Kongresi i parë gjuhësor kushtuar shqipes, në Kalabri

129 vjet me parë zhvilloi punimet i pari Kongres Gjuhësor Shqiptar.

Ky kongres u mbajt në Koriliano Kalabro, të Provincës së Kozencës, më 1–3 tetor 1895 dhe u pasqyrua gjerësisht nga shtypi italian dhe europian i kohës si një ngjarje me rëndësi të veçantë. Tema e kongresit ishte prezantimi i aspekteve gramatikore, leksikore dhe fonetike të gjuhës shqipe, të asaj gjuhe të lashtë, të ëmbël e melodioze, që arbëreshët e ruanin dhe e kultivonin me dashuri dhe patriotizëm shembullor.

Kongresi i zhvilloi punimet në mjediset e gjimnazit “Garopoli” dhe morën pjesë 25 kongresistë gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe klerikë të shquar të kishës arbëreshe.

Ky aktivitet shkencor gjuhësor dhe patriotik u ndoq nga afër nga rreth 500 pjesëmarrës të ardhur nga komuna të ndryshme të Kalabrisë, Kampanjës, Pulias dhe Siçilisë. Me 2 tetor 1895, pjesëmarrësit në Kongresin e Koriliano-Kalabro miratuan themelimin e Shoqërisë Kombëtare Shqiptare, statutin dhe këshillin drejtues me kryetar nderi një prej personaliteteve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XIX dhe botës arbëreshe, Jeronim De Radën./atsh/ KultPlus.com

129 vjet nga lindja e Ahmet Zogut

Ishte data 8 tetor e vitit 1895 kur lindi Ahmet Zogolli, i cili do të bëhej Mbreti i Parë i shqiptarëve, dhe do ta merrte kështu emrin Mbreti Zog.

Ai lindi në Burgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani. Pas 13 vjetëve Ahmet Zogu i ri bëhet shef i krahinës së Matit. Më pas ai dërgohet në liceun Francez dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.

Më vonë, në moshë të re Zogu do të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.

Tutje, vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm si 25-vjecare.

Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki, dhe ai shpallet Mbret i Shqiptarëve.

Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.

Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.

Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.

Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris. /KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit ndaj Disleksisë

Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit ndaj Disleksisë kremtohet çdo vit më 8 tetor. Ajo që për një pjesë të madhe të popullsisë merret si e mirëqenë, si leximi dhe shkrimi rrjedhshëm, në fakt është një fushë lufte për ata që kanë disleksi.

Disleksia është një çrregullim i zakonshëm i të mësuarit që ndikon në aftësinë e një personi për të lexuar dhe shkruar siç duhet. Disleksikët shpesh nuk janë në gjendje të lexojnë shpejt dhe të shkruajnë pa bërë gabime. Ata mundohen shumë në detyra që kërkojnë koordinim sy-dorë. Disleksia prek 20% të popullsisë dhe përbën 80% deri në 90% të të gjitha çrregullimeve të të nxënit. Dita Botërore e Disleksisë rrit ndërgjegjësimin për këto çështje dhe çfarë mund të bëhet për të menaxhuar një çrregullim të tillë.

Disleksia është një çrregullim i të mësuarit që prek si fëmijët ashtu edhe të rriturit. Disleksia u identifikua për herë të parë nga mjeku gjerman Oswald Berkhan në 1881, por mori emrin “disleksia” nga okulisti Rudolph Berlin gjashtë vjet pasi u identifikua çrregullimi. Berkhan zbuloi ekzistencën e çrregullimit zhvillimor të leximit ndërsa analizonte rastin e një djali të ri, i cili kishte raportuar vështirësi të mëdha në të mësuarit për të lexuar dhe shkruar siç duhet. Meqenëse pacienti ishte intelektualisht dhe fizikisht i shëndetshëm, Berkhan ishte veçanërisht i intriguar nga rasti i tij.

Pasi gjetjet u bënë të njohura, Berkhan kuptoi se pacienti i tij i ri nuk ishte një rast i rrallë dhe se në fakt, shumë të rritur dukej se po vuanin gjithashtu nga ky çrregullim.

Ashtu si disa paaftësi të tjera, disleksia nuk mund të trajtohet vetëm me ilaçe. Pacientët shpesh kanë nevojë për terapi, metoda inovative për të mësuar dhe kujdes të vazhdueshëm nga kujdestarët për të jetuar një jetë ku vështirësitë e tyre të të mësuarit mund të menaxhohen. Kur çrregullimi është i padiagnostikuar, pacientët shpesh ngatërrohen si dembelë, nxënës të ngadaltë ose kokëfortë me një aftësi për të shkaktuar telashe, por kjo, natyrisht që është larg nga e vërteta./atsh/ KultPlus.com

Podvorica e Hoxha në debat kulturor përballë brezit të ri

Profesoresha e solokëndimit, Elife Podvorica –Jashari dhe pianistja Pranvera Hoxha do të marrin pjesë në një debat publik kulturor, të organizuar për gjeneratën e re të muzikantëve.

I quajtur “Artistët për Brezin e Ri: Muzikë dhe Inspirim”, ngjarja do të mbahet këtë të premte në Prishtinë.

“Jemi të lumtur t’ju ftojmë të merrni pjesë në një debat publik kulturor, ku dy artiste të suksesshme do të ndajnë perspektivat e tyre mbi rolin e artit në edukimin,udhëkryqet e karrierës së tyre, emocionet në skenë duke sjellë motiv për brezat e ardhshëm në muzikë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Elife Podvorica – Jashari është soprano qysh prej vitit 1984, shumë aktive me disa Kore Profesionale nëpër mbarë Kosovën. Në vitin 1999 ajo nisi punën edhe si profesoreshë. Në vitin 1984, ajo fitoi vendin e parë në Garat Federative të Ansambleve të ish -Jugosllavisë.

Ndërkaq Pranvera Hoxha është pianiste aktive në skenën kosovare e cila merr pjesë në organizime të ndryshme në vend./rtk/ KultPlus.com

Mbyllet për disa muaj Muzeu Etnografik i Elbasanit

Duke filluar nga data 8 Tetor 2024 , Muzeu Etnografik i Elbasanit i hapur në vitin 1986 do të mbyllet  për një periudhë prej 4 -6 muaj pasi në të do të kryhen punime restauruese  të nevojshme për shkak të amortizimit të çatisë, dyshemesë ,dyerve, dritareve etj.

Gazetari Fatmir Popja raporton për Balkanweb se një kompani me mjaft eksperiencë  gjatë muajve në vazhdim do ë kryejë punime në Muzeun Etnografik të Elbasanit për përmirësimin  strukturor dhe estetik të saj dhe me synimin për të garantuar jo vetëm ambjente me pamje fantastike  por edhe tejet të sigurta për vizitorët që sivjet janë shumëfishuar krahasuar me vitin e kaluar.

Ky muze përmban kuadrin historik, zejtarinë, me rreth 80 lloje zejesh, veshjet , tipin e banesës qytetare karakteristike elbasanase. Në të ruhen me fanatizëm prodhimet artizanale të bëra nga qytetarë të ndryshëm elbasanas, si edhe një sërë dokumentash të cilat flasin për historinë e lashtë të këtij qyteti. Aty gjenden kostumet  e burrave dhe grave të cilat janë të punuara nga rrobaqepësit e talentuar elbasanas që shquheshin për stilin e veçantë shqiptar.

Ato janë  një mozaik i pasur veshjesh që pasqyrojnë  tiparet e krahinës etnografike. Në këtë muze gjenden jelekë, xhamadanë, xhybe, dollomane etj, të bëra me copa të kushtueshme, të zbukuruara me motive vendase e të thurura me gajtane e tel argjendi, ose ari. Kostumet e burrave e të grave ruhen në dhoma të veçanta të këtij muzeu  dhe dallohen për bukurinë dhe elegancën si edhe çmohen  shumë nga të huajt. Një dolloman apo xhybe e kategorisë së parë e punuar me copë kadife të kuqe të importuar që përdorej nga aristokracia e lartë kushtonte jashtëzakonisht shtrenjtë për kohën dhe jo gjithkush kishte fatin të  vishte një të tillë.

Në këtë muze gjen punime të metalpunuesve, artizanëve, dru punuesve, armëtarëve, leshpunuesve, etj .Muzeu ka edhe dhomat e pritjes , të ngrënies , të fjetjes dhe ambjente të tjera të bollshme .Aty ruhet guri i varrit të Mark Sabidit, i cili vërteton vendodhjen e qytetit të Elbasanit.Gjithashtu në muze ndodhet edhe dokumenti më i vjetër arkeologjik ,basorelievi i skalitur në gur, stela me figurën e nuses ilire, si edhe vegja e tezgjahu që përdoreshin nga gratë elbasanase të cilat endin pëlhura dhe qilima, etj. Muzeu  Etnografik i  Elbasanit mbart brenda një pasuri të çmuar  të historisë së qytetit dhe vizitohet  nga qindra e mijëra të huaj.

Muzeu2

Ky muze ,është një ndërtesë që shquhet për mënyrën e ndërtimit dhe arkitekturën e saj mjaft të veçantë, duke e identifikuar  atë si një perlë  në trevën e Elbasanit e cila është ndërtuar në një periudhë kur qyteti ishte i mbushur me pasanikë çka dëshmon edhe  zhvillimin urban të kohës.Edhe në ditët e sotme godina e Muzeut Etnografit të Elbasanit mbetet një nga më të bukurat e këtij qyteti dhe përbën një pasuri të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore dhe është një shtëpi me karakteristikave të veçanta të shekullit XVIII-të./ Balkanweb/ KultPlus.com

Xhubleta shqiptare në UNESCO/ Studiuesja: Në rrezik zhdukjeje, e realizon vetëm një artizane në Shkodër

Xhubleta shqiptare, aseti i rëndësishëm kulturor me vlera historike, është marrë nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Studiuesja, Silvana Nini ka thënë në emisionin “Pas Mesnate” se po përpiqemi të dëshmojmë dijebërjen dhe detyra është rivitalizimi i xhubletës. Ajo ka theksuar se kjo veshje është në rrezik zhdukje dhe në vitet ’70.

“Ne zyrtarisht jemi në UNESCO, por kemi dhe ca rrugë të tjera, sepse xhubleta si dijebërje hyri pikërisht te lista në rrezik dhe i duhet kjo rruga që duhet të bëjë për të kaluar te lista prezantuese. Pra, duke kaluar te kjo listaprezantuese, pastaj sigurisht ka dalë nga rreziku. Lista në rrezik është gjithmonë aty për elementë kulturor që mund të mos jenë në rrezik, por duke mos u mirëmbajtur ato kalojnë në listën në rrezik. Pra, lista në rrezik është një moment alarmi, që tregon që ky element kulturor rrezikon. Çfarë rrezikon xhubleta? Sepse xhubleta nuk është futur si elementë material, por si dijebërje. Pikërisht, se është ajo dijebërje që i jep këtë formë kaq të veçantë xhubletës. Jemi që patjetër që sëbashku me dosjen e plotësuar u bë dhe projekti për të rivitalizuar dijebërjen, që sigurisht ishte shumë më mirë futja në rrezik duke ditur nivelet e dijebërjes sot të xhubletës. Gjë që jep shtysa dhe duhet të ndihmojë për të rivitalizuar këtë elementë kaq të rëndësishëm shpirtëror që ne kemi”, tha Nini.

Studiuesja zbuloi se vetëm një artizane në Shkodër realizon xhubletën shekullore, pasi në vendin tonë ka disa gra në moshë që realizojnë një të tillë, por jo të gjitha proceset.

“Xhubleta ka ndaluar së bëri gati dhe me daljen nga përdorimi. Por dhe një lloj nxitjeje, ndoshta jo me detyrim, por dhe një mënyrë që veshja të spostohej dhe të zëvendësohej patjetër me veshjen e re, qytetare moderne, që i jepte liri grave për të jetuar sipas sistemit komunist të kohës.

Sigurisht që gra që dinë si bëhet ka akoma, janë në moshë shumë të madhe, kalojnë të 70-tat, 80. Ka nga ato që e kanë parë si bëhet, ka nga ato që dinë disa procese, por nuk e dinë të tërë. Sepse ndahen në grupe.

Një artizane në Shkodër, File Kola, e bëri si dikur. Unë mendoj që dinte si bëhej, iu fut punës dhe e  riaktivizoj”, tha ajo./abcnews.al/ KultPlus.com

‘Travel and Tour World’: Bumi turistik i Përmetit! Dyfishim i vizitorëve në atraksionet gjatë gjithë vitit

Përmeti, një qytet i njohur për atraksionet e tij të shumta, është shndërruar në një destinacion turistik jo vetëm për turistët e verës, por edhe për vizitorët gjatë gjithë vitit, sipas një artikulli të botuar në “Travel and Tour World” (TTW).

Përmeti është një qytet i vogël në rrugën e re mes Gjirokastrës dhe Korçës. Është vendi ideal për një udhëtim nga bregu drejt liqenit të Ohrit.

I vendosur në lumin Vjosa në periferi të Parkut Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli, Përmeti njihet si ‘qyteti më i gjelbër’ i Shqipërisë.

Është porta për në lumin e fundit të egër të Evropës dhe një destinacion në zhvillim ekoturizmi.

Në periferi të qytetit do të gjeni kishën spektakolare ortodokse të Leusës – kisha më e bukur në Shqipëri – si dhe burimet e famshme termale të Benjës dhe burimet më pak të njohura termale të Sarandaporit.

Kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha, theksoi bashkëpunimin e fortë mes qeverisë, autoriteteve vendore, bizneseve dhe komunitetit për të promovuar turizmin gjatë gjithë vitit.

“Turizmi është fokusi ynë parësor. Ndërsa fillimisht synuam ta poziciononim Përmetin si një destinacion turistik europian, sot me krenari mund të themi se e ka arritur këtë status”, tha Hoxha.

“Përpjekjet tona janë të orientuara drejt garantimit të turizmit të qëndrueshëm dhe gjatë gjithë vitit. Përmeti mbetet një nga qytetet më të vizituara”, theksoi ajo.

Kryebashkiakja vuri në dukje gjithashtu një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve krahasuar me një vit më parë.

“Deri në fund të gushtit të këtij viti, rreth 100 mijë turistë vizituan Përmetin. Është zgjeruar edhe disponueshmëria e akomodimeve”, shtoi ajo.

Sezoni veror i vitit 2024 parashtroi disa sfida, të cilat çuan në një sukses më të madh në sektorin e turizmit, duke e pozicionuar Përmetin dhe zonat përreth tij si destinacione tërheqëse gjatë gjithë vitit. /atsh/ KultPlus.com

Begaj: Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, stabilitet rajonal

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka folur për një takim që e pati me homologen maqedonase, Gordana Siljanovska, në kuadër të Samitit të Bërdo Brione.

Në një postim në platformën X, ai ka deklaruar se pranuar bashkëpunimin e fortë politik dhe theksuan se anëtarësimi i dy shteteve në NATO siguron më tej stabilitetin rajonal.

“Ne kemi besim se nisma e Korridorit VIII do të rrisë lidhjen dhe do të fuqizojë ekonomikisht të dy vendet”.

“Theksova gjithashtu rëndësinë e gjuhës shqipe, të përcaktuar në Marrëveshjen e Ohrit, si një gur themeli i marrëdhënieve tona”, ka thënë Begaj.

Kryengritja e Zhapokikës, ‘Shtëpia me gjethe’ përkujton rebelimin kundër regjimit komunist

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot Kryengritjen e Zhapokikës.

Lëvizja e armatosur e Zhapokikës më 8 tetor 1948 ishte një kryengritje antikomuniste e banorëve të zonës ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe përpjekje e qartë kundër regjimit diktatorial.

Ishte një revoltë me armë e organizuar, e mirëmenduar dhe me detyra politike dhe luftarake të përcaktuara e të studiuara. Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, i ri 30-vjeçar, ish-partizan, me arsim fillor, i martuar me dy fëmijë.

Të mbi 20 burrat që morën armët, ishin të moshës mesatare 40 vjeç, burra të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës, me barrën e dy luftërave botërore mbi shpinë. Në përbërje të çetës kishte ushtarakë, komunistë, ish-partizanë, policë të zonës e nëpunës të administratës lokale. Detyra luftarake e çetës ishte: të luftonte me armë derisa në Shqipëri të vijë në fuqi një qeveri demokratike. Pas zgjedhjes së shtabit të komandës, komandant u zgjodh ish-xhandari 59 vjeçar, Bajram Kamberi. Çeta arriti të rezistonte për rreth një javë e ndjekur nga forcat e shumta qeveritare.

Më 10 tetor në qafën e Gllavës bëhet beteja për jetë a vdekje me forcat e shumta qeveritare, ushtarë dhe policë, të ardhur nga Tepelena dhe nga Berati. Mbesin të vrarë dy policë dhe dy kryengritës. Të 25 kryengritësit e identifikuar ishin; 13 nga fshati Zhapokikë, 7 nga fshati Luftinjë, 3 nga fshati Kamçisht dhe 2 nga Salaria. Çeta përfundimisht u shpartallua. Xhemal Brahimi u arratis fillimisht në Greqi pastaj në SHBA.

Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës, me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi më datën 4.06.1949 disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes, duke i akuzuar se në shtator-tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor. Komandant Barjam Kamberi u dënua me pushkatim e u ekzekutua në Gjirokastër, më 21 korrik 1949. Të tjerët u dënuan me burgime të rënda e dikush vdiq në burg. Numri i të vrarëve nga shteti dhe i të vdekurve në burg arritën në nëntë. Sulo Zaimi, si nxitës i fshehtë i kryengritjes, u dënua me 20 vjet burg. Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri në vitin 1991. Të gjithë të dënuarve iu sekuestrua pasuria dhe humbën të drejtën elektorale.

Kryengritja e Zhapokikës ishte kryengritja e fundit kundër regjimit komunist dhe dëshmi që komunizmi nuk u kundërshtua me armë vetëm në veri por edhe në jug./atsh/ KultPlus.com

Java e Kulturës Japoneze në Shqipëri, premtohet përvojë autentike për pjesëmarrësit

Arti dhe kultura e Japonisë do të jenë të pranishme në Shqipëri nga datat 9 deri më 15 tetor përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen në kuadër të Javës Kulturore Japoneze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.

Të interesuarit mund të bëhen pjesë e aktiviteteve si: festival filmi, workshop mbi kuzhinën dhe teknikat e origamit, ceremoni çaji, dhe një turne karateje dhe judoje. Java Kulturore Japoneze ka se ç’te ofroje për të gjithë ata që kërkojnë një përvojë autentike japoneze. Aktivitetet do të çelen nesër me një workshop mbi kulinarinë, ku një shef i mirënjohur do të përgatisë pjata tipike të kulturës japoneze. Ky event është një mundësi shumë e mirë për të thelluar njohuritë mbi teknikat dhe përbërësit unikë të kësaj kuzhine.

Prej nesër e deri më 15 tetor, në kinema “Maks Velo” në Tiranë, do të mbahet Festivali i filmit japonez, që do të sjellë për publikun 5 filma të animuar si: “Ride Your Wave”, “5 Centimeters per Second”, “Time of EVE the Movie”, “The Wonderland”, “The Place Promised in Our Early Days”.

Ndërsa në datën 12 tetor, në Universitetin Politeknik të Tiranës, do të organizohet ceremonia e çajit. Shtatë mjeshtra të ceremonisë së çajit do të njohin të pranishmit me çajin tradicional dhe ritualet e tij të veçanta. Gjithashtu mjeshtrat e çajit do t’u përgjigjen edhe pyetjeve apo kurioziteteve të të pranishmëve.

Më 13 tetor, në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Femijë, do të organizohet workshop-i, “Arti magjik dhe mijëvjeçar i origami”. Ky aktivitet është një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar artin e palosjes së letrës, një traditë që ka ekzistuar për shekuj me rradhë dhe që vazhdon të frymëzojë njerëzit në të gjithë botën.

Do të jetë një simpozium që do të mbyllë Javën Kulturore Japoneze, që do të mbahet në Universitetin Politeknik të Tiranës. Aktiviteti ofron informacione nga përvoja reale të atyre që kanë qenë ose kanë studiuar në Japoni.

Pas Japonisë, do të jetë radha e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të sjellë ngjarje kulturore nga më të ndryshmet./atsh/ KultPlus.com

Promovohet Qendra Kulturore dhe Dega e Bibliotekës në fshatin Llukar

Gjatë ditës së sotme është përuruar Qendra Kulturore dhe dega e Bibliotekës në fshatin Llukar të Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Për këtë përurim është bërë e ditur nga drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

“Jashtëzakonisht e lumtur që sot e promovuam Qendrën Kulturore dhe Degën e Bibliotekës në fshatin Llukar. Kjo hapësirë do të shërbejë si një vend takimi për të rinjtë dhe të rejat që e duan artin dhe dëshirojnë ta zhvillojnë atë.

Një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë të angazhohen, të krijojnë dhe të shprehin veten në një ambient kaq frymëzues”, ka shkruar Halimi./ KultPlus.com

Piktura e Tahir Emrës – art substancial

Mehmet Kraja

Ikja në amshim e Tahir Emrës është një lajm i trishtë, jo vetëm për anëtarët e Akademisë, për kolegët e tij, por për të gjithë komunitetin artistik të Kosovës. Si pjesëtar nga më të denjët e këtij komuniteti, bashkë me gjeneratën e krijuesve më të spikatur të këtij vendi, Tahir Emra, me shumë kurajë dhe dinjitet, të thuash në një qetësi solemne, ishte kontribues i shquar i asaj gjenerate, e cila, para se Republika e Kosovës të merrte atribute politike, arritën të ndërtonin “republikën e artit”: ta bënin Kosovën me identitet artistik!

Në suaza të kësaj tradite, Tahir Emra u identifikua pikërisht si zë identitar, që me heshtjen e tij të mençur e racionalizon retorikën dhe euforinë, në një kohë që ekspresivitetit ia gjen vendin në pikturën e tij substanciale, të sendërgjuar me një abstraksion të thuash gjenetik, primordial.

Piktura e Tahir Emrës ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vështirë për interpretim, për kritikë dhe analizë, jo vetëm pse i përket artit abstrakt dhe hermetik, por më shumë për faktin se piktura e tij e tejkalon “lehtësinë e papërballueshme” të interpretimit të mesazheve të drejtpërdrejta. Ajo nuk manifeston, ajo nuk mban etiketa njohëse dhe as shpjeguese, ajo thjeshtë nxit për meditim për kuptime të thella ekzistenciale, ndonjëherë më të afërta, ndonjëherë krejt të largëta.

Koha kur u realizua opusi artistik i Emrës, kur panë dritë pikturat e tij më të rëndësishme dhe kryesore, ishte kohë e vështirë, kohë kur, njësoj si në letërsinë tonë të atëhershme, veçmas në poezinë, të shprehurit artistik duhej ta mënjanonte narracionin e drejtpërdrejtë dhe duhej të kalonte përmes mesazheve të koduara dhe konteksteve universale.

Piktura e Tahir Emrës e gjeti rrugën e saj konsekuente dhe krejt të veçantë, për të mbijetuar të gjitha kufizimet dhe sfidat, për të ardhur deri në ditët e sotme si një pasuri artistike që i ka qëndruar kohës dhe, jemi të bindur, do t’i qëndrojë edhe për një kohë të gjatë.

Për veprën e Tahir Emrës do të shkruhet edhe në të ardhmen, sepse secila kohë do të gjejë kontekstin e saj në këto abstragime pikturave.

Piktura e Tahir Emrës është art i Kosovës dhe për Kosovën!/ KultPlus.com

Homazhe dhe akademi përkujtimore në nder të akademikut Tahir Emra

Sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u mbajtën homazhe dhe akademi përkujtimore për nder të akademikut Tahir Emra, një prej figurave që dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillim e artit pamor në Kosovë, bëhet e ditur nga MKRS.

Pjesëmarrësit kujtuan jetën dhe veprimtarinë e tij, trashëgiminë e pasur artistike që la pas.

Homazhe në nderim të tij bënë kryeministri Albin Kurti, ministri Çeku, ministrja Nagavci, ambsadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, familjarë e miq të të ndjerit.

Tahir Emra ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e artit. Me angazhimin e tij si profesor në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Emra ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj në fushën e arteve pamore ndërsa veprat e tij që gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private janë pasuri e jashtëzakonshme.

E gjithë kultura kosovare dhe i gjithë populli i Kosovës e çmon dhe nderon punën e figurën e tij./ KultPlus.com

Shliroj cicat prej të premtes deri të dielën

Nga 11 deri më 13 tetor, në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet Festivali “Shliroj Cicat”, e që këtë vit shënohet edicioni i katërt i këtij festivali.

Në komunikatën për media thuhet se ky festival promovon shëndetin dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm  të kancerit të gjirit

“Ju ftojmë të ndiqni edicionin e katërt të Festivalit Shliroj Cicat, i cili do të mbahet nga 11 deri më 13 tetor, në Sheshin Zahir Pajaziti”.

“Ky festival promovon shëndetin dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm  të kancerit të gjirit, me aktivitete të ndryshme, panel diskutimi, mbledhja e sytjenave, rezidencë me artistë nga (Shqipëria si dhe nga Maqedonia e Veriut) performanca artistike, koncerte dhe aktivitete të tjera”, thuhet tutje në komunikatë.

12 filma kosovarë në “Të Fala nga Prishtina” në Berlin

“Të fala nga Prishtina” është program i filmave eksperimentalë, fiktivë dhe dokumentarë që ndërlidhen me kryeqytetin e Kosovës.

Kuruar nga Blerta Haziraj, përzgjedhja prej 12 filmash portretizon qytetin dhe rrethinën përmes një reflektimi kinematografik mbi temat sociale, politike dhe historike e poashtu tregimet intime dhe personale.

City Film Days është seri ngjarjesh filmike e fokusuar në hapësirat urbane si vende për rrëfime kinematografike. Organizuar nga platforma jofitimprurëse October 21 e.V., City Film Days është ftesë për të eksploruar realitetin e shumanshëm të hapësirave urbane, me idenë për ta zgjeruar shkëmbimin kulturor midis Berlinit dhe komuniteteve të ndryshme të filmit.

Të Fala nga Prishtina është kënga e njohur e këngëtarit dhe aktorit Sabri Fejzullahu, e performuar për herë të parë në festivalin e muzikës Akordet e Kosovës, në 1984. Kënga është ftesë poetike për ta eksploruar qytetin e Prishtinës. Frymëzuar nga tema lirike e saj, programi i filmit me të njëjtin titull e zgjeron këtë ftesë me qëllim për ta zgjeruar të kuptuarit e shoqërisë kosovare dhe manifestimet hapësinore të saj përmes veprave kinematografike bashkëkohore. Për dy ditë, audienca do të ketë rast të shohë veprat e kineastëve nga gjenerata të ndryshme, duke përfshirë filma artistikë dhe të shkurtër, dokumentarë, video art dhe animacion nga Kosova dhe diaspora. Edicioni i parë i City Film Days do të mbahet më 19-20 tetor 2024, në kinemanë Moviemento në Berlin. Ngjarja është organizuar nga October 21 e.V./ KultPlus.com

Muzeu Arkeologjik i Vlorës, i pari i këtij lloji në Shqipëri

Si sot më 8 tetor të vitit 1936, u hap Muzeu Arkeologjik i Vlorës.

I pari muze shqiptar i këtij lloji, u pagëzua me emrin e monarkut “Zogu I”-rë.  Në mjediset e këtij muzeu Ismail Bej Vlora mblodhi qeverinë pas shpalljes së Pavarësisë.

Muzeu u ngrit dhe u pasurua me objekte arkeologjike të dala nga gërmimet e kryera në Apoloni prej misionit arkeologjik francez, të prirë nga arkeologu Leon Rey. Mandej, u pasurua me artefakte nga objekte arkeologjike të zbuluara në Vlorë dhe në rrethina.

Në katin e parë u vendosën të gjitha statujat dhe kolonat e gjetura në Apoloni. Ndërsa, në katin e sipërm qëndronin në stenda prej xhami enët e qeramikës, monedhat, terrakotat dhe figurinat e ndryshme.

Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore, muzeu u bombardua nga ushtria italiane dhe më pas u grabit. Për shkatërrimin dhe grabitjen e Muzeut Arkeologjik të Vlorës, arkeologu Rey, botoi një notë proteste në numrin e gjashtë të revistës së tij “Albania”.

Një pjesë e koleksionit antik të Muzeut të Vlorës që u arrit të shpëtohet, gjendet sot në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Tiranës, Muzeun Historik të Vlorës, si dhe në Muzeun e Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot foto nga ceremonia e inaugurimit të muzeut me pjesëmarrjen e Xhafer Ypit, Ali Asllanit etj, pamje e godinës dhe planimetri të muzeut, si edhe portreti i Leon Rey-it./ KultPlus.com

Dy shkencëtarë amerikanë marrin çmimin Nobel, shpikën kompjuterët që mendojnë vetë


Çmimi Nobel për Fizikë ka shkuar për dy shkencëtarë amerikanë:  John Hopfield dhe Geoffrey Hinton të cilët bënë shpikje për mësimin e makinerive me rrjete nervore artificiale.

Dy shkencëtarët amerikanë janë vlerësuar për shpikjen e tyre bën që kompjuterët të kenë funksione të kujtesës dhe të mësuarit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.

Postimi i plotë i Presidentes: Sot në Tivat, me Presidetin Bajram Begaj, për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve tona simotra, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë euroatlantike./ KultPlus.com

“Vajza me vëth perle”, vepra me impaktin më të madh te truri i njeriut

Arti arrin të tërheqë syrin e spektatorit, dhe në mënyrë të veçantë një pikturë. Bëhet fjalë për kryeveprën e autorit holandez Jan Veermer, “Vajza me vëth perle” e viteve 1600, e cila rezulton të jetë hipnotizuese për këdo që e vëzhgon. Sipas një studimi del në pah që kjo pikturë ka impaktin më të madh në krahasim me çdo vepër tjetër tek truri i njeriut.  

Vermeer ka ditur të shfrytëzojë një fenomen shumë të njohur për psikologët, që është pikërisht fakti që truri human është i tërhequr në mënyrë natyrale nga fytyrat, nga ekspresioni i syve dhe gojës, duke aktivizuar tek vrojtuesi Ciklin e Vëmendjes së Theksuar, që është një rreth vicioz që tërheq syrin fillimisht tek vështrimi, më pas tek goja e tek drita e vëthit, gje që përsëritet në mënyrë ciklike.

Reagimin e vëmendjes e shkakton piktura veçanërisht në punimet origjinale të veprave të mëdha, dhe aty ku në qëndër është fytyra njerëzore, përgjigjia emotive cerebrale është 10 herë më e lartë.

Një grup kërkuesish të Universitetit të Amsterdam kanë vëzhguar aktivitetin e trurit të shumë vizitorëve në Muzeun e Hagës dhe reagimi cerebral është mjaft i lartë, dhe në rastin e “Vajzës me vëth perle”, është edhe më intensiv dhe ndalesa përballë veprës është shumë më e gjatë. / Klan News/ KultPlus.com

Gjirokastër, mbi 5500 vizitorë në muzeun “Shtëpia Kadare”

Shtëpia e lindjes e shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare, në Gjirokastër, i cili u nda nga jeta më 1 korrik të këtij viti, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh.

Gjatë vizitës në muzeun “Shtëpia Kadare” vizitorët shfaqin interes jetën dhe veprat e Kadaresë, si dhe për shtëpinë, e cila prezanton një shtëpi tradicionale karakteristike gjirokastrite.

Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se, “ky muze nga janari deri në fund të shtatorit ka ngjallur kuriozitetin e vizitorëve vendas e të huaj mbi botimet letrare dhe reliket që kanë lidhje me jetën dhe krijimtarinë e Kadaresë”.

“Nga 1 janari deri në 30 shtator muzeu është vizituar nga 5501 vizitorë vendas e të huaj, ku një rritje e interesit u shënua në muajt korrik-gusht dhe shtator”, tha drejtoria e Turizmit dhe Sporteve në bashki.

Brenda banesës Kadare rikonceptimi i përmbajtjes garanton një rrugëtim interaktiv të vizitorëve përgjatë fëmijërisë dhe rinisë së shkrimtarit duke sjellë të materializuara në objekte dhe video- mesazhe përjetimet e autorit dhe pasazhe të librave të tij.

Në muze vizitorët mund të shpenzojnë kohë duke lexuar një libër brenda banesës, ose duke përjetuar efektet e avionëve bombardues në vendstrehimin mbrojtës.

Muzeu “Shtëpia Kadare” hapi dyert për vizitorët në 28 janar të vitit 2016.

Shtëpia daton në vitin 1799 dhe u rindërtua pas djegies aksidentale në vitin 1999, sipas përshkrimit që i bën vetë Kadare.

Projekti i rindërtimit u mundësua me fondet e UNESCO’S dhe qeverisë shqiptare. Banesa ndodhet brenda qendrës historike në lagjen “Palorto”.

Ka statusin monument kulture i kategorisë së parë, shërben edhe si qendër kulturore ku zhvillohen aktivitete të shumta.

“Shtëpia Kadare” është bërë e njohur për vizitorët falë romanit “Kronikë në gur” ku shkrimtari përshkruan çdo detaj të saj./ATSH

Restaurimi i shtëpive të vjetra në Janjevë ka për synim atraksionin turistik

Janë në përfundim e sipër restaurimet e shtëpive të vjetra në Janjevë, punime që janë përcjellë nga afër edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ambasadorin e zyres së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe përfaqësuesin rezident të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós.

Për këtë investim ka njoftuar ministri i MKRS-së, Hajrulla Ceku, njoftim që KultPlus e sjell të plotë.

Ndryshimet në qytetin e vjetër të Janjevës tashmë janë të dukshme. Një prej projekteve më të mëdha të Ministrisë sonë po shkon drejt finalizimit. 🏛️

Bashkë me kryeministrin Kurti, ambasadorin e zyres së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe përfaqësuesin rezident të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós, sot ishim për të parë nga afër restaurimet e shtëpive, ndërsa takuam shumë qytetarë dhe shijuam ushqimet e shijshme tradicionale në panairin artizanal në Janjevë.

Gjatë kësaj vizite po ashtu u pritëm nga prifti Don Matej Palliq në kishën e Shën Kollit, gjithashtu vizituam xhaminë e Janjevës, ku takuam kryeimamin e Kosovës, Vedat Sahiti.

Me natyrën e mrekullueshme dhe pasurinë kulturore që ka, ky vend do të shndërrohet në atraksion turistik të Kosovës. 💙🇽🇰/ KultPlus.com

Ansambli Folklorik “Tirana” zë vendin e katërt në “Cheonan World Dance Festival 2024” të Koresë

Ansambli Folklorik “Tirana” u kualifikua i katërti në Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit Folklorik “Cheonan World Dance Festival 2024” në Kore.

“Shqipëria u përfaqësua denjësisht nga të rinjtë e Ansamblit, në një konkurrencë të fortë me 30 vende nga e gjithë bota. Nga Franca e deri në Mongoli, performanca jonë u veçua për cilësinë dhe pasionin që e karakterizon.

Bravo! “, ka shkruar bashkiaku i Tiranws, Erion Veliaj./ KultPlus.com

Sot, mbledhje komemorative për akademik Tahir Emra

Dje, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.

Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot, më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.

Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.

Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.

Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com

Tri teatro për shfaqjen “Emira”, premiera më 20 nëntor

Shfaqja “Emira” e autorit Anton Santori e që në këtë prurje vjen me regji të Kushtrim Bekteshit do të vjen me premierë më 20 nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e që për këtë shfaqje janë përfshirë tri teatro: Teatri Kombëtar i Kosovës, ai i Shqipërisë dhe Shkupit, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje do të jetë edhe pjesë e ceremonisë hapëse të Festivalit Teatrit “Moisiu”, që këtë vit do të mbahet në Prishtinë.

Se provat janë duke vazhduar për realizimin e kësaj shfaqje është bërë e ditur edhe nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Më poshtë është përmbajtja e shfaqjes dhe ekipi që është përfshirë në realizimin e këtij projekti teatral.

Në një fshat arbëresh të shekullit XIX, në rrethana terrori nga cubat dhe organet e rendit, Emira dhe Kalina, dy vajza te reja, dashurojnë Mirianin. Por ai dashuron vetëm Emirën. Ndërsa Kallonjeri, një bari i afërt me cubat, u shkon rrotull te dyjave. Intrigat e dashurisë së të rinjëve, dhe familjet e tyre, kryqëzohen me dhunën e cubave dhe të shtetit, duke vënë në pyetje vlerat bazë të shoqërisë, në tragjikomedinë e shkruar nga Anton Santori, që njëherësh konsiderohet drama e parë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Kompozitor: Memli Kelmendi

Skenograf: Betim Zeqiri

Kostumografe: Iliriana Loxha Basha

Koreograf: Artan F. Ibërshimi

Dramaturge: Doruntina Basha

Ass.regjie: Skender Podvorica

Inspiciente: Nazmije Krasniqi

Luajnë: Qëndresa Jashari, Arta Selimi, Donald Shehu, Bujar Ahmeti, Edlir Gashi, Shengyl Ismajli, Basri Lushtaku, Neritan Liçaj, Igli Zarka, Shpejtim Kastrati, Muzbajdin Qamili, Franc Bregu, Ermir Hoxhaj, Albrim Kryeziu, Rrezon Zhinipotoku, Mentor Kurti, Abedin Alimi dhe Art Pasha./ KultPlus.com