Deti

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

I vogël, me pantallona të shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaije, që e qepte vetë gjyshja…

Ashtu, darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohte me rridhte rëra.

Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjera të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.

Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhe – aradhe

Turfullonin

Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.

Mbi ta fluturonin të tjerë,
jelet e hakërryera dallgë-dallgë fushën e diellit fshinin.

Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.

Gjokset e mëdhenj e të bardhë kreshpëronin përpjetë
këmbët e para rrihnin në erë…

Sytë u flakëronin.
Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më copëtonin.
Kur ja, me potere
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia.

Nga flegrat gjigante
miliarda grimcëza të kristalta shfrynin për të fundit herë

Të tjerë hingëllinin nëpër fushat e gjera të natës

Me gëzim e frikë, orë të tëra unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.

Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njëri mbi tjetrin…

Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…/

S’kam fuqi më as të trishtohem

Poezi nga Fatos Arapi

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë./KultPlus.com

Po trokas në zemrën tënde

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Motiv arbëresh
Po trokas në zemrën tënde
hapma derën,zonja ime!
Kaloj pragun e hyj brenda…
Dua që të kem mbi krye
hapësirën erë yjesh;
të shikoj rrëketë qiellore
se si lozin gjithë dritëza
burimit të syrit tënd.
Dhe si luftëtar i varfër
që të mbështet kryet mbi gurë,
gjer të nisë lufta prapë,-
dua kokën ta mbështes
mu në gjoksin tënd prej dielli…

dhe të marr, moj, një sy gjumë./KultPlus.com