Fragment nga libri ‘Princi i vogël’ i Antoine de Saint-Exupéry

PRINCI I VOGËL
Prozë nga ANTOINE DE SAINT EXUPÉRY (1900-1944), përktheu PETRO ZHEJI

I

Kur isha gjashtë vjeç, pashë njëherë në një libër mbi Pyllin e Virgjër me titull: “Ngjarje të rrojtura” një figurë të jashtëzakonshme: një boa duke gëlltitur një bishë të egër. Ja një kopje e këtij vizatimi.

Në libër thuhej: “Boat e kullufitin prenë e tyre të gjithë njëherësh, pa e përtypur e mbllaçitur. Por pas kësaj nuk lëvizin dot dhe gjatë tërë gjashtë muajve sa vazhdon tretja flenë gjumë.”

Asokohe, mbaj mend, e vrisja goxha mendjen mbi ato sa ndodhnin e nuk ndodhnin në xhungël dhe bëra me një laps me ngjyrë vizatimin tim të parë. Vizatimin tim numër 1, që ishte ky:

Ua tregova kryeveprën time të mëdhenjve dhe i pyeta në kishin ndonjë çikë frikë kur e shikonin.

Po ata m’u përgjigjën: “E nga se duhet të kemi frikë, nga një kapelë?”

Po në atë vizatim nuk paraqitej aspak një kapelë, por një boa që kishte shkuar në bark një elefant dhe po e treste. Atëherë, që të mëdhenjtë të kuptonin për se qe fjala, thashë të vizatoja edhe të përbrendshmet e boas. Se të mëdhenjtë duan gjithmonë t’ua shpjegosh gjërat, se ndryshe nuk kuptojnë. Vizatimi im numër 2 ishte ky:

Po të mëdhenjtë më këshilluan të hiqja dorë nga vizatimi i boave, qofshin këto shkrehur e shtrirë a qofshin këto ngrehur e kutullaç dhe të merresha përkundrazi me gjeografinë, me historinë, me aritmetikën dhe me gramatikën. Dhe ja kështu ndodhi që unë braktisa që në moshën gjashtë vjeç një karrierë kaq të shkëlqyer, siç ishte ajo e piktorit. Më qe thyer zemra edhe nga dështimi i vizatimit numër 1 dhe nga ai i vizatimit numër 2 e kisha humbur krejt besimin në veten time. Të mëdhenjtë nuk kuptojnë dot vetë dhe është një punë e lodhshme për fëmijët që të rrijnë e t’u shpjegojnë përherë e ngaherë këtë e atë e të gjitha.

M’u desh, pra, të zgjidhja ndonjë zanat tjetër dhe fillova të mësoja kështu të ngisja aeroplanin. Dhe fluturova me të nga pak kudo nëpër botë. Dhe gjeografia, ç’është e vërteta, m’u desh e jo pak… Mësova të dalloja, me një të parë, Kinën nga Arizona. Dhe kjo, kur s’di natën nga t’ia mbash nga shkaku i errësirës, është një gjë që të hyn shumë në punë.

Dhe kështu pata rast gjatë jetës sime pata të ndeshesha me plot njerëz solidë e hijerëndë. Dhe kam jetuar një kohë të gjatë mes të mëdhenjve, duke pasur mundësi t’i shoh e t’i njoh nga afër. Por kjo nuk më shtyu dot prapë ta ndërroja mendimin që kisha për ta, nuk m’u dukën, shkurt, më të mirë!

Kur takoja ndonjë që ishte, sipas mendimit tim, ca më i esëllt e i kthjellët, i tregoja vizatimin tim numër 1, të cilin vazhdoja ta ruajtur akoma. Dhe këtë e bëja vetëm si biçim eksperimenti, për të parë, me fjalë të tjera, në ky njeri ishte apo jo i zgjuar, apo në ishte edhe ai njëlloj si të tjerët. Por ai, pavarësisht kush qe, do të më përgjigjej: “Është një kapelë.” Po atëherë edhe unë s’i flisja më as për boa, as për pyje të virgjëra, e as për yje. I vija pas qejfit. Dhe i flisja kështu për brixh, për golf, e ia vërtisja bisedën rreth politikës e rreth kravatave. Dhe atij i vinte mirë që ishte njohur kështu me një njeri kaq, po kaq të arsyeshëm. / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë nis sezonën 2024/2025, dirigjenti Tatarchevski sjellë koncert me repertor sfidues

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Një repertor komplet premierë, ka përshkuar koncertin e mbrëmshëm të Korit të Filharmonisë së Kosovës, i cili u dha nën drejtimin e dirigjentit Sasho Tatarchevski, në Kishën “Shën Ndou”, koncert ky që njëherit shënoi edhe hapjen e sezonit 2024/2025, shkruan KultPlus.

Ishte e para vepra e Arvo Pärt- “Da pacem domine” që “ftoi” anëtarët e korit të futeshin në sallë, për të mbajtur koncertin me vepra të padëgjuara më parë. Renditja e pjesëtarëve të korit rreth e përqark sallës dhe audiencës përbënte një interpretim interesant akustik, që përveq një stili interpretues krijoji afërsi dhe lidhshmëri të madhe mes interpretuesve dhe publikut.

Pozicionimi i koristëve ndryshonte në një mënyrë krejt të natyrshme fluide nga vepra në vepër. Ndërsa zëri i tyre herë i ndarë në grupin e grave, e herë në të burrave, shpesh kombinohej për të dhënë maksimumin në një interpretim të përbashkët shpërthyes. Secila notë në këtë mbrëmje shpërfaqte një rrëfim, i cili përmes një kurioziteti të madh përthithej prej secilit pjesëmarrës.

Vepra “O magnum Misterium” e kompozitorit Hajrullah Syla u dha nën përcjelljen e tingujve të violonçelos, me të cilin performoi Antonio Gashi. Tingujt misterioz nga ky interpretim të ftonin pa nda në thellësi të veprës. Kurse lëvizjet skenike të dirigjentit Tatarchevski paraqitnin përmbajtje artistike e cila shprehej përmes gjuhës trupore, që bartej në kor, dhe prej andej në audiencën që qëndronte përballë tyre.

Ndërsa, vepra e Benjamin Britten “A hymn to the virgin”, ndau korin në dy pjesë. Pjesa dominuese e koristëve qëndronin në sallën interpretuese, përderisa një pjesë e tyre u zhvendos në katin e dytë të sallës. Interfetimi i zërave nga lartë-poshtë dhe poshtë-lartë paraqiste një moment sublim që ndërlidhej me vetë veprës dedikuar Virgjëreshës Mari, duke krijuar një imazh të përsosur shpirtëror.

Në koncert vepra e Ralph Vaughan- Williams- “The turtle dove” u dha si  bashkëinterpretim me baritonin Safet Berisha, ndërsa  vepra e Vlastimir Nikolovski- “Svrshuvachka” u soll si bashkëinterpretim nga sopranoja Kaltina Miftari dhe tenori Rizah Jahaj. Kurse vepra e Lorenc Antonit- “Çorapet e burrit” u dha për nderë të 115- vjetorit të lindjes së kompozitorit.

Veprat tjera që u dhanë në këtë mbrëmje ishin të kompozitorëve: Alfred Schnittke- “Three Sacred Hymns”, Manolo Da Rold- “Vi Adoro”, Ola Gjeilo- “Prelude” dhe Henryk Górecki- “Amen”.

Dirigjenti Sasho Tatarchevski u shpreh i lumtur që pati rast të bashkëpunojë me Korin e Filharmonisë së Kosovës, duke besuar që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen.

“Jam shumë i lumtur që e realizuam këtë koncert me njerëz profesional të korit. Me disa prej tyre jam takuar, dhe për disa kam dëgjuar në koncerte dhe ansamble. E kam dëgjuar Korin e Filharmonisë, e di që janë zëra të mahnitshëm me të cilët mund të realizohen programe serioze. Kam përzgjedhur një program që është i larmishëm por që nuk është i lehtë të këndohet. Shpresoj qe edhe audienca ta ketë pëlqyer dhe në të ardhmen të kemi mundësi që ta bashkëpunojmë në ndonjë projekt tjetër, përsëri”, ka thënë dirigjenti Tatarchevski.

Në një prononcim për KultPlus, sopranoja Kaltrina Miftari e cila në koncert u paraqit me një pjesë të veçantë interpretuese përvojën në realizimin e këtij koncerti e quajti fantastike.

Për mua si soliste, bashkëpunimi me dirigjentin Sasho Tatarchevski ishte kënaqësi e veçantë, dhe atmosfera e krijuar me korin e Filharmonisë së Kosovës ishte fantastike. Performanca sot ishte një shembull i bukur se si harmonia dhe uniteti në muzikë mund të ndikojnë në emocione, si për ne si artistë, ashtu si për publikun”, është shprehur Miftari.

Ndërsa sopranoja Elikona Hysaj- Shala u shpreh entuziaste për emocionet të cilat i mori nga publiku në koncertin e natës së mbrëmshme.

“Gjatë provave kemi pasur momente shumë të mira, shumë pozitive me dirigjentin i cili është i jashtëzakonshëm. Me punën e tij ka arritur t’ia rikthej një ngjyrim ndryshe të korit. Prandaj e komplimentoj dirigjentin i cili ka bërë një punë shumë të madhe. Është një eksperiencë shumë e mirë kur të kemi dirigjent të ndryshëm sepse eksperiencat dallojnë prej njëra tjetrës dhe ne arrijmë të ndryshojmë varësisht nga kërkesat e dirigjentëve. Më vjen mirë që sezonin i re e kemi hapur me një dirigjent jo vendorë për arsye që mbrëmjes dhe kalendarit artistik të Filharmonisë së Kosovës t’ia japim këtë freski”, ka përfunduar Hysaj- Shala./ KultPlus.com

Letër dashurie e Oscar Wilde për Lord Alfred Douglas

Një nga dashuritë e zjarrta të Oscar Wide ishte Lord Alfred Bruce Douglas, një poet dhe gazetar britanik, pak i njohur, përveçse për zhurmën rreth marrëdhënies së tyre. Kjo dashuri e pamundur për kohën jetoi pak, por zjarrmërisht, sepse gjithçka u zbulua dhe u publikua në një odise gjyqësore, që përfundoi me burgosjen e Wilde.

Janar 1893, Babbacombe Cliff

Kjo është letra që Oscar i shkroi, pasi lexoi një nga sonetet e Lord Alfred.

Djaloshi im!
Soneti yt është aq i këndshëm. Është mrekulli që ato buzët e tua të kuqe petal-trëndafilta janë krijuar, sa për çmendurinë e muzikës dhe këngës, aq edhe për marrëzinë e puthjes. Shpirti yt i praruar shëtit mes pasionit dhe poezisë. Jam i sigurt se Hiacinthi, që Apolloni deshi çmendurisht, ishe ti edhe atëherë në Greqinë e vjetër.
Përse rri vetëm në Londër; pse nuk shkon në Salisburi? Shko, të lutem, të qetësosh duart në muzgun gri me gotikën përreth dhe eja pranë meje kur të duash. Këtij vendi të bukur i mungon veç ti, por si fillim shko në Salisburi.
Me dashuri të përjetshme, si gjithnjë,
I yti, Oscar

Shqipëroi: Dritan Kiçi / KultPlus.com

Enver Hoxha më 1946: Kosova nën Serbi është mirë, ka liri, ka shkolla

Data 27.12.1946 është një ditë e madhe për komunistët e Shqipërisë. Këtë ditë, me vendimet numër 388 dhe 389, Kuvendi Popullor, ratifikoi dy marrëveshje me Jugosllavinë “mike e motër”:

Marrëveshjes mbi bashkëpunimin ekonomik në mes të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të Republikës Federative Popullore Jugosllavisë, bërë në Beograd më 1.7.1946 dhe Traktatin mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkimin doganor dhe barazimin e monedhave, midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë”. nënshkruar në Beograd më 27.11.1946. Votimeve “historike” historike i parapriu një plenum i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, më 18-20 dhjetor 1946. Po kujtojmë një pjesë të vogël nga fjala e Enver Hoxhës, i cili nuk tutej nga asgjë para marrëdhënieve me Jugosllavinë. Ndërsa kërkohej që shqiptarët e Kosovës të ulnin kokën e vëllazëroheshin me jugosllavët, vetë Hoxha i cilëson miq ata.

Pjesë nga fjala e Enver Hoxhës në plenumin e jashtëzakonshëm të 18-20 dhjetor 1946:

Me nënshkrimin e këtij akordi, tregoi se vendi ynë hyn në një fazë të re historike. Kjo për partinë tonë nuk është gjë e papritur. Këtë partia jonë e dinte. Për këtë udhëheqja e partia duhet të jenë të qartë për këtë akord si nga ana politike dhe ekonomike për ta zbatuar mirë këtë akord. Nëse konsiston ky akord? Të gjithë neve e dimë se me vajtjen tonë në Beograd u nënshkrua akord i një ndihme materiale si rrjedhim i kësaj do të kishte si rrjedhim edhe marrëdhënie ekonomike konsekuencë logjike e vijës së partisë sonë..Në lidhje me këtë, është edhe një çështje tjetër se unë mendoj se disa anëtarë partie që duan të na filozofojnë se mos thotë populli se ç’bëhet me Kosovën. Në rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi jonë është që ajo që jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive. Pra në këtë situatën, përkundrazi duhet të bëjmë ç’është e munduar të kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi. Tash vjen çështja këtu kur ne të kemi arrirë në socializëm, do të thotë se atje dhe këtu mbeturinat e kapitalizmit kanë ngrënë dru. Ahere në një situatë të tillë Kosova dhe të bashkohet me Republikën Socialiste të Shqipërisë. Kjo është vija, këtë na mëson marksizmi. Ne do ta shpjegojmë. Kush nuk e kupton ne kemi për detyrë ta luftojmë. Kur ne bëjmë një akord, hapim doganat, është një hap drejt socializmit e marrëdhënieve të Kosovës me popullin shqiptar. Populli i Kosovës i ka të gjitha liritë, ai ka marrë tokën, kanë shkolla, jemi miq më të mirë, forca e argumenteve tona është më e madhe. /KultPlus.com

Muhamet Hamiti promovoi librat: “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore” dhe “Bota letrare”

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të mërkurën,  Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë promovoi botimet “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore” dhe “Bota letrare” të autorit Muhamet Hamiti.

Botimet e fundit të Hamitit, të pranishmit i vlerësuan me një rëndësi të madhe, e për të njëjtat botime, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës ka vlerësuar se “Bota Letrare” e Muhamet Hamitit është një testament për fuqinë e letërsisë në ndërtimin e urave kulturore dhe nxitjen e mirëkuptimit ndërkombëtar.

“Puna e tij shërben si një frymëzim për studiuesit e ardhshëm dhe thekson rëndësinë e vazhdueshme të identitetit kulturor në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur”, ka vlerësuar Rama.

Kurse vet autori i botimeve, Muhamet Hamiti është shprehë të jetë i nderuar se puna e tij është botuar prej AShAK

“Këtu ka shkrimtarë në zë, por edhe të tjerë që s’janë këtu, për të cilët kam pasur kënaqësinë të shkruaj. Leximet e mia kritike të një pjese të kësaj letërsie shqipe përmblidhen në këtë libër që rroket me letërsi të përgjithshme, angleze dhe shqipe, shpeshëherë në ndërlidhní. Janë pjesë e botës sime letrare”, ka thënë mes të tjerash Hamiti./ KultPlus.com

Bosh dhe vetëm

Poezi nga Günter Grass

Dhoma ime është erëqetë,
e përshpirtshme, një cigare,
kaq mistike, saqë askush s’guxon
të ngrejë qeranë
ose të pyes për gruan time.
Dje kur miza vdiq,
unë kuptova pa kalendar,
tetorin, një mësues vallëzimi që përkulet,
ai don të më shesë mua tablo të vogla, të ndaluara.
Për vizitë unë pres para derës.
Posta ngjitet te xhami,
jashtë, shiu lexon bashkë me mua.
Brenda, dhoma ime është erëqetë,
asnjë grindje mbi tapet,
puthje të përpira nga orët,
kurrë s’pengohemi, që të godasim gjurin,
sepse gjithçka jepet,
e përshpirtshme, një cigare,
vertikalisht beson ajo,
vertikalisht merimanga, një balancë,
e ndjek pas çdo thellësi të madhe.
Ne nuk do të dështojmë kurrë.

Përktheu: Fatmir AlimaniKultPlus.com

‘Kolonia e artistëve’, bëhen bashkë të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Greqia dhe Turqia

“Kolonia e Artistëve të Rinj Trekëndëshi Tiranë, Athinë Stamboll” bëri së bashku një grup artistësh nga Shqipëria, Prishtina, Greqia e Turqia të cilët krijuan e ekspozuan 20 vepra artistike.

Secili prej tyre përmes pikturës preku një tematikë të veçantë.

“Kolonia e Artistëve” promovon shkëmbimin kulturor dhe artistik, si dhe inkurajon krijmtarin dhe inovacionin artistik mes artistëve.

“Kënaqësi e veçantë që isha pjesë e kësaj kolonie dhe pata mundësi të njoh shumë artistë të mirë nga Shqipëria ashtu si dhe nga Turqia e Greqia. Ndamë eksperiencat tona, pash teknika të ndryshme, vërtet një kënaqësi e veçantë”-u shpreh Merita Maloku, artiste nga Prishtina.

“Kënaqësi që morëm pjesë në Koloni, ishte diçka e veçantë kontakti me artistë të rinj nga Greqia e Turqia, shkëmbyem eksperienca shumë pozitive”-u shpreh artisti Azen Kucana.

Artistët e huaj që u bënë pjesë e kolonisë, erdhën për herë të parë në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit në vendin tonë realizuan veprat a tyre. Ardhja e tyre shërben dhe për promovimin turistik të Shqipërisë, e në vecanti të Tiranës.

Hera e parë që vij në Tiranë, një kënaqësi e madhe që jam këtu. Një qytet fantastik me njerëz shumë të ngrohtë. Takova miq dhe koleg ballkanas dhe mësuam shumë nga njëri tjetri”-u shpreh Christos Baloukos, artist grek.

“Unë jam artist turk dhe është hera e parë që vij në Shqipëri. Ju keni një vend shumë të bukur. Arti i pikturës është një gjuhë ndërkombëtare, që na bënë bashkë”-u shpreh Ismail Atmali, artist turk./ Top Channel/ KultPlus.com

Nxënësit risjellin mozaikun ‘Shqipëria’ në Muzeun Historik Kombëtar

Nxënësit e talentuar të shkollave kanë risjellë në çdo detaj mozaikun “Shqipëria” që gjendet në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale pamje nga ky mozaik, i realizuar në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe dhe 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

“Nxënësit e shkollave i kanë dhënë jetë disa prej veprave të artit shqiptar, të cilat përfaqësojnë personalitete dhe ngjarje të rëndësishme të traditës kulturore dhe historisë sonë. Mozaiku “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar, i realizuar në vitin 1981 nga puna e përbashkët e disa piktorëve të njohur shqiptarë shfaq disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit dhe nxënësit tanë të talentuar kanë bërë një punë shumë komplekse për ta risjellë në çdo detaj këtë vepër”, tha Manastirliu.

Nxënësit që realizuan këtë vepër janë: Ervis Kola, Anxhela Palushi, Gentian Islamaj, Sibora Gjikopulli, Flavjo Grrica, Xheinaldo Balla, Zenel Hajdaraj, Kjara Kollcaku, Sildi Hajdaraj, Bruno Lilaj, Renito Ibra, Ina Hasimja, Arjon Pulleja./oranews/ KultPlus.com

Më shumë se 100 mijë objekte do të ekspozohen për qytetarët në Kajro

Më shumë se 100 mijë objekte duke përfshirë thesare nga varri i mbretit Egjiptian,Tutankhamun, do të ekspozohen në një muze që ka hapur dyert për qytetarët në Kajro.

Më shumë se 20 vjet në përgatitje, Muzeu i Madh Egjiptian prej 120 hektarësh pranë piramidave të Gizës, do të shfaqë më shumë se 100,000 objekte, duke përfshirë thesare nga varri i mbretit Tutankhamun.

Koleksioni i paçmuar i djalit-mbret ende nuk është shfaqur, por vizitorët tani mund të shohin objekte që ndryshojnë nga statujat faraonike deri te sarkofagët dhe trupat e mumifikuar.

Muzeu fillimisht ishte planifikuar të hapej në vitin 2012, por kostoja, trazirat politike dhe më vonë, pandemia Covid-19, shkaktuan vonesa të përsëritura. Deri më sot, mega-projekti ka kushtuar më shumë se 1 miliard dollarë (768 milion £).

Hapja e pjesshme është një provë, pas hapjes së vitit të kaluar të sallës kryesore dhe shkallëve. Data zyrtare e hapjes ende nuk është shpallur./oranews/ KultPlus.com

Ekspedita arkeologjike tek Forumi Bizantin në Durrës, zbulimet nxjerrin në pah elementë të rinj në lidhje të periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës

Ekspedita arkeologjike që po zhvillohet tek Forumi Bizantin në Durrës ka nxjerrë në pah elementë të rinj në lidhje me funksionin e këtij monumenti gjatë periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës.

Arkeologia Brikena Shkodra, e cila drejton ekspeditën, thotë se qëllimi ynë në nisje të kësaj ekspedite ishte të identifikonim funksionet e këtij monumenti deri në shekullin 14-15 dhe tashmë ne kemi zbuluar se stratigrafia e monumentit ruhet e pagërmuar dhe pas shekullit të 6-të kanë ekzistuar dy nivele përdorimi jete.

“Sërish këtë vit fokusohemi në mbledhjen e informacioneve të mëtejshme për të njohur historinë e funksionimit dhe transformimit të forumit rrethor. Është struktura më e rëndësishme e qytetit gjatë antikitetit të vonë, sepse është qendra publike e qytetit në këtë moment historik (shekulli Vi)”, thotë arkeologia Shkodra.

Kjo është ekspedita e katërt arkeologjike e viteve të fundit. Gjatë këtyre ditëve, arkeologët kanë zbuluar disa skelete njerëzish, për të cilat Shkodra thotë se janë me rëndësi për të përditësuar të dhënat ekzistuese rreth varrezës mesjetare të qytetit.

“Jemi pothuajse 70 cm nën nivelin aktual të përdorimit të qytetit dhe kemi hasur në gjurmët e varrezës. Bëhet fjalë për një varrezë të periudhës mesjetare. Nuk e përcaktojmë dot saktësisht momentin kronologjik sekur në mesjetë por është një e dhënë shumë e rëndësishme sepse dokumentimin e periudhës së varrezës mesjetare të qytetit e kemi me të dhëna tepër sporadike”,- thotë arkeologia që drejton ekspeditën.

Forumi Bizantin është një monument në formë kolonade, i pambuluar dhe ka qenë një hapësirë ku organizoheshin aktivitete sociale, kulturore dhe politike. Këto janë të dhëna të siguruara nga burimet historike, ndërkohë që ekspeditat arkeologjike që ajnë zhvilluar në këtë vend kanë zbuluar se në periudha të ndryshme historike kanë ekzistuar edhe taverna që shërbehej ushqim si dhe punishte për prodhimin dhe tregtimin e enëve të qelqit. Kjo ekspeditë që po kryhet është e katërta në total në harkun e dy viteve të fundit. Gërmimet po kryhen në kuadër të projektit ‘Dyrraciumi në antikitetin e vonë”, i cili realizohet nga Instituti i Arkeologjisë me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave./balkanweb/ KultPlus.com

‘Independent’: Kala Festival më çoi në ”Maldivet e Evropës’ – destinacioni i preferuar i turistëve

Kala Festival më çoi në “Maldivet e Evropës” – dhe kuptova pse ky vend është destinacioni i preferuar i turistëve.

Më shumë se një dekadë pas vizitës së saj të parë, korrespondetja e të përditshmes britanike “Independent”, Maya Oppenheim kthehet në Shqipëri – një destinacion turistik në zhvillim – duke zbuluar bukurinë e saj, kulturën e pasur dhe joshjen e peizazheve të pacënuara, që vështirë se mund t’u rezistosh.

Udhëtova në Shqipëri për herë të parë në moshën 20-vjeçare me një traget nga Korfuzi. Në këmbim të akomodimit dhe disa ushqimeve falas, unë punova në një bujtinë në Berat – kryesisht duke shërbyer birra të ftohta për mysafirët dhe riorganizuar jastëkët në divane.

I quajtur qyteti i një mbi një dritareve dhe i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qyteti mahnitës i Beratit i epokës osmane – ia vlen të vizitohet.

Gjatë vizitës time në Shqipëri në vitin 2012, kalova një muaj – tre javë në Berat dhe një javë duke udhëtuar vetëm nëpër vend – ishte si një ëndërr.

E konsideruar si një perlë e fshehur dhe xhevahiri i Ballkanit – Shqipëria i meriton plotësisht këto emërtime – dhe statusin e saj në rritje si destinacioni i ri i Evropës.

Udhëtimi nga Londra në Aeroportin e Tiranës me linjë ajrore zgjat më pak se tre orë. Shqipëria është një vend me bukuri natyrore mahnitëse, ku dielli shkëlqen rreth 300 ditë në vit.

Këtë verë, vizitova Shqipërinë për të festuar. Shkova në Kala Festival – një festival muzikor në qytetin bregdetar të Dhërmiut në Rivierën Shqiptare.

Një vend i mbushur me ujëra të pastra kristal, të cilin do të ishte bukur ta vizitonit pavarësisht festivalit.

Fluturova drejt kryeqytetit, Tiranës, duke kujtuar menjëherë pse më kishte pëlqyer ky qytet shumëngjyrësh në vizitën time të parë. Edi Rama, kryeministri aktual dhe ish-kryebashkiaku i Tiranës, ishte përgjegjës për lyerjen e ndërtesave të vjetra të stilit komunist – me një sërë ngjyrash të ndezura.

Shqipëria është shumë më e lirë se shumica e vendeve evropiane, dhe një vakt i shijshëm në Tiranë ofrohet me çmim të arsyeshëm.

Vakti na kushtoi rreth 20 £ secili, pavarësisht se ishte një restorant mjaft luksoz.

Më pas, u ulëm në një minibus për të shkuar në Kala Festival dhe m’u kujtua vendi që kisha përjetuar më parë.

Më në fund arritëm në Dhërmi. I shtrirë në pesë skena të hapura zbuluam Kala Festival në Dhërmi.

Edicioni i këtij viti përfshinte performanca nga Tomorrow Comes The Harvest – grupi i muzikës Techno të Detroitit Jeff Mills; Afrobeat dhe grupi i fusionit Jazz Kokoroko, Horsemeat Disco, DJ-të Haseeb Iqbal, OK Williams, Avalon Emerson, Job Jobse, Yu Su dhe shumë të tjerë – me disa grupe që performonin deri në pesë orë.

Pjesa më interesante ishte udhëtimi në plazhin e Gjipesë me një motobarkë.

Festat ditore, atje organizohen në një pyll në plazhin e izoluar pranë një kanioni mahnitës.

Ne u akomoduam në hotelin luksoz “Empire Beach Resort”. Ushqimi në Dhërmi në restorant “Prishtina”, ishte i shijshëm.

Ne porositëm porcione gjigante me patate të shijshme me pulë të pjekur, bukë të bërë vetë, sallatë greke dhe një birrë – të gjitha me një çmim modest prej rreth 12 £ për person.

Kala, festivali i parë ndërkombëtar në Shqipëri, ofron njëkohësisht rekreacionin dhe relaksin, duke kaluar në mënyrë të përsosur kufirin midis festivalit dhe festës – një event i cili është bërë gjithnjë e më popullor me kalimin e viteve.

Festivali është i mirëorganizuar, duke përfshirë masazhet në plazh, seancat e meditimit dhe shëtitjet në ujëvara.

Për ta përmbledhur, Kala Festival ishte një kënaqësi. Një përvojë e nxitur nga qielli blu pa re dhe radhët, praktikisht inekzistente për pije.

Pra, Shqipëria, padyshim ia vlen të vizitohet. Popullariteti i destinacionit të ri të pushimeve vazhdon të rritet – ndërsa ekspertët e udhëtimeve e kanë konsideruar Rivierën Shqiptare si “Maldivet e Evropës”. Vendi është i mrekullueshëm./atsh/ KultPlus.com

‘Panairi i këngës dhe xhudos në Frankfurt’

Nga Ag Apolloni

Vitin e kaluar e pata kritikuar Ministrinë e Kulturës se përfaqësimi i Kosovës në Panairin e Frankfurtit ishte i tmerrshëm, si një “shpajz” i panairit. Tash hapësirën e paskan rregulluar, por si na kanë përfaqësuar?

Në stendën e Kosovës, nuk duket asnjë shkrimtar rezident kosovar, ndërsa duken dy këngëtare (Rita Ora dhe Dua Lipa) dhe një sportiste (Majlinda Kelmendi). A po ndahen çmimet Grammy, a mos kanë nisë lojërat olimpike në Frankfurt? Është panair i librit, o njerëz!

Si mundet ministri ta financojë një shoqatë të tillë humoristësh? Kjo shoqatë (zyrtarisht e njohur si Shoqata e Botuesve të Kosovës), e drejtuar nga familja Zeneli, asnjëherë askund s’e ka përfaqësuar Kosovën si duhet. Nga ata pak botues që paskan marrë pjesë sivjet, tre janë të asaj familje (Buzuku, Pema dhe Skanderbeg Books).

Ka disa vjet që kam kërkuar nga Ministria e Kulturës që të themelohet Qendra e Librit, që do të zgjidhte shumë punë (si mënjanimi i oligarkëve, heqja e monopolit mbi librin, si dhe do të bënte organizime të takimeve letrare, panele diskutimi mbi letërsinë, promovime etj.) dhe do të na përfaqësonte si duhet nëpër panaire, por ministri i ka futë veshët në lesh. Tash ec e mos qesh!/ KultPlus.com

Autostrada Biennale Anëtarësohet në Shoqatën Ndërkombëtare të Bienaleve (IBA)

Autostrada Biennale ka njoftuar se në vitin e festimit të 10-vjetorit të saj, është bërë anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Bienaleve (IBA), një rrjet global që promovon zhvillimin e artit bashkëkohor.

Ky njoftim vjen pas pjesëmarrjes së Drejtorëve Bashkë-themelues të Autostrada Biennale Leutrim
Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, në Asamblenë e 11-të të Përgjithshme të IBA, e
cila u mbajt në Lyon, Francë. IBA ofron një platformë zhvillimore për kuratorë, artistë dhe institucione që organizojnë bienale në të gjithë botën, duke nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimin
e njohurive në kultura dhe kontekste të ndryshme.

Si një bienale ndërkombëtare e artit bashkëkohor që zhvillohet çdo dy vjet, Autostrada Biennale
është krenare t’i bashkohet këtij rrjeti global dhe të vazhdojë të ndihmojë në ndërtimin e trashëgimisë duke promovuar kreativitetin dhe gjithpërfshirjen. Përveç ekspozitave tona çdo dy
vite dy, ne e kemi krijuar Autostrada Hangar, Qendrën për Art Bashkëkohor. Kjo hapësirë unike
është e hapur për publikun dhe ofron ekspozita, hapësirë për prodhimin e veprave të artit dhe
rezidenca për artistët. Autostrada Hangar do të bashkëpunojë me bienale anëtare të IBA në të
gjithë botën, duke ofruar programe të përbashkëta që do të forcojnë lidhjet tona ndërkombëtare
dhe do të nxisin shkëmbimet artistike në nivel global.

Në këtë rast, bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe
Barış Karamuço, shprehen: “Të bëhesh pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Bienaleve është një
moment historik për Autostrada Biennale, veçanërisht në 10-vjetorin tonë. Kjo thekson angazhimin tonë për të nxitur zhvillimin e artit bashkëkohor që i kapërcen kufijtë, duke bashkuar artistët, kuratorët dhe k munitetet e ndryshme. Ne mezi presim të kontribuojmë dhe të mësojmënga ky rrjet aktiv dhe global, duke forcuar zërin e artit në adresimin e ndryshimeve sociale dhe kulturore.”

Gjithashtu, dëshirojmë ta falënderojmë sinqerisht ekipin e IBA-s dhe ekipin e Lyon Biennale për
mikpritjen dhe mbështetjen e tyre të ngrohtë gjatë Asamblesë së Përgjithshme.

Ky anëtarësim shënon një kapitull të ri për Autostrada Biennale, ndërsa vazhdojmë të krijojmë një
platformë për artin bashkëkohor që rezonon si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar./ KultPlus.com

‘Dukagjini’ me librin ‘Edukata muzikore 3’ të autorëve Drita Rudi, Rafet Rudi dhe Donika Rudi fiton çmimin BELMA për tekstin më të mirë shkollor

Botimi shkollor “Edukatë muzikorë 3” i shtëpisë botuese “Dukagjini” i autorëve Drita Rudi, Rafet Rudi dhe Donika Rudi ka triumfuar në garën ‘‘Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim – EEPG, duke fituar çmimin BELMA – PËR MATERIALET MË TË MIRA MËSIMORE EVROPIANE’’.

Kjo është hera e parë që një shtëpi botuese shqiptare e fiton këtë çmim, andaj përfaqësuesja e shtëpisë botuese “Dukagjini”, Erza Mati është shprehur tejet e lumtur për këtë vlerësim.

“Për ne është një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe vlerësim i punës sonë, të cilën e bëjmë me përkushtim të madh, në bashkëpunim me profesionistët më të mirë të fushës. Por, mbi të gjitha, vlerësimi i botimit tonë në mesin e teksteve nga e gjithë Evropa, konsiderojmë që përbën një vlerësim të veçantë për vendin tonë, Republikën e Kosovës”, thotë Mati.

EEPG, garën për çmimin BELMA – PËR MATERIALET MË TË MIRA MËSIMORE EVROPIANE e organizon që nga viti 2009, së bashku me Panairin e Librit në Frankfurt dhe Shoqatën Ndërkombëtare për Hulumtime për Tekstet Shkollore dhe Mediet Arsimore. Të gjitha materialet vlerësohen nga një juri profesionale me ekspertë të lartë të teksteve shkollore, si dhe çmimet ndahen në katër kategori nga arsimi fillor deri tek ai i mesëm i lartë.

Me plot 30 vjet përvojë në botime, shtëpia botuese “Dukagjini” është ndër shtëpitë më të mëdha botuese shqiptare që është gjendur afër lexuesit me botime të ndryshme dhe tekste shkollore, duke krijuar një reputacion të padiskutueshëm për cilësi dhe përkushtim ndaj arsimit për të ardhmen e fëmijëve tanë, sot dhe atyre të nesërm./ KultPlus.com

Sezoni turistik në Shkodër, Kavaja: Rritje 70% krahasuar me vitin 2022

 Turizmi është kryefjalë e diskutimeve, pse jo dhe debateve në tryeza mes operatorëve turistikë dhe shifrave “kokëforte” që duket se e kanë çuar turizmin, nga ai i sezonit veror, te turizmi malor apo ai në zonat e mbrojtura në vend, në një tjetër nivel. ATSH kontaktoi sot me Ergys Kavajën, këshilltar për mediet pranë bashkisë së Shkodrës, për të dhënat e turizmit për këtë vit, krahasuar me vitet pararendëse.

“Turizmi në Bashkinë Shkodër tashmë është një realitet ekonomik i prekshëm dhe një sektor i ri për ekonominë e të gjithë territorit. Për institucionin e bashkisë, treguesi më i mirë është deklarimi dhe vjelja e taksës së fjetjes, pra, sa turistë kanë fjetur në strukturat akomoduese.

Në tetëmujorin janar-gusht, ka një rritje prej 32% krahasuar me vitin 2023 dhe rreth 70% në raport me vitin 2022. Në periudhën qershor-gusht (sezoni veror) ka rreth 30% netqëndrimi më shumë se në vitin 2023 dhe rreth 60% më shumë se në vitin 2022. Konstatohet se rritja e netqëndrimeve në periudhën janar-maj, e quajtur si jashtë sezoni, është rritur me 75% në raport me vitin 2023 dhe 133% (më shumë se dyfishim) krahasuar me vitin 2022. Ndërsa rritja e muajve të verës është bërë nga Velipoja e Thethi, në muajt e tjerë kjo rritje i dedikohet kryesisht qytetit”, tha Ergys Kavaja, këshilltar për mediet pranë bashkisë Shkodër.

Rritja e turizmit është e shpejtë dhe e qëndrueshme në vite, sipas këshilltarit, ndërsa vihet re që turizmi po fillon ngadalë të shtrihet gjatë gjithë vitit, duke e bërë atë një biznes të qëndrueshëm për shumë bare, restorante, hotele, agjenci turistike, transport e shumë njësi që ofrojnë produkte turistike në këtë bashki.

“Së pari, kjo ecuri e mbarë u dedikohet investitorëve, bizneseve dhe ushtrisë së madhe të njerëzve që shërbejnë në këtë fushë, të cilët vit pas viti po përmirësojnë ofertën e tyre për turistët duke shtuar produktet dhe tërhequr turistë në zonat ku operojnë. Pa dyshim i dedikohet edhe rritjes së përgjithshme të turizmit në vend. Por, unë besoj se edhe politikat e bashkisë këtë vit kanë dhënë efekt në këtë drejtim. Eventet që zgjuan interesin e shqiptarëve brenda e jashtë kufijve, promovimi i territorit dhe kujdesja për shtimin e produkteve turistike e kanë sjellë në vëmendje dhe pasuruar ofertën turistike që ka territori ynë”, shtoi ai.

Zonat më të vizituara në Shkodër mbeten Velipoja, Thethi, zona e Liqenit të Shkodrës, Pedonalja e Shkodrës, Kalaja e Rozafës. Përveç pasurive natyrore, Shkodra ka edhe një ofertë të rëndësishmë kulturore ku Muzeu “Marubi”, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Muzeu “Oso Kuka”, Muzeu i Kalasë, të cilët ngjallin kureshtjen e turistëve./atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti fton të gjithë që të shfrytëzojnë panairin ndërkombëtar “AGROKOS”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Panairit Ndërkombëtar AGROKOS, panairit me traditë 24- vjeçare, i cili jo vetëm që lidh bizneset dhe produktet me konsumatorët, por krijon një urë të fortë midis teorisë dhe praktikës për studentët dhe të rinjtë.

Kryeministri tha se si Qeveri, në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm që e mbështesin zhvillimin e bujqësisë, përpunimin e ushqimit dhe prodhimin e pijeve, Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqëse për investitorët, njoftojnë nga zyra e kryeministrit.

Sipas tij, investimet nga projektet strategjike të Qeverisë, të kombinuara me faktorë të tjerë mbështetës, po na drejtojnë te një e ardhme premtuese.

Si faktorë mbështetës, kreu i qeverisë veçoi stabilitetin institucional të vendit, rritjen mesatare ekonomike prej 6.2% mesatarisht në tri vjetët e fundit, afërsia me tregjet e Evropës Perëndimore, zhvillimi i projekteve infrastrukturore në sektorët e transportit, përparimi i sektorëve si bujqësia, përpunimi i ushqimit dhe teknologjia informative, rinia e madhe, e talentuar dhe shumëgjuhëshe, si dhe energjinë e lirë elektrike e mungesën e taksave doganore për lëndë të parë dhe makineri prodhuese.

E rëndësishmja e këtij panairi, sipas Kurtit, medoemos që ishte edhe roli i agrobiznesit në zhvillimin profesional të studentëve dhe të rinjve.

“Kur arsimi dhe biznesi bashkëpunojnë, ndodhin mrekulli: studentët përfitojnë aftësi praktike të vlefshme, ndërkaq bizneset fitojnë ide të freskëta dhe burime të reja pune. Sot, agrobiznesi nuk është më thjesht një fushë tradicionale; inovacioni, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si përparon bujqësia”, deklaroi ai.

Edhe përfshirja e grave në agrobiznes, është një aspekt tjetër i rëndësishëm, tha kryeministri Kurti, sepse gratë tona janë ndërmarrëse të shkëlqyera dhe përmes bizneseve të tyre të vogla, jo vetëm që fuqizojnë ekonominë lokale, por krijojnë zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale.

Në fund, kryeministri ftoi të gjithë që të shfrytëzojnë këtë panair për të krijuar lidhje të reja për të ndarë ide dhe për të hulumtuar mundësitë për bashkëveprim të mëtejshëm. Ai cilësoi panairin AGROKOS si shembull i mirë se si biznesi, arsimi dhe inovacioni mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për Kosovën.

Sa ju kam dashur

Poezi nga Aleksandër Pushkin

Sa ju kam dashur! Ndofta dashuria
Nuk është shuar krejt në shpirtin tim!
Po s’dua që prej dhembjeve të mia,
Të ngryseni sërish në dëshpërim.

I heshtur e pa shpresë u përvëlova
Me ndrojtje, xhelozi e mall për ju
Po kaq me dlirësi ju dashurova,
Sa, zot! Ju dashte tjeter kush keshtu!./KultPlus.com

Kush ishte Martti Ahtisaari, babai i Pavarësisë së Kosovës?

Martti Ahtisaari lindi më 23 qershor 1937 është një politikan finlandez, president i dhjetë i Finlandës, laureat i Çmimi Nobel për Paqe, diplomat i Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësues i njohur për punën e tij ndërkombëtare të paqes.

Ai u emërua ambasador në Tanzani nga viti 1973-76, ndërkaq në vitin 1977 u emërua Komisionar i Kombeve të Bashkuara për Namibinë dhe më pas përfaqësues special i sekretarit të përgjithshëm për këtë vend që do të çonte drejt pavarësisë në vitin 1990, në krye të një misioni të OKB-së.

Në fillim të viteve 80′ ai u riaktivizua në diplomacinë finlandeze, deri në emërimin e tij në vitin 1987 në postin e ndihmëssekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Vitet 90′ shënojnë kthimin e tij në Evropë dhe fillimin e një aktiviteti të gjerë dhe të palodhur diplomatik në favor të paqes në Ballkan. Nga shtatori i vitit 1992 deri në prill të vitit 1993, ai drejtoi grupin e punës të Konferencës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në Bosnje-Hercegovinë.

Në korrik të vitit 1993, ai u emërua këshilltar special i Konferencës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, para se të zgjidhej këshilltar special i OKB-së në ish-Jugosllavi.

Megjithëse erdhi në krye të presidencës së vendit të tij në vitin 1994 për një periudhë gjashtëvjeçare, ai mbeti shumë aktiv në arenën ndërkombëtare.

Në vitin 2006, Ahtisaari do të mbikëqyrte si i dërguar special i OKB-së bisedimet mes serbëve dhe kosovarëve lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës.

Më 24 korrik 2006, i emëruari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, në mënyrë të suksesshme solli në tavolinë udhëheqësit kryesorë të Kosovës dhe Serbisë në takimin e parë të nivelit të lartë për procesin e statutit të Kosovës në Vjenë, po ashtu të quajtur “takimi i elefantëve”.

Derisa palët detajuan pozitat e qëndrimeve të tyre, takimi u vlerësua si i suksesshëm në kuptimin që i mblodhi për herë të parë udhëheqësit kryesorë të Prishtinës dhe Beogradit në një vendtakim./KultPlus.com

136 vite nga lindja e dramaturgut Eugene O’Neill

Sot janë bërë 136 vite nga lindja e dramaturgut, Eugene O’Neill.

Eugene Gladstone O’Neill i lindur në New York më 16 tetor 1888 ishte dramaturg amerikan dhe fitues i katër Çmimimeve Pulitzer për dramë, dhe i Çmimit Nobel për letërsi, për vitin 1936.

Dramat e tij ishin ndër të parat, ku teatri amerikan hyri në realizëm, karakteristikë për shkrimtarët Anton Çehov, Henrik Ibzen dhe August Strindberg.

Dramat e O’Niloit në skenë shkaktuanshumë replika, sidomos, në zhargonin e botës së thjeshtë. Përsonazhet e dramave të tij ishin të margjinalizuarit të cilët luftonin për idealet e tyre, por përfundonin me me dhëmbje dhe të zhgënjyer.

O’Neil e ka shkruar vetëm një komedi të mire e cila është bërë e njohur – „Ah, egërsira“ (Ah, Wilderness!). Më vonë pothuajse në të gjitha dramat e tij ka elemente të tragjedisë dhe pesimizmit vetanak.

Ai vdiq në Boston, më 27 nëntor 1953/KultPlus.com

Një vit nga vdekja e Martti Ahtisaarit

Një vit më parë ka vdekur ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjedhjen e statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari.

Ai ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Ahtisaari shërbeu në pozitën e presidentit të Finlandes nga viti 1994 deri në vitin 2000.

Po ashtu, politikani i njohur finlandez udhëhoqi bisedimet për statusin e Kosovës, në Vjenë.

Martti Ahtisaari, e fitoi edhe çmimin Nobel për paqe në vitin 2008-të.

Gjatë karrierës, Ahtisaari shërbeu edhe në disa pozita të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme të këtij vendi si dhe në OKB.

I pikëlluar për vdekjen e 86 vjeçarit ishte shprehur edhe presidenti aktual i Finlandes Sauli Niinisto./KultPlus.com

170 vite nga lindja e Oscar Wilde

Sot 170 vite më parë lindi Oscar Wilde.

Një shkrimtar dhe poet irlandez, Wilde, pasi shkroi në forma të ndryshme gjatë viteve 1880, u bë një nga dramaturgët më të njohur të Londrës në fillim të viteve 1890. Sot ai mbahet mend për epigramet dhe shfaqjet e tij dhe rrethanat e burgimit të tij, të cilat u pasuan nga vdekja e tij e hershme, transmeton KultPlus.

Prindërit e Wilde ishin intelektualë të suksesshëm të Dublinit. Djali i tyre fliste rrjedhshëm frëngjisht dhe gjermanisht qysh në fillim të jetës. Në universitet, Wilde dëshmoi se ishte një klasicist i shquar, së pari në Dublin, pastaj në Oksford. Ai u bë i njohur për përfshirjen e tij në filozofinë në rritje të estetizmit, të udhëhequr nga dy mësues të tij, Walter Pater dhe John Ruskin.

Pas universitetit, Wilde u transferua në Londër në qarqe kulturore dhe shoqërore në modë. Si zëdhënës i estetizmit, ai provoi dorën e tij në aktivitete të ndryshme letrare. Ai botoi një libër me poezi, të ligjëruar në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada mbi “Rilindjen Angleze në Art”. Pastaj ai u kthye në Londër ku punoi shumë si gazetar.

I njohur për zgjuarsinë e tij, veshjen e ndezur dhe bisedën shkëlqyese, Wilde ishte bërë një nga personalitetet më të njohura të kohës së tij. Në kthesën e viteve 1890, ai rafinoi idetë e tij mbi epërsinë e artit në një seri dialogësh dhe esesh, dhe përfshiu temat e dekadencës, dyfishimit dhe bukurisë në romanin e tij të vetëm, Fotografia e Dorian Grey (1890).

Mundësia për të ndërtuar saktësisht detaje estetike dhe për t’i kombinuar ato me tema më të mëdha shoqërore, e tërhoqi Wilde të shkruajë dramë. Ai shkroi Salome (1891) në frëngjisht në Paris, por asaj iu refuzua licenca.

Pa u shqetësuar, Wilde prodhoi katër komedi të shoqërisë në fillim të viteve 1890, gjë që e bëri atë një nga dramaturgët më të suksesshëm të Londrës Viktoriane të vonë.

Në kulmin e famës dhe suksesit të tij, ndërsa kryevepra e tij, Rëndësia e të qenit i sinqertë (1895), ishte akoma në skenë në Londër, Wilde kishte markezin e Queensberry, babai i të dashurit të tij, Lordi Alfred Douglas, i ndjekur penalisht për shpifje, një akuzë që parashikon një dënim deri në dy vjet burg.

Gjyqi zbuloi prova që e detyruan Wilde të hiqte dorë nga akuzat e tij dhe çoi në arrestimin dhe gjykimin e tij për turp të rëndë me burra të tjerë. Pas dy gjykimeve të tjera, ai u dënua dhe u burgos për dy vjet punë të rëndë.

Në burg, ai shkroi De Profundis (shkruar në 1897 dhe botuar në 1905), një letër e gjatë e cila diskuton udhëtimin e tij shpirtëror përmes sprovave të tij, duke formuar një kundërpikë të errët ndaj filozofisë së tij të mëparshme të kënaqësisë.

Me lirimin e tij, ai u nis menjëherë për në Francë, për të mos u kthyer më në Irlandë apo Britani. Atje ai shkroi veprën e tij të fundit, Balada e leximit të gazit (1898), një poezi e gjatë që përkujtonte ritmet e ashpra të jetës në burg.

Wilde vdiq i varfër në Paris në moshën 46 vjeç./KultPlus.com

COD, takim letrar për shkrimtaren Natasha Lester

Në Bibliotekën e Kryeministrisë u zhvillua një takim letrar mbi trilogjinë e suksesshme të autores australiane Natasha Lester. Tri përkthyeset Zana Harxhi Baron, Mirela Milori dhe Sidita Hoxhiq Dano ishin ftuar të bashkëbisedonin me lexues të veprës së autores Lester dhe miq të librit.

Qendra për Hapje dhe Dialog promovoi veprat: “Sekreti i Parisit”, “Rrobaqepësja e Parisit” dhe “Fotografja franceze”.

Paneli u ndal mbi shprehjen “Dashuria është si lufta, fillon lehtë por përfundon me shumë vështirësi”, që shkruan H. L. Menken shkruan në librin “Fotografja franceze”. Autorja Natasha Lester e cila i kategorizon veprat e saj si “historical fiction”, jep mesazhe të forta mbi dashurinë, rolin dhe fuqizimin e gruas në shoqëri e ditëve të sotme.

Natasha Lester është një nga autoret më të pëlqyera nga “New York Times”. Romanet e saj kanë fituar disa çmime, ndërkombëtare dhe janë përkthyer në njëzet e një gjuhë të ndryshme të botës./atsh/KultPlus.com

Në Bibliotekën e Institutit Albanologjik u mbajt “Ora e Shkrimtarit” me Gëzim Aliun

Të martën, në praninë e shkrimtarëve, studiuesve, gazetarëve, botuesve, studentëve etj., në Bibliotekën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, u mbajt aktiviteti letrar Ora e Shkrimtarit, me prozatorin, studiuesin dhe përkthyesin, Gëzim Aliu, në kuadër të projektit të PEN Qendrës së Kosovës, përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.  

Në fillim të fjalës së tij, poeti dhe studiuesi i letërsisë, Milazim Krasniqi, i cili e moderoi këtë takim letrar, duke folur për rëndësinë e këtij projekti, si dhe të projekteve të tjera të PEN Qendrës së Kosovës, ndër të tjera, tha: “Projekti i PEN – it, me titullin “Ora e Shkrimtarit” synon që ta kthejë vëmendjen tek autori, ashtu që ai vetë ta prezentojë veten dhe veprën e vet. Kjo qasje nuk ia kufizon hapësirën kritikës e as lexuesit, që të ndërtojnë ata rrëfimin e vet dhe universin e vet imagjinar, (po operojmë me formulimet e Cvetan Todorovit nga studimi “Poetika e prozës.”) Por, kjo qasje i mundëson autorit të rrëfejë të vërtetat e tij mbi rrëfimin e vet dhe mbi universin e vet imagjinar, me çka faktikisht ia lehtëson punën lexuesit, i cili në kohën tonë është i sfiduar nga flukset e vrullshme dhe kundërthënëse të informacioneve. Prandaj, rrëfimi i vetë shkrimtarit mund ta ndihmojë që të kuptojë më shumë nga leximi i veprave të shkrimtarit”. 

Duke e paraqitur krijimtarinë letrare të Gëzimi Aliut, kryesisht në fushën e prozës dhe të studimit letrar, Milazim Krasniqi, theksoi se: “Sot kemi rastin e shkëlqyeshëm që nga shkrimtari Gëzim Aliu të dëgjojmë rrëfimin e tij mbi procesin me të cilin ai e formëson universin imagjinar të tij. Shpresoj të jetë rrëfim interesant, pasi që Gëzimi tashmë është një prozator i shkëlqyeshëm”.

Në fjalën e tij, Gëzim Aliu, u përqendrua në temën “Si e shkruaj romanin”, duke ofruar mjaft shembuj, në radhë të parë, për procesin e të shkruarit si dhe për përvojën e tij krijuese, veçanërisht lidhur me tregimin dhe romanin, duke konstatuar se “Romani është Njeriu, Gjuha dhe Imagjinata. Një libër pa Njeriun, pa Gjuhën dhe pa Imagjinatën nuk është roman, nuk mund të jetë roman i plotë”.

Më tutje, Aliu paraqiti disa ide interesante për botën e shkrimtarit, duke thënë se “Një shkrimtar mund të shkruajë një tregim a skicë për një pemë që lulëzon dhe që përkëdhelet nga era e lehtë, e këndshme pranverore, madje përshkrimi i tij mund të jetë prekës, mallëngjyes, i bukur. Por, lexuesi, pas disa ra­dhë­ve, intuitivisht pret hyrjen në skenë të njeriut. Tregimi mund të përfundojë pa njeriun, edhe lexuesi mund të kënaqet estetikisht, por nuk do të përfshihet, nuk do të ketë me kë të identifikohet apo kë ta duajë a urrejë, nuk do ta shijojë një histori të caktuar. Ku nuk ka histori, nuk do ta ketë as të ngjashmin e vet: Njeriun”.

Në vijim, Gëzim Aliu, në mënyrë të veçantë foli për idenë se si i shkruan veprat e tij:” Si shkruaj? Për këtë mund të flas shumë më saktë. Me kohë shkrimtari e krijon procesin e të shkruarit, që nuk do të thotë se i përmbahet në tërësi, por është një mënyrë pune që e ndjek. Për të nisur diçka më të madhe, është shumë e rëndësishme ideja. Ideja e ka një zanafillë, që do ta quaja shkëndijë. Nuk dua të mistifikoj këtu, por shkëndija krijimtare, që e quajnë edhe frymëzim, shpesh nuk dihet nga vjen, nga mendja, si nga qielli i kthjellët, nga dhembja që ndien për diçka, nga të dëgjuarit e një ngjarjeje, nga një ngjarje që sheh, nga leximi i diçkaje interesante, nga emocionet që shkakton diçka, nga qëllimet e vetëdijshme e nganjëherë të pavetëdijshme, nga bindjet, nga luhatjet e bindjeve, nga ndryshueshmëria e vazhdueshme njerëzore, që e quajmë përvojë, nga meditimi, nga të menduarit”.

Duke i karakterizuar mendimet e tij në një rrafsh më të gjerë të pikëshikimit kritik, Gëzim Aliu, tha se: “Botimi i një romani është dhembje e madhe artistike. Kur kjo dhembje shndërrohet në kënaqësi leximi për lexuesit e mundshëm të sotëm e të ardhshëm, atëherë e vërej një shkëndijë nga përjetësia njerëzore, që megjithatë është e përkohshme në këtë gjithësi të pakufishme e të çuditshme e të pakuptueshme për mendjen tonë”.

Gëzim Aliu, iu përgjigj pyetjeve të ndryshme, të cilat kishin të bënin kryesisht me mënyrën se si i shkruan veprat e veta, në radhë të parë, për aktin e frymëzimit, për motivet dhe temat, pastaj për personazhet e romaneve, për veprat e përkthyera nga anglishtja në shqip, si dhe për çështje dhe fenomene të ndryshme të letërsisë. Gjithashtu, përmendi edhe përvojën e shkrimtarëve të ndryshëm botërorë, duke u ndërlidhur me procesin krijues të veprave të tyre, në faza dhe periudha të ndryshme kohore./ KultPlus.com  

Albin Kurti: Gjeneral Michael Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka kujtuar me mirënjohje të thellë gjeneralin Mike Jackson, i cili ka luajtur një rol të madh për Kosovën, përkatësisht me nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë duke shënuar kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë.

Më poshtë është dedikimi i plotë e kryeministrit Kurti me rastin e vdekjes së Gjeneralit Jacskon.

Shëndeti nuk e la të vinte në Kosovë dhe të na bashkohej në shënimet e 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, por Gjeneral Michael Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës. Në moshën 80 vjeçare, të martën e 15 tetorit 2024, gjenerali britanik Mike Jackson, vdiq i sëmurë nga kanceri në prostatë.

Mike Jackson ishte njeriu që në emër të trupave të NATO-s e nënshkroi Marrëveshjen Teknike Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë duke shënuar kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë. Gjeneral Jackson ishte komandanti i parë i trupave ushtarake të misionit të KFOR-it, duke qenë kështu në krye të fazës finale të çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999.

Jeta dhe karriera e Mike Jacksonit, ishte një jetë e përkushtuar prej ushtaraku, ashtu siç sugjeron edhe vet ai te libri autobiografik i tij, i titulluar thjesht “Ushtar”.

Populli dhe shteti i Kosovës, i kujtojnë miqtë dhe përkrahësit e tyre, në rrugën e pafundme të historisë së lirisë dhe të shtetndërtimit.

Në kujtim të Gjeneral Michael Jacksonit, me mirënjohje të thella dhe vlerësime të larta./ KultPlus.com