua:

“Ky ishte poet i vërtetë”.

2. MJELMA
Yt shoq me një çifte një mjelmë vrau në liqen,

Kur dihet se mjelma nuk vritet.

E tmerrshme vërtet, më tutje ç’të them,

Nga bota e çmendur e çfarë nuk pret!

Po mbase e vrau i krekosur, që ti

Si mjelma të dridhesh nga frika.

E dashur, largohu me vrap nga ai

Dhe rrugës mos thuaj as “ika”…

3. I PËRNDJEKURI I DASHURISË

Unë jam i burgosuri yt,

Rroj me prangat që ti m’i ke vënë,

Po çudi, as qelia s’më mbyt

Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,

Unë i putha duart e tua,

Është rast i pashëmbullt ta dish,

Që xhelatin ta puth e ta dua!

I përndjekuri yt erotik,

I përndjekur të mbetet gjithmonë!

Erotik i mirë a i lig,

Hidhmi duart në fyt, torturomë!

Ky burgim sa do zgjasë s’e di:

I përjetshëm do kisha dëshirë,

Veç ti eja më shpesh në qeli,

Të përndjekurit tënd i vjen mirë…

4. NGAHERË NË PRITJE
Sërish të pres të vish:

Na qënka jeta pritje

Në shpirt, në gjak, në mish,

Në gaz e në mërzitje.

Dhe unë e them ta dish:

Sa dukesh ti në derë

Pranvera hyn në shpirt

Dhe shpirti në pranverë.

5. DASHURI E VËSHTIRË

Ti në kanape tani dremit

Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,

Abazhuri mbi qerpikë ndrit

Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:

Jemi dashuruar edhe sharë

Jemi ndarë shpesh në udhëtim,

Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon

Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë

Unë, ndonëse pi dhe mogadon,

Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Të kam pasur ëndërr çast e orë,

Ëndërr të trishtuar dhe të mirë

Po të jem vërtetë një Pitagorë

Ti je teorema më e vështirë…/KultPlus.com

227 vite më parë u lind Gaetano Donizzeti, interpretuesi më i madh i melodramës

Kompozitori italian Gaetano Donizetti, i njohur më së shumti për afro 70 operat që shkroi, duke përfshirë “L’elisir d’amore” dhe “Lucia di Lammermoor”, lindi në këtë ditë 227 vjet më parë, shkruan faqja radiogold.it.

Donizetti ishte një nga interpretuesit më të mëdhenj të melodramës në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij u luajtën në të gjitha teatrot kryesore italiane dhe evropiane. Ai vdiq në Bergamo më 8 prill 1848.

Së bashku me Rossinin dhe Bellinin, Donizetti llogaritet ndër kompozitorët më të rëndësishëm italianë, si dhe autori më i famshëm nga Bergamo.

Gjithë rininë e tij e kaloi me familjen, midis qytetit të sipërm dhe Kanalit të Borgos, në kushte varfërie ekstreme. Falë mbështetjes së drejtorit të shkollës së muzikës, gjermanit Simon Mayr, Donizetti mori një arsim solid muzikor në Bergamo.

Pas periudhave të tij në Milano, ai u largua nga vendlindja e tij Bergamo për në Napoli në moshën 24-vjeçare, pasi kishte shkruar tashmë 8 vepra.

Donizetti megjithatë e kaloi pjesën më të madhe të kohës së tij artistike produktive në Napoli. Atje, gjatë 15 viteve të ardhshme, kompozitori prodhoi 25 vepra për premierën në teatrot lokale.

Ashtu si Rossini, ai prodhoi edhe për teatro të tjerë dhe bëri turne në Itali pa u lodhur, duke i shpëtuar edhe epidemisë famëkeqe të kolerës në Napoli./ora/KultPlus.com

100 vjet nga vdekja e kompozitorit të muzikës klasike, Giacomo Puccini

Më 29 nëntor 1924, Giacomo Puccini vdiq në Bruksel. I lindur në Lucca më 22 dhjetor 1858, si djalë ai nuk shkëlqeu aq shumë në studimet e tij, saqë xhaxhai i tij nga nëna, të cilit iu besua pas vdekjes së parakohshme të të atit, arriti ta përkufizojë atë si “falento”, një dembel pa talent, transmeton KultPlus.

 Edhe në seminar, rezultatet vazhduan të ishin të dobëta, veçanërisht në matematikë. Për Puçinin si student thuhej: «Hyri në klasë vetëm për të veshur pantallonat në karrige; ai nuk i kushton vëmendjen më të vogël asnjë teme dhe vazhdon të bie në tavolinën e tij si të ishte piano; nuk lexon kurrë.” Në vend të kësaj, talenti i tij lulëzoi në Istituto Musicale të Lucca.

Në moshën vetëm 14-vjeçare ai filloi të fitonte duke luajtur organin në kishë dhe duke argëtuar klientët e Caffè Castelli, në qendër të Lucca, në piano. Në vitin 1876 ai ndoqi Teatro Nuovo në Pizë në vënien në skenë të Aidës nga Giuseppe Verdi, një përvojë që e goditi dhe e shtyu drejt operës.

Katër vjet më vonë ai hyri në Konservatorin e Milanos duke u bërë student i Amilcare Ponchielli, ndikimi i të cilit do të gjendej vazhdimisht në veprat e ardhshme të kompozitorit.

Falë Ponchiellit, Puccini u takua me Pietro Mascagni me të cilin lidhi një miqësi të qëndrueshme dhe vlerësim për veprat e Richard Wagner.

Pas disa sukseseve në Milano, si Le Villi dhe Edgar (libretet e të cilëve u shkruan nga poeti i çrregullt Ferdinando Fontana), Puccini u vendos përfundimisht me Manon Lescaut. E përfaqësuar më 1 shkurt 1893 në Teatro Regio në Torino, opera pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe shënoi fillimin e bashkëpunimit me libretistët Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa.

I pari, dramaturg dhe gazetar, kishte për detyrë të hartonte skenarin, ndërsa i dyti, autor i komedive të suksesshme dhe profesor i letërsisë, të vendoste tekstin në vargje. Megjithatë, fjala e fundit i përkiste Puccinit, i riemërtuar çuditërisht nga botuesi Giulio Ricordi “Doge”.

Illica dhe Giacosa shkruan libretet për tre operat e ardhshme, duke përfshirë La Bohème, bazuar në temën e Scènes de la vie de Bohème, një roman i serializuar nga Henri Murger. Puna përfundoi në fund të nëntorit 1895. Pasoi Tosca, një dramë historike nga Victorien Sardou.

Në fund të vitit 1902 filloi puna për Madama Butterfly (bazuar në një shfaqje të David Belasco), opera e parë ekzotike e Puccinit. Më 17 shkurt 1904, opera bëri debutimin e saj në La Scala, megjithatë, duke u dëshmuar të ishte një fiasko solemne, aq sa kompozitori e përshkroi reagimin e audiencës si “Një linçim i vërtetë!”.

Pas disa ndryshimeve, veçanërisht në prezantimin e korit të famshëm me gojë mbyllur, ai u prezantua më 28 maj në Teatro Grande në Brescia, ku pati një sukses të plotë. Në vitin 1906, vdekja e Giacosa-s i dha fund bashkëpunimit trepalësh që kishte sjellë në jetë kryeveprat e mëparshme.

Që nga vitet e fundit të shekullit të 19-të, Puccini gjithashtu u përpoq, në disa raste, të bashkëpunonte me Gabriele d’Annunzio, por distanca shpirtërore midis të dyve mbeti e pakalueshme./ KultPlus.com

Fluks vizitorësh në Nëntorin e Festave, Hafizi: Rreth 10 mijë në Muzeun e Krujës

Një fluks i lartë vizitorësh është shënuar gjatë muajit nëntor, në kuadër edhe të festave të 28 dhe 29 Nëntorit, në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “nga 1 nëntori deri më sot, rreth 10 mijë vizitorë e kanë vizituar muzeun”.

“Pjesa më e madhe e vizitorëve që kanë ardhur në muze gjatë muajit nëntor kanë qenë nxënës shkollash nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët kanë mësuar më shumë rreth historisë së popullit shqiptar dhe në veçanti të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”, tha Hafizi.

Ndërkohë që qendra muzeore e Krujës ka shënuar gjithashtu fluks të lartë vizitorësh gjatë muajve janar-tetor. Në këtë periudhë rreth 160 000 vendas e të huaj vizituan Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazarin karakteristik të Krujës.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. Vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982.

Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare me një fokus kryesor në dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar të vendit. Muzeu ka mahnitur shumë vizitorë nga vende të ndryshme përgjatë viteve. Ai është kthyer në një pikë turistike fantastike./atsh/KultPlus.com

Reflektim mbi të kaluarën dhe të tashmen

(Rreth librit poetik “Përvojë dhe thagmë”, të Arben Idrizit, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2024)

Shkruan: Agnesë Shkodra

Arben Idrizi njihet për konributin e tij në letërsinë shqipe si prozator dhe poet. Ai ka krijuar disa përmbledhje poetike: Heqakeq, Libri i të qenit, Zveri vole utadžbinu, Fletore poezish ‘10-’15, Poezi, 2016, Poezi, ’17-’18, Libri i dhunës, Poezi, ‘19-’20. Ndërsa së fundmi ka botuar një përmbledhje me forma të ndryshme poetike, të titulluar “Përvojë e thagmë”. Përveç krijimtarisë së tij origjinale ky autor ka pasuruar kulturën letrare shqipe edhe me përkthimin e disa veprave të letërsisë botërore si “Hiçi që është nën” të Valerio Magrellit, “Dy drama” të Tino Caspanellos, “Martesa e Kadmit dhe Harmonisë” të Roberto Calassos dhe “Mendime” të Giacomo Leopardit.

“Përvojë dhe thagmë” është libër poetik i strukturuar në tre pjesë dhe i përbërë nga forma të ndryshme poetike të krijuara përgjatë viteve ’21-’23. Në këto tre pjesë pasqyrohen përjetimet emocionale të poetit, të cilat e kanë shoqëruar atë gjatë gjithë jetës. Ai eksploron nëpër kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë që i shfaqen si imazhe onirike e sekuenca shkrepjesh të kulluara, për të arritur deri te paraqitja e rëndësisë së përjetimeve të tanishme. E këto përjetime, sipas përceptimit tonë, mund të shihen edhe si një pasqyrim i të zakonshmes dhe rëndomësisë.

Përditshmëria është në qendër të krijimtarisë së Idrizit, ku çdo moment i zakonshëm merr një rëndësi të veçantë. Kjo poezi vendoset në kontekstin e jetës së zakonshme në mënyrë që të shpërfaqen mendimet dhe ndjenjat që vijnë si rezultat i situatave të thjeshta. Duke theksuar thjeshtësinë e jetës, poeti e bën të prekshëm përjetimin e tij. Ndërsa lexuesi që identifikohet me këto situata të zakonshme, më nuk vëzhgon por bashkëndjen me autorin.

“Përvojë dhe thagmë” ofron një reflektim të thellë mbi përvojat e të kaluarës dhe ndikimin e tyre në të tashmen. Kjo lidhje midis të kaluarës dhe të tashmes përkufizon eksperiencën dhe udhëtimin e brendshëm të poetit. Ky udhëtim merr trajtë filozofike përmes dy figurave mitologjike, Abeonës që simbolizon lirinë dhe mundësinë dhe Adeonës që simbolizon pjekurinë dhe rikthimin. Me vendosjen e figurave të tilla përballë njëra-tjetrës, poeti reflekton mbi përvojat e kaluara, që janë të njohura dhe të përjetuara, dhe përvojave të mundshme, që mbeten mistere të errëta. Ndërsa e tashmja përfaqëson dilemat ekzistenciale të njeriut, i cili për të kuptuar rolin e tij në botë, orvatet të zbërthejë qëllimet e jetës në përgjithësi, dhe të përvojës së tij në veçanti. E përmes kësaj përvoje, ku me thagmë trajtohen çastet e vogla e të rëndomta, poeti na fton të reflektojmë mbi vlerën e jetës së zakonshme./KultPlus.com

Sindikata e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë mbështet aktorët e Teatrit të Kosovës: Presim me padurim ndezjen e dritave në skenën e Prishtinës

Sindikata e Teatrit Kombëtar Shqiptar, ka shprehur solidaritet me kolegët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Çmojmë dhe mbështesim pa kushte, angazhimin e aktorëve të TKK që nuk qëndruan indiferent përballë mungesës së krijimit të kushteve të dinjitetshme ekonomike, normale në punën e tyre, që Aktorët e Teatrit Kombëtar e meritojnë”, thuhet në deklaratën e tyre.

Tutje, ata janë shprehur se janë të bindur se Qeveria e Kosovës do të reagojë pozitivisht në përmbushjen legjitime të kërkesave të aktorëve.

“Presim me padurim ndezjen e dritave në skenën e Prishtinës. Me aktorët, me Teatrin”, thuhet në fund./KultPlus.com

Çfarë ka ndodhur më 29 Nëntor 1912

Më 29 nëntor 1912, Ismail Qemal bej Vlora, me cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, formuloi notën e parë diplomatike drejtuar përfaqësuesve të Rusisë, Asutrisë dhe Italisë në Vlorë, me të cilën i njoftoj për shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë dhe kërkonte vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me qeverinë e re kombëtare.

Në të njëjtën ditë ai iu drejtua me telegrame qeverive ballkanike duke u bërë të ditur shpalljen e pavarësisë dhe dëshirën e popullit shqiptar për të jetuar në paqe dhe miqësi me të gjitha vendet fqinje. Këto ishin hapat e parë të diplomacisë shqiptare që u rilind bashk me shtetin e ri shqiptar pas pesë shekujsh robërie./ KultPlus.com

Njëri “humbës” dhe tjetri “fitimtar”, por të dy pranojnë 29 Nëntorin

Më poshtë mund të lexohet çlirimi i Shqipërisë, parë nga dy këndvështrime nga dy dëshmimtarë okularë: At Zef Pllumi dhe historiani Kristo Frashëri.

I pari sodit nga dritaret e Kuvendit të Françeskanëve, tjetri është partizan i thjeshtë.

I pari bën një përshkrim përbuzës, i dyti futet triumfator në qytet.

Njëri humbës e tjetri fitimtar – siç do thoshte kryeministri Rama.

Tabloja e partizanit është krejt e kundërt me atë të priftit françeskan.

Por që të dy pranojnë se “29 Nandori”, 29 Nëntori është ditë e çlirimit të vendit.

Zef Pllumi shkruan për ditën e çlirimit të Shkodrës në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue” cituar nga DITA:

“28 Nandori 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë… Mbas atyne bumbullimave që shpallën largimin përfundimtar të gjermanëve, nuk fjeti mà kurrkush n’atë natë të gjatë. Në Kuvendin Françeskan, ku jetojshem, zotnonte parandjenja se me atë çast se Oksidenti po largohej prej nesh me një hap shumshekullor…”(f-18) Më 29 Nandor gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë, në orën 10.30–11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut… Ushtrija partizane e veshun me gjithnduer uniformash të huaja, paraqitej si një ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Shka bante mà shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund ishin ato femna me pushkë në krah? Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazit” (fq.19-20)”

Kristo Frashëri në librin e tij “Jeta e një historiani” cituar nga DITA shkruan:

“Nuk mund të harrojmë kurrë ato çaste, kur duke kaluar nëpër rrugët e qytetit, qytetarë burra e gra e fëmijë na përshëndesnin si çlirimtarët. Entuziazmin e tyre e dëshmojnë dy fotografi të shkrepura në çastin e hyrjes së partizanëve në Shkodër, në mëngjesin e 29 Nëntorit 1944.” (F.163)./ KultPlus.com

Grua fenomenale

Poezi nga Maya Angelou

Gratë e bukura sfiliten të gjejnë sekretin e sharmit tim.
Ngase s’jam e bukur ndoshta, e as ndonje trup modeleje nuk kam
dhe kur këto ua them atyre
mendojnë se tallem.
Them se –
është në gjatësinë e krahëve,
në përdredhjen e vitheve të mia,
në ritmin e hapave,
në formën e bukur të buzëve…
Jam jashtëzakonisht femër!
Një femër fenomenale
Jam unë.

Kur hyj në një dhomë,
aq qetë sa s’e merrni me mend
dhe një burri i afrohem, –
të gjithë shtangin a bien në gjunjë
dhe sulen drejt meje –
Një koshere e gëzueshme bletësh.
Them se –
është prej zjarrit që më digjet në sy
dhe vezullimit të bardhë të dhëmbëve,
lëkundja e belit ndoshta
dhe hareja e këmbëve.
Oh, jam jashtëzakonisht femër
Një femër fenomenale
Kjo jam unë.

Vetë burrat, sa herë janë habitur
Ç’gjë i tërheq drejt meje…
Përpiqen kaq shumë,
por s’munden t’i afrohen dot
të fshehtës sime.
Edhe kur vetë ua rrefej
prapë s’dinë ta prekin…
Them vjen
prej harkut të thellë të shpinës,
nga dielli i buzëqeshjes sime,
përhedhja e gjoksit, a ndoshta,
nga hijeshia e stilit
Oh, jam kaq e jashtëzakonshme
Një femër e mrekullueshme
Jam unë

Tani e kuptoni,
se përse nuk kam nevojë të tund kokën,
të klith a të lëviz më kot,
a të flas me zë të lartë.
Nëse shihni që përmes kaloj
me krenari të thellë… Shijomëni!
Ju thashë, pra –
është në kërcitjen e takave të mia,
valëzimin e flokut,
në cipën e shndritshme të dores,
në etjen për njeriun –
Sepse jam e jashtëzakonshme,
Grua fenomenale –
Kjo jam unë.

Përktheu: Majlinda Bashllari / KultPlus.com

80-vjetori i Çlirimit, QKLL konferencë shkencore mbi muzetë dhe shtëpitë-muze të Luftës

Me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, është zhvilluar në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit konferenca shkencore rreth “Muzeve dhe shtëpive muze të luftës”. Ky aktivitet u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Ushtarake dhe QKLL. Konferenca solli një analizë të thellë mbi muzeumet dhe shtëpitë muze të luftës, si dhe trashëgiminë e çmuar të luftës antifashiste nacionalçlirimtare.

Disa nga temat e diskutuara ishin, “Historia e muzeve të ushtrisë” nga studiuesi ushtarak Sali Onuzi; “Historia e muzeve të luftës dhe shtëpive muze në kryeqytet” nga Andrea Llukani; “Muzetë e luftës në rrethin e Tepelenës” nga Bashkim Qeli; “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në ish-pavijonin e Muzeut Historik Kombëtar” nga Ledio Xhoxhi; “Spitalet partizane” nga Spiro Nika; “Heroi i Popullit, Mustafa Matohiti” nga Maringlen Abedini; “Muzetë e luftës në rrethin e Gjirokastrës” nga studiuesi ushtarak Jorgo Qirko.

Pas çdo kumtese, u zhvilluan diskutime dhe pyetje nga të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Pjesëmarrësit patën mundësinë të thelloheshin në historinë e luftës dhe të kujtojnë sakrificat e shumta për lirinë e vendit tonë./ KultPlus.com

Zëvendësministrja Osmani përgëzon ekipin e muaythait të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftur se zëvendësministrja Osmani ka pritur në takim ekipin e muaythait të Kosovës, kryetarin e Federatës së Muaythait të Kosovës, pas suksesit të arritur në Kampionatin Evropian të muaythait të organizuar në Prishtinë.

Ky kampionat, një nga më të rëndësishmit e këtij lloji, ka mbledhur në Kosovë sportistë nga 32 shtete, duke shënuar një moment historik për sportin dhe organizimet ndërkombëtare në vend.

Ekipi fitoi shtatë medalje, prej tyre dy të arta, tri të argjendta dhe dy të bronzta. Të artat i fituan: Lindon Demiri (U-23) dhe u shpall ylli i së ardhmes, Lorik Mehmeti (U-16), të argjendtat: Dior Guda, Erdonit Alija (juniorë), Agnesa Veseli (U-23). Me të bronztën u stolisën, Altina Topalli (U-23) dhe Orges Maliqi (junior).

Gjatë takimit, Osmani i ka përgëzuar medalistët për performancën e tyre të shkëlqyer, duke theksuar se suksesi i tyre është shembull frymëzues për të rinjtë tjerë dhe një promovim i imazhit pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare./ KultPlus.com

10 sanduiçët më të mirë në botë (FOTO)

A jeni gati për të bërë një udhëtim të vogël rreth botës dhe për t’u njohur me 10 sanduiçët më ikonë që tregojnë historinë e kulturës dhe shijeve të çdo cepi të planetit. Revista italiane Grazia.it. ka përzgjedhur 10 më të mirët, ku nuk përjashtohet as buka me qofte e vendit tonë dhe pothuajse gjithë Ballkanit.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Francesinha, Portugali

Ai përbëhet nga dy feta të trasha buke të bardhë të mbushura me proshutë, sallam, biftek dhe djathë, të mbuluar me djathë shtesë të shkrirë dhe një salcë pikante birre dhe domate, me një vezë të skuqur sipër. Zakonisht shoqërohet me patate të skuqura, perfekte për të shoqëruar salcën.

Termi francesinha do të thotë “franceze e vogël”. Thuhet se është shpikur në vitet 1950 nga Daniel da Silva, i cili, i frymëzuar nga croque monsieur francez, e përshtati recetën me përbërësit vendas pas kthimit të tij në Porto.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Sando, Japoni

Kur mendoni për Japoninë, ju vijnë në mendje sushi me avull, sashimi ose ramen. Por në konbini (dyqane japoneze) mund të gjeni sanduiçe të bëra me shokupan (bukë qumështi japoneze), të buta dhe pak të ëmbla.

Mbushjet klasike përfshijnë sallatën me vezë dhe majonezë ose katsu (kotoletë të mbushur dhe të skuqur).

Versionet e ëmbla, me fruta të freskëta dhe krem, janë gjithashtu shumë të njohura.

E patëmetë në pamje, sandos priten në drejtkëndësha ose trekëndësha të përsosur, duke i bërë ato një gëzim për sytë dhe qiellzën.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Banh Mi, Vietnam

Gjatë kolonizimit francez, vietnamezët adoptuan bukën baguette, duke e shndërruar atë në banh mi të famshme. Kjo bukë ka një kore krokante.

Mbushjet ndryshojnë, por baza përfshin paté, mish, perime turshi, koriandër, djegës të freskët dhe pak salcë Maggi.

Nuk mungojnë opsionet vegjetariane: thjesht kërkoni një banh mi chay.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Tortë, Meksikë

E përgatitur me një panine të ngjashme me baguette, mbushjet ndryshojnë në varësi të rajonit.

Në Guadalajara, provoni torte ahogada, të zhytur në një salcë djegëse. Në Mexico City, torta Kubane kombinon mish, salçiçe, djathë, vezë të skuqura, fasule dhe avokado për një shpërthim shijesh.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Sabich, Izrael

Ky sanduiç irakiano-hebre kombinon patëllxhanë të skuqur, vezë të ziera fort, patate, humus, tahini, turshi dhe një mba (chutney mango).

I përgatitur fillimisht për Shabbat, ai është sot një simbol i ushqimit izraelit të rrugës, i përsosur për çdo kohë të ditës.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Sanduiç me mortadella, Itali

Sanduiçi më i famshëm në Itali është padyshim ky. Simbol i thjeshtësisë dhe traditës gastronomike italiane. Një klasik i kuzhinës lokale, shpesh i lidhur me Bolonjën, vendlindja e mortadellës, një mish i kuq me një shije unike dhe të pagabueshme.

Një sanduiç mortadella është më shumë se një rostiçeri: është një përvojë.

Nëse dëshironi ta shijoni në mënyrën më të mirë, kërkoni një sallameri ë artizanale në Bolonjë, ose përgatiteni me një mortadella cilësore, sepse sekreti qëndron tek përbërësit.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Gyro, Greqi

Ky sanduiç, i ngjashëm me suvllaqe, bëhet me mish (zakonisht derri ose pulë) i gatuar në një rotisserie vertikale, i shërbyer në pita me sallatë, patate të skuqura dhe një salcë tzatziki.

Xhiros më të mirë? Ato të servirura në kioskat e vogla të Athinës, ku shija takohet me traditën.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Rou Jia Mo, Kinë

Shpesh i quajtur “hamburgeri më i vjetër në botë”, rou jia mo daton që nga dinastia Qin. Ky sanduiç është i mbushur me mish derri të zier, lëng mishi pikant dhe koriandër, të gjitha të mbështjella me bukë të butë, por krokante.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Ćevapçiqi, Ballkan ose buke me qofte

Emri rrjedh nga arabishtja ćevab ose ćibap, që do të thotë qebap i vogël. Është një sanduiç i mbushur me qofte, i shërbyer në pita së bashku me qepë, djathë dhe ajvar, një salcë e bërë nga speca dhe patëllxhan. Me origjinë nga Ballkani, kjo pjatë të kujton qebapët turq, por me një karakter krejt të vetin.

Njihuni me 10 sanduiçët më të mirë në botë

Khachapuri, Gjeorgji

Një përzierje perfekte mes picës dhe tostit me djathë, khachapuri është një bukë në formë varke e mbushur me djathë vendas dhe e përfunduar me një vezë të papërpunuar dhe gjalpë të shkrirë.

E përkryer për ata që i duan shijet e pasura dhe intensive, është një trajtim gastronomik që do t’ju bëjë të harroni bukët klasike me djathë./a2cnn/ KultPlus.com

Hovenier i shoqëruar nga presidentja Osmani festojnë Ditën e Falënderimeve

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka bërë të ditur se kanë festuar Ditën e Falënderimeve bashkë me ushtarët amerikanë që shërbejnë në Kosovë të shoqëruar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Hovenier ka thënë se është thellësisht falënderues për ushtarët amerikanë që shërbejnë në Kosovë larg familjeve të tyre dhe që kontribuojnë për një Kosovë të qetë dhe të sigurt.

“Jam mirënjohës që këtë vit e festuam Ditën e Falënderimeve me pjesëtarët e shërbimit amerikan në Kosovë dhe i nderuar që më janë bashkuar Presidentja Vjosa Osmani dhe miqtë tanë kosovarë. Thellësisht falënderues për ushtarët tanë që shërbejnë larg familjeve të tyre, të cilët çdo ditë po kontribuojnë për një Kosovë të qetë dhe të sigurt. Duke ju uruar të gjithëve një festë të lumtur të Falënderimeve!”, ka shkruar Hovenier./ KultPlus.com

Këngëtarja Vesa Luma festoi 20 vjetorin e karrierës me një koncert të veçantë në Prishtinë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se këngëtarja Vesa Luma ka festuar 20 vjetorin e karrierës me një koncert të veçantë në Prishtinë.

Për publikun riktheu në skenë hitet e saj të krijuara ndër vite dhe po ashtu përplot këngë të bukura shqipe. Në një performancë plot energji dhe interpretim të mrekullueshëm, Vesa solli emocion tek të gjithë të pranishmit.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti, ministri Çeku, ministri Vitia, ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitete nga fusha e muzikës e shumë qytetarë.

Koncerti është mbështetur nga Ministria e Kulturës./ KultPlus.com

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës fenomenale nën drejtimin e Dario Salvit

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e Dario Salvit, dha koncert më 28 nëntor në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Koncerti u hap me Marshin nr. 1 në F-dur nga Ludwig van Beethoven. Në pikën e dytë, orkestrës iu bashkua Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës në interpretimin e veprës In a Monastery Garden nga Albert Ketèlbey. Nga i njëjti kompozitor u interpretua edhe In a Persian Market në mbyllje të koncertit.

Surpriza e mbrëmjes ishte paraqitja e gajdexhiut nga Malta, Stefan Mercieca, i cili, pas një loje tradicionale në gajde, interpretoi edhe The Gael (The Kiss) nga I Fundit i Mohikanëve nga Trevor Jones, I Dreamed a Dream nga Claude-Michel Schönberg, dhe Kështjella e Edinburgut nga Duncan R. Beat.

Në pjesën e parë u interpretua edhe premiera kosovare e veprës Illyrian Dances nga Guy Woolfenden. Ndërsa në pjesën e dytë u interpretuan Suita nr. 1 dhe nr. 2 për orkestër frymore nga Gustav Holst.

Orkestra Frymore dhe Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës do të mbajnë koncert më 30 nëntor në Prizren, prej orës 19:30, në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”./ KultPlus.com

Parlamenti miraton ndalimin e medieve sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Australia miratoi sot ndalimin e medieve sociale për fëmijët nën 16 vjeç – pas një debati të fortë – duke u bërë një pikë referimi në mbarë botën me një nga rregulloret më të ashpra që synon kompanitë e mëdha të teknologjisë, sipas “Reuters”.

Ligji detyron gjigantët e teknologjisë Instagram, Facebook, X, Tiktok që të ndalojnë të miturit të futen në këto platforma ose në të kundërt do të përballen me gjoba deri në 32 milionë dollarë.

Një provë për mënyrën sesi ligji do të zbatohet do të nisë në janar dhe urdhërndalimi do të hyjë në fuqi pas një viti.

Shteti do të krijoje një databazë të dhënash biometrike dhe të dhënash shtetërore ndërsa llogaritë aktive tashmë duhet të mbyllen.

Projektligji i ri e vendos Australinë si rast unik por edhe një test global – në krye të atyre shteteve ku qeveritë kanë bërë ligje ose planifikojnë të ligjërojnë kufizim të moshës në mediet sociale – mes shqetësimeve për ndikimin e tyre në shëndetin mendor të të rinjve.

Vende përfshirë Francën dhe disa shtete të SHBA-së kanë miratuar ligje për të kufizuar aksesin e të miturve pa lejen e prindërve – por ndalimi australian është absolut.

Një ndalim i plotë i të rinjve nën 14 vjeç në Florida po kundërshtohet në gjykatë me argumentin se cënohet fjala e lirë.

Miratimi i ligjit në Australi shënon një fitore politike për kryeministrin e qendrës së majtë Anthony Albanese – i cili kandidon në zgjedhjet e 2025 mes sondazheve negative për të.

“Ligji u kundërshtua nga mbrojtësit e privatësisë dhe disa grupe të të drejtave të fëmijëve – por 77% e popullsisë e dëshironte atë”, sipas sondazheve të fundit./ KultPlus.com

Promovohet libri “Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”

Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Shqiptare dhe UET Press promovuan librin “Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”, që vjen për lexuesin në kujdesin e profesoreshë Nevila Nika, drejtuese e Akademisë së Studimeve Shqiptare dhe historianëve Florian Çullhaj, Marenglen Kasmi, Çelo Hoxha dhe Hasan Bello.

Ky botim i historianëve, në 80-vjetorin e Çlirimit të atdheut nga forcat nazi-fashiste, hedh dritë mbi fakte të qëmtuara deri në thellësi, për t’u lënë gjeneratave të ardhshme një dokument që flet mbi luftën e popullit shqiptar ndaj pushtuesve.

Në aktivitetin e organizuar në COD, në kryeministri, mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama i cili përshëndeti aktivitetin, duke kujtuar se fakte të tilla dhe kërkimet historike i japin historisë një përmasë përtej atyre fakteve që kemi trashëguar nga një tjetër regjim.

Libri eksploron historinë e kohës së luftës në Shqipëri përmes një perspektive më të gjerë, duke ndërlidhur të gjitha të dhënat e disponueshme.

Shkalla e humbjeve njerëzore numëron 29,179 individë të rënë, viktima të luftës në role të ndryshme, që tregojnë koston e thellë njerëzore të luftës./ KultPlus.com

Shqipërizë, moj

Poezi nga Dije Demiri Frangu

Shqipërizë moj me zemra të vrara shekujsh
Po të shoh ende me fustan të shqyer
T’i shoh brinjët e nxira nën diell e nën hënë të shoh
Nëntokën me eshtra e gur paluar
Netëve si një nënë e mirë e ruan përkrenaren e Gjergjit
Që nëpër poezi ende lufton
Në pëllëmbë e mban zogun që vetëm lartësive fluturon

O sa shpesh e zeza të ka mbuluar
Je nëna me shumë aborte, me shumë të vjella
Asnjëherë s’ mbathe këpucë tamam
Me këmbë të përgjakura deri në gangrenë shekujve ece
Shqipërizë varur më ke mbetur ënderrave

Bëhu fëmijë që e do nënën- më thoshin
E unë mbaja pushkën varur e rrobat e zeza për ty nga frika
Se po t’i amputojnë duart këmbët
Krejt shkaku i bukurisë se po të dhunojnë
Se ke asi qielli e ke asi uji
Që ngjajnë në sy të fëmijës
Shqipërizë moj ende kam frikë për ty e për vete
Se na grabisin për inat të legjendave / KultPlus.com

“Tingujt që sollën lirinë”, projekti unik si dhuratë për ruajtjen e historisë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se një projekt unik është finalizuar në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Gonxhja shprehet në një postim në rrjetet sociale: “Vinili filloi të rrotullohej pa ndërprerje nën gjilpërën e vjetër të gramafonit dhe sakaq muzika e çetave partizane filloi… Në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit sjell këtë projekt unik: “Tingujt që Sollën Lirinë” një përmbledhje të muzikës ikonike të filmave shqiptarë mbi luftën nacional-çlirimtare, interpretuar me mjeshtëri nga Kori dhe Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, e regjistruar në vinil”.

Ministri thekson se ky projekt është një dhuratë për të ruajtur historinë dhe për ta përcjellë brez pas brezi, me melodi që na kujtojnë heroizmin dhe shpirtin e papërkulur të një populli.

Përmbledhja muzikore e filmave shqiptarë ikonikë erdhën përmes duarve të arta të pianistes Etrita Ibrahimi, zërave të fuqishëm të sopranos Renisa Laçka, tenorit Gerald Murrja dhe Biorn Hoxha, orkestrës dhe korit të TKOBAP-së, nën drejtimin e maestro Dritan Lumshi.

Kori i Zërave të Bardhë, drejtuar nga Sonila Baboçi, i dha koncertit një emocion të veçantë, duke e bërë këtë mbrëmje një homazh të denjë për historinë tonë kombëtare./ KultPlus.com

Përkujtohet 80-vjetori i Çlirimit, lufta më gjithëpërfshirëse në historinë e Shqipërisë

Shqipëria përkujton sot 80-vjetorin e Çlirimit të vendit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtria nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi luftë të armatosur, të organizuar kundër okupimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.

Pas Çlirimit të Tiranës më 17 Nëntor 1944, komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Tiranë, do të njoftonte zyrtarisht dhe çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944. Kjo datë, u sanksionua e u skalit edhe si data e Çlirimit të Shqipërisë.

Në këtë mënyrë do të mbyllej njëherë e gjithmonë lufta epike nacionalçlirimtare e popullit shqiptar.

Disa nga rëndësitë thelbësore të kësaj lufte, ishin largimi i pushtuesve italianë dhe gjermanë, shkëputja e Shqipërisë nga blloku nazifashist dhe ripohimi i integritetit territorial të vendit, i cili prej kohësh ishte parë si objekt copëtimi nga Fuqitë e Mëdha dhe vendet fqinje.

Një ndër veçantitë e çlirimit është se Shqipëria ishte vendi i parë në Ballkan i çliruar me forcat e veta dhe pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe apo të forcave të koalicionit antifashist.

Gjithashtu, kjo luftë ishte lufta më gjithëpërfshirëse në historinë e popullit shqiptar, si për sa i përket numrit të njerëzve që morën pjesë dhe e mbështetën atë, edhe për sa i përket gjithëpërfshirjes territoriale të Shqipërisë.

Nga jugu në veri, thuajse të gjitha krahinat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë u mobilizuan duke dhënë mbështetjen e tyre në luftën kundër fuqive pushtuese.

Në këtë mënyrë Shqipëria u bë pjesë e koalicionit fitues antifashist. Si vend anëtar i NATO-s, ajo i ruan dhe i çon përpara vlerat e lirisë e demokracisë edhe sot, duke u radhitur përkrah vendeve demokratike e paqedashëse, e duke dhënë kontributin e saj për ruajtjen e paqes në botë./ KultPlus.com

29 Nëntori, 80-vjetori i Çlirimit

 Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, 80-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Këshilli i Ministrave e shpalli këtë vit si Vit Jubilar Mbarëkombëtar për të shërbyer për përkujtimin e përfundimit të betejës së shqiptarëve për çlirimin nga pushtimi nazifashist, si një përkujtesë e detyrës qytetare të çdo shtetasi shqiptar për të mbrojtur atdheun kur ai është në rrezik.

Në këtë kuadër, të gjitha institucionet shtetërore e përçuan këtë mesazh, përmes logos së miratuar, në çdo shkresë zyrtare, e cila do të vazhdojë të përdoret deri në fund të vitit 2024.

Si çdo vit, në përkujtim të kësaj dite, pritet që autoritetet më të larta shteterore të kryejnë homazhe në Varrezat e Kombit, ndërkohë që janë në program një sërë aktivitetesh në nder të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe sakrificës sublime të tyre.

Institucione të ndryshme të kulturës kanë njoftuar për program të larmishëm, si një mundësi e shkëlqyer për të festuar kulturën, historinë dhe traditat shqiptare me aktivitete që përfshijnë art, muzikë, valle, ekspozita dhe shumë më tepër./ KultPlus.com