81 vite nga Lidhja e Dytë e Prizrenit

Sot janë bërë 81 vite nga mbjedhja e Kuvendit në Prizren, nga e cila u mor vendim që deri më datë 20 shtator të mbahej Lidhja e Dytë e Prizrenit, organizatë politike që u angazhua në bashkimin e trojeve shqiptare, shkruan KultPlus.

Në Kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit i cili u mbajt nga data 16 deri më 20 shtator, të vitit 1943, morën pjesë 45 delegatë, në krye me Musa Shehun, dhe të tjerë si: Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi etj.

Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta.

Krytar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbomëdhenjtë ndaj shqiptarëve të Kosovës. 

Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica qe kryeministër. Ndryshe nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve, që qenë angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t’u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëheqej nga komunistët do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë.

Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman si të keqen më të vogën në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane/KultPlus.com

82 vite nga Konferenca e Pezës

​Konferenca e Pezës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ku u bënë përpjekje për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.

Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë më 16 shtator 1942, një fshat afër Tiranës. Protagonistë të këtij Kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.

Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.

Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.

Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime:

Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste.

Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë.

Është për t’u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve.

Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.

Më 26 nëntor 1942, Shyqyri Borshi u emërua drejtor i përgjithshëm i policisë, në vend të Teodor Stamatit (“Fletorja Zyrtare”, 9 dhjetor 1942).

Parulla e bashkimit apo e përçarjes?

Parulla e konferencës u bë ajo, sipas së cilës, do të kryhej një bashkim pa dallim feje, krahine e ideje./ KultPlus.com

Luana Bajrami shpërblehet me çmimin ‘Kineasti i Vitit’ në PriFest

Sonte janë ndarë çmimet e edicionit të 16-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 10 shtator ndërsa ka përfunduar sonte më 15 shtator, shkruan KultPlus.

“Çmimi për Kineastin e Vitit” është ndarë për regjisoren Luana Bajrami.

Regjisorja Luana Bajrami në edicionin e 16-të të Prishtina International Film Festival- PriFest është prezantuar me filmin “Bota Jonë”, i cili u dha sonte në natën përmbyllëse të Festivalit./ KultPlus.com

Regjisori më i mirë në PriFest ’16’ shpallet Una Gunjak

Sonte janë ndarë çmimet e edicionit të 16-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 10 shtator ndërsa ka përfunduar sonte më 15 shtator, shkruan KultPlus.

“Çmimi për Regjisorin më të Mirë” është ndarë për regjisoren Una GUNJAK.

Una GUNJAK në PriFest është paraqitur me filmin EXCURSION, i cili ka qenë bashkëprodhim nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Serbia, Franca, Norvegjia dhe Katari./ KultPlus.com

‘And the wind weeps’ shpallet filmi më i mirë i metrazhit të mesëm në PriFest

Sonte janë ndarë çmimet e edicionit të 16-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 10 shtator ndërsa ka përfunduar sonte më 15 shtator, shkruan KultPlus.

Çmimi për filmin më të mirë të mesëm shkoi për “And the wind weeps”, të regjisores Aulona Selmani.

Çmimi është ndarë nga jurina e kategorisë së filmave të metrazhit të mesëm në përbërje me: Yousaf Ali Khan, Aurita Agushi dhe Almir Djikoli./ KultPlus.com

‘HIGHWAY OF A BROKEN HEART’ shpallet filmi më i mirë i metrazhit të shkurtë në PriFest

Sonte janë ndarë çmimet e edicionit të 16-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 10 shtator ndërsa ka përfunduar sonte më 15 shtator, shkruan KultPlus.

Çmimi për filmin më të mirë të shkurtë shkoi për filmin “HIGHWAY OF A BROKEN HEART” nga regjisori Nikos Kyritsis, nga Greqia.

Ky çmim i është ndarë filmit “HIGHWAY OF A BROKEN HEART” pas vendimit të jurisë në përbërje me: Blerta Basholli, Michael Pentney dhe Armenis Nokshiqi./ KultPlus.com

Enver Petrovcit i jepet ‘Çmimi për Kontribut Jetësor’ në PriFest

Sonte janë ndarë çmimet e edicionit të 16-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 10 shtator ndërsa përfundon sonte më 15 shtator, shkruan KultPlus.

Sivjet është ndarë edhe një çmim i veçantë, “Çmimi për Kontribut Jetësor” i cili i është dhënë aktorit të mirënjohur Enver Petrovci.

Ky çmim jepet nga Prishtina International Film Festival- Prifest për artistë eminentë të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në sektorin e kinematografisë./ KultPlus.com

Sunaj Raça shpërblehet me çmimin ‘Aktori më i mirë’ në PriFest

Sonte janë ndarë çmimet e edicionit të 16-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 10 shtator ndërsa përfundon sonte më 10shtator, shkruan KultPlus.

Çmimi për aktorin më të mirë shkoi për Sunaj Raça, për rolin e Avniut në filmin ‘Silence of Sirens’, të regjisorit Gazmend Nela.

Filmi ‘Silence of Sirens’ i regjisorit Gazmend Nela është bashkëprodhim ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut, në të cilin trajtohet tema e korrupsionit dhe moralit të dyshimtë në një shoqëri në tranzicion, përmes një tregimi të përqendruar në jetën e një polici të thjeshtë./ KultPlus.com

‘Silence of Sirens’ fiton çmimin kryesor ‘Vjosa Berisha’ në PriFest

Sonte janë ndarë çmimet e edicionit të 16-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 10 shtator ndërsa ka përfunduar sonte më 15 shtator, shkruan KultPlus.

Çmimi kryesor i Prishtina International Film Festival- PriFest titullohet “Vjosa Berisha”.

Filmi ‘Silence of Sirens’ nga regjisori Gazmend Nela ka fituar çmimin “Vjosa Berisha”, në edicionin e 16-të të PriFest.

Filmi ‘Silence of Sirens’ i regjisorit Gazmend Nela është bashkëprodhim ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut, në të cilin trajtohet tema e korrupsionit dhe moralit të dyshimtë në një shoqëri në tranzicion, përmes një tregimi të përqendruar në jetën e një polici të thjeshtë./ KultPlus.com

Jetoj brenda syve të tu

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
Humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?
Për të djeshmen time ti mund të pyesësh një lumë,
dy lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.
Krejt e kotë.
T’i lëmë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme./ KultPlus.com

20 thënie frymëzuese nga Marilyn Monroe

Marilyn Monroe, lindi në Los Anxhelos, më 1 qershor 1926. Ajo mposhti një fëmijëri të trazuar për t’u bërë një nga yjet më të famshëm të filmit dhe ikonat e kulturës pop të shekullit të 20-të. Ajo ishte një yll në ngjitje që na la shumë shpejt, por për kohën që shkëlqeu, Marilyn shkëlqeu më shumë se çdo kush.

Më poshtë janë 20 thëniet më të bukura të Marilyn Monroe për të ju frymëzuar edhe ju që të shkëlqeni.

Marilyn Monroe:

“Buzëqesh, jeta është e bukur dhe në të ka shumë arsye për të buzëqeshur.”

“E papërsosura është e bukur, çmenduria është gjeniale dhe është më mirë të jesh qesharak sesa i mërzitshëm.”

“Po të kisha zbatuar të gjitha rregullat, nuk do të kisha marrë asgjë.”

“Fakti se ju dështuat një herë nuk do të thotë që ju do të dështoni në çdo gjë.”

“Ne të gjithë jemi yje, dhe meritojmë të ndizemi.”

“Për të gjitha vajzat që mendojnë se jeni mbi peshë. Ju jeni të bukura. Shoqëria është e shëmtuar.”

“Karriera është e mrekullueshme, por ti nuk mund të puthesh me të në një natë të ftohtë.”

“Një vajze nuk i duhet askush që nuk ka nevojë për të.”

“Kur vjen puna për ta, le të mendojnë çfarë të duan. Nëse ata shqetësohen aq sa të mërziten për atë që bëj unë, atëherë unë jam më mirë se ata.”

“Ndonjëherë gjërat e mira largohen që gjëra më të mira të mund të bashkohen.”

“Ne duhet të fillojmë të jetojmë para se të plakemi. Frika është budallallëk. Po ashtu dhe pendimi.”

“Gjërat shkojnë edhe keq kështu që çmojini kur janë mirë.”

“Ndonjëherë ju duhet të vendosni kurorën për t’i kujtuar ata se me kë kanë të bëjnë.”

“Gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë besoni te vetja. Sepse në qoftë se nuk e bëni ju, atëherë kush do ta bëjë, e dashur?”

“Dëshira për tu bërë dikush tjetër është humbja e asaj që je.”

“Poshtë makeup-it dhe pas buzëqeshjes sime, unë jam thjesht një vajzë që lufton për botën.”

“Sa gabim është që një grua të presë njeriun që do t’i ndërtojë botën që ajo dëshiron, në vend që ta krijojë vetë atë.”

“Unë jetoj për të fituar sukses, jo për t’ju kënaqur ju e as të tjerët.”

“Unë nuk ndalem kur lodhem. Ndalem kur realizohem.”

“Një nga gjërat më të mira që më ka ndodhur në jetë është fakti që jam femër. Kështu duhet të ndihen gjithë femrat.” / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Himara e mbushur me turistë këtë fundjavë shtatori

Gjatë këtij sezoni turistik Himara vijon të jetë e preferuara të turistëve vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi publik i Himarës, ku edhe gjatë shtatorit vijon të frekuentohet nga pushuesit.

“Himara këtë fundjavë bosh fare”, shkruan Rama duke iu përgjigjur në mënyrë ironike  pretendimeve për rënie të numrit të turistëve që frekuentojnë bregdetin shqiptar gjatë këtij viti turistik.

Himara vijon të mbetet një ndër destinacionet kryesore të pushuesve vendas e të huaj, të cilët vlerësojnë në këtë sezon cilësinë e lartë të shërbimeve, pastërtinë e plazheve, sigurinë e shtuar dhe aktivitetet e larmishme.

Në Himarë pushuesit gjejnë plazhe të mrekullueshëm, ujëra të kristalta, gjire të shumta dhe vijë bregdetare e larmishme. Gjithashtu në Himarë e gjejnë veten edhe të gjithë dashamirësit e aventurës dhe turizmit malor. Relievi i pikturuar aq bukur ndërthuret mes malesh, luginash, kanione dhe lumenj./atsh/ KultPlus.com

Grahame Davies: Gazetari

Një reporter i fatkeqësisë së Aberfani-t reflekton rreth detyrës së tij aspak të lehtë të të shkruarit në mënyrë jo të pasionuar rreth një tragjedie shkatërruese

GAZETARI

Nga Grahame Davies

Ti nuk je aty që të qashë.
Ti je aty ngaqë ata janë duke qarë.
Dhe bota duhet ta dijë.
Ti nuk je aty që të na tregosh se sa merakosesh.
Ti je aty të tregosh se sa merakosen ata.
Ashtu që edhe bota të mund të merakoset.
Nuk do të të falenderojnë për këtë.
Nuk do të të duan për këtë.
Bile s’do ta bësh as ti për veten tënde.
Fjalët që nuk i ke thënë,
lotët që nuk i ke derdhur,
do të të kthehen
pas shumë vjetësh, kur askush s’do të kujtohet më
dhe askush s’e kupton
se boja mund të sjellë ndiçimin
por përherë e njollos dorën.

The Journalist

You are not there to weep./ You are there because they are weeping./ And the world must know.//You are not there to show us how you care./You are there to show how they care./So the world can care too.//You will not be thanked./ You will not be loved./Not even by yourself.//The words you did not say,/ the tears you did not shed,/ will come back to you
years afterwards, when no-one will remember/ and no-one understands
that ink can bring enlightenment/ but always stains the hand.

***

Koment nga Carol Rumens

Aberfan- është fshat afër Merthyr Tydfil-it në kontenë uellsiane të Glamorgan-it. Kjo zonë ishte dikur e njohur për prodhimin e çelikut dhe minierat e qymyrit. Më 21 tetor 1966, grumbulli i mbetjeve të mihjeve nr 7 i  Këshillit Kombëtar të Qymyrit, i vendosur në mënyrë të paligjshme mbi një burim bjeshke, në një pjerrësirë mbi fshat, u shndërrua në ujëra të zeza të trasha pas disa të reshurave të forta, e barti grumbullin e mihjeve poshtë dhe e gllabëroi shkollën e mesme Pantglas dhe një radhë shtëpish, duke mbytur 116 fëmijë dhe 28 të rritur. Megjithëse KKQ ishte gjetur fajtore për katastrofen, ishte mohuar çdo njohuri rreth ekzistencës së burimit dhe kurrfarë hetimi i mëtejmë nuk ishte bërë.

Si reporter i ri i Merthyr Express, Grahame Davies e kishte mbuluar njëzet vjetorin e fatkeqësisë. Tridhjetë vjet më vonë, në përvjetorin e 50-të, ai dhe poeti Tony Curtis ishin porositur nga magazina Life të shkruanin një seri poezish për të shoqëruar një fot-ese nga fotografi amerikan IC Rapoport. Curtis shkroi në anglisht, Davies në uellsiane. Kjo poezi, e përkthyer nga vetë autori në anglisht, nga sekuenca e tij e Aberfan-it, është botuar kë përmbledhjen e tij më të re të poezive dhe këngëve, ‘A Darker Way’.

Poezia flet përmes strukturës së saj dy pjesëshe. Një zë i rreptë autoritativ i drejtohet gazetarit në tri tercetat e para, pothuajse në tonin e një kolegu më të moçëm, një reporter me përvojë të fatkeqësive, me gjasë, duke e njoftuar rishtarin me përgjegjësitë e tij. Çdo varg (nëntë gjithsej) qëndron në vete, thua se zëri ndalet për ta lënë secilin vaz të ngulitet mirë.

Dy stancat e para krijojnë konceptin e një pune me përgjegjësinë më të lartë morale. Vetëpërmbajtja është e domosdoshme: “Nuk je aty që të qashë.

Ti je aty ngaqë ata janë duke qarë”. Pasioni i folësit mund të ndihet në vargun e tretë: “Dhe bota duhet ta dijë”. Kemi të bëjmë me një nuancë të falshme të lartësimit të vetes në këto fjalë nga një njeri lokal i shtypit.

Duke ndjekur të njëjtën emfazë retorike të vargut të parë, deklaratat e vargut të dytë se detyra nuk është “të tregosh se sa merakosesh”, por të të tregosh “se sa merakosen ata” hedh dritë mbi një kundërthënie të vogël domethënëse mes formave të merakosjes. I dyti implikon një brengë të posaçme personale, më therëse se sa përkujdesja profesionale dhe e supozueshme e të huajit.

Në stancën e tretë, ndodh diçka interesante me tonin. Ende mund të përfytyrojmë zërin e bosit – por ai papritur është bërë më vetanalizues. Me gjasë është duke iu kthyer në kujtesë ajo se si ishte pranuar një punë e tij. Nxit rragatë, pra mosmirënjohje. Një fjali e fundit përsëri ndërpritet në mes: “Nuk do të të duan për këtë./ Bile s’do ta bësh as ti për veten tënde”. Një pauzë e shtyn vërejtjen fuqishëm në brendësi: sugjeron se një kompromis i gjatë për keqardhje ka shkaktuar një ndjenjë fajësie dhe kështu “mendime të dyta”.

Tash struktura e derstiluar e një shtatëvargëshi e lejon vetanalizën e shtuar. Rendi i përgjegjësive i shfaqur në tercetat hapëse përmbyset: merakosja është vendosur para qarjes. Një njeri më në moshë duket të jetë duke i kthyer në anën e kundërt standartet e rënda por idealiste në të cilat kishte këmbëngulur vetja e tij më e re. Këtu gjejmë një burim të ri të zhgënjimit: kakaluar shumë kohë dhe askush nuk mund të simpatizojë me, ose edhe ta kujtojë, dështimin që i fanitet folësit. Duket se, përngahera, mund të ketë qenë veç një folës, duke e nxjerrë në dritë konfliktin mes idealit djaloshar dhe zanati të parë si të papërshtatshëm.

Në këtë pikë, gazetari, i përqendruar vetëm në raportimin e tij të 20 vjetorit të Aberfan-it, zbythet. Një dotë poeti nënvizon sinekdokën, “bojë” dhe paradoksi i ndriçimit dhe njollosjes. Simbolizmi është i krishterë (dritë dhe ndriçim versus efektit shpirtnjollosës tradicional të mëkatit), pra fusha zgjerohet edhe më tej. Davies mund të karakterizohet si poet fetar, megjithëse pak më pak ortodoks ose i orientuar kah rehatia se sa RS Thomas-i. Zërat sekularë dhe sakralë të poetit janë bërë njësh, siç gazetaria dhe poezia në njëfarë mase janë të përbashkuara dhe bashkëfajtore.

Problemi qendror nxjerr kokpn nga akti i inkuadrimit të përvojës jetësore në gjuhë, inkuadrim që kurrë nuk mund të jetë krejtësisht i besueshëm. Gazetarët mund të kenë presion më shumë se sa poetët në integritetin e tyre: duhet ta kënaqin botuesin, t’i ruajnë politikat e gazetës dhe, nëse është gazetë lokale, komunitetin e saj, çdoherë duke e llogaritur fjalën. Në përpjekjen që të bëjë më të mirën e tij duke shkruar mbi dhe për “popullin”, reporteri mudn t’i zvogëlojë ose shrembërojë ngjarjet që është duke i dramatizuar. Poeti, i lirë nga kërkesat e tregut, përballet në mënyrë shumë më të mprehtë dhe individuale me problemet e mjeshtrisë. Ato vargje të ashpra të hershme rreth ematisë dhe komunkimit ende tingëllojnë në fund të poezisë: a mundet boja e poezisë të përfshijë edhe egoizmin ndaj të cilit paralajmërojnë ato vargje?

Gazetari është mashtrueshëm poezi e thjeshtë dhe ndryshe nga të tjerat e asaj sekuence, të cilat janë më afër perspektives gazetare simpatike të kërkuar materiali dhe rasti i tyre. Por parashtron pyetje interesante rreth validitetit dhe papastërtisë së çdo të shkruari rreth ngjarjeve reale.

/Marrë nga gazeta The Guadrian

Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Ekspozitë në Pogradec me piktorë nga shtete të ndryshme, kuratori Ahmeti: I vështirë ka qenë fillimi, tani…

20 piktorë nga shtete të ndryshme ekspozuan krijimet e tyre në Pogradec duke i dhënë më shumë ngjyra vjeshtës.

Kuratori i ekspozitës, Saimir Ahmeti shprehet se me interes shihet kryqëzimi i vlerave të përbashkëta profesionale pavarësisht se nga cili shtet vijnë.

“Vështirë ka qenë starti, kurse tani është e lehtë, sepse nga Pogradeci është krijuar një rrjet shumë i madh artistësh, të cilët në çdo moment janë gati të vijnë këtu. Shumë nga artistët shqiptarë dhe të huaj këtu krijojnë produktin e tyre më cilësorë.”

Dhe pogradeci ka surprizuar jo pak piktorët .

Yeonsun Kim

“Vij nga Koreja, është hera ime e parë në Pogradec

Unë vendosa të pikturoj në një mënyrë të veçantë me fokus shqiponjën sepse e pashë që ju e keni simbol kombëtar”

Ziedune Alknatie

“Unë vij nga Lituania, emri im në lituanisht do të thotë lule e vendosa të pikturoj lule të ndezura rreth me zjarr e me pasion. Pashe gjallëri në Pogradec dhe vendosa ta mishëroj në pikturë”

Liljana Nedeljkov

“Vij nga Serbia, është hera ime në Shqipëri. U ndjeva shumë mirë, mikpritje fantastike e aq më tepër me kolegët nga bota të cilët bashkëpunuan dhe krijuan ura bashkëpunimi. E vlerësoj shumë që më pritet mirë”

Lina Sami Ogaily

“Vij nga Anglia, kam lindur në Irak, kam disa vite që kam ardhur në Pogradec, çdoherë kur vij ka diçka të re për t’u parë e për t’u pikturuar. Vendosa që në pikturat e mia të mbizotërojë ngjyra e zezë, sepse ka ardhur momenti që drita të shfaqet me tepër e drita shfaqet kur ka shumë errësirë “

Ky është edicioni I 15 I organizuar pranë liqenit. Ndërsa morën pjesë piktorë nga Polonia, Lituania, Anglia, Iraku, Koreja e Jugut, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi./oranews/ KultPlus.com

TKOB çel sezonin artistik, koncert nën tingujt e Beethoven dhe Mozart

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka  çelur  sezonin e ri artistik, nën tingujt e dy prej gjigantëve të kompozimit botëror, siç janë Beethoven dhe Mozart.

Fantazia magjike e Beethoven-it dhe Requiem-i i fundit i Mozart-it kanë inauguruar  çeljen e një sezoni  të larmishëm dy kryeveprat e muzikës klasike nga dy kompozitorët me ndikim të jashtëzakonshëm në artin klasik kane ardhur  për  publikun artdashës  në këtë fillim sezoni.

Choral Fantasy njihet si një ndër kompozimet më të bukura të Beethoven, që i ka paraprirë Simfonisë no.9. Ndërsa Requiem-i i Mozart-it, kompozimi i tij i fundit, na fut në një tjetër mister të radhës.

I gjithë sezoni do të sjellë në skenë një përzgjedhje të pasur shfaqesh që përfshijnë vepra klasike  dhe moderne, koncerte simfonike performaca baleti dhe koncerte të ansamblit popullor./jn/ KultPlus.com

70 vite nga fotoja më ikonike e Marylin Monroe

Një nga fotot më të famshme të Marilyn Monroe, sigurisht më ikonikja, mbush sot 70 vjeç.

Ylli, e veshur me të bardha, me fundin e saj të ngritur nga një rrymë ajri, u portretizua në imazhin e famshëm në vitin 1954 nga fotografi Sam Shaw, ndërsa ishte e zënë duke punuar për filmin “The Seven Year Itch”.

Imazhi i aktores është publikuar miliona herë, jo vetëm në libra dhe gazeta, por edhe në bluza, kriklla birre dhe kalendarë.

“Unë nuk kam vdekur ende dhe jam i zemëruar me djalin tim”, Sam vite më parë, në mes të një mosmarrëveshjeje për të drejtat e autorit.

”Ai duhet të më kthejë çdo dollar për atë që më mashtroi”, tha fotografi, duke paditur djalin e tij për 100 milionë dollarë.

Shaw ishte mik me Marilyn Monroe.

Fotoja është rënë dakord mes të dyve.

Shpërthimi i ajrit, i ardhur nga grila e një metroje, u shkaktua nga një ventilator i fuqishëm i vendosur poshtë grilës.

”Do të doja të isha në gjendje të them se e kam kapur imazhin në fluturim, por kjo nuk do të ishte e vërteta. Fotoja është përgatitur me kujdes”, deklaroi ai dikur./ atsh/ KultPlus.com

‘Një poezi’

Poezi nga Charles Bukowski

një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…/Kultplus.com

Përfundojnë punimet e shtëpisë tradicionale të shekullit 18-të në Gjakovë

Njëra ndër të shtëpitë në Gjakovë, që karakterizohet me arkitekturë tradicionale të shekullit të 18-të, është restauruar.

Kështu ka bërë të ditur dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Kanë përfunduar punimet në shtëpinë e familjes Kryeziu në Gjakovë.  Shtëpia që karakterizohet me arkitekturë tradicionale të fundit të shek. XVIII-të, do të ruaj vlerat e saj dhe të jenë pasqyrë e trashëgimisë së pasur kulturore të vendit tone”, u shpreh ministri.

Turistë të huaj në Memaliaj, Kumbaro: Horizonte të reja të zhvillimit turistik në qytetet e vogla

Qyteti i Memaliaj po kthehet në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot fotografi nga vizitat e turistëve në Memaliaj, të dërguara nga Elton Çaushi i agjencisë turistike “Albania Trip”.

Kumbaro tha se për këtë agjenci nuk është hera e parë që sjell turistë në Memaliaj.

“Faleminderit Elton dhe të gjithë guidave e agjencive për punën fantastike që bëni duke futur në hartën turistike të Shqipërisë edhe qytetet e vogla për t’i hapur horizonte të reja të zhvillimit turistik”, shkruan Kumbaro.

Pikat më të preferuara nga turistët në Memaliaj mbeten zonat rurale si ajo e Gllavës,liqeni i Komarit dhe brigjet e lumit Vjosa.

Lumi Vjosë është simbol i Memaliaj, një nga arsyet e qëndrimit të shumë turistëve për shkak të veçorive të tij si lumi i fundit i egër i Europës ose njohur ndryshe si “Zemra Blu”. Rrethon nga tre anë qytetin Memaliaj, duke krijuar imazhin e një gadishulli të vogël.

Memaliaj është një zonë ku mund të shijosh plotësisht të 4 stinët e vitit. Natyra ka krijuar një mjedis të larmishëm me lumenj, male, kodra e me fusha.

Natyra dhe ekoturizmi janë gjithnjë mundësi të mira në Memaliaj duke përjetuar një aventurë të bukur ndërsa udhëtoni në këtë zonë. Shëtitje në natyrë, vëzhgimi i florës dhe faunës, njohja e kulturës dhe trashëgimisë lokale, peshkimi sportiv, shëtitje me biçikleta, shikimi i shpendëve, shëtitjet me kajak, shëtitje në natyrë, rafting, turizëm fotografik, kampe përbëjnë turizmin e natyrës në Memaliaj./atsh/ KultPlus.com

Jahjaga për DW: Gishti tek dhunuesit jo viktimat e dhunës seksuale

Ende stigmë dhe tabu! Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila angazhohet për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, flet për DW për nevojën e sensibilizimit të shoqërisë për këtë çështje.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka qenë dhe vazhdon të jetë një plagë e hapur dhe një temë tabu për shtetin dhe qytetarët tanë.

“Në këto 25 vite të pasluftës unë kam punuar aktivisht, sidomos gjatë mandatit tim si presidente e Kosovës dhe pas përfundimit të mandatit tash si ish-presidente dhe tash me Fondin Jahjaga. Statistikat që ne i referohemi janë statistika të një forme që janë përdorur jo vetëm tek rasti i Kosovës, por, kjo ka ndodhur edhe me Bosnjen, Ruandën dhe Mianmarin. Pra është një formulë e veçantë e përcaktimit të numrit”, tha Jahjaga.

Ajo thotë se ka raste të raportuara përmes organizatave ndërkombëtare. Ka një përqindje shumë të madhe, numri është rreth 20 mijë, gra dhe jo vetëm, por ka edhe rreth 1000 burra të dhunuar. Dhe se ka raste kur vetë viktimat kanë raportuar kur kanë shkuar në kampet e refugjatëve në vendet fqinjë tek organizatat pritëse të refugjatëve.

“Kemi statistika të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe shumë organizatave tjera. Pastaj numri i aborteve që kanë ndodhur në kampet e refugjatëve, edhe raporte pas çlirimit të Kosovës. Pra janë forma dhe mënyra të ndryshme të përcaktimit të përafërt të numrit rreth 20 mijë dhe deri tash nuk kemi një raport të plotë nga një organizatë rreth numrit të saktë”, ka thënë ndër të tjera Jahjaga.

Ajo thotë se gratë dhe vajzat janë detyruar që të mbajnë këtë sekret për vete dhe familjen e tyre për hir të mbrojtjes së moralit. “Por, nuk ka qenë turpi i tyre, por turpi i atyre që kanë bërë dhunime dhe gishti nuk duhet të drejtohet ndaj të mbijetuarve, por ndaj kryerësve të këtyre veprave që dhunimin e kanë përdorur si mjet lufte ndaj qytetarëve të Kosovës”.                 

Jahjada thotë se është i dhimbshëm fakti që me mijëra raste janë ndërtuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe ato raste janë transferuar në duar të institucioneve vendore dhe asnjëherë nuk janë nda si raste të veçanta, por vetëm si shumica e rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Pra mosndëshkueshmëria ka ndikuar që të mbijetuarat e dhunës seksuale ta humbin besimin në institucionet e drejtësisë.    

Kryeministri Kurti viziton familjen e Mikullovcit në përvjetorin e vdekjes: I paharruar e i nderuar gjithmonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar familjen e aktorit Adem Mikullovci.

Kjo vizitë në familjen e aktorit Mikullovci është realizuar në shënim të katër vjetorit të tij të vdekjes.

Kryeministri Kurti, për Mikullovcin tha se “pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare”.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti:

Sot vizituam familjen e Adem Mikullovcit, aktorit tonë të shquar, patriotit e veprimtar kombëtar, në katër vjetorin e vdekjes së tij. Na mikpriti ngrohtësisht bashkëshortja e tij, zonja Lumnije.

Intelektualët dhe artistët e mëdhenj si Ademi, në momentet e rëndësishme historike e kanë vendosur veten në ballë të popullit, pa marrë parasysh rrezikun. Adem Mikullovci pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare. Megjithatë ai kurrë nuk e la pas dore skenën dhe humorin, pasionet e tij jetësore. Në ato vite terri të thellë buzëqeshja e tij e mençur na sillte pakëz dritë dhe shpresë. Por edhe më vonë, gjatë lirisë që do ta kemi përgjithmonë,

Adem Mikullovci diti të bëjë humor shpotitës dhe ironik me fenomene të ndryshme negative të shoqërisë sonë, e sidomos të kastës drejtuese. Injoranca e lakmia në pushtet, prapambetja, ishin dukuri që i jepnin një tis trishtimi buzëqeshjes së artistit tonë të madh. Megjithatë buzëqeshja në fund triumfonte. Kjo ishte mënyra e tij për të kritikuar dhe për të kontribuar në përparimin tonë shoqëror. Ai ka qenë kontribues i madh edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si veprimtar e deputet.

Për ne, po edhe gjerësisht për popullin e Kosovës, ai do të jetë i paharruar e i nderuar përgjithmonë./ KultPlus.com

 “M” një histori që sjell dramë e mister në natën e parafundit të PriFest

Vjollca Duraku

Të shtunën mbrëma, një natë para mbrëmjes përmbyllëse të Prishtina International Film Festival- Prifest është shfaqur Filmi “M”, me regji nga Vordan Tozija, i cili është bashkëprodhim i Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Francës dhe  Luksemburgut.

Ngjarja zë fill në një pyll, në të cilin jetojnë djalosh i vogël nën kontrollin e plotë të babait të tij. Të “izoluar”  në atë pyll, gjithçka që ai e di ishte vetëm ekzistenca e tyre e mbrojtur me një pushkë krahu. Qetësia e këtij ambienti e shtyen djaloshin të të përthithë informacione të thella nga natyra, të cilat bubëziteshin me një fjalor të cekët, që më pas shpreheshin përmes figurave në një libër me vizatime. Libri vazhdonte të plotësohej ditë pas dite me mendimet dhe ndjenjat e djaloshit, përderisa pyetjet për ekzistencën dhe botën shtoheshin gjithnjë e më shumë.

Inicialin “M” ai e kishte të gdhendur në kyqin e dorës. Emri i tij ishte Marko. Ai identifikonte edhe elemente të tjera më këtë shkronjë si mjegulla, myku si për të gjetur ngrohtësi në gjithë këtë vetmi, e cila më pas zbutet pasi takon Miko-n. Shoku i tij ishte një djalë zemër mirë dhe i pafajshëm, nëna e të cilit vritet nga babai i Markos (paranojak), nën motivacionin e  vetëmbrojtjes, pasi mendonte që ajo mund t’u bënte dëm.

Si dëshmitar i ngjarjes, Marko fillon dhe e pyet për nënën e tij. Shpjegimi nga babai i tij i jepet në një formë fabule, duke e cilësuar si “zanë”, të cilën Marko do ta gjente vetëm pasi të rritej, në një vend të quajtur “Lugina e Bardhë”. Kureshtjen për siluetën e nënës së tij ai e shuan përmes një videoje në të cilën nga nëna e tij i thuhet që nuk ka dashur ta lë. Pas kësaj, ai së bashku me mikun e tij Miko-n niset drejt eksplorimit të botës.

Pas jetës në pyll, ku herë pas here i shfaqeshin njerëz të “ligj”, bota e tij bëhej gjithnjë e më e rrezikshme. Megjithatë, babai para se të vetëvritej i kishte bërë me dije se ai ishte njeri me një spektër special, i cili do t’i shpëtoj ligësive. Pas një rrugëtimi, Marko dhe Miko gjenden në një qytet të shkatërruar nga një lloj epidemije, e cila i kishte shndërruar njerëzit në Zombi.

Me fotografinë e nënës së tij në duar ai gjendej para një spitali, që nënkuptonte “Luginën e Bardhë”, mirëpo tashmë të shëndrruar në një gërmadhë me qindra zombi. Një jetë mes njerëzve normalë dhe anormalë shfaqej para syve të djaloshit i cili më vonë mbeti edhe pa shokun e tij të ngushtë Miko-n, pasi u vra. Ngadalë, “djali gjethe” siç e quante veten në pyllin magjik, kishte filluar të thahej, në kuptimin e demotivimit dhe dëshprimit, pasi shpresat për të gjetur nënën e tij kishin filluar t’i veniteshin.

Nga një botë plotë vegjetacion, ujë, ai tanimë gjendej në një qytet të shkretë. Përmes mjeteve informuese jepej konkulzioni se si natyra me urtësinë e saj kujdeset që të shpopullojë banorët e saj, përmes një epidemie, e cila i detyron ata që të asgjësonin njëri tjetrin, ku në këtë rast linte të nënkuptohej që po ndodhte një luftë mes njeriut dhe natyrës, ku kjo e fundit si e revoltuar me mënyrën e jetesës së faktorit njeri e kishte sjellë këtë të fundit në një gjendje kaotike.

Një njësi speciale e armatosur e të izoluar, për t’iu shmangur infektimit nga ai lloj virusi  gjejnë djaloshin, brenda një objekti. Në fakt ai kish qenë takimi të cilin ai kish kohë që po e kërkonte, pasi një pjesëtare e kësaj njësie i dhuroi një përqafim të ngrohtë si nënë dhe djal. Në sfond ilustrohej një figurë ku djali mbushej me gjethe pas përqafimit me nënën e tij, që shërbente si analogji me marrëdhënien e njeriut me natyrën, i cili do ta gjente vetën dhe do të jetonte i plotësuar vetëm pasi të jetonte në harmoni me “Nënën Natyrë”.

Pas përfundimit të filmit regjisori maqedon  Vordan Tozija, foli për idenë e zhvillimit të këtij filmi duke thënë se ishte krijuar së bashku me disa adhurues të filmave distopikë, që ne thelb përfshin historinë e universale të një fëmjie që kërkon të gjej nënën e tij.

“Jemi një grup i vogël regjisorësh nga ky regjion dhe e kemi këtë frustrim se gjithmonë eksporti që pritet nga ne është trajtimi ekzotik i Ballkanit, këto dramat e zeza që paraqesin vuajtje të rënda. Në rregull, e dimë në çfarë vendesh jetojmë, por nganjëherë duhet ta largojmë mendjen nga realiteti, dhe kështu doli edhe ky film. Njëfarë eksperimenti që përzien dramë, artistiken dhe “zombiet” në të njëjtin vend. E kemi bërë dhe jemi të lumtur që arritëm ta realizojmë atë”, ka thënë regjisori Tozija.

Më tej ai ka përmendur edhe regjisoren Vjosa Berisha duke e cilësuar atë si një njeri me zemër të madhe dhe mendje të hapur, dhe një punëtore të jashtëzkonshme.

“PriFest është një festival në zhvillim e sipër. Nuk e di sa ka mbështetje. Mendoj që nuk ka shumë pasi asnjë nga qeveritë në vendet tona nuk jep shumë mbështetje për kulturën, ata janë të interesuar për shumë gjëra të tjera, por ju mund të shihni këtu ju mund të shihni sa bukur që është,  se si njerëzit janë të lirshëm, mund të komunikojnë lehtësisht për punët e tyre, e jo gjëra të parëndësishme në të cilat jetojmë. Kështuqë po më pëlqen shumë” ka  thënë regjisori Tozija./ KultPlus.com

‘Karnavalet e Korçës’, komedia rikthehen së bashku në skenë pas 17 vitesh Arben Dervishin dhe Zamira Kitën

Në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet të dielën e 15 shtatorit shfaqja “Karnavalet e Korçës” me regji të Erion Isait.

Kjo komedi rikthen nga SHBA, aktorin Arben Dervishi, duke e bashkuar në skenë pas 17 vitesh me Zamira Kitën. Ata luajnë rolet e Nikollaqit dhe Olimbisë, tregtarë të fuqishëm në Korçë, që kërkojnë dhëndër për vajzën e tyre 36 vjeçare, Afrovitin.

Zamira Kita: Ky rikthim ishte i bukur me shumë emocion, nuk pati vështirësi, ne e gjetëm shumë mirë njëri tjetrin.

Arben Dervishi: Vështirësitë i ndjeva vetëm unë por ambienti që më rrethoi ishte i mrekullueshëm dhe më emocionoi. Në fund është spektatori ai që vendos, Korça nuk më kishte harruar.

“Karnavalet e Korçës” vjen ndryshe, me personazhe që mbajnë qëndrimet e tyre mbi veprën dhe ngjarjet që ndodhin.

Erion Isai: E kemi zhvendosur në një kohë pa kohë , tashmë trajtuar mbi efektet që shoqëria ka, efekti bullizmit financiar dhe diferencimi klasor dhe  sigurisht atmosfera serenatave te Korces dhe  humori tipik do ti gërshetojë bashkë këto elementë në një komedi që deri tani ka bërë një sukses absolut.

Salsano Rapi: Unë luaj rolin e prefektit të Korçës. Publiku do të ketë një furi të qeshurash nga kjo shfaqje.

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” do të shfaqet për publikun artdashës në Teatrin Kombëtar nga data 15 deri më 22 shtator”./TopChannel/KultPlus.com

Screenshot

Të dua pa e ditur si

Poezi nga Pablo Neruda 

Nuk të dua si kristal kripe rozë, as si gur të çmuar
E as si shigjetë karafilash që përhap zjarrin :
Të dua siç duam ca gjëra të errëta,
Fshehtas, ndërmjet hijes dhe shpirtit.
Të dua si bima që nuk lulëzon
Dhe e mbart në vete, të fshehur, dritën e këtyre luleve,
E falë dashurisë tënde në trupin tim jeton aroma
E errët dhe e fortë që ngjitet nga toka.
Të dua pa e ditur si, kur dhe nga ku,
Të dua troç, thjesht e pa mburrje :
Të dua kështu se unë s’di të dua ndryshe,
Në mos në këtë mënyrë pa qenë unë e pa qenë ti,
Aq pranë sa dora jote mbi gjoksin tim është e imja,
E aq pranë sa sytë e tu mbyllen mbi timen ëndërr./KultPlus.com