Parku Arkeologjik i Bylisit, destinacion për turizmin historik dhe atë arkeologjik

Parku arkeologjik i Bylisit i cili shtrihet në zonën e Mallakastrës, rreth 1.5 km larg fshatit të Hekalit dhe rreth 8 km larg qytetit të Ballshit është shndërruar në një destinacion që duhet vizituar patjetër, për historinë që mbart dhe pamjen që natyra ofron.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau sot pamje të këtij parku.

Parku Arkeologjik i Bylisit dhe rrënojat arkeologjike të Klosit janë thesare të rëndësishme për kulturën dhe identitetin kombëtar. Si të tilla ato janë në fokus të politikave të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Rrënojat e parkut arkeologjik të Bylisit, së bashku me ato të Klosit, paraqiten sot si përfaqësuesit më tipikë të qytetërimin ilir në shekullin V-I p. Kr., dhe gjithashtu si një pol i ri për zhvillimin e turizmit kulturor me potencialin për të pasuar ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të krahinës së Mallakastrës./atsh/KultPlus.com

86 vite nga lindja e ikonës Vaçe Zela, 12 herë fituese e Festivalit të RTSH-së

Vaçe Zela ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës.

Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Ajo dha një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçe Zela fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Që nga viti 2002, Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Ajo është e vetmja grua shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Vaçe Zela vdiq më 6 shkurt 2014, në Bazel, Zvicër. / KultPlus.com

Fotoja më ikonike e Marylin Monroe

Ylli, e veshur me të bardha, me fundin e saj të ngritur nga një rrymë ajri, u portretizua në imazhin e famshëm në vitin 1954 nga fotografi Sam Shaw, ndërsa ishte e zënë duke punuar për filmin “The Seven Year Itch”.

Imazhi i aktores është publikuar miliona herë, jo vetëm në libra dhe gazeta, por edhe në bluza, kriklla birre dhe kalendarë.

“Unë nuk kam vdekur ende dhe jam i zemëruar me djalin tim”, Sam vite më parë, në mes të një mosmarrëveshjeje për të drejtat e autorit.

”Ai duhet të më kthejë çdo dollar për atë që më mashtroi”, tha fotografi, duke paditur djalin e tij për 100 milionë dollarë.

Shaw ishte mik me Marilyn Monroe.

Fotoja është rënë dakord mes të dyve.

Shpërthimi i ajrit, i ardhur nga grila e një metroje, u shkaktua nga një ventilator i fuqishëm i vendosur poshtë grilës.

”Do të doja të isha në gjendje të them se e kam kapur imazhin në fluturim, por kjo nuk do të ishte e vërteta. Fotoja është përgatitur me kujdes”, deklaroi ai dikur./ KultPlus.com

“Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë, më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin”

Poezi nga Jim Morrison

Duke shikuar dallgët rrokullisur në oqeanin blu
Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty
Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë
Më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin
Ndjenja e dashurisë që kam kur mbaj dorën tënde
Natë vere kur ecë në rërë
Valët që derdhen mbi shkëmbinjtë përgjatë vijës bregdetare
Më sjellë lot në sytë e mi duke e ditur që je imja
Ndarja e një dashurie si e jona, zemra ime e lumtur psherëtin
Duke shikuar retë vjollcë që lundrojnë shkujdesshëm./ KultPlus.com

E konsideruar si një nga fotot më të trishta në histori, cili është kuptimi i saj

Me siguri e keni hasur këtë foto në rrjetet sociale, ose ndoshta kjo është hera e parë që e shihni. Bëhet fjalë për një foto të shkrepur nga fotografi Don Mçullin, i cili u ka kushtuar një vëmendje të veçantë momenteve të trishta të luftës së Biafras (luftë civile ndërmjet qeverisë së Nigerisë dhe Republikës së Biafrës). Në vetëm tri vite (1967 – 1970) në këtë luftë vdiqën më tepër se një million njerëz. Shpërndarja e ushqimeve u kufizua shumë në rajonin e Biafrës, duke shkaktuar uri ekstreme dhe vdekje të shumta.

Në foton e këtij artikulli do të mund të shihni një nga momentet më të dhimbshme të kësaj lufte, një nënë 24 vjeçare të uritur, kockë e lëkurë, gati në prag të vdekjes, e cila edhe pse vetë nuk është e ushqyer, zgjedh të ushqejë me gji fëmijën e saj. Ajo duket dinjitoze dhe e sheh drejt e në sy fotografin, personin përballë saj, duke dashur t’ia transmetojë atij hapur mesazhin madhor.

Mesazhi është ai i vazhdimësisë së jetës, pavarësisht çdo vështirësie, dhe se burimi i jetës mbetet nëna. Edhe në kushtet e urisë ekstreme, në kushtet e afrimit të vdekjes, nëna përherë do të zgjedhë të vetësakrifikohet për fëmijën e saj. Jo më kot kjo mbahet si një ndër fotot më të dhimbshme e të trishta në histori./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti ka pritur në takim alpinisten Uta Ibrahimi

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij alpinisten e njohur, Uta Ibrahimi, e cila ka arritur disa suksese të jashtëzakonshme në alpinizëm.

Kurti e përgëzoi për sukseset e saj dhe përfaqësimin e denjë të vendit tonë nëpër botë, si dhe i uroi fat dhe mbarësi në ngjitjen e saj të radhës.

“Ajo është gruaja e parë shqiptare e cila arriti të ngjitet në majën më të lartë të botës – Everest. Njëherësh alpinistja e parë në Ballkan që ka ngjitur 13 nga 14 majat mbi 8000 metra – të njohura si çatitë e botës. Aktualisht po bën përgatitjet e fundit për të ngjitur majën e Kanchenjungës – maja e tretë më e lartë në botë”, tha ai.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se në këtë takim alpinistja Ibrahimi i dhuroi kryeministrit Kurti librin e saj për fëmijë, “Uta në Sharr”./ KultPlus.com

Fotografi Fadil Berisha nderohet me “Çelësin e Prishtinës”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka nderuar fotografin e shquar Fadil Berisha.

Rama ia ka dhënë “Çelësin e Prishtins”, artistit Berisha, duke e vlerëuar atë për kontributin si një ambasador i kulturës shqiptare.

“Nderuam një figurë të jashtëzakonshme, një artist të çmuar dhe një ambasador të kulturës shqiptare, fotografin e njohur Fadil Berisha. Përmes talentit dhe pasionit të tij, Fadil ka ndihmuar në pasqyrimin dhe promovimin e bukurisë dhe kulturës shqiptare përtej kufijve, duke mbajtur gjallë historinë dhe identitetin tonë. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në procesin e pavarësisë së Kosovës, duke kontribuar nëpërmjet shumë ngjarjeve të mbledhjes së fondeve dhe duke qenë një ambasador i vërtetë i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

“Si Kryetar i Kryeqytetit, është nder i veçantë të ja dhuroj “Çelësin e Prishtinës”, një simbol i mirënjohjes dhe respektit të thellë që qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës kanë për të dhe për kontributin e tij të pazevendësueshëm. Ky çelës përfaqëson dyert që ai ka hapur për popullin shqiptar dhe urat që ka ndërtuar ndërmjet nesh dhe botës. Fadil Berisha, vazhdoni të jetë shembull frymëzimi, burim i shpresës dhe një simbol i krenarisë kombëtare”.

“Mirënjohje për gjithçka që keni arritur dhe që asnjëherë nuk harruat sa i rëndësishëm është imazhi i kombit në botë. Faleminderit për vazhdimësinë e ndikimit tuaj në forcimin e lidhjeve kulturore të shqiptarëve në aspekt ndërkombëtar. Jeni krenaria jonë”, ka shkruar Rama në Facebook. / KultPlus.com

Si vdes tek unë kujtimi yt, si vdesin flokët dhe gjithçka…

Poezi nga Ismail Kadare

Kristal

Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
Si të harroj un’ dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj unë posht’e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer a morg-kristal,
Mos duhet vall’ prap’ të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë ?

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj./ KultPlus.com

Tulipanët

Poezi nga Sylvia Plath

Tulipanët janë shumë nervozë, është dimër këtu,
Shiko si çdo gjë është e bardhë, e qetë, me dëborë.
Mësoj paqen, ndërsa prehet e qetë afër meje
si drita mbi këto mure të bardha, si ky shtrat, si këto duar.
S’jam askushi, s’kam të bëj me shpërthimet.
I dhashë emrin tim dhe rrobat e mia infermiereve,
historinë time anestezistit dhe trupin tim kirurgëve.

Kanë mbështetur kokën time midis jastëkut dhe buzës së çarçafit
si një sy midis qepallave të bardha që s’do të mbyllen.
Bebëz budallaqe, duhet të grumbullosh gjithçka.
Infermieret kalojnë dhe rikalojnë, nuk turbullojnë,
kalojnë si pulëbardhat drejt tokës me skufjet e tyre të bardha,
duke bërë gjëra me duar, të barabarta me njëra-tjetrën,
kështu që është e pamundur të thuhet se sa janë.

Trupi im është një gur për ata, bëhen gati si uji
për gurët mbi të cilat duhet të rrjedhë, duke i lëmuar me mirësjellje.
Më japin topitje me gjilpërat e halave xixëlluese, më japin gjumë.
Tani kam humbur veten time jam e lodhur nga bagazhet –
Çanta ime prej lëkurë si një kutizë e zezë pilulash,
burri dhe fëmija im buzëqeshin në fotografinë familjare;
buzëqeshjet e tyre më mbërthejnë lëkurën, grepa të vegjël të buzëqeshur.

Kam hedhur gjëra në det, unë, anija tridhjtëveçare.
bashkangjitur fort tek emrin im dhe tek adresa.
Ata kanë fshirë të gjitha ndjenjat e mia.
E frikësuar dhe e zhveshur mbi barelën e gjelbër plastike
Kam parë çajnikun tim, komonë e rrobave, librat e mi
të zhyten thellë, si dhe ujin të më arrijë mbi kokë.
Jam një murgeshë, tani nuk kam qenë kurrë kaq e pastër.

Nuk doja lule, doja vetëm të shtrihem,
me pëllëmbët lart krejtësisht bosh.
Të jesh i lirë, s’e keni idenë se sa të lirë jeni-
paqja është kaq e madhe sa të verbon,
S’ kërkon asgjë, një etiketë me emrin, ndonjë çikërrimë.
Me këtë, më në fund, mbyllin të vdekurit; i përfytyroj
duke e mbllaçitur si një meshë kungimi.

Tulipanët janë tepër të kuq në radhë të parë, më plagosin.
Edhe nëpërmjet dhuratës së paketuar si dhuratë i dëgjoja të merrnin frymë ngadalë,
nëpërmjet fashës së bardhë, si një fëmijë monstruoz.

Faqekuqët i flasin plagës sime, i përgjigjen.
Janë tradhtarë:duken se valëzojnë, edhe nëse më tërheqin poshtë,
duke më ngatërruar me gjuhën e tyre të beftë e me ngjyrën,
një duzinë tulipanësh të kuq të plumbtë rreth qafës sime.

Më parë asnjë s’më përgjonte, tani po më përgjojnë.
Tulipanët kthehen drejt meje, dhe dritarja pas
ku drita çdo ditë zgjerohet e hollohet,
unë shoh veten, madje, qesharake, hije letre e riprerë
midis syrit të diellit dhe syve të tulipanëve,
nuk kam fytyrë, kam dashur të shuhem.
Tulipanët gjallërues konsumojnë oksigjenin tim.

Para se të vinin atmosfera ishte mjaft e qetë,
Pulsonte, frymëmarrje pas frymëmarrjeje, pa ndërprerje.
Pastaj tulipanët e mbushën me zhurmë të madhe.
Tani ajri i shtyn dhe i vërtit përreth si lumë
i shtyn dhe i shtjell rreth një makine të kuqe-ndryshku të thellë.
Koncentrojnë vëmendjen time, që ishte e lumtur
duke luajtur e duke pushuar pa u angazhuar.

Edhe muret duken se u ngrohën midis tyre.
Tulipët duhej të qëndronin pas hekurave si kafshë të rrezikshme;
hapen si goja e një tigri të madh afrikan,
dhe unë kujtohem për zemrën time: hap e mbyll
vazon e saj të gonxheve të kuqe për dashurinë time të vërtetë.
Uji që shijoj është i ngrohtë dhe i kripur si deti,
dhe vjen nga një vend i largët si shëndeti.

Përktheu: Faslli Haliti./ KultPlus.com

‘Beso n’zanin tem që andrron e kndon e që ndërton parajsen tande’

Nga Anna de Noailles 

Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ.
Kurrfar dredhiet, nuk asht e nevojshme
Kur krahu i ngrohtë shtërngon
Trupin e pakapshëm që na ka pëlqye.

– Beso n’zanin tem që andrron e kndon
E që ndërton parajsen tande.
A do ta dije ti që jam e keqe
Po mos ta kisha thanë un?

– Dobsisht e keqe, në mendje,
E për me gjetë hera-herës
Kte vetmi kuptimplote
Që e kam mohue duke të dashtë !

Përktheu: Eva Hila/ KultPlus.com

Zvicra do të shpenzojë 47 milionë franga për dronë luftarakë

Autoritetet zvicerane po synojnë të blejnë sa më shpejt dronë luftarakë me rreze të gjatë veprimi, sipas një raporti të gazetës NZZ am Sonntag.

Ky synim është përcaktuar nga një “Taskforcë për Dronët”, e krijuar verën e kaluar nga Armasuisse, Zyra Federale për Prokurimin e Mjeteve të Mbrojtjes. Në total, planifikohet një investim prej 47 milionë frangash zvicerane (rreth 55 milionë dollarë amerikanë) gjatë tre viteve të ardhshme për zhvillimin e këtij projekti. Armasuisse e ka konfirmuar këtë informacion për agjencinë e lajmeve Keystone-ATS, transmeton albinfo.ch.

Sipas Thomas Rothacher, zëvendës-shefit të armatimit dhe drejtuesit të Taskforcës për Dronët, objektivi është që deri në vitin 2027 Zvicra të ketë njohuritë dhe kapacitetet e nevojshme për përdorimin e dronëve të armatosur në situata të jashtëzakonshme dhe mbi distanca të gjata.

Fillimisht, dronët do të testohen me misione pa eksplozivë dhe me simulime të përdorimit të armëve. Testet pritet të nisin vitin e ardhshëm, ndërsa ushtria zvicerane planifikon t’i zhvillojë ato në poligonin e Val Cristallina, në kantonin Graubünden, në juglindje të Zvicrës.

Kjo iniciativë është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për modernizimin e ushtrisë zvicerane, ndërkohë që po diskutohet edhe zhvillimi i pavarur i dronëve brenda vendit./ KultPlus.com

Trump zgjat afatin e marrëveshjes TikTok me 75 ditë

Donald Trump zgjat afatin për një marrëveshje TikTok me 75 ditë të tjera, bëri të ditur presidenti në rrjetin e tij social “Truth”.

“Administrata ime po punon shumë për të shpëtuar TikTok dhe ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm”, thotë Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump disa ditë më parë tha se ”do të ishte i gatshëm të ulte tarifat ndaj Kinës për të arritur një marrëveshje me kompaninë mëmë kineze të TikTok, “ByteDance”, për të shitur aplikacionin e medias sociale të përdorur nga 170 milionë” amerikanë, sipas “The Guardian”.

Ai pranoi rolin që Kina do të luante në çdo marrëveshje. “Në lidhje me TikTok-un, dhe Kina do të duhet të luajë një rol, ndoshta në formën e një miratimi, ndoshta, dhe unë mendoj se ata do ta bëjnë këtë”, u tha dje Trump gazetarëve./ KultPlus.com

6 Prilli, Dita Botërore e Promovimit të Aktivitetit Fizik

Instituti i Shëndetit Publik sjell në kujtesë sot 6 Prillin, Ditën Botërore të Promovimit të Aktivitetit Fizik, duke kujtuar se sa e rëndësishme është që të rritet vëmendja e publikut, si edhe njohuritë në lidhje me dobinё qё sjell aktiviteti fizik nё parandalimin e sёmundjeve jo tё transmetueshme.

“Dita e promovimit tё aktivitetit fizik i referohet aktivitetit fizik tё moderuar deri tё fuqishëm tё ҫfarёdo tipi, qё ҫdo njeri mund ta realizojё kudo me qёllim pёrmirёsimin e shёndetit”, thuhet në një postim të ISHP-së në rrjetet sociale.

Sipas ISHP-së, objektivat kryesore tё aktiviteteve kombёtare janё: rritja e vёmendjes sё publikut tё gjerё pёr rёndёsinё dhe pёrfitimet qё sjell nё shёndet aktiviteti fizik kryesisht nё parandalimin e sёmundjeve jo tё transmetueshme; promovimi i pёrfitimeve qё sjell aktiviteti fizik duke i informuar pёr praktikat mё tё mira; rritjen e pjesёmarrjes sё popullatёs sё gjerё nё aktivitete fizike duke shfrytёzuar tё gjitha mundёsitё e mundshme (gjatё kohёs sё lirё, transportit, punёs), si edhe promovimin e sjelljeve dhe stilin e njё jete tё shёndetshme./ KultPlus.com

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë do të rinovohet

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë, do të rinovohet dhe do t’i pasurohet fondi.

Ministri po ashtu foli për programe edukative, duke u fokusuar veçanërisht tek informacioni imersiv (tredimensional), fëmijët dhe të rinjtë.

Gonxhja vizitoi muzeun me Ardit Bidon, njëkohësisht kandidat i PS-së në qarkun e Vlorës.

“Me kolegun Ardit Bido dhe grupin e historianëve, do të rishikojmë e rinovojmë muzealizimin e këtij objekti thelbësor për historinë e shtetformimit të Shqipërisë. Me një qasje të re, bashkëkohore dhe inovative, synojmë të pasurojmë fondin e muzeut, eksperiencën turistike dhe programet edukative, duke u fokusuar veçanërisht te informacioni imersiv, fëmijët dhe të rinjtë”, u shpreh ai.

Muzeu është i pajisur me dokumente të rëndësishme. Me fotografitë e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit. Brenda godinës vizitorët mund të shohin kabinetin e punës si dhe sallën e mbledhjeve të qeverisë së përkoshme të Ismail Qemalit, flamujt origjinalë të çetave kryengritëse, libra origjinalë të rilindësve të asaj periudhe. Pastaj disa objekte origjinale të Plakut mjekërbardh si: kallamari me shqiponjën e bronztë, karrigia e punës etj.

Vizitorët kanë mundësi për të parë edhe objekte të tjera origjinale, që pasqyrojnë përpjekjet e luftërat e popullit shqiptar për çlirim kombëtar./atsh/ KultPlus.com

Papa Françesku shfaqet papritur mes besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit

Papa Françesku, i shëruar nga një pneumoni e rëndë, bëri sot një paraqitje surprizë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan duke përshëndetur dhe bekuar besimtarët, dy javë pas daljes nga spitali.

“Gëzuar të dielën të gjithëve. Faleminderit shumë”, deklaroi papa 88-vjeçar, me një zë ende të brishtë, por më pak të dobët se kur u largua nga spitali ”Gemelli”, më 23 mars.

Nën kamerat e celularëve, papa eci nëpër turmën e besimtarëve në sheshin përballë sheshit të Shën Pjetrit, i shtyrë në një karrocë me rrota dhe duke mbajtur tubat e oksigjenit në hundë, në fund të një meshe të madhe kushtuar të sëmurëve.

Para altarit, ai bekoi më pas mijëra besimtarët e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, përpara se të përshëndeste, një nga një, një grusht njerëzish pas altarit.

Edhe pse Vatikani ka raportuar përmirësime të vazhdueshme ditët e fundit, kjo paraqitje publike, e para në Vatikan që nga shtrimi i tij në spital më 14 shkurt, nuk ishte njoftuar.

Teorikisht, papa Françesku duhet t’i nënshtrohet një rikuperimi dymujor pas këtij shqetësimi të rëndë shëndetësor që kërcënoi dy herë jetën e tij, me pushim të rreptë, pa aktivitet publik dhe pa kontakt me besimtarët, për të kufizuar rrezikun e rikthimit./ atsh/ KultPlus.com

Qindra vizitorë në muzeun ‘Gjon Mili’ në Korçë, turistët mahniten nga fotografitë

Muzeu Gjon Mili në Korçë është nga më të vizituarit, kryesisht nga turistë elitarë të huaj që njohin jo vetëm artin e fotografisë por mbi të gjitha fotografin me famë botërore.

Edhe vitin e kaluar por dhe në këtë fillim vit, turistët që vizitojnë muzeun e fotografit me një stil krejt të veçantë janë të shumtë nga vende të ndryshme të botës.

Bashkëshortët kanadezë vizitojnë për herë të parë qytetin më të madh në juglindje të vendit, ndërsa nuk kishin si mos të vizitonin muzeun Gjon Mili.

“Unë jam vetë fotograf, e kisha parë më parë punimet e Gjon Milit por nuk e dija që ishte shqiptar dhe nga Korça. Këtu muzeu është mbresëlënës, sidomos fotografitë me lëvizjen e dritës, kjo është fotografia në thelb. Qyteti i Korçës duket shumë mirë, ne kemi vetëm dy ditë këtu dhe mezi presim të vizitojmë e vende të tjera në qytet”, tha turisti kanadez, Jeff Denhartam.

“Vijmë nga Kanadaja për herë të parë në Korçë. Muzeu po me pëlqen shumë, ka shumë fotografi që flasin për historinë botërore dhe ju jeni me fat që ky fotograf është nga vendi juaj. Gjon Mili njihet në botë por duhet të njihet edhe si shqiptar. Në Shqipëri është hera e parë që vijmë dhe gjithçka po me duket fantastike. Patjetër që do rikthehemi”, tha bashkëshortja e Jeff, Christine Denhartam.

Përgjegjësi i muzeut Kristi Ktona tha se turistët habiten me faktin se fotografi është nga Korça.

“Ka pasur turistë nga Meksika, Peruja, Kolumbia. Është një fotograf që pothuajse të gjithë e kanë parë, por nuk e dinë që është shqiptar dhe kur vinë, surprizohen si një vend kaq i vogël ka prodhuar një njeri kaq të madh”, tha Ktona.

Në muzeun Gjon Mili në Korçë janë të ekspozuara 240 fotografi , të cilat përshkruajnë artistë, sportistë dhe figura të njohura shoqërore nga Roma deri në Hollywood./ euronews/ KultPlus.com

Hapet Shtëpia e Kulturës Shqiptare në Osijek të Kroacisë

Në Osijek të Kroacisë, sot është hapur Shtëpia e Kulturës Shqiptare, e cila i dedikohet pasurimit dhe promovimit të kulturës dhe artit shqiptar.

Ky projekt i cili synon të jetë një pikë e rëndësishme për zhvillimin kulturor është realizuar në saje të bashkëpunimit të ngushtë mes Unionit të shqiptarëve dhe Shoqatës së Shqiptarëve të Prefekturës së Osijekut dhe Baranjës.

“Shtëpia e Kulturës ofron mundësi të pasura për të gjithë ata që duan të shprehin kreativitetin e tyre dhe të përjetojnë pasurinë e artit dhe traditave shqiptare. Shpresojmë shumë që kjo shtëpi e kulturës të jetë e mbushur me aktivitete të ndryshme nga ekspozitat, shfaqjet teatrore, koncertet muzikore e ngjarje edukative, Qendra e Kulturës do të jetë një vend ku qytetarët mund të krijojnë, të mësojnë dhe të bashkëpunojnë”, njofton Unioni Shqiptarëve Republika Kroacisë.

Të pranishëm ishin personalitete të shumta si zëvendës kryebashkiaku i Osijekut z.Dragan Vuljin, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut Milaim Fetai, shoqata e bashkësi Shqiptare dhe Këshille Shqiptare nga e gjithë Kroacia, qytetarë të shumtë, veteranë të luftës, ansambli i fëmijëve nga qyteti i Mitrovicës, i dërguari i kryebashkiakut të qytetit të Mitrovicës e shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë e veprojnë në Kroaci.

Hapja e Qendrës së Kulturës është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për Osijekun, një qytet që ka një histori të pasur kulturore. Nëkëtë hapje mori pjesë Shoqata kulturore Shqipëtare “Shkëndija” me kryetaren Gentiana Lleshdedaj ku patën një performacë të jashtzakonshme me këngë e valle shqipe./ KultPlus.com

A e dini historinë ‘Po shkunden plakat’?

Sipas rrëfimeve nga brezi në brez, ndryshimet e motit në fillim apo në fund të muajit mars lidhen me “mitin e plakave”.

Në disa krahina të vendit ky mit kujtohet në fillim të muajit kur marsi i mori ditë borxh shkurtit ç’ka shpjegon edhe arsyen se përse shkurti është muaji më i shkurtër.

Ndërsa për krahina të tjera, ajo kujtohet në dy ditët e fundit të marsit.

“Plakat” përdoren edhe në ditët e sotme, pasi shpesh dëgjojmë të thuhet se “bën ftohtë ngaqë janë plakat”.

Sipas gojëdhënave shqiptare, plaka kishte shkuar në mal për të kullotur bagëtitë dhe duke parë motin e ngrohtë e me diell tha: Tani unë do t’i kullos për qejf bagëtitë, të dh’…fsha dimrin”.

Në këtë moment, marsi tha: “Shkurt o im vëlla, me jep tri ditë hua ta ngrij plakën me gjithçka.

Menjëherë pas kësaj, u bë aq ftohtë saqë plaka ngriu me gjithë bagëtitë në mal, duke u kthyer në shkëmb.

Mali Tomorr është vendi ku plaka u ngri me bagëtinë e saj, nga ditët qe mori hua muaji mars.

Madje gojëdhëna thotë se në atë vend sot gjendet një gur si në formën e një Plake, ku edhe sot e kësaj dite, aty buron ujë, që thuhet se janë lotët e Plakës.

Kështu lindi legjenda e të ashtuquajturave ”Plakat e Marsit”, e cila sot përdoret si një metafor për të ndarë stinën e dimrit me atë të pranverës, përkatësisht mes 14 marsit dhe 14 prillit, ku 14 prilli sipas legjendës shënon 1 marsin, ardhjen e stinës së luleve.

Kjo gojëdhënë është e njohur thuajse ne gjithë Ballkanin apo dhe vende te tjera te botes.

Pavarësisht se sa e vërtetë është, “miti i Plakave” përdoret edhe sot dhe metereolgoët pranojnë se tre ditët përmbyllëse të marsit sipas kalendarit “alla turka” kanë sjellë mot të ftohtë dhe me reshje.

Ndërsa prilli si gjithmonë vjen me mot të mirë.

4 VERSIONE TË LEGJENDËS
Gjithsesi, gojëdhëna e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione dhe më poshtë janë disa më kryesoret, në version të shkurtuar…

  1. Vjen marsi.
    Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal. E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: “Dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit.”
    Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit.
  2. Plakat e marsit janë shtatë.
    Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar).

Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit Mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (Marsi) i merrte të keqen. Këngën e kënduan të gjitha plakat me rradhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.

Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe cdo vit në muajin mars bie shumë shi shtatë ditë me rradhë, dhe në male bie borë.

  1. Nga veriu thonë se mullizeza (lloj shpendi) celi zogjtë që në mars.
    E lumtur nga koha e ngrohtë, edhe ajo filloi ta shante marsin: Mullizeza zogjt i çeli, na marsh të keqen Mars kaçeli…

Edhe këtë muaji Mars e ngriu me gjithë zogj në fole. Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave.

Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhanes. Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me roba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.

  1. Kur plakat i thanë marsit, “na marrsh të keqen”, marsi u zemerua aq shumë sa tha “shkurt (apo prill?) o im vëlla, më jep dy dite hua, t’i thaj plakat me gjith ç’kanë… ”

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e masakrës së Polacit dhe asaj të Qabiqit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot të rënët në masakrën e fshatit Polac dhe Qabiq.

Në prillin e vitit 1999, në Polac, në njërën nga ofansivat më të egra të regjimit gjenocidal serb, brenda një jave janë vrarë 78 civilë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Kurse më 7 prill të 1999, ushtria serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë.

Presidentja Osmani ka thënë se Masakra e Polacit dhe e Qabiqit nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë së vendit, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet.

“Sot përulemi me nderim të thellë edhe para kujtimit të 8 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë në altarin e lirisë.

Më 7 prill të atij viti, makineria vrastare serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë, në një tjetër krim që dëshmon përmasat e terrorit që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në atë kohë.

Këto masakra nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë sonë, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet. Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi.

Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!”, thuhet në shkrimin e presidentes./ KultPlus.com

Zemër në zemër

Rita Frances Dove (1952), poete, prozatore dhe eseiste amerikane. Dove ka fituar Çmimin Pulitzer më 1987 dhe ka qenë Poete Laureate e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1993-95, si dhe Poete Laureate e Virginias gjatë viteve 2004-06.

ZEMËR NË ZEMËR

Nga Rita Dove

Nuk është e kuqe

as e ëmbël.

Nuk shkrihet

as nuk rrotullohet,

thyhet a ngurtësohet,

kështu që mund të ndiejë

dhimbje,

mall,

keqardhje.

Nuk ka një

maje ku të rrotullohet,

bile as nuk është

e lezetshme –

veç një fërkim i fortë

muskuli,

i shtrembëruar,

i heshtur. Prapëseprapë,

ndiej brenda

kafazit të saj të tringëllojë

një tatuazh i amullt:

dua, dua 

por s’mund ta hap:

s’ka çelës.

S’mund ta mbaj

në mëngët e mia,

apo t’jua them juve nga

fundi i saj

si ndihem. Këtu,

është e gjitha e juaja, tash –

por ju duhet

të më merrni edhe mua,

po ashtu.

Heart to Heart

It’s neither red/ nor sweet./ It doesn’t melt/ or turn over,/ break or harden,/ so it can’t feel/ pain,/ yearning,/ regret.// It doesn’t have/ a tip to spin on,/ it isn’t even/ shapely—/ just a thick clutch/ of muscle,/ lopsided,/ mute. Still/ I feel it inside/ its cage sounding
a dull tattoo:/ I want, I want—// but I can’t open it:/ there’s no key./ I can’t wear it/ n my sleeve,/ or tell you from/ the bottom of it/ how I feel. Here,/ it’s all yours, now—/ but you’ll have/ to take me,/ too.

Shënim i autores:

Si të gjejmë fjalë për zemrën e njeriut dhe të gjitha emocionet që ia përshkruajmë? Shtegu është një fushë e vërtetë e minuar prej klieshesh – asosh të menduara mirë, dikur shprehje të freskëta popullariteti i vërtetë i të cilave i ka bërë të padobishme, madje qesharake. Ndava mendjen të përdorja këto metafora të lodhta dhe ta dekonstruktoj kamuflimin e tyre, derisa e gjithë ajo që mbetet të jetë ‘zemra’ e vërtetë e lëndës: një qenie njerëzore, e zhveshur nga theshethemet dhe artificiet, që i flet të dashurës.

/poets.org /Gazeta Express/ KultPlus.com

Musk në favor të tregtisë së lirë transatlantike pa tarifa

Këshilltari presidencial i SHBA-së, Elon Musk, ka folur në favor të një zone të tregtisë së lirë transatlantike pa tarifa, disa orë pasi tarifat e reja globale gjithëpërfshirëse të presidentit Donald Trump hynë në fuqi.

Duke folur përmes lidhjes video në një konferencë të partisë së krahut të djathtë të Italisë ”Lega”, në Firence të shtunën vonë, kreu i prodhuesit të makinave elektrike ”Tesla” tha se shpresonte që ”SHBA dhe Evropa të mund të bien dakord për një partneritet edhe më të ngushtë se më parë”.

”Shpresoj se me tarifat është rënë dakord që si Evropa ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të lëvizin, në mënyrë ideale për mendimin tim, në një situatë me tarifa zero, duke krijuar në mënyrë efektive një zonë të tregtisë së lirë midis Evropës dhe Amerikës së Veriut”, tha Musk.

Dje, qeveria amerikane prezantoi tarifa universale prej një minimumi prej 10% për importet nga të gjitha vendet, të cilat ishin njoftuar nga Trump në fillim të javës.

Tarifa ndëshkuese dukshëm më të larta do të zbatohen për disa vende, në varësi të deficitit tregtar.

Importet nga Gjermania dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian në SHBA përballen me tarifa të reja prej 20% duke filluar nga e mërkura.

Trump ka premtuar se tarifat do të rikthejnë “epokën e artë” të SHBA.

Pas njoftimit të tij të mërkurën, bursat ranë në të gjithë botën.

Musk foli për rreth 15 minuta në konferencën e partisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të kryetarit të ”Lega”-s dhe zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini.

Para zgjedhjeve federale gjermane, Musk ishte një mbështetës i hapur i ”Alternativës për Gjermaninë” (AfD) të ekstremit të djathtë.

Sot, Salvini do të kandidojë për t’u rizgjedhur si udhëheqës i ”Lega”-s – si kandidati i vetëm.

Pritet që politikanë të tjerë nga spektri populist i djathtë do t’i bashkohen konferencës së partisë, duke përfshirë kryeministrin hungarez Viktor Orbán, udhëheqësin e Rassemblement National të ekstremit të djathtë të Francës, Jordan Bardella dhe kreun e partisë spanjolle Vox, Santiago Abascal./atsh/ KultPlus.com

Për 100-vjetorin e themelimit, Teatri i Operës ‘Stara Zagora’ në Bullgari vlerëson sopranon Besa Llugiqi

Teatri i Operës “Stara Zagora” në Bullgari ka vlerësuar sopranon e njohur Besa Llugiqi me rastin e 100- vjetorit të Teatrit të Operas për punën, kontributin dhe dedikimin artistik të dhënë ndër vite përmes interpretimit të roleve të ndryshme në institucion, shkruan KultPlus.

Përmes një shkrimi në rrjetin social në Facebook, sopranoja Llugiqi ka shprehur mirënjohje për vlerësimin dhe mbështetjen e Teatrit të Operas “Stara Zagora” përgjatë rrugëtimit të saj artistik.

“Faleminderit për vlerësimin , dashurinë dhe mbështetjen që më ofruat në udhëtimin tonë në këto dhjetë vite së bashku .

Faleminderit Mestro Ognian Draganoff për mbështetjen , besimin dhe gjithë përkrahjen në secilin rol e performacë.

Urime të gjithë artistëve për performancën! Urime të gjithëve që janë pjesë e këtij teatri, një institucion që krijon e lartëson veten, që rritë artistë e madhëron artin”, ka shkruar sopranoja Llugiqi./ KultPlus.com

A do të jenë në Kanë Tom Cruise, Scarlett Johansson apo Spike Lee?

Tom Cruise për filmin më të fundit “Mission: Impossible”, Scarlett Johansson pas kamerës apo Denzel Washington në një film të Spike Lee?

Bastet kanë nisur në botën e kinemasë përpara prezantimit të së enjtes të përzgjedhjes zyrtare të Festivalit të 78-të të Filmit në Kanë.

Një muaj para hapjes së takimit të madh botëror të artit të shtatë, presidentja e saj Iris Knobloch dhe Delegati i saj i Përgjithshëm Thierry Frémaux duhet të zbulojnë të enjten në orën 11:00, në një konferencë shtypi, listën e filmave të përzgjedhur.

Ndër yjet e pritshëm, Tom Cruise, 62-vjeç, i pandryshkshëm, i cili mbërriti tre vjet më parë me helikopter në tapetin e kuq të “Top Gun: Maverick”, mund ta bëjë sërish me pjesën e fundit të “Mission: Impossible”.

Filmi, i paraqitur si opusi i fundit i sagës, del në kinematë franceze më 21 maj, një datë ideale për një prezantim në Kanë, jashtë konkurrencës.

Nga ana e autorit, 14 vjet pas “The tree of life”, e cila fitoi Palmën e Artë, regjisori Terrence Malick, 81 vjeç, më mistik se kurrë, mund të kërkojë një trofe të ri me një histori në përgatitje prej vitesh, të frymëzuar nga historitë biblike.

Veteranët e tjerë të Festivalit, Jim Jarmusch (“Broken Flowers”, “Dead Man”, “Only Lovers Left Alive”) mund të rikthehet në moshën 72-vjeçare, me një film që bashkon Cate Blanchett dhe Adam Driver, ose Wes Anderson, 55 vjeç, i cili solli së bashku në filmin e tij të fundit, edhe një herë, një yll të pakrahasueshëm, nga Torocaro S. Johansson.

Kjo e fundit mund të sjellë frymë të freskët duke prezantuar në moshën 40-vjeçare filmin e saj të parë regjisorial, “Eleanor The Great”. Ajo nuk është e vetmja aktore që tenton kalimin në regji: Kristen Stewart, 34 vjeçe, sapo ka xhiruar edhe filmin e saj të parë artistik.

Mjeshtri i ri i horrorit amerikan, Ari Aster, 38 vjeç, autor i filmave drithërues “Heredity” dhe “Midsommar”, gjithashtu mund të sjellë gjak të ri në Kanë, ku nuk është përzgjedhur kurrë më parë, me një film që bashkon Joaquin Phoenix dhe Emma Stone.

Tre regjisorë francezë të filmuar me kastin e artë: Julia Ducournau (Palme d’Or me “Titane” shumë të frikshme) për një film të ri me Golshifteh Farahani dhe Tahar Rahim, Rebecca Zlotowski (“Fëmijët e të tjerëve”, “Një vajzë e lehtë”) për një dramë me Jodie Foster për një film me Angelina Winoc.

Festivali mund të mos i rezistojë zgjedhjes së komedisë “Nouvelle Vague”, e paraqitur si një krijim i klasikut “A bout de souffle”, “në stilin dhe frymën e Godardit” dhe të nënshkruar me Richard Linklater.

Ashtu si çdo vit, rreth 20 filma do të jenë në konkurrim zyrtar, në garë për të pasuar “Anora”, Palmën e Artë 2024.

Presidenca e jurisë i është besuar Juliette Binoche, një prej yjeve franceze më të njohura ndërkombëtarisht dhe një personalitet i përkushtuar, për një edicion që do të zhvillohet, nga data 13 deri më 24 maj, në një kontekst të tensionuar, mes shqetësimeve të artistëve për presidencën Trump dhe luftërat, në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Në ekran, Kirill Serebrennikov, Andrey Zvyagintsev ose i riu Kantemir Balagov mund të mishëronin zërin e kinemasë ruse të detyruar në mërgim.

Festivali nuk ka shpallur ende filmin e tij hapës si dhe përbërjen e pjesës tjetër të jurisë.