Festivali Kombëtar Tipologjik i Sazeve mbledh në Leskovik e Ersekë dhjetra grupe muzikore

 Leskoviku i traditave gjallërohet nga Festivali Kombëtar Tipologjik i Sazeve.

Bashkia Kolonjë ndau në rrjetet sociale fotografi nga ky aktivitet, në të cilin me dhjetëra grupe performuan nën rrapin shekullor.

Leskoviku i traditës, i sazeve, i instrumenteve popullore do të mirëpresë dhe sot në natën e dytë instrumentistë e këngëtarë virtuozë për të kulmuar mbrëmjen e 1 tetorit, në qendër të qytetit të Ersekës

Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, shkroi në faqen e tij online: “Për dy netë rresht ky festival frymon në djepin ku mori jetë, Leskovikun e traditës, për të kulmuar natën e tretë në Ersekë”.

Grupet muzikore nga qytete të ndryshme të Shqipërisë sollën meloditë autentike popullore përmes instrumenteve tradicionale, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë muzikore të vendit.

Ky festival, i kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme, tërheq vëmendjen jo vetëm të banorëve vendas, por edhe vizitorëve të shumtë, duke ofruar një përvojë unike të muzikës dhe kulturës shqiptare./ ATSH/ KultPlus.com

Pamje nga Alpet shqiptare, bukuria e Bjeshkëve të Kelmendit

Kelmendi, Njësia Administrative në Malësinë e Madhe është kthyer në një prej destinacioneve që nuk njeh stinë.

I rrethuar nga fshatra turistikë, me histori shekullore, ushqimet karakteristike, mikpritje, arkitekturë alpine e kanë shndërruar Malësinë e Kelmendit një një udhëtim të paharruar për turistë të shumtë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga bjeshkët e Kelmendit teksa turistët eksplorojnë natyrën mahnitëse edhe në këtë fund shtatori.

Zona ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, që nga turizmi i aventurës, tek ai i vëzhgimit dhe duke vijuar me kulinarinë dhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike të zonës.

Eksplorimi i shpellave, lundrimi me kajak në lumin Cem, ecjet në terrenet e pashkelura, kalërimi mes magjisë së natyrës unike, zona e Kelmendit ka shumë për të ofruar.

Tamara, qendra e Kelmendit, vetëm 46 kilometra nga Kopliku, është një prej fshatrave më të frekuentuar në veri. Rruga që të çon drejt Tamarës përveç infrastrukturës moderne të ofron edhe pamje mahnitëse të “Leqeve të Hotit”.

Razma, Boga, Zona e Recit në Komunën e Shkrelit, Lepusha, Vermoshi, Selca, janë të tjera pika turistike të njohura në Komunën e Kelmendit.

Turistët vendas e të huaj mund të eksplorojnë shpella të ndryshme në gjithë Malësinë e Madhe të cilat u ofrojnë edhe të dhëna jetësore të popullimit mijëravjeçare ku më të njohurat janë shpellat në Kelmend, Shkrel, Kastrat e Gruemirë./ atsh/ KultPlus.com

Nis rrugëtimi i Miss Globe, 50 bukuroshet e botës do udhëtojnë në gjithë Shqipërinë

Nis rrugëtimi i Miss Globe, eventi i njohur për Botën si një nga Top eventet e bukurisë dhe i renditur në Europë në treshen e Platformave më të mira të Beauty Pageant.

Vajzat pjesëmarrëse pasi u mirëpritën në Rinas, u akomoduan në Durrës. Nën sloganin “Turizëm në çdo stinë” ky është viti i 21-të i organizimit të The Miss Globe dhe ku ndër këto vite në Shqipëri kanë qenë pjesëmarrëse mbi 900 vajza.

Turi i The Mis Globe nis me Lezhën, Malësinë e Madhe, Gucinë, Vlorën, Dhërmiun, Himarën e Beratin. Një tur shumë interesant e i ngjeshur me aktivitet i pret të bukurat e Globit pas fotografive për revistën zyrtare dhe finalja e madhe do të jetë në Tiranë, në 15 Tetor në Parkun Olimpik Feti Borova.

The Miss Globe është eventi më i rëndësishëm në këtë mes-vjeshtë shqiptare, për të na sjellë emocione të bukura dhe energji pozitive./ Balkanweb/ KultPlus.com

40 pjesëmarrës në Panairin e Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër

40 artizanë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u bënë bashkë në Gjirokastër, në kuadër të Panairit të Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore.

Artizanët ekspozuan punime dhe produkte të ndryshme. Disa prej tyre vinin për herë të parë në këtë panair dhe u shprehën shumë të kënaqur nga mikpritja gjirokastrite.

U vu re se pati interes për punimet e dorës si çantat, kurorat, fustanet etj., të cilat ishin punuar me cilësi.

Panairi i Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore tashmë është kthyer në një traditë për qytetin e gurtë. Interesi ka qenë i lartë sidomos nga turistë që duan të njohin më shumë punimet artizanale që prodhohen në trevat shqiptare për të cilat pati edhe demonstrime “live” të punimeve të tyre.

Aktiviteti u organizua në kuadër të Javës së Trashëgimisë Kulturore./atsh/KultPlus.com

“Ditët e librit arbëresh”, të ftuar edhe akademikë nga Italia

Nën moderimin e prof. Diana Kastratit u hap sesioni i parë i veprimtarisë “Ditët e Librit Arbëresh”. Drejtuesja e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Diana Kastrati, bëri një prezantim të të ftuarit special në këtë aktivitet, antropologut Mario Bolognari.

Prof. Bolognari mbajti një lectio magistralis, me temë: “Jeta, vdekja, ringjallja. Simbolika dhe ritualiteti i kostumit femëror arbëreshe”. Në kumtesën e tij ai foli për dinamikat e migrimit në Itali dhe se si kjo ka ndikuar në komunitetin e arbëreshëve, që për një moment u duk se u zhduk.

Ai foli për vështirësitë e komuniteteve arbëreshe edhe në karrierën e tij akademike duke filluar prej vitit 1972, kur iu propozua të shkonte në jug të vendit dhe aty kuptoi se gjuha tradicionale arbëreshe po shkonte drejt heshtjes dhe kështu lindi libri “Heshtja e Traditës” (1978).

Prof. Bolognari bëri një hyrje të zhvillimeve politike dhe ecurisë së legjislacionit dhe pikëpyetjeve që ka prodhuar Ligji 482/1999. Ai foli në kumtesën e tij për funksionet e veshjes në faza të ndryshme të jetës prej lindjes deri në vdekje, përgjatë gjithë ciklit jetësor të njeriut.

Konkretisht, ai u ndal në funksionet e veshjes arbëreshe, në faza të ndryshme të ciklit jetësor dhe konceptimit ad hoc të veshjes për këto faza të jetës, por edhe përtej saj duke u bërë shoqëruese të gruas arbëreshe edhe në jetën e përtejme. Ligjërata u përmbyll me një hapësirë për pyetje drejtuar prof. Bolognari-t që sollën diskutime e debat mbi temën e prezantuar./atsh/KultPlus.com

‘Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi’

Poezi nga Migjeni

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s’ka fat. por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj./ KultPlus.com

Panairi i Librit për Fëmijë prej 2 deri më 6 tetor, shumë aktivitete brenda kryeqytetit

ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë janë në përgatitjet e fundit për Panairin e Librit për Fëmijë që do të mbahet prej 2 deri më 6 tetor, shkruan KultPlus.

Përgjatë këtyre ditëve është paraparë një program i pasur i aktiviteteve, kurse ceremonia e hapjes së këtij panairi do të jetë më 2 tetor, prej orës 12:30 në sheshin “Zahir Pajaziti”, lokacion që do të përfshijë edhe aktivitetet e tjera përgjatë panairit.  

Festivali dhe Panairi i Librit per Femije organizohet nga ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” me mbeshtetjen e Zyres Zvicerane per Bashkepunim ne Kosove, Ministrise se Kultures, Rinise dhe Sportit, Komunes se Prishtines, Presidences se Republikes se Kosoves dhe IPKO.

Programi kulturor i Festivalit dhe Panairit te Librit per Femije zhvillohet ne bashkepunim me Dokufest, Teatri Dodona, Bonevet, Terre des hommes, SOS Fshatrat, Galeria Kombetare e Kosoves, ShFMU “Prenk Jakova”, TOKA, Yoga me Dodona, J Coders, Kosova Makers League, etj. Ndersa, prezente do te jene shtepite botuese nga Kosova, Shqiperia dhe Maqedonia e Veriut, si Dukagjini, Albas, Magjia e Librit, Galdimi – A Editions, Logos A, Berati, Pegi, Fan Noli. / KultPlus.com

“Njerëzit tek njerëzit: Azia Qëndrore”, ekspozita që do të përfshijë 18 artistë në Galerinë Qahili

 “Njerëzit tek njerëzit: Azia Qëndrore” është ekspozita e radhës që do të hapet në Galerinë Qahili, përkatësisht më 10 teto,  duke filluar nga ora 19:00.  

Në këtë ekspozitë do të prezantohen punimet e 18 artistëve nga Kirgistani: Momun Astar, Jylldyz Asangaly, Tynumov, Nurlan Kudabaev, Yuldash Nurmatov, Shimova Halida, Sarkyn, Kim Aida, Nyurguyna Innokentyeva, Sadyk, Alapai Abdykasymov, Berebin, Rasul Kochkorbaev, Ernis Bekjamov, Asmat Abdysadyr Yylu, Kanybek Davletov, Jakypov Jylkychy, Sheishanaliev.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen punime të cilat reflektojnë kulturën e Azisë Qëndrore. Skena e artit e Kirgistanit dallohet me kombinimin e lëvizjeve të artit bashkëkohor si dhe prejardhja nomade, që trajton sfida shoqërore.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 4 nëntor 2024. / KultPlus.com

Vdes këngëtari dhe aktori, Kris Kristofferson

Kris Kristofferson, këngëtari dhe aktori fitues i çmimeve të muzikës country që ka punuar me Johnny Cash dhe Martin Scorsese, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

Një përfaqësues tha se ai ndërroi jetë “në mënyrë paqësore” në shtëpinë e tij në Hawaii të shtunën, i rrethuar nga familja.

Deklarata e përshkroi Kristofferson si “një paqedashës, një revolucionar, një aktor, një superstar, një simbol seksi dhe një njeri familjar”.

Fituesi i shumë çmimeve ishte i njohur për shkrimin e këngëve të tij, veçanërisht për Me dhe Bobby McGee, dhe Help Me Make It Through the Night, ndër të tjera. Ai gjithashtu luajti në filmin hit “A Star Is Born”.

Një mesazh nga familja e tij thoshte se të gjithë ishin aq të bekuar për kohën që kishin me të.

“Faleminderit që e keni dashur gjatë gjithë këtyre viteve, dhe kur shihni një ylber, dijeni se ai po na buzëqesh të gjithëve”, thuhet në mesazhin e cituar nga CBS News, partneri amerikan i BBC-së.

I lindur në Brownsville, Teksas, më 22 qershor 1936, Kristofferson u bë një figurë kryesore në muzikën country.

“Kur fillova, isha një nga njerëzit që shpresoja të sillja respekt për muzikën e vendit”, tha ai, sipas mesazhit të familjes.

“Disa nga këngët që kisha dhe që u bënë hite e bënë këtë. Unë imagjinoj se kjo është arsyeja pse dikush mund të më votojë në një Hall of Fame. E di që nuk është për shkak të fytit tim të artë”.

Kristofferson studioi shkrim në Kolegjin Pomona në Kaliforni dhe më vonë shkoi në Oksford si studiues në Rodos. Ai fitoi masterin e tij nga Oksfordi në vitin 1960, më pas u kthye në SHBA dhe iu bashkua ushtrisë.

U caktua nga ushtria për të dhënë mësime letërsie, për të cilën ai tha se “tingëllonte si ferr”.

Në vitin 1965 ai vizitoi Nashville dhe brenda dy javësh dha dorëheqjen nga posti i tij ushtarak dhe u transferua në qendrën e muzikës country për të ndjekur karrierën e tij muzikore.

Kreu i Sallës së Famës dhe Muzeut të Vendit tha se ai la pas “një trashëgimi tingëlluese”.

“Kris Kristofferson besonte se krijimtaria është dhënë nga Zoti dhe ata që injorojnë një dhuratë të tillë janë të dënuar me pakënaqësi”, shkroi Kyle Young në X.

“Ai predikoi se një jetë e mendjes i jep zë shpirtit dhe puna e tij nuk i dha zë. vetëm për shpirtin e tij, por edhe për tonën.”

Ai fitoi tre “Grammy” për këngën më të mirë të vendit, “Help Me Make It Through the Night” në 1972, dhe dy duete të veçanta me Rita Coolidge (1974, 1976), me të cilën u martua në vitet 1970./rtv21/KultPlus.com

Aktorja Monica Bellucci sot feston ditëlindjen

Aktorja italiane Monica Bellucci sot feston ditëlindjen e saj, shkruan KultPlus.

Ndërsa filloi karrierën e saj si modele për markat si Dolce & Gabbana dhe Dior, ajo ngadalë e vazhdoi karrierën e saj drejt aktrimit dhe përfundimisht shënoi debutimin e saj në Hollywood. Dhe siç thonë ata, nuk ka pasur asnjë kërkim prapa për të që atëherë.

Monica është bërë e famshme që nga koha e saj e aktrimit, por përveç kësaj, ajo gjithashtu ka spikatur vendin e saj si një forcë e modës.

Daljet në tapetin e kuq të Monikës janë një dëshmi e dashurisë së saj për modën. Ajo zgjedh me kujdes atë që dëshiron të veshë dhe sigurohet që ajo ta gozhdojë atë në krah. Menjëherë nga një fustan i kuq klasik në qilimin e kuq në një të zi të ndezur, ajo ka arritur të gozhdojë veshjet më klasike dhe të krijojë një vend për veten në industri.

Një ikonë e kohës së saj, Bellucci ka arritur të evoluojë me kalimin e kohës dhe veshjet e saj kanë parë disa ndryshime të mëdha gjatë viteve. Dhe ndërsa kohët kanë ndryshuar, aura rreth saj vazhdon të shkëlqejë më e ndritshme.

Sot në ditëlindjen e 60 vjeçares, KultPlus ju sjell disa pamje të paharrueshme të bukurisë së saj. /KultPlus.com

Përkujtohet patrioti Spiridon Ilo, i pari që regjistroi Himnin Kombëtar të Shqipërisë

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot muzikantin dhe atdhetarin e njohur shqiptar Spiridon Ilo, i cili lindi më 30 shtator të vitit 1876, në Korçë.

Ilo mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë. Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për pllakat e gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare.

Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të Himnit Kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Giuseppe Mauro.

Në vitet ’20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”. Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950./atsh/KultPlus.com

Poeti Tafa ftohet në Sarajevë në hapjen e manifestimit kulturor “Ditët e Sidranit”

Poeti Lulzim Tafa është ftuar në Sarajevë në manifestimin kulturor “Ditët e Sidranit”, i cili do të mbahet nga data 30 shtator deri më 5 tetor.

Ky festival mbahet në nder të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh boshnjak, Abdullah Sidran, i cili para pak kohësh iku në amshim.

Manifestimi është organizuar nga qyteti i Sarajevës dhe Teatri Kamertal 55, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë. Për disa ditë radhazi do të ketë aktivitete të ngjeshura kulturore dhe artistike, të cilat do t’i kushtohen jetës dhe veprimtarisë së Sidranit.

Sipas mediave boshnjake, manifestimi do të përmbyllet më 5 tetor me lexim artistik të poezive të Abdullah Sidranit dhe poetit kosovar Lulzim Tafa./KultPlus.com

Rama publikon pamje nga Alpet Shqiptare: Bukuria e Bjeshkëve të Kelmendit

Kelmendi, Njësia Administrative në Malësinë e Madhe është kthyer në një prej destinacioneve që nuk njeh stinë.

I rrethuar nga fshatra turistikë, me histori shekullore, ushqimet karakteristike, mikpritje, arkitekturë alpine e kanë shndërruar Malësinë e Kelmendit një një udhëtim të paharruar për turistë të shumtë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga bjeshkët e Kelmendit teksa turistët eksplorojnë natyrën mahnitëse edhe në këtë fund shtatori.

Zona ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, që nga turizmi i aventurës, tek ai i vëzhgimit dhe duke vijuar me kulinarinë dhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike të zonës.

Eksplorimi i shpellave, lundrimi me kajak në lumin Cem, ecjet në terrenet e pashkelura, kalërimi mes magjisë së natyrës unike, zona e Kelmendit ka shumë or të ofruar.

Tamara, qendra e Kelmendit vetëm 46 kilometra nga Kopliku, është një prej fshatrave më të frekuentuar në veri. Rruga që të çon drejt Tamarës përveç infrastrukturës moderne të ofron edhe  pamje mahnitëse të “Leqeve të Hotit”.

Razma, Boga, Zona e Recit në Komunën e Shkrelit, Lepusha, Vermoshi, Selca, janë të tjera pika turistike të njohura në Komunën e Kelmendit.

Turistët vendas e të huaj mund të eksplorojnë shpella të ndryshme në gjithë Malësinë e Madhe të cilat u ofrojnë edhe të dhëna jetësore të popullimit mijëravjeçare ku më të njohurat janë shpellat në Kelmend, Shkrel, Kastrat e Gruemirë./atsh/KultPlus.com

“Hon’ e’ don” me Shpat Dedën

“Hon’ e’ don” është duke u mbajtë së fundi në Vjenë të Austrisë dhe është duke prezantuar artistë të profileve të ndryshme nga Kosova, shkruan KultPlus.

Për muajin tetor ky projekt do të prezantojë këngëtarin e njohur Shpat Deda,  i cili do të prezantohet me Visar Kuçin e Liburn Jupollin.

Mbrëmja do të organizohet më 5 tetor në Borromaus Festival në Vjenë të Austrisë.

Ky projekt është mbështetë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës./ KultPlus.com

“Jeta ime” libri më i ri i Binak Kelmendit

Shkrimtari Binak Kelmendi së fundi ka publikuar librin e tij më të ri të titulluar “Jeta ime”, libër që është publikuar nga Pen Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.

Libri është me poezi dhe për redaktor ka shkrimtarin Sali Bashota. Ky libër është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.

Binak Kelmendi është shkrimtar, përkthyes dhe publicist, dhe në karrierën e tij letrare ka botuar romane dhe përmbledhje me poezi, ku për romanin “Portat e Pejës” është vlerësuar edhe me çmimin “Rexhai Surroi”.

Binak Kelmendi, aktualisht është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës./ KultPlus.com

69 vite nga vdekja e James Dean, aktori i parë i kinemasë i nominuar për çmim pas vdekjes

James Dean, aktori amerikan i viteve ’50, tragjedia dhe vdekja e të cilit tronditi gjithë kinematografinë amerikane, sot shënon 69-vjetorin e vdekjes, shkruan KultPlus.

James Dean u bë aktori i parë në historinë e kinëmase që nominohet për një çmim pas vdekjes. Fillimisht do të nomionhej për East of Eden (1955) dhe më pas, pas vdekjes për filmin Giant (1956).

Studioi dramë në universitetin e Kalifornisë në Los Angeles dhe u muarr me teatër, kinema dhe televizion. Shfaqja e tij e parë në televizion ishte për një reklamë për Pepsin në 3 dhjetor të 1950. Më vonë do ta ndiqnin seri dhe vepra në teatër.

Me një karakter introvert, i ashpër, melankolik, moskokëçarës dhe i apasionuar në raporte të njëjta, James Dean kishte veti të mira interpretative dhe që i sollën sukses te publiku më i ri në moshë. Duke e shndërruar në ikonë të rinisë amerikane të viteve ’50. Në vitin 1955 do të mbërrinte një nga filmat e tij më të mëdhenj; “Rebel ëithout a Cause” që do ta afirmonte atë përfundimisht si një nga idhujt kryesorë të rinisë amerikane. Tek “Gjigandi” do të interpretonte së bashku me Elizabeth Taylor dhe Rock Hudson e që do të ishte një tjetër vepër e madhe e tij.

Dean përveç pjesës së kinematografisë , kishte pasion edhe garat me makina, ku ishte hobi i tij, një pasion që do e ndiqte krejt jetën e tij, dhe e veçanta e kësaj Dean përveç pasionit për makina, ishte ikonë e stilit për veshjet e tij, ku si ndikim do e përcjellë botën e modës edhe sot, si një inspirm.

Një aktor, ku jashtë skenës së filmit ishte njeri me pak fjalë, një simbol seksi dhe një ikonë stilesh, ku e rrëthonte një misticizëm në lidhje me atë që e gjejmë të dashur kaq shumë vite më vonë. Megjithëse më i njohur për stilin e tij Causal, ai kishte disa pjesë më formale në repertorin e stilit të tij, si xhaketë të errët me jakë, bluzë e këpucë cowboy.

Stili i tij ishte paaftësi. Ai nuk u shqetësua me copa të tepërta. Pamjet e tij ishin kryesisht minimaliste. Për shembull, ai nuk kishte qasje me një kravatë. Ai nuk ishte një ndjekës i përkushtuar i modës. Ai ka shkuar shpesh me tendencën e 50-tave të Jeans-av të kthyer apo atë që ne e quajmë dukje me pantallona të gjata. / KultPlus.com

Java e Kulturës Gjermane, një festë e diversitetit kulturor dhe të ardhmes së qëndrueshme

Nga data 2 deri më 8 tetor Shqipëria mikpret Javën Kulturore Gjermane.

Muzika klasike dhe street rave party, kinematografia dhe teknikat e hershme të fotografimit, praktikat e qëndrueshme dhe startup-et inovative, si dhe ekspozitat artistike, do të mbushin këtë javë me shumë emocion, gjithëpërfshirje dhe inovacion.

Aktivitetet  nisin me ekspozitën “City X- Unë, Tiranë”, në GAT, një projekt artistik modern dhe inovativ. Veprat artistike që do të ekspozohen janë realizuar në bashkëpunim me qytetarë të ndryshëm të Tiranës, të cilët kanë sjellë vizionin e tyre për zhvillimin e qytetit.

Për të apasionuarit pas fotografisë, nga data 2 deri 6 tetor, në Qendrën Rinore Arka do të zhvillohen ditët e “Teknikave të Hershme të Fotografimit”. Pjesë e workshop-eve do të jenë Jonas Ruhs dhe Maximilian Zeitler, dy ekspertë të fotografisë analoge nga Berlini.

Ndërsa në Lezhë, në biblotekën publike “Gjergj Fishta”, më 4 tetor, do të mbahet një forum që ofron një platformë për dialog të hapur, mendim kritik dhe zgjidhje të përbashkëta të problemeve midis të rinjve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të qeverisë lokale.

Gjatë Javës Gjermane nuk do të mungojnë as shfaqjet e filmave. “Jonja”, “Franky Five Star” apo “Elaha” ju ftojnë që t’i shijoni në datat 2, 5 dhe 7 tetor.

Më 6 tetor, në rrugën “Pjetër Bogdani” në Tiranë, për të gjithë të rinjtë dhe jo vetëm do të organizohet “Street Rave with Hannes Bieger”. DJ dhe producenti me famë botërore Hannes Bieger do të ngjitet në skenë për të performuar një përzierje unike të Deep House dhe Techno music, duke përcjellë për të apasionuarit e muzikës elektronike energji dhe kreativitet.

Kurse për adhuruesit e muzikës klasike, më 7 tetor, në sallën e koncerteve UART në Tiranë, do të mbahet koncerti “Mothers, lovers, revolutionists” nga pianistja Sina Kloke dhe mexosoprano Marta Wryk. Dy artistet na ftojnë në një mbrëmje të veçantë, që vë në qendër krijimtarinë e grave në historinë e muzikës.

Ndërsa më 8 tetor, në Galeria Kalo në Tiranë, do të çelet ekspozita “Tipping Point” ndërsa në sallën koncertuale UART në Tiranë do të organizohet koncerti “Beethoven and Schubert in dialogue”.

Organizatorët ftojnë artdashësit t’i bashkohen aktiviteteve të kësaj jave dinamike, ku çdo moment do të jetë një mundësi për t’u angazhuar dhe për të festuar diversitetin kulturor dhe qasjen gjithmonë dhe më të qëndrueshme për të ardhmen./atsh/KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Përkthimit

30 shtatori, është ditë në të cilën bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, shkruan KultPlus.

Kjo ditë, që festohet më 30 shtator, bie në ditën e festës së Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës i cili konsiderohet shenjt mbrojtës i përkthyesve.

Më 24 maj 2017, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuaraka miratuar rezolutën 71/288 ku shpalli 30 shtatorin, Ditë Ndërkombëtare të Përkthimit, duke njohur rolin e përkthimit profesional në Lidhjen e Kombeve.

Draft -rezoluta A/71/L.68 u nënshkrua nga njëmbëdhjetë vende: Azerbajxhani, Bangladeshi, Bjellorusia, Kosta Rika, Kuba, Ekuadori, Paraguai, Katari, Turqia, Turkmenistani dhe Vietnami.

Përveç Federatës Ndërkombëtare të Përkthyesve, miratimi i rezolutës u mbrojt nga disa organizata të tjera, duke përfshirë Shoqatën Ndërkombëtare të Interpretuesve të Konferencave, Lidhjen Ndërkombëtare të Kritikës, Shoqatën Ndërkombëtare të Përkthyesve dhe Përkthyesve Profesionistë, Red T dhe Shoqatën Botërore të Përkthyesve të Gjuhës së Shenjave. 

Kombet e Bashkuara organizojnë konkursin e përvitshëm të përkthimit të Shën Jeronimit për përkthime gjuhë të ndryshme në arabisht, kinezisht, anglisht, frëngjisht, rusisht, spanjisht dhe gjermanisht.

Që nga viti 2018 Shoqata Amerikane e Përkthyesve feston Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit duke publikuar një sërë postimesh në median sociale që synon të shpërndajë informacionin dhe të edukojë publikun në lidhje me rolin e përkthyesve./KultPlus.com

100 vite më parë lindi shkrimtari amerikan Truman Kapote

Sot janë bërë 100 vite nga lindja e shkrimtarit amerikan, Truman Kapote.

Ai ka lindur më 30 shtator 1924 në Lujzijan, në qytetin e New Orleans. Capote lindi si Truman Strekfas Parsons. Ai ishte një fëmijë i vetmuar, i cili është pasqyruar në stilin e tij të mëtejshëm letrar. Nëna e tij kur e lindi i kishte vetëm 16 vjet e cila rezultoi me ndarje të prindërve kur i kishte vetëm 4 vjet.

Në vitin 1948 e boton romanin e tij të parë – Other Voices, Other Rooms. Në listen e New York Times bestseller ishte plot nëntë javë, gjatë të cilës shiten deri në 26.000 kopje të librit. Libri flet për të rinj adoleshent në kërkim për lumturinë.

Pastaj, e boton novelen tjetër, e cila edhe pse nuk ishte në nivelin e të parës u bë shumë e popullarizuar, sidomos pas ekranizimit në film ku luajti Audrey Hepburn.

Ndërsa romani më i famshëm i tij është Vrasja me gjakftohësi, në të cilën Capote përshkruan motivet e vrasjes për pesë vite me radhë (gjerë sa zgjatë gjykimi) në të cilën u muar nëpër qelitë e burgut, deri në përfundim të dënimit me varje të vrasësve.

Për jetën e tij në vitin 2006, është xhiruar filmi nën titullin e thjeshtë “Capote”, për të cilin, aktori Philip Seymour Hoffman e fitoi Academy Award për rolin kryesor mashkull.

Ai vdiq më 25 gusht 1984, në Los Angelos/KultPlus.com

“Bussines Day”: Shqipëria mes pesë destinacioneve më të bukura për t’u vizituar

Udhëtimi në destinacione më pak të njohura ofron përvoja unike dhe njohuri për kultura të ndryshme.

Ndërsa pikat e njohura turistike shpesh marrin vëmendjen më të madhe, eksplorimi i këtyre vendeve alternative ofron përfitime përtej kursimeve të kostos.

Udhëtimi në vende më pak të njohura ju mundëson një përvojë më gjithëpërfshirëse, duke ju ofruar një shans për të zbuluar aspekte të botës që mund të mos i kishit parashikuar.

“Bussines Day” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve më të bukura për t’u vizituar në 2024 (Shqipëria, Uzbekistani, Butani, Finlanda, Laosi).

Shqipëria

Shqipëria është shfaqur si një destinacion tërheqës për vizitorët që kërkojnë një ndërthurje të bukurisë natyrore dhe pasurisë kulturore.

Ky vend ballkanik ka një vijë bregdetare përgjatë detit Jon që ofron plazhe piktoreske dhe mundësi për aktivitete në natyrë.

Shqipëria karakterizohet nga male dhe lugina mahnitëse, ku vizitorët mund të eksplorojnë qytete të epokës osmane, rrënojat romake dhe liqene piktoreske.

Tirana, kryeqyteti, paraqet një atmosferë të gjallë urbane me kafene, restorante dhe muze.

Kuzhina lokale ofron një ndërthurje të ndikimeve mesdhetare, me pjata që nxjerrin në pah përbërësit e freskët.

Ndërsa turizmi rritet, gjuha dhe traditat unike të Shqipërisë ofrojnë një përvojë të veçantë për vizitorët./atsh/KultPlus.com

’Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti’

Bota e humbi John Lennon që në 1980-ën, por muzika dhe poezia e tij jetojnë ende në zemrat tona. Fjalët e tij për dashurinë, jetën, dhe paqen që dekada më parë i la për ne, tingëllojnë ende kuptimplota dhe na nxisin drejt një versioni më të mirë të vetes dhe të së ardhmes tonë.

Ne duam t’u kujtojmë ndjekësve tanë për këtë muzikant gjenial dhe ëndërrimtar madhështor thëniet më të fuqishme të tij:

“Jetojmë në një botë ku duhet të strukemi që të bëjmë dashuri, ndërkohë që dhuna praktikohet ditën për diell.”

“Kur shkoja në shkollë, ata më pyesnin çfarë dëshiroja të bëhesh kur të rritesha. Unë shkrujta “i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u thashë se ju s’keni kuptuar jetën.”

“Duke qenë i ndershëm nuk ke për të pasur shokë të shumtë, por gjithmonë do të kesh shokët e saktë.”

“Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni.”

“Nëse të gjithë do ta dëshironin paqen aq as dëshirojnë një set të ri televiziv, atëherë paqja do mbretëronte.”

“Të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve është e pamundur – nëse e bën, do përfundosh në një midis ku asnjërit s’i pëlqen. Duhet të marrësh vendimin për atë që mendon se është më e mira për ty, dhe bëjë atë.”

“Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti.”

“Vetëm duke provuar rrobat e të tjerëve e kuptojmë përmasën tonë.”

“Kur bën diçka fisnike dhe të bukur e askush nuk e vëren, mos u trishto. Për diellin, çdo mëngjes është i bukur, edhe pse audienca fle gjumë ende.”

“Gjithçka do të shkojë në vendin e vet në fund. Nëse gjërat nuk janë në vendin e tyre, atëherë s’ka ardhur fundi.”

“Një ëndërr që e ëndërron i vetëm, është vetëm një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërrojmë së bashku, është realitet.”

“Paqja nuk është diçka për të cilën ne lutemi dhe urojmë; është diçka që bëhet, diçka që je, dhe diçka që jepet.”/ KultPlus.com

Njeriu i ri – me shkas nga libri i Yuval N. Hararit “Nexus“

Nga Aladin Stafa

Bota rrotullohet në boshtin e vet dhe kryen heshturazi udhëtimin e saj drejt pafundësisë qiellore. Ndodhitë historike bashkë me të gjithashtu. Nga periudha e formësimit të njeriut të parë e deri në epokën e sotme, pikat kulmore të së cilës përbëjnë dhe etapat e kryerjes së saj. Secila me Njeriun-model.

Çdo kohë, me Njeriun e saj të Ri, me arketipin që jo vetëm do të luftonte për t‘iu përshtatur çdo përplasje të re, por madje do t‘ia dilte të ishte modeli i vërtetë në rrethanat e reja shoqërore, kulturore e politike që do të sillte koha.

Një human, në fillimet e tij i lidhur ngushtë me natyrën, i dyti më vonë i lidhur me liderin suprem dhe i sotmi i lidhur me teknologjine. Tek të tre thelbi mbetet i njëjtë; qëndron rrotull kufirit të jetës dhe më së shumti jo largpamës ku frika ndaj së resë e con gjithmonë drejt kaosit dhe anarshisë.

Nëse natyra dhe lideri pranohen lehtësisht nga mendja njerëzore si dy komponentë të sigurt tek të cilët njeriu në cdo kohë beson, duke përfshirë këtu edhe kultin e Zotave, teknologjia është ajo që pritet të dalë përtej parashikimeve.

Zhvillimi me hapa gjigand i saj në shek. e 21-të, sikundër po vjen një prej aplikacioneve të saj, Inteligjenca Artificiale duket se po afron dhe fillimin e një revolucioni të ri, që pritet të prodhojë dhe Tjetrin, modelin e ri.

Edhe pse evoluimi është fizik, këtë herë ai po merr përmasa të një dimensioni tjetër, të pakuptueshëm dhe krejt të panjohur. Këtë përshkruan në librin e tij të fundit studiuesi i njohur Yuval Harari. Sipas tij shumë pak kohë na ndan derisa njeriu të kthehet në një qenie mekanike, në një robot.

Dhe nisur nga kjo, të marrë ´peng´ prej teknologjisë humanizmi, liria dhe besimi janë zbehur ndjeshëm në jetën tonë të përditshme. Ndaj nëse ecet me këto ritme disa pyetje përcillen në debatin publik:

Si do të mund të kooperojnë humanët me IA-në? A është frikësuese influenca kaq e madhe në jetën tonë e teknologjisë kaq shumë të avancuar?

Mos ndoshta një përndjekje e tillë pritet të shkaktojë një varësi permanente? A rrezikojmë ne, ekzistencën tonë në një të ardhme të largët ?

Natyrisht që teknologjia është një ndihmesë e madhe për ne duke na lehtësuar ndjeshëm jetën e duke na informuar për cdo detaj që ndodh në kohë reale. Herë duke na i hapur sytë e herë duke na manipuluar. Andaj përdorimi i saj varet pikërisht nga ne, nëse është pozitiv apo negativ.

Njëkohësisht me zhvillimin e teknologjisë, njeriu po sfidohet çdo ditë e më tepër për të bërë kapërcimin e madh në aftësi e imazh. Ashtu sikurse koha ecën përpara, është e domosdoshme po aq që dhe njeriu të avancojë. Nëse dekada më parë ishte e mjaftueshme zhvillimi i vetëm i një aftësie në një fushë të caktuar, tanimë kjo nuk mjafton pasi është pikërisht teknologjia- specifikisht IA, e cila është aty në përpjekje të vazhdueshme duke na frikësuar me zëvendësimin tonë.

Kjo është arsyeja pse gara nuk është më mes nesh por shkon në një nivel tjetër evoluimi teknologjik. Një garë që nuk mund ta kontrollojë më mendja njerëzore por zhvillimi i epokës që vështirë të mendohej shekullin e kaluar. Duke qenë se humanët janë qenie lakmitare, rendja drejt perfeksionit, të bukurës dhe fitores mbetet qëllimi primar i tyre.

Por me cfare kostosh mund të vije ajo? Në një kohë tjetër dhe në duar të gabuara teknologjia mund të marrë në kontroll të plotë jetën tonë, forcën e mendimit, lirinë po aq dhe aftësitë tona krijuese. Ashtu sikurse cdo gjë ka një cikël, ndoshta dhe tonit po i vjen fundi. E nëse nuk vjen nga shkaqe natyrore, duket se do të vije pikërisht nga ne. E vetmja armë e mbetur, që gjithmonë është përdorur nga njeriu në situata kritike, është vetëdija dhe tërësia e ndjenjave të tij- forca që na kanë ardhur në ndihmë për të përballuar sfidat e ekzistencës sonë.

E ardhmja pritet të rezervojë skenarë fantastiko-shkencor, e deri atëherë rrugëtimi për të gjetur veten tonë do të vazhdojë, për të mos lënë krijesën të mundë krijuesin./TCH/ KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Zemrës

Me moton “Vepro! Me zemër për zemër!”, kjo ditë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e popullatës mbi faktorët që kontribuojnë në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe për rëndësinë e masave parandaluese që mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e këtyre sëmundjeve.

Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën, me rreth 20.5 milionë jetë të humbura çdo vit, duke përfaqësuar rreth 1/3 e vdekjeve globale dhe 85% e këtyre vdekjeve shkaktohen nga ataku dhe goditja në zemër.

Ndonëse janë të parandalueshme, ato prekin një gamë të gjerë moshash dhe grupesh sociale. Me ndryshime të vogla në stilin e jetesës, përfshirë ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik dhe menaxhimin e stresit, ne mund të mbrojmë zemrën dhe të parandalojmë këto sëmundje.

Instituti i Shëndetit Publik informon se në periudhën 2024-2026 do të organizojë fushatë nën temën “Përdoreni Zemrën për të Vepruar”, duke mbështetur individët që të kujdesen për zemrën e tyre.

Kontrolli i rregullt i faktorëve të rrezikut dhe monitorimi i tensionit tuaj arterial, mund të zvogëlojë rrezikun për të patur SKV.

Niveli i lartë i glukozës (sheqerit) në gjak mund të jenë tregues për diabet. Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaktarët e numrit më të madh të vdekjeve tek të sëmurët me diabet. Prandaj, nëse diabeti nuk diagnostikohet apo nuk nuk trajtohet, ai mund t’ju vendosë në një rrezik të lartë për sëmundje të zemrës ose goditje në tru.

Nivelet e larta të sheqerit mund të prekin muret e arterieve duke nxitur zhvillimin e pllakave yndyrore në to. Njerëzit që janë me diabet janë më të rrezikuar për të patur atak në zemër, goditje në tru apo sëmunjde të tjera të sistemit të qarkullimit. Femrat me diabet e kanë dyfish rrezikun për të patur SKV sesa femrat që nuk e kanë.

Instituti i Shëndetit Publik rekomandon që nëse ju keni diabet është shumë e rëndësishme që të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak, presionin arterial dhe kolesterolin. Kjo do t’ju ndihmojë që të mbani të ulur rrezikun për të patur SKV.

Një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar mirë, sugjeron ISHP, mund të ulë rrezikun tuaj për të patur SKV pasi:

  • Ul nivelin e kolesterolit;
  • Ul presionin arterial;
  • Mban një peshë të shëndetshme.

ISHP jep disa rekomandime:

– Mos pini pije me sheqer dhe lëngje frutash të konservuara; pini ujë ose lëngje frutash të freskëta.

– Përpiquni të konsumoni 5 racione me fruta dhe zarzavate në ditë; ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata.

– Zëvendësoni ëmbëlsirat dhe produktet e përpunuara me sheqer me fruta të freskëta, si një alternativë e shëndetshme.

– Konsumoni alkool sipas rekomandimeve.

– Përpiquni të kufizoni ushqimet e përpunuara dhe të paketuara, të cilat shpesh përmbajnë sasi të larta kripe, sheqeri dhe yndyre.

– Përgatisni vetë ushqim të shëndetshëm për fëmijët në shkollë apo për veten tuaj në punë./ KultPlus.com

Shatërvani i Trevit do të bëhet me pagesë?

Ideja për zbatimin e një “sistemi të biletës” në shatërvanin ikonik Trevi që gjendet në kryeqytetin italian Romë, i njohur edhe si “Shatërvani i Dashurisë”, me qëllim për të menaxhuar dendësinë turistike, ka ngjallur polemika.

Shatërvani i Trevit, i konsideruar si një shembull i arkitekturës së epokës së vonshme të barokut, i ndërtuar pranë Pallatit Poli nga arkitekti italian Nicola Salvi, i cili fitoi konkursin e hapur nga Papa i atëhershëm Klementi i 12-të në vitin 1732, është në qendër të një debati të ndryshëm këto ditë.

Që nga periudha kur është ndërtuar, shatërvani ka tërhequr një interesim të madh, ndërsa është shfaqur edhe në skena të paharrueshme të filmave kult si “Roman Holiday” dhe “La Dolce Vita”.

Njerëzit që e vizitojnë Romën dhe dëshirojnë sërish ta vizitojnë kryeqytetin italian shprehin dëshirë duke hedhur monedha në shatërvan. Kjo ikonë gjithashtu është një nga vendet kryesore ku turistët fotografohen ose bëjnë propozime martese para tij.

Shatërvani historik, i vizituar nga miliona turistë çdo vit, është një nga pikat e prekura nga dendësia në rritje të shpejtë turistike në Romë, veçanërisht pas pandemisë COVID-19.

Për shkak se zona rreth tij është e ngushtë dhe njerëzit që dëshirojnë të bëjnë fotografi në shkallë shpesh shkaktojnë turma të dendura, ka çuar që Bashkia e Romës të konsiderojë një masë ndryshe.

Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, në fillim të shtatorit tha se po shqyrtojnë idenë e hapjes së Shatërvanit Trevi me rezervim dhe për një numër të kufizuar vizitorësh. Sipas tij, “ky është një supozim shumë konkret”.

Kjo deklaratë ngjalli interes global pasi shatërvani është një ndër vendet më të vizituara në botë.

Kryetar i Komisionit të Turizmit të Bashkisë së Romës dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, Mariano Angelucci, i cili mbështet vendosjen e një sistemi biletash për shatërvanin historik, tregoi se vitin e kaluar kanë thyer një rekord me 30 milionë turistë.

“Pra, sigurisht që ka një presion shumë të fuqishëm në vendet qendrore të qytetit tonë, duke përfshirë shatërvanin Trevi”, tha Angelucci për Anadolu, duke e mbrojtur idenë për sistemin e biletave për shatërvanin.

Numri rekord i turistëve, sipas tij, i ka shtyrë që të gjejnë një zgjidhje.

“Natyrisht, duke qenë se nuk është diçka që mund të bëhet për një kohë shumë të shkurtër, duhet bërë një lloj studimi, një studim fizibiliteti i caktuar. Ne po shqyrtojmë një sistem biletash të kufizuar dhe të qasshëm ditor nga shkallët përballë shatërvanit”, tha Angelucci.

Ai shtoi se ende nuk kanë caktuar ndonjë çmim, por tha se flitet një çmim prej rreth 1 deri 3 euro.

Ç’mendojnë vizitorët?

Shumë turistë janë kundër tarifimit në këtë shatërvan historik, ndërsa në mesin e tyre ka edhe nga ata që mendojnë se sistemi i ri që diskutohet të zbatohet mund ta ulë dendësinë dhe të mbrojë veprën historike.

Maura McCarthy, e cila ka ardhur nga Irlanda për të vizituar Shatërvanin Trevi, tha se mendon se është shumë e rëndësishme që “ky vend të qëndrojë falas për publikun, sepse është për publikun dhe nuk duhet të tarifohet”.

Një turist nga Norvegjia, Andree dhe bashkëshortja e tij Kristen, nga ana e tyre kishin mendime të ndara. Andree e cilësoi si një ide të mirë pasi në këtë mënyrë mbrohet, ndërsa Kristen tha se nuk duhet të paguhet për ta parë shatërvanin.

Turisti anglez, Simon, i cili gjendej në Romë për të festuar përvjetorin e martesës me bashkëshorten, tha se në shumë vende të Romës muzetë dhe vendet e tjera paguhen shumë, prandaj është mirë që shatërvani të mbetet pa pagesë. / KultPlus.com