Bebe Rexha së shpejti në “Sunny Hill”: Kosovë, po vij për ty

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, do të jetë pjesë e festivalit Sunny Hill, shkruan KultPlus.

Më 25, 26, 27 dhe 28 korrik në Prishtinë do të mbahet një nga festivalet më të mëdha të Evropës Juglindore, Sunny Hill, ku do të performoj edhe këngëtarja Rexha.

Me këtë rast dhe këngëtarja Rexha ka reaguar pas daljes së njoftimit.

”KOSOVË PO VIJ PËR TY!!!!!! 25 korrik!!!!!!! Merrni biletat tuaja në SunnyHillFestival.com”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com

Screenshot

TKOB çon në Mal të Zi veprën “Carmina Burana”

Në Kotor të Malit të Zi është çelur festivali i 23-të i KotorArt. Në këtë ngjarje artistike morën pjesë edhe artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të cilët udhëtuan drejt Kotorit për të interpretuar veprën e fuqishme të Carl Orff, “Carmina Burana”.

TKOB ndau online një album fotografik nga hapja e festivalit KotorArt si dhe shkroi: “Një event ku artistët e TKOB-së, përmes veprës Carmina Burana, arritën të transmetonin emocione të jashtëzakonshme për një publik të gjerë artdashësish dhe turistësh, të cilët nuk mund të mos afroheshin për të dëgjuar dhe duartrokitur fort”.

Më herët, gjatë këtij viti, “Carmina Burana” është shfaqur dhe në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, por këtë herë sopranoja Rovena Xhelili, tenori Matias Xheli dhe baritoni Armando Likaj, së bashku me Orkestrën Simfonike të TKOB, e cila kishte dirigjimin e maestro Robert Homen dhe kori nën dirigjimin e maestro Dritan Lumshi sollën në skenën malazeze një vepër drithëruese që nis me një ndjenjë aq të fuqishme si “O fortuna” dhe vazhdon me “In Trutina”, ku reflektohen ndjenjat e dashurisë dhe vuajtjes njerëzore.

“Carmina Burana” është kompozuar nga gjermani Carl Orff në vitin 1936./ KultPlus.com

Bebe Rexha do të performojë në festivalin “Sunny Hilll

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, do të jetë pjesë e festivalit Sunny Hill, shkruan KultPlus.

Më 25, 26, 27 dhe 28 korrik në Prishtinë do të mbahet një nga festivalet më të mëdha të Evropës Juglindore, Sunny Hill, ku do të performoj edhe këngëtarja Rexha.

Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Sunny Hill në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Screenshot

Doli nga shtypi libri poetik “Rivali i Adamit” i Autorit Lulzim Tafa

“Rivali i Adamit” është libri më i ri i poetit Lulzim Tafa, i cili i shtohet listës së botimeve AAB.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë poeti Lulzim Tafa, i cili në faqen e tij në Facebook ka shkruar:

“Të dashur miq, doli nga shtypi libri im më i ri, për mua si autor është gëzim kurse për lexuesit nuk e di, shpresoj!”

Ndërsa recensenti i librit, shkrimtari dhe studiuesi Rrahman Paçarizi, ka shkruar se përmbledhja e poezive “Rivali i Adamit” e konfirmon edhe një herë, pas krejt çmimeve e çmuarjeve, poetin Lulzim Tafa.

“Përfundimisht me këtë përmbledhje, Lulzim Tafa dëshmon siguri në të shkruarit e poezisë, guxim për trajtimin e temave në mënyra ndonjëherë tronditëse, duke shpërfillur masat dhe besimet, dhe rikonfirmon një stil krejt të veçantë të të shkruarit të poezisë, pa u kornizuar brenda teorish letrare dhe pa u ndikuar nga modele të të shkruarit”, ka shkruar Paçarizi.

Libri do të mund të gjendet në shitje këtë javë në libraritë kryesore të Prishtinës./ KultPlus.com

Përkujtohet Heroi i Popullit, Çerçiz Topulli

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 109-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit e luftëtarit Çerçiz Topulli.

Ai ishte atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit.

Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër, në vitin 1880. Rol të madh në formimin e tij luajti vëllai i tij më i madh, Bajo Topulli.

Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër, ndërsa në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë”, drejtuar bashkatdhetarëve të tij, botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë”, Çerçiz Topulli kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e pavarur.

Në prill 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës.

Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij, në fillim të marsit 1908, vranë në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë.

Çerçiz Topulli drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908, si dhe punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, për sprapsjen e grekëve nga tokat e pushtuara në Jug (pas konferencës së Londrës), por edhe kundër rebelimit të Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme.

Në shtator të vitit 1914 Çerçiz Topulli, bashkë me Muço Qullin, ndodheshin në Shkodër, ku mendohet se kishin shkuar për t’iu bashkuar mbrojtësve të trojeve shqiptare nga pushtimi serbo-malazez. U vra më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtoit, në Shkodër, nga forcat e pushtuesve malazeze./ KultPlus.com

Çerçiz Topulli, simboli i ushtarit të panjohur i rënë në luftë për pavarësi

Çerçiz Topulli mund të ishte edhe simboli i ushtarit të panjohur i rënë në luftë për pavarësi. Nuk ka një të dytë në historinë e Shqipërisë që të mos e ketë hequr armën asnjëherë nga supi, por njëkohësisht të kishte një fund aq të trishtë, i vrarë pabesisht dhe, për më tepër, pa marrë famën dhe vlerësimin që i takonte.

I lidhur kokë e këmbë me zinxhirë nga ushtarët malazezë, mëngjesin e të shtunës së 17 korrikut 1915, ai e humbi betejën e fundit në jetë edhe pse u përlesh me ta si një luan. Ndërkohë që 15 njerëz me uniformë e qëllonin me plumba dhe e shponin me bajoneta në trup, Çerçiz Topulli u bë nga dëshmorët e parë të Shqipërisë. Vetëm pak minuta më parë i kishin vrarë para syve shokun e tij Mustafa Qulli, një gazetar i cili, ndryshe nga Çerçizi që pushkën e kishte simbolin e lirisë, mbante penën.

SKENA E KRIMIT

Çerçiz Topulli kishte bërë dhjetëra manovrime në jetën e vet ndaj atyre që kishin dashur ta kapnin dhe asgjësonin. Por mëngjesin e 17 korrikut 1915, për herë të parë dhe të fundit, ai dështoi.

Një skuadër ushtarësh malazezë u shfaqën në portën e shtëpisë ku qëndronte në Shkodër dhe, pa asnjë urdhër të shkruar e vunë në pranga. Bashkë me të u arrestua edhe miku i tij, Mustafa Qulli, një gazetar me emër në atë kohë në Shkodër.

Pa shumë sqarime ushtarët e huaj i lidhën të dy me zinxhirë në duar e këmbë dhe i dërguan në kazermë. Pas 10 ditësh qëndrimi në një dhomë në kushte skandaloze, ata të dy i hipën në një karrocë dhe u thanë se do t’i dërgonin në Cetinjë.

Sapo karvani bëri disa kilometra në Fushën e Shtoijt, ora shënonte 04.00 dhe sapo nisi të zbardhte, ushtarët i zbritën ata dhe pa një pa dy nisin t’i qëllojnë me armë. Mustafai vdiq në vend, ndërsa Çerçizi, ashtu i lidhur me zinxhirë, përleshet me ushtarët malazezë, por ata, duke qenë në numër të madh, arritën ta qëllonin për vdekje me plumba dhe duke i shpuar trupin me bajoneta.

Kur panë që të dy kishin dhënë shpirt, me shpejtësi hapën dy gropa jo shumë të thella, i futën brenda të dy trupat, i mbuluan me shkurre dhe drurë rrethanorë dhe u larguan.

SI U KRYE VRASJA

Vrasja e pabesë dhe e fshehtë e Çerçiz Topullit është shoqëruar dhe me rregullin se edhe krimi më i sofistikuar lë gjurmë. Edhe pse menduan se i fshinë gjurmët bashkë me varrosjen e kufomave, asnjë nga 15 vrasësit nuk e dinin se prapa shkurreve, një person i ndodhur aty rastësisht kishte parë të gjithë ngjarjen. Quhej Mahmut Golemi dhe rrëfimi tij gjashtë muaj pas ngjarjes është unikal:

“Natën e së premtes, (duke gdhirë e shtuna) natë Ramazani, para se del drita, dola me ngarkue sanë prej livadhit, në freskë, kur prej së largut pashë tuj ardhë dy njerëz të përcjellë prej afro 15 ushtarësh, të cilët kur më panë, më urdhëruan të largohem, dhe unë u fsheha mbrapa qerres. Kur erdhën deri në një vend, atje u ndalën dhe ushtarët morën pozicion me qitë mbi dy personat në fjalë.

Ai që ishte veshë me petka bojëhini që ia kasha dhënë unë pse kishte mbetur pa xhaketë (Muço Qulli) bërtiti në një mënyrë alarmante, e një burrë i gjatë dhe i plotë, i bërtiti shokut tue i thanë: “Mos u tremb se patriotët kështu e kanë”.

Ushtarët qitën; ai me petka bojëhini ra dekun, kurse tjetri, tue sha, me një zë luani e me një shpejtësi të rrufeshme, mësyn ushtarët dhe pa u lanë kohë të qesin të dytën herë, hyn midis tyre dhe erdhi fytyrat me ta për të marrë një pushkë prej tyre. Kjo luftë vazhdoi afro një minutë. Në atë përleshje mbasi gjetën rast i ranë për herë të dytë dhe e vranë”.

Krimi i organizuar u krye, më pas duhej vetëm fshehja e gjurmëve. Një veprim që ushtarët vrasës e bënë me shpejtësi dhe fshehtësi. Të paktën sipas tyre, hapën dy gropa dhe i hodhën brenda dy viktimat. U hodhën shkurre përspër. Dëshmitari Mahmut Golemi vijon rrëfimin:
“Të nesërmen shkova në vendin e ngjarjes, ku i pashë se ishin mbulue krejt cekët e me ferra. Si myslimanë që ishin, për sevap, i mbulova më thellë. Në kontrollimin e gropes gjetëm shumë shenja që i përkisnin Muço Qullit, pasi trupin e Çerçizit që ishte mbuluar më thellë nuk e prekëm”.

GREKËT NË VRASJE

Vrasja e Çerçiz Topullit tregoi edhe një herë aleancat sllavo-greke kundër shqiptarëve.
Sipas të dhënave, dëshmive dhe raporteve të kohës, rezulton se malazezët e vranë Çerçizin për llogari të grekëve. Ishte një hakmarrje për faktin që Çerçizi kishte vrarë peshkopin grek, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së Spiro Kosturit, në Selanik, në vitin 1907. Kishin kohë që qarqet greke e kërkonin me qiri komitin shqiptar, i cili u vra nëpërmjet një intrige.

Po cilët ishin grekët që e porositën vrasjen te malazezët? Tre janë personat që ishin të implikuar në këtë vrasje: Alush Lohja, Spiro Tozhli, Mihalaki Kulumburi, të cilët kishin si qendër konsullatën greke në Shkodër. Tozhli ishte një tregtar në këtë zonë që mendohet se ka vënë në dispozicion paratë për vrasje. Dëshmia dhe deklarata e parë që vërteton këtë është e Kol Bjankut, sekretar i Kadastrës në Shkodër. Në një shkrim të numrit 18 të datës 9 qershor 1919 në gazetën “Kuvendi” ai shkroi:

“Tash, tuj mos mujtun m’u durumun prej varrës randë të zemrës s’eme, po i lajmëroj vllazënve qi në vjetin 1915 Mihalaki Kambuluri me dredhime t’veta bani fli (mbyti) dy ma t’ndershmit atdhetar, shpirtndritçmit Mustafa Qulli dhe Çerçiz Topulli qi sot Shqipnia i vajton”. Kjo dëshmi e tronditi rëndë opinionin. Në numrin e datës 16 korrik në gazetën “Kuvendi”, Mihalaki Kambuluri iu përgjigj Bjankut duke e cilësuar shpifje atë që ai shkruan.

Por shfajësimi të lë me gojë hapur teksa ai implikon Fejzi Alizotin:
“Fejzi Bej Alizoti i njef fort mirë shkaktarët e njimnendshëm t’ asaj vrasje, sikur ai vetë shumë herësh m’a pat diftue ktu në Shkodër, kur shifeshim ditë për ditë e rrinim bashkë…”.

Se sa e vërtetë është që Alizoti të kishte dijeni, kjo nuk është vërtetuar, por pas kaq vjetësh një dëshmi e shkruar vlen sa një mijë prova.
Ndërkohë ndryshonte arsyeja dhe rrethanat për eliminimin e gazetarit Mustafa Qulli. Të dhënat tregojnë se ai u vra si austrofil dhe kjo ndihej hapur në shkrimet e tij në gazetën “Populli” që botohej në Shkodër, në të cilën ai ishte drejtor. Kjo kishte sjellë zemërimin e malazezëve, por sidomos të serbëve dhe, nga situata e krijuar, ishte një rast që, duke e bërë bashkë me Mustafanë Çerçizin, të eliminonin njëherësh dy shqiptarë që luftonin me penë dhe me pushkë.

KATËR VARRIME

Eshtrat e Çerçiz Topullit nuk gjetën prehje kollaj. Katër herë nëntoka shqiptare ka pranuar trupin e tij të vdekur si të ishte një reagim. Varrimi i parë u krye nga malazezët, të cilët pasi e vranë, ende me gjak të ngrohtë e futën në dhe. Varrimi i dytë u krye më 27 nëntor të vitit 1936, në Gjirokastër, në një ceremoni shtetërore, ndërkohë që më 14 shtator 1936 në Shkodër ishte kryer zhvarrimi dhe kjo u shoqërua me një ceremoni përcjelljeje që ka mbetur në histori, sepse kjo ishte edhe dalja e parë publike e Enver Hoxhës me një fjalim që ai mbajti në ballkonin e bashkisë së qytetit.

Në vitin 1945 u krye varrimi i tretë, duke i vendosur eshtrat në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër. Në vitet ’70-të eshtrat u vendosën në kodrën e qytetit të Gjirokastrës bashkë me varret e Bajo Topullit, Koto Hoxhit dhe Pandeli Sotirit të shoqëruara me një memorial.

Shkëputur nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, me autor Roland Qafokun. / KultPlus.com

Pupovci: MASHT-i këtë vit të ri shkollor t’i furnizojë nxënësit me libra në shkolla

Ish-zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Popovci vlerëson se subvencionimi nga MASHT-i për blerjen e librave vitin e kaluar s’ka qenë vendim i duhur.

Sipas tij, kjo metodë është keqpërdorur nga disa prindër.

“Subvencionimi ka bërë që të marrin më shumë mjete se sa ju nevojiten për libra, pasi janë subvencionuar edhe materialet mësimore, nuk ka pasur ndonjë siguri që disa kategori ato mjete do t’i shfrytëzojnë për blerjen e librave”.

Pupovci thotë se metodat e vjetra duhet të përdorën për pajisjen e nxënësve me libra.

“Librat duhet të shkojnë në shkolla e pastaj ti shpërndajnë mësimdhënësit. Nëse shkojnë me metodën e subvencionimit mund të ndodh vonesat dhe mjetet mund të përdorën për çështje të tjera”, deklaroi ai.

Ish-zv.ministri i Arsimit thotë se këtë vit po flitet që mënyra e subvencionimit nuk do të jetë.

“Nga ajo që është parë që nga shkollat është kërkuar që të përcaktohen për librat që do t’i shfrytëzojnë gjatë vitit shkollor po sugjerohet që ato libra do të dërgohen drejt në shkolla e jo përveç subvencionimit”, tha Pupovci. /Frontonline/ KultPlus.com

Osmani mesazh mërgimtarëve: Ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka dërguar mesazh mërgimtarëve përmes një videoje të postuar në Instagram, e cila shfaq disa pjesë të Kosovës.

Ajo thotë se ata që jetojnë në diasporë janë zemra dhe shpirti i Kosovës, e poashtu iu bëri thirrje të vijnë sa më shumë në atdheun e tyre.

“Kosova tani më shumë se kurrë ka nevojë për ju”, thotë Osmani.

Mesazhi i plotë i Osmanit:

Mërgatë e dashur, motra e vëllezër, sa herë të ktheheni në atdheun tuaj, ju ktheheni te familjet tuaja, të të dashurit tuaj, te kujtimet tuaja, te toka juaj. Kthimi juaj është ritakim dhe ribashkim që kapërcen distancën dhe kohën.

Bujaria dhe përkushtimi juaj për atdheun është i jashtëzakonshëm. Malli për Kosovën është një lidhje që na bashkon, kudo që të na çojë jeta. Kthimi juaj këtu forcon identitetin tonë kolektiv dhe na kujton shpirtin e qëndrueshëm të popullit tonë. Kosova tani më shumë se kurrë ka nevojë për ju. Përvojat, aftësitë dhe perspektivat tuaja janë tejet të çmueshme, ndërsa ne vazhdojmë ta ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për atdheun tonë të dashur. Ju ktheheni në vatrat tuaja Ju ktheheni në Kosovën tuaj, atdheun tuaj shpitëror. Dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura sepse ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës./ KultPlus.com

Rrahman Jasharaj paralajmëron greva në shtator

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknoligjisë vitin e kaluar kishte marrë vendim që pajisjen e nxënësëve me tekste shkollore ta bëjë nëpërmjet platformës e-kosova, duke i subvencionuar financiarisht prindërit për blerjen e librave.

Por, kjo metodë e furnizimit të nxënësve me libra shkollorë, përfshirë edhe vonesat e shkaktuara nga shtëpitë botuese, ishte kritikuar nga opozita dhe ekspertët e fushës.

Më i zëshmi ndaj këtij vendimi të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ka qenë kryesindikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili madje këtë vit të ri shkollorë paralajmëron sërish greva.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj e ka kritikuar ministren e Arsimit për platformën e re të furnizimit me libra. Ai thotë se Nagavci duhet ta pranoj se ka gabuar me këtë vendim.

Jasharaj thotë se në shtator mund të rikthehen sërish grevat e mësimdhënësve, pas pakënaqësive që, sipas tij, janë rritur.

“Nagavci duhet ta pranoj këtë gabim e mos ta përsëris më. Por prapë nëse do të vazhdojnë në këtë mënyrë, shtatori do të jetë me mungesa të teksteve, mund të ketë edhe grevë sepse pakënaqësitë e mësimdhënësve janë rritur e dialog me Sindikata s’po ka”.

I pari i SBASHK-ut ka kërkuar që nxënësit të furnizohen në shkolla me libra jo përmes subvencionimit.

“Vendimi i MASHT-it është kritikuar për mënyrën e re për furnizim me libra për nxënësit, kemi insistuar të vazhdoj tradita e kaluar që tekstet të jenë gratis dhe të dërgohen në Komuna e pastaj në shkolla e mësimdhënësit të merren me shpërndarjen e tyre”. /Frontonline/ KultPlus.com

Aktorja Shannen Doherty vdes nga kanceri

Aktorja Shannen Doherty, e njohur më së shumti për rolet në shfaqje televizive si Beverly Hills 90210 dhe Charmed, vdiq të shtunën nga kanceri në moshën 53-vjeçare, raporton BBC.

“Me zemër të rëndë konfirmoj vdekjen e aktores Shannen Doherty”, tha publicisti i saj, Leslie Sloane, në një deklaratë. “Vajza, motra, halla dhe shoqja e përkushtuar ishte e rrethuar nga të dashurit e saj si dhe nga qeni i saj, Bowie”.

Doherty kaloi më shumë se katër dekada si aktore. Ajo është më e njohur për rolin e Brendas në katër sezone të 90210.

Aktorja u diagnostikua me kancer gjiri në mars të vitit 2015 dhe iu nënshtrua mastektomisë, rrezatimit dhe kimioterapisë. 

Në vitin 2017 kishte menduar se ia kishte dalë mbanë, por kanceri i ishte kthyer dy vjet më vonë./ KultPlus.com

Mos eja në ëndërr

Poezi nga Fatos Arapi

Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime

Nuk je Safua me zemër të brishtë.-
Ngopur me vdekjen e dashurisë
gjer në grykë, jam!
Edhe në gjumin e vdekjes
trembem nga britma ime
për ty.

Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.
Mos e bëj shakanë e mbrëmshme.

Si ta duroj ditën,
që më sheh me sy ëndrre?/ KultPlus.com

‘Tash e dëgjoj nji kangë, që çan mjegullën para syve të mi’

Fragment nga romani “Oh” i Anton Pashkut:

Ajo vuri buzën në gaz. Ai, prap, vazhdoi të kërkonte me shikim nëpër mal. Edhe njëherë tha:
“A thue, ku do të jetë ?”
“A mos të ka humbë gja?”
“Gjithmonë po më humb nga nji.”
“E ç’asht ajo që po të humb?”
“Paj, kurrë nuk i po i kam bashkë të gjitha delet. Gjithmonë po me humb nga nji. Qe, edhe tash më ka humbë nji. S’e din, s’ka llugë ku nuk kam lypë. A thue, kah do të ketë vojtë e bekuemja?”
“Ndoshta në ndonji zguer lisi! ” – ndërhyna papritmas.
“Mos u mahnit!” – tha ajo dhe, sigurisht tue dashtë mos me e lanë plakun ma me kthye, shtoi me nguti: “ke, plak, shumë dele?”
“Unë e di se i kam njiqind, por sa herë më dalin nandëdhetenandë. Giithmonë mungon nji dele. Qe, tash mungon larëza. Sa herë që humb kjo larëza, mue më bien kambët tue e kërkue nëpër mal. Aty e sheh, aty s’e sheh! Aty asht bashkë me të tjerat, aty humb si shurra e pulës!”
“Por, ty po të humbkan të tjerat, tue lypë larëzën!”
“Humbin, ç’me ba!”
“Po ç’ban kur e gjen larëzën e të tjerat të humbin nëpër mal?”
“I lypi.”
“A i gjen?”
“Paj… hëm… i gjej.”
“Të njiqindtat?”
“Eh, – tha plaku-jo.”
“Po?”
“Të nandëdhetenandtat.”
“Eu, po ty prap po t’u dashka t’i qepesh malit për me gjetë të njiqindtën!”
“Ani.”
“Dhe ti i qepesh malit?”
“I qepem, pra.”
“Vazhdimisht?”
“Gati për ditë.”
“Tashë, gjithmonë më mungon nji.”
“Po ti gjithmonë i paske, në të vërtetë, vetëm nandëdhetenandë!”
“Ani.”
“Ti kurrë nuk i paske njiqind!” – tha ajo. “Nuk e di pse po u lodhke aq shumë tue kërkue nëpër skutat e malit?”
“Pse gjithmonë më mungon nji dhe unë due ta gjej.”
“E kur e gjen, prap mbetesh pa nji!”
“Mbetem. Por, ani. Përsëri dal me e gjetë… Tekembramja , mue më pëlqen të kërkoj; mali asht aq i egër dhe i butë, aq i vrazhdë dhe i bukur.”
“Mal ma!” -thash unë tue u gojisë.
Plaku tash heshtte; më shitonte me sytë e tij të vegjël, buza e poshtme i dridhej, më dukej se edhe mustaku i luente dhe mue, për çudi, tash më vinte keq pse i thashë: “Mal ma!” Po, megjithëkëtë, nuk tha gjë. Vetëm se rrotulloi sytë kah mali, mandej u kollit dhe shikimin e paloi në pyramidën e saj, që ishte në ndërtim e sipër. Më erdhi mirë thuese prej zemrës më ra diçka e pashpjegueshme që më randonte në ato çaste, kur ajo i dha fund heshtjes:
“E, ç’ban ti kur kërkon nëpër mal?”
“Eci.”
“Dhe?”
“Eci dhe futem nëpër lluga.”
“Futesh dhe … ?”
“Futem nëpër zguer; kërkoj. Dal. Eci, hajt bir, nëpër mal.”
“Hajt bir, dhe … ?
“Ndigjoj malin. Ndigjoj turrecin.”
“E ndigjon, dhe … ?”
“Kurrë, – tha plaku, – turreci nuk më ka mundë, kurrë.”
“Kurrë, dhe … ?”
“Dhe eci.”
“Ecën?”
“Nganjiherë za thue, por gohem dhe eci, hajt bir. Mali, ky mali im, asht i bukur.”
“I bukur, dhe … ?’
“Do të ishte edhe ma i shpeshtë, edhe ma i bukur, sikur të mos jipte bishta për sakica.-
“Hëm, për sakica dhe …?”
“Dhe? Grithem, përgjakem aty-këtu, tue përshkue nëpër mal, ku dëgjohet aulina e ndonji qeni dhe ulurima e ndonji ujku. Mirëpo unë eci, hajt bir, prej lluge në llugë, prej zgueri në zguer, prej lisi në lis.
“Pre lisi në lis, dhe … ?”
“Ndalern dikur.”
“Dikur, dhe….. ?”
“Sodis.”
“Malin, dhe…?”
“Kërkoj të njiqindën me shkrim”
“A e sheh?”
“Pai, nganjiherë e shoh, por më humb para sysh, kur kujtoj se e kam krejt afër. Nuk më lëshon zemra: vazhdoj t’a kërkoj. Dhe prapë, grrithem, përgjakem tue u përshkue nëpër mal.”
“Dhe?”
“Eci”
“Dhe?”
“Ndalem, dikur,”
“Ndalesh dhe…”
“Ulem kur lodhem.”
“E?”
“Rri dhe njehi pikat e vesës në fijet e barit. Pikat e vesës janë të bukura. Mbesin të bukura edhe mbasi avullohen. Mbasi të avullohen, ndoshta na duken se qenë ma të bukura se ishin. A s’asht kështu?”
“Ndoshta -tha ajo,- po kur s’ka vesë?
“Kur s’ka vesë rri dhe kujtohem.”
“Dhe?”
“Mendoj për barkën.”
“Për çfarë barke?”
“S’kam shumë barka. Çdokush e ka nga nji. Edhe unë e kam nji.”
“Nji barkë!”
“Po, nji barkë që rri mes ujit. Ajo nuk mbytet, as nuk mbytet kurrë”
“Kurrë?”
“Kurrë.”
“As kur çohen valët e mëdha?”
“As kur çohen valët e mëdha sa bjeshka.”
“As kur bie shi?”
“As kur bie shi katërdhetë ditë në katërdhetë net.”

“As kur fryn?”
“As kur fryn duhia që shkul lisat e prapton latitë.”
” A fryn në këto anë?”
“Shpesh janë shkulitë lisat e praptue çatitë. Jo rrallë janë shkulë pemët posa kanë lidhë.”
“E barka ka shpëtue?”
“Barka ka qëndrue mbi valë. Kur asht thye ndonji bri i saj, ai bri asht zavendësue me nji prej lisave të shkulun.”
“Kjo qenka nji barkë e fortë.”
“Rrin dhe kurrë s’praptohet në ujë.”
“A e din sa asht e vjetër?”
“Askush nuk e mba mend kur asht punue. Mue ma ka lanë gjyshi.”
“Askush?”
“Ndoshta gjyshi i gjyshit… nuk e di.”
Ajo për nji çast heshti; shikoi piramidën e saj në ndërtim e sipër, piramidën prej rane, e ledhatoi me dorën e majtë dhe pyeti:
“A të duket e bukur kjo barkë?”
“Kur asht plot, duket fort e bukur. Duket, si me të thanë, duket nga bregu i ujit duket, si me thanë, duket si çiftelia. Luen mbi valë. Përkundet si zonjë… Luen mbi valët që sulen kah ajo, por ajo s’jau ven veshin. Luen. Dhe valët trenohen kur e shohin tue luejtë. Sulen kah ajo, por s’i bajnë gja. Ajo vazhdon me luejtë, barka -çifteli vazhdon me luejtë dhe prej saj përhapen tingujt, të cilët përpiqet me i gëlltitë zhumhuri i valëve. Shumë tinguj mbyten në zhumhurin e valëve, aty pranë barkë-çifteli. Disa të tjerë kërcejnë prej valës në valë dhe mbërrijnë deri në breg të ujit. Aty prap nisin të shumohen. Bahen aq shumë, sa nuk mund t’i njehë askush. Shkrihen në njani-tjetrin. Dalin prej njani-tjetrit. Kangë. Po, tash e dëgjoj nji kangë, që çan mjegullën para syve të mi. Çahet mjegulla. Shoh nji rriskë qiell dhe nji vetull mali. Qielli asht i murrmë, ajo vetull mali asht gjithashtu e murrmë. Dridhet ajo vetull mali, ulet ajo vetull mali. Tash e shoh tue u rrokulllsë qerrja e diellit. Qerrja e diellit rrokulliset me zhurmë e poterë. Zhurma e potera e qerres së diellit, që në rrokullisje e sipër thyhet e bahet copë-copë, mbyt çdo za: nuk ndihet shushurima e malit, zogjtë gurëzohen, hutini shikon lakuriqët e natës që fluturojnë në pikë të ditës, shikon dhe copat e qerres së diellit. Mugë. Në mugë shoh dy hije. Ecin ngadalë, drejt njani-tjetrit. Afrohen. Nuk flasin; kuptohen në heshtje. Shikojnë qerren e diellit, copat e saj para kambëve të tyne. Afrohet edhe nji hije. Edhe ky shikon copat e qerres së diellit. Që të tre marrin nga nji copë të qerres së diellit dhe e puthin. Mandej kthejnë kryet kah hutini që shikojnë lakuriqët e natës, të cilët fluturojnë në pikë të ditës. Kurse skaj tyne, filloj të shoh hije të tjera, që nuk ndalen, por vazhdojnë përpara; kalojnë pranë copave të qerres së diellit të rrokullisun, kur e ul ajo vetull mali dhe shkojnë në heshtje, njani pas tjetrit. Hijet. Shkojnë. Kryeulun. Të thuesh, nuk e çojnë kryet as kur pijnë ujë nga brojcat. Asgja nuk pipëtin. Ndëgjohet vetëm zhabllima e hapave të hijeve, që shkojnë kryeulun. Kurse hija e parë thotë: “Po shkojnë, ore breuk.”, ndërsa hija tjetër ia pret: “Po, ore desidat, po.”Hija e tretë vetëm dëgjon e nuk thotë gja; edhe ma tutje shikon vargun e hijeve që kalojnë skaj tij e copave të qeres së diellit. Shikon edhe hutinin që shikon lakuriqët e natës, të cilët dalin e fluturojnë në pikë të ditës. Mandej kthehen, hija e parë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet dhe këqyr hijen e tretë, mandej kthehen, hija e tretë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet, hija e dytë kthehet dhe këqye hijen e parë; në sytë e të tretëve ecin hijet, ecën vargu i hijeve që kalojnë skaj tyne. Ecin, hijet ecin. Dhe vetëm copat e qerres së diellit, para kambëve të tyne, nuk ecin. Kanë mbetë aty; nuk lëvizin. E këta shikojnë ato copa: qerrja e diellit nuk mund të ecë. Tash, nuk ecin as sytë e tyne. / KultPlus.com

Goli i Oyarzabal që i siguroi Spanjës fitoren Euro 2024

Kombëtarja e Spanjës ka shënuar gol ndaj Anglisë në minutat e fundit të finales së madhe të Euro 2024.

Golin për 2:1 e shënoi Mikel Oyarzabal në minutën e 86’të, shkruan Indeksonline

Oyarzabal shënoi një gol të bukur pas një asisti nga mbrojtësi, Cucurrella.

Kujtojmë që golat tjerë në këtë takim i shënuan: Williams dhe Cole Palmer.

Spanja përndryshe sonte është shpallur kampione e EURO 2024, pasi mposhti në finale Anglinë me rezultat 2-1

Spanja fituese e EURO 2024

Kombëtarja e Spanjës ka shënuar fitore në finalen e madhe të Euro 2024.

Spanja është shpallur kampion, pasi mposhti 2:1 Kombëtaren e Anglisë, shkruan Indeksonline

Tri golat në këtë takim u shënuan në pjesën e dytë. Fillimisht shënoi Nico Williams në minutën e 47’të.

Goli i barazimit nga “Tre Luanët” u shënua në minutën e 73’të me anë të Cole Palmerit.

Kurse goli i epërsisë erdhi në minutën e 86’të. Ishte zëvendësuesi, Oyarzabal i cili shënoi gol pas një super asisti nga Cucurrella.

Anglia shkon në shpi pa trofe, kurse në Madrid do të ketë festë të madhe sonte./Indeksonline/

Anglia barazon rezultatin ndaj Spanjës

Kombëtarja e Anglisë ka shënuar gol ndaj Spanjës në finalen e madhe të Euro 2024.

Golin për 1:1 e shënoi Cole Palmer në minutën e 73’të, shkruan Indeksonline.

Pamer realizoi një supergol nga distanca për t’i barazuar shifrat në 1:1.

Kujtojmë që golin e parë e realizoi Nico Williams në fillim të pjesës së parë./Indeksonline/ KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Macronin: Kosova krenare për partneritetin me Francën

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka uruar homologun e saj, presidentin francez Emmanuel Macron dhe të gjithë popullin me rastin e 14 korrikut, Ditës Kombëtare.

Osmani tha se Kosova është krenare me partneritetin me Francën.

“Ne bashkohemi me ju për të festuar këtë ditë të veçantë dhe mezi presim t’i forcojmë lidhjet tona edhe më tej”, tha Osmani.

GOL! Nico Williams kalon Spanjën në epërsi në finalen e madhe të Euro 2024

Kombëtarja e Spanjës ka shënuar golin e parë në ndeshjen ndaj Anglisë në finalen e madhe të Euro 2024.

Golin për 1:0 e shënoi lojtari i Bilbaos, Nico Williams, shkruan Indeksonline

Willimas shënoi një gol tejet të bukur pas një asisti nga Lamine Yamal.

Kujtojmë që kjo ndeshje po zhvillohet në stadiumin e Berlinit në Gjermani./I.O/KultPlus.com

Papa dënon sulmin ndaj Trumpit

Papa Françesku e ka dënuar atentatin që iu bë të shtunën ish-presidentit amerikan Donald Trumpit.

Ai ngjarjen e quajti episod të dhunës që lëndon njerëzit dhe demokracinë, raporton Sky News, transmeton Klankosova.tv.

Në një deklaratë nga Vatikani, Papa tha: “Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin e saj për episodin e dhunës së mbrëmshme, që lëndon njerëzit dhe demokracinë, duke shkaktuar vuajtje dhe vdekje”.

“I bashkohemi lutjes së peshkopëve amerikanë për Amerikën, për viktimat dhe për paqen në vend, në mënyrë që arsyet e dhunës të mos mbizotërojnë kurrë”.

Ellis Marsalis, prijësi i rilindjes së xhazit

Ellis Marsalis Jr., pianist dhe edukator që u bë forcë prijatare e rilindjes së jazzit në fund të shekullit XX.

Marsalis ka kaluar dekada të tëra si muzikant dhe mësues në New Orleans, para se dy djemtë e tij të mëdhenj, Wyntoni dhe Branfordi, që mishëronin një përtëritje të freskët të jazzit tradicional, të fitonin famë kombëtare në fillim të viteve ’80.

Përkushtimi i zotit Marsalis për bebopin e gjysmës së shekullit dhe pasardhësve të tij për një kohë të gjatë e ka bërë atë njëfarë jabanxhiu në qytet me një besnikëri shtrënguese për rrënjët e hershme të jazzit.

Megjithatë, ai siguroi respektin e kolegëve muzikantë falë dhuntisë së tij të patjetërsueshme si pianist dhe kompozitor dhe mënyrës së tij të rreptë dhe mbështetëse si mësues. Sapo ata shkelën skenën kombëtare, mbrojtja që Marsalisët i bënë jazzit të kulluar i bëri ata renegatë të një lloji tjetër. Trumbetisti Wynton shpalosi me guxim devocionin e të atit për heronj si Charlie Parker dhe Thelonious Monk, madje ai fshikulloi publikisht kundër përzierjes së ligshtë mes jazzit dhe rockut që e zhvendosi me të madhe jazzin akustik në fund të viteve ‘60 dhe ‘70.

Të pashëm, eruditë dhe jashtëzakonisht të dhuntishëm, fëmijët e zotit Marsalis dhe shumë muzikantë të rinj të jazzit që i mësoi – përfshirë Terence Blanchard, Donald Harrison Jr., Harry Connick Jr. dhe Nicholas Payton – u bënë prijatarë në lëvizjen tradicionale në rritje, përhumbshëm e quajtur edhe si “Luanët e rinj”.

“Im atë ishte një gjigand prej muzikanti e mësuesi, por edhe një baba i madh”, ka thënë në një kumtesë Branford Marsalis. “Ai vuri gjithë çka kishte për të na bërë më të mirët”. Si mirënjohje për ndikimin e patriarkut dhe për dhuntitë e tij, “National Endowment for the Arts” më 2011 i emëroi Marsalisin dhe të bijtë e tij si mjeshtër të jazzit.

Ai konsiderohet si një prej ndereve më të larta për një muzikant amerikan të jazzit, dhe deri asokohe ai ishte dhënë vetëm në baza individuale. Në këtë pikë Maraslisët konsideroheshin gjerësisht si familja mbretërore e jazzit. Wynton ishte bërë drejtor artistik që themeloi jazzin në “Lincoln Center”, organizatë e shquar jofitimprurëse që i kushtohet jazzit, dhe ai fitoi çmimin “Pultizer” për muzikë më 1997. /KultPlus.com

‘Kërkesa e parë për të qenë e qeshura ashtu si duhet është të qenit e sinqertë’

Një ndër autorët që vazhdon të lexohet anë e kënd botës është rusi Fjodor Dostojevski, shkruan KultPlus.

Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.

KultPlus ju sjell një fragment të veprës “Adoloshenti” nga Fjodor Dostojevski:

Unë mendoj kështu: kur qesh një njeri, nuk shihet dot me sy! Se të qeshurit ia bën më të theksuar vulgaritetin njeriut, i theksohet diçka poshtëruese, ndonëse vetë personi as që dyshon ndonjëherë për këtë. Se as këtë s’e dimë: çfarë shpreh fytyra jonë kur flemë?

Dikujt i shpreh mençuri, një tjetri i shpreh banalitet, deri idiotësi, një i tretë kur fle, duket qesharak. Nuk di nga se vjen; ajo që desha të them është se si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin personi nuk di asgjë. Ka shumë që nuk dinë të qeshin, ndonëse këtu dija s’para hyn në punë; të qeshurit është dhunti, s’ke si e rregullon. Diçka edhe e arrin, duke i mposhtur brenda vetes instinktet e këqija, por fare pak.

Shumëkush e tregon veten si në pëllëmbë të dorës kur qesh. Kurse mua deri edhe e qeshura e mençur më është e pështirë. Them se kërkesa e parë për të qenë e qeshura ashtu si duhet, është të qenit i sinqertë. Po ku e gjen atë te njerëzit? Të qeshurit e sinqertë parashikon mposhtjen e ligësisë, po pse e lehtë është kjo? Ndaj dhe jo rrallë njerëzit qeshin me ligësi.

Kur shoqërohet nga sinqeriteti dhe privohet nga ligësia, të qeshurit del i gëzueshëm, i ëmbël, por ku e gjen gëzimin dhe ëmbëlsinë ndër njerëzit? Se të qenit i gëzuar është tipari më i shquar i njeriut! Por ndodh edhe kështu: orvatesh dhe jo pak të zbërthesh një karakter dhe s’ia arrin dot, mjafton që njeriu të qeshë, dhe karakteri i tij të hapet si në pëllëmbë të dorës. Kuptohet, kur të qeshurit është i sinqertë. Njeriu di të qeshë me zemërmirësi vetëm atëherë, kur ka zhvillim ngjarjesh lumturuese.

Nuk e kam fjalën për nivelin e zhvillimit mendor të njeriut, po flas për shpalosjen e karakterit të tij përmes të qeshurit, për tërësinë e vetive si njeri. As heshtja, as të qarët, as të folurit, as të emocionuarit nga veprimet fisnike të të tjerëve nuk arrijnë dot ta tregojnë njeriun aq sa e tregon të qeshurit. Qesh mirë, domethënë, është i mirë! Në iu rëntë në sy qoftë edhe një gram marrëzie në të qeshurit e tjetrit, dijeni, ky njeri s’e ka të theksuar dinjitetin vetjak.

Qoftë edhe kjo: dikush prej natyre është tejet i komunikueshëm, por ju duket disi banal e deri i lëshuar në sjelljen me njerëzit, dijeni se është natyrë vulgare; në rast se ju bie në sy në sjelljen e tij diçka fisnike, dijeni se o shtiret, o e ka të huazuar nga të tjerët. Ky njeri me kalimin e kohës ka për të ndryshuar për keq! Një i tillë mund të kapet pas “të dobishmes”, por ciniken do ta flakë pa pikën e keqardhjes, ashtu si këmbejnë njëra – tjetrën edhe shkulmet rinore, frelëshuara të të qeshurit të tij të ngazëllyer. / KultPlus.com

Anita Bitri dhe kënga fituese e vitit 1990 në RTSH, ‘Askush s’do ta besojë’ (VIDEO)

Në Festivalin e 29-të te Këngës në RTSH, në dhjetor të vitit 1990, Anita Bitri vlerësohet me çmimin e parë, me këngën ”Askush s’do ta besoj”, kompozim i Flamur Shehut dhe teksti Jorgo Papingji.

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…

Ku shkuan fjalët që mi thoshe me aq zjarr,
Ku shkuan lulet që m’i sillje plot me vesë
Ku fluturoi dashuria jonë e parë,
Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes?
Një këngë e vetme jo nuk është rinia
Por veç një dhimbje kam e do ta them,
Se një prej këngëve është dhe dashuria
Dhe këngë e saj ushton si një refren.

Jo nuk e besoj nuk është e lehte që ta mohoj
Kur dashurinë e parë, jo nuk e harroj
Mos me thuaj s’ më ndihmon,
Asnjëri s’do ta besojë.
Kur t’vijë nata do të vije vet’ të takoj.
Të takoj,të takoj..

Dashurinë e parë kush nuk e provoi
Dhimbjen që la pas kush nuk e këndoi,
E këndoi, e këndoi…/ KultPlus.com

Arbëreshi Nikollë Keta, autori i sonetit të parë shqiptar

Autori i tingëllimës (sonetit) së parë shqiptare është Nikollë Keta (Nicola Chetta, 1740-1803).

Ai ishte një ndër studentët e parë e, njëkohësisht, më të shquar të seminarit grek në Palermo. Keta ka lindur në Kundisa (ital. Contessa Entellina), ngulimi më i vjetër shqiptar në Sicili, i themeluar midis viteve 1450 dhe 1467. Në seminar pati mësues Gjergj Guxetën dhe dijetarin Paolo Maria Parrino (1710-1765).

Më 1777 Keta u bë vetë rektor i atij seminari. Si poet ka shkruar vargje fetare dhe laike në gjuhën shqipe dhe në greqisht.

Ai ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare (1777):

“Farie së ndeerme në Kuntisë u bii
Kolë Ketta, vllastar i t’arbrit dhee,
Shkoi në Palermë praa tek e Arbrit shpii,
Ç’e reshti, si zogu rep në folee.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësii,
Për në vapët e përtriijti ndënë hjee,
Si të veshkurin rremp stolis një dhrii,
E nani prift klisha kurorë e vee.

Si zok i sbjerrë praa t’di krahët çoi
Në Palermë e n’Kuntisë, po ktei e atei
Ndeern’e Arbreshet të gjithë gramët kërkoi.
Si krymp mundafshi gjith e svis vetëhei

E ktë vistaar tuar, kjëndisi e shkroi,
Se të kjosëj gjithë Arbrin ndjeer përtei.”

*

(Nga fis i ndershëm lindi në Kundesa
Kolë Keta, pinjoll i dheut të Arbërisë
Shkoi në Palermo pra te shtëpia e Arbrit
Që e priti si zog të njomë në fole.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësi,
Dhe në vapë e përtëriti nën hije,
Ashtu si rrembin e vyshkur stolis një dhri,
Dhe tani është prift, në kishë vë kurora.

Si zog i zbjerrë të dy krahët i çoi,
Në Palermo e në Kundisa, këndej e andej,
Në shkrimet e tij nderin e arbëreshëve kërkoi.
Si krimb mëndafshi u shua prej vetiu,

Dhe këtë visar tori, qëndisi e shkroi
Që të qoste gjithë Arbërinë gjer përtej.) / KultPlus.com

‘Kam një mall e kam një zjarr’ (VIDEO)

Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.

Sonte, KultPlus ju sjell ‘Kam një mall e kam një zjarr’, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit. Kjo këngë vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite.

Liliana Çavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Liliana u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942 nga nënë Miseretja-aktore dhe këngëtare dhe babai Isak Çavolli, mësues.

Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio. Fati përsëri e këtheu në Prizren ku Liliana filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhet shpejt si emër premtues.

Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Liliana Cavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin adutet kryesore të Lilianës që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve Liliana është shumë mirënjohëse. / KultPlus.com