Bob Dylan edhe me ekspozitë pikture

Ylli i muzikës, kantautori amerikan, Bob Dylan do të hapë në Londër një ekspozitë me piktura që, sipas tij, janë krijuar me rezonancë emocionale.

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, 83 vjeç, do të sjellë 97 vepra origjinale që paraqesin personazhe dhe objekte në galerinë ”Halcyon”.

Ekspozita e tij personale “Point Blank”, e cila kap njerëz që luajnë instrumente, çifte, sportistë burra dhe gra, së bashku me dhoma dhe vende, bazohet në skica origjinale të krijuara midis viteve 2021 dhe 2022.

”Këto vizatime u pikturuan më pas me ngjyra, për të krijuar entitete të gjalla, që marrin frymë dhe kanë rezonancë emocionale, ngjyra të përdorura si armë dhe përcaktuese të humorit, një mjet për të treguar histori”, thotë Dylan.

“Ideja nuk ishte vetëm të vëzhgoja gjendjen njerëzore, por të hidhesha në të me një urgjencë të madhe”, tha ai.

Disa nga vizatimet janë ripunuar si studime monokromatike me blu, të kuqe dhe neutrale, të cilat mund të kujtojnë Periudhën e hershme Blu të Pablo Picasso-s.

Kate Brown, drejtoreshë dizajni në galerinë Halcyon, tha se “këto vepra në letër ndihen si kujtime, dritare të paprekshme në jetën dhe imagjinatën e njërit prej rrëfimtarëve më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë”.

Paul Green, president dhe themelues i ”Halcyon”, tha se “kanë kaluar gati 18 vjet që kur ‘Halcyon’ filloi të punonte për herë të parë me Bob Dylan dhe ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme të shikosh këtë ikonë kulturore të zhvillohet në një artist vizual kaq të respektuar dhe të rëndësishëm nga kritika”.

Dylan, i cili ka fituar 10 çmime Grammy dhe është nominuar 38 herë, është një nga kompozitorët më të vlerësuar dhe u fut në Sallën e Famës së Rock and Roll në vitin 1988.

Këngët e tij janë regjistruar më shumë se 6 000 herë, me artistë të ndryshëm si ”The Byrds”, Jimi Hendrix dhe Adele, që kanë gjetur sukses si komercial ashtu edhe kritik me këngët e interpretuara nga artistë të tjerë.

Dylan e filloi karrierën e tij në vitin 1962 me këngën ”Mixed-Up Confusion”, e cila nuk arriti të renditej në top listat e Britanisë së Madhe ose SHBA-së – përpara se të bëhej yll me një sërë këngësh të tjera në vitin 1965, duke përfshirë ”The Times They Are A-Changin”, ”Subterranean Homesick Blues” dhe ”Like A Rolling Stone”./ KultPlus.com

Giro D’italia, Gonxhja: Emocion, pasion dhe vëmendja e gjithë botës në Shqipëri

Vetëm 1 javë ka mbetur nga nisja e garës çiklistike Giro D’italia e cila vjen për herë të parë në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh në një postim në rrjetet sociale se aktiviteti më i famshëm sportiv në botë, do të mbledhë në datat 9, 10 dhe 11 maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, ku do të përshkojnë terrene të ndryshme për të arritur në pikën finale.

Gonxhja tha se, “nga Durrësi në Tiranë e deri në Vlorë, më 9, 10 dhe 11 Maj, 180 çiklistë profesionistë do të garojnë në rrugët tona, duke sjellë emocion, pasion dhe vëmendjen e gjithë botës”.

“Gara çiklistike Giro D’italia është një ngjarje e madhe që do të bashkojë 3 qytete në 3 ditë”, u shpreh Gonxhja.

“Giro D’italia” një nga ngjarjet më të mëdha vjetore të sportit do të kontribuojë në promovimin e Shqipërisë, duke nxitur kështu edhe më shumë turizmin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. / KultPlus.com

“Giro d’Italia 2025” nis më 9 maj në Durrës dhe mbyllet në Vlorë

“Giro d’Italia 2025” do të nisë më 9 maj në Shqipëri, ku do të zhvillohen tri etapat e para, dhe do të përfshijë 21 etapa duke përfunduar më 25 maj në Romë.

Prezantimi i ekipeve pjesëmarrës në aktivitet do të bëhet në datën 7 maj, në orën 20:30 në sheshin “Skënderbej”.

ETAPA 1: Durrës – Tiranë (9 maj)

Xhiro do të nisë rreth orës 13:10 që nga Porti i Durrësit, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në Durrës nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë drejt Malit të Robit, në Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel, Tiranë. Në Tiranë, ata do të rrotullohen nga Surreli, në rrugën “Xhanfize Keko”, drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:03 në sheshin “Nënë Tereza”.

ETAPA 2: Tiranë – Tiranë (10 maj)

Gara nis që nga sheshi “Skënderbej” rreth orës 13:30, në drejtim të bulevardit “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e Elbasanit drejt Saukut, rikthehen në bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek sheshi “Nënë Tereza”, ku rreth orës 17:15 është parashikuar të përfundojë xhiroja.

ETAPA 3: Vlorë – Vlorë (11 maj)

Xhiroja do të nisë rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparoit, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogorasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në rrugën “Sadik Zotaj”./ KultPlus.com

OSBE: Mirëpresim hapat e fundit të ndërmarra për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ripohon se liria e shprehjes dhe media e pavarur janë thelbësore për një demokraci të gjallë dhe të qëndrueshme.

“Ne mirëpresim hapat e fundit të ndërmarra për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve, duke përfshirë caktimin e një pike kontakti të dedikuar të Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve. Këto janë zhvillime të rëndësishme, por disa sfida mbeten. Profesionistët dhe organizatat e medias vijojnë të përballen me kërcënime dhe trysni, duke nënvizuar nevojën urgjente për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të mbështetur një mjedis mediatik pa presione politike dhe ekonomike, ku të mund të lulëzojë gazetaria e pavarur”, thekson OSBE në njoftimin për shtyp.

OSBE thekson se “po aq jetik është edhe roli i raportimit të saktë, të paanshëm dhe etik përmes mekanizmave efektivë vetërregullues që mundësojnë debat publik të informuar dhe angazhim qytetar. Gazetarët luajnë një rol kyç në vënien e pushtetit përballë llogaridhënies dhe besimi i publikut në punën e tyre varet nga përkushtimi i fortë ndaj standardeve profesionale dhe etike”.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson mbështetjen e saj për nismat reformuese dhe platformat e dialogut që mbrojnë lirinë e shtypit dhe promovojnë gazetarinë e përgjegjshme në Shqipëri./ KultPlus.com

‘Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë’

I vogli i familjes Franklin nuk i lexonte librat, ai i përpinte ato. Ai ngrihej në 5:00 të mëngjesit çdo ditë dhe lexonte një libër, përmbajtjen e të cilit ia rrëfente të atit ndërsa ai merrte kafenë.

Benjamin Franklin ishte më i vjetri nga burrat e shquar që themeluan shtetin amerikan dhe i pari amerikan i nderuar në Evropë si shkencëtar dhe burrë shteti, si mbrojtës i të drejtave të kolonive amerikane para mbretit të Anglisë.

Benjamin Franklin përfaqëson suksesin amerikan: nga djali i një sapunbërësi, me punë të madhe, e të pavarur ai e ngriti veten në lartësinë e madhështisë.

Biografi i tij Alfred Tamarin e përmbledh kështu rritjen e personalitetit të Benxhamin Frenklinit.

“Benjamin Franklin ishte amerikani i parë që u bë figurë botërore. Nga një djalë i ri me prirje për shkollë ai u bë shkencëtar, shpikës, legjislator, diplomat dhe burrë shteti me famë botërore”.

Emri i Benxhamin Franklinit është i vetmi emër të cilin e shohim në katër dokumentet kryesore të themelimit të Shteteve të Bashkuara: Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës, Traktatit të Aleancës me Francën dhe Traktatin e paqes me Anglinë. Derisa sot shënohet përvjetori i vdekjes së tij, plot 232 vite që kur ai vdiq.

40 thënie nga Franklin

1. Fshatari mes dy avokatëve është sikur peshku mes dy macesh.

2. Zemra e një të çmenduri është në majën e gjuhës së tij, por gjuha e një të mençuri është në zemrën e tij.

3. Mësoji tët biri/vajzës të heshtë, të flasë mëson vetë.

4. Të rebelohesh ndaj tiranëve është t’i bindesh Zotit.

5. Nëse macja mban doreza, zor se do të zërë minj.

6. Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë.

7. Çdo gjë që nis me tërbim, mbaron me turp.

8. Një varkë me vela dhe një femër shtatzënë, janë gjërat më të bukura që mund të shihen.

9. Nëse e dashuron jetën, mos e shpërdoro kohën, pasi koha është substanca nga e cila përbëhet jeta.

10. Kujdes me shpenzimet e vogla, pasi një peshë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.

11. Tre persona mund ta mbajnë një sekret, nëse dy prej tyre janë… të vdekur.

12. Ata që mund të heqin dorë nga liria thelbësore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk e meritojnë as lirinë e as sigurinë.”

13. Kurrë s’ka ekzistuar paqe e keqe ose luftë e mirë.

14. Nëse dështon të planifikosh, ti je duke planifikuar të dështosh.

15. Investimi në dituri paguan interesin më të mirë.

16. Luftoji gjithnjë veset e tua, jeto në paqe me fqinjët e tu dhe bëj që çdo vit i ri të të gjejë më të mirë.

17. Shtëpia nuk është vendbanim, përveç nëse ka ushqim dhe ngrohtësi për mendjen edhe për trupin.

18. Një lek i kursyer është një lek i fituar.

19. Të jesh i ngadalshëm në përzgjedhjen e shokëve, edhe më i ngadalshëm në ndërrimin e tyre.

20. Bukuria dhe marrëzia janë miq të vjetër.

21. Të jesh injorant nuk është turp aq i madh, sa të mos duash të mësosh.

22. Zoti u ndihmon atyre që ndihmojnë veten.

23. Mysafirët, si peshqit, fillon t’u vijë era pas tri ditësh.

24. Gjysmë e vërteta shpesh është një gënjeshtër e madhe.

25. Të jesh i varfër nuk është turp, por të turpërohesh për atë, është.

26. Ai i cili i ekspozon shumë shpesh gruan dhe kuletën është në rrezik t’i huazohen që të dyja.

27. Ai i cili është i mirë për arsyetime, rrallë është i mirë për ndonjë gjë tjetër.

28. Kush jeton veç nga shpresa do të vdesë nga uria.

29. Ai i cili ngrihet vonë, duhet të ecë shpejt gjithë ditën.

30. Kush dashurohet me veten e tij nuk do të ketë asnjë rival.

31. Nëse njeriu zbraz kuletën në kokë, askush nuk mund t’ia marrë.

32. Nëse nuk rrimë bashkë, patjetër duhet të rrimë të ndarë.

33. Nëse dëshiron shumë gjëra, shumë gjëra do të duken pak.

34. Nëse dëshiron të jesh i dashur, duaj dhe bëhu i dashur.

35. Mosha e humbur nuk është gjetur asnjëherë përsëri.

36. Shumë njerëz mendojnë se po blejnë kënaqësinë, kur ata në të vërtetë i shesin veten asaj.

37. Asnjë komb nuk është shkatërruar ndonjëherë nga tregtia.

38. Vrojto të gjithë njerëzit, veten më së shumti.

39. Mos fol keq për asnjë njeri, por i thuaj të gjitha të mirat që i di, për të gjithë. / KultPlus.com

Da Vinçi: Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja

“Asgjë më shumë se heshtja nuk e forcon autoritetin”.

“Asgjë nuk mund të urrehet ose të dashurohet nëse fillimisht ajo nuk kuptohet.”

“I dua ata që mund të qeshin në vështirësi, ata që mund të fitojnë forcë nga vuajtja dhe të rriten trimërisht nga reflektimi.”

“Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja.”

“Do të vijë koha kur njerëzit njësoj sikur unë tani, kafshën e vdekur do ta shohin ashtu siç e shohin tani njeriun e vdekur.”

“E gjithë dija jonë origjinën e saj në përceptimet tona.”

“Të padobishme dhe përplot gabime janë të gjitha ato shkenca që nuk janë të lindura nga përvoja – nëna e gjithë dijes.”

“Unë u zgjova vetëm për ta parë se pjesa më e madhe e botës ishte ende në gjumë.”

“Ai që dëshiron të bëhet i pasur brenda një dite, do të jetë i varur brenda një viti.”

“Mençuria është bija e përvojës.”

– Leonardo da Vinçi

/KultPlus.com

502 vite nga vdekja e Leonardo Da Vinçit, gjeniu i Rilindjes

Sot janë bërë 506 vite nga vdekja e njërit ndër personalitetet më të shquara perëndimore dhe botërore – Leonardo Da Vinçi.

Ai lindi në kohën dhe vendin e duhur – Anchiano/Fiorentinë. Qytetin simbol të kulturës së atëhershme.

Në 502 vjetorin e vdekjes së njërit nga artistët më me ndikim në historinë e artit botëror, KultPlus ju sjell disa fakte interesante mbi jetën e artistit.

1. Një fëmijë i paligjshëm!

Ai lindi si biri jashtë martese i Piero Fruosino di Antonio Vinçit (babait) dhe Caterina (nëna). Prindërit e tij kurrë nuk u martuan dhe ai ishte i vetmi fëmijë i tyre. Megjithatë, ai kishte 17 gjysmë-vëllezër e motra me partnerë të tjerë të prindërve të tij.

2. Emri i një qyteti!

Ai lindi në Anchiano, Toscana (tani në Itali), që është afër qytetit të Vinçit, me të cilin ne e asociojmë mbiemrin e tij sot.

3. Pak ka arsimim formal!

Përtej leximit dhe shkrimit bazë, ai nuk mori asnjë arsimim formal në ndonjë shkollë.

4. Personi që qëndron prapa aftësive të tij!

Talenti i tij artistik u vlerësua së pari nga babai i tij dhe kur Leonardo ishte 15 vjeç, babai e dërgoi të mësojë pranë piktorit dhe skulptorit Andrea del Verrocchio, në Firence. Ai përpunoi teknikat e skulpturës dhe pikturës së Leonardos për më shumë se një dekadë dhe e trajnoi atë në artet mekanike.

5. Piktura e tij më e hershme!

Megjithëse puna e tij e parë mendohet të jetë ajo e një vizatimi në stilolaps dhe bojë, e luginës së Arnos (siç raportohet nga burime të ndryshme) më 5 gusht 1473, “Shpallja” (diku rreth 1472-1475) mendohet të jetë vepra e tij më e hershme . Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.

6. Kur mësuesi u impresionua me punën e tij!

Ai ndihmoi mentorin e tij Andrea del Verrocchio në pikturën e famshme “Pagëzimi i Krishtit”. Piktura përshkruan pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzori. Është thënë se engjëlli në të majtë u pikturua nga Leonardo i ri dhe kjo ishte një gjë, e cila i bëri shumë përshtypje mësuesit të tij.

7. Shkrimi, nga e djathta në të majtë!

Leonardo da Vinçi ishte majtosh dhe ishte mësuar që të shkruante nga e djathta në të majtë, gjë që rezultonte në një shkrim pasqyrë dhe i cili, ishte e vështirë për t’u lexuar nga të tjerët.

8. Adhurues i kafshëve!

Ai ishte shumë i mëshirshëm ndaj kafshëve dhe ishte kundër futjes së tyre në kafaze. Leonardo blinte shpesh herë kafshë në kafaze dhe më pas i lironte ato.

9. Një vegjetarian i rreptë!

Gjatë gjithë jetës së tij, Leonardo da Vinçi kishte qenë një vegjetarian i rreptë, gjë që supozohet të jetë pasojë e dashurisë së tij për kafshët.

10. Incidentet e fëmijërisë!

Leonardo mbante shenja vetëm dy nga incidente të fëmijërisë: njëri ishte kur një balonë ra nga qielli dhe bishti i saj i lëndoi fytyrën. I dyti kur zbuloi një shpellë ndërsa po eksploronte në male dhe u ndje i tmerruar nga që mendonte se aty mund të ndodheshin disa përbindësha.

11. Shtëpia e fëmijërisë!

Kush nuk dëshiron të eksplorojë shtëpinë e këtij artisti të madh të Rilindjes! Shtëpia e fëmijërisë e Leonardos ndodhet në një fshat të quajtur Anchiano brenda qytetit të Vinçit në Firence. Shtëpia është konvertuar në një lloj muzeu të veprave të famshme të Leonardos. Shtëpia u rihap për publikun në qershor të vitit 2012.

12. Vepra e parë e porositur./KultPlus.com

“Substanca”, ekspozitë një vit pas ndarjes nga jeta të piktorit Ali Oseku

Video, fotografi dhe piktura që sjellin në vëmendje Ali Osekun në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të artistit u prezantuan në ekspozitën multimediale “Substance/In memoriam” të çelur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

“Substance” e artit të Ali Osekut mblodhi miq të artistit dhe familjarët për testamentin e tij artistik një vit pa piktorin.

Vizatime, portrete, autoportrete janë pjesë e kësaj ekspozite ku nuk mungoi dhe prania e vetë artistit përmes një videoje realizuar me inteligjencë artificiale.

Mjediset e universitetit janë skena ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës, duke mësuar breza artistësh e duke mos e humbur asnjëherë dimensionin e lirisë që e kishte të shenjtë.

Ekspozita “Substance” është homazh për mikun, artistin si një akt kujtese.

Një njeri dhe artist i madh, Oseku nuk mund të përmblidhet në një ekspozitë retrospektivë, por sjell për dashamirët jetën dhe veprën e tij të ndarë në dy kohë.

Në qendër të kësaj ekspozite ndodhet një vepër e hershme, puna e diplomës, gjetur rastësisht në oborrin e shkollës e vendosur në tokë si një objekt që përçon peshën e kujtesës, tejkalon subjektin e pikturuar dhe tregon të gjithë historinë e ëndrrës së artistit të thyer e përthyer në kohë të errët. Në muret përreth saj qëndrojnë disa vepra të kohës se re, ku drita dhe hapësira mbizotërojnë, ku ngjyra bëhet gjuhë, dhe heshtja-mesazh.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 maj në galerinë FAB.

‘Essence’, ekspozita 1 vit nga vdekja e Ali Osekut, foto: Agim Dobi./atsh/KultPlus.com

Eja ashtu si je

Poezi nga Rabindranath Tagore.

Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet,
Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt,
Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert,
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë,
Nëse këmbët t’i njomë vesa, nëse mbetesh pa sandale,
Nëse perlat të këputen nga xherdani, mos ki dert.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë.

A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre.
Kafshët të trembura nisen vrap në stane.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?

Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
E kush mund ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur?
Se sytë i ke më të zi se retë e shiut?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.

Eja ashtu si je, mos u vono me tualet
Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert?
Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre.
Është vonë; qielli u bë terr nga retë.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet./KultPlus.com

Përkthyer nga Ag Apolloni.

Etërit na ikën, në ditëvite të ndryshme

Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

Etërit na ikën…
Në ditëvite të ndryshme.
Me vdekje të thjeshta,
si jeta e tyre.

Na ikën…
Cdo ditë e më shumë
ua numërojmë të mirat…
Ku ishim më parë
ne bijtë, ne bijat?!

Tani, që s’i kemi,
ah, dhe një çast t’i kthenim!
Të bëjmë ca rrugë
andej nga Liqeni,
t’iu japim një kafe,
që s’ua dhamë te “Rinia”
dhe tutje më shumë
t’iu bëjë pleqeria…
Rradhëve mos t’i lodhim
në asnjë lloj dyqani,
Mbrëmja mos heshtojë
me sy tek ekrani.
Të nisim udhë bisedash
për botën anembanë,
një gotë, çdo mbrëmje
ta pimë me etërit tanë…

Cfarë s’japim,
t’iu jepnim,
ato, që dot s’ua dhamë!
Të urtëve,
të pafjalëve,
të mirëve,
etërve tanë!/ KultPlus.com

Kë doni ta fitojë Eurovision? Shqipëria me rezultat befasues në sondazhin e huaj

Provat për Eurovision 2025 do të fillojnë së shpejti në Bazel. Brenda dy javëve të ardhshme, do të merren vendime që do të përcaktojnë fituesin nga 37 artistët konkurrues.

Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila është mirëpritur gjerësisht nga publiku dhe kritika. Madje, në një sondazh të zhvilluar së fundmi nga portali i njohur evropian Wiwibloggs, “Zjerm” ka dalë në krye si kënga më e preferuar për të fituar festivalin.

Sipas rezultateve të sondazhit, kënga shqiptare ka marrë 2,106 vota, që përbëjnë 11.11% të totalit të votuesve, duke lënë pas konkurrentë të fortë si Finlanda dhe Suedia. Vendi i dytë i takon Finlandës me 1,969 vota (10.39%), ndërsa Suedia renditet e treta me 1,620 vota (8.55%).

Rezultatet:

Shqipëria – 11.11%, 2,106 vota
Finlanda – 10.39%, 1,969 vota
Suedia – 8.55%, 1,620 vota
Austria – 6.38%, 1,210 vota
Spanja – 4.64%, 879 vota
Holanda – 3.65%, 692 vota
Izraeli – 3.61%, 685 vota
Franca – 3.32%, 630 vota
Greqia – 3.28%, 622 vota
Polonia – 3.10%, 588 votat
Malta – 3.10%, 587 vota
Gjermania – 3.06%, 580 vota
Mbretëria e Bashkuar – 2.78%, 526 vota
Australia – 2.58%, 488 vota
Estonia – 2.46%, 467 vota
Lituania – 2.11%, 400 vota
Norvegjia – 2.11%, 399 vota
Danimarka – 2.03%, 384 vota
Irlanda – 2.02%, 383 vota
Çekia – 1.95%, 369 vota
Islanda – 1.75%, 332 vota
Zvicra – 1.50%, 285 vota
Ukraina – 1.35%, 256 vota
Belgjika – 1.35%, 256 vota
Luksemburgu – 1.32%, 251 vota
Letoni – 1.31%, 248 vota
San Marino – 1.21%, 229 vota
Qipro – 1.03%, 196 vota
Kroacia – 0.94%, 178 vota
Portugalia – 0.78%, 148 vota
Mali i Zi – 0.77%, 146 vota
Sllovenia – 0.77%, 145 vota
Armenia – 0.75%, 142 vota
Azerbajxhani – 0.73%, 138 vota
Serbia – 0.62%, 117 vota
Gjeorgjia – 0.28%, 53 vota

Gjithsej vota: 18,951/KultPlus.com

Ura më e lartë në botë që tejkalon edhe rrokaqiejt më të famshëm në planet

Quhet Ura e Kanionit Huajiang dhe do të jetë ura më e lartë në botë, jo për sa i përket lartësisë së shtyllave, madje as lartësisë së tyre mbi nivelin e detit, por në lidhje me distancën vertikale mbi të cilën do të vendoset kuverta.

”Plot 625 metra, domethënë distanca që do të ndajë sipërfaqen e rrugës nga pika më e ulët e tokës, në këtë rast lumi Beipan”, shkruan focus.it.

Me fjalë të tjera, ajo që e bën atë një përsosmëri inxhinierike është boshllëku poshtë strukturës.

Vepra kineze (43 nga 50 urat e varura “më të larta” në planet ndodhen në Kinë) do ta kalojë me 60 metra mbajtësen aktuale të rekordit, Urën Duge (565 metra), e ndërtuar në vitin 2016 afërsisht 200 kilometra më në veri, përsëri për të kaluar kanionin e thellë nëpër të cilin rrjedh Beipan.

Struktura masive u ndërtua vetëm tre vjet, duke kushtuar afërsisht 283 milionë dollarë, dhe është planifikuar të hapet për trafik deri në qershor të vitit 2025.

Për të kuptuar lartësinë marramendëse që po mbulon tashmë, mund të bëjmë një krahasim me disa nga rrokaqiejtë më të lartë në planet: Qendra Botërore e Tregtisë në Nju Jork, për shembull, mat “vetëm” 541 metra dhe, midis të gjithave, vetëm tre kanë numra më të mëdhenj (Burj Khalifa në Dubai, 830 metra, Merdeka 118 në Kuala Lumpur 680 metra, dhe Kulla e Shangait, 632).

Në përgjithësi, ura e varur është 2 890 metra e gjatë, me një hapësirë ​​kryesore prej 1 420 metrash dhe dy kulla mbështetëse me lartësi 262 metra./KultPlus.com

Rekord “Guiness” dhe panair, Himara çel sezonin turistik

Himara çel sot sezonin turistik me festivalin dyditor “Magji mbi Jon”.

Në kuadër të çeljes së sezonit do të mbahen edhe një sërë aktivitetesh të ndryshme.

Aktiviteti i parë ishte ai në orën 9:00 ku njeriu i rekordeve botërore dhe të Guinness-it, Agim Agushi, pas shumë sukseseve edhe ndërkombëtare, ishte në Himarë ku edhe fitoi rekordin e 16-të botëror të xhonglimit të topit me kokë duke veshur 14 bluza në një hapësirë vetëm 1 m2.

Në një performancë në qendër të qytetit bregdetar, Agushi ia ka arritur të fitojë certifikatën botërore, duke lënë një shenjë të suksesit të tij edhe në qytetin bregdetar.

“Është rekordi i 16-të, i cili u arrit në Himarë, në një disiplinë e cila është kërkuar nga selia e librit të Guiness në Londër, veshja e 14 fanelave duke xhongluar me top dhe duke qëndruar në një hapësirë 1 m2.  Prej sot Himara do të jetë në librin e Guinness. Certifikatën me emrin e Himarës do t’ia sjell kryetarit të bashkisë”, tha Agim Agushi.

Kryetari i bashkisë Himarë shprehet i lumturi që Agim Agushi ka zgjedhur Himarën për këtë rekord, duke e nisur me këmbë të mbarë çeljen e sezonit turistik

“Kënaqësi për mua dhe Himarën. Ky nuk do të jetë rekord i Agimit, por rekordi i Agim Agushit në Himarë”, tha Vangjel Tavo.

Agim Agushi është fitues edhe i rekordeve të tjera Guinness në disiplinat e lira, pasi ka mundur të lërë pas polakun Dariusz Kolodziczyk.

Gjithashtu, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo vizitoi sot edhe panairin e ngritur në zemër të Himarës “Shije, art dhe traditë”.

Panairet e çeljes së sezonit sjellin prodhime vendase, zeje artizanale dhe shumë ngjyra që pasqyrojnë shpirtin e jugut, theksoi Tavo në një postim në rrjetet sociale./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton masakrën e Studimes: “Plagët nuk shërohen, por e vërteta do të jetojë brez pas brezi”

Në 26-vjetorin e masakrës së Studimes në komunën e Vushtrrisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar me nderim dhe dhimbje viktimat e asaj që ajo e cilësoi si një nga aktet më mizore të regjimit gjenocidal serb.

Në një deklaratë publike, Presidentja rikujtoi se më 2 maj të vitit 1999, brenda vetëm dy orësh, 116 civilë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar u vranë mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

“Plagët e asaj dite të kobshme nuk do të shërohen kurrë, por e vërteta për mizoritë e kryera do të mbahet gjallë e do të përcillet brez pas brezi”, u shpreh Osmani.

Ajo nënvizoi gjithashtu se drejtësia për viktimat mbetet një ndër prioritetet kyçe të shtetit të Kosovës, ndërsa martirët e Studimes i cilësoi si “testament i përjetshëm i lirisë sonë”.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Studimes,” përfundoi ajo.

Masakra e Studimes mbetet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, që vazhdon të kërkojë drejtësi ndërkombëtare dhe njohje historike të dhimbjes së popullit shqiptar./KultPlus.com

Do t’i shtrydh të dy sytë

Poezi e shkruar nga Ali Asllani

Un’ jam un’, saksi e vjetër!
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije
i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’,
syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj
edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?

Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë
i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’
i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’
këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj
do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë e asaj!/KultPlus.com

70 vjet për divën e modës Donatella Versace

Donatella Versace feston ditëlindjen e saj të 70-të, për herë të parë larg kompanisë së themeluar nga vëllezërit e saj Santo, mendja administrative, dhe Gianni, gjeniu krijues që la një gjurmë të pashlyeshme në modën e grave duke filluar nga fundi i viteve ’70.

Më 10 prill, u njoftua blerja e markës nga Grupi Prada nga grupi amerikan Capri Holdings për 1,25 miliardë euro.

Në të njëjtën kohë që operacioni u bë zyrtar, i cili u duartrokit edhe nga vetë vëllezërit Santo dhe Donatella, ndërsa e solli kompaninë përsëri në Itali, Patrizio Bertelli, president dhe CEO i Grupit Prada, dhe gruaja e tij Miuccia, thanë se ishin “të lumtur të mirëprisnin Versace në Grupin Prada dhe të fillonin një kapitull të ri për markën”.

Por, në të njëjtën kohë, ata njoftuan largimin e Donatella-s nga roli i saj si drejtoreshë krijuese e shtëpisë së modës.

Asaj iu besua roli i “ambasadores” së shtëpisë së bukurisë.

“Jam absolutisht e kënaqur që Versace po i bashkohet familjes Prada. Unë dhe Gianni gjithmonë kemi pasur admirim të madh për Miuccia-n, Patrizion dhe familjen e tyre. Ndihem e nderuar që e lë markën në duart e një biznesi familjar italian kaq të besueshëm dhe jam e gatshme ta mbështes këtë epokë të re për markën në çdo mënyrë që mundem”, shkroi ajo në faqen e saj në Instagram.

Roli i saj si ”ambasadore” e shtëpisë së modës nuk do ta përfshijë më në mënyrë aktive në vendimet për stilin.

Shkurt, Donatella mbush 70 vjeçe, për herë të parë larg markës Medusa që e drejtoi si stiliste për 28 vjet.

Një rol që ajo e mori pas vrasjes së vëllait të saj Gianni në Miami, në vitin 1997. Donatella, e lindur në vitin 1955, është vajza e katërt e familjes Versace.

Që nga fëmijëria, vëllai i saj, Gianni, e ka identifikuar atë si një muze, duke e përdorur si model për krijimet e tij.

Pasi u diplomua në gjuhë dhe letërsi të huaja në Universitetin e Firences, ajo ndoqi vëllain e tij Gianni, i cili u transferua në Milano dhe filloi ndërtimin e perandorisë Versace.

Marka lindi me një sfilatë të parë mode në Permanente në Milano dhe pati menjëherë sukses.

Gianni është krijuesi, Donatella e do botën e muzikës dhe fillon të merret me personazhe të famshëm. Santo, vëllai i madh, i diplomuar në Ekonomi dhe Tregti, merr përsipër pjesën e menaxhimit.

Donatella merr përsipër drejtimin krijues të linjave ”Versace Young” dhe ”Versus”.

Donatella është përgjegjëse për komunikimin përmes personazheve të famshëm si Elton John, Madonna dhe Sting.

Në vitin 1983 ajo u martua me ish-modelin Paul Beck me të cilin pati dy fëmijë, Allegra dhe Daniel.

Në vitin 1997, Gianni Versace u qëllua dhe u vra nga vrasësi serial Andrew Cunanan. Donatella merr frenat e shtëpisë së modës dhe së bashku me vajzën e saj Allegra mbajnë shumicën e aksioneve të markës.

Por diçka duket se nuk po shkonte mirë dhe në vitin 2004 Donatella, me këshillën e familjes dhe miqve të saj, vendos të shtrohet në një klinikë private në Arizona.

Programi i rehabilitimit për t’u çliruar nga varësia ndaj kokainës (siç deklaroi vetë ajo për Vogue në vitin 2005) zgjati një vit, pastaj ajo u rikthye në qendër të vëmendjes.

Pas blerjes së 20% të aksioneve nga kompania amerikane ”Blackstone”, shtëpia e modës iu rikthye famës.

Donatella vazhdon planin e zgjerimit të markës së saj duke e lidhur veten me kulturën pop, duke marrë si dëshmi personalitetet më me ndikim të momentit.

Me kalimin e viteve, Donatella do të veshë personazhe të famshëm si Rihanna, Beyoncé, Bruno Mars, Lady Gaga, të cilët do t’i kushtojnë asaj edhe këngën “Donatella”.

Në vitin 2017, me rastin e njëzet vjetorit të vdekjes së Gianni-t, Donatella rikthen në pasarelë modelet ikonike Claudia Schiffer, Naomi Campbell, Cindy Crawford, Helena Christensen dhe Carla Bruni, të prezantuara nga Gianni në vitet ’90, të gjitha të mbështjella me fustane prej rrjete metalike, një pëlhurë e dizenjuar nga vetë Gianni./KultPlus.com

Një natë

Poezi e shkruar nga Constantine P. Cavafy.

Dhoma ishte e varfër, e ndyrë,
fshehur mbi një tavernë të përdalë.
Nga dritarja dukej sokaku,
i ngushtë, i pisët. Nga poshtë
vinin zërat e ca punëtorëve
që luanin letra dhe gëzonin.
Atje, në atë shtrat të vrazhdë, të thjeshtë
kisha trupin e erosit, kisha buzët
epshare, bojëshegë të dehashpirtit –
shegë me një të tillë dehje, sa edhe tani
që shkruaj, pas kaq e kaq vitesh
në këtë shtëpi të vetmuar, dehem përsëri. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar sjell “Ferma e Kafshëve”

Alegoria e famshme “Ferma e Kafshëve” që flet mbi pushtetin, manipulimin e masave, që duket se është kthyer testament politik i autorit Geroge Orwell, Teatri Kombëtar e risjell në skenë pas 5 vitesh.

Vepra satirike mbi pushtetin, propagandën, premtimeve në dukje të duhura që zgjedhësit i çojnë në shtypje, është ky subjekti që autori zgjedh t’i vendosë në gojën e kafshëve, për të fshikulluar realitetet politike.

“‘Ferma e Kafshëve‘ flet Shqip, flet shumë për historinë e një populli që ka kaluar në diktaturë, dhe se sa e brishtë është më pas ajo që vjen pas një sistemi kaq të gjatë“shprehet regjiorja, Driada Dervishi.

Regjisorja Driada Dervishi, është gjithmonë besnike që veprat e saj t’i shkojnë për shtat realitetit./tvklan/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Sot hapëm Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi.

“Sot hapëm Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi. Një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë”, ka shkruar Osmani.

Ajo u shpreh se kjo është një prani edhe më e fuqishme diplomatike në një nga rajonet më strategjike në Azi.

“Një shtëpi më shumë e Kosovës, ku do të avancohen interesat e qytetarëve tanë, do të fuqizohen aleancat tona dhe do të mbrohet me vendosmëri shenjtëria e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e shtet”, ka shtuar ajo./KultPlus.com

DPA ekspozitë mbi dinamikën e Himarës në shekullin e kaluar

Në nisje të sezonit veror Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) u ndal në një prej perlave joniane, për të sjellë pranë publikut ekspozitën dokumentare dhe fotografike mbi dinamikën e qytetit turistik të Himarës në shekullin e kaluar.

Në bashkëpunim me bashkinë e Himarës, DPA-ja shpalosi përgjatë shëtitores së qytetit një rrëfim në lidhje me bukurinë e përveçme të Rivierës dhe veprimtaritë publike të atyshme, të përqendruara në gjysmën e parë të shek. XX.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm kryebashkiaku Vangjel Tavo, si edhe banorë, turistë dhe të interesuar të shumtë.

Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë kërkesa e vitit 1922 për krijimin e bashkisë së Himarës, gjer asokohe nënprefekturë e Vlorës, korrespondenca mes banorëve të zonës dhe autoriteteve shtetërore mbi probleme të përgjithshme, kërkesa për rindërtimin e skelës së portit si dhe kërkesa për krijimin e një flote kombëtare tregtare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri të shtunën, datë 3 maj.

Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërëndesat në veprimtarinë e DPA-së./atsh/KultPlus.com

Qendra Kombëtare e Kinematografisë mbështet financiarisht projekte filmike me metrazh të gjatë

Qendra Kombëtare e Kinematografisë vendosi të miratojë financimin e zhvillimit të projekteve për katër filma të metrazhit të gjatë.

Filmat të cilëve do t’u financohet zhvillimi i projekteve janë:

“Pasuesi i padukshëm”, regjia dhe skenari Robert Budina, prezantuar nga producentja Sabina Kodra, shtëpia kinematografike “Era Film” me vlerë financimi 2,500,000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë;

“Midis tokës dhe qiellit”, regjia Gledis Bica, skenari Gledis Bica dhe Florent Zerellari, prezantuar nga producentja Ajsela Vojka, shtëpia kinematografike “dART Production” me vlerë financimi 1,750,000 (një milion e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) lekë;

“Dita e Valentinit”, regjia dhe skenari Evi Gjoni, prezantuar nga producentja Elida Rasha, shtëpia kinematografike “Ska-Ndal”, me vlerë financimi 1,750,000 (një milion e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) lekë;

“Lulebore dhe pika gjaku”, regjia dhe skenari Kelmend Karuni, prezantuar nga producenti Florenc Papas, shtëpia kinematografike “Tunnel Film” me vlerë financimi 1,700,000(një milion e shtatëqind mijë) lekë.

Më herët QKK shpalli fituesit e projekteve kinematografike si vepër e parë dhe e dytë, të cilat u fituan nga Erenik Beqiri, Suela Bako dhe Iris Elezi.

Projektet që janë shpallur fitues sipas QKK janë: “After dark” regjia Erenik Beqiri, skenari Erenik Beqiri e Marija Apvecka, prezantuar nga producenti Dritan Huqi, shtëpia kinematografike “On Film Production” me vlerë totale 19,000,000 lekë; “Të gjithë vdesim lakuriq” regjia Iris Elezi, skenari Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, prezantuar nga producenti Enea Gramo, shtëpia diskografike “Art Film” me vlerë totale 18,500,000 lekë; “Ne të treja” regjia Suela Bako, skenari Suela Bako dhe Doruntina Basha, prezantuar nga producentja Sabina Kodra shtëpia diskografike “Era Film” me vlerë totale 18,500,000 lekë./atsh/KultPlus.com

O Zot sa aromë fëmijërie!

Poezi nga Majlinda Bregasi

Fqinja ime më dhuron një trëndafil
sa herë kthehem nga rruga.
E lodhja pa pandehur më shtrohet
petale të kuqe në duar
Intrigat në kërcej të prerë shtrembër.
Ndërskamjet në gjemba të harruar.

E unë as vetë s’e di
Si s’më kujtohet më
gjithë ajo rrugë e gjatë e lodhshme
E ngjitur pas këpucëve tërë pluhur.

Fqinja ime më tregon kopështin
sa herë më shikon nëpër shkallë
Këtë vit mëllagat janë më të mira
e zambakët e bardhë nuk kanë të mbaruar.
Pastaj pret një trëndafil të kuq
si ai që më dhuroi sot në mëngjes
teksa i jepja pakon e Amazonit
që i kish ardhur për të birin.

Fqinja ime e mirë buzëqesh
sa herë unë i thërras në emër
Në sy i lulëzon harresa
në duar i vyshken ditët
që kanë filluar vallëzimin së prapthi
ndërsa ajo pret një trëndafil të kuq
Si ai që më dhuroi një orë më parë
e unë i them sërish
Për të pestën herë vetëm sot
O Zot sa aromë fëmijërie!
E fqinja ime e urtë mbushet frymë
Mbyll sytë
ngre supet
si fëmija në ditën e parë të shkollës
që mezi pret të zbulojë botën e madhe
që asaj tashmë i lulëzon në duar
në një trëndafil të kuq
Të njëjtin që e harron sa herë i kthej shpinën.

DRTK Berat rikthen elementët tradicionalë në fasadën e Kishës së Sinjës

Kisha e Shën Marisë, në Sinjë të Beratit, është Monument Kulture i Kategorisë I, prej vitit 2015.

Arkitektura e saj nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje.

Struktura e mureve është e ndërtuar vetëm në tre krahë të planimetrisë së kishës; përkatësisht në fasadën perëndimore e cila është edhe fasada kryesore ballore, në atë veriore me shtrirje shumë të vogël dhe në fasadën jugore ku nga gjurmët kuptohet se fillimisht është përdorur si hyrje për në kishë nëpërmjet shtegut që formon shkëmbi natyror pranë.

Ana lindore kufizohet direkt me pjesën e shkëmbit natyror. Duke pasur vetëm një fasadë ballore edhe hapësirat e dritës ndodhen në këtë anë: tri dritare gjatësore prej druri me hapje horizontale nga brenda me arkitra druri sipër.

Specialistët e mirëmbajtjes së DRTK Berat kanë ndërhyrë duke bërë zbërthimin e kangjellave metalike që ishin vendosur në dritare. Në vend të tyre u vendosën kapakët tradicionalë prej druri. Kapakët u trajtuan me vaj lini për mbrojtje ndaj kushteve atmosferike dhe për të ruajtur pamjen natyrale të drurit.

Ndërhyrja e kryer ka si qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe kthimin e elementëve orgjinalë të objektit Monument Kulture.

Hyrja kryesore e kishës së Sinjës ndodhet në anën lindore njëflegërshe me hapje nga brenda po prej druri, duke u paraprirë nga një derë prej hekuri. Në anën jugore ndodhet një portë dyflegërshe e bllokuar nga brenda me një mur dhe jofunksionale. Nga konfigurimi i terrenit pranë kuptohet se fillimisht kjo ka qenë hyrja kryesore për në kishë, duke kaluar nëpër shtegun e ngushtë pranë shkëmbit.

Hapësira e brendshme e kishës është e vogël dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor./ KultPlus.com

EU4Culture, trajnim operatorëve turistikë si të prezantojnë monumentet e kulturës

Në kuadër të projektit të EU4Culture për trajnimet e udhërrëfyesve turistikë po përgatitet turi “Triada e Arbrit”.

Ky tur ekskluziv, ku janë të ftuar operatorët turistikë, guidat dhe profesionistët e turizmit përfshin kishën historike të “Shna’ Ndout” tek Kepi i Rodonit, kishën mesjetare të “Kuvendit të Manastirit” në Rubik dhe Urën të Kuçajt në Krujë.

Projekti mbështetet përmes programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Triada e Arbrit” do të zhvillohet më 15 maj në këto tre destinacione magjepsëse të lidhura në një itinerar të harmonizuar që ofron përvojë të plotë kulturore dhe natyrore. Pjesëmarrësit do të marrin një paketë të plotë informative që përfshin jo vetëm të dhënat historike dhe kulturore për këto destinacione, por edhe udhëzime metodologjike se si të prezantohen këto informacione në mënyrën më tërheqëse për turistët./ KultPlus.com