Saimir Pirgu drithëron publikun në Londër me rijetësimin e personazhit kryesor të ‘La Boheme’

Një interpretim siç vetëm ai di të bëjë, duke dëshmuar për të disatën herë se Rodolfo në veprën e famshme të Puçinit ‘La Boheme’ mund të rijetësohet vetëm nga tenori Saimir Pirgu.

Opera e pasionit, miqësisë dhe zemërthyerjes është sjellë në jetë në prodhimin e gjallë dhe ndjellës të Richard Jones prej datës 24 janar në teatrin prestigjioz të muzikës klasike ‘Royal Opera House’ në Londër. Një premierë që do të mbahet për më shumë se dy javë e ka sjellë tenorin shqiptar të gdhendur kryekëput si personazhi kryesor i romanit të Henri Murger nga ku ështe frymëzuar edhe Puçini për të vënë në skenë këtë kryevepër botërore.

Saimir Pirgu drithëron publikun londinez me rijetësimin e personazhit

Kimia e shkëlqyeshme i detyrohej shumë aktorëve të natës së parë të çeljes së kësaj premiere. Saimir Pirgu ishte një Rodolfo i shkëlqyer. Vokalisht plot fuqi dhe pasion, Pirgu është i mbërthyer në momentet e tij të qeta, por kur duhet të japë nota të plota në gjoks, ato vijnë në hapësirë aq fuqishëm sa të krijojnë vetiu mornica në trup. Ruzan Mantashyan ka një zë ideal për Mimin, heroinën e kësaj opere. Mimi është një personalitet i bukur, por jo imponues dhe legato e mëndafshtë e Mantashyan rrjedh po aq bukur sa një patinator në akull.

Saimir Pirgu drithëron publikun londinez me rijetësimin e personazhit

Aktualisht ‘La Boheme’ është një nga operat më të pëlqyera në mbarë botën dhe opera më e interpretuar në ‘Royal Opera House’.

Sinopsi i La Boheme

Kur Rodolfo, një poet pa para, takon Mimì, një rrobaqepëse, ata bien menjëherë në dashuri. Por lumturia e tyre kërcënohet kur Rodolfo mëson se Mimi është i sëmurë rëndë. Rodolfo është i vetëdijshëm me dhimbje se nuk mund të përballojë ilaçet dhe kujdesin që i duhen Mimit, dhe kështu ndahet prej saj. Ndërsa sëmundja e saj po pushton, Mimi kthehet në gardhin e Rodolfos. Ata janë ribashkuar me gëzim – por, pavarësisht kujdesit të Rodolfos dhe miqve të tij, Mimi vdes. / Javanews / KultPlus.com

Sopranoja Elbenita Kajtazi debuton në festivalin e Edinburgt, do ta ndajë skenën edhe me tenorin Saimir Pirgu

Në një ngjarje të pazakontë që shënon 900-vjetorin e qytetit të Edinburgut, Festivali Ndërkombëtar i Edinburgut për vitin 2024 do të sjellë në skenë një kombinim të mrekullueshëm të performancave artistike. Ky manifestim do të zhvillohet nga data 2 deri më 25 gusht, duke sjellë një valë të madhe të kulturës dhe muzikës në zemrën e Skocisë, shkruan KultPlus.

Një prej pjesëmarrësve të veçantë në këtë festival do të jetë sopranoja e njohur kosovare, Elbenita Kajtazi.

Në këtë festival të shquar, sopranoja kosovare do të këndojë rolin e Mikaelës nga opera Karmen. Ajo gjithashtu është shprehur e lumtur që skenën do ta ndaj me mezosopranon Gawlle Arques dhe tenorin e njohur shqiptar Saimir Pirgu.

“Të dashur miq,
Jam jashtëzakonisht e lumtur që këtë verë do bëjë debutimin tim në festivalin internacional veror të qytetit të Edinburg në Skotland.
Në këtë festival do kem rastin të këndoj rolin e Mikaelës nga opera Karmen, produksion ky që në Prill kishte premieren në Opera Komike në Paris. Mezi presë të ndaj skenën me mezosopranon Gawlle Arques dhe tenorin e mirënjohur shqiptarë Saimir Pirgu.

Për më shumë info, klikoni linkun e mëposhtëm ⤵️
https://www.eif.co.uk/…/first-performances-and-theme…”, shkruan Elbenita. / KultPlus.com

Vlerëson kritika europiane: Tenori shqiptar Saimir Pirgu, triumfon në rolin e Ernanit

I fuqishëm në shprehi, me fraza të bukura dhe pasqyrim pasionant, tenori Saimir Pirgu në rolin kryesor i jep këtij “Ernani” shkëlqimin që i duhet një produksioni festivali. Kështu e përshkruan interpretimin e artistit shqiptar, kritika europiane.

Me operan “Ernani”, që çeli dje edicionin e ri, Festivali i Bregenzit në Austri ofron një vepër relativisht të rrallë të interpretuar nga Giuseppe Verdi, opera e hershme e lënë në hije nga kryeveprat e tij të mëvonshme.

Nuk donit ta merrnit seriozisht një histori të tillë në vitin 2023. Tre burra dëshirojnë të njëjtën grua. Njëri, Don Carlo, është një burrë i fuqisë brutale dhe maço dhe, si perandori i mëvonshëm Karli V, gjithsesi vendos rregullat e tij. Tjetri, Duka Silva, është një plak, i fiksuar pas besimit të tij se, në bazë të traditës, ai ka të drejtën mbi gruan rreth së cilës nuk dimë shumë. I treti dhe më i riu, Ernani, është ai që ajo dashuron. Si një fisnik i refuzuar, ai është kthyer në një bandit, një Robin Hood i zemrës së saj.

Për nga emocionaliteti i saj agresiv, shfaqja me katër akte nuk është aspak inferiore ndaj asaj të politikës së brendshme. Motivet qendrore janë hakmarrja dhe pushteti. Tre burra, lideri rebel Ernani, mbreti i Spanjës Don Carlo dhe Silva i ofenduar, të gjithë duan një gjë: Elvirën. Zhvillohet një intrigë, bazuar në materialin e një vëzhguesi të shkëlqyer të natyrës njerëzore: drama e Victor Hugo (“Të Mjerët”) “Hernani ose Nderi Kastijan” (1830). Opera e Verdit e vitit 1844, e bazuar në një dramë të Viktor Hugos nga viti 1830, konsiderohet nga muzikologët si një vepër kyçe në zhvillimin e operave si “Rigoletto”. Por edhe problematike për sa i përket përmbajtjes.

Tenori shqiptar Saimir Pirgu, triumfon në rolin e Ernanit, cilësojnë kritikët. Ai bind përgjatë gjithë shfaqjes me tonet e larta të fuqishme dhe me shkëlqimin magjepsës heroik.

Dueti me Guanqun Yu, në rolin e Elvirës, në të cilin bashkohen zërat e lakueshëm, është një nga pikat kryesore muzikore të produksionit. Sopranoja Guanqun Yu shpreh një pianisimo magjepsëse si dhe një temperament kërkues, në të njëjtën masë. Goran Jurić (Silva) kënaq me basin e tij më shumë të zhdërvjellët se sa të fuqishëm. Dhe Franco Vassallo (Carlo) stolis timbrin e tij të errët të baritonit në një kompaktësi magjepsëse kah cinizmit, të cilin ai duhet ta shfaqë në shprehjet e fytyrës dhe gjestet.

Në kohën kur i mbushi të tridhjetat, Verdi ishte tashmë në gjendje të krijonte një partiturë të fuqishme dhe të efektshme teatrale, të kompletuar me pasazhe të bukura, ndonëse për dreq modeli- “Hernani” nga Victor Hugo-, është kaq i tmerrshëm. Libreti që Francesco Maria Piave ndërtoi prej tij nuk duhej të ishte një hit, por në të ndërhyri kompozitori. Puna e tij, një shembull kryesor i epokës së fundit të belkantos, ofron role ëndrrash për tenorë, baritone dhe soprano ambiciozë dhe një sfidë për ekipin regjisorial.

Lotte de Beer e merr prirjen drejt groteskut te “Ernani” në produksionin e saj në sallën e Festivalit të Bregenzit dhe e ushtron atë me një rigorozitet të mrekullueshëm. Burrat – të paktën meshkujt në lojë – udhëhiqen nga instinkti. Në vend të arsyes, ata veprojnë me modele reagimi si “nder” dhe “hakmarrje”. Burrat e De Beer janë të këmbyeshëm në pamje – luftëtarë me uniforma bezhë. Skena të shkëlqyera të turmës dhe koreografi luftarake nga Ran Arthur Braun.

“E di që opera luhet rrallë, megjithëse muzika është vërtet e mrekullueshme”, tha regjisorja Lotte de Beer. Vepra ofron “pak natyralizëm”, por grotesk të treguar ashpër.

Akti i tretë, të cilin Verdi dhe libretisti i tij Francesco Maria Piave e titullojnë me ironi “La clemenza” (Mëshira), dhe që zhvillohet në kriptën perandorake të Karlit të Madh në Aachen, është vendosur këtu përballë disa gurëve të varreve të rrënuara. Fuqia, cila pëlqen të zbukurohet me dinjitet, tregon më së miri fytyrën e saj të shëmtuar kur demaskohet. Kjo është ajo që e bën këtë produksion kaq të jashtëzakonshëm: duke satirizuar natyrën e libretit, ajo demaskon modelin pas tij.

Këtë vit, Festivali Bregenz ofron më shumë se 70 ngjarje artistike deri më 20 gusht, për të cilat janë lëshuar 215,000 bileta – të paktën 90 për qind janë rezervuar para fillimit. / Balkan Web / KultPlus.com

Tenori me famë botërore Saimir Pirgu hap Kalendarin Turistik të TKOB-së

Tenori Saimir Pirgu, ylli i teatrove më prestigjioze botërore si “La Scala”, “Metropolitan Opera- New York”, “The London Royal Opera House”, e shumë të tjerë, do të çelë Kalendarin Kuristik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Shoqëruar nga mjeshtëria e Orkestrës Simfonike e TKOB-së, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, tenori shqiptar me famë botërore, konsideruar nga shumë personalitete të artit si “Ylli më i shndritshëm në qiellin ndërkombëtar të operës”, Saimir Pirgu, do të performojë më 8 korrik, në një nga monumentet më të rëndësishëm të antikitetit, në Amfiteatrin e Butrintit.

Në violinë do të interpretojë edhe vetë drejtoresha e përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, e cila edhe këtë radhë vishet me petkun e artistes, shoqëruar nga Herta Cane në piano. Në skenë do të ngjiten të tjerë emra të  mirënjohur të artit, aktorë, kompozitorë e instrumentistë.

Ky koncert çel siparin e shumë koncerteve dhe shfaqjeve të tjera që do të vijnë përgjatë këtij sezoni veror nga Teatri i Operës dhe Baletit, nga Veriu në Jug, me emrat më të mirënjohur kombëtarë e ndërkombëtarë./atsh/ KultPlus.com

Triumf i tenorit Saimir Pirgu në Teatrin Massimo të Palermos

Tenori shqiptar, Saimir Pirgu, ka triumfuar në skenën madhështore të Teatrit Massimo në Palermo, duke interpretuar rolin e Alfredo-s në operën “La traviata” të Giuseppe Verdi-t, që konsiderohet pjesë e trilogjisë popullore të tij.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit të Tiranës, përgëzoi tenorin Pirgu për përfaqësimin e shkëlqyer që po i bën Shqipërisë, si një nga ambasadorët tanë të kulturës në teatrot më të mirënjohur ndërkombëtarë.

Gjithashtu drejtuesja e këtij institucioni, Abigeila Voshtina, ka shkruar në rrjetet sociale duke uruar tenorin Saimir Pirgu për suksesin në Palermo, e duke e vlerësuar atë si një performancë të çmueshme.

“Me interpretime të tilla mbresëlënëse e dinjitoze, si vokalisht ashtu dhe dramatikisht, Saimir Pirgu ngre peshë zemrat e gjithë shqiptarëve për përfaqësimin e shkëlqyer, jo vetëm në Itali por edhe në piedestalet më të larta të Operës në mbarë botën”, shkruan Abigeila Voshtina./ atsh/ KultPlus.com

Saimir Pirgu, shkëlqen si “djali i keq” në Royal Opera House

Tenori shqiptar Saimir Pirgu ka shkëlqyer në rolin e Steva-as, në operan “Jenufa”, të kompozitorit cek, Leos Janacek, produksion i Royal Opera House.

Shtypi britanik nuk i ka kursyer superlativat në kritikat e tij, për Saimir Pirgun.

Gazeta The Guardian shkruan: “Saimir Pirgu ishte një Steva i shkëlqyer, kokë bosh por tërheqës, zëri i tij dilte me mjeshtëri dhe depërtonte muzikën, që ndonjëherë ishte pak e vrazhdë. 29.09.2021

“Tenori I shkëlqyer shqiptar, Saimir Pirgu” shkruan Fiona Maclean

Në gazetën The Times: “Tenori shqiptar Saimir Pirgu është i shkëlqyer në rolin e Steva-s”

“Tenori shqiptar Saimir Pirgu solli në skenë një Steva tërheqës e simpatik ” shkruhet në “The Article”

Gazeta “Independent”: “Tenori shqiptar Saimir Pirgu sjell një Steva të shkëlqyer.”

“Seen and Heard International”, shkruan: “Števa, Saimir Pirgu, ishte një zë i fortë, por në të njëjtën kohë një aktor i jashtëzakonshëm. Tenori shqiptar Pirgu, ka gjithë forcën që i duhet rolit, por demonstron edhe tone fenomenale. Ishte me të vërtetë fat të kishe Pirgun pjesë të kësaj  opere.

Gazeta “Financial Times”: “Saimir Pirgu një romantik i jashtëzakonshëm, një Steva me zë të fuqishëm” (Richard Fairman) 29.09.2021

“Culture Whisper”: “Tenori shqiptar Saimir Pirgu në rolin e Steva-s, triumfon, me zërin e tij Italianate brio”

“Opera Today”: “Tenori Saimir Pirgu, rrezaton”

Unë pata mundësinë të zhvilloja një bisedë me Saimir Pirgun pas shfaqjes së fundit, dhe fillimisht e pyeta se çfarë ishte ndryshe tek rolin i Steva-s:

“Kur kthehesh në një teatër të rëndësishëm, siç është Royal Opera House, pasi ke bërë rolet e repertorit kryesorë në opera si Rigoletto, La Traviatta apo Boheme, është përgjegjësia e artistit ndaj publikut dhe kritikës, kur sjell diçka tjetër. Eksperimenti që bëra vite më parë me King Roger, solli shumë interes, edhe tek unë si artist. Ishte një sfidë për mua, fakti që mora një rol që nuk hyn në repertorin e një tenori Italian, siç jam unë. Kryesisht këto role i evitojmë se janë edhe të vështira për t’u mësuar, por edhe nuk janë të një repertori të zakonshëm. Kjo ka bërë që karriera ime dhe të zgjerohet, dhe kur m’u dha mundësia, kur më pyetën nëse do të më interesonte një rol si ky i Stevës, e pranova. Në fillim m’u duk shumë pak, si rol, se jam mësuar me role më të mëdha, por në jetën e një artisti duhet të sjellësh diçka të re, dhe sigurisht, fakti që ishte në gjuhën ceke, është një sfidë tjetër.

Ju nuk e flisni gjuhën çeke? Si mundët të interpretoni në një gjuhë të panjohur për ju?

Jo Nuk flas çekisht, duke mos folur çekisht, e mësova tekstin përmendësh, dhe duhet të lexosh shumë për historinë, për shfaqjen. Është një shfaqje me nivel shumë të lartë. Claus Guth, që është regjisori, dhe Henrik Nanasi, dirigjenti, janë specialistë të këtij repertori. Ishte një premierë absolute, pasi është hera e parë që kjo opera vihet në skenë në Operan Mbretërore të Londrës, pas 20 vjetësh. Trupa është e shkëlqyer, siç janë gjithmonë në Operan Mbretërore, por sfida ishte shumë e madhe, por edhe e papritur, dhe të them të drejtën nuk kisha ndonjë pritshmëri të madhe. Nuk e kisha menduar që një rol i atillë, mund të të japë një sadisfaksion kaq të madh, nga ana interpretative dhe nga ana skenike. Kjo është diçka që më ka lënë shumë mbresë, dhe që u vlerësua shumë nga kritika.

Ndërsa premiera e Jonufës në Londër ishte më datë 28 shtator, ju më 15 shtator kishit premierën e një tjetër Opere në Thatre des Champs-Elysees në Paris, Operas Manon.  Si mundët të ishit edhe në Londër, dhe në Paris, në të njëjtën periudhë kohe?

Edhe opera Manon ishte për herë të parë në Paris, dhe ishte në të njëjtën ditë me inaugurimin e Teatrit të Operas në Tiranë, dhe ne fakt unë duhet të isha në tre vende në të njëjtën kohë. Por ishte e pamundur për mua që të isha në Tiranë, pasi edhe në Londër ishte hapja e sezonit, po kështu edhe në Paris më 15 shtator me Operan Manon. Ka qenë një muaj shumë i ngarkuar. Sapo dolëm nga pandemia, unë kam qenë i tejngarkuar me punë, që është diçka shumë e mirë.

Po si e përballoni këtë lloj ngarkese, Londër-Paris-Tiranë, dhe bëhet fjalë për një premierë të Jonufa-s pas 20 vjetësh ne Operan Mbreterore të Londrës dhe një premierë të Manon në Paris?

I përballoj pa u menduar shumë, dhe duke u fokusuar tek ajo se çfarë duhet bërë, dhe sidomos kur janë produksione të ndryshme, në teatro të mëdha si këta, që duan një përqendrim të veçantë. Përgjegjësia është shumë e madhe, dhe sidomos rolet në gjuhën frënge janë edhe më të vështira, pasi frëngjishtja është e vështirë për t’u kënduar mirë, në krahasim me gjuhët e tjera.

Roli i Steva-s në operan Jonufa, është ndryshe nga rolet tuaja të zakonshme, është një rol negativ, është kjo hera e parë?

Nuk është hera e parë në rol negativ, por është hera e parë që është kaq i drejtë përdrejtë, shpërfillës, kaq menefregist, kaq egoist, dhe nuk është e lehtë të personalizohesh si aktor në një shfaqje të tillë, kështu që isha kurioz edhe për të kuptuar veten. Dhe të them të drejtën nuk e kisha idenë se çfarë do dilte, por ishte eksperiment, “hajde t’a provoj”. Dhe nuk është e thënë në jetën e një artisti që të gjitha rolet te funksionojnë. Ka role edhe që nuk funksionojnë, nuk është ndonjë problem i madh. Një gjë është e sigurt që unë me këtë rol dola nga zona e rehatisë, nga suksesi i sigurtë. Për mua është shumë e rëndësishme të mos mbetem në një vend dhe në një repertor./diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Saimir Pirgu përshëndet hapjen e TOK nga skena e Teatrit të Champs Élysée

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor rihapi mbrëmjen e së mërkurës dyert pas rikonstruksionit, në një mbrëmje gala, me pjesëmarrjen e legjendës së operas botërore, Placido Domingo dhe sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho.

Ylli i muzikës klasike, Saimir Pirgu nga skena e Teatrit të Champs Élysée, uroi të gjithë kolegët.

“Përshëndetje bashkatdhetarë, nga skena e Teatrit të Champs Élysée sot në Paris ku pas pak do ta inaugurojmë sezonin me shfaqen tonë të operas “Manon” . Në këto momente emocionesh dëshiroj të jap dhe unë urimet më të mira kolegëve të mi artistë në Tiranë. Ta gëzoni, ta gëzojmë skenën e re të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Suksese të gjithëve në mbrëmjen e sotme të inaugurimit të Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor Ju përqafoj të gjithëve. Suksese”, tha Saimir Pirgu në një video përshëndetëse. / KultPlus.com

Saimir Pirgu me shfaqje në ‘Théâtre Champs-Elysées’ në Paris

Tenori i mirënjohur shqiptar Saimir Pirgu, do të interpretojë në skenën e ‘Théâtre Champs-Elysées’ në Paris, Francë, përcjellë KultPlus.

Me hapjen e sezoneve artistike, ai do të nis këtë sezon me operën e kompozitorit francez, Jules Massenet, të titulluar “Manon”.

“Kënaqësi të rikthehem për hapjen e sezonit në Théâtre Champs-Elysées Paris me operan “Manon” J.Massenet, më datë 15 Shtator 2021”, shkruan Saimir Pirgu në rrjetet sociale.

Sipas tij, operat më të njohura të kompozitorit Massenet do të interpretohen nga dyshja artistike Vannina Santoni në rolin e ‘Manon Lescaut’ dhe Saimir Pirgu në rolin e ‘Le Chevalier des Grieux’, nën shkopin e dirigjentit italian Daniele Rustoni.

Chevalier des Grieux dhe Manon, të destinuar nga familja e saj për manastirin, bien në dashuri çmendurisht me njëri -tjetrin. Ata ikin së bashku në qytetin e madh në mënyrë që të jetojnë dashurinë e tyre në mënyrë të plotë. Por kjo do të ishte për të injoruar peshën e moralit dhe kufizimet e një shoqërie që është ende shumë patriarkale dhe që do t’i bëjë ata të paguajnë për guximin e tyre dhe do t’i çojnë në një përfundim tragjik. Këtu Massenet përdor të gjitha recetat e operës komike (ariet, duetet, dialogun e folur) pa rënë kurrë në asnjë lloj teprimi. Rezultati është jashtëzakonisht i bukur me ariet dhe duetet e tij të famshme që kanë bërë shumë breza të skuqen. Ashtu si Carmen dhjetë vjet më parë, Manon, në një zhanër krejt tjetër, pohon një feminitet verbues. Përpjekja për liri dhe kënaqësi ishte fatale për të dy. / KultPlus.com

Saimir Pirgu shfaqje në ‘Staatsoper Unter den Linden’ në Berlin

Tenori i mirënjohur shqiptar Saimir Pirgu, do të interpretojë në skenën e ‘Staatsoper Unter den Linden’ në Berlin, përcjellë KultPlus.

Me hapjen e sezoneve artistike, ai do të jetë në operan e Giuseppe Verdi “Rigoletto”.

“Një nga një teatrot po përgatiten me hapjen e sezoneve artistike. Së shpejti në Berlin me operan Rigoletto”, shkruan Saimir Pirgu në Facebook.

Kujtojmë se në datën 15 shtator 2021 do të interpretojë në skenën e Théâtre des Champs-Élysées në Paris, Francë.

Ai do të jetë në rolin e ‘Le Chevalier des Grieux’, në operan “Manon”.

Operat dhe teatrot po hapen gradualisht në të gjithë botën pas një viti të vështirë për shkak të pandemisë./ KultPlus.com

Tenori Saimir Pirgu pjesë e festivalit veror të “Teatro dell’ Opera di Roma”

Tenori i mirënjohur shqiptar Saimir Pirgu, është një nga artistët më aktiv në skenat evropiane.

Ai do të jetë pjesë e festivalit veror të “Teatro dell’ Opera di Roma”, i cili do të mbahet nga data 15 qershor deri më 6 gusht 2021. Pirgu do të interpretojë në veprën “Messa da Requiem” të Xhuzepe Verdi-t dhe operën e famshme “Madama Butterfly” të Xhakomo Puçini-t.

Falë talentit dhe punës së tij, ai konsiderohet si një nga tenorët më të shquar në peisazhin e lirikës ndërkombëtare./ KultPlus.com

Saimir Pirgu shkëlqen në Operën e Cyrihut

Edhe pse në sallë nuk ka patur mbështetjen e duartrokitjeve të publikut, Saimir Pirgu arriti të sjellë emocione të rralla në shtëpitë dhe familjet e shumë adhuruesve të tij duke ofruar një performancë të shkëlqyer.

Pas suksesit të shfaqjes operistike “Traviata” në Romë, ylli i muzikës klasike, Saimir Pirgu, ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtarë me performancën e tij brilante në rolin e “Hoffmann-it” në Operën e Cyrihut.

Edhe pse në formatin stream (online), ku kanë munguar duartrokitjet e publikut në sallë, produksioni i regjisorit Andreas Homoki ka qenë një triumf mbi situatën momentale të pandemisë, duke përcjellë emocione të jashtëzakonshme dhe duke dhuruar shpresë për një kthim në normalitet, të cilin e shohim ende me nostalgji. Në një kohë të tillë këto projekte artistike kanë vlera të rralla për sa i përket mbështetjes emocionale nga publiku, edhe pse ai nuk i dha dot duartrokitjet direkt, por me siguri nga shtëpia apo nga zemra.

Këtu fillon në mënyrë definitive karriera mbarëbotërore e Saimir Pirgut. Ai hap një portë, e cila e katapulton në shkallë ende më të larta. “…për mua interpretimi i “Hoffmann” qe një sukses akoma me i madh personal.”,- shprehet Pirgu për albinfo.at, transmeton KultPlus.

“Hoffmann” i interpretuar nga Pirgu me pak fjalë është mahnitës, ai përmbledh lirikën, heroizmin, karakterin dhe zërin pa limit, duke kënduar në terma hyjnorë si një “Zot i ri” në aktin e “Giulietta-s”,- shkruan gazeta gjermane “Badische Zeitung”.

Pirgu mund të krahasohet pa dyshim me Nicolai Gedda apo Plácido Domingo në këtë rol tejet të komplikuar. Tenori shqiptar po i afrofet gjithnjë e më shumë një legjende të muzikës klasike, shkruan “Frankfurter Rundschau” për Pirgun. /albinfo/ KultPlus.com

Tenori Saimir Pirgu në operën “Traviata” në Romë, shfaqet në televizionin italian “Rai3”

Tenori i mirënjohur shqiptar Saimir Pirgu, vazhdon me angazhimet e tij artistike në skenat evropiane.

Ai do të interpretojë sot, personazhin e Alfredo Germont-it në operën “Traviata” të kompozitorit Xhuzepe Verdi.

Ky event artistik do të shfaqet në televizionin italian “Rai3” dhe vjen si prodhim i “Raikultura” në bashkëpunim me Teatrin e operës së qytetit të Romës, Itali.

“Jam shqiptar dhe ndihem njëqind për qind shqiptar; në Itali mësova nga mjeshtrat më të mëdhenj, Zeffirelli, Martone, Gatti. Verdi Requiem im i parë ishte me Riccardo Muti në 2011 në Salzburg, prania e tij është e fortë, natyrisht që unë arrij i përgatitur për prova së bashku me këngëtarët e tjerë, nuk mund të dilje nga korniza e tij, por ai është shumë fleksibël. Shkurtimisht, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, unë jam një shqiptar, i drejtpërdrejtë siç është populli im, por në art jam plotësisht italian”, deklaroi Saimir Pirgu në një intervistë për “Corriere della Serra” dy muaj më parë. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Saimir Pirgu mes të mëdhenjve të muzikës lirike

Saimir Pirgu, tenori i mirënjohur shqiptar, interpretoi mbrëmë në koncertin lirik/sinfonik për vitin e ri të organizuar nga “Fondazione Ravello”.

Koncerti u transmetua online nga “Auditorium Oscar Niemeyer” ku u interpretua muzikë nga Carmen e Bizet, Eugene Onegin e Tschaikovski-t, La bohème dhe Gianni Schicchi e Puccini-t dhe Vedova Allegra e Lehar.

Faqja e kulturës në prestigjozen Ansa.it ka pasqyruar gjithashtu këtë aktivitet të rëndësishëm.

Ky projekt ishte një rikthim pas suksesit të  koncertit në  fillim të  gushtit të shkuar.

Dy nga këngëtarët më të suksesshëm të operas sot, Rosa Feola dhe Saimir Pirgu, të shoqëruar nga sopranoja Daniela Cappiello dhe baritoni Sergio Vitale interpretuan në  “Fondazione Ravello”, shkruan Ansa.it. /dp/ KultPlus.com

Saimir Pirgu performon në ‘Arie d’ Opera’

Është bërë e ditur se tenori shqiptar, Saimir Pirgu, i nderuar me nënshtetësi italiane nga ish-presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano, përformoi fundjavën e kaluar së bashku me sopranon Carmen Giannattasio, në ‘Arie d’ Opera’ me Orkestren del Teatro di San Carlo, për mbrëmjen Conclusive nga edicioni i pestë i ”A Summer da Re. Muzikë e shkëlqyer në Pallatin e Casertës”.

Gjatë sezonit artistik 2019-2020, tenori i njohur ndërkombëtar Pirgu, interpretues i madh i operas, pavarësisht krizave të paprecedenta që ndikuan në artin dhe kulturën për shkak të epidemisë Covid-19, punoi fort, profesionalizëm dhe shpirt i madh për aktivizimin e nisma ekonomike për të mbështetur artistët. Pa art dhe kulturë, shoqëria nuk do të jetë kurrë në gjendje të krijojë shijet delikate që ushqejnë shpirtin dhe mendjen e identitetit tonë evropian.

Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani, e cila ndoqi shfaqjet e tenorit të talentuar Pirgu, shprehet krenare dhe mirëpret ngrohtësisht kontributin artistik dhe angazhimin social të artistit, sepse është e vërtetë, fuqia e zërit nga zëri i tij ”ndihmon shpirtin, ndihmon jetën!” /albinfo/ KultPlus.com

Fotografia e Ambasciata d'Albania in Italia / Ambasada e Shqipërisë në Itali
Fotografia e Ambasciata d'Albania in Italia / Ambasada e Shqipërisë në Itali
Fotografia e Ambasciata d'Albania in Italia / Ambasada e Shqipërisë në Itali
Fotografia e Ambasciata d'Albania in Italia / Ambasada e Shqipërisë në Itali
Fotografia e Ambasciata d'Albania in Italia / Ambasada e Shqipërisë në Itali
Fotografia e Ambasciata d'Albania in Italia / Ambasada e Shqipërisë në Itali

Saimir Pirgu, pjesëmarrës në 100 vjetorin e Festivalit të Salzburgut në Austri

Tenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu, sëfundi ka qenë pjesëmarrës në 100 vjetorin e Festivalit të Salzburgut në Austri, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë tenori, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjerash e ka konsideruar këtë pjesëmarrje si një emocion të papërshkrueshëm.

”Një nder për mua të jem prezent në 100-vjetorin e Festivalit të Salzburgut në Austri me Vienna Philharmonic / Wiener Philharmoniker dhe maestro #RiccardoMuti e gjithashtu me kolegët e mi të mrekullueshëm . Emocione të papërshkueshme”, thuhet në postimin e Pirgut. / KultPlus.com

Hapet “Arena e Veronës” pas zbutjes së Covid-19, shqiptari Saimir Pirgu shkëlqen me arien “Ballo me maska”

Pas “mbylljes së madhe” më 25 korrik, Arena e Veronës hapi kalendarin veror me një festë që ngjiti në skenë 24 këngëtarë lirikë italianë.

Me një arie nga “Ballo in maschera” mes tyre shkëlqeu Saimir Pirgu.

Në intervistën për Il Venderdì di Repubblica, Saimiri, në një panoramë të jetës dhe punës së tij kujton bashkëpunimet e shkëlyera që ka patur edhe në krah të të madhit Pavaroti.

U drejtohet gjithashtu të rinjve për t’i tërhequr pranë skenës operistike pasi “Opera nuk është art që iu drejtohet vetëm gjyshërve, por edhe më të rinjtë e vlerësojnë gjithnjë e më shumë”.

Ai thotë gjithashtu në intervistë se pret me padurim të ngjitet në skenën e re të teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë./ KultPlus.com

“La Boheme” e Saimir Pirgut në Los Angeles

Teksa tenori Saimir Pirgu është në majat e suksesit botëror, nga rolet më të mëdha të tij mbetet roli i Rodolfos, në “La Boheme” e Puçinit. Këtë muaj, tenori shqiptar kthehet në operën e Los Angeles-it, me vizionin e regjisorit Barrie Kosky në “La Bohéme”, duke interpretuar Rodolfon, më të rëndësishmin e të pavdekshmin personazh të Puçinit.

Nuk është hera e parë që artisti luan rolin e Rodolfos, por fakti që ky rol është interpretuar edhe nga të tjerë artistë me emër, e bëjnë Pirgun që të jetë më i vendosur për të sjellë për publikun, diçka të re.

Për mediet e huaja, artisti ka rrëfyer se, ndonëse qasjet e publikut ndaj operës në vende të ndryshme, janë të ndryshme, ka zgjedhur të bëjë më të mirën në muzikë, duke harruar popullaritetin. Edhe pse mendon se është shumë e vështirë, që të jetë besnik ndaj muzikës, sërish ai punon për ta bërë këtë më së miri dita-ditës.

Saimir Pirgu ka lindur në Shqipëri dhe beson në pasionin dhe fuqinë e muzikës. “Unë besoj në artin që po bëj. Kur zëri i këngëtarit fluturon në orkestrën dhe veshin e publikut, duke i bërë ata të ndjehen të lumtur dhe të emocionuar, kjo është diçka e veçantë.

Nëse doni të kuptoni se çfarë është Zoti, muzika mund të thotë diçka më shumë për këtë. Ne mund të hamë, mund të flemë, mund të punojmë, por muzika e bën jetën tonë shumë më mirë. Nëse muzika është në nivel të lartë, ju sëmureni nga ajo, por është një sëmundje e mrekullueshme”, shprehet ndër të tjera për “Culturattache”, tenori Saimir Pirgu.

Në 2008-ën, Pirgu pati debutimin e tij në “Los Angeles Opera”, si Rinuçio në “Gianni Schicchi”, me regji nga Woody Allen. Ai u kthye më 2011-ën, si Ferrando në “Cosi fan tutte” dhe një herë më shumë në 2014, si Edgardo në “Lucia di Lammermoor”, Ëager edhe më pas, Rodolfon.

Rodolfo për të ka qenë një nga sukseset më të mëdha, por ka pasur reagime të shkëlqyera me Faustin në “La Damnation De Faust”, Romeo në “Roméo dhe Juliette”, Ëerther dhe kohët e fundit, me Simon Boccanegra, si dhe “Rigoletto”, “Traviata” dhe “Rekuemi i Verdit”, në shumë vite.

“La boheme”, do të shfaqet në operën e Los Angeles-it, deri më 6 tetor./konica.al/KultPlus.com

Saimir Pirgu me “La Traviata”, sukses në amfiteatrin Herodio në Athinë

Tenori Saimir Pirgu me shfaqjen operistike “La Traviata” në ditët e fundit të muajit korrik u prezantua në amfiteatrin antik Herodio në Athinë ku mori vlerësime prej më të lartave.

Teatri i Operës dhe Baletit ka publikuar materialet për këtë shfaqje dhe shkruan se premiera e këtij produksioni të ri ju besua tenorit shqiptar Saimir Pirgu, për të cilën gazetat më në zë në shtetin grek shprehen me vlerësime.

“Tenori shqiptar Saimir Pirgu mishëroi një Alfredo të ngrohtë, më një interpretim mbresëlënës dhe një këndim bujar, duke dhënë gjithçka në skenë”, shkruan shtypi grek.

Në një intervistë të gjatë për median greke, tenori Saimir Pirgu shprehet se ftesës për interpretimin në amfiteatër nuk i thua dot jo. “Kur të ftojnë për të interpretuar në amfiteatrin antik Herodio, thua direkt po”, pohon tenori.

Gazeta Η ΚΑΘΗΜΕΡΙΝΗ – Επίσημη σελίδα shprehet se solistët me famë ndërkombëtare si Saimir Pirgu ngritën peshë me interpretimin e tyre rreth 4.800 spektatorë, të cilët duartrokitën artistët e shfaqjes për minuta të gjata në këmbë.

“Premiera i është besuar tenorit me famë internacionale Saimir Pirgu, një ndër tenorët më të rëndësishëm, i cili ka interpretuar me një sukses të jashtëzakonshëm në shumë vende të botës si në Paris, Vienë, Veronë, Londer, Berlin, New York, San Francisco, Zurich, Hamburg, Firence”, thuhet në materialin e botuar për shfaqjen, që ishte në amfiteatër në datat 27 dhe 30 korrik.

“La Traviata” është një opera me tre akte e kompozitorit Giuseppe Verdi me libret të Francesco Matia Piave. E bazuar në librin e Alexandre Duma “Zonja me kamelie”. Kjo opera konsiderohet pjesë e trilogjisë popullore të Verdit, së bashku me operën “Il trovatore” dhe “Rigoletto”. Premiera e parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Ndoshta për shkak të mungesës së interpretëve me nivel të lartë dhe për temën, e cila u konsiderua e zymtë nuk pati suksesin që autori priste. “La Traviata” u rishfaq në 6 maj të vitit 1854 në teatrin “San Benedetto” Venecia, këtë herë në një version të ripunuar dhe me solistë të nivelit të lartë, si Maria Spezia Aldighieri dhe e dirigjuar nga vetë kompozitori. Këtë herë vepra pati suksesin e merituar. Sipas të dhënave të publikuara nga Operabase në 2013, është opera më e shfaqur në botë. / KultPlus.com

Tenori Pirgu: Më duhen 200 mijë shfaqje që të rekuperoj dëmin e një gome të djegur

“Imazhi që i bëhet Shqipërisë është shumë shumë i rëndë. Dhe do më duhen 200 mijë shfaqje mua që të rekuperoj një gomë të djegur që ndodhte në Lushnje para 10 viteve dhe ndodh sot në Tiranë”.

Kështu ka deklaruar tenori i njohur Saimir Pirgu, lidhur me situatën aktuale në Shqipëri duke dhënë edhe mesazhin e tij.

Në një intervistë për Top-Channel, Pirgu u shprehet se: “keq më vjen, por ky perceptim i mediave të huaja të sinkronizuara sikur në Shqipëri është Mesjetë. U bënë 20 vjet që e teprojnë. Është përgjegjësi e politikës shqiptare. Dhe flas të të gjitha krahëve politike që keto gjëra të mos përsëriten. Sepse imazhi që i bëhet Shqipërisë është shumë shumë i rëndë. Dhe do më duhen 200 mijë shfaqje mua që të rekuperoj një gomë të djegur që ndodhte në Lushnje para 10 viteve dhe ndodh sot në Tiranë”.

Tenori me famë botërore, u ngjit me zërin e tij edhe në skenën e Pallatit të Kongreseve në mbrëmjen gala të Samitit të Diasporës.

Pirgu u shpreh se “ishte kënaqësi e veçantë në radhë të parë edhe fakti që përveç publikut shqiptar kishte edhe shumë nga diaspora që tashmë më ndjekin kudo ku janë. Por, sidoqoftë në territorin tënd. Në shtëpinë tënde. Në shtëpinë edhe të diasporës në Tiranë apo edhe në Shqipëri është gjithmonë një kënaqësi dhe publiku gjithmonë ka një përqëndrim tjetër”.

Saimir Pirgu: Politikanë, po dëmtoni imazhin e Shqipërisë, më duhen 200 mijë shfaqje që të rikuperoj një gomë të djegu

Zëri i tij është emocion i madh, sidomos kur interpreton në skenën e Shqipërisë dhe këndon këngën shqip.

Tenori Saimir Pirgu la magjinë e tij në skenën e Pallatit të Kongreseve, në mbrëmjen gala të Samitit të Diasporës. Zëri i tij ka kumbuar në skenat e Europës, Amerikës dhe Azisë, por në shtëpi ndjesia është komplet ndryshe.

“Ishte kënaqësi e veçantë në radhë të parë edhe fakti që përveç publikut shqiptar kishte edhe shumë nga diaspora që tashmë më ndjekin kudo ku janë. Por, sidoqoftë në territorin tënd. Në shtëpinë tënde. Në shtëpinë edhe të diasporës në Tiranë apo edhe në Shqipëri është gjithmonë një kënaqësi dhe publiku gjithmonë ka një përqëndrim tjetër”, thotë Pirgu.

Saimir, sigurisht që çfarë ndodh në Shqipëri ka një ndikim shumë të madh tek shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve. A keni ju një perceptim, një mesazh rreth gjendjes aktuale të tanishme?

Keq më vjen, por ky perceptim i mediave të huaja të sinkronizuara sikur në Shqipëri është Mesjetë. U bënë 20 vjet që e teprojnë. Është përgjegjësi e politikës shqiptare. Dhe flas të të gjitha krahëve politike që këto gjëra të mos përsëriten. Sepse imazhi që i bëhet Shqipërisë është shumë shumë i rëndë. Dhe do më duhen 200 mijë shfaqje mua që të rikuperoj një gomë të djegur që ndodhte në Lushnje para 10 viteve dhe ndodh sot në Tiranë.

Unë di që tani jeni duke udhëtuar për në Tokio, si është axhenda?

Shfaqja që do të jepet në Tokio, është e regjisorit Nikola Zhoel dhe do të interpretoj operan Verter, kështu që jam në rolin kryesor. Për herë të parë e kam kënduar edhe në Shqipëri operan Verter, kështu që është tjetër emocion të rikthehem prapë.

Unë kam një pyetje në sensin e zbërthimit të shpirtit apo prekjes së telave, kush është opera ideale në këtë rast?

Mund të veçoj që Duca di Mantova, Verter apo dhe Boheme mbeten gjithmonë, jo sepse janë të famshëm, por janë edhe role që të japin si kënaqësinë interpretative, por edhe kthimin mbrapa kur pëlqehen nga publiku, kështu që kanë një sodisfaksion tepër të madh./tch

“Kënga Magjike” bëri së bashku Saimir Pirgun me Ardit Gjebrenë dhe Pirro Çakon

Saimir Pirgu i cili është duke zhvilluar një karrierë të suksesshme jashtë Shqipërisë, është rikthyer sonte me një befasi të këndshme në Kënga Magjike, shkruan KultPlus.

Saimir Pirgu dhe Ardit Gjebrea sollën fillimisht këngën e titulluar “Ajo”. Para se të këndonte këtë këngë Gjebrea tha se këtë këngë ia kushton nënës së tij. Në anën tjetër Pirgu mori zemrat e dëgjuesve me zërin e tij të mrekullueshëm.
“Isha te studio e Florit dhe dëgjoja këngën dhe më pëlqeu. I them Florit ma jep mua këtë këngën, sepse unë do të këndoj një duet me Saimir Pirgun në natën finale. I them Florit të vjen keq ta bëj me një tekst tjetër timin dhe kështu krijova tekstin ‘Kur them ajo’. E gjithë ideja që një ditë një njeri i shtrenjtë largohet nga jeta jote, ikën gjithçka, por a mund ta fshish emrin dhe të thuash ‘ajo’? Është e pamundur”, u shpreh Gjebrea.

Pas këngës për të pranishmit u lëshua edhe një video e cila tregoi disa nga pikat kulmore të karrierës së tenorit Saimir Pirgu kalendari i të cilit është i rezervuar edhe për pesë vitet e ardhshme. Tutje Pirgu tha se është i lumtur që rikthehet në Shqipëri dhe që ka mundësin të nderojë edhe tenorin Gaqo Çako.

Saimir Pirgu solli këngën “Këputa një gjethe Dafinë” të cilën ai ia dedikoi tenorit virtuoz Gaqo Çako. Këtë këngë ai e këndoi së bashku me Pirro Çako./ KultPlus.com

Saimir Pirgu premierë me “La Traviata” në Paris

Tenori i madh shqiptar, Saimir Pirgu për disa ditë do të ketë premierën e Operas “La Traviata” në Théâtre des Champs-Élysées të Parisit.

Ai është takuar në Francë me Presidentin Ilir Meta, i cili po zhvillon një vizitë në kuadër të ceremonisë madhështore të organizuar me rastin e 100-vjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore dhe Forumit të Paqes, shkruan ata.

“Nga Franca, ju uroj një ditë të mbarë, së bashku me Saimir Pirgun, tenorin e madh, “zërin e magjishëm shqiptar” në skenat e operave më të mëdha botërore, disa ditë përpara premierës së Operas “La Traviata” në Théâtre des Champs-Élysées të Parisit”, shprehet Presidenti Meta./ KultPlus.com

Saimir Pirgu drejt piedestalit më të lartë të operës

Tenori Saimir Pirgu aktualisht është duke bërë një karrierë shumë të mirë, gjë që atë e ngrit në piedestalin më të lartë të operës në mbarë botën. Publiku parisien ka mundur ta dëgjojë në mënyrë të përsëritur dhe mund ta gjejë deri në fund të vitit 2018, për një prodhim të shumëpritur të “La Traviata” në Teatrin “Champs-Elysées”.

Në një intervistë të portalit “revopera.com”, Saimiri ka rrëfyer për pasionin e tij si operist, të cilin e mbolli në ambiciet e veta për t`u bërë këngëtar i operës, duke u frymëzuar nga tre tenorët e mëdhenj, transmeton Albinfo.ch.

“Isha vetëm 18-vjeçar, kur diplomova në violinë dhe vendosa të largohesha nga Shqipëria për të shkuar në Itali. U pranova në Konservatorin e Bolzanos dhe aty takova Maestro Vito Brunetti, i cili donte që unë të isha në klasën e tij dhe kishte shumë besim në mua. Në moshën 20-vjeçare, tashmë kisha fituar konkursin `Enrico Caruso` në Milano, si dhe konkursin `Tito Schipa` në Lecce. Pak kohë më pas, Claudio Abbado më kërkoi të bëja një audiencë dhe më zgjodhi të punoja së bashku. Në shkurt të vitit 2004, këndova nën drejtimin e tij `Cosi fan tutte` në Ferrara, Modena dhe Reggio Emilia. Në prill të vitit 2004, më pas fillova në Operën e qytetit në Vjenë, pastaj në Festivalin e Salzburgut, në gusht të të njëjtit vit”, ka pohuar operisti shqiptar.

Duke bërë një retrospektivë të arsimimi të tij në fushën e muzikës, Saimri ka nënvizuar se Shqipëria është një vend me një traditë të bukur të muzikës klasike. Në nëntor të këtij viti, Saimiri do të këndojë “La Traviata” në Teatrin “Champs-Elysées”.

Kjo do të jetë performanca e tij e 100-të e kësaj opere dhe ai është tepër i emocionuar, informon Albinfo.ch. Kënaqësia e tij e dyfishtë është se do të drejtohet nga dirigjenti Jérémie Rhorer, një muzicient i jashtëzakonshëm.

Karrierën e tij, Saimir Pirgu e ka filluar në moshë shumë të re dhe ka pasur rastin të bashkëpunojë me shumë artistë të jashtëzakonshëm dhe të nivelit të lartë, prej të cilëve ka mësuar shumë, për shembull Bryn Terfel, Richard Jones, Angela Gheorghiu, Diana Damrau, Plácido Domingo dhe shumë të tjerë.

Në fund të intervistës, ai ka thënë edhe fjalë miradije për Italinë, e cila në këtë drejtim i ka dhënë shumë.

“Gjysmën e jetës sime e kam kaluar në Itali duke studiuar këngën në Konservatorin `Monteverdi` në Bolzano. Jetoj në Verona dhe jam shumë krenar që në vitin 2014, presidenti i Italisë më dha shtetësinë italiane. Megjithatë, Shqipëria është ende në mua. Unë jam dhe unë mbetem shqiptar me origjinë dhe karakter; Italian ndjehem me punën time, duke kënduar, që gjithashtu është jeta ime. Shqipëria përfaqëson zemrën, ndërsa Italia – artin”, ka përfunduar Saimir Pirgu. /KultPlus.com

Tre muzikantë shqiptarë bëhen bashkë për Orkestrën Simfonike Rai

Orkestra Simfonike Rai ka mbajtur sonte një koncert i cili ka bërë së bashku edhe tre muzikantë shqiptarë të cilët kanë shkuar për të ndjekur këtë koncert, shkruan KultPlus.

Saimir Pirgu, Enxhi Nini dhe Greta Xoxi janë artistë që ishin pjesë e këtij koncerti e ku shfaqen bashkë në një foto të cilën e ka shpërndarë tenori shqiptarë me famë ndërkombëtare Saimir Pirgu në rrjetin e tij social Instagram. / KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BpZjnxjhRO9/?taken-by=saimirpirguofficial
https://www.instagram.com/p/BpOyONnFJ4r/?taken-by=saimirpirguofficial