‘1984’ nga George Orwell: Njerëzit zhdukeshin gjithnjë gjatë natës…

“Ajo punë ndodhte gjithmonë natën; nuk kishte grimë dyshimi që arrestimet kryheshin natën. Zgjimi i papritur dhe i dhunshëm nga gjumi, dora e ashpër që të tundte te supi, dritat që të verbonin sytë, rrethi i fytyrave të vrenjtura përqark shtratit. Në shumicën dërrmuese të rasteve nuk bëhej gjyq, nuk kishte njoftime arrestimesh. Njerëzit zhdukeshin gjithnjë gjatë natës…”

Në vitin 1984, qytetërimi është dëmtuar nga lufta, konflikti civil dhe revolucioni. Airstrip One, një provincë e Oqeanisë, është një nga tre super-shtetet totalitare që sundojnë botën. Në këtë vend imagjinar, pushtetin e ka “Partia” nën ideologjinë e një udhëheqësi misterioz, Big Brother. Partia ekzekuton çdo person që nuk është konformist me regjimin duke përdorur Policinë e Mendimit.

Koha është e trazuar dhe bota nuk gjen më ngushëllim: Nga “Down & Out in Paris and London” në vitin 1933, në “Fermën e Kafshëve” 1945, George Orwell pat përjetuar thellësisht një disharmoni të brendshme në raport me shoqërinë. Dallohej për një fëmijëri ndryshe nga ato të zakonshmet. Që fëmijë mbetej gjithmonë i hipnotizuar prej imagjinatës futuriste të shkrimtarit të famshëm britanik, Herbert George Wells. Por edhe pse pati një jetë të shkurtër, ai arriti të përmbushë ëndrrën e tij. ‘Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër’, është cilësuar si romani më i famshëm anglez i shekullit të 20-të, një libër zaitgaist, fryma e kohës, i cili shpërfaqi tërësisht vizionin distopik të Orwellit. Ai ishte thellësisht i rrënjosur si në moralin politik të autorit, ashtu edhe në kohën në të cilën ai jetonte, në vitet e pasluftës së dytë botërore.

Temat si, kërcënimi prej totalitarizmit, censura dhe manipulimi i gjuhës, vazhdojnë të ndezin ende sot botën me kërcënime profetike. Njerëzimi në romanin ‘1984’, gjendet në një konflikt të vazhdueshëm, që justifikon sundimin e qeverisë, e cila ka zhvilluar shkencën për të kontrolluar dhe shtypur individin. Bota e Orwell është ajo, ku jeta private e individit nuk ekziston. Njerëzit flasin gjuhën e gazetave. Winston Smith, një ish-gazetar i punësuar nga autoritetet shteterore, për të rishkruar artikujt e vjetër të gazetave, vendos të rebelohet i pashpresë, kundër shtypjes së “Partisë” dhe diktatorit sundues, Vëllait të Madh.

Revolta e Winstonit nxitet akoma dhe më shumë prej mikeshës së tij, Xhulia, një tjetër disidente, që përdor seksualitetin e saj të shfrenuar për të sfiduar represionin e “Partisë”. Kur marrëdhënia e shkurtër e Winstonit dhe Xhulias zbulohet nga Policia Sekrete, ata i nënshtrohen torturave të pamëshirshme të O’Brajanit në ‘Dhomën 101’. “Nëse doni një foto të së ardhmes”, thotë kjo figurë djallëzore, “përfytyroni një çizme ngjeshur në fytyrën e dikujt,… përjetësisht”. Ky epigraf i profecisë së veprës risjell fare shqip, kumtin mbi imazhin e së shkuarës dhe përfytyrimin e të ardhmes po të njëllojtë. Fabula e ‘1984’ është një gjë; idetë e saj janë krejt diçka tjetër.

Libri doli në botim 73 vjet me pare, vetëm pak muaj para se autori të mundej nga tuberkulozi. Në vitin 1989 libri ishte përkthyer në mbi 65 gjuhë të ndryshme duke shenjuar kështu numrin më të madh për ndonjë novel. Ndërkohë në Shqipëri vepra mbërriti vetëm pas rënies së komunizmit, në vitin 1991. Mbrojtës i lirisë së individit, Orwell luftoi kundër çdo forme shtypjeje. Sipas fjalëve të një kritiku britanik, Xhorxh Orwell, vlerësuar si “koshienca dimërore e brezit të tij”, u kthye në një lloj shenjtori laik, mishërimi i prozatorit tronditës, të frikshëm e të thellë në të gjithë raportin që ka individi me shtetin dhe në mënyrën sesi sillen regjimet autoritare ndaj individit.

Orwell në romanin “1984”, ka bërë parashikime brilante për atë që do të ndodhte, sidomos në vendet komuniste, duke u kthyer në një ogur paralajmërues edhe për dekada të tjera më pas. Kjo është dhe arsyeja që romani njeh një ribotim të kohëpaskohshëm./ KultPlus.com

90 vite nga lindja e Leonard Cohen, kjo është intervista e fundit e tij

Leonard Norman Cohen, këngëtar, kompozitor, muzikant, poet, romancier dhe piktor kanadez, një nga zërat më të veçantë të muzikës pop të viteve 1970, ka lindur 21 shtator 1934 në Westmount (Kebek) dhe vdiq më 7 nëntor 2016, në Los Angeles.

Bob Dylan shprehej në atë kohë për të madhin Cohen se ai e konsideronte atë rivalin e tij më të afërt dhe është një figurë e përkushtimit pothuajse si kulti mes fansave.

Leonard Cohen filloi si poet në veprën e Allen Ginsberg dhe Frank O’Hara përpara se të publikonte albumin e tij të parë, në vitin 1967. Pavarësisht se vuante nga një ankth i tmerrshëm, shumë i zbutur nga alkooli dhe droga, ai e mposhti frikën e tij për të performuar në skenë pas dekadash praktike Zen.

David Remnick ka sjell në vëmendje intervistën e fundit më kompozitorin,  për karrierën e tij, ndikimet shpirtërore, turneun triumfues final dhe përgatitjen për fundin e tij.

“Unë jam gati të vdes,” shprehej Cohen. Ai tashmë vuante nga një sërë problemesh shëndetësore.

“Në një moment të caktuar, nëse ende i keni mendtë e kokës dhe nuk përballeni me sfida të rënda financiare, keni një shans për të rregulluar shtëpinë tuaj. Është një klishe, por është nënvlerësuar si një analgjezik në të gjitha nivelet. Të rregullosh shtëpinë, nëse mund ta bësh, është një nga aktivitetet më ngushëlluese dhe përfitimet e saj janë të pallogaritshme”, shtoi ai.

Profili i Cohen-it, i Remnick-ut ofron një vështrim në introspeksionin e ditëve të fundit të muzikantit: Ndoshta nuk ka më turne përpara. Ajo që është në mendjen e Cohen tani është familja, miqtë dhe puna në dorë.

“Unë kam pasur një familje për të mbajtur, kështu që nuk ka asnjë ndjenjë virtyti të lidhur me të”, tha ai.

“Unë kurrë nuk kam shitur aq shumë sa të mund të qetësohem me paratë. Unë kisha dy fëmijë dhe nënën e tyre për të mbajtur dhe jetën time. Pra, nuk ka pasur kurrë një mundësi për të ndërprerë. Tani më është bërë zakon. Dhe është elementi i kohës, i cili është i fuqishëm, me nxitjen e tij për të përfunduar. Tani nuk i jam afruar përfundimit.

Kam përfunduar disa gjëra. Nuk e di se sa gjëra të tjera do të arrij, sepse në këtë fazë të veçantë përjetoj një lodhje të thellë… Ka raste kur më duhet vetëm të shtrihem. Nuk mund të luaj më, dhe shpina nuk më duron shumë. Gjërat shpirtërore, baruch Hashem” – falë Zotit – “kanë shkuar në vendin e tyre, për të cilat jam thellësisht mirënjohës”. / KultPlus.com

Canadian singer-songwriter Leonard Cohen, London, June 1974. (Photo by Michael Putland/Getty Images)

Schopenhauer, një nga filozofët më të rëndësishëm të epokës së tij

Sot është përvjetori i vdekjes së filozofit gjerman të shquar, Arthur Schopenhauer, ditë kjo e cila na bën të reflektojmë mbi një nga mendimtarët më të rëndësishëm dhe më me ndikim të epokës së tij.

Arthur Schopenhauer (22 shkurt, 1788 – 21 shtator, 1860) ishte një filozof gjerman i njohur për pesimizmin e tij atheist dhe qartësinë filozofike. Në moshën 25 vjeçare, ai botoi disertacionin e doktoratës, On the Fourfold Root of the Principle of Sufficient Reason, e cila ekzaminoi pyetjen themelore: A mundet arsyeja, e vetme, të japë përgjigje mbi botën. Punimi më me ndikim nga Schopenhauer, Bota si Vullnet dhe Përfaqësim (Die Welt als Wille und Vorstellung), theksoi rolin e motivimit themelor të njeriut, që Schopenhaueri e quan vullnet. Analiza e Schopenhauerit mbi vullnetin e çoi atë në përfundimin se dëshirat emocionale, fizike, dhe seksuale nuk mund të përmbushem kurrë. Si pasojë, Schopenhauer favorizoi një jetesë duke mohuar dëshirat njerzore, ngjashëm me mësimet e Budizmit dhe Vedantas.

Duke vijuar nga idealizmi i Immanuel Kant, Shopenhauer refuzoi filozofitë bashkëkohore post-Kantiane të idealizmit gjerman. Kunder ideat e filozofeve perpara atij, ai zhvilloj nje sistem etik dhe metafizik ateist, qe ai e zhvilloj si nje manifestim i pesimizmin filozofik.

Shopenhauer ishte ndër mendimtarët e parë të filozofisë perëndimore që ndau dhe afirmoi parimet e rëndësishme të filozofisë lindore (p.sh asketizmi, bota si aparencë), pasi kishte arritur në konkluzione të ngjashme si rezultat i punës së tij filozofike. Edhe pse puna e tij nuk pati vëmendjen e merituar gjatë jetës së tij, impakti pas vdekjes së Shopenhauer preku disiplina të ndryshme, duke përfshirë filozofinë, letërsinë dhe shkencën.

Analiza metafizike e Schopenhauerit mbi vullnetin, pikëpamjet e tij mbi motivimin dhe dëshirat njerëzore, dhe stili i she’s aforistik ndikoi te shumë mendimtarë të njohur, përfshirë Friedrich Nietzsche, Richard Wagner, Ludwig Wittgenstein, Erwin Schrödinger, Albert Einstein, Sigmund Freud, dhe Karl Kraus. / KultPlus.com

Dy rusë vendosin rekord për qëndrimin më të gjatë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

Dy rusë e kanë vendosur të premten një rekord për qëndrimin më të gjatë të pandërprerë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), sipas Agjencisë Hapësinore të Rusisë, Roskosmos.

Roskosmos tha se Oleg Kononenko dhe Nikolai Chub thyen rekordin e mëparshëm prej 370 ditësh, 21 orësh dhe 22 minutash, i cili ishte vendosur në shtator të vitit 2023 nga rusët Sergei Prokopiev dhe Dmitry Petelin, dhe amerikani Francisco Rubio.

Chub dhe Kononenko do të qëndrojnë edhe disa ditë më tepër, para se të kthehen në Tokë siç është planifikuar më 23 shtator.

Kononenko, 59 vjeç, mban rekorde të tjera për kohëzgjatjen në hapësirë, përfshirë kohën më të gjatë kumulative në hapësirë: 1.110 ditë gjatë pesë misioneve deri në momentin kur ai do të ketë zbarkuar në Kazakistan në fund të këtij muaji.

Astronautja e NASA-s me ditët më të gjata kumulative në hapësirë, Peggy Whitson, renditet e teta në nivel ndërkombëtar. Whitson ka qëndruar në hapësirë për gjithsej 675 ditë në tri misione të gjata dhe një mision të shkurtër.

Dy astronautë amerikanë, Butch Wilmore dhe Suni Williams, të cilët aktualisht ndodhen në ISS, kanë qëndruar rastësisht në stacionin hapësinor për pjesën më të madhe të qëndrimit rekord të rusëve.

Pasi NASA dhe Boeing identifikuan rrjedhje heliumi dhe probleme me kontrollet e reaksionit në kapsulën hapësinore Starliner të astronautëve, u mor vendimi për të kthyer kapsulën pa dyshen Wilmore dhe Williams dhe për t’i mbajtur ata në ISS për sigurinë e tyre.

NASA tha se kthimi i Starlinerit pa ekuipazh ia mundësoi asaj dhe prodhuesit të tij, Boeing, të vazhdonin mbledhjen e të dhënave të testimit duke mos paraqitur rrezik për ekuipazhin.

NASA ka marrë parasysh se qëndrimi i zgjatur i astronautëve do të thotë se ata nuk do të jenë në Tokë për zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor. Dy astronautët thanë në një konferencë për shtyp më 13 shtator se ata do të kenë ende mundësinë të votojnë në zgjedhje dhe do të përdorin satelitët për të dërguar votat e tyre në Tokë.

Dy astronautët amerikanë pritet të kthehen në Tokë në shkurt./REL/ KultPlus.com

Himni i Kosovës intonohet në “West Point”, Osmani: Vendi ku shumë ushtarë nga Kosova janë shkolluar

Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë një video nga momenti kur është intonuar himni i Republikës së Kosovës në akademinë më me ndikim të ushtrisë amerikane “West Point”.

Osmani ka thënë se në këtë akademi, ka shumë ku shumë ushtarë nga Kosova që janë shkolluar për ta mbajtur Republikën e Kosovës më të sigurtë për të gjithë.

“Himni i Republikës së Kosovës në akademinë më me ndikim të ushtrisë amerikane “West Point”—vendi ku shumë ushtarë nga Kosova janë shkolluar për ta mbajtur Republikën tonë më të sigurtë për të gjithë!”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se është e nderuar me pritjen madhështore që i është bërë nga ushtria amerikane./ KultPlus.com

“Liqeni i Mjelmave” zhyt në një botë ëndërrash spektatorët në TKOB

Pas “Borëbardhës” dhe “Romeo dhe Zhuljeta”, Angelin Preljocaj u rikthye këtë mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me kryeveprën e Çajkovskit por me disa rregullime më bashkëkohore, “Liqenin e Mjelmave”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se me muzikën mahnitëse të Çajkovskit dhe koreografinë e përsosur të Angelin Preljocaj, “Liqeni i Mjelmave” zhyti në një botë ëndërrash të gjithë spektatorët e Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Një mbrëmje spektakolare nën magjinë dhe elegancën e “Liqenit të Mjelmave”. Një nga veprat më të dashura të baletit klasik, me një histori epike dashurie, magjie dhe sacrifice. Me muzikën mahnitëse të Çajkovskit dhe koreografinë e përsosur të Angelin Preljocaj, “Liqeni i Mjelmave” zhyti në një botë ëndërrash të gjithë spektatorët e Teatrit të Operas dhe Baletit”, shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

“Liqeni i Mjelmave”, një nga baletet më të famshme në histori, mirëpret sërish nesër mbrëma në orën 20:00 artdashësit në Teatrin e Operas dhe Baletit./KultPlus.com

Presidentja Osmani në Nju Jork, takohet me artistin Petrit Halilaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me artistin shqiptar, Petrit Halilajn, ku dhe vizitoi ekspozitën me titullin “Abetare” në Nju Jork.

Osmani, përmes një postimi në facebook, shprehet se ekspozita e Petritit ‘është një pjesë e historisë sonë të dhimbshme që na kujton kohën e robërisë, qëndrueshmërisë dhe triumfit’.

“Kënaqësi e veçantë ta takoj artistin tonë Petrit Halilaj dhe ta vizitoj ekspozitën me titullin “Abetare”, në një ndër muzetë me prestigjoze në botë, Metropolitan Museum of Art në New York”, shkroi e para e vendit./KultPlus.com

‘Kur një ditë të kthehesh ti, i përbuzur nga të gjithë’ (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha ky emër i shquar i këngës shqipe, ndryshe njihej si Bilbili i Kosovës.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Ajo u nda nga jeta në vitin 2020 duke e lënë pas vetës një grumbull këngësh që janë dëgjuar e vazhdojnë të dëgjohen me ëndje edhe në ditët e sotme.

Kultplus ua sjell tekstin e këngës “Kur Një Ditë Të Kthehesh Ti” të kënduar nga Nexhmije Pagarusha dhe Ardit Gjebrea:

Fjalët tua aq të rrejshme,
qenë të vrazhda për me zgju dashninë time,
As qe ditën mem ngushllue,
as në çastet kur për ty unë sytë i meksha
Fjalët tua aq të vrazhda
s`qenë në gjendje me pajtue zemrën time
ishin vetëm sytë e tue asgjë tjetër nuk na lidhte

ref…

Kur një ditë të kthehesh ti,
i përbuzur nga të gjithë,
dhe dëshiron ta kesh pranë ndokënd afër vetit
Mos kerko strehim te unë
se ngrohtësia në shpirtin tim
ka shumë kohë që fluturon për ty në amshim
Kur një ditë të kthehesh ti
dhe e kupton se je fajtor
se unë ende po jetoj pa fat dhe dashni
dhe çkado qe tash premton
është shumë vonë për shpresën tonë
për urrejtje dhe dashni për ne të dy
Çdo mesnate unë të shoh në andërr
gjoja se po fle pranë meje si dikur
Çdo mesnatë me zgjon kujtimi
se më lodhi dashuria me këto andrea
Qdo mesnatë un të shoh ne andërr
si largohesh ti i heshtur pa buzëqeshje
Fjalët e fundit janë për ty
sytë e mi janë tuj lotu

ref…

Kur një ditë të kthehesh ti,
i përbuzur nga të gjithë,
dhe dëshiron ta kesh pranë ndokënd afër vetit
Mos kerko strehim te unë
se ngrohtësia në shpirtin tim
ka shumë kohë që fluturon për ty në amshim
Kur një ditë të kthehesh ti
dhe e kupton se je fajtor
se unë ende po jetoj pa fat dhe dashni
dhe çkado qe tash premton
është shumë vonë për shpresën tonë
për urrejtje dhe dashni për ne të dy./KultPlus.com

Microsoft: Përdorimi i AI përmirëson punën dhe kursen kohën e punonjësve

Punonjësit që merren me sigurinë kibernetike, zhvillimin e produkteve, shitjet, mbështetjen teknike, marketingun dhe marrëdhëniet me publikun, kursejnë më shumë kohë në ditë duke përdorur inteligjencën artificiale, sipas rezultateve të hulumtimit nga Microsoft.

Sipas hulumtimit mbi profesionet që aktualisht përfitojnë më shumë nga përdorimi i inteligjencës artificiale në formën e përmirësimit të punës së tyre në detyrat e përditshme, përdorimi i AI ofron një mundësi për inovacion dhe zvogëlon sasinë e punës së përsëritur, njoftoi kompania.

Hulumtimet kanë treguar se kur përdoruesit e një mjeti AI njohin një kursim ditor 11-minutësh në kohë, ata fillojnë të shohin vlerën e tij dhe të krijojnë një zakon për ta përdorur atë.

Më shumë se gjysma e të rinjve të anketuar treguan se teknologjitë e reja ishin kyçe për vendimet e tyre për karrierën, duke treguar se në të ardhmen e afërt aftësitë e AI dhe aksesi në ato aftësi do të jenë çelësi për tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve më të mirë.

Drejtori i Microsoft Adriatica, Kalin Dimçev, theksoi se inteligjenca artificiale vazhdon të formësojë industritë dhe të ripërcaktojë mënyrën se si mendohet për teknologjinë, por edhe se pavarësisht se vlerat e saj njihen lehtësisht, nuk ka një strategji formale për aplikimin e inteligjenca artificiale në organizata, e cila çon në përdorimin e mjeteve personale të AI nga punonjësit dhe mund të rrezikojë sigurinë dhe privatësinë.

 “Është thelbësore që kompanitë të zbatojnë mjete të standardizuara të AI të gatshme për përdorim në mjedisin e punës dhe të ofrojnë trajnime për punonjësit në mënyrë që të sigurojnë përdorimin e sigurt dhe efektiv të inteligjencës artificiale”, tha Dimçev./KultPlus.com

Festivali ndërkombëtar i kërcimit, Prelocaj: Nga 20 shtatori deri më 12 tetor, një tjetër edicion emocionues

Festivali Ndërkombëtar i kërcimit premton një edicion tjetër emocionues, duke vazhduar aktivitetet kulturore me një program dinamik e inovativ.

Për të tretin vit, Shqipëria bëhet skena e këtij festivali bashkëkohor me drejtorin artistik, koreografin e mirënjohur franko-shqiptar Angjelin Prelocaj. Përgjatë tre javëve, nga 20 shtatori deri më 12 tetor, Tirana do të gjallërohet nën ritmin e kërcimit, me performance të guximshme të artistëve europianë dhe shqiptarë.

“Jam shumë i emocionuar që po bëhet ky Festival i Tretë kontemporan. I pari ishte si një lloj prove, I dyti u zhvillua jashtëzakonisht edhe më shumë, por ky i treti është si emblema e Festivalit ndërkombëtar, që do të shënjojë të ardhmen e artit shqiptar”, tha Prelocaj.

Festivali ul perden në Teatrin e Operas dhe Baletit  sonte në mbrëmje me dy shfaqje premierë të “Liqenit të Mjellmave” nga Angelin Preljocaj. Ylli i koreografisë me famë botërore, ka bindjen se me Festivalin që sjell një përvojë gjithëpërfshirëse në tërësi, brenda 5 viteve Tirana do të jetë një nga qendrat e rëndësishme të kërcimit bashkëkohor.

“Para se të vija këtu mendova që populli shqiptar e Meriton të zbulojë artin kontemporan jashtë mureve të. Por tani që kam ardhur, besoj se janë artistët e botës që meritojnë të vijnë këtu Shqipërisë në Shqipëri se është vendi i duhur!“,tha ai.

Larmishmëria e shfaqjeve nuk do të jetë e vetmja veçanti e Festivalit, por edhe do të jetë i mundur shkëmbimi i artistëve me audiencën përmes seminareve dhe masterklasave.

Festivali ndërkombëtar i Kërcimit organizohet falë mbështetjes së Ministrisë së ekonomisë e kulturës, bashkisë së Tiranës dhe me partner mediatik Top Channel./TopChannel/KultPlus.com

Festivali ndërkombëtar i kërcimit, Prelocaj: Nga 20 shtatori deri më 12 tetor, një tjetër edicion emocionues

Festivali Ndërkombëtar i kërcimit premton një edicion tjetër emocionues, duke vazhduar aktivitetet kulturore me një program dinamik e inovativ.

Për të tretin vit, Shqipëria bëhet skena e këtij festivali bashkëkohor me drejtorin artistik, koreografin e mirënjohur franko-shqiptar Angjelin Prelocaj. Përgjatë tre javëve, nga 20 shtatori deri më 12 tetor, Tirana do të gjallërohet nën ritmin e kërcimit, me performance të guximshme të artistëve europianë dhe shqiptarë.

“Jam shumë i emocionuar që po bëhet ky Festival i Tretë kontemporan. I pari ishte si një lloj prove, I dyti u zhvillua jashtëzakonisht edhe më shumë, por ky i treti është si emblema e Festivalit ndërkombëtar, që do të shënjojë të ardhmen e artit shqiptar”, tha Prelocaj.

Festivali ul perden në Teatrin e Operas dhe Baletit  sonte në mbrëmje me dy shfaqje premierë të “Liqenit të Mjellmave” nga Angelin Preljocaj. Ylli i koreografisë me famë botërore, ka bindjen se me Festivalin që sjell një përvojë gjithëpërfshirëse në tërësi, brenda 5 viteve Tirana do të jetë një nga qendrat e rëndësishme të kërcimit bashkëkohor.

“Para se të vija këtu mendova që populli shqiptar e Meriton të zbulojë artin kontemporan jashtë mureve të. Por tani që kam ardhur, besoj se janë artistët e botës që meritojnë të vijnë këtu Shqipërisë në Shqipëri se është vendi i duhur!“,tha ai.

Larmishmëria e shfaqjeve nuk do të jetë e vetmja veçanti e Festivalit, por edhe do të jetë i mundur shkëmbimi i artistëve me audiencën përmes seminareve dhe masterklasave.

Festivali ndërkombëtar i Kërcimit organizohet falë mbështetjes së Ministrisë së ekonomisë e kulturës, bashkisë së Tiranës dhe me partner mediatik Top Channel./TopChannel/KultPlus.com

Do ta shohësh

Edward Stachura

Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më
Do ta shohësh !
Do të shohësh natë në mes të ditës
Qiellin e zi në vend të yjeve
Do të shohësh të njëjtën gjë
Si unë

Edhe tokën, do ta shohësh ti,
E toka, s’do të jetë tokë :
S’do të të mbajë.

Edhe zjarrin, do ta shohësh ti,
E zjarri, s’do të jetë zjarr :
S’do të mund të lahesh në të.

Edhe ujin, do ta shohësh ti,
E uji, s’do të jetë ujë :
S’do të të freskojë.

Edhe erën, do ta shohësh ti,
E era, s’do të jetë erë :
S’do të të qetësojë.

Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më
Do ta shohësh !
Do ta shohësh fytyrën tënde të huaj,
Do të shohësh sa të mëdhenj janë sytë e frikës
Do të shohësh të njëjtën gjë
Si unë

Edhe tokën, do ta shohësh ti,
E toka, s’do të jetë tokë :
S’do të të mbajë.

Edhe zjarrin, do ta shohësh ti,
E zjarri, s’do të jetë zjarr :
S’do të mund të lahesh në të.

Edhe ujin, do ta shohësh ti,
E uji, s’do të jetë ujë :
S’do të të freskojë.

Edhe erën, do ta shohësh ti,
E era, s’do të jetë erë :
S’do të të qetësojë.

E të gjithë elementët,
Të gjithë, do të të mallkojnë :
Do të ishte më mirë për ty
Të zhdukesh pa asnjë lajm !/KultPlus.com

Paraqitjet më me stil të Sofia Loren

Në këtë pikë, është praktikisht e tepërt të quhet Sophia Loren një simbol i bukurisë.

Që nga momenti kur ajo nënshkroi një kontratë me pesë filma me Paramount në 1958, fituesja e Oskarit u bë sinonim i magjepsjes italiane, transmeton KultPlus.

Shikoni momentet më me stil nga Epoka e Artë e Hollivudit ku Loren shfaqet e veshur në fustane me brez Pierre Balmain dhe kostume të personalizuara Dior nga Marc Bohan. / KultPlus.com

“Botimet veneciane në Fondin e Bibliotekës Kombëtare”, bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha nënshkroi sot marrëveshje bashkëpunimi me drejtorin e Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, për realizimin e ekspozitës “Botimet veneciane në Fondin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”.

Ekspozita “Botimet veneciane në Fondin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë” do të çelet më datë 21 tetor 2024, në ambientet e BKSH-së dhe do të ketë për qëllim të tregojë koleksionin e pasur të veprave të botuara në Venecia, që prej shek. XIV, që zotëron BKSH-ja.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen rreth 600 botime dhe harta, të cilave do t’u bashkëngjiten edhe panele shpjeguese, ilustrime dhe postera grafikë në formë filarmonike. Për këtë ngjarje kaq të bukur, Instituti Italian i Kulturës, ndër të tjera, ka mundësuar vënien në dispozicion të kuratores shkencore znj. Elisabetta Sciarra.

Përmbyllja e kësaj marrëveshjeje do të jetë botimi i një katalogu, ku do të përfshihen të gjithë ekzemplarët e publikuar në këtë ekspozitë./KultPlus.com

Nazareno Ferruggio sjell magjinë e barokut e romantizmit në natën e dytë të ‘DAM Festival’

Flonja Haxhaj

‘DAM Festival’ shënoi dje mbrëmjen e dytë të edicionit të 19-të me mbrëmjen ‘Kronikë e Sonatave’, me koncertin e pianistit të mirënjohur Italian Nazareno Ferruggio, shkruan KultPlus.

Me pianon dhe ndriçimin e vendosur në qendër të Ateliesë së Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Ferruggio arriti që përgjatë një ore, të mbajë publikun nën magjinë e interpretimit të kryeveprave botërore e duke ofruar një përvojë muzikore të paharrueshme.

Koncerti filloi me sonatat e Scarlatit, ku Ferruggio shpalosi mjeshtërinë e tij të jashtëzakonshme. Me çdo nota, ai arriti të krijonte një atmosferë magjike, duke e mbushur sallën me energji dhe emocion.

Në fund të koncertit, ai shpërtheu në një interpretim të mahnitshëm të ‘Nokturne në b-mol, op. 9 No. 1’ të Frederic Chopin. Me çdo notë, Ferruggio përcolli melankolinë dhe pasionin e muzikës së Chopin, duke e bërë këtë moment kulminant të koncertit.

Pasi dhuroi një performancë magjepsëse teka interpretoi në piano, për KultPlus foli vetë Nazareno Ferruggio i cili shprehu mirënjohjen e tij për ftesën që të jetë pjesë e këtij festivali.

“Dua të falënderoj Dardanin për ftesën në këtë festival të bukur.Për mua është hera e parë që performoj këtu dhe e shijoja shumë. Kam sjellur muzikë italiane. Këtë periudhë të jetës time dua shumë të interpretoj sonatat e Sarlattit dhe mendoj që epoka e barokut është periudha më e bukur dhe që lidhet me universit prandaj më pëlqen shumë që ta kem atë në repertorin tim”, tha mes tjerash Ferrugio i cili më tutje u shpreh se koncerti përfundoi suksseshëm dhe ndjehet i lumtur për këtë.

 Pas një mbrëmje tjetër të suksseshme, për KultPlus foli edhe organizatorja e ‘DAM Festival’, Rreze Kryeziu e cila u shpreh se ndjehet e lumtur për paraqitjene sotme të pianistit Ferruggio në këtë edicion të këtij festivali.

“Sot ishte nata e dytë e edicionit të XIX të festivalit ‘DAM’, po ashtu e konsiderojmë të suksesshme, marrë parasysh edhe reagimin që e jep audienca jonë tash me një shije të kompletuar sa i përket ndjekjeve të aktiviteteve të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me muzikën profesionale ose klasike. Sot patëm kënaqësinë në këtë performancë të kemi një nga pianistët e dalluar italian, i cili erdhi me një program mjaft të vështirë sa i përket kërkesave teknike, siç janë sonatat e Scarlattit, kompozitorit të barokut të vonshëm ose stilit ‘Rokoko’ siç njihet ne literaturën e muzikës profesionale.” U shpreh Kryeziu duke shtuar më tutje që emocionet që përçojnë veprat Chopin, arritën edhe në publikun e ‘Dam Festival’ me interpretimin e pianisit Nazareno Ferruggio.

E pranishme në audiencën e këtij koncerti ishte edhe soprano e mirënjohur, Adelina Paloja, e cila u shpreh se ky festival gjithnjë e më shumë po sjell emra të njohur të muzikës klasike.

“Mund të them lirisht që festivali ‘DAM’ në një mënyrë tejet të dukshme dhe të shquar po sjell në Kosovë sikur përherë, ashtu siç edhe tradicionalisht e ka filluar të sjellë emra të njohur e poashtu edhe të promovojë emrat tanë të rinj. Kjo jo rastësisht kur vjen nga një punë kolosale të cilën po e bëjnë dy akterët kryesor të ‘DAM Festival’ siç janë Dardan Selimaj dhe Rreze Kryeziu, theksoi sopranoja Paloja për KultPlus.

Ndërkaq, ju kujtojmë se ‘DAM Festival’ do të zgjasë deri më 22 shtator, e përgjatë kësaj periudhe publiku do të kenë mundësinë që të shijojnë kryeveprat e muzikës botërore, përcjellë nga artistë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë./KultPlus.com

Dhjetori & Beka e publikojnë këngën “Trëndafili” (VIDEO)

Dhjetori & Beka kanë lansuar projektin “Trëndafili”, projekt ky që është realizuar me tekst dhe muzikë të Bekim Këpuskës, shkruan KultPlus.

Ky projekt tashmë është lansuar edhe nëpërmjet videoklipit, të cilin e sjell KultPlus duke ia bashkëngjitë edhe tekstin e këngës.

Trendafili

Sytë e tu vazhdoj t’i kujtoj
Me ty vetminë e harroj
Me veten gotën cakrroj
Vendi jot mbetet bosh

Sa ditë kalojnë në ty
Nuk po muj pa të mëndu
N’ kafën tonë jam gjithmonë
Një gotë për ty një për mu

Nuk e gjej trëndafilin
Jo ska lule të më pëlqej
Më mungon era jote
Ajo buzë që s’më kafshon

Për ty më mbeti njejta dashni
Je shpresa që nuk u zhduk
E unë e unë dot t’pres pa fund
Gjethja e fundit u shujt

Kur ti t’më jesh kthyer
Unë do të jem gjunjëzuer
Të dy me sy t’lotuem
Jo asgjë s’na n’dan ne dy

Nuk e gjej trëndafiilin
Jo ska lule të më pëlqej
Më mungon era jote
Ajo buzë që s’më kafshon./ KultPlus.com

Këtu, këtu është djali, po është i vogël dhe nuk ka letërnjoftim

Në kujtesën e nënës kthehet përditë shiriti filmik. Mungon një letërnjoftim. Ku e keni fshehur? Këtu, këtu është djali, po është i vogël dhe nuk ka letërnjoftim. Sille këtu! Djali është duke fjetur, duke ëndërruar, ndërsa hapat e nënës afrohen dhe ia prishin gjumin, ia prishin ëndrrat. Vetë ai është ëndrra e nënës, është plani i saj. Ai do të rritet, do të shkollohet, do të martohet, do ta njohë bota dhe do të krenohet nëna. Evlad, Mond, zgjohu! Çohu! Po të thërra-sin. Shokët? Jo, jo. Vëllezërit? jo, jo. Babi jo, jo. Kush, mam? Ata, ata… i vjen të thotë fjalën më të rëndë për ta, por shikon andej ku presin me padurim ata, dhe u buzëqesh nga halli. Ata, ata… milicët. Djali zverdhet. Fërkon sytë. Sheh mamin, sheh milicët. Sheh vëllezërit dhe babën të arrestuar. Ngrihet në këmbë. Drejton shtatin dhe niset drejt tyre. Bashkohet me dhjetë të arrestuarit e tjerë. Është më i vogli. Askush nuk mund ta besojë se edhe atë do ta marrin. Por, milicët janë për barazi. Si i rrituri, si fëmija, janë të barabartë para qëllimit të tyre, para mjetit të tyre. Cilit qëllim? Eliminimit. Cilit mjet? Bajonetës.

Pjesë nga romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” nga Ag Apolloni./ KultPlus.com

Sekreti i Van Gogh tek ‘Nata me yje’, çfarë zbuluan shkencëtarët për veprën artistike të vitit 1889

Van Gogh krijoi një vepër mbresëlënëse, megjithëse pësoi dhimbje të thella emocionale. Disa nga pikturat e tij zbulojnë shumë për gjendjen shpirtërore dhe për personalitetin e tij në përgjithësi. Një pikturë ikonë që shpreh agoninë dhe gjenialitetin e artistit është “Nata me Yje e vitit 1889.

Kjo vepër për shkencëtarëve është jashtëzakonisht në përputhje me parimet astronomike të qiellit tonë. Çka lë të nënkuptohet ose më saktë të aludohet se piktori ishte shumë përpara mendjeve shkencore të shekullit të 19-të.

Furçat e bojës së Van Gogh-ut duket se llogaritën pikat e rrjedhjes së barabartë të ajrit, të njohura si turbulenca, që do të shkaktonin ndryshime në pamjen vizuale të qiellit të natës. E çuditshme, por edhe e mrekullueshme në të njëjtën kohë se si ai kishte pikturuar veprën e gjallë të dritës së qiellit në një studio pa dritë.

Studimi, ka identifikuar atë që shkencëtarët e përshkruajnë si një “turbulencë të fshehur” brenda stilit yjor të van Gogh. Artisti duket se ka kompensuar për parimet në dinamikën e lëngjeve që nuk u shfaqën për pothuajse 100 vjet më vonë, siç është një shkallë për lëvizjet e energjisë ajrore të projektuar nga matematicieni George Batchelor në 1959.

Autorët aktualë të studimit ekzaminuan lloje të ndryshme të goditjeve të penelit në telajo, në rrethana të ngjashme si gjethet që fluturojnë në erë për të klasifikuar kushtet atmosferike të erës si forma dhe energjia e saj.

Faktorë të tjerë në lidhje me shkëlqimin brenda ngjyrave të ndryshme të bojës u ekzaminuan gjithashtu në lidhje me energjinë e lëvizjes.

Ajo që shkencëtarët mësuar nga vështrimi i 14 formave rrotulluese të “Nata me Yje”, ishte se piktori kishte një lidhje të çuditshme me lëvizjen e tokës dhe qiellit tonë natyror./KultPlus.com

Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe…

Poezi nga Refik Durbas

Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe,
Do të vije, unë do të lija cigaren,
Në vend të pullave të nikotinës,
Do më rridhte në vena shiu
Dhe vetëvrasja e plakjes,
Dhe vera e kaluar e rinisë…

Fëmijët do të luanin kukafshehti me shiun,
Do të zbukuronin rrugët me të qeshura,
Një harabel me flatra argjendi
Do të bëhej loja e fëmijëve…
Dhe unë do të isha balona e harabelave.

Gjiri yt i kthjellët si ylberi
Do të rrethonte netët e mia,
Në ballë do ta puthja errësirën
Ulërimën tënde më të gjatë se e gjata
Në qerpikët e zinj ngecur
Frikën dhe aromën tënde…

Ah! Zjarri i prekjes tënde
Si uji që ka ngrirë në acar,
Dëshira për t’u bërë jorgani yt,
Digje majën e flokut më të hollë
Me buzët e puthjes, prekjes, nuhatjes,
Do të të puthja…

Me krahët e erës do të përqafoja
Trupin tënd që i rri i vogël trupit tim…
Ti nuk erdhe, vjeshta erdhi herët
Hija ime nga pragu i dritareve
I ra pas dashurisë tënde të zezë…
Dhe zemra i ra pas trishtimit, dëshpërimit…

Tani pres të kthehesh
Siç më ka marrë malli të ikësh…
Që të më ushqesh
Me pasionin e dashurisë tënde në errësirë
Të më mbytësh me uraganin tënd të zi
Të më harrosh në errësirën tënde të zezë.
Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe…/KultPlus.com

Sot mbrëmja e fundit e “Opera në Rrota”

Sot është mbrëmja e fundit e rrugëtimit të “Opera në Rrota”. Mbrëmjet operistike u nisen në Istog, vazhduan në Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë, dhe sot do të përmbyllen në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në ora 20:00.

Projekti i Fondacionit Rame Lahaj “Opera në Rrota” është i realizuar në partneritet me Operan e Kosovës, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Shqipëri, Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit Tiranë.

Kjo është një iniciativë e nisur për të ofruar mbrëmje të operës në shumë qytete të Kosovës./KultPlus.com

Gonxhja: Tirana, për tre javë kryeqendër e baletit të niveleve ndërkombëtare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, u shpreh se, Festival i Baletit Bashkëkohor do të shndërrojë Tiranën, për tre javë në një kryeqendër të baletit bashkëkohor të niveleve ndërkombëtare.

Gonxhja tha se, ky event i rëndësishëm kulturor do të përqendrohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Teatrit Kombëtar, Sheshit “Skënderbej” dhe në oborrin e Vilës 31.

Ndërkohë koreografi shqiptar me famë botërore Angjelin Preljocaj në një konferencë frymëzuese për shtyp, që shënon fillimin e një serie aktivitetesh artistike në Shqipëri, International Dance Festival, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Qeverisë Shqiptare, si dhe Bashkisë Tiranë, zbardhi detaje të këtij Festivali.

Maestro Preljocaj ndau vizionin e tij mbi artin bashkëkohor, duke sjellë një frymë të re për skenën tonë kulturore.

Ky takim u mirëprit nga artistë dhe dashamirës të artit, që e cilësuan si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të lidhjeve kulturore ndërkombëtare.

International Dance Festival Tirana çel siparin sonte, me “Liqenin e Mjellmave” një klasik magjepsës i cili sjell në skenë elegancën dhe dramën, duke rrëfyer historinë e dashurisë së ndaluar mes Odettës dhe Princit Siegfried, mes muzikës së pavdekshme të Tchaikovsky-t./atsh/KultPlus.com

”S’kam si gjallnoj, pse deka e nanës zemren m’a imtoj”

Poezi nga Ndre Mjeda

Djali pa nanë si nata pa hanë

Pra ‘i djalë i vorfen kuej nuk i dhimet,

Kur, si mue t’shkretin, t’a mlojn mjerimet?

Teper shpejt bora, tuj ra n’ vorfunim,

Njatë qi per mue ish’ diell n’ agim.

Emnin e kandshem m’i a ndie kot prita

Njasajë qi n’ kobe do t’ m’ ishte drita:

Kuej nuk i dhimem, askush s’ m’ kujton,

Sado qi zemra vec gjak m’ pikon.

Kur, un i mjeri, rrijshe tu shpija,

Me nanë, me moter, ah! sa dashtnija

Vlote n’ ket zemer, qi sot s’ka gzim,

Vetem pse nana m’ la n’ ket vorfnim.

C’ at ditë qi e bora, mue s’ m’ knaqë natyra,

Nder gzime t’ shekllit nuk m’ qeshet ftyra;

Kurr s’ m’ hiqet mendjet kur nana m’ tha:

T’ laca me Zotin! – e diq e m’ la.

Ah! se fort m’ dote, se fort m’ pat gzue,

Sa gjallë, e mjera, rrite me mue!

Por qe, se une nanen sot ma s’ e kam;

Un nafakpremi, c’ se i vorfen jam!

Kur, n’ agim t’ ditve, m’ra me shtegtue,

Si dola shpijet, tuj u largue,

E kqyra s’mramit e aq m’ permalloi,

Sa dysh mue zemren, dysh m’a coptoi.

E kush kalote at ditë bri meje,

At ditë qi dhima m’ kish xjerrë mendt kreje,

Thote perajshem: Paska metë shkret!

Zot, njitja doren, majen ti ngiet!

C’ at ditë, si zogu, larg fluturova,

E n’ dhe t’ panjoftun treta, u largova;

S’ desht kush me m’kqyrun, s’ diejta kue’ i flas,

Nji dorë ndimtare c’ at herë s’ m’ u qas.

E kur vetmija mue m’ lodhte naten,

Un n’ gjuj u ulshem, thojshem uraten;

Kujtojshem nanen para Tenzot,

E syt m’ u mushshin gjithherë me lot.

Ah! po, kujtimet e asajë dite

Uratë e kandshme ti m’ i persrite:

O nanë e dashtun, a thue t’ thrras kot,

C’ se fusha e mali me za t’ em lot?

Ah! po, se dhima zemret nuk m’ shkepet,

C’ se gjithkund nanen me e lypun m’ nepet;

Do t’ m’ mysë mjerimi, s’kam si gjallnoj,

Pse deka e nanës zemren m’ a imtoj.

Por, ndale vajin, jeto pa droje,

Mendo se drita prap do t’ agoje,

Kur nder Qiell t’ epra Zoti tash t’ thrret:

Rrethue me lule, nana aty t’ pret./KultPlus.com

“Liqeni i Mjellmave” sonte në Tiranë, Preljocaj me konferencë për shtyp

Sonte ngre siparin Tirana International Dance Festival me shfaqjen e mirënjohur botërore. Lajmin e ka bërë të ditur në rrjetet sociale ministri për kulturën Blendi Gonxhja.

Koordinator i projektit do të jetë dhe koreografi i njohur Angjelin Preljocaj që e ka vën Shqipërinë në hartën botërore të baletit.

Ai sot ka mbajtur dhe një konferencë përgatitore për shtyp për të shënuar fillimin e një sërë aktivitetesh artistike.

“Koreografi Shqiptar me famë botërore Angjelin Preljocaj në një konferencë frymëzuese për shtyp që shënon fillimin e një serie aktivitetesh artistike në Shqipëri, International Dance Festival, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Qeverisë Shqiptare, si dhe Bashkisë Tiranë!
Ky Festival i Baletit Bashkëkohor do të shndërrojë Tiranën, për tre javë në një kryeqendër të baletit bashkëkohor të niveleve ndërkombëtare dhe do të përqendrohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Teatrit Kombëtar, Sheshit “Skënderbej” dhe në oborrin e Vilës 31″, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.

Tutje, ai tha se International Dance Festival Tirana çel siparin sonte, me “Liqenin e Mjellmave” një klasik magjepsës i cili sjell në skenë elegancën dhe dramën, duke rrëfyer historinë e dashurisë së ndaluar mes Odettës dhe Princit Siegfried, mes muzikës së pavdekshme të Tchaikovsky-t. Mos mungoni!” – shkruan Gonxhja në rrjetet sociale./tema/KultPlus.com

Historia e panjohur e vrasjes së atdhetarit të shquar, Çerçiz Topullit

Çerçiz Topulli mund të ishte edhe simboli i ushtarit të panjohur i rënë në luftë për pavarësi. Nuk ka një të dytë në historinë e Shqipërisë që të mos e ketë hequr armën asnjëherë nga supi, por njëkohësisht të kishte një fund aq të trishtë, i vrarë pabesisht dhe, për më tepër, pa marrë famën dhe vlerësimin që i takonte.

I lidhur kokë e këmbë me zinxhirë nga ushtarët malazezë, mëngjesin e të shtunës së 17 korrikut 1915, ai e humbi betejën e fundit në jetë edhe pse u përlesh me ta si një luan. Ndërkohë që 15 njerëz me uniformë e qëllonin me plumba dhe e shponin me bajoneta në trup, Çerçiz Topulli u bë nga dëshmorët e parë të Shqipërisë. Vetëm pak minuta më parë i kishin vrarë para syve shokun e tij Mustafa Qulli, një gazetar i cili, ndryshe nga Çerçizi që pushkën e kishte simbolin e lirisë, mbante penën.

SKENA E KRIMIT

Çerçiz Topulli kishte bërë dhjetëra manovrime në jetën e vet ndaj atyre që kishin dashur ta kapnin dhe asgjësonin. Por mëngjesin e 17 korrikut 1915, për herë të parë dhe të fundit, ai dështoi.

Një skuadër ushtarësh malazezë u shfaqën në portën e shtëpisë ku qëndronte në Shkodër dhe, pa asnjë urdhër të shkruar e vunë në pranga. Bashkë me të u arrestua edhe miku i tij, Mustafa Qulli, një gazetar me emër në atë kohë në Shkodër.

Pa shumë sqarime ushtarët e huaj i lidhën të dy me zinxhirë në duar e këmbë dhe i dërguan në kazermë. Pas 10 ditësh qëndrimi në një dhomë në kushte skandaloze, ata të dy i hipën në një karrocë dhe u thanë se do t’i dërgonin në Cetinjë.

Sapo karvani bëri disa kilometra në Fushën e Shtoijt, ora shënonte 04.00 dhe sapo nisi të zbardhte, ushtarët i zbritën ata dhe pa një pa dy nisin t’i qëllojnë me armë. Mustafai vdiq në vend, ndërsa Çerçizi, ashtu i lidhur me zinxhirë, përleshet me ushtarët malazezë, por ata, duke qenë në numër të madh, arritën ta qëllonin për vdekje me plumba dhe duke i shpuar trupin me bajoneta.

Kur panë që të dy kishin dhënë shpirt, me shpejtësi hapën dy gropa jo shumë të thella, i futën brenda të dy trupat, i mbuluan me shkurre dhe drurë rrethanorë dhe u larguan.

SI U KRYE VRASJA

Vrasja e pabesë dhe e fshehtë e Çerçiz Topullit është shoqëruar dhe me rregullin se edhe krimi më i sofistikuar lë gjurmë. Edhe pse menduan se i fshinë gjurmët bashkë me varrosjen e kufomave, asnjë nga 15 vrasësit nuk e dinin se prapa shkurreve, një person i ndodhur aty rastësisht kishte parë të gjithë ngjarjen. Quhej Mahmut Golemi dhe rrëfimi tij gjashtë muaj pas ngjarjes është unikal:

“Natën e së premtes, (duke gdhirë e shtuna) natë Ramazani, para se del drita, dola me ngarkue sanë prej livadhit, në freskë, kur prej së largut pashë tuj ardhë dy njerëz të përcjellë prej afro 15 ushtarësh, të cilët kur më panë, më urdhëruan të largohem, dhe unë u fsheha mbrapa qerres. Kur erdhën deri në një vend, atje u ndalën dhe ushtarët morën pozicion me qitë mbi dy personat në fjalë.

Ai që ishte veshë me petka bojëhini që ia kasha dhënë unë pse kishte mbetur pa xhaketë (Muço Qulli) bërtiti në një mënyrë alarmante, e një burrë i gjatë dhe i plotë, i bërtiti shokut tue i thanë: “Mos u tremb se patriotët kështu e kanë”.

Ushtarët qitën; ai me petka bojëhini ra dekun, kurse tjetri, tue sha, me një zë luani e me një shpejtësi të rrufeshme, mësyn ushtarët dhe pa u lanë kohë të qesin të dytën herë, hyn midis tyre dhe erdhi fytyrat me ta për të marrë një pushkë prej tyre. Kjo luftë vazhdoi afro një minutë. Në atë përleshje mbasi gjetën rast i ranë për herë të dytë dhe e vranë”.

Krimi i organizuar u krye, më pas duhej vetëm fshehja e gjurmëve. Një veprim që ushtarët vrasës e bënë me shpejtësi dhe fshehtësi. Të paktën sipas tyre, hapën dy gropa dhe i hodhën brenda dy viktimat. U hodhën shkurre përspër. Dëshmitari Mahmut Golemi vijon rrëfimin:
“Të nesërmen shkova në vendin e ngjarjes, ku i pashë se ishin mbulue krejt cekët e me ferra. Si myslimanë që ishin, për sevap, i mbulova më thellë. Në kontrollimin e gropes gjetëm shumë shenja që i përkisnin Muço Qullit, pasi trupin e Çerçizit që ishte mbuluar më thellë nuk e prekëm”.

GREKËT NË VRASJE

Vrasja e Çerçiz Topullit tregoi edhe një herë aleancat sllavo-greke kundër shqiptarëve.
Sipas të dhënave, dëshmive dhe raporteve të kohës, rezulton se malazezët e vranë Çerçizin për llogari të grekëve. Ishte një hakmarrje për faktin që Çerçizi kishte vrarë peshkopin grek, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së Spiro Kosturit, në Selanik, në vitin 1907. Kishin kohë që qarqet greke e kërkonin me qiri komitin shqiptar, i cili u vra nëpërmjet një intrige.

Po cilët ishin grekët që e porositën vrasjen te malazezët? Tre janë personat që ishin të implikuar në këtë vrasje: Alush Lohja, Spiro Tozhli, Mihalaki Kulumburi, të cilët kishin si qendër konsullatën greke në Shkodër. Tozhli ishte një tregtar në këtë zonë që mendohet se ka vënë në dispozicion paratë për vrasje. Dëshmia dhe deklarata e parë që vërteton këtë është e Kol Bjankut, sekretar i Kadastrës në Shkodër. Në një shkrim të numrit 18 të datës 9 qershor 1919 në gazetën “Kuvendi” ai shkroi:

“Tash, tuj mos mujtun m’u durumun prej varrës randë të zemrës s’eme, po i lajmëroj vllazënve qi në vjetin 1915 Mihalaki Kambuluri me dredhime t’veta bani fli (mbyti) dy ma t’ndershmit atdhetar, shpirtndritçmit Mustafa Qulli dhe Çerçiz Topulli qi sot Shqipnia i vajton”. Kjo dëshmi e tronditi rëndë opinionin. Në numrin e datës 16 korrik në gazetën “Kuvendi”, Mihalaki Kambuluri iu përgjigj Bjankut duke e cilësuar shpifje atë që ai shkruan.

Por shfajësimi të lë me gojë hapur teksa ai implikon Fejzi Alizotin:
“Fejzi Bej Alizoti i njef fort mirë shkaktarët e njimnendshëm t’ asaj vrasje, sikur ai vetë shumë herësh m’a pat diftue ktu në Shkodër, kur shifeshim ditë për ditë e rrinim bashkë…”.

Se sa e vërtetë është që Alizoti të kishte dijeni, kjo nuk është vërtetuar, por pas kaq vjetësh një dëshmi e shkruar vlen sa një mijë prova.
Ndërkohë ndryshonte arsyeja dhe rrethanat për eliminimin e gazetarit Mustafa Qulli. Të dhënat tregojnë se ai u vra si austrofil dhe kjo ndihej hapur në shkrimet e tij në gazetën “Populli” që botohej në Shkodër, në të cilën ai ishte drejtor. Kjo kishte sjellë zemërimin e malazezëve, por sidomos të serbëve dhe, nga situata e krijuar, ishte një rast që, duke e bërë bashkë me Mustafanë Çerçizin, të eliminonin njëherësh dy shqiptarë që luftonin me penë dhe me pushkë.

KATËR VARRIME

Eshtrat e Çerçiz Topullit nuk gjetën prehje kollaj. Katër herë nëntoka shqiptare ka pranuar trupin e tij të vdekur si të ishte një reagim. Varrimi i parë u krye nga malazezët, të cilët pasi e vranë, ende me gjak të ngrohtë e futën në dhe. Varrimi i dytë u krye më 27 nëntor të vitit 1936, në Gjirokastër, në një ceremoni shtetërore, ndërkohë që më 14 shtator 1936 në Shkodër ishte kryer zhvarrimi dhe kjo u shoqërua me një ceremoni përcjelljeje që ka mbetur në histori, sepse kjo ishte edhe dalja e parë publike e Enver Hoxhës me një fjalim që ai mbajti në ballkonin e bashkisë së qytetit.

Në vitin 1945 u krye varrimi i tretë, duke i vendosur eshtrat në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër. Në vitet ’70-të eshtrat u vendosën në kodrën e qytetit të Gjirokastrës bashkë me varret e Bajo Topullit, Koto Hoxhit dhe Pandeli Sotirit të shoqëruara me një memorial.

Shkëputur nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, me autor Roland Qafokun. / KultPlus.com