Çast lumturie

Poezi nga Mitrush Kuteli

… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.

Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.

Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.

Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!/ KultPlus.com

“Gjashtë Apostujt me Shën Mëhillin”, për të parën herë para publikut të muzeut “Onufri”

Pas një pune disamujore, kryer në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit në muzeun “Onufri” nga restauratori Erion Lezi, përfundoi ndërhyrja riparuese për ikonën “Gjashtë Apostujt me Shën Mëhillin”, vepër e fillimit të shekullit XVII, atribuar Onufër Qipriotit.

Restaurimi i kësaj vepre është një arsye më shumë për të vizituar muzeun “Onufri” me ekspozimin për herë të parë të një tjetër thesari të shpëtuar ikonografik.

Kjo ikonë, e dimensioneve të mëdha, është pjesë përbërëse e deisit të madh e cila kompozohet nga dy skena. Ajo prej dekadash ka qëndruar në fondin e muzeut “Onufri” dhe për herë të parë ekspozohet për publikun.

Ikona edhe pse e restauruar përpara disa dekadash, paraqiste problematika të ndryshme si çarje suporti, dëmtim të kornizimit, dëmtim të grundit dhe shtresave përgatitore, dëmtim të pelikulës piktorike, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme të lëna nga restaurimi i mëparshëm (dyll dhe parafine) si dhe oksidim verniku. Të gjitha këto copëtonin tërësinë e skenës, tjetërsonin ngjyrat dhe bukurinë e ikonës si dhe rrezikonin degradimin e saj./atsh/KultPlus.com

Muzeu i Bankës së Shqipërisë sjell ciklin me leksione të hapura “Netët e Muzeut”

Cikli i leksioneve të hapura “Netët e Muzeut”, organizuar nga Banka e Shqipërisë, erdhi para publikut me personalitete të spikatura në fusha të ndryshme si: historia e parasë dhe bankës, ekonomia, financa dhe edukimi financiar, numizmatika, si dhe disiplina si filatelia, arti dhe arkitektura etj.

Këto leksione u zhvilluan pas orarit zyrtar të vizitave të Muzeut, duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për diskutime dhe shkëmbime idesh mes dëgjuesve dhe ekspertëve.

Në leksionin e radhës me temë “Inflacioni dhe ndikimi në koston e jetesës”, eksperti i njohur, prof. Selami Xhepa diskutoi mbi fenomenin e inflacionit, ndikimet e tij në fuqinë blerëse dhe faktorët që e shkaktojnë.

Diskutimi përfshiu shpjegimin e inflacionit monetar dhe jomonetar, ndikimin e politikave monetare dhe rolin e arit dhe valutave të forta në mbrojtjen kundër inflacionit të lartë.

Ky leksion synoi rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e politikave të kujdesshme monetare për stabilitetin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve./atsh/KultPlus.com

“Dashnori” nga Harold Pinter në Qendrën e Artit “Agimi”

Fundjava që lamë pas, solli në Qendrën e Artit “Agimi” shfaqjen “Dashnori” të nobelistit Harold Pinter.

Drama u vu në skenë nga regjisori Irvin Muçaj, përmes interpretimit të aktorëve Ola Harizaj dhe Erion Kame, shoqëruar nga muzika e Rael Hoxhës.

“Dashnori” (The Lover) ka një akt dhe është shkruar nga Pinter në vitin 1962. Fillimisht ajo u shkrua për televizion, por më vonë u vu në skenë. “The Lover” është vënë në skenë me sukses si një komedi ironike nga njëra anë dhe si një dramë nervoze, nga ana tjetër dhe siç ndodh shpesh me Pinter-in, shfaqja i përmban të dyja.

Dramaturgu e bën audiencën të besojë se në shfaqje janë tre personazhe: gruaja, burri dhe dashnori. Por dashnori që telefonon pasditeve zbulohet se është bashkëshorti që hiqet si i tillë. Ai luan dashnorin për të: ndërsa gruaja luan sikur ka dashnor. Ndërsa shfaqja vazhdon, burri (në fillim si dashnor dhe më pas si bashkëshort) shpreh dëshirën për të ndaluar shtirjen e tradhtisë bashkëshortore, gjë që e tmerron gruan. Më në fund, burri papritmas kthehet në rolin e të dashurit.

Harold Pinter ishte një dramaturg, skenarist, regjisor dhe aktor britanik. Fitues i çmimit Nobel, Pinter ishte një nga dramaturgët modernë britanikë më me ndikim, me një karrierë shkrimtari që zgjati më shumë se 50 vjet. Ai gjithashtu drejtoi ose aktroi në radio, skenë, televizion dhe prodhime filmike të veprave të tij dhe të të tjerëve./atsh/KultPlus.com

Si sot 138 vite më parë, “Statuja e Lirisë” u vendos në New York

Statuja e Lirisë iu prezantua publikut në Amerikë më 28 tetor 1886. Të dhënat lidhur me këtë statujë janë mjaft interesante.

Praktisht, emri origjinal i saj është “Liberty Illuminates the World”, edhe pse statuja është e njohur në mbarë botën si Statuja e Lirisë dhe është simbol i Nju Jorkut dhe Shteteve të Bashkuara.

Statuja është një personifikimi i lirisë në formën e një gruaje. Ajo mban një pishtar në dorën e djathtë të ngritur. Figura femërore e veshur me rroba përfaqëson Libertas, perëndeshën romake të lirisë. Ndërsa, statuja është 93 metra dhe peshon 204 tonë metrikë.

Vizitorët duhet të ngjitin 354 shkallë për të arritur kurorën e statujës.

Kjo statujë kolosale është një kryevepër e shpirtit njerëzor. Bashkëpunimi midis skulptorit Frédéric Bartholdi dhe inxhinierit Gustave Eiffel rezultoi në prodhimin e një mrekullie teknologjike që bashkon artin dhe inxhinierinë në një mënyrë të re dhe të fuqishme./KultPlus.com

Më 28 tetor 1897, Murat Toptani u burgos nga osmanët

Më 28 tetor 1897, u burgos nga osmanët skulptori, poeti dhe patrioti i madh shqiptar, Murat Toptani.

Murad bej Toptani ishte atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet dhe skulptor shqiptar.

Zotëronte disa gjuhë të huaja si frëngjisht, turqisht, arabisht, gjermanisht dhe italisht.

“Do të ishte një gjë me interes t’i mblidhte njeriu vizatimet bërë prej Muradit dhe t’i botonte”, – shkroi Mid’hat Frashëri në 1924.

Në foto, Murat Toptani me fëmijët e tij./ KultPlus.com

Sonte, dy shqiptarë do të pushtojnë skenën e Shtëpisë së Operës në Vjenë

Sopranoja e suksesshme Elbenita Kajtazi sonte do të ngjitet në skenën e Operës Shtetërore të Vjenës, ëndërr e kamotshme e sopranos që të prekë edhe këtë skenë shumë të rëndësishme për karrierën e saj.

Sopranoja Kajtazi do të prezantohet me rolin e Mimit të shfaqjes operistike “La Boheme” të Pucinit, e cila për partner skenik ka edhe tenorin e suksesshëm shqiptar Saimir Pirgu, i cili vjen me rolin e Rodolfos.

Premiera e kësaj shfaqje do të prezantohet sonte, përderisa janë të rezervuara edhe reprizat për 31 tetor, sikurse edhe një reprizë për 2 nëntor. / KultPlus.com

https://kalender.wiener-staatsoper.at/en/calendar/detail/la-boheme/2024-10-28

Ministria e Kulturës dhuron sot libra për mbi 30 biblioteka komunale

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të dhurojë sot libra për më shumë se 30 biblioteka komunale.

Sipas njoftimit të ministrisë, në objektin e Bibliotekës Kombëtare, për secilën bibliotekë do të dhurohen më shumë se 600 tituj të autorëve të ndryshëm.

Ceremonia e shpërndarjes pritet të filloj nga ora 13:00.

“Ky aktivitet është i përvitshëm dhe shërben për pasurimi ne fondit bibliotekar në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e ministrisë/KultPlus.com

Kumbaro: Historike, 6 fluturime direkte nga Italia në aerodromin e Gjirokastrës

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë pamjet nga aerodromi i Gjirokastrës, që tashmë është në funksion të fluturimeve sportive turistike direkte nga Italia.

“Një ngjarje historike për aerodromin e Gjirokastrës në të cilin për herë të parë u kryen gjashtë fluturime direkte nga Italia, duke reduktuar kostot, kohën dhe duke e bërë Gjiron një destinacion ekskluziv për fluturimet sportive e turistike”, thuhet në postimin e Kumbaros në rrjetet sociale.

Vendosja në funksionim e këtij aerodromi, ka ndikim të rëndësishëm në jetën social-ekonomike të rajonit të Gjirokastrës. Rijetësimi i aerodromit të Gjirokastrës i vjen në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues dhe tregtar që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.

Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike të vendit tonë edhe fluturimet në aerodromin e Gjirokastrës do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.

Aerodromi i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale./atsh/KultPlus.com

Manjola Kozeli dhe arti që sfidon dhimbjen e kufizimet e të jetuarit me Stiff-Person

Manjola Kozeli është një artiste 51-vjeçare nga qyteti historik i Beratit, e cila po shfaqet si një zë i fuqishëm në botën e artit.

Manjola vuan nga sindroma “Stiff-Person”, një çrregullim i rrallë neurologjik. Njerëzit që kanë këtë sindromë mund të përjetojnë spazma të rënda të muskujve dhe simptoma të tjera që mund të përkeqësohen nëse nuk trajtohen. Këtë sindromë, që në pjesën më të madhe të njerëzve ndikon duke i kufizuar në aktivitetet e tyre, siç është rasti i këngëtares me famë botërore Celine Dion, Manjola nuk e ka lejuar që ta kufizojë, duke i kanalizuar ndjenjat në pikturat e saj. Manjola i ka kthyer pikturat, në një rrëfim vizual të përvojave personale.  Nëpërmjet artit, ajo shpreson të rrisë ndërgjegjësimin për këtë sëmundje shpesh të keqkuptuar, duke hedhur dritë mbi betejat dhe emocionet e përditshme me të cilat përballen ata që jetojnë me të.

Pikturat e Manjolës ndërthurin surealizmin e gjallë me elemente simbolikë, duke rezultuar në pjesë që janë vizualisht tërheqëse dhe thellësisht introspektive. Çdo pikturë mbart një histori, duke i ofruar shikuesit një vështrim në kompleksitetin e të jetuarit me sëmundje kronike.

Zgjedhja e saj e guximshme e ngjyrave dhe të ngopura, si e kuqja e zjarrtë, bluja e pasur dhe vjollca elektrike, pasqyron intensitetin e botës së saj të brendshme, ku dhimbja dhe këmbëngulja bashkëjetojnë.

Pikturat e Manjolës ftojnë shikuesit të interpretojnë shtresat e emocioneve pas çdo vepre.  Përdorimi i saj i formave gjeometrike, i ndërthurur me forma më organike, pasqyron soditjen e saj të rendit kundrejt kaosit, një temë e vazhdueshme që pasqyron paparashikueshmërinë e gjendjes së saj.

Duke pikturuar dhimbjen e saj dhe duke e kthyer atë në diçka të bukur, Manjola Kozeli jo vetëm që kontribuon në botën e artit, por edhe krijon një hapësirë ​​për ndjeshmëri, mirëkuptim dhe ndërgjegjësim. Rrugëtimi i saj i vazhdueshëm krijues është një dëshmi frymëzuese e fuqisë shëruese të artit, si dhe një kujtesë se edhe përballë vështirësive, bukuria mund të gjendet./atsh/KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i madh në vend që përçon historinë

43 vite më parë u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar.

Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit dhe u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet.

Për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.

Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e tij gjenden mbi 6000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit kombëtar si dhe për përcjelljen e këtij imazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme.

Grupi i punës u drejtua nga personalitete të shquara të kohës si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksandër Meksi e shumë të tjerë./atsh/KultPlus.com

Rikthimi në identitet

Vështrim rreth romanit të Jusuf Buxhovit “Jeniçeri i fundit”.

Shkruan: Nexhat Rexha

Angazhimet në proceset jetësore krijojnë faqe nga më të ndryshmet si në përvijimin e të ndodhurave, të cilat më shumë kanë krijuar absurdin në zbardhjen e pamjeve kohore. Nëpër këto faqe komplekse me intuitën prej njeriut të përvojës e hulumtimit vjen edhe romani i Jusuf Buxhovit “Jeniçeri i fundit”. Trajtimi i temës historike në roman shpalos rrënjë të dridhjeve të mëdha nëpër periudha nga më të ndryshmet. Enigmat e gjakut dhe ngjyra e tij për fatin e njeriut tonë kanë kaluar nëpër shtylla të lëkundura ,gjatë proceseve historike, këto lëkundje e dridhje kanë edhe anët e errëta të tyre.

Këtë eklips të rrugëtimit nëpër shekuj autori e ka transmetuar nëpër faqet e këtij romani në kërkim të zbardhjes së karaktereve vrojtuese për të ngritur ndërdijen e etnisë. Këto bredhje i kanë edhe tiparet e veçantitë e botës shpirtërore të karakterit ëndërrues nëpër diktatet e kohëve.

Në këto pika sa identifikuese, po aq edhe domethënëse janë ruajtur tiparet dalluese me elemente tradicionale të botës shpirtërore. Nëpër këtë rrugëtim lodhjet kanë krijuar terrenin hermetik, sepse rendet e reja sunduese te popujt e njohur,që kishin luajtur rol në periudha të hershme janë mbikëqyrur me dioptrinë e karremit. Këtyre ndryshimeve prej njërit besim në tjetrin, për një gjysmë shekulli e me tepër kanë krijuar kthime në frymëzim për rende të reja shoqërore. Duke komunikuar në këto përballje protagonistët e këtij romani vijnë me diskursin e komunikimit gjenealogjik, si zëvendësim i fjalës me doktrinë të ndryshueshme, por edhe si ruajtës të traditës burimore.

Kontinuiteti në etimologji ka brumosje të kapshme,sepse në të është ruajtur porosia e Amës, Atit edhe tek jeniçeri për vite të tëra, si.:(Gur-Guri,Guri i Nanës, dhe Guri i Dheut) ,kurse Gjarpri i Shtëpisë dhe Gjarpri Pemës , ose Gjarpi i Qiellit janë testamente , relikte mitologjike që kanë lidhje të hershme në kulturën tonë. Lëkura e gjarprit të shtëpisë dhe të ndodhurat në jetën tonë janë elemente të ndieshme të personifikimit në gojëdhënat tona gjatë shekujve, të cilat kanë arritur të ruajnë fshehtësinë brenda shtëpisë sonë.

Luftërat gjatë shekujve kanë krijuar Rendin e Ri Ushtarak,e këto rende pastaj kanë depërtuar në mënyra të ndryshme tek popujt që janë pushtuar. Në këto situta kohore janë zgjedhur format e veprimit për të vendosur e depërtuar edhe besime e bestytni të reja,sepse në periudhat e ndërrimit të dijeve ,janë ndërruar edhe pikëpamjet e besimeve,sepse planet djallëzore kanë krijuar situata në prishjen e përgjithshme të një realiteti ekzistues në realitetin afirmativë,vetëm nga ikja e një sunduesi tek tjetri.

Konceptimi në fijet e këputura ka shtrirje të gjëra në shtjellimin e problematikës së shtruar, ato vijnë si rezultat e njohjeve të thella të autorit nga fusha të ndryshme të së kaluarës. Parashtrimi në ngjarje ngërthen në vete pjesë nga shumë ide e orientime për të orientuar lexuesin se disa pika informuese ato nuk japin vetëm informacione, por ato kanë pikëqëndrim kanalizues për të rikthyer mendjen dhe dijen në procese si diktate dhe si rrjedhojë e platformave politike, të cilat kanë qenë busull e drejtimeve në qëllime të caktuara.

Në këto kode të kohërave nuk kanë mundur të depërtojnë shumë popuj të botës, e këtë fat jo të mirë e ka përjetuar edhe populli ynë,sepse shumë procese janë lidhur me orientime të huazuara, që kanë bartur me vete edhe misionar nga vende të largëta: ” Dyshohet se ata nuk flisnin as gjuhën tonë,por një të ngjashme me atë të vendeve të moskovit!

“Po na ngatërrohen hesapet nga brenda….”

Ato që thanë Sheh Dyli dhe Sheh Alia m`u lidhën si gur për qafe, ngaqë edhe Baba Bektashi i ndritur kishte zënë ngojë mundësinë e futjes në radhët tona të moskovitëve me anën e disa klerikëve të dyshimtë, që vinin nga popuj të Kaukazit dhe të Krimesë(tatarë,çerkezë,kozakë,ullukë e të tjerë,… të kenë dorë edhe disa shërbime të fshehta të Perandorisë, të njohura për bashkëpunimin me Sinodin e shenjtë,…” fq.134,

Si pjesëmarrja në luftërat turke dhe bërja e radhitjes së jeniçerve në këto procese, të cilat në shumë raste kanë lejuar avancime brenda rrethit te tyre. Ndërkaq, programi finalizues është dirigjuar dhe realizuar në mënyrë shumë profesionale. Këto diktate kanë ndodhur në shumë procese historike, mirëpo Jusuf Buxhovi në këtë vepër dhe në disa të tjera ka depërtuar në deshifrimin e këtyre kodeve të veçanta për shqiptarët.

Në këtë vorbull të kohëve vijnë edhe kombinimet e dijeve të Vjetra dhe Dijeve të Reja. Në letërsinë tonë në përgjithësi njohja e Bektashizmit është njohur vetëm në pika të shkurta. Në roman autori mjaft bukur ka shfaqur e ndriçuar ardhjen e kësaj doktrine fetare në trevat tona,por në këtë vepër ajo ka topografinë e vet të lokalizuar, e cila ka shtrirje në një trevë ku autori ka jetuar edhe me këto elemente të zhvillimit të saj. Lindja e teqeve në këtë trevë ka edhe misionarët e vetë, të cilët në shumë raste kanë dhënë shfaqje të dukshme në orientimin e popullatës. Mirëpo, fatkeqësitë kanë ardhur në momentet e ndërlikuara ,duke asgjësuar njeriun e dijes për një mision vendor. Këto misione në të dy rastet kanë protagonistë vendor,sepse shpata e të huajit ka depërtuar në dorën e njeriut tonë deri në thellësi . Kështu ,edhe misteret nuk janë qartësuar,apo nuk kanë mundur të qartësohen ,duke krijuar edhe bestytni në shumë raste, duke dhënë edhe parafytyrimin e misterit, se ndoshta fuqia ka ardhur nga perëndia qiellore.

Në romanin “Jeniçeri i fundit” protagonisti Jeniçeri shqiptar tani pas një përvoje të gjatë nëpër luftërat turke, kthehet në atdhe dhe ai kudo që ishte, në jetë e ka mbajtur të gjallë kujtesën dhe fjalët e prindërve. Këto kujtime dhe shumë të tjera nga treva nga ishte ai si: Dukagjini e Bjeshkët e Nemuna janë jo vetëm pika mbështetëse të tij për vendlindjen, por njëherit janë edhe pika referuese të autorit sa i përket vendosjes së ngjarjeve në trollin e Kosovës. Pikat referuese të protagonistëve të romanit janë të shpërndara në dukje të parë,mirëpo ato në pikëpamje filozofike harmonizojnë idenë e shtjellimit të ngjarjeve fabulare dhe në një trajtë tjetër japin ndriçim,sepse ato reflektojnë nëpër udhëkryqet e njerëzimit . Pra edhe kjo periudhë historike i ka lënë pasojat e veta gjatë këtij sundimi shekullor. E sa vështirë dilet nga kjo situatë e sundimit. Lexuesi mund të kuptojë vetëm përmes kryeprotagonistit të romanit “ Jeniçeri i fundit” , e cili është kryeprotagonisti i këtij romani, lexuesi prapë duhet të pyes veten, se pse ai është kudo pse më shumë duket hija e tij dhe bota e brendshme që ka dy porosi nga prindërit, e kjo ka rrjedhën nga faqja e parë e deri tek faqja e fundit,duke aluduar në ruajtjen mitike të Konstantinit se besa është duke bashkëjetuar në Jeniçerin e fundit.

Prekja apo shenjimi i disa ngjarjeve në të kaluarën si nga kultura e luftërat tona dhe ato të përbotshme janë hallka që ndërlidhin ngjarjet në roman dhe i japin shenjat sinjalizuese për lexuesin e vëmendshëm se këto procese i kanë rrënjët shumë më të thella se në dukje të parë. Këto depërtime vrojtuese nuk janë dhënë vetëm për të kaluarën e ndodhur, por mesazhi i tyre vjen e dikton të djeshmen e afërt, të sotmen dhe të ardhmen tonë që vazhdimisht është duke trokitur jo në derën tonë po më shumë në dritaren e atdheut tonë.

Romani “Jeniçeri i fundit” i Jusuf Buxhovit kërkon njohje më të thella të shenjimit të disa ngjarjeve sa mitike e sa reale , për të kuptuar mezashin dhe veprimet e të ndoshurave nëpër rrjedhat historike të etnikumit tonë. Sepse: Dijet e Vjetra,Dijet e Reja, Vragjet e Rumit, Pellazgjia, Perandoria Dardane, profetet hazreti Musai,hazreti Ibrahimi ,Jezusi apo hazreti Isai, Biblioteka e Aleksandrisë. Pastaj luftërat dhe lëvizjet e Ali Pashë Tepelenes, Kara Bushatit e tjera si : Kështjella e Damastionit, Kështjella e Hijes, Kështjella e Drilonit, Kështjella e Pasqyrave, numri shtatë ,pastaj, vdekja e piktorit Gropan Muzaka si dhe Juria e Hijeve , nuk janë vetëm identifikim, por më shumë saktësojnë realen e të ndodhurave jetësore.

Rikthimi në identitet ka për qëllim rikthimin, por a e kemi identitenin gjeografik dhe atë kulturor, që duhet ta kemi, apo nuk jemi në rrugën e gjetjes, apo ndoshta duhet të ruajmë këtë që e kemi sot. Këto dhe parashtrime e të tjera karakterizojnë tërësinë e këtij romani historik,me perisiatje sa filozofike, po aq edhe angazhuese për letërsinë moderne shqiptare. Romani në shtjellimin e brendshëm ka formësimin unikat, sepse funksionalizimi dhe dimensionalteti i dhënë kanë qartësinë e komunikimit për lexuesin e vëmendshëm. Në galerinë e dukshme dhe të pa dukshme Jusuf Buxhovi e shpalosë të djeshmen ,për të ruajtur dhe kultivuar pasurinë mendore që ekziston brenda atdheut tonë të shkapërderdhur në ide e koncepte, që në shumë raste e damkosin etninë tonë, kurse vijat në hartën botërore ku atdheu ynë duket se nuk e ka shkëlqimin që duhet ta ketë nëpër proceset e rendit botëror.

Pra, romani “ Jeniçeri i fundit” i Jusuf Buxhovit, konsideroj se radhitet ndër romanet më të konsoliduara në letërsinë e sotme shqiptare, si në aspektin leksikor e në fjalëformimin gjuhësor dhe në tërësinë e tij krijon faqe konsolidimi në identitetin tonë kombëtar e artistik./KultPlus.com

“Jeta me laps” sjell Nehat Islamin në KultPlus Caffe Gallery

Sot, më datë 28 tetor, duke filluar prej orës 19:00 do të bëhet promovimi i librit “Jeta me laps e Nehat Islamit”, të autorit Xheladin Rexhepit.

Promovimi do të mbahet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku do të jetë i pranishëm edhe protagonisti i librit, gazetari i njohur Nehat Islami.

“Jeta me laps e Nehat Islamit” është libër- intervistë i autorit Xheladin Rexhepit i cili ka realizuar një bashkëbisedim me gazetarin e njohur Nehat Islami, i cili nëpërmjet 500 pyetjeve ka treguar rrugëtimin e tij në profesionin e gazetarit, brenda dhe jashtë Kosovës.

Fëmijëria e tij, studimet, puna si korrespodent në Liban, intervistat me figura të njohura, realizimi i dokumentarëve, roli i tij gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe shumë e shumë tema të tjera janë përfshirë në këtë libër, duke mos përjashtuar edhe shkrimet e të tjerëve që kanë shkruar për Nehat Islamin.

Për librin do të flasin: Ibrahim Kadriu, Xheladin Rexhepi, Zyrafete Shala dhe Nehat Islami. Hryja është e lirë. / KultPlus.com

Historia e Sarandës, ekspozita e sjellë nga nga artistë shqiptarë dhe të huaj

Historia e Sarandës dhe rrethinave të saj tregohet përmes pikturave dhe skulpturave në Galerinë Art Saranda.

Vepra arti që pasqyrojnë përjetimet e njerëzve dhe qyteteve pas çdo ndryshimi kohor janë të ekspozuara në një rend kronologjik.

“Ekspozita përmban vepra nga koleksionet e galerisë, përfshirë piktura dhe skulptura nga periudha para dhe pas viteve ’90. Para viteve ’90, kemi krijimtari të realizmit socialist, ndërsa pas atyre viteve, ekspozita paraqet veprat e kolonive të piktorëve, simpoziumeve të akvarelit dhe skulpturës, si dhe ekspozitat vetjake. Këto përbëjnë një rrugëtim të artit për qytetin tonë gjatë viteve, nga vitet 1960, duke reflektuar tematika të shekullit XIX, siç ishte lufta për pavarësi, deri në ditët e sotme, me ndryshimet e ngjyrave dhe formave të arteve pamore,” shprehet drejtori i Galerisë, Lefter Ceko.

Ekspozita me histori shqiptare i paraprin muajit të pavarësisë dhe do të qëndrojë e hapur për një kohë të gjatë.

Interesi ka qenë i lartë, përfshirë edhe turistët e huaj.

“Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për gjithë sezonin për disa muaj me radhë, dhe pastaj do ta rifreskojmë dhe do të vazhdojmë me ekspozita të tjera vetjake, pasi kemi shumë kërkesa,” shton Ceko.

“Vizitorët janë vendas dhe të huaj. Ata janë të interesuar për të mësuar historinë e këtij vendi, por duke e parë atë përmes prizmit të artit. Tematikat që janë realizuar në piktura dhe skulptura reflektojnë shqetësimet artistike dhe ndjenjat e artistëve, që nga format e punës deri te njerëzit e para rojes para viteve ’90, e deri te bukuritë e qytetit dhe vlerat e monumenteve, si dhe psikologjinë e zhvillimit urban dhe të jetës në përgjithësi.”

Ekspozita është pjesë e muzeut të Galerisë, me veprat që janë dhuruar nga artistë shqiptarë dhe të huaj.

“Kufiri i kuq mes artit shqiptar”, diskutim mbi letërsinë e ndaluar gjatë diktaturës komuniste

Në përpjekje për të hedhur dritë mbi të kaluarën e vështirë të artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë nën regjimin komunist, Fondacioni Kujto, në bashkëpunim me Social Creativity, organizuan një tryezë diskutimi në “Kult Plus Caffe Gallery”. Aktiviteti u zhvillua si pjesë e projektit “Artistët e Ndaluar në Atdheun e tyre”, një iniciativë e financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit ‘Kultura dhe Kreativiteti për Ballkanin Perëndimor’ (C4WBs), dhe e zbatuar nga Këshilli Britanik, shkruan KultPlus.

Ky diskutim kishte për qëllim që të shënojë mundësi të rëndësishme për krijimin e urave të komunikimit ndërmjet artistëve, shkrimtarëve, studiuesve, akademikëve dhe përfaqësuesve të institucioneve publike nga Shqipëria dhe Kosova. Qëllimi ishte të nxitet bashkëpunimi kulturor ndërmjet dy vendeve dhe të ngrihet ndërgjegjësimi rreth historisë së artit dhe letërsisë shqiptare gjatë periudhës së errët të diktaturës komuniste (1945-1991), periudhë kjo e cila përfshiu një sërë persekutimesh dhe censurash ndaj artistëve dhe intelektualëve që guxonin të shprehnin mendime kritike ndaj regjimit, duke lënë pasoja të thella në kulturën dhe trashëgiminë kombëtare.

Të pranishëm në panelin e këtë panel diskutimi ishin: Blerina Gjoka nga Fondacioni Kujto, Admirina Peçi, hulumtuese dhe gazetare, Primo Shllaku, poet dhe shkrimtar, Vlora Ademi, poete dhe pjesë e Social Creativity dhe Nazmi Rrahmani, shkrimtar.

Pjesëmarëse dhe inicuese e këtij projekti, Blerina Gjoka, u shpreh se kjo iniciativë nisi për të hedhur dritë mbi një periudhë të errët të të historisë shqiptare.

“Prej gjashtë vitesh së bashku me Admirinën dhe me disa kolegë të tjerë gazetarë, jemi angazhuar te fondacioni ‘Kujto.al’, një fondacion i krijuar në nevojën e një zbrazëtie për të njohur të shkuarën, të shkuarën që për ne ka qenë shumë e hidhur, 45-vjeçare në komunizëm dhe që ja ndjejmë pasojat sot e kësaj dite sepse gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, mijëra shqiptarë u persekutuan, u burgosën politikisht dhe u pushkatuan, e sot shumë prej tyre janë akoma pa varr, duke mos pasur asnjë iniciativë shtetërore për t’i gjetur dhe për t’u vendosur një varr që familjet e tyre të kenë ku të dërgojnë lule”,u shpreh Gjoka, e cila më tutje u shpreh se ky projekt ka për qëllim që të hedhë dritë edhe mbi historikun e shkrimtarëve shqiptarë nga Kosova, shkrimet e të cilëve nuk u lejuan që të shpërndaheshin në Shqipëri.

Admirina Peçi, po ashtu pjesë e Fonadionit Kujto, thotë se përgjatë hulumtimeve të saj, hasi në shumë dwshmi ku dokumentohet se si regjimi komunist e ndalonte letërsisë që u krijua atë periudhë nga shkrimtarët shqiptarë të Kosovës.  

“Ideja e dokumentarit ka nisur herët, në kohën kur unë kam harxhuar më shumë kohë në arkivë se sa në redaksi dhe pikërisht në atë periudhë unë kam hasur në shumë doumente. Në shumë prej tyre thuhej se “Anton Pashku ishte një figurë shumë e rrezikshme për lexuesin, ai është dekadent, duhet të bërë kujdes që librat e tij të mos kalojnë kufirin”, dhe nuk ishte vetëm Anton Pashku, ishin disa autorë. Dhe po të analizoje, e gjithë krijimtaria e këtyre shkrimtarëve binte ndesh me normat e realizmit socialist”, theksoi Peçi, e cila më tutje tha se boshti i dokumentarit të tyre do të jetë pikërisht kjo pikë, ndalimi i shpërndarjes së letërsisë së shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit, përgjatë asaj periudhe.

I pranishëm në kësaj tryeze diskutimi ishte edhe shkrimtari Nazmi Rrahmani, i cili shpreht se zbardhja e rasteve të asaj periudhe duhet të trajtohet edhe nga institucionet.

“ Ështëme rëndësi që kjo çështje  të trajtohet edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Problemi në dukje mund edhe mos të jetë i madh, megjithatë, për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët që kanë jetuar në Jugosllavi, shkëputja ose vënia e asaj ‘vije të kuqe’ midis Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë fatale. Ka qenë fatale sepse është shkëputur gjithçka, në kulturën , në traditën, në atë zhvillimin e mëparshëm dhe është dashur që t’ia fillojmë nga e para”, tha Rrahmani .

Shkrimtari Primo Shllaku tha se akoma më tragjike se sa ajo që ka ndodhur është harruar, madje edhe ata që vetë i kanë përjetuar torturat, kanë ikur pa folur.

““Problemi është se duhet parë nje kuadër, një kornizë historike e asaj që ka ndodhur. Për mua, tragjedia më e madhe që ka ndodhur dhe që e ndjejmë edhe tash është se ata që i kanë përjetuar torturat, disa kanë vdekur, disa janë gjallë, por i kanë harruar. Ajo që mua më shqetëson është se protagonistët e asaj kohe kanë vendosur të ikin pa folur. Dhe në qoftë se ka diçka  që qëndron në mënyrë konstante te  çdo lloj qytetërimi  është projekti i aktij qytetërimi, pra ne nuk dijmë se çka ju ka ndodhur njerëzve tanë, bashkëkohësisë tonë, pse bashkëkohësia jonë u deformua deri në atë masë sa neve nuk po na mjafon as koha e ashtuquajtur e tranzicionit për t’u ktyer në binarin e përbashkët”, tha Shllaku.

Ndërkaq, si një komponent thelbësor i projektit, Fondacioni Kujto dhe Social Creativity do të realizojnë një dokumentar historik, ku do të paraqiten rastet dhe veprat e artistëve kosovarë dhe shqiptarë që u përndoqën për shkak të aktivitetit të tyre krijues dhe rezistencës kulturore ndaj regjimit komunist. Ky dokumentar synon të evidentojë dhe të ruajë trashëgiminë kulturore të kësaj periudhe, duke siguruar që sakrificat dhe kontributet e artistëve të përsekutuar të mbahen mend dhe të nderohen nga brezat e ardhshëm./KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Zvërneci: Eksploruesit shijojnë natyrën befasuese të natyrës që ka Shqipëria ngado

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga natyra e mrekullueshme e Zvërnecit, duke ftuar qytetarët dhe turistët që të eksplorojnë bukuritë e fshehura të Shqipërisë.

Në postimin e tij, Rama shprehet: “Eksploruesit gjejnë çdo ditë shtigje të reja për të parë kartolinat befasuese të natyrës që ka Shqipëria ngado.”

Zvërneci është një nga destinacionet natyrore që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë e tij unike, dhe kryeministri Rama vlerëson angazhimin për të promovuar këtë trashëgimi natyrore të rrallë që ofron Shqipëria.

Zvërneci, 14 km larg qytetit të Vlorës, është kthyer vitet e fundit në një ndër pikat turistike më të vizituara. Pas investimeve të fundit dhe ndërtimit të urës, turistë të shumtë zgjedhin të kalojnë në çdo stinë ditët me diell në ishullin e bukur, brenda Lagunës së Nartës.

Përveç bukurisë natyrore që Zvërneci ka, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit.

Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit./ KultPlus.com

‘Flas me gjethen’, historia e vërtetë e një dashurie triumfon në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës

Vjollca Duraku

Endrit Krasniqi me këngën “Flas me gjethen” është shpallur fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, i cili edhe këtë herë është mbajtur në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë, përderisa Greta Azizi me këngën “Veres” është listuar në vendin e dytë dhe Dea Strica me “N’Shipni” në vendin e tretë, shkruan KultPlus.

“Flas me gjethen” është kënga triumfuese nga 16-të këngët garuese të këtij edicioni të Festivalit të Këngës në RTK, e cila në mënyrë metaforike paraqet temën e një historie të vërtetë dashurie. Tekst-shkruesi dhe kompozitori Bekim Këpuska këtë këngë ia ka dedikuar bashkëshortes së tij, si shenjë mirënjohjeje e admirimi të përzier me një lloj ‘faji’ e borxhi që ai e ndiente karshi saj, si shkak i një martese dhe prindërimi në një moshë të hershme (19-vjeçe). Këpuska është gjetur në faj pasi ka menduar se i ka marrë rininë, andaj duke i shprehur gjithë emocionet për brishtësinë e saj në këtë moshë të re teksti titullohet “Flas me gjethen”, si simbol i një cikli jetësor të “mohuar”.

Çmimi i Orkestrës iu dha Arnitë Kastratit për këngën “Blla, blla, blla”, ndërsa çmimi i Kryeqytetit dhe Pallatit të Rinisë iu dha Besmir Shishkos për këngën “Unë – Ajo”.

Nata e tretë e festivalit e mbajtur në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë, u shpall e hapur në ora 21:00 nga bashkëprezantuesit Genc Salihu dhe Drita Kabashi, të cilët para publikut të vendosur në të tre anët e sallës, kënduan këngën “Kur dielli perëndon”. Skena gjigande me një spektër të madh ngjyrash, priti një nga një edhe tetë finalistët e mbrëmjes, duke dhuruar emocione pambarim te vetë ata, si dhe te publiku gjithashtu.

Ishte kënga “Një të vetme ka në jetë” nga Blendi Kaso që këtë mbrëmje u interpretua e para, duke u pasuar nga “Flas me gjethen” të Endrit Kraniqit dhe “Veres” të Greta Azizit. Ndonëse prezantimi bëhej në një sallë me akustikë jo të duhur, secili interpretim zgjonte ndjesi të veçanta në bazë të tematikës që trajtonte, dhe secili tingull i dhuruar me plotë zemër shpërthente në duartrokitje dhe ovacione gjithandej sallës me skenografi mahnitëse.

Këngët tjera të paraqitura sipas radhës transmetuese ishin: Dea Strica me këngën “N’Shqipni”, Rei Bezhani me “Zonja tradhëti”, Agim Poshka me “Ndarja erdhi”, Arnita Kastrati me “Blla blla”, Ardit Stafaj me “Faji” dhe Besmir Shishko me “Unë-Ajo”. Pas interpretimit të të gjithë garuesve pritej të merrej vendimi i jurisë në përbërje nga kryetarja Minire Fetahu-redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman-muzikologe, Ardianë Pajaziti- drejtoreshë e mediumit “KultPlus”, Valbona Selimllari-prezantuese dhe Blerta Zeqiri- regjisore. 

Gjatë kohës derisa juria konsultohej për shpallur fituesin e “Diamantit Blu” dhe  çmimeve të tjera të mbrëmjes radha iu erdhi mysafirëve special të Festivalit. Njëri prej tyre ishte Albert Stanaj, vokalist i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili e nderoi skenën e festivalit të këngës duke e sjellë si premierë botërore këngën e tij ‘Glory’.  Interpretimi i një fraze folklorike të cilën e kishte interpretuar nga mosha 10 vjeçare shënonte një përshëndetje e përzemërt me popullin e tij.

“Casta Diva”, aria e njohur nga opera “Norma” e Vincenzo Bellinit i shtoi mbrëmjes nivelin artistik me interpretimin e sopranos Besa Llugiqi, Orkestrës & Korit të Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Arbër Dhomi. Vendimi për paraqitjen e kësaj performance klasike në mesin e llojllojshmërisë së zhanreve u cilësua si i guximshëm.

Ndërsa, Bujar Ahmeti përmes një interpretimi të ndjerë solli vargjet e poezisë “Gjuha Shqipe”, të praruara nga kolosi shqiptar Gjergj Fishta. Violinisti shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Olen Cezari, solli ritëm dhe dinamikë në një bashkëinterpretim me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Tymi dhe dritat shumëngjyrëshe përshtateshin mrekullisht me performancën.

Alban Skënderaj solli hitin e tij të kahershëm “Vetëm Ty”, që kohë pas kohe këndohej së bashku me publikun, duke dëshmuar vlerat e çmuara të këngës e cila vazhdon të dëgjohet edhe sot sikur në kohën e publikimit. Pas kësaj performance u mbajt edhe ceremonia finale, vendimtare për edicionin e dytë të Festivalit të Këngës, ajo e shpalljes së fituesve, që kulmoi me emocione të fuqishme dhe magji triumfi të këngës “Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi.

Në një prononcim për KultPlus, me emocione të shumta fituesi Endrit Krasniqi tha se nuk ka pasur pritshmëri për triumf në një garë të tillë.

“Ka qenë një gjë të cilën nuk e kam pritur aspak. Më ka ardhur befasi, ende jam duke u dridhur, ende nuk po mund ta besoj çfarë ndodhi. Emocione boll, boll boll…, jam tepër i lumtur. Faleminderit shumë jurisë, RTK-së dhe të gjithë njerëzve që kam punuar. Konkurrentëve dhe garuesve të tjerë ju ha zemrat, i dua shumë. Faleminderit!”, ka thënë këngëtari Krasniqi.

Fituesi i Festivalit të Këngës ka uruar që shembulli i tij të jetë inspirues edhe për shumë artistë të tjerë, për t’i dhënë zë artit dhe krijimtarisë së tyre.

“Unë jam 20-vjeçar. Dua t’i inkurajoj të gjithë që secili artist i ri të shprehet, mos të ndalet, mos të frikësohet prej artit të tij, por ta çmoj dhe ta dojë. Uroj që përmes kësaj fitore ta kem dhënë këtë mesazh te të gjithë artistët e rinj. Nëse dikush frikësohet të dalë nëpër ekrane, iu them se nuk është asgjë. Është një prej ndjesive të mia më të mira sepse është festivali im i parë që kam marrë pjesë”, ka thënë finalisti Krasniqi.

Ndërsa, anëtarja e jurisë Ardianë Pajaziti pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Këngës e ka cilësuar si një ndër përvojat më të veçanta në karrierën e saj, ku së bashku me anëtaret tjera të festivalit patën rast të vlerësojnë aspekte dhe kritere të ndryshme të këngëve garuese.

“Ishte një ndër përvojat më të mira dhe më me përgjegjësi që kam pasur, dhe jo vetëm unë, po e gjithë juria. Për tri mbrëmje patëm mundësi që të degjojmë me vëmendje këngët konkurruese, dhe përpos këngës kemi analizuar edhe tekstet, performancën, paraqitjen skenike, kompozimin…” është shprehur anëtarja e jurisë Ardianë Pajaziti.

Pajaziti, e cila njëkohësisht është edhe drejtoreshë e mediumit KultPlus, i është gëzuar faktit që kritikë dhe njohës të muzikës në vend e kanë vlerësuar vendimin e jurisë.

“E rëndësishmja, për tri vendet fituese kemi pas një vendim të përbashkët si juri, dhe ajo që më gëzon më së shumti është se njohës të mirë të muzikës më kanë kontaktuar dhe e kanë vlerësuar vendimin e jurisë”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Ndërsa, tekst-shkruesi Bekim Këpuska është shprehur tejet i lumtur që kënga të cilën ia ka kushtuar bashkëshortes së saj, ka shpallur fitues të festivalit këngëtarin Endrit Krasniqi.

“Jam shumë i emocionuar. Kam punuar shumë për këtë këngë. Kam punuar shumë me Endritin për ta sjellë në këtë moment në të cilin gjendemi aktualisht, andaj kjo fitore nuk është e rastësishme. Kemi vite që punojmë bashkë, ndjej që e kam rritur artistikisht që sot të jetë në qendër të vëmendjes”, ka thënë Këpuska duke potenuar që nga “faji” që ndiente pasi bashkëshortja e tij është bërë nënë në moshën 19- vjeçare, e ka pasur borxh t’ia kushtoj një këngë.

Kurse, Dea Strica fituese e çmimit të tretë, ka thënë se ndihet e lumtur që ka marrë pjesë në këtë festival, sipas saj historik, në të cilin ka njohur artistë të jashtëzakonshëm.

“Jam tepër e lumtur dhe nderuar që ka marrë pjesë në këtë festival dhe që kam pasur mundësi të njohë artistë të jashtëzakonshëm. Ka qenë një konkurrencë e fortë dhe për mendimin tim secili ka sjell një art unik, zëra dhe tekste të bukura. Çmimi është ajo gjëja extra e gjithë eksperiencës dhe magjisë që unë kam përfituar nga ky spektakël”, ka thënë ajo.

Strica gjithashtu ka thënë se ky festival me gjithë organizimin e tij meriton të paraqitet edhe jashtë kufinjve të Kosovës.

“Edhe më parë kam marrë pjesë në festivale të ndryshme por kjo është e parë që po marr pjesë në Prishtinë. Është nderë të jesh pjesë e një festivali që është historik. Unë uroj që ky të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë, e ky festival të na qojë përtej kufijve, ashtu siç e meriton”, ka thënë këngëtarja Strica.

Ndërkaq, drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku natën finale të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës e ka quajtur të jashtëzakonshme.

“Jam shumë i lumtur që sonte kemi pasur me të vërtetë në një natë të jashtëzakonshme. Ka shkuar tepër mirë jam i lumtur që edhe publiku e pëlqeu këngën fituese. I falënderoj të 16-të konkurruesit e Festivalit të Këngës, i vlerësoj dhe i falënderoj shumë secilin prej tyre. Mirëpo, nata e sotme ka qenë e jashtëzakonshme në secilin aspekt”, ka thënë drejtori artistik Boshnjaku, duke i përmendur edhe sfidat të cilat e kanë përcjellur gjatë procesit.

“Kanë qenë sfida të shumta, fatkeqësisht kjo sallë nuk i plotëson as kushtet minimale për një organizim kaq serioz, kaq të madh. Për këtë arsye dhe mund të shkaktohen probleme teknike të cilat ndodhin në prapaskenë. Mirëpo me një vullnet të jashtëzakonshëm të secilit njeri që ka punuar në këtë festival, e që jam falënderues pa diskutim, është arritur të krijohet një ambient për të prezantuar një festival i cili me siguri do të mbahet në mend për të mirë”, ka përfunduar Boshnjaku.

Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës është mbajtur gjatë tri netëve më 24, 25 dhe 26 tetor, në sallën e improvizuar në Pallatin e Rinisë./ KultPlus.com

Ministri Çeku për Festivalin e Këngës: Ishte magjik, dëshmuam se jemi të gatshëm për Eurovizion

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku edicionin e dytë të Festivalit të Këngës e ka cilësuar edhe më magjik se sa edicioni paraprak.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Ministri Çeku ka thënë se përmes këtij organizimi Kosova ka arritur të dëshmojë është e gatshme për prezantim në Festivalin Evropian të Këngës- Eurovizion.

“Dëshmuam që nga aspekti organizativ por edhe cilësor e artistik jemi të gatshëm për në Eurovision.

Faleminderit për një mbrëmje plot emocion e performanca të jashtëzakonshme. Urime fituesit të edicionit të sivjetmë, Endrit Krasniqi. Përgëzime Radio Televizioni i Kosovës dhe Adi Krasta!”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku/ KultPlus.com

Kori Siparantum fitues i dyfishtë në Spanjë, i siguron vendit njohje kulturore

Nga vendi i cili refuzon ta njoh shtetësinë e Kosovës, Kori Siparantum përmes një paraqitjeje dinjitoze ka arritur t’i sigurojë vendit dy çmime, Medaljen e Artë (Golden Medal) dhe Çmimin special për programin kontemporan më të mirë dhe interpretim në skenë, shkruan KultPlus.

Kori Siparantum me Medaljen e Artë është radhitur i treti në kategorinë e koreve të të rriturve në konkurrencë me tetë kore, të mbajtur në  “Sing for Gold – The World Choral Cup, Barcelona, 2024”./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron fituesit e edicionit të dytë të Festivalit të Këngës: Ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, e ka triumfuesin Endrit Krasniqi, si dhe të gjithë fituesit tjerë  të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK.

Kryeministri Kurti duke falënderuar edhe jurinë profesionale ka thënë se ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës.

Postimi i plotë:

Në popull thuhet se çdo i dyti person në Kosovë dëshiron të bëhet këngëtar, dhe ashtu është, sepse Kosovës i këndon zemra! Urime për një tjetër edicion impozant të Festivalit të Këngës në RTK, i cili po vazhdon traditën e nisur nga “Akordet e Kosovës” në shekullin e 20-të, tani me një format të ri dhe energji të re. Përgëzime për Endrit Krasniqin, fituesin e trofeut “Diamanti Blu” me këngën “Flas me gjethen,” dhe suksese të mëtejshme për Greta Azizin, që fitoi çmimin e dytë me “Verës,” dhe Dea Stricën me çmimin e tretë për “N’Shqipni.”

Po ashtu, suksese për Besmir Shishkon, që mori çmimin e Pallatit të Rinisë dhe të kryeqytetit me “Unë ajo,” dhe Arnitë Kastratin, fituesen e çmimit të orkestrës për “Blla blla.” Një falënderim për Orkestrën e Festivalit dhe jurinë e respektuar – Minire Fetahun, Jane Sugarman, Ardianë Pajazitin, Valbona Selimllarin dhe Blerta Zeqirin – për vlerësimin dhe përkushtimin e tyre. Ky festival është jehona e zërit dhe pasionit të Kosovës!/ KultPlus.com

‘Rrajca në Palcë’, Publikohet libri që i dedikohet historisë së një prej fshatrave më të mëdhenj në vend

Lashtësia, betejat, traditat, kultura doket, zakonet, kuvendet e burrave deri edhe tek folklori bashkë me figurat intelektuale janë një përmbledhje e gjatë e librit të dedikuar fshatit Rrajcë nga autorët Mimoza Vasku dhe Flori Karaj.

Një punë gati 8-vjeçare duke mbledhur dokumente, dëshmi dhe gojëdhëna rreth këtij fshati ndër më të mëdhenjtë në ranga kombëtar.

“Vlera e këtij libri është e tillë, pasi trajton jo vetëm pjesën e dokumentuar por edhe të transmetuar brez pas brezi. Libri trajton historinë e Rrajcës ndër shekuj, që nga antikiteti e deri në ditët tona. libri bën fjalë edhe për traditën, konakun rrajcar, ashtu si u tha në promovim rrajca ka vlera të veçanta si komunitet, veçanërisht që nuk e njeh gjakmarrjen por e duan njëri tjetrin dhe i qëndrojnë në krah”, shprehet Karaj.

“Rrajca në Palcë” është libri që tregon për historinë e gjithë zonës duke datuar që herët.

“Krahas ngjarjeve historike ne kishim si primare edhe Konakun e Rrajcës, i cili ishte një parlament i vogël brenda një komuniteti ku mblidheshin burrat më të zgjuar të fshatit ndaj ne shkruam për të gjithë burrat që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme. Historia nis që në kohën e gurit, me zbulimet e arkeologut Ilir Gjipali, i cili na ka dhënë materialet e duhura. Më pas kemi periudhën e luftrave siç është Beteja e Torviollit, më pas janë traditat e dasmës tradicionale rrajcare”, thotë Vasku.

Rrajca nuk ka vetëm histori, por edhe bukuri natyrore të cilat janë aty për të pritur vizitorët të huaj dhe vendas./Top Channel/ KultPlus.com

Rama: Veriu miniera e turizmit shqiptar, vijojmë investimet në infrastrukturë

 Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste shprehu sot bindjen se miniera më e çmuar e turizmit për Shqipërinë është veriu i vendit, ndërsa siguroi se do të vijojnë investimet për ndërtimin e akseve rrugore.

Në një takim me komunitetin shqiptar në Amerikë, Rama iu përgjigj interesit të një qytetari mbi ndërtimin e rrugës së Tropojës.

“Rruga është e vërtetë, jam në dijeni edhe për këtë dhe të tjera segmente të rëndësishme që janë thellë në Shqipëri”, tha Rama, ndërsa kujtoi se përpara 10 vitesh Tropoja ishte e  braktisur totalisht.

Kryeministri tha se Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike.

“Kur unë shkoja në Tropojë dhe thosha këtu turizmi do të jetë pika e kthesës më shikonin si komunist i pandreqshëm. Ja që Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike. Ne bëmë një sërë ndërhyrjesh dhe do të vazhdojmë të bëjmë një sërë ndërhyrjesh në atë zonë, ku kanë filluar edhe shumë investime private, sidomos në luginën e Valbonës deri lart në Lekbibaj, ku ka investime private”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë të bëjë edhe akset rrugore vetëm se duhet pak durim.

“Problemi ynë është që ne e gjetëm Shqipërinë me gjithë rrugët rrugëve. Asnjë segment rrugor të përfunduar por vetëm borxhe për segmentet rrugore të inauguruara për fushatë”, tha Rama.

Larja e atyre borxheve dhe përmbyllja e atyre segmenteve, sipas Ramës, “ka qenë një torturë më vete”.

“Patjetër që do vazhdojmë. Rrugën e Dukagjinit e kërkonin të gjithë po kishin humbur çdo shpresë. Tani rruga e Dukagjinit po hapet dhe kështu do vazhdojmë edhe me rrugët e tjera. Besoj shumë se pavarësisht se jemi mësuar nga e kaluara jonë që ta shohim  turizmin të lidhur me bregdetin, miniera më e çmuar e turizmit për Shqipërinë është veriu i Shqipërisë. Dhe aty kur të rritet volumi i investimeve dhe kur të fillojnë edhe hotelet e luksit do të ndodhi një ndryshim jashtëzakonisht i madh dhe do të ketë shumë më tepër të ardhura për njerëzit dhe ata që do të investojnë atje”, tha Rama. /atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton Ukë Bytyçin në 22 vjetorin e vrasjes: Ishte lider i besueshëm e vizionar, hovi i tij u ndal mizorisht

Presidentja Vjosa Osmani sot në 22 vjetorin e vrasjes e ka përkujtuar ish-kryetarin e Suharekës, Ukë Bytyçin.

Presidentja Osmani ka thënë se Ukë Bytyqi ishte lider i besueshëm e vizionar, hovi i të cilit u ndal mizorisht, duke e lënë në gjysmë angazhimin e tij për mirën e qytetarëve të Suharekës.

“22 vjet më parë humbëm Ukë Bytyçin, kryetarin e përkushtuar të Suharekës, atdhetarin e palodhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ai u vra së bashku me dy përcjellësit e tij, Bafti Bajrami e Bajram Bytyçi.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ukë Bytyçin!”, thuhet në komunikatën e Presidentes Osmani./ KultPlus.com

Kumbaro në Athinë: Bashkëatdhetarët tanë po mbajmë gjallë traditën tonë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në takimin organizuar në Athinë nga Ambasada Shqiptare ne Greqi, në kuadër të e kalendarit kulturor “Ditët Kombëtare”.

Kumbaro ndau në rrjete sociale momente nga eventi i organizuar me këtë rast, teksa shkroi se, “kalendari kulturor “Ditët Kombëtare” nisën me “Ditën e Gjirokastrës”, me një pjesë të vogël të komunitetit gjirokastrit që prej vitesh punon e jeton në vendin fqinj”.

“Takim shumë emocionues në Athinë, organizuar nga Ambasada Shqiptare ne Greqi si pjese e kalendarit kulturor “Ditët Kombëtare” që nisën me “Ditën e Gjirokastrës”, me një pjesë të vogël të komunitetit gjirokastrit dhe jo vetëm nga Gjirokastra, që prej vitesh punon e jeton në vendin fqinj, për të ndarë emocione të vërteta, si ato të studiuesit Spiro Xhavara nga Lunxhëria, të shkrimtarit Iljaz Bobaj nga Lazarati, apo të aktorit të mirënjohur Nikolla Llambro”, u shpreh Kumbaro.

Bashkë me ambasadoren Luela Hajdaraga, Kumbaro prezantoi projektet dhe investimet që e kanë kthyer Gjirokastrën në një nga destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë.

Sipas saj, me projektet që bashkatdhetarët tanë po zhvillojnë në Greqi për kulturën dhe artin shqiptar, po mbajmë gjallë traditën tonë.

“Bashke me ambasadoren Luela Hajdaraga ndamë bashkë edhe lajme të mira për punë të bukura nga Gjirokastra jonë dhe për lidhjen e tyre me projektet që bashkëatdhetarët tanë po zhvillojnë në Greqi për kulturën dhe artin shqiptar, për të mbajtur gjallë traditën tonë dhe për shtuar bashkëpunimet me atdheun që përkthehet në më shumë ekonomi dhe zhvillim për vendin tonë”, tha Kumbaro./atsh/ KultPlus.com