George Sand, gruaja e kapërcyellit të epokave, e zjarrta aktiviste e çështjeve sociale dhe politike

Nga Albert Vataj

Më 1 korrik të vitit 1804, u lind George Sand, erdhi në jetë një grua, zëfilli një epokë, u mbujt në të asokohshmen tokësore një personazh i pazakontë, gjegji në galaksi një konstelacion yjësie,… që do të ndeshej me kohën për ta ndryshuar atë në themel. Më shumë sesa si e tillë, ajo triumfoi si një shkrimtare, dramaturge, kritike letrare dhe aktiviste e zjarmtë e çështjeve sociale dhe politike, në vlimin e së cilës gjendej Franca e asokohëshme.

George Sand (Zhorzh Sand) mbetet një grua që plazmoi në memorien e epokës së saj një prej vullnesave më të njimendta dhe kurajot më të qenësishme. Edhe atëherë roli i gruas penetronte përmes rrapëllimash të zëshme të zinte vendin e saj të merituar. Ajo u desh të ndeshej me aktin e heroit në zemër e të kacafytej me cingërimën e një moralo konservator që nderej si një re dhe gërmushte rrebeshe dhe stuhi në qiellin e sertë. Në atë nevojë fluturimi, krahët e saj të brishtë kërkonin t’i jepnin përmasat e hyjshme lirisë. Megjithëse ajo gjendej në shoqërinë më të zëshme të kohës, ishte pjesë e vërshimit dhe mendimit të saj, u desh të përleshej dhe të fitonte, të kaplonte triumfin e gruas, zellin dhe forcën e saj përtëritëse.

George Sand është pseudonimi i Amantinë Oror Lysil Dypë, romanciere, autore dramatike dhe kritike letrare franceze. Krijimtaria e saj është shumë e pasur. Romanet e saj të para si “Indiana”, publikuar në vitin1832, trajtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ngrenë lart revoltën e grave, duke shfaqur edhe ndjenjat e bashkëkohëseve të saj, diçka e pazakontë për atë kohë që ndau opinionin publik nga ai i elitës letrare. Më pas, Sand ngre në romane çështje sociale, duke mbrojtur punëtorët dhe të varfrit dhe duke imagjinuar një shoqëri pa klasa e konflikte, si te veprat “Mopra” (1837) dhe “Mullixhiu i Angibosë” (1845). Ndërsa roli i saj bëhet gjithnjë e më dominues, tërhiqet nga mjedisi rural dhe shkruan romane të idealizuara me tema nga fshati, si “Pellgu i Djallit” (1846), “Fadeta e Vogël” (1849),“Fransua Shampi” (1850) etj. Përveç romanit, Sand ka lëvruar edhe gjini tëtjera si autobiografia, “Historia e jetës sime” (1855) dhe romani historik, “Konsuelo” (1843) ku përmes figurës së një këngëtareje italiane, ajo shpalos peizazhin artistik europian të shekullit XVIII, ose “Bukuroshët e Bua Doré”,(1858) ku përshkruhen aventurat dhe peripecitë e shumta dashurore në kontekstin e kundërshtive fetare nën sundimin e mbretit Luigji XIII.

George Sand, kjo grua në zenit

Pavarësisht se kritikohej mjaft nga figura të njohura letrare te kohës si Sharl Bodler, apo Zhyl d’Orevili, Sand ishte në qendër të jetës intelektuale, duke pritur në pronat e saj në Nohant ose në Palezo, personalitete të ndryshme si muzikantët Franz List dhe Frederik Shopen; shkrimtarët Honore dë Balzak, GustavFlober, piktorin Eugjen Delakrua, duke u dhënë këshilla dhe kurajë. Kujtojmë sakaq lidhjet e ngushta nëpërmjet letërkëmbimit me shkrimtarin Viktor Hygo.

Ajo u shqua edhe për një angazhim politik aktiv duke filluar nga viti1848, duke nxitur Aleksandër Rolë në fillimin e publikimit të tre gazetave ndërtë cilat Kauza e Popullit, Buletini i Republikës etj. Zhorzh Sand lindi në Paris më 1 korrik të vitit 1804. Tre vitet e para të jetës i kalon në një shtëpi të vogël. Familja shpërngulet në Madrid dhe pas ca kohe kthehet përsërinë Nohant te gjyshja e Amantinës. Më 16 shtator 1808, i ati vdes pas një rënie nga kali. Amantina rritet në Nohant, në fillim me të ëmën dhe pastaj me gjyshen. Më vonë gjyshja kujdeset për të dhe merret me arsimimin e saj, ku i gjen edhe një mësues privat, i cili kishte mësuar edhe të atin e saj. Sand mbeti gjatë gjithë jetës shumë e lidhur me Nohant dhe fshatin ku mund të marrë arratinë nga e përditshmja dhe të gjejë frymëzim. Temat nga jeta në fshat i gjejmë në shumë romane të saj. Në vitin 1817, gjyshja e saj e dërgon në një kuvend për t’u arsimuar më tej, ku kalon tre vjet nga dimri i viteve 1817-1818 deri në pranverë të vitit 1820. Pas vdekjes së gjyshes, e ëma e thërret në Paris, por marrëdhëniet e tyre acarohen dhe në fillim të vitit 1822, e ëma ia beson të bijën një familjeje me pesë vajza. Aty ajo njeh Fransua Dydëvo, me tëcilin martohet në shtator të atij viti dhe shkojnë për të jetuar në Nohant. Më 30 qershor 1823, sjell në jetë djalin e saj Moris. Gjatë një udhëtimi në Pirenej, njihet me Oreljë dë Sez me të cilin ka një marrëdhënie platonike. Nga viti 1826 deri në 1831, qëndron kryesisht në Nohant.

George Sand, rrëfenjë dhe kumt

“Rrëfimi i një fëmijë të këtij shekulli”. Pas vdekjes së Mysesë, Sand boton “Ajo dhe Ai”, ku tregon historinë e tyre. Në vitin 1835, Sand njihet me një avokat të famshëm i cili e mbron në divorcin me të shoqin. Ky avokat e frymëzon për personazhin e Simonit në romanin me të njëjtin titull. Ndahet prej tij në 1837 dhe po atë vit, mësuesi i djalit të saj bëhet një nga të dashurit e saj të shumtë. Më 28 gusht 1836, shkon në Zvicër ku e pret Franz List, të cilin e kishte njohur nëpërmjet Mysesë. Lidhja e tyre mbetet miqësore. Sand takohet me kompozitorin polak, Frederik Shopen në 1836 dhe jeton me të për dhjetë vjet. Lidhja e tyre ishte shumë e ndërlikuar. Në fillim ishin miq, pastaj të dashur dhe pasi Shopeni sëmuret, lidhja e tyre bëhet gati si marrëdhënia nënë- bir. Marrëdhëniet jo të mira të çiftit me fëmijët e saj çuan drejt ndarjes së tyre. Sand lidhet me demokratët dhe në 1848 gëzohet për rëniene mbretit Luigj – Filip dhe për fundin e Monarkisë së Korrikut. Megjithatë, nuk i pëlqen lëvizja e Komunës së Parisit dhe pas dhunës së revoltave kthehet në Nohant. Për shkaqe financiare detyrohet të shkruajë për teatër. Në Nohant, ushtron edhe funksionin e mjekut dhe ndërkaq udhëton shumë nëpër Francë. Mban lidhje miqësore nëpërmjet letrave me shkrimtarin Gustav Flober, dhe njihet edhe me Teofil Gotje, Sënt Bëv, vëllezërit Gonkur, etj… Nuk ndalet së shkruari derisa vdes më 8 qershor të vitit 1876, në moshën 71 vjeçe.

George Sand, ishte gruaja e kapërcyellit të epokave. Përpjekjet e saj mbetet emblematike. Një grua që jetoi çdo moment si një grua bashkëshorte, grua nënë, grua kohë. /KultPlus.com

27 vjet nga vdekja e princeshës Diana

Princeshë Diana është një nga personazhet më të përfolura të familjes mbretërore, edhe pse sot ajo nuk jeton. Si sot 27 vjet më parë lajmi i vdekjes së saj tronditi botën. Ajo vdiq në moshën 36-vjeçare, në një aksident rrugor në Paris, së bashku me të dashurin e saj Dodi Fayed dhe shoferin e tyre.

Diana vinte nga një familje fisnike dhe kishte një pasion të jashtëzakonshëm për baletin dhe pianon dhe gjithashtu adhuronte sportin më atletik, notin.

Historia e saj me Princ Charles nisi kur ajo ishte vetëm 16 vjeç. Që në takimin e parë Charles-i ishte magjepsur nga ajo, por mosha e Dianës mbetej një problem për dashurinë e tyre. Por historia do të vazhdonte vite më vonë dhe në vitin 1981 Diana dhe Charles kurorëzuan dashurinë e tyre me një ceremoni madhështore, që u ndoq nga 750 milionë njerëz nga e gjithë bota.

Ajo jo vetën që u bë pjesë e familjes mbetërore, por hyri në zemrën e të gjithë anglezëve. Bujare, e çiltër, humane dhe e palodhur, këto fjalë e identifikojë atë. Diana nuk ishte thjesht bashkëshortja e një princ, ajo arriti të tregonte vlerat që mbarte dhe të adhurohej nga e gjithë bota. Ajo ishte gjithmonë pranë popullit të saj, në të mirë dhe në të keqe dhe sot nga anglezët quhet “Princesha e Popullit”.

Diana dhe Charles sollën në jetë dy fëmijë, William dhe Harry-n, por përralla e tyre e dashurisë mbaroi. Ajo u divorcua nga Princ Charles në vitin 1996, por sërish ajo vazhdoi t’i shërbente popullit të saj.

Jo vetëm që e adhuronin, Diana ishte e rrethuar nga shumë njerëz që e kishin zili për bukurinë, zgjuarsinë dhe jetën e saj që i ngjante një skenari të një filmi.

Ajo e jetoi jetën plot pasion, por në 23 gusht të vitit 1997 erdhi fundi i jetës së saj. Ajo u përfshi në një aksident rrugor në tunelin në rrugën Pont de l’Alma,Paris, së bashku me të dashurin e saj, miliarderi Dodi Fayed. Dodi she shoferi vdiqën menjëherë pas aksidentit, ndërsa Diana u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ajo nuk arriti të shpëtonte. Mjekët konfirmuan vdekjen e saj rreth orës 4 të mëngjesit, ndërsa dëshmitarët treguan se“ O zot cfarë ka ndodhur” ishte fjala e fundit e Dianës.

Trupi i saj u dërgua në Londër nga dy motrat Lady Sarah McCorquodale dhe Lady Jane Felloëesdhe Princi i Wellsit. Ajo u varros me 6 shtator 1997, një varrim që u transmetua drejtpërdrejt në shumë media ndërkombëtare, ndërsa 3 milionë njerëz ishin të pranishëm në varrimin e saj.

Vdekja e saj u shoqërua me shumë mistere, hipoteza, aludime dhe dokumentarë, por edhe sot pas plot vitesh nuk dihet se çfarë ndodhi me saktësi atë natë në Paris. Diana sot nuk jeton, por gjithmonë do të ngelet si Princesha më e dashur në histori, si edhe një nga gratë më të vlerësuara në botë./ KultPlus.com

Shkrimtari dhe filozofi që i urrente dekoratat dhe që kishte deklaruar se nuk do të pranonte ndere

Nga Miti i Sizifit tek absurdi dhe revolta

Vitet 1938-1942 janë vitet më prodhimtare dhe vendimtare të gjithë veprës së Kamysë, pasi pikërisht në këto vite ai shkroi tre veprat e tij madhore: I huajiMiti i Sizifit dhe dramën Caligula, ose siç thonë kritikët “tre absurdët”. Ai në fakt kishte dëshirë të kalonte nga eseja filozofike në romane apo drama, pra t’i gërshetonte këto gjini të ndryshme artistike. “Nëse do të jesh filozof shkruaj romane”,- thoshte ai. Duke iu referuar librit Neveria të Sartrit, ai shkruante: ”Një roman është veçse një filozofi e shprehur në imazhe”.

Që në rini të tij Kamy ishte një njeri i pasionuar ndaj filozofisë dhe idea e absurdit u formua gradualisht tekai, duke kaluar më pas në stadin e njeriut të revoltuar. “Sot nëna vdiq. Ndoshta dje, nuk e di…- e fillon ai romanin e tij I huaji. Personazhi kryesor quhetMeursault dhe është një përzjerje e fjalëve “det” dhe “diell”, (“mer” dhe “soleil”). Eshtë historia e një njeriu, të cilit vdekja e nënës nuk i ngjall asnjë lloj emocioni. Pasi e varros, ai shkon në plazh dhe aty piktakohet me një vajzë që ka qef të shkojë me të. Ajo i kërkon të martohen. Në fakt ai nuk e do atë, por nuk gjen asnjë arësye për ta refuzuar. Me këtë lloj shpërkujdesje, aimiqësohet me një qeraxhi, i cili keqtrajton motrën e një arabi. Dhe kur Mersault është në plazh, në rrethana absurde e arbitrare, ai e vret arabin. Ai është indiferent nga vdekja e arabit, por kur dënohet me vdekje, ai nuk do të vdesë…Gjatë proçesit, kur e pyesin se përse e vrau arabin, ai i përgjigjet gjykatësve: ”Për shkak të diellit!”

Duke iu referuar këtij romani, vite më vonë, Kamy do tu pohonte kritikëve: “Romanin I huajipo e përmbledh brënda një fraze që e di se është paradoksale: Në shoqërinë tonë çdo njeri që nuk qan në varrimin e nënës së tij ka rrezik ta dënojnë me vdekje. Dua të them se heroi i librit është i dënuar, pasi ai nuk bën si të tjerët, nuk di të luajë. Në këtë kuptim ai është i huaj në shoqëri, endet kuturu në rrugicat e jetës së tij private, në shtigjet vetmitare dhe sensuale. Ja pse lexuesit tentojnë ta konsiderojnë atë si një anije e mbytur. Meursault nuk bën si të tjerët. Dhe përgjigja është e thjeshtë: ai refuzon të gënjejë. Por ai është për mua një njeri i mjerë, i xhveshur, i dashuruar pas diellit, pa hije. Një pasion i thellë e gjallon atë: pasioni për absoluten dhe të vërtetën.»

Në tezën e tij me titull Të vërtetat e Albert Kamysë, studjuesi shqiptar Ardian Marashi, ka nënvizuar pikërisht këtë anë të kontributit të Kamysë: “Ndërgjegja kundër kaosit”, kjo ishte idea që të tjerët kishin për Kamynë, – shkruan ai. – Në epokën e Luftës dhe të hutimit menjëherë pas-lufte, me veprën e tij të rëndësishme dhe qartësinë e fjalës së tij, Kamyja u bë një pikë referimi për të gjithë ata që shikonin tek e vërteta armën më efikase dhe më të sigurtë kundër kaosit dhe gjëndjes së pashpresë.”

Edhe në librin tjetër të Kamysë, të shkruar paralelisht me romanin I huaji, pra Miti i Sizifit, në thelb është analiza e njeriu absurd, e gjëndjes së tij të hedhur në një botë absurde. “«Absurdi lind nga ky konfrontim midis thirrjes njerëzore dhe heshtjes së pa arësyeshme të botës».” Kamy nënvizon se është “divorci midis shpirtit që dëshiron dhe botës që e zhgënjen”. Pra është gjëndja e njeriut të dënuar si Sizifi, të cilit i duhet të ngrejë gurë të mëdhenj në majë të një mali dhe që bien përsëri; e njeriut që nuk gjen përgjigje për pyetjet e tij dhe që ndihet “i huaj në një botë pa të vërteta”. “Atëherë një problem filozofik shtrohet para nesh, thotë Kamy: vetvrasja! Por nëse duhet të jetojmë, ne duhet të dijmë ta kapërcejmë absurdin dhe të imagjinojmë Sizifin e lumtur… Sizifi i lumtur i sfidon Perënditë”.

Më vonë, në figurën e Prometeut, ai do të shohë revoltën, si rrugëzgjidhje të një jete të denjë. Në fakt, tema e absurdit dhe e revoltës do ta përshkojë tërë veprën e Kamysë, veçanërisht në “tre absurdët” e tij. Në romanin La peste,(Murtaja), ngjarjet zhvillohen në Oran të Algjerisë. Në qytet ka rënë murtaja dhe minjtë ngordhin rrugëve. Murtaja i dënon njerëzit me ndarje, me vetmi dhe vdekje. Disa tentojnë të ikin, ndërsa të tjerë, siç janë Tarrau dhe doktor Rieux, kronistë të këtyre ngjarjeve, qëndrojnë të bëjnë rezistencë. Por revolta e tyre është intime, jo shoqërore. Murtaja për Kamynë është një sëmundje ashtu si dhe absurditeti, një sëmundje e shpirtit ndaj së cilës çdo fitore është provizore, pasi një ditë,murtaja do të rishfaqet. Por murtaja është njëkohësisht dhe nazizmi, fashizmi,stalinizmi e çdo lloj totalitarizmi.

Drama Caligula (Kaligula), është padyshim një kryevepër e artit teatral. Caligula ishte një njeri i zakonshëm deri në vdekjen e motrës së tij Drusilla, e cila i zbuloi atij absurditetin e ekzistencës së shoqërisë njerëzore. Që nga ai çast, ai u bë një tiran i pamëshirshëm, duke pretenduar se mishëronte figurën e fatit, më qëllim që t’u tregonte njerëzve se ai do t’i çlironte nga nënshtrimi ç’njerëzor.

Njeriu i revoltuar gjeti jehonë të madhe, por dhe ngjalli shumë debate ndër intelektualëte kohës, pasi Kamyja shtronte në të çështjen e dyfishtë të revoltave estetike dhe të atyre historike. Ai e kritikonte qëndrimin “romantik” të një revolte poetike, shfaqje e fundit e së cilës kishte qënë surrealizmi, i cili në fund të fundit përfundoi në konformizëm. Kurse lidhur me revoltën historike, Kamyja e dënonte optikën nihiliste në tentativën revolucionare, idenë e shkatërrimit dhe që e shikonte lumturinë në kohrat e ardhshme. Siç e thotë dhe kritiku francez Daniel Rondeau në librin e tij Kamyja apo premtimet e jetës, «Kamyja mishëroinë kohën e vet modelin e intelektualit të angazhuar”, pasi ai zgjodhi revoltën dhe jo Revolucionin. Madje, që kur ia dërgoi dorëshkrimin e Njeriut të revoltuar një mikut të tij që ta lexonte, ai e kishte paralajmëruar: “Me këtë libër ti do të bësh shumë armiq”. Po, dhe në rradhë të parë me komunistët, pasi ai e kritikonte komunizmin stalinist, këtë gënjeshtër të prodhuar në Moskë. Ja pse atë filluan ta kritikonin ngado për pozicionet e tij humaniste, për moralin e tij të “Kryqit të kuq », pasi ai shprehej kundër të gjitha revolucioneve, meqë revolucionet do të thonin në fund të fund dhunë.

Padyshim që në historinë e letërsisë franceze, Kamy do të mbetet si krijuesi i koncepteve moderne në letërsi: njeriu i revoltuar, absurdi, revolta ndaj absurdit. “Unë nuk jam filozof, – shkruante ai, – dhe as nuk pretendoj të jem”. Në fletoret e tij kanë mbetur shënimet rreth koncepteve mbi absurdin, drejtësinë, dashurinë, violencën, siç e shohim dhe në esenë e tij filozofike Refleksione mbi gijotinën, në kohën kur në vëndlindjen e tij në Algjer, gijotina bënte kërdinë. “Tri absurdët”, pra I Huaji( roman), Kaligula (pjesë teatri) dhe Miti i Sizifit (ese), tregojnë për shqetësimin e tij për të folur rreth absurdit dhe absurditetit që mbretëron në shoqërinë njerëzore. “Je me revolte, donc nous sommes”! – thoshte Kamy. “Unë revoltohem, pra ne ekzistojmë»! Për të, «vetëm nga revolta lind lumturia; «lufta drejt majave, mjafton për të mbushur një zemër njeriu… Revolta kundër absurditetit mund t’i shërbejë jetës.Pozicioni i vetëm filozofik dhe koherent është ai i revoltës, «un confrontement perpetuel de l’homme à sa propre absurdité».

Rënia

Në fillim të vitit 1956, Kamy vuante krizën e shkrimtarit, krizën e atij që i duket se s’ka shkruar asgjë me vlerë në këtë botë dhe se diçka e madhe e ka shterrur frymëzimin e tij. Ai ndjehet i dëshpëruar, i trishtë dhe orë të rëra e kalon duke menduar se krijimtaria e tij kishte marrë fund. Nga ana tjetër, gjëndja në familjen e tij ishte bërë tepër e rëndë për shkak të sëmundjes së Francine-s dhe anktheve të shpeshta të saj. E megjithatë ai e mbaroi dorëshkrimin që kishte nisur prej disa kohësh dhe që mendonte ta titullonte Le Cri, (Klithja). Këtë dorëshkrim ai ia dërgoi një mikeshe të tij të afërt, duke i shtuar: “Kam frikë se mos Francine do të lëndohet…” Nuk kalojnë shumë kohë dhe ai i shkruan përsëri asaj: “Tregimi do të botohet nën titullin Le Cri. Por tani jam shkëputur nga ai tregim dhe kam dëshirë të shkruaj diçka tjetër,madje jam në ethe, ashtu si të burgosurit që duan të kapin vitet e tyre të humbura”. Pra, pas botimit të esesë Njeriu i Revoltuar në vitin 1951, pesë vjet më vonë, Kamy botoi Le Cri, apo siç e titulloi përfundimisht ai La Chute, (Rënia),e cila do të vihej në skenë dhe në teatër. Ishte si të thuash historia e tij,historia e një njeriu të brejtur nga faji, pse nuk e kishte shpëtuar një grua që kishte vdekur nga dëshpërimi. Një vështrim filozofik për njeriun dhe kohën,por dhe refleks i jetës personale të tij dhe gruas Francine. “Po kaloja mbi urë anash bordurës së përkulur të atij parmaku që dukej sikur shikonte nga lumi. Shumë pranë pikasa figurën e hollë të një vajze të veshur me të zeza. Midis flokëve të errta dhe jakës së palltos së saj, shquhej vetëm zverku i njomë e i qullët, pas së cilës dçka ndjeva. Por pas një hezitimi, vazhdova rrugën. Kisha ecur tashmë nja pesëdhjetë metra kur dëgjova një zhurmë, që megjithëse errësirë, m’u duk e diçka e hatashme në heshtjen e asaj nate, zhurmën e një trupi që binte mbi ujë. Ndalova menjëherë. Pothuaj në të njëjtën kohë dëgjova një klithmë që u përsërit disa herë dhe që binte edhe ajo mbi lumë, duke u shuar pastaj menjëherë…”

Kur tregimi u botua ai u prit me shumë sukses, edhe pse të gjithë e kuptojnë se është një tregim autobiografik, madje e para ishte Francine. Heroi i tregimit është një avokat me emrin Jean-Baptiste Clamence, por të gjithë shohin tek kjo figurë vetë Kamynë, intelektualin e së majtës franceze të asaj kohe, ose një përzjerje Kamy-Sartre, një njeri që ka shumë armiq dhe që ngado e kritikojnë, e shajnë dhe e godasin. Ai shëmbëllen me të, me krizën e tij. Në simbolikën e gruas që kërkon të hidhet në Senë nga ura “Pont des Arts” kritikët shohin vetë Francine-n që kishte tentuar të vriste veten në vitin 1953, si në Algjer ashtu dhe në Paris. “Klithma e gruas që Clamence nuk arrin ta shpëtojë, është klithma e gruas së tij”, – shkruan biografi i Kamysë, Olivier Todd.

Dhe pikërisht pas këtij romani që i ngjan më tepër një monologu dramatik dhe që është një rrëfim dostojevskian, në Paris erdhi lajmi se Albert Kamy ishte shpallur nobelisti i vitit për letërsinë, si një autor që “me veprën e tij ka nxjerrë në pah problemet që shtron sot koha në ndërgjegjen e njerëzve”. Shkrimtari dhe filozofi që i urrente dekoratat dhe që kishte deklaruar se nuk do të pranonte ndere, madje as dhe antarësinë në Akademinë Franceze, mori rrugën drejt Stokholmit për të marrë titullin e madh, atë titull që disa vjet më vonë Sartri do ta refuzonte. “Ja një nga emrat e rrallë të zërave letrare që dolën nga kaosi i pasluftës në tonin harmonioz e të saktë të humanizmit”, – shkruante ato ditë New York Times.

Në fjalët etij në ceremoninë e 10 dhjetorit të vitit 1957, Kamy do t’i drejtohej botës: “Shkrimtari nuk mund të vihet në shërbim të atyre që bëjnë historinë, por të atyre që e pësojnë atë…Në të gjitha rrethanat e jetës së tij, në rrethana të errta apo në momente fame, i hedhur në hekurat e tiranisë apo i lirë për një kohë kur mund të shprehet, shkrimtari mund ta rigjejë ndjesinë e komunitetit që do ta kuptojë atë, nëse ai përballon dy detyra të mëdha që ka ky profesion: shërbimin ndaj së vërtetës dhe ndajl irisë…E vërteta është misterioze, që të shket dhe që duhet ta gjesh atë. Liria është e rrezikshme, e vështirë ta jetosh po aq sa është dhe ekzaltuese. Ne duhet të ecim drejt këtyre dy qëllimeve të mundimshme dhe duhet të ecim me vendosmëri.”

Po, Kamy e dinte se për të, ashtu si për çdo artist, kjo udhë e së vërtetës dhe e lirisë ishte e vështirë dhe shpesh zhgënjyese. E megjithatë ai ecte, ngjitej nën siluetën e një Sizifi që mbante mbi vete shpresë, një shpresë të madhe. Megjithë suksesin e madh të tij, Kamy ishte një njeri thellësisht i dëshpëruar,jo vetëm pse vazhdimisht ishte i sëmurë rëndë nga tuberkulozi, por dhe sepse nuk po arrinte të shkruante vepra të tjera.

Teatri, ky pasion ipashuar

Albert Kamy ishte njeri i teatrit.Gjithë jeta e tij letrare kaloi nga skena e teatrit, bashkëjetoi me të, me shfaqjet teatrale dhe pasionin e skenës. Ishte pasioni i hershëm i tij. Që nëvitin 1936, ai kishte themeluar “Teatrin e Punës”, një teatër për publikun e thjeshtë e të varfër, duke vënë në skenë tema sociale dhe historike, duke iu drejtuar autorëve të tij të preferuar si Eskili, (me Prometeun), Dostojevski, (Vëllezërit Karamazov), Gorki, (Basifondet), Malraux, (Koha e përbuzjes), Gide, (Kthimi i djalit gjeni), etj. Madje ai eksperimentoi dhe krijimin e dramës kolektive, siç ishte vënia në skenë e pjesës Revolta e Asturias. Edhe pas luftës, aiiu rikthye përsëri teatrit, duke shkruar drama të njëpasnjëshme apo romane që adaptoheshin si pjesë teatrale. Shtet-rrethimi,Të DrejtëtMurtajaKaligula… Albert Kamy shkëlqente si në esetë filozofike, në romane e tregime, (Dasma), ashtu dhe në teatër. Madje në vitet 50’ai adaptoi për teatrin francez dhe një sërë autorësh të dashur të tij si Dostojevskin, Buzatin, Folkner, Kalderon, etj.

Në shumë letra të tij, apo shënime ditari, ai tregonte vuajtjen e madhe të tij. Madje dhe aktorja Casares, me dashurinë e saj nuk arriti ta bëjë të gëzuar. Për këtë qëllim, me paratë e çmimit “Nobel”, Kamy bleu një shtëpi në jug të Francës, në Lourmorin, në Vaucluse, diku midis vreshtave, që të mund të shkruante larg Parisit. Por shpejt ai e kuptoi se nuk mund të bënte pa kryeqytetin e tij. Kjo gjëndje e tij ishte rënduar në fakt dhe nga depresioni i gruas së tij Francine, e cila tentoi të vriste veten. Madje dhe ai, shpesh herë kishte patur idenë e vetvrasjes, e ndjesisë së absurdit dhe të jetës në një tynel të errët e të pafund. I ndodhur përballë kritikash letrare, veçanërisht ndaj librit L’Homme revolté, (Njeriu irevoltuar), si dhe filozofisë së tij të absurdit dhe revoltës, ai përjetoi një kalvar të vërtetë.

Megjithatë,në vitin 1959, ideja e një romani të ri kishte lindur tek ai: ishte Njeriu i Parë, (Le Premier Homme), roman që siç thoshte ai do të ishte një lloj afresku për nga përmasat dhe kohën që do të trajtonte. Madje kur e pyesnin ato kohë, ai u thoshte miqve të tij duke qeshur se, “po shkruante Luftën dhe Paqen e tij”, duke iu kujtuar analogjinë me romanin e Tolstoit, të cilin ai e adhuronte si shkrimtar. Po,ishte një roman për jetën e tij, kushtuar nënës së tij, të cilën e donte më shumë se çdo gjë tjetër në botë, atë nënë analfabete në ato shtëpi të varfëra në Rue de Lyon në lagjet popullore të Algjerit, atë nënë të pafjaltë e gjithë mirësi që e shihte veçse në mbrëmje pas pune, atë grua që kishte përballuar dhimbjet dhe vuajtjet e jetës dhe që ashtu heshturazi i kishte dhënë aq shumë dashuri. Ja pse dhe këtë libër ai ia kushtonte nënës, “A toi qui ne pourras jamais lire ce livre”(“Ty që kurrë nuk do ta lexosh këtë libër”.)

Kamy nuk e kishte njohur kurrë të atin e tij, Lusien Kamy (Lucien Camus), që gjatë luftës së parë botërore, bashkë me batalionin e tij të “zuave” kishte shkuar në frontin francez, atin që kishte vdekur në një spital nga plagët që kishte marrë. Kur Kamy kishte shkuar për herë të parë pranë varrit të tij, (në roman është personazhi Jacques Cormery në rolin e tij), ai kishte pikasur se ai njeri që ishte ati i tij, kishte vdekur më i ri se sa ç’ishte Kamy në atë çast dhe kjo gjë e kishte tronditur. Ky ishte Le PremierHomme, i pambaruar, kjo «klithmë e jetimit të pa ngushëlluar», siç do të shkruante kritiku George de Brulon, nënjë kohë që siç thoshte Kamy, «unë nuk kam shkruar veçse një të tretën e veprës time».

Njeriu që i donte aq shumë gratë

Kur redaktonte Kamy librin e tij të fundit, Le PremierHomme, i cili mbeti i papërfunduar, në fletoret e tij ai kishte shkruar: “J’aime quatres femmes à la fois et mène donc une vie vide”, («Kam dashur katër gra njëherësh dhe kam bërë një jetë boshe»)… Katër gra kishin lënë gjurmë tek  ai edhe pse ai kishte njohur dhe dashuruar në kohë të shkurtra dhe shumë gra të tjera: Francine, Maria Casares, apo «Unikalja», siç e quante ai, aktorja Caterine Sellers që e zgjodhi për rolin e pjesës teatrale Requiem pour une nonne në vitin 1956 dhe Mi, danezja e re të cilën e takoi në fund të jetës, në vitin 1957. Ai nuk e përmend gruan e tij të parë, Simone Hié, një femër estravagante që pëlqente morfinën dhe heroinën dhe që e pinte cigaren si një Garbo. Dashuria e tyre ishte e shkurtër edhe pse u martuan në një ditë qershori të vitit 1934, atëherë kur ai vuante nga turbekulozi dhedonte të gëzonte jetën, duke menduar se do të vdiste i ri. Madje asaj i dedikoidhe një libër, Libri i Melusine-s,por ajo e tradhëtoi me një mjek dhe kështu ata u ndanë. Dhe ai do të pikëtakonte në udhën e tij plot gra të tjera, siç ishte Christiane Galindo, të cilën e dashuroi në vitin 1937, një brune e bukur që kishte dëshirë të shtypte në makinën e shkrimit dorëshkrimet e tij. Olivier Todd, biografi i tij, shkrunse «ai kishte një mënyrë që i zhvishte gratë përmes shikimit». Një kritik tjetër, ka shkruar se «ai ishte besnik në ide dhe i pabesë me gratë».Tek Miti i Sizifit, duke shkruar për Don Zhuanin, ai shkruan gjithashtu se «çdo njeri i shëndetshëm kërkon të shumfishohet. Po kështu dhe Don Zhuani. Ai i do gratë me të njëjtin vrull, duke iu përkushtuar atyre”. Francine ishte nëna e dy binjakëve të tij dhe familja e tij, e cila mbetej thellësisht e dashuruar pas tij; “F. a le gout de l’absolu” (Francine ka shijen e absolutes”, shkruante ai. Ajo ia njeh aventurat, dashuritë me gratë e tjera. Në deliret e saj kur e çojnë në një spital psikiatrik, ajo përmëndte shpesh emrin e Maria Casares, rivales së saj. Të gjitha të dashurat e tij kanë një individualitet të fortë dhe një talent. Francine ishte një pianiste e shkëlqyer dhe matematiciene. Ajo ishte virtuoze në pjesët e Bahut. Casares ishte ylli i teatrit francez. Dhe Sellers shkëlqeu në skenën e teatrit parizian. Mi vizatonte me një talent të jashtëzakonshëm… E megjithatë, Kamy ishte me to gjithnjë i sinqertë, i hapët. Dhe kur Maria Casares do t’i shkruante të vërtetën, në mënyrën e tij: ”Të kam tradhëtuar, asnjëherë nuk të kam tradhëtuar”… Po, ai dashuronte disa njëkohësisht dhe nuk i tradhëtonte shpirtërisht. E çuditshme por e vërtetë.

Madje dhe ditët e fundit të jetës sëtij, ai jetonte me dashuritë e tij, me imazhet e të dashurave të tij të gjithëkohëshme, me letrat që u dergonte, apo takimet e fshehta. Më 29 dhjetor,ai i shkruante të dashurës së tij në Danimarkë, Mi, e cila pas pak ditësh do të marrë avionin për në Paris: «Kjo ndarje e tmerrëshme, na bëri të paktën të kuptojmë nevojën e përhershme për njëri-tjetrin… Të pres e dashura ime, e zjarrta ime, vogëlushja ime e shtrenjtë».Një ditë më vonë ai i shkruante fjalë të ëmbla Catherine Sellers dhe po  atë ditë, pasdite, i shkruante të dashurës së tij të vjetër Maria Casares: «Të dërgoj një mal me urime të dashura që jeta të bulëzojë tek ty, duke të dhënë atë imazh që e dua prej kaq shumë vitesh. Të dërgoj gjithë diejtë e zemrës. Të puth dhe të shtrëngoj pas vetes gjer të martën e ardhshme kur do të takohemi, për të rifilluar përsëri»…Por më 31 dhjetor, përsëri i shkruan të dashurës tjetër Sellers: «Kjo është letra ime e fundit e dashur…» Vallë do të ishte e fundit? A do t’i takonte më ai të dashurat e tij. A do të përgjërohej më ajo zemër, që gjithë jetën ishte drithëruar nga emocioni i takimit femëror, nga një dehje e pazakontë që e bënte të jetonte, që i jepte ndjesinë e lumturisë?

Një udhëtim i ndërprerë

Një herë, kur kishte çuar të dashurën e tij në Auvers-sur-Oise për të parë dhomën e piktorit Van Gogh në Auvers-sur-Oise, kur ai banonte atje para se të vriste veten, duke shkuar me makinë, Casares i kishte thënë që të ecnin ca më shpejt se si shumë ngadalë e kishte marrë. Por Kamy i ishte përgjigjur: ”S’ka gjë më idiote sesa të vdesësh nga një aksident automobilistik”. Dhe kjo që nuk pritej do t’i ndodhte disa vjet më vonë, rrugës kur ai po kthehej në Paris bashkë me mikun etij Michel Gallimard dhe gruan e botuesit.

Ata ishin 22 km larg Parisit, kur një plasje gome e makinës i përplasi ata tek një pemë. Kamy që ishte përpara mbetii vdekur. Ora e tij kishte ndalur në momentin e përplasjes fatale: 13.55’. Disa dhjetra metra më tutje, u gjet çanta e përbaltur e Kamysë, ku kishte dorëshkrimin e romanit të papërfunduar Njeriui Parë. Madje në çantë i gjetën dhe një horoskop, ku ai kishte shënuar: “Vepra kryesore që të bën të pavdekshëm do të jetë midis viteve 1960-1965”. Dukej se gjithçka ishte parathënë nga vetë ai. “Aksidenti dukej se ndodhi për shkak të bllokimit të një rrote ose thyerjes së një aksi, por edhe ekspertet nuk dinin si ta shpjegonin atë aksident katastrofik mbi një rrap, me një rrugë të gjerë 9 metra dhe pa trafik”, ka shkruar biografi i tij, Herbert R. Lotman në librin Kamy. Disa analistë kanë parë tek ky aksident dorën e KGB-së sovjetike, të kryer me urdhër direkt të ministrit të Brendshëm rus të asaj kohe, Dmitri Trofimovic Shepilov, të cilin Kamyja e kishte sulmuar drejtpërdrejtë për pushtimin e Hungarisë, në një artikull të gazetës Franc tireur, në mars të vitit 1957. Këtë gjë e pohonte poeti dhe përkthyesi çek,Jan Zabrana, në një faqe të ditarit të tij Cely Zivot, (E gjithë jeta), i publikuar pas vdekjes së tij në vitin 2004. Por kjo padyshim mbetet veçse një hipotezë edhe pse është pohuar nga një njeri konkret.

Nobelisti më i ri në moshë, ikte në moshën 46 vjeçare. Ikte shpejt drejt udhës së përjetësisë së tij, pa mundur të linte pas kryevepra të tjera. Dhimbja në botën letrare ishte e madhe. Në një nga artikujt më prekës që përshëndesnin largimin e Kamysë, ishte dhe artikulli i Sartrit, i botuar në France-Observateur, ku ai shkruante: “Ne ishin hidhëruar me njëri tjetrin, por kjo nuk ishte asgjë para asaj që do të na duhej të jetonim që të mos shiheshim më kurrë dhe të mos gjenim një tjetër mënyrë për të jetuar së bashku»…Po në këtë artikull, ai do të shtonte: ”Në këtë shekull, ai përfaqsonte trashëgimtarin aktual të një liste të gjatë moralistësh, veprat e të cilit përbëjnë ndoshta atë që është më origjinale në letërsinë e sotme franceze. Humanizmi i tij këmbëngulës e i pastërt, i ashpër dhe sensual, i bënte një luftë të madhe fenomeneve  të kohës sonë. Por epokës sonë, ai i riafirmoi luftën kundërmakiavelistëve”.

Autori i Njeriut të Revoltuar na la pas mesazhin e revoltës. Jo thjesht si një lexim enciklopedik apo thjesht për të mbushur kohën, por për të kuptuar dimensionin dhe rolin e ekzistencës dhe jetës sonë, për të pyetur vetveten se cilët jemi, nga vijmë dhe ku shkojmë? Eshtë për të vajtuar po të vazhdojmë të qeshim me absurdin dhe të mos revoltohemi!

Luan Rama 

Botuar dhe në “Parisi letrar” / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Për herë të parë në historinë e raporteve me Çekinë, u realizua takimi i parë bilateral në nivel presidentësh


Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se për herë të parë në historinë e raporteve midis Kosovës dhe Çekisë, sot, është realizuar takimi i parë bilateral në nivel presidentësh.

Takimi i sotëm me Presidentin çek Petr Pavel u fokusua në angazhimin tonë të përbashkët për paqe dhe siguri afatgjate në Evropë, si dhe në forcimin e partneritetit midis dy shteteve tona./ KultPlus.com

A do të ishte një yll Hollivudi aktorja shqiptare?

Është ndër aktoret më të diskutuara, për bukurinë e saj. Me t’u shfqur në ekran, regjisorët panë tek ajo, mishërimin e një femre të bukur, inteligjente, të kujdesshme ndaj kritikave dhe të apasionuar pas punës. Kinemasë shqiptare do t’i shtohej kështu edhe një tjetër emër-simbol i bukurisë, origjinalitetit dhe talentit.

Rajmonda Bulku lindi në Tiranë, më 16 gusht 1958. Kur ishte gjimnaziste e vitit të të tretë, më 1976-ën, ajo do të deputonte për herë të parë në kinema, në filmin “Dimri i fundit”, me rolin e një vajze e cila, së bashku me gratë e tjera të fshatit u vijnë në në ndihmë luftëtarëve për lirinë e Shqipërisë. Filmi, do të vlerësohej në Festivalin II te Filmit.

Pas shkolles se mesme, nis punën si montazhiere në Kinostudion “Shqiperia e Re” e më pas, fillon studimet pranë Institutit të Larte të Arteve, ku diplomohet në degën e dramës, në vitin 1985, po ne Tirane. Menjëherë pas diplomitit, emërohet aktore pranë Teatrit Kombëtar. Në skenën e teatrit, ajo ka luajtur disa role madje edhe kryesore, por Rajmonda Bulku u bë e njohur përmes kinemasë.

Me një karrierë prej thuajse dy dekadash në teatër, kujtojmë shfaqjet : “Vdekja e një komisioneri” në rolin e Letës; “Pallati 176” rolin e Irenës; “Unë dhe Melistofeli” në rolin e Margaritës; “Kati i 6-shte” si Irena; sërish Irena tek “Zgjimi”; Magjia e madhe”; si Marigoja në “Motrat”; si Sano në komedinë ”Në katin e dytë është parajsa”; Zehrjaja në dramën “Hijet e natës” etj.

Falë bukurisë, hijëshise fizike, sinqeriteti dhe vërtetësia, gjithashtu edhe aftësia aktoriale kanë bërë që Raimonda Bulku, të bëhet e njohur më shumë në ekranin e madh, e cila interpreton plot 20 role dhe madje, disa prej tyre edhe kryesore. Dy vjet më vonë mbas deputimit, në vitin 1978 spikat në “Nusja dhe shtetërrethimi”, falë komunikimit tëntë në rolin e nuses, nëpërmjet syve, mimikës dhe qetësisë së brendshme.

Në vitin 1984, me rolin e Jonës, në filmin “Duaje emrin tënd”, fiton Kupën e Festivalit V të Filmit Shqiptar. Një rol me një prirje të qartë psikologjike, ku përvuajtja ndaj një dashurie të pamerituar u përjetua thellë dhe me sinqeritet prej aktores.

Ndryshe nga roli i mësipërm, ku është më pranë specifikës së lojës në artin e kinematografisë, tek Magda në filmin “Vitet e pritjes” (1990), me të cilën u nderua me çmimin e parë në Festivalin IX të Filmit, ajo spikati me lojën aktoriale të tipit teatral, duke shpalosur anët dramatike, falë një lojë të fortë të brendshme psikologjike. Ndërsa në “Vdekja e kalit”, në rolin e Merit, aktorja shfaqet ndryshe: me rolin dhe puthjen që bëri bujë për kohën, ajo shafqi njëherësh tonet e buta dhe të brishta të një gruaje, të dashuruar, por fatkeqe.

Midis dhimbjes , ankthit të fshehur, ndjesisë së fajit dhe viktimizimit, ajo e interpreton rolin e vështirë të Dianës, në filmin “Të paftuarit” (1985), përkrah profesorit të saj, aktorit të shquar Vangjush Furrxhi, rol me të cilin fitoi Medaljonin e Festivalit VII të Filmit.

Në teatër, ajo interpretoi disa role të ndryshme, por jo në nivelin e suksesit në ekran, për shkak të përshtatshmërisë më të madhe me filmin, si zërin e ngrohtë, portretin e bukur, aftësine e përshtatjes me kamerën, për t`u shfaqur sa më e vërtete dhe e drejtpërdrejtë.

Ndërkohë, në skenën e teatrit, Bulku ka interpretuar personazhe të vështira dhe me peshë psikologjike, si dhe me një sens shpotitës e sarkastik, sikurse ai i hyjneshës Athina, në shfaqjen “Stinë e mërzitshme në Olimp”, ne vitin 2002, dramë nga Ismail Kadare. Paksimi i ofertave nga kinemaja e bëjnë që t’i përkushtohet më shumë teatrit dhe një ndër rolet më të arrira të teatrit, për Rajmonda Bulkun është realizuar në vitin 2004, me dramen “Pjata e drunjtë” nga Morison, ku ajo spikat me interpretimin, duke pasur përkrah aktorin e madhtë skenës dhe akranit, siç ishte “Artisti i Popullit”, Sulejman Pitarka.

Paralelisht ajo ka interpretuar dhe vazhdon të interpretojë shumë role në Teatrin Kombëtar, në Tiranë. Ne vitet 2009-2013 u zgjodh deputete e Partise Demokratike në Parlamentin shqiptar. Pas politikës, ajo i është kthyer sërish pasionit të saj të përhershëm, aktrimit, sërish me disa role në skenën e Teatrit Kombëtar.

Me këtë rol, ajo gjithashtu fitoi çmimin e parë në festivalin e teatrove “Talia”, në vitin 2005, në Dibër, Maqedonisë. Po këtë vit, luan rolin e nënës në dramën e Vedat Kokones “Hijet e natës”. Në vitin 2006, vazhdon në teatër me një rol tjetër, atë të Aidës, në “Korbi i bardhë”, të Mihallaq Luarasit, ku bie në sy përpjekja për të krjuar karaktere të vërteta njerëzore, duke nxjerre në pah, tek e para, anën humane të personazhit dhe në radhë të dytë, atë tronditjen shpirtërore të gruas se dashuruar. Me një tjetër rol, atë të gruas në komedinë “Burri i gruas time”, ajo e thyen formatin e roleve të natyrës dramatike, duke hyrë në një hapësirë të re interpretative./konica.al/ KultPlus.com

Video e rrallë e Aleksandër Stipçeviqit duke folur arbërisht: E kemi ruajtur gjuhën për 280 vjet

Aleksandër Stipçeviq lindi në Arbënesh të Zarës në Kroaci më 1930. Ai rrjedh nga një familje arbëreshë e rrethit të Shkodrës, të cilët treqind vjet më parë u shpërngulën në rrethin e Zarës. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj, deri në Akademinë e Shkencave në Zagreb, shkruan KultPlus.

Aleksandër Stipçeviq është kontribuues më i madh sa i përket veprave për ilirët dhe historinë e librit. Disa nga këto vepra janë: Historia e ilirëve, Arti i ilirëve, Simbolet e kultit te Ilirët, Bibliografi për ilirët, Historia e librit, Censura në biblioteka, Interpretime albanologjike etj. Më shumë se dyzetë vjet emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire.

Aleksandër Shandri Stipçeviq ka vdekur më 31 Gusht të vitit 2015. Ndërsa sot po e kujtojmë me një video të postuar nga Albert Ramaj, ku albanologu arbëresh shihet duke folur arbërisht ndërsa janë shfaqur edhe këngë origjinale arbëreshe që këndohen. Ai përmes kësaj videoje tregon për ruajtjen e gjuhës, dhe se si u tregojnë të gjithëve prejardhjen e tyre.

“Ndër ne arbëreshët flitet edhe arbërisht por pak nga pak po harrohet gjuha. Ne që e dimë nga kemi ardhur, e kush jemi, ne themi se jemi arbëresh, ne flasim për etnikisht kurse në aspektin politik jemi kroat”, thotë albanologu Stipçeviq.

Ai përmes kësaj videoje tregon se si ai dhe disa arbresh të tjerë kanë shkuar në disa fshatra, afër Liqenit të Shkodrës për të parë vendet prej nga e kanë prejardhjen. Ata kanë shkuar në fshatin Kalmeta, prej nga vjen edhe njëri ministër i quajtur Bozhidar Kalmeta, dhe kemi dashur ta shohim se prej nga vjen ai dhe njerëzit e tjerë me këtë mbiemër. Ata më pas kanë vizituar edhe Korçën, e Tiranën ndërsa më pas kanë qenë të ftuar dy herë në një emision të rëndësishme kroate, për të treguar eksperiencën e tyre në Shqipëri.

“Është një traditë shumë e madhe nga kemi ardhur, kush jemi dhe si po flasim. Ne dhe gjenerata ime po flasim arbërisht, por fëmijët e vogël nuk po dinë, janë 280 vjet që ne e kemi ruajtur gjuhën”, thotë Stipçeviq në këtë intervistë.

Lidhur me këngën “Unë jam arbëresh”, ai thotë se kjo është një këngë origjinale që e kanë sjellë nga Shqipëria, ai thotë se me vete e kanë marrë melodinë e kësaj këngë kurse fjalët i kanë shkruar vet, ndërsa Stipçeviq po ashtu tregon se si ai si fëmijë është rritur më këngë arbëreshe.

“Unë kam qenë i vogël dhe kam ditur dy-tri këngë që nëna ime m’i ka mësuar, unë kam ditur t’i këndoj këto këngë”, ka thënë arkeologu Aleksandër Stipçeviq. Ai krejt në fund të intervistës tregoj për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, e cila kuptohet nga shqiptarët e Shqipërisë, mirëpo jo edhe arbëreshët e Zarës janë në gjendje ta kuptojnë për shkak se nuk kanë mundur ta përcjellin zhvillimin e gjuhës./KultPlus.com

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10206416366101334&id=1033971541&mibextid=v7YzmG

157 vjet nga vdekja e poetit francez, Charles Baudelaire

Në këtë ditë të veçantë, kujtojmë dhe nderojmë një nga figurat më të shquara të letërsisë botërore, Charles Baudelaire. Sot, përshëndesim 157-vjetorin e vdekjes së tij, duke i bërë homazhe trashëgimisë së tij të jashtëzakonshme letrare, që ka ndikuar thellësisht në krijimtarinë letrare moderne.

Charles Baudelaire (Sharle Bodler) lindi më 9 prill të vitit 1821 në Paris dhe vdiq më 31 gusht të vitit 1867, ishte veprimtar i shquar dhe ndër figurat kryesore të periudhës të romantizmit të vonë.

Pas vdekjes të së shoqit, nënë e tij u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi te ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën.

Në 1833 njerku e regjistroi në “Kolezh Ruajal”. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat kështu që njerku i zemëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharli, ku u njoh me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotismin, që duket më së miri në kryeveprën e tij “Lulet e se Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit.

Në 1842, njohu poetet Gerard de Nerval, dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilen pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht, lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim te Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se çfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet ti kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej.

Në 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: “L’Art romantique” e “Kuriosite estetik”.

Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris, ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij “Lulet e se keqes”, që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për immoralitet, ndërsa botuesi, detyrohet të censurojë disa prej poezive.

Bodleri ra në depresion të thellë. Në 1861 u përpoq të vetëvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akademia Fronsez, u largua nga Parisi për te shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.

I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkooli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 46 vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge. / KultPlus.com

Kurti në festivalin “Fotoist”: Fotografia është historiani i heshtur i rrugëtimit tonë

Kryeministri Albin Kurti mbrëmë mori pjesë në hapjen e edicionit të dytë të Festivalit “Fotoist”.

Festivali përfshin një program të pasur të fotografisë, duke sjellë ekspozita të shumta nga artistë të njohur, si dhe të rinj.

Kryeministri Kurti e vlerësoi këtë festival si tejet të rëndësishëm, meqenëse drejton në një realitet të ndërtuar mbi optikën, e një festival i këtillë në rajonin tonë ka vlerë të madhe përtej fotografisë si medium.

“Në vitin 2021, ne buxhetin për skenën e pavarur kulturore e kemi gjetur me 1 milion euro, kurse këtë vit shënon rritjen më të madhe ndonjëherë me 9 milionë euro, duke përfshirë sektorin e pavarur në kulturë dhe në trashëgimi kulturore. Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e mbështesin fuqishëm organizimet e tilla të cilat e zhvillojnë artin, të cilat e ngrisin ndjeshmërinë dhe vetëdijen mbi të bukurën dhe në të njëjtën kohë duke kuptuar që nëpërmjet të bukurës, nëpërmjet estetikës edhe edukohet njeriu përveç se gëzohet”, tha kryeministri, duke shtuar se do të vazhdojnë të qëndrojmë pas ngjarjeve që afrojnë dhe e bashkojnë publikun kosovar me artin.

Ai tha se fotografia është historiani i heshtur i rrugëtimit tonë—çdo foto është një dëshmi e vlerave demokratike të Kosovës, të këtij populli, i cili ka vuajtur shumë, e megjithatë e ka fuqinë për të shikuar përpara dhe për të ecur përpara, me ç’rast pikërisht fotografia e kap edhe thelbin e rritjes sonë.

Në këtë edicion marrin pjesë emra të mirënjohur të fushës si, Ron Haviv, Barry Lewis, Paul Lowe, Amra Abadzic e Imre Szabo, si dhe artistë vendas të cilët prezantojnë ekspozitat e tyre, si Atdhe Mulla e Korab Basha ndër të tjerë.

Fjala e kryeministrit Kurti:

Është një kënaqësi e veçantë të jem sonte këtu me juve në hapjen e edicionit të dytë të Festivalit “Fotoist.”

Unë nuk e di se çfarë ju bën juve përshtypje për këtë festival. Mirëpo, për mua, më së shumti më ka bërë përshtypje qysh në fillim emri i Festivalit “Fotoist”. Nuk e kisha dëgjuar këtë emër më herët çka do të thotë “Fotoist”, a është “Fotoist” dikush që për fotografinë është sikurse artisti për artin, a do të thotë të jesh ithtar i fotografisë, të jesh fotofil, të jesh i magjepsur pas procesit apo pas rezultatit.

Këtu e pamë Korabin se si ishte një çik në siklet para juve, meqenëse ndjehej i fotografuar. Ai është mësuar të fotografojë e tash përnjëherë i doli aparatit përpara. Por, sido që të jetë, për bindjen time ky festival është tejet i rëndësishëm, meqenëse viti i dytë është edhe më i mirë se viti i parë dhe jetojmë në një realitet të ndërtuar mbi optikën, e një festival i këtillë në rajonin tonë ka vlerë të madhe përtej fotografisë si medium.

Festivali tashmë përfshin një program të pasur të fotografisë, duke na sjellë ekspozita të shumta nga artistë të njohur, si dhe të rinj që sjellin perspektiva unike dhe të freskëta. Nga data 30 gusht deri më 2 shtator do ta keni rastin të takoheni, të vizitojmë, të udhëtojmë nëpër vepra sikurse “Last Seen” apo “I parë së fundmi” nga Hrair Sarkisian dhe “Echoes Of The Past” apo “Jehona nga e kaluara” nga Atdhe Mulla, pastaj Korab Basha me “Keep Calm And Smile,” “Ji i qetë dhe buzëqesh” dhe disa ekspozita të jashtëzakonshme që përfshijnë punime nga Imre Szabó dhe Ilvy nga Seven Foundation, “The Ark Of Memory” dhe “Behind The Veil – Albania Through Isolation and Transition” nga Barry Lewis, nga Londra, i cili ndodhet po ashtu këtu sonte me neve.

Në vitin 2021, ne buxhetin për skenën e pavarur kulturore e kemi gjetur me 1 milion euro, kurse këtë vit shënon rritjen më të madhe ndonjëherë me 9 milionë euro, duke përfshirë sektorin e pavarur në kulturë dhe në trashëgimi kulturore. Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i mbështesin fuqishëm organizimet e tilla të cilat e zhvillojnë artin, të cilat e ngrisin ndjeshmërinë dhe vetëdijen mbi të bukurën dhe në të njëjtën kohë duke kuptuar që nëpërmjet të bukurës, nëpërmjet estetikës edhe edukohet njeriu përveç se gëzohet. E do të vazhdojmë të qëndrojmë pas ngjarjeve që afrojnë dhe e bashkojnë publikun kosovar me artin.

Fotografia është historiani i heshtur i rrugëtimit tonë—çdo foto është një dëshmi e vlerave demokratike të Kosovës, të këtij populli, i cili ka vuajtur shumë, e megjithatë e ka fuqinë për të shikuar përpara dhe për të ecur përpara, me ç’rast pikërisht fotografia e kap edhe thelbin e rritjes sonë.

Krejt në fund me lejoni që t’i përshëndes edhe disa mysafirë të veçantë. I kemi gazetarët rezidentë këtu nga Ukraina, e herën e fundit në qendrën “Barabar” ku do ta shohim ekspozitën sonte, isha pikërisht atëherë kur u promovua një përmbledhje e fotografive të luftës nga atje.

Ju dëshiroj fillim të mbarë dhe vazhdim shumë të suksesshëm të këtij edicioni, edhe të edicionit tjetër të tretë vitin e ardhshëm. E ka disa autorë që mendojnë që karakteri i fëmijëve formohet deri në moshën tre vjeçare, mandej bëhen të pashpresë. Ndoshta është ashtu, por viti i dytë është me shumë shpresë./ KultPlus.com

“Të dua – unë kaq di të tjerat nuk i gjejmë nuk i gjejmë dot as unë, as ti”

Poezia “Të dua”  nga Andi Bejtja

Sa herë dora ime prek trupin tënd të zhveshur
dhe shtrati i djersitur ngjan me një re,
me duart që të dridhen me sytë e një fëmije
papritur më pyet, “a ka të tjerë si ne”?

Pastaj ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
hëna plasaritet, nuk fryn më as erë
me muskuj të tendosur në pritje të një britme
sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”?!

Të dua, të dua, të dua – unë kaq di
të tjerat nuk i gjejmë nuk i gjejmë dot as unë, as ti.

Loti yt rrokulliset edhe zbret në gjoksin tim
ne botën nuk e njohim, parajsën e dimë
akrepat po lëvizin, toka rrotullohet
hëna e plotë – asgjë nuk pipëtin…

Të dua, të dua, të dua dhe ti e di
sa herë s’ta kam thënë, ta kam fshehur, por je vetëm ti.

Dhe ndiej dorën tënde mbi trupin tim të zhveshur
shrati i djersitur, kjo dritë kaq e zbehtë
me gjunjët e këputur, me sytë e përhumbur
tani unë të pyes: “a ka të tjerë si ne?!”

Dhe prapë ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
hëna plasaritet, nuk fryn më as erë
me muskuj të tendosur, në pritje të një britme
sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”? / KultPlus.com

ChatGPT ka 200 milionë përdorues aktivë në javë

Kompania OpenAI njoftoi se chatbot-i i saj ChatGPT tani ka 200 milionë përdorues aktivë javor, që është dy herë më shumë në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar.

Numri i përdoruesve nuk është rritja e vetme e madhe që OpenAI ka regjistruar vitin e kaluar.

CEO Sam Altman thuhet se u tha punonjësve këtë verë se të ardhurat vjetore të pritshme ishin 3.4 miliardë dollarë, ndërsa në fund të 2023 ishin 1.6 miliard dollarë.

Apple, Nvidia dhe Microsoft janë në bisedime për të investuar në OpenAI dhe i vetmi detaj i njohur për këtë investim është se do të rrisë vlerën e OpenAI në më shumë se 100 miliardë dollarë.

Microsoft ka investuar 13 miliardë dollarë në kompani që nga viti 2019, ndërsa Apple ka zbuluar se ChatGPT do të përbëjë një pjesë të madhe të inovacioneve që lidhen me Apple Intelligence.

Microsoft dhe Apple hoqën dorë nga vendet e tyre në bordin e OpenAI këtë verë pasi Komisioni Evropian ngriti shqetësime për një monopol të lidhur me marrëdhëniet e ngushta të kompanive./KultPlus.con

Fryma kozmike e një poezie të Bob Dylanit me një këngë të njohur shqiptare

Bob Dylan, i njohur me emrin Robert Allen Zimmerman, lindur në 24 maj të vitit 1941 është kantautor, këngëtar, piktor dhe shkrimtar. Ai influencoi muzikën dhe kulturën popullore për 5 dekada dhe në vitin 1960 u quajt “Zëri i gjeneratës së re”. U bë shumë i njohur me këngët “Blowin in the wind” dhe “The time they are a-changin”.

Tekstet e Dylanit mbartin një domethënie të gjerë politike, sociale, filozofike duke kaluar kufijtë kombëtarë. Ai eksperimentoi në disa zhanre muzikore duke shitur anekënd botës 100 milionë disqe. Vitin e kaluar Bob Dylan fitoi çmimin Nobel në letërsi.

Një nga poezitë e tij më të bukura të këngëve të tij është dhe kjo që po ju përcjellim, shkruan Konica.al. Në fakt motivi i kësaj poezie ngjan shumë me një këngë popullore shqiptare “Bjeri gajdes, gajdexhi”, që ne po e sjellim në interpretimin e një grupi gjerman.

Zoti Dajrexhi

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Perandoria e mbrëmjes është bërë pluhur e hi
M’u tret nëpër duar tani
më la të verbër në vetmi, pa gjumë me mendje trazuar
lodhur e mërzitur deri në çmenduri, me këmbët përvëluar
të njohur asnjë s’kam takuar
Dhe e lashta rrugë e zbrazët, gjithë ëndrrat i ka dëbuar

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

më vozit edhe mua hareshëm mbi anijen tënde magjike
Shqisat më janë bjerrur, duart nuk ndjejnë prekje

Këmbët e mpira, veç për të mbathur çizmat janë në pritje
që pastaj rrugëve të endem
jam gati të shkoj kudo, jam gati të zhdukem
Në paradën time, në magjinë e vallëzimit tënd të zhytem
Që pastaj në të të tretem

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjume dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

E nëse dëgjon të qeshin, të hidhen e përdridhen nëpër diell marrëzisht
Askënd nuk ngacmojnë sinqerisht
Është thjesht një vrap në arrati
drejt qiellit që gardhe e kufij nuk njeh

Dhe nëse dëgjon përhumbur një rimë që përsëritet
e në ritmin e dajres tënde përdridhet,
është thjesht një klloun që vërtitet
një i pavlerë që nuk shqitet
është thjesht një hije që përpiqet
ta shohësh ti, se këmba-këmbës po të ndjek.

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Më zhduk pastaj nëpër rrathët e tymit të trurit tim
Përposhtë rrënojave të kohës në mjegullim

Larg gjetheve të ngrira
Tek pemët strukur e harruar,
Në plazhin me erë harbuar
Larg nga laku i shtrënguar
I të çmendurit trishtim

Do të vallezoj me duart drejt qiellit në liri
me siluetën e detit pa kufij
Zhytur në rërë si në cirk
Futur thellë nën valë me nxitim
Deri nesër, të sotmen po e le në harrim

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku te shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur une pas teje do të vij./ KultPlus.com

”Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi”


Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni.

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s’ka fat. por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafësh.

mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj./KultPlus.com

Ylli i serialit “Elite” vdes në moshën 41-vjeçare

Aktori spanjoll Julian Ortega, i njohur për rolin e tij në serialin e njohur të Netflix “Elite”, ka vdekur, ka njoftuar sindikata e aktorëve dhe aktoreve të vendit.

“Ngushëllimet tona më të thella për familjen dhe miqtë e tij,” shkroi sindikata në një deklaratë të hënën.

41-vjeçari, Ortega, djali i aktores spanjolle Gloria Muñoz, lindi në Madrid në vitin 1983. Ai ndoqi shkollën e dramës në kryeqytetin spanjoll. Më pas ai filloi karrierën e tij në ekran prej më shumë se dy dekadash, duke u shfaqur në filma në gjuhën spanjolle, si drama “El Otro Barrio” (“Ana tjetër”) e vitit 2000 dhe fantazi horror “La raíz del mal” e vitit 2008.” Ai u shfaq në disa seri televizive në Spanjë, përpara se të ngrihej në famë ndërkombëtare pasi u shfaq në gjashtë episode të “Elite” të Netflix.

Shkaku i vdekjes së 41-vjeçarit nuk është bërë i ditur zyrtarisht./KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën’ i shkrimtarit Amos Oz

“Ndoshta hëngrëm mollën e gabuar në Kopshtin e Edenit? Ndoshta mes pemës së jetës dhe pemës së njohjes së të mirës nga e keqja, ka qenë ndonjë pemë tjetër që rritej atje në Kopshtin e Edenit, ndonjë pemë helmuese që nuk përmendet në shkrimet e shenjta, ‘pema e djallit’ dhe ndoshta kjo ishte ajo çka hëngrëm ne?

Ai gjarpëri faqezi e mashtroi Evën, i premtoi se ajo ishte pa dyshim pema e njohjes, por, në të vërtetë, e çoi te pema e djallit. Ndoshta po të kishim ngecur te pema e jetës dhe tek ajo e njohjes së të mirës nga e keqja, nuk do të na kishin nxjerrë kurrë nga kopshti.’

Po çfarë është ferri? Ç’është parajsa? Patjetër që është brenda nesh. Në shtëpitë tona. Ferrin dhe Parajsën mund t’i gjesh në çdo dhomë. Pas çdo dere. Poshtë çdo batanije. Ja! Pak ligësi dhe njerëzit bëhen të gjithë ferr me njëri – tjetrin. Pak dhembshuri, pak zemërgjerësi dhe njerëzit gjejnë parajsën te njëri – tjetri.

Thashë pak zemërgjerësi dhe dhembshuri, nuk thashë dashuri: Unë nuk besoj shumë tek dashuria universale. Dashuria e secilit për secilin – ndoshta është më mirë t’ia lëmë Jezusit këto.

Dashuria është krejt tjetër gjë. Nuk është fare as si zemërgjerësia e as si dhembshuria. Përkundrazi. Dashuria është një përzierje interesante e të kundërtave, një përzierje e egoizmit ekstrem me përkushtimin total. Një paradox! Dashuria, dashuria.

Të gjithë flasin rreth saj sikur dashuria të ishte diçka që njeriu mund ta zgjedhë, por dashuria nuk zgjidhet, ajo të kap si sëmundje dhe të zë si fatkeqësi. Atëherë, ç’është kjo që ne e zgjedhim? Çfarë duhet të zgjedhin qeniet njerëzore çdo minutë të ditës? Zemërgjerësinë dhe koprracinë. Çdo fëmijë e di këtë, e prapëseprapë ligësia nuk mbaron. Si shpjegohet kjo? Më duhet se e gjitha vjen nga ajo molla që hëngrëm atëherë: hëngrëm mollën e helmuar.”

– Amos Oz“Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën” / KultPlus.com

‘Më merr në krahët e tua, si merr femijën nëna’ (VIDEO)

Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.

Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

KultPlus sonte ua risjell videon dhe tekstin e këngës “Rrisim jetë tonë” nga Vaçe Zela.

Rrjedhin o mëngjeset,
rrjedhin si ujëvara,
ja kështu mes njerëzve,
jeta jonë hedh hapat

Hyj dhe unë mes tyre,
shtoj një fjalë, një kënge,
është kjo këngë e jetës,
për ty Shqipëri,
për ty Shqiperi moj nanë

Më merr në krahët e tua,
si merr femijën nëna,
qe ballin të ma puthi,
edhe dielli edhe hëna.

Une marr nga drita jote,
ti merr nga zemra ime,
dhe dorë për dore rendim,
e shtrenjta jeta ime.

Rrjedhin o buzëmbrëmjet,
rrjedhin kaltërojnë,
në një kënd të globit,
rritim jetën tonë

Hyj dhe unë mes tyre,
shtoj një fjalë, një këngë,
është kjo këngë per jetën,
për ty Shqipëri,
për ty Shqipëri moj nanë.

Më merr në krahët e tua,
si merr femijën nëna,
qe ballin të ma puthi,
edhe dielli edhe hëna.

Une marr nga drita jote,
ti merr nga zemra ime,
dhe dorë për dore rendim,
e shtrenjta jeta ime/ KultPlus.com

Apple dhe Nvidia në bisedime për të investuar në OpenAI

OpenAI raportohet se po përgatitet për një raund të madh investimi ndërsa Apple dhe Nvidia kanë shprehur interes. Ditën e Enjte Wall Street Journal raportoi se Apple, që ka planifikuar të integrojë ChatGPT në iOS, është në bisedime për të investuar.

Menjëherë pas këtij raporti, Bloomberg tha se Apple është në bisedime por edhe Nvidia ka diskutuar së brendshmi për t’ju bashkuar këtij raundi investimi. Besohet që ky raund udhëhiqet nga Thrive Capital dhe do ta vlerësonte OpenAI me më shumë se 100 miliardë dollarë.

Mbase nuk është një çudi të shohim Apple dhe Nvidia që dëshirojnë të investojnë në OpenAI. Apple do të integrojë ChatGPT me Siri drejt fundit të vitit.

Ndërkaq Nvidia është një furnizues i rëndësishëm i OpenAI, çipet e të cilët fuqizojnë shërbimet AI të kompanisë. Microsoft gjithashtu është në bisedime për t’jua bashkuar këtij raundi sipas Bloomberg. Kompania investoi 1 miliardë dollarë në 2019-ën dhe 10 miliardë dollarë në 2023./KultPlus.com

Sosja e vetmisë në vapën e ditës

Poezi nga Martin Camaj

Vapa m’zuni te rranxa e qytetit
në shkamb që sos me pallat në maje.
Vetmia shkallave guri ngreh hap mbas hapi
korpin me avull përpjetë
e nuk mbaron kurr.

Qentë mbas dyerve gërvishtin drunin
e ciasin për t’i lirue dikush kërcllatjesh
telash të ndryshkun në shtrat.
Në mende të pangjashme përlyhen
linjat e ndeme për m’u terë n’ballkone
kryq e tërthoraz.

Shì në maje, te pallati i lashtë,
vetoi ndër rreze faculeta e bardhë
në krye të saj
e krisi nji hap grueje n’shkamb
me jehonë në parzmin tim.

Vdekja e mistershme e Princeshës Diana, dokumentari i ri zbulon të pathënat e ikonës mbretërore

Rreth tre dekada pas vdekjes së saj, Princeshë Diana është ende në zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve. Një dokumentar i ri do të tregojë  detaje të reja për vdekjen e saj në vitin 1997.

Në një serial të ri dokumentarësh, “Who Killed Diana” do të trajtohen rrethanat e vdekjes së princeshës në moshën 36-vjeçare. Ekipi ka premtuar intervista të rralla me burime kyçe dhe “do të hedhë dritë në çështjen që prej dekadash ka marrë vëmendjen e të gjithë botës”.

“Who Killed Diana?” do të jenë episodet e para të serialit që do të piketojë figura ikonike dhe do të ekzaminojë “historitë njerëzore dhe kontekstin historik të këtyre çështjeve”. Seriali është ndërtuar nga e njëjta skuadër që realizoi “Who Killed Jill Dando” dhe “The Mystery of Marilyn Monroe”.

Nuk  dihet se kur do të jetë data e daljes së serialit, por do të jetë  i ndarë në tre pjesë.

“Eksplorimi i grave legjendare përmes dokumentarëve gazetareskë investigativë është një pasion i imi”, tha producentja Emma Cooper. “Njësoj siç bëmë me ‘The Mystery of Marilyn Monroe’, kemi marrë një histori që bota mendonte se e njihte  dhe kemi zbuluar të vërteta të fshehura. Jam e vendosur që t’i qasem kësaj gruaje të dashur dhe ikonike me perspektiva të reja, zëra të rinj dhe detaje të pathëna”.

Diana ndërroi jetë  gjatë një aksidenti automobilistik në Paris. Me të ndodhej i dashuri i saj Dodi Al Fayed dhe shoferi, Henri Paul./KultPlus.com

Diana, Princess of Wales on holiday in Majorca, Spain on August 10, 1987. (Photo by Georges De Keerle/Getty Images)

‘Kur do të pushojë ma kjo kangë’ (VIDEO)

“Jericho” është një rok grup i formuar nga disa të rinj shqiptarë nga Kosova, në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Ky grup njihet per muzikën dhe tekstet e tyre mjaft të veçanta, shkruan KultPlus.

Muzika e tyre është përzierje e muzikës rok, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare e cila është karakteristikë e regjionit te Kosovës dhe Shqipërisë veriore. Përveç instrumenteve standarde të rokut, ata përdorin edhe instrumente orientale të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli dhe zurna.

Tekstet e këngëve në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë, i cili flitet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipërinë veriore, ku, shpesh përdoret edhe në poemat epike shqiptare. Të gjitha këngët e grupit trajtojnë tema sociale, me theks të veçantë për problemet që populli shqiptar i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë me qeverisjen e vendit.

Grupi “Jericho” njihet për shumë këngë si: ”Zgjohu”, ”Tomlin e nonës”, ”Kur do t’pushojë kjo kangë”, ”Albanian Rhapsody” e shumë të tjera.

Sot po e risjellim këngën e tyre me titull “Kur do t’pushojë kjo kangë” me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur në Prishtinë.

Kur do të pushojë ma kjo kangë
Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë

2x
Sytë mu kan ronu
Zemër rri me mu

Në vena gjaku i djallit po më lëviz
Duart i hap e muret po i grithë

2x
Sytë mu kane ronu
Zemër ri me mu
 / KultPlus.com

UNICEF e gatshme për të ofruar ekspertizën për digjitalizimin e arsimit në Kosovë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagvci ka pritur në takim shefen e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronica Vashchenko, të shoqëruar nga Kozeta Imami dhe specialistja e arsimit të UNICEF-it, Besa Veselaj.

Gjatë takimit u diskutua për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimin aktual të kurrikulës së re, i cili po vazhdon me sukses në disa institucione parashkollore.

Po ashtu u diskutua për digjitalizimin e arsimit, ku UNICEF-i qëndron i gatshëm për të ofruar ekspertizë përmes asistencës teknike, drejt realizimit të këtij procesi.

Ministrja Nagavci falënderoi shefen e re të zyrës së UNICEF-in, Vashchenko për koordinimin e ngushtë me institucionet, duke siguruar që të gjitha rekomandimet e UNICEF-it të realizohen me efektivitet në çdo aspekt të punës sonë.

Ndërsa, shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronica Vashchenko përsëriti gatishmërinë për ofrimin e mbështetjes për MAShTI-në në të gjitha format e identifikuara./ KultPlus.com

Kontributi i akademikut Shaban Demiraj në transkiptin e “Gjellës së Shën Mërisë”

Në artikullin e mëposhtëm të profesor Bardhosh Gaçes publikohen të dhëna në lidhje me kontributin Shaban Demiraj për transkuptimin e veprës së Jul Varibobës “Gjella e Shën Mërisë”.

Gaçe thekson se “Akademiku ynë i çmuar Shaban Demiraj, krahas studimeve gjuhësore, ka dhënë ndihmesë të veçantë edhe në studimet letrare. Ky talent i veçantë i Akademik Shaban Demiraj, u shfaq qysh në vitet ’60 të shk. XX e vijoi edhe kohë më pas me pajisjen me shënime të veçanta të veprave të Naim Frashërit: “Lulet e Verësë”, “Bagëti e Bujqësia”, të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, Gavril Dara i Riu “Kënga e Sprasme e Balës”, si dhe një varg veprash të tjera të Pjetër Bogdanit, Lekë Matrëngës, Frang Bardhit etj. Në këtë sfond zënë vend edhe studimet e Shaban Demirajt mbi Jul Varibobën dhe veprën e tij, botuar së pari në Buletinin e Universitetit të Tiranës 1958/1 dhe “Nëntorit” 1962/9”.

Ndërsa studimi mbi veprën e Varibobës është botuar vitin e shkuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me titullin: “Jul Variboba në trashëgiminë e tij”, për të cilën në plotësime  dhe vërejtje kritike është kujdesur djali i profesorit, linguisti Bardhyl Demiraj. Vepra e Varibobës, vazhdon të mbetet e rëndësishme dhe e nevojshme për t’u studiuar.

Përmes saj (veprës) kuptohet raporti i italishtes me shqipen e mbartur në nivelet e veta nga arbëreshët në vitin 1762, si dhe qëndrimet ndaj gjuhës, besimit, çështje të tjera të identitetit dhe etnopsikologjik të një prifti shqiptar, pastaj profili i tij si krijues etj.. “Variboba nuk mund të anashkalohet, pasi vepra e tij “Gjella e Shën Mëriss Virgjër” është një “kronikë” dhe një pamje të gjerë në të cilën plekset psikologjia, filozofia e besimit, mjedisi  i fshatit arbëresh Mbusati (pasi në të ka një lloj vendosje të “ngjarjeve”). Në këto rrethana, që në krye të herës është e rëndësishme të kihet një njohje e qëndrueshme për veprën, gjuhën me të cilën ajo u shkrua, rrethanat në të cilat u shkrua dhe u botua”, shkruan profesor Gaçe.

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

(Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Akademikut Shaban Demiraj)

Për fatin e mirë, të atyre që e ruajtën, që e njohën, që shkruajtën për të, qoftë edhe kur e lavdëruan, qoftë kur e kritikuan, “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” është një vepër e rëndësisë së jashtëzakonshme, duke qenë si “relikt”, edhe pse ajo është një vepër, e cila është shtjelluar nga kritika që herët, është komentuar nga studiuesit dhe ka bërë goxha rrugë të rëndësishme dhe në punimet dhe këndvështrimet e gjuhësisë shqipe me konceptime historike – krahasuese, në studime të natyrës dialektologjike, gjuhësore, fonologjike, leksikore.

Ajo ka kaluar një objeksion të madh kritik nga të gjitha pamjet, për të kanë folur dhe shkruar njerëz të dijeve historike, sociale, të besimit fetar dhe të kulturës popullore.

I përfshirë në një debat të vazhdueshëm studiuesish dhe kritikësh arbëreshë shqiptarë dhe të huaj, Variboba i ka dhënë një argument të rëndësishëm letërsisë arbëreshe dhe asaj shqiptare, duke u konsideruar si njëri nga autorët e parë të letërsisë arbëreshe që ka shkruar një vepër letrare në gjuhën shqipe.

Akademiku ynë i çmuar Shaban Demiraj, krahas studimeve gjuhësore, ka dhënë ndihmesë të veçantë edhe në studimet letrare. Ky talent i veçantë i Akademik Shaban Demiraj, u shfaq qysh në vitet ’60 të shk. XX e vijoi edhe kohë më pas me pajisjen me shënime të veçanta të veprave të N. Frashërit: “Lulet e Verësë”, “Bagëti e Bujqësia”, të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhetë”, Gavril Dara i Riu “Kënga e Sprasme e Balës”, si dhe një varg veprash të tjera të Pjetër Bogdanit, Lekë Matrëngës, Frang Bardhit etj. Në këtë sfond zënë vend edhe studimet e Shaban Demirajt mbi Jul Varibobën dhe veprën e tij, botuar së pari në Buletinin e Universitetit të Tiranës 1958/1 dhe “Nëntorit” 1962/9.

Në një këndvështrim shkencor, prej kritiku, studiuesi dhe linguisti, Variboba me veprën e tij “Gjella e Shën Mëriss Virgjër” vjen përmes veprës postume të prof. Shaban Demirajt, të titulluar  “Jul Variboba në trashëgiminë e tij”, botuar në kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2019, për të cilën në plotësime  dhe vërejtje kritike është kujdesur  linguisti Bardhyl Demiraj. Në mendimin kritik, mendojmë se libri në fjalë është i plotë për shkakun e një këndvështrimi të hollë nga shkencëtari i njohur i gjuhës, i cili ka arritur të depërtojë në anatominë e veprës së autorit, duke prekur edhe pjesën më të debatueshme dhe të mistershme të autorit dhe veprës së tij.

Vepra e Varibobës, pavarësisht kohës dhe qëndrimeve kritike, që kanë mbajtur ndaj saj  dhe ndaj tij, të studiuesve arbëreshë, ajo vazhdon të mbetet e rëndësishme dhe e nevojshme për t’u studiuar.  Sado mangësi e qortime përmbajtjesore apo të formës që mund të evidentohen në veprën e tij, ai dhe vepra e tij është “objekt”, një tekst i shkruar, i cili është kthyer në një arkiv i rëndësishëm për ta lexuar qoftë si vepër letrare, si dokument që ka brenda vetes një prerje të caktuar historike, po ashtu përmes saj (veprës) kuptohet raporti i italishtes me shqipen e mbartur në nivelet e veta nga arbëreshët në vitin 1762, si dhe qëndrimet ndaj gjuhës, besimit, çështje të tjera të identitetit dhe etnopsikologjik të një prifti shqiptar, pastaj profili i tij si krijues etj.

Variboba nuk mund të anashkalohet, pasi vepra e tij “Gjella e Shën Mëriss Virgjër” është një “kronikë” dhe një pamje të gjerë në të cilën plekset psikologjia, filozofia e besimit, mjedisi  i fshatit arbëresh Mbusati (pasi në të ka një lloj vendosje të “ngjarjeve”). Në këto rrethana, që në krye të herës është e rëndësishme të kihet një njohje e qëndrueshme për veprën, gjuhën me të cilën ajo u shkrua, rrethanat në të cilat u shkrua dhe u botua. Botimi në një format të tillë, me një këndvështrim të gjerë, dhe ajo që është më i rëndësishëm, problemi gjuhësor nga prof.. Demiraj, krijon një dimension dhe një këndvështrim më bazik për veprën dhe autorin, e cila do vazhdojë të mbetet objekt studimi jo vetëm nga dijet gjuhësore, por edhe nga fushat e tjera të studimit.

Me daljen në dritë të veprimtarisë së tij letrare studiuesit referojnë një çast delikat të arbëreshëve të Italisë, pasi është momenti kur kuptojnë se ata nuk do të mund të kthehen në atdheun e tyre ku lindën të parët e tyre, të cilët për disa shekuj i kënduan me peng dhe dashuri, me mall dhe me krenari. Si të tillë, ata duhet të vazhdojnë t’i rrëfejnë “ati birit dhe biri nipit”, pasi epoka e “Motit të Madh” do të mbetet e përjetshme për shkak të mesazhit universal që i përcillte jo vetëm shqiptarëve, por vetë njerëzimit. Variboba lindi dhe kontribuoi në një moment vërtetë delikat dhe të dhimbshëm për kujtesën e arbëreshëve, të cilët kishin arritur në një çast ku ndjenja nacionale e tyre (për shumë arsye) ishte zbehur jo pak, pasi kishte disa shekuj që ata rrethoheshin nga një mjedis, zakone, gjuhë dhe kulturë e huaj. Ndër ta kishte mbetur vetëm besimi që kishin marrë më vete dhe që përpiqeshin ta ruanin.

Në kulturën arbëreshe të komunikimit që në momentin kur ata u larguan nga Arbëria kishte pasur një krijimtari të gjerë poetike të poezisë popullore, por dhe të gjithë korpusit kulturologjik dhe etnologjik që ajo kishte brenda. Kultura poetike popullore, ashtu si edhe besimi, përbënin një veprimtari, e cila kishte mjaftuar të krijonte një fondament të rëndësishëm për brezat që ata të kishin mundësinë të ndjeheshin arbëresh, të mishëroheshin sa ishte e mundshme në traditën folklorike, kulturore popullore, të zakoneve dhe të besimit të tyre. Por tashmë, në kohën e Varibobës, vendin e këngëve me karakter kombëtar kishin filluar ta zinin krijimet me karakter fetar, që imitonte poezinë italiane të kohës. Këtë karakter patën dhe krijimet e Varibobës, emri i të cilit u rrit shpejt dhe krijimtaria e tij filloi të këndohej nga njerëzit, pra këngët fetare të tij.

Variboba është një nga krijuesit e parë të veprës letrare shqipe me një farë vlere artistike. Atë e kanë konsideruar kritikë dhe studiues të njohur të mendimit letrarë arbëreshë dhe shqiptar si Zef Skiro, Markianoi, De Rada, Albert Stratikoi dhe të tjerë, por pavarësisht kësaj për jetën e Varibobës ka mjegull të konsiderueshme. Kozenca ku ka lindur Variboba është një nga qendrat e mëdha ku arbëreshët kanë përcjellë trashëgiminë e tyre kulturore dhe etnologjike arbëreshe, me një lidhje të fortë nga vendi nga kishin ardhur. Për Mbusatin e Varibobës mendohet se ka origjinën nga familja Buza, një toponim që familja i ka dhënë emrin e vet vendit, siç ka ndodhur dhe me vendbanimin Gropa në Palermo, ku identifikohet themeluesi i saj familja Gropa.

Në Mbusat arbëreshët kanë ruajtur origjinën e të folurit toskërisht, por nuk mungon dhe tradita apo elementë të të folurit nga arbëresh të shpërngulur nga Shkodra dhe Dibra, të cilët kanë nuancat e të folurës së tyre të ruajtura në komunikim, siç flet dhe tregon Markianoi. Mbusati shquhet për ruajtje e traditës arbëreshe. Variboba tregohet se ishte i biri i një prifti, një edukatë të cilën siç duket e mori dhe ai që në fëmijëri, pasi siç dëshmojnë biografët, ai që në fëmijëri kishte ushqyer një dashuri të madhe në veçanti për Shën Mërinë, një devotshmëri që ai e tregoi gjatë gjithë jetës në përgjithësi për besimin fetar.

Variboba që në fillim ka shërbyer si prift në fshatin e tij, themeloi një Kuvend murgeshash, i quajtur “Bijat e Marijes”, çka u bë shkak për ta akuzuar se ai kishte mëkatuar me njërën nga këto, kështu që ai u dërgua në mërgim në Romë si ndëshkim. Në Romë Varibona, sipas Stratikoit është nderuar, ai ishte i ditur dhe shumë i sjellshëm. Te Variboba shquan shpirti i tij fetarë, i trashëguar nga familja, raporti që ai kishte vendosur me figurën më të dashur biblike për njerëzimin Shën Mërinë e virgjër është një nga referimet e kësaj të dhëne. Si një fetar i bindur Variboba nuk dallonte për ndjenja patriotike. Atij thuhet se nuk i pëlqenin mallkimet e rënda që kishte gjuha arbëreshe, të cilat i kishte dëgjuar që në fëmijërinë e tij të hershme, çka tregon se si ishte formuar shpirti dhe ndjesia e tij për njerëzit dhe botën që e rrethonte.

Që në hershmëri, ndoshta që në kohën kur në Kuvendin e Vajzave të fshatit të tij, raporti i tij me arbëreshët nuk ishte i mirë. Atij nuk i pëlqen tradita se si arbëreshët tallen me tjetrin. Studiuesit e tij tregojnë se ai ishte i ditur dhe i kulturuar për kohën. Përmes asaj që na ka ardhur deri në ditët tona, veçanërisht përmes veprës  së njohur poetike “Gjella ë Shën Mërisë së Virgjër”, duke qenë një vepër, e cila lexohet, studiohet dhe interpretohet shumëplanësh, mund të kuptohet lehtësisht se Variboba kishte dell poetik, dhe se përvoja poetike e tij ishte e hershme, siç njofton në studimet e tij Zef Skiroi. Poezia e tij ka qenë gjatë gjithë kohës me prirje fetare.

Prof. Shaban Demiraj ka sjell një këndvështrim origjinal në analizën e të gjithë veprës, që nga rrethanat si u shkrua dhe u botua vepra, brendia, ndërtimi, komunikimi që vepra realizon përmes përmbajtjes së vjershave,  qëndrimin e Varibobës për dukuritë dhe fenomenet njerëzore, të para përmes figurave biblike, analizës së veprës dhe specifika gjuhësore e të shkruarit të “Gjellës së Shën Mërisë së Virgjër”. Është një kontribut i çmuar dhe kompleks, mënyra se si Demiraj i ka propozuar lexuesit dhe studiuesit për ta lexuar dhe interpretuar këtë vepër të parë të letërsisë nga Variboba.

“Gjella e Shën Mërisë së Virgjër” për herë të parë u botua në vitin 1762, pati dhe botime të tjera, por sipas prof, Shaban Demirajt, botuesi i tij, prof. Librandi ka vënë dorë në veprën e tij, d.m.th nuk i ka qëndruar besnik origjinalit, duke i hequr një element të rëndësishëm asaj. Vepra ka 42 vjersha , ku shquajnë “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” dhe “Gjella e Shën Bambinit”, poezi të gjata, afër poemës, të cilat marrin shumë rëndësi në vepër. Autorin Jul Variboba për ta shkruar librin e ka frymëzuar lutja dhe besimi, që libri “t’i pëlqejë Shën Mërisë”, lutet Variboba.

Poema “Gjella e Shën Mërisë…” është e gjatë, ajo ka 131 strofa, në të cilën flitet për jetën e Shën Marisë  dhe lindjen e Krishtit. Në libër ka poezi të tilla si “Kalimera e Natalevet”, “Bën ca kuçe e bën nino”, “Kënga e të zgjuarit”, “Nj’atër këk”, këngë të bukura lirike që qerthullojnë gëzimin nga të gjithë për lindjen e Krishtit. Në këto këngë shquan ndjesia hyjnore prej nëne e Marisë, e cila i këndon ninullat Krishtit, por edhe Josifit, barinjve dhe bareshave në një mjedis magjepsës lirik dhe baritorë arbëresh.

Në libër dallojnë poezi të tjera si “Docttrina Cristiana”, “Credo”, ku flitet për doktrinën e krishterë, ndërsa në poezi të tjera si “Miserere Mei Deus”, “Kënk Spiritual”, Pater Noster”, “Veni Sancte Spiritus” dhe të tjera në të cilat flitet për lutjet drejtuar Zotit për të falur mëkatet. Poema “Gjella e Shën Bambinit” është e gjatë rreth 180 strofa, ku flitet për tri mbretërit magjistarë, mbi ndjekjet në Egjipt, mbi ndjekjet e Erodit, mbi largimin e Krishtit  me gjithë prindërit në Egjipt, mbi mrekullitë e Krishtit. Në poemë bien në sy mrekullitë që ndodhin.

Krahas shumë poezive të tjera, në libër shquajnë tri vjersha, ajo që flet për kthimin e Krishtit pas vdekjes tek e ëma dhe në fund vdekjen e saj; vjersha e dytë  këndon Shën Mërinë si një mbretëreshë që gëzon në qiell dhe vjersha e tretë, e cila titullohet “Shën Mëris Bonkuncilit” në të cilën përshkruhet ikja e mrekullueshme e Shën Mërisë nga Shkodra në Itali, në kohën  që turqit pushtuan qytetin. Në libër ka një cikël që Variboba ua ka kushtuar shenjtorëve të tillë si Shën Andonit, Shën Vinçencit, Shën Gjergjit, Shën Josifit. Vepra “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër” është një përthyerje e plotë e jetës, vuajtjeve  dhe triumfit të Shën Mërisë  dhe të Krishtit në një mjedis arbëresh, pasi poeti duket se ka ndër sy Mbusatin e vet në të gjithë shëmbëllimet që ka sjellë përmes vjershave.

Vepra “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, ngjan me një vepër interesante, e shkruar si një raport dhe komunikim që personazhet e caktuar, kryesisht të zonës së epërme hyjnore me krijuesin, duke i dhënë pak a shumë veprës një subjekt lirik. Duke qenë personazhe të njohur të botës biblike dhe hyjnore, në këtë vepër rëndësi të veçantë ka qëndrimi dhe paraqitja e tyre që Variboba u bën atyre në një mjedis dhe përmes psikologjisë së një arbëreshi siç ai dhe ishte.

Spikasin në të gjithë veprën Shën Maria dhe Krishti, më pas vjen Josifi, i shoqi i ligjshëm i Marisë.  Variboba ka pasur një kujdes të madh për të ruajtur vërtetësinë biblike të tyre, ashtu  siç i ka sjellë dhe përshkruar Bibla. Po ashtu, në vepër lidhjet me emrat dhe personazhet biblik nuk janë të shkëputura siç janë dhe Elisabeta, Erodi, shenjtorët Andon, Gjergj, Kozma dhe Vinçenc, pastaj barinjtë, që siç duket në to ka vend dhe fantazia e autorit.

Shën Maria mbart gjithë “aksionin” rrëfyes, lirik dhe narrativ, e pastër, e devotshme, si nënë kur rrit dhe i këndon ninullat të birit Krishtit dhe si nënë me dhimbjen e madhe mbi kufomën e Krishtit. Variboba është përpjekur që hyjnoren Mari ta sjellë me tiparet njerëzore, veçmas në dhimbjen që ajo ka para kufomës së të birit, një dhimbje që të kujton pikëllimin e një nëne shqiptare për të birin e vet. Në këtë rast, pavarësisht mënyrës se si është studiuar dhe interpretuar vepra, Maria ngjan me një ndërmjetës mes Zotit dhe njerëzve në tokë, duke qenë në të vërtetë një personazh biblik hyjnor.

Krishti është një nga figurat e veprës, por nëse Maria, si nëna e Zotit ka diçka tokësore, kryesisht në misionin e nënën për të rritur një fëmijë, për t’u gëzuar dhe ndjerë dhimbje, Krishti zbulohet nga Variboba vetëm në anën e tij hyjnore. Natyrisht, ai është figura emblematike e të gjithë komunikimit dhe predikimit biblik për Zotin dhe besimin e krishterë. Figura përshkohet nga mrekullitë, që sjell kryqëzimi dhe ngjallja e tij (duke respektuar Ungjillin), ku gjenden momente të ndërhyrjes së elementëve të mbinatyrshëm, siç është ajo e engjëjve, të cilët kujdesen për ta shpëtuar atë nga thonjtë e Erodit, kthimi i fuçive me ujë në verë etj. Në vepër, raporti i Shën Mërisë me Krishtin janë ato lidhje që dikton krishterimi edhe në veprën e Varibobës, të cilat ai si njohës i mirë i krishterimit nuk i tejkalon, pavarësisht ku i vendos subjektet lirike të saj.

Profesor Shaban Demiraj i ka bërë një shërbim të shkëlqyer veprës së rëndësishme të letërsisë shqipe, pavarësisht nivelit të saj, të shkruar nga Jul Variboba, për shkakun e të qenit një gjuhëtar i cili njeh mirë dialektologjinë, fonetikën historike, gramatikën historike, leksikologjinë dhe zhvillimet e brendshme të gjuhës shqipe që nga lindja deri në ditët tona. Këndvështrimi i tij mbetet një referencë për burimet gjuhësore, që nga alfabeti, lidhjet dhe dallimet, shmangiet dhe ruajtja e elementëve të shqipes, si një gjuhë e pashkruar, por e mbartur nga arbëreshët në një kohë të vështirë, për të kuptuar shumë burime gjuhësore që ajo afron në optikën e studiuesit Demiraj.

Duke përdorur alfabetin latin, të cilat nuk i kanë mjaftuar Varibobës për të riprodhuar tingujt e shqipes për shumë arsye, Variboba ka përdorur kombinime shkronjash, të cilat kanë një tingull të ndryshëm nga alfabeti i sotëm shqip. Prof. Demiraj shquan 18 raste të përdorimit të shkronjave të ndryshme që nga z– për c (zilli- cili), c-për ç (cië- çë), përdorimi i shkronjës d pa dallim për d dhe dh, përdorimi i a– për ë. Për të shënuar tingullin g, ai i shton kësaj edhe një h (nëngh- nëng /nuk), por edhe raste e tingujve gj, k, k, l, ll, nj, s, x, xh, y, zh, çfarë tregon se Variboba ka një përdorim tingullor të gjerësishëm, i cili është objekt hulumtues në historinë evoluimin, fleksionit nëpër epokat e caktuara nëpër të cilat ka kaluar gjuha.

Në këndvështrimin e tij, prof. Demiraj vëren se botuesi i Varibobës, prof. Librandi nuk i është përmbajtur në transkriptimin e vjershave të autorit alfabetit që ai ka përdorur në të vërtetë. Siç dhe është dëshmuar pagabueshëm, Variboba vinte nga një familje toske dhe kishte jetuar në një mjedis toskësh, por sipas Librandit për fjalë të caktuara si e ëmbël, ësht, ë, këmb, etj ai i sjell si e ambël, asht, a, kamb etj. pra toskërishten e Varibobës e ka mbushur me trajta të gegërishtes, kur në gjuhën e Varibobës ka një toskërishte të qartë me ndonjë trajtë të rrallë të gegërishtes.

Sipas prof. Demirajt vepra e Varibobës është shkruar me një shqipe arkaike të dialekteve arbëreshe të Italisë, ku bien në sy barbarizmat greke (pasi ka të dhëna se në Mbusat, arbëreshët e ardhur vinin nga Morea, ku kishte mjaft arbëreshë që kishin ikur nga Shqipëria që herët dhe gjatë shpërnguljes së dytë erdhën në Itali, por edhe elementë të theksuara të gjuhës së kishës, ku në jo pak raste e bëjnë të pakuptueshme gjuhën e tij. Me të drejtë, Skiro mendon se Variboba kishte më shumë barbarizma se të gjithë shkrimtarët e tjerë arbëreshë për shkaqet që shënuam më lartë. Pavarësisht kësaj vështirësie, prof. Demiraj mendon se vepra e Varibobës është një pasuri e çmuar në fushën e studimeve gjuhësore, kryesisht të dialektologjisë, pasi ajo përbën një lëndë të rëndësishme  për të na treguar gjendjen e dialekteve të arbëreshëve në Itali, të cilët flisnin shqip dhe vinin nga një hapësirë e konsiderueshme e Arbërisë, por edhe në Itali gjendeshin po në një hapësirë të tillë, pasi dhe kontaktet me gjuhën italiane ishin jo të njëjta.

Në gjuhën e Varibobës gjenden shumë fjalë italiane, të cilat autori përpiqet  t’u japë karakteristikat e gjuhës shqipe, duke i zgjedhur si folje apo përdorur si mbiemra. Janë fjalë kryesisht të dialekteve të Kalabrisë së Poshtme, siç është fjala e llaudhartur- e lëvduar, fjalën theritar për plagët dhe fjalë të tjera. Në veprën e Varibobës janë përdorur dhe fjalë të shumta greke (lipsi- dhembshuri, unë ftesa- bëra faj, hardhi- gëzim etj), por edhe fjalë për të cilat prof. Demiraj thotë se nuk duhet nga i ka marrë autori. Variboba ka përdorur dhe turqizma (tavut- tabut, tomba- varr, çifari- djalli etj), fjalë për të cilat as studiuesit e Varibobës, as Librandi dhe as prof. Demiraj nuk japin ndonjë shpjegim të mundshëm, rrugën nga i ka marrë Variboba, aq më tepër që ai i ka përdorur në veprën e tij.

Variboba qe rritur në një mjedis arbëresh, i cili deri në kohën e tij kishte arritur të mbante një shpresë të madhe për tu kthyer në mëmëdhe, prandaj edhe sakrifica për ta ruajtur gjuhën shqipe ishte e madhe dhe e arsyeshme. Kjo sakrificë dhe këmbëngulje e arbëreshëve, në mjedisin dhe vendet ku Variboba ka jetuar dhe ka punuar, qoftë dhe ku e ka shkruar veprën, e shpjegon dhe prania e fjalëve shqipe në të, siç është fjala i hunduar- i hunduar (në kuptimin  i hidhëruar), për të cilën prof. Xhuvani thoshte se lidhet me fjalën hundë, me hundë të varura, i hidhëruar apo i dëshpëruar.

Prof. Demiraj gjen në veprën e Varibobës dhe fjalë të tjera shqipe të natyrës djemenat- pasnesër, diu- nuk dij, u bufua- u duk, u shfaq, menatet- të nesërmen dhe disa fjalë të tjera që gjejnë pasqyrim në gjuhën shqipe. Në elementë të tjerë të çështjeve gjuhësore, të cilat kanë rëndësi jo vetëm në leximin e veprës, por edhe në të dhënat gjuhësore që mbartin në vetvete, janë përdorimi i tingullit i/j, kthyer në j, fenomen që ‘elaborohet’ në disa situata dhe përdorime, por gjenden dhe fjalë që sot ende përdoren në gegnishte si bora – humba, ai bir – ai humbte, sund-s’mund, njëmend- tani; përdorimi i gjinisë asnjanëse të emrave të tillë si: valt – vajt, art-ari; përdorimi i rasës vendore dhe instrumentale, përdorimi i fjalëve sinkopë (kur të vei – kur të veni); përdorimi disa herë aoristin asigmatik (të dhee – të thashë, qeva – unë qeshë); përdorimi i trajtës  me –nj në të tashmen (meritonj, nderonjëm), përdorimi i përemrit vetorë unë në trajtën e shkurtuar u; trajta të tilla foljesh të thet – të thotë, të det – të dojë; përdorimi i përmerit të pakufijshëm tjatër, përdorimi me th dhe z dhe te mbiemrat krahas emrave (ballëthit, sizit – syzit, i ëmbëlith etj).

Duke qenë një burim i rëndësishëm dhe për  letërsinë, vepra e Vraibobës është përfshirë jo  pak dhe në mendimin kritik që nga koha e mëhershme dhe në vazhdim me mendimin e prof. Demirajt, i cili duket se e njeh mirë dhe kritikën, leximin sipas një mënyre mjaft origjinale të “Gjellës së Shën Mërisë së Virgjër”. Majeri mendon se vepra e Varibobës është një vepër klasike, ndoshta pse Variboba ruan raporte të drejta me figurat kryesore hyjnore si Maria dhe Krishti, sipas versionit të njohur të biblës. Ndërsa Elena Gjika e vlerëson për kohën kur u shkrua vepra, pasi nëpër vjershat e shkruara nga Variboba ndjehet jeta e gjallë shqiptare në një epikë të një frymëzimi të thjeshtë, d.m.th në veprën e Varibobës ajo mendon se ka jetë të shqiptarëve. Z. Skiroit i bëjnë përshtypje shumë fjalët italiane të pranishme në vjershat e Varibobës, ndërsa prof. Markianoi është vlerësues dhe emocional për këtë vepër, pasi Variboba ka arritur të fusë “gjithë shpirtin e zjarrtë në vepër”. Një mbështetës i rëndësishëm i veprës dhe punës së Varibobës është edhe prof. Startikoi, i cili  ka çmuar veprën, një vepër që e nderonte çdo literaturë të zhvilluar.

Profesor Demiraj ka një këndvështrim më të gjerësishëm për veprën e Varibobës, në analizën artistike që ai i ka bërë asaj. Vepra është krijuar me mbi dyzetë vjersha të Varibobës, në të cilat siç duket ka dhe një kohë –shtrirje të konsiderueshme, por siç vëren Demiraj, vepra nuk ka një unitet artistik, pasi qëllimi i Varibobës e anashkalon unitetin e veprës, pasi ai kërkon herë pas here t’i këndojë Shën Mërisë, Krishtit dhe shenjtorëve të kishës. Ndoshta atë unitet të konsiderueshëm në vepër mund ta gjejmë vetëm në këndvështrimin qe vepra ka lidhje të qëndrueshme rreth figurës së Marisë dhe hyjnitetit të saj. Vepra nuk ka arritur të jetë një poemë unike, pasi mungesa e unitetit artistik të saj, siç mund të kuptohet ka “shkatërruar” dhe dramacitetin letrar të saj, pasi në të gjithë kompleksin e saj ajo është një vepër me një subjekt lirik të kuptueshëm, në të lëvizin dhe veprojnë njerëz, ka ngjarje dhe subjekt. Stratikoi mendon se vepra e Varibobës është një poemë me origjinalitet, e freskët dhe me një spontanitet të rëndësishëm ndjenjash, ndaj ai thotë se Variboba shkroi ndryshe të tjerëve për një temë të tillë.

Prof. Demiraj nuk është aq mbështetës i mendimit të Stratikiot, pasi ai kërkon që vepra e Varibobës, lidhte me origjinalitetin e saj, duhet parë nga ana e brendisë dhe si ajo është paraqitur. Demiraj vëren se në veprën e Varibobës ka vjersha fetare italiane, të përkthyera ndoshta nga Variboba, të cilat ai i ka përfshirë në veprën  e tij. Një tjetër çështje thelbësore në veprën e Varibobës është paraqitja e figurës së Shën Marisë dhe e Krishtit, sa origjinale janë këto në trajtimin e Varibobës? Prof. Demiraj ka një dyshim serioz, dhe madje pyet, a është e vërtetë se trajtimi i Varibobës për këto dy figura biblike është e tij, pasi në literaturën e  Mesjetës, këto dy figura janë trajtuar dhe nga poetë të gjerë  në literaturën kritiane. Profesor Demiraj sjell në vëmendje krijimtari të kësaj natyre, d.m.th fetare kristiane, por edhe autorë ku ka trajtesa të plota lidhur me Shën Marinë dhe me Krishtin, por çelësi për të kuptuar a është ndikuar Variboba nga këto zgjidhet nëse autori i “Gjellës së Shën Marisë së Virgjër” e ka njohur atë literaturë të botuar para tij apo jo.

Vepra e Varibobës është ndërtuar mbi një qasje të shfaqur gjerësishëm të lirizmit, sa e bën të gjithë veprën një vepër lirike, veçanërisht në dy poemat “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër” dhe poema “Gjella e Shën Bambinit”. Pamje të mrekullueshme dhe ndjesi të tilla autori sjell kur paraqet Marinë si nënë e devotshme, e dhimbshme dhe plot mirësi, e cila i këndon ninulla djalit të saj, barinjtë dhe bareshat, pastaj vajtimi i Marisë mbi kufomën  e birit të vrarë. Variboba ka “sendërtuar” një komunikim unik të tij më Shën Mërinë veçanërisht, ai i drejton asaj lutje të zjarrta, plot sentimentalizëm dhe i kërkon asaj që ta mëshirojë për mëkatet e tij, dhe si të tillë ai e quan atë “shpresë e bukur”, “nerënxe e ëmbël”, “parajsë”, “mall”, “dritë”, “pasqyrë” “më e bukura vajzë” , ku shfaqet hapur një sentimentalizëm jo i zakontë i poetit.

Një lirizëm të ngrohtë deri në adhurim shpaloset edhe në krijime të tjera të veprës si “Kalimera e Natalevet”, “Bën ca kuçë e bën nino”, “Kënga e te zgjuarit”, “Oj e bukura sperënz”, “Moj e bukura kopile”, “E keqe pen”, apo edhe në “Sa për ne Krishti duroi” etj. Kjo nevojë shpirtërore e Varibobës e ka bërë veprën një vepër lirike, komunikuese me mjedisin dhe njerëzit. Vepra në momente të caktuara, siç mendon prof. Demiraj, ka nota humori të lehtë, veçmas kur ai i drejtohet Shën Marisë. Po ashtu vepra ka një dëshmi interesante, që mund ta bëjnë vetëm poeetët, ajo duke qenë një vepër me një raport të rëndësishëm fondamental, hyjnor përmes dy figurave madhore biblike Shën Maria dhe Krishti, pa të cilët besimi autoritar kristian nuk mund të kuptohet, ka tentuar t’i japë veprës një kolorit lokal, Musatin ku ai ka lindur është rritur, por ndërkohë përmend edhe një emër të një fshati në Kalabri, fshatin Acri.

Vepra sjell dhe dëshmi të tjera të natyrës etnologjike. Në poemën “Gjella e Shën Bambinit” ka një moment kur flitet për vdekjen e  Josifit, e në këtë rast Variboba flet për disa nga zakonet e vdekjes, që ngjajnë me ato të arbëreshëve të Italisë. Pasazhet e Krishtit foshnjë janë vërtetë të mrekullueshme, brenda tyre ka një ndjesi dashurie dhe një lirizëm që e përshkon gjithë fëmijërinë e tij nën kujdesin e Marisë, barinjve dhe bareshave, mjedisi romantik por i thjeshtë ku ai po rritet, çka i ka mundësuar Varibobës të përdorë mjaft epitete, krahasime, metafora, pasi raporti që autori ka me këto figura të njohura hyjnore nuk mund të ndërtohet pa një sens artistik të mirë dhe shprehës.

Edhe pse, siç mund të kuptohet, Variboba nuk kishte një përgatitje të lartë artistike, ai ka arritur të ketë një sens të mirë të përdorimit artistik të mjeteve të komunikimit shpirtëror, të mjedisit dhe të elementëve njerëz e perëndi të veprës, për t’i parë përmes sensit artistik dhe estetik në përdorime të similitudave të vogla dhe të mëdha, por edhe të ndonjë hiperbola (një krua lot dhe Ahi! Ki dhulur shpon edhe gur! –kjo dhimbje shpon edhe gurin), por edhe mjaft figura të tjera artistike që mund të zbulohen në një lexim artistik dhe interpretues të mjeteve artistike që autori ka përdorur.

Variboba nuk ka një përdorim aq strikt të vargut, por siç vëren De Rada, ai ka përdorur rimën në vargjet e tij, siç ishte e traditës në Itali, duke iu përshtatur metrikës së poezisë italiane të kësaj kohe. Variboba ka përdorur vargje të një metri të ndryshëm në veprën “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, që nga pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë rrokësh të dyzuar, njëmbëdhjetë rrokësh dhe katërmbëdhjetë rrokës të dyzuar në dy shtatë rrokësh, duke treguar edhe kohën në të cilën është shtrirë shkrimi veprës. Në vargjet e dyzuara bie në sy prania e një rime të brendshme, ku mbizotëron një rime  puthur dhe e alternuar.

Studimi që na ka afruar profesor Shaban Demiraj është një mundësi e madhe për një lexim ndryshe afër realitetit të Varibobës dhe njërës nga veprat më të rëndësishme të historisë së letërsisë arbëreshe dhe asaj shqipe. Kalimi i leximit të saj përmes një mjeshtri dhe njohësi autoritar të gjuhës që ka përdorur Variboba në kushtet e një gjuhe në mbijetesat e saja të fundit, siç ishte arbërishtja është e rëndësishme. Prof. Demiraj ka sjellë një transkriptim të plotë  funksional, për një lexim dhe një njohje të thellë të kësaj vepre. Jashtë kësaj marrëdhënie “Gjellës së Shën Marisë së Virgjër “ do t’i mungonte një pjesë e komunikimit të saj për kohën e më vonshme kur ajo u shkrua. / KultPlus.com

‘Dhe unë të mendoj po s’të kërkoj…’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh,
janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj,
po s’të kërkoj./KultPlus.com

‘Koha është e maskarenjve, po atdheu i shqiptarëve’

Poezi nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!/KultPlus.com

Eliza Hoxha sjell këngën “Pezull”, dedikim për personat e zhdukur (VIDEO)

Këngëtarja Eliza Hoxha ka publikuar këngën e saj më të re të titulluar “Pezull”, këngë që i dedikohet personave të zhdukur, shkruan KultPlus.

Ky është projekt i përbashkët i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur dhe artistes Eliza Hoxha.

KultPlus ju sjell këngën e realizuar edhe me videoklip./ KultPlus.com