“Pas një muri ka mure të tjera”, ekspozita e artistit nga Kosova Naim Spahiu, hapi dyert në Galerinë “GOCAT” si një ftesë për të trajtuar peshën e ngjarjeve të së kaluarës dhe nevojën për të parë drejt së ardhmes. Naim Spahiu vjen për herë të parë me artin e tij në Shqipëri.
“Pas një muri ka mure të tjera” u çel më 7 nëntor në Galerinë “GOCAT” për një komunitet të gjerë artistik, për të qëndruar e hapur deri më 30 nëntor. Çelja e ekspozitës vjen qëllimisht në prag të datës së njohur të rënies së Murit të Berlinit, për të ngacmuar dhe për të trajtuar konceptin metaforik të murit, jo si një pengesë, por si një sfidë që duhet tejkaluar.
Cikli i punimeve është mjaft i veçantë dhe i serviret artdashësve në format instalativ pas një hulumtimi 2 vjeçar nga ana e piktorit Spahiu. Ai i ka dhënë identitet materialeve të gjetura nëpër vende të ndryshme, më saktë mbulesave të karrocerive të kamionëve që i kanë rezistuar forcës së viteve, duke i kthyer në telajo. Çdo punë e ekspozuar përçon një emocion ndryshe, por që në thelb të gjitha së bashku trajtojnë raportin e njeriut me kohën, se si kjo e fundit lë vraga me ngjarje siç është lufta e Kosovës, dhe se si ndonjëherë ndodh që të mban të lidhur, e të bën të harrosh se ka një të tashme që duhet jetuar dhe një të ardhme për të cilën duhet menduar. Një element tjetër dallues është se çdo vepër ka diçka për të treguar nga çdo kënd.
Naimi pohon se kjo është e qëllimshme: “Gjurmët e kohës fshihen edhe aty ku ka dritë, edhe aty ku nuk ka. Është një zgjedhje e imja të flas për to përmes rrugës së artit.” Ndërsa për përvojën jetësore, artisti thotë: “Ne vetë si qenie jemi notues. Të jesh i suksesshëm në profesion ose në çfarëdo sfere, duhet të jesh notar i mirë, pa marrë parasysh ballafaqimet jetësore. Çdo individ e shoh si notues në kohë dhe secilin e shoh në drejtimin e tij.”
I pranishëm në hapje të ekspozitës, artisti nga Kosova, Driton Hajredini, nuk i kurseu komentet pozitive për ekspozitën e Naimit dhe ndër të tjera, për suksesin e saj, vlerësoi rolin e Galerisë “GOCAT”.
“Ekziston një harmoni e jashtëzakonshme mes hapësirës së galerisë dhe punës së Naimit, për të cilën duhet të them se më ka impresionuar shumë. Vepra është e rëndësishme, nuk ka pikë dyshimi për këtë, por rëndësi ka edhe vendi dhe mënyra se si ekspozohet. Këtu te “GOCAT”, ideja dhe mesazhi parësor që ka dashur të përçojë Naimi, është ruajtur më së miri”, tha Driton Hajredini.
Galeria “GOCAT” është një dhuratë e Fondacionit Mane për banorët, turistët, të apasionuarit pas artit, si dhe për artistët. Ajo është falas si për vizitorët të cilët duan të kalojnë momente cilësore të veshura me art bashkëkohor, ashtu edhe për artistët të cilët duan të promovojnë punën e tyre.
“Pas një muri ka mure të tjera” është ekspozita e tretë që vjen në kryeqytet falas, duke pasuar ekspozitën “Poezi Vizuale mbi Fotografi Sociale” që pasqyroi padrejtësitë shoqërore përmes lenteve të fotografëve të njohur ndërkombëtarë si Paul Lowe, Fabrizio Bellomo, Seamus Murphy & P.J Harvey, dhe të fotografëve shqiptarë si Burim Myftiu dhe Bevis Fusha./ euronews/ KultPlus.com
Projekti i radhës i restaurimit sa i përket filmave të kinematografisë shqiptare të para viteve `90, është “Kthimi i ushtrisë së vdekur”. Filmi, me një kast emrash nga më të shquarit e artit shqiptar, mban firmën e të madhit Anagnosti dhe është prodhim i vitit 1989.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunimin me laboratorin Augustus Color vjen me këtë projekt në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të vendit, si një homazh për njeriun; për ata që luftuan, ata që vuajtën pasojat e luftës dhe për ata që ranë duke mbrojtur kauzat e atdheut.
Premiera e variantit të restauruar të filmit do të mbahet më 25 nëntor 2024, në Kinema Millennium, Tiranë.
Filmi, me skenar e regji të Dhimitër Anagnostit, bazohet mbi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Kompozitori i filmit është Gjon Simoni, operator Bardhyl Martiniani, piktor Kleo Nini e kostumografi nga Durim Neziri.
Në rolet kryesore interpretojnë aktorët e mirënjohur Bujar Lako, Guljelm Radoja, Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Kastriot Ahmetaj, Vasillaq Godo, Raimonda Bulku, Liza Vorfi, Birçe Hasko, Andon Qesari etj./ KultPlus.com
Në kuadër të projektit të DRTK Vlorë, “Parku Arkeologjik Amantia”, një vëmendje e veçantë po i jepet zonës së vizitueshme përreth stadiumit antik.
Specialistet e DRTK Vlorë realizuan gërmimin dhe pastrimin nga dherat e dy godinave antike, tek vendi i quajtur “Qafa e Pazarit”, përballë stadiumit antik.
Ndërhyrjet në godinat antike kanë për qëllim gërmimin, studimin, restaurimin dhe prezantimin e tyre tek vizitorët e shumtë të parkut arkeologjik të Amantias. Mendohet se, godinat e shekullit III para Krishtit kanë pasur funksion publik.
Për njohjen e mëtejshme të arkitekturës së tyre, si dhe prezantimin e tyre në itinerarin e vizitave të parkut arkeologjik, po hartohet projekti i restaurimit nga specialistët e DRTK Vlorë./ KultPlus.com
Sot nis Kolonia e Artit “Muaji i Pikturës”, një ngjarje që mbledh 40 artistë nga të gjitha trevat shqiptare në qytetin e Vushtrrisë, qytetin e Hasan Prishtinës. Në këtë muaj të veçantë, kjo koloni artistike sjell kreativitet dhe emocion përmes fuqisë së ngjyrave dhe artit, përcjell KultPlus.
Për tri ditë rresht, artistët do të krijojnë vepra të frymëzuara nga arkitektura e lashtë, rrugicat historike dhe atmosfera unike e Vushtrrisë. Çdo brushë e tyre do të pasqyrojë bukurinë dhe historinë e qytetit, duke sjellë mesazhe të fuqishme përmes artit.
Kjo koloni, që tashmë ka arritur edicionin e saj të 6-të, është bërë një pikë referimi për artin shqiptar dhe një urë që lidh artistët nga të gjitha trevat.
Hapja solemne e ekspozitës do të mbahet të dielën, në orën 17:00, në Galerinë e Shtëpisë së Kulturës./ KultPlus.com
KultPlus këto ditë ka hapur thirrjen për edicionin e shtatë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me një atmosferë poetike që do të ndriçojë mbi të pranishmit.
Sot është bërë publike edhe juria profesionale e këtij edicioni dhe përbëhet nga: Kryetare në PEN të Shqipërisë, Entela Kasi (kryetare e jurisë), poetja Vlora Konushevci dhe poeti Lulzim Tafa.
Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 14 nëntor 2024, ora 23:59.
Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi-finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami-Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. / KultPlus.com
– Nga këndvështrimi historik, futja e aradhave partizane shqiptare-jugosllave në Kosovë në shtatorin e viti 1944, anulimi i vendimeve të Konferencës së Bujanit në Konferencën e Prizrenit në korrik të vitit 1945, në rrethanat e administrimit ushtarak, duhet të cilësohet ripushtim i Kosovës nga Beogradi.
Nga Jusuf Buxhovi
Skenari për t’u ripushtuar Kosova nga forcat jugosllave duhej të fillonte doemos edhe me “pajtimin” e partizanëve shqiptarë “në kuadër të bashkëveprimit ndërmjet Ushtrisë së NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku reaksionin e atjeshëm”.
Sipas këtij skenari, futja e njësive jugosllave në Kosovë, duhej të bëhej, sipas një kërkese të ardhur nga UNÇ e Shqipërisë, pasi që atje paraprakisht të jenë futur njësitë partizane nga Shqipëria, të cilat do t’ua hapnin rrugën atyre. Kjo jo vetëm që do të përjashtonte çfarëdo dyshimi se në Kosovë partizanët jugosllavë kishin hyrë jashtë vullnetit të Shqiptarëve, por këtë e kishin bërë bashkërisht me partizanët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës të bashkuar mbi parimet e vëllazërim-bashkimit.
Ndonëse, formale, kjo kërkesë kishte rëndësi të veçantë, për t’u arsyetuar dredhitë që komunistët jugosllavë kishin paraparë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që ato të mbeteshin nën tutelën e Beogradit “me dëshirë” dhe në kuadër të luftës së përbashkët antifashiste si ombrellë. Edhe pse në përvijimet midis aleatëve rreth ndarjes së sferave të interesit, veçmas midis Britanikëve dhe Sovjetikëve (në konferencën e Teheranit dhe takime të tjera) mbretëronte qëndrimi se Jugosllavia duhej të ruante kufijtë e Versajë dhe këtë do ta konfirmojë edhe Jalta, megjithatë ishte fundi i luftës si dhe realitetet e krijuara në të, ato që do të përcaktonin pamjen përfundimtare shtetërore në Ballkan.
Andaj, pasi që trupat sovjetike në lindje, me hyrjen në hapësirën jugo-sllave, kishin hapur çështjen e rivalitetit midis Britanikëve dhe Sovjetikëve, që do të mund të pasqyrohej me ndonjë kompromis në Shqipëri dhe Greqi në dobi të Britanikëve, të cilët nuk do të pajtoheshin që gjithë hapësirën strategjike të juglindjes ta mbikëqyrnin sovjetikët, ku sipas Stalinit “sferat e reja të interesit njëherësh paraqitnin sistemin shoqëror të atij që fiton”.
Pra, duke i ditur këto, Tito kërkonte që në Kosovë sa më parë të futeshin njësitë partizane jugosllave në mënyrë që të eliminonte çfarëdo “befasie” të pazarllëqeve të mundshme midis aleatëve, veçmas pas vendimeve të Bujanit kur edhe Nacionalçlirimtarja e Kosovës, që rreth çështjes së bashkimit kombëtar mendonte ndryshe nga komunistët e Enver Hoxhës, kishte nxjerrë rezolutën për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës që lidhej me të drejtën e Shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë.
Kështu, “bashkëveprimi”, futja e përbashkët e partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë, me të cilin do t’u ndërpriteshin që të gjitha rrugët “të papriturave” të mundshme në Kosovë, nga ana e jugosllavëve do të kërkohet qysh në muajin mars 1944. Komandanti i Korpusit II sulmues, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviq, në një letër të gjatë dërguar Shtabit të Përgjithshëm Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, pos të tjerash qahet sesi “reaksioni prej Shqipërisë së Veriut, i udhëhequr prej Komitetit Kosovar, u kishte krijuar vështirësi të mëdha, ku prej më se një gjysmë viti mbahet fronti kundrejt kufirit të ri, të krijuar prej okupatorit të Shqipërisë së Madhe”.
Me këtë rast Dapçeviq, thotë se “na marrim çdo gjë nga ana jonë, së bashku me shokët nga Kosmeti, që të thyejmë atë bllok, por armiku është i fortë, ngaqë atje ata binden me propagandën se ne jemi ushtri serbe dhe komunistë që vijnë si pushtuese…”
Që të realizohen, si thotë ai, “objektivat për t’u spastruar edhe më tutje kjo pjesë nga armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre”, gjenerali Dapçeviq parashtron tri kërkesa:
– së pari – futjen e njësive partizane shqiptare në Veri dhe në Kosovë;
– pastaj – popullit t’i shpjegohen qëllimet e njëmendta, pra ato çlirimtare, në mënyrë që të shmangët ndërhyrja kundër partizanëve jugosllavë dhe,
– së fundi – që njësitë e përbashkëta partizane të lidhen mirë e mirë mes veti në një miqësi të përhershme. Kjo mund të arrihej vetëm nëpërmes një lufte të përbashkët, me çka hapej edhe çështja e komandës së përbashkët të luftës antifashiste, që duhej të çonte te projektet për shkrirjen e shtetit shqiptar te ai jugosllav.
Por, kërkesa e “pastrimit të kësaj pjese nga armiqtë dhe bashkëpunotorët e tyre”, në të vërtetë, shfaqej si pretekst i pavërejtur dhe me dinakëri për ripushtimin e Kosovës nga ushtria jugosllave në përputhje me qëndrimet e mëhershëm që organizimi partiak i Kosovës dhe veprimet tjera në kuadër të Frontit Antifashist që do të pasonin (ai ushtarak dhe i këshillave nacional-çlirimtare si formë e pushtetit popullor), ndonëse ajo gjendej në përbërje të shtetit shqiptar, të bëhej nga komunistët jugosllavë dhe nën drejtimi e tyre në kuadër të skemës organizative të shtetit të përbashkët jugosllav. Edhe pse dihej se nga prilli i vitit 1941 Jugosllavia e Versajës nuk ekzistonte më.
Kështu dhe në këtë mënyrë, “veprimi i përbashkët” i partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë shfaqej si një mashtrim tepër i përshtatshëm, prapa të cilit, partizanët shqiptarë nën parullat se “në Kosovë ishin në ndjekje të gjermanëve”, jo vetëm që mund t’ua hapnin rrugën partizanëve jugosllavë të futeshin në Kosovë, por edhe të kryenin veprime të shpejta operative strategjike në përputhje me planet për ripushtimin e saj të plotë, me të cilin forcave nacionaliste shqiptare do t’u pamundësohej çfarëdo konsolidimi që ishte i pritshëm të pasonte me rastin e tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut.
Gjenerali Dapçeviq, i cili kishte një përvojë të hidhur në luftë me forcat nacionaliste të Kosovës në pjesën e veriut në Sanxhak, në Plavë, Guci dhe në veri të Mitrovicës, (i kishte humbur tri prej tyre radhas gjatë përpjekjeve që të depërtonte në këto vise, ku kishte lënë shumë të vrarë), ishte i bindur se me pararojën e aradheve partizane shqiptare, pasi që Shqiptarët t’i kenë qëruar hesapet mes veti, përballja me forcat ushtarake të nacionalistëve shqiptarë në veri, e cila ishte e pashmangshme dhe paraqiste vështirësinë e fundit për t’i arritur qëllimet e parashtruara, do të ishte shumë më e lehtë.
Sipas jugosllavëve, të cilët e dinin mirë rëndësinë e Kosovës si dhe strumbullarit të interesave strategjike që thyheshin por edhe lidheshin me të dhe për të, veçmas nga Kriza Lindore e këndej, prej nga çështja shqiptare përherë mbushej me impulse lëvizëse nga brenda e nga jashtë, në ato rrethana, që t’i shuheshin ato që kishte lëshuar rezoluta e Bujanit madje nën anatemën se fjala ishte për “një projekt shqiptaromadh të fashizmit” (ndonëse Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë menjëherë kishin pranuar kritikat e Titos se fjala ishte “për një vendim të ngutshëm”, që duhej lënë pasi të përfundojë lufta antifashiste), nevojitej që të alarmoheshin edhe aleatët anglo-amerikan, që e gjitha të bëhej në atë mënyrë që mishi të piqej e helli të mos digjej. Prandaj, një valë bombardimesh nga ajri e Kosovës do të ishte e mirëseardhur dhe në funksion të planeve jugosllave për t’u futur në Kosovë.
Jugosllavët, pra, në përputhje me këtë strategji, duke pasur njohuri për rrezikun që i vinte nga Kosova dhe nyja gjermane aty, kishin kërkuar edhe nga aleatët anglo-amerikanë që në njëfarë mënyre (me bombardime nga ajri), të merrnin pjesë në pamundësimin e “planeve nazifashiste” në Kosovë, duke zënë në gojë potencialin e madh ushtarak dhe njerëzor “të reaksionit” dhe “kuislingëve”, në mënyrë që armatës “F” të Wermachtit, t’i pamundësohej tërheqja e fuqisë së saj ushtarake drejt veriut.
Aleatët kishin pranuar kërkesën e partizanëve jugosllavë që të ndërmerren sulme ajrore ndaj forcave gjermane në Kosovë. Sulmi i parë dhe më i dëmshmi për nga pasojat që përjetoi popullata shqiptare dhe infrastruktura urbane u bë me bombardimin ndaj Pejës, më 14 gusht 1944.
Bombardimi anglo-amerikan nga ajri, që zgjati disa orë, qëlloi infrastrukturën urbane të Pejës, duke e kthyer pjesën më të madhe të saj në gërmadha. Me këtë rast gjetën vdekjen 1970 qytetarë të pafajshëm: kryesisht burra, gra dhe fëmijë, të cilët u gjenden nëpër shtëpitë e tyre, por nuk u dëmtua asgjë nga infrastruktura ushtarake gjermane, që ishte vendosur në periferi të qytetit. Po ashtu, të paprekura mbetën edhe njësitë e motorizuara gjermane si dhe pajisjet tjera të strehuara në Grykën e Rugovës dhe pjesët përreth.
Sulmi ajror anglo-amerikan ndaj Pejës dhe disa qendrave urbane në Kosovë gjatë gushtit, që la pas veti shumë viktima të pafajshme nga radhët e popullatës së pambrojtur dhe rrënoi pjesën më të madhe të shtëpive të tyre, në të vërtetë për jugosllavët dhe pasuesit e tyre në Shqipëri, ishte një ndihmesë e dyfishtë: pse rrënoi bazën materiale të një pjese të madhe të popullatës së Kosovës dhe pse ia kishte dalë që nëpërmes “vërejtjes së ndëshkimit”, siç ishte ai i gushtit, të shkëpusë lidhjet e mundshme të popullatës me frontin e rezistencës kombëtare në luftë kundër forcave partizane jugosllave që mund të hynin pas largimit të atyre gjermane.
Edhe përkundër bombardimit të Pejës dhe të vendbanimeve të tjera në Dukagjin nga aeroplanët anglo-amerikanë si dhe involvimit të tyre në një operacion të përmasave të mëdha kundër ushtrisë gjermane në këto pjesë, partizanët jugosllavë edhe më tutje i mbetën besnikë ndaj qëndrimit se në Kosovë së pari duhej të hynin partizanët nga Shqipëria, të cilët do të bashkoheshin me dy-tri çetat e partizanëve kosovarë të strehuara në Malësi të Gjakovës në mënyrë që pas tyre të depërtonin aradhet partizane nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Kërkesave paraprake për “bashkëveprim” luftarak në Kosovë iu bashkëngjit ajo e nivelit më të lartë nga komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë Tito, e cila Enverit iu bë nga koloneli V. Stojniç, kryesues i Misioni Ushtarak jugosllav në Shqipëri, në cilësinë e bashkërenditësit të veprimeve të të dyja palëve, i cili pasi që të jenë kryer “formalitetet e kërkesave paraprake” (gjatë majit dhe gushtit), takoi nergut Enver Hoxhën, me ç’rast Komandës së Përgjithshme të UNÇSH ia përcolli kërkesën e Shtabit Suprem të UNÇJ.
Sipas burimeve jugosllave, V. Stojniq kërkoi nga Enver Hoxha që brigadat partizane shqiptare të futeshin në Kosovë, për të luftuar kundër Gjermanëve. Me këtë rast nuk do të përmendej çështja “e reaksionit të brendshëm dhe përkrahësve”, që ishin të shumtë dhe të organizuar mirë në kuadër të formacioneve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe se, partizanët shqiptarë do të mirëpriteshin nga popullata shqiptare e Kosovës. Që të mos dukej se fjala mund të ishte për ndonjë kurdisje kundër Kosovës dhe popullatës së saj e aq më pak që ky veprim do të pasohej me “ndonjë hakmarrje” ndaj popullatës pse kishte qenë e përfshirë “në planet e reaksionit fashist”, gjë që kjo mund të nxiste “zbarkimi e forcave të caktuara anglo-amerikane në këto pjesë për të parandaluar ndonjë konfrontim të mundshëm nderetnik” për të cilin ishte bërë fjalë në qarqet perëndimore, Stojniq, në emër të Titos, kërkoi që partizanët shqiptarë të ndihmonin në luftë kundër gjermanëve edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni. E gjitha do të ishte në përputhje me frymën e marrëveshjeve të Frontit të përbashkët Antifashist për luftë të përbashkët kundër forcave fashiste, kudo qofshin ato, deri në fitoren e plotë.
Që kërkesa për hyrjen e partizanëve shqiptare të dukej “sa më autentike”, u plotësua edhe me kërkesën e Shtabit të UNÇJ për Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, e firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari, Boshko Çakiq, më 26 gusht 1944.
Pala shqiptare u tregua e gatshme për këtë veprim dhe më 12 shtator 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatisë dhe të nis menjëherë dy brigada për në Kosovë.
Po në këtë ditë, M. Popoviqi i shkruan L. Gegës se duhej lajmëruar Palokën (Pavle Joviqeviqin) se dy brigada shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për Kosovë. Por, kjo duhej të mbetej fshehtësi, veçmas nga Britanikët.
“Të mos tregohet objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”, porosiste Enveri komandantin e Korparmatës I, Dali Ndreun.
Kjo kërkesë, e cila me të shpejt u mor vesh nga Britanikët dhe misioni i tyre në Veri, u përcoll me dyshimin e hapur të kurthit nëpër të cilin do të futej Kosova së shpejti. “Është për t’u çuditur sesi mund të pranohet që forcat jugosllave të kishin nevojë për përforcime nga UNÇ e Shqipërisë, që ishte shumë më e vogël dhe më e dobët në këtë fazë të luftës”.
Si do të shihet, “habia” e misionit britanik në veri të Shqipërisë, nuk kishte të bënte gjithaq me natyrën ushtarake të çështjes, ngaqë në Kosovë gjendeshin forca të pakta gjermane, të cilat edhe ashtu ishin tepër pasive në tërheqje e sipër. Por ajo kishte të bënte me faktin e pranisë së madhe të forcave nacionaliste shqiptare. Ato, pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943 dhe krijimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar në nëntor të vitit 1943, ushtarakisht të konsoliduara, ishin në gjendje të organizonin një rezistencë të fuqishme kundër depërtimit të aradheve sllavo-komuniste.
Kjo çështje, si u pa, te Britanikët, por edhe Amerikanët, tashmë kishte filluar të trajtohej si mundësi e krijimit të një bërthame për zbarkim eventual anglo-amerikan, po qe se do të ndërlikoheshin raportet me forcat sovjetike në këtë pjesë.
Mundësinë e “konsolidimit të forcave të reaksionit shqiptar” si dhe organizimit të një kryengritje të madhe në Kosovë kundër forcave partizane, Dapçeviq, por edhe Tempo dhe misionarët e tjerë jugosllavë pranë Everit, e shihnin si rrezik të madh dhe të dyfishtë si për pengimin e ripushtimit të Kosovës dhe, për më tepër, për krijimin e një zone për ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, të cilët mund të mos pajtoheshin me një gjakderdhje të madhe atje që do të shpërthente me rastin e kryengritjes së Shqiptarëve kundër pushtimit komunist.
Këto dhe kalkulime të tjera bënë që komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë të pajtoheshin, që të vepronin bashkë në Kosovë “për shpartallimin e armikut dhe të reaksionit të çdo ngjyre” si dhe “për ngritjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, për mobilizimin e popullsisë në luftë dhe formimin e formacioneve të reja e më të mëdha partizane”.
Kështu, Shtabit i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipëri-së, më 18 shtator 1944, dha urdhrin që Brigada III dhe V shqiptare të hidheshin në Kosovë. Së pari në Malësinë e Gjakovës, mandej në atë të Pejës dhe prej nga duhej të merrnin kontakt me forcat nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Sipas urdhër-operacionit, objektivat e të dy brigadave , që do të kishin një shtab të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, ishin:
– sulmet ndaj forcave gjermane dhe çlirimi i tokave përtej Drinit të Bardhë deri në Gjakovë e Pejë;
– shkatërrimi i të gjitha çetave tradhtare, balliste, zogiste e të SS-ve kosovare;
– të detyrohet Gani Kryeziu të hidhet me Frontin NÇ. Në rast se ky nuk e pranon këtë ose provokon, të likuidohet. Të veprohet si me Muharrem Bajraktarin;
– organizimi i pushtetit nacionalçlirimtar në gjithë krahinat që lirohen, ku do të bëhet mobilizimi dhe çarmatimi. Mobilizimi i kosovarëve do të bëhet si për ushtrinë shqiptare, ashtu edhe për ushtrinë e Titos, pa asnjë dallim.
Mundësisë së pjekjes me forcat partizane jugosllave si dhe bashkëpunimit me to do t’i gëzohet komandanti i Brigadës V, Shefqet Peçi, i cili në një letër të nisjes, i shkruante Hysni Kapos se “ne na ngushëllon kjo që do të piqemi me ushtrinë e Titos dhe ishallah edhe me atë të Baba Stalinit e kjo na kënaq shumë, por të mos harrojmë që edhe na vjen keq që nuk do të mundemi të shohim me sytë tanë reaksionarët tash që dorëzohen, vetëm kisha qejf t’u ndriçja dhëmbët njëherë”.
Përleshja e parë me Gjermanët filloi po atë ditë në Dukagjin, në Jug-perëndim të Prizrenit. Të ndihmuara edhe nga brigada e parë dhe e katërt e Kosovës, aradhet partizane nga Shqipëria dhe Kosova, bashkërisht hynë në zonën midis Drinit dhe Ribnikut. Më 16 tetor partizanët shqiptarë bashkërisht sulmuan Gjermanët në Gjakovë. Përreth Gjakovës pati luftime për disa ditë me radhë për deri sa më 7 nëntor partizanët shqiptarë dhe ata nga Kosova hynë në qytet dhe bashkërisht kremtuan fitoren.
Në Gjakovë partizanët shqiptarë hynë me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pa kurrfarë paralajmërimesh se pas tyre do të vinin aradhet partizane jugosllave. Pastaj veprimet e përbashkëta të partizanëve vazhduan në dy drejtime: kah Prizrenit dhe Peja. Prizrenin e morën me 16 nëntor, ndërsa Pejën një ditë më vonë.
Krahasuar me Pejën dhe Prizrenin, ku u ndeshën me disa njësi gjermane në tërheqje e sipër, të cilat të shumtën e mbrojtën me vullnetarët shqiptarë që kishin në radhët e tyre, partizanëve shqiptarë iu bë një rezistencë e fuqishme në Junik. Në këtë pjesë, partizanët shqiptarë (Brigada III e UNÇSH si dhe Brigada I kosovare) sulmuan pas Gjakovën me urdhrin “e spastrimit nga forcat balliste dhe kuislinge” që mbanin nyjen rrugore Gjakovë-Pejë. Luftimet e ashpra filluan më 20 tetor. Partizanët me humbje të mëdha iu afruan Junikut, por nuk ia dolën ta marrin, ngaqë forcat nacionaliste i sulmonin ato nga të gjitha anët. Vetëm pas tri ditësh mundën të hynin në Junik, ndërsa më 26 tetor dhe në Batushë e në Deçan.
Nga fundi i nëntorit i gjithë rrafshi i Dukagjinit u mor nga forcat partizane, duke ua zënë vendin atyre gjermane, të cilat filluan tërheqjen në drejtim të Veriut.
Pas hyrjes së brigadave të Shqipërisë në Kosovë dhe në Dukagjin, nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe Gjilanit, në Kosovë filluan të depërtojnë edhe brigadat jugosllave (Divizioni 46-të i Korparmatës XIII serbe) si dhe Armata II bullgare, të cilat u shoqëruan edhe nga Brigada V kosovare. Partizanët serbë, bullgarë të shoqëruar edhe me një njësit partizanësh kosovarë hynë në Prishtinë më 19 nëntor 1944.Të njëjtat, një ditë më vonë hynë në Vuçitërnë prej nga luftuan në Trepçë dhe Zveçan.
Brigadat partizane, sikurse në Dukagjin, futeshin me flamurin shqiptar dhe atë jugosllav me yllin pesëcepësh në mes. Sapo hynin, nëpër sheshe të qyteteve, spikatnin bashkërisht fotografitë e Titos dhe të Enverit, të shoqëruara me parulla shqip dhe serbisht për vëllazërim-bashkimin dhe miqësinë shqiptaro-jugosllave të kalitur në luftën e përbashkët antifashiste.
Nuk do të vonojë dhe sapo populli të jetë mësuar paksa me atmosferën e “triumfalizmit çlirimtar”, që sillnin partizanët e përqafuar shqiptarë dhe jugosllavë gjatë demonstrimeve të përbashkëta, ashtu siç ishte paraparë, në heshtje dhe pa ndonjë bujë, do të fillojë marrja në mbikëqyrje e pushtetit vendor, të drejtuar nga këshillat nacionalçlirimtare, kryesisht prej Shqiptarëve, nga ana e ushtarakëve jugosllavë, të cilët praktikisht filluan vendosjen e mbikëqyrjes ushtarake, e cila bëhej në emër të vendosjes së pushtetit të përbashkët popullor në rrethanat e çlirimit.
Shërbimi informativ ushtarak jugosllav i quajtur OZNA, i cili prej kohësh ishte vendosur në Shkup dhe kishte filluar përgatitjet për kohën që do të futej në Kosovë, shpërndau ngado bashkëpunëtorët e vet dhe zuri të xhirojë situatën në kërkim të intelektualëve, patriotëve dhe gjithë atyre që tashmë ishin futur në defterin e kolaboracionistëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtpërdrejtë të okupatorit, ku përfshiheshin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe forcat e tjera politike, sidomos ato që ishin të lidhura me Komitetin Kombëtar Demokratik Shqiptare (i cili nga prilli i vitit 1945 do të kthehet në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare) dhe frymën e saj që kishte shtrirje të gjerë në Kosovë. Për Jugosllavët vlente qëndrimi i njohur: kush nuk është me ne është kundër nesh.
(Shkëptje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 332-337)./ KultPlus.com
Në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës, në praninë e numrit të madh të pjesëmarrësve, shkrimtarëve, gazetarëve, studentëve, pastaj përfaqësuesve të institucioneve kulturore, arsimore, shkencore, si dhe të familjarëve të autorit, u bë promovimi i librit “Triumfi i mendjes”, i autorit Xhemail Mustafa, përcjell KultPlus.
Esetë, shkrimet kritike dhe publicistike të Xhemail Mustafës, të botuara në vitet e nëntëdhjeta në gazetën “Rilindja” dhe “Bujku”, në Prishtinë, Tiranë dhe Zvicër, janë zgjedhur dhe përgatitur për botim nga shkrimtari Ibrahim Berisha, ndërsa botues i librit “Triumfi i mendjes” është PEN Qendra e Kosovës.
Në fillim të promovimit shkrimtari Sali Bashota i cili e moderoi këtë aktivitet, bëri një portretizim të shkurtër Xhemail Mustafës, duke e vlerësuar veprimtarinë e tij në shumë fusha, në radhë të parë, si kritik letrar, publicist, këshilltar i presidentit Rugova etj. Me këtë rast, Bashota nderuar kujtimin për Xhemail Mustafën për të gjithë të pranishmit, përmendi veprën “Lutja e Prishtinës” dhe, ndër të tjera tha, se “është një ditar i dhembshëm poetik, i sajuar me mendime të veçanta që e përcakton në mënyrë të ndjeshme thelbin fillimtar të bërjes së lirisë dhe procesin përfundimtar të zhbërjes së robërisë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Përparim Rama, kryetar i Prishtinës duke vlerësuar kontributin e Xhemail Mustafës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndër të tjera, tha: “se sot jemi mbledhur për të nderuar kujtimin e Xhemail Mustafës, një intelektuali të jashtëzakonshëm, jeta dhe puna e të cilit janë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës”. Më tutje, i pari i kryeqytetit të Prishtinës, konstatoi: “Xhemail Mustafa ishte jo vetëm gazetar, por edhe këshilltar politik i përkushtuar dhe avokat i vendosur për rezistencën paqësore. Rruga e Xhemail Mustafës ishte rrugë e përkushtimit të palëkundshëm ndaj parimeve të demokracisë dhe lirisë. Si këshilltar i lartë i presidentit Ibrahim Rugova për medie dhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa luajti rol kyç në formësimin e mesazhit politik të Kosovës gjatë një kohë të trazirave dhe të ndryshimeve të mëdha. Përkushtimi i tij ndaj kundërshtimit paqësor ishte i dukshëm në shkrimet e deklarata e tij publike ku ai vazhdimisht e dënonte dhunën kriminale që e pllakosi Kosovën”.
Duke evokuar shumë kujtime me Xhemail Mustafën që nga periudha e shkollimit në gjimnazin e Podujevës, pastaj në angazhimin e përbashkët të veprimit politik, Fatmir Sejdiu ish-president i Republikës së Kosovës, foli për personalitetin e Xhemail Mustafës. Më tutje, Fatmir Sejdiu, u përqendrua në përmbajtjen e eseve të Xhemail Mustafës për t’i evidentuar temat më të rëndësishme që janë trajtuar në shkrimet e përmbledhura në librin “Triumfi i mendjes”, si: Kosova, Shqipëria, Çamëria, pastaj shkrimet për Fishtën, Koliqin, Camajn, Rugovën, Demaçin, Kadarenë, Pashkun. Xhaferrin etj., për demonstratat e viteve 68 dhe 81, për gazetën “Rilindja” dhe gazetat e revistat e tjera në gjuhën shqipe, shkrimet për Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare etj.
Presidenti Sejdiu citoi edhe disa pjesë nga libri i Mustafës, për të argumentuar fuqinë e fjalës dhe të mendimit të një intelektuali të veçantë.
Në fjalën e tij, shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili ka përzgjedhur dhe përgatitur shkrimet e librit të Xhemail Mustafës me titullin “Triumfi i mendjes”, tha: “Po të shkruash për Xhemën, kurdo që do të shkruash, duhet të fillosh nga urtësia e tij fisnike, dituria paqësore, modestia publike, ideali i tij përhershëm: liria. Edhe kurdo që kalon kah “Elida”, mendon se e ke përpara, duke pirë ekspreso dhe, duke shfletuar gazetë a libër. Qetë e vëmendshëm. Gjithmonë me disponim dhe rrallë vetëm. E kishte vështirë të qëndronte vetëm, sepse të gjithë ne, miqtë e shumtë të tij, donim të uleshin e të pinin kafe me të. Ai kishte miqësi dhe vëmendje për secilin”.
Duke ofruar mjaft shembuj nga jeta dhe veprimtaria intelektuale e krijuese të Xhemail Mustafës, Berisha, tha: “Pjesa më e madhe e shkrimeve të Xhemës kanë qenë të lidhura me dijen, me kulturën, artet, librin veçmas. Ai ishte recensionist në “Rilindje”. Të shtunave, lexuesi, dashamiri dhe kureshtari i librit të ri, e priste cili do të jetë ai botim që ia vlen të lexohet. Gjente arsyen pse duhej lexuar (…) Xhema ishte një udhëtar që nuk kthente kokën mbas. Në librin “Një lutje për Prishtinën”, shkruan për udhëtimin dramatik për t’u kthyer në banesën e tij të porsaliruar “… kurse unë po i ngjisja shkallët për në banesë. Po ato shkallë që po i ngjitja para aq kohësh me shumë ankth e pasiguri dhe që më dukej se po më çonin në një errësirë…Shkallët po i ngjisja pa e hetuar se isha përballë apartamentit, ndërsa njerëzit që i takoja përshëndetnin me një përzemërsi, të cilën nuk e kisha provuar ndonjëherë…”.
Pastaj Berisha përmendi edhe shumë ese të Xhemail Mustafës që edhe sot janë aktuale me idetë dhe përmbajtjen e tyre, duke shtuar: “Ai, e vërteta, udhëtoi deri te liria, mbijetoi luftën në dashurinë e qytetit të tij dhe që nuk e la asnjëherë të vetëm. Prandaj, Atdheu duhet edhe kur të vret, shkruan ai referuar Kutelit, në njërin nga esetë katër vjet, para se të vritej (…) Ne që e kemi pasur mik, që kemi punuar bashkë, sikur edhe gjithë lexuesit, Xhemën e kanë njohur dhe e mbajnë mend përgjithnjë si një intelektual kritik që nuk ndikohej nga konjukturat…”
Në fund të fjalës së tij, Berisha tha: “Botimi i veprës së plotë të Xhemail Mustafës, në format kompleti, shpresojmë të bëhet në vitin e ardhshëm, 2025. Nuk dua të them pikërisht në 25 – vjetorin e vrasjes që mbeti, mbase qëllimshëm, e pandriçuar”.
Në përmbyllje të promovimit të librit “Triumfi i mendjes, vajza e Xhemail Mustafës, Beriana Mustafa, tha: “Është emocionale gjithmonë kur përmes fjalëve e njeh dhe rinjeh prindin, ndonëse shkuarja e tij në amshim ishte koha kur të nevojitej më së shumti. Në kohën kur mendon që janë përmbysur vlerat, rendi i vlerave të një shoqërie siç ka ndodhe kjo jona.Të mirat e zhgënjimit që t’i ofron ky vend, del një njeri si axha Ibrahim, të cilin e falënderoj shumë edhe të tregon dhe shpalos para krejt neve një mori të shkrimeve, por jo një mori të shkrimeve të thjeshta, shkrime letrare, sociale, kulturore jo veç të Xhemës, por të një plejade të tërë të këtyre njerëzve si Avni Spahiu, Ibrahim Berisha, Fatmir Sejdiu, profesor Bashota e shumë të tjerëve, çfarë trashëgimie kanë lënë ata sot për neve dhe të bëjnë me menduar se ne çka po lëmë për gjeneratat e reja”.
Pjesë të zgjedhura nga libri “Triumfi i mendjes”, për Prishtinën, Shkodrën, gazetën “Rilindja, shkollën shqipe në vitet e nëntëdhjeta në Kosovë, lexuan Lorenta Ibraj, Blinera Hajdari dhe Festina Krasniqi, studente të Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë./ KultPlus.com
Sonte mbahet koncerti përmbyllës i Festivalit ReMusica, nën emërtimin “Final Double Concert of the festival – A Night to honour Kosovo’s musical legacy”, që nderon trashëgiminë e muzikës në Kosovë, përcjell KultPlus.
Koncerti i dyfishtë do të fillojë me “Meloditë e zemrës” me mezzosopranon Flaka Goranci dhe kitaristen Tringa Sadiku, duke vazhduar me mbrëmjen për shënimin e 75-vjetorit të kompozitorit Rafet Rudi me artistët: Petrit Çeku (kitarë(; Sihana Badivuku, (violinë); Kori i Filharmonisë së Kosovës, Marcio da Silva (dirigjent); Lirika Pula (piano); Zanë Abazi (flaut), Diar Aliu (kitarë); Andi Duraku (piano)
Koncerti fillon në orën 19.00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka takuar kryeministrin e ri të Estonisë, Kristen Michal, përcjell KultPlus.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Ishte kënaqësi të takoj Kryeministrin e ri të Estonisë, z.Kristen Michal.
Në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, diskutuam për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, si dhe për shtyrjen përpara të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Falënderuese për mbështetjen e fuqishme të Estonisë! / KultPlus.com
Edicioni i katërt i GrowthTank, do të filloj nesër nga ora 10:00 në Klan Arena.
Tema e këtij viti, “Generation of AI”, do të fokusohet në ndikimin e Inteligjencës Artificiale në transformimin e strategjive të marketingut, revolucionin e krijimit të përmbajtjes dhe analizën e të dhënave.
Ky edicion ka grumbulluar ekspertë dhe liderë të industrisë nga mbarë bota, përfaqësues të kompanive të njohura si Google, Hyperice, Prada, Ferrari dhe Amazon, të cilët do të ndajnë me të pranishmit përvojat dhe njohuritë e tyre në fushën e marketingut digjital.
Prezantimet kryesore do të mbahen nga emra të njohur të industrisë si: Matt Navarra, Georgia Lewis Anderson, Krishna Vadakattu, Andres Gimeno, Davide Colla, Bonart Ajvazi dhe Yll Limani.
Më 9 nëntor, në ditën e dytë të konferencës GrowthTank, do të organizohen dy punëtori: “From Data to AI” në hapësirat e Innovation Center Kosovo (ICK), e drejtuar nga Remzi Kurshumliu, dhe “AI as a Creative Partner” në Tech Park Prishtina, me Dr. Steffen Schmidt.
Për më shumë detaje rreth konferencës, ju lutemi vizitoni growth-tank.com. / KultPlus.com
Shfaqja “Gratë e Trojës” e Euripidit me regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitic është dhënë mbrëmë në teatrin “Dodona”, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje teatrale e cila ka ardhur si rezultat bashkëpunimit të Artpolis-Qendrës për Art dhe Komunitet nga Prishtina dhe DAH Teatrit nga Beogradi është e bazuar në veprën e Euripidit, duke e rikthyer historinë e pasluftës së grave të Trojës në një tematikë e cila është aktuale edhe sot në ‘luftrat moderne’.
Ndonëse historia përfundimin e luftës e ka njohur kur ka mbaruar sulmi fizik ndaj grupeve apo popujve të caktuar, mirëpo trajtimi i kësaj shfaqjeje tregon që një luftë edhe më e tmerrshme dhe e gjallë fillon pikërisht atëherë kur mendohet se përfundon lufta. Gratë dhe fëmijët e palës humbëse janë ata të cilët i vuajnë vërtetë pasojat e një lufte.
Pas rënies së qytetit të Trojës, fituesit e luftës e sundimtarët i kishin përzgjedhur për t’i marrë si robinja edhe gratë dikur mbretëresha e princesha të kundërshtarëve të tyre tashmë të vrarë. Kasandra, bija e virgjër e mbretëreshës Hekuba ishte njëra prej tyre, historia e së cilës në shfaqje ndërlidhet me 20 mijë gratë e dhunuara të Kosovës në luftën e fundit, si një cikël i pafund që vijon të përshkojë edhe sot luftën në Gaza dhe anemban globit.
Në shfaqje trajtohet edhe historia e gruas së Hektorit, Andromakës e cila kushtëzohet ta hedh nga kulla foshnjën e saj, në mënyrë që mos t’i vritet mizorisht dhe që më pas të mbretërojë dinjitetshëm përkrah vrasësit të burrit të saj. Një rast i mizorisë ndaj fëmijëve në ditët e sotme është edhe ai i luftës së Izraelit ndaj Hamasit, ku fëmijët janë hedhur në një vrimë dhe janë traumatizuar nga rrotullimet me makineri, të cilët më pas janë urdhëruar të kapen nga një grua dhe të ikin. Gratë janë detyruar të kapin fëmijë të huaj me shpresën që diku të mund t’i shkëmbenin, pa e ditur nëse dikush ka arritur ta kapë fëmiun e saj.
Pra, gratë ashtu si në kohët antike edhe sot vazhdojnë t’i vuajnë pasojat e luftës duke humbur familjen, shtëpitë, atdheun, dinjitetin duke mbajtur mbi supe tragjeditë më shumë se çdo kush tjetër.
Teksti bashkëkohor i shfaqjes është shkruar nga Shpëtim Selmani, dhe është inskenuar në gjuhën shqipe dhe serbe nga kasti i aktorëve: Shpëtim Selmani, Maja Mitić, Qendresa Kajtazi, Branka Stojkoviq, Semira Latifi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski.
Pas shfaqjes në një prononcim për KultPlus, regjisorja Zana Hoxha ka thënë se përmes kësaj teme ka dashur të përçoj një mesazh kontemporan mbi atë se çka ndodh edhe sot në botë.
“Gratë e Trojës është një histori e shkruar para mijëra vitesh, unë e kam kthyer sot me atë çka po ndodh në botë. Nuk kam dashur ta mohoj atë çka ka ndodhur në botë, e kom ndërlidhur me Gazën me historinë e grave të dhunuara në Kosovë, me luftën që ka qenë përpara mes Algjerisë dhe Francës. Kam dashur ta jap një mesazh kontemporan se çka po ndodh sot në botë, që mos me lënë këtë dhembje të mbetet vetëm një histori e kaluar”, ka thënë regjisorja Hoxha duke potencuar se ka qenë sfidues bashkëdyjëzimi i dy gjuhëve në shfaqje.
“Kemi ende gra dhe fëmijë të cilët i vuajnë më së shumti pasojat e luftës, po shihet çka po ndodh tash në botë. Për mua është e rëndësishme si aktiviste edhe si artiste që ta prezantoj këtë përmes këtyre dy ekipeve, përmes një teksti që është inskenuar shqip-serbisht mes raporteve shumë normale në mes të aktorëve. Natyrisht, me titra në gjuhën angleze për njerëzit që nuk e kuptojnë njërën gjuhë ose tjetrën dhe thjesht me prezantu qysh po ndodh një komunikim dhe bashkëpunim i tillë, dhe një shfaqje e cila besoj që e bartë një mesazh të rëndësishëm”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa, regjisori Fadil Hysaj shfaqjen “Gratë e Trojës” e ka cilësuar si projekt kreativ me një mesazh të fuqishëm.
“Është një temë e madhe, e trajtuar shpesh në skenë. Ka koncept shumë origjinal me një mesazh të fuqishëm se pasojat e luftës gjithmonë nuk njohin kombe, as fitues, as humbës. Gjithmonë ekzistojnë të dyja anët. Koncepti regjisorial dhe dramaturgjik i Zana Hoxhës dhe Shpëtim Selmanit është vërtetë shumë kreativ dhe jep një mesazh të fuqishëm që te popujt vjen një periudhë kur luftërat përfundojnë dhe dhembja ngelet si plagë e hapur. Për një kohë të gjatë ngelë si kujtesë e dhimbshme. Ngel edhe si lëndë inspirative për krijuesit. Dihet që pikërisht dramat më të mëdha në Greqinë antike kanë lindur, nga dramaturgët kolosë grek Eskili, Sofokliu e Euripidi që pikërisht janë marrë me luftën e Trojës”, ka thënë regjisori Hysaj.
Regjisori Hysaj më tej ka uruar që shfaqje të tilla me kauzë të ketë edhe në të ardhmen.
“Ne do të dëshironim që e njëjta të ndodh edhe te ne në këtë kohë që pjesa e artistëve, shkrimtarëve, ajo ndërgjegjja e vërtetë njerëzore, humane të mbijë te artistët. Ata duhet me qenë të parët, që e ngrisin zërin kundër të keqes kundër viktimës së pafajshme që kryesisht secila luftë i sjellë si një rezultantë shumë të madhe tragjike, që tronditë çdo mendje normale të njeriut”, ka përfunduar regjisori Hysaj.
Shfaqja “Gratë e Trojës” do të jepet në Beograd me datën 22 dhe 23 nëntor./ KultPlus.com
S’kam fuqi më as të trishtohem Jemi anije pa spirancë Mes erërave të egra të kundërta. Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin Më jepni ju një copë ironie, Se nuk e gjej dot në veten time,- Një copëz ironie Sa gjysmëz e krahut të zogut,- Të mbrohem nga shirat e verdhë Të predikimeve të apostujve të lajthitur.
Të gjithë na kanë faj dhe askush: Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë Tani gjithë dritaret e shpirtit Janë hapur, bymyer e kalbur Nga shirat e lotëve,- Dhe s’mbyllen më dot. Mund të hyjë kush të dojë./KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Muzeu i Nënë Terezës në Prizren është në fazën drejt finalizimit, përcjell KultPlus.
Ai ka njoftuar se përveç ekspozitës, ky muze do të ketë aktivitete e program vjetor.
Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e kryeministrit Kurti:
Muzeu i Nënë Terezës në Prizren drejt funksionalizimit.
Përveç ekspozitës së përhershme, muzeu do të ketë program artistik vjetor e aktivitete edukuese për fëmijë, duke u bërë kështu një hapësirë kulturore shtesë për vendin tonë./KultPlus.com
Sot shënohet 157 vjetori i lindjes së gruas së parë që ka marrë dy çmime Nobel, shkruan KultPlus.
Tashmë e shndërruar në figurë mitike, simboli i përfshirjes së femrave në lëmin e shkencës, madje gruaja e të gjitha rekordeve. Nobelistja Mari Kyri (Marie Sklodowska-Curie) është gruaja e parë që fitoi doktoraturë në fizikë, e para grua që ka marrë dy çmime “Nobel” (një e ndarë me burrin e saj Pier Kyri dhe Henri Bekërel), profesoresha e parë në Sorbonë dhe e para që u fut në Panteon më 20 prill 1995.
Jetën e saj Mari Kyri e jetoi përkrah shkencëtarëve më eminentë të fillimshekullit XX. E njohur nga të gjithë, u vlerësua ndërkombëtarisht për t’u kthyer në mit. Kokëfortë, pa dyshim e talentuar dhe inteligjente, ajo ishte e para në shumë fusha: e para në agregatin e fizikës, gruaja e parë doktore e shkencave, femra e parë fituese e medaljes “Davy”, gruaja e parë dy herë nobeliste.
Vajza polake, e lindur më 7 nëntor 1867 në Varshavë, u vendos në Paris në 1891. Pasi përfundoit studimet për shkencë, ajo u bë specialiste e substancave radioaktive, së bashku me bashkëshortin Pier Kyri. Jo rrallëherë nobelistja është etiketuar edhe si feministe. Puna e saj mbi polonium dhe radiumin bëri histori dhe përfundoi duke ua mbyllur gojën atyre që e kishin sulmuar pandershmërisht.
Ajnshtajni shprehej se ajo ishte shkencëtari më i madh (në gjininë mashkullore) që ai njihte. Kryesorja, është ende e vetmja grua, hiri i së cilës prehet në Panteon për arsye larg të qenit “gruaja e”. Me të shoqin u njoh në kohën që po kërkonte një laborator për të studiuar vetitë magnetike të çeliqeve. “Ndodhi një alkimi e menjëhershme.
Ishte takimi i dy qenieve që kishin diçka absolute, shumë të kërkuar nga të tjerët dhe nga vetvetja, mbi të gjitha ndanë një pasion të përbashkët për shkencën. Shkëmbimi i korrespondencës së tyre dhe kujtimet e Mari Kyri dëshmojnë për një marrëdhënie tejet të thellë midis dy shpirtrave binjakë”. Nëse shumë gra duhej të zgjedhin midis martesës dhe karrierës, në rastin e shkrimtares ishte pikërisht i shoqi që e mbështeti gruan, financiarisht dhe moralisht. Maria solli në jete 2 vajza: Irenën (1897) dhe Evën (1904).
Në vitin 1898, duke studiuar rrezatimin e uraniumit, i cituar pak kohë më parë nga Henri Bekërel, si dhe substanca të tjera, Mari Kyri vuri theksin në atë që e quajti “radioaktivitet”. Disa muaj më vonë, çifti njoftoi se kishin identifikuar dy elementë të rinj: poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903, së bashku me Bekërelin morën çmimin “Nobel” në fizikë, për zbulimin e radioaktivitetit.
Pas luftës, shembulli i saj do të jetë një ndihmë e vlefshme në luftërat e ndryshme për kauzën e barazisë femërore, veçanërisht natyrisht në fushën e shkencës. Ajo do të bëhet një figurë mediatike në Shtetet e Bashkuara, ku do të bëjë fushatë për të mbledhur fonde për kërkime shkencore me radium. Fatkeqësisht, orët e gjata të ekspozimit ndaj substancave radioaktive çuan në përkeqësimin e shëndetit të saj.
E gjithë ekzistenca e Mari Kyrisë zhvillohet nën simbolin e drejtësisë, humanizmit dhe punës. Jeta e saj është një përrallë sa e bukur, aq edhe e trishtuar, më saktë e mrekullueshme. Jo se ato çfarë rrëfehen nuk janë të vërteta apo janë të zbukuruara nga historia, përkundrazi kemi të bëjmë me një ndërthurje lavdish e shoqëruar me një seri fatkeqësish që të imponon respekt. Motra e madhe i vdes nga tifoja, më pas e ëma nga tuberkulozi. Punimet në “rrezet e uraniumit” të Henri Bekërel çojnë në zbulimin e poloniumit dhe radiumit, pastaj në përcaktimin e masës atomike të radiumit (226 dhe pluhurave). Vdekja e tmerrshme aksidentale e Pier Kyrisë. Skandali i jashtëzakonshëm i lidhjes së saj me Paul Langevin (Poli i pashëm është i martuar, ajo është e ve). Angazhimi i saj për radiografimin e ushtarëve të plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Dy çmimet “Nobel” dhe për ta mbyllur me Panteonin.
Pas luftës, Mari Kyri ngriti “Institut du Radium” – Institutin e ardhshëm Curie – e themeluar në vitin 1909. Virtytet terapeutike të radiumit për të vrarë tumoret malinje janë të njohura, por mbetet ende shumë për të bërë për të kontrolluar përdorimin e tij. Ajo do ta bëjë atë deri në vdekjen e saj në 1934. Vdiq në korrik 1934 në moshën 66 vjeç. Vdekja e saj nuk u shoqërua me ndonjë ceremoni zyrtare. Mirëpo, në vitin 1995, presidenti Fransua Miteran e solli në Panteon, së bashku me të shoqin. / KultPlus.com
Shoqata e arteve pamore “ArtPlisi” organizon një ekspozitë të veçantë në galerinë “Kemptnertobel” në Wetzikon ZH, e cila do të bashkojë veprat e 17 artistëve shqiptarë që jetojnë dhe krijojnë në Zvicër. Ekspozita është e kuruar nga artistja Valerijana Krasniqi,ku do të ofrojë mundësinë për të përjetuar artin shqiptar në një kontekst ndërkombëtar.
Sipas artistit Dussi Sadriji në këtë ngjarje, që do të hapet më 9 nëntor 2024, nga 17 artiste të qmuar do të ekspozohen edhe punimet e artistëve të njohur si Saimir Strati, Rame Dardania dhe Idriz Berisha, i cili do të jetë pjesëmarrës nderi në këtë ngjarje.
Saimir Strati, i njohur për mozaikët e tij të mrekullueshëm dhe për mbajtjen e 11 rekordeve botërore, do të prezantojë disa nga krijimet e tij më të veçanta. Po ashtu, Rame Dardania do të sjellë për publikun punimet e tij të njohura në stilin abstrakt, ndërsa Idriz Berisha “Xhixhi” nga Kosova, me një karrierë të gjatë artistike, do të ndajnë veprat që përfaqësojnë mjeshtërinë e tij.
Hapja e ekspozitës do të jetë më 9 nëntor, duke filluar nga ora 18:00, dhe do të shoqërohet me një Apero dhe një program të pasur. Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 1 dhjetor 2024, dhe është një mundësi e shkëlqyer për të shijuar artin shqiptar dhe për të njohur më shumë rreth krijimtarisë së këtyre artistëve të talentuar./KultPlus.com
Edicioni VII i Euro Balkan Film Festival që po zhvillohet në Romë deri më 12 nëntor ndërmjet ”Casa del Cinema”, MAXXI dhe ”Nuovo Cinema Aquila” i kushtohet jo vetëm festimit të kinemasë ballkanike, por edhe promovimit të bashkëpunimit midis produksionit italian dhe atij ballkanik.
Ky edicion i bën homazh shkrimtarit më të madh shqiptar Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë, me dhënien, pas vdekjes, të Çmimit të Karrierës për Bashkëpunimin Kulturor Italo-Ballkanik dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore midis Italisë, Ballkanit dhe kulturës evropiane.
Çmimi, i dorëzuar nga presidenti i shoqatës ”Occhio Blu”, organizator i festivalit, ambasadori Mario Bova, do të merret nga Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit.
Më pas do të shfaqet filmi i Luciano Tovolit ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1983), bazuar në romanin me të njëjtin emër.
Në homazh për të, shfaqjes do t’i paraprihet një panel i thelluar në profilin e shkrimtarit, ku do të flasin Francesco Altimari, studiues dhe profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Kalabrisë, Matteo Mandalà, profesor ordinar i Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos, Diana Çuli dhe Luciano Tovoli.
Ndërkohë, do të ketë 10 filma në konkurrim nga regjisorë të rinj që prezantojnë gjuhë të reja kinematografike.
Ndër zërat domethënës dhe për rrjedhojë më të rrallë, ai i Kumjana Novakovës, regjisores maqedonase, e cila do të prezantojë dokumentarin e saj ”Heshtja e arsyes”, me realitetin jashtëzakonisht të dhunshëm të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë midis viteve 1992-95, veçanërisht në fshatin boshnjak Foça, i ashtuquajturi “kampi i përdhunimit”.
Filmat jashtë gare do të ofrojnë një dialog midis historisë ballkanike dhe asaj italiane duke prekur tema të tilla si luftërat ballkanike dhe kujtesa historike./atsh/KultPlus.com
Tri bashkëprodhime me Kosovën shfaqën premierën, dhe dy projekte filmike nga Kosova përkrahen për zhvillim në kuadër të edicionit të 65-të të Festivalit të Selanikut, përderisa u mbajt Asambleja e 37-të e Rrjetit të Kinemasë së Evropës Juglindore.
Premierën shfaqën:
‘Lluna Park’ nga Florenc Papas, me rrolin kryesor nga Adriana Matoshi, me producent Dritan Huqi dhe bashkëproducent nga Kosova Fatmir Spahiu.
‘Vidra’ nga Srdjan Vuletic, me aktorët nga Kosova Aurita Agushi dhe Edona Reshitaj si dhe Fatmir Spahiun aktor dhe bashkëproducent nga Kosova.
‘The River’ nga Haris Raftogiannis, me aktoren Ilire Vinca, dhe bashkëproducentë nga Kosova Eshref Durmishin dhe Besnik Krapin.
Projektet filmike të mbështetura për zvillim:
‘Zbardhje’ nga Kaltrina Krasniqi, shkruar nga Dori Basha, dhe producent Ares Shporta, u mbështet në kuadër të tregut Agora me çmimin zhvillimor për Marché du Film të rrjetit të producentëve.
Përderisa ‘Vestige’ nga Rita Krasniqi ishte njëri ndër tetë projektet e mbështetura për zhvillim në kuadër të Asamblesë së 37-të të Rrjetit të Kinemasë së Evropës Juglindore./KultPlus.com
“Duhet guxim për të dashuruar, por dhimbja përmes dashurisë është një zjarr pastrues gjë të cilën ata që dashurojnë në përgjithësi e dijn. Ne të gjithë njohim njerëz të cilët aq shumë frikësohen nga dhimbja sa që mbyllen brenda vetes dhe nuk japin asgjë, nuk marrin asgjë dhe në këtë mënyrë tkurren deri sa jetën e bëjnë thjeshtë një vdekje që jeton.”
“Pavarësisht se sa e thjeshtë është një femër, nëse e vërteta dhe ndershmëria janë të shkruara në fytyrën e saj, ajo do të jetë e bukur.”
“Unë besoj që secili mund ta mposht frikën duke i bërë gjërat që gjithmonë ka pasur frikë ti bëjë.”
“Është shumë më mirë të ndezësh një qiri se sa ta mallkosh errësirën.”
“Kurrë mos u mërzit dhe kurrë nuk do të bëhesh i mërzitshëm.”
Kujtojmë se sot bëhen 138 vite nga lindja e Eleanor Rooseveltit, ish-zonja e parë e SHBA-ve.
Anna Eleanor Roosevelt ishte një figurë, diplomate dhe aktiviste politike Amerikane.
Ajo shërbeu si zonja e parë e Shteteve të Bashkuara nga 4 mars 1933, deri në 12 prill 1945, gjatë katër mandateve të burrit të saj Presidentit Franklin D. Roosevelt në detyrë.
Roosevelt shërbeu si Delegate e Shteteve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Harry S. Truman më vonë e quajti atë “Zonja e Parë e Botës” në shenjë nderimi për arritjet e saj të të drejtave të njeriut./ KultPlus.com
Çmimi Kadare, i iniciuar në vitin 2014 me bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare festoi 10-vjetorin, në një event që bëri bashkë fituesit ndër vite e personalitete të letërsisë, në praninë e zonjës Helena Kadare.
“Kam qenë prezente kur Çili ka ardhur në shtëpinë e plazhit dhe i ka bërë propozimin Ismailit. Nëse kjo gjë i vlen letërsisë, dakord jam. Dhe ja ku jemi këtu pas 10 vitesh, uroj që kjo gjë të vazhdojë, të mos ndërpritet asnjëherë.”, shprehet Helena Kadare.
“Platforma jonë, me bekimin e Kadaresë, ka qenë mbështetja e të shkruarit shqip, mbi dorëshkrime, pra një nxitje burimore që njerëzit të shkruajnë letërsinë shqipe në të gjitha zhanerat e veta. “, tha Henri Çili.
Ky jubilee erdhi si një homazh për kolosin e letrave shqipe, që u nda nga jeta katër muaj më parë, teksa poezi të përzgjedhura të Kadaresë, erdhën përmes notave muzikore nga Gjergj Leka dhe Liljana Kondakçi.
“Është nëntori i parë pa Ismail Kadarenë, ne nuk pyesim dot më çfarë po shkruan Kadareja. Të gjitha ata që shkruajnë, nuk pyesin dot më çfarë do thoshte Kadare po ta lexonte. Kjo është një humbje e madhe për letrat shqipe dhe për secilin prej nesh.”, u shpreh Alfred Lela.
Dekada e parë e këtij rrugëtimi vjen e përmbledhur në një album nga Instituti Liberal Pashko dhe UET Press. Ndërsa Çmimi special Kadare 2024 iu dha poetit Preç Zogaj, për veprën Në çdo pasqyrë na sheh mëkati, një personifikim i bukurisë dhe elegancës së lirikës bashkohore.
Ndërkohë, duke nisur nga dekada e dytë, juria e çmimit do të përbëhet nga fituesit e mëparshëm./TopChannel/KultPlus.com
Androkli Kostallari është njëri ndër gjuhëtarët më të shquar shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në lartësimin e gjuhës shqipe dhe në ngritjen e gjuhësisë shqiptare në nivelin e vendeve të tjera të Europës Lindore. Student i shkëlqyer i Universitetit “Lomonosov” të Moskës (1949-1954) dhe ndjekës i zhvillimeve në gjuhësinë botërore, ai arriti të kishte një formim teorik të admirueshëm.
Njihte shumë mirë gjuhësinë tradicionale dhe rrymat gjuhësore strukturaliste e passtrukturaliste që lulëzonin në Perëndim dhe këto njohuri u përpoq t’ua përcillte studentëve e bashkëpunëtorëve të rinj shkencorë, duke arritur të kishte te brezat e rinj të gjuhëtarëve një ndikim që nuk e ka pasur asnjë gjuhëtar tjetër i brezit të tij. Për gati 40 vjet, që nga viti 1953, kur ishte ende student, e deri më 1991 punoi pa u lodhur duke lënë prapa një veprimtari të pasur botuese, që përfshin fjalorë llojesh të ndryshme, 16 monografi dhe një numër të madh shkrimesh. Vetëm monografitë, referatet e artikujt e tij, të botuara në katër vëllime nga Akademia jonë e Shkencave, arrijnë më shumë se 2 mijë faqe, pa llogaritur këtu leksionet e shkruara universitare e pasuniversitare që ka mbajtur në Tiranë e Prishtinë. Që nga viti 1957, kur u vu në krye të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, e deri më 1990, punoi me ngulm për ngritjen e këtij institucioni dhe për organizimin dhe drejtimin e punës shkencore të tij, duke u dalluar si drejtues energjik e i palodhur.
Me themelimin e Akademisë së Shkencave më 1972, Androkli Kostallari u zgjodh akademik dhe anëtar i presidiumit të saj. U dekorua më 1959 me Urdhrin e Punës të Klasit të Dytë për veprimtari të shquar në fushën e shtypit, në vitin 1972 me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë për ndihmesa të shquara në fushën e arsimit e të kulturës dhe më 1974 mori Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë për veprën “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”.
Këtë çmim mori edhe për “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”. Për merita në fushën e arsimit, më 1987 u nderua me titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Emri i tij u bë i njohur edhe jashtë botës shqiptare. Ai e ka përfaqësuar denjësisht gjuhësinë tonë në botën shkencore europiane. Më 1960 u zgjodh anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CIOS), më 1963 u bë anëtar dhe për disa vjet nënkryetar i Komitetit të Studimeve për Europën Juglindore (AIESEE), qe edhe anëtar i redaksisë së “Atlasit të Gjuhëve të Europës”. Për punën e tij në fushën e teorisë së gjuhës letrare, Universiteti i Goteborgut (Suedi) i ka dhënë titullin Doctor honoris causa në shkencat filologjike dhe Magjistër i arteve të lira.
Me gjithë këto merita, Androkli Kostallari mbeti një njeri tepër modest, që kurrë nuk u mburr dhe as i shfrytëzoi këto merita për përfitime vetjake. Jetoi thjesht dhe jo pa shqetësime e privacione, për shkak të mjeteve monetare të pamjaftueshme për të mbajtur familjen dhe të mungesës së kushteve për punë në shtëpi. Megjithatë, këto nuk e penguan të punonte pa u lodhur dhe të ndërtonte marrëdhënie korrekte pune e shoqërore. Nuk la cep të Shqipërisë pa shkelur në kërkim të fjalës së rrallë ose në veprimtari shkencore, prandaj nuk kishte njeri që të mos e njihte, ashtu si ai i njihte me emër mësuesit e përkushtuar të gjuhës shqipe që përpiqeshin të mblidhnin fjalë të reja ose të merreshin me punë shkencore. Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore dhe pedagogjike të tij qenë leksikologjia e leksikografia, fjalëformimi, onomastika, gjuhësia e përgjithshme dhe teoria e gjuhës letrare. Po vendin e kreut në këtë veprimtari e zënë studimet për fjalëformimin, ku spikatin monografitë e punimet për fjalët e përbëra në gjuhën shqipe, një kategori fjalësh me të cilat gjuha jonë është shumë e pasur, por deri atëherë pothuajse e pastudiuar. Ai ishte i bindur se gjuha shqipe i ka të gjitha mundësitë për të përballuar, me mjetet e veta, nevojat e shprehjes në të gjitha fushat e veprimtarisë ligjërimore. Pastërtia e leksikut të gjuhës së shkruar nëpërmjet krijimeve të reja e, sidomos, nëpërmjet aktivizimit të fjalëve shqipe nga leksiku popullor, ka qenë njëri nga qëllimet kryesore të punës së tij shkencore.
Ai përgatiti një bërthamë leksikografësh, që do të bëheshin bashkautorë të “Fjalorit të gjuhës së stome shqipe” (1980) me 41 mijë fjalë, fjalori më i madh shpjegues i gjuhës shqipe i hartuar deri më sot. Ky fjalor, që u udhëhoq në çdo fazë të tij nga A. Kostallari përbën arritjen më madhore të leksikografisë shqiptare. Ai qe edhe bashkautor i një fjalori të vogël shqip-rusisht (të botuar më 1951, kur ishte ende student) dhe redaktor i të parit fjalor rusisht-shqip me 25 mijë fjalë. Një aspekt tjetër në këtë fushë qe edhe puna si bashkautor në hartimin e mbi 30 fjalorëve terminologjikë shqip-gjuhë të huaja, me të cilët shqipes iu zgjerua frymëmarrja edhe në fushë të terminologjisë. Fushë e rëndësishme e veprimtarisë shkencore të Androkli Kostallarit ka qenë edhe historia e formimit dhe e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe si dhe veçoritë ndërtimore e funksionale të saj, të cilat i ka trajtuar në një varg studimesh, që mbeten model i analizës shkencore.
Mori pjesë në komisionin hartues të “Ortografisë së gjuhës shqipe” (1956), kryesoi komisionin hartues të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” (Projekt, 1976); ishte kryetar i komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit (1972), ku mbajti referatin kryesor; kryesoi komisionin për hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973), të “Fjalorit drejtshkrimor” (1976) dhe të doracakëve të tjerë normativë. / KultPlus.com
Ditën kur barra mbi supe të bëhet e padurueshme dhe qorrollisesh, bota vallëzoftë dhe drejtpeshimin ta ktheftë.
Kur sytë pas dritares së hirtë të bëhen akull dhe fantazma e humbjes të kaplon, një tufë ngjyrash ardhshin te ti, të kaltra, të kuqe, të gjelbra dhe bojë qielli për të të zgjuar nga gjumi si shokët.
Kur ekrani i të menduarit plasaritet dhe një njollë oqean rritet nën ty duke u nxirë, një shteg i verdhë i dritës së hënës u shtriftë mbi valë dhe të sjelltë të sigurt në breg.
Ushqimi i tokës qoftë yti, kthjelltësia e dritës qoftë jotja, uji i oqeanit qoftë yti, mbrojtja e të parëve qoftë me ty.
Dhe një erë e lehtë i sjelltë në gjirin tënd këto fjalë të dashurisë, si një pallto të padukshme, që jetën ta mbron. / KultPlus.com
Baleti “Giselle” me historinë e mrekullueshme të dashurisë që triumfon edhe përtej vdekjes, e çon trupën e baletit të TKOB-së në Palma de Mallorca të Spanjës në datat 7, 8 dhe 10 nëntor.
Ky balet i veçantë, që përcjell thellësinë e ndjenjave dhe bukurinë e baletit klasik, do të prezantojë talentin e balerinëve shqiptarë për publikun ndërkombëtar.
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit në një postim në rrjetet sociale shprehet se, ky bashkëpunim nënvizon angazhimin për të promovuar artin dhe kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare, duke vendosur TKOBAP-në në hartën kulturore botërore dhe duke ofruar një platformë të denjë për artistët shqiptarë./atsh/KultPlus.com