Sot shënohen gjithsej 21 vite nga vdekja e muzikantit të talentuar Johnny Cash.
Ata që pëlqejnë muzikën e Johnny Cash, e njohin pasionin e tij të çmendur për të shoqen, June. Një letër që ai i dërgonte gruas sëtij me rastin e 65- vjetorit të lindjes njihet si letra e dashurisë më e bukur në botë.
Letra është shkruar në vitin 1994. Në këtë letër ai i uron ditëlindjen gruas së tij. KultPlus ju sjellë këtë letër, ku shkruhet:
“Po plakemi dhe po mësohemi me njëri- tjetrin. Mendojmë njësoj. I lexojmë mendjen njëri- tjetrit. E dimë se çfarë duam pa pyetur. Ndonjëherë e irritojmë njëri- tjetrin nga pak. Ndoshta ndonjëherë e marrim njëri- tjetrin si të dhënë. Por ndonjëherë, si sot, meditoj për këtë dhe e kuptoj sa me fat jam që kam ndarë jetën me gruan më të mrekullueshme që kam takuar ndonjëherë. Ti më magjeps sërish dhe më frymëzon. Ti ndikon për mirë tek unë. Je objekti i dëshirës sime, arsyeja numër një në botë për ekzistencën time. Të dua shumë”.
Johnny Cash u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2003, ai ishte martuar me June Carter Cash në vitin 1968 kjo martesë zgjati deri në vdekjen e tij. Paraprakisht Cash ishte i martuar edhe me Vivian Liberto gjatë viteve 1954 deri në 1968./ KultPlus.com
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çel stinën koncertore të premten, në datën 13 shtator.
Orkestra së bashku me pianisten, Alba Shkreli dhe klarinetistin, Lorenc Stajka do të interpretojë një program të larmishëm me 3 prej kompozitorëve më të njohur botëror sikurse është Mozart, Chopin, dhe Weber.
Dirigjenti, Gridi Kraja premton se ky sezon do të sjellë për publikun edhe më shumë koncerte.
“Kemi menduar që gradualisht të shtojmë numrin e koncerteve për të qenë më afër publikut”. Me koncertet që ofrojmë e mirëpresim publikun pa bileta dhe kjo është veprim shumë simpatik i RTSH-së”, u shpreh Kraja.
Koncerti do të mbahet në Sallën e Qendrës Kulturore, Katedralja Ortodokse./rtsh/KultPlus.com
… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar Të mosqënies.
Ku janë ata që patën qënë? Shkuan Atje ku qenë – lanë prapa tyre Një tingull n’erë, shuar dalngadalë, Si çdo qënie.
Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur Kur çasti i madh troket në derën tone Urdhëronjës.
Koprace është jeta në të mira Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash – Të gjitha duhen hequr dhe duruar Zemërkthjellët.
Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë, Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh Pa keqardhje.
Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin Tim trashëgim të ta le pas vdekjes Siç e mora.
Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar: Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh, Qofsh i lumtur!./KultPlus.com
Komuna e Tuzit ka organizuar panairin e pestë të librit, një ngjarje kulturore e rëndësishme që tërheq vëmendjen e shtëpive botuese dhe dashamirësve të librit.
Ky panair synon të promovojë letërsinë, autorët dhe botimet e reja, duke krijuar një platformë për të lidhur lexuesit me krijimet më të fundit nga shtëpitë botuese të ndryshme.
Në këtë panair, morën pjesë shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, duke ofruar libra në fusha të ndryshme si historia, filozofia dhe arti. Kjo ngjarje ndihmon gjithashtu në nxitjen e bashkëpunimit kulturor mes vendeve të rajonit dhe përhapjen e vlerave të përbashkëta kulturore përmes librave.
Në Panairin e Librit,Tuz 2024, janë të pranishme edhe botimet e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Gjermani për ta pranuar çmimin e forumit M100 Sanssouci Colloquium, i cili mbahet një herë në vit që nga viti 2005 në qytetin e Potsdam-it.
“Nominimi i Presidentes Osmani është bërë nga juria e Forumit me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë dhe është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në njoftimin e bërë nga juria, thuhet se Osmanit i është dhënë ky çmim për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma. Ky çmim u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
“Përpos Presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë presidentë dhe kryeministra. Ky forum ndërkombëtar udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdam-it Mike Schubert”, ka njoftuar tutje presidenca.
Me këtë çmim deri tani janë nderuar edhe personalitete të ndryshme evropiane, si: Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Naëalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane./KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot, në 82-vjetorin e ndarjes nga jeta, studiuesin arbëresh Pal Skiroi.
Lindi më 1866 në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), Siçili. Ndoqi studimet në seminarin arbëresh të Palermos, rektor i të cilit do të bëhej më vonë. Në vitin 1912 themeloi revistën e së dielës arbëreshe, “Fjala e t’in Zoti”, një revistë fetare, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë.
Pal Skiroi është autor i shumë përkthimeve fetare që u botuan kryesisht në këtë revistë gjatë viteve 1912-1915.
Skiroit i njihet merita e rizbulimit të Mesharit të Gjon Buzukut, i pari libër në gjuhën shqipe që përfundoi së shkruari më 1555. Skiroi e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim të tij, por ky studim nuk u botua i plotë. Puna e tij e fundit, ishte përkthimi i Liturgjisë së San Giovanni Crisostomo më 1964, në Palermo. Vdiq më 12 shtator 1941 në Horën e Arbëreshëvet./atsh/KultPlus.com
Festa e Pezës po afron dhe këtë vit pritet të jetë edhe më e paharrueshme. Me një program të pasur aktivitetesh, koncertesh, piknikësh, lojërash dhe sportesh për të gjitha moshat, Peza do të shndërrohet në një qendër të vërtetë argëtimi për të gjithë familjen.
Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që t’u bashkohen festimeve që do të zhvillohen të dielën, më 15 shtator, ndërsa ceremonia zyrtare do të mbahet të hënën, më 16 shtator.
“Festa e Pezës po afron, dhe këtë vit pritet të jetë më e bukur se kurrë. Ejani të festojmë dhe nderojmë së bashku me aktivitete të ndryshme, koncert, piknik, lojëra & sporte për të gjitha moshat dhe shumë argëtim për gjithë familjen”, shkroi kryebashkiaku Veliaj./atsh/KultPlus.com
Edicioni i sivjetëm i Festivalit “Summer Cult” vjen me risi. Pjesëmarrësit do të garojnë nga ky vit, për disa çmime, që do të jepen për shfaqjet dhe artistët më të dalluar. “Summer Cult XI” u dedikohet regjisorëve të rinj dhe kontributit që po japin ata në skenën teatrore.
Shfaqje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, vijnë në skenën e Teatrit “Dodona” me 16,17 dhe 18 shtator. Në Programin e Festivalit, si edhe vitet e kaluara, nuk mungojnë as aktivitetet e tjera interesante. Dy punëtori me emra të njohur të koreografisë dhe pikturës, do të mbahen me 16 dhe 17 shtatore në CNP, në Prishtinë (Center for Narratives Practices). Dhjetëra të rinj, kanë shprehur interesimin e tyre për të mësuar më tepër rreth këtyre zhanreve të artit. Arjan Syknej, profesor universitar dhe koreograf i njohur si dhe Adriana Sedaj, piktore e shpërblyer me çmime për veprat e saj, do të ndajnë me pjesëmarrësit përvojën e tyre të gjatë. Ndërkohë në ditën e fundit të Festivalit do të mbahet në Institutin Albanologjik, Konferenca Teatrore-Edicioni VI. Tema e konferencës sivjet është – Orientimi në të Ardhmen: Sfidat dhe Mundësitë për Gjeneratën e Re të Regjisorëve të Teatrit. Në dy sesione, profesorë të Fakultetit të Arteve, artistë të njohur të teatrit, regjisorë të rinj, përfaqësues nga institucionet, do të diskutojnë dhe nxjerrin rekomandime.
Programi me 16 shtator
Shfaqja e parë që do të jepet, është “Katër trëndafilat” nga Kosova, në orën 17:00. Autore: Julia Cameron, Regjia: Erleta Rexhepi. Luajnë: Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari, Erza Sejdiu. Subjekti i shfaqjes është intrigues për publikun. Në një udhëtim tundues mes varësisë dhe shërimit, vihet në sfidë forca e shpirtit njerëzor dhe i rimëkëmbjes së gjashtë grave, të cilat i gjejnë rrugët e tyre që kryqëzohen në një qendër rehabilitimi, teksa ato përballen me demonët e tyre të brendshëm, traumat dhe pasiguritë…
Po të njëjtën mbrëmje, në Teatrin “Dodona: jepet shfaqja “ Në të njëjtën kohë, vitin tjetër” nga Kosova. Autor: Bernard Slade, Regjia: Blerta Cakaj. Luajnë: Blerta Cakaj & Elton Tahiri. Në qendër të rrëfimit është një histori komplekse dashurie. Doris dhe George, dy të huaj që takohen rastësisht në një hotel krijojnë një lidhje të veçantë që i bashkon çdo vit në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Edhe pse të martuar dhe të përkushtuar ndaj familjeve të tyre, ata e vazhdojnë këtë marrëdhënie për 25 vite, të shtyrë nga ndjenja të pavetëdijshme që i ndihmojnë të kërkojnë vetveten dhe të plotësojnë boshllëqet në jetët e tyre të zakonshme.
Programi me 17 shtator
Të martën me 17 shtator, do të jepet prej orës 17:00 shfaqja “Shërbëtoret” nga Shqipëria. Autor: Jane Genet, Regjia: Klajdi Malollari. Interpretojnë: Xhoana Karaj. Erina Lazi. Fabiana Proi. Pushteti, është lajtmotivi i veprës. Solange dhe Claire janë dy motra që janë shërbyese shtëpie. Kur zonja e tyre (Madame) është larg, ata me radhë luajnë rolin e Zonjës, ndërsa tjetra luan rolin e shërbëtores së saj. Në këtë mënyrë, ata portretizojnë të dyja anët e ndarjes së pushtetit. Qëllimi përfundimtar i lojës së tyre me role është kryerja e vrasjes së vërtetë të Zonjës si e vetmja mënyrë për të çliruar veten nga nënshtrimi.
Po në këtë mbrëmje, në orën 20:00, jepet shfaqja “Pacienti i doktor Frojdit” nga Maqedonia e Veriut. Autor: Miro Gavran,Regjisor: Gent M. Çajani. Interpretojnë: Muzafer Etemi, Adrian Aziri dhe Linda Shabani. Ngjarja groteske zhvillohet në Vjenë në zyrën e Zigmund Frojdit. Tridhjet vjeçari Adolf Hitler vjen në zyrën e Frojdit për të kërkuar ndihmë, jeta e tyre seksuale nuk po fuksionon siç duhet me të dashurën e tij Kristinën dhe si do dëshironte ai. Personazhet e diktatorit të ri të ardhshëm dhe psikiatrit më të famshëm në botë përshkruhen me shumë humor.
Programi me 18 shtator
Të mërkurën me 18 shtator nga ora 17:00 jepet shfaqja nga Kosova, “Një dorëzim në Spokan” . Regjia: Blendi Arifi , Aktorë: Alban Shahiqi, Florent Salihu, Djellza Dema, Blendi Arifi. Një njeri misterioz kërkon dorën e tij që prej 27 vitesh në një qytet fiktiv- Tarlington, Amerikë. Një çift të dashuruarish kuptojnë se ka një njeri në qytet që kërkon një dorë dhe është i gatshëm të paguaj për të. Ngjarja zhvillohet në një hotel ku pritet të ndodhë “dorëzimi” dhe aty ndodhet edhe një sportelist i cili prish planet e dy palëve.
Ndërsa prej orës 20:00 është shfaqja “Impromptu” nga Shqipëria. Autor: Tad Mosel, Regjia: Artemis Beluli. Luajnë: Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj. Nje kast aktoresh te rinj jane te detyruar te improvizojnë një pjesë për të argëtuar publikun por jo vetëm. “Impromptu” është një shfaqje brenda shfaqjes ku asgjë nuk shkon ashtu si duhet.
Në ditën e fundit të festivalit, prej orës 21:30 jepet edhe premiera e leximit skenik “Anija nuk kthehet më”. Autore, regjisore: Elmaze Nura. Interpretojnë: Hazir Haziri, Anisa Ismajli. Në qendër është drama e emigracionit. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.
Ndarja e çmimeve të festivalit, bëhet pas leximit skenik. Me grupin muzikor “Third Stream”, mbyllet edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit “Summer Cult”.
Në jurinë e Festivalit janë : Besar Zahiti, aktor dhe producent, Profesor në Fakultetin e Arteve – Kosovë, Suela Konjari, aktore -Shqipëri, Ylber Nuredini, aktor, regjisor-Maqedonia e Veriut.
Festivali “Summer Cult”, është pjesë e Programit Vjetor të organizatës kulturore Cult Club, që mbështetet nga MKRS dhe komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Veç ajo ndijonte tingujt e heshtjeve të mia. Me raste druhesha se mos koha pengestare ia mbathte teksa flisnim. Paskëtaj humba kujtesën dhe ja tek gjendem duke folur rreth saj me ty, mes dredhash duhani q’e fshehin ngashërimin tonë. Ja se ç’qenka ndryshe te kjo vetja ime: ndjenja, vetë e patrajtë, në kët’ ditë që është veç përmallimi.
Nga përmbledhja “Diario postumo: 66 poesie e altro”
Veliera turistike “Talitha” me flamur britanik është ndalur mëngjesin e sotëm në Autoritetin Portual Durrës për shërbime portuale.
Me një dizanj klasik, vepër e kompanisë “Bannernburg & Rowell”, jahti turistik me gjatësi prej 80m, ndalet sot për herë të parë në Durrës.
Vendi ynë tashmë ofron komoditetin dhe sigurinë për ndalesa turistike apo shërbime në funksion të mjeteve detare, ndërsa ndërtimi i Marinës Turistike do ta kthejë Durrësin në destinacionin kryesor turistik detar.
Porti i Durrësit edhe gjatë këtij sezoni turistik ka qenë ndalesa e një numri të lartë mjetesh turistike. Gjatë periudhës janar-korrik 230 mjete turistike detare janë ndalur në Autoriteti Portual Durrës./atsh/KultPlus.com
Teatri Dodona tashmë ka drejtoreshën e re, e cila është zgjedhur nga Komuna e Prishtinës, dhe për këtë emërim ka njoftuar drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.
Me poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Halimit.
Njihuni me Drejtoren e Re të “Teatrit Dodona”
Teatri Dodona është themeluar më 12 nëntor 1986 me angazhimin e pashoq të Rabije Bajramit dhe Ismajl Ymerit dhe që nga atëherë nuk është drejtuar nga një grua.
Nga sot Teatri “Dodona” do të udhëhiqet nga aktorja e mirënjohur Arta Mucaj.
Arta Muçaj studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën Artet Skenike, ku edhe diplomoi në vitin 1997 me titullin Aktore.
Në Teatrin Kombëtar të Tiranës si dhe atë Kosovës Arta ka qenë e angazhuar në shumë projekte teatrore regjionale dhe ndërkombëtare.
Arta ka shumë çmime si aktorja më e mirë në shfaqje të ndryshme duke na përfaqësuar me dinjitet brenda e jashtë vendit.
Artë, punë të mbarë në rrugëtimin tënd të ri!
Faleminderit ushtruesit të detyrës së drejtorit, Valdet Ramës për angazhimin dhe përkushtimin e tij./ KultPlus.com
Komedia “Karnavalet e Korçës” zbret në Teatrin Kombëtar nga data 15 deri më 22 shtator. Lajmin e ndau në rrjetet sociale edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ku shkroi se “Karnavalet e Korçës” është një komedi me trajtim e spektakël dinamik e cila do sjellë në skenën e Arturbina një gërshetim midis komedisë e serenatava gjithë ajër “pe Korçe”.
Komedia, sipas motiveve të Spiro Çomorës, vjen me regji nga Erion Isai dhe sapo u shpall fituesja e festivalit “Koko Fest 2024”, i zhvilluar në qytetin e Korçës.
“Karnavalet e Korçës” e trupës së Teatrit “Andon Z.Çajupi” u vlerësua si shfaqja më e mirë në edicionin e 11-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë. Komedia ishte në program në natën e fundit të festivalit dhe mori duartrokitjet e vlerësimet e publikut, të cilit i solli të qeshura pa fund./atsh/KultPlus.com
Kam zbritë tu’ ta mbajtë dorën, t’paktën një milion shkallë Dhe tash që s’je ma, boshllëku asht në çdo hap. Gjithsesi i shkurtë ka qenë udhëtimi ynë i gjatë. I imi ende vazhdon, s’ka ma nevojë për rastësitë, rezervimet, kurthet, përbuzjet e atij që beson se realiteti asht ai që shikon. Kam zbritë miliona shkallë tu’ ta mbajtë dorën Jo veç pse me katër sy ndoshta shihet ma mirë. Me ty i kam zbritë sepse e dija që nga ne të dy T’vetmit sy të vërtetë, edhe pse kaq të turbullt, ishin të tutë.
Sezoni i ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, nis me një koncert.
Choral Fanstasy e Beethoven-it dhe Requiem-i i Mozart-it, dy kryevepra të muzikës klasike, janë pjesë e koncertit që do të zhvillohet në TKOB në 14 shtator. Ky koncert do të angazhojë më shumë se 120 artistë.
TKOB në një postim në rrjetet social shprehet se, Choral Fantasy njihet si një ndër kompozimet më të bukur të Beethoven-it, që i ka paraprirë Simfonisë numer 9, ndërsa Requiem-i i Mozart-it, kompozimi i tij i fundit, na fut në një tjetër mister të radhës.
Koncerti zhvillohet me pjesëmarrjen e virtuozit në piano Ivo Gjika, solistëve, korit dhe orkestrës së TKOB-së, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Eva Golemi, Matias Xheli, Vikena Kamenica dhe Bledar Domi janë disa prej artistëve që do të shoqërojnë më datë 14 shtator në Requiem-in e jashtëzakonshëm të Mozartit./atsh/KultPlus.com
Poezi nga Charlie Chaplin Përshtati në shqip Arjola Zadrima
“Kam falë gabime pothuajse të pafalshme, jam mundue me zëvëndsue njerëz të pazëvëndsueshëm, e kam harru persona të paharrueshëm.
Kam veprue impulsivisht, jam zhgënjye prej njerëzve që nuk e mendoja, dhe unë kam zhgënjye.
Kam mbajtë ndokënd brenda krahëve për më e mbrojtë; Kam ba miq të përjetshëm.
Kam qeshë kur nuk ishte me u qeshë, kam dashtë e më kanë dashtë, por edhe jam refuzu.
Më kanë dashtë e s’kam mujtë me i dashtë. Kam ulëritë e jam hedh përpjetë për shumë e shumë gëzime.
Kam jetu dashnisht e kam ba premtime të përjetshme, ani pse kam djegë zemrën mija herë.
Kam qa tuj dëgju muzikë, e tuj pa fotografi.
Kam telefonu dikë veç me ja dëgju zanin. Dhe tash prapë dashurohem mbas një buzëqeshje.
Kam kujtu se po vdes prej mallit…e kam pasë frikë, se mos po humbas ndokënd fort të dashtun, ( që e humba), por mbijetova! Ende jetoj. E jeta nuk më lodhë… as ti nuk duhet me u lodhë.
Jeto! Asht prej mend gja e mirë me luftu me bindje, me e rrokë jetën , e më jetu me pasion, me humbë me klas, e me fitu tuj guxu, sepse bota i përket kujt guxon.
Jeta asht fort e bukur për me u dukë e pakuptimtë./ KultPlus.com
Eugenio Montale ishte një poet, prozator, redaktor dhe përkthyes italian dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi në 1975, shkruan KultPus.
Montale ka lindur në Xhenova. Familja e tij ishin tregtarë të produkteve kimike (i ati furnizonte firmën e Italo Svevo). Mbesa e poetit, Bianca Montale, në Cronaca famigliare (“Kronika familjare”) e 1986 portretizon karakteristikat e përbashkëta të familjes si “brishtësi nervore, drojë, koncizitet në të folur, një tendencë për të parë më të keqen në çdo ngjarje, një sens humori të caktuar”.
Montale ishte më i vogli nga gjashtë djemtë. Ai kujtoi:
Ishim një familje e madhe. Vëllezërit e mi shkuan në scagno [“zyra” në gjenovez]. Motra ime e vetme kishte një arsim universitar, por unë nuk kisha një mundësi të tillë. Në shumë familje ekzistonte një marrëveshje e pashprehur që më i vogli të lirohej nga detyra për të mbajtur mbiemrin.
Në vitin 1915 Montale punoi si kontabilist, por u la i lirë të ndiqte pasionin e tij letrar, duke frekuentuar bibliotekat e qytetit dhe duke ndjekur mësimet private të filozofisë së motrës së tij Marianna. Ai studioi edhe këndim operistik me baritonin Ernesto Sivori.
Montale ishte kryesisht autodidakt. Duke u rritur, imagjinata e tij u kap nga disa shkrimtarë, duke përfshirë Dante Alighieri, dhe nga studimi i gjuhëve të huaja (veçanërisht angleze), si dhe peizazhet e Ligurisë Levante (“Lindore”), ku ai kaloi pushimet me familjen e tij.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, si anëtar i Akademisë Ushtarake të Parmës, Montale kërkoi të dërgohej në front. Pas përvojës së shkurtër të luftës si oficer këmbësorie në Vallarsa dhe Luginën e Pusterit, ai u kthye në shtëpi në vitin 1920.
Vepra poetike
Montale shkroi më shumë se dhjetë antologji me tekste të shkurtra, një revistë të përkthimit të poezisë, plus disa libra me përkthime në prozë, dy libra me kritikë letrare dhe një me prozë fantazi. Krahas punës së tij imagjinative, ai ishte një bashkëpunëtor i vazhdueshëm në gazetën më të rëndësishme italiane, Corriere della Sera, për të cilën ai shkroi një numër të madh artikujsh mbi letërsinë, muzikën dhe artin. Ai shkroi gjithashtu një parathënie për “Komedinë Hyjnore” të Dantes, në të cilën ai përmend besueshmërinë e Dantes, mprehtësinë dhe imagjinatën e tij të paanshme. Në vitin 1925 ishte nënshkrues i Manifestit të Intelektualëve Antifashistë. Vetë politika e Montales ishte e prirur drejt liberalizmit të Piero Gobetti dhe Benedetto Croce. Ai kontribuoi në revistën letrare të Gobettit Il Baretti.
Vepra e Montale, veçanërisht përmbledhja e tij e parë me poezi Ossi di seppia (“Kockat e sepjes”), e cila u shfaq në vitin 1925, e shfaq atë si një antifashist që ndihej i shkëputur nga jeta bashkëkohore dhe gjeti ngushëllim dhe strehë në vetminë e natyrës.
Një poezi e famshme e Ossi di seppia përfundon me këto dy vargje:
Codesto solo oggi possiamo dirti, ciò che non siamo, ciò che non vogliamo.
Përkthyer në: Vetëm këtë mund t’ju themi sot, atë që nuk jemi, atë që nuk duam.
Peizazhi mesdhetar i Ligurisë së lindjes së Montales ishte një prani e fortë në këto poezi të hershme: ato i dhanë atij një lloj “izolimi personal” përballë ngjarjeve dëshpëruese rreth tij. Këto poezi theksojnë vetminë dhe ndjeshmërinë e tij personale me gjërat “të vogla” e “të parëndësishme”, apo me horizontin, detin. Sipas Montale, natyra është “e ashpër, e pakët, verbuese”. Në një botë të mbushur me disfata dhe dëshpërim, vetëm natyra dukej se zotëronte dinjitet – njëlloj siç përjeton lexuesi në leximin e poezive të tij.
Antikonformizmi i poezisë së re
Montale u transferua në Firence në 1927 për të punuar si redaktor për botuesin Bemporad. Firence ishte djepi i poezisë italiane të asaj epoke, me vepra si Canti orfici nga Dino Campana (1914) dhe tekstet e para nga Ungaretti për revistën Lacerba. Poetë të tjerë si Umberto Saba dhe Vincenzo Cardarelli ishin vlerësuar shumë. Në vitin 1929 Montale iu kërkua të ishte kryetar i Bibliotekës Gabinetto Vieusseux, një post nga i cili u përjashtua në vitin 1938 nga qeveria fashiste. Në këtë kohë, poezia e Montales ishte një reagim kundër stilit letrar të regjimit fashist. Ai bashkëpunoi me revistën Solaria dhe (duke filluar nga viti 1927) frekuentoi kafenenë letrare Le Giubbe Rosse (“Xhaketat e kuqe”) në Piazza Vittoria (tani Piazza della Repubblica). Duke e vizituar kafenenë shpesh disa herë në ditë, ai u bë një figurë qendrore midis një grupi shkrimtarësh atje, duke përfshirë Carlo Emilio Gadda, Arturo Loria dhe Elio Vittorini (të gjithë themeluesit e revistës). Shkroi pothuajse për të gjitha revistat e rëndësishme letrare të kohës.
Ndonëse i penguar nga problemet financiare dhe konformizmi letrar e social i imponuar nga autoritetet, Montale botoi në Firence antologjinë e tij më të mirë, Le casei (“Occasions”, 1939). Nga viti 1933 deri në vitin 1938 ai pati një lidhje dashurie me Irma Brandeis, një studiuese hebreje-amerikane e Dantes, e cila herë pas here vizitonte Italinë për periudha të shkurtra. Pasi ra në dashuri me Brandeis, Montale e përfaqësoi atë si një figurë ndërmjetëse si Beatrice e Dantes. Le casei përmban aludime të shumta për Brandeis, i quajtur këtu Clizia (një senhal). Franco Fortini vlerësoi Ossi di seppia të Montales dhe Le casei-n si shenjën e lartë të poezisë italiane të shekullit të 20-të.
T.S. Eliot, i cili ndante admirimin e Montales për Danten, pati një ndikim të rëndësishëm në poezinë e tij në këtë kohë; në fakt, poezitë e reja të Eliot ia tregoi Montales nga Mario Praz, i cili më pas jepte mësim në Mançester. Koncepti i korrelativit objektiv të përdorur nga Montale në poezinë e tij, ndoshta është ndikuar nga T. S. Eliot. Në vitin 1948, për ditëlindjen e gjashtëdhjetë të Eliot-it, Montale kontribuoi me një ese festive të titulluar “Eliot and Ourselves” në një koleksion të botuar për të shënuar këtë rast.
Disharmonia me botën
Nga viti 1948 deri në vdekjen e tij, Montale jetoi në Milano. Pas luftës, ai ishte anëtar i Partisë liberale të Azione. Si kontribues në Corriere della Sera, ai ishte redaktor muzikor dhe raportoi gjithashtu nga jashtë, duke përfshirë Izraelin, ku shkoi si reporter për të ndjekur vizitën e Papa Palit VI atje. Punimet e tij si gazetar janë mbledhur në Fuori di casa (“Jashtë shtëpisë”, 1969).
La bufera e altro (“Stuhia dhe gjëra të tjera”) u botua në vitin 1956 dhe shënon fundin e poezisë më të vlerësuar të Montales. Këtu figurës së tij Clizia i bashkohet La Volpe (“Dhelpra”), bazuar në poeten e re Maria Luisa Spaziani me të cilën Montale pati një lidhje gjatë viteve 1950. Megjithatë, ky vëllim paraqet edhe Clizia, e trajtuar në një sërë poezish si një lloj perëndeshë-zogu që sfidon Hitlerin. Këto janë disa nga poezitë e tij më të mëdha.
Veprat e tij të mëvonshme janë Xenia (1966), Satura (1971) dhe Diario del ’71 e del ’72 (1973). Poezia e mëvonshme e Montale është e turpshme dhe ironike, duke menduar mbi reagimin kritik ndaj veprës së tij të mëparshme dhe mbi botën që ndryshon vazhdimisht rreth tij. Satura përmban një elegji prekëse për gruan e tij Drusilla Tanzi. Ai gjithashtu shkroi një seri poezish prekëse për Clizia pak para vdekjes së tij. Fama e Montale në atë moment ishte shtrirë në të gjithë botën. Ai kishte marrë diploma nderi nga Universitetet e Milanos (1961), Kembrixhit (1967), Romës (1974) dhe ishte emëruar Senator për Jetë në Senatin Italian. Në vitin 1973 iu dha Kurora e Artë e Mbrëmjeve strugane të Poezisë në Strugë, SR Maqedoni.[10] Në vitin 1975 mori çmimin Nobel për Letërsinë.
Montale vdiq në Milano në 1981.
Në vitin 1996, u shfaq një vepër e quajtur Ditari pas vdekjes (Diario postumo) që pretendohej se ishte ‘përpiluar’ nga Montale para vdekjes së tij, me ndihmën e poetes së re Annalisa Cima; kritiku Dante Isella mendon se kjo vepër nuk është autentike. Joseph Brodsky ia kushtoi esenë e tij “Në hijen e Dantes” poezisë lirike të Eugenio Montale. / KultPlus.com
Më 11 Mars 1963, në Bajram Curr lindi Azem Hajdari, drejtuesi i lëvizjes studentore në vitet 1990-1991 që çoi në rënien e komunizmit në Shqipëri, shkruan KultPlus.
Ai më pas u bë politikan i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Z. Hajdari simbolizon fillimin e epokës demokratike në Shqipëri.
Ishte anëtar i parlamentit shqiptar dhe Kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes.
Ai u vra në Tiranë më 12 shtator 1998. / KultPlus.com
Në fund të minierës ma sekrete Në brendësi të thelbit të frutit që ha Në dridhjen e notës ma diskrete Në guaskën e përdredhun që lshon zâ
N’shtresën ma t’dendun që piktura mund t’ketë Në venën ku gjaku ma shumë gurgullon, Në fjalën që për ma së shumti butësi flet Në rranjën që fshihet sa ma thellë që shkon.
Në heshtjen ma të thellë të ksaj pauze Në të cilën jeta shndrrohet në përjetësi Kërkoj dorën tande, t’ia zgjidh nyjen ksaj kauze Me dashtë, pa besu’, ma n’fund, këtë privatësi.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e pjesëmarrjes së Kosovës për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.
Gjatë kësaj ngjarje, Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj garuesit të Kosovës, paraatletin Grevist Bytyçi, i cili mori pjesë në Lojërat Paralimpike “paris 2024”, në garën e vrapimit 1 mijë e 500 metra në kategorinë T46, të cilën ai e mbylli në pozitën e 15-të.
“Kryeministri Kurti përmendi edhe mbështetjen që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila me anë të investimeve të saj ka për qëllim rritjen dhe zhvillimin e sportit paralimpik, teksa shtoi se nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike. ‘Angazhimi institucional është thelbësor në rritjen dhe zhvillimin e këtij sport”.
“Ai shtoi se përveç rritjes së ndjeshme të buxhetit vjetor të organizatës, nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike, e ku totali i buxhetit të të dyjave arrin gjithsej 320 mijë euro për vitin 2024”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se duhet fuqizim i përpjekjeve, bashkim i forcave e nxitje për talentet që të arrijnë majat e sportit.
Ylli amerikan i pop-it, Taylor Swift deklaroi se mbështet kandidaten presidenciale demokrate, Kamala Harris në zgjedhjet e ardhshme në SHBA.
Menjëherë pasi një debati televiziv midis Harris dhe kandidatit republikan, Donald Trump, ajo hyri në Instagram për të bërë publike mbështetjen e saj.
“Unë do të jap votën time për Kamala Harris dhe Tim Walz në zgjedhjet presidenciale 2024”, shkroi Swift.
Ajo po votonte për Harris “sepse ajo lufton për të drejtat dhe kauzat, besoj se ka nevojë për një luftëtare për t’i mbrojtur ato”.
“Unë mendoj se ajo është një udhëheqëse e palëkundur, e talentuar dhe besoj se mund të arrijmë shumë më tepër në këtë vend nëse udhëhiqemi nga qetësia dhe jo kaosi”, shtoi Swift
Swift shtoi se ajo ishte “shumë e emocionuar dhe e impresionuar” nga përzgjedhja e Walz nga Harris si kandidate.
“Kam bërë kërkimin tim dhe kam bërë zgjedhjen time. Hulumtimi juaj është i juaji për ta bërë dhe zgjedhja është e juaja për ta bërë”, u tha ajo fansave të saj.
Swift tha se ajo u nxit të bënte postimin, pasi u bë e vetëdijshme për përhapjen e dezinformatave rreth saj.
“Kjo më solli në përfundimin se duhet të jem shumë transparente në lidhje me planet e mia aktuale për këto zgjedhje si votuese. Mënyra më e thjeshtë për të luftuar dezinformimin është e vërteta”, shkroi ajo.
Ajo nënshkroi postimin, i cili shfaqte një foto të këngëtares duke mbajtur një mace.
“Taylor Swift, zonja mace pa fëmijë”, një referencë ndaj komenteve përçmuese të bëra nga kandidati republikan për zëvendëspresident, JD Vance, për gratë pa fëmijë.
Në vitin 2023, një postim në Instagram nga Swift që u kërkoi fansave të saj të siguroheshin se ishin regjistruar për të votuar, shkaktoi një rekord 35 252 regjistrimesh të reja.
Ajo ka mbështetur më parë presidentin amerikan Joe Biden në fushatën presidenciale 2020./atsh/ KultPlus.com
Pardje, më 14 nëntor 1972, në orën 20:10’ vdiq në spitalin e Onkologjisë në Tiranë i shumëdashuri i ynë NONDA BULKA, një nga figurat e mëdha të kulturës dhe letërsisë sonë, prijësi i shquar, krahë përkrah me Migjenin, i letërsisë përparimtare të viteve ‘30. Në minutat e fundit të jetës, pranë tij u ndodhën Qefserja, e shoqja, Sterjovica ime, Qiroja dhe e shoqja e të vëllait të Nondës, Gabrielit, vdekur edhe ai dy vjet më parë.
Unë me Zisën dhe Shelin arritëm në spital pas gjysmë ore. Që atë natë, të veshur nga Sterjovica e nga dy infermiere, kufomën e shpumë në shtëpinë e tij. (Sterjovica e qau si të qante vëllain e saj, e ligjëroi si dinte të ligjëronte ajo si një amanet që kishte prej tij. Ilinden Spasse).
Në këto momente të vështira të jetës së tij, bashkë me Zisën, i kemi qëndruar shumë afër Nondës: dy vjet më parë jemi interesuar me Zisën, që të nisej për kura jashtë shtetit. Vajti në Bukuresht e pas dy-tri muajve u kthye i përmirësuar. Mirëpo, nuk vajti gjatë. Pas shtatë muajve u keqësua. Përsëri u nis për në Bukuresht, më 21 prill të këtij viti e ndejti gjer më 4 korrik. Në aeroport, kur zbriti na u duk i përmirësuar e optimist. U gëzua se hyri në apartamentin e ri, që nuk i gëzohej dot. Dhe dy muajt e parë dilte nga shtëpia dhe pothuajse përditë vinte tek ne; bënim muhabet, pinim nga një kafe e nuk i gëzohej dot nipit tim, Arian e mbesave. Kemi bërë për kujtim disa fotografi në oborrin e shtëpisë sime bashkë edhe me Zisa Cikulin e këto janë fotografitë e tij të fundit. Në një fotografi ka dalë vetëm me nipin e Arian në krahë. Në një tjetër me Ilon… Fotografi të dhimbshme janë edhe ato që kemi dalë më 2 janar 1972 në shtëpinë e tij me të e Qefseren, me Zisën e Shelin, me Fatmirin e Besën, me Llazarin e Erietën dhe me mua e Sterjovicën. Një kujtim këto nga poeti dhe fotografi Vasil Koçi.
Dy muajt e fundit i rralloi vizitat në shtëpinë tonë: vinte dy-tri herë në javë. Por, një muaj e gjysmë para vdekjes, nuk luajti nga shtrati. Një ditë, me kurajë të madhe, u ngrit nga krevati dhe bëmë një shëtitje deri në Krujë me iniciativën e Behar Shtyllës. Ishte dhe Zisa. E kaluam shumë mirë. Pastaj, të nesërmen, i kënaqur shumë nga shëtitja, përsëri ra në shtrat. Pas disa ditësh u bë një ceremoni e vogël në zyrat e revistës “Hosteni”, ku iu dorëzua Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të parë për aktivitetin e tij gazetaresk. Ishim disa shokë. Gjithsej 10 veta: Dashnor Mamaqi, Dhimitër Shuteriqi, Zisa Cikuli, Fatmir Gjata, Petro Marko, Niko Nikolla, Dhionis Bubani, Aleksandër Banushi, Zef Bumçi etj.
Pasi iu dorëzua Urdhri i Presidiumit të Kuvendit Popullor tha: “Me ilaçe dhe me humor do të luftoj demonin, që më ka kapur për grykë”. Dhe demoni ishte kanceri, që e kish kapur nën gjuhë e prej të cilit vdiq në spital, ku u dergj gati një muaj e ca.
Me Zisën i kemi vajtur çdo ditë, herë paradreke, herë pasdreke. E ngrinim pakëz, e mbështetnim në jastëkët dhe ia bënim: “A pimë nga një cigare?”. Dhe kjo “A pimë një cigare?” na ishte bërë zakon, si të thonim: “A pimë një kafe?”. Se kafen e duhanin që i pinte aq shumë, tani i kishte rralluar fort. Kafe nuk piu fare në spital. Kurse nga 60 cigare që pinte në ditë, dy javët e fundit arriti në dy. Njërën nga këto e pinte kur i shkonim me Zisën. I pëlqente t’i flisnim ne e ai vetëm të dëgjonte. I flisnim për politikën e jashtme, për luftën në Vietnam e për piratët e ajrit., veç gjërave të brendshme. Javën e fundit ra shumë dhe rregullën “A pimë nga një cigare?” tre ditët e fundit e lamë. Në këto ditë na zgjaste dorën, deshte të thoshte diçka, por nuk tha asgjë.
Një ditë para vdekjes, qëllova disa çaste vetëm për vetëm. Më foli greqisht t’i afrohem. Iu afrova, por në atë moment hyri kunata e tij, e po greqisht më tha: “Ajo kupton!” – dhe kështu i mbeti fjala përgjysmë. Nuk di çfarë deshte të thoshte. (Përpara disa kohe, ai i kish lënë amanet Sterjos, që Qefserja të martohej patjetër. Mund të ishte kjo edhe një përsëritje e këtij amaneti. Ilinden Spasse)
Varrimi u bë në orën 14:30’ të datës 15. XI. 1972 në varreza e Sharrës. Pjesëmarrja në varrim ishte shumë e madhe. Katër autobusë e më shumë se 20 vetura, përveç shumë njerëzve që nuk erdhën dot nga mungesa e mjeteve të komunikacionit.
Kjo pjesëmarrje e gjerë ishte mirënjohja më e madhe, që i shprehën Nondës si Qytetar i shquar, si Arsimtar i shquar e më fort si Shkrimtar i shquar.
Thomas Jefferson (1743 – 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.
Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:
“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”
“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”
“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”
“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”
“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”
“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”
“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”
“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”
“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”
“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”
“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”
“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”
“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”
“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”
“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”
“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”
“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”
“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”
“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”
“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”
“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”
“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”
“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”
“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”
“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”
“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”
“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”
“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”
“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”
“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”
“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”
“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”
“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”
“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”
“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”
“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”
“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”
“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”
“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”
“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”
“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”
“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”
“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”
“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”
“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”
“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”
“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”
“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”
“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”
“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”
“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”
“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”
“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”
“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”
“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”
“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”
“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”
“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”
“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”
“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”
“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”
“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”
“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”
“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”
“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”
“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”
“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”
“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”
“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”
“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”
“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.” /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se ministri Çeku ka takuar disa nga përfituesit e sivjetmë të thirrjes së Ministrisë së Kulturës për mbështetje studimore jashtë vendit.
“Bashkë diskutuan për rrugëtimin e tyre, fushat e studimit dhe kontributin që mund të japin për vendin tonë pas përfundimit të studimeve.
Këtë vit, nga kjo thirrje kanë përfituar 53 studentë për të ndjekur studimet në nivele të ndryshme, nga bachelor deri në post-doktoratë, në disa prej universiteteve më prestigjioze botërore”, ka njoftuar ministria.
Sipas saj, programi i bursave synon të krijojë profesionistë të rinj në profile deficitare në fushën e artit, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
“Studentët po ndjekin programe të ndryshme, duke përfshirë regji teatri, gazetari sportive, konservim, skenografi të teatrit e operës, histori arti e arkeologji. Ata po studiojnë në vende të ndryshme si Gjermani, Itali, SHBA, Francë, Slloveni, Spanjë, Holandë, Belgjikë, Skoci, Angli, Zvicër dhe Estoni”, njofton MKRS.