Përmeti destinacion turistik, Hoxha për ATSH-në: Mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj

Përmeti vijon të jetë një nga destinacionet e preferuara të turistëve të shumtë vendas e të huaj, të cilët  shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë natyror.

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma tha për ATSH-në tha se “për periudhën janar-korrik mbi 60 mijë turistë kanë qëndruar minimalisht 1 natë në Përmet. Nëse do të llogarisim në numër edhe vizitorët ditorë shifra shkon mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj”.

Sipas saj, ë krahasim me vitin e kaluar ka një rritje prej 25% të numrit të turistëve.

“Vendet më të preferuara që vizitohen nga turistët janë Ujërat Termale të Bënjës, Lumi Vjosa, Kisha e Shën Mërisë në Leusë, Teqeja e Baba Aliut Alipostivan, Bredhi i Hotovës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike Përmet, Kisha e Shën Mërisë Kosinë, etj”, tha Hoxha.

Sipa saj, këtë vit vihet re trendi i turistëve nga Gjermania, Polonia, Italia dhe Spanja, por edhe nga vende të tjera.

Kryebashkiakja Hoxha u shpreh se bashkia e Përmetit ka organizuar një sërë aktivitetesh për promovimin e qytetit.

“Mund të përmendim festat e ndryshme si Dita e Verës, Vjosa në Fest, Festa e Gjysheve. Gjithashtu është bërë një punë mjaft e mirë me mbështetjen e guidave dhe subjekteve lokale me qëllim zhvillimin e ekonomisë vendase, ku mund të përmend kurset për guida lokale të certifikuara për rafting. Markimin e shtigjeve të ndryshme, zhvillimin e garës Iliryan Race, Festivali Climbing etj”, tha Hoxha.

Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin. Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen Ujërat Termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave./atsh/KultPlus.com

Liqenet e Jezercës, atraksion turistik me bukuri të rrallë

 Alpet Shqiptare, me bukuritë magjepsëse të tyre, tërheqin gjithnjë edhe më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi përcolli sot në rrjete sociale, foto me pamje të mrekullueshme nga liqenet e Jezercës.

“Bukuri e natyrës liqenet e Jezercës në lartësinë mbi 2600 m”, shkroi Ekonomi.

Liqenet gjenden në anën veriore të malit të Jezercës, në një luginë të vogël e të rrethuar me maja të larta, e cila fillon në Jezercë dhe përfundon në Vuthaj dhe më poshtë në Guci (Mali i Zi) ku bashkohet me lumin e Vermoshit.

Ashtu siç shihet edhe nga pamjet në foto, Alpet Shqiptare janë territoret më atraktive dhe më magjepse të trevave tona, me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike.

Në gjithë Alpet Shqiptare gjenden 30 liqene akullnajore, por grupi i liqeneve të Jezercës është i pa krahasueshëm.

Regjimi i këtyre liqeneve është tipik alpin. Gjatë dimrit ngrijnë të gjithë. Disa nga liqenet janë 3-4 metra të thellë, ndërsa disa të tjerë janë krejt të cekët. Pavarësisht faktit se gjenden mbi formacione gëlqerorësh, ata mbajnë ujë për një periudhë të gjatë edhe në stinën e verës.

Vitet e fundit, fluksi i turistëve për të vizituar këtë zonë ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Majat e malit të Jezercës duket sikur arrijnë qiellin, teksa bukuria mahnitëse pasqyrohet në liqenet akullnajore që ofrojnë një qetësi përrallore dhe peizazh natyror  spektakolar./atsh/KultPlus.com

‘Bild’ sugjeron edhe kalanë e Petrelës si destinacion turistik

Për të gjithë ata që po planifikojnë pushimet e tyre, gazeta gjermane ”Bild” sugjeron kalanë e Petrelës si destinacion turistik.

Sipas gazetës gjermane, kalaja e Petrelës, rreth 15 kilometra në jug të Tiranës në Shqipëri, ofron një pamje të mrekullueshme.

“Ndërtesa shekullore, peizazhe të larmishme, pafundësi me pyje, por edhe bollëk supermetropolesh, pasi Evropa ka shumë për të ofruar dhe është destinacioni më i popullarizuar i udhëtimit për njerëzit nga e gjithë bota. Për të gjithë ata që po planifikojnë pushimet e tyre, ne këshillojmë ekskursione, shëtitje dhe plazhe si në parajsë. Dhe, prej andej, ju mund të shihni anën më të bukur të Evropës. Kalaja e Petrelës, rreth 15 kilometra në jug të Tiranës, në Shqipëri, ofron një pamje të mrekullueshme”, shkruan ”Bild”.

“Bild” shkruan se atje ka edhe një restorant në një kështjellë shkëmbore mesjetare.

“Ka plot njerëz në verë, shtuar këtu tregjet dhe festivalet”, thekson ”Bild”.

Shqipëria priti në 6-mujorin e parë të këtij viti 3.4 milionë turistë të huaj, ndërsa autoritetet në vend thonë se vetëm përmes Rinasit pritet të hyjnë në vend 8 milionë pasagjerë./atsh/KultPlus.com

Fshati turistik i Voskopojës, një nga destinacionet më tërheqëse

Fshati turistik i Voskopojës në Korçë mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas e të huaj.

Investimet e kryera në Voskopojë kanë bërë që të ngrihen një sërë sipërmarrjesh familjare, falë edhe mbështetjes së qeverisë përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e administratores së bujtinës “Vila Strugu”, Bruna Sheno, e cila vlerëson ndër të tjera mbështetjen e marrë përmes programit IPARD II.

“‘Vila Strugu’ në fshatin e mrekullueshëm të Voskopojës, e mbështetur nga programet e qeverisë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, AZHBR përmes programit IPARD II, është një nga destinacionet që vlen ta vizitoni këtë verë”, shkruan Rama.

Nga ana e saj, Sheno u shpreh se bujtina është ndërtuar nga e para dhe është ruajtur tradita në çdo element të punimeve.

Agroturizmi po merr gjithnjë e më shumë zhvillim në zona të ndryshme turistike të vendit përmes bujtinave të ngritura. Transformimi i zonave rurale në peizazhe tërheqëse, ka nxitur krijimin e agroturizmit, si një model i ri i zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit./atsh/KultPlus.com

Sezoni turistik dhe destinacionet e qarkut të Korçës

Komiteti Rajonal i Zhvillimit të Turizmit u mblodh sot në Drilon të Pogradecit, ku aktualisht janë duke u zbatuar tre projekte madhore, si “Rehabilitimi e Parkut Ujor Drilon – Tushemisht”, “Shëtitorja e Tushemishtit”, “ByPass i Tushemishtit”, me një vlerë 15.5 milionë dollarë.

Gjatë takimit u bë një vlerësim për bashkëpunimin institucional si dhe u diskutuan detyrat që dalin për këtë sezon turistik.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole në fjalën e tij kërkoi nga përfaqësuesit institucionalë zbatimin e detyrave që dalin nga Urdhri i Kryeministrit për ngritjen e Taskforcës Ndërinstitucionale të Sezonit Turistik Veror 2023 si dhe më shumë punë për promovimin e destinacioneve turistike, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike.

“Qarku i Korçës gjatë harkut kohor të 4 viteve të kaluara, ka përfituar mbështetje me investime të qeverisë që shkojnë rreth 100 milionë dollarë për gjashtë bashkitë, ku vlen për t’u përmendur edhe ndihma për agrobizneset nëpërmjet programit të IPARD, me kontribut të kombinuar të qeverisë dhe BE-së. Këtu përfshihen jo vetëm bujtinat, por edhe ndihma për fermerët, duke nxitur prodhime që kanë “brand” qarkun tonë e duke diversifikuar ofertën në agroturizëm”, theksoi Jole.

Prefekti Jole u shpreh se “aktualisht, në të gjithë qarkun e Korçës operojnë 225 struktura akomoduese (hotele dhe bujtina) me 5270 shtretër”.

“Sigurisht, ky kapacitet duhet të jetë akoma më i madh në të ardhmen për të mundësuar arritjen e objektivit afatmesëm që qarkun tonë ta vizitojnë më shumë se 1 milion turistë vendas e të huaj në harkun e një viti, e cila do të mund të bëhet realitet vetëm falë një oferte të integruar për zhvillimin e turizmit brenda rajonit, që ngelet sfida e re e të gjithë aktorëve institucionalë, operatorëve turistikë dhe bizneseve në fushën e turizmit”, theksoi Jole.

Ai shtoi se sezoni turistik sapo ka filluar dhe qarku i Koçës duhet të jetë mikpritës për shumë vizitorë e turistë nga vendi dhe gjithë bota.

Korça është tashmë e vizituar në çdo stinë, Pogradeci është i lidhur më së shumti me turizmin veror, ndërkohë që interesi i vizitorëve po orientohet edhe drejt natyrës e klimës malore të Kolonjës, Maliqit, Pustecit, por edhe Devollit./atsh/KultPlus.com

Tropoja çel sezonin turistik me pjesëmarrjen e ansambleve nga trevat shqiptare

Bashkia e Tropojës ka çelur sezonin turistik për këtë vit duke hapur dyert e mikpritjes për të gjithë turistët vendas dhe të huaj.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror si dhe përfaqësues nga Kosova.

Për kryetarin aktual të Bashkisë, Rexh Byberi, ky aktivitet është një manifestim i bashkëpunimit dhe vullnetit për zhvillimin turistik të Valbonës si një destinacion mahnitës i alpeve.

Grupet e ansambleve nga shumë treva shqiptare dhe nga Kosova u bënë bashkë në një festë muzikore dhe kulturore nën qiellin e blertë të Alpeve tona.

Tingujt e muzikës dhe haresë së këngëve dhe valleve  buçisnin valët e ajrit dhe shpalosnin bukuritë e mjedisit të bukur malor.

Panairi i agro-kulturës prodhimeve artizanale dhe gastronomisë ishte një tjetër pjesë e aktivitetit tre ditor duke ofruar mundësinë për të provuar shumë prej produkteve të cilat janë  tipike të zonës.

Kostume tradicionale kombëtare të punuara nga gra dhe vajza të zonës, punime artistike të gdhendura në dru nga mjeshtrat popullorë ishin pjesë e këtij panairi.

Byberi ka shprehur vendosmërinë që të punomë vazhdimisht për zhvillimin e Valbonës, duke siguruar një infrastrukturë turistike cilësore dhe duke inkurajuar iniciativat e biznesit lokal.

Kostumet popullore shumë ngjyrëshe nga të gjitha trevave shqiptare zbukuruan rrugët e qytetit të Tropojës për të ndaluar në luginën e Valbonës.

Në kuadër të çeljes së sezonit turistik u mbajt edhe koncerti festiv “20- vjet Sofra Dardane” e organizuar nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë në stadiumin e lojërave me dorë në qytetin e Bajram Currit.

Tre ditë aktivitete të larmishme e kthyer Tropojën në epiqendër festive duke bashkuar qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Festivalit iu bashkuan ansamble, shoqëri kulturore-artistike, grupe rapsodike nga të gjitha trojet etnike të kombit shqiptar dhe të ftuar special këngëtarë të shquar nga të gjitha trevat etnokulturore shqiptare.

Festimet në Tropojë vijuan edhe në zonën e Nikaj-Merturit ku Sofra Dardane organizoi një koncert të jashtëzakonshëm, nën natyrën mahnitëse dhe të bukur të kësaj zone./atsh/KultPlus.com

Margariti: Në afërsi të sezonit turistik po rregullohet infrastruktura për te monumentet e kulturës

Në afërsi të sezonit turistik, punonjësit e DRTK Gjirokastër, po punojnë për sistemimin e infrasrukturës që qon te monumentet e kulturës, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Elva Margariti përmes një potimi në facebook ka thënë se këto punime po bëhen në bashkëpunim me Bashkinë e Qytetit.

“Kështu, punonjësit e DRTK Gjirokastër, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit kanë ndërhyrë për hapjen, sistemimin dhe pastrimin e rrugës që të çon në “Manastirin e Spilesë”, si dhe vendosjen e tabelave orientuese që të çojnë pranë këtij monumenti.”, ka thënë Margariti./KultPlus.com