‘Se kam një jetë duke të pritur’

Poezi nga Robert Shvarc

Eja, kokën dua t’a mbështes,
Mbi gjirin tënd të tallazitur.
Jam lodhur shumë, ndoshta edhe vdes,
Se kam një jetë duke të pritur!

Eja, dua të kridhem te ti,
Thellë e më thellë, siç di vetë.
Në mos qoftë as kjo dashuri,
Më thuaj, ç’dreqin mund të jetë? / KultPlus.com

Nëpër të gjitha dyert ti ike

Poezi nga Louis Aragon
Përktheu: Anton Papleka

Nëpër të gjitha dyert ti më ike
Në të gjitha shkretëtirat më le

Në agim të kërkova dhe në mesditë të humba
Kudo që vajta ti nuk qe gjëkundi
Kush mund ta përshkruajë Saharanë e një dhome pa ty
Turmën e të dielës ku s’të ngjan askush
Një ditë më të zbrazët se moli që zgjatet në det
Heshtjen ku të thërras e ti nuk më përgjigjesh

Ti më le dhe njëherësh pranë meje ke mbetur
Më le gjithkund më ike nga sytë
Nga zemra e ëndrrave
Më le si një frazë e mbetur përgjysmë
Si një send i hedhur rastësisht si një karrige
Si një vend pushimi në të dalë të verës
Si një kartolinë e harruar në sirtar
Çdo gjest më shkëput nga ti
Si një gjethe që bie nga pema
Vështrimi yt mbi mua të gjorin
Qe një psherëtimë ku unë mungoja
Si nuk t’u dhimbs hija jote që te këmbët rrinte./ KultPlus.com

Karl Ghega dhe Aleksandër Moisiu – dy austriakët e mëdhenj me origjinë arbërore

Dy arbërorët e mëdhenj që lanë gjurmë të pashlyera në Austri dhe në mbarë Botën: Karl Ghega la gjurmë në fushën inxhinierisë, dhe Aleksandër Moisiu në atë të aktrimit.

Në lidhje me këtë do ta nënvizoj një gjë këtu: kur dramaturgu, mjeku dhe shkrimtari Friedrich Wallisch kishte mbajt një leksion me Temën më të dashur të tij mbi historinë e popullit shqiptar (Ö.i.Z.1928), të pranishmëve në sallë i kishte bërë pyetje retorike mbi prejardhjen e këtyre dy personaliteteve mbikohore.

„Të dashur zonja dhe zotërinj , e dini se nga e ka origjinën Aleksandër Moisiu? Të gjithë të pranishmit ngrinin supet duke mos ditur prejardhjen e tij të vërtetë.

„Aleksandër Moisiu ishte një arbëror. E keni ditur këtë ,nuk besoj se po“, ishte përgjigjja e tij.

A e dini se kush e ndërtoi hekurudhën Semmering? Karl Ghega u përgjigjen, plotësisht e saktë.

Por ,a e dini të dashur zonja dhe zotërinj se prej nga e ka origjinën ky gjeniu Ghega?

„Edhe ai ishte me origjinë arbërore…” / KultPlus.com

Thënie mbi jetën nga Arthur Schopenhauer

“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurtë.”

“Kur e bleni një libër, ju në mënyrë optimiste mendoni se po e bleni edhe kohën për ta lexuar atë.”

“Njerëzit e mëdhenjë janë sikur shqiponjat; ata i ndërtojnë folet e tyre në lartësitë e vetmuara.”

“Të gjitha të vërtetat e mëdha kalojnë nëpër tre faza: fillimisht ato përqeshen, pastaj ato kundërshtohen dhunshëm dhe në fund ato pranohen si vetë – evidente.”

“Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më i etur je. Kjo vlenë edhe për lavdinë.”

“Dhembshuria për kafshët është e lidhur ngushtë me mirësin e karakterit, dhe mund të pohohet me siguri se ai që është mizor me kafshët, nuk mund të jetë kurrë njeri i mirë.”

“Secila dashuri, sado qiellore të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”

“Një njeri mund të jetë vetja vetëm për aq kohë sa ai është i vetëm; dhe nëse ai nuk e don vetminë, ai nuk do ta dojë as lirinë; sepse vetëm atëherë kur ai është i vetëm, ai është vërtetë i lirë.”

“Asgjë nuk mund të jetë e bukur pa të vërtetën.”

“Zakonisht është humbja ajo që na bënë ta dim vlerën e gjërave.”

“Një shkallë e lartë e intelektit priret ta bëjë njeriun të pashoqërueshëm.”

““Natyra e tregon se me rritjen e inteligjencës vjen e rritur edhe aftësia për të ndjerë dhimbje dhe se vetëm në shkallën më të lartë të inteligjencës, dhimbja e arrit pikën e saj supreme.”

““Doktori e sheh të gjithë dobësinë e njeriut, gjykatësi e sheh të gjithë ligësinë dhe teologu të gjithë budallallëkun e tij.”

““Talenti e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta godas. Gjeniu e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta shoh.”

“Ne rrallë mendojmë për atë që e kemi, ndërsa shpesh për atë që na mungon.”

“Njerëzit e zakonshëm thjeshtë mendojnë se si duhet ta shpenzojnë kohën e tyre; I talentuari tenton ta përdor atë.”/KultPlus.com

220 vite nga lindja e legjendës së përrallave, Hans Christian Andersen

Më 2 prill të vitit 1805, në Danimarkë, ka lindur legjenda e përrallave për fëmijë, Hans Christian Andersen, shkruan KultPlus.

Përrallat e Andersenit, përbëjnë 156 tregime të ndara në nëntë vëllime, të cilat janë të përkthyera në më shumë se 125 gjuhë të ndryshme të botës.

Andersen u rrit si një djalë jo shumë tërheqës,  dhe këtë aspekt të jetës së tij  ai e përdori për të krijuar përrallën “Rosakun e Vogët të Shëmtuar”, pasi që nga shikimi i parë rosa ishte ‘e shëmtuar’ dhe e dëbuar. Mesazhi i tij me këtë rast është se njeriu mund të jetë i dukshëm për komunitetin me mënyrën me të cilën zgjedh, pasi ai me bukurinë e brendshme të mendjes së tij arriti të jetë i dukshëm dhe madje i paharruar përmes shkrimeve të tij frymëzuese.

Përrallat e Andersenit janë lehtësisht të kuptueshme nga fëmijët, dhe janë ngulitur kulturalisht në ndërgjegjen kolektive të perëndimit. Mesazhet që përcillen prej përrallave të Andersenit janë kryesisht mësime të virtyteve dhe qëndrueshmërisë përballë fatkeqësisë edhe për lexuesit e pjekur.

Përrallat e tij më të famshme janë: “Rrobat e reja të Perandorit”, “Sirena e Vogël”, “Bilbili”, “Ushtari i Tinit të Qëndrueshëm”, “Këpucët e Kuqe”, “Princesha dhe Bizelet”, “Mbretëresha e Borës”, “Rosaku i Shëmtuar “, “Shitësja e Vogël e Shkrepsëve” dhe “Gishtëza”.

Historitë e tij kanë frymëzuar edhe shumë balete, drama, filma të animuar dhe filma aksion.

Ai ndër të tjera shkroi edhe kujtime udhëtimesh, novela dhe poezi, dhe kujtohet gjithashtu për tregimet e tij nga bota e zanave dhe shtojzavalleve.

Në përkthimin në gjuhën shqipe të përrallave të Andersenit, morën pjesë përkthyes si: Pirro Misha,Bedri Dedja, Vandush Vinçani,Dritan Thomollari dhe Stathi Kostari.

Ai ndërroi jetë më më 4 gusht 1875./KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Nata e Ustikës’ i Petro Markos

Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.
U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen…
– Zoti e di se ku jemi!
– Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa…
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam.
Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen.
– Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh.
Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja…
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
– Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi…
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
– Spie! Spie!
– (It.: Spiunë! Spiunë!)
– A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
– (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
– Traditori! Spie di un cane!
– (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit…
Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
– Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
– Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
– Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera…

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë…
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar. / KultPlus.com

“Streha e Nemun”, në Teatrin Eksperimental

“Streha e Nemun”, një veper që ka ngjallur interes dhe diskutim, pas shfaqjes në Teatrin Kombëtar të Kosovës, do të vijë edhe për publikun e Tiranës, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Shfaqja me regji nga Ilir Bokshi, vendos në qendër figurën e gruas dhe sfidat me të cilat ajo përballet në shoqërinë tonë. “Streha e Nemun” premton të sjellë një qasje artistike bashkëkohore, ku minimalizmi skenik dhe simbolika do të ndihmojnë në thellimin e përjetimit artistik.

Duke ndërthurur humorin dhe tragjedinë, shfaqja jo vetëm që fton publikun të reflektojë mbi zgjedhjet e jetës, por gjithashtu hap një dialog të rëndësishëm mbi sfidat emocionale me të cilat përballet njeriu sot.

Artdashësit do të mund ta ndjekin lojën e Albulena Kryeziut, Ledion Zoit dhe Adrian Morinës, në datat 3 dhe 4 prill.

E bazuar në veprën e njohur “Liza në Maj”, shfaqja rrëfen për Lajzelotën, një infermiere 35-vjeçare, protagoniste e këtij rrëfimi të fuqishëm. Përmes përpjekjeve të saj për të gjetur dashurinë dhe përmbushjen emocionale, ajo përballet me sfida, zhgënjime dhe reflektime të thella mbi natyrën e marrëdhënieve njerëzore./atsh/KultPlus.com

Shfaqje për të gjithë familjen gjatë prillit në TKOBAP

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të ketë një kalendar artistik të ngjeshur gjatë muajit prill.

TKOBAP ka menduar të mbledhë në këtë tempull të artit, të gjithë familjen, duke vënë në program edhe vepra dedikuar fëmijëve. Prilli çel siparin me të qeshura në Hollin Koncertor, ku opera për fëmijë dhe familje “Il Maestro di Cappella” sjell magjinë e muzikës në gjuhën më të dashur për të vegjlit: lojën dhe gëzimin.

Bashkëpunimi ndërinstitucional me Liceun Artistik dhe Universitetin e Arteve sjell dy koncerte, pjesë e projektit “Mozart”, interpretuar nga artistët e së ardhmes. Ndërsa nga mesi i muajit (17, 18 prill) TKOBAP do të hapë dyert në dy netë GALA, ku të gjitha trupat artistike të teatrit bashkohen në një mbrëmje magjike.

Me ritmet e Tropojës dhe me “K’cimin në TKOBAP”, artdashësit mund të ndjekin më datë 25 prill, një perlë të njerëzimit, që tashmë ka zënë vend edhe në zemër të UNESCO-s.

TKOBAP premton këto dhe shumë aktivitete të tjera, të cilat do t’i japin frymë e jetë këtij muaji./atsh/KultPlus.com

Bota magjike e Andersenit

Kur fjalët dështojnë, flet muzika.

Me histori tërheqëse, që kanë mbushur me lumturi zemrat e miliona fëmijëve në mbarë botën, Hans Christian Andersen mbahet mend si autori i përrallave më krijuese dhe më të lexuara. Edhe pse Anderseni ishte romancier, poet, dramaturg dhe eseist, përrallat u shndërruan në identitetin dhe kontributin e tij më të madh në letërsinë botërore.

Ndryshe nga autorët e tjerë të përrallave, shkrimtari dhe poeti i jashtëzakonshëm danez dallohet për mesazhet me përmbajtje humane, realiste, si dhe për optimizmin e tregimeve të tij. Njerëzor dhe realist, shkrimtari përcolli shpresën dhe na la mesazhe pozitive. Supozohet rëndom se përrallat janë histori që burojnë nga tradita popullore, përçuar ndër breza nga tregimtarët. Edhe pse është e vërtetë që shumica e përrallave janë të rrënjosura në folklorin oral, në një shkallë më të madhe ose më të vogël, në të vërtetë shumë nga historitë më të njohura na vijnë nga burime letrare.

Vetë jeta e Hans Christian Andersenit ngjasonte me një përrallë, sepse ai lindi biri i një këpucari të varfër dhe vdiq një njeri i pasur dhe i famshëm, i famshëm në të gjithë botën, i afërt i mbretërve dhe mbretëreshave. Bota e mrekullueshme përrallore e Hans Christian Andersen frymëzoi vepra të tilla si opera magjike e Dvoπák “Rusalka”, apo  “Le Rossignol” i Stravinskit etj. Muzika mund të komunikojë ndjenjat dhe atmosferën më drejtpërdrejt sesa fjalët, ajo është në gjendje ta bëjë pranverën joreale në jetë – shoqëruesin natyral të imagjinatës dhe fantazisë. Mitet dhe përrallat popullore kanë tërhequr gjithmonë kompozitorë, veçanërisht kompozitorët romantikë në epokën romantike, por përrallat e Andersenit kanë pasur një joshje të veçantë për muzikantët, gjë e cila vijon edhe në ditët e sotme.

Të paktën 80 kompozitorë janë frymëzuar prej tij, mes tyre shumë mjeshtra, madje edhe kompozitorët e ditëve të sotme gjejnë frymëzim në këto përralla. Ato nuk janë as të thjeshta dhe as fëminore, muzika ka jetuar brenda tyre, qysh nga fillimi.

Anderseni asnjëherë nuk pati si qëllim, që përrallat të ishin vetëm për fëmijët. Madje, edhe kur ato mbështeteshin në motive tradicionale, ai arriti të jepte krijime të sofistikuara letrare. Me përzierjen e sharmit dhe aventurës magjike, por edhe të ndjenjës së pakëndshme të thellësive të errëta, padrejtësisë, patosit dhe tragjedisë së mundshme, një vetëdije se edhe përfundimet e lumtura kanë një çmim dhe rrallëherë janë absolute.

Suksesi në rritje i Andersenit dhe udhëtimet jashtë vendit, e sollën gjithnjë e më shumë në kontakt me figurat kryesore artistike evropiane, jo vetëm me ato të letërsisë si Dikens dhe Brownings, por me kompozitorë të mëdhenj, mes tyre Shuman, Liszt, Mendelson, madje edhe Wagner. Ai ishte një nga admiruesit më të hershëm të Wagnerit, duke e vënë në ballë të shijes muzikore.

Ne i detyrohemi shkrimtarit disa autobiografi, një korrespondencë voluminoze dhe një “Ditar” të mrekullueshëm. Ndërmjet 1832 dhe 1842, ai botoi në broshura tregimet e para të shkurtra të mrekullueshme: “Përralla për fëmijë” (1835), të cilat nuk i adresoheshin vetëm audiencës fëminore. Suksesi e inkurajoi të vazhdonte të botonte; “Tregime të reja” (1843-1848) dhe “Tregime dhe histori të reja” (1858-1872). Anderseni shkroi 164 përralla, të kredhura në romantizëm dhe duke kombinuar mrekullinë dhe ironinë. Larg imitimit të paraardhësve të tij në zhanrin e përrallës (Perrault, Galland dhe Hoffmann, Brothers Grimm), stili i tij spikat për përdorimin mjeshtëror dhe të ekuilibruar të gjuhës së përditshme, idiomave dhe shprehjeve popullore, arrin të shpreh mrekullisht, në një gjuhë shumë të thjeshtë, emocionet më delikate dhe idetë më të mira, duke kaluar pa vështirësi nga poezia në ironi, nga farsa në tragjike. Anderseni u frymëzua nga histori tradicionale skandinave, gjermane dhe greke, nga kohët e lashta deri në Mesjetë.

Në mënyrë mjeshtërore, ai thuri materiale dhe ndikime të ndryshme për të krijuar përrallat që ne njohim sot. Përrallat prezantojnë mbretër dhe mbretëresha të vërtetë ose legjendarë; kafshë, bimë, krijesa magjike (sirena dhe zana), madje edhe objekte. Ndër përrallat më të famshme citojmë “Rosaku i shëmtuar”, “Mbretëresha e dëborës”, “Rrobat e reja të perandorit”, “Mjellmat e egra dhe sirena e vogël”, “Shitësja e shkrepseve”, “Princesha dhe bizelet”, “Ushtari i kallajit” dhe “Sirena e vogël” etj. Shumë nga përrallat u bënë drama, filma ose shfaqje muzikore, madje frymëzuan fotografi të animuara të njohura si Arieli. I pëlqenin shumë udhëtimet dhe udhëtoi shumë, mbi të gjitha në Gjermani për të vizituar miqtë Friederike dhe Friedrich Anton Serre. Kur Anderseni vdiq në moshën 70-vjeçare, më 4 gusht 1875, në Kopenhagen, tashmë njihej ndërkombëtarisht. Deri pak kohë më parë, shtëpia ku ai kishte lindur ishte një vend pelegrinazhi për fansat.

Më 30 qershor 2021, në vendlindjen e tij, Odense u hap një muze: “H.C. Andersen House”, në gjuhën daneze, “H.C. Andersen Hus”. Anderseni nuk e mendoi kurrë veten vetëm si tregimtar për fëmijët. Ishte e rëndësishme për të, që elementët sociokritikë ose satirikë të përrallave, të cilat ai me vetëdije i përfshiu për lexuesit e rritur, u theksuan po aq sa fantastikja dhe imagjinarja. Muzeu ka “hapësirën kushtuar fëmijëve”, përfshirë atelien me emrin “Ville Vau”, ku fëmijët mund të jenë krijues dhe të marrin pjesë në krijimtari. Para vdekjes, Andersen ishte shkrimtar i njohur dhe u konsiderua si thesar kombëtar nga qeveria daneze, madje i akordohej edhe një pagë. Në kopshtin “Rosenborg”, Kopenhagen, në nder të shkrimtarit legjendar ngrihet statuja e tij. / Konica.al / KultPlus.com

Margarita Xhepa sot feston 91 vjetorin e lindjes

Aktorja e madhe e popullit shqiptar, Margarita Xhepa, sot feston 91 vjetorin e lindjes, shkrun KultPlus.

Ajo ka lindur më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej nga edhe ka filluar të hedhë hapat e parë drejt karrierës së saj.

Talentin për aktrim, e kishte hetuar nëna e saj qysh kur Margarita Xhepa ishte në klasat fillore. Teksa nëna e saj ishte e sëmurë, i thoshe artistes Margarita që të recitonte vjershën të cilën e kishte mësuar në shkollë, pasi sipas saj, Margarita kishte diçka të veçantë në zërin dhe interpretimin e saj, që e bënte të dallojë nga fëmijët e tjerë të saj.

Dhe ajo parandjenjë e nënës së saj, doli të ishte e vërtetë pasi Margarita Xhepa konsiderohet një ndër ‘Zonjat e Mëdha’ të teatrit dhe filmit shqiptar duke lënë gjurmë në memorien e publikut shqiptarë me rolet e saj brilante.

Në vitin 1950, ajo u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor, që sot njihet si Teatri Kombëtarë dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, në degën e Dramës.

Ajo ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve janë: Majlinda tek filmi “Majlinda”, Dafina tek Lumi i Vdekur, Filja tek Cuca e Maleve, Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën, Nëna tek Përballë Vetes etj.

Ndërsa në rolet e dramaturgjisë botërore, ajo interpretoi role si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore ajo luajti rolin si: Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler (Shiler), Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek Revizori (Gogol), Marsela tek Qeni i kopshtarit (De Vega), Mashenka tek Mashenka (Afigenov), Shejla tek Morali i zonjës Dulska (Zapolska), apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

Filma të tjerë shqiptarë në të cilët interpretoi Margarita Xhepa janë: Në kërkim të kujt, Tingulli i heshtjes, Kronikë provinciale, Ne dhe Lenini, I dashur armik, Mirupafshim, E diela e fundit, Një djalë edhe një vajzë, Vitet e pritjes, Kush e solli Doruntinën, Pesha e kohës, Pranvera s’erdhi vetëm, Misioni përtej detit, Rrethi i kujtesës, Fillim i vështirë, Gabimi, Gurët e shtëpisë sime, Militanti, Apasionata, Dora e ngrohtë, Shokët, Dita e parë e emërimit, Me hapin e shokëve, Dollia e dasmës sime, Gjeneral gramafoni, Koncert në vitin 1936, Dimri i fundit, Pylli i lirisë, Tokë e përgjakur, Gjurma, Vitet e para./KultPlus.com

Aleksandër Moisiu, aktori shqiptar që shkëlqeu në skenat e Evropës

Më 2 prill të vitit 1879 në Trieste lindi aktori me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu (Alexander Moissi).

Babai i tij Moisi Moisiu, nga Kavaja, ishte një tregtar i pasur shqiptar i naftës dhe grurit, kurse nëna, Amalia de Rada, ishte vajza e një mjeku arbëresh nga Firence.

Pas një fëmijërie në Trieste, Durrës dhe Grac, 20-vjeçari Aleksandër u vendos në Vjenë bashkë me nënën e motrat. Aty filloi mësimet për dramë dhe për vokalin, por u kritikua për theksin e fortë italian dhe iu desh që fillimisht të pranonte role të vegjël ku nuk do t’i duhej të fliste. Ishte interpretimi i tij tek “Tartufi” i Molierit që tërhoqi vëmendjen e kolegëve dhe publikut.

Në skenën gjermanishtfolëse, do të mishëronte mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë europiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri në bashkëkohësi.

U angazhua në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme do ta shpinte për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera të Europës dhe të Amerikës Veriore.

Pjesë e repertorit të tij interpretues qenë edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it (“Der weiße Heiland”), të Wedekind-it (“Frühlings Erwachen”) dhe të Hofmannsthal-it (“Jedermann”). Moisiu do mund të depërtonte edhe në zhanrin e kinematografisë, ku përgjatë 1910-1935, mori pjesë në 10 produksione filmash, 8 prej të cilëve ishin pa zë.

Në vitin 1935, në fund të jetës së tij, aktori kërkoi shtetësinë italiane, që u mirëprit nga autoritetet përkatëse. Po ashtu, si bir i një shqiptari nga Kavaja dhe një arbëresheje, dëshiroi të merrte edhe shtetësinë e vendit të tij të origjinës, i cili refuzoi t’ia plotësonte vullnetin e tij të fundit./atsh/KultPlus.com

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

Sot është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin. Që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara caktoi 2 Prillin si Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin (WAAD) në 2007, OKB-ja ka punuar për të promovuar realizimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për individët autikë, duke siguruar pjesëmarrjen e tyre të barabartë në shoqëri.

Rezoluta e vitit 2007 theksoi nevojën për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për autizmin. Sot, më shumë se 17 vjet më vonë, lëvizja globale është zgjeruar përtej vetëdijes për të promovuar në mënyrë aktive pranimin, vlerësimin dhe përfshirjen, duke njohur kontributin që njerëzit autikë japin për komunitetet e tyre dhe botën në përgjithësi.

Gjatë kësaj dite promovohet kërkimi shkencor mbi këtë diagnozë, duke kundërshtuar diskriminimin dhe izolimin që përjetojnë ende shumë individë autikë si dhe familjet e tyre.

Tema e aktiviteteve për këtë vit është: “Përparimi i Neurodiversitetit dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së”, duke bërë bashkë ekspertë globalë, politikëbërës dhe zëra autikë. Diskutimet fokusohen në kujdesin shëndetësor gjithëpërfshirës, ​​arsimin cilësor, aksesin në vendin e punës, reduktimin e pabarazive dhe projektimin e qyteteve dhe komuniteteve miqësore me autizmin./atsh/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë

Që nga viti 1967, 2 prilli kremtohet si Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë, duke frymëzuar dashurinë për leximin dhe për të tërhequr vëmendjen te librat për fëmijë.

Kjo datë është zgjedhur në nder të shkrimtarit të mirënjohur danez, Hans Christian Andersen, përrallat e të cilit kanë edukuar e argëtuar breza të tërë fëmijësh.

Çdo vit caktohet një temë, përzgjidhet posteri përkatës i Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë si dhe një shkrimtar i cili shkruan një mesazh drejtuar fëmijëve të botës.

Për vitin 2025, Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë sponsorizohet nga Holanda dhe posteri është bërë nga dy krijues holandezë të librave për fëmijë. Tema e kësaj dite për vitin 2025 është “Liria e imagjinatës”, dhe motoja është marrë nga fjalia e fundit e poezisë “Gjuha e figurave”:

“Imagjino mbi poezinë time dhe mos ngurro: këto fjalë të përkasin ty edhe pse vijnë nga unë”.

Librat cilësorë për fëmijë, nxisin dhe zhvillojnë imagjinatën e lexuesit të vogël. Këta libra i ndihmojnë fëmijët të eksplorojnë imagjinatën e tyre, të zhvillojnë krijimtarinë e tyre dhe ta shohin botën në një mënyrë të re. Librat e mirë i ftojnë lexuesit të interpretojnë fjalët, kështu në njëfarë mënyre mësojnë ta shkruajnë vetë historinë.

Autorja e këtij viti është Rian Visser, një shkrimtare dhe poete holandeze e librave për fëmijë. Ajo shkruan libra komike dhe emocionues që preferohen prej fëmijëve. Nga viti 2024-2026, ajo është emëruar zyrtarisht si Laureatja Holandeze e Librave per Fëmijë./atsh/KultPlus.com

Media gjermane “Merkur.de”: Pse ia vlen të udhëtosh në Shqipëri këtë vit?

Aktualisht Shqipëria është në rrugën e saj për t’u bërë një destinacion në trend, shkruan Silke Böttcher në të përditshmen gjermane “Merkur.de”.

Me plazhet e ëndrrave, natyrën e egër dhe kulturën emocionuese, ajo ka shumë për të ofruar. Dhe vazhdon të jetë destinacioni më i përballueshëm në Mesdhe!

Shqiptarët e quajnë atdheun e tyre “Vendi i Shqiponjave”. Vendi ballkanik, i vendosur midis Greqisë dhe Malit të Zi në detin Adriatik, tërheq vizitorët falë peizazheve spektakolare dhe plazheve mahnitëse.

Gjithashtu, ky vend i bukur mesdhetar ofron çmime të përballueshme.

Kjo mund të ndryshojë së shpejti, pasi Shqipëria po shndërrohet në një destinacion në trend – gjë që mund të rrisë edhe kostot.

Nëse Shqipëria është në listën tuaj të udhëtimeve –  nuk duhet të humbisni kohë!

Çmimet për paketat e pushimeve në verën e 2025

Check24.de krahasoi çmimet për paketat e pushimeve në verën e 2025 dhe zbuloi se Shqipëria mbetet destinacioni më i lirë mesdhetar evropian me 110 euro për person në ditë.

Apartamentet e pushimeve janë kryesisht të përballueshme

Për krahasim: Turqia kushton 122 euro, Spanja 125 euro, Italia 126 euro 128 euro dhe Greqia 133 euro për person në ditë.

Kroacia është gjithashtu dukshëm më e shtrenjtë me 130 euro.

Ndërsa fluturimet dhe makinat me qira kushtojnë njësoj si në Mesdheun Evropian, apartamentet e pushimeve në Shqipëri, mesatarisht 77 euro (apartamente për dy deri në gjashtë persona), janë dukshëm më të lira se në vendet e tjera të Mesdheut Evropian (160 euro).

Sipas Check24.de, Shqipëria është kryesisht e populluar me pushues të rinj midis 18 dhe 35 vjeç, si dhe familjet dhe çiftet.

Koha ideale për të udhëtuar në Shqipëri

Muajt ​​më të mirë për të udhëtuar në Shqipëri janë korriku deri në shtator.

Gjatë kësaj kohe, temperaturat rriten në 20 deri në 30 gradë Celsius, dhe temperaturat e ujit arrijnë rreth 23 gradë Celsius.

Maji dhe shtatori janë gjithashtu muajt idealë për të udhëtuar për alpinistët dhe pushuesit aktivë, pasi moti është disi më i butë.

Destinacionet kryesore për pushime në plazh

Shqipëria ka plazhe të bukura. Qyteti bregdetar më i vizituar është Saranda, me plazhe si Santa Quaranta “Premium Resort”, Pulëbardha dhe Plazhi i Pasqyrës.

Jo shume larg, ndodhet plazhi i ëndrrave, Ksamili me rërë të bardhë dhe ujëra bruz.

Gjithashtu, në Durrës dhe Golem do të gjeni disa plazhe magjepsëse.

Për ata që duan të ndërthurin notin me kulturën dhe jetën e natës, Dhërmiu është destinacioni ideal.

Shumë festivale muzikore zhvillohen këtu gjatë verës, dhe ka bare të panumërta në plazh.

Në jug të Dhërmiut shtrihet Plazhi i Gjipesë, i cili arrihet më së miri më këmbë. Disi më pak i njohur është Porto Palermo.

Me vendndodhjen e tij të mbrojtur, gjiret e bukura dhe një kala e vendosur mbi një shkëmb, qyteti është mahnitës.

Destinacionet kryesore për adhuruesit e kulturës

Sigurisht që ia vlen një vizitë në kryeqytetin Tiranë, me ndërtesat dhe atraksionet me ngjyra pastel si Sheshi Skënderbej dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Kushdo që është i interesuar të mësojë më shumë për traditat shqiptare duhet të udhëtojë në qytetin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Gjirokastrës.

Vizitoni shtëpinë e familjes Zekati, ku do të mësoni për historinë e saj kulturore.

Mos harroni të gjeni kohë për një udhëtim në fermën “Te Fuçitë”, ku prodhohet verë e shkëlqyer.

Lini ka reputacionin e fshatit më të qetë në Shqipëri. Ai ndodhet në liqenin e Ohrit.

Ka zona të mira lundrimi, vende arkeologjike dhe restorante që shërbejnë peshk liqeni.

Qyteti i Shkodrës ndodhet gjithashtu në një liqen. Një nga atraksionet e tij është Kalaja e Rozafës.

Berati ndryshe i quajtur “Qyteti i një mbi një dritareve” – është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – si një qytet muze. Një tjetër atraksion përveç shtëpive të saj të bukura, është Kalaja mbi qytet.

Pazari i shekullit XIII – me shtëpitë e stilit osman – është një nga vendet më të veçanta të qytetit të Korçës.

Ka gjithashtu vila të bukura prej guri dhe ndërtesa fetare për t’u admiruar.

Ndërtesat e Butrintit janë edhe më të vjetra. Në qytet, i cili është gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, mund të shihni rrënoja që nga periudha greke dhe romake. Qyteti ndodhet në zemër të parkut kombëtar me të njëjtin emër.

Destinacionet kryesore për adhuruesit e natyrës

Shqipëria krenohet me bukuritë natyrore spektakolare. Për shembull, Alpet Shqiptare (Prokletije), të vendosura rreth 200 kilometra në veri të Tiranës, malet më të larta të vendit – deri në 2600 metra.

Rajoni i Thethit, i cili ishte një zonë e pavarur e mbrojtur deri në vitin 2022, ndodhet gjithashtu në Alpet Shqiptare.

Qyteti me të njëjtin emër është një pikënisje e mirë për turne ecjeje.

Në shtegun e njohur Theth-Valbonë – rreth 16 kilometra – koha e ecjes zgjat rreth gjashtë deri në tetë orë.

Ecja nga Thethi në “Syrin e Kaltër” është rreth 20 kilometra.

Ajo kalon Ujëvarën mbresëlënëse të Grunasit dhe rrjedh përgjatë lumit të Shalës.

Syri i Kaltër është një burim karstik, uji i të cilit shkëlqen në shumë nuanca të gjelbërta.

Noti është i lejueshëm,  por duhet guxim pasi uji është 12 gradë Celcius.

Nëse vizitoni Shqipërinë, duhet të planifikoni me patjetër një udhëtim me traget në liqenin e Komanit.

Ai ndodhet pranë qytetit të Shkodrës dhe u krijua kur Lumi Drin u mbyll në vitet 1980. Kushdo që ka bërë udhëtimin prej dy orësh e gjysmë, do ta kuptojë pse rezervuari quhet “Fjordi Shqiptar”./atsh/KultPlus.com

Mozaiku i Tiranës, tjetër destinacion turistik dhe qendër edukative për kryeqytetin

 Mozaiku i Tiranës, një nga thesaret e arkeologjisë shqiptare, është rikonstruktuar dhe rilindur si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të kryeqytetit. Ky objekt unik, i cili ruan copëza të historisë sonë të antikitetit, është i konceptuar jo vetëm për t’u shërbyer si muze, por edhe si një qendër edukimi dhe inovacioni për fëmijët.

Kryeministri Rama së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ishin në ambientet e Mozaikut të Tiranës për të parë nga afër formën përfundimtare të këtij projekti.

Kryeministri u informua mbi rëndësinë e përfundimit të kësaj strukture moderne, e cila kërkoi gati dy vite punë për t’u realizuar. “Kjo është struktura e re e mozaikut, që është krijuar sipas standardeve bashkëkohore, dhe është shumë më e avancuar në krahasim me strukturën e vjetër”,  u shpreh një nga drejtuesit e projektit.

Një aspekt i rëndësishëm i këtij projekti është zhvillimi i një itinerari të ri për vizitorët. Ky itinerar ka si synim ofrimin e mundësisë për të shijuar Mozaikun në një mënyrë më dinamike dhe të përshtatshme për të gjitha grupmoshat, veçanërisht fëmijët. Po ashtu, për të ofruar një eksperiencë më të avancuar dhe interaktive, Mozaiku do të përfshijë dhe ekspozita digjitale dhe instalacione interaktive, të cilat do të jenë të dedikuara për vizitorët e rinj. Këto instalacione do të mundësojnë që fëmijët të shohin dokumentarë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anglisht, duke krijuar një përvojë unike dhe tërheqëse për vizitorët.

Ministri Gonxhja nga ana e tij theksoi se instalimi i pajisjeve multimediale dhe digjitale do të jetë një hap i rëndësishëm për të modernizuar Mozaikun dhe për ta shndërruar atë në një destinacion turistik edhe më të vizituar. “Në verë, do të instalohen pajisje multimediale  duke mundësuar që jo vetëm mozaikët që ndodhen këtu, por edhe ato nga e gjithë Shqipëria, të mund të shihen virtualisht”,  tha Gonxhe.

Kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit të projektit, theksoi mundësinë e transformimit të këtij hapësire në një zonë tërheqëse edhe për komunitetin lokal.

“Ky kënd mund të bëhet më i bukur për komunitetin. Mund të shtojmë më shumë hapësirë për të ulur dhe të krijojmë një ambient edhe më të këndshëm për qytetarët dhe vizitorët,” tha Kryeministri.

Me përfundimin e këtij projekti, Mozaiku i Tiranës do të ofrojë një eksperiencë të pasur edukative dhe kulturore për të rinjtë, si dhe do të jetë një destinacion i rëndësishëm turistik për qytetin dhe vizitorët e huaj. /atsh/ KultPlus.com

Shkolla ‘Prenk Jakova’ nesër organizon koncert në mbështetje të fëmijëve me Autizëm

Shkolla e Mesme e Lartë e Muzikës “Prenk Jakova” do të organizojë koncert të veçantë me rastin e Ditës Botërore të Autizmit, shkruan KultPlus.

Në një njoftim për media, drejtoresha e shkollës “Prenk Jakova”, Jeta Dida- Bujari ka thënë se koncerti përçon mesazhe ndërgjegjësimi për përfshirjen dhe mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Ky koncert do të jetë një mundësi për të përçuar mesazhe ndërgjegjësimi dhe për të treguar fuqinë e
muzikës si një urë për përfshirjen dhe mbështetjen e fëmijeve me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet më 2 prill, në  ora: 18:00, në Amfiteatrin e ri të Biblioketës Universitare./ KultPlus.com

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Teatri ‘Nexhip Menekshe’ prezanton premierën ‘Ano Rodipe’

Teatri Rom “Nexhip Menekshe” në Prizren do të prezantojë premierën e dramës “Ano Rodipe “, të autorit Bertolt Brecht, e cila është adaptuar nën regjinë e Mahir Musliut, shkruan KultPlus.

Premiera do të jepet më 7 prill, në kuadër të Manifestimit të 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.

Shfaqja “Ano Rodipe” jepet më 7 prill, në ora 20:00./ KultPlus.com

Vdes Betty Webb, një nga deshifrueset e fundit të ‘Enigma’-s

Charlotte ”Betty” Webb, një nga heroinat e fundit të eposit të Bletchley Park, ka vdekur në moshën 101-vjeçare.

Ajo ishte pjesë e shërbimit sekret britanik ku gjatë Luftës së Dytë Botërore e cila, në bashkëpunim me kolegët, deshifroi mesazhet e koduara nga forcat e armatosura të Gjermanisë naziste, e emërtuar ”Enigma”.

Makineria që mundësoi diçka të tillë u udhëhoq nga matematikani britanik, Alan Turing.

Një operacion që sipas disa historianëve përgatiti fitoren e aleatëve kundër Gjermanisë naziste të Hitlerit.

E dekoruar shumë pas konfliktit, përfshirë titullin Anëtare e Urdhrit të Perandorisë Britanike (MBE), dhe me origjinë nga Wythall, në kontenë angleze të Worcestershire, Webb u caktua si një ndihmëse 18-vjeçare në bazën ”Bletchley” në Buckinghamshire në vitin 1942.

Më pas, ajo u transferua, së bashku me specialistë të tjerë britanikë në Pentagon, për të ndihmuar aleatët amerikanë në fund të luftës për të depërtuar në kodet japoneze.

Në vitin 2021, në moshën 97-vjeçare, ajo mori edhe Legjionin e Nderit nga Franca.

Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga Korpusi i Ushtrisë Mbretërore të Grave, një shoqatë e veteranëve në Mbretërinë e Bashkuar, e cila theksoi se jeta e saj kishte qenë “një frymëzim për shumë gra gjatë dekadave”./ atsh/ KultPlus.com

Biblioteka ‘Hivzi Sulejmani’ nesër me varg ngjarjesh kulturore e letrare

Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, e cila ndodhet në lagjen “Dardania” të Prishtinës, nesër do të zhvillojë një varg ngjarjesh kulturore dhe letrare me rastin e Ditës Ndërkombëtar e të Librit për Fëmijë dhe të Rinj. Po ashtu, mijëra nxënës të shkollave fillore të Prishtinës do të kenë mundësinë e anëtarësimit falas në bibliotekë.

Sipas njoftimit të bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, ngjarja kryesore fillon në orën 14:00, ku do të ketë promovim libri, deklamime krijimesh nga poetët e njohur të “Karvanit të poetëve për fëmijë”, lexime nga nxënës, mirënjohje për institucione dhe individë si dhe një koktej rasti.

“Gjatë ditës së nesërme do të ketë anëtarësim falas për nxënës të shkollave fillore të Prishtinës, nga ora 9:00 deri në orën 16:00, në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’, Dardani dhe degën ‘Përkujtimore’ në Taukbashçe”, thuhet në njoftim./rtk/ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton masakrën e Lybeniqit: Dëshmi e egërsisë së një regjimi kriminal

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar 26-vjetorin e masakrës në Lybeniq të Pejës.

E para e shtetit tha se 26 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen një nga masakrat më mizore ndaj popullit të Kosovës, duke vrarë barbarisht 80 civilë në Lybeniq.

“Në mesin e tyre ishin fëmijë nga 18-muajsh deri në 17-vjeçar, gra të moshuara, si dhe një grua shtatzënë”.

“Kjo masakër mbetet një dëshmi e dhimbshme e egërsisë së një regjimi kriminal dhe një plagë e pashëruar në historinë tonë”, shkroi Osmani.

Më tej, ajo u shpreh se sot e përherë do t’i kujtojnë me nderim e pikëllim viktimat, ndërsa kërkojnë drejtësi për ta.

Teatri Kombëtar publikon orarin e shfaqjeve për muajin prill

Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar orarin e shfaqjeve për muajin prill 2025, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Martesa” e regjisorit Norbert Rakowski do të jepet më: 3, 4, 8 dhe 9 prill, ndërsa shfaqja mysafire “Streha e Nemun” nga regjisori Ilir Bokshi jepet më datën 10 prill.

Kurse, shfaqja mysafire “Të turpëruarit” e regjisorit Altin Basha jepet më 11 prill. Orari për shfaqjet tjera është si në vijim:

Orkestra e Filharmonisë sjell koncert dedikuar muzikës së kompozitorit Philip Glass

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës vjen me një mbrëmje të jashtëzakonshme dedikuar muzikës së kompozitorit ikonik Philip Glass, nën drejtimin e dirigjentit Gregory Charette, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert të veçantë Orkestra do t’ju shpie në një udhëtim përmes veprave më ikonike të Glass-it, duke filluar me Koncert për Violinë Nr. 2 – “American Four Seasons”, me violinistin e shkëlqyer Maximilian Haft. Derisa mbrëmja do të vazhdoj me Simfoninë Nr. 1 – “Low”, të frymëzuar nga albumi legjendar “Low” i David Bowie-t, i vitit 1977.

Ky koncert dedikuar muzikës së së kompozitorit Philip Glass vjen si gërshetim unik i minimalizmit dhe tingujve orkestralë frymëzuar nga rock-u.

Koncerti mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve – Prishtinë, më 5 prill, në ora 19:30./ KultPlus.com

Rama në kantierin e qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijët: Konsiderohet më e madhja në Ballkan

Në kuadër të zhvillimit të projekteve infrastrukturore për avancimin e kulturës dhe artit në Shqipëri, ka nisur puna për kantierin e Qendrës së re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, e cila do të ngrihet pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë. Ky projekt është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe do të ofrojë kushte moderne për aktivitete social-kulturore, me fokus te zhvillimi i talenteve të rinj dhe edukimi i artit për fëmijët.

Kryeministri Rama i shoqëruar nga Blendi Gonxhe, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit panë nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier.

“Ky projekt ka nëntë kate dhe do të ofrojë 7 mijë metra katrorë funksionalë, ku do të zhvillohen aktivitete artistike dhe edukative për fëmijët e të gjitha grupeve moshore. Është një sipërfaqe e jashtëzakonshme, shumë multifunksionale dhe e ndarë në shumë hapësira, ku mund të zhvillohen aktivitete të ndryshme në mënyrë simultane, si në katet e brendshme ashtu edhe në tarracë”, shpjegoi ministri Gonxhe.

Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij projekti është krijimi i një skene të dyfishtë, që do të mund të përdoret si brenda godinës dhe jashtë saj, në formën e një amfiteatri të hapur në natyrë. Ministri Gonxhe theksoi gjithashtu se kjo është një nga ndërtimet më të vështira dhe komplekse, veçanërisht për sa i përket aspektit teknologjik të skenës.

“Skena ka dy funksione të ndryshme dhe mund të përdoret për shfaqje si brenda ashtu edhe jashtë, me një portë të madhe që hapet për nga parku”, shtoi ai.

Kryeministri Edi Rama nënvizoi rëndësinë e krijimit të një stafi të kualifikuar për menaxhimin dhe funksionimin e qendrës.

“Për të siguruar suksesin e këtij projekti, ne kemi nevojë për mësues të artit të bukur, mësues të skenës, aktorë, regjisorë dhe profesionistë të tjerë të dedikuar dhe të paguar mirë. Kjo do të jetë një qendër europiane, që do të ofrojë mundësi bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare. Ballkani nuk ka një projekt si ky, dhe duhet të fillojmë menjëherë kontakte me qendrat ndërkombëtare, si ato suedeze dhe spanjolle, për të krijuar një program të pasur ndërkombëtar”, theksoi Rama.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë Melsi Qirici, shpjegoi disa aspekte teknike të Qendrës.

“Për herë të parë, skena do të jetë me rotativ, duke ofruar mundësinë që ajo të lëvizë gjatë gjithë kohës, brenda dhe jashtë. Ky dizajn i avancuar teknologjik do të lejojë që Qendra të organizojë aktivitete për fëmijë dhe të rinj, duke ofruar mundësi për një gamë të gjerë shfaqjesh dhe ngjarjesh”, tha ajo.

Ajo shtoi gjithashtu se një element tjetër i ri për këtë projekt do të jetë ndërtimi i një punishteje të madhe, ku do të prodhohen kukulla dhe rekuzita për shfaqje, si dhe do të mund të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe studentët e Akademisë së Arteve.

“Për herë të parë, do të kemi një punishte që do të shërbejë për të gjithë të rinjtë, jo vetëm për teatrin, por edhe për zhvillimin e aktiviteteve të tjera krijuese dhe edukative”, u shpreh Qirici.

Kjo qendër do të ofrojë mundësi për zhvillimin e kurseve të ndryshme për artet skenike, përfshirë aktrim, balet, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera, duke i mundësuar të rinjve të shfaqin dhe zhvillojnë talentet e tyre.

Me këtë projekt, Tirana do të fitojë një hapësirë unike, që do të stimulojë kreativitetin e fëmijëve dhe rinisë së qytetit. /atsh/ KultPlus.com

‘Të gjashtët kundër Turqisë’ jepet sonte në teatrin Oda

Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Neziraj, shfaqet sonte në teatrin Oda.

Kjo shfaqje paraqet vitin 2018, ku gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin e supozuar se përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.

Kur televizionet në Kosovë dhanë pamjet e shtetasve turq të arrestuar, njerëzit pyesnin me të drejtë; si ishte e mundur që në një shtet demokratik, siç proklamonte se ishte Kosova, të ndodhte një rrëmbim i këtillë, mafioz, që sigurisht po kryhej me dijeninë dhe autorizimin e krerëve të shtetit. Rrëmbimi dëshmoi brishtësinë e institucioneve të shtetit në Kosovë, të cilat janë rob i hegjemonive politike e ekonomike të shteteve të fuqishme. Por incidenti është edhe një mësim për të gjithë ne: që autoritarizmi nuk është një ‘ishull i izoluar’, ai ka tendencë të kopjohet e importohet, mu siç ndodhte dikur me fashizmin.

E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës”, shfaqja përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi, Don Shala.

Shfaqja “Të gjashtët kundër turqisë” jepet sonte, në ora 20:00, në Teatrin ODA./ KultPlus.com