Janjeva së shpejti destinacion turistik (FOTO)

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë njoftuar se projekti për rijetësimin e qytetit të vjetër të Janjevës po vazhdon sipas planifikimeve.

Aktualisht po punohet në restaurimin e 14 shtëpive dhe paralelisht në fuqizimin e kapaciteteve lokale për ofrimin e shërbimeve cilësore turistike.

Tashmë është publikuar platforma Janjeva Tourism, një platformë inovative për zhvillimin e turizmit rural që ka për qëllim promovimin të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Janjevës.

Vlera totale e investimit në këtë projekt që synon shndërrimin e Janjevës në destinacion të rëndësishëm turistik është rreth 3.8 milionë euro.

Projekti është bashkëfinancim mes MKRS, Bashkimit Europian dhe partner zbatues është UNDP. / KultPlus.com

Janjeva, një destinacion turistik në zhvillim e sipër

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po qëndron e përkushtuar për të ruajtur dhe për të ringjallur trashëgiminë jomateriale të Janjevës dhe për të mbështetur fuqizimin socio-ekonomik të banorëve të saj përmes iniciativave të rrënjosura thellë në trashëgiminë e saj të pasur dhe të prekshme, duke e vendosur Janjevën në hartën e destinacioneve turistike që duhen vizituar, përcjell KultPlus.

Si pjesë e aktivitetit “Hartëzimi i turizmit rural në Janjevë” i zbatuar nga OJQ EC Ma Ndryshe dhe i mbështetur nga projekti i zbatuar nga UNDP Kosovo “Trashёgimia Kulturore si Nxitёse e Ringjalljes Ekonomike tё Janjevës”, financuar nga MKRS dhe European Union in Kosovo, ka përfunduar hulumtimi në terren për identifikimin dhe hartografimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Janjevës.

“Falënderojmë pesë pjesëmarrësit e jashtëzakonshëm që morën pjesë në programin e trajnimit të Guidave Turistike, të cilët po fitojnë përvojë në punë dhe po luajnë një rol kryesor në transformimin e Janjevës në një destinacion për vizitorët”, thuhet në njoftim nga MKRS.

Informacionet e mbledhura do të integrohen në një webfaqe, duke ofruar njohuri të vlefshme në vendet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore që Janjeva ofron për vizitorët. / KultPlus.com

Filloi zbatimi i projektit të revitalizimit të qytetit të vjetër të Janjevës

Me 1.4 milion euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe 2 milion nga Bashkimi Evropian, projekti “Trashëgimia Kulturore si Nxitëse për Ringjallje Ekonomike të Janjevës” filloi zbatimin, me fokus në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe sigurimin e ringjalljes socio-ekonomike ku parashihen ndërhyrje restauruese dhe revitalizuese në 13 shtëpi të vjetra, hartimi i Strategjisë për Zhvillim të Turizmit Kulturor dhe Natyror, fuqizimi ekonomik dhe ngritja e kapaciteteve lokale për zhvillim të qëndrueshëm lokal, e mbështetja e komunitetit përmes granteve, përcjellë KultPlus.

Në vizitë në Janjevë ishin prezent kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, të shoqëruar nga stafi i projektit të UNDP të cilët bënë një përditësim mbi gjendjen aktuale të projektit dhe punën që do të bëhet në vazhdim.

Si fshat multietnik, Janjeva ka rëndësi të madhe kulturore e historike, e puna në asetet e trashëgimisë kulturore në këtë vend ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e mirëfilltë kulturor e promovimin sa më të mirë të potencialit të Kosovës.

“Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë tonë”, thuhet në njoftimin e MKRS-së. / KultPlus.com

MKRS ndan 3.4 milionë euro për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të Janjevës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së fundmi ka ndarë gjithsej 3.4 milionë euro për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të Janjevës, përcjell KultPlus.

Njoftimi i plotë:

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore si vlerë e përbashkët e cila i kontribon forcimit të ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit tonë, duhet të trajtohet si proces kompleks, i cili fillon me mbrojtje ligjore, vlerësim profesional dhe ndërhyrje fizike. Ky proces kompleks vazhdon me ngritje të kapaciteteve njerëzore, dhe me ngritje të vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e trashëgimisë, e deri te mekanizmat e menaxhimit efikas që do të sigurojnë ringjalljen socio-ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal.

Në këtë drejtim, jam i lumtur që sot kemi vendosur hapin drejt zbatimit të projektit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Janjevës. Ky projekt ka mbështetje financiare në vlerë prej 3.4 milionë euro, ku nga këto 1.4 milionë euro ndahen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe 2 milionë euro nga fondet IPA 2020 të Bashkimit Europian. Zbatimi i projektit është planifikuar për vitet 2021-2024, dhe bëhet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

Në kuadër të këtij projekti përfshihen tri komponenta kryesore, ajo e integrimit të trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor, mbrojtja e trashëgimisë kulturore përmes restaurimit, zhvillimi ekonomik përmes promovimit të turizmit të qëndrueshëm. Gjatë këtij projekti parashihen hartimi i strategjisë për zhvillim të kulturës dhe turizmit rural, hartimi i planeve të menaxhimit për qendrën historike të Janjëvës, dhe shtëpinë muze të At Shtjefën Gjeqovit, restaurimi i 13 shtëpive të vjetra, zhvillimi i kapaciteteve njerëzore të komunitetit lokal për zhvillim të qëndrueshëm, dhe promovimi i ofertave kulturore dhe natyrore që i ofron Janjeva, për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit kulturor. / KultPlus.com

Dy personazhe karakteristike të qytezës së bukur të Janjevës, shkrepur nga Arben Llapashtica

Gili Hoxhaj

Janjeva është qyteza që të rrëmben në çdo shtëpi e ndërtesë, derisa të fton të zhytesh në gjurmët e lashtësisë derisa ndodhesh pranë shtëpive që qëndrojnë buzë rrënimit. Kjo qytezë ndodhet në Kosovën Juglindore, afër Lipjanit ndërsa sipas gjetjeve arkeologjike, konsiderohet se Janjeva është lokalitet mjaft i lashtë, madje në dokumentet e shkruara, përmendet për herë të parë në vitin 1303.

Ani pse shihet dukshëm se popullsia nuk është shumë e madhe, e numri i ndërtesave të zbrazura nuk është dhe i vogël, edhe banorët që kanë mbetur aty dëshmojnë se numri i i njerëzve po pakësohet. Dinamika e jetës në rrugët e pjerrëta, e në oborret e shtëpive flet për një harmoni me qetësinë e jetës në këtë vend, ani pse qartë duket se kushtet e banorëve kanë nevojë për përmirësim. Megjthatë, pamja e ndërtesave të braktisura e buzë rrënimit duket se qëndron më së miri e veshur në ngjyrat vjeshtore. Karakteristikë e kësaj qyteze është edhe Kisha e Shën Kollit në Janjevë, e cila pas një udhëtimi të pjerrët është si ftesë për ndalesë.

Aty bie fort në sy një ndërtesë që mban dritaret e kornizuara me ngjyrë të kaltër që qëndrojnë në muret e bardha e të rjepura. Pikërisht kjo ndërsa ndanë rrugën për tek kisha dhje ngjitjen drejt shtëpisë së lindjes së Shtjefën Gjeçovit. Në një të shtunë gjasat janë shumë të mëdha ta takosh Jana Geçeviq, kroaten që jeton për një kohë të gjatë në Janjevë.

E ulur në një skaj të ndërtesës, ajo këtu po kalon ditët e pleqërisë nën përditshmërinë e ritmit të jetës. Derisa tymos një cigare, buzëqeshja i jep kahje më të zgjeruar rrudhave të saj që ia formësojnë një shprehje të çiltër fytyre. Njërën dorë e vendos mbi gjurin e majtë e me dorën tjetër mbanë cigaren, ndërsa kokën e ka të mbuluar me një shami shumëngjyrëshe.

Këto imazhe vijnë të qarta e tejet pasqyruese nga fotografi i njohur Arben Llapashtica, i cili përmes fotografive arrin të memorizoj në mendjet e shumëkujt edhe imazhe të njerëzve që rrallë kush i njeh, e rrallë kush mund t’i harroj shprehjet e tyre të fytyrës. Syrit artistik të Llapashticës nuk i ka shpëtuar as Fron Gashi i cili vjen nga fshati Peshteri, Brus e që jeton në Janjevë.

Me mjekrën gjysmë të thinjur, bien në sy opinga e shalli me të cilin mbulon kokën, e veshur mban një kostum ngjyrë hiri. Derisa ecën, ai mbahet prej shkopit të tij, e as derisa ecën e as kur ulët buzë rrugës për të pushuar, fytyra e tij nuk humb gjallërinë e buzëqeshjes.

Gashi kujton me nostalgji jetën dhe dinamikën që dikur e ka karakterizuar këtë qytezë, tani pothuajse të braktisur.

Janjeva, ndryshe njihet edhe si vendlindja e njërit nga figurat më të njohura shqiptare Shtjefën Gjeçovi, i cili ishte veprimtar i shquar i lëvizjes atdhetare, etnograf, arkeolog dhe shkrimtar shqiptar, ndërsa vepra e tij kryesore është Kanuni i Lekë Dukagjinit, e cila është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. / KultPlus.com